• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Ardit: Armiku im eshte Arditi

Forum-Al

Aty ku shqiptarët mblidhen
Anëtar
Jan 5, 2010
Postime
560
Pikët
28
Vendndodhja
Forum
Afeksioni im për të deri në momentin që e takova mbetej tek sharmi dhe eleganca, që gjithmonë i ka dhuruar përmes karakteristikave të tij si një show-man kutisë së vogël me ngjyra, televizorit.


Por që sot e tutje, Ardit Gjebrea në botëkuptimin tim nuk do të jetë vetëm një ndër njerëzit më të aftë në profesionin që bën, ai do të jetë mbi të gjitha etaloni i një njeriu shumë të mirë. Nuk e njeh mendjemadhësinë, ndonëse pozicioni në të cilin e ka vendosur jeta duhej t’ia impononte epërsinë ndaj të tjerëve.

Me elokuencën që asnjë herë nuk i ka munguar, ai vjen sot në këtë intervistë ekskluzive për ‘Bluetooth’, duke ndarë me ne shumë nga sekretet e jetës së tij private dhe profesionale. Lexoni për më shumë rrëfimin e sinqertë të Ardit Gjebreas…


Si lindi ideja për të krijuar një festival për muzikën popullore shqiptare?
Tamam-tamam ideja i lindi Shpëtim Saraçit, i cili na propozoi të bënim këtë Festival të muzikës popullore qytetare. Në momentin e parë që ai na e shtroi si ide, neve na u duk shumë interesante edhe për faktin se muzika popullore është shumë e dashur për audiencën shqiptare. Në këtë aspekt, duke qenë se “E Diela Shqiptare” është një program që përgjatë 6 orëve të tij përpiqet të përfshijë të gjitha moshat, të gjitha karakteret, si dhe preferencat e ndryshme të audiencës që përfaqëson, menduam që në fund të këtij edicioni të dytë të së “Dielës Shqiptare” t’i kushtonim këtë hapësirë televizive Festivalit të këngës popullore qytetare. Edhe televizioni “Klan” në vetvete, që është dhe prodhuesi i të “Dielës Shqiptare”, e ka një traditë të tillë duke pasur parasysh “Maratonën e Këngës Popullore”. Por, ky festival përbën në vetvete një risi, pasi në ndryshim nga “Maratona” e cila sjell këngët popullore tradicionale, ai do të sjellë krijime të reja, të bazuara natyrisht në këtë traditë.


Deri tani sa prurje ka pasur ky festival, si është pritur nga këngëtarët dhe krijuesit?
Kanë ardhur mbi 150 këngë, të interesuar ka shumë dhe komisioni përzgjodhi rreth 65 këngë për të qenë konkurrente në këtë festival. Çdo të diel do të ketë 5-6 këngë. Do të ketë dy net gjysmëfinale në fund të të dielave dhe në fillim të muajit korrik do të mbahet edhe finalja e këtij festivali.


Po teleshikuesit dhe spektatorët në sallë, si e pritën këtë sipërmarrje?
Impakti i parë ishte tepër pozitiv. Ne këtë e ndjemë jo vetëm nga komentet e njerëzve, por edhe nga telefonatat e shumta që vetë njerëzit kanë bërë. Është një sadisfaksion shumë i madh kur në përfundim të spektaklit ti zbret në hollin e televizionit “Klan” dhe sapo i drejtohesh recepsionit, dëgjon recepsionistët që thonë: “Kemi pasur shumë telefonata, teleshikuesit e kanë pëlqyer shumë, apo komplimente të tjera të këtij lloji. Ndërkaq një tjetër formë e mirë për të testuar pëlqyeshmërinë është mëngjesi i së hënës, në emisionin “Aldo morning show”, përmes të cilit ne marrim reagimin e njerëzve dhe komentet e tyre mbi atë që u ka pëlqyer më shumë. Dhe Festivali i Këngës Popullore na rezulton të ketë lënë një përshtypje shumë të mirë tek të gjithë shikuesit.


Po për sa i përket lojës së çifteve, ç’mund të na thoni?
Ne do të fillojmë në datën 11 prill me lojën e çifteve. Gjatë kësaj hapësire çiftet do të vijnë dhe do të kalojnë në prova të ndryshme, thelbi i kësaj loje është se sa çiftet e njohin njëri-tjetrin, sa konvergojnë mendimet e tyre,etj. Kjo lojë do të ketë në qendër të saj jo vetëm çiftet e vjetra me eksperiencat e kaluara në jetë, por edhe për çiftet e reja, për familjen që do të krijojnë në të ardhmen. Nëpërmjet një loje të vazhdueshme që do të kalojë në etapa të ndryshme dhe vetë ata do të gjenden të befasuar kur të shikojnë se njiheshin më shumë nga ç’e mendonin ose anasjelltas, kur të shohin se nuk e njohin dhe aq mirë njëri-tjetrin. Dua të përmend edhe diçka të rëndësishme, çifti fitues në fund të kësaj loje do të marrë si dhuratë një apartament. Unë kam shkuar dhe e kam parë vetë apartamentin, i cili gjendet në bregdetin e Durrësit. Është pallati më i madh që ekziston përgjatë gjithë vijës bregdetare në Durrës, ka 17 kate dhe çifti që do të fitojë, do të ketë një apartament me pamje të mrekullueshme nga deti. Është realisht e pabesueshme të shikosh që sot Shqipëria ka arritur në ato standarde, sa që nga pjesëmarrja në një emision televiziv ti të arrish që në fund të fitosh një apartament në buzë të detit, dhe çfarë apartamenti, një nga apartamentet më të bukura që ekziston për sa i përket pamjes dhe infrastrukturës.


Të flasim pak tani për pjesëmarrjen në ‘Eurosong’. Pas dy viteve konkurrim arritët që me këngën e këtij viti të shpalleshit fitues, ç’do të thotë kjo për ju?
Vitin e kaluar unë nuk u futa në garë me mentalitetin që të bëja një këngë për ‘Eurosong’, sepse grupi West Side Family e kishte pothuajse të ngritur strukturën e këngës dhe unë pranova që t’i ndihmoja me muzikën, por gjithsesi kjo këngë nuk ishte e krijuar nga unë prej fillimit gjer në fund, kështu që atë vit më tepër iu përshtata natyrës së tyre dhe nuk u mendua për EuroSong-un. Ndërsa këtë vit, që kur lindi ideja për të marrë pjesë në Festivalin e dhjetorit, iu futëm punës së bashku me Julianën, Pirron dhe Shpëtimin, për të krijuar një këngë që në rast se do të shpallej fituese e Festivalit, të ishte një këngë me mentalitet europian, një këngë e cila do të ishte një arie internacionale. Kështu që më tepër u punua për një këngë, që në rast se do të fitonte (dhe për fat të mirë kështu ndodhi), të përfaqësonte Shqipërinë në një përmasë tjetër. Shqipëria deri tani ka shkuar në ‘Eurovizion’ me krijime tejet origjinale të autorëve, të cilët kanë përfaqësuar Shqipërinë, ndërkohë që këtë vit unë dëshiroja që të ishim ndryshe, dhe besoj se do të jemi ndryshe në këtë paraqitje. Këtu ka një vlerë shumë të madhe dhe Juliana me vokalin e saj, e cila i përshtatet shumë mirë këngës dhe le të themi që kënga u qep si një kostum pas trupit të saj, duke iu përshtatur vokalit të saj fantastik. Të gjithë punuam për Julianën në këtë drejtim. Është shumë e rëndësishme që ti të dish pikat e forta të një këngëtari dhe pastaj të luftosh me këto pika të forta. Pali Kuke ka realizuar një videoklip, që do ta cilësoja film, është i mrekullueshëm. Ndërsa mbështetja që na ka dhënë Petrit Beci është e paprovuar më parë. Emocionet më të forta duket se i ka Zamira Koleci, e cila e përjeton shumë fort garën dhe e gjithë kjo atmosferë më emocionon pa fund.


Sa e ndjen “E Diela shqiptare” rivalitetin me programin tjetër “E Diell”, që transmetohet paralelisht me të në televizionin ‘Top Channel’?
Po unë e kam thënë gjithmonë këtë gjë, ne nuk bëjmë rivalitet. Parimi im në jetë është: nuk punoj për rivalitet dhe unë jam shumë i lumtur kur të gjitha programet televizive, qofshin këto në një kohë me mua apo jo, kanë një nivel të mirë, madje dhe shumë të mirë, uroj që të jenë në perfeksion sepse kështu i shërbejnë audiencës. Janë televizionet ato që bëjnë konkurrencë, por nuk është Arditi që bën konkurrencë.


Si ndihet Arditi kur shpeshherë e vënë përballë moderatorit Adi Krasta?
Ata që mendojnë se mund të na vënë përballë, janë njerëz që parapëlqejnë peshoret, parapëlqejnë të vënë dy gjëra dhe duan të gjejnë patjetër se kush peshon më shumë. Unë me Adin jemi dy natyra krejt të ndryshme dhe nuk kemi asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Këtu mund të flitet për preferencë, nëse preferon peshkun apo mishin, por ne nuk jemi dy lloje brenda mishit apo dy lloje brenda peshkut. Njëri është mishi, tjetri është peshku, nuk e di cili është njëri dhe cili është tjetri. (Qesh) Prandaj këtu nuk ka vend për krahasim sepse jemi komplet dy natyra të ndryshme, dhe mendoj se është thjesht çështje preferencash, kush preferon Arditin shikon Arditin, dhe kush preferon Adin shikon Adin. Me që ra fjala, e përshëndes fort Adin!


Le të flasim tani për familjen, sa kohë i kushton Arditi familjes?
Për fat të keq shumë pak, pavarësisht se do të dëshiroja që të zinte kohën time më të madhe. Është prioritet në jetën time, por fatkeqësisht nuk është prioritet në kohën time, sepse jeta na ka vënë përballë sfidave, të cilat janë shumë të vështira dhe sfida më e madhe e imja është vetja ime, unë sfidoj veten në punë. Kur ti ke një emër, është pikërisht ky emër që të vë përballë një sfide dhe armiku më i madh i Arditit është vetë Arditi. Kështu që do të thosha që konkurrenti im është vetë emri im. Kjo është fatkeqësia ime që duhet të luftoj gjithmonë për ta mbajtur, për ta ruajtur dhe për ta çuar përpara këtë emër. Fatmirësisht bashkëshortja ime punon me mua, kështu që ka shumë raste kur gjatë ditëve të ndryshme, vajza ime e vogël, Anna vjen në zyrë, shpeshherë ka ardhur edhe në prova. Përveç mëngjesit, rrallë ndonjë dreke dhe sigurisht mbrëmjeve kur e gjej në shtëpi, jam shumë i lumtur kur ajo vjen në ‘Klan’ sepse më jep gëzim pa fund.


Po mungesën e Jonit sa po e ndjen Arditi këto kohë?
Sigurisht që po e ndjej shumë, pavarësisht se shihemi në Skype apo flasim në telefon e ndje,j sepse ti shikon papritmas që vjen një ditë që fëmija largohet dhe fiton pavarësinë, por nga njëra anë jam dhe shumë i lumtur sepse po shikoj që i gjithë investimi që unë dhe Anila kemi bërë nuk ka shkuar dëm. Por veç kësaj, sadisfaksioni është shumë i madh në momentin që ti shikon që ai e përballon jetën shumë mirë, kur dëgjon përmes telefonit që ka arritur rezultate shumë të larta në provime, atëherë lumturia ndonjëherë është më e madhe se dhimbja e largesës.


E mendon Arditi Jonin në një të ardhme në pozicionin e tij?
“Kurrë mos thuaj kurrë”. (“Never say never”).


Për sa i përket jetës politike, sa e ndjek Arditi jetën politike në vend?
Fare, për fat të keq nuk ndjek pothuajse fare. Dikur e ndiqja shumë, sidomos kur në kohën që kam qenë drejtor në televizionin ‘Arbëria’, ndoshta e kërkonte dhe pozicioni në të cilin isha që të ndiqja edhe politikën. Tani jam larg saj, jam aq larg saj sa më beso, nëse do të më pyesësh për anëtarët e kabinetit Berisha, unë nuk i njoh me emra të gjithë ministrat, veç disa miqve të mirë që janë aty.


Po për sa i përket rikthimit të opozitës në parlament, ç’mendon Arditi?
Kjo nuk do të thotë që jam fare indiferent, do të doja shumë që gjithçka të bëhej me maturi. Ashtu siç nuk do të doja që Rama të ndërhynte në programin tim, as unë nuk dua të ndërhyj në punët e partisë së tij. Do të më vinte mirë sikur ky rikthim të ishte bërë për hir të popullit shqiptar dhe jo për shkak të presionit të ndërkombëtarëve.


Po Arditi beson tek ndonjë fe?
Unë besoj në Zot, çdo ditë kur dal nga dera e shtëpisë bëj kryqin dhe lutem të më falë një ditë në paqe, me shëndet për familjen dhe mua.


Si nis dhe si përfundon një ditë e Arditit?
Këtu ku më gjete dhe këtu ku do të më lësh.


Po dështime ka pasur Arditi?
Natyrisht që ka dhe dështime, por këto do të doja që t’i përcaktoje ti.



Forum-Al.com
Aty ku shqiptarët mblidhen!
 
Top