• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Denim maksimal per vrasjen e gruas dhe vajzes 9 vjeçare

Fshatari

No vip
Anëtar
Jul 27, 2013
Postime
7,910
Reaction score
713
Points
113
Dënimi kapital për Pjetër Ndrecajn, flasin familjarët e bashkëshortes që ai e vrau

Kosova u trondit mbrëmjen e 7 gushtit të vitit të kaluar kur Pjetër Nrecaj vrau me armë zjarri gruan dhe vajzën e tij 9-vjeçare në fshatin Brekoc të Gjakovës, derisa po qëndronin në shtëpinë e vëllezërve së bashku me fëmijët. 40-vjeçari, Nrecaj, e pranoi krimin para trupit gjykues, e për atë vepër e armëmbajtje pa leje u dënua me 25 vjet burg. Kjo deri mëngjesin e sotëm, kur Gjykata e Apelit mori vendim për ndryshim të kësaj mase, e i njëjti tashmë do të vuajë burgim të përjetshëm. Për këtë rast Express gjatë ditës ka marrë rrëfimin e familjarëve të Valbonës.
Valbona Marku Nrecaj kishte duruar për shumë vite dhunën nga bashkëshorti i saj, Pjetri, deri në gushtin e vitit të kaluar kur ajo do të vendoste të ikte në shtëpi të vëllezërve.
Veprimi i saj acaroi edhe më shumë bashkëshortin, që në shtëpinë e vëllezërve të tashmë të ndjerës do të shkonte i armatosur e nga aty do linte të vdekura përveç gruas edhe vajzën e tij Klarën 9-vjeçare.
Se e kishte kryer krimin 40-vjeçari e pranoi edhe para gjykatës, duke shtuar se gjithçka kishte ndodhur aksidentalisht, e për të njëjtën vepër ishte penduar.
Më 2 nëntor të 2018-s, Gjykata Themelore në Gjakovë shpalli fajtor Pjetër Ndrecaj për vrasjen e dyfishtë, duke e dënuar me 23 vjet për vrasje dhe 2 vjet për armëmbajtje pa leje, ku i llogaritej edhe koha që e kishte kaluar në paraburgim.
Dënimi për aktin makabër u komentua shumë e për të njëjtin rast u organizuan disa herë protesta që bënin thirrje për ndryshim të masës në burgim të përjetshëm, duke llogaritur vrasjen si një nga më të rëndat që ka ndodhur viteve të fundit.
Mëngjesin e së premtes, Gjykata e Apelit hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, e të njëjtit ia ndryshuan masën me burg të përjetshëm duke u bazuar në peshën e rëndë të veprës penale dhe rrethanat posaçërisht rënduese.
Gazeta Express gjatë ditës ka biseduar me familjarët e të ndjerës. Vëllai i Valbonës, Shkelzen Marku, është deklaruar se masa që i është caktuar kryesit të veprës nuk ia heq dhimbjen që kanë, e flet edhe për letrat që i ka lënë motra.
“Nuk është punë krenarie apo dëshire, është dhimbje e thellë për familjen, ky vendim nuk na e lehtëson dhimbjen ose pikëllimin, mirëpo sot vetëm u vendos drejtësia e limituar për vrasjen e Valbonës dhe Klarës, është e limituar pasi që nuk ka qenë vetëm natën e vrasjes dhe ky është një vendim që duhej të merrej që në fillim, duke pasë parasysh drejtësinë që kemi në Kosovë nuk lë vend të komentohet shumë duke pasë parasysh që në fillim kur motra e kishte denoncuar sa e sa herë dhe nuk u ndërmor asgjë”, thotë Shkëlzeni.
Vëllai i Valbonës thotë se nuk kanë marrë ndihmë nga askush e madje nuk u është ofruar as siguri e për këtë janë detyruar që të ikin nga Kosova.
“Jemi larguar nga Kosova pas dy tre muajsh që ka ndodhë rasti prej fjalëve dhe rrezikshmërisë së lartë të fëmijëve dhe familjes dhe sigurisë që s'i ka interesuar askujt e lidhjeve që i kishin në polici, e kam pa shumë të pasigurt me i lënë familjen atje. Pas çdo përpjekje që bëja të ndihmoja fëmijët ose që familja s’ndihej e sigurt ishte e kotë të merrej dikush me ne”, deklarohet Shkëlzeni.
Ai tregon për Express, se e ndjera ka lënë edhe dëshmi të mjaftueshme që tregojnë se kishte rrezik që të çonin rastin edhe deri në vrasje.
“Motra ka lënë letër dhe ka dëshmi të mjaftueshme se pse u vra, me aq sa e di unë hetuesia i ka të gjitha në dorë, mbetet të shihet pas kësaj tragjedie nëse drejtësia në Kosovë të paktën tani do të eci si duhet pasi dëshmitë që i dha motra ime çdo ditë sa ishte gjallë, sipas policisë, ishin shumë të pabaza”, thotë ai.
“Pas vrasjes që ndodhi e kemi marrë vesh nga fëmijët e motrës që njana vajzë i kishte lexuar dy letra të Valbonës fshehurazi që i kishte pas në çantë, por ne s’kemi gjetë asnjë letër, Valbona s’ka dashtë me rreziku familjen edhe me lanë dëshmi te ne, vajza e dëshmon se letra është shkruar nga e ëma”, thotë Shkëlzeni, duke përfunduar se shpresojnë që rasti që u ka ndodhur atyre të jetë i fundit.
Pjetër Nrecaj për vrasjen e gruas dhe vajzës është dënuar me burg të përjetshëm, e ky është dënimi më i rëndë që parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Në kohën kur kishte ndodhur vrasja çifti ishin të ndarë e po jetonin në shtëpi të ndryshme, dy prej fëmijëve jetonin me të atin dhe tre me nënën. /Express
__________________________________________
https://www.gazetaexpress.com/lajme/denim-kapital-per-pjeter-ndrecajn-flasin-familjaret-e-bashkeshortes-qe-ai-e-vrau-631541/
 
Top