• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Fan S. Noli mbetet nga themeluesit e oratorisë shqiptare dhe mjeshtri i fjalës së shkruar

Gi de Masha

V.I.P
Anëtar
Apr 21, 2010
Postime
13,817
Reaction score
528
Points
113
Location
Danimarkë
Rrëfimi i Nasho Jorgaqit/ Fan S. Noli mbetet nga themeluesit e oratorisë shqiptare dhe mjeshtri i fjalës së shkruar. Fjalimi brilant para shqiptarëve dhe Presidentit Xhonson në Shtëpinë e Bardhë, më 1964
Nga
Gazeta Telegraf
-
17 Dhjetor, 2019
583


-Fan Noli, mbetet nga themeluesit e oratorisë shqiptare, një nga mjeshtrit e fjalës së shkruar
– Rruga e oratorisë noliane nis me një fjalim politik të mbajtur më 1906, në një rreth të ngushtë mërgimtarësh të varfër shqiptarë në Boston
– Fjala mbyllet me një përshëndetje në Shtëpinë e Bardhë para Presidentit Xhonson të ShBA më 1964
– Ata që kanë pasur fatin ta dëgjojnë Nolin në këto raste dëshmojnë për efektin e jashtëzakonshëm të fjalës së tij
-Mw p;sohtw fjala e F. S. Nolit në një banket organizuar nga shqiptarët në Worcester (Uster) më 22 nëntor 1953.
-Më shumë se sa një fjalim, ajo është një dolli, një bisedë tipike noliane, që ai zhvillonte me bashkatdhetarët


Fan Noli, siç dihet, është nga themeluesit e oratorisë shqiptare, një nga mjeshtrit jo vetëm të fjalës së shkruar, por edhe të fjalës publike. Jo më kot atë e cilësuan Demosteni i shqipes dhe me këtë kishin parasysh aftësitë e rralla shprehëse, forcën argumentuese dhe ngarkesën emocionale të fjalës së folur shqipe. Rruga e oratorisë noliane nis me një fjalim politik të mbajtur më 1906, në një rreth të ngushtë mërgimtarësh të varfër shqiptarë në Boston dhe mbyllet me një përshëndetje në Shtëpinë e Bardhë para Presidentit Xhonson të ShBA më 1964. Në këtë hark kohor përmbi gjysmë shekulli përmblidhet një nga thesaret me vlera të shquara historike, kulturore dhe letrare që ai na ka lënë. Fjala që po u paraqesim lexuesve është shqiptuar prej F. Nolit në një banket organizuar nga shqiptarët në Worcester (Uster) më 22 nëntor 1953. Më shumë se sa një fjalim, ajo është një dolli, një bisedë tipike noliane, që ai zhvillonte me bashkatdhetarët. Zakonisht këto biseda ai i ndërtonte mbi ngjarje që i quante mesele, të përjetuara prej tij ose të huazuara nga historia apo bibla. Ato karakterizohen nga ide të rëndësishme dhe mendime të holla, të shprehura thjeshtë e qartë, përmes një humori të këndshëm dhe gjuhe popullore, të përshkuara nga ndjenja e gëzimit të jetës. Ata që kanë pasur fatin ta dëgjojnë Nolin në këto raste dëshmojnë për efektin e jashtëzakonshëm të fjalës së tij. Ai e mbërthente auditorin, fjala e tij kishte efektin e një muzike të gjithëpushtetshme, kurse humori që përcillte ishte i papërsëritshëm dhe tepër mbresëlënës.

Nasho Jorgaqi

Duke ia dhënë lexuesit këtë fjalim të panjohur, duam ta bëjmë Fan Nolin të pranishëm në mes nesh. Të lexojmë me këtë rast fjalën e tij të mençur, të urtë, hokatare!




Për një ushqim vegjetarian
Nga Fan S. Noli


Zoti dollibash, zonja dhe zotërinj!

Jam shumë i lumtur që ndodhem mes jush këtë mbrëmje në këtë banket. Para se të vazhdoj më tej, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për këtë darkë të shkëlqyer që ju, zonja, na keni servirur me akullore si ëmbëlsirë. Për akulloren kam mall, sepse nuk e ha dot ngaqë është kundër dietës sime. Dhe kjo më kujton një histori të Nastradin Hoxhës.
Një herë e një kohë, kur Nastradin Hoxha ishte djalë i vogël, i tha të atit: “Baba, mbrëmë pashë një ëndërr për të qeshur dhe dua që ti të ma shpjegosh. Ëndërrova dondurma, që në turqisht do të thotë akullore. Çdo të thotë kjo?”
I ati iu përgjigj me shaka: “Unë mund të ta shpjegoj ëndrrën, por kjo do të kushtojë një lirë, të cilën duhet të ma parapaguash.”
“Eh, – ia ktheu Nastradini, – po të kisha një lirë, nuk do ta shihja akulloren në ëndërr, por do ta haja.”



Siç mund ta keni vënë re, unë jam vegjetarian. Por mos u trembni. Nuk do t’ju predikoj ndonjë mësim vegjetarian dhe t’ju prish tretjen e ushqimit. Do t’ju tregoj se kush më ktheu në vegjetarian. Njeriu që e bëri këtë ishte miku ynë i vjetër, Faik Konica, i cili shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Uashington nga 1926-a deri më 1939-ën dhe që besonte se asnjë ditë nuk ishte e përsosur pa dy biftekë, një për drekë dhe një për darkë, nganjëherë edhe një për mëngjes. Konica besonte te vegjetarianizmi, por e keqja ishte se ai thjeshtë nuk i thoshte dot “jo” një bifteku të madh e të lëngshëm. Nganjëherë ndërgjegjja e tij prej vegjetariani e shqetësonte aq shumë, sa i duhej të linte mënjanë të paktën një ditë vegjetarian në javë. Një ditë e kam parë të hante për dy vet, ose një sasi të madhe ushqimi vegjetarian dhe t’i jepte fund me një biftek duke thënë: “Motra jonë, lopa, ia ka ngenë të hajë ushqim vegjetarian gjithë ditën. Ne, qeniet njerëzore, duhet të pushojmë së ngrëni dhe të bëjmë edhe disa punë të tjera. Kjo është koha kur shfaqet bifteku.”

Konica ishte nga ata njerëz që e shijonte dhe e donte ushqimin. Ai besonte te sasia, sikurse dhe tek cilësia. Një ditë e pashë të fillonte me një tas të madh me midhje të përvëluara; vazhdoi më pas me një karavidhe; pulë të pjekur dhe biftekun e domosdoshëm. Mbas ëmbëlsirës ai ra në gjumë hipnotik dhe unë kujtova se u sëmur nga mbingrënia. Por isha gabuar. Shpejt zbulova se ajo që e shqetësonte ishte diçka krejt tjetër. Pa orën e dorës dhe tha: “ora është pesë; së shpejti do të jetë gjashtë. Kur do të hamë darkën?”



Fjalët e fundit të Konicës në shtratin vdekjes, drejtuar shërbëtores së tij zezake, ishin: “Hati, më sill një biftek, por që të jetë i papjekur, i kuq dhe i lëngshëm. Po të jetë shumë i pjekur, do ta kthej mbrapsht.” Ai mendonte se duhej të vdiste me stomakun plot.

Konica nuk ishte i vetmi që besonte në idealin gastronomik. Kur isha në Egjipt, zbulova se edhe egjiptianët mendonin se duhej të vdisnin me stomakun plot. Gjella kombëtare në Egjipt është e ashtuquajtura “mouloukhia”. Ajo duket si një supë e hollë me spinaq dhe hahet me petulla e fasule egjiptiane. Miqtë tanë egjiptianë nuk përdorin thika, pirunë, lugë apo peceta. Në vend të tyre përdorin duart dhe i fshijnë në tallaganët e tyre, që i quajnë “shelegia”. Darka përfundon me një mocha që është kafe nga Mocha në Arabi, e përgatitur në një mënyrë të veçantë. Kafja e tyre nuk është e bluar, por e shtypur në qypa të mëdhenj argjendi me doreza argjendi. Tani kini mendjen – kjo është e rëndësishme. Ndërkohë që shtypin kafenë, egjiptianët këndojnë një melodi të fortë që tingëllon më shumë si himn se sa si këngë. Ajo vazhdon si më poshtë: “Hey, hey! Ho, ho!” Dhe ngulin këmbë se është kjo këngë që i jep kafesë një shije të veçantë. Provojeni, zonja, dhe më thoni nëse kafja juaj shijon më shumë se kafja prozaike, që ju e bëni pa ndonjë këngë ose poezi.


Fshatarët egjiptianë, pas “mouloukhia-s” së bollshme, zakonisht marrin një sy gjumë. Nuk përdorin jastëkë. Vendin e tyre e zë ndonjë kërcu ose shkëmb. Aktualisht jastëku i tyre më i preferuar është binari i shinave të hekurudhës, por rojet mizore nuk i lënë ta gëzojnë. Ata u thonë se kjo është e rrezikshme dhe padyshim do të thotë vdekje kur treni rrëshqet përgjatë shinave. “Anamale”, përgjigjen ata, që në gjuhën egjiptiane do të thotë: “S’na bëhet vonë. Një ditë do të vdesim dhe më mirë të vdesim me stomak plot, se sa me stomak bosh.”

Le të mbetemi te problemi i darkave dhe banketeve, vegjetariane apo të tjera, që ne të gjithë i shijojmë. Unë kujtoj me kënaqësi një banket të shkëlqyer që kam ndjekur në një teqe bektashiane, në Teqenë e Tepelenës në Shqipëri. Baballarët bektashianë që ma shtruan besonin në darkat e zgjatura. Ajo filloi rreth orës një pasdite dhe mbaroi rreth orës tetë në mbrëmje. Dy orët e para ua kushtuam lloj-lloj mezeve dhe aperitivëve të shijshëm, të cilët i shoqëronim me raki të bardhë Përmeti. Mbas tri orëve të para unë mendova se darka mbaroi. U ngrita për t’u thënë lamtumirë mikpritësve të mi. Babi i Teqes, i hutuar, më tha se sapo kishim filluar dhe atë çast do të vinte supa! U ula përsëri dhe numërova 10 ose 12 orë njëra pas tjetrës. Të gjitha gjellët ishin aq të shkëlqyera sa kur mbaroi banketi unë nuk ndenja pa e puthur kuzhinierin në të dyja faqet. T’ju them të vërtetën këmbët më dridheshin pak dhe koka më vinte ca vërdallë dhe e pata të vështirë t’i hipja kalit dhe të qëndroja mbi shalë.
Kjo më kujton meselenë e priftit që, në një darkë, piu më shumë se mund të mbante. Ai nuk ishte tamam pijanec, por ishte shumë i dashur për t’i thënë “jo” të zotit të shtëpisë dhe u përgjigj: “Tani, uratë, ju lutem pini dhe një gotë tjetër.” Në fund të darkës prifti me vështirësi i hipi kalit dhe u kthye në shtëpi. Gjatë rrugës iu desh të kalonte një lumë dhe kali përfitoi nga rasti për të pirë ujë. Prifti i zbriti kalit dhe e la të pinte tamam. Pastaj i tha: “Tani, i dashur kalë plak, më bëj një favor dhe pi edhe ca.” Kali tundi kokën dhe ia ktheu: “Në asnjë mënyrë jo.” Prifti nguli këmbë: “Tani, i dashur kalë plak, më bëj një favor dhe pi edhe ca.” Kali tundi përsëri kokën dhe tha: “Gjë që s’bëhet.” Atëherë prifti shtoi: “Eh, i dashur kalë plak, ti do të kishe qenë prift më i mirë se unë. Ti e di kur duhet t’i japësh fund të pirit. Unë jo.”

Si delegat i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, pata mundësinë të marr pjesë në disa darka e bankete. Veçanërisht njëra prej tyre më bëri shumë përshtypje. E shtronte një princ indian, që përfaqësonte Indinë. Kishin thirrur një kuzhinier nga Parisi për të përgatitur gjellë të ndryshme dhe shërbenin verë speciale franceze, të përcaktuar për çdo gjellë. Të përcaktuar do të thotë verë e lehtë me gjellët e para, verë e rëndë me gjellët e dyta, shampanjë me ëmbëlsirën dhe frutat dhe “Benedictine” e “Chartreu” mbas kafesë. Gjëja më e mirë e kësaj darke ishte se nuk u kërkuan fjalime mbas darke. Dhe ky ishte një vendim shumë i urtë, sepse mbas gjithë atyre verërave dhe likernave franceze asnjë delegat nuk do të ishte në gjendje të shqiptonte edhe një tingull të vetëm. Të gjithë të ftuarve u ishte lidhur gjuha. Kjo më kujton zakonin qesharak të fjalimeve mbas darke. Siç e dini të gjitha qeniet e gjalla, mbas një darke të këndshme duan të marrin një sy gjumë e të tresin ushqimin në paqe. Kurse ne, qeniet njerëzore, pas të ngrënit fillojmë të flasim e të flasim. Për fat të mirë është një dollibash që i kujton folësit të jenë të dashur e t’i bien shkurt. Z. Dollibash, më ndalo nëse koha ime ka mbaruar dhe po llomotis shumë.

Në Tiranë, kryeqytet i Shqipërisë, si kryeministër më duhej të jepja lloj-lloj darkash diplomatike. Në të gjitha këto darka kënaqesha sepse, siç e dini, ato janë falas. Për to paguan shteti me qëllim që të argëtojë dhe të kënaqë të dërguarit e huaj. Më kujtohen veçanërisht darkat që jepja për të dërguarin britanik. Ai ishte i shëmtuar dhe krijonte distancë midis vetes dhe kujtdo që i afrohej. Në fytyrën e tij mund të lexonit se ai përfaqësonte Perandorinë e fuqishme Britanike, ku “dielli nuk perëndon kurrë”. Kur ishte esëll, prej tij ishte e pamundur të nxirrje një buzëqeshje. Por mbas dy gotash konjaku të fortë shqiptar që të ngroh zemrën dhe që ne e quajmë raki, ai hidhte tutje dinjitetin e tij britanik dhe bëhej fare njerëzor. Ai më donte dhe unë e doja. I pëlqente veçanërisht rakia e gjelbër e Drenovës, rakia e bardhë e Përmetit, vera e kuqe e Pogradecit dhe vera e kuqe e errët e Korçës. Unë nuk e bindja dot që të gjitha këto pije ishin prodhime lokale shqiptare. Ai ngulte këmbë që ato vinin nga Parisi. Më në fund, një ditë i thashë: “Jo, nuk vijnë nga Parisi, vijnë nga më larg, ato vijnë nga qielli. Ja përse na bëjnë që të dyve kaq të lumtur.”

Pra, rezultati i gjithë këtyre darkave dhe banketeve të pasura ishte si më poshtë: unë shkova në Shqipëri si një burrë i dobët, me pamje prej të urituri, që peshonte 130 paund dhe pas tre vjet me standard të lartë si anëtar i Parlamentit, ministër, delegat në Lidhjen e Kombeve dhe Kryeministër i Shqipërisë unë u bëra një trashaluq me bark, që peshonte rreth 200 paund. Dhe shtoja në peshë çdo javë e çdo muaj. Sikur të kisha ndenjur më shumë në Shqipëri në ato zyrat e larta, tani do të isha i vdekur e i tretur. Dhe a e dini kush më shpëtoi? Armiqtë e mi që më përzunë nga Shqipëria e më çuan në Vjenë, ku u konsultova me një mjek. Ai më tha se po shkoja drejt ulcerës së stomakut, tensionit të lartë, diabetit dhe disa komplikacioneve të tjera. Ai nuk më dha më shumë se një vit jetë po të vazhdoja të shtoja në peshë apo dhe të qëndroja aq sa isha. Më vuri në dietë të fortë. Thjeshtë më futi frikën e vdekjes.

Ishte ajo kohë, më 1925, që u ktheva në vegjetarian. Gati për gjashtë muaj humba 70 paund dhe këtë e quaj arritjen më të madhe në jetën time. Gjithë të tjerat s’janë veçse vogëlsira krahasuar me këtë. Ju zonja dhe zotërinj, provojeni dhe do ta shikoni vetë.

Kam qenë vegjetarian që nga viti 1925 deri më 1934. Për fat të keq mora një pneumoni dhe mjeku më tha o të haja mish, o të vdisja. I besova dhe iu ktheva biftekëve. Shpejt filloi të më kërcënojë përsëri ulcera, tensioni, diabeti e komplikacione të tjera. Dr. Murphy nga Bostoni, fitues i Çmimit Nobel, më vuri përsëri në dietë të fortë. Më 1947 u bëra prapë vegjetarian dhe vazhdoj të jem dhe sot. Ndjehem aq mirë, sa jam i sigurt se do të mbetem vegjetarian për gjithë jetën.

Është e vërtetë që në Boston nuk kam kthyer shumë njerëz në vegjetarianë. Dhe me sa di as në Uster nuk kam kthyer ndonjë. Por e keqja është se nuk më keni dhënë rast. Ju më ftoni në Uster vetëm dy herë në vit. Kam këtë sugjerim: më ftoni çdo vit për dy Mesha Pontifike në gjuhën shqipe dhe dy në gjuhën angleze për brezin e ri, me ose pa bankete, si të vendosni vetë. Kjo do të më japë më shumë kohë që t’ju kthej në vegjetarianë. Dhe gjithashtu mund t’ju japë juve më shumë kohë të më ktheni mua në jovegjetarian.

Dhe tani, deri sa të takohemi përsëri, Zoti ju bekoftë! Ju faleminderit.
 

King Bardhyl

V.I.P
Anëtar
Mar 24, 2015
Postime
8,108
Reaction score
852
Points
113
Na gjeni një çikë atë fjalimin e Nolit në Lidhjen e Kombeve, në Zvicër më duket. Ai është perlë.
 
Anëtar
Sep 2, 2014
Postime
7,949
Reaction score
650
Points
113
Location
zemra e alpeve Österreich
Duke pare qe ne 30 vjetet e fundit shoqeria shqiptare ka prodhuar dhe vazhdon te prodhoje vetem plehra, figura te tilla si Fan Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, apo dhe shume Rilindas te tjere, vetem lartesohen me shume dhe behen udherrefyes te shqiptarizmes. Vertet gjynah i madh qe kemi mbetur 100 vjet mbrapa dhe e tashmja nuk prodhon me asgje, pervec llumit, dallavereve dhe mediokritetit. 😢
 

King Bardhyl

V.I.P
Anëtar
Mar 24, 2015
Postime
8,108
Reaction score
852
Points
113
Ja një përkthim brilant i F.S. Nolit, poezinë, "Scanderbeg" të Longfellow-it.

Një kritik yni letrar, shumë vite më parë ka pas thënë: "Noli e bëri Hamletin të flasë shqip ...."
Jo perkthim, por Shqiperim. Eshte nje fjale qe eshte perdorur pothuajse ekskluzivisht per Nolin, pikerisht sepse sic e ke cituar edhe ti ne postimin tend e beri Hamletin te flase Shqip, por jo vetem Hamletin.
 

Gi de Masha

V.I.P
Anëtar
Apr 21, 2010
Postime
13,817
Reaction score
528
Points
113
Location
Danimarkë
Jo perkthim, por Shqiperim. Eshte nje fjale qe eshte perdorur pothuajse ekskluzivisht per Nolin, pikerisht sepse sic e ke cituar edhe ti ne postimin tend e beri Hamletin te flase Shqip, por jo vetem Hamletin.
Shumë të faleminderit. Ke shumë të drejtë. faktikisht të shumtën e herës e përdor fjalën shqipërim, por ja që më iku pa dashje.

Nuk po e ndreq postimin - dmth këtë fjalë atje ku e përdora, sepse i bie që po fsheh fajin/ gabimin.

E po njerëz jemi, edhe gabojm¨åe ndonjëherë!
 

King Bardhyl

V.I.P
Anëtar
Mar 24, 2015
Postime
8,108
Reaction score
852
Points
113
Shumë të faleminderit. Ke shumë të drejtë. faktikisht të shumtën e herës e përdor fjalën shqipërim, por ja që më iku pa dashje.

Nuk po e ndreq postimin - dmth këtë fjalë atje ku e përdora, sepse i bie që po fsheh fajin/ gabimin.

E po njerëz jemi, edhe gabojm¨åe ndonjëherë!
Edhe fjala perkthim eshte ne Shqip dhe perdoret gjeresisht. Por ne rastin e Nolit eshte perdorur gjithmone Shqiperim ose Shqiperoi sepse behej fjale per dicka me cilesore se perkthimi. Eshte nje fjale e shpikur per Nolin.
 

King Bardhyl

V.I.P
Anëtar
Mar 24, 2015
Postime
8,108
Reaction score
852
Points
113
Na gjeni një çikë atë fjalimin e Nolit në Lidhjen e Kombeve, në Zvicër më duket. Ai është perlë.
Fjalimi befasues i Fan Nolit në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve. Kur Shqipëria e varfër kërkonte hua botës



Kulmin e saj oratoria e Nolit në Lidhjen e Kombeve e arriti me fjalimin aq të debatuar që mbajti në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më 10 shtator 1924. Shtypi ndërkombëtar e pasqyroi si një ngjarje jo të zakontë në aeropagun e diplomacisë botërore. Disa nga mediat më të mëdha të kohës do të shkruanin kështu për Nolin:


Mezzogiorno: “Fjala më e kthjellët dhe më e mençur”


Gazette de Lausanne: “Fjalë pa masë e zgjuar dhe e hollë”


Daily Telegraph:“Fjalë të drejta. Bombë e peshkopit shqiptar”


New York Times: “Peshkopi Kryeministër Fan Noli i Shqipërisë i bëri delegatët e Lidhjes së Kombeve të mbeten gojëhapur, kur u mbajti një nga fjalët që bëri bujë dhe pa dyshim një nga fjalët më piktoreske”



Nga mbledhja


Kryetari M. Motta:
Kërkoj leje t’i drejtohem Asamblesë duke njoftuar se folësi i fundit, është Imzot, Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë. Kam nderin ta përshëndos si kryeministër dhe kryetar të qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Zvicra, janë shtete të vogla, dhe përfitoj nga ky rast të shtoj se tërë shtetet anëtarë të Lidhjes së Kombeve janë të njëshme para ligjit.


Fjalimi i Fan Nolit


Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” Ç’kemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëllmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë që Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.


Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut. Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë? Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetëshe? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri. Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet. Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim. Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, z. Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ar., për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeni prapë “Jo”. E dija. Mirë, pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe se sa të bëjmë këtë. Them “më duket” – I guess – sepse dua që ju të gjithë të dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është i mbushur me O’ Connors, O’ Connells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër gjithë barrën e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqësuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen. Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fort dëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë, punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, z. Kryetar, pse nuk i jepni fund këtyre llomotitjeve dhe pse nuk më jepni atë hua prej 500 milionësh fr.ar., që më premtuat para se ta merrja fjalën? Dhe tani që iu përgjigja pyetjes së parë: “Ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit?” , më lejoni të vij te pyetja e dytë dhe e fundit: “Ç’të bëjmë ne tani në këtë Asamble?” Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: “Fjalë, fjalë, fjalë” , dmth erë e asgjë më tepër. “Është një përrallë e dhënë prej një idioti plot me bujë e tërbim, pa kurrfarë kuptimi.” Cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit? Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’i dërgojë një raport konferencës. Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë do t’i dërgohen së fundi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi. Dhe kjo do të thotë, natyrisht, se e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë flluskat e sapunit. Por ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do të shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua “me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin ku marr frymë.” Por ja, përse jua drejtova fjalën sot. Dhe meqënëse po flasim për flluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me flluskën më kolosale që ka nxjerrë historia moderne, dua të them për planin Daues (Dawes). Por a është vërtet një flluskë? Jo, është një kombinacion flluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal. Nuk është një flluskë ordinere, është një supërflluskë. Por është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha flluskat e vogla që ne lëshojmë këtu. Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpresidenti autorit të saj të shquar; por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda raparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vërtet t’i marrin. Nuk është aspak qëllimi im që t’i mërzis, por ky është fati. Kjo superflluskë e gjeneralit Daues do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes së Kombeve.


I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni, ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se z. Daues është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë, megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përpjekjeve të kontrabandistëve. Duke folur për flluska, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionësh, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashur Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një flluskë paqeje, një flluskë paqeje fort konsistente. Por jo, nuk është aspak një flluskë; ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike; por ia vlen të flitet për të?


  1. Sekretar i Përgjithshëm, merreni dhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futeni në nekropolin tuaj. Pasi iu përgjigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera. Para së gjithash në dritën e fakteve që u përmendën, a e vlen barra qiranë që të kemi një Lidhje të Kombeve?

Së dyti, në rast se e vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqja universale?


Pyetjes së parë do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bën skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndroj aty si një ideal që interpreton aspiratat më fisnike të njerëzimit, ajo duhet të qëndroj aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Ajo duhet të qëndroj aty si një pohim solemn i vullnetit universal për paqen, ajo duhet të qëndroj aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshme e qenies së saj të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë të metat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë: “Verweile doch, Du bist so schon!” ( “Oh, megjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”! )


Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e flluskave e superflluskave, që po na mbulojnë. Dhe pikërisht sepse popujt duan paqe, burrat e shtetit, politikanët u servirin atyre kohë pas kohe flluska arbitrazhi, flluska çarmatimi, flluska sigurimi dhe superflluska raparacionesh. Por paqja nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krim sa edhe vrasjet me pakicë. Duhet t’u mësojmë se ka vetëm një perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjithë tributë. Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supershtetit që do të përmbledhë të gjitha tributë, të bëhen qytetar fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri.


Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i paraprijë çarmatimit material, do të kemi gjithashtu bashkëpunimin e vërtetë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes. Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë se jemi të gjithë tribu të egra, derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë.


Oh, vritini, varini, ndiqini, në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr! Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lot të tjerë.


Përpara, o shokët e mi! Bota është gati për Ungjillin e ri. Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajën tuaj deri në pikën e fundit dhe mundimet nuk do t’ju venë kot. ( Duartrokitje të zjarrta ).


Gjeneve 1924
 

Gi de Masha

V.I.P
Anëtar
Apr 21, 2010
Postime
13,817
Reaction score
528
Points
113
Location
Danimarkë
Edhe fjala perkthim eshte ne Shqip dhe perdoret gjeresisht. Por ne rastin e Nolit eshte perdorur gjithmone Shqiperim ose Shqiperoi sepse behej fjale per dicka me cilesore se perkthimi. Eshte nje fjale e shpikur per Nolin.
Po prandaje thashë në nje postim më lart: e bëri të flasë shqip , ndaj më duket më e drejtë të thuhet shqipërim ( kur është fjala për përkthimet nga një gjuhë e huaj në gjuhën shqipe ), se përkthim ( ani se as kjo nuk është gabim ).

Por, ta zëmë, për veprat e Kadaresë thuhet: shumë nga veprat e tij u përkthyen në gjuhë të ndryshme të Evropës...
 
Last edited:

Gi de Masha

V.I.P
Anëtar
Apr 21, 2010
Postime
13,817
Reaction score
528
Points
113
Location
Danimarkë

Mano

V.I.P
Anëtar
Aug 8, 2011
Postime
9,988
Reaction score
489
Points
83
Noli eshte vertet nje aset kombetar edhe pse kishte tendenca te se majtes ekstreme. Por keta kerrmat komuniste qe paraqiten si progresive i japin me shume rendesi se c'duhet. Jane po ato kerrma qe nuk permendin euroditin shqiptar modern Fishten.
 

drague

me pushime
Anëtar
Sep 20, 2010
Postime
24,231
Reaction score
613
Points
113
Noli eshte vertet nje aset kombetar edhe pse kishte tendenca te se majtes ekstreme. Por keta kerrmat komuniste qe paraqiten si progresive i japin me shume rendesi se c'duhet. Jane po ato kerrma qe nuk permendin euroditin shqiptar modern Fishten.
Dmth. Noli paska qene marksist. Ne alkatraz do ta cojm
 

Mano

V.I.P
Anëtar
Aug 8, 2011
Postime
9,988
Reaction score
489
Points
83
Dmth. Noli paska qene marksist. Ne alkatraz do ta cojm
Ka qene. Keta kerrmat e kuq nuk kan qene marksist. Ishin kriminele qe perdoren nje ideal te rrem per genjyer popullin!
 

SystemA

Larg...KANCEROSAVE
Anëtar
Sep 14, 2010
Postime
48,292
Reaction score
844
Points
113
NOLI ka <qene>,dhe kamunist,dhe agjent i Rusise,dhe agjent i ALIENEVE.
Me kete fishten na lodhen ..............DARIN.

Tunjatjeta burra.
 
Top