MËNIA (Μῆνιν) E AKIL PELEUT...
SPROVA E KONICËS DHE VËMENDJA E KADARESË.
(μῆνιν ἄειδε θεὰ Πηληϊάδεω Ἀχιλῆος)
Fjala e parë e Iliadës, Ilias-it (lexo: Yllas) që lidhet me luftën epike të Ilionit, njohur si Trojë, është “Mëni”. Kjo fjalë është boshti qendror i kësaj vepre është mëria e Akilit, e cila nuk është zemërim as “tërbim” e as “zemërim”, por është një fjalë thuajse biblike: “mëni”. Kjo fuqi e errët merr kuptim ndër shekuj te shpërthimi gjakmarrës i shqiptarëve, ku mërinë e sheshon veç ah’ (hak) i shpaguar. Kadare e risjell këtë fjalë përsëri në vëmendje duke iu referuar një studimi të Konicës lidhur me përkthimin dhe shembullit të tij të marrë nga vargu i parë i librit të parë të Iliadës. Fjala e parë... Mëni:
"Prej shumë kohësh, s’më është hequr nga mendja një sprovë letrare. Ajo është shkruar në frëngjisht, prej gati një shekulli, nga Faik Konica, shkrimtar shqiptar, mik i Guillaume Apollinaire-it. Vepra ka rreth njëqind faqe dhe trajton probleme të përkthimit. Titulli i saj është: Gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale. Dhe, midis të tjerash, këtu ai analizon vargun e parë të Iliadës. Ai pohon se, në shumicën e gjuhëve, përkthimi i vargut të parë të këngës së parë të poemës së Homerit është i gabuar.
Ky varg është si vijon: “Këndo, o hyjneshë, zemërimin e Akilit, djalit të Peleut”. Sipas Faik Konicës, përveç emrit të Akilit, gjithçka tjetër është e gabuar. “Këndo” është përdorur në vend të “Na fol” ose “Na trego”, të cilat në traditën e grekëve të lashtësisë vendoseshin në fillim të vargut; për sa i përket kuptimit të fjalës “hyjneshë”, ajo përkon më shumë me “zanat e mira” ose “të këqija” se sa me atë që përmend apo i referohet teksti origjinal. Gabimi më i madh qëndron te përdorimi i fjalës “zemërim” i Akilit, sepse zemërimi nënkupton një gjendje shpërthyese, një rrëmbim që nuk zgjat.
Në të vërtetë, brenda Akilit jeton “mëria”, një mëri që shkon deri në obsedim. Përveç kësaj, Faik Konica përmend fjalën greke “menin”, nga e cila ka lindur në latinisht fjala “mani”, shqip “mëri”. Fjala “mëri” do t'i përshtatej më mirë në këtë rast.
Gjithashtu ai hedh poshtë shprehjen “djalit të Peleut”, sepse kjo do të thotë jo vetëm të trajtosh lidhjet e largëta si lidhje farefisnore të afërta, por edhe të mos njohësh mentalitetin e Greqisë së lashtë.
Akili i përket një grupi dhe përkthimi i saktë do të ishte “të klanit të Peleut”. Duke vepruar kështu, Faik Konica na provon se fjalët e para të letërsisë perëndimore janë të mbushura me përafrime. Me pak fjalë, ky varg, i përkthyer saktë, do të ishte: “Zanë, tregona për mërinë e Akilit, nga fisi i Peleut". Shkurt, përkthimi nxjerr si rrjedhim gabimin dhe interpreti ngre si hipotezë sakrilegjin".
Thënie për shqiptarët
_______________
Titulli: Katër përkthyesit
Autori: Ismail Kadare
Botues: Onufri, 2004
