• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

50 Cent, nga trafikant në superyll të ndjekur nga vdekja

PuffetiNa

V.I.P
Anëtar
Apr 28, 2010
Postime
14,105
Pikët
113

Në moshën 12-vjeçare ishte një trafikant droge. Në moshën 23-vjeçare u plagos gati për vdekje. Tani që botën e drogës e ka lënë pas dhe është bërë një superyll hip-hopi, të gjithë armiqtë e vjetër e duan të vdekur

Është ora katër e mëgjesit dhe gjashtë badigardët e 50 Cent qëndrojnë jashtë derës së dhomës së hotelit të përgjumur. 50 Cent është brenda në dhomë dhe ende i gjallë. Para tre orësh përfundoi koncertin më të madh të karrierës së tij në Koloseun Nassau në Long Island, 15.000 biletat e të cilit ishin shitur prej kohësh. Kur 50 Cent u largua nga skena u rrethua menjëherë nga një mur i vërtetë badigardësh, derisa i hipi një GMC-je Suburban antiplumb. Një vargan prej nëntë kamionësh e ndoqën atë nga pas deri në hotel. Tani teksa njerëzit e tij vijnë rrotull për ta ruajtur nga bandat që e duan të vdekur, 50 Cent mban gjallë një dhomë plot me miq duke treguar histori nga e shkuara e tij me humorizmin zezak që e karakterizon, por edhe me ato detajet makabre që e kanë bërë sot MC-në më të suksesshëm dhe horrin më "cool" të hip-hopit që nga shfaqja e Eminemit. Sot ai do të dëshmojë përpara një gjykate për tre ose katër orë rresht deri sa të vijë koha për t'u nisur drejt koncertit të tij në Baltimore. Një kanatjere e barshë mbulon trupin e tij të skulpturuar dhe si gjithnjë kapelja e Yankees e kthyer në një anë ëshë e vënë mbi fashon e bardhë që i mbulon kokën. Antiplumbi i tij blumarin është i hedhur diku në dysheme.

Për të gjithë ai njihet si një shpërndarës droge i frikshëm, por mes miqve fytyra e tij e egër bie. Ai është një person i rritur në rrugë që flet me fjalë të pista, që di se ku janë varrosur të gjithë trupat dhe që askush nuk mund ta bëjë të mos flasë. Kur filloi të fliste për djalin e tij të vogël, Marquise, i cili shfaqet edhe në videon "Wanksta", mamaja e djalit nxjerr një fotografi nga portofoli. Ajo e quan "hip-hop baby". "Një ditë po shikonte televizor bashkë me një shokun e tij të vogël", kujton 50 Cent, "dhe një person u plagos rëndë dhe vdiq. Ai i tha fëmijës tjetër, "qenka shumë i dobët, babanë tim e kanë plagosur disa herë dhe nuk ka vdekur". Të gjithë qeshën. "M'u desh t'i shpjegoja më pas se rasti im ishte special dhe fatlum", vazhdon ai. "Normalisht njerëzit që plagosen disa herë jo gjithmonë shpëtojnë!"

Dhuna ka qenë konstante në jetën e hip-hopistit 50 Cent, emri zyrtar i të cilit është Curtis Jackson dhe pseudonimi Boo-Boo. Nëna e tij, një trafikante droge, është vrarë kur ai ishte vetëm tetë vjeç. Në moshën 12-vjeçare, ai u bë gjithashtu një shpërndarës droge dhe e plagosën gati për vdekje kur ishte 24 vjeç. Mësuesi i tij i parë i hip-hopit ishte Jam Master Jay, i cili është vrarë ose më saktë ekzekutuar disa vjet më parë. Katër ditë para eventit më të madh të karrierrës së 50 Cent, një SUV i boshatisur i Busta Rhymes është goditur me gjashtë plumba në parkingun e zyrës menaxheriale të 50 Cent. Këto janë vetëm disa nga ngjarjet e tilla që ka përjetur ai, pasi edhe sot ka shumë e shumë kriminelë të cilët duan ta shohin 50 Cent të vdekur.

Disa thonë se disa rrepistë të tjerë dëshirojnë ta vrasin për arsye konkurrence, por ai është i sigurt se bëhet fjalë për urrejtje nga rivalët e tij të hershëm të shpërndarjes së drogës, urrejtje kjo e cila është shumëfishur për shkak të famës së tij. "Nuk bëhet fjalë për luftë rrepi", thotë ai. "Kjo nuk ka të bëjë me asnjë rrepist. Gangastëre nuk i pëlqen fakti që unë jam i lirë të bëj çfarë dreqin të dua. Unë udhëtoj kudo, jam çdo ditë kudo nëpër botë, bëj para dhe jam një dreq ylli. Këto janë gjëra që një zezak i ka zili. Njerëzit që më urrejnë nuk kanë asgjë për të humbur. Unë jam ngritur në qiell pasi kam prekur fundin. Ata më duan të vdekur ose duke prekur fundin njësoj si ata".

50 Cent i kalon ditët e tij duke udhëtur me një furgon anti-plumb, duke shëtitur me katër deri në gjashtë badigardë vetëm 10 cm larg tij, duke e rrethuar nga çdo anë kur kalon nëpër rrugë apo kur hyn në ndonjë derë, por megjithatë, gjuha e trupit dhe sjellja tregojnë një indiferencë totale ndaj kërcënimeve të shumta që i bëhen jetës së tij. Ai nuk refuzon kurrë që të ndalojë për të dhënë një autograf apo për të shkrepur një foto, madje edhe kur kjo përbën rrezik të lartë për të. A është i shqetësuar për gjyshërit e tij që vazhdojnë të jetojnë në Queens, New York, në shtëpinë ku ai është rritur? 50 Cent thotë se reputacioni i tij është i mjaftueshëm për t'i mbrojtur. "Ata (vrasësit eventualë që e ndjekin) e dinë mirë se kush jam. Nëse diçka e keqe do t'i ndodhte të afërmve të mi, atyre do t'i duhej që të shpërngulnin dhe të fshihnin të gjithë njerëzit që duan, nënën, babain, fëmijët dhe çdo gjë që merr frymë rreth e qark tyre. Atëherë po që do ta kishin punën pisk dhe jam i sigurt që nuk e duan këtë". Nga mënyra se si shprehet, 50 Cent duket i bindur se nuk do të vritet dhe i pashqetësuar për faktin që ndiqet këmba-këmbës nga armiqtë e tij. "Nuk ka rëndësi kjo për mua", thotë ai. "Këto gjëra të duken të lehta për t'u përballuar kur ke shumë para. Mos iu dukem gjë i shqetësuar?"

Në fakt, ai nuk është. Në dhomën e tij të hotelit ai duket i pamposhtëm, arrogant, i sigurt në vetvete dhe duke shijuar jetën në maksimum. Burri që është rritur në lagjet e ndyra të Queens, i cili Urgut ka provuar edhe shijen e hidhur e të qenurit shumë pranë vdekjes, tashmë është superyll i muzikës. Debutimi i përgjakur, por tejmase brilant i albumit të tij "Get rich or Die Tryin'" (Bëhu i pasur ose vdis duke tentuar), shiti 2.1 milionë kopje që në tre javët e para. Gati të gjitha fansat e hip-hopit i njohin mirë konturet shumëngjyrëshe të jetës së 50 Cent: I famshmi i Getos, trafikanti që i shpëtoi lojës së drogës duke e katapultuar veten drejt botës së hip-hopit duke bërë kështu që të gjithë armiqtë e tij ta ndiqnin këmba-këmbës për ta parë të vdekur. Një ditë, në vitin 2000, vetëm disa muaj pas publikimit të albumit të tij të parë, ai u plagos me nëntë plumba. Albumi i tij zuri pluhur, por 50 Cent u kthye në legjendën e rrugës me anë të hiteve të tij, të cilat më pas u mblodhën në albumin "Guess Who's Back?". "Sapo hyri në studio, ai mori në dorë një stilolaps dhe kënga përfundoi për një orë", thotë Dr. Dre për kohën kur filloi të bashkëpunonte me 50 Cent. "Thjesht shkruajtëm ato gjëra që na pëlqenin të dëgjonim".

Një pjesë e suksesit të jashtëzakonshëm të 50 Cent është zëri i tij unik, me një si çjerrje e cila është rezultati i një vrime në nofull që i është bërë nga një plumb në fytyrë. Por, pjesa më e madhe është kredibiliteti. Kur ai flet për drogën, armët dhe vdekjen të gjithë e dinë që flet nga eksperienca. "Nëse ai thotë se do të të vrasë, ti mendon se mund ta bëjë", thotë Eminem. "Të rinjtë duan të shohin një person që është plagosur shumë herë dhe ka mbijetuar. Ka një lloj misteri që e rrethon atë, por në të njëjtën kohë, të rinjtë që shkojnë nëpër koncerte për ta parë janë disi të frikësuar prej tij. Ndoshta jo të gjithë, por disa janë. Ai është përfundimisht i pavdekshëm dhe më besoni kur e them këtë".

"Të rinjtë më kanë qejf ashtu siç kanë qejf përsonazhin e keq në një film", thotë 50 Cent. "Njerëzve u pëlqen djali i keq. Unë shikoj shumë filma, më pëlqen shumë djali i keq dhe e fik televizorin para se të mbarojë filmi pasi djali i keq gjithmonë vdes. Është ligji kinematografik: djali i keq duhet të vdesë. Megjithatë, në jetën reale mund të ndodhë që djalit të keq t'i ndodhë një mrekulli dhe të bëhet një superyll si unë".

Curtis Jackson ka lindur më 6 korrik 1975 në pjesën jugore të Xhamaikës në lagjen "Queens", një periferi e frikshme e infektuar nga droga. Qytetarët e zonave përreth e përshkruajnë këtë lagje si zonën më të madhe të bizneseve dhe sherreve të trafikantëve të të gjitha llojeve. "Ky është këndi i tyre i lojërave", thotë dikush. "Aty i fituan të gjitha gradat e tyre ndërsa zezakët më pak fatlum janë të varrosur nën këmbët e ndërtesave të kësaj lagjeje". Curtis nuk e ka njohur kurrë të jatin kur ishte i vogël dhe as që dëshiron ta njohë më. "Dua t'i jap një paralajmërim", thotë ai. "As mos guxo ta sjellësh prapanicën tënde para këmbëve të mija. Nuk dua të ta shoh ndonjëherë surratin". Mamaja e 50 Cent, Sabrina Jackson, ishte vetëm 15 vjeçe kur lindi Curtis dhe nuk pati mundësi të qëndronte gjatë me të. Ajo trafikonte kokainë. "Mamaja ime ka qenë e fortë", thotë 50 Cent. "Ajo ka qenë edhe më e keqe se unë. Nuk ishte aspak femërore. Nëna ime ka qenë e fortë, e fortë si një burrë".

Curtis e kaloi pjesën më të madhe të jetës me gjyshërit e tij, pasi nëna e tij ishte gjatë gjithë ditës jashtë duke punuar. "Ajo mundohej të ruante para për të ardhmen time, por donte edhe të më bënte të lumtur", kujton 50 Cent. "Sa herë që e shihja më sillte diçka të re. Për mua çdo ditë ishte Krishtlindje. Më mbuloi me stoli që kur isha i vogël".

Kur Curtis ishte vetëm 8 vjeç, dikush e shoqëroi Sabrinën në shtëpi, i hodhi diçka në pije dhe e la pa ndjenja. Më pas mbylli dritaret, hapi gazin dhe e la të vdiste. Ajo u gjet disa ditë më pas. "Patjetër do të ketë qenë një çështje droge", thotë 50 Cent. "Trupi i saj ishte i shkatërruar dhe ishte vetëm 23 vjeç".

Më pas ai u shpërngul përfundimisht tek gjyshërit e tij. Ata u përpoqën ta mbanin larg jetës së rrugës, por ai ishte djali i Sabrinës, kështu që ishte tërësisht i aftë të rrinte me djem më të mëdhenj se ai nëpër lagje. Kur ishte 12 vjeç, ata djem i dhanë atij pak kokainë për të shitur. "Ata e dinin që nuk kisha asnjëri që të më mbronte dhe të punonte për mua, kështu që më dhanë 3 gram e gjysëm dhe më thanë, fillo të punosh", thotë ai. "Fëmijët e tjerë të moshës time nuk do të dinin çfarë të bënin edhe sikur t'i jepje një zgarë dhe disa salçiçe për të pjekur". Duke qenë se ishte vetëm 12 vjeç ai mund të shpërndante drogë vetëm nga ora 3 deri në 6 të pasdites, kur gjyshja e tij kujtonte se shkonte në një kurs jashtëshkollor. "Kam bërë shumë gjëra nëpër rrugë, por më pas u tregova i aftë për t'i ndrequr gjërat dhe t'i lija ato vite të jetës time pas krahëve. Në momentin që hyja në derën e shtëpisë isha djali i gjyshes time, por sapo e kaloja atë prag isha i aftë të bëja çdo gjë për t'ia dalë". 50 Cent është ende në gjendje të shtypë atë butonin që e kthen nga të fortë në të ëmbël sa herë që të dojë, duke u transformuar nga një djalë i mirë me zë të ëmbël dhe zemër të butë, në një kriminel të egër me dhëmbë të shtrënguara që të bën t'ia hedhësh kuletën para këmbëve nga frika. Ai e di mirë se kur duhet të përdorë njërën dhe kur tjetrën. "E di mirë që duhet t'i ndajë këto dy aspekte të karakterit tim në mënyrë që të kem sukses", thotë ai.

Kur ishte në klasën e dhjetë në Andrew Jackson High School, Curtis u arrestua për mbajtje droge, por u lirua me kusht për shkak të moshës së re. E transferuan në një shkollë tjetër, por nuk kishte rëndësi për të. "Isha më i famshmi i gjimnazit, pas herës së parë që pata probleme me drejtësinë. Isha ai që vishej më bukur nga të gjithë". 50 Cent e la shkollën pa e mbaruar klasën e dhjetë, por e përfundoi gjimnazin në burg disa vjet më vonë. Që nga ajo kohë, ai u kthye në të fortin e grupit dhe ikonën e rrugës. Një njeri i famshëm në Geto, të cilit ia kishin frikën të gjithë banorët e "Queens", pasi kontrollonte trafikun e drogës dhe ishte anëtar i bandës kryesore të trafikantëve në atë zonë.

Në moshën 18-vjeçare 50 Cent arrinte të fitonte 5.000 dollarë në ditë duke shitur kokainë dhe heroinë. Bleu më pas një Land Cruiser dhe një Mercedes-Benz 400 SE të bardhë. "Gjithmonë ka qenë i njohur për gjërat e çmendura dhe të egra që bënte", thotë Sha Money XL, një mik i vjetër i 50 Cent dhe gjithshtu president i G-Unit Records. "Po të pyesësh njerëzit në 'Queens', të gjithë të thonë se e njohin Boo-Boo, pasi ishte njeriu më i çmendur në gjimnaz. Ai vinte në shkollë me sasi të çmendura parash dhe me armë në brez".

50 Cent përdorte taktikën e frikës për të mbajtur lart reputacionin e tij në bandë. Gjatë periudhës së parë që kaloi në burg ai u njoh me disa hajdutë nga Bruklini. Kur u kthye në bandë, i punësoi ata për të grabitur rivalët e tij mashtrues e batakçinj në "Queens". Ai i linte miqtë e tij që të mbanin çdo send me vlerë, bizhuteri apo para për aq kohë sa i dorëzonin atij të gjithë drogën që gjenin. Më pas drogën e vjedhur ia jepte klientëve të tij kur shkonin të blinin drogë si një lloj oferte "paguaj një mer dy". Kjo i detyroi armiqtë e tij që të mbanin armë me vete, që do të thonte se ata duhet t'ia mbathnin kur afrohej policia. "Në këtë mënyrë, atyre u duhej që të vinin e të iknin, të vinin e të iknin gjatë gjithë kohës", thotë ai. "Por, qëndrueshmëria është çelësi i të gjitha sukseseve. Nëse mund të shesësh drogë në mënyrë të qëndrueshme dhe të pandërprerë, pa lejuar afrimin e policisë, atëherë do të jesh i suksesshëm. Nëse publikon këngë të bukura në mënyrë të pandërprerë, atëherë kjo do të jetë karta jotë fituese për një album të suksesshëm".

50 Cent nuk është aspak krenar se ka qenë një trafikant droge, por as nuk ndihet në faj gjithashtu. "Faj?" pyet ai disi i bezdisur. "Sigurisht që jo. Për çfarë dreqin duhet të ndihem në faj? Mundohu t'i thuash një fëmije 12-vjeçar: 'Nëse arrin rezultate të larta në shkollë për tetë vjet do të blesh një makinë'. Lër që kurioziteti i atij fëmije ta çojë drejt lagjeve të errëta për të zbuluar se dikush ka arritur ta blejë për gjashtë muaj në atë bandë. Në këtë rast droga nuk duket si një mundësi, por si e vetmja mundësi. Unë kam qenë gjithnjë i aftë për të bërë gjithçka për të arritur atë që doja. Nuk më intereson se çfarë opinioni kanë të tjerët për këtë gjë. Kur e kam bërë, nuk kam patur qëllim të dëmtoj apo të vras asnjëri. Nuk pretendoj që të gjithë të më kuptojnë, por e di mirë që ka njerëz që jetojnë atje ku kam jetuar unë të cilët më kanë kuptuar".

Gjatë verës së vitit 1994, 50 Cent është arrestuar dy herë në tre javë dhe e dinte mirë se do ta priste vdekja në burg. "Ishte duke ardhur", thotë ai. "Sa më shumë të rrish atje aq më shumë afër vdekjes shkon, nuk mund të shpresosh në një mrekulli kur je aty brenda". Për vite me radhë ai ka jetur nëpër bodrumet e shtëpive të miqve të tij dhe kohën e kalonte duke shkruar vargje dhe duke kompuzuar muzikë më instrumente të vjetra. Në atë kohë mendoi se kishte ardhur koha që të largohej nga ajo lojë e rrezikshme dhe të tentonte suksesin me anë të hip-hopit. Nuk dinte asgjë rreth kompozimit të muzikës, por e bindi veten se do të kishte sukses me çdo kusht. "Kur fokusohem tek diçka, ajo gjë duhet të funksionojë patjetër për mua", thotë ai. "Nuk di të dorëzohem kurrë apo ta lë një punë përgjysëm. E bind veten se do të funksionojë dhe që në atë moment askush dhe asgjë nuk mund të më bindë për të kundërtën". Në vitin 1996, një mik e prezantoi me Jam Master Jay, i cili në atë kohë ishte producenti i JMJ Records. Jay e mësoi 50 Cent se si kompozohej një këngë. "Jay e dinte mirë se 50 Cent ishte i prirur për botën e hip-hopit", thotë Sha Money. "Ai e trajtonte 50 Cent-in si një artist me një pitecial të mirë dhe si një thesar të majmë".

Karriera e 50 Cent, përveç suksesit dhe famës është shoqëruar nga shumë e shumë atentate dhe plagosje gati për vdekje. "Kur 50 Cent u plagos rëndë mendoja: 'Ai u plagos, u rikthye dhe vazhdon të këndojë e punojë me të njëtën energji'", thotë Eminem. "U rikthye më i fortë se kurrë dhe kjo gjë më ka befasuar tejmase. Ai njeri nuk vdes".

"Atëherë kur të gjithë të tjerët ishin të frikësuar dhe nuk pranonin të punonin me mua për shkak të atentateve, Eminem ishte i vetmi që më përkrahu", thotë 50 Cent.

Megjithatë, sado e vështirë mund të jetë për 50 Cent kjo jetë gjithnjë nën presionin e rrezikut, askush nuk mund ta dijë se sa e vështirë mund të jetë ajo për djalin e tij të vogël. Të gjithë kthejnë kokën kur mamaja e Marquises nxjerr nga dollapi një jelek anti-plumb të vogël ngjyrë blu marin, të cilin do ta veshë djali i saj kur të shkojë të shikojë të jatin në një koncert. Të vjen disi për të qeshur kur sheh një djalë të vogël me atë jelek të njëjtë me babain e tij, por askush nuk arrin të qeshë.
 
Top