• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Biblioteka e humbur e Eqerem Bej Vlorës

SEa

Anëtar i ri
Anëtar
Jan 15, 2010
Postime
1,516
Pikët
0
Vendndodhja
marina di massa

Biblioteka ishte ndër më të mëdhatë në Ballkan, në dekadat e para të shekullit XX, por, pavarësisht kësaj, regjimi komunist i shkatërroi vlerat e saj.

Mes pasurive të Eqerem Bej Vlorës studiues dhe i mjaft momenteve të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, ishte biblioteka e famshme, e cila u grabit dhe u shkatërrua menjëherë pas ardhjes në fuqi të komunizmit.

Biblioteka e vendosur në sarajet e familjes Vlora, e njohur ndryshe me emrin "Shtëpia e Beut", në qendër të qytetit, ishte e krijuar nga pinjollët e familjes më të njohur në historinë e qytetit si dhe në Shqipëri.

Studiuesi vlonjat, Fahri Shaska thotë se, biblioteka ishte ndër më të mëdhatë në Ballkan, në dekadat e para të shekullit XX, por, pavarësisht, regjimi komunist i shkatërroi vlerat e saj.

"Prej saj u zhdukën vlera të jashtëzakonshme", sqaron Shaska, sipas të cilit, përveç një numri të jashtëzakonshëm titujsh, në këtë bibliotekë përfshiheshin dokumente të rralla. Mes tyre, një ditar të shënimeve të Hoxhës të fshatit Armen, Sali Efendiut e vitit 1757; shënimet e Hafës Zenel Efendiut nga Armeni, që përkojnë me vitin 1768; përmbledhje e kopjeve të letërkëmbimit të Ismail Pashë Velebishtit me njerëzit më të shquar të Vlorës; letërkëmbimin e Çelo Picarit me Ismail Beun; shënimet historike "Mbi "oxhaqet" e Shqipërisë e Azem Bej Janinës e vitit 1889; dy libra të shtypura në shtypshkronjën e Voskopojës, në vitet 1720-1769, korrespondencë e pinjollëve të kësaj familjeje me shkrimtarin Dyma etj.

Në vitin 1914 në bibliotekën e Eqerem Bej Vlorës ndodhej një fond prej 14.640 vëllime në gjuhët arabisht, turqisht, gjermanisht, italisht, greqisht, shqip, mes të cilave, edhe dorëshkrime të rralla arabe, libra fetarë si Kurani, Bibla etj.

Biblioteka u shkatërrua në 1944
Çlirimi i qytetit të Vlorës në 15 tetor të vitit 1944 shënoi fillimin e shkatërrimit të bibliotekës së njohur të familjes Vlora. Pinjolli i saj, Eqerem Bej Vlora u largua jashtë vendit, ndërsa banesa dy katëshe ku ndodhej biblioteka, në qendër të qytetit, u bastis.

"Gjithçka shkelej me këmbë dhe askush nuk pyeste për ata libra të rrallë që griseshin e shkatërroheshin", thotë Shaska.

Por, mes atyre që ndodheshin gjatë bastisjeve në mjediset e banesës së Vlorajve, që sot njihet me emrin Shtëpia e Beut, kishte edhe nga ata që mendonin se ata libra kishin një vlerë të madhe dhe mund të duheshin një ditë.

Mes tyre ndodhej edhe një oficer i shërbimit të sigurimit i cili tërhoqi një numër të konsiderueshëm titujsh të vjetër. Ai i ruajti ata në banesën e tij për vite me radhë, ndërsa pas vdekjes, ja la vëllait të vet.

"Sot këta libra ndodhen në fshatin Vuno, në banesën e vëllait të ish-oficerit, që është në emigracion", tregon Shaska, ndërsa për arsye etike, nuk përmend emra. Ai thotë se, rastësisht ka rënë në gjurmë të këtyre librave të cilët janë botime të rralla të dy shekujve më parë.

Megjithatë, pavarësisht atyre që ndodhën, një fond prej rreth 2000 librash e dorëshkrimesh të fushës së albanologjisë nga biblioteka e Vlorajve u shpëtuan dhe u përfshinë në fondin e bibliotekës publike "Shevqet Musaraj" ku ndodhen edhe sot.

Ato u vendosën në këtë bibliotekë në 22 gusht 1946, datë që shënon themelimin zyrtar të saj. Duke filluar nga viti 1974, gjatë 10 vjetëve, banesa e Eqerem Bej Vlorës, shërbeu edhe si bibliotekë duke krijuar kështu një lidhje simbolike mes dy periudhave të ndryshme, në fakt, të pangjashme me njëra-tjetrën.
 
Top