• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Besimi ortodoks

ilia spiro

V.I.P
Anëtar
Sep 30, 2010
Postime
1,242
Pikët
63
Zbulesa


Çdo ditë, në Shërbesën e Mëngjesit, Kisha Orthodhokse shpall: "Perëndia është Zoti dhe u shfaq ndër ne; i bekuar është Ai që vjen në emrin e Zotit" (Psalmi 118:26-27). Themeli i doktrinës së krishterë gjendet në këtë rresht biblik: Perëndia e ka zbuluar Vetveten tek ne.

Perëndia e ka shfaqur Vetveten tek krijesat e Tij. Ai nuk e ka zbuluar qenien e Tij më të thellë, sepse esenca e brendshme e Perëndisë nuk mund të kuptohet nga krijesat. Por, Perëndia ka treguar çfarë njeriu mund të shohë dhe të kuptojë nga natyra dhe vullneti i Tij hyjnor.

Plotësia dhe përkryerja e vetëzbulesës së Perëndisë gjendet në Birin e Tij Jisu Krisht, plotësimi i zbulesës graduale dhe të pjesëshme të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër. Jisui është me të vërtetë "i bekuar Ai që vjen në emrin e Zotit."

Titulli i parë që iu dha Jisuit nga populli, është titulli Rabi, që do të thotë mësues. Pasuesit e Tij u quajtën dishepuj, që do të thotë nxënës.

Pikësëpari, Jisui erdhi tek njerëzit si Mësuesi i dërguar nga Perëndia. Ai u mëson atyre vullnetin e Perëndisë dhe e bën Perëndinë të njohur tek ata. Ai i zbulon në mënyrë të plotë - të plotë, sa njerëzit mund të kuptojnë - misteret e Mbretërisë së Perëndisë.

Ardhja e Jisuit si mësues është një nga aspektet e të qenurit të tij Krisht, Mesia. Fjala Krisht është përkthimi në greqisht i fjalës hebraike Mesia, që do të thotë i Lyeri i Perëndisë. Ishte parathënë, se kur do të vijë Mesia, njerëzit "do të mësoheshin nga Perëndia" (Isaia 54:13; Joani 6:45).

Jisui erdhi tek njerëzit si mësuesi hyjnor. Ai thotë në shumë raste, që fjalët e tij janë të Perëndisë. Ai foli si "një që ka autoritet", jo si mësuesit e zakonshëm Judej (Mattheu 7:29). Dhe Ai i akuzon ata që nuk pranojnë mësimin e tij, sikur nuk pranojnë Perëndinë Vetë.

Ai që më beson mua, nuk më beson mua, por atë që më dërgoi. Edhe ai që më vë re mua, vë re atë që më dërgoi.

Unë kam ardhur dritë në botën. Sepse unë nuk fola prej vetes, por Ati që më dërgoi, Ai më dha porosi çfarë të them, e çfarë të flas. sa pra flas unë, sikundër më ka thënë Ati, ashtu flas (Joani 12:44-50).

Jisui i mësoi njerëzit, jo vetëm me fjalët e tij, por gjithashtu, me veprat e tij; dhe për më tepër me vetë personin e tij. Ai thotë, se Ai është e Vërteta (Joani 14:6) dhe Drita (Joani 8:12). Ai e tregon veten e tij, jo vetëm që flet fjalët e Perëndisë, por që ai vetë është Fjala e Gjallë e Perëndisë në mish njerëzor, Logos, që është i përjetshëm dhe i pakrijuar, por që u bë njeri si Jisui i Nazaretit për ta bërë Perëndinë të njohur në botë.

Në fillim ishte Fjala (LOGOS) dhe Fjala ishte me Perëndinë, edhe Fjala ishte Perëndi. Ajo ishte që në fillim me Perëndinë. Të gjitha u bënë me anë të asaj, edhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë. Në atë ishte jetë dhe jeta ishte drita e njerëzve. Edhe drita ndrit në errësirë, edhe errësira nuk e kuptoi. Ishte drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri, kur vjen në botë. Ishte në botë, dhe bota u bë me anë të atij, por bota nuk e njohu atë. Edhe Fjala u bë mish, edhe ndenji ndër ne (edhe pamë lavdin e atij, lavdi porsi të vetëmlinduri nga Ati), plot me hir e me të vërtetë. Edhe të gjithë ne muarrmë prej të mbushurit të atij, edhe hir mbi hir. Sepse ligji u dha me anë të Moisiut, por hiri dhe e vërteta me anë të Jisu Krishtit. Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë, veç i Vetëmlinduri Bir, që është në gji të Atit, ai na e tregoi. (Shih Joani 1:1-18. Ungjilli i kënduar në Meshën e Pashkës, në Kishën Orthodhokse).

Jisui, Fjala hyjnore e Perëndisë në mish njerëzor, erdhi t’i mësojë njerëzit me anë të pranisë, fjalëve dhe veprave të tij. Nxënësit e tij u dërguan në tërë dheun të lëçitnin Atë dhe Ungjillin e Tij, që literalisht do të thotë "lajmi i mirë" i Mbretërisë së Perëndisë. Ata që u dërguan nga Jisui u quajtën Apostuj, që do të thotë "të dërguar". Apostujt u frymëzuan direkt nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë, Shpirti i së Vërtetës (Joani 15:26) “për të mësuar tërë kombet”, me mësimin që u kishte dhënë Krishti (Mattheu 28:19).

Kisha e parë e kishte përkushtuar vetveten në "doktrinën e apostujve" (Veprat 2:42). Fjala doktrinë, do të thotë thjesht mësim ose instruksion. Doktrina e Apostujve është doktrina e Krishtit, që u bë doktrina e Kishës së Krishterë. Ajo pranohet nga nxënësit e çdo moshe dhe çdo brezi, si vetë doktrina e Perëndisë. Eshtë lëçitur kudo dhe kurdoherë si doktrina e jetës së përjetshme, nëpërmjet të cilës të gjithë njerëzit dhe e tërë bota janë ndriçuar dhe shpëtuar.

Në këtë pikë duhet përmendur, që, ndonëse vetëzbulesa e Zotit në histori, nëpërmjet popullit të zgjedhur të Izraelit - zbulesë që arrin kulmin me ardhjen e Krishtit, Mesias - është e rëndësisë së parë, sepse është, gjithashtu, doktrina e Kishës së Krishterë, që thekson se tërë përpjekjet e njerëzve për të vërtetën janë përmbushur në Krishtin. Çdo depërtim i vërtetë në kuptimin e jetës arrin përkryerjen në Ungjillin e Krishterë. Etërit e Shenjtë të Kishës, na mësuan, që dëshirat dhe përpjekjet e feve pagane dhe dituria e filozofëve të vjetër janë gjithashtu, të afta për të përgatitur njerëzit për doktrinën e Jisuit dhe janë rrugë të mundshme drejt së Vërtetës së vetme të Perëndisë.

Në këtë mënyrë, të krishterët i shikonin disa filozofë grekë të antikitetit, si të ndriçuar nga Perëndia, për t’i shërbyer çështjes së të Vërtetës dhe për t’i udhëhequr njerëzit drejt plotësisë së jetës në Perëndinë, meqenëse Fjala dhe Dituria e Perëndisë është zbuluar tek tërë njerëzit dhe gjendet në tërë ata, të cilët në pastërtinë e mendjes dhe zemrës së tyre kanë qenë frymëzuar nga Drita Hyjnore, e cila ndriçon çdo njeri që vjen në botë. Kjo Dritë Hyjnore është Fjala e Perëndisë, Jisui i Nazaretit si njeri, përsosja dhe përmbushja e vetëzbulesës së Perëndisë në botë.

Nuk mund të mos theksohet, se zbulesa hyjnore në Dhiatën e Vjetër, në Kishën e Dhiatës së Re, në jetët e shenjtorëve, në diturinë e etërve, në bukurinë e krijimit... dhe më e plotë dhe më e përsosur në Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, është zbulesa e Vetë Perëndisë. Perëndia ka folur. Perëndia ka vepruar. Perëndia e ka shfaqur Vetveten dhe vazhdon ta shfaqë në jetën e popullit të Tij.

Nëse ne duam të dëgjojmë zërin e Perëndisë dhe të shohim veprat e vetëzbulesës së Perëndisë në botë, ne duhet të pastrojmë mendjet dhe zemrat tona nga çdo gjë që është e keqe dhe e rreme. Ne duhet të përpiqemi të duam të vërtetën, të duam njëri-tjetrin dhe të duam gjithçka në krijimin e mirë të Perëndisë. Sipas Besimit Orthodhoks, pastrimi prej mëkatit dhe gënjeshtrës është rruga për të njohur Perëndinë. Nëse ne e hapim vetveten ndaj Hirit Hyjnor dhe e pastrojmë vetveten prej çdo gjëje të ligë, atëherë është e sigurt që ne do të jemi të aftë ta kuptojmë drejt Shkrimin dhe të arrijmë një kungim* të gjallë me Perëndinë e Gjallë dhe të Vërtetë, që e ka zbuluar Vetveten dhe vazhdon ta zbulojë tek ata që e duan Atë.

www.orthodoxalbania.org
__________________

* Me “kungim” është përkthyer fjala anglisht communion. Communion vjen nga latinishtja Communionis (që do të thotë përbashkësi, shoqëri, pjesëmarrje, bashkëpërjetim). Kjo fjalë është përdorur për të përkthyer fjalën greke κοινωνία (kinonia), që ka të njëjtin kuptim. Shën Pavli (II Kor. 13:14) e përdor këtë fjalë për pjesëmarrjen në fazat e detajuara të jetës së Krishtit. Në shqip është përkthyer me fjalë të ndryshme (të gjitha i kanë kuptimet e kinοnia), si kungimi, pjesëmarrja dhe shoqëria. Konstandin Kristoforidhi dhe Imzot Theofan Noli e kanë përkthyer “dhe shoqëria e Shpirtit të Shenjtë”, ndërsa në Librin e Shërbesave të Shenjta (botuar në 1961) është përkthyer “dhe pjesëmarrja e Shpirtit të Shenjtë”; po ashtu është dhe në Librin e Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse (botuar 1994). Unë mendova të përdor “kungim”, ngaqë kjo fjalë, së pari, është një fjalë e vjetër e fondit terminologjik fetar shqiptar dhe ka po atë kuptim, siç ka fjala e përdorur në greqisht dhe latinisht, prandaj do ishte mirë të ringjallet; dhe së dyti, mua më duket sikur e shpreh më mirë kuptimin linguistiko-teologjik të kinοnia. Fjalët e tjera, si pjesëmarrje, shoqëri, bashkëpërjetim, ndonëse janë të sakta, japin vetëm një aspekt të kinonia. Ndërsa fjala kungim i përfshin tërë kuptimet e tjera, si pjesëmarrje, përbashkësi, shoqëri dhe bashkëpërjetim.
 

ilia spiro

V.I.P
Anëtar
Sep 30, 2010
Postime
1,242
Pikët
63
Përgjigje e: Besimi Orthodhoks

Tradita



Vazhdimësia e jetës së Popullit të Perëndisë quhet Tradita e Shenjtë. Tradita e Shenjtë e Dhiatës së Vjetër është shprehur në pjesën e Dhiatës së Vjetër të Shkrimit të Shenjtë dhe në vazhdimësinë e jetës të popullit të Izraelit, deri në Lindjen e Krishtit. Kjo traditë u përmbush, u plotësua dhe u kapërcye në kohën e Mesias dhe në Kishën e Krishterë.

Tradita e Krishterë apo e Dhiatës së Re, është quajtur gjithashtu, Tradita Apostolike dhe Tradita e Kishës. Pjesa qendrore e shkruar e kësaj tradite janë shkrimet e Dhiatës së Re. Ungjijtë dhe shkrimet e tjera të Kishës apostolike formojnë zemrën e Traditës së Krishterë dhe janë burimi dhe frymëzimi kryesor i tërë zhvillimeve të mëvonshme.

Kjo traditë e krishterë është pasuar brez pas brezi, në kohë dhe në hapësirë. Tradita, si fjalë, ka po atë kuptim: është ajo që "pasohet" dhe "transmetohet" nga njëri tek tjetri. Pra, Tradita e Shenjtë është ajo që është pasuar dhe transmetuar brenda Kishës, qysh prej kohës së Apostujve të Krishtit deri në ditët tona.

Por, Tradita e Shenjtë nuk është kufizuar vetëm në dokumentet e shkruara; dhe nuk është vetëm një grup shkrimesh. Ajo është jeta dhe përvoja tërësore e tërë Kishës, transmetuar nga një vend në tjetrin dhe brez pas brezi. Tradita është jeta e vërtetë e vetë Kishës, që udhëhiqet dhe frymëzohet prej Shpirtit të Shenjtë.

Jo gjithçka që gjendet në Kishë i përket Traditës së Shenjtë, sepse jo gjithçka në Kishë është bërë nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë dhe jo gjithçka në Kishë i përket esencialisht dhe domosdoshmërisht Mbretërisë së Perëndisë. Disa gjëra në Kishë janë të përkohshme dhe thjesht zakone dhe tradita njerëzore dhe nuk kanë vlera të përjetshme dhe të përhershme. Gjëra të tilla, në vetvete nuk janë të gabuara apo mëkatare. Përkundrazi, ato ndoshta mund të jenë pozitive dhe ndihmuese për jetën e Kishës, përderisa ato të mos konsiderohen të jenë çfarë ato nuk janë. Kështu pra, është shumë e rëndësishme që të bëhet dallimi në Kishë ndërmjet traditave, që janë thjesht njerëzore dhe tokësore dhe që janë të përkohshme dhe Traditës së Shenjtë, që i përket Mbretërisë qiellore dhe të përjetshme të Perëndisë.

Gjithashtu, është e rëndësishme të njihet, që janë disa gjëra në Kishë, të cilat jo vetëm nuk i përkasin Traditës së Shenjtë, por nuk mund të llogariten edhe ndërmjet gjërave pozitive të traditave njerëzore. Këto gjëra, që janë të gabuara dhe mëkatare, janë prurë në jetën e Kishës nga bota mëkatare. Kisha në formën njerëzore, si një institucion tokësor, nuk është e imunizuar prej dobësive të anëtarëve të saj mëkatarë. Këto devijime dhe gabime, të cilat kacavirren në jetën e Kishës, duhet të qëndrojnë nën gjykimin e Traditës së Shenjtë, të pastër dhe autentike, që vjen prej Perëndisë.

Ndërmjet elementeve që formojnë Traditën e Shenjtë të Kishës, Shkrimi i Shenjtë është në vend të parë. Pastaj vjen Jeta Liturgjike e Kishës dhe lutja e saj, pastaj vendimet e saj dogmatike dhe veprat e saj, të aprovuara nga sinodet e Kishës, shkrimet e Etërve të Kishës, jetët e shenjtorëve, e drejta kanonike dhe, së fundi, tradita ikonografike, së bashku me forma të tjera të frymëzuara të shprehjeve krijuese artistike, si muzika dhe arkitektura.

Të gjitha elementet e Traditës së Shenjtë janë lidhur organikisht së bashku në jetën reale të Kishës. Asnjë prej tyre nuk qëndron vetëm. Asnjë nuk mund të ndahet apo të izolohet prej tjetrës, ose prej tërësisë së jetës së Kishës. Gjithçka vjen e gjallë në përjetimin aktual të jetës së Kishës, në çdo moshë dhe brez, në çdo kohë e vend. Përsa Kisha vazhdon të jetojë prej frymëzimit të Shpirtit të Shenjtë, Tradita e Shenjtë e Kishës do të vazhdojë të rritet e të zhvillohet. Ky proces do të vazhdojë deri në ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë, në mbarim të kohës.


Kisha Ortodokse
 
Top