• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Akuzat për kopjim dhe prapaskenat e guidave

Forum-Al

Aty ku shqiptarët mblidhen
Anëtar
Jan 5, 2010
Postime
562
Pikët
28
Vendndodhja
Forum
Në pak ditë Feniksi bëhet 5 muajsh dhe ca më tepër që nga konceptimi fillestar. Kanë qenë muaj të lodshëm sepse të mbash një faqe me guida, si po mësojmë nga praktika, nuk është fare e thjeshtë. Megjithatë, kanë qenë muaj të bukur sepse kemi krijuar një grup (edhe pse akoma i vogël) vizitorësh të rregullt që kanë interes në ato që shkruajmë dhe dita-ditës kjo faqe po krijon autoritetin e saj online. Synimi jonë përfundimtar është të ndihmojmë një pjesë të atyre mijëra njerëzve që pëlqejnë teknologjinë dhe duan të mësojnë të programojnë apo dizenjojnë. Them se në një farë mënyrë jemi në rrugë të mbarë, por kemi akoma shumë punë përpara.

Nëse do më duhej të bëja një listë të gjërave që s’më pëlqejnë, akuzat pa prova janë në krye të listës. Vërtetë nuk jemi në gjyq, ku kushdo mban përgjegjësi të plotë për ato që thotë, por s’po kërkoj më shumë se një etikë normale. Fatkeqësisht kemi marrë disa akuza për kopjime/përkthime, por fatmirësisht kanë ndodhur në vetëm 2 raste. Rasti i parë në guidën “Projekti CMS me PHP“, ku u akuzova se nuk duhet të pretendoj të drejta autori mbi guidën apo kodin kur vetë ai është e vjedhur. Në rastin e dytë, vetëm para pak ditësh në guidën “PHP, MySQL dhe Prototype – AJAX në 10 minuta” ku u akuzova se thjeshtë e kisha përkthyer. Nuk dua të kapem me individualitete sepse do bija në nivelin e akuzuesëve (të paktën në nivelin e shprehur këtu; s’dua të paragjykoj), kështu po e vazhdoj me konceptin.

Jam i qartë që një faqe si Feniksi është në një farë mënyre risi në internetin Shqiptar, sepse deri me sot kemi parë shumë pak faqe me guida cilësore dhe shumë faqe meteorë ku autorët shkruanin guida 2 paragrafe të gjata, pa ndjekur asnjë rregull drejtëshkrimor dhe në shumicën e rasteve kopje direkte (apo përkthim me Google Translate). Kjo qartësi që kam për Feniksin, më bën t’i kuptoj dyshuesit. Jam i sigurt që ka shumë që e shohin këtë faqe me hije dyshimi dhe çdo guidë ju duket si e kopjuar apo përkthyer. Fundja nuk i vë faj, sepse kur mësohesh me faqe mediokër, të tilla të duken të gjitha!

E vërteta është që çdo guidë e shkruar në Feniksi është rezultat i konceptimit, studimit, kërkimit dhe në fund i realizimit të saj. Mund t’a kuptoni që proçesi nuk është as i thjeshtë dhe as i shkurtër. Një guidë mund të marrë nga disa orë për ato të shkurtrat, e deri në ditë të tëra për ato të thelluarat. Guida si “Projekti CMS me PHP” apo “Kodimi i një faqeje të plotë me HTML dhe CSS” mund të të marrin një javë me orë të zgjatura. Nuk po flasim për shkrim novelash, të cilat autorëve i vijnë natyrshëm dhe i shkruajnë pothuajse në kohë reale me mendimet. Flasim për guida teknike që kërkojnë të kodohen, të bëhen kërkime e të shkruash tekst të kuptueshëm nga çdo nivel njohurish. Të hedhësh poshtë një punë të tillë, që ofrohet falas ose për rastet shumë të rralla me vetëm 3 Euro/muaj, duke e akuzuar për vjedhje, mua më duket fyese dhe dashakeqëse.

Nga ana tjetër, asnjë nga ne nuk po përpiqet të shpikë rrotën. E kanë bërë të tjerë para se ne të ishim në gjendje të kuptonim çfarë ishte kjo rrota! Kuptohet që për guidat që shkruajmë inspirohemi diku. Duke parë punët e të tjerëve, marrim ide për çfarë teme të shkruajmë dhe çfarë të trajtojmë në të. Ky është proçes i njohur në çdo fushë, qoftë në PC apo jashtë në natyrë. Megjithatë, asnjë nga guidat tona nuk është kopje e punës së dikujt. Të inspirohesh, për ata që nuk e kuptojnë, do të thotë të marrësh ide dhe t’i shfrytëzosh ato për qëllimet e tua. Do të thotë që të shohësh diku një guidë interesante dhe të përdorësh atë logjikë me implementimin tënd (në kod, design apo çfarëdo) dhe shpjegimin tënd, duke ju përshtatur audiencës. Disa guida në Feniksi janë të inspiruara, disa janë të krijuar tërësisht nga mendja e autorit, pa u bazuar në konceptin e askujt. Si ka thënë Picasso, një njeri me më shumë talent se të gjithë ne: “Artistët e mirë kopjojnë. Artistët e shkëlqyer vjedhin.”. Dhe të jeni të sigurt që fjalën “vjedhin” nuk e ka përdorur me të njëjtin qëllim si akuzuesit që përmenda pak më sipër.

Nuk dua të zgjatem më tepër sepse do ju mërzisja, por shpresoj të kem vendosur disa pika mbi i. Nuk kërkojmë asgjë më tepër se sa vlerësimin tuaj për punën që bëjmë. Për ata që janë në dyshim, jo, nuk kërkojmë as paratë tuaja. Ky projekt është krijuar dhe do vazhdojë të egzistojë si një ndihmë ndaj komunitetit. Përkushtimi dhe dëshira për të vazhduar përpara nuk bazohen në ato pak para që ju kërkojmë për Premium, por në tentativën për të krijuar faqen më të madhë dhe cilësore me guida teknike Shqiptare. Shpresoj vërtetë që vizituesit e shpeshtë të vazhdojnë t’a frekuentojnë faqen dhe t’ja rekomandojnë miqve të tyre, sepse ky projekt është akoma në nisje dhe na presin shumë gjëra interesante në të ardhmen.

Me respekt,

Fadion Dashi
Autor dhe bashkë-themelues i Feniksi.com


Akuzat për kopjim dhe prapaskenat e guidave është një postim nga: Feniksi.Com - Thesari i Njohurive



Forum-Al.com
Aty ku shqiptarët mblidhen!
 
Top