• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Adoleshenca, Puberteti.

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Ç'duhet të dini për adoleshencën?

Adoleshentë llogariten fëmijët të moshës nga 12-21 vjet. Në këtë periudhë, ata kalojnë nëpër shumë ndryshime fizike dhe emocionale. Ndryshimet shpesh janë të dhimbshme dhe ndikojnë duke shkaktuar huti te fëmijët dhe te prindërit. Shumica e fëmijëve gjatë kësaj periudhe do ta kalojnë pubertetin. Gjatë pubertetit, trupi i fëmijës rritet dhe zhvillohet, duke u transformuar në një trup burri / gruaje të moshuar. Fëmijët nuk e kanë dhe krejt njësoj se ç'mendojnë të tjerët për ta. Në atë moshë, numër i madh i fëmijëve mendojnë se nuk mund të lëndohen. Ata janë të bindur se çfardo që të bëjnë, asgjë e keqe nuk mund t'u ndodh.
Cilat ndryshime llogariten si normale?

Adoleshenca është koha kur fëmijët fillojnë të vendosin vetë. Ata e hulumtojnë pavarësinë e tyre. Fillon procesi i ndarjes nga prindërit. Ata duan që të rrinë vetëm në dhomën e tyre (kërkojnë intimitet). Duan të eksperimentojnë me atë që është trend (modë). Duan të provojnë ide të reja dhe përpiqen me aktivitete të reja. Shokët e tyre përbëjnë pjesë të rëndësishme në jetën e tyre dhe kanë ndikim të madh në vendimet e tyre. Në këtë moshë fillon dhe tërheqja ndaj seksit tjetër.


Çfarë kufizimesh duhet t'u parashtrohen adoleshentëve?

Fëmija juaj do më shumë liri dhe pavarësi. I besoni dhe i lejoni që të sjellë disa vendime të veta individuale. Megjithatë, disa sjellje të caktuara, nuk janë në rregull asnjëherë, për cilëndo fëmijë, i cilësdo moshë. Fëmija juaj nuk mud të bëjë zgjedhje për gjëra që e rrezikojnë shëndetin, sigurinë dhe ardhmërinë e tij. Për shembull:

*Nuk është i pranueshëm përdorimi i drogës dhe i duhanit, ato mund ta kërcënojnë shëndetin e fëmijës.
*Nuk është e pranueshme të vozitet me shokë kur është i dehur, me këtë kërcënohet siguria e fëmijës.

Është domosdoshme fëmija të shkojë në shkollë. Shkolla e përgatit që të vazhdojë më tutje në jetë, të punojë dhe të fitojë për jetë. Për disa gjëra mund të bëhet kompromis (së bashku merreni vesh ç'është e drejtë dhe çfarë nuk është e drejtë) p.sh. a do t'i ngjyrosë flokët ose a do ta rregullojë shtratin.


Si të ballafaqoheni me konfliktet?

Ndëgjojeni fëmijën tuaj. Tregoni interes për atë ç'ndodh, mos pritni që të ndodhë problem e pastaj të komunikoni. Lejoni që gjërat e imta të ndodhin siç do ai. Ruajeni energjinë për gjëra më të rëndësishme. Kahzojuni nga ajo që t'i caktoni caket e përbashkëta, në vend që ta kontrolloni fëmijën si vjen deri te ato. Nëse fëmija juaj më shumë do që të luaj në fillim, pastaj t'i shkruajë detyrat e shtëpisë, mos insistoni që të fillojë me detyrat menjëherë pas shkollës. Çdo natë, lavdrojeni për punën e kryer. Mos bëni presion mbi të. Nëse bëni presion, mund të ndodh që t'ju injorojë e më vonë t'ju injorojë për gjëra shumë më të rëndësishme.


Cilat tema duhet t'i diskutoni me fëmijën tuaj?

Duhet të diskutohet rreth përdorimit të drogës, alkoolit, duhanit, seksit dhe trendeve të modës. Parashtroni këto tema para se t'ju pyesë fëmija për to dhe para se të bëhen problem. Pirset dhe tatuazhet. Sot fëmijët vendosin pirse në vende të ndryshme siç janë veshët, hunda, kërthiza, gjuha, qiellza, kapaku i syrit dhe thitha e gjirit. Disa vendosin pirse edhe te gjenitaliet ose ne mjekër. Tatuazhi gjithashtu është dukuri e shpeshtë. I jepni kohë fëmijës që të mendojë vetë, a do vërtetë pirs apo tatuazh. Bisedoni për rreziqet. Gjatë vetë aplikimit mund të ndodh infektim siç është hepatitis ose HIV, e pastaj vendi mund të infektohet lehtë me bakterie. Do duhet rregullisht të lahet me sapun dhe me ujë të ngrohtë, çdo ditë. Le të bisedojë me shokë që kanë pirs apo tatuazhë. Cilat janë anët e mira dhe të këqija? Nëse sërish vendos që ta bëjë, siguroni që ta bëjë atë në vend të sigurtë. Mos lejoni që të shkojë te joprofesionalist. Seks i sigurtë. Është normale që fëmija juaj të ndiejë tërheqje seksuale. Informacionet për këtë i merr në shkollë apo nga mediat. Pastroni në qoftë se ekziston konfuzion. Le t'ju parashtojë pyetje. Udhëzojeni për rreziqet nga aktiviteti seksual, siç është gjasa të mbetet shtatzënë ose të fitojë sëmudje që transmetohet seksualisht (siç është HIV-i). I thuani të mendojë se a është i përgatitur. Trupi mund të jetë i përgatitur, por a është edhe emocionalisht i përgatitur? Diskutoni për standardet individuale dhe ndjenjat rreth seksit, por mos mos bëni presion. Diskutoni për abstinencën, si për një opcion dhe zgjedhje të mundshme. Nëse fëmija juaj prapë se prapë vendoset për seks, kontrolloni se sa di për seskin e sigurtë. Diskutoni për kontracepsionin, përorimin e kontraceptivëve dhe prezervativëve. I ofroni fakte. Pranojeni interesin e tij për seksin. Mos lejoni që të turpërohet. Bindeni se ndjenjat e tij janë normale. Droga, alkooli dhe duhani. Parashtroni rregulla të qarta. I tregoni se çdo të ndodh nëse këto rregulla thyhen. Flisni për rreziqet nga duhani dhe nga përdorimi i alkoolit. Fëmija juaj nuk duhet të pijë asnjëherë kur vozit. Gjithashtu nuk duhet të vozitet në veturë me ndonjë që ka pirë. Në rast se ka pirë, i thoni që t'ju thërrasë në rast të duhet të vozisë. Mos e dënoni atë natë. Flisni për atë ditën e ardhshme. I thuani që ka sjellë vendim të drejtë kur u ka thirrur.


Cilat shenja do të më paralajmërojnë se fëmija im ka problem?

Gjatë adoleshencës probleme të shpeshta janë Depresioni, përdorimi i drogave, çrregullimet në të ushqyerit, stresi ose problemet në shkollë, shokët ose familja. Në qoftë se fëmija juaj tregon disa nga shenjat që vijojnë, mundohuni ta vërtetoni për çfarë bëhet fjalë:

* Humbje e shprehur në peshë apo përkundrazi fitim i shprehur e peshës.
* Probleme me gjumin.
* Ndryshim drastik i shokëve.
* Ndryshim drastik i sjelljes. Ikja nga shkolla. Ulja e notave.
* Depresion. Flet për vetëvrasje, çdo e përmendur, bile edhe me tallje, duhet të shkaktojë brengosje.
* Simptome për përdorim të drogës.
* Probleme me ligjin.


Disa këshilla për prindërit:
Merrni pjesë në gjithçka. Duhet që ju vetë të jeni shembull. Fëmijës tuaj i tregoni mënyrë se si të ballafaqohet me stresin dhe si të sjell vendime. Lexoni libër për adoleshencën. Do t'ju ndihmojë të dini se ç'ju pret dhe do t'ju përgatis të dilni në fund me konfliktet. Mbajuni konzistent për qëndrimet tuaja. Nëse fëmija juaj ikën nga shkolla mos pranoni se “ai kalon në ndonjë fazë”. Mosha e fëmijës tuaj nuk është arsyetim për sjellje joadekuate. Njoftoni shokët dhe prindërit e shokëve të fëmijës tuaj. Punoni bashkë që të jeni në rrjedhë. Bëhuni më tepër mbikqyrës, e jo pjesëmarrës. E respektoni intimitetin e fëmijës tuaj. Në atë moshë fëmija juaj do një kohë dhe një vend të caktuar që të jetë vetë me vehten e tij. Banjoja e tij dhe telefoni duhet të jenë privat. Duhet të jeni të informuar se ç'lexon fëmija, ç'sheh në TV dhe ç'sheh në internet. Çfarë video lojërash luan? Me cilën komunikon në internet? Fëmija juaj mëson nga mediat. Qartësojeni çdo informatë të gabuar. Kuptojeni se ku del fëmija juaj dhe me cilën, por mos pritni që t'ua tregojë të gjitha detajet rreth aktiviteteve të tij. Nëse dyshoni se bëhet fjalë për problem të vërtetë, normal është të jeni më aktiv. Doemos ta mbroni fëmijën tuaj që të jetë i sigurtë dhe i shëndoshë.


Kur duhet të konsultoni mjek?
Çdo bisedë për vetëvrasje nuk duhet të injorohet. Kjo është shkak që menjëherë të drejtoheni te mjeku juaj. Konsultohuni me mjekun çdo herë kur mendoni që ju nevojitet sugjerim apo ndihmë.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Adoleshenca, Puberteti.

-Adoleshenca 2


Shpesh herë gjërat nuk funksionojmë siç duam ne: probleme me veten, familjen, miqtë, shkollën apo punën. Herë flasim me dikë, herë heshtim. E provojmë ndryshe: Komunikojmë së bashku.
Adoleshenca: Pengesat kapërcehen më lehtë nëse prindërit janë pranë!
Këtu flitet për pubertetin dhe jepen disa këshilla për prindërit e adoleshëntëve. Sigurisht nuk bëhet fjalë për gjëra që i dëgjoni për herë të pare: Nëse jeni prind mund të sillni në mendje adoleshencën tuaj, apo karakteristikat e fëmijës suaj, nëse jeni adoleshent ju dini shumë gjëra për këtë moshë. Ju prindër duke u bazuar tek eksperienca e prindërve tuaj me ju, tek ato që keni lexuar apo intuivisht mund të keni zbatuar disa prej këshillave. Gjithësesi më poshtë janë renditur disa sugjerime të cilat synojnë t’ju ndihmojnë në të kuptuarit nga ana juaj të rëndësisë së rolit si prind në zhvillimin normal të adoleshentit, në kapërcimin e problemeve të shkaktuar nga specifika e moshës. Nga ana tjetër këto këshilla vënë në dukje se vetë adoleshentët duhet të jenë bashkëpunues me prindërit, duhet t’i japin atyre mundësinë për t’i kuptuar dhe qëndruar pranë duke pasur parasysh se asnjë ndryshim nuk ndodh pa dëshirën e të dy palëve.

Çfarë është puberteti?
Puberteti është periudha në të cilën arrihet maturimi seksual dhe organet riprodhuese bëhen të afta për riprodhim. Shënjat e pubertetit janë të lidhura me shfaqjen e karakteristikave seksuale sekondare siç janë rritja e gjoksit dhe ardhja e menstruacioneve tek vajzat dhe ejakulimi i parë dhe trashja e zërit tek meshkujt. Tek vajzat rritmet e rritjes janë shumë të vrullshme në moshën 8-10 vjeç dhe pika kulminante është rreth moshës 13 vjeç. Ndërsa tek djemtë këto ritme janë më të larta në moshën 10-12 vjeç dhe pika kulminante është rreth 14 vjeç. Megjithëse në këto parametra është arritur në bazë të një sërë studimesh të realizuara në disa vende të botës përsëri mund të ketë përjashtime: përveç normave të përgjithëshme duhet të mirren në konsidertatë edhe karakteristikat individuale: disa adoleshentë mund të zhvillohen më përpara ose më mbrapa në krahasim me moshatarët e tyre, por këto mospërputhje ritmesh nuk duhet të bëhen burim shqetësimi për adoleshentët dhe prindërit e tyre.

Si ndikon puberteti i adoleshëntëve tek prindërit?
Një ose dy vjet para arritjes së pubertetit, fëmija ndryshon në aspektin fizik dhe emocional. Rritmet e këtyre ndryshimeve fillimisht janë shumë të shpejta por fillojnë të ngadalësohen rreth moshës 18 vjeç. Marrëdhënëniet midis prindërve dhe adoleshentëve ndryshojnë në varësi të këtyre ritmeve: Sa më të vrullshme të jenë ritmet e ndryshimit, sa më të vështirë ta këtë adoleshenti përshtatjen me trupin e tij aq më të paekulibruara do të jenë këto marrëdhënie.Gjatë pubertetit qëndrimet e fëmijëve ndaj prindërve kanë shumë gjasa të ndryshojnë. Fëmijët mendojnë se prindërit e tyre janë të të bezdishëm, pashpresë, dhe jashtë mode. Nga ana tjetër prindërit mendojnë se fëmijët e tyre janë të vrazhdë dhe nuk respektojnë normat. Shprehja më tipike e prindit përballë një fëmijë që e sheh si të huaj është: “Nuk e marr vesh se kujt i ka ngjarë’’. Këtu mund të fillojë distancimi i parë prind- fëmijë: prindi që ndihet i paaftë për të kuptuar fëmijën dhe fëmija që ndihet në mëshirë të fatit.

Si duhet parë konfliket që krijohen në këtë moshë?
Tensioni i krijuar midis prindërve dhe fëmijëve është normal. Në fakt mungesa e këtyre problemeve në komunikim duhet të shqetësojë prindërit: në këtë rast mund të dyshohet se në jetën e adoleshentit po ndodhin ndryshime jo pozitive të cilat ai përpiqet t’i kompensojë nëpërmjet indiferencës dhe apatisë.

Si ndihen adoleshentët gjatë pubertetit?
Në këtë periudhë adoleshentët nuk ndihen mirë me imazhin. Kur i pyesim ata thonë se nuk e pëlqejnë pamjen e tyre, format e trupit, flokët, lëkurën. Problemet e shkaktuara nga puberteti ata i kanë të vështirë t’i diskutojnë me persona të tjerë p.sh me një psikolog ose me një mjek. Për shkak të këtyre ndryshimeve me të cilat ata nuk e kanë të lehtë të përshtaten ata janë të pasigurtë dhe të turpshëm. Në këtë moshë djemtë dhe vajzat duan që të jenë si të gjithë të tjerët: vajzat nuk ndihen mirë nëse gjoksi i tyre është më vogël në krahasim me atë të shoqes ose djali nëse shoku i tij është më i gjatë se ai. Reagimet jo pozitive ndaj ndryshimeve, krahasimet jo të favorëshme për ta i bëjnë të arrijnë në vlerësime jo pozitive për veten.

Për të ndihmuar sa më shumë adoleshentin…
Disa prindër kanë aftësi prindërore më të mira në krahasim me disa të tjerë… për disa adoleshenca është një periudhë që i ndihmon të forcojmë shumë marrëdhënien më fëmijët, për të tjerët kohë antagonizmi, ndërprerje komunikimesh. Si mund ta ndihmojmë më shumë adoleshentin, si mund të ta keni më të lehtë për të përmbushur rolin tuaj?

Diskutoni me fëmijën tuaj
Prindi duhet të dijë se çfarë ndodh me fëmijën e tij. I gjithë informacioni nuk mund të fitohet në mënyrë të menjëhershme. Me adoleshentin duhet të flitet çdo ditë: nëse ju nuk flisni me fëmijën tuaj do ta keni të vështirë të krijoni marrëdhënien e pershtatshme me ta. Bisedat e përditshme duhen të jenë të rregullta dhe të spontane. Për të arritur deri tek bisedat do të ishte mirë të hartonin një skedulë të shkurët: së pari: përcaktoni një orar gjatë ditës në të cilin ju dhe fëmija juaj do të jeni më tw relaksuar. Përcaktoni një interval kohor: jo më pak se 30 minuta për të folur me të. Sa më shumë kohë të diskutoni me fëmijën në kushte të përshtatshme, aq më shumë i prirur do të jetë ai të flasë. Së dyti përpiquni të jeni sa më të hapur, sa më kurioz, sa më të interesuar për jetën e fëmijës suaj. Ju duhet të dini se çfarë mendon ai, çfarë fantazon, çfarë marrëdhëniesh ka me shkollës dhe çfarë e streson. Së treti, përpiquni të shmangni diskutimet e tipit disiplinues. Nëse synoni disiplinën, fëmija do t’ju shmangë. Kjo nuk do të thotë shmangie disipline, por bërje kujdes për të mos e përfshirë atë edhe në bisedat e lira. Në të gjithë bisedat që zhvilloni me adoleshentin përpiquni që ai të flasë në pjesën më të madhe të kohës. Ju thjesht duhet të ngacmoni atë për të treguar sa më shumë. Në këtë periudhë njeriu ka më shumë nevojë të dëgjohet sesa të dëgjojë.Për çfarë mund të flitet me adoleshentin?Ju mund të flisni për shumë gjëra me fëmijën tuaj, por tema kryesore mbetet shoqëria. Nëse i jepet mundësia adoleshentët mund të flasin pa fund për shokët dhe shoqet e tyre. Nëse fëmija juaj është “llafazan” mjafton një pyetje ose dy që ai të tregojë gjithçka çfarë ndodh në shkollë. Nëse fëmija juaj është pak i tërhequr ju duhet të bëni pyetje të cilat përqëndrohen më tepër tek prirjet e përgjithështme të shokëve dhe shoqeve dhe më pak tek individë. Një temë tjetër për të cilën mund të diskutoni është vetë-imazhi i adoleshentit. Adoleshenca është koha në të cilën formohen identitetet tona, dhe për këtë shkak adoleshentët duan të dinë se cilët janë, si do të jenë në të ardhmen, cilat janë vlerat dhe dobësitë e tyre. Ata duan të dinë se çfarë mendoni ju ose të tjerët për pamjen e saj\ të tij.
Zbuloni se cilët janë modelet e fëmijës suaj, ose pyeteni nëse i pëlqën aparenca e saj. Nëse vajza juaj thotë se nuk është simpatike, kërkoni t’ju tregojë sesi arriti në këtë përfundim. Falë këtyre diskutimeve ju do të zbuloni gjëra që ju nuk i dinit, ndërsa fëmija do të ndihet më i qetë pasi ka folur me ju. Ju mund të flisni me të edhe për probleme të tjera, p.sh për aktivitetet jashtëshkollore, për dashurinë, për marrëdhëniet seksualem për drogën. Diksutimi i këtyre temave mund të jetë i vështirë për të dy palët. Por nëse ju flisni me ta ata do ta kenë më të lehtë t’ju tregojnë për dikë do t’i pëlqente ta kishin të dashur ose nëse një shoku i tyre përdor drogë apo për diçka tjetër. Këto biseda mund të fokusohen edhe tek e ardhmja, në këtë mënyrë ata do të bëhen më largpamës dhe do të binden se nuk do të mbeten gjithnjë të vegjël. Ju mund ta pyesni se çfarë mendon ai në lidhje me shkollën, karrierën, martesën, lindjen e fëmijëve. Ju mund të diskutoni edhe për çështje të lidhura me politikën, ekonominë, ngjarje të rëndësishme. Kështu ju do të kuptoni se cilat janë qëndrimet e fëmijës suaj, sa i ndjeshëm është ai ndaj problemeve, si është shkalla e të arsyetuarit të tij.

Silluni si prind
Ju mund të jeni i besueshëm dhe miqësor por duke qënë në rolin prindëror. Në fakt në disa raste mund të jetë e vështirë të jesh personi i cili vë kufinj dhe të dëgjon pa gjykuar siç bën një mik. Ju jeni gjithmonë prindi, dhe ky pozicion do të reflektojë në marrëdhënien tuaj me fëmijën. Në këtë mënyrë ju i jepni fëmijës atë për të cilën ai ka nevojë: dikë i cili mund ta dëgjojë dhe ta kuptojë, por edhe të ketë eksperiencë dhe të japë ato këshilla të cilat një moshatar nuk i jep dot. Kështu adoleshentit i transmetohet siguria për të cilën ai ka nevojë. A mund të diskutojë një adoleshent gjithçka me ju? Sigurisht që jo, por falë bisedave të përditshme ju mund të krijoni një marrëdhënie besimi dhe përgjegjësie, marrëdhënie kjo që do t’ju ndihmojë të kapërceni momentet e vështira që mund të krijohen. Është mirë të njohësh shokët e fëmijës Gjatë periudhës së adoleshencës shoqëria ushtron një ndikim të madh tek adoleshenti. Kjo është një gjë e paevitueshme dhe e pranueshme. Ndaj për prindërit është e domosdoshme të njohë sa më shumë që të jetë e mundur rreth ndikimit të shoqërisë tek fëmija. Mënyra më e mirë për të arritur deri këtu është të diskutosh për ta me fëmijën tuaj, t’i njohësh sa më shumë miqtë e tij. Ju mund t’i krijoni kushtet që një ose disa herë gjatë javës të gjithë fëmijët të mblidhen së bashku në shtëpinë tuaj. Ju mund të flisni me ta gjatë kohës që ata janë në aty, por pa i bërë të ndihen të vëzhguar. Disa prej tyre mund të jenë më të prirur për të folur në krahasim me të tjerët. Nuk duhet të harroni që tiparet individuale të çdo njërit janë në bazë të bisedave që zhvilloni me ta. Nga ana tjetër ju mund t’i njihini miqtë e fëmijë suaj duke marrë pjesë në aktivitete të organizuara në shkollë, p.sh koncerte të ndryshme, ndeshje sporti etj. Në këtë mënyrë do të keni mundësi t’i ndiqni nga afër në vende ku ata ndihen më mirë.
Sigurisht askush prej jush nuk mund të jetë përfekt në zbatimin e këtyre këshillave. Në një moment të ditës mund të jeni shumë të ngarkuar dhe një e bërtitur ju duket rruga më e shkurtër se toleranca… provoni çdo ditë të ndihmoni fëmijën tuaj për të shmangur problemet që mundt të vijnë më.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Adoleshenca, Puberteti.

-Adoleshenca 3


Adoleshenca, një sfidë që duhet përballuar

Përse adoloshentët bien në mësime dhe si mund t’i ndihmojmë ata?
Shumë adoleshentë mund të kenë rezultate të ulta në shkollë. Kjo performancë mund të zgjasë disa javë, muaj ose mund të shpjerë deri në humbje të vitit shkollor. Disa mund ta kapërcejnë më lehtë këtë periudhë me pak ndihmë nga prindërit apo mësuesit, të tjerët mund të kenë nevojë për një trajtim më të specializuar. Disa mund të kenë patur mbarëvajte të dobët që në shkollën fillore, tek të tjerët këto probleme kanë nisur më vonë, veçanërisht në kalimin nga klasa e katërt në të pestën ose nga klasa e tetë në vitin e parë. Rënia në mësime nuk nënkupton vetëm rezultate të ulta por edhe disa ndryshime të tjera.


Cilat janë treguesit e një adoleshenti me rezulate të dobta në mësime?
Probleme në përqëndrimin e vëmendjes: Në nivelin e përqëndrimit të tyre ndodhin disa ndryshime: e kanë të vështirë të përqendrohen në aktivitete të ndryshme p.sh në biseda, në lexim ose detyra të tjera…Paaftësia për t'u përqëndruar mund të shoqërohet me reagime emocionale të papërshtatshme të cilat shpesh mund të shfaqen në formën e agresivitetit.Rezultate të ulta në mësime: Rezultatet e tyre bien ndjeshëm. Rënia mund të jetë graduale ose e menjëhershme, mund të ndodhë më shpesh në lëndën që ai ka vështirësi ose në të gjitha lëndët.Mungesat: Nxënësi nisë të bëjë mungesa pas së cilave nuk qëndrojnë arësye të forta. Vetë ai nuk është në gjendje të shpjegojë refuzimin e orëve të mësimit, premton se kjo sjellje nuk do të përsëritet më. Ndërkohë cikli refuzim-justifikim është vendosur dhe adoleshenti e ka të vështirë të dalë.Probleme në sjellje: Këto probleme mund të cënojnë marrëdhënien e tij me mësuesin ose me nxënës të tjerë. Shpesh herë reagimi i mësuesit ndaj tyre mund të shpjerë në keqësim të gjendjes. Mësuesi e sheh ndëshkimin si mjetin më të mirë për "korrigjimin" e sjelljes së papërshtatshme. Kjo formë "trajtimi" nxit acarim dhe rebelim tek nxënësi duke rritur me tej prirjen e nxënësit për lënien e orëve të mësimit. Marrëdhëniet problematike me mësuesin ose me nxënës të tjerë ndikojnë në raportin e nxënësit me shkollën duke e bërë që ta shoh shkollën si institucion nisur nga prizmi i këtyre marrëdhënieve. Një klimë e papërshtatshme brenda klasës nuk favoriozon kapërcimin e problemeve në sjellje.Zbehja e marrëdhënieve: Nxënësi qëndron larg aktiviteteve të cilat dikur paraqisnin interes për të. Ai humbet interes edhe ndaj lëndëve të tilla si muzikë apo fiskulturë të cilat nuk kërkojnë shumë angazhim për dhe janë relativisht më të lehta në raport me lëndë të tjera.Mungesa e qëllimeve: Këta nxënës janë të paqartë për dëshirat dhe planet e tyre: mund të marrësh përgjigje të ndryshme për të njëjtën gjë. Konfuzioni i qëllimeve krijon shpesh vështirësi në marrëdhënie me prindërit të cilët pyetjen "çfarë do të bëhesh" e kanë gati në çdo moment.Mungesa e besimit: Një nxënës që dështon vazhdimisht krijon bindjen se situata është jashtë kontrollit, se asgjë nuk varet më prej tij. Ai krijon pritshmëri të tipit "nëse zysha do mund të marrë një notë të mirë". Nota e mirë nuk shihet si diçka e lidhur me përpjekjet e tij por me qëndrimin e të tjerëve ndaj tij. Problemi merr të tjera përmasa nëse nxënësi përshtat të njëjtën prirje edhe ndaj marrëdhënieve apo aktiviteteve jashtëshkollore.

Si mund të ndihmosh fëmijën tënd për përmirësimin e notave?
Në këtë periudhë pushteti i prindit zbehet: ndaj këshillave të prindit ai shpesh mund të reagojë me shprehjet tipike: ti nuk e di, kanë ndryshuar kohët, s'jam si ty. Fillimisht "predikimet" për përmirësim e notave mund të hasni në rezistencë. Dhe është normale që adoleshenti të refuzojë. Notat nuk mund të ndreqen sot për nesër. Duhet kohë. Adoleshenti duhet të bindet për rëndësinë e notave të mira dhe respektimin e rregullave në shkollë dhe më pas t'i reflektojë këto bindje në sjellje. Nuk duhet harruar që durimi është kusht për dhënien e ndihmës.

Si mund t'i ndihmojnë prindërit adoleshentët?
Alternativa më e mirë do të ishte parandalimi i problemit, por në rastin kur ai ka mbërritur në derë prindit i duhet të ndërhyjë… Si? Më shumë përkushtim ndaj fëmijës. Sot, kur një pjesë e mirë e prindërve priren të bëjnë sa më shumë punë, është e vështirë të kalohet shumë kohë me fëmijët. Megjithatë cilësia e ndërveprimit është më e rëndësishme në raport me kohën. Edhe një telefonatë e shkurtër interpretohet pozitivisht nga adoleshenti dhe është një hap drejt marrëdhënies së shëndetshme. Përkushtimi nuk do të thotë vetëm plotësim i nevojave materiale... por shumë më tepër: fëmija ka nevojë të ndihet i kuptuar. Pyetjet rreth shkollës, rreth lëndëve që paraqesim më shumë problem për të janë një hap përpara drejt përmirësimit të notave.Ndihmë në vendosjen e qëllimeve Prindi duhet të ndihmojë fëmijën në vendosjen e qëllimeve në mënyrë të veçantë të atyre qëllimeve që lidhen me shkollën. Vendosja e qëllimeve është e lidhur ngushtë me përvetësimin e normave të caktuara. Një nxënës me rezultate të ulta ndodhet në brenda një "xhungle" nga e cila e ka të vështirë të dalë. Konfuzionit të moshës i shtohet edhe konfuzioni i mungesës së qëllimeve: në këto kushte ndihma e prindit nevojtitet më tepër.

Theksim i rëndësisë së rregullave
Prindi duhet të theksojë rëndësinë e studimit, të punës së pavarur dhe idenë e vazhdimësisë në kohë. Një nga problemet më të cilat haset një adoleshent që bie nga mësimet është i lidhur me perceptimin e kohës: ai e ka të vështirë të bëjë një sintezë të kohës, të pranojë faktin që koha nuk është përpara tij në infinit. Për shkak të rezultateve të ulta ai mund të shkëputet nga e tashmja dhe të ushqejë iluzionin se në të ardhmen gjërat mund të shkojnë më mirë. E ardhmja shndërrohet në sinomin të shkopit magjik: dikur gjithçka do të jetë mrekulli. Prindi duhet të krijojë tek ai bindjen se e ardhmja është e lidhur me tashmen, dhe nëse sot je nxënës i dobët i tillë do të vazhdosh të jesh edhe në të ardhmen nëse përpjekjet mungojnë.

Pjesëmarrje në aktivitete shkollore
Inkurajimi i adoleshntëve për të marrë pjesë në aktivitete të cilat organizohen nga shkolla. Kjo pjesëmarrje do t'i jepte mundësi adoleshentit për të rivendosur lidhjet me shkollën dhe për të mos e parë shkollën vetëm si vend "detyrash dhe rregullash" por edhe si institucionin që krijon mundësi për argëtim. Sigurisht shkolla shqiptare nuk ofron shumë mundësi në këtë drejtim, megjithatë vihet re një prirje positive e cila në të ardhmen nën ndikimin e prindërve, mësuesëve dhe nxënësve mund të zhvillohet më tej.
 

Hello Kitty

❤☆҉‿★ Ŧђαήк ¥☺ů ★☆҉‿❤
Anëtar
Feb 8, 2011
Postime
15,256
Pikët
113
Përgjigje e: Adoleshenca, Puberteti.

Ç'duhet të dini për adoleshencën?

Adoleshentë llogariten fëmijët të moshës nga 12-21 vjet. Në këtë periudhë, ata kalojnë nëpër shumë ndryshime.

...


Kur duhet të konsultoni mjek?
Çdo bisedë për vetëvrasje nuk duhet të injorohet. Kjo është shkak që menjëherë të drejtoheni te mjeku juaj. Konsultohuni me mjekun çdo herë kur mendoni që ju nevojitet sugjerim apo ndihmë.
 
Top