• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Diana, si do të dukej, po të ishte gjallë?

PuffetiNa

V.I.P
Anëtar
Apr 28, 2010
Postime
14,105
Pikët
113

Nëse do të kishte qenë gjallë, do të ishte plot 49 vjeçe dhe sigurisht një grua ende e bukur. Në të tjera rrethana ajo do të ishte në prag të “bashkimit” me motrat e saj, që ka kohë që janë bërë pjesë e “klubit 50”, ose grave që kanë hyrë në “pranverën” e moshës së tretë. Kjo, sepse motra e saj e madhe, Lady Sarah McCorquodale, është 55 vjeçe, ndërsa motra tjetër më e vogël, Lady Jane Fellowes është 53. Ditët e lindjeve u kujtojnë motrave të së ndjerës Lady Diana kohët e fëmijërisë, kur bota sillej e gjitha rreth kështjellës së tyre dhe tre vajzat e vogla festonin me dhurata e duke ëndërruar për të ardhmen. Por me rritjen erdhën edhe ndryshimet. Jetët e tyre morën drejtime të ndryshme, ndoshta jo ato të ëndërruarat dhe sot ato janë disa zonja në moshë, që përpiqen të mbulojnë thinjat e dendura me bojë të verdhë dhe që mbajnë veshje të denja për moshën e tyre, në pritje që të bëhen gjyshe. Ndërkohë, motra më e vogël, Diana Spenser, që katër ditë më parë do të kishte hyrë në pragun e të 50-tave, vazhdon që të mbetet e re në kujtimin e të gjithëve. Nuk dihet se si do të kishte qenë pamja e saj e jashtme, sot 13 vjet pas vdekjes, por e vërteta është se pikërisht falë vdekjes ajo vazhdon që të mbetet një figurë ikonike e re, e bukur, një princeshë e vërtetë, siç ishte deri në fund të jetës, deri në 31 gushtin e vitit 1997. E megjithatë, ata që i kanë vënë re të dyja motrat së fundmi, mund të kenë çuar ndër mend pyetjen që lind normalisht në këtë rast: Po si do të dukej Diana vallë nëse do të ishte gjallë tani në moshën 42-vjeçare? Për disa kjo do të ishte një pyetje e kotë, por për ata që kanë humbur në moshë të re dhe para kohe fëmijët, apo vëllezërit e motrat, duhet t’ia bëjnë vetes shpesh këtë pyetje për pamjen e jashtme të njeriut të dashur që nuk është më. Me siguri motrat e mëdha të princeshës ia bëjnë vetes dhe njëra-tjetrës këtë pyetje. Për sa i përket motrës së madhe, Sarah, ajo në fakt ishte e para e familjes së cilës Charles, burri i ardhshëm i Dianës, i erdhi rrotull shumë më parë se t’i vinte Dianës. Por siç ka rrëfyer edhe në një intervistë për një revistë, ajo nuk mund të martohej me një njeri që nuk e dashuronte dhe për të Charles nuk ishte dashuria e jetës, edhe pse kishte statusin e mbretit të ardhshëm të vendit. Kështu, në moshën 25-vjeçare ajo vendosi që t’ia jepte zemrën një oficeri. Martesa e tyre u celebrua në vitin 1980, një vit para se Diana dhe Charles të vinin kurorë. Por ndryshe nga martesa e çiftit mbretëror, ajo e Sarah-s ishte një martesë e lumtur, që zgjati shumë dhe solli në jetë 3 fëmijë që janë miq të ngushtë me dy kushërinjtë mbretërorë, William dhe Harry, djemtë e Dianës së ndjerë. Sa për motrën tjetër, Jane, që ishte edhe më e qeta dhe më e paqta nga të treja motrat, ajo që i kishte shmangur gjithmonë shfaqjet publike dhe situatat ku mund të binte në sy, ajo u martua në vitin 1978 me një person 16 vjet më të madh në moshë. Me gjithë tipin e saj të qetë, ajo nuk do ta harrojë marrëdhënien jo të mirë që pati me të motrën e ndjerë 18 muaj para se ajo të vdiste. Princesha ishte nxehur me të motrën sepse kjo nuk i kishte dhënë mbështetjen e saj në betejën kundër Pallatit Mbretëror gjatë kohës kur ishte e martuar dhe gjatë periudhës së divorcit me Charles-in. Por Jane e kishte shumë të vështirë që të dilte hapur kundër Mbretëreshës dhe rrethit të saj, për shkak se i shoqi ishte bërë me kalimin e viteve sekretari personal i Mbretëreshës. Sigurisht që kur Princesha vdiq, Jane ishte ajo që vuajti më shumë për shkak të zënkës së gjatë me të motrën dhe kjo është një dhembje që ajo e ka mbajtur brenda vetes për 13 vjet me radhë, por që gjen ngushëllim kur sheh se sa mirë shkojnë fëmijët e saj me djemtë e së motrës. Brenda familjes të gjithë mendojnë se pa dyshim Diana do të ishte rimartuar, sepse ajo kishte shumë dëshirë që të kishte një familje të vërtetë dhe me siguri që do t’u kishte falur djemve të saj motra e vëllezër të tjerë. Por sigurisht, mes njerëzve që e njihnin nga afër dhe e frekuentonin Dianën, çështja është se me cilin do të ishte martuar ajo: Me Dodin, me të cilin ndau muajt e fundit të jetës dhe vdekjen, apo me ndonjë person tjetër? Ka shumë që mendojnë se ajo do të kishte vënë kurorë me Dodin. Por ndërkohë kjo nuk ka qenë kurrë dëshira e mamasë së Dianës, e cila vdiq në vitin 2004, me të cilën ajo kishte një marrëdhënie shumë të keqe deri ditën që vdiq. E ëma zihej shpesh me të bijën për miqësitë e saj me meshkuj myslimanë dhe sikurse edhe e motra Jane, edhe ajo nuk pati mundësi që të pajtohej me të para se të vdiste. Të tjerët janë të mendimit se ajo ishte thjesht duke e përdorur Dodin për të bërë xheloz dashurinë e vërtetë të saj, kirurgun Hasnat Khan, i cili u nda nga Diana pas dy vitesh lidhjeje shumë pasionante. Sipas tij, një martesë mes tyre nuk do të funksiononte për shkak të kulturave të tyre të ndryshme dhe familjes së tij, që nuk do ta kishte pranuar një nuse si Diana. Megjithatë Diana nuk do të ishte martuar kurrë pa aprovimin e William-it dhe Harry-t, djemve të saj të mrekullueshëm. Por në këto kohë ngjan ironik fakti se sikur ajo të ishte martuar me një mysliman, do të kishte luajtur vërtet një rol shumë pozitiv në krijimin e një ure mes britanikëve dhe botës islame. Por Diana ishte shumë e ndërgjegjshme edhe për një gjë tjetër, se pavarësisht se ajo ishte një grua shumë e bukur, e pasur dhe e famshme, numri i meshkujve me të cilët mund të kishte vënë kurorë dhe të kishte ngritur familje, ishte shumë i vogël, ndryshe nga sa mund të mendohej. Së fundmi ajo thoshte shpesh, edhe pse me shaka: “E kush më merr mua tani”? Por një numër shumë i madh njerëzish janë të mendimit se zemra e saj kishte mbetur përfundimisht në duart e kirurgut pakistanez, Hasnat Khan. Pas Dianës ai provoi që të martohej me një grua që ia kishte bërë familja, por ishte një martesë që nuk i zgjati. Gjatë kohës kur dashurohej me Dianën, ai vinte fshehurazi në pallatin mbretëror për t’u takuar me të dashurën e zemrës. Ndërsa pas divorcit dhe disa viteve të kaluara në Pakistan, ai u rikthye sërish në Britani për të ushtruar profesionin e kirurgut. Me siguri që në çdo ditëlindje të Dianës ai e ka një kujtim zemre për të, edhe pse tani është fejuar me një kolegen e tij. Për sa i përket familjes së Dianës, ajo i është tërësisht mirënjohëse kardiokirurgut, sepse ndryshe nga ish të dashurit e tjerë të Dianës, mes së cilëve James Hewit për shembull, Khan nuk e ka çuar kurrë nëpër mend që të shesë historinë e tij të dashurisë në këmbim të parave, duke ua rrëfyer atë mediave, edhe pse me një gjë të tillë mund të kishte siguruar jetën. Ajo çfarë dihet nga marrëdhënia e Dianës me mjekun e zemrës, ka dalë vetëm nga ish-shoqëruesi i saj, i cili ndryshe nga doktori, ato gjëra që dinte ia fali shtypit dhe i bëri publike, sigurisht në këmbim të parave. Edhe pas vdekjes, kontakti i Khan me familjen e së ndjerës nuk është shkëputur dhe madje ai u ftua në shërbimin përkujtimor që familja i bëri Dianës në vitin 2007, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes. Sigurisht që ai nuk shkoi, sepse aty ishte e ftuar edhe Kamila dhe Khan ishte i mendimit se nuk ishte e drejtë që Kamila të merrte pjesë në këtë ceremoni. Por në fund, as Kamila e as Khan nuk ishin. Mirëpo ky i fundit nuk e refuzoi ftesën për të marrë pjesë në koncertin e organizuar për të nga djemtë William dhe Harry. Sa për Lady Sarah dhe Jane, jetët e tyre kanë marrë rrugë të ndryshme që nga vdekja e motrës në moshën 36-vjeçare. Lady Sarah ndër të gjitha ishte motra që i qëndronte më pranë Dianës. Edhe pse ajo është krejt e ndryshme nga e ndjera, për shkak se ka qenë gjithmonë me këmbë në tokë, shumë e organizuar dhe e shpejtë, edhe ajo ka dy të përbashkëta me Dianën. Gjëja e parë është se edhe ajo kur ishte e re u shoqërua me Charles-in, burrin e ardhshëm të Dianës dhe së dyti, edhe Sarah vuante nga një shqetësim ushqimor si Diana, por në rastin e Sarah-s bëhej fjalë për anoreksi, jo bulimi. Diana jo rrallë e kishte të motrën në rolin e sekretares, duke qenë se ajo ishte shumë e shpejtë dhe shumë efikase në përgjigjen e letrave që i vinin Princeshës. Në 5 vitet e fundit të vështira të jetës së Dianës, motrat takoheshin shumë shpesh me njëra-tjetrën dhe flisnin për orë të tëra, zakonisht në apartamentin e Sarah-s, ku Diana porosiste ushqim. Pas vdekjes së Dianës, Sarah u bë presidente e memorialit të së motrës dhe fondit të ngritur me këtë rast. Sarah, e gjatë dhe elegante si Diana, gjithsesi nuk kishte kurrë sharmin e saj dhe pasi kaloi disa vite të mira në kryeqytet, vendosi që të jetonte në fshat, ku ndihej më mirë pranë pronave të saj dhe me një jetë pa shumë impenjime. Por si ajo, ashtu edhe e motra, Jane, ftohen herë pas herë në aktivitete të ndryshme lokale, pikërisht për shkak se janë motrat e Princeshës së ndjerë. Jane është zonja që shpesh është treguar e tërhequr në veprimet e saj për shkak të të qenit e ndarë mes familjes dhe detyrës mbretërore të të shoqit. Burri i saj e ka lënë që prej dhjetë vjetësh detyrën, për të punuar tani në një nga bankat më të famshme të vendit dhe jetët e tyre nuk kanë pasur ndonjë ndryshim të jashtëzakonshme këto 13 vitet e fundit. Jeta e Jane janë fëmijët dhe Roberti, dhe kjo e bën atë të lumtur. Sa për Dianën, ajo prehet në paqe në ish-shtëpinë e vjetër. Në memoriali e saj të paraprin një foto e madhe dhe e bukur e saj e viteve të fundit të jetës. Si gjithmonë ajo është rrëzëlluese, plot jetë, edhe pse pak melankolike dhe përjetësisht e re.
 
Top