• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Albert Kamy

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,424
Pikët
113
ALBERT KAMY




“Absurdi mbretëron, prej tij të shpëton vetëm dashuria”



nga Xhevair Lleshi



Me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së ekzistencialistit Alber Kamy; arti i Kamysë është i zhveshur nga elitarizmi: një art i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i thellë, që ka arritur me sukses të mishërojë edhe konceptet filozofike pro-ekzistencialiste, prandaj dhe bashkëkohësit e mirëpritën, duke gjetur jehonë në shpirtrat dhe në mendjet e tyre. Veprën e Kamysë e përshkon fund e krye fryma e rebelimit dhe kjo e ka burimin në zgjedhjen e lirë që bëjnë në jetë personazhet që krijesa e tij, të integrohet organikisht në konceptin për njeriun, për jetën dhe për dashurinë…



Kush lexon dhe rilexon “Mitin e Sizifit”, përherë ndihet edhe keq, edhe mirë. Ndërkohë që përpin rreshtat të mbërthen një angështi rebeluese dhe tretëse, si baltovinë thithëse. Ndien pranë edhe tmerrin edhe bukurinë e madhërishme. Ideja përcillet tek ty me tmerr dhe me një meditim të thellë, gati masakrues. Përse, vallë, i gjithë ky stërmundim dhe për më tepër i shoqëruar me guxim? Do të zbriste në arenën e letërsisë botërore Alber Kamy, prozator, dramaturg, eseist, filozof ekzistencialist dhe bashkëpunëtor teatri i pasionuar. Tërë platforma ideoartistike e Kamysë u ngjiz nën ndikimin e Niçes, të Hajdegerit dhe të Sartrit, por rol të pazëvendësueshëm në formimin e Kamysë si shkrimtar ka luajtur Dostojevski. Alber Kamy më 1953 shkruante: “Jam njohur për herë të parë me veprën e Dostojevskit kur isha njëzet vjeç, tronditja ime e përjetuar prej asaj që lexova ruhet e gjallë brenda meje deri më sot, pas njëzet vjetësh. Jam mahnitur nga zbulimi lakuriq i natyrës së njeriut... dhe prandaj shumë shpejt fillova të ndërgjegjësohem për dramën e epokës sonë, ashtu dhe e desha me shpirt atë shkrimtar të madh, pasi, me aftësinë e pakrahasueshme që spikat, na paraqit fatin tonë historik”. Nëpërmjet përjetimit të thellë të dramës së epokës kur jetoi, Kamyja edhe e rikrijoi artistikisht botën që e rrethonte, jetën, personalitetet njerëzorë, me një prirje vetjake të veçantë: përfytyrimi i tij për mbretërinë e absurdit është i pandarë nga përfytyrimi për njeriun e tjetërsuar në botën kaotike, të mbyllur në jetën dhe në veprimtarinë vetëm individuale. Ndryshe ky përkufizim këtillohet ekzistencializëm. Por kjo nuk do të thotë aspak se ky njeri i çuditshëm, në zakonet e përditshmërisë nuk e donte natyrën! Madje ai shquhet për një dashuri besnike të lidhur fort me ekzistencën, në ato forma që dinte t’i pasqyronte qartë si shkrimtar i shquar, duke përshkruar përjetime të thella ëndjesh që i vijnë njeriut nga komunikimi aktiv me natyrën. Madje Kamyja si shkrimtar shkrihet e bëhet një me natyrën. Të thurur dhe të intriguar ngushtë me këtë dashuri, ai e ka parë edhe fatin e njeriut në botë.
Arti i Kamysë është i zhveshur nga elitarizmi: një art i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i thellë, që ka arritur me sukses të mishërojë edhe konceptet filozofike pro ekzistencialiste, prandaj dhe bashkëkohësit e mirëpritën, duke gjetur jehonë në shpirtrat dhe në mendjet e tyre. Veprën e Kamysë e përshkon fund e krye fryma e rebelimit dhe kjo e ka burimin në zgjedhjen e lirë që bëjnë në jetë personazhet që krijesa e tij, të integrohet organikisht në konceptin për njeriun, për jetën dhe për dashurinë. Kredoja krijuese e Alber Kamysë është shprehur bukur me këto fjalë të arta: “Absurdi mbretëron, prej tij të shpëton vetëm dashuria”. Përkrah këtyre tri shtyllave të fuqishme të veprës së Kamysë mund të pohohet se pesimizmi që shpreh vazhdimisht dhe që e shoqëron veprën e tij si një qiqërimë e allasojtë, nuk e vret dot dashurinë për jetën dhe për natyrën, nuk e shtyp synimin e ngërthyer fort të njeriut që vepron, pavarësisht nga mosbesimi në suksesin përfundimtar. Madje kjo kundërti e hapur e ka mbërthyer ffuqishëm veprën e Kamysë dhe çuditërisht nuk ia merr frymën por ama i jep frymë!
Alber Camus ka lindur në Algjer, nga një baba francez dhe nënë spanjolle. I ati u vra në Luftën e Parë Botërore dhe Alberi mbeti vetëm me të ëmën. Pasi mbaroi shkollën fillore, djaloshit të zellshëm, iu krijua mundësia për të vijuar më tej liceun, pasi mësuesi kujdestar i siguroi një bursë. Gjithnjë i suksesshëm, në vitin 1932 u regjistrua në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Algjerit. Interesi i tij i veçantë u shpreh sidomos për letërsinë dhe filozofinë, pasi qe njohur me veprat e intuitivistit Bergson dhe të idealistit Niçe, me veprat artistike të Marsel Prustit dhe të Anatol Fransit, të Dostojevskit dhe të Tomas Manit. Madje në kurset e detyruara të leksioneve u njoh me pikëpamjet e shumë mendimtarëve bashkëkohës, në mënyrë të veçantë me platformën filozofike të Zhan Pol Sartrit, të shprehur prej tij si ekzistencializëm. Kamy e përqafoi shpejt këtë botëkuptim të cilin e bëri strumbullar të veprës së tij të madhe artistike. Ndonëse në mënyrë rastësore, Kamy shfaqi prirjet teatrore, prej aktori dhe dramaturgu. Për trupën e “Teatrit të Punës” shkroi dramën “Kryengritje në Austri”, ku interpretoi rolin kryesor. Mirëpo censura ishte gjallë aty pranë dhe tërë sy e veshë, kështu që shpejt përsëritja e shfaqjes u ndalua. Sidoqoftë mundi që të vinte në skenë tragjedinë e Eskilit “Prometeu i lidhur”, dramën e Maksim Gorkit “Fundërrinat”, tragjedinë e vogël të Pushkinit “Miku i gurtë”, dramatizimin “Vëllezërit Karamazov” të Dostojevskit, përgatiti për skenën disa fragmente nga vepra e A. Zhidit dhe e A. Malrosë. Një repertor që flet vetë dhe shpreh qartë idetë e Kamysë.
Kamyja ka marrë pjesë aktivisht në jetën shoqërore dhe politike të vendit, madje është treguar antifashist i vendosur, ndërkaq nuk e ndërpreu për asnjë çast veprimtarinë krijuese. Kësaj kohe i përkasin planet krijuese të gjera, por edhe me probleme shëndetësore. Botoi vëllimet me ese të titulluara “E mbara dhe e prapta”, “Vera në Paris”. Në vitin 1940, Kamy e pranoi ftesën për të punuar redaktor në gazetën “Paris-soir”, u largua nga Algjeri dhe u vendos me banim në Francë. Në Paris mbërriti disa ditë përpara se të pushtohej nga Gjermania fashiste. Mori pjesë aktive në Rezistencë, mbante lidhje të vazhdueshme me ilegalët, vetë bëri pjesë në shoqatën “Komba”. Është koha e një veprimtarie intensive krijuese: shkroi romanin “I huaji”, esenë e famshme “Miti i Sizifit” (1940-1941). Pak më vonë botoi romanin “Murtaja” (1945), u vu në skenë drama “Kaligula” (1947), në të cilën rolin kryesor e interpretoi aktori me famë botërore Zherar Filip. Në vitin 1951 Kamy botoi traktatin “Njeriu rebelues”, kurse në vitin 1956 pa dritën e botimit novela “Rënia”. Në vitin 1957 Alber Kamysë iu dha Çmimi “Nobel”. Ka vdekur në vitin 1960, 50 vjet më parë, pas një aksidenti automobilistik.
Ideja madhore që e përshkon tejetej veprën me famë botërore të Alber Kamysë është: absurditeti i qenies njerëzore dhe rebelimi si formë e luftës kundër padrejtësive dhe në këtë mënyrë duke luftuar për sigurimin e lirisë. Koncepti mbi absurditetin e botës, i trajtuar në rrafshin filozofik, ka gjetur rrugëzgjidhje në esenë e mirënjohur “Miti i Sizifit” (1941). Sizifi legjendar i paraqitet lexuesit si mishërim i njeriut absurd. Sipas legjendës, u dënua nga perënditë që ta ngrinte gurin në majën e malit, por atje ky përsëri shkëputej dhe binte poshtë. Sizifi detyrohej që ta ngrinte përsëri lart e kështu pafund. Bënte punë të pakuptimtë, absurde, sepse i mungonte qëllimi. Sizifi ishte i vetëdijshëm dhe prandaj i përbuzte perënditë, që të lartësohej mbi ta shpirtërisht, por edhe të ngrihej patjetër mbi fatin e vet. Kështu ai bëhet “më i fortë se shkëmbi”, bëhet i vetëdijshëm se “e ka vetë fatin e tij në dorë”. Bëhet zot i absurdit! Përgjithësimi që nxirret është i përmasave të mëdha: njeriu vetë e kupton pashmangshmërinë e të gjendurit brenda absurdit. Sipas Kamysë “njeriu i absurdit fillon aty, ku mbaron njeriu që ushqen shpresë”. Atëherë, si shpjegohet stoicizmi dhe fryma optimiste e veprës së Kamysë? Vetë Kamy na e ka bërë të qartë se burimet e lirisë dhe të optimizmit ekzistojnë, këto janë dijet që zotëron njeriu, është puna e duarve të tij, është arti, është procesi krijues.
Analogjinë ideore me esenë “Miti i Sizifit” e gjejmë në romanin më të mirë, që doli nga pena e Kamysë, “I huaji” (1940). Heroi kryesor i romanit nuk është personazh mitologjik, është “thjesht njeri”, është një djalosh që di ta shijojë bukurinë e shkrirjes me natyrën, që jeton i lirë, pa ndonjë detyrim, që nuk u nënshtrohet normave standarde të moralit, ndonëse këto i imponohen me përdhunë. Jeton në një botë ku nuk ka Zot dhe nuk ka kuptim që të ketë, ai e di fort mirë dhe veten e ndien të huaj në mjedisin ku jeton. Ndaj nuk dëshiron që të luajë sipas rregullave që ka vendosur shoqëria. Kështu djaloshi kryen krim, vret një njeri, por nuk i jep vetes llogari për aktin që kreu, ashtu si nuk i jep llogari vetes edhe kur sillet në mënyrë të papranueshme në rastin e vdekjes së të ëmës. Krimin, vrasjen e njeriut, e kryen në rrethana misterioze: dielli përvëlues ia prish drejtpeshimin, rrezja si teh thike i vret keq sytë dhe ai e nxjerr revolverin si në jerm, e heq këmbëzën pa e ditur as vetë se ç’po bën. Mbretëroi një heshtje varri në bregdetin ku pak më parë e kishte ndjerë veten aq mirë. “Sikur trokita në derën e fatkeqësisë me ato katër të shtëna të shkurtra”, - janë fjalët e mbylljes së tregimit të djaloshit. Gjyqi zgjat pambarim, përsëriten të njëjtat fjalë dhe djaloshi nuk ndien pendim. Akuzohet për vrasjen e njeriut dhe për thyerjen e normave të moralit gjatë varrimit të së ëmës. Djaloshi akuzën sigurisht e priti “si fraza që nuk kishin fund”, ndaj dhe vdekja iu duk se po vinte qetë dhe nuk ndjeu frikë, madje u shpreh me forcë se “në ditën e ekzekutimit, le të mblidheshin sa më shumë shikues dhe le të më prisnin me britma urrejtjeje”...
Kamy ka theksuar se gjithçka që i vjen njeriut nga morali dhe nga normat e shoqërisë, është sipërfaqësore, e rritur në trupin e tij si mish i huaj. Ligji ekzistencialist i tjetërsimit të njeriut në shoqërinë e rregulluar keq dhe ligji i absurdit të jetës në këtë lloj shoqërie veprojnë në romanin e Kamysë “I huaji” me forcë të madhe. Këtë gjendje na e ka shpjeguar teoricieni i ekzistencializmit Zhan Pol Sartr, kur ka thënë: “Gjendja e absurdit është një lloj qëndrimi dhe marrëdhënieje e njeriut me botën. Kjo gjendje do kuptuar fillimisht si tjetërsim, si mungesë harmonie ndërmjet shkrirjes me jetën shoqërore dhe prirjes për jetë si individualist, ndërmjet dëshirës për ekzistencë dhe pengesave për ta bërë këtë realitet, do kuptuar dhe si shqetësim i vazhdueshëm jetësor, të cilin njeriu përpiqet që ta kapërcejë dhe nuk e kapërcen dot”.
Duke qenë se tragjizmi që e shoqëron veprën e Kamysë është i pashmangshëm, madje bie në sy sidomos se ajo që po ndodhte, qe tepër e përgjakshme dhe kërkonte një filtër të ri nga ana e shkrimtarit. Shkroi esenë “Letra mikut gjerman”, në të cilën Kamy, tanimë shkrimtar botërisht i njohur, bisedon me mikun gjerman të imagjinuar, kërkon që bota të përfshihet nga solidariteti dhe njerëzit të përveshin mëngët për ta larguar sa më parë fatin mizor dhe për të jetuar në harmoni. Është i vetëdijshëm për vështirësitë, por ka besim te njerëzit. “Më pyesni, - i drejtohet Kamy mikut gjerman, - se çdo të thotë ta shpëtosh njeriun? Përgjigjja ime është: kjo do të thotë të mos e sakatosh atë, por të mbash si orientuese drejtësinë. Dhe këtë është i zoti që ta ngrejë në këmbë vetëm njeriu”. Kështu përpara nesh qëndron ekzistencialisti Kamy, i pasuruar me idenë e solidaritetit njerëzor. Është ekzistencialisti shpërfillës i kësaj jete të parregulluar, që del me mendimin e përgjegjësisë që ndien përpara njerëzve, lidhur me gjithçka që ndodh me njeriun në këtë botë. Sigurisht që flet për rritjen e Kamysë si filozof, si shkrimtar dhe si personalitet botëror.
Kjo ide madhore e përshkon tejetej veprën e radhës të Kamysë “Murtaja” (1947). Epidemia e murtajës e ka pllakosur njerëzimin. Murtaja është fashizmi. Ajo duhet zhdukur për të shpëtuar njerëzimi nga kërcënimi serioz. Gjejmë një tipar të ri, të rëndësishëm, të krijimtarisë së Kamysë, dukjen në të të brendisë sociale. Personazhi kryesor i veprës në një vend thotë: “Ka baza më se të mjaftueshme që të preokupohesh për ta adhuruar sa më fort njeriun. Shumë më tepër se sa të merresh me përbuzjen e tij”. Në konceptimin tërësor të krijimtarisë së mrekullueshme të Kamysë, një thënie si kjo përfton një kuptim madhor. I kësaj kohe është dhe traktati filozofik “Njeriu rebelues”. “Në një rebelim, - ka vënë në dukje Kamy, - njeriu bashkohet dhe solidarizohet me të tjerët”. Pa hequr dorë prej teorisë së absurdit dhe të tjetërsimit, Kamy në të njëjtën kohë merr në mbrojtje idenë e nevojës që ka njeriu për të qenë me të tjerët. Faktikisht sfidohet ideja e vetmisë si shpëtimtare e individualizmit.
Veprat e pasluftës, që shkroi Kamy, janë të zhveshura nga alegoria. Motivi i shkrirjes së njeriut me natyrën tingëllon më i plotë dhe më përtëritës. Novela “Rënia” (1958) është e shkruar si rrëfim i personazhit kryesor kundër dyfytyrësisë, kundër mashtrimit dhe egocentrizmit, konsiderohen jo thjesht vese, por mëkate me thelb antinjerëzor, të tilla që e pengojnë njeriun të dashurojë e të jetojë ashtu si duhet.
Në fjalimin e shquar që mbajti me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel, Kamy u shpreh se “mohimi i së keqes dhe qëndresa fort përpara skllavërimit” tashmë ishin arritur!
Njëra nga epidemitë e shekullit XX, aksidenti automobilistik, ia mori jetën para kohe shkrimtarit fisnik, me mendje e zemër të madhe. Alber Kamy vdiq në vitin 1960. Por mbeti i pavdekshëm, sepse ndriçoi me origjinalitet dhe me nivel të lartë filozofik e artistik problemin e madh të njeriut dhe të fatit të tij në shoqërinë e shekullit XX, tregoi tjetërsimin e njeriut dhe absurditetin e jetës së individualistit, viktimë e shoqërisë së rregulluar keq, por tregoi edhe solidaritetin njerëzor dhe rebelimin njerëzor si faktorë të mëdhenj rregullues të jetës njerëzore. Dhe ti përsëri sapo rifillon të lexosh plot ankth "Mitin e Sizifit" për t'u mrekulluar dhe angështuar pa fund me të vërtetat e fuqishme të botës që të rrethon. Me sa duket, gjithsecili ka për të vdekur me gurin e Sizifit në krah...

standard
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,424
Pikët
113
Albert Kamy - Miti i Sizifit (fragment)

Miti i Sizifit

Ky fragment perben nje kapitull me vete te esese me te njejtin titull. Kamy e interpreton mitin e Sizifit sipas ndjeshmerise se vet dhe sipas mendimit filozofik ekzistencialist te perhapur gjeresisht ne France ne periudhen mes dy Luftrave Boterore. Fragmenti eshte shkeputur pothuajse i plote.


Perendite e kishin denuar Sizifin te ngjiste papushim nje shkemb ne maje te nje mali nga ku guri rrokullisej vetvetiu. Ato kishin gjykuar me te drejte se nuk ka ndeshkim me te tmerrshem se puna e padobishme dhe e pashprese.
Po t'i besojme Homerit, Sizifi eshte njeriu me i ditur dhe me i kujdesshem midis te vdekshmeve. Megjithate, sipas nje tradite te tjeter, ate e terhiqte zanati i cubit. Nuk me duket kontradiktore. Opinionet jane te ndryshme per shkaqet perse u denua te bente ne ferr pune te padobishme. Para se gjithash e qortojne per mendjelehtesine ne sjelljet me perendite. Nuk i ruajti sekretet e tyre. Egina, vajza e Azopit, u rrembye nga Jupiteri. I ati u befasua nga kjo zhdukje dhe u ankua tek te Sizifi. Ky i fundit, qe kishte dijeni per rrembimin, i premtoi Azopit t'i tregonte, me kusht qe ky t'i jepte uji keshtjelles se Korintit. Midis rrufeve qiellore dhe bekimit te ujit, ai zgjodhi te dytin. Per denim, u dergua ne ferr. Homeri na tregon gjithashtu se Sizifi kishte lidhur me zinxhire Vdekjen. Plutoni nuk mund ta duronte kete pamje te shkrete e te heshtur te mbreterise se vet. Ai dergoi perendine e luftes qe ta çlironte vdekjen nga duart e ngadhnjimtarit.
Tregojne gjithashtu se Sizifi, ne prag te vdekjes, i hipi ne koke te vinte ne prove dashurine e gruas se vet. E urdheroi t'ia hidhte trupin e tij te lene pa varr ne mes te sheshit te qytetit. Per kete e çuan ne ferr. Dhe atje, i zemeruar nga bindja e se shoqes, aq e kundert me dashurine njerezore, i mori leje Plutonit te kthehej ne toke per te ndeshkuar te shoqen. Por, kur erdhi perseri mbi toke, kur shijoi ujin dhe diellin, guret e nxehte e detin, nuk deshi te kthehej prap ne erresiren e sketerres. Thirrjet, zemerimet e paralajmerimet, rane ne vesh te shurdher. Edhe per shume vite, ai jetoi ne harkun e nje limani, prane detitte shkelqyer dhe buzeqeshjeve te tokes. U desh nje vendim i perendive. Merkuri erdhi dhe e kapi per zverku te pabindurin dhe, duke e shkeputur nga gezimet, e çoi me force ne ferr, ku e priste shkembi.
Kuptohet se Sizifi eshte heroi absurd. Ai eshte i tille si per pasionet, ashtu edhe per vuajtjeter. Perçmimi per perendite, urrejtja e vdekjes dhe pasioni per jeten, bene qe te vuaje nje denim te papare, ku e gjithe qenia perpiqet te mos perfundoje asgje. Ky eshte çmimi qe duhet paguar per pasionet e kesaj bote. Asgje nuk na thuhet me per Sizifin ne ferr. Mitet jane bere per te ndezur imagjinaten. Ne mitin e siperpermendur, shofim vetem perpjekjet e trupi te tendosur per te ngritur nje gur te madh, per ta rrokullisur edhe per t'iu ngjitur pa mbarim nje te perpjete; dallojme fytyren e ngerdheshur, faqen e mbeshtetur te guri, nje shpatull nen gurin me balte rreshqitese, nje kembe qe e mban, dy duar qe e mberthejne, sigurine plotesisht njerezore te dy duarve te bera plot balte. Ne mbarim te kesaj perpjekjeje te gjate, te kufizuar nga hapesira pa qiell dhe koha pa thellesi, qellimi arrihet. Atehere Sizifi shikon gurin qe per pak sekonda rrokulliset drejt botes se poshtme, nga ku duhet te ngrihet perseri per ne maje. Ai zbret ne fushe.
Pikerisht gjate kthimit, gjate kesaj pauze. Sizifi me intereson. Nje fytyre qe robtohet aq afer gureve, eshte bere tashme gur dhe vete! E shof kete njeri duke zbritur me hap te rende e te njejte drejt vuajtjes pa fund. Kjo ore, qe eshte si nje frymemarrje e qe perseritet me po aq siguri sa dhe fatkeqesia e tij, eshte ora e ndergjegjes. Ne çdonjerin nga keto çaste, kur ai zbret nga maja dhe zhytet ne strofkat e perendive, ai qendron permbi fatin e vet. Eshte me i forte se shkembi i vet.
Nese ky mit eshte tragjik, kjo ndodh ngase heroi i tij eshte i ndergjegjshem. Ne te vertete, ç'vlere do te kishte vuajtja e tij, ne qofte se ne çdo hap do te ushqente shpresen per t'ia dale mbane? Punetori i sotem punon gjithe jeten ne te njejtin vend pune dhe fati i tij nuk eshte me pak absurd. Por ai nuk eshte tragjik, perveç rasteve kur behet i ndergjegjshem. Sizifi, proletari i perendive, i pafuqishem dhe i revoltuar, e njeh gjithe shtirjen e gjendjesse vet te mjeruar: gjate zbritjes, ai mendon per kete. Qartesia, e cila duhet t'i shkaktonte vuajtje, realizon ne te njejten kohe fitoren e tij. nuk ka fat fat qe te mos perballohet me ane te perçmimit.
Ketu qendron i gjithe gezimi i heshtur i Sizifit. Fat i vet i perket atij. Shkembi eshte gjeja e tij... Nuk ka diell pa hije, prandaj duhet njohur nata. Njeriu absurd thote "po", dhe perpjekja e tij nuk rresht kurre. Ne qofte se ekziston nje fat vetjak, nuk mund te kete fat te larte, ose te pakten ekziston vetem nje fat, per te cilin mendohet se eshte fatal e i perçmuar. Per çfare mbetet, ai e di veten zot te diteve te tij. Ne kete çast te veshtire kur njeriu ktheb syte nga jeta e vet, Sizifi, duke shkuar drejt shkembit, sodit kete rrjedhe veprimesh pa lidhje qe behet fati i tij, i krijuar prej tij, i unifikuar nen veshtrimin e kujteses se tij dhe se shpejti i vulosur me vdekjen e tij. Per rrjedhoje, i bindur per origjinen krejtesisht njerezore te gjithçkaje qe eshte njerezore, i verber qe deshiron te shohe dhe qe e di se nata nuk ka fund, ai eshte gjithmone ne udhe. Shkembi vazhdon te rrokulliset.
Po e le Sizifin ne kembet e malit! Gjithmone takojme barren e tij. Por, Sizifi na keshillon nje besnikeri te larte, e cila mohon perendite dhe ngre shkembinjte. Edhe ai mendon se gjithçka eshte mire. Kjo gjithesi, ketej e tutje pa zoteri, nuk i duket as shterpe, as boshe. Cdo kokrrize e ketij guri, çdo ndriçim mineral i ketij mali te zhytur ne terr, formojne ne vetvete nje bote. Vete lufta drejt majave mjafton per te mbushur zemren e njeriut. Duhet ta perfytyrojme Sizifin te lumtur.

Perkthyer nga: P.Sinani
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,424
Pikët
113
Albert Kamy - Donzhuanizmi (fragment)

Donzhuanizmi

ALBER KAMY


Po qe se mjaftonte të dashuroje, gjërat do të ishin shumë të thjeshta. Sa më shumë që dashuron, aq më tepër përforcohet absurdi. Don Zhuani nuk shkon nga një grua tek tjera, sepse nuk ndien dashuri. Do të ishte qesharake ta përfytyroje si një vegimtar në kërkim të dashurisë ideale. Por sepse i dashuron me të njëjtin pasion dhe çdo herë me gjithë qenien e tij, atij i duhet ta përsërisë dhe ta thellojë këtë dhunti. Nga ku secila shpreson t’i japë atë që askush tjetër më parë nuk i ka dhënë. Çdo herë, ato gabohen rëndë dhe arrijnë vetëm t’i zgjojnë dëshirën për këtë përsëritje. “Në fund të fundit, - i thotë me zemërim njëra prej tyre, - unë të dhashë dashurinë”. Nuk ka pse të habitemi kur Don Zhuan me të qeshur i përgjigjet: “Në fund të fundit? Jo, jo, por një herë më shumë”. Përse u dashka të dashurojmë rrallë që të duam shumë?
A është i trishtuar Don Zhuani? Nuk besoj. Le të kujtojmë subjektin. E qeshura, paturpësia ngadhënjyese, gjallëria dhe dhënia pas aventurave, të gjitha këto janë të qarta e të gëzueshme. Çdo qenie e shëndetshme synon të shumëfishohet. Kështu ndodh me Don Zhuanin. Për më tepër, njerëzit e trishtuar kanë dy arsye të jetë të tillë, nga padija ose nga shpresa. Don Zhuan di dhe nuk shpreson. Ai të sjell në mendje ata artistë që i njohin kufijtë e tyre, nuk i kalojnë kurrë, dhe gjatë këtij intervali të brishtë ku gjendet mendja e tyre, krijojnë me një lehtësi të mrekullueshme prej mjeshtri të madh. Pikërisht aty gjendet gjenialiteti; inteligjenca që njeh kufijtë e saj. Deri në kufijtë e vdekjes fizike, Don Zhuani, nuk e njeh trishtimin. Që nga çasti kur e njeh, e qeshura e tij shpërthen dhe ai fal gjithçka. Ai qe i trishtuar gjatë kohës që shpresoi. Sot, në buzët e kësaj gruaje ai gjen shijen e hidhur dhe ngushëlluese të shkencës së vetme. Të hidhur? Paksa: Këtë papërkryerje të nevojshme që e bën të ndjeshme lumturinë. Do të ishte mashtrim i madh po të përpiqeshim të shihnim te Don Zhuani njeriun që është frymëzuar nga Bibla. Sepse për atë nuk ka gjë më të kotë sesa shpresa në një jetë tjetër. Kjo gjë vërtetohet kur ai e vë jetën e tij në lojë kundër vetë qiellit. Keqardhja për dëshirën e shuar brenda kënaqësisë, kjo shprehje e rëndomtë e impotencës nuk ekziston te ai. Kjo i shkon mirë Faustit, i cili besonte te Zoti aq sa për t’iu shitur djallit. Për Don Zhuan, gjërat janë më të thjeshta. “Burladori” i Molinës kërcënimeve të ferrit, u përgjigjet gjithmonë: “Më lër një afat të gjatë!”. Çfarë ndodh pas vdekjes është e pavlerë dhe sa e gjatë është jeta për atë që do të jetojë! Fausti kërkonte të mirat e kësaj bote: fatkeqit i mjaftonte të zgjaste dorën. Të mos dish ta gëzosh shpirtin, do të thotë ta shesësh. Don Zhuani, përkundrazi, e komandon kënaqësinë. Nëse ai braktis një grua, këtë nuk e bën sepse nuk e dëshiron më. Një grua e bukur është gjithmonë e dëshirueshme. Por, sepse ai dëshiron një tjetër dhe kjo nuk është e njëjta gjë.
Kjo jetë e kënaq dhe i vjen shumë keq ta humbë. Ky i çmendur është vetë urtësia. Por njerëzit që jetojnë me shpresë i përshtaten me vështirësi këtij universi ku mirësia ia lëshon vendin zemërgjerësisë, dhembshuria heshtjes burrërore, mirëkuptimi guximi vetmitar. Dhe të gjithë thonë: “Ishte i dobët, idealist ose shenjtor”.

Duhet duruar madhështia fyese

Njerëzit shprehin zemërimin e tyre (ose ajo e qeshura bashkëfajtore që zvetënon atë që ai admiron) për fjalimet e Don Zhuanit dhe për atë fjali të vetme që përdor me të gjitha gratë. Por për atë që kërkon sasi gëzimesh, vetëm efikasiteti ka rëndësi. Fjalët hyrëse që kanë dhënë prova, përse u dashka të ndërlikojmë? Askush, as gruaja, as burri që i thotë, nuk i dëgjon, por i dëgjon zëri që i shqipton. Ato fjalë janë formula ose rregulla konvencionale të mirësjelljes. Më e rëndësishmja për t’u thënë mbetet pasi mbarojmë këto formula. Don Zhuan përgatitet për këtë. Përse do të krijonte një problem moral!? Ai nuk është si Manjara e Miloszit, që, nga dëshira për t’u bërë i shenjtë, dënon veten. Ferri për të është një gjë që e krijojmë vetë. Ndaj zemërimit hyjnor ai ka vetëm një përgjigje dhe kjo është nderi njerëzor: “Unë kam nder, i thotë ai statujës, dhe e mbaj fjalën, sepse jam kalorës”. Por do të ishte po aq gabim ta merrnim për imoralist. Në këtë pikëpamje ai është si të gjithë njerëzit, ai ka moralin që bazohet në simpatitë ose antipatitë e tij. Don Zhuanin e kupton mirë vetëm po ta mbash gjithmonë parasysh atë çfarë ai simbolizon në mënyrë të rëndomtë: një mashtrues të zakonshëm dhe burrin me shumë gra. Ai është një mashtrues i zakonshëm. Me të vetmin dallim se ai është i ndërgjegjshëm për këtë dhe kështu bëhet absurd. Megjithatë, një mashtrues që bëhet i ndërgjegjshëm nuk ndryshon. Të mashtrojë është zanati i tij. ....

Fragment i shkëputur nga “Donzhuanizmi”, nga libri “Miti i Sizifit”
Përkthyer nga frëngjishtja: Petrit Sinani, botim i ’92-shit



16/09/2009
metropol.
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,424
Pikët
113
“Murtaja” (Fragment) Albert Kamy


Në të gdhirë ata zhyteshin përsëri në botën e murtajës, pra, në rutinën e jetës së përditshme.
Ju do të pyesni: kujt i përngjanin këta të vetmuar, të mjerë? Përgjigjja është e thjeshtë: ata i përngjanin askujt! Ose, nëse doni të mësoni diçkamë shumë, ata i ngjanin të gjithë njerëzve, kishin një fizionomi fare të përgjithshme. Njësoj si tërë qytetarët ata nuk e çanin për asgjë kokën dhe po njësoj si ata ndizeshin për pakogjë. Çdo ditë që shkonte i bënte ata më kritikë dhe më shumë gjakftohtë. Edhe më të mençurit prej tyre mund t’i shihje, për shembull, tek silleshin si gjithë të tjerët dhe lexonin me radhë gazetat, ose tek përgjonin me ankth radion, sikur dëshëronin të kapnin ndonjë fjalë, e cila do t’u jepte mundësinë të besonin se murtaja mori fund, ose tek pushtoheshin nga shpresat e rreme apo makthet e kota gjatë leximit të disa shkrimeve, ku gazetarët hidhnin shkel e shko hipotezat e tyre duke gogësirë me mërzi. Kohën që u mbetej e shkonin me nga një krikëll birrë në dorë, shpesh u bënin edhe shërbim të sëmurëve, dembeloseshin apo, në të kundërt, dërrmoheshin në punë, rendisnin skeda, apo dëgjonin gramafonin, pa u dalluar fort nga shoshoqi. Me një fjalë, ata kishin humbur aftësinë për të zgjedhur. Murtaja i kishte paralizuar mendjet e zgjuara. Kjo dukej krej qatë kur shihje se asnjëri nuk pyeste më për vlerat e veshjeve që mbain apo për ato të ushqimeve që blinin. Ata mund të pranonin fare qetë çdo gjë që u jepej...

Shqipëroi: Vladimir BAKO
 
Top