• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

1944 / Fotografitë e drejtuesve komunistë me emisarët jugosllavë

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Një album i tërë i tregon udhëheqësit e të ashtuquajturit shtab nacionalçlirimtar dhe drejtuesve të Partisë Komuniste të Shqipërisë me emisarët jugosllavë Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç. Natyrisht nuk bëhej fjalë për luftë. Të gjithë ata që kanë dalë në pyjet e bukura të Shqipërisë, në lëndinat me bar ose me borë, janë të gjithë të shëndetshëm në pritje të orës së mbarimit të luftës dhe sinjalit të duhur për të goditur “armikun” (që ishin kundërshtarët politikë).


Enver Hoxha, Miladin Popoviç, Vasil Shanto, Kristo Themelko,
Ramadan Çitaku në Labinot pranë kasolles së Shegunit


Miladin Popoviç, sekretar rajonal i PKJ-së për Kosovë dhe Metohi mori një rol kryesor në bashkimin e grupeve komuniste dhe në profilizimin e PKSH-së si një subjekt shtesë i PKJ-së. Në mesin e vitit 1939, PKJ-ja ishte e interesuar për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Popoviç kishte hyrë në lidhje me komunistët e Shqipërisë për të sqaruar “rolin dyshues të Zai Fundos”. Ai (Popoviç), pasi mori nga Tito direktivat e veprimit në Zagreb, hyri në lidhje me Grupin Komunist të Shkodrës nëpërmjet Fadil Hoxhës, Emin Durakut dhe Thanas Zikos. Ky i fundit ishte student në Beograd, madje vdiq atje. Pas kësaj Hoxha dhe Duraku erdhën në Kosovë.

Miladin Popoviç, mbajti në Konferencën e 5-të të PKJ-së në Zagreb, raportin mbi gjendjen e grupeve komuniste në Shqipëri. Pasi Jugosllavia u sulmua nga forcat gjermane dhe italiane në prill 1941, çka solli kapitullimin e saj, Miladin Popoviç, vëllai i tij dhe Kristo Filipoviçi u arrestuan teksa udhëtonin nga Kosova për në Mal të Zi, dhe u internuan në një shkollë të vjetër e të braktisur në Peqin. Ky arrestim ndërpreu edhe lidhjet midis komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë. Në pranverë të vitit 1941, Vasil Shanto dhe Qemal Stafa të grupit të Shkodrës, ngarkuan Fadil Hoxhën për të mbajtur lidhjet e këputura më parë (Vladimir Dedijer “Il sangue tradito”). Në shtator 1941 vjen në Shqipëri e qëndron 10 ditë, Dushan Mugosha.

Ai merr kontakte me grupet komuniste të Shkodrës dhe të “Të Rinjve”, ku ndër të tjera propozoi lirimin e Miladinit nga kampi i Peqinit. Koço Tashko në një letër që i shkruan Kominternit, thotë se që të lehtësohej procesi i formimit të partisë mbi bazën e shkrirjes së tri grupeve komuniste në shtator 1941 ai ka qenë në Vitomiric të Pejës (së bashku me Xhevdet Dodën dhe me një anëtar të grupit të “Të Rinjve”, për të folur me Dushan Mugoshën pranë KQ të PKJ-së atje, ku kishte kërkuar ndërmjetësim të kësaj partie për formimin e PKSH-së. Ata i kërkuan falje atij për mostakimin në Tiranë nga mosnjohja.


Dushan Mugosha dhe Vasil Shanto

Pas kësaj, KQ i PKJ-së, dërgoi Mugoshën në Shqipëri për të qëndruar sa më gjatë, ku u kërkua nxjerrja e Miladin Popoviçit nga kampi i Peqinit. Personat që u morën me lirimin e tij ishin Vasil Shanto dhe Mustafa Gjinishi. Në kujtimet e tij Mugosha shkruan se Grupi i Korçës ishte më i vjetri dhe kishte kryetar Koço Tashkon, “ishdiplomat që kishte dalë shpejt nga puna, kishte banuar në Moskë dhe kishte punuar privat në Tiranë”. Ai thotë se Koçi Xoxe ishte zejtar që ishte anëtar i grupit që nga viti 1933, Miha Lako ishte punëtor, se Enver Hoxha kishte ardhur në Grupin e Korçës në prag të Luftës së Dytë Botërore. Si Dushani, ashtu edhe Miladini, përzgjodhën drejtuesit e lartë komunistë. Ata u bënë instruktuesit kryesorë të vëllavrasjes së madhe që ndodhi në vitet 1943 – 1944. Në fund të fundit, si komunistët, ballistët, zogistët, etj, ishin të gjithë shqiptarë. Vrasjet e tyre ishin vetëm në dëm të Shqipërisë.

Por drejtuesit e lartë të PKSHsë, përveçse shërbëtorë ishin edhe krejt naivë. Të mbërthyer nga një arrogancë ndaj vëllezërve të tyre dhe të pushtuar nga një mendjelehtësi e jashtëzakonshme në raport me jugosllavët, komunistët e Shqipërisë kanë lënë në letër emocionet e tyre nga koha e luftës. Letrat drejtuar Miladin Popoviçit, Dushan Mugoshës por edhe Josib Broz – Titos, ngeleshin në çdo kohë, pengjet më të sigurta në duart të jugosllavëve. Janë qindra prej tyre që janë të struktura sot në arkivat e Beogradit, si dëshmia më e gjallë e asaj që ka ndodhur në atë kohë aq të vështirë për Shqipërinë. Jo pak presione është bërë me këto letra, pjesa publike e të cilave duhet të pranojmë se është mjaft e vogël. Ato janë përdorur për kthesa në histori ose për të bërë ujditë e nevojshme që siguronin një regjim të ashpër në Shqipëri dhe një terror të garantuar në Kosovë. Këto letra që po botojmë sot janë publikuar nga Vladimir Dedijer në librin “Gjaku i tradhtuar”, një libër që njohu botimin në vitin 1949 dhe që shihej më së shumti si kundërveprim ndaj skizmës së vitit 1948 kur Jugosllavia e shpall armike nga Stalini. Dedijer, sekretar i Titos, ka botuar disa letra me faksimile në librin e tij. në atë kohë Enver Hoxha tregoi një interes të paparë për të ditur se çfarë kishte tjetër në ato arkiva, kush kishte raportuar (ndoshta) kundër tij dhe si ruheshin raportimet e tij kundër të tjerëve.


1942/Enver Hoxha, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha në Labinot


Letra e Enver Hoxhës drejtuar Dushan Mugoshës

Shok i dashur Dushan Mugosha! Tash jam më i fortë nga atë ditë që u ndamë po malli është kurdoherë i madh. Aliu qenkësh më i fortë nga ne, sido që sigurisht e marr me mënd ay e dinte se sa e preku ndarja. Jo ne por të gjithë ishin të prekur. Dr. Nishani zuri të qarët duke thënë ?kujtoj poshtërsitë që ka thënë armiku për Dushanë e Alinë për këta dy shokë, aq të mirë, të vendosur, që kanë lënë familjet, vendin e tyre dhe erdhën të na ndihmojnë ne, të luftojnë tok me ne?. Por të flasim për punë pak. Këtu kanë ardh gati të gjithë Tuk, Besnik, Hodo, Dali, Beqir Balluk, Nexhip, Pullumb etj. Nakua me Shulen s’kanë ardh akoma. Me ta kemi fillue me ba disa konferenca. E filloi Tuku me Besnikun, konferenca publike për mbi aksionet e Brigadës, qëndrimin e partizanëve etj.

Do të fillojmë dhe një kurs të vogël, ne kemi konferenca me këto tema. -Lufta imperialiste e para, dhe e dyta, luftë e drejtë dhe e padrejtë. -Partia në Ushtri. -Organizimi i pushtetit. -Lufta Nacionalçlirimtare. Do të organizojmë edhe disa kurse ushtarake. Tuku nuk është shumë i kënaqur nga Mehmeti (mos e merr se po të shkruaj apostafat për këtë gjë dhe me tendencë). Por Tuku na priste dhe thotë se qëkur ka ikur Sala Mehmeti s’peshon njeri, përpara mbledhjes së brigadës ka nënvleftësuar aksionin kundër Haki Blloshmit dhe atë të. Urdhra të çuditshme dhe jo shoqërore i ka dhënë Tukut e mjaft gjëra të tjera. Të gjitha këto, mos ki frikë se do t’i shohim me gjakftohtësi, pa paragjykime dhe do të veprojmë ashtu si vendosëm. Zgjedhjet në Korçë po bëhen me sukses në zonat e lira, por kemi frikë se do të na vinë shumë pak nga zonat e okupuara. Do të të lajmërojmë për zhvillimin e gjërave.Dushan na shkruaj dhe ti kurdoherë. Të përqafoj me shumë mall Taras

Letra e Nexhmije Hoxhës drejtuar Dushan Mugoshës

I dashur shoku Dushan. Me keqardhje të madhe mora vesht largimin tënd nga Shqipnija. Veçanërisht më erdhi keq që nuk mundëm të takohemi para se t’iknje. Me gjithë se kemi ndenjur pak kohë bashkë e ndjej mungesën t’ënde në mes t’onë ashtu si edhe shokët më t’afërt. Sigurisht do të kujtojsh jo vetëm shokët që jetove dhe bashkëpunove gjatë këtyre dy vjetëve e ma, por sigurisht do të marrë malli dhe për malet e fushat e Shqipërisë që i lave me djersë dhe që u pive dhallën. A po jo ? Jo vetëm ne, por gjithë populli Shqiptar do të ketë një mik të dashur të tij e sigurisht kur të sjellë rasti të kthehesh ndonjë herë në vendin tonë, do të shohësh se me punë do të të shpërblejë atë që ke bërë për shpëtimin dhe naltësimin e tij. Sigurojmë me bindje të plotë që do të shtojmë gjithnjë hovin e punës që të forcojmë e të naltësojmë Partinë tonë dhe t’i sigurojmë dhe popullit t’onë pushtetin e tij.

Se vetëm kështu do të shpërblejmë dhe ndihmën tuaj të vlefshme. Dushan, thuaju shokëve të Jugosllavisë, se shokët Shqiptarë ndjekin me admirim hapin e tyre dhe kërkojnë emra që të ndjekin dhe shembullin e tyre heroik. Thuaju që gjithë populli Shqiptar ndjenë për popujt e Jugosllavisë dhe për luftën e tyre një dashuri të madhe. Të gjithëve të fala shoqërore. Mos na harro. Po të mundësh na kujto dhe me ndonjë cop letër. Udhë e mbarë dhe u pjekshim për së shpejti në botën e lirë? Vdekje fashizmit - Liri popullit? Të fala shoqërore Nexhmija.

Nga Kastriot Dervishi Gazeta 55
 

Meri

"Personne"
Anëtar
Sep 26, 2009
Postime
14,602
Pikët
113
Vendndodhja
Askund.
Përgjigje e: 1944 / Fotografitë e drejtuesve komunistë me emisarët jugosllavë

Kjo eshte Historia...

Pas 50 vjetesh...ne video, a ndonje forme tjeter , do jene takimet e kohes se sotme...e keshtu me radhe.
 
Top