• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Faik Konica

Askushi

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,585
Pikët
113
PROZË NGA FAIK KONICA​

1297522966-faik_konica.jpg


Malli i atdheut



Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut - viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja. Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S`di ç`të mungon, s`di se ç`të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindem e u rritem, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s`e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jeshë jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç`forcë e ç`bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut...




I urti i malit



Tre miq, të quajtur Rëmbi, Gjëmbi dhe Shkëmbi, mbarojin së ngrëni. Plloska me verë shkoi nga duar në duar. Rëmbi nisi të dredhë cingare, Gjëmbi mori lahutën, Shkëmbi ia nisi këngës. Pastaj folën. Për çka mund të flasin tre miq, kur janë të rinj e kur mblidhen bashkë? Për qëllimet, për shpresat e tyre. Rëmbi, që shumë kohë e kish ndër mend të dilte në vise të huaja për fat, Gjëmbi donte të merrte udhën e Stambolli për të zënë punë. Shkëmbit zemra i thosh ta shkojë jetën e tij në mes të arave, të vreshtave e të bagëtive të veta. Ç’të mira, ç’të liga e prisjin sicilndo në udhë të jetës?
Ç’gëzim, ç’trishtime fshihte në gji të vet koha për të ardhur? Të tre miqve u vate mendja tek i Urti i Malit. Dhe Rëmbi, duke ndezur një cingare të re: “Pse, tha, s’vemi të pyesim magjistarin e madh, të na shfaqë fatin tonë?” I Urti i Malit rrinte në mes të një pylli; një vrimë shpelle ish shtëpia e tij. Magjistari me famë s’kish shok për të kënduar në kohë për të ardhur, dhe dija e tij qaste njerëz nga gjithë anët e Shqipërisë. Kur vanë të tre miqtë në shpellë, dolli t’i presë një plak i çuditshëm: tripëllëmbësh i gjatë, një hundë sa një opingë i ndante tunrinjtë në dy, dhe një mjekër e bardhë porsi bora i briste gjer në dhe e i binte nëpër këmbët; një rrobe e ngjyrë hiri i mbulonte trupin, dhe, në vend të brezit, një gjarpër i shtrëngonte mesin, gjithë jeta e këtij njeriu ishë në sy të tija, dy pishë të ndezira.
I urti i Malit – se ai ish – ua preu fjalën të tre miqve që deshën t’i thonë pse erdhën: - “E dij pse erdhtë. Hyni”” Hyjtin në një odë të skalisur në gur, e të ndritur prej shtatë shandanesh. Shtatë misurë të gjelbër ishin duke zier në mes të odës. Magjistari mori një stap të verdhë: të shtatë qirinjtë u shuan njëri pas tjatrit, dhe misurët pushuan së zieri. Ahere plaku ra me stap tri herë, e, në fund të odës, si në një teatër kur hapet perdja, u hap një qytet i bukur. Një qytet i bukur me pallate të larta, me rrugë të gjera, ku vejin e vinin karroca të ndritshme, kuaj të lehtë, zonja me rroba të hijshme, njerëz të gëzuar a të ndrojtur, të nxituar a të ngadalshëm. Dhe pastaj karroca të tjera e kuaj të tjerë, e automobila, e botë në të gjitha anët. “Si e vini re”, tha plaku, duhet një zakon i madh për të ecur nëpër këto rrugë pa qenë i shkelur njeriu. Një fshatar i ardhur që pak kohë nga katundi i tij është në rrezik të shtypet në ditë të para.
Tani, rruga këtu është pasqyra e jetës: jeta, shoqëria, janë aqë të koklavitura në këto vise, aq të ngatrruara e të errëta, sa duhet një mjeshtri e madhe për të ecur, dhe kush s’është i mësuar me këto zakone, shpejt shtypet. Mos kujtoni se tregtia, punët etj, bëhen në ato vise me atë mënyrë të kulluar që bëhen në Shqipëri! Jo” Aty, tregtia është një shkencë, punët janë një sërë luftash të ashpra e të pamëshirshme. Që të fitosh me të vërtetë, duhet me një mënyrë të jesh një dijetar e një ushtar bashkë. Jeta, aty është një luftë, thashë - dhe në luftë, o djem, ka mundës, vërtetë, po ka dhe shumë të plagosur e të vrarë. Plaku i ra prapë tri herë stapit të verdhë, dhe në vend të qytetit të largmë, dolli një qytet anës detit, me shtëpi prej druri, me minare shumë, e me mijra qen rrugëve. E njohën Stambollin. Plaku shtroi përpara syve të miqve punët, me ç’dredhira me ç’ë unjura, e, shumë herë, me ç’poshtërsira. “Këtu, tha prapë plaku, jeta s’është një luftë, por një lodër”...
“Sa për ty që kërkon ta shkosh jetën tënde në mes të arave, të vreshtave e të bagëtive” tha i Urti i Malit, “si lum ti!” se në qoftë se breshri a vapa a këlbaza, të prishin drithin a të pakësojnë bagëtinë, ajo prishje e ai pakësim s’do jenë të rrënjshme, dhe as këlbaza, as vapa, as breshëri s’mund të vihen më një me ligësinë e njerëzve.”
Rëmbi, Gjëmbi edhe Shkëmbi, si u përshëndoshën me të Urtin e Malit dualën nga shpella e, mejtuar, muarën udhën e katundit. Nata po afrohet...




Nata po afrohet...



Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë: e mbi tjegullat e shtëpive, mbi rrasat e gurëve, mbi fletët e pemëve, përmbi trupat e epta të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqe - një ngjyrë gushëpëllumbi, si thonë në ca male tona - shtrihet e i mpshtjell.
Mbasandej, pak nga pak manushaqet shfletohen. Hijet bëhen të dendura, me të zeza. Njëri pas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikojnë dritë. Nata u afrua. Nata erdhi.
E kur afrohet nata, kur vjen nata, më pëlqen të vete të rri anës liqenit. S'është si liqeni i Ohrit me ujra të kulluara si të një rrëkeje, si liqeni i Janinës që shkëlqen si një fushë e shtruar me pasqyra, si liqeni i Shkodrës, det i vogël i rrahur tej e këtej nga lundra të metshme sa Shkodra e në anë të cilit gjallojnë malsorë të rreptë. Është një liqen jo më i madh se një kopsht, në mes të një pylli të punuar, liqen i ndyrë, i ndyrë sa uji i qelbet, i bukur se pemët që e rrethojnë mvarin degët e tyre gjer mbi faqen e tij, edhe mbi faqe të tij hëna ndrit e lot. Në pushim të natës bretkosat këndojnë. Herë-herë një peshk, një tjetër, e një tjetër, shumë peshq tingëllojnë ujët. Uji përsëri pushon e fle. Po një erë e ngadaltë (oh, shumë e ngadaltë!), unjet mbi liqen e i zubravit faqen.




Në liqen
Murat beg Toptanit



Fletë të thata kanë rënë, nga lista e rreth-e-rrotullma, mbi liqen, edhe duken si njolla ari në një pasqyrë të vjetër.
As erë, as zë zogu. Një pushin i trishtitshëm. Vetëm, larg së largu, ushtimi i çapeve të ndonjë ëndërrimtari... Rremat herë-herë, e në një hop që të dyja, i bien ujit: qark hapen që venë duke u zmadhuar e duke shtyrë fletët; shuli shket duke u shaluar. Përtej u ndez një dritë që rrezon në një copë të liqenit.




Bora



Kthielltësia e qiellit shkoi me diellin, me lulet, me veren. Vjeshta e trishtimshëm erdhi e iku. Tani, po hyn dimëri, edhe qiellin e kanë mbuluar re të qeta e të ftohta. Edhe sot, për të parën herë, zuri të bjerë bora…
Prapa qelqeve të dritores, po shikonj. Ngadalë, ngadalë, si kur ka frikë të ndegjohet, bora fluturon flokë-floke e shtrohet mbi dhe. Bie kudo, e duket se kërkon të ndreqë e të zbukuronjë: Dy çupa të vockëla shkojnë, e, në leshërat e arta të tyre, të lëshuara mbi shpatullat, bora shkruan trëndafile të ergjenda. Djelmtë qeshin, hidhen, lozin, e lëftojnë me topa. Zoqtë vërtiten rreth e rrotull prakeve: ciu, ciu, një thrimë buke! Si në verë, gjithë bota janë veshur në të bardha.
Flokë-flokë, ngadalë, po bie bora…




Dita e verës



Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po ne mos e festuam me trup, do t’a festojmë me zemër.
Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjeter, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë te Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një bare, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajme Dit’ e Verës.
Në pakë ditë, në Shqipëri, besnikët e funtmë të paganismit, besnikë pa dashur dhe pa ditur, do t’rethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjithë shelgjeve të nderuara. Do t’ këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi dyert e shtëpive dhe t’odave.
Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetëra të races s’onë. Nuk i bëjnë dëm njeriu. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpitë. Në një vënt ku jeta e të vegjëlve është aq trishtë, djelmuria dhe vajëzat kanë një rasë të rallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shie poetike të hollë e të rrallë.




Çipi i palaçove



“Avropa” dhe “Evropi” janë bisedimet e ditës dhe të orës në Shqipëri. Po Evropa s’përfillet aspak. Ç’është “Avropa” ose “Evropi”? Pas besimit të shqiptarëve, është një vend i çuditshëm, larg nga Shqipëria. Që Shqipëria është edhe ajo një pjesë e “Avropës” ose “Evropit” – asnjë shqiptari nuk ia qas mendja. Një njeri niset nga Vlora të vejë matanë të kanalit, fjala vjen në Pidochisull – Adriatico, dhe miqtë e tij thonë: “Shkoi në Avropë” ose shkoi në Evropi”. Për të zbuluar përsenë e errët të këtij mendimi, u bëra një pyetje katër njerëzve më të kuptuar që ka Shqipëria dhe më patundërisht të sigurt nga vetja e tyre.
Selim Qeroz-Fodulli më përgjigjet:
“Efendëm, çdo vend ku populli mban shapkë dhe ku s’ka bërë hyqm devlet-i-alie-osmanie-ja, është Avropë”.
Napoleoni i Gjirizave më thotë: “Tradhtor, tallesh me mëmëdhetarët! Ti e di shumë mirë ku është Avropa, dhe në ke harruar, të ta përmend unë: Avropa njihet tërë ai vend ku venë kapella, ku ka makina shumë, ku burrat s’kanë trimërinë tonë dhe ku gratë s’janë të ndershme.”
O Anaksagoras Uliksi më shkruan: “En onomati tu patras tu iu, qe tu ajiu pnevmatos, amin.” Ne orthodhoksët besojmë se, atje ku mbaron i panajioteti imon anatoliqi ekslia dhe merr fund kalendari ynë i palajthitur, nis Evropi. Dhila-dhi Evropi është tërë ai vend ku urdhëron Pap dhe kisha latine me protestantët dhe mesonët dhe ku shkon i lajthitur, i cili shkel urdhrin eks anothen dhe i ha 13 ditë hakë Perëndisë. Po më duket, zot, se tallesh, tutesti peripezis. Prosohin, se në Amerikë kemi ton Papa laga Dyztabanin, kampionin e shpifjeve, i cil s'pret veç se një shenjë për të nisur nga zanati i tij, Lipon, prosohin!”
Gazi Punikua hedh nga goja jargë, një erë të qelbur dhe këto fjalë: “Avropa është vendi ku s’hanë mish të mbajtur në akull, pasta dhe shumë gjëra të tjera, që ne, aziatikët e ndershëm, nuk i përfillim. Mesela, pinë verëra të gënjeshtra të Francës, që s’kanë aspak erë rrushi. Nëm verë të Negozhdit që ndjehet një orë lart! Nëm raki! Nëm bozë! Atje ku s’i gjen këto, atje është Avropë.”
Dhe me të mbyllur këto bileta, gjej në tryezë një këngëzë që kisha shkruar pak javë më parë në mes dy shakave me ca “Vatrane”. Këngëza e ka titullin Avropa, Evropi – dhe Evropa, dhe ja ku e shtyp për të zbavitur këndonjësit një minutë:

Lot “Avropa”, me “Evropin”
Njëra-tjetrës i hedh topin
Edhe Evropa bën sehir.

Një të shtën’Avropa topit:
Nëpër dor’i shkoi “Evropit”.
Dhe evropa bën sehir.

Pyet “Avropa”: Ç’u bë topi?
-E ke ti! – i thot’Evropi.
Dhe Evropa bën sehir.

Hop! “Avropa” me “Evropin”
Zihen, goditen për topin.
Dhe Evropa bën sehir.

Bam “Avropa”, bam “Evropi”!
Ulërijnë: Ku ishte topi?
Evropa s’bën sehir –

Po mbledh dhe në xhep vë topin
Dhe pastaj na rrëmben shkopin,
Dhe as qesh, as do sehir!


1922



Ai që është i qytetëruar



E njihni të gjithë atë që “ka parë botë”, që është i qytetëruar. Çdo qytet i Shqipërisë e çdo katund sadomos i madh ka të tijën. “Njeriu që është i qytetëruar” i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta” (ca pak të idikura), mban një stap të lehtë në dorë - e shikon sipër-poshtë gjithë botën.
Vajzat çuditen, pleqtë shkëndallëzohen, djelmtë i bien prapa, duke thirrur e duke vërshëllyer a duke i hedhur gurë, - mjeshtri i shkollës i qaset të lidhë fjalë. Mendjet e larta merren vesh aq udobisht njëra me tjatrën! – “Si vete sot? – Si vini?, - thonë në Evropë! Vërtet, ju kërkoni ndjesë! – Si vini, si shkoni? Si kurdoherë, më pëlcet zemra. Ku rrohet në këtë vend, me këta njerëz që s’dinë të vishen, të hanë, të flasin! Ah, Evropa e shkretë! Kur isha në Evropë...” Kur ish në Evropë, ish si peshku në ujë. Gjithë shijen, gjithë hollësinë e shoqërisë së qytetëruar i ka thëthitur. I ka parë të gjitha sa janë për të parë e ca të tjera, i njeh të gjithë. Ka folur, ka lidhur miqësi me fytyrat e njohura të Evropës së tërë.
Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm? Pa dyshim, do të jetë rritur në “Rue de la Paix” të Parisit, në “Strand” të Londonit a në “Grahen”, të Vjenës. Mos kërko aqë larg... Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në breg të Pulës. Eshtë rritur në mes të bajgave të gomarit a të kakardhisë së deles.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në "Gazeta e Athinës:", mars 2007)
 
Faik Konica

u2_FaikKonica.jpg

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A. ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SH.B.A., do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942.
 
Faik Konica - shkrim per te

FAIK KONICA: NUK JAM UNË

Nga Aurel Plasari

“E di se jam nga ata njerëz që njerëzit nuk i duan,
por jam nga ata për të cilët atyreve u bie në mend.”
P. B. Shelley


Fytyrë dhe maskë

Përse vallë Faik Konica ka mbetur një nga ata personalitete madhorë të mendimit dhe veprimit shqiptar të cilët vijojnë ende të vuajnë “të kuptuarit e reduktuar”?

Autorët kryesorë që kanë transmetuar bazën e të dhënave për figurën e tij përbëjnë një burim dore së parë, si F. S. Noli me Hyrje dhe Faik Konica: Një kryqtar te Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, por edhe burime dore së dytë, si Q. Panariti me Parathënie (po aty), P. Kolonja me Si e njoha Faik Konitzën në Faik Konitza 1876-1976 (New York 1976) etj. Për pjesën që i takon personalitetit të tij, kjo bazë është përdorur edhe prej autorëve më në zë që mbi të kanë shkruar: N. Ressuli, H. Kaleshi, L. Starova, A. Karjagdiu, S. Hamiti. Titulli i gjetur i librit të këtij të fundit, Faik Konica: jam unë, ka vetinë të sugjerojë trajtimin e figurës në fjalë edhe në kahun e përkundërt; d.m.th. duke synuar kapërcimin e “të kuptuarit të reduktuar”, i cili do ta vinte në pikëpyetje autenticitetin e figurës ofruar nga Noli-Panariti-Kolonja. Të dhënat e kësaj tresheje, në një rast si ky, do të duheshin shqyrtuar me dyshim, qoftë duke vënë në dukje numrin e mospërputhjeve që godasin syrin edhe midis këtyre transmetuesve të ndryshëm, qoftë duke shtruar mundësinë e një pasqyrimi të shformuar në të dyja kahet: duke ia shëmtuar fytyrën Faikut, ose duke ia zbukuruar atë.

Faik Konica nuk përfaqëson një personalitet të atij lloji që mund të mbetet në një kulturë vetëm prej një atributi, për shembull prej veprës letrare. Apo prej veprës historike. Këtu zë fill, virtualisht, një “të kuptuar i reduktuar” i tij. Ai mund të mbetet sa prej veprës që ka realizuar, aq edhe prej mënyrës së të jetuarit dhe të të sjellit që ka konceptuar, me fjalë tjetër të asaj që ne sot e quajmë “behaviour”. Me një prerje të rëndë mund të thuhet sot se vepra e Konicës, si e tillë, ka një vlerë relative për kohën tonë, ndërsa mënyra e tij e të jetuarit dhe të sjellit, përkundrazi, nuk është ende vlerësuar sa do të duhej.

Vlerësimi relativ sa i përket veprës nuk vë në dyshim rolin e pamatë kulturor që ka luajtur, si dhe ndikimin e gjithëmbarshëm që ka ushtruar, në kohën e tij dhe më mbas, Faiku. Çështja është që rezulton e vështirë të pohohet se vepra e tij përbën ndonjë kontribut me rrezatim jashtë të zakonshmes për kohën tonë. Ngjan i vërtetë konstatimi se, duke u marrë me shumë punë dhe duke i vënë vetes shumë barrë mbi shpinë, Konica as që pati kohën t’ia ngejë vetes “monumentin” nëpërmjet veprës. Veç kësaj, ai nuk u ndal te një specialitet i vetëm, por parapëlqeu të ishte njeri kulture me aspirata ndaj universalitetit. Ndonëse qysh në kolegj e quanin “filozof”, së paku letërsia dhe historia i interesonin në të njëjtën masë, por jo më pak i interesonin gjuhësia, filologjia, muzika, politika, antropologjia kulturore, arkeologjia etj. Madje pyetja mund të shtrohej se çfarë specialiteti mendonte vetë Konica se kishte.

Të bënte ndokush një orvatje për të restauruar mendimin në përgjithësi të Konicës, ka gjasa që të zhgënjehej. (Mund t’i ndodhë, për shembull, ndokujt që mendon të punonjë një tezë mbi mendimin e tij.) Do të duhej pranuar që, nëse kemi vepra të Konicës, qofshin këto edhe të një vlere të lartë kulturore, si Doktor Gjilpëra kërkon rrënjat e dramës së Mamurrasit, Pesë përralla nga Zullulandi apo esenë postume Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, nuk mund të thuhet se cilën pikërisht ka Konica vepër. Fakti ekscentrik që të gjitha punimet e tij me synime të mëdha kanë mbetur ose janë lënë të pambaruara vetëm sa ua shton atyre relativitetin në vlera. Edhe nëpërmjet kësaj rruge përjashtuese mund të dilet në përfundimin se një vepër e njëmendët arti dhe kulture njëherësh, që Konica i ka dhuruar trashëgimisë së kombit të tij, është vetë personaliteti i tij jashtë të zakonshmes.

Mund të thuhet që për ta vlerësuar këtë instancë neve na mungojnë vetitë përkapëse. Ka mundësi që këto veti të lidhen me faktin që njeriut modern, në kuptimin etik, nuk i intereson përkryerja e jetës vetjake, aq më pak e jetës së të tjerëve; madje i duket sikur masa e një jete njerëzore është mjaft e vogël për “parathëniet” që njeriu sot jeton. Njeriu modern nuk e ndien veten përgjegjës si individ, as për mirë as për keq. Të kujdesesh për përkryerjen e jetës vetjake sot nuk është në modë, është diçka e kapërcyer, e tejkaluar. Është një virtyt i kohëve idilike të shoqërisë. Por edhe këtu mund të gabohemi. Ka gjasa që, pikërisht ngase duam të tejkalojmë stadin e jetës individuale, na duhet të kujdesemi për jetën tonë më shumë se më parë. Dikur, ndoshta, kishim kohë ta shtynim këtë punë, ta bënim përkryerjen tonë një problem të jetës mbarë. Sot, pikërisht ngase duam t’i shërbejmë një ideali tjetër që nuk është jeta individuale, duhet të nxitojmë për ta përkryer veten. Në këtë raport të dhënies e marrjes me veten - për t’i krijuar vetes personalitetin një cope – modeli i Konicës hyn ende në punë. D.m.th. është aktual.

I vjetër qysh në të ri

T’i quajmë gjërat me emrin e tyre: a nuk ka Faiku qysh në të ri, qysh kur mëson në Gjimnazin grek të Konicës, në kolegjën e Shën Ksavierit në Shkodër, apo në Liceun perandorak të Gallatës, a nuk ka diç prej njeriu të pahonepsshëm? Me shokët e klasës e ka të vështirë të merret vesh. Mësuesit e vlerësojnë, por shumë pak e duan. Qysh në këtë moshë është një çunak nursëz, mezi jep e merr me ata që ka përreth dhe, për më shumë, është edhe nxënës i shkëlqyer! E habitshme do të ishte të mos e ndiqte antipatia. Kur kolektivisht bëjnë ekskursion në Izmir, në vend që të pijë duhan tinës ose të kthejë ndonjë gotë birrë, sikurse bëjnë “të tjerët”, ai shëtit i vetmuar duke lexuar Rousseau-in. Qysh në këtë periudhë jeta e tij e brendshme nuk duhet të jetë pa dramatizëm. Mbetet në mend prej tij shembulli i të riut që çohet përditë rreth orës gjashtë, mbasi ka punuar deri afër mesnatës, i cili nuk përgatitet vetëm për “shkollën”, por punon për “veten”, duke studiuar me të njëjtin seriozitet vizatimin dhe flautin, algjebrën dhe logjikën, sikurse mëson frëngjishten dhe sanskritishten.

Në kohën e sotme ekziston një model çunaku në vogë: inteligjent dhe skeptik, i shkëlqyeshëm dhe dembel. Mirëpo, edhe në ka diçka të mirë te një çunak i tillë, edhe ai do të duhej të turbullohej, të tronditej kur t’i nxirrnin përpara rininë e Konicës si një leksion. Autori i këtyre radhëve e pranon pa mëdyshje se do të kishte qenë sot njeri më i përgatitur sikur dikush, në kohën kur ai ishte nxënës, t’i kishte nxjerrë përpara shembullin e një çunakërie si ajo e Konicës. Një çunakëri, si dhe një rini e tillë, nuk kanë vlera vetëm “në vetvete”, d.m.th. vetëm për të shpjeguar zanafillën një personaliteti të ardhshëm, por për të kuptuar të gjithë “modelin”. Sepse Faiku ynë ka për të mbetur gjithnjë po ai, deri në pleqëri të thellë. Prej çunakërisë do t’i mbeten atij do “huqe” që te njeriu i pjekur mund të befasojnë, në mos edhe të zhgënjejnë.

Është, pikësëpari, ajo ndjenjë pakënaqësie të theksuar ndaj (gati) të gjithëve dhe (gati) gjithçkaje rreth vetes. Një pakënaqësi që Konicën ka për ta shoqëruar gjatë krejt jetës së vet, duke u shndërruar shpesh deri në përçmim. (Në lerën e detraktimit të figurës së një bashkëkohësi të tij, mjeti stilistik më i shpeshtë me të cilin Konica i drejtohet është forma interjektive: “Të meprizoj! Të meprizoj!”) Vjen mandej ndjenja e veçimit, për të cilën ai, një ditë prej ditësh, lypset ta ketë kuptuar se nuk ia kanë fajin vetëm “të tjerët”. (Në nivelin letrar do të thuhej se ai, ashtu si Flaubert-i, qenkësh pakëz Zonjë Bovary.) E lidhur me këto dy ndjenja duhet të jetë edhe njëfarë erandjeje mbas një ore lumturie, një gjësend të cilin as vetë nuk e çanëson dot, por për të cilin ai është i gatshëm të braktisë shumëçka. Për këtë ndjenjë të fundit, duke mos e ditur saktësisht ç’përmbajtje ka, ai nuk gjen dot emër. Por ajo, megjithëkëtë, e ndjek këmba-këmbës.

Çfarë do ai, fundja më në fund? Një dashuri të madhe? Një miqësi ideale? Një mirëkuptim të përkryer? Dhe këto qenkëshin fitoret më të mëdha në jetë? A nuk përfaqësojnë edhe këto diçka nga mediokriteti i përhershëm njerëzor?

Midis dy palësh

Faik Konicës i bie të jetë në kulturën shqiptare personaliteti që ka qëndruar kohën më të gjatë mes dy palësh: akuzatorëve dhe avokatëve mbrojtës. Për ta ilustruar këtë hipostazë, mund të zgjidheshin për t’u vendosur përkundrejt njëri-tjetrit Dh. S. Shuteriqi si përfaqësues par excellence i akuzatorëve (Literatura jonë, 6 - 7/1948) dhe N. Ressuli si përfaqësues po aq i shquar i avokatëve mbrojtës (Faik Konitza 1876-1976).

Shkruante studiuesi nga Shqipëria socialiste: “Faik Konica ishte vegël e politikës imperialiste t’Austrisë në vendin tonë, agjent i kësaj politike”; ia kthente tjetri nga ShBA: “Faiku filoaustriak! Po kush nuk e hiqte veten nga fundi i shekullit XIX dhe nga fillimi i shek. XX se kinse ishte “filo” i ndonjë Pushteti të Madh që shfaqte interesim politik për Shqipërinë?” Dhe, mbasi rendiste argumentet se përse në periudhën në fjalë Austro-Hungaria ishte me të vërtetë mbrojtësja e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, shtonte edhe: “As nuk duhet të mendojmë se Faiku e pranonte politikën austriake në Shqipëri me sy mbyllur: aspak! S’ishte aso burri Faiku që t’ia mbyllje gojën ose t’ia lidhje gjuhën! E provon fakti se ai edhe u përzu nga toka e Perandorisë pse kishte kritikuar veprimtarinë e austriakëve në Shqipëri gjatë luftës”.

Shkruante Shuteriqi: “Urrejtja për Naimin zjente në zemrën e tij të zezë dhe këtë urrejtje ai e mbështillte në fjalët lajkatare që mbanin më se një gjëmp të helmatisur kur i binte të fliste mbi Naimin tek Albania e tij...”; sqaronte Ressuli: “Për Faikun, i rritur në Francë ku në fund të shekullit të kaluar ndriçonin yjet e një Verlain-i, të një Baudelaire-i, të një Rimbaud-i, ç’mund të ishin vargjet e Naimit veçse “vjersha për dervishë”?”; Ressuli nuk druante të shënonte në parantezë: “S’ka dyshim se me Naimin Faiku e teproi... ”; porse shtonte edhe “Megjithatë, që Faiku ua preu hovin sa e sa kalemxhinjve, ky është një fakt i pamohueshëm”.

“Shok i Fishtës dhe i shokëve të këtij, Faiku nuk mund t'i printe lëvizjes patriotike të Rilindjes dhe as letërsisë sonë përparimtare të kohës. Ai ishte dhe mbeti tërë jetën eksponent i politikës dhe i letërsisë antinacionale shqiptare", shkruante Shuteriqi; sqaronte Ressuli: “Faiku, njeri me kulturë krejt perëndimore, nuk e ndien veten të lidhur me Orientin; ishte fare e natyshme, prandaj, që ai të ndiqte një rrugë tjetër nga ajo e Naimit si në lëmin e kulturës, si në lëmin e politikës”.

Shuteriqi: “Shkrimet e klerit katolik do t'i mbushin ahere faqet e Albanias dhe do të vazhdojnë gjersa të ketë jetë revista, gjer më 1909"; Ressuli: “Rreth Faikun në Albania u mblodhën të rinjtë më të mirë të asaj kohe, si L. Gurakuqi, Gj. Fishta, Çajupi, Noli, F. Shiroka, H. Mosi, Asdreni dhe plot të tjerë të njohur dhe të panjohur”.

Shuteriqi: “F. Konica nuk do të dinte si të gjejë lëvdata më vonë për poezinë epike të shokut të tij Gjergj Fishtës, dhe nuk do të merrte mundimin të bënte hesape se në sa vargje mund të reduktohet Lahuta e Malcisë për të qenë më e tërheqëshme dhe më e shëndoshë, të paktën artistikisht”; Ressuli: “Aty [tek Albania] u zhvillua edhe më shpirti demokratik, aty lindi kritika letrare, aty lindi proza artistike”.

Shuteriqi: “...me një cinizëm të rrallë denigruesi që e karakterizonte atë...”; Ressuli: “... tip gjaknxehtë, rebel, i rritur në një Francë demo-liberale ku nuk pati kurrë fre gjuha e ku plasën e u rrahën luftat më të rrepta fletorare në lule të djalërisë së tij, si kaq shkrimtarë të huaj, ai ndien nevojën të ngrihet kundër disa sistemeve e metodave të bëra të zakonshme ndër ata pak shqiptarë që merreshin atëhere me shkrime”.

Shuteriqi: “Faiku qe Faiku dhe nuk la gjë pa bërë [...] Faik Konica mbeti një varrmihës i pakorrigjueshëm [...] Ai ndenji dit’ e natë me kazmë në dorë kundër popullit”; Ressuli: “Nga atdheu i Voltaire-it ai trashëgoi edhe një cilësi tjetër në prozë: humorin, rreptësinë e mprehtësinë e ironisë e të sarkazmit, esprit-un. Shumica e shkrimeve të tij janë një shembull i pavdekur i këtij esprit-u të paarrirë kurrëmë prej ndonjë shkrimtari tjetër në prozë. Në çdo luftë që ai rrahu, doli gjithnjë triumfonjës vetëm për hir të këtij esprit-u. Ai i përkuli, i shpartalloi, i asgjësoi armiqtë vetëm e vetëm me armën me të rrezikshme që natyra i fali, me ironinë, me sarkazmin, me talljen e përbuzjen”

Shuteriqi: “F. Konica inauguronte sulmin kundër çdo gjëje përparimtare në letërsinë tonë”; Ressuli: “Ai qe, pra, me të vërtetë një nisjator dhe reformator i kulturës sonë, që zhvillohet në pjesën e dytë të Rilindjes dhe një “oksidentalizues” i kësaj kulture”.

Dhe, kështu radhazi, debati mes akuzatorëve dhe avokatëve mbrojtës ka ardhur deri në ditët tona gati i papërfunduar.

“Seancë kryqëzimi”

Ta themi tani që këtë “të kuptuar të reduktuar” Faik Konica e ka vuajtur qysh në gjallje. Madje asihere, ka gjasë, në mënyrë edhe më kontroverse. Si e thotë Ressuli, gjithnjë pati ekzistuar një “humnerë e thellë” midis tij dhe turmës së shkrimtarëve dhe gazetarëve të tjerë që Faiku i quante “poturakë”. Kjo turmë ishte e para që e luftoi, mbasi ishte e ndërgjegjshme për këtë “humnerë” që e ndante prej tij. I dyti që e luftoi qe, në mënyrë të hapur, një zhgan politikanësh, kryesisht nëpunës të lartë të fomuar nëpër shkollat turke. Sado që mund të punonin edhe ata “për Shqipërinë”, nuk i shpëtonin dot ndikimit ballkanik-oriental, një nga trashëgimitë që më së shumti i rëndonte kombit shqiptar edhe mbas fitimit të pavarësisë. Tejmase të vështirë e kishte ky zhgan politikanësh të kuptonte parimet e kulturës europiane me të cilën Faiku qe mbruar, mendësinë liberale që tek ai ishte përftuar, frymën demokratike me të cilën ai ishte formuar, madje edhe mënyrën e jetesës së tij “oksidentale”.

Për të dhënë një shembull gërthitës, nga Bisedimet e Këshillit Kombëtar po nxjerr pak faqe prej debatit të gjatë të zhvilluar në Legjislaturën e parë të atij Këshilli në mbledhjen nr. 67 të vitit 1922, e cila mund të titullohet edhe “seancë kryqëzimi” për Faik Konicën. Pretencën në këtë rast e shqiptonte një anëtar i kabinetit qeveritar, Mehdi Frashëri:

“Z. Mehdi FRASHËRI: Vatra, kur ka qenë kryesuar prej njerëzve më pak të dijshëm, por patriotë, i ka bërë shërbime atdheut, dhe qeveria e z. Iljas Vrioni e pati njohur si një person juridik duke i pranuar deputetin e saj. Për fat të keq, qëkurse ka ardhë në krye të Vatrës një faqezi i quajtur Faik Shishko, dijtë o pa dijtë ajo është transformuar në një grup vagabondësh dhe veprat e tyre arrijnë shkallën e trathëtisë. Jashta Amerikës, në Greqi, Itali, Jugosllavi e gjetkë kanë të bëjnë me ca njerëz që janë spiunët e të huajve dhe që përpiqen të diskreditojnë popullin shqiptar, shtetin shqiptar edhe gjithë qeveritë që kanë ardhë që në Kongres të Lushnjës e tëhu.

Delegati i Vatrës në Romë, Faik Konica, kur u formua kabineti i Sulejman Delvinës dhe kur ndodhej Shqipëria në rrezik të brendshëm dhe të jashtëm, për me diskredituar qeverinë e atëhershme shkruante për Sulejman Benë se është i turqve edhe që ka vrarë armenët. Më një kohë kur gjithë bota e qytetëruar ka pasë mëshirë e simpati për armenët, edhe kur qeveria shqiptare kishte nevojë të prezantohesh si një qeveri nacionale dhe indipendente, Faiku e prezantonte kësisoj. Kjo ishte një çpifje, se Sulejman Delvina ishte një sekretar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Turqisë dhe materialisht nuk është e mundur që një sekretar të ketë atë fuqi sa të bëjë masakrën e armenëvet. Kjo çpifje nuk quhet personale, se Sulejman Beu akuzohej dhe diskreditohej si Kryetar i qeverisë shqiptare më një kohë kur kishim nevojë për simpatinë e gjithë botës.

Kur Ani Rustemi vrau Esadin në Paris edhe mund të themi se shpëtoi Shqipërinë, Faik Konica, në një intervistë të gjatë që ka bamë në gazetën Popolo Romano, e ka karakterizuar Avni Rustenin si një “katil ordiner” dhe qeverinë shqiptare si “mandatori degli assassini”, d.m.th. dërguesit e katilavet. Ky njeri nuk mjaftojti me këto, por vete mbledh studentët e Romës dhe u thotë që jakëni t’ju shpie në Ambasadën Franceze dhe thuajini ambasadorit të Francës që Avni Rustemin e ka çuar qeveria shqiptare për të vrarë Esadin, me qëllim që të provokojë armiqësinë e Francës kundër Shqipërisë.

Kur ngjau lufta e Vlorës, lufta ma e ndershme dhe ma e naltë që kanë ba shqiptarët që më 1912 e tëhu, ay kërkonte ta dëftonte si një “brigandage”, edhe në artikujt që ka shkruar në gazetën italiane përdor tekstualisht këto fjalë: “deploro la cecità e l’assurdità degli albanesi”, që shqip don me thënë “më vjen keq për verbërinë dhe budallallëkun e shqiptarëvet”. Faiku shkoi një ditë pranë z. Tefik Mborja dhe i propozoi që të dalin në Sarandë, të kandisin vlonjatët që të heqin dorë nga lufta e të rrëzojnë qeverinë, edhe ay vetë të bëhej Kryetar dhe Tefik Mborja prefekt në Vlorë. Tefik Mborja ia refuzoi kategorikisht. Kur gazetarët e huaj trimërinë e vlonjatëvet e përgjisnin me heroizmën klasike të vjetër, delegati i Vatrës Faik Konica bënte këto intriga të dobëta. Tefik Mborja është nëpunës i qeverisë edhe kjo mundet ta pyesë. Gjithë këto vepra të delegatit të Vatrës cirkonstancat i cilësojnë si trathëti antipatriotike.

Veprimet e Faikut vazhduan në këtë mënyrë: për Iljas Vrionë thoshte se e shet Shqipërinë për një kadah raki. Në gazetën italiane Eco, me firmën e tij, botonte një artikull ku thoshte se “influenca e jevgjitëvet në qeverinë shqiptare është kaq e madhe sa një jevgjit do t’emnohet Ministër i Shqipërisë pranë qeverisë italiane”. Kur një popull ndodhet nën influencën e jevgjitëvet, do me thënë se ay popull është m’i poshtër nga jevgjitët. Të gjitha shkresat e tija si Kryetar i Vatrës vazhdojnë në këtë mënyrë. Pas shkresavet të Faikut, të gjithë qeveritarët që kanë ardhur deri sot, kush është katil, kush spiun, kush hajdut, kush sodomit (d.m.th. kullumbara). N’artikullin e fundit gjithë qeverinë shqiptare e karakterizonte si qeveri sodomite.

Qeveritë shqiptare që kanë ardhur në fuqi, le që s’kanë pasë asnjë marrëdhënie me Mustafa Qemalin, por për të mos lënë vend as në një dyshim, kanë vajtur kaq larg sa kanë përzënë shqiptarët që kanë ardhur nga Turqia. Por interesat e Greqisë e donin që ta dëftonin qeverinë shqiptare si një bashkëpunuese të Mustafa Qemalit edhe një i quajtur Leonidha Naçi, që ka qenë dhe është spiun i grekëvet, dhe që rri në Athinë, herë pas here i shkruante Diellit se qeveria shqiptare bashkëpunon me Mustafa Qemalin. Tue qenë qetësi e plotë në Shqipëri, në dy muaj një herë gazetat e trathëtorëvet e spiunëvet të shtetevet të huaj që dëshirojnë të diskreditojnë qeveritë shqiptare po me gojën e shqiptarëvet të vet, në dy muaj një herë çpifin një revolucion në Shqipëri edhe kryesia e Vatrës me letra të mbëdha i boton këto lajme tue dhënë shpjegime edhe tue rrëzue përgënjeshtrimet e qeverisë. Këto bëhen në emrin e një shoqërie së cilës qeveria i ka njohur personalitetin juridik. Vjet kur Imzot F. Noli ndodhej si delegat në Lidhjen e Kombevet, delegati i Greqisë Kazaxhiu, në memorandumet që paraqiste në Lidhjen e Kombevet argumentet i merrte nga botimet çpifarake të Diellit.

Gjithë këto ngjarje në pikëpamjen ligjore formojnë një krim. Guximtari i tyre është Kryetari i Vatrës dhe ata q’i ndihmojnë ligjërisht quhen komplisë, bashkëveprues. Na jemi njerëzit e ligjit dhe e ftojmë qeverinë të marrë masat e duhura dhe gjyqsore kundër këtyre trathëtorëve. Është gjë e turpshme që njerëz si Faik Konica t’ushqehen, të ndihmohen dhe t’enkuragjohen nga djersa e punëtorëvet shqiptarë për me trathëtue atdhenë, për me diskreditue popullin dhe shtetin shqiptar. Qeveria ka detyrë që të shpëtojë vatranët nga kjo njollë tue lajmëruar degët e Vatrës që, po nuk i dhanë shkelmin Faikut në një afat të caktuar, në ndjekjet gjyqësore që do të bëhen janë për t’u quajtur edhe ata si komplisë. Lutem, pra, z. Kryetar që të pyetet z. deputet i Vatrës të na thotë këtu se a i aprovon veprimet e Kryetarit të Vatrës apo i desaprovon”.

“Imzot F. NOLI: Z. Kryetar! Nga fjalët e të ndershmit deputet t’Elbasanit z. Mehdi Frashëri merret vesh sikur Parlamenti u bë gjykatore për të dënuar Faik Konicën. Parlamenti, para se të adaptonjë këtë pikëpamje, duhet të marrë tri gjëra parasysh.

E para: A është kompetent Parlamenti për të gjykuar Faikun? Thom vetëm Faikun, se ay emër është aq i njohur midis nesh e popullit sa të dihet për cilin bëhet fjalë. Nga pikëpamja legale Parlamenti nuk është gjykatore; sa për pikëpamjen morale, dyke marrë parasysh që Faiku ka kritikuar ashpër guvernën dhe partinë e shumicës, gjykimi juaj do t’ishte një parodi e drejtësisë, se do të ishit edhe akuzatorë edhe gjykatës, edhe davaxhinj edhe kadinj. Këtë e dini fort mirë që s’e merr kalemi dhe, nga ana ime, nuk dëshironj që Parlamenti ynë të bëhet qesharak pa punë. Dhe, dyke mos qënë kjo gjykatore as kompetente, as e paanëshme, nuk e shoh nevojën të përgjigjem si ndonjë i akuzuar në istintakun e deputetit t’Elbasanit.

E dyta: Faiku është Kryetar i Vatrës, i zgjedhur lirisht prej anëtarëve të saj, nuk është sulltan i Vatrës. Dyke dënuar, pra, Faikun kemi për të dënuar edhe Vatrën dhe anëtarët e saj që e kanë zgjedhur për Kryetar. Edhe e dini që të gjithë sa shërbime të çmuara i ka bërë çështjes Vatra. Nuk do t’jua numëronj të gjitha. Arrin t’ju kujtonj vetëm dy: Pas dështimit të Venizelosit, vetë Vatra ia ndryshoi faqen Toskërisë dyke i futur shqiptarët orthodhoksë në vathën patriotike. Guverna e jonë mezi mblodhi me pahir një hua të mbrendshme prej 100.000 fr. ar më 1922, pasi u zgjidh çështja e kufirit, kur Vatra me një fjalë të vetme i mblodhi guvernës një hua prej një miliuni fr. ar më 1920, kur puna e Shqipërisë ishte edhé në rrezik.

E treta: Cili është Faiku, që gatiteni të dënoni? Deputeti i Elbasanit ju tha që kombi i detyron Ismail Qemalit një monument. Jemi fare me një mëndje, por unë shtonj që kombi i detyron Faikut një monument edhe ca më tepër. Ismail Qemalit për një vepër, për një gjest, për ngritjen e Flamurit në Vlorë; Faikut për disa vepra, për disa gjeste që i kanë kushtuar tërë jetën. Faiku është kryelëronjësi i gjuhës sonë, është zbulonjësi i Flamurit tonë të harruar, të atij Flamuri që e ngriti Ismail Qemali në Vlorë, është kryekalorësi i lirisë dhe independencës kombëtare, edhe ne të gjithë s’jemi veçse dishepujt e tij. Historia e paanshme s’mund ta mohonjë se ai i ka falur çështjes tërë rininë dhe tërë mëndjen këtu e njëzet e shtatë vjet me radhë pa reshtur. Dhe ku e gjeti Faiku inspiratën për këtë luftë të gjatë e të rëndë me shpresë kundër shpresës, kur Shqipërinë s’e deshnin shqiptarët vetë dhe ca më pak të huajtë? Ku gjetkë veç në shpirtin e tij ku mbretëronte si një perëndi ideali stoik i detyrës, ku gjetkë veç në temperamentin e tij prej idealisti t’ashpër e të fortë që refuzon të bënjë kompormise me njerëzit e ditës dhe me faktet e pamëshirta? Faiku ka patur dhe ka atë fuqi prej shpirti që e përshkruan aq bukur Shakespeare-i në tragjedinë e Jul Qesarit:
Me atë, o Perëndi, e bën të dobtin luan!
Me atë, o Perëndi, po i dërrmon tiranët!
Se as kull’ e gurtë, as mure prej bakëri,
As burgu i errët, as vargonj prej hekuri
Nuk e përmbajnë dot fuqinë e shpirtit!

Dhe është e tepërt t’ju them që, po të mos kishim patur burra idealistë si Faiku, Shqipëria nuk do të ishte e lirë sot. (Këmbëtrokitje prej disa deputetëve.) Për fat të mirë historia nuk shkruhet me këmbëtrokitje, por me punë, dhe Faiku ka punuar më tepër dhe më përpara se të gjithë ne. Ka punuar... ndërsa ndodhet sot në prak të pleqërisë, dhe ndofta është fati i shkruar i tij ta ngrysë jetën në syrgjyn, jetë sakrifice dhe shërbimi, pa tjetër shpërblim veç sharjeve nga ata që përfituan prej mundimeve të tij. Sot është her’ e parë që përmëndet emr’ i tij në Parlament të Shqipërisë së lirë, dhe ironia është që përmëndet për gjykim e dënim. Faiku, dekani i veteranëve të çështjes kombëtare! Ndofta bukuria tragjike e sakrificës së Faikut e kërkon këtë dënim si kurorën prej gjëmbash dhe uthullën e Krishtit”.

Turqia mbrapa dhe përpara

Por ana, në dukje, më kontroversiale e Faik Konicës shfaqet në qëndrimin e tij sa përket zgjidhjen e çështjes shqiptare në rrethanat e tërheqjes përfundimtare të Perandorisë osmane nga Europa. Në këto rrethana, me mendimet dhe veprimet e tij, ai u bë njëri nga ideuesit e shtetit shqiptar. Politikisht Faiku nuk i pranonte më lidhjet me Turqinë, si i propozonin shumë nga rilindësit paraardhës nisur, nga njëra anë, prej dyshimit se kushedi sa do të zgjaste ende Perandoria osmane në Europë dhe, nga ana tjetër, prej frikës nga rreziku që paraqisnin fqinjët për një shetet të mundshëm shqiptar.

Duke qenë qytetar i mirëfilltë i Europës, ai kishte mundësi ta shihte më të afërt shembjen e Perandorisë dhe gjithashtu më pranë instituimin e një shteti shqiptar. Kështu u bë ndër të parët që e kuptoi se instituimi i një shteti të tillë do të varej mjaft nga qëndrimi i pjesës muslimane të popullsisë, jo vetëm ngase ajo përbënte në Shqipërinë gjeografike një shumicë, por edhe sepse ishte pikësëpari ajo që duhej të ndahej nga ideologjia osmane dhe të reshtte së identifikuari veten me turqit gjithënjë simbas parimit “të krishterët janë që janë kundër turqve”. Në revistën e tij Albania që dilte në Bruksel, nën syzën “Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë”, qysh më 1909 i formulonte këto ide në shkrimin me titull Një lajmërim i shkurtër muhamedanëve. Duke i paralajmëruar ata për krijimin e mundshëm të një shteti shqiptar, me një frymë të hapur civile u bënte thirrje bashkatdhetarëve të tij t’i paraqiteshin Europës si një komb i njësuar. Me stilin e vet të prerë, i përmblidhte kështu porositë: “1) Osmanllinjtë në pakë vjet do të dëbohen nga Evropa; 2) Shqipëria, e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë përjashta, do të ndahet; 3) Shqiptarët muhamedanë do të dëbohen duke humbur mallin dhe kamjen; 4) Osmanllinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dëbuar; 5) Në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të ktheheni te feja e stërgjyshërve t’uaj, a të mbeteni muhamedanë, por duke u lidhur me aqe vërtetësi dhe zemrë me të krishterët nga gjaku juaj, sa t’i jepni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishterë” (Albania, XII, London 1909).

Ky qëndrim i tiji sa përket modelin e shtetit shqiptar në instituim e sipër qe pasqyruar edhe në mesazhin që më 4 dhjetor 1912 ai i dërgonte Kuvendit të Vlorës në emër të federatës Vatra: “Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra dërgon përgëzime të nxehta për inauguracionin i cili do të mbahet mend. I lutet Asemblesë Kombëtare me mos e pranue kandidaturën e një princi muhamedan. Mos e bani Shqipniën nji shtet oriental si Khiva, Buharaja, Afganistani, Tunisia e të tjera. Kini për ideal nji Shqipnië europiane si Norvegjia, Danimarka, Holanda, Belgjika. Ja përse ne preferojmë nji princ nga familje mbretnore europiane i cili të sjellë tradita oksidentale. I ndënshkruemi u lutet veçanisht deputatvet muhamedanë qi ta tregojnë patriotismën e tyne tyke sgjedhë një princ të krishtenë. Me bamë ndryshe do t’ishte si me bamë nji faj qi s’do të ndreqet ma”. ” (Nosi: Dokumente, nr. 12, 1924, 371-372).

Duket mbaskësaj e pagjasshme që, më 1915-1916, pikërisht ky Faik të vejevijë nëpër qytetet e Austro-Hungarisë në krye të një komploti politik që nuk ka synim tjetër veçse kthimin e Shqipërisë në lidhjet me Turqinë nëpërmjet vendosjes në krye të shtetit shqiptar të një “princi turk”, “princi musliman”. Si organizator i aftë, ai ia ka dalë të mbledhë pikërisht në Vjenë figura më shumë ose më pak të njohura të përfshira në politikën shqiptare të kohës, si Nuzhet bej Vrioni, Dervish Hima, Imamzade Rexhep Efendia, një Xhelal bej etj. Së toku me ta ka formuar aty një “komitet nismëtar”, veprimet e të cilit përshkruhen përimtisht në një letër “konfidenciale” që Konica ia dërgon, me sa kuptohet, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, funksionar i lartë me të cilin duket të ketë njohje të afërt: “Mon cher bey...”, e fillon ai letrën për të. Kundërshtarë të këtij “komiteti nismëtar” janë aty në Vjenë, simbas Konicës, Surja bej Vlora, për të cilin shkruan se “ka parapëlqyer të lehë me katolikët” dhe disa pak të tjerë. Edhe princi Wied ndodhet aty në Vjenë, i rrethuar nga “partizanë të tij katolikë dhe ortodoksë”, sikundër i raporton Faiku funksionarit të lartë turk, ndërkohë që Surja bej Vlorën e quan “agjent i tij” (i Wied-it).

“Komiteti nismëtar” i Konicës ka marrë masa për të organizuar edhe në Shqipëri propagandën pro “princit turk”, sidomos nëpërmjet shqiptarëve të pasur që jetojnë dhe tregtojnë në qytetet e Austro-Hungarisë. “Njëri prej këtyre njerëzve të mirë – i tregon Faiku funksionarit të lartë turk - u gëzua aq shumë kur i dhashë shpresën që, me ndihmën e Zotit dhe po qe se ne lëvizim, do ta kemi një princ turk, sa që më puthi dorën me lot në sy”. Po në këtë letër, ai gjen rastin që, mes të tjerash, t’i kujtojë funksionarit të lartë turk se “ne [shqiptarët] jemi të bashkuar me turqit nëpërmjet lidhjesh fetare, ngase kemi një kryetar feje të përbashkët, por edhe nëpërmjet marrëdhëniesh familjare si rrjedhojë e martesave të vijueshme mes nesh prej pesëqind vjetësh dhe, pra, është e natyrshme që ne t’i hedhim sytë nga Stambolli”.

Ngjajnë terma të pabesueshëm për penën e Faikut. Të Faikut që, qysh në fillimet e përfshirjes së tij në propagandën për një shtet shqiptar, kishte refuzuar prerazi çdo lidhje të mëtejme me “kërmën”, si e quante ai Turqinë, duke përdorur madje ndaj turqve dhe filoturqve detraktime dhe sharje pa fund: “bajga”, “plehra”, “gëlbaza” etj.; të atij Faiku që, me të gjitha energjitë e veta, kishte himnizuar deri asodite lidhjet e shqiptarëve me Perëndimin duke ngulmuar t’u ofronte atyre një model të prerë perëndimor për shtetin e ri; të atij Faiku “idealist” dhe “stoik”, “që refuzon të bënjë kompromise me njerëzit e ditës dhe me faktet e pamëshirta”. Letra, gjithsesi, është shkruar prej dorës së tij, në frëngjishte të kulluar, nënshkruar “Faik Konitza” me dy alfabete, latin dhe osman, nga hoteli Frauenhaf (4 Josefsplatz) në Baden pranë Vjenës. Ajo mban edhe nënshënimin e sigurisë: “Nota bene: Numri i faqeve të letrës 8. Edhe 23 faqe të shtypura në hungarishte. Zarfi mban 5 vula, me shkronjat fillestare F. K., në dyllë të kuq”.

Logjika e dy qëndrimeve/ dy qëllimeve

Në kohën kur jetonte dhe punonte Faik Konica zinte fill në kulturën shqiptare një brez i ri i inteligjencies, ndoshta brezi i saj më i rëndësishëm mbas atij të përfshirë drejtpërsëdrejti në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare. Doemos që ky brez, si i ri, tanimë kishte për të thënë diçka të vetën, të ndryshme prej asaj të paraardhësve. Në mënyrë të vetvetishme ai do të kërkonte edhe të sfidonte atë çfarë tanimë ishte thënë. Mirëpo, sikundërse na mëson parimi i njohur, mënyra më e lehtë për të qenë origjinal është të dish pak. Mes një kontingjence të tillë iu desh Faikut të bënte përpara. Për shkak të një kontingjence të tillë qe i detyruar ai të ndeshej gati në çdo hap me arrogancën e paditurisë të atyre që i klasifikonte “mendje të klasit të katërt”, të cilët as nuk e dinin që nuk dinin.

Të hapërdarë gjithandej në shtypin e huaj të konsumit, por edhe në shtypin shqiptar në lindje e sipër, duke depërtuar ndonjëherë deri në Albanian e tij, “mendjet e klasit të katërt” rrekeshin të bënin atë që tanimë ishte provuar të bëhej. Ato përsëritnin pambarimisht sipërmarrje të dështuara, duke shtuar kështu gabime mbi gabime. Një pjesë e tyre e kërkonin “origjinalitetin me çdo kusht” tek ekstremizmi, i cili ka qenë gjithmonë e kundërta e krijimit, madje jo më kot e kanë quajtur edhe “vetë përkufizim i plogëtisë”. Nuk përbën pra habi as që koha e Konicës të ishte e mbushur citë me “të plogëtit” e vet, as që vetë Faiku të qe i rrethuar prej ekstremistësh të tillë.

Përkundrejt turmës së “mendjeve të klasit të katërt” Faiku nuk mund të ishte veçse i rreptë deri në mizori, mbasi ai ia dinte kufijtë së vërtetës origjinale. Për këtë arsye rrinte syçelët dhe i gatshëm ta braktiste një të vërtetë në çastin kur ajo bëhej e pavërtetë. Kjo më duket të jetë cilësia më e përpashme, aftësia më e rëndësishme e modelit mendor që e quaj “konician”. Ta braktisësh të vërtetën...?! Por si ka mundësi...?! Pikërisht këtë aftësi gjeniale të mendjes njerëzore nuk ia kuptuan shumë nga bashkëkohësit dhe, madje, e kemi të vështirë ta rrokim edhe ne, të penguar prej “të kuptuarit e reduktuar”. Kjo e pengon edhe sot e gjithë ditën shpërfaqjen në dritë të plotë të personalitetit të tij.

Turma e “mendjeve të klasit të katërt”, që atij i gëlonin përreth, ia vidhnin deri dhe idetë të cilat, si ia shtrembëronin, i paraqisinin si “të vetat”. Origjinaliteti i turmës në fjalë nuk matej me gjë tjetër veçse me zhurmën që ata bënin. Dhe atëherë Faiku nuk mund të heshtte. Origjinaliteti i “mendjeve të klasit të katërt” mëvishej në fjalë të mëdha, bukurtingëlluese, të fryra me atdhetari. Dhe atëherë Faiku shfrynte gjithë mllef me sa të shara që fjalori i gjuhës amtare përmbante. Ne sot ende pyesim: po përse vallë shante kështu? Dhe bëjmë sikur nuk e marrim vesh tipologjinë e “mendjeve të klasit të katërt”, të cilat jo vetëm dijnë pak ose aspak, por janë në gjendje ta kthejnë të vërtetën në gënjeshtër.

Këto karakteristika, të dish pak dhe ta teprosh të vërtetën derisa ta kthesh në gënjeshtër, kanë qenë tipike për intelektualët e të gjitha kohëve, pa përjashtuar as ata/këta të ditëve tona. Kjo i bën “mendjet” në fjalë revolucionare, në kuptimin më të mbrapshtë të këtij termi. D.m.th. gërnjare, grindavece. Por mund të thuhet: o është grindur Faiku, o nuk është grindur kush tjetër në kulturën shqiptare! Pikërisht, sepse edhe vetë Faiku qe i detyruar të zbriste në tokë edhe të hynte në lojën e debateve sociale, kulturore dhe sidomos politike. Vetëm se “grindjet” e tij kanë karakteristikën fisnike të mos jenë “grindje për hir të grindjeve”. Faiku ishte ngaherë në kërkim të një “parajse mbi tokë” për popullin e tij, prandaj nuk mund t’i toleronte predikuesit e “parajsave të rreme”. Kjo parajsë, mjerisht, nuk mund të arrihej veçse me mjete politike, pra krejt tokësore, dhe... në politikë si në politikë. Brenda logjikës së politikës bëhen të kuptueshme edhe ato që ngjajnë si dy qëndrime/ dy qëllime.

Kështu ndodh që Faik Konica të vijojë të vuajë, ende sot, “të kuptuarit e reduktuar”, sepse ky lloj të kuptuari nuk e përkap dot strukturën logjike të dy qëndrimeve/ dy qëllimeve. Dy qëndrimet/ dy qëllimet mund të jenë kontradiktore mes syresh dhe, megjithëkëtë, të jenë plotësisht të pajtueshme. Është kjo struktura logjike e atyre që quhen dilema të mendimit politik të çdo kohe e të çdo vendi. Zgjidhjen e dilemave të tilla Rousseau-i e quante “kthim të rrethit në katror”. Dhe të mos harrohet që Faiku pati qenë lexues i zellshëm i Rousseau-it qysh në të ri.

1995-1996

Marrë nga Gazeta 55
 
Faik Konica - shkrim per te

Kur dashuronte Apolineri

Nga Andi BUSHATI

Historia e nje dashurie te ndaluar, qe prodhoi nje nga kryeveprat e letersise boterore. C'rol kishte ne te, eruditi shqiptar Faik Konica. Marredheniet e tij dhjetevjecare me Guillaume Apollinaire. Shfletimi i mbi 40 letrave te korrespondences se tyre, prej nga lindi "nje miqesi evropiane".

Nje poet i ri francez, vetem 23 vjecar, atehere krejtesisht i dashuruar dhe krejtesisht i panjohur, por i gatshem per aventura, zbriste ate nentor te 1903-shit ne stacionin Viktoria te Londres, me nje brenge te madhe mbi shpine. Kishte ardhur nga vendi i tij ne ishullin perballe, vetem me nje qellim: Te vihej ne gjurme te Annie Playden, vajzes qe e kish takuar me pare ne Gjermani e qe atehere kish perndritur zemren e tij. Ishte i gatshem ta ndiqte nga pas dhe me cdo kusht, pavaresisht refuzimeve te saj te panumurta. Ndejti disa dite ne Londer, por me kot. Serisht nga Annia, guvernantja e nje familjeje te pasur, mori pergjigje refuzuese. Arriti ta takoje, por per vajzen e gjitha kjo, nuk ishte vecse nje aventure e pakuptimte. Nga i gjithe ky shtegtim - qe te kujton deri ne nje fare mase rendjen e poetit tone Lasgush Poradeci pas bukuroshes se tij angleze - poeti i ri do te dilte i mundur. Por, letersia franceze, do te fitonte nje buqete poezish te denja per cdo antologji boterore. E mbi te gjitha, poezine e djaloshit te ri Apollinaire "La chansion du mal-aime", nje nga kryeveprat e poetit, te permbledhura ne vellimin e tij me te famshem "Alcools". Po c'bente ky djalosh 20 vjecar ate nentor te larget, ne stacionin e Viktoria te Londres? Ajo qe dihet boterisht dhe qe e permendin te gjitha biografite e tij, eshte rendja pas dashurise se ndaluar, qe brengoste ate kohe poetin. Por, ajo qe studiuesit dhe biografet e tij shpesh e anashkalojne, eshte nje tjeter fakt. Eshte fakti se ai, aty, ishte ftuar nga nje shqiptar. "I deshiruar per te ripare Anni Playden, ai perfiton nga ftesa e mikut te tij shqiptar, Trank Spiro beg, i vendosur ne Londer, ku botonte revisten Albania", shkruan ne nje studim per Apolinerin, ish anetari i Akademise Goncourt, Andre Billy.

Ne fakt, i huaji, qe e kishte ftuar ne Londer poetin nuk eshte njeri tjeter, vecse eruditi i madh shqiptar, Faik Konica. Pikerisht, ai qe, me nje shenje ne xhakete, do t'i dilte ate dite ne stacionin e trenit. Te dy nuk njiheshin. Nuk ishin pare me pare. Vetem se, prej disa muajsh, kishin filluar nje korrespondence te rregullt. "Nga ky leterkembim, sot jane ruajtur vetem rreth 40 letra te Konices derguar Apolinerit, nga 16 shtatori i 1903 deri me 16 dhjetor te 1913", thote ne studimin me te plote, qe eshte kryer ndonjehere per marredheniet mes dy njerezve te letrave, studiuesi dhe shkrimtari shqiptar me banim ne Shkup, Luan Starova.

Starova, profesor i frengjishtes ne Universitetin e Shkupit dhe ish ambasador i vendit te tij ne Paris, eshte marre per nje kohe te gjate me marredheniet mes dy njerezve dhe ka botuar me pas, ne vitin 1988, ne Paris, librin "Une Amitie Europeenne", kohet e fundit e botuar edhe nga shtepia botuese "Onufri" me titullin "Faik Konica dhe Guillarme Apollinaire - Nje miqesi europiane". Pikerisht, ne kete liber, dalin per here te pare edhe detajet e nje miqesie tashme te ditur, asaj mes poetit francez dhe botuesit te "Albanias". Po aty, per here te pare, mund te verehet se gjate udhetimit te pare te Apolinerit ne Londer, Konica, ate kohe 28 vjecar, nuk i ka sherbyer vetem si mikprites, por ai edhe ka ndermjetesuar, qe lidhja dashurore e poetit te ri te funksiononte.

Ka qene ai qe, per nje kohe te shkurter, ka mbajtur korrespondence me Anni-ne e qe eshte munduar ta "zbuse" kete te fundit. Faik Konica ka marre nje leter te pare, ku guvernantja e re (qe, pa e ditur, do te imortalizohej ne poezine boterore) i thote se, i vinte keq qe nuk i kishte dhene asnje shans te dyte per takim Apolinerit.

Ndersa, ne nje leter te mevonshme, Konica thote: "Mikesha juaj me ka shkruar se, si drejtor gazete une duhet te merresha me pune teper me serioze dhe ajo cuditet qe une fus hundet ne kete 'farse'. Se paku, para se te niseshit, te na kishit njoftuar dhe, nga ana tjeter, dalldia juaj qe aq qesharake dhe me pak arsye, sa, po te dua ta takoj, ajo do te me thote se i keni ju te gjitha fajet".

Por, per studiuesin dhe shkrimtarin Luan Starova, "asgje nuk do te ishte me e gabuar dhe me e padrejte, sesa te rrudheshin marredheniet mes dy burrave ne permasen anekdodike te kesaj histori dashurie. Te lidhur nga nje shije te perbashket per pseudonime, qe habisin si ne njerin ashtu edhe ne tjetrin rast, lidhjet mes Apolinerit dhe Konices, kane rrenje me te thella".

Autori Starova gjen shije dhe ide te perbashketa te tyre per hulumtimet gjuhesore, per pozicionet kunder gjuheve te perbotshme eksperimentale, si Esperando. Starova kembengul gjithashtu se, nje prej personazheve te romanit jo shume te njohur te Apolinerit "La femme assise" (Gruaja ulur), frymezohet nga nje dyzim i dy figurave, Faik Konices dhe Pablo Pikasos, me te cilin autori sapo ishte njohur. Gjithashtu, leterkembimi nxjerr edhe ndonje mosmarreveshje, qe keto dy personazhe, sa te talentuara aq edhe kontradiktore, kane pasur me njeri-tjetrin. Flitet per nje shkrim, "Skice per nje metode, qe t'i dalesh te duartrokitesh nga borgjezet", qe Konica i kishte derguar Apolinerit per ta botuar ne revisten qe drejtonte vete, "Festin D'Esope". Por shkrimi botohet i masakruar. Dhe, atehere, duke ruajtur tonet e miqesise, Konica shperthen ne nje leter derguar ne janar 1904: "Sinqerisht nuk prisja te sakatohej kaq keq ky shkrim i mjere. Sigurisht qe shkrimi mund te mos ju kete pelqyer dhe nuk ju qortoj, por atehere nuk botohet. Ja qe keshtu veprohet dhe keshtu bej une ne revisten time... Sigurisht, nga kjo ndodhi e pakendshme, nxjerr mesimin te mos ju shqetesoj me me shkrimin tim, por nga ana tjeter, miqesia ime nuk eshte fashitur aspak".

Nga sa dihet deri me tani, korrespondenca miqesore e Faik Konices me Apolinerin, u nderpre pas nje letre te fundit qe i erdhi me 1913 nga Cikago:

"E dergonte njefare Beniamin De Casseres. Por, shkrimi mbi zarf nuk me la asnje dyshim. Ishte pikerisht shkrimi i Faik bej Konices, i imet, me forma te mira, me a-te te ngjashme me ato te shtypshkronjes dhe qe qene kopjuar nga shkrimi i Petrarkes.

E hapa letren. Ajo ngerthente nje lloj prospektusi, te botuar ne dy faqe, ne anglisht me titullin "Prelude", dhe kushtuar "te gjithe atyre qe perzuri egoizmi im militant". Eshte nje lloj poezie ne proze, mbushur me fraza filozofike dhe imazhe biblike, ku permenden Beethoveni, Geteja, etj. Kjo lamtumire e vecante, qe Faik Bej Konica u dergonte atyre qe ka njohur dhe me te cilet ka keputur te gjitha lidhjet e miqesise, nuk me le me asnje shprese ta shoh perseri". Ata nuk u pane me. Konica u end nje kohe te gjate mes Shqiperise dhe Evropes, per t'u vendosur me pas ne SHBA. Ai do te drejtonte aty "Vatren", do te behej ambasadori i Mbretit Zog dhe ndahet me 1942 nga kjo bote me nje amanet: Qe eshtrat t'i kthehen ne Shqiperi. Miku i tij francez ishte larguar nga kjo jete qe me pare. Pasi kishte botuar dy vellime me poezi, pasi ishte martuar duke pasur per deshmitar Pablo Pikaso-n dhe pasi nje grip i rende, qe kishte rene ne Paris me 1918, e shpuri pa kthim drejt Pere Lashaise. Nga kontaktet e tij me Konicen , ai la rreth dhjete shkrime. Ndersa, per cudi, tek Konica nuk gjendet asnje shenje e njohjes se tij me poetin e famshem. Valle, nje rastesi? Apo thjeshte, sic thote Kadare, "nje vetepermbajtje apo trill shqiptari, nga ata qe, sado qe perpiqesh, nuk i shpjegon dot"?.

__________________
 
Faik Konica - shkrim per te

Kush Ishte Faik Konica
Nje profil i shkrimtarit dhe botuesit shqiptar nga pena e famshme e Apolinerit​

Nga njerezit, qe kam njohur dhe te cilet i kujtoj me me shume kenaqesi, Faik Konica eshte nje nga me te vecantet. Eshte lindur ne Shqiperi para dyzet vjetesh, ne nje familje qe i ka qendruar besnike kultit katolik. Ky shqiptar u edukua ne France dhe rreth moshes njezetvjecare, ishte kaq i devotshem sa donte te futej si rishtar ne Grande-Chartreuse. Por nderkaq, kjo nuk ndodhi dhe pak nga pak, feja e tij u kthye jo ne shperfillje, por ne nje lloj antiklerikalizmi te vendosur, qe te kujtonte ate te Merimese. Vazhdoi studimet, por meqe kish shume te theksuar ndjenjen e dashurise per atdheun e vet shqiptar, kur u kthye ne Turqi, shestoi dhe sipas te dhenave te tij, u denua dy here me vdekje ne mungese. Erdhi perseri ne kete France, te ciles i njihte ne menyre te admirueshme gjuhen dhe letersine, dhe u lidh me te gjithe ata qe merreshin me Shqiperine. Megjithate, liria qe gezojne ketu, nuk i'u duk e mjaftueshme. Shkoi dhe u vendos ne Bruksel, ne rrugen "Shqiperia", per te themeluar aty nje reviste dijetare "Albania", ku merrej me politike, por edhe me shume me letersi, me histori, me filologji. E gjalleroi keshtu shume levizjen per gjuhen shqiptare; duke e pastruar gjuhen shqipe nga fjalet e papershtatshme ose parazite, qe kishin hyre ne te. Ne pak vite, e beri ate, nga nje e folme mejhanesh marinaresh, ne gjuhe te bukur, te pasur dhe te zhdervjellet.

Megjithate, liria si kuptohet ne Bruksel, nuk i pelqente me shume se ajo qe kemi ne Paris. Pati madje nje here pune ne rruge me nje polic. E pyeti: "Kombesia? - Jam nga Shqiperia. - Ku banoni? - Ne rrugen "Shqiperia". - C'pune beni? - Drejtoj "Shqiperine" (Albanian). - Ta dish, me duket se kesaj here po tallesh me mua. - tha polici. Dhe memedhetarit shqiptar i'u desh ta kalonte naten ne rajon.

I neveritur nga Brukseli, Faik bej Konica u nis per ne Londer. Braktisi shtypshkronjen e vet qe perdorte vetem shkronja plantiniene, ku pat kompozuar dhe botuar vete veperza, qe sot gjenden rralle. Kjo nuk zgjati shume, sepse punetori i vetem qe kishte i'a doli t'i beje te gjitha shkronjat pelte, te paperdorshme.

E njoha Faik bej Konicen me 1903, ne Londer. Banonte ne Oklej Kresent Siti Roud, E.C. S'e kisha pare ndonjehere me pare. Me pat ftuar ta kaloja disa dite tek ai dhe duhej te vinte te me merrte ne stacionin e trenit. Duhej nje shenje, fale se ciles do ta njihja. U morem vesh, qe te mbante nje orkide, ne thilen e xhaketes. Treni im mberriti me shume vonese. Dhe ne peronin e stacionit Viktoria vura re se, te gjithe zoterinjte, qe ishin aty, kishin nga nje orkide ne thile. Si ta njihja shqiptarin tim? Zura nje talkie dhe mberrita tek ai ne castin qe shkonte te blinte orkidene.

Qendrimi im ne Londer qe shume i kendshem. Faik bej Konica ishte i dhene pas klarinetes, obojes dhe bririt anglez. Kishte ne sallonin e vet nje koleksion te vjeter te ketyre instrumenteve prej druri. Ne mengjes, duke pritur te hame, gjithmone me vonese, mikpritesi kendonte me hunde per mua melodi te vjetra dhe rrinte ndenjur, me sy te ulur, me pamje serioze, para pupitrit te vet.

Hanim mengjes shqiptarce, domethene pambarim. Njehere ne dy dite, kishte si embelsire crème renversee, qe une s'e shijoj fare. Kenaqej me te. Dhe te nesermen kishte blanc-manger (xhelatine e bere me qumesht, sheqer, bajame dhe pelte peshku), qe me pelqen sa me s'behet dhe qe ai nuk e hante.

Drekat zgjatnin kaq shume, sa nuk munda te vizitoj asnje muze te Londres, sepse ne mberrinim gjithmone ne castin kur mbylleshin dyert.

Megjithate, ne benim shetitje te gjata dhe fillova te kuptoj se c'mendje e holle dhe e ditur ishte Faik bej Konica.

Si thuajse gjithe shqiptaret e vertete, ishte pak me huqe, megjithate, isha kaq i prekur nga miqesia qe tregonte per mua, saqe nuk e vija re fare, qe e tepronte.

Huqet e tij shfaqeshin ne menyren me te cuditshme. Nese rastiste qe te hynte ne ndonje shitore per te blere dicka, dilte andej me friken se mos shitesi e ndiqte nga pas e i thoshte se e kish vjedhur: "Dhe me te vertete, shtonte ai, si do ta provoja qe s'e kam vjedhur?"

Kur e pashe ne Londer, Faik bej Konica sapo e kish ndryshuar biblioteken e vet; pat shitur te gjithe librat e vet per te blere nga ato botime angleze, ku teksti eshte shtypur me shkronja kaq te vockela saqe duhet nje thierze per t'i lexuar. Pat bere kesisoj nje goxha biblioteke, qe futej e tera ne nje dollap te vogel.

Nga librat e vet te vjeter nuk pat ruajtur gje tjeter vec fjalorit te Bejlit, te cilin e mbante per mjeshtrin e vet, si dhe fjalorin e Darmesteterit.

Adhurimin me te madh letrar e kishte per zoterine Remi de Grumon dhe u tregua shume mirenjohes kur, me vone, i dergova nje portret te mjeshtrit, qe munda ta gjej.

Faik bej Konica, si Bejli tjeter, ka pasur gjithmone manine e pseudonimeve. I nderron shpesh. Ne kohen kur e njoha, donte ta quanin Thrank-Spirobeg, sipas emrit te heroit te nje romani historik te Leon Kahenit, qe eshte nje lloj kryevepre dhe vepra me e mire e frymezuar nga historia civile e shqiptareve. Po kur e pa, qe shtypshkruesit e shkruanin gjithmone pseudonimin e tij: Thrank-Spirobeg, Faik bej Konica vendosi qe te nenshkruaje keshtu.

Kjo nuk zgjati vec dy a tri vite; mori nje tjeter pseudonim, me te cilin nenshkroi nje veper shume te pasur, te shkruar shume mire, qe ka titullin "Sprove permbi gjuhet e sendergjuara", nga Pyrrhus Bardyli.

Edhe nje here tjeter kalova ca kohe ne Londer te Faik bej Konica, qe ishte martuar dhe qe banonte ne Shingford. Ishte pranvere, shetitnim ne fushe dhe kalonim ore te tera duke pare ata qe luanin golf...

Pak kohe para se te mberrija une, Faik bej Konica kishte kerkuar t'i blejne pula te gjalla qe te kishte veze te fresketa, por kur i kishim, ishte e pamundur t'i hanim. Dhe me te vertete, si mund te hahen vezet e pulave qe i njeh, qe i ushqen vete?

Pulat nuk vonuan t'i hanin vete vezet e tyre dhe kjo e llahtarisi deri ne ate pike Faik bej Konicen, sa t'i shihte nga tmerri te gjorat shpese, pa guxuar kurre me t'i lere te dalin nga qymezi i tyre i vogel, ku shqyen njera-tjetren, vec njeres qe, duke qene se doli fitimtare, jetoi edhe ca ne vetmi. E pashe pikerisht aty. Ishte bere e eger dhe e cmendur. Meqe ishte e zeze dhe ishte tretur, duke qene se kishte humbur puplat, ishte shnderruar ne nje lloj miu gjirizash.

Faik bej Konica botonte "Albanian" me shume kujdesje. Ne syprine te revistes kishte, emblemen e mbreterise se ardhshme te Shqiperise, te vizatuar nga nje skulptor francez me talent, emrin e te cilit e kam harruar dhe qe vdiq para ca vitesh ne rrethinat e Nju-Jorkut, nga qe ra baloni me te cilin fluturonte. Megjithate, kujdesja qe Faik bej Konica i kushtonte hartimit te artikujve te vet dhe ngadalesia e tij karakteristike, beheshin shkak qe revista e tij te dilte gjithmone me shume vonese.

Me 1904, nuk dolen vecse numrat e 1902-shit. Dhe me 1907, dilnin rregullisht numrat e 1904-es.

Vetem revista franceze L'Occident do te mund te hahej ne kete pike me Albania-n.

Kur plasi Revolucioni turk, Faik Bej Konica mendoi te kthehej ne atdhe. Por ngjarjet nuk rrodhen aspak si deshironte ai. Dhe u nis papritmas ne Amerike, ne nje kohe qe nxitej revolta ne Shqiperi.

Me shkroi edhe njehere te fundit para se te nisej, mandej as qe u ndie fare. E dija qe kishte ne Amerike nje koloni te rendesishme dhe te pasur shqiptaresh. Mendoja se ajo e kish pritur me nderime, gjalleruesin e gjuhes shqipe. Me vinte keq, qe nuk me mbante ne dijeni te aventurave te veta, kur, vitin qe kaloi gjeta krejt rastesisht te nje librashites, numrin e pare te nje botimi me titull "Trumpeta e Krujes", qe ka pas qene kryeqytet i Skenderbeut. Pashe aty se Faik bej Konica jetonte ne Shen Lui, ne Misuri, dhe se pat hequr dore nga te shkruarit frengjisht, te cilen e njihte shume mire, per te perdorur anglishten, qe e fliste shume keq.

I shkrova ne Shen Lui, por s'mora pergjigje fare. Kur keto ditet e fundit, nje leter e ardhur nga Cikagoja, me kujtoi shqiptarin tim. E dergonte nje fare Beniamin De Casseres (ne nje fjale te vetme me dy shkronja te medha). Por, shkrimi mbi zarf nuk me la asnje dyshim. Ishte pikerisht shkrimi i Faik bej Konices, i imet, me forma te mira, me a-te te ngjashme me ato te shtypshkronjes dhe qe qene kopjuar nga shkrimi i Petrarkes.

E hapa letren. Ajo ngerthente nje lloj prospektusi, te botuar ne dy faqe, ne anglisht me titullin "Prelude", dhe u ishte kushtuar "te gjithe atyre qe perzuri egoizmi im militant". Eshte nje lloj poezie ne proze, mbushur me fraza filozofike dhe imazhe biblike, ku permenden Beethoveni, Geteja, etj. Kjo lamtumire e vecante, qe Faik Bej Konica u dergonte atyre qe ka njohur dhe me te cilet ka keputur te gjitha lidhjet e miqesise, nuk me le me asnje shprese ta shoh perseri.

Hoqi dore nga Evropa, nuk boton me "Trumpeta e Krujes", ndoshta as Shqiperia vete nuk ben pjese ne preokupimet e veta. Dhe, ky pasardhes i bashkeluftetareve te Gjergj Kastriotit, shetit tani midis afaristeve te Miciganit melankoline, vesvesllekun e vet te mergimtarit dhe, pa kurrfare pike dyshimi, te kater vellimet e fjalorit te Bejlit.

Kronike, botuar ne "La Vie Anecdotique", me maj 1912.
 
Faik Konica - interviste stërmbesës

Flet mbesa

Shtëpia e Faik Konicës të kthehet në muze


Laureta Rryçi


Ajo ndihet krenare që në gjenet e saj rrjedh gjak konicioti dhe nuk resht së përmenduri se është stërmbesa e të madhit Faik Konica. E njëjta arsye i ka dhënë dhe forcë për të bërë gjithçka për figurën e Konicës. Alma, bashkë me motrën e saj, si dy trashëgimtare të vetme kanë menduar se shtëpia ku u lindën dhe u rritën të parët e tyre që ndodhet në Konicë, duhet të kthehet në muze. “Gjithkush që njeh Faik Konicën ka të drejtë të mësojë dhe të shohë vendin ku ai ka lindur”, shprehet në një intervistë për “Tirana Observer”, Alma Konica.

Si një ndër trashëgimtaret e vetme të eruditit Faik Konica, çfarë keni bërë për këtë figurë?

Unë kam kohë që mendoj për shtëpinë-muze bashkë me time motër, se është kollaj të thuash që kam një pronë në Greqi, apo kam një pronë diku tjetër. Koniciotët gjithë jetën i janë kushtuar vendit, ata pa përjashtim të gjithë bagazhin intelektual dhe bagazhin financiar ia dedikuan Shqipërisë dhe në fund ngelën me xhepa bosh. Madje, Faiku ju dedikua aq shumë sa nuk u martua, duke mos krijuar familje e gjithë jetën e tij ia kushtoi shkrimit, sepse ai qe shpata e tij. Ne menduam se shtëpia që është në Konicë duhet të kthehet në muze, sepse vetëm kështu mund të marri vlerat që i takon.

E ke vizituar shtëpinë dhe si është ajo?

Unë kam mundur të shkoj vetëm një herë, por e mbaj mend mirë banesën ku jetuan të parët e mi. Shtëpitë janë si shtëpi elbasanllie, njëkatëshe dhe kanë shumë dhoma, kanë dhe shumë bahçe. Në vizitën që bëra në Konicë nuk munda të shoh shtëpinë tjetër, atë që ndodhet në Janinë. Megjithatë duhet financuar për ta bërë atë muze, por fillimisht duhet të bëhet publike që Faik Konica ka një shtëpi në Konicë, që besoj se një pjesë e dinë dhe do të bëhet muze. Kam përshtypjen se po t’u kërkoj të gjithë shqiptarëve, qoftë në Shqipëri, qoftë në diasporë për të financuar sado pak për rregullimin e shtëpisë që do të kthehet muze, ma merr mëndja se të gjithë do të jenë të gatshëm për të financuar, pasi nuk do jetë vlerë vetëm për koniciotët, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

A gjenden orendi të vjetra në shtëpi?

Jo. Shtëpia është vetëm godinë, grekët e kanë mbajtur në gjendje të mirë. Feja që ishte në atë zonë nuk ndikoi për shkatërrimin e banesave apo provave dhe për rrjedhojë shtëpitë kanë mbetur të paprekura.

Aktualisht keni dorëzuar një kërkesë zyrtare në institucionet shtetërore?

Unë kam vajtur një herë në Ministrinë e Jashtme, por nuk kam mundur dot ta gjej ministrin Besnik Mustafaj. Më duhet të kontaktoj patjetër me të, në mënyrë që t’i rrëfej dëshirën time dhe të motrës. Gjithsesi jam koshiente që kjo është një projekt dhe për ta realizuar duhet pak punë dhe kohë. Unë duhet të shkoj një herë në Greqi. Mirëpo, para se të ndërmarr këtë udhëtim, dua të di qëndrimin zyrtar të qeverisë aktuale për këtë ide, në mënyrë që kur të kontaktoj me autoritetet greke të kem ide dhe rrugëzgjidhje konkrete. Nëse shtëpia do të kthehet në muze, mendoj se do të jetë një pasuri kulturore që do të mbetet dhe çdo shqiptar ose grek që do të kalojë do t’i shijojë vlerat kulturore. Faiku ka qenë një figurë e madhe me përmasa të jashtëzakonshme, që nuk është njohur vetëm në Shqipëri, por është njohur në të tërë botën. Mendoj se të gjithë ato që e admirojnë Faikun në të tërë botën, kanë të drejtë të shikojnë vendin ku ka lindur.

Nëse kjo kërkesë do të pranohet, çfarë mendoni se do t’i shtoni shtëpisë përveç godinës?

Do të bëj një kërkesë për të shkuar në Amerikë dhe për të marrë gjërat personale që ka lënë ai, të cilat janë në Boston. Bëhet fjalë për disa gjëra personale, si veshje dhe pipat që përdorte për të pirë duhan. Më kanë treguar se ndodhet një baule, të cilën ai e përdorte dhe në të janë sende personale të tij. Këtë e kam marrë vesh nga shoqata “Vatra” në vitin 1995, ku u sollën eshtrat e Faikut në Shqipëri. Më pas do të rregulloj shumë foto për t’i vendosur në shtëpi, kur të kthehet në muze.

Krijimtaria artistike

“Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”
”Katër përralla nga Zullulandi”
“Shqipëria si m’u duk…”
“Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”
“Kandili i kuq”
“Nën hijen e hurmave”
“Jeta dhe librat”
“Urika”
“Në dritë të hënës”
“Ai që ishte gati të vdesë për Shqipërinë”
“E bija e mbretit dhe trëndafilat”
“I urti i malit”
“Gjuha jonë”
“Flamuri”
“Kushtrimi ose Marsejeza e shqiptarëve”
“Anadollaku”
“Helena e Trojës”
“Një liqen”
“Anës liqenit”
“Bora”
“Malli i mëmëdheut”

Biografia e Faik Konicës

Emri: Faik
Mbiemri: Konica
Vendlindja: Konicë (fshat shqiptar në Greqi)
Data e lindjes: 15 mars 1875
Arsimimi: Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për Filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Diplomohet për Letërsi në Universitetin e Harvardit të SHBA-së në vitin 1912

Veprimtaria: Në vitin 1895 vendoset në Bruksel ku nxjerr revistën “Albania”
Në vitin 1909 zhvendoset në Amerikë

Me themelimin e shoqatës “Vatra”, në vitin 1912 emërohet sekretar i përgjithshëm i saj

Më 1923-shin zgjidhet kryetar në Kongresin e Triestes, ku do të flitej për copëtimin e kufijve shqiptarë

Në vitin 1920 emërohet nga mbreti Zog ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA

Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i shoqatës “Vatra”

Vdiq në Uashington, më 14 dhjetor 1942
 
Faik Konica - 131 - vjetori i lindjes

Me rastin e 131-vjetorit të lindjes


KONICA: Përfaqësues i shquar i lëvizjes politike dhe kulturore


Faik Konica, në 131-vjetorin e lindjes së tij (15 Mars 1875) përkujtohet si një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike dhe kulturore shqiptare. Publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik, ai gjatë të gjithë veprimtarisë së tij, la gjurmë të gjithanshme e të thella në lëvizjen kombëtare, politike, ideore dhe kulturore shqiptare.

Sipas As.Prof. Fatmira Rama, njohja e veprës shumëplaneshe të Konicës, i ngjan një ajsbergu, të cilit mund t'i shohim vetem majën, pa ditur se çfarë fshihet nën ujë. Gjatë viteve 1925-1939 Konica shpalosi një publicistikë pjellore dhe ekspresive, duke iu kushtuar kryesisht kritikës politike dhe shoqërore. Me veprimtarinë e tij, Ai iu përkushtua sa lëvizjes kombëtare po aq dhe i lëvizjes demokratike për një qytetërim perëndimor të Shqipërisë. Si i tillë Konica mund të kuptohej dhe interpretohej drejt vetëm në klimën e një shoqërie pluraliste. Eshtë edhe kjo një nga arsyet e interesimit të thellë që ka ngjallur vepra e Konicës në ditët e sotme.

Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, ku Faik Konica dha kontributin e tij ai do të paraqiste një alternativë të caktuar të zhvillimeve të ardhshme demokratike në vend. Kështu, Konica rrugën e zhvillimit demokratik e pa në alternativën e shndërrimeve, të reformave të njëpasnjëshme, në kuadrin e rritjes së pjekurisë politike të popullit shqiptar dhe të klasës drejtuese të tij. Ai ishte i bindur se reformat duhej të ishin në kufirin e liberalizmës, se i vetmi shpëtim i kombit tonë ishte zhvillimi i tij "për më tepër kuptim politik, më tepër dashuri për punë e rregull, më tepër butësi e bashkim".

Duke shpalosur domosdoshmërinë e shkëmbimeve të mendimeve midis palëve kundërshtare, Konica lëshoi thirrjen: "Janë ca raste historike kur zëri i partive dhe i kundërshtimeve duhet të pushojë përpara një interesi më të lartë". Konica si ministër i shtetit shqiptar në SHBA ruajti autoritetin e këtij shteti, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga shikimi kritik i realitetit të vendit të viteve 1925-1939. Ai goditi metodat për vendosjen e kontrollit të regjimit zogist në vend, burokracinë aq të dukshme, spekullimet e nëpunësve, gazetarët dhe redaktorët që i shërbenin parasë dhe jo idealeve demokratikeNjë kritikë e tillë gjen vend në shkrimin "Shqipëria si m'u duk" botuar tek "Dielli" 1929.

Roli i Konicës duhet parë edhe si pasurues i kulturës kombëtare, si pubicist, si gjuhëtar e letrar, si historian, etnograf etj. Si historian ai do të sillte ndihmesa të reja në pasurimin e tezave të autoktonisë së shqiptarëve, të trashëgimisë ilire të popullit tonë, të traditës së tij shtetformuese, të rolit të epopesë skënderbejane etj. Si "princi i gjuhës shqipe", ai do jepte ndihmesë të madhe edhe në formimin e gjuhës letrare shqipe. Por është pikërisht problemi kombëtar që ndikoi në parashtrimin prej tij të alternativave të veçanta për ecurinë dhe rrugët e zhvillimeve demokratike në Shqipëri në këto vite. Duke qenë shtet i gjymtuar përsa i përket tërësisë territoriale, Konica besonte se shqiptarët nuk e kishin atë liri që të provonin, që të bënin ndryshime për shkak të rrezikut të madh të jashtëm.

Në vitet 1925-1939 ai do i kushtonte përsëri vëmëndje çështjes së feve dhe klerit në Shqipëri, raporteve të tyre me shtetin dhe rolin e tyre si fe dhe jo si"axhensi politike. "Me vlerë të posaçme është vlerësimi që i bën ai rolit të shqiptarëve katolikë në lëvizjen kombëtare shqiptare. Bashkëkohësit e Konicës, miq dhe kundërshtare, do ta vlerësonin lart personalitetin për potencialin dhe rrezatimin e tij në kulturën shqiptare.

Në lëmin e krijmtarisë së mirëfilltë letrare penës së Faik Konicës i përkasin disa proza poetike, të cilat karakterizohen nga kulti i formës së kulluar artistike. Por vepra letrare artistike më e rëndësishme është novela "Doktor Gjelpëra që zbulon rrënjet e dramës së Mamurrasit" botuar si nënflete në gazetën "Dielli". Në të kritikoi prapambetjen e jetës shoqërore dhe shpirtërore të vendit. Faik Konica ishte gjithashtu një nga nismëtarët e kritikës letrare. Ai vuri në dukje përparimin e poezisë shqiptare në veprën e Naimit dhe të De Radës, çmoi Asdrenin, Çajupin etj. Faik Konica la edhe përkthime mes të cilave disa përralla nga "Njëmijë e një netë" që u botuan në librin "Nën hijen e hurmave".
 
Faik Konica - 131 - vjetori i lindjes

Në 130 vjetorin e lindjes së F. Konicës (1876-2006)

Dimensioni oksidental i Faik Konicës



Prof. Nasho Jorgaqi

-1-
Në 130 vjetorin e lindjes së Faik Konicës, ne shqiptarët nuk kemi se si të mos kthejmë sytë me nderim e mirënjohje të thellë nga figura e tij, e shndërruar tanimë në një nga monumentet e historisë sonë kombëtare. Dhe kur kujtojmë Konicën, kemi parasysh jo vetëm shkrimtarin dhe publicistin, kritikun letrar dhe eseistin, përkthyesin dhe enciklopedistin, mjeshtrin e madh të gjuhës shqipe, por dhe një nga etrit e artit e kulturës sonë moderne, intelektualin dhe krijuesin e parë shqiptar të afiniteteve dhe dimensioneve evropiane. Është fakt se megjithë kundërthëniet dhe zikzaket e jetës së tij politike, emancipimi ynë kombëtar do t’i detyrohet në një shkallë të ndjeshme rolit dhe veprës së tij. Ky emancipim, do të ketë të bëjë në rradhë të parë me letërsinë, me frymëmarrjen e fjalës shqipe, po vështruar më gjerë me mendimin shqiptar, me nordin evropian të shoqërisë sonë, me ato ura komunkimi që ai hodhi mes Shqipërisë dhe botës së përparuar. Konica synoi dhe punoi tërë jetën, që atdheu i tij, duke qenë gjeografikisht pjesë e pandarë e Evropës, të ndjehej si ajo, të mendonte e të punonte në shembullin e saj, sadoqë realiteti i kohës nuk i jepte shkas për optimizëm. Kjo shpjegon pakënaqësinë e tij të vazhdueshme, zemërimin e hidhur që i zgjonin dukuritë negative në jetën shoqërore e shpirtrore të bashkatdhetarëve; kjo përligj në të shumtën e rasteve edhe satirën dhe sarkazmën e tij të pamëshirshme, që ua kundërvë mendimeve, mendësive dhe praktikave të mbrapshta, anakronike dhe primitive që pengonin e ngadalsonin progresin dhe emancipimin e kombit. Në këtë kuptim Konica do të dallonte nga rilindësit e tjerë, të cilët duke pohuar dhe lartësuar vlerat e shqiptarëve, do të bëheshin edukatorë dhe mësues të tyre. Ndryshe nga ata, ai mori përsipër një mision më të rëndë, atë të kritikut dhe të oponentit, që duke mos harruar vlerat, të evidentonte dhe stigmatizonte të metat dhe cenet e tyre, të mohonte e të tallte çdo gjë të keqe individuale, krahinore e kombëtare të bashkatdhetarëve, në emër të një ideali emancipues e human që i kalonte kufijt’ e kohës dhe të vendit të tij. Lartësia nga e cila vështronte dhe aspironte Konica ishte e një kuote evropiane. Sigurisht kjo pozitë e veçantë, si dhe natyra e tij e vështirë, temperamenti egocentrik, sado ndërlikime që i sollën personalitetit të tij nuk e errësuan kurrësesi këtë figurë emblematike, që e begatoi, larmoi dhe lartësoi universin tonë kombëtar.

-2-
Faik Konica, la pas një trashigimi të pasur dhe të gjithanshme, por të shpërndarë në kohë e vende të ndryshme, për të cilën dhe sot e kësaj dite është vështirë të bëhet një bilanc i plotë e i saktë. Ajo i ngjan një miniere, që pas çdo hulumtimi nëpër arkiva e biblioteka, i vë studiuesit e tij para zbulimesh dhe befasive nga më të çuditshmet e më fatlume. Dëshmi për këtë janë dhe dy shkrime të panjohura që po ia paraqesim publikut me rastin e jubileut të ditëlindjes së tij. Është fjala për artikujt “Çështja shqiptare”, zbuluar në arkivin e Sofjes dhe “Për stërvitjen morale dhe sociale të popullit”, gjetur në arkivin e Kishës së Shën Gjergjit në Boston. I pari i takon vitit 1916, ndërsa i dyti vitit 1921, por sado të shkruar në kohë dhe situata të ndryshme kanë si emërues të përbashkët shqetësimin dhe angazhimin patriotik të autorit për fatin e Shqipërisë dhe mbarëvajtjen e shoqërisë shqiptare.
Artikulli “Çështja shqiptare”, shkruar në një frëngjishte elegante, në gjuhën e diplomacisë së kohës, është zëri i guximshëm i Konicës në kulmin e Luftës së parë botërore, kur ekzistenca e Shqipërisë vihet përsëri në rrezik nga fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha. Ai u bën apel shqiptarëve, e në rradhë të parë klasës së tyre politike, (por për dijeni dhe miqëve e armiqëve të Shqipërisë) për t’i dalë zot atdheut të tyre të rrezikuar seriozisht. Sipas tij, kur eksperienca e shtetit të parë shqiptar ka dështuar dhe të drejtat e patjetërsueshme të shqipatrëve kërcënohen nga fuqitë shoviniste e imperialiste dhe Shqipëria është kthyer në shesh lufte, detyra imperative e ditës është që strategjisë së armiqëve u duhet përgjigjur me një strategji shqiptare që të ruajë pas lufte ekzistencën e Shqipërisë dhe të sigurojë shtetin e saj të ardhshëm. Duke u ndodhur mes dy kampeve ndërluftuese, Konica është rradhitur në anën e Austrohungarisë, për shkak të rolit të saj vendimtar që luajti në krijimin e shtetit shqiptar më 1912 dhe të bashkëpunimit të tij të hershëm me të. Por në kushtet e reja të luftës, ai nuk pajtohet dhe i kundërvihet politikës djallëzore e fare të papritur të Vjenës, sipas së cilës ajo nuk ka besim tani në aftësitë vetqeverisëse të shqiptarëve. Konica e hedh poshtë pamëdyshje e me kurajo qëndrimin e ri zyrtar të aleates së tij të madhe duke i cilësuar pohime të tilla si gënjeshtra dhe shpifje cinike të fqinjëve ballkanikë dhe imperialistëve rusë e francezë, pa harruar dhe politikën aneksioniste të Italisë, që përbënte një kërcënim real.
Për këtë situatë, ai bën fajtor dhe lidershipin shqiptar të kohës dhe hedh akuza të rënda ndaj tyre me stilin e tij të ashpër, duke mos kursyer padrejtësisht dhe figura të shquara patriotike si I. Qemali. Por nuk është kjo kryesorja. Mesazhi i Konicës ngrihet mbi luftën brenda politikës shqiptare, kur kërkon besim në forcat e veta kombëtare dhe jo tek të huajt, qoftë kjo dhe Kurora e Habsburgëve, kur bën thirrje për aksione konkrete të shqiptarëve, kur lyp qëndrim realist dhe kurajoz. Sado i shqetësuar dhe i hidhur që tregohet, lideri ka bindje “në një përpjekje të pastër shqiptare dhe kërkon ringjalljen e shpirtit kombëtar, ngritjen e moralit të populit”.
Shkrimi i dytë “Për një stërvitje morale e sociale të popullit” është një farë përkujtese që Konica i dërgon “Vatrës” nga Roma në 10 maj 1921, para mbledhjes së Kuvendit të saj. Në Shqipëri në këtë kohë sapo është mbledhur Parlamenti i parë dhe shteti i ri shqiptar ka nisur të funksionojë rishtazi. Konica e ndjen për detyrë t’u japë bashkatdhetarëve disa mendime dhe këshilla për mbarëvajtjen e shoqërisë shqiptare. Tani në plan të parë kishin dalë problemet sociale e morale, edukimi qytetar i shqiptarëve, të cilin Konica e konsideronte si hallkën kryesore të progresit të vendit. Shqipëria nuk mund të dilte në rrugën e qytetërimit në qoftë se nuk ndiqte dhe zbatonte përvojën e vendeve demokratike të perëndimit. Për Konicën ky ishte imperativi i ditës, çështja më jetike e atdheut të tij. Shoqëria shqiptare duhet të shkëputej nga e kaluara e saj prapavajtëse, nga mendësitë dhe praktikat anadollake, nga psikologjia kriminale, nga mentalitetet mercenare, duke iu kthyer ligjit dhe punës, moralit të shëndoshë dhe qytetarisë. Ajo duhet të punonte përmes veprave dhe shembujve konkretë për të ndryshuar namin e keq që u kish dalë shqiptarëve si kriminelë, hajdutë, mercenarë. Bashkatdhetarët e tij duhet ta kapërcenin hendekun e prapambetjes së gjithanshme, të qytetëroheshin mendërisht, moralisht e fizikisht në qoftë se donin të evropianizoheshin. Shembujt që ai sjell nga prapambetja shqiptare janë tronditës. Kritik e ironik deri në sarkazëm, Konica tregohet i pamëshirshëm në stigmatizimin dhe demaskimin e dukurive negative si vrasja, pabesia, shpifja, vjedhja etj., që ndodhin në Shqipëri, por që nuk mungojnë dhe në mes shqiptarëve të Amerikës. Ndaj është një detyrë e madhe kombëtare, tepër e vështirë dhe afatgjatë puna e gjithanshme që duhet të ndërmarrë shteti, shoqëria, familja për të organizuar stërvitjen morale dhe sociale të shpirtit dhe karakterit të popullit. Në këtë rast Konica, sado i hidhur e i rreptë që tregohet, sadoqë pendën e ngjyen me gjezap (acid), siç thotë Noli, brenda tij rreh zemra e një atdhetari, që vuan dramën e popullit të vet, damkosjen e shqiptarëve nga bota, ku kanë gisht armiqt’ e tyre dhe mendon për vizione të reja që do të sjellin qytetërimin e Shqipërisë. Në rradhë të parë, ai u drejtohet vateranëve që jetojnë e punojnë në atdheun e qytetërimit e të demokracisë, me synimin që ata të bëhen frymëzues dhe shëmbëlltyrë për shoqërinë shqiptare.
Pavarësisht se këto mendime janë shprehur plot 85 vjet më parë, ato dhe sot kanë një tingëllim aktual dhe na bëjnë ta ndjejmë Faik Konicën si bashkëkohës dhe qytetar të Evropës.

Tirana-Observer.
 
Faik Konica - shkrime per te


Çështja shqiptare

Paraqitje e shkurtër

Serbia prej shumë kohësh është dërrmuar. Mali i Zi i kapitulluar. Anglo-Francezët të dëbuar nga Dardanelet, presin goditjen e fundit në Selanik. Katërshja Aleate, fitimtare në të gjitha fushat e betejës, është në pikën e triumfit përfundimtar në Ballkan. Ushtritë austro-hungareze dhe bullgare tashmë kanë hyrë në Shqipëri dhe së shpejti çëshja shqiptare do të shtrohet sërish, por këtë herë do të jetë më e thjeshtë, nga fakti se fitimtarët e sotëm janë të bashkuar, kanë të njëjta interesa dhe të gjithë dëshirojnë një zgjidhje të natyrshme, që do t’iu ofrojë garancitë e stabilitetit dhe të kohëzgjatjes.
Është e vërtetë, se opinioni i Katër Fuqive fitimtare, mbi të ardhmen e Shqipërisë për ne është i panjohur, por ne hamendësojmë se në princip ato janë të favorshme për çështjen e pavarësisë sonë. Nëse Gjermania herë, herë dukej indiferente ose armiqësore;nëse vetë Austria, e cila megjithëse pak kohë më parë pranoi të bëj gjthë ato sakrifica qe të triumfonte programi i një Shqipërie të lirë, tani duket sikur po heziton dhe ka ndërruar mendim: qëndrimi i saj nuk inspiron motive egoiste, por më shumë mendimin që populli shqiptar ka provuar paaftësinë për të qeverisur vetëm. Mirëpo sipas nesh, ky mendim nuk është aspak i hedhur mbi baza të thella dhe solide:
1.Serbët, grekët, malazezët, dhe vetë francezët e rusët, nuk e kanë fshehur kurrë, madje në raste të veçanta e kanë pohuar me cinizëm pikësynimin e tyre, për të ndërhyrë,për të dështuar ngritjen e një qeverie shqiptare. Ata kanë bërë gjithçka për t’ia arritur qëllimit të tyre.Mirëpo,krimi, agjentët provokatorë, krijuan qe në fillim çrregullim në vend. Italia, që u rendit gjithashtu së fundëmi në krah të armiqëve tanë, e thelloi anarkinë materiale dhe morale të Shqipërisë. Një vend i qytetëruar, i pasur dhe i organizuar, do të kish mundur të triumfonte nga ky sulm kobzi dhe intrigant sistematik. A do të ishte e drejtë të përpiqeshim të pritnim virtytin qytetar nga ana e popullit të varfër dhe primitiv shqiptar?- Miqtë, të cilët kishin mbrojtur ekzistencën e saj,a e kishin marrë seriozisht rrezikun që ta përkrahnin dhe ta udhëhiqnin në hapat e saj të parë në rrugën e pavarësisë?
2.Shqipëria ra që në fillim në duart e gjashtë burrave, më të korruptuarit, më të poshtrit dhe më të diskretituarit në vend: Ismail Qemali, Syrja bej Vlora, Myfit bej, Esat Pasha, Bib Doda, Filip Noga. E kaluara e tyre prej tradhëtarësh dhe zogjsh tregtarë,nuk është nevoja të tregohet, sepse ajo është shumë e njohur, sidomos në Kostandinopojë. Fuqitë mbrojtëse nuk bënë asgjë (përjashto rastin e parë dhe përveç kësaj më vonë) për të çliruar Shqipërinë nga kjo katastrofë, të gjithë të caktuar për të qenë bashkëpunëtorë të fshehtë të armiqëve tanë. Ç’farë mund të them? Larg së gjeturi opozitë, ata në mënyrë naive ishin mbështetur, dhe u hodhën në krahët e princit.
3.Princ Vidi, njeriu i botës së përkryer, dukej se ishte zgjedhur dhe përgatitur nga Italia për shkak të mungesës së eksperiencës së tij dhe që nuk i pëlqenin punët e Shtetit. Ai ishte njeriu i gjetur për një vend, ku bëhet fjalë jo për të mbretëruar,por për të qeverisur, për të organizuar dhe për ta vënë në punë.
Ja disa arsye që dëshmojnë se përvoja e shtetit shqiptar ka dështuar, sepse ajo është bërë në kushte jashtëzakonisht të këqija e fatale. A do të donin ata, të tentonin akoma edhe një herë ta bënin në kushte më të favorshme? Shqiptarët nuk besojnë vetëm në drejtësinë e Katër Fuqive fitimtare të luftës botërore, por veçanërisht në identitetin e interesave të Turqisë, të Bullgarisë dhe të një Shqipërie të lirë dhe të fortë.
1.Nga ky komunitet interesash ne na duket se Turqia dhe Bullgaria janë të prirura të pengojnë zmadhimin e Greqisë,megalomania e së cilës do të jetë gjthnjë një rrezik për paqen.Ajo sheh në Shqipëri një terren të ri,të rekrutimit për ushtritë e saj të ardhshme.
2.Turqia dhe Bullgaria janë të interesuara të pengojnë vendosjen definitive të Italisë në Vlorë.Në rrethet politike të Romës, kurrë nuk janë fshehur qëllimet ambicioze të Italisë për Ballkanin. Pushtimi përmes tokave shqiptare, do të jetë fillimi i vënies në veprim të këtij programi imperialist. Italia dërgon çdo vit në Amerikë një milion emigrantë; një pjesë e këtij emigracioni do të derdhet që sot e tutje në Ballkan,nga rruga e Shqipërisë. (Një nga shkaqet e prishjes së Italisë me princ Vidin dhe ky i fundit, i shtyrë nga ana jonë,është se refuzoi të shpalli një ligj që autorizon shitjen e terrenit për t’u vendosur emigrantët italianë). Asnjeri nuk mund ta konkurojë Italinë me punëtorë të zellshëm, seriozë dhe ekonomiqarë, të cilët kënaqen me rrogën qesharake, familjarë me shumë fëmijë, me një fjalë të pakrahasueshëm për sa i përket kolonizimit dhe ndërhyrjeve paqësore.Mbas 25-vjetësh, italianët do të bëhen një kërcënim serioz për pavarsinë e Ballkanit.
3.-Një Shqipëri e bashkuar, ku përfshihen të gjithë territoret nga Veriu në Jug, që gjuha dhe natyra ia kanë caktuar. Ajo do të jetë akoma një Shqipëri modeste nga përmasat, por relativisht e fortë, e zonja të bëhet një element stabiliteti në Ballkan dhe të luajë një rol të dobishëm në sistemin e aleancave, ku Turqia dhe Bullgaria bëjnë gjithashtu pjesë duke lidhur me një linjë të pandërprerë, Bosforin dhe Detin e Zi me Adriatikun.
Nëse pikpamjet që ne parashtruam janë të drejta; nëse ashtu siç shpresojnë shqiptarët, Turqia dhe Bullgaria bashkojnë forcat e tyre me ato të Gjermanisë dhe të Austro-Hungarisë, për të fituar nga kongresi i ardhshëm i paqes njohjen e një shteti shqiptar, ne e besojmë se edhe vetë Shqipëria, tani do të fillojë një punë përgatitore. Bëhet fjalë për atë, që jeta e kombit duhet të fillojë të lëviz. Ndryshe do të jetë, nëse aksioni çlirimtar i Katër Fuqive do të restaurohet në Shqipëri, liria e arritur do të rrezikojë të jetë para saj veç fantazmë e një populli. Shumë pushtime në pak se tre muaj, masakrat, shkatërrimet, zia e bukës, epidemitë, kanë akumulur dëme materiale dhe morale në vend. Të gjitha gjurmët e administratës janë zhdukur. Intelektualët, qoftë si numër i kufizuar , janë shpërndarë nga pak kudo, në të katër anët e botës, veçse jo në Shqipëri.Është e nevojshme të bashkohen këto forca të shpërndara, të grupohen dhe të bëhen të dobishme. Vetëm atëherë mund të thirret një asamble, ku do të lindë një qeveri provizore që duke pritur një administratë definitive, do të kultivojë në popull ndjenjën e rregullit, të autoritetit dhe të Shtetit. Një organ shtypi do të mbajë miqtë e Shqipërisë dhe vetë vendin në korent të këtyre përpjekjeve për kryengritje .
Por është e qartë që kjo punë përgatitore dhe komplekse, megjithëse në dukje e thjeshtë, nuk mund të organizohet dhe çohet deri në fund veçse nga një mbështetje serioze nga jashtë. Kush do fundin, duhet të vlerësojë mjetet. Ndryshe edhe në rastin kur ushtritë austro-hungareze edhe bullgare, do të dërgohen për të pushtuar gjithë Shqipërinë dhe kur çështja e administratës të jetë realizuar, atëherë gjithçka do të thjeshtohet. Ne besojmë se është e nevojshme një përpjekje e pastër për të rigjallëruar shpirtin kombëtar dhe për të ngritur moralin e popullit. Kështu me këtë përpjekje, do të bëhet e mundur të fitohet një titull nderi, që nuk do të humbas falë mirënjohjes sonë.

Sofie, 2/15 janar 1916

Përktheu Teuta Hoxha

Tirana-Observer.




Një shoqëri kriminale

Për stërvitjen morale dhe sociale të popullit



Po të më pyeste njeri ç’ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të më lutej të përgjigjesha mirë me katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, do t’i thosha: Popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel “Dekalogun” ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut.
Popuj të egër janë ata që nuk njohin asnjë rregull të këtillë.
I pesti urdhër i Dekalogut thotë: MOS VRIT!
Për të vënë këtë urdhër në veprim janë bërë kanunet, gjyqet, xhandarët, burgjet. Katër vegla, të cilat kurrë nuk mbeten të ndryshkura, por punojnë si duhet, janë shenjat e para të një populli të qytetëruar.
Do të më presë njeri fjalën a do të më thotë: Pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, nuk ka përditë vrasje, vjedhje dhe njëqind të liga të tjera?
Pëgjigjem: Pa dyshim ka dhe do të ketë kurdoherë. Këtë nuk e mohon njeri.Po vini re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të qytetëruara, krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; sicilido qe i ndih policisë që ta zërë. Edhe nëqoftëse keqëbërësi shpëton nga të mos paturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për të ftohur e për të larguar botën.
Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar, hapen që t’i bëjnë udhë kur ikën, e fshehin nga i vetethëni gjyq, në i’u tektë së vetëthënës policë të bëjë sikur e kërkon, edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm.Prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë. Kur i dëgjohet emri në një sallon a në rrugë, njerëzve u ngjethet mishi e u vjen ndot. Në qendra diturie, e shikojnë si një shpellë kafshësh të egëra ku nuk është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie.Në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull, i cili s’ka ditur gjë tjetër në më tepër se dymijë vjet, veçse të derdhë gjak dhe s’njeh tjetër zanat veç vrasjes.Të tilla fjalë janë thënë mijëra herë me gojë dhe me penë.
Për cilin vend, për cilin popull flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’iu them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, por në Evropë.
* * *
Kur nisa luftën time për çlirimin e Shqipërisë, njëzet e pesë vjet më parë, kujtoja, si shumë i ri që isha , se problemi ish vetëm një problem kombësie. Besoja se pa të arrinte të zgjohej plotësisht ndjenja e kombësisë në zemër të shqiptarëve, themelimi i Shqipërisë së lirë ish një punë e mbaruar, porsa të vinte rasti dhe pa dyshim rasti do të vinte një ditë.Kur m’u poq mendia, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar, ish një problem moral. Me të tjera fjalë, kuptova se ky popull që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjetër që t’i stërvitet e lartësohet karakteri, t’i zbutet e t’i pastrohet zemra. Dëshmimi i gënjeshtërt, shpifja dhe vjedhja kanë qënë kurdoherë buka e përditshme e çdo shqiptari “të ndershëm”, por më tepër se të gjitha kanë qënë pusia dhe vrasja.
Shikoni pak një fakt karakteristik dhe të tmerruar: Mblidhet në Lushnje një i vetëthënë “Kongres” për të zgjedhur një “Qeveri Kombëtare”, edhe s’gjen më të mirë se kryeministri Sulejman Delvina, një njeri i cili është anëtar i dorës së zezë xhon-turke dhe ka marrë një pjesë të njohur në vrasjen e përgjithshme të armenëve të mjerë në 1915-16.Sipas mendjes së këtyre patriotëve të “ndershëm”, të vetmit njerëz që mund t’a përfaqësojnë me vërtetësi Shqipërinë janë ata që i kanë duart të fëlliqura me gjak gjerë në sqetulla. Dhe ato gojë që qahen nga masakrat e Kosovës, gjithë ato gojë ftojnë një masakronjës të marrë kryesinë e qeverisë.
* * *
Unë mundohem që prej pesëmbedhjetë vjetësh t’i japë të kuptojë popullit se sa e shenjtëruar është jeta nga njëra anë dhe nga ana tjetër sa dëm i ka sjellë dhe do t’i sjellë Shqipërisë, emrin e saj si një fole katilësh.
Besoj se shumë shqiptarë në Amerikë mbajnë mend protestimet e mia të nxehta, të ashpra dhe shumë herë të përsëritura kur u vra despoti i Korçës (besoj 1906) dhe më 1912 kur u vra në Vlorë oficeri xhon-turk Niaziu. Nuk më hante malli mua për Fotin a për Niazinë, por urreja principin e vrasjes, edhe desha me atë rast t’i japë të kuptojë popullit tonë poshtërsinë dhe kafshërinë afrikane të pusisë.
Kur vajta në Amerikë më 1909, u nisa me mendimin të krijoj atje një qendër për stërvitjen morale dhe sociale të popullit tonë, që kur t’i jepej rasti i çlirimit, të ish gati për të kuptuar themelet dhe detyrat e një Shteti.Po të këndoni me kujdes kanunoren e vjetër të “Vatrës”, të shkruar që nga radha e parë e gjer tek e fundmja nga dora ime, do të shihni se s’është tjetër gjë veçse një plan për të stërvitur shpirtin dhe karakterin e popullit.
Në këtë pikë të artikullit, çdo këndonjës e ndjen që arritëm në kufij të fakteve edhe që duhet fjalëve t’u lëmë ”me shëndet”.Ja pra një fakt lakuriq megjithë shëmtimin e tij.
Kur u kthye nga Amerika, dy vjet më parë, Kol Tromora qëndrojë në Romë që të piqet me mua. Si zbrazi mirë e mirë thesarin e mendjes së tij dhe më nginji me këshilla, iu tek një ditë kur ishim në odën time të më japë një raport me gojë të punimeve që mbaroi Federata jonë në vjetët e fundit. Bashkë me të tjerat më mësoi edhe një vrasje sensacionale që qenka bërë në Amerikë me urdhër dhe me pagesë të “Vatrës”!
Më thotë kapedan Kola se rronte në Worcester një Morait me të shoqen korçare, me të vjehrrën dhe me një vajzë të vogël që kishin marrë nga një fshat të Korçës dhe nga muhamedane e kishin bërë të krishterë.”Vatra”, që të fitonte influencë ndër muhamedanët, dëshironte ta hiqte vajzën nga dora e Grekut dhe t’ua kthente njerëzve të saj. Po “Vatra” s’mejtojë as të zërë një avokat që t’a marrë vajzën me gjyq, as të përdorë shtypin amerikan për shpëtimin e saj.Ja “Vatra” zuri të vetmen udhë që dinë barbarët, vuri dhe e vranë Grekun.
Kol Tromara m’i rrëfente këto me një erë trimërie edhe priste pa dyshim të ngrihesha dhe t’i shtrëngoja dorën me entuziasëm dhe ta uroj për punën e bukur që bëri. Po s’u tunda nga vendi, s’më lëvisnë buzët, mbeta i dalldisur në mejtime. Ca minuta pastaj pyeta:” Atë vajzën e mundonte Greku?” “Për kundër – tha Kol Tromara,- e ushqente mirë, e vishte bukur, e rriste me kujdes”.
Gjeta një shkak që të ndahem nga brigandi, edhe si mbeta vetëm rashë në shtrat me ethet e dëshpërimit. Mejtohesha:”Themelohet një shoqëri për të stërvitur e për të qytetëruar popullin dhe mësimi që i jep popullit është të shkelë kanunet e popullit dhe të njerëzisë, të zërë pusi dhe të derdhë gjak. O fat tragjik që më ke bërë shok me vrasësit dhe brigandët, mua që mjë vjen keq të shtyp një mizë kur eci udhës!”
Edhe s’e dija si të sillem, të heqë maskat dhe të bërtas apo të hesht nga frika e shkandullit?...
* * *
Eshtë për të besuar që vrasja e Worcesterit s’është i vetmi delikt që ka bërë “Vatra”, edhe të tjera vrasje në Amerikë do t’a kenë burimin në Tremont Street.Kryetarët e degëve dhe anëtarët e Federatës jo vetëm s’kanë gisht në këto gjaqe e në këto turpe, po jam i sigurt që edhe i dënojnë me tërë forcën e shpirtit të tyre. Pa dyshim, në Kuvend të afërm do t’i shfaqin ndjenjat që kanë duke qëruar me themel jo vetëm hesapet materiale, po ca më tepër edhe hesapet morale.Duhet që faqezinjtë që shkelnë dhe shkelin kanunet e Amerikës mirëbërëse, të marrin një mësim të fort, duhet që puna e Worcesterit të dalë në shesh dhe fajtorët të jepen në duar të policisë.Duhet që të gjithë ata që dinin edhe mbyllnë sytë, të zbohen një herë e mirë me çnderim nga Federata.
Vatra që të rrojë e t’i bëjë shërbime të vërteta Shqipërisë, duhet të pastrohet nga çdo qelbësirë, edhe nga një “Black-Hand” (dora e zezë) ose “Gang of hooligans and murderes” (gangu i huliganëve dhe i vrasësve), që e kanë bërë njerëz pa shpirt e pa tru, të lartësohet e të bëhet një “League for the social and moral education of the people” (lidhje për edukimin moral dhe social të popullit)
Jam i bindur që Kuvendi i afërm do të ketë kurajon e lartë dhe patriotizmin e thellë t’a reformojë Vatrën që nga rrënja, duke marrë masat e nevojshme për të bashkuar të gjithë shqiptarët e Amerikës për nderin dhe përparimin e vendit.

Romë 10 Maj 1921

Tirana-Observer


Pasurinë nuk e bën karta: e bën puna


Faik Konica

Në këtë punë të “lekave” ka disa gjëra që s’jam i zoti t’i marr vesh as pakë. Fjala vjen, na thonë se, me të shtypur të “lekave”, Shteti do t’i afirmojë sovranitetin e tij faqe botës. Nga kjo kuptohet që, në mendje të Shqipëtarëve çdo Shtet duhet të ketë kart-monedhë, dhe që këtë privilegj të bukur (ah sa të bukur) e kanë vetëm Shtetet indipendente. Po ky mendim është plotësisht i lajthitur. Ka Shtete të lira, si Republika e Panamasë, që s’kanë asnjë biletë banke; nga tjatra anë, ka koloni britanike dhe frënge që përdorin monedhë fiduciare të veçantë. Nuk është një nder për një Shtet, të ri a të vjetër, të shtypë kart-monedhë: po nesër do të jetë një çnderim, kur një Shtet, pa borxhe dhe me pasuri latente që pret të nxirret, të ketë bileta banke pa nonjë fuqi blerëse fare. Në dëshëron me të vërtet’ Shqipëria të ketë monedhën e saj si një akt sovraniteti, od të kish bërë shumë mirë ato dollarë që mori nga Amerika t’i kish dërguar në Paris a në London ku, me një komision të vogël, mund të ktheheshin në “napolone” ari me fytyrën dhe emërin e Shqipërisë: dhe ashtu do të ndodheshin sot në pjacë para Shqipërie.
Një tjatër gjë që s’më hyn dot në kokë, është kjo: Guverna, faqe “lekave” prej karte, do të lërë në banka të huaja 3.000.000 franga ar, të cilat do t’a mbulojnë “100 për 100” monedhën fiduciare t’onën. Po këtu na del përpara një dilemë: ose Guverna s’do të lërë në bankat e huaja aqë ar sa ka për të shtypur kartë, dhe ahere gënjen popullin; ose do t’bankojë me të vërtet’ 100 për 100 flori, dhe ahere bën një marrëzi, se në vënt që t’u japë të huajve arin e saj t’a punojnë me 3 a 4 për qint, pse të mos e mbajë në vënt dhe të bëjë ndonjë punë publike të dobishme dhe pjellëse, e cila të japë ndofta 15 për qint fitim?
T’i lëmë fjalët. E vërteta e xhveshur është që Guverna ka nevojë për para; dhe me që nuk është e zonja t’i gjejë duke krrejtur pasurinë latente që ka vëndi, hidhet në nji trik myflizesh: shtyp kartë, me shpresën që do t’forcojë popullin t’a pranojë kartën për ar, - sa do që historia është plot me katastrofet e shkakëtuara nga ky sistem i quajtur cours force ose forced paper currency; po Ekselencat e Tyre vallë a kanë zënë nonji histori serioze të popujve me dorë?
I madhi vjershëtor gjerman Goethe e ka përqeshur në një mënyrë klasike kartën-monedhë. Në pjesë të dytë të Faust-it, e shpie heroin e tij bashkë me Mefistofelesin në hobor t’Imperatorit Gjermanisë: Atje gjejnë mopskënaqësinë më çdo anë dhe kryengritjen gati të pëlcasë, se arkat e Shtetit janë të zbrazura. Mefistofelesi, që të tallet, i këshillon Kryeministrit të shtypë në copëra karte çmime, dhe t’i japë në vënt të parasë së vërtetë. kryeministri bindet, - dhe shikoni çudinë: të gjithë gëzohen, dhe nisin valet dhe këngët, gjer sa tingëllon dita e fatit, kur këto levere s’i pranon më njeri, dhe karta bëhet kartë.
Po s’duhet të dëshpërohemi; se në Shqipëri, në ka shumë analfabetë, ka dhe shumë njerës të kuptuar prej natyre. Munt që t’a shohin lajthimin e tyre dhe të qëndrojnë me kohë në buzë të greminës. Shqipëria ka mjaft reziqe dhe mundime, dhe s’është nevojë t’i shtohet dhe një tjatër: monedha fiduciare. Kriza ekonomike që mbretëron sot në Shqipëri, varfëria që e ka mbuluar vëndin, kanë shkake më të thella se mungesa e kartës-monedhë: e kanë burimin e tyre te fakti që populli harxhon, po s’fiton gjësendi. Zgjidhja është pr ate PUNA. Kur të lulëzojnë punët, do të nisë të dalë në shesh edhe ari. Bujqësia, rritja e kafshëve, industritë nacionale, të lehta për të krijuar në një vënt aqë të pasur me “qymyr të bardhë”, - këto dhe jo “lekat” janë bari i shërimit.
Po që të happen punët, duhet Guverna të ketë një ekspert të mbaruar për financat dhe çështjet ekonomike, dhe atij eksperti t’i vënë nënë urdhër nj’a dhjetë milionë dollarë. Kyçi i shpëtimit është pra, në një hua. Po hua nuk i jep njeri një Shteti që s’ka stabilitet. Sa kohë Parlamenti përbëhet nga njerës pa patriotismë dhe pa ndërgjegjje, të cilët s’kuptojnë rëndësin’ e stabilitetit të Guvernës; sa kohë vendi duron dhe përkrah elemente të turbullta, gati të përmbysin kabinetin për një ambicje personale ose për një kockë që u-hedhin armiqtë, - jo 10.000.000 dollarë, po një kacidhe hua nuk i japin Shqipërisë. Në një fjalim që Peshkop Noli, ahere ministr’ i punëve të jashtme, pati me korrespondentin e Chicago Daily Neës-it, Zotin Moërer, deputeti ynë i tha Amerikanit se Shqipëria është gati të japë gjithë koncesjet e munudra, të vërë peng gjithë pyjtë dhe metalet e saj, pot ë gjejë një hua të madhe. Mirë po pjacat e Neë York-ut dhe të London-it, të vetëmat ku munt të hapet sot një hua, duan përveç koncesjeve edhe një gjë tjatër: duan stabilitetin, i cili për ta është kryegarantia dhe të cilin mjerisht Shqipëria s’duket e zonja t’ua japë.

ABC nr.27-Faik Konica,
09.03.2006




Faik Konica në kujtesën e Evropës

Luan RAMA

Një vit më parë një miku im kineast erdhi në Francë të fiksonte gjurmë e rinisë së Faik Konicës, vendet ku kishte jetuar ai. Një shekull kishte kaluar dhe shumë pak gjëra njiheshin rreth rinisë së tij. Brenda një kohe të shkurtër ai xhiroi veçse disa pamje të "Collège de France", qytezën e vjetër të Carcassone-s, rrugë e kafene të Parisit, pa mundur padyshim të fiksonte dimensionin e vërtetë të figurës së tij, vetë atë shpirt që ishte mbrujtur me një kulturë të jashtëzakonshme dhe që shfaqej tashmë në Paris si një intelektual i kalibrit evropian. Edhe pse i ardhur nga një cep i humbur i Ballkanit, ky njeri, do të bëhej referencë e debatit intelektual në qendër të Evropës. Kjo referencë spikati jo vetëm në studimet e tij mbi gjuhësinë, por në veçanti me miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë që ai pati me një nga figurat më në zë të simbolizmit francez, poetin e madh Apoliner, (Guillaume Apollinaire), i cili nuk mungoi të bëhej bashkëpunëtor i tij dhe të angazhohej për çështjen shqiptare.
Vitet në Francë më kanë dhënë mundësinë të ndjek itinerarin francez të jetës së këtij njeriu, që ka lënë aq gjurmë në jetën e shqiptarëve. Në fillim në qytetin mesjetar të Lissieux që shquhet për katedralen e ngritur në kujtim të Saint Thèrese. Pikërisht atje, jo larg bregut të mjegullt normand, ai kishte kaluar vitin e parë të largimit të tij nga Shqipëria. Më 2 tetor 1892, ai ishte regjistruar në "Lycée de Lisieux", kur për herë të parë do të bënte një jetë të vetmuar mes francezëve në klasë "cinquème", nën emrin Schischo'Go Faïk, i lindur në Konitza më 1875 (Konicë). Ende sot, në arkivat e shkollës ruhet emri i nxënësit shqiptar që vinte nga një vend ende i panjohur: Shqipëria. Por klima e lagësht e Normandisë nuk i priu pinjollit shqiptar, kështu familja vendosi ta çonte drejt jugut, me një klimë mesdhetare. Një vit më vonë rruga do ta çonte drejt atij vendi të ngrohtë, një qytet i hershëm mesjetar me një kështjellë magjepse e me plot histori të çuditshme e barbare. I rrethuar nga historitë e "katarëve", ai kishte vazhduar aty studimet e mëpasme, ku gjithnjë do të dallohet si një nxënës shembullor, ku vlerësohet në fund të vitit me një çmim-nderi "prix d'honneur", në "retorikë". Pasi vizitova Carcassonne-n, qytet që mahnit çdo vizitor, një ditë zbrita në Dijon, qytet hijerëndë edhe ky, e më pas në Montpellier, të njohur për qytezën e universitarëve. Më pas, kur arkeologu Muzafer Korkuti do të vinte në Paris të fliste në "College de France" për prehistorinë e Shqipërisë, kulturën dhe kohën antike, së bashku do të kujtonim se pikërisht këtu, një shekull më parë, Konica ndiqte ligjëratat e mjeshtërve të mëdhenj të linguistikës e të historisë. Këtu ai ndoqi kurset e gjuhës sankritisht e hindu dhe me mikun e tij, linguistin e njohur Louis Bellow, ai nisi të mësonte dhe gjuhën hebraishte.
Në Francë Konica njohu Molierin, Volterin, Diderone... Në shkrimet e tij të mëvonshme, ai nuk harron të përshkruajë historinë e këtij vendi, të shkruajë për dyndjet normande të Robert Guiscard gjer në brigjet shqiptare, për anzhuinet dhe shqiptarët, e gjer tek verërat e Burgonjës. Noli thotë se Apolineri e quante atë "enciklopedi lëvizëse". Jules Le Metre fliste me adhurim se "ky i huaj e shkruan kaq mirë gjuhën tonë"... Në bibliotekat e Parisit ai rrëmoi vite me radhë duke studiuar historinë e romakëve, galëve, grekëve, shqiptarëve. Një ditë një libër i rrallë i kish rënë në duar dhe e kish çmendur nga gëzimi. Ishte një libër i vjetër i një murgu gjerman, Brokard, i cili, siç na thotë vetë Konica, më 1332, i kishte kushtuar një libër Filip de Valois, mbretit te Francës: "Sado që shqiptarët kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, - shkruante ai, - prapëseprapë ata kanë në përdorim dhe në të gjitha librat e tyre shkronjën latine". Faiku bëri pyetjen se në qoftë se më 1332 ekzistonte një literaturë në gjuhën shqipe, atëherë është e qartë se shkrimi i gjuhës amtare do të ketë nisur shumë më parë. Madje dhe pseudonimin e famshëm të tij Thrank SpiroBeg, ai e kishte gjetur tek personazhi i një prej romaneve të Léon Cahun, zëvendës konservatori i bibliotekës së madhe "Mazarine", në romanin "Hassan le janissaire".
Padyshim që një nga miqësitë më të bukura të Faikut, këtij "princi të gjuhës shqipe", siç e quante Noli, ishte miqësia e tij me Gijom Apolinerin. Edhe kur iku nga Franca, Faiku do të vazhdonte si bashkëpunëtori i revistës së e Apolinerit "Festin d'Esope" dhe do të shkruante në gazetën intelektuale pariziane "Mercure de France". Apolineri si dhe shumë poetë pararendës të epokës se tij, i këndoi shumë dashurisë. Gjatë një historie të tillë dashurie poeti francez piketoi publicistin shqiptar Faik Konica, drejtorin e revistës "Albania", mikun shqiptar, për të cilin vite më radhë ai do të ushqejë një respekt e simpati të veçantë. Konica dhe Apolineri u njohën në fillimet e këtij shekulli. Që të dy ishin njerëz me kulturë të gjerë, poliglotë dhe me njohje të shumta në rrethet letrare artistike. Pikëtakimet e para ishin në vitet 1903 dhe 1904 gjatë udhëtimeve që Apolineri bëri në Londër, i dashuruar pas Annie Playden, kur kishin qenë bashkë në brigjet e Rinit. U njohën në një kohë kur Konica luftonte me forcë për çështjen shqiptare dhe identitetin nacional. Apolineri ende në atë kohë nuk e kishte shpalosur tërë personalitetin e vet artistik. Emri i tij i vërtetë ishte Guillaume Kastrovitzky dhe kishte lindur me 1880. E ëma e tij ishte polake, vajzë e një emigranti. Apolineri studjoi ne Canes, Nicë, Monaco. Më 1899 erdhi në Paris për të punuar për bukën e gojës dhe në orët e lira mbyllej në bibliotekat e kryeqytetit francez.
Konica dhe Apolineri u njohën në një kohë kur në Francë zhvillohej një aktivitet i gjerë letrar e artistik, kur më 1903 vdiq Gogeni dhe Pisaro, kur Romen Rolani përfundoi vepren "Jeta e Betovenit" dhe kur Pier e Mari Kyri u nderuan me çmimin "Nobel". Më 1904 u shfaq në Paris opera e Vagnerit "Tristani dhe Isolda". Mistrali gjithashtu u nderua me çmimin "Nobel", ndërsa Matisse krijonte tablotë më të famëshme të tij. Që më 1902, shkruan historiani i artit Pierre Marcel Adema, studjuesi më i njohur i krejt veprës së Apolinerit, - botohej revista e përjavëshme "Europiani", ku në dhjetor 1903, nën pseudonimin Thrank SpiroBeg ishte botuar shkrimi i Konices " Skicë e një metode për tu duartrokitur borgjezëve"("Esquisse d'une methode pour se faire applaudir des bourgeois"). Bashkëpunimi i Apolinerit me këtë revistë ishte më shumë politik se sa letrar. Ai interesohej për popujt e shtypur si bullgarët, maqedonët, shqiptarët. Adema boton gjithashtu edhe një letër të Apolinerit ku ai ka shkruar : " Ai banonte në "Oakley Cressent City Road. Nuk e kisha parë kurrë. Më ftoi të rrija disa ditë tek ai dhe do vinte të më merrte në stacion." Duke vijuar në studimin e tij për Apolinerin, Adema shkruan se "Dy të dashuruarit, Apolinerin dhe Anin, Konica i priti me përzëmërsi. Më 1904 Apolineri ishte përsëri mik tek Konica, kësaj rradhe në Chingford, (duke qënë se Faiku ishte i martuar, e kishte lënë banesën e mëparëshme). Gjatë këtyre kohëve, Apolineri e Konica u afruan shumë. Prindërit e Anit nuk donin që ajo të lidhej me një poet, kështu e larguan në Amerikë. Dhimbjen të dy miqtë e ndanë së bashku. Faiku e mori me vehte në një udhëtim në Gjermani, ku ngjarje të kësaj periudhe Apolineri do ti dëshmojë në tregimin e shkurtër "Shqiptari", ku në qëndër është një ngjarje që lidhet pak e shume me Konicën.
Në këtë kohë Konica fillon të botojë disa artikuj në revistën e Apolinerit "Festin d'Esope". Më 1904 boton shkrimin "Mistifikimi më i madh në historinë njerëzore". Ndërsa Apolineri boton më janar të 1905, në numurin 7 të revistës "Albania", artikullin " Një profeci bashkëkohore lidhur me Shqipërinë" ( " Une prophètie contemporaine touchant l'Albanie "). Më 1909 ai boton në revistën " Pan " studimin e tij të famshëm " Studim mbi gjuhët natyrale dhe gjuhët artificiale " (" Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles ") me pseudonimin Pyrrhus Bardyli, studim që do të hapte një debat në linguistët e njohur të asaj kohe, të cilët ishin trembur nga dalja e gjuhës " esperanto " dhe rreziku që u kërcënohej gjuhëve natyrale. Konica dëshmon me këtë studim se është një intelektual i rrallë dhe i nivelit evropian, madje një njohës i thellë i gjuhës frënge. Ja pse në faqen e parë të këtij libri të botuar në Bruksel, nën titullin " Essai sur les langues naturelles et les langues artificielles ", Apollinaire ka shkruar : " Autori i kësaj eseje : Faik beg Konitza. Eshtë shqiptari më erudit i Evropës ". Në atë kohë Konica i dërgon Apolinerit librat e albanologëve të njohur si Holger Pedersen apo Gustave Mayer, të cilët kishin vlerësuar shumë autoktoninë shqiptare dhe vlerat e një populli me histori të lashtë. Tregimi "Shqiptari" ("L'Albanais") botuar fillimisht në revistën "Messidor" ndërthuret më pas me ngjarjet në romanin e tij "Gruaja që rri ulur", botuar me 1920 pas vdekjes së Apolinerit. Në këtë roman të bije në sy personazhi i Pikasos dhe Konicës, që të dy miq të ngushtë të Apolinerit, që siç e përshkruan vetë ai "Pablo Canouris, piktor me duar blu e që ka sy si të zogut, është me prejardhje shqiptare, i lindur në Malaga të Spanjës. Në karakterin e Canouris përziheshin kështu Spanja dhe Shqipëria. Në dukje ai ishte i tillë, siç janë shqiptarët, njerëz të bukur, fisnikë e trima ".
Pas largimit për herë të dytë nga Londra, Konica dhe Apolineri e ruajtën miqësinë e tyre, shkëmbyen letra ( letra e fundit është e vitit 1913) dhe shkrime për ti botuar në revistat e njëri tjetrit. Më 1912 Apolineri jetonte në bulevardin Saint Germain-des-Près, n° 202, ku pas vdekjes mbeti dhe biblioteka e tij e pasur. Po atë vit ai botoi një nga poezitë e tij më të njohura, "Mbi urën Mirabo", ndërkohë që Konica, që kishte kaluar nëpër universitetet e Kembrixhit, Harvardit dhe Masaçusetit, meritonte titullin "Mjeshtër i Arteve në letërsi". Njohja me Konicën e shtyu Apolinerin të njihej me historinë e kombit shqiptar dhe të prononcohej ndaj kësaj historie. Fillimisht ai lexoi me interes numrat e revistës "Albania". Veçanërisht e tërhoqi ne atë kohë dhe studimi për Shqipërinë e Eliza Obri (Aubry). Në këtë studim, duke folur mbi absurditetin e qeverisjes së Princ Vidit, ajo pohonte domosdoshmerinë që Franca dhe fuqitë evropiane ta shihnin realisht historinë dhe fatin e këtij populli. Parathenia e Apolinerit në këtë studim është e shkurtër. Ai rikujton udhëtimin në Shqiperi të lord Bajronit. "Ndryshe nga popujt e tjerë të perandorisë otomane që ruajnë ende përkatësitë fetare, shqiptarët dallohen më shumë për intolerancë fetare dhe për ndjenjat e tyre kombëtare. "Zonjusha Obri, - shkruan ai, - dallon mirë karakterin nacional të shqiptarëve, gjenia e të cilëve zotëron në të gjithë botën otomane". "Çështja shqiptare, shkruan me tej ai, diplomatëve të mëdhenj që rregullojnë fatet e botës u duket tepër e vogël, përballë këtij universi kaq të trazuar. Ndoshta një ditë, tepër të shqetësuar do të shkojnë në Janinë ose në Krujë, kryeqytetin e vjetër të Skënderbeut, për të vendosur me një dorë të pasigurtë themelet e një Evropë të re...Bëhet fjalë padyshim për një racë të ndershme, të denjë për tu mbrojtur dhe që vështron me shpresë Francën , e cila tashmë e kupton se çdo të thotë mosinteresimi i saj".
Interesin e Apolinerit për Shqipërinë e tregon edhe shkrimi i tij i gjatë "Tri princër të rremë të Shqipërisë" (" Trois faux princes d'Albanie ") të botuar në revistën "L'europeen", me 1904. Në të bëhet fjalë për pretendimet për fronin e Shqipërisë të të ashtuquajturve princër, "trashëgimtarë të derës së Kastriotëve", të Skënderbeut. Duke shfletuar korespondencën e të vëllait të Apolinerit, gjen të flitet aty dhe për Konicën. Eshtë dhjetor i vitit 1907 kur Alberti, vëllai i Apolinerit, ka shkuar të punojë në një bankë të Londrës dhe sipas porosisë së vëllait të takohet me Spiro Beg, për ti dhënë gjithashtu një libër të sapo botuar të Apolinerit. "Të shtunën isha tek Spiro Beg, i cili ishte mjaftë i dashur, - shkruan Alberti. - Ai më pyeti se cili është ai autor, të cilin ju e kini lexuar së bashku dhe që është bërë i famshëm nga vargjet "oh sa e gjatë është nata në këtë dhimbje që nuk shuhet"...Në një letër tjetër ai shkruan se "Konica ka tmerr të madh nga mishi i ngrirë dhe trembet ta hajë"...Në mars të vitit 1908 ai i thotë Apolinerit se " meqë nuk e njoh gruan e Konicës nuk kisha si ta pyesja për gruan e tij. Por duket qartë se tani ai jeton vetëm..."Të shtunën e kaluar e kaluam darkën bashkë dhe i thashë se ti më kishe pyetur për gruan e tij. Ai më tha se ishin zënë dhe se ajo kishte shkuar tek nëna e saj, por ai shpreson se ajo do të kthehet pas tri muajsh, megjithese faji ishte i saj." Në korrik 1908, nga Londra, Alberti i shkruan përsëri të vëllait se " Konica banon në Hampstead, një lagje ku banojnë shumë gjermane dhe që sipas shprehjes së Konicës ishte një lagje "shik" por me një pazar jo dhe aq të shtrenjtë. Shumë aktorë banojnë fare pranë tij". Nga fundi i gushtit, pra një muaj më vonë ai e njofton Apolinerin se nga Konica s'kishte më asnjë lajm. Në fakt është koha kur Konica nis udhëtimin e tij drejt Amerikës, në Boston, ku takohet me Nolin, i cili çuditet kur e sheh veshur me fustanellën shqiptare..
Gjatë luftës së parë botërore Apolineri i mobilizuar në luftë, plagoset. Ishte nëntori i vitit 1918. Por fill pas kësaj i prekur nga nje tifo që po bënte kërdinë atë kohë në front, ai vdes. Nuk dimë se çfarë ka shkruar Konica kur ka marrë lajmin për vdekjen e mikut të tij, për humbjen e poetit të madh dhe pararendësin e poetëve simboliste. Me siguri, para syve të tij është shfaqur poeti i madh dhe shëtitjet e tyre, bisedat dhe ëndjet e tyre, me siguri i është shfaqur përsëri Sena, urat mbi lumë, ura e famëshme Mirabo, e cila sikur përcjell ende ehon e vargjeve të poetit të madh francez në poezinë Ura Mirabeau.


Kolona e arte

Faik Konica

Vajtim për robëri të shqiptarëvet

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar' e për të sharë,
Për të shar' e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn' e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s'ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan' as pakë nderë
Q'e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s'kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t'Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr' e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh' e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç'i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

1901




NË GJURMËT E NJË EMISIONI PËR KONICËN


Në mbrëmjen vonë të datës 15 mars 2006, kanali TV “Klan”
transmetoi një emision të posaçëm, kushtuar Faik Konicës.
Skenari ishte përgatitur nga prof. Nasho Jorgaqi, të cilit
lexuesi shqiptar duhet t’i jetë shumë mirënjohës për punën
e palodhur që ka bërë për qëmtimin e kujdesshëm të veprës
së Konicës dhe botimin e saj në 5 vëllime (vëllimi i pestë
përmban studime për Konicën) nga Shtëpia Botuese “Dudaj”,
Tiranë, 2001.
Në atë emision u fol gjatë për figurën e Konicës, si një
personalitet i shquar i kombit shqiptar, i cili, me
formimin e tij shumëplanësh, me erudicionin e tij të
jashtëzakonshëm, i mahniti shumë përfaqësues të mirënjohur
të kulturës perëndimore. Në emision u theksua me të drejtë
natyra herë-herë edhe kontradiktore e Konicës, gjë që
përbën një dukuri jo të panjohur edhe në jetën e
krijimtarinë e jo pak personaliteteve të përmendura të
kulturës dhe të politikës botërore. Por, mes shumë të
vërtetave që u thanë në atë emision, ra në sy mungesa e ca
të vërtetave, që teleshikuesit duhej t’i ishin thënë
domosdo. Po ndalem shkurtimisht në disa të vërteta të
pathëna (për të mos thënë të autocensuruara) në emisionin
në fjalë.
Së pari, bashkëpunimi i Konicës me Ahmet Zogun u vlerësua
si një “lajthitje” e tij që e kishte burimin në natyrën e
tij “kontradiktore”. Mendoj se një pohim i tillë nuk i
përcjell teleshikuesit të vërtetën për karakterin e
marrëdhënieve mes Konicës dhe Zogut, si mbret i
shqiptarëve. Është e vërtetë që nuk ishte Konica ai që ia
lypi bashkëpunimin Zogut, të cilin e kishte pasur
kundërshtar të hapur politik, ishte Zogu ai që e lypi këtë
bashkëpunim dhe që Konica e pranoi për një qëllim të lartë:
për t’i shërbyer diplomacisë së Mbretërisë Shqiptare në një
shtet të madh, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend
ky dashamirës për kombin shqiptar në Evropën Juglindore.
Pra, Konica u nis nga një qëllim tepër madhor kur pranoi të
hynte në shërbimin diplomatik të mbretit Zog, i cili i dha
një mandat të përhershëm përfaqësimi në SHBA.
Është e vërtetë që Konica e ka kritikuar Zogun, madje
ashpër, dhe për këtë kritikë në atë emision u fol pa kursim
nga profesorët e intervistuar. Por profesorët e nderuar
duhej të përmendnin edhe vlerësimet shumë të larta që
Konica ka bërë për figurën e tij. Po pse heshtën për këto
vlerësime profesorët e intervistuar? Bindjet mund t’i kemi
të majta, të djathta ose të qendrës, por ato nuk duhet të
na pengojnë të pohojmë të vërtetat që janë shkruar “e zezë
mbi të bardhë”, se për ndryshe do të mbetemi robër të
praktikave enveriste, sipas të cilave koha e mbretërimit të
Ahmet Zogut vlerësohej si një njollë e zezë në historinë e
Shqipërisë!
Së dyti, në atë emision edhe marrëdhëniet e Konicës me
Nolin trajtoheshin nga këndvështrimi i natyrës së tij
kontradiktore. Mendoj se edhe në këtë rast teleshikuesit
nuk i thuhet e vërteta deri në fund. Shkaqet e
marrëdhënieve herë-herë të acaruara të Konicës me Nolin
mund të jenë të shumta, por këtu nuk është vendi të hidhet
dritë mbi to. Në të vërtetë, shkaku kryesor i fërkimeve mes
këtyre dy figurave të shquara të kombit tonë qëndron në
mospërputhjen e bindjeve të tyre politike: Konica ishte
antikomunist, kurse Noli ishte simpatizues i komunizmit.
Madje Konica flet me fakte për bindjet komuniste të Nolit.
Së treti, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste,
kur po rrezikohej copëtimi i saj i mëtejshëm, sidomos nga
shovinizmi grekomadh, edhe Konica, edhe Noli, në figurën e
mbretit Zog shikonin simbolin e unitetit kombëtar dhe
kërkonin krijimin e kabinetit qeveritar në mërgim, ashtu
siç kishte këmbëngulur edhe vetë mbreti në kancelaritë e
fuqive perëndimore. Pra, për mbrojtjen e interesave të
larta të vendit, këto dy personalitete të spikatura të
kombit shqiptar bashkoheshin rreth mbretit në mërgim. Nuk
duhej të mos u thuhej teleshikuesve edhe kjo e vërtetë për
figurën e Konicës në marrdhëniet e tij me Nolin.
Së katërti, Konica i la një amanet Nolit që eshtrat e tij
të preheshin domosdo në atdheun e tij. Dhe kjo e vërtetë u
tha në emision. Por teleshikuesit të thjeshtë nuk iu tha e
vërteta se cili ishte shkaku që Noli, sa qe gjallë, nuk e
çoi dot në vend amanetin e Konicës. Se ka rrezik që
teleshikuesi i painformuar mirë apo që është në një moshë
të re, mund të rrijë e të mendojë gabim: Noli ose s’paska
dashur, ose nuk paska mundur ta çonte në vend atë amanet.
Dhe kjo e vërtetë mbeti e pazbuluar për teleshikuesin e
lartpërmendur, se po të thuhej ashtu siç është, do të dilte
zbuluar Enver Hoxha, si armik i egër i Konicës.

Eshref Ymeri
 
Faik Konica - shkrim per te

Kumtesë nga: Mërgim Korça


Nuk i a kam vënë vetes detyrën as të them se Faik Konica u lind më 1875 në Konicën Shqiptare e as të zë n’gojë faktin se u shua në Boston në vitin 1942. Gjithashtu nuk do të zë n’goje faktin se ai qe bashkëthemelues i “Vatrës” dhe drejtues i saj nga 1921 e deri më 1926 e pastaj, në vazhdim, edhe kryetar nderi i saj. Kjo është pjesë e detyrës së biografëve të tij. Por unë, në këto pak minuta kohë që më vunë në dispozicion organizatorët e këtij tubimi, (jo për të më nderuar mua, jo, por Faik Konicën), e konsideroj ndér timin faktin që po ju paraqis mbase një pamje jo fort të dritësuar të vlerave madhore të tija, temperamentit si edhe pozicionimeve të këtij personaliteti poliedrik të cilin ai, me të cilin më shum’u shanë, më shum’u deshën e më gjatë bashkëpunuan, Imzot Noli, e ka stigmatizuar si vijon :

“Faik Konica qé i përkryer si stilist, i shkëlqyer si erudit dhe i madh si atdhetar!”

E për t’a shikuar Konicën nga ky këndvështrim, nuk kam se si të mos vazhdoj me konsiderata disa njerëzish vërtet të shquar të kulturës kombëtare, të cilët janë studjues të dëgjuar në fushë të letërsisë si edhe gjuhësisë edhe kanë dhënë konsideratat e tyre rreth personalitetit të Faik Konicës. Prof. Namik Ressuli e ka përcaktuar Konicën si vijon :

“Konica ka qenë polemisti si edhe satiriku më i fortë që ka nxjerrë kombi ynë por njëkohësisht edhe më i urryeri!”

Por krahas këtij pohimi, profesor N.Ressuli ka thënë edhe :

“Ndër shkrimtarët toskë ai pa as më të voglën mëdyshje qé më eleganti si edhe më europiani i kohës së tij. I krahasuar me Patër Gjergjin e madh, natyra i dha Konicës po aq intuitë të fjalës e gjithashtu edhe të shprehjes. Të njajtë u a dhuroi edhe elegancën e fjalísë. Por atje ku u tregua bujare me Patër Gjergjin e koprrace me Konicën qé fantazía si edhe mëndja sintetike!”

Ai që u quajt “Meteori i kulturës Kombëtare”, Dr.Vangjel Koça, personalitetin e Konicës e ka përkufizuar sikur e ka skalitur në metal :

“Estéti i pashoq si edhe polemisti më elegant që ka nxjerrë kultura shqiptare, ishte njëkohësisht edhe viktimë e vetes së tij : Bota Shqiptare nuk kishte nevojë për shigjetarë po për mësues edhe edukatorë!”

I thashë në krye këto pohime të bashkëkohësve në mënyrë që ne, brezat pasues, të mundohemi t’i mbivendosim këto kuadro që na paraqitën bashkëkohësit e Konicës e t’a krijojmë më të drejtpeshuar pamjen e tij duke i përgjithësuar këto kulme edhe me rrethanat kohore e të shikojmë efektivisht se cila ka qenë figura e vërtetë e Konicës.
Shkollimin e parë ai e mori nën ndikimin e drejtpërdrejtë anadollak. I vijoi mësimet në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër prej ku vete e studjon në Francë por duke kaluar përmes Liceut të Gallatasarajit. Diplomohet në Universitetin e Dijonit në Francë. Të mbaronte me kaq, do të qé mirë. Merr pastaj diplomë në fushën e leteraturës edhe nga Universiteti i Harwardit. Kështu bota e brëndëshme e Konicës ndikohet nga shumë erëra që i krijojnë shtjella në mëndjen e tij ku pa as më të voglën mëdyshje ndikimet lindore çvendosen nga forca e rrymave kulturore moderne perëndimore ku predominon kultura si edhe gazetaría franceze, e posaçërisht mbresa i le “panfletizmi francez”! I ndikuar ksisoji nga fryma liberale dhe antikonformiste e Francës ai, duke qenë konsull e më vonë edhe ministër fuqiplotë i Monarkisë Shqiptare në Republikën Presidenciale Amerikane, shkruan e shkruan shumë kundra mbretit Zog. Shkrimet e tija bile çfrytëzohen nga advokatët mbrojtës të Ndok Gjeloshit si edhe Azis Çamit që e qëlluan Mbretin Zog në Vjenë më 21 shkurt të vitit 1931, sa që arritën t’i mbronin atentatorët me aq shumë argumenta sa që atentatorët e Mbretit morën dënime minimale !
Në vazhdim, më 22 gusht 1938 Konica shkruan :

Monarkia ka në Shqipëri dy lloje armiqësh, ata që vetëm i thurin lavde vënd e pa vënd, si edhe ata që e bëjnë qesharake me festime të tepruara. Po u pëlqeu monarkía, t’i japin dinjitet e të heqin dorë nga karnavalet!

Sa i takon gjuhës së Konicës, ai ka meritën e madhe që ndërmjet alfabeteve të ndryshëm të propozuar, ai e mbështeti atë të Shoqërisë Bashkimi të themeluar më 1899 nga Imzot Prengë Doçi me germa latine edhe ksisoji vazhdoi e botoi revistën e tij “Albania” për 12 vite me radhë.
Një nga ngjarjet e jetës Konicës së cilës nuk mundemi t’i anashkalojmë, është edhe çmimi Kapelja e lartë që i u dha më 1938-ën nga revista humoristike londineze The Judge, me botues Harry Newmanin. Motivacioni mbështetej në vlerësimin e tij si konsull edhe Ministër Fuqiplotë i Mbretërisë Shqiptare. Konica duke mos qen’i bindur se çmimi qe i sinqertë, me që revista kish edhe namin e madh si revistë që përgojonte e tallte këdo, në letrën e falënderimit shkruan mes tjerash :

“ Unë kokën time e bëj kurbán për kapelen e zotit Newman !”

Nga e gjithë prodhimtaría e shkruar nga Konica, një vënd të posaçëm zë pjesa që duhej t’ishte vazhduar e pastaj mbaruar si roman me titull :

“Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”

Kjo pjesë letrare është reflektimi i gjëndjes së intelektualëve shqiptarë. Në pjesën e parë Konica e brumos dhe e gatuan figurën e të riut shqiptar që po shkollohet në perëndim duke u përgatitur të kthehej në Atdhé për t’i shërbyer këtij të fundit. Pastaj vjen pjesa e dytë ku i gjithë idealizmi i doktorit fillon e lëkundet tek ballafaqohet me injorancën anadollake të Shqipërisë të asaj kohe ku sundonte injoranca, ryshfeti si edhe korrupsjoni. Nuk mundem t’a hesht të vërtetën se analiza apo aq sa ka shkruar Konica tek Doktor Gjëlpëra, edhe sot paraqit interes të pafund.
Para se t’a përfundoj këtë paraqitje fluturimthi të figurës sa elitare e po aq edhe kundërthënëse të Faik Konicës, dua t’ju sjell disa pohime të tijtë që marrin vlera të pashoqe të menduar thellë. Janë pikërisht këto pohime të cilët i kanë shkaktuar autorit gjith’atë pozicionim kundra të kategorive të ndryshëme shoqërore në Shqipëri. Konica ka thënë :

- Janë disa shqiptarë që sillen si të vërtetë këndezë e zëmërohen posa zë të
këndojë kokorikoo nonjë tjatër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula !

- Kur shoh ca eskrokë të poshtër e pa ndér, mace t’egëra me dy faqe, tradhëtorë, çpifarakë, vrasës vullgarë prapa kurrizit, ta marrin e ta përdorin e ta ndyjnë emërin shqipëtar : ta thom çiltas se më vjen turp që jam shqipëtar edhe unë. Të qe se e ndërroja dot racën time me fjalë, shpejt do të thohesha grek, kuco-vllah, etj. Edhe evgjit do ta kisha për ndér !

E me që jemi pikërisht në mjediset e një kishe, dua t’ju kujtoj edhe pohimin e fundit që po citoj nga Faik Konica e që tingëllon aq i fuqíshëm :

Ati ynë që je në qiell, jepna fuqínë ta mbajmë gojën mbyllur kur
s’kemi gjë për të thënë !

___________________________________________
Kumtesë e mbajtun me datë 3 dhetor në ambientet e Kishës Shën Palit, Michigan





Abetari shqip

Faik KONICA

Në pak fjalë, - me qëllim por pa shpresë që t`u mbushim kokën hamajve, zaptieve, të shtrembërve e t`egërve, - duam të shkoqitim çështjen e abetares gjer më sot. I pari libër në gjuhën tonë dolli në 1635, d.m.th. 256 vjet më përpara, në Romë, prej Frengut të Bardhë (Dictionarium Latino-Epiroticum). [Autori më vonë do zbulonte duke gërmuar në arkivat e bibliotekës kombëtare të Francës, veprën e Pjetër Budit "Speculum Confessionis" ose "Pasqyra e të rrëfyemit" të shkruar, me të njëtin alfabet, në vitin 1621, pra 14 vjet më parë]. Ky libër përdori një alfabet, i cili ka të ngjarë se përdorej edhe më parë, se, po ta kish bërë Frengu i Bardhë, do ta kish thënë në parathënie të librit të tij; pra duke heshtur, na rrëfeu se alfabeti i tij nuk qe i ri. Me atë alfabet duallën gjer më sot shumë libra, më të shumtët përmbi fe, një fjalor shqip e italisht disa mijëra shtyllash, e me atë mëson gjithë pjesa e Gegërisë katolike. Të metat e atij alfabeti janë kryesisht dy: 1) Ka disa gërma të veçanta që nuk gjenden në shtypshkronjat; 2) S`është i mjaftueshëm për toskërishten.
Që të mos e ngarkoj tepër artikullin, shkoj e vij te viti 1879. Në atë mot, Sulltani, për të ndezur në Shqipëri një zjarr kundër sllavizmit, cpoi disa "Meemure" shqiptare të mblidhen që të bëjnë një alfabet shqip. Këta, me leje të qeverisë (turke), u mbluadhnë. Në mes tyre, hyri si thonë e si do të mund të provojmë një ditë - një anëtar i Moskovit, i cpuar me udhë nga patriarku grek. Kjo mbledhje kishte për detyrë: 1) O të merrte alfabetin e Frengut të Bardhë, si 300 e sa vjetësh më të vjetër; 2) O të bënte një të ri, duke treguar të metat e alfabetit të vjetër; 3) O të mos i përsëritte ato mangësi.
Mjerisht, mbledhja turko-moskove: 1) Nuk e mori alfabetin e Bardhit. 2) Nuk tha pse s`e mori. 3) I përsëriti të keqiat e alfabetit të Bardhit. 4) Shtoi shumë gabime të reja.
Që të marrin vesh atdhetarët e kulluar se ç`është ai alfabet i Stambollit, le të venë re këto: Alfabeti i Stambollit ka 36 gërma. Ndër këto janë: 1) shtatë shkronja cirilike (sllave). 2) Pesë shkronja greke. 3) Një shkronje cirilike (sllave) kokë-tatëpjetë. 4) Një shkronjë latine e vërtitur. 5) Dy shkronja latine kokë-tatëpjetë. 6) Një shkronjë latine e tredhur. Të tjerat janë latine. Lexuesi që ka pakë mendje, i sheh vetë ndyrësinë e këtij alfabeti: 1) I bërë me spica të Moskovit, na vë në rend të popujve sllavë. 2) I përzier me shtatë mënyra shkronjash, është i ndyrë në të parë, e i jep gjuhës një hije të egër. 3) Nuk mund të botosh libra asgjëkundi në Evropë, veç po të blesh shkronjat përkatëse dhe të paguash shumë më shtrenjtë. Kur desha të filloj një të përkohshme shqipe gjashtë vjet më parë, dëshirova pikë-së-pari të përdor o alfabetin e vjetër të Shkodrës, o alfabetin e Stambollit - të cilat do t`i rrëfej ndoshta një ditë gjatë e gjerë, e atëherë le të gjykojnë shqiptarët ç`janë ata njerëz e ç`jam unë - nuk më tunden fare.
Më 1899, disa atdhetarë të flaktë të Shkodrës u mblodhnë, për të themeluar një shoqëri të madhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Këta shqiptarë krijuan një alfabet, të cilin, edhe pse qe i arsyeshëm edhe nga dëshira e bashkimit, e muarëm edhe ne dhe po e përdorim që prej dy vjetësh tek revista "Albania"... Alfabeti i "Bashkimit" jo vetëm shtypet lehtazi kudo, po është edhe i arsyeshëm në shumë anë. Këto edhe njëqind të tjera tregojnë se me alfabet të "Bashkimit" mbahet mirë rrënja e fjalëve.
Tani cilat janë kundërshtimet e meemureve kundër këtij alfabeti. Janë pesë: 1) "Alfabeti i Stambollit është më i vjetër" -"Bashkt-ustuna, efendem!" Por alfabeti i Bardhit është 300 vjet më i vjetër. Pse nuk e mbajtët? Pra, edhe ju vetë rrëfyet se vjetërsia nuk është argument i mjaftueshëm për të mbajtur një gjë të ligë. 2) "Alfabeti i Stambollit është më i përhapur". -Ato gënjeshtra t`ia shisni një tjatëri, por jo mua. A e mirrni vesh? Ndër 100, 90 ndër shqiptarët e jashtëm e përdorin këtë alfabet që përdorim ne, a me disa ndryshime. Atë të meemureve e përdorin 7 a 8 meemure, e nja 10 zaptienj këmbë-qelbur të Toskërisë. Po, si thotë Frengu, "qui n`entend qu`une cloche n`entend qu`un son". "Kush dëgjon vetëm një këmbanë, dëgjon vetëm një zë". E ju, duke folur gjithnjë me ata 10 a 15 meemure e zaptienj, "u-hazdis" e kujtoni se kini me vete gjithë Shqipërinë. 3) "Shkronjat e "Bashkimit" janë të shumta e nuk i mëson dot populli". -Përgjigje: Alfabeti i "Bashkimit" ka 23 ose 24 shenja, kurse juaji ka 36, d.m.th. 12 më tepër. 4) "Populli s`merr vesh se si dy shenja bëjnë një tingull. I duket më lehtë një shenjë për çdo zë". -Përgjigje: "Evet efendem, vallah bil`lah! Jini të mësuar me "xhin-cim-sin-shun", o mor të zinj, e jo populli po juve vetë ju duket e vështirë të mblidhni dy shkronja për të treguar një tingull. Se arabishtja e turqishtja që ju kanë hyrë në palcë e në gjak, për çdo tingull kanë një shenjë. Fshataraku i Gjermanisë pse mëson, p.sh. katër shkronja -tsch- për të treguar tingullin ç? Fshataraku i Shqipërisë pse të mos mësojë dy shkronja? Fshatarët e Shqipërisë kanë mend, po Bashstenete s`mësoni dot ndoshta. 5) Më në fund Meemuret na pyetnë shumë herë: Pse "Albania" edhe "Bashkimi" nuk u muarnë vesh ta kenë alfabetin një e të përbashkët? -Me të vërtet, në nja dy a tre shkronja kemi ndryshim, por ai ndryshim nuk prish punë. Fundi alfabeti një është. Rumania ka një Akademi, e, megjithatë, bota është ndarë në dy pjesë për një ndryshim të dy a tri shkronjave. Më vonë edhe ky ndryshim do të pushojë. Alfabeti i "Bashkimit", për lirinë që i dha shqipes të shtypet apo të botohet kudo, për hijen europiane që i dha shkrimit të gjuhës sonë, për shërbime të tjera që ka për të bërë në sy të botes, meriton me të vërtet emrin ALFABETI KOMBETAR I QYTETERUAR. Alfabeti i Moskoveve e i Turqeve, i Meemureve e i zaptieve, i harbuteve e i ulefexhijve, me hijen aziatike e të ndyrë që ka, me pengesë e botimit që u sjell librave shqipe, s`meriton tjatër emër përveç ALFABETI I EGER I HARBUTEVE. U bë nevojë t`u thyejmë hundën një herë harbutëve. Në kanë për të thënë gjë, të re, do t'u përgjigjemi. Po, në zënçin të këndojnë për të mijtën herë këngën e zaptieve, nuk kemi kohë për të humbur.



Ju rrëfej grekërit

Faik KONICA,​

Prej disa kohësh ndërmjet Italisë e Greqisë po zhvillohet për Shqipërinë një përleshje paraprake me fjalë, që mund të jetë pragu i një konflikti të armatosur. Italia ngre çështjen se Greqia mbante një pjesë të madhe territori që i përket Shqipërisë, ndërsa Greqia e mohon me zë të lartë këtë pretendim. Shumë amerikanëve u është dukur e çuditshme që, ndërsa zëri i italianëve dhe grekërve dëgjohej, nuk ndihej zëri i pavarur i Shqipërisë. Porse a nuk ka thënë njëherë një autor anglez se një nga karakteristikatë shqiptarëve është se ata janë të "paartikuluar"?
Kërkesave të përsëritura unë iu jam përgjigjur se nuk kisha gjë për të thënë, ndërsa atyre miqve amerikanë, të cilëve ndjenjat e tyre dashamirëse u japin të drejtën të më pyesin përse ashtu, u jam përgjigjur se më kishte ardhur gjithçka në majë të hundës dhe se kisha vendosur që këtej e tutje të mbetesha një spektator i thjeshtë i tragjedive dhe i farsave të botës. Por tani është një grup atdhetarësh shqiptarë që më kërkon të bëj një deklaratë. Këta miq shqiptarë dinë për mua disa gjëra që miqtë e mi amerikanë nuk i dinë. Ata e dinë se unë kam lindur në zonën kufitare shqiptaro-greke që bën pjesë në krahinën e vënë në diskutim, kështu që trojet ku unë kam luajtur si fëmijë janë fushat e betejave të ardhshme; ata mendojnë se askush tjetër më mirë se unë nuk e njeh historinë e kësaj krahine dhe ata më përmendin vazhdimisht se si drejtues i rinisë, unë njëherë e nj'ë kohë kam qenë mbrojtës i palodhur i tërësisë tokësore të Shqipërisë. Prandaj ndonëse me lëkundje, vendosa të thyej heshtjen dhe t'i paraqes popullit amerikan disa fakte të kontrollueshme rreth sfondit historik të konfliktit që po vjen rrotull.

(I)
Siç dihet nga të gjithë, në periudhën e lashtë shqiptarët quheshin ilirë. Rajoni i diskutueshëm në lashtësi njihej si Iliria e jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut, ndërsa grekërit kanë vendosur ta quajnë Epir, një emër që do të thotë "kontinent" dhe në zanafillë përdorej për këtë rajon nga banorët e ishujve të vegjël përtej bregut të Shqipërisë, po ashtu si peshkatarët e ishujve Bahamas do ta quanin Floridën "kontinenti", me një emër që nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në kontinentin në fjalë. Ky rajon gjatë afër pesë shekujve të sundimit turk përbënte vilajetin ose provincën e Janinës, me qytetin e Janinës si kryeqendër.
Jo vetëm që ky rajon ka qenë gjithmonë shqiptar nga gjuha edhe kombësia, por kufinjtë e fiseve ilire shkonin shumë larg përtej. Madje, edhe ishujt Joniane kanë qenë kryesisht ilire. Në një libër të famshëm që e njohin mirë studiuesit, "Fjalor i antikiteteve klasike" të Lybkerit, tek artikulli për Kerkyrën (Korfuzin) vihet në dukje se ai ishull "në zanafillë banohej nga ilirët". Kurse ata që do të marrin mundimin të lexojnë veprën e studiuesit të njohur suedez, Martin P. Nilson, botuar në Lund më 1909 me titullin "Studime mbi historinë e Epirit të Lashtë", do të shërohen nga prirje për të menduar se Epiri ka qenë ndonjëherë grek. Ky rajon e ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshuar. Deri dhe kaq vonë sa i bie në shekullin e dhjetë të erës sonë, perandori i Bizantit Leoni i Mençuri, në një nga librat e tij përmend faktin që "banorët e Epirit janë shqiptarë". Pak nga pak depërtimet greke nisën të ndiheshin në disa pjesë të këtij rajoni. Se si u bënë të mundshme këto depërtime, ne e dimë nga disa autoritete të dorës së parë.

(II)
Në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë, Janinën e qeveriste një princ bizantin (ose një despot, siç e kishte titullin zyrtar) i quajtur Thanas. Këtij Thanasi i hipi në kokë ideja e bukur për të vrarë gjithë shqiptarët. Ju mund të dyshoni se mos këto ngjarje janë nxjerrë nga ndonjë legjendë shqiptare e shtembëruar ose nga ndonjë fletushkë propagandistike italiane. Aspak. Autoriteti që na e njofton këtë mizori është një grek besimtar dhe i ndershëm, Mihail Dukas, pjesëtar i Shtëpisë perandorake bizantine me po atë emër, kronika e të cilit përfshihet në koleksionin e madh të historianëve bizantinë, që ndodhet në Bon dhe mund ta studiojë çdo studiues. Me neveri dhe mosmiratim Dukasi njofton të gjitha egërsitë dhe vrasjet që ka bërë Thanasi kundër popullsisë shqiptare të Janinës. Siç thotë Dukasi, një nga lojrat e tyre të parapëlqyera ishte t'u priste hundët ose pjesë të tjera shqiptarëve dhe t'i linte të vdisnin në agoni. Disa krerë feudalë shqiptarë e kërcënuan Thanasin me një ekspeditë ndëshkimore, nëse ai nuk do t'i ndërpriste krimet kundër shqiptarëve. Thanasi u përmbajt një fare kohe dhe martoi vajzën e vet me princin më të fuqishëm të asaj kohe, me Gjin Shpatën. Pas njëfarë periudhe, Thanasi i nisi përsëri përndjekjet, madje edhe më të egra se më parë. Siç shkruan Mihail Dukasi, ndërsa Gjin Shpata mblodhi një ushtri dhe e rrethoi Janinën, kryeqytetin e vjehrrit të vet, Thanasi çdo ditë nën flamurin e armëpushimit i dërgonte Shpatës një shportë me sy të nxjerrë nga kokat e shqiptarëve fatkeqë dhe kjo dhuratë e kobshme vazhdoi derisa u hoq rrethimi.
Siç e thotë historiani, ambicja e Thanasit ishte të fitonte nofkën e Albanoktonos që do të thotë Shqiptarovrasës. Dukasi shton se despotit i pëlqenin shumë të huajt dhe të jashtmit, prandaj pati sjellë shumë prej tyre në qytet. Së fundi thuhet me marifet se Thanasi ia doli mbanë "të zbrazte" Janinën nga banorët e rrënjës. Natyrisht zor se mund të shpikte një metodë më të efektshme për të ndryshuar përbërjen etnike të një vendi, porse "të drejta" të krijuara në këtë mënyrë, ta themi në folmen më të butë, janë të një cilësie të dyshimtë. Krimet e përshkruara nga Mihail Dukasi kanë ndodhur më 1380 dhe në pak vite më parë.
Pas pesëdhjetë vjetësh, më saktë më 1431, një ushtri e fortë osmane erdhi me gjëmime te portat e Janinës, e cila ndërkaq ishte ripopulluar me të ardhur, dhe me një sulm qyteti u pushtua. Është për t'u shënuar fakti se, pasi i bënë një mbikqyrje krahinës, turqit e klasifikuan atë si pjesë të Shqipërisë. Por ka edhe diçka më domethënëse dhe krejt të pakundërshtueshme. Turqit bënë një regjistrim të kujdesshëm të qyteteve e të fshatrave dhe emrat e këtyre vendeve kanë dalë më pas në botimet zyrtare në trajtat e tyre shqip e jo greke. Për shembull, le të marrim rastësisht dy emra, dy qendrat e quajtura shqip Delvina dhe Grevena. Ato janë regjistruar përkatësisht Dhelvinon dhe Grebenë. Turqit e hershëm kanë qenë të përpiktë me hollësi të madhe për shënimin e emrave të vendeve, duke parapëlqyer gjithmonë trajtat e mirëfillta popullore. Për shembull, pas rrethimit të parë të Vjenës, turqit nisën ta shkruanin Wian me një A të gjatë, që është trajta e vërtetë popullore dhe sa kohë zgjati Perandoria Osmane, ata iu përmbajtën kësaj trajte, duke flakur trajtën artificiale Wien. Në traktatin e Ajzenburgut të nënshkruar më 1664 ndërmjet Turqisë dhe Perandorisë Romake të Shenjtë e të hartuar turqisht e latinisht, kur numërohen titujt e perandorit Habsburg, teksti latin e quan atë mbret të Bohemisë, porse në tekstin turqisht turqit kanë ngulur këmbë për ta thënë mbreti i çekëve.

(III)
Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye qe janë tepër të gjata për t'i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishterimin dhe u bënë moslemanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë moslemane, pjesa tjetër mbeti e krishterë, në veri si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekërit që të shkombëtarizonin shqiptarët duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.
Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujq për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekërit nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.
Një nga marifetet më të padëgjuara të grekërve ka qenë dhënia e ryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekërit ranë madje edhe më poshtë, nuk e kishin për gjë të kallzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t'i degdisnin në burgje të largëta.

(IV)
Pas luftërave ballkanike Turqia Evropjane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin po të ishte e mundur të zhvillonin marrëdhenie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekër e organizuar e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze Meri Edit Durham dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t'ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që ata e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara të të gjithë kohërave. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe e tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin "Njëzet vjet ngatërresa ballkanike" Mis Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë u kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.
Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eleminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti. Një rast i rrallë iu paraqit grekërve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh disa shekuj më parë e lanë krishtërimin dhe u bënë moslemane, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekërve kishte për qëllim që t'i paraqiste si turq shumë moslemanë shqiptarë dhe t'i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosesh, irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët edhe polakët janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për shkëmbimin e popullsisë e zbuloi mashtrimin në pak raste dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.
Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizura. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta, ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studjues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusjan, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri). Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?
Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e pa trembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekërit e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekërve për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë në 1913 ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjestim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë, që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri më pak se një vit më parë. E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

(V)
Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptarë dhe të rivendosë kufinjtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme që të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonjë mund të kundërshtojë se megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekërit ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar, kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re nuk tingëllon aq mirë. Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme.
Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptarë. Ata mund të shkëmbeheshin me grekërit e rajonit të diskutuar dhe më së fundi të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse siç pohojnë grekërit, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t'i bërë bisht çështjes. Çështja është a qe një herë dhe a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë automatikisht kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti është i qartë, se Italia ka këtu një përligje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Çezarit.

Botuar më 1940
 
Përgjigje e: Faik Konica


Faik Konica

Arshi PIPA,

Faik Konica! Kush nuk e njeh? Emni i tij asht njeni prej ma të dashunvet. Po mbushet afër nji gjysë shekulli qysh kur ky emën tingëlloi për herë të parë në veshët e Shqiptarëvet. Vinte që larg, nga nji vënd i huej dhe delte për me mprojtë të drejtat e Atdheut. “Albania” quhej ky za, dhe ishte, në shkretin e kulturës shqiptare, nji “vox clamans in deserto”. Ç’atëherë nami i Konicës u vendos në fronin ma të naltin e mendjes shqiptare. Dhe si hypi nji herë nuk luejti ma.
Gjatë gati nji gjysë shekulli fjala e tij erdhi ndër veshët tonë, ndër mendjet tona, me intervale herë ma të shkurta here ma të gjata. Jo e shumtë, jo e shpeshtë, ma fort e rrallë,,, rrallë e për mall. Dhe gjithherë e ndrrueshme, gjithherë e freskët. Dhe kur vinte, mbassi kishte shkapërcye kontinente e oqeane, kishte tinguj të nji mendësije së ndryshme, prendimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare. E sigurisht Konica qe mendja ma e ndrituna e gjithë historis sonë letrare. Noli punoi shumë ma tepër e ma me fryt. Por Konica qe për cilsin. Të tjerë dhanë punën: ai dha tonin. Aristokrat i lindun. Sugjeroi, drejtoi, zakonisht i ndjekun me nderim. Por ndodhi shpesh qi nuk e kuptuen. Atëherë u -idhnue, talli ashpër, shau.
Aristokrat edhe kur shau, ashtu si vetëm ai dinte të shante! Po pse mos me i thanë qysh tash të metat e tija njerzore? Ai nuk qe shembull mase e drejtsije. Pasjoni e verboi shum herë. Kishte nji faj sidomos (faj tamam aristokrati!): nuk mund të shifte tjetër kënd sipër vehtes, bile as pranë vehtes. Por në të vërtetën cili mund t’i afrohej? Çka tjerët kishin veç e veç a mangut, aj pat të gjitha së bashkut e në mënyrë të plotë. Kurrgjë s’i mungoi, nga kultura e madhe shkencore te ndjesija e imtë artistike, nga magjija e rrallë e bisedimit te shëndeti e hijeshija fizike. I vetëdijshëm për epërsin e vet nuk duronte qi ndokush të mos ia njifte. Të kishte pasë rrufena, si Zeusi, do të kishte shigjetue ata qi nuk e adhurojshin. Por fjalën: nuk e kurseu me e përdorë, kur u inatos, si armë, ma keq se armë.
Mos të ngutemi me thanë se bani keq. Të kujtojmë pak se me ç’njerëz e me ç’koka pati punë. Ndërmjet “anadollakëvet” e “sharllatanëvet” ai ishte nji fenomen anakronik. Kuej me i folë për art, “anadollakut në mësallë”?
Çdo njeri qi dinte me shkarravitë dy harfe shqip na mbahej për reformator gjuhe! E atëherë aj u idhnue e drodh kamxhikun e satirës..
Pamje njimend e kureshtme ishte kjo me pa “gentleman-in” ma të përsosun tue i u-vërsulë me shamjet ma të ndyta kundërshtarit! Sed quod non facit indignalio?
Ishte nji shpirt i çuditshëm ky Faiku, privilegjet e atij i u-dukshin të natyrshme! U a kishte zili të tjerëve mallin për Shqipni! T’ishte e mundun, do të donte t’i shërbente asaj aj vetëm, si nji grueje të dashun! Dhe qe kështu - ndonji herë i padrejtë, ashtu si mund të jetë ai qi ka zilin e dashunis.
Njeri ekstremesh! Njeri pasjonesh të mëdhaja. Këndej nuk “begendiste”, andej nuk falte. E kështu shkroi e foli mbi art me delikatesën më të madhe me ndijimin ma të thellë. Por kur shau u mori hua rrugacavet fjalorin e tyne.
Nuk shkroi vepra të plota? A muejtë me i shkrue nji njeri me kto huje? Ai nuk qe nji shkrimtar i profesionit, i lidhun mbas tryeze; qe nji “shijues”. Kur shkroi, shkroi për endjen me shkrue. Estet. Aristokrat deri n’art. Ç’ishte për të me mbledhë ndër disa volume ato qi shkroi gjatë jetës së vet? Jo, nuk e bani. Kjo nuk i ka hije zotnis së madh qi asht msue me hjedhë mendime e humor “par dessus le marche”! Të tjerë le t’i mbledhin, në dacin! Zotnija i madh shpenzon në të djathtë e në të majtë, falë e darovitë, nuk ep me fajde.
Nji herë vetëm mori mundimin me botue nji libër. Dhe ky libër qe nji përkëthim prrallash arabe nga “Njimij e nji netët”. Asht kjo mënyra e ndonji lordi anglez qi kujdeset për punë të votës dhe të vetat i len mbas dore.
Ç’ndryshim midis tij e Nolit! Noli punoi, me vullnet hekuri, gjithë jetën. Noli qe demokrati i madh i letërsis sonë. Krahazoni Nolin qi bahet prift për t’u shërbye bashkatdhetarvet të vet, me Konicën qi bahet ministër tue e kalue kohën ndër “soirees” diplomatike dhe ndër andjet e holla t’artit e të muzikës. Nji aristokrat i tillë a mund të pajtohet me nji demokrat si Nolin? E shkurtë qe prandej miqsija e tyne.
Pat thanë një herë Wilde: “Kam vue të gjith gjenialitetin tim në jetën teme, por vetëm talentin tim në letërsin teme”. Kto fjalë i përshtaten mjaft Konicës. Larg nesh mendimi më e krahazua jetën e tij me atë të “dandi-t” Ëilde! Por kush mund të mohojë se luksi e fama atij nuk i pëlqejshin? Ata qi e njofton tregojnë se shijet e tija epikureane ishin fort të pasuna. Ishte nji burrë i pashëm, me nji shëndet për t’i pasë zili. I pëlqente pra “jeta”, kuptohet. I pëlqente edhe me u-veshë mirë. Ndonjiherë ngjeshte edhe fustanellat e delte ashtu nëpër kremte e gostina, ose edhe nëpër “Hyde Park”.
Jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtarit asht gjithmonë çelsi i artit të tij. Nuk arrijmë me kuptua se si arti e jeta mund të jenë te artisti dy anë të ndryshme, të kundravendosuna. Dhe në qofshin këto nji herë të vërteta te artisti i zakonshëm, qi e idealizon jetën e vet n’ art, janë dhetë herë të vërteta të ata të rrallë qi, tue ndrrue mardhanien, e sjellin artin e tyne në jetë, tue e ba jetën e tyne poezi, tue e artistizue. Baudelaire! D’Annunzio! Konica u përngjet pak, për së largu.
Portreti fizik i Konicës, ashtu si e shikojmë në fotografin e tij tipike të riprodhueme shum herë, asht pasqyrë shum e qartë e karakteristikavet të tija shpirtnore. Na duket Konica këtu në moshë të pjekun, medje të shtyme, njeri qi ka jetue dhe qi din ç’asht jeta. Fëtyra e tij e mbushun, plot shëndet e gjak, rrëfen nji shpirt të knaqun nga vehtja. Vijat janë të hajthëta, me lakime elegante të nji fëtyre fisnike. Dhe në kët fëtyrë dy gjana bijnë në pah me nji herë: sytë e goja. Sytë kanë nji shkëlqim të jashtëzakonshëm, nji shkëlqim të prehtë e të ftohtë, sy çeliku. Inteligjenca e madhe e Konicës vezullon çiltaz ndër kta sy. ‘Por kur zbresim ma poshtë ndeshim dy buzë “fine”, jo të trasha jo të holla, të lakueme në nji mënyrë qi nuk mundesh me dallue me shpejt a asht gaz i ambël apo ironi. Por në se ke lexue ndonji shtyllë nga “Dr. Gjilpëra”, ose nga “Gaspariano”, nuk ke ma dyshim: ajo buzëqeshje asht ironi. Gjithë ajo inteligjencë qi ndriçon nga sytë e Konicës vjen e del nëpër ato dy buzë të lakueme, natyrshëm; për tallje. Inteligjenca asht ba “humour”: ke njoftë njeriun.
Inteligjenca asht cilsija e madhe e Konicës. Ndër tjera rrethana, ndër tjera kushte shpirtnore do të kishte muejtë t’ushtrohej me fryt të ndryshëm. Edukata frënge, me traditën e saj të satirës, nga D’Aubigne te Voltaire, trajtoi Faikun pamfletar. Anglija, atdheu i humorit, i zhvilloi edhe ma tepër sensin e ironis. N’Amerikë mandej ato gjetën trollin e përshtatshem për me u-ushtrue.
Pamfleti shkatrron, dhe ironija, vetëm, a mund të krijojë? Ironija asht nji “forma mentis”, asht trajtë, asht stil. Kur nuk asht e shoqnueme me fantazi krijuese ajo mbetë në planin e fragmentavet e të vijosjevet të shpejta, “essai” a përshtypje e rasës. Ironija pa peshën e landës asht fluturake: asht ndër hujet e erës qi e shëtitë për pak, herë këndej herë andej.
Inteligjenca nuk krijon: ndritë, sqaron, e shum shum ndryshon: asht themelisht kritike. Konica pati të gjitha vetitë për me qenë nji “essayiste” i shquem: kulturën filologjike-estetike, shijen e artit, prehtësin e gjykimit. Ato prova qi kemi prej tij e dëshmojnë qartaz këtë. Por aj kishte ma tepër se kaq: kishte ironin. E përdorun me masë e me takt ironija, kjo dhuratë hyjnorësh, mund të krijojë vepra madhështore kur asht e drejtueme nga nji qëllim serioz, nga nji dëshirë universale. Ndonji herë Konica ja arrijti ktij ideali. Përshkrimet e tija te “Shqipërija si m’u duk” mbi ata “memurë” anadollakë e mbi ata tjerët, paljaço të qytetnimit europjan, “robotë” e “levantinë”, janë të nji humori të shëndoshtë: dhe kjo, pse Faiku frymëzohej jo ma nga marazet e ngusha vetjake por nga nji ideal kombtar. Por shpesh zotnuen te aj edhe inatet politike, pasionet e pezmatueme. Dhe ironija, u-ba atëherë sarkazëm, dhe sarkazëm vetjak.
Por gjindej, te Konica, edhe nji mall i fortë për bukurin e pastër. Aj, shijues aq i hollë i muzikës dhe artit, përpara disa qneave natyrore ngashërehej. Ose kur vinte “dita e verës” dhe mendimi i fluturonte tek kohnat e bardha pagane, ose kur shkonte “anës liqenit”. Shpesh ishte malli i Atdheut. Herë tjera ishin kujtimi i kohnavet të fëminis kur i rrëfejshin përralla si “e bija e mbretit dhe trandafijë”, ose ato qi tregohen “në hijen e humave”. Ky tel minor i Faikut tingëlloi ma rrallë e “in sordina”. Zakonisht e mbyti tingulli i ashpër e larkjehues i satirës. Por kur tingëlloi qe plot magji. Piktura ma të përsosuna, ndjenja ma t’imta nuk ka përshkrue deri sot penda shqiptare. Qe nji shembull:
“Nata po afrohet. Drita e ditës tretet dalë nga dalë; e, mbi tjegullat e shtëpive, mbi drrasat e rrugëve, mbi fletët e pemëve, mbi trupat e epila të çupave që shkojnë, një ngjyrë manushaqeje-një ngjyrë gushë pëllumbi, si thonë në ca male t’ona- shtihet, e i mpështjell. Mbasandej, pakë nga pakë, manushaqet çfletohen. Hijet bëhen më të dëndura, më të zeza. Njëri mbas tjetrit, yjtë çpojnë qiellin, e pikëlojnë dritë. Nata u afrua. (“Albania” v.II. n.6, fq 92).
Por Konica nuk u kujdes me i lanë të shkruese të gjitha përshtypjet e veta. Ndoshta prej përtacije! Shënojmë se veprën e tij të madhe, koleksionin dymëdhjetë vjeçar t’ “Albania-s” (1897-1909), e bani sa qe i ri, në hovin e atij entuziazmi djaloshar qi krijon zakonisht gjanat e reja, e ndonji herë të mëdhaja. Sigurisht i nji tjetër kalibri ishte vullneti i Nolit, qi punoi pa u-lodhë, vazhdimisht. Konica përkundrazi e ndali hovin mbas botimit t’”Albania-s”. Çka shkroi prej këndej deri sa vdiq, gjatë një periudhe gati tri herë ma të madhe se ajo e “Albania-s”, asht relativisht e paktë në krahazim me punën qi derdhi te revista. Ishte orvatë me ngul ndërmjet sa vështirsish për të mbajtun rivistën. Kur i erdhi fama e bashkë me atë edhe mirëqenja ekonomike e rehatija, u-duk shpirti i tij prej aristokrati qi e ban letërsin për qejf, kur nuk e ban për huj.
Në të vërtetë kjo pat qenë ma vonë, kur Konica, mbas nji periudhe gjithaq të gjatë sa ajo e “Albania-s” (1909-1921), u vendos n’Amerikë për mos me luejtë ma, përveç nji vizite së shkurtë qi i bani Shqipnis në 1929. Kjo periudhë e dytë asht periudha politike e Konicës, sa e frytshme për rilindjen tonë kombëtare, aq e vorfën në prodhimin e tij letrar. Mbas këndej Konica qe i lirë e mueti me ba jetën qi deshi. I njohun si përfaqësuesi i
gjithë shqiptarvet t’Amerikës, ma parë prej Qeveris së përkohëshme e më vonë prej Monarkis, aj kishte tash kohë e mundësi për me punue me nge në fushën e letravet. Gjatë kësaj kohe, dyfish ma të madhe se ajo e periudhavet të para (1921-1943), Konica, do të kishte muejtë të prodhonte shum ma tepër se shtyllat e “Dr. Gjilpërës”, reportazhin e “Shqipëria si m’u duk” dhe përkëthimin e prrallavet arabe.
Shkaqet duhen kërkue jo aq te ambienti i rafinuem diplomatik ku shpirti prej natyre përtac i Konicës nuk gjeti nxitje për punë (ka pasë edhe tjerë diplomatë qi kan dijtë me përfitue nga rehatija e jetës diplomatike në dobi të poezis), se sa te vetë struktura etike e Konicës. Kjo strukturë ishte e tillë sa nuk mund të prodhonte vepra të plota. Konica ishte nji estet, dhe cili estet nuk asht i lidhun ngusht me ego-n e vet? I munguen Faikut ato ideale qi e derdhin njerin në nji humanitet ma të gjanë se bota e vetvehtes. Nuk gjejmë në të hove dëshirash altruiste, zell apostulli. Konica rroi e vdiq i pamartuem, nuk e njofti pra familjen si vlerë etike. Popullin aj s’ e ndjeu afër tue qenë ariostokrat. Fen e injoroi. Ndër idealet etike qi mund t’i epshin landë krijimit të Faikut, vetëm nji ngelte, atdheu. Atdheut aj i shërbeu si ma i madhi bir i tij. Vepra e tij atdhetare imponon nderim. Por tue lanë mënjanë shërbimet diplomatike qi s’kan të bajnë me poezi, puna atdhetare e Faikut qindron ma tepër te kritika e anës së dobët se sa te lavdimi i anës së mirë të shqiptarit. Vuni në dukje të metat pa cinue virtytet t’ ona. Dhe kjo, kujtojmë, rrodhi prej se Faiku u-shmang nga tradita. I dalun jashtë vendit qysh herët, e i edukuem me kulturë prendimore, aj qe i pari njeri modern i vërtetë ndër shqiptarë. Kjo mendësi moderne, qi i dha prehtësi e guxim me vue në satirë mbeturinat anadollake arnautishte, e lergoi Konicën nga kuptimi i atyne rrajëvet të forta e të shëndoshta qi qenë gjallnija e Shqiptarit gjatë shekujvet. Shembull domethanës në kët pikpamje: moskuptimi i tij rreth Naimit.
Kto vlera etike, familja, tradita, humaniteti, feja, janë ato qi i japin ushqim poezis së madhe. Dhe kto Konica nuk i pat fort të zhvillueme. Por për me qenë poet mjafton shpesh herë me i besue Artit, tue ja dhurue jetën kultit të tij. Kështu arti fiton humanitet dhe, nga nji luks shndrrohet në nji nevojë, nga nji punë qejfi bahet vlerë etike e epërme. Konica nuk ja flijoi jetën e vet poezis. Aj bani të kundërtën: ja flijoi jetës poezin e vet. Arti ishte i vetmi shkamb ku do të mund të ngulej. Aj nuk e mori seriozisht, nuk u-pengue mbas tij. E bani “me shaka”, kur i u-tek. T’i kishte besue artit do të kishte qenë Heine i letërsis sonë. Kurgja sa “Shqipëria si m’u duk” nuk përgjasohet me “Reisebilder”.
Ky qe Konica dhe kjo vepra e tij. Rrallë herë shprehja e famshme: “Le sytle c’est l’homme”, gjen nji trupzim ma të përshtatshëm se te Konica. Pse ai qe i tani stil. Njofti të gjitha të mshehtat e stilit, të gjitha kthesat. Stili i tij qe në thelb satirik. Të tana gamat e satirës ai provoi, prej ironis ma s’ambël deri në sarkazëm, prej humorit deri në pamflet. Por qe edhe i kthjellët e i ambël kur deshti.
Ndikimi i tij mib letrat shqipe qe i madh e i vijueshëm në kët vështrim. Proza toske i detyrohet Konicës. Të gjithë shkrimtarët toskë morën mësim prej tij. Prandej sot proza toske asht e njitrajtëshme, ndërsa gegnishtja nuk asht kristalizua ende pse nuk ka gjetë nji mjeshtër stili njësoj të madh sa Konicën.
E jo vetëm stilin e shkrimit mësoi Konica, por edhe vetë gjuhën. Kultura e tij filologjike, me baza të gjana shkencore, u-shoqnue me shijën e tij në të folun dhe të dyja bashkë përftuen at gjuhë të pastër qi sot rrjedh aq bukur ndër shkrimarët toskë ma të mirë.
Stili n’art asht gjaja kryesore. Nuk ka letërsi të vërtetë pa stil. Me pasë mësue mjetin e mënyrat e shprehjes: ky është lavdi i pavdarshëm i Faik Konicës. Asht lehtë me kritikue tue gjetë të meta e gabime. Por cili, sa do i madh qoftë, nuk i ka? Të mdhajvet t’u harrojmë mungesat dhe t’u çmojmë virtytet. Të mos kërkojmë ndër ta ma tepër se ç’na kanë dhanë. Qenë prisa, qenë pionerë ndër shtigje të parrahura, ndër pyje të ngatrrueme. Sot na ecim pa vështirsi sheshit, harrojmë shpejt se ktë nuk e kemi nga mundi i tyne. Të falenderojmë pra shkrimtarin për sa na ka dhanë dhe të përkulemi me respekt përpara fëtyrës së ma të madhit stilist shqiptar, Faik Konicës.
Na duket, ndërmjet atyne dy poleve të kombit qi janë gega e toska, sa i pari përban ma tepër landën, brumin e shqiptarit dhe i dyti trajtën, frymën. Dhe në se gjejmë ma të madhin përfaqsues të gegnis te Fishta, ndeshim kulmin e faqes tjetër jo te Naimi, jo te Noli, por te Konica.

Botuar më 1944



Zakoni i skllavërisë

Faik KONICA,

Skllavëria, si çdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr' e dytë dhe ata jo vetëm s'marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.
Këto që thomi s'janë theori të thata. Kemi fakte historike që i provojnë. Dini të gjithë se që më 1861 e gjer më 1865, u-bë n'Amerikë një luftë civile e madhe në mes të Shteteve të Veriut e të Shteteve të Jugës. Veriu, me Lincolnin si President, i qojti gjithë skllevët të lirë. Juga nuk pëlqeu këtë veprim. Juga deshi t'a mbajë skllavërinë si një institutë legale, dhe u-nda nga Veriu duke u-prokllamuar një republikë më vete me Jefferson Davis-in si President. Fundin e di çdo njeri: Juga u-munt, Amerika u bashkua përsëri, dhe skllaveria u-çduk për gjithënjë. Lincoln-i u-vra në mbarim të luftës. Davis-i rojti gjer më 1889, si njeri prevat, -dhe bukuria është se çngjau kur vdiq ky njeri që kish derdhur aqë gjak për të mprojtur skllaverinë: ngjau kjo gjë e çuditshme, që dymij ish-skllev vazhduan duke qarë qivurin e Davis-it! Shikoni forcën e zakonit: skllavi i çliruar kish zemrën dhe dashurinë të lidhur me armikun e çlirimit.
Kur qenka ashtu natyra e njeriut, a është çudi që një shumicë Shqipëtarësh të kenë në shpirt të tyre adhurimin e zgjedhës? Bij, nipër, stërnipër skllevësh, skllev vetë, fjala liri nuk është për ta veç se një gjë misterioze dhe e rezikshme, e cila duhet ose lëftuar ose pritur me të ftohtë. Çudia është se kemi dhe n'Amerike një shumicë nga këta skllev qesharakë dhe të poshtër. Të lirë nga krahët, truri i tyre është i lidhur me zinxhirë. Dhe është bukuri të vazhdojë njeriu sielljet e kësaj kopeje. Posa u tepëron pakë kohë nga puna, ata nukë dalin të marrin erën e paqme që të qërojnë mëlçit' e tyre nga mikrobi i oftikës, - po venë si gjërpërinj nga "konak" në "konak" dhe nga dyqan në dyqan dyke bërë propagandë kundër Fushatës. - "Ç'ësht' ajo parti liberale?" thonë skllevët. "Ne kemi një guvernë, dhe duhet t'a mprojmë. Ato që bën guverna janë të mira. Populli në Shqipëri ësht' i kënaqur. Mos dëgjoni çpifjet, se paratë do t'ju venë humbur". Dhe fjalët e tyre gjejnë përkrahje nga një turm' e errët spiunësh dhe larosh, - pseudotregëtarë gjysmë t'egër që janë në të dhënë faliment e sipër, batakçinj t'ardhur në mes të Shqipëtarëve s'dihet nga ku dhe me ç'porosi, varangjelistë të paqytetëruar me kurrizin "den-baba-den" të zbutur nga shkopi, kumarxhinj, dembelë, etj. Kjo turme, e palarë në gjithë kuptimet e fjalës, ka disa qëllime të fshehta, - dhe një qëllim sheshit, që është: të mos bëhet Shqipëria një Shtet modern i shtënë në themele të shëndosha, po të mbetet një vent i turbull dhe i dobët, i lehtë për të përmbysur kur lakmia e fqive të gjejë rastin.
Vetëm të larkmët duhet të dinë një gjë: skllevët që përmentmë, spiunë të mbetur nga regjimet e shkuara të Shqipërisë, s'kanë të bëjnë fare me VATREN. Vërtet lehin, lëpijnë, futin hundën në çdo deriçkë, - po as një në dhjetë s'ësht' anëtar i Federatës që kam nderin të kryesoj. Dhe në qofshin shtat' a tetë gjithsej, jan' asish që hyjnë të pavënë re nga dera kur e gjejnë të hapur, po dalin me elegancë nga penxheria kur zbulohen prej kujdestarëve të shtëpisë.
Puna është sheshit. VATRA ka lëftuar dhe lëfton për një Shqipëri moderne, serioze dhe të nderuar. Partia liberale që u-organizua në Shqipëri, do t'mundohet të fitojë shumicën në zgjedhjet, që të vërë në veprim idealet e VATRES. Ju pëlqen ky mendim? Përkraheni me sa ju mundet Partine Liberale duke mos u vënë veshin larove, të cilët pa fjalë do të bëjnë zanatin e tyre.

Botuar më 1923


Komedia e partive

Faik KONICA,

Korrespondenca e mikut t'one të kthiellt, Francesco Argondizza, që "Dielli" boton në numër të sotmë, na heq përsëri vërejtjen mi reziqet që e rethojnë Shqipërinë. Kur popujt dëshërojnë paqe dhe kërkojnë marëveshje e mëiqësi në mes tyre, aventurierët e politikë nërkombëtare si Mussolini dhe Pashicci e shkojnë kohën duke bërë plane për të turbulluar qetësin e botës, për të derdhur përsëri gjak, dhe për të shtuar mjerimet që rendojnë si plumb i nxehtë në kurriz e në shpirt të njerëzisë. Nuk është punë aq e lehtë të prishet një Shtet i vendosur, dhe s'duhet të na trembet aqë shumë syri. Atë lakmi ccakalle që kanë sot, fqinjtë t'anë e kishin dhe die. Ish më lehtë të prishej die se sa sot Shqipëria; më lehtë në kohë të Konferencës së Parisit, kur Shqipëria nuk ish edhe e njohur si Shtet dhe armiqt' e saj flisjin si shokë dhe aliatë të nderuar të Fuqive të Mbëdha mundëse, se sa sot që Shqipëria jo vetëm është një Shtet i njohur po mer pjesë dhe në Lidhje të Kombeve. Pastaj, ka sot n'Evropë burra si Radicc-i i Kroatisë dhe Morel-i i Inglisë, fytyra fisnike që përfaqësojnë ndërgjegjjen e njerëzisë dhe zëri i të cilëve, i shtrënguar të heshtë gjer die nga gishtërinjt' e hekurt të despotismave e të censurave të lindura nga lufta, dëgjohen tani anë mb'anë të botës dhe janë të zotët të bashkojnë për veprim gjithë forcat morale të dheut.
Jo. Nuk besoj se Shqipëria është në rezik, - të pakën jo dhe për shumë kohë. Po kjo s'do të thotë se jemi të siguruar në ccdo rast dhe në ccdo mënyrë.
Asnjë Shtet nuk është i siguruar plotësisht dhe pa konditë. Nuk është nevojë të kërkojmë shëmbëlla në histori të shkuar, arrin të hedhim një sy në historin' e sotme, për të kuptuar se Shtetet, si njerëzit, lindin, riten dhe vdesin, - dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet. Në qoftë se anarkia, e cila mbretëron që katër vjet e tëhu në Shqipëri vazhdon dhe ca kohë, ahere optimisma s'ka vent dhe trëmbem se dicc do të ngjasë. Le të kemi shpresë se të vetë-qojturve "udhë-heqës" do t'u vijnë
menttë dhe punët do të shtrohen. Po në qoftë se e papritura ngjet, në qoftë se Shqipëria - fjalë fatale - vdes, ahere munt pa ccpifje të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj:
U NGJALL NGA IDEALISTËT
U RUAJT NGA RASTET
U VRA NGA POLITIKANËT

Po. S'ka dyshim se politikanët - turma e erët e njerësve që e përdorin politikën jo si një udhë po si një qëllim - kanë zënë t'i vënë kazmën Shqipërisë. Unë që s'këndoj kurrë gazetat e Shqipërisë (e kam ccfaqur arësyen tjatër herë), zura këto javët e fundit t'i këndoj me regull që të kuptoj rrjedhjet politike të vendit, dhe gjer tani nuk arrita të zbuloj gjësendi. Këtu këtje, nonjë artikull i veccuar ccfaq te bërësi një ndienjë të problemeve të mbëdha që janë shtruar përpara Shqipërisë; po përgjithësisht s'duket gjëkundi filli i pakëputur i mendimeve të përgjithëshme, po vetëm një bisedim i rëmbyer hollësirash, detajesh.
Për shembëll, le të marrim reformën e kodit. Pse duan t'a reformojnë dhe me cc'frymë do t' reformohet? S'meret vesh mirë. A duan t'a shkurtojnë kodin dhe t'i përmbledhin gjithë kanunet në një pakicë faqesh, sicc bëri tani shpejt Japoni, gjë për të cilën ky vent u lëvdua nga juristët, se shumësia e kanuneve është një sëmundje dhe një pengim? Po të kishin një ide t'atillë reformatorët t'anë, ahere ja një fill udhëheqës, një mendim i përgjithëshm: arsyeja e reformës do t'ish simplifikimi. - A duan t'i lënë më tepër liri njeriut dhe të shkurtojnë gjer në kufirin më të ngushtë nërhyrjen e Shtetit në punët individuale, dhe jo si në Prusi ku për të ndruar odë duhet të kërkosh leje nga opolicia, sistem skllavërie i kopiuar gjer më një pikë dhe nga Turqia? Ja përsëri një fill udhëheqës: zgjerimi i lirive individuale dhe pakësimi i pengimeve të vëna nga Shteti. - A duan të kenë kanune më elastike, më t' epëshme, dhe jo rigide pa nevojë, - si për shembëll në Skolland ku ka shumë forma martese: përpara një njeriu feje, ose përpara registar-it, ose përpara miqsh të thirur si dëshmonjës në shtëpi, etj., të gjitha forma legale, kurse në Francë ka vetëm një formë legale dhe do s'do je i shtrënguar t'i bindësh asaj forme? Ahere, ha bhë thatër fill udhë-heqës: të reformuarit e kodit për të kallur ane mb'anë një epërsi më të madhe në formalitetet. Munt të vazhdojmë duke dhënë shembëlla të tjera. Këto arrijnë për të treguar se një reformë, që të jetë reformë e dobishme, duhet të ketë një fill udhëheqës, një frymë përmirësonjëse të re. Në këtë reformë të kodit, s'shohim për kundrë veç se një ndryshim. Po çdo ndryshim nuk është doemos një përparim. Dhe po të përmbledhim fjalët e reformonjësve dhe fjalët e kundërshtarëve do të gjejmë këto mendime: Reformonjësit duan t'a reformojnë kodin e sotmë se s'janë mësuar me të, kundërshtarët e mprojnë se janë stërvitur pas tij. As gjë tjatër.
Që Shqipëtarët, në çdo çap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendimi i përgjithëshëm; dhe nga ana tjatër, që Shqipëtarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim: - ato janë dy fakte që duhet t'i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e shvillimeve në të katër vjetët e fundit. Patmë këto ditë një provë tjatër në të "themeluarit" e dy "partive" të "ra". Asnjë nga këto të dy "parti" s'ka nonjë gjë të re brenda, as njerës të
rinj as parime të ra: njerëzit jan' ata që i kemi njohur në disa partira të tjera, - parti "'nacionaliste", "popullore", "përparimtare", "liberale" dhe s'di se ç'emëra të tjera me -ore, -are, -ale ose -atre: po kurdohere ''the same old damned thing", një grup njerëzish që nuk i lith as një e shkuar e përbashkm: as dashuria për një ideal të përbashkët, po vetëm ca inate e ca interesa të çastit. E vetëma gjë e re ketu jan' emërat e "partive", emëra që s'kan' asnjë kuptim të caktuar: fjala "demokrat" ësht' aq' elastike, sa ka ngjarë shumë herë të meret për flamur mbulonjës nga reaksionarët më të tërbuar; sa për fjalën "radikal", kjo ësht edhe me elastike, -aq' elastike sa më Sërbi "radikale" një kohë quhej partia rusofile, në Francë "radikale" ka qenë partia që lëftonte lidhjen e Shtetit me Kishën Katholike, n'Ingli "radikale" jan' ata liberalë që anojnë nga partia e punëtorëve, dhe n'Amerikë më në fund fjala "radikal" është një emër i mbuluar për të thënë socialist. Aqë kuptime sa edhe vende. S'munt të mohojmë se në të dy "partitë" që u themeluan ka njerës të mirë; përveç kësaj, sekretarët që të dy partive janë miqatë t'anë, dhe nukë munt të vënë në dyshim kthiellësin' e qëllimeve të tyre. Po dhe njerës të mirë shumë herë bien viktima të rrethit e të rasteve. Themelimi (i cili do të mbetet themelim në kartë vetëm) i të dy partive të ra, nuk është veç se një lodrë fjalësh, - një ndryshim etikete, ndryshim që Shqipëtarët pas zakonit të tyre e kujtojnë përparim. Po a do t' gënjehet Populli? Besoj që jo.
Besoj që Populli kur të shohë se gjith' ata njerës që i kanë dalë një mot më parë n'emër të një partie tjatër dhe tre vjet më parë n'emër të një partie tjatër prapë, do të thotë me vete të tij se këta njerës tallen me të, dhe do t'u kthejë kurrizin. Dhe do t' votojë pas mendjes tij, - do t'votojë për njerëzit e "ndershëm", pa vënë re maska, etiketa, dhe emëra. Kemi shvilluar shumë herë në këto shtylla mendimin që një vent nukë munt të qeveriset mire po s'pati dy parti t' organizuara, po parti në kuptimin e vërtetë të fjalës, do me thënë parti që kanë një parim udhëheqës të kthiellt, një program me hollësira të caktuara mirë, me anëtarë besnikë e të patundur, dhe me një kryetar të njohur e të dëgjuar. Që të gjitha këto mungojnë në Shqipëri. Dhe kur na çfaqen dy parti pa kokë, pa trup, dhe veçan pa frymë, besojmë se nuk do t'gënjehet njeri me etiketa, - etiketa që janë dhe fallse, se etiketa e vërtetë e që të dy partive në fjalë duhej t'ish "konservative e matur"; që t'i çquajme duke marë hua një fjalë nga jargoni i parlamentit të Francës, njëra munt të quhet "parti centre-gauche" dhe tjatëra "parti centredroit': S'shohim, gjë tjatër n'ato "partira".
Po pse te humbasim kohën? Populli u ngop me gënjeshtra. Ka humbur besimin në politikanët. Dhe Populli s'ka aspakë faj, se politikanët më të vërtet s'meritojnë aspakë besim. Aherë ç'do të dalë nga zgjedhjet? Hiç gjësendi. Populli shqipëtar - si popujt e tjerë të Ballkanit, si Grekët për shembëll që një-qint vjet me radhë s'kanë patur veç se partira personash, "Trikupiste" dhe "Delijaniste", "Venizeliste" dhe "Kostandiniste" - do t' grupohet pas personave. Populli Shqipëtar do t'votojë për njerëzit "më të ndershëm", dhe Perëndia e di se ç'farë njerës jan' ata që Populli i gjykon të ndershëm.
Përpara një kauzi ballkanik si ky, është më kot të thajmë gurmazin duke predikuar në shkretëtirë. Besojmë se detyra e vatrës është paskëtaj të rij' e paanëshme, duke stërvitur Popullin për një të nesërme më të kthiellt dhe duke përkrahur, çdo guvernë që të japë ca garantira të paka ndërgjegjjeje dhe pune, pa kërkuar nga ky brez i korruptuar gjëra të pamundura.

Botuar më 1924



Katër dilema rreth Konicës

° Përse nuk e plqente dhe shprehej kundër Naim Frashërit? ° Përse mendonte se shqiptarët duhej të bëheshin të krishterë? ° Përse ishte aq përjashtues rreth Kosovës? ° Përse i ndërpreu aq befasishëm marrëdhëniet me Apolinerin dhe iku në Amerikë?

Mehmet KRAJA (Akademik)

Dilema e parë

Në historinë e letërsisë tashmë është i njohur mendimi negativ që Konica kishte shprehur për Naimin. Ai thoshte: “Naim Benë si atdhetar e kam kurdoherë lëvduar dhe ngrijtur në qellë; si shkronjëtor s’qe gjë; dhe si njeri ish i martuar me simotren e tija. Nuk dua të mburrem që jam një njeri i virtytshëm, po nga të pakta gjera q’i nderoj nga fundi i zëmrës është familja. Incesti më duket i ndyrë dhe i rrezikshëm për familje.”
Pra, sikundër shihet, gjykimin për Naimin e shtrin në dy rrafshe, Naimi si poet dhe Naimi si njeri. Po e shikuam këtë gjykim të Konicës nga kjo distancë kohore, na del e qartë se ky konstatim për poezinë e Naimit mund të ketë mbështetje dhe, në njëfarë mënyre, mund të arsyetohet, po të kemi para sysh faktin se Konica kishte një kulturë letrare europiane, se në atë kohë ai duhet të ketë lexuar poezinë e simbolistëve francezë dhe të tjerëve si ata. Pra, për kulturën letrare që kishte Konica, Naimi mund dukej një romantik i vonuar, madje i prapambetur. Mirëpo, në anën tjetër, Konica botonte revistën “Albania” dhe aty gjenin vend poezi të autorëve shqiptarë të asaj kohe, që nuk e kishin arritur as për së afërmi nivelin e Naimit. Për këtë Konica duhet të ketë qenë i vetëdijshëm, se Naimi duhej kundruar në kontekst të letërsisë shqipe dhe jo të zhvillimeve letrare europiane.
Ndërkaq, sa i përket gjykimit që i bën Naimit si njeri, argumenti që nxjerr paraqitet i diskutueshëm, sepse Konica, përveç që kishte një kulturë perëndimore, barte me vete edhe një trashëgimi orientale. Ai ishte bej dhe këtë ndonjëherë do ta theksonte me mburrje. Kjo traditë orientale, përfshirë rregullat e jetës dhe të marrëdhënieve brenda familjes, lejonte martesa të tilla, çfarë kishte bërë edhe Naimi. Përveç kësaj, nga bëmat jetësore të Konicës nuk është vështirë të kuptohet se ai nuk ishte ndonjë puritan, siç e thotë edhe vetë.
Atëherë, ku qëndron arsyeja e këtij gjykimi negativ për Naimin?
Mendoj se janë dy arsye për këtë. E para, natyra prej të rebeluari e bën Konicën të prirë për të rrënuar mite dhe tabu. Duke marrë parasysh se çfarë thoshte, ta zëmë, Çajupi me rastin e vdekjes së Naimit, del qartë se Naimi që atëherë ishte identifikuar si poeti më i madh shqiptar, pra ishte bërë një mit, ishte idealizuar tej mase. Konica mund të mos i honepste panagjërikët e kësaj natyre dhe, duke qenë natyrë kundërshtuese, gjykimin për Naimin mund ta ketë shprehur duke u mbështetur mbi këtë predispozitë.
E dyta, që mendoj se është më e rëndësishmja, kjo armiqësi e Konicës me Naimin lidhet me një incident politik. Nga një letër që Naimi dhe Samiu i shkruanin Murat Toptanit, mund të kuptohen dy gjëra esenciale: se Konica, me qëllim të shpërndarjes së “Albanias” në Shqipëri, paska qenë i gatshëm t’i bënte koncesione të mëdha Turqisë, dhe se Naimi në atë kohë bënte punën e censorit në organet e qeverisë turke. Që të dy nuk dalin shumë të lavdëruar në këtë punë. Por është shumë e mundshme që Konica, me lidhje shumë të forta gjithandej në Shqipëri dhe në Stamboll, duhet ta ketë marrë vesh se refuzimi për shpërndarjen e “Albanias” mund t’i kishte ardhur pikërisht nga Naimi. Dhe, për aq sa e njohim karakterin e tij, kjo duhet ta ketë tërbuar dhe ta ketë çuar deri në urrejtje (edhe sot e kësaj dite lindin uurejtja të tilla mes shkrimtarëve). Mirëpo për Samiun, i cili në letrën e përmendur ndan mendimin negativ për Konicën, thotë se ishte “një mëmdhetar i thellë që e kapërcen Spinozën”, gjë që bën të supozohet se Konica tërë mëkatin për mosshpërndarjen e “Albanias” në Shqipëri duket se ia kishte lënë Naimit.
Megjithatë, dilema mbetet: Përse, pra, Konica nuk e pëlqeu Naimin, sepse mendimin negativ për njërin nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe ai përsërit edhe më vonë, më 1937, kur kishin kaluar shumë incidenti nga incidenti që përmendëm.

Dilema e dytë

Dilema e dytë ka të bëjë me fenë. Konica shprehet se shqiptarët nuk duhen ndarë sipas feve.
Por në një shkrim të vitit 1908, Konica thotë se shqiptarët duhet të bëhen të krishterë, që Europa ta pranojë bërjen e Shqipërisë shtet. Është koha e trazimeve të mëdha në Turqi. Aleanca me xhonturqit shqiptarëve nuk u solli asgjë të mirë. Siç do të shihet edhe nga Kuvendi i Gerçës, por edhe nga dëshmitë e tjera të kohës, parija shqiptare, përfshirë edhe një pjesë të intelektualëve, besonin fort se reformat e xhonturqve mund të çonin te një autonomi dhe pastaj, shkallë-shkallë, te bërja e shtetit shqiptar. Fundja, ideja e autonomisë vinte që nga Lidhja e Prizrenit. Ndër shqiptarët, siç dihet, nuk ishin të paktë ata që u zhgënjyen me xhonturqit.
Nga ana tjetër, është krejt e besueshme se pavarësia e Shqipërisë nuk gëzonte një mbështetje në qarqet politike dhe diplomatike europiane, nga frika se Shqipëria do të bëhej një “Turqi e vogël” në Europë, siç thuhej atëherë.
Konica, që i njihte mirë këto zhvillime, arrin te një zgjidhje e pamundshme, por që do të lërë gjurmë në mendimin politik shqiptar gjatë gjithë shekullit XX: që shqiptarët të bëhen të krishterë, në mënyrë që të gëzojnë mbështetjen e Europës.
Deri më tani mbetet e pasqaruar kjo dilemë, nëse Konica u shpreh në këtë mënyrë i nxitur nga një situatë e rëndë politike, apo kjo ishte një bindje që ai do ta ushqejë edhe më vonë. Më sa kuptohet, ndonëse shkroi me pseudonime të ndryshme, Konica nuk përvetësoi si të qëndrueshëm ndonjë emër që do ta largonte nga trashëgimia orientale, por, përkundrazi, ai e ruajti deri në fund të jetës titullin e kësaj trashëgimie, “bej”, madje edhe atëherë kur për këtë nuk kishte edhe shumë nevojë.
Por, megjithatë, dilema mbetet.

Dilema e tretë

Në librin “Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, Konica bën përshkrime etnografike-historike të hapësirës shqiptare, që nga Konica e deri ne veri të Shqipërisë, zonë pas zone.
Venerimet e tij historike-etnografike asnjëherë nuk dalin jashtë territorit të përfshirë nga Shqipëria e Versajës, me përjashtim të vendlindjes së tij, Konicës, e cila kishte mbetur nën Greqi.
Libri, sikundër e shpjegon vetë Konica, kishte pretendime të mëdha: duhej të ishte një letërnjoftim i Shqipërisë në botën perëndimore.
Përse, pra, në këtë libër Konica hesht me aq ngulm ndaj çdo visi që del jashtë kufirit të Shqipërisë si shtet? Nëse kjo ka të bëjë me Shqipërinë, dhe jo me shqiptarët, ashtu sikundër shihet nga titulli, atëherë, përse në libër përfshihet edhe Konica, në një kohë që viset e tjera të banuara me shqiptarët lihen anash?
Dihej edhe atëherë se Kosova dhe viset e tjera të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë, kishin rëndësi shumë më të madhe politike dhe kombëtare, sesa Konica e tij. Pejën, Gjakovën e Prizrenin, në një tekst të mëhershëm, ai i quan “zemra e Shqipërisë”. Është e njohur se Faik Konica kishte dije politike e diplomatike, dhe është e mundur që në libër donte t’u ruhej implikimeve diplomatike. Mirëpo përse Konica e tij po, kurse Kosova jo?
Pavarësisht se cilat kanë qenë arsyet, mbetet e paqartë nëse koncepti i Konicës për Shqipërinë e këtillë vinte nga një bindje e përgjithshme se Shqipëria tashmë ishte bërë shtet i vetëmjaftueshëm, apo në krijimin e kësaj bindjeje vetë Konica kishte dhënë kontributin e tij të rëndësishëm.
Sido të jetë, që kjo bindje ishte e përhapur ndjeshëm tek intelektualët e Shqipërisë, pavarësisht ku vepronin ata, e dëshmon edhe teksti i Çabejt “Për gjenezën e literaturës shqipe”, botuar te “Hylli i Dritës” më 1938-39.
Shprehimisht Çabej thotë: “Fytyrën gjeografike të Shqipërisë së sotme, me përjashtim të detit, e karakterizojnë në tërësinë e saj anët malore që e ndajnë nga shtetet fqinje”, duke pretenduar se kufiri i Shqipërisë, përveç se politik, ishte edhe kufi gjeografik, pra natyror. Konica shkon edhe një hap më tej: kufirin e Shqipërisë e sheh edhe si kufi historik dhe etnografik.
Pra, mbetet dilemë përse Konica ishte aq përjashtues rreth Kosovës, veçmas në një tekst që synonte të bëhej i përdorshëm për njohje të thelluar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botën perëndimore.

Dilema e katërt

Kjo dilemë ka të bëjë me raportet që kishte krijuar Konica me burra të ditur të Europës, përfshirë këtu edhe Apolinerin.
Ajo që është thënë deri tani rreth këtyre raporteve, mendoj se është tepër idealizuese dhe nuk i shpjegon disa gjëra. Studimet tona në këtë drejtim janë ndalë në një pikë: që të tregojnë se Konica ishte erudit, se në dije dhe kulturë mund të barabitej me figurat e shquara të letërsisë evropiane.
Pa vënë në dyshim asgjë nga ajo që është thënë, mendoj se shqyrtimi i këtyre raporteve duhet të kapë edhe një dimension tjetër, pak më specifik dhe pak më të thelluar.
Është e ditur se, që në fillim të shekullit XIX, aventurierë të ndryshëm të botës perëndimore ia mësyn Lindjes, që atje të kërkonin, të gjenin dhe të shijonin kënaqësitë e jetës, në një botë që magjepste me ekzotiken e saj. Preteksti mund të ishte i ndryshëm, për poetët mund të ishte frymëzimi, për arkeologët historia, për tregtarët përfitimi.
Por e vërteta është se bota mondane dhe koloniale e Europës, e tëhuajsuar dhe e velur nga tradita e mbyllur, kërkonte të dilte nga sjellja në rreth. Ekzotika dhe potenca lindore joshën njerëz të ndryshëm, që të futeshin në aventura ndonjëherë të denja për analiza të libidos së tyre.
Nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe prapa, Europa Perëndimore u bë edhe mikpritëse, veçmas e djemërisë lindore, e cila u bë frekuentuese e rregullt e salloneve mondane të shoqërisë së lartë. Prteksti mund të ishte gjithfarësh, përfshirë edhe pasionin për aventurë, por në esencë ata krijuan lidhjet kulturore ndërmjet dy botëve.
Po ta kundrojmë tani këtë rrethanë në kontekst të Konicës, është e kuptueshme se futja e tij në shoqërinë e lartë evropiane kishte në prapavijë edhe kontekstin që e përmendëm më lart. Konica ishte djalë i ri, i pashëm, ishte bej dhe vinte nga perandoria e madhe e Turqisë. Se ishte shqiptar, mund të kuptohej më vonë.
Me këtë paraqitje, sikundër edhe me mprehtësinë dhe intelektin, ai do të përfitojë shumë: do të arrijë të bëhet i pranueshëm në shoqërinë e lartë. Thënë shkurt, do parë edhe një herë nëse marrëdhëniet e tij me Apolinerin vinin nga pasioni i dy njerëzve të ditur për poezinë dhe për gjëra të tjera, të cilat i preokuponin intelektualisht, apo ishin marrëdhënie që i tejkalojnë raportet intelektuale ndërmjet dy burrave.
Dy janë arsyet që të nxisin dilemën: e para, mënyra si e përshkruan Konicën poeti i njohur (aty ka shumë ndjenjë dhe shumë më pak racionalitet) dhe, e dyta, vetë Konica sikur i hesht këto raporte, veçmas nga sytë e shqiptarëve.
Nga ana tjetër, Apolineri thotë se largimi i Konicës ishte i befasishëm dhe është i bindur se nuk do ta shihte kurrë më, sikundër që as letra nuk do të merrte më prej tij. Pse? Nga e dinte këtë Apolineri?
Shpjegimi i mundshëm është se marrëdhëniet e tyre, që duket se nuk kishin qenë vetëm intelektuale, ishin prishur përfundimisht.
Nga ana tjetër, mbyllja e kapitullit të aventurave evropiane të Konicës me një largim të përnjëhershëm në Amerikë, përveç se me politikë dhe me dijeninë se kontinenti i ri po bëhej qendër e re botës, lidhet edhe me dy fakte. Konica, tashmë, kishte arritur një moshë jofunksionale për aventura, prandaj, për ta mbyllur këtë kapitull, duhej të zhvendosej në një kontinent tjetër. E po ashtu, në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX shoqëria evropiane kishte pësuar ndryshime të mëdha dhe nuk e kishte as moralin, as mendësinë dhe as preokupimet e fundit të shekullit XIX. Prandaj Konica kërkon dhe gjen një botë të re, një hapësirë të re dhe, natyrisht, një moral të ri. Dhe një vend, ku mund të harronte dhe të ishte i harruar.
Nëse ka qenë kështu, e unë vetëm shfaq një dilemë se mund të ketë qenë edhe kështu, atëherë mendoj se Konica assesi nuk duhet gjykuar për këtë, por vetëm duhet shikuar në dritë të plotë personaliteti i tij.

Në mbyllje

Studimet e thelluara për Konicën, për jetën dhe veprën e tij, mendoj se duhet të japin përgjigje për këto dilema.
Por edhe për dilema të tjera, të cilat zakonisht ne nuk i sqarojmë, sepse jemi të prirë të ruajmë njëfarë “pastërtie morale” të personaliteteve historike dhe kulturore, duke bërë prej tyre jo vetëm njerëz të idealizuar, por të tillë që nuk shëmbëllejnë me njerëzit që kanë jetuar në këtë botë.
Nëse ngulmojmë në sqarimin e dilemave të tilla, tejkalojmë shkallën e tanishme të studimeve pozitiviste.


31 Gusht 2009

albania.
 
Faik Konica - shkrim per te

FAIK KONICA HAPI EPOKEN E RIKRISHTERIZIMIT TE SHQIPTAREVE


Nga Prof. Ass. Dr. Thanas L. Gjika


Në historinë e krisherizimit të popullit shqiptar nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet akti i pagëzimit të djaloshit Faik Bej Konica, i cili u konvertua në besimin e krishter katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verë të vitit 1895 kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon (Dijon) të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi.
Ky djalosh koniciot mori mësimet e para në shtëpinë e tij atërore në Konicë, ku u njoh me qytetërimin persian e arab gjatë mësimit të arabishtes, persishtes dhe turqishtes prej një hoxhe të shkolluar, kurse italishten nisi ta mësonte prej një mësuesi privat. Duke parë zgjuarësinë e tij të vecantë, prindërve të tij iu sugjerua ta dërgonin për studime në Kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ku ai shkoi e jetoi dy vjet. Ky dërgim për vijimin e studimeve në një shkollë katolike jezuite tregon, nga njëra anë tolerancën fetare të prindërve të Faikut dhe nga ana tjatër se mësuesi i tij privat duhet të ketë qenë një katolik (jezuit), shqiptar ose i huaj. Si tregojnë regjistrat e botuar të kësaj shkolle, Faiku studjoi në këtë shkollë në vitet 1884 dhe 1885, pra në moshën 9 dhe 10 vjecare.
Në Shkodër, kryeqendrën e katolicizmit shqiptar, Faiku mësoi më mirë italishten dhe u njoh më nga afër me idetë e qytetërimit evropiano perëndimor. Përvehtësimit dhe përhapjes së këtyre ideve ndër shqiptaret, si dihet, ai u kushtoi gjithë jetën. Mbas dy vjet ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën katolike franceze të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890, kur ishte vetëm 15 vjec. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat Bej Toptani, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare e toleranca fetare. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Universitetin e Dizhonit të Francës në vitet 1890-95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-97, më tej ai studjoi dhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, vitet e para të emigrimit të tij në SHBA. Gjatë gjithë jetës shkollore faik konica doli me rezultate të shkëlqyera, gjë që dëshmon për zgjuarsinë dhe aftësitë e tij të vacanta.
Zgjuarsia e tij e vecantë u shfaq jo vetëm në rezultatet e larta shkollore, por dhe në shkrimet e tij publicistike, letrare e shkencore, si dhe në rastin e pagëzimit me vullnetin e tij të lirë si i krishter katolik, në moshën njëzet vjecare. Një veprim të tillë nuk e kishte menduar asnjë shqiptar tjetër para tij. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë dhe disa letra të viteve 1895-97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica, i cili nuk ishte aspak një pseudonim i tij, por emër që e mori gjatë pagëzimit. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar.
Shtysat kryesore që e nxitën këtë djalosh, pinjoll të një familjeje të shquar myslimane, të konvertohej në i krishter, mendojmë se duhen kërkuar në formimin e tij kulturor e shkencor, në përkushtimin atdhetar, në tolerancën fetare dhe në intuitën e tij. Duket se djaloshi faik konica që në rininë e tij mendonte se hapi i parë për ta shkëputur popullin shqiptar nga zgjedha e gjatë osmane ishte evoluimi i mendësisë fetare, shkëputja prej mendësisë myslimane përmes konvertimit në fenë e të parëve, në fenë e krishtere, në fenë e përbashkët të shqiptarëve të kohës së para pushtimit osman. Pra sipas tij shteti i pavarur shqiptar duhej të ishte i njëjtë për nga përkatësia fetare, me shtetin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut kur luftohej pushtuesi osman. Tërthorazi kuptohet se ai e lidhte procesin e clirimit kombëtar nga zgjedha osmane edhe me një proces katarse të pjesës myslimane të popullit tonë, e cila duhej të pendohej për braktisjen që i kishte bërë fesë së të parëve nën presionin e pushtuesit osman. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindas shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve. Ndasia fetare e popullit shqiptar në të krishterë e myslimanë, e krijuar gjatë pushtimit osman, sipas tij, nuk i shërbente unitetit, por përcarjes kombëtare, pra vonimit të proceseve clirimtare. Vecse duhet të pohojmë se mendim e të tilla bashkë me pagëzimin e Faikut në të krishter, ndonëse ishin mendime e veprime pozitive, ishin të parakohshëm për atë kohë, kur mendësia myslimane ishte mendësia sunduese e shoqërisë shqiptare dhe të qenët mysliman përbënte krenari.
Për këto arsye mendimin dhe veprimin e Faikut nuk e vlerësuan si duhej dhe nuk i dhanë rëndësinë e duhur as konsujt e ndryshëm të shteteve evropiane që punonin në vilajetet shqiptare të Perandorisë Osmane, madje as atdhetarët shqiptarë. Për cudinë tonë, Luigj Gurakuqi tha se katolikët shqiptarë nuk fitojnë ndonjë gjë të madhe nga pagëzimi i Faik Konicës.
Pamundësinë e realizimit të këtij hapi të madh psikologjik të popullit shqiptar e tregoi dështimi i përpjekjeve të këtij rilindasi për ta kthyer pagëzimin e vet në një lëvizje të mbarë intelektualëve shqiptarë myslimanë.
Mbas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat Bej Toptanit, të pagëzohej dhe ai dhe të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se këtë hap ai nuk mund ta bënte, mbasi të parët që do ta sikterisnin (dëbonin) nga shtëpia do të ishin vëllezërit Frashëri, tek të cilët ishte dhëndër. Murati, pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ai nuk nguli më këmbë për këtë problem...
Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund të lejonte një kapërcim kaq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza që ishin familjarizuar me besimin e ri.
Ndër kohë duhet të shtojmë se mendimi i Faik Konicës, për t’i pagëzuar shqiptarët myslimanë në të krishterë, me qëllim që të forcohej uniteti kombëtar i popullit shqiptar dhe të ndihmohej procesi i evropianizimit të mendësisë së tij, ndonëse ishte vërtet mendim i parakohshëm, ishte një nga ato mendime, të cilat i paraprijnë kohëve dhe hapin epoka të reja. Kështu, po të shohim ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve nga viti 1895, viti i pagëzimit të Faik Konicës, deri më sot, do të vemë re se koha ka punuar për përqafimin e mendësisë së krishtere dhe lënien mënjanë ose braktisjen e mendësisë myslimane.
Po përmendim disa fakte, pa dashur të fyejmë ndjenjat e besimtarëve të mirë myslimanë, sepse për ne, besimtarët e mirë, qofshin myslimanë ose të krishterë, janë njësoj të vlefshëm për shoqërinë shqiptare dhe atë botërore. Madje ne mendojmë se, po aq të vlefshëm mund të jenë dhe jo besimtarët, pra ateistët, kur ateizmi i tyre buron nga bindjet e tyre të sinqerta dhe prapa ateizmit të tyre nuk fshihen mendime djallëzore e interesa të ulta:


1. Që në dhjetëvjecarët e parë të shtetit të pavarur shqiptar, në familjet myslimane atdhetare, filluan të emëroheshin fëmijët jo me emra të mirëfilltë myslimanë si Muhamned, Myftar, Mahmud, Mehmet, Mahmude, Ballkëze, etj, por me emra malesh a lumenjsh (Tomorr, Korrab, Drin, Vjosa, Valbona, Shkumbin, etj); me emra lulesh a stinësh (Lule, Vera, Manushaqe, etj); me emra kafshësh a shpendësh (Luan, Dash, Skifter, Petrit, etj), si dhe me emra të tjerë që nuk kanë lidhje me Kuranin e besimin mysliman si Drita, Dritan, Liri, Clirim, Shpresa, etj.


2. Ahmet Zogu mbas marrjes së pushtetit, në vitin 1925, aprovoi si kalendar zyrtar të shtetit shqiptar kalendarin evropian dhe jo atë mysliman; vendosi heqjen e ferexhesë dhe hapje vendesh pune për gratë, dha shumë bursa studimi për të rinjtë shqiptarë në vendet e Evropës Perëndimore, etj. Këto masa tregojnë për synimet e tij properëndimore dhe jo promyslimane aziatike. Kur u shpall mbret ai u martua me një bijë të krishtere hungareze të një familjeje kontësh dhe jo me ndonjë bijë të mbretërve a sheikëve të pasur të botës myslimane. Bijtë e tij i pagëzoi me emra të krishterë. Kurse fëmijët e djemve të Mbretit Zog jetojnë si të krishterë e jo si myslimanë.


3. Propaganda komuniste antifetare si dhe procesi i dhunshëm i luftës kundër besimeve fetare gjatë regjimit komunist, ndikoi për dobësimin e besimit fetar tek shqiptarët, por ky proces solli dëme më të mëdha tek besimtarët myslimanë, mbasi besimi i tyre ishte një besim më i ri e me rrënjë më të dobta. Populli shqiptar në trojet e veta kishte gati njëzet shekuj që kishte përqafuar fenë e krishtere prej misionarësh të mëdhenj si shën Pali, shën Timoteu, shën Asti, shën Kostandini i Madh, shën Jeronimi, etj. Nga radhët e besimtarëve të krishterë kishin dalë gjatë shekujve shumë bij të shquar, klerikë ose jo, si dhe shkrimtarë e martirë që kishin dhënë jetën për ruajtjen e lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për lirinë e atdheut. Kurse pjesa myslimane e popullit shqiptar kishte vetëm dy a tre shekuj që ishte konvertuar dhe këtë konvertim shumica e tij e kishte bërë nga halli ose nën dhunë. Prej pjesës myslimane të popullit shqiptar, edhe pse përbënte pjesën më të madhe numerike të popullit, bijtë e shquar dhe martirët e lirisë ishin më të pakët. Më keq akoma po diskreditohej feja myslimane midis shqiptarëve kur shihej se shumica e komunistëve e sigurimsave katilë, që po e mundonin popullin cnjerëzisht, ishin pikërisht nga radhët e familjeve myslimane. Edhe procesi i dhunshëm për emancipimin e gruas shqiptare në vitet e diktaturës, në të vërtetë ndikoi për dobësimin e mendësisë myslimane, sipas së cilës femra është vetëm një qënie shtëpiake dhe jo shoqërore.


4. Mbas viteve 1991-92, shkërmoqja e komunizmit në Shqipëri dhe kthesa e madhe që do të merrej, duhej të shoqërohej me një proces katarse. Ish udhëheqja e partisë komuniste shqiptare, e cila e kishte udhëhequr popullin në qorrsokak, mbas dështimit të sistemit socialist, duhej t’i kërkonte të falur popullit për gabimet e sidomos për krimet e kryera. Mirëpo ish udhëheqësit e kësaj partie nuk e ndoqën rrugën e ish udhëheqjes së partisë komuniste polake. Z. Ramiz Alia, z-nja Nexhmie Hoxha e kompani, duke qenë njerëz që e urrenin besimin e krishter, i cili në thelbin e vet ka pikërisht kërkesën e të falurit për të shkuar përpara, nuk e shkuan në mend një katarsë të tillë. Për më keq akoma edhe sot, mbas 20 vjetësh, ata nuk i kërkojnë falje popullit për krimet e bëra, por justifikohen duke thënë: ashtu ishte sistemi shoqëror. Por dihet, se me të tjerë njerëz, si Zef Mala, Nako Spiru, Sejfulla Malëshova, Selfixhe Broja, etj që ata i zhdukën, ai sistem do të ishte zbatuar me tolerancë si në Poloni, Hungari, Ceki, etj.


5. Mbas vitit 1992, populli i thjeshtë iu fut rrugës për një shpëlarje shpirtërore, filloi një proces i rikthimit tek besimi fetar. U rihapën kishat, xhamitë e teqetë dhe populli filloi t’i frekuentonte ato për të treguar se nuk e kishte dëshiruar mbylljen dhe prishjen e tyre të vitit 1967. Filloi një fushatë pagëzimesh e ripagëzimesh, por krahas pagëzimit të ish besimtarëve të krishterë e bijve të tyre, pati dhe shumë pagëzime të shqiptarëve ish myslimanë në të krishterë, por asnjë shqiptar ish i krishter nuk u konvertua në mysliman.


6. Mbas vitit 1992, studimi, hartimi dhe botimi i shumë veprave që përshkruanin përndjekjet, torturat dhe vuajtjet e klerikëve, sidomos të atyre katolikë gjatë regjimit komunist, e forcuan më tej respektin dhe dashurinë ndaj fesë së krishtere.


7. Shkrimtari i talentuar shqiptar Ismail Kadare, edhe pse ishte ateist për nga bindjet fetare, u bëri thirrje shqiptarëve në vitin 1995, pikërisht që nga Franca, prej ku u kishte bërë të njëjtën thirrje një qind vjet më parë faik konica, që të ktheheshin në fenë e të parëve duke u pagëzuar si të krishterë katolikë. Kësaj thirrjeje iu përgjigjën mjaft intelektualë dhe njerëz të thjeshtë, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.


8. Intelektuali dhe udhëheqësi i shquar i popullit shqiptar të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, gjeti një nga nxitjet dhe frymëzimet kryesore për pavarësinë e Kosovës tek jeta dhe vepra e priftit katolik Pjetër Bogdani dhe në bëmat e mirësisë së Nënë Terezës.


9. Sot, mjaft të rinj e të reja, që shkojnë për të punuar a studiuar në vendet e krishtera të Evropës ose Amerikës, po pagëzohen si të krishterë, ndoshta të detyruar nga rrethanat konkrete, por ndoshta dhe nga bindjet e reja fetare që përvehtësojnë aty. Ky fenomen po shtrihet sidomos tek fëmijët që lindin në ato vende. Mesa duket, prindërit dëshirojnë që fëmijët e tyre në këto vende të mos jenë të mangët, ose të mos jenë të dryshëm për nga formimi kulturor e fetar në krahasim me fëmijët vendas. Ata nuk duan që fëmijët e tyre të ndjehen si dhia ndër dhën.


10. Sa më shumë kulturohen shqiptarët, sa më shumë shtetet ku ata jetojnë (Shqipëria, Kosova e Maqedonia) u afrohen Evropës e Amerikës; sa më shumë vajzat shqiptare e përbuzin ferexhenë dhe pëlqejnë të vishen me minifunde e dekolte; sa më shumë ato marrin pjesë në jetën shoqërore, kulturore, politike të vendit, aq më shumë ato dhe bashkë me to e gjithë shoqëria, i largohet myslimanizmit...
Shkurt mund të themi se shumica e popullit shqiptar gjatë kohës së sundimit osman, e ndikuar prej mendësisë sunduese myslimane, u detyrua të ndërronte besimin nga i krishter në mysliman. Në atë kohë nuk mund të mburreshe se ishe i krishter, por se ishe mysliman, se ishe i një feje me sunduesin. Ndërsa gjatë viteve të shtetit shqiptar të pavarur, gjatë kohës së diktaturës dhe sidomos sot, kur synimi kryesor mbetet bashkimi me shtetet evropiane, ku sundon besimi i krishter, dashur padashur, shqiptarët po jetojnë procesin e rikthimit tek feja e të parëve, pra rikrishterizimin e tyre, atë proces që e hapi 115 vjet më parë djaloshi njëzet vjecar faik konica.
Duke parë ecurinë e mendësisë fetare të shqiptarëve gjatë këtyre 115 vjetëve të kaluara mund të kuptojmë se mbas 100 vjetësh ky proces ka për tu forcuar. Natyrisht që nuk mendojmë se do të shkohet tek zhdukja e besimit mysliman midis shqiptarëve, por në zvogëlimin e raportit midis besimit mysliman e atij të krishter. Shqiptarë myslimanë ka për të pasur sado që të shtohen radhët e të krishterëve dhe të afetarëve, për shkak të lidhjeve dhe interesave të ndryshme, si dhe për shkak të interesimit dhe investimit të vijueshëm që tregojnë disa qarqe myslimane botërore, të cilat urojmë të mos kenë qëllime të këqia prapa investimeve të tyre.
Në procesin e largimit nga besimi mysliman dhe kalimin në besimin e krishter prej disa shqiptarëve të sotëm duket se nuk mungon dhe një shtytje atdhetare, mbasi ata synojnë të forcojnë karakterin kombëtar të kishës së krishtere, sidomos të asaj orthodokse. Duke e ditur se pjesa kryesore e kishës nuk janë murret e saj, godina, por bashkësia e anëtarëve që bëjnë jetën fetare në të, shqiptarët sot po mendojnë se po të ketë cdo kishë orthodokse në Shqipëri shumicën e anëtarëve shqiptarë atdhetarë, kjo shumicë do ta detyrojë klerikun e kishës, e pastaj dhe kryeklerikun, që të mbajë edhe meshë të vecanta për probleme që forcojnë lidhjet shpirtërore të kombit tonë, si psh meshë përkujtimore për viktimat e shqiptarëve të Camërisë, meshë për cdo shqiptar që vritet padrejtësisht në kurbet, etj. Mund të dërgohen dhe klerikë shqiptarë orthodoksë në diasporë për të mbajtur meshë shqip me besimtarët shqiptarë, ashtu si veproi Fan Noli gjatë udhëtimit të tij historik në vitin 1910 në Sofje, Odesë e gjetkë.
Po kështu në Kosovë e Maqedoninë Perëndimore, po të arrihet që kishat orthodokse të mbushen me shumicë besimtarësh shqiptarë atdhetarë, këta mund të nxjerrin nga radhët e tyre klerikët e vet dhe të fillojnë të mbajnë meshën në gjuhën shqipe e dalngadal t’i shqiptarizojnë ato kisha, që dikur ishin shqiptare, por gjatë pushtimit serbo-bullgar e atij osman, ato u sllavizuan.
Mësimi themelor që del nga ky vështrim i shkurtër mbi ecurinë e besimit fetar të shqiptarëve, se është ky: Shqiptarët, ashtu si dhe qytetarët e tjerë të botës, e kanë ndërruar dhe mund ta ndërrojnë besimin fetar duke iu përshtatur rrethanave në të cilat jetojnë, mbasi ky ndërrim nuk i armiqëson ata me bashkëkombasit e tyre; por ata nuk duhet të ndërrojnë përkatësinë kombëtare, mbasi ky ndërrim ka pasoja shumë më të rënda, që shpejt a von i shpie në armiqësi me bashkëkombasit e vet.



Faik Konica më 1911-1912 Vitet e Harvardit dhe të “Vatrës”

Agron Alibali

I. Hyrje
Për jetën e Konicës gjatë periudhën studimore në Harvard gjatë viteve 1911-1912 nuk është ditur shumë. Arkivat e Universitetit të Harvard, të shfrytëzuara për herë të parë nga studiuesi Efthim Dodona, si dhe arkiva e tij private, japin informacion të vyer për jetën dhe veprimtarinë e Faikut gjatë studimeve në Harvard dhe më tej. Dihet se Faik Konica shkeli në Boston për herë të parë më 9 tetor 1909 me anijen Ivernia. Ai i shkruante Fan S. Nolit se “do të mbërrinte në Boston i veshur me kostum popullor shqiptar”. Madje edhe vetë veprimi i zbritjes në tokën amerikane i veshur me fustanellë do të kishte kuptim të madh simbolik mbasi, sipas fjalëve të Nolit, synimi ishte që “ta botonte foton e vet në gazetë për ta përdorur për propagandimin e çështjes së kombit shqiptar, që mbeti edhe pasioni i tij gjatë gjithë jetës””.
Menjëherë Fan Noli i dorëzoi Faikut drejtimin e Diellit, por ai u largua nga pozicioni i Kryeredaktorit pas disa mosmarrëveshjesh me punonjësit. Fill paskëtaj ne e gjejmë Faikun disa mijë kilometra larg, në qytetin St. Louis të shtetit Missouri në vitin 1911, ku ai botoi për pak kohë një fletore rivale, “Trumpetën e Krujës” para se të kthehesh në Boston mbas një ndalimi të shkurtër në Michigan dhe Chicago.

II. Periudha studimore e Konicës në Harvard


Arkiva e Harvardit jep informacione të tjera të rëndësishme për jetën dhe arësimin e Konicës. Çdo student i atij universiteti pajiset me një dosje e cila mbledh të gjitha informacionet themelore për jetën profesionale të studentit deri në vdekje. Dosja e Konicës pëmban kartën e studentit, korrespondenca të ndryshme, formularin apo kërkesën e pranimit, një kopje të nekrologjisë, etj.
Pas kthimit në Boston, më 10 Gusht 1911 Konica bëri kërkesë për të studiuar për gradën shkencore Master of Arts [A.M.] në Familjen e Gjuhëve të buruara nga Latinishtja (Romance Languages) në Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave në Universitetin e Harvardit. Vendimi i pranimit u mor vetëm dy ditë më pas, me 12 gusht 1911, me kusht që ai të provonte aftësitë e tij në gjuhën gjermane. Konica u regjistrua zyrtarisht në shkollë me 25 shtator 1911. Të nesërmen, me datë 26 shtator, Konicën e mori në intervistë personalisht Prof. J. Ford, i cili deklaroi më pas se Faiku “nuk kishte kurrfarë vështirësie për të punuar me libra në gjuhën gjermane.” Prof. Ford shkruajti më tej në raportin e vet se Faiku “kishte lexuar jo pak traktate në gjermanishte që lidheshin me punën e ti studimore në shqipe, dhe ai njeh mjaft mirë Grundriss-in e Grüber-it. Unë nuk do ta detyroja atë që të merrte kursin e gjermanishtes.” Kësisoj, parakushti u hoq pa patur nevojë që Konica t’i nënshtrohej provimit.
Faiku kërkoi që të regjistrohej në amzën e Harvardit me emrin Faïk Konitza, ose, Faïk Bey Konitza, “nëse - siç shkruante vetë – nuk ndalohen titujt e fisnikërisë”. Sikurse do të shpjegohet më poshtë, Faiku hoqi dorë nga përdorimi i dy emrave të mesëm që, sikurse pranon ai, “i kishte vënë vetë në rininë më të hershme”.
Synimi ambicioz i Faikut ishte marrja e diplomës brenda vitit. Edhe Harvardi e miratoi në parim objektivin e Konicës, duke theksuar se “nëse ju do të kryeni studime të avancuara, të miratuara nga katedra për notë të lartë dhe këto do t’i kryeni me vlerësime maksimale, kjo pa dyshim do t’ju sigurojë marrjen e diplomës brenda vitit”.
Gjatë vitit studimor në Harvard Konica studioi në kurs të rregullt lëndët e Letërsisë së Krahasuar, Frëngjishten I dhe II. Ai mori edhe kurse të pjesshme në Letërsi të Krahasuar II, Frëngjishte III, dhe Filologji të Gjuhëve të buruara nga Latinishtja (Romance Languages). Në të gjitha këto lëndë Faiku mori notën maksimale. Kësisoj ai ia arriti pikësynimit për t’i përfunduar studimet pasuniversitare brenda vitit dhe u diplomua në vitin 1912.
Në kursin pasuniversitar të Letërsisë së vjetër Frënge, të Prof. Edëard S. Sheldon, Konica zuri miqësi me Henry Grattan Doyle, i diplomuar në Kolegjin e Harvardit më 1911. Ata ishin të vetmit studentë në kurs. Miqësia e tyre zgjati për shumë vite, madje edhe gjatë kohës kur Faiku shërbente si Ministër Fuqiplotë në Shtetet e Bashkuara. Doyle e përshkruante Konicën si “një xhentëllmen e studiues, si dhe diplomat dhe mik i vërtetë i Shteteve të Bashkuara” i cili “kishte shumë miq këtu”. Duke iu referuar pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939, Doyle shkruan se “zhdukja e përkohëshme e vendit të tij nga familja e vendeve të pavarura ishte një grusht i rëndë” për të”.
Në korrespondencën e vet me Harvardin, Doyle përfshiu edhe nekrologjinë e Konicës, ndofta të botuar në gazetën The Ëashington Post. Kurse e fundmja adresë e banimit të Faikut jepej 1530, Sixteenth St., N.Ë., Ëashington, D.C. Nekrologjia e shkurtër përmendte se përveç shqipes, Konica “mund të lexonte edhe në italisht, spanjisht, rumanisht, portugalisht, turqisht, gjermanisht, greqisht, hebraisht, arabisht, frengjisht dhe anglisht”. Biografia përmend edhe se Konica “u dënua me vdekje nga autoritetet otomane për veprimtarinë e tij në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, dhe se ndikimi i tij ishte vendimtar për të bindur Mbretin Zog që të adoptonte një reformë të gjerë agrare në vend”.

a. Karta e studentit
Çdo student i Universitetit të Harvardit ka një kartë ku përfshihen të dhënat themelore biografike të jetës së studentit. Sipas saj, studenti Faik Konica u lind në mars 1876 në qytetin e Konicës, i biri i Shahin Beut dhe i Zoña Lalia (Delvina) Konica, dhe vdiq në 15 dhjetor 1942 në Ëashington, DC. Me interes është fakti se, më vonë Konica e jep ditëlindjen e vet vetëm si për muajin prill. Kjo ndofta lidhet me ndryshimet në kalendaret e zbatuara në atë kohë dhe më pas. Vendlindja e tij tek karta e studentit jepet Konica, Turqia e Europës.. Karta tregon se Konica i plotësoi studimet pasuniversitare më 1911-1912, se ishte i punësuar me qeverinë shqiptare si Ministër në SHBA dhe se adresa e tij e fundit e njohur zyrtare ishte The Mayfloëer Hotel, Ëashington, D.C. Bashkëngjitur me kartën është edhe nekrologjia e shkurtër nga një fletore e Bostonit, ku jepen edhe informatet për varrimin si dhe shërbimet përkatëse.

b. Kërkesa apo Formulari i Pranimit
Një tjetër dokument i rëndësishëm arkivor është formluari i pranimit të Konicës në Universitetin e Harvardit i datës 4 gusht 1911. E veçanta e këtij dokumenti është se informatat personale janë dhënë prej vetë Faikut. Kështu për shembull, Konica e shkruan emrin e vet në trajtën frënge Faïk Konitza, trajtë që e ruajti gjatë gjithë jetës së vet duke e përdorur edhe në të gjitha dokumentet zyrtare, shkrimet, letrat dhe korrespondencën e tij.

Emri dhe Vendlindja
Emri i plotë i Konicës në diplomën frënge dhe vendlindja e tij janë: “Sieur Schich’go Konitza, Faïk, Suavi, né à Konitze, (Albanie-Turquie) le Mars 1876, Ka mendime se trajta “Schich’go” lidhet me fjalën shqipe “shishko”. Nuk është e qartë nëse ky ishte mbiemër i familjes ose i referohej thjesht një fëmije të shëndetshëm. Mirëpo Konica deklaron se përdori emrin e mesëm ekstravagant dhe të çuditshëm [“fanciful”] Schisch’go si kompozitë e emrit të shkrimtarëve Schiller dhe Hugo. Ja se si e shpjegon vetë Faiku këtë gjë në shënimin përkatës të Formularit të Pranimit në Harvard:

Në Shqipëri ka një rrëmujë të madhe sa u takon emrave të përveçëm, pasi turqit nuk kanë mbajtur regjistra zyrtarë të gjendjes civile deri kohët e fundit. Kur mbusha formularin për provimin tim të parë bëra një çilimillëk: pranova përdorimin e dy emrave të çudtshëm të mesit, që afroheshin fonetikisht me emrat e Schiller-it dhe Hugo-it, dy poetëve që unë i admiroja më shumë. Sigurisht, sot unë nuk do të doja që kjo shaka të përjetësohej.”

Po ashtu, Faiku e shënon vendlindjen e vet si “Konitza (Albania)”, natyrisht duke i qëndruar besnik gjeografisë politike dhe etnike të asaj kohe. Kurse Regjistri i Studentëve të Diplomuar të Harvardit i vitit 1913 jep për Faikun këto të dhëna: Konitza, Faïk [g. 1911-1912 A. M.; B. ES. LETTRES, Univ. Dijon (France) 1895.] Janina, Albania, Turkey- in-Europe. Kuptimi i të dhënave lakonike të Regjistrit është se studenti Faik Konica ndoqi Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave gjatë viteve 1911-1912; u diplomua me gradën shkencore Master of Arts; ka qenë i diplomar me diplomë të nivelit universitar në Letërsi në Universitetin e Dijon-it në Francë më 1895; tash jeton në Janinë, Shqipëri, Turqia Evropiane.

Arsimi
Arkiva e Harvardit jep të dhëna të tjera interesante për formimin arësimor të Faikut, të paraqitura prej vetë atij në Formularin e Pranimit. Duke iu referuar etapave të hershme të arësimit të vet, Konica shkruan se ai “kishte nxënë nga mësues privatë,” pa identifikuar gjithsesi shkollat e ndryshme që kishte ndjekur, të cilat përmenden tjetërkund.
Aty konfirmojmë se Konica i filloi studimet universitare më 1890 në Collège de Lisieux, (Normandie); më 1893 ai shkoi në Lycée de Carcassonne (jugu i Francës) ku studioi deri më 1894, duke u përqëndruar në studimet klasike, letërsi dhe filozofi. Më 1893, gjatë “Année du Rhétorique” doli studenti i parë i kursit në lëndën e Kompozicionit në Frengjisht dhe në Përkthimet Latine.
Konica i përfundoi studimet universitare me diplomën of Bachelier de l’Enseignement Secondaire Classique (Lettres – Philosophie) në Fakultetin e Letërsisë të Dizhonit (Université de France) në 16 Nëntor 1895, pikërisht 115 vjet më pare. Sprova e tij “Për Shoqërizimin e Ideve” u vlerësua në provim prej Prof. Charles Adam si “eseja më e mirë”.
Interesat studimore të Konicës ishin shumë të gjera dhe përfshinin Historinë, Filozofinë, Arsimin, Artet e Bukura, Astronominë, Fizikën, Kiminë, Botanikën, Zoologjinë, Gjeologjinë, Stilistikën ose Artin e të Shkruarit të Eseve. Sikurse u përmend më sipër, Konica kishte talent të veçantë për gjuhët e huaja. Ai kishte kryer studime të avancuara në greqishte (7 vjet), latinishte (nëntë vjet), frengjisht (12 vjet), anglisht lLetërsi dhe kompozicion), italisht, si dhe kishte studiuar për dy vjet privatisht gjuhën dhelLetërsinë gjermane.
Në vitin 1895-1896 Konica filloi studimet pas-universitare tek Collège de France në Paris, duke u përqëndruar në “letërsinë mesjetare frënge, dhe letërsi romake”, lëndë që jepeshin nga Profesorët Gaston Pâris and Gaston Boissier.

Të dhëna të tjera tek Formulari i Pranimit

Në rubrikën “Punësimi i Tashëm” të formularit Konica deklaronte se ishte “pedagog dhe redaktor letrar” [“Lecturer and Literary Editor].” Ndërsa pyetjes 13, se “në cilën fushë do të dëshironit të shqyrtoheshit si kandidat për diplomim? Shpjegoni me hollësi përvojën tuaj të përpashme në lidhje me temën”, Konica jep informacionin e më poshtëm biografiko-arsimor, të riprodhuar të plotë:
“Frengjisht (me pjesëmarrje të rëndësishme në Anglisht)
Kam marrë me sukses provimet e letërsisë të kërkuara prej ligjës frënge për diplomën universitare (Bachelor); më pas, kam ndjekur për disa vjet si student i lirë kurse në Frëngjishten e Vjetër në Collège de France, dhe Letërsi Frënge në Sorbonne. Kam shkruar edhe punë origjinale në fushë, siç dëshmohet prej sprovës “Ese për gjuhët natyrore dhe artificiale”, (“Essai sur les Langues naturelles et les langues artificielle”) botuar preje meje në Bruksel me 1904 nën pseudonimin Pyrrhus Bardyl”i.”

Kjo vepër prej 147 faqesh e Konicës u botua nga shtëpia Kiessling et Cie më 1904. Gjindet, ndër të tjera, në Bibliotekën Ëidener të Harvardit, në Bibliothèque Royale de Belgique në Bruksel, si dhe në shërbimin e internetit Google Books. Vepra duket se u zbulua për herë të parë për botën e letrave shqipe prej studiuesit Luan Starova dhe më pas u analizua edhe prej studiuesit Artan Puto. Mund të shtojmë, pra, se pretendimi se Konica nuk ka lënë deri më sot anjë vepër të plotë nuk qëndron.
Natyrisht, bagazhi veçanërisht i gjerë dhe i fortë arsimor i Konicës ia hapi me lehtësi atij dyert për në Universitetin e Harvardit.

c. Kërkesa apo Formulari i Punësimit
Tjetër dokument i rëndësishëm i cili nuk gjindet në arkivën e Universitetit, por u zbulua në arkivën private të Konicës me 13 mars 2006 është Kërkesa për Punësim, e paraqitur pranë Zyrës së Emërimeve të Universitetit të Harvardit. Konica u regjistrua tek kjo zyrë me 14 mars 1912, d.m.th gjatë semestrit të dytë të vitit shkollor.
Këtu Konica na jep të dhëna të tjera të rëndësishme për jetën dhe synimet e tij për të ardhmen. Ai donte të punësohej si “pedagog në kolegj, shkollë normale ose shkollë tetëvjeçare; në lëndët: gjuhë romanse, kryesisht frengjisht dhe italisht”. Pyetjes se në cilat pjesë të SH.B.A. dëshironte të punonte ai iu përgjigj: “Më 1912-1913, në rrethinat e Cambridge-it; në vitet e mëpasme kudo”. Synimi i tij për të mos u larguar nga Bostoni në një periudhë kritike të lëvizjes shqiptare në Amerikë përkon edhe me veprimtarinë e ethshme të Konicës e Nolit gjatë këtyre dy vieteve në kuadrin e organizatës VATRA. Sa i takon nivelit të pagesës, Konica shënon se do të parapëlqente të ardhura “në masën $1000-$1500 dollarë”. Natyrisht që bëhej fjalë për pagë vjetore, që në me vleftën e sotme do të vërtitej rreth 22,000-33,000 dollarë.
Në listën e e botimeve të tij, Konica shënon këto periodikë, libra dhe artikuj:
(1) periodiku “Albania”, 11 blenj “ku kam shkruar mëse 1500 shtylla me artikuj në frengjisht, si p.sh. “Relations entre la France et l’Albanie, d’apres des Manuscripts inedits per connu”;
(2) Essai sur la Langue naturelles et les Langues artificielles, …e komentuar me shumë lëvdata për stilin e autorit tek “Mercuri di France”, tek “Revu des Idees”, etj.”
Faiku jep të dhëna të tjera biografike për veten. Ai thotë se në1897 shkoi në Bruksel për të themeluar “një revistë letrare periodike të quajtur “Albania” e cila ishte shkruar pjesërisht në shqipe dhe pjesërisht në frengjisht. Synimi i kësaj pune ishte studimi dhe kultivimi i njërës prej degëve më të vështira të familjes Indo-Gjermanike të gjuhëve, dhe mund të them se në këtë drejtim ia arrita qëllimit sikurse mund të dëftej prej dëshmive të përsëritura të studiueseve të shquar si Prof. Holger Pedersen i Universitetit të Kopenhagen, Prof. Albert Thumb i Universitetit të Strasburgut, etj.”
Vazhdon më tej ai: “Më 1903 u largova nga Brukseli dhe shkova të jetoj në Londër, ku mora lejë të punoj në Departamentin e Dorëshkrimeve të Muzeumit Britanik. Atje studiova dokumentet shtetërore veneciane që lidheshin me Shqipërinë si dhe me dorëshkrime të tjera, disa prej të cilave i kam botuar në “Albania”. Në 1909 m’u ofrua pozicioni i kryetarit të N. Sch. të Shqipërisë por nuk e pranova për arësye të ndërhyrjes shtetërore në atë [e palexueshme]. Në të njëjtin vit u ftova prej shqiptaro-amerikanëve që të vija dhe të jepja një varg leksionesh në Sh.B.A., çka bëra në vitet 1909-1911. Pas kësaj kërkese …[frazë e palexueshme].
Degët ku kishte sudiuar Konica ishin: Astronomia; Botanika; Anglishtja, kompozicioni, letërsia; Gjermanishtja; Matematika; Fizika; Fiziologjia; Sanskritishtja; Gjuha Semite; Spanishtja.
Dega ku Konica kishte punuar në nivel kolegji dhe ku e ndjente veten kompetent për të dhënë mësim ishin: Greqishtja; Histora e Lashtë, Amerikane, Evropiane; Latinishtja; Logjika; Metafizika; Filozofia; Psikologjia; Filologjia e Gjuhëve Romanse.
Degë të specializuara ku pat punuar në nivel të paktën të barabartë me kurset e Harvardit për studentë universitarë dhe pasuniversitarë përmendeshin: Letërsia e Krahasuar, Frengjishtja dhe Italishtja.

ç. Profesorët dhe Miqtë e Faikut
Pyetjes se me cilët pedagogë të Harvardit kishte qenë më afër, Konica iu përgjigj duke përmendur këta profesorë: “Sheldon, Ford, Babbitt, Ëright, Grandgent”, që ishin te gjithë ndër emrat më të shquar në fushën e interesit të Konicës dhe me të cilët Faiku kishte krijuar lidhje të shëndosha akademike.
Prof. Sheldon duhet të ketë qenë Edëard Stevens Sheldon, i diplomuar në Harvard më 1872 (A.B.), që në atë kohë ishte Profesor i Filologjisë Romance.
Prof. Ford duhet të ketë qenë Jeremiah Denis Matthias Ford, i diplomuar në Harvard më 1894 (A.B.), i cili nga viti 1907 e vijim ishte Prof. i Katedrës sê Nderit Smith për Gjuhët dhe Letërsinë Frënge dhe Spanjolle.
Prof. Babbitt, duhet të ketë qenë Irving Babbitt, i diplomuar në Harvard me 1889 (A.B), i cili më 1911 ishte Asistent Profesor i Frengjishtes, kurse më 1912 u bë Prof. i Letërsisë Frënge.
Prof. Ëright duhet të ketë qenë Charles Henry Conrad Ëright, i diplomuar në Harvard me 1891 (A.B.) i cili në atë kohë ishte Asistent Profesor i Frengjishtes dhe më pas u bë Prof, i Gjuhës dhe Letërsisë Frënge.
Prof. Grandgent duhet të ketë qenë Charles Hall Grandgent, i diplomuar në Harvard me 1883 (A.B.) që në atë kohë ishte Profesor i Gjuhëve Romance.
Sa i takon kërkesës për të dhënë një listë personash që e njihnin (reference), Konica përmend këta të katërt: Prof. G. Cadicamo, At F. Noli, Z. Miran Sévasly, avokat dhe Canon Mitton.
Nuk bëjmë gabim të themi se ky është rrethi më i ngushtë i miqve që Konica kishte në atë kohë në Amerikë, tek të cilët ai shfaqte besimin për t’u përdorur si reference nëse universiteti dëshironte të mësonte më tej për Faikun. I dyti në listë jepet natyrisht Noli ynë, bashkëluftëtari dhe bashkëpunëtori i madh i Konicës. Duhet theksuar se Faiku e paraqet Fan Nolin me titullin e vet kishtar, çka nënkupton sërish respektin por edhe mbështetjen e tij ndaj luftës së Nolit për themelimin e Kishës Ortodokse Vetanake Shqiptare.
Sa i takon të parit, ai pa dyshim duhet të ketë qenë Prof. Giuseppe Cadicamo. Nuk kemi të dhëna të drejtpërdrejta për lidhjet e tij me Faikun. Cadicamo është autori i një botimi me vlerë të letërsisë arbëreshe të titulluar “Legjenda Shqiptare”. Nekrologjia e tij e dhjetorit 1921 na sjell informata prej nga mund të përfundojmë se lidhja e Faikut me Cadicamo-n ishte e ngushtë dhe e thellë, dhe se ajo mbështetej jo vetëm në prejardhjen e përbashkët nga gjaku “i shprishur”, por edhe tek interesat e përbashkëta akademike. Prof. Cadicamo del si një ndër intelektualët më të shquar (fieri) italo-arbëreshë në të dy anët e Atlantikut, dhe si “ajka e bashkësisë italiane në Nju Jork”. I lindur në Shënmitër Korone, Cadicamo studioi për letërsi në Universitetin e Napolit, mori pjesë sëbashku me Garibaldin në lëvizjen për bashkimin e Italisë, dhe dha mësim në Kolegjin e Shënmitrit. Më 1877 emigroi në Amerikë, ku katër vjet më vonë themeloi në Astoria kolegjin “Dante Alighieri”. Përveç shqipes, ai ishte edhe professor i Italishtes dhe njohës i thellë i latinishtes. Botoi disa vepra dhe la në dorëshkrim një histori të Shteteve të Bashkuara.
Konica duhet të ketë patur njohje të hershme me Cadicamo-n, ndofta qysh prej kohës së Revistës Albania, tek e cila botoi mjaft këngë dhe pjesëza të tjera folklorike nga tradita e Shqipërisë dhe e viseve të arbëreshëve. Mund të përmendim se Cadicamo del sëbashku me De Radën, si një ndër bashkëpunëtorët e Librit të Dashurisë, Poezi Italiane dhe të Huaja të mbledhura nga Marco Antonio Canini.
As për lidhjet e Faikut me Miran Sévasly nuk dihet shumë. Ata duket se kanë patur interesa të afërta dhe rrugët e tyre mund të jenë kryqëzuar mëse njëherë, pasi mund të kenë jetuar në të njejtën kohë dhe në njëjtat vende. Kështu, nga nekrologjia e tij e botuar në gazetën The Neë York Times më 22 qershor 1935, del se Sévasly ishte armen nga Izmiri, se kishte studiuar drejtësi në Universitetin e Aix në Francë në fund the shekullit XIX, kishte nxjerrë një botim të përmuajshëm në gjuhën armene në Londër dhe mandej kishte emigruar në SHBA. Më 1912, kur Konica studionte në Harvard, ai ishte avokat në Boston dhe më pas, u bë kryetar i Bashkimit Armen në SHBA. Ndërsa për personazhin e katërt, Canon Mitton, nuk kemi gjetur asnjë të dhënë deri më sot.

d. Të dhëna të tjera personale
Në formular Konica u përgjigjet edhe disa pyetjeve me karakter privat. Mësojmë, për shembull se ai nuk ishte i martuar, nuk pinte duhan ose alkool, ishte në gjendje “të mirë” fizike, ndërsa veprimtaritë e tij më të dashura sportive ishin “të ecurit dhe noti”. Ai deklaron se nuk ishte anëtar i ndonjë klubi apo shoqërie, dhe as merrte pjesë në ndonjë skuadër atletike të kolegjit. Me interes të veçantë është edhe pohimi se besimi i tij fetar është “Katolik Shqiptar” (Albanian Catholic), ndërsa kisha ku ai shkonte ishte “Katolike Romane ose Anglikane”.
Ky pohim i drejtpërdrejtë ka rëndësi për arësye se, së pari, Faiku e vendos përkatësinë kombëtare si përcaktor themelor të besimit të tij fetar, dhe së dyti, fakti që Faiku përmend se shkon edhe në kishën anglikane nënkupton një qasje tejet liberale e pragmatiste të botëkuptimit të tij fetar. Nënvizojmë gjithashtu, edhe faktin kokëfortë se Faiku nuk e përmend kurrsesi emrin e mesit “Domenik” në dokumentet arkivore të Harvardit, etj, emër i cili pretendohet se ka qenë marrë prej tij në Francë më 1895. Po ashtu, gjatë viteve të shërbimit të tij diplomatik në Ëashington Konica lëvdohej shpesh prej shtypit amerikan dhe vazhdimisht cilësohej si “mohamedan”. Nuk ka asnjë të dhënë se Konica e përgënjeshtroi këtë cilësim, gjë që nuk përtonte ta bënte kur ia lypte nevoja.
Fakti që formulari i punësimit është gjetur në arkivën private të Faikut, dhe jo në Arkivën e Universitetit tregon se Konica nuk e dorëzoi atë tek zyra përkatëse. Sipas Prof. Kastratit, Konicës iu ofrua në fund të studimeve një vend pune si pedagog i Anglishtes në Universitin e Pekinit në Kinë, por nuk jemi të sigurtë se kjo ofertë i erdhi nga Harvardi. Gjithsesi, ai e refuzoi ofertën sepse, me sa duket, kishte plane të tjera në kokë.

Adresat e Konicës para dhe pas studimeve

Ishte praktikë e zakonshme e Universitetit të mbante lidhje me ish-studentët e vet. Të dhënat për adresat e përparshme dhe të mëpastajme të Konicës gjinden në dosjen e Faikut në Arkivën e Universitetit. Adresa e përhershme e Konicës para studimeve në Harvard ishte 2, Saint Botolph St. Boston, Massachusetts, ndërtesë e cila sot ia ka lënë vendin hotelit Marriot, por jepej edhe kutia postare Box 2125. Gjatë studimeve në Harvard, Konica banoi fare pranë shkollës, në 19, Irving Street, Cambridge, Massachusetts, një banesë dykatëshe, pronë e Znj. Emma J. Arnold. Pas mbarimit të studimeve ai u vendos tek shtëpia e mikut të tij, John Konda në 85 Ëaltham Street, por jepte si adresë postare edhe Kutinë Nr. 91, Sta. A. in Boston.
Konica lidhi miqësi me znj. Arnold, qiradhënësen e tij për shumë vite. Në letrën drejtuar Universitetit të Harvardit me 14 korrik 1915, ajo përmend vizitën e lamtumirës që Konica i bëri asaj me të mbaruar studimet. Ajo shton se, një ditë Konica “solli me vete një ekstrakt nga një gazetë e Bostonit që fliste për Faikun si kandidat për t’u bërë udhëheqës i Shqipërisë”. Gjithsesi, Konica i theksoi asaj se “ai nuk ishte trashëgimtari i ligjshëm i fronit” dhe se “do të mund të kthehej në Shqipëri [vetëm] për t’u bërë këshilltar i Fuqive të Mëdha sunduese (ruling Poëers)”.
Pas Luftërave Ballkanike dhe ndryshimeve gjeopolitike që sollën ato, e gjithë korrespondenca që universiteti i dërgonte Konicës kthehej e pashpërndarë në Harvard. Në një letër të 19 korrikut 1915 drejtuar Harvardit, z. Konda përcjell si adresë të Faikut thjesht Lugano, Sëitzerland, Poste Restante, çka e konfirmon vetë Konica me letrën e 15 shtator 1915 drejtuar Universitetit. Ai deklaron se në atë kohë punonte si “gazetar dhe lektor”. “Një revolucion në vendin tim, i pasuar nga Lufta Evropiane më penguan që të mbaja lidhje me Universiteti.,.” sqaron ai. Sigurisht ai kishte ndërmend rrëzimin e Princ Ëied-it si pasojë e kryengritjes të ashtuquajtur “vorioepirote” që në fakt ishte e nxitur dhe financuar nga qeveria greke në Jugë, si dhe nga kryengritja qamiliste në Shqipërinë e Mesme më 1914.

III. Veprimtaria politike e Faik Konicës gjatë studimeve në Harvard
Sikurse përmendëm më herët, pasi mbërriti në Boston Konica shëtiti nëpër rrugët e qytetit përreth një javë i veshur me kostumin kombëtar shqiptar për t’i treguar botës bukurinë e foustanellës si dhe për të reklamuar Shqipërinë në Botën e Re. Ky veprim interesant synonte të ndërgjegjësonte opinionin publik ndërkombëtar për çështjen e kombit të vet ndërkohë që sundimi otoman po i afrohej fundit dhe lëvizja kombëtare për pavarësinë e Shqipërisë po zgjerohej me shpejtësi në katër vilajetet shqiptare.
Në Boston Konica u lidh menjëherë me shumë atdhetarë dhe veprimtarë shqiptarë të zonës. Pa humbur kohë, ai filloi të marrë pjesë në jetën e bashkësisë shqiptare në Anglinë e Re dhe me 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e gazetës Dielli (The Sun), që ishte botim javor i Shoqërisë Besa-Besë. Konica punoi si kryeredaktor i Diellit deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910, dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik1913.
Si ish-kryeredaktor i revistës Albania, Konica e njihte mjaft mirë gjendjen e diasporës shqiptare në Evropë, konkretisht në Rumani, Turqi, Egjipt, Itali, me të gjitha arritjet dhe problemet e tyre.
Në Amerikë Konica pa se mundësitë ishin më të mira për rolin që mund të luante një diasporë e forte dhe e organizuar në përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë, ruajtjes së tërësisë tokësore, nxitjen e arsimit dhe mbrothësinë ekonomike. Siç dihet, e para shoqatë shqiptare në Amerikë ishte themeluar qysh më 1905 në Jamestoën, NY. Më 9 qershor 1906 Sotir Peci themeloi gazetën KOMBI, të parën fletore shqiptare në Amerikë. Më 6 janar 1907 u themelua në Boston Shoqëria Besa Besë. Dhe më së fundi, me 8 mars 1908 Fan S. Noli u dorëzua prifti i parë shqiptar i Kishës Ortodokse kurse më 22 mars 1908 ai mbajti Liturgjinë e parë në gjuhën shqipe tek Salla e Kalorësve të Nderit, në Boston, MA.
Edhe pse më e larguar prej Mëmëdheut sesa bashkësitë simotra në Evropë, Diaspora shqiptare në Amerikë ishte po aq e lidhur me të. Nga ana tjetër, ajo gëzonte më shumë liri, ishte më e bashkuar, më e gjallë dhe më pak e politizuar në krahasim me Evropën. Ajo çka mungonte ishte një organizatë e bashkuar që do të përfaqësonte të gjitha shoqatat e veçanta dhe që do të fliste me një zë të vetëm. Puna e madhe e personaliteteve pararendëse si Sotir Peci, Petro Nini Luarasi, At Fan S. Noli dhe shumë të tjerë ishte tjetër fakor i gjendjes relativisht të gjallë (vibrante) të Diasporës kur Konica mbërriti në Shtetet e Bashkuara.
Disa javë pas mbërritjes Konica mori pjesë në mbledhjen e shoqatës Besa-Besë, ku propozoi që organizatat shqiptaro-amerikane nuk duheshin shkrirë në një, por të bashkoheshin nën ombrellën e një federate.
Kuptohet se, edhe gjatë periudhës së shkollimit në Harvard, Konica nuk u mjaftua vetëm me punë studimore. Ai nuk mund të rrinte indiferent kur Shqipëria ndodhej në një moment të tillë kritik. Kësisoj, ai u angazhua seriozisht në lëvizjen politike të Diasporës Shqiptare në Amerikë.
Mbledhja e parë ku u diskutua shkrirja e organizatave shqiptare në SH.B.A. u mbajt në prag të Krishtlindjeve të vitit 1911, pikërisht me datën 24 dhjetor. Mbledhja kryesohej nga Kristo Floqi, avokat dhe drejtues i Shoqatës Besa-Besë. Stina e provimeve në universitet kishte mbaruar dhe Faiku natyrisht ishte i pranishëm në mbledhje, ku merrnin pjesë edhe Fan Noli, dhe Paskal Aleksi. Aty Faiku u caktuar anëtar u Komisionit për Bashkimin e organizatave shqiptare në SH.B.A.
Komisioni Bashkues e mbajti mbledhjen e parë me date 13 shkurt 1912 dhe zgjodhi Fan Nolin sekretar. Për ndjekjen dhe përfundimin me sukses të procesit Komisioni përcaktoi një procedurë demokratike dhe transparente. Komisioni do të mblidhej rregullisht çdo javë. Bashkë me Nolin dhe e patriotët e tjerë, Konica luajti rol themelor në themelimin e organizatës së re. Sikurse përmendëm më lart, Faiku u regjistrua tek zyra e punësimit e Harvardit me 14 mars 1912, kur i kishin mbetur më pak se dy muaj deri në diplomim. Periudha deri në fund të vitit 1912 e më tej do të ishte ndër më të rëndësisishmet, më të ngarkuarat për Faikun, Nolin dhe atdhetarët shqiptarë në Amerikë.
Ndërkohë mbarë Evropa osmane, sidomos trojet shqiptare, po zienin. Më 24 mars 1912 Konica me Kristo Floqin u ngarkuan të pajtonin një avokat të shquar në Boston he për të hartuar Statutin e organizatës së re. Projekt-Staatuti u diskutua dhe u miratua në dy mbledhjet e mëpasme, me 9 prill dhe 14 prill 1912.
Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptare, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, The Hearth, me 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvilluar në Kishën e Shën Gjergjit që atëhere ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. VATRA bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës, Kombëtare dhe Dallëndyshja, dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohëshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera.
Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë. Përreth një muaj rrjesht, nga 19 maj 1912 deri në 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa rreshtur në mbarë Anglinë e Re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Ëorcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA.
Më 13 qershor 1912, Vatra u regjistrua zyrtarisht në shtetin e Masaçusetsit dhe mori Kartën zyrtare me firmën e Sekretarit të Shtetit Albert P. Langley. Dokumenti historik i Kartës së Themelimit mban nënshkrimet e mëposhtme: “Faik bey Konitza, Llambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere, Kosta Kotta”.
Një javë më vonë, me 20 qershor 1912 Faik Konica mori zyrtarisht Diplomën Master in Arts, ose Magistri in Artibus në ceremoninë e zhvilluar në oborrin kryesor të Universitetit (Harvard Yard).
Tre javë më pas, me 14 korrik 1912, u mbajt Kuvendi i parë i Vatrës, Mbledhja u zhvillua në Laërence Hall, 724 Ëashington, Street, Boston, ku Faik Konica u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm. Konica deklaron se ai hartoi Kanunoren e Vatrës, e cila “s’ishte gjë tjetër veç një plan për të stërvitur shpirtin edhe’ karakterin e popullit” me synimin për ta bërë organizatën “një shkollë qytetërimi e lartësimi…”

IV. Shqipëria në rrezik
Kryengritja shqiptare kundër xhonturqve dha rezultatet e para shumë të rëndësishme në shtator 1912. Për herë të parë qeveria otomane njohu autonominë e gjerë për mbarë trojet shqiptare. Ajo përfshinte të drejtën e arsimit në gjuhën shqipe, të vetëqeverisjes sipas “ligjeve vendase”, e drejta për kryerjen e shërbimit ushtarak brenda vendit përveç rasteve të luftës, dhe mbi të gjitha, njohja e shtrirjes tokësore së Shqipërisë në katër vilajetet “si delimitimi i parë zyrtar i kufinjve të Shqipërisë”.
Lëvizja kombëtare shqiptare i alarmoi në kulm shtetet fqinje ballkanike, të cilët në fillim të tetorit 1912 filluan Luftën Ballkanike, që solli copëtimin e trojeve shqiptare në jugë e veri. Tashmë para shqiptarëve autonomia ishte e kapërcyer si objektiv. Shqipërinë do ta shpëtonte vetëm Pavarësia, që u njëmendësua prej Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë shqiptarë me 28 nëntor në Vlorë.
Natyrisht Vatra i ndiqte me vëmendje e shqetësim të madh ngjarjet në atdhe. Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Vatrës i 8 dhjetorit 1912 vendosi të dërgonte Konicën delegat në Evropë dhe Shqipëri që “të shtrojnë përpara Mbledhjes së Kombit dhe njerësve politikë ca mendime për të zgjedhurit e një dere mbretërore për Fronin e Shqipërisë dhe për të themeluarit e Konstitucjes.” Konica me Nolin mbërritën në Londër pas disa ditësh, duke përfaqësuar përkatësisht Federatën VATRA dhe “Kishën Shqipe të ‘Shën Gjergjit’”. Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Vatrës i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin of Triestes. Kongresi filloi me 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës. Ai zgjati tri ditë dhe më të moren pjesë përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare, të cilët moren vendime të rëndësishme dhe miratuan një rezolutë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë.
Pak më vonë Konica u kthye në atdheun e vrarë dhe të coptuar. Atë e gjejmë fillimisht në Vlorë dhe më pas në Durrës. Kishte ardhur momenti për të zbatuar në terren ato qëllime dhe ideale të larta atdhetare për të cilat ai kishte luftuar me penë në Harvard si dhe me VATREN. Tashembrapa lufta për të shpëtuar atdheun në rrezik do të kthehej në përpjekjen konstante, më të e madhe e më të vështirë dhe për Faikun dhe Mehmet Konicën, vëllain e tij po aq të shquar. Por për këtë do të flasim njëherë tjetër.

Gazeta Shqiptare
 
Faik Konica - shkrim per te

Pas 101 vjetësh vjen trashëgimia e plotë e Konicës

Violeta Murati

Intervistë me Alma Konicën, mbesën e Faik Konicës​

Një libër luksoz, i dendur, me ngjyrë purpur shkruan në germa të arta mbi; “Albania” e Faik Konicës, vit i parë, e përkohshme shqip, shkruan çdo gjë, del një herë në muaj. Letërsi, linguistikë, histori, sociologji. Pas 101 vjetësh përsëritet historia, ashtu siç e ka lënë trashëgim Faik Konica, mbesat e tij janë kujtuar ta mbledhin revistën që pati jetë vetëm 13 vite. Të lexohet Shqipëria sot, me një saktësim tjetër të rëndësishëm për bibliografinë e Konicës, datën e lindjes, 15 prill 1876, të shkruar gabim nga historiografia. Një prej mbesave të tij, Alma Konica, mori përsipër të ribotonte “Albanian”, se sot shqiptarët kanë mundësi ta lexojnë Konicën pa pasur frikë se i spiunojnë. Ka pesë vite, që Alma ka nisur të sensibilizojë qarqet letrare si e vetmja trashëgimtare e pasurisë së Konicës.

Me ç’rast e sillni në ribotim revistën “Albania” të Konicës?

Fillesa pse më erdhi ideja ka të bëjë me datën e lindjes së Konicës, e sakta më 15 prill 1876. Unë do t’ju lutesha t’i kushtoni vëmendje datës sepse në të gjitha botimet e deritanishme është shënuar gjithnjë gabim: 15 mars 1875. Sivjet në 2010 ishte 134-vjetori i lindjes së Faikut. Duke parë se nuk është bërë asnjë gjë në këtë drejtim dhe sikur të paktën një afishe të nxirrej në kryeqytet për të lajmëruar, sepse e di që njerëzit janë me probleme, por ama e shikojnë se janë këto evenimente. Kjo pra ishte arsyeja për ta bërë promovimin e librit.

Pse tani kjo ide?

Në fakt ideja për të botuar revistën ka lindur shumë vite më parë, duke parë abuzimin që bënin persona të ndryshëm në emër të familjarëve të mi, duke bërë biznes në emër të Konicës. Të marrësh mbiemrin e dikujt e të bësh biznes nuk është gjë e mirë. Pikësëpari këta njerëz dhe botues duhet të më lajmëronin se po e botojnë. As këtë të drejtë elementare nuk e kanë bërë, atëherë unë vendosa që gjithë këtë punë të madhe ta filloja vetëm. Rasti e solli që bëra promovimin e vitit të parë.

Si do të rivijë “Albania”, çfarë do të përfshijë konkretisht?

Revista është e përmuajshme, çdo muaj ka një revistë. Në një libër janë përmbledhur 12 muajt. Është një vit, ku i pari nis në Bruksel qysh duke filluar më 1887 deri më 1898 e në vazhdim. Problemi i tirazhit të vogël, prej 200 kopjesh, ka të bëjë me mundësitë e mia financiare. Të gjithë këtë unë e kam mbuluar me shpenzimet e mia, që sigurisht edhe unë jam në borxhe, ashtu si edhe Faik Beu ishte në borxhe.

Çfarë është ruajtur nga fondi i “Albanias”?

Sigurisht që janë ruajtur shumë dokumente të cilat i kam mbledhur. Mendoj se këto dorëshkrime do t’i bëj surprizë në çdo muaj shqiptarëve, për të nxjerrë një botim. Pra do të përfshihen në 11 volume, janë 13 vitet, që unë mund t’i quaj vërtetë brilante të drejtimit që i bëri gazetës “Albania”.

Pse e keni deklaruar aq vonë se jeni trashëgimtarja e Konicës?


Sepse ishin të tjerët që donin të mbushnin xhepat me famën e Faikut. Nuk doja të mbushja xhepat dhe nuk dua të mbush xhepat. Qëllimi im është që t’ju tregoj përmes veprës së Konicës, se çfarë duhet të bëjnë shqiptarët për të ecur përpara sepse edhe sot pas 101 vjetësh të botimit të këtij libri, është për të ardhur keq që është në këtë nivel Shqipëria. Ne duhet të kishim ecur të paktën 10 vjet më parë, ashtu siç e ëndërronte Faiku.
 
Faik Konica - shkrim per te

Një kartolinë e Konicës në Bibliotekën e Harvardit​

Agron Alibali (*)

Ndër pasuritë e shumta bibliotekare dhe arkivore, Universiteti i Harvardit ka materiale të rëndësishme edhe për Faik Konicën. Siç e ka përmendur edhe Noli gjatë eulogjisë së Faikut, atje, për shembull gjindet koleksioni i plotë i Revistës Albania, të drejtuar nga Konica gjatë viteve 1897-1908. Atje gjindet edhe libri i tij në frengjisht “Sprovë për gjuhët natyrore dhe artificiale”, si dhe natyrisht, botimi pas vdekjes “Shqipëria – Kopështi shkëmbor”. Siç dihet, Konica studioi atje për gradën shkencore Master në Arte dhe Shkenca në vitin 1911-1912. Rrjedhimisht, në Harvard gjejmë edhe dosjen e tij si ish-student, të shfrytëzuar e botuar për here të pare prej studiuesit dhe shkencëtarit Eftim Dodona, ku ka materiale qysh prej kërkesës për pranim në Universitet, e deri te nekrologjitë e ndryshme botuar pas vdekjes së Faikut.

Gjatë hulumtimeve të para disa viteve në Bibliotekën Ëidener të Universitetit të Harvardit më ra në dorë libri me titull “Historia é Shcypniis”, e autorit N. D. N, që përfaqëson inicialet e Ndoc Ded Nikajt. Libri ishte botuar në Bruksel më 1902 nga shtypshkronja “Perlindja é Shcyptarevé”. Me një gegërishte të kultivuar, autori jep një përmbledhje të rëndësishme të historisë së vendit tonë deri në fund të Shekullit XIX. Mirëpo libri paraqet interes jo vetëm për përmbajtjen, por edhe pasi është ndër trajtesat e para në gjuhën amtare të historisë së Shqipërisë botuar para Shpalljes së Pavarësisë më 1912.

Karta
Bashkëfutur në libër, fill pas faqes së parë ndodhet një kartë me një shënim me shkrimin e Faik Konicës, që ka të ngjarë të jetë shkruar me penë të asaj kohe. Përmbajtja e shënimit është në gjuhën frënge. Revista Albania, në atë kohë botohej në Londër. Në krye të shënimit është një efigjë që tregon një flake, dhe fjalët ALBANIA në mes. Ne të djathtë, poshtë efigjës janë inicialet PN, që ka të ngjarë të tregojnë autorësinë e saj. Kuptimi simbolik i efigjës nuk është e lehtë të përcaktohet. Fill nën të ndodhet adresa postare e Faik Konicë si kryeredaktor, po siç e quante veten ai “Kryèshkroñëtuar1” i “Albania”-s, që është e njëjtë me adresën e dhënë në revistë gjatë vitit 1904, d.m.th. 4 Oakley Crescent, City Road, Loondon E.C.
Kartolina i drejtohet “Librarie F. A. Brockhaus, Leipzig, (Germany).” Ajo bart një pullë postare britanike me vleftë një qindarkë dhe dy vula, njëra bitanike dhe tjetra, ndofta gjermane. Data e postimit është mars 1904.

Dokumenti
Me një kaligrafi të përsosur, shënimi i Konicës në frengjisht mban daten 14 mars 1904. Teksti i plotë në frengjisht është ky::
“ Monsieur,
[Mais non] il ne manqué pas de pages dans l’”Historia”. Entre chaque chapitre, on a laissé deux pages blanches, et ces pages ont été comptées, comme on fait souvent dans les imprímreries française.
Votre dévué
F. B. Konitza”

Në shqip:
“Zotni
Nuk ka faqe mangut në librin ‘Historia’. Midis kapitujve janë lënë dy faqe bosh, të cilat janë numëruar, sipas praktikës së zakonshme në shtëpitë botuese franceze.
Juaji me besë,
F. B. Konitza”
Karta përmban edhe dy shënime shtesë me shkrim dore, të bëra me laps, të cilat me siguri janë shtuar më pas. Shënimi i parë, në krye të shënimit origjinal, thjesht përmban frazën e paplotë “Harvard 953”. Shënimi i dytë është e vendosur pikërisht ndënë titullin e librit “Historia” në shënimin e Konicës, dhe shkruan vetëm “e’ Shcypniis”, duke na dhënë kësisoj titullin e plotë dhe të saktë të Nikajt. Numri “953” mund të nënkuptojë vitin 1953, dhe në këtë rast autorësia e Konicës për këtë shënim përjashtohet. Sa i takon shënimit të përparshëm, nuk është e qartë nëse ishte shkrimi i vetë Konicës ose i dikujt tjetër. Ka të ngjarë që shënimi është shtuar në Bibliotekën e Harvardit në një kohë të mëvonshme. Nuk përjashtohet që shënimin shpjegues ta ketë bërë në vitin 1953 vetë Peshkop Fan S. Noli. Si ish student i Harvardit ai kishte liri të plotë hyrjeje në Bibliotekë. Nga ana tjetër, dihet me siguri se Noli në atë kohë jetonte në Boston të shtetit Masaçusets, që me metro ishte vetëm 20 minuta larg Harvardit në qytetin fqinj të Cambridge-it. Ndofta për të vërtetuar këtë do të ndihmonte shqyrtimi i kaligrafisë së Nolit.

Libri
Duke filluar nga Numri 5 , 31 maj 1901, i Revistës Albania Konica i bëri reklamë të gjerë librit të Nikajt. Me një gegërishte të pastër në revistë shkruhej se: “ Historia e Shqipërisë, dhe çka është më kryesore, e Atit të Kombit tonë, Skënderbeut, është botuar në fund të gushtit [1901] në një ble prej 400 faqesh, me një botim mjaft të mirë dhe me letër cilësore. Libri na vjen në shqipen e dialektit geg nëpërmjet Alfabetit Bashkimi të Shkodrës, të cilin e përdor edhe Revista Albania me ndryshim të nja dy germave. Libri kushton 2 florina ose 4 franga. Ju kërkojmë te gjithë bashkatdhetarëve tanë që të na i nisin neve pagesat për këtë libër, për të cilin, autori – që dëshiron të mbetet tash për tash anonim – ka punuar për vite me rradhë”.
Libri u ble dhe mbërriti në Bibliotekën e Kolegjit të Harvardit në 1 qershor 1904. Nuk dihet se si përfundoi tek libri i Nikajt karta e Konicës. Ndofta atë mund ta ketë bashkëngjitur vetë Faiku kur ishte student disa vite më vonë, ose gjatë qëndrimit apo vizitave të tij të mëpasme në Boston. Regjistri i qarkullimit të librit jep këto të dhëna për kohën e leximit të tij jashtë bibliotekës:
8 qershor 1918
28 maj1927
23 janar 1939
4 janar 2000
7 dhjetor 2000
Duhet përmendur se Konica duket se mbante lidhje të ngushta me Libraritë Brockhaus. Kështu, në vitin 1904 Libraritë Brockhaus ishin në krye të agjencive apo vendeve ku mund të blihej apo mund të bëheshin pajtimet për Revistën “Albania”. Posaçësisht, ato ishin në Leipzig [16, Querstrasse], ku duhet të ketë qenë edhe selia qendrore e përmbajtur në adresën e marrësit të kartolinës tonë; në Londër [48, Old Bailey]; dhe Paris [17, rue Bonaparte].

Rëndësia
Megjithë rëndësinë e kufizuar faktike, dokumenti ka rëndësi historike pasi është tjetër dëshmi e një korrespondence në formë kartoline me shkrimin e Konicës.
Pëveç kësaj, dokumenti është tjetër prove e kulturës së thellë e të gjerë dhe erudicionit të Konicës. Si “i pari shqiptar vërtetë evropian” (Robert Elsie), Konica shfaqet dhe sillet edhe në këtë dokument me fisnikëri, korrektesë dhe mirësjellje të veçantë, sikrse del nga stili i të shkruarit dhe mjeti i korrespondencës që ai përdor.
Gjithashtu, shënimi tregon edhe njohjen e thellë që kishte Faiku për librat dhe procesin e shtypshkrimit e botimit. Si njohës i jashtëzakonshëm dhe dashamirës i vërtetë i librave. Konica njihte thellë dhe me hollësi edhe artin, procesin dhe mënyrat e ndryshme të botimit, faqosjes etj, që përdoreshin në atë kohë në Evropë. Ishte një befasi e këndshme të gjeje papritur Faik Konicën në një libër për Shqipërinë në raftet e Bibliotekës së famshme Ëidener. Mendja menjëherë të shkonte tek ky kollos i letrave, i kulturës, dhe mendimit politik e diplomatik shqiptar, i cili thuajse një shekull më përpara kishte ecur në të njëjtin oborr të qytezës universitare (Harvard Yard), kishte ngjitur të njëjtat shkallë të bibliotekës, apo të Shkollës Pasuniversitare të Arteve e Shkencave (Dudley House). Dhe tek shikoje atë gjurmë të vogël të pranisë në këtë botë të një shqiptari të madh vetëm katër breza më pas, pa dashur të vinte një ndjenjë frike se mos fshesa e kohës do ta zhdukte edhe këtë lidhje të vogël me persona që nuk jetojnë më. Gjithshka mund të ndodhte me atë kartë: dikush mund ta merrte librin në shtëpi për lexim dhe ta negizhonte; dikush mund ta shfletonte tek raftet dhe, nga pakujdesia, karta mund të shkëputesh nga libri i saj si Anteu, etj, etj.
Shqetësimin tim ia ngrita C. F. njërit prej përgjegjësve të pasurimit të koleksionit, i cili mbulonte Shqipërinë. Ai e kuptoi menjëherë thelbin e problemit. Edhe pse Biblioteka përgjigjej vetëm për librat, vlefta historike dhe dokumentare e asaj karte të vogël nuk mund të anashkalohej. Menjëherë ai urdhëroi heqjen e librit nga raftet e Ëidenerit, dhe kalimin e tij në magazinën e madhe (depository), rreth 50 km në Perëndim, ku miliona libra, revista, materiale arkivore, etj, ruhen në kushtet më optimale që mund t’i sigurohen një libri. Dhe jo vetëm aq, C.F. porositi që libri të konsultohej vetëm në Sallën e Leximit Phillips (pra nuk mund të qarkullonte më jashtë bibliotekës) dhe edhe në këtë rast, përdorimi i tij do të ishte i kufizuar, do me thënë, karta postare e Konicës do të mbahej në ruajtje nga personeli i Sallës.
Janë ngazëlluese përpjekjet për ruajtjen e vlerave dokumentare dhe të trashëgimisë historike, qoftë ky edhe një shënim me shkrim dore në një kartë zyrtare postale. Edhe Faiku ishte pa dyshim tejet i kujdesshëm dhe plot pasion në qëmtimin dhe ruajtjen e vlerave të tilla.
Natyrisht, trashëgimia kryesore në këtë lëmë është biblioteka e tij personale, të cilën Konica ia blatoi si amanet Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, amanet i cili ende ka mbetur i papërmbushur. Eshtë tragjike të mendosh se Harvardi ruan me fanatizëm edhe një kartë postale zyrtare, ndërsa një bibliotekë e tërë me vlera të paçmuare dhe me më shumë se 2500 librash deri tash duket si krejt e humbur. Por për këtë do të flasim një tjetër herë.


*) Autori gjen rastin të falenderojë Bibliotekën Ëidener të Universitetit të Harvardit për ndihmën që i kanë dhënë dhe për kujdesin e treguar në ruajtjen e këtij dokumenti të rrallë të Konicës



Saga e Bibliotekës së humbur të Faik Konicës​

Agron Alibali

Sikurse do ta shikojmë më poshtë, librat me të vërtetë u magazinuan dhe u ruajtën gjer në njëfarë kohe, deri sa humbën. Ato u numëruan, por nuk ka prove se ato u kataloguan ndonjëherë. Fidelity Storage Company, me adresë të atëhershme tek 1420 U Street në Washington, ishte njëra ndër tre kompanitë më të mëdha të transportit dhe magazinimit të sendeve shëpijake në kryeqytetin amerikan, dhe ndërtesa e saj “dallohej prej së largu”. [“that could be seen from many blocks away”.]
Siç u përmend më lart, pas vdekjes së Konicës me 15 dhjetor 1942, Federata Pan-Shqiptare VATRA mori përsipër detyrën e rëndë dhe delikate të organizimit të funeralit të Konicës, të mbylljes së punëve të pambaruara dhe të llogarive të tij, të rregullimit të të ardhurave dhe borxheve dhe për mbrojtjen dhe ruajtjen e bibliotekës. Një fushatë grumbullimi fondesh filloi ndër të gjithë antarët e Vatrës dhe më gjerë në mbarë Amerikën. Emrat dhe kontributet përkatëse u botuan në një numër të posaçëm të gazetës Dielli.
Fill pas ceremonisë funebre, po atë mbrëmje, dy të dërguar të Vatrës u ngarkuan për t’u kujdesur për bibliotekën. Kryeredaktori i Diellit, Peter Tyko dhe Shefqet Bënça u nisën për Washington të martën më 22 dhjetor 1942. Ish-sekretarja e Konicës, Znj. Graham, u tha atyre që të bisedonin me z. De Bourg të Ambasadës Svicerane për librat e Konicës para se të ndërmerrnin ndonjë veprim. Me sa duket, përfshirja e diplomatit zviceran “me këshillën e Departamentit të Shtetit” sugjeron se Konica u trajtua si shtetas i huaj. Meqë Shqipëria ishte e pushtuar dhe as qeveria e Zogut, po as pushtimi Italian nuk njiheshin, nuk njoftoheshin nga qeveria amerikane, interesat e të ndjerit përfaqësoheshin si zakonisht nga një vend neutral si Zvicra.
Nga ana tjetër, kjo nënkupton se aty duhet të ketë patur edhe një diskutim serioz për trashëgiminë e Konicës. Për shkak të karakterit delikat të çështjes së librave, diplomati zviceran i këshilloi ata që, ose të qëndronin në Washington edhe pas Krishtilindjeve dhe ta përfundonin punën, ose të ktheheshin në Boston dhe të vinin sërish në Washington pas Krishtindjeve. Pasi u këshilluan me Peshkop Nolin dhe z. Pani, kryetarin e përkohshëm të Vatrës, dhe meqë z. Bënça duhej të kthehej në punë të nesërmen, ata vendosën të kthehen në Boston. Z. Pani dhe Z. Tyko u kthyen në Washington pas Krishtlindjeve. Ndërkohë znj. Graham porositi kutitë e librave, të cilat mbërritën në apartamentin e Konicës ditën e fundit të vitit, me 31 dhjetor 1942. Dy përfaqësuesit e Vatrës filluan menjëherë paketimin, të ndihmuar nga tre punëtorë të specializuar në këtë proces. Ja si e përshkruan procesin z. Tyko:
“Z. Pani numëroi çdo libër, kurse unë numërova se sa libra ishin në secilën kuti. Punëtorët i mbuluan librat me kujdes dhe i vendosën nëpër kuti. Ne paketuam më shumë se 3000 libra. Mbaruam punë në 10 të mbrëmjes të Enjten me 31 dhjetor 1942. Meqë të nesërmen, E Premte, ishte Dita e Vitit të Ri, biseduam me Fidelity Storage Company të Shtunën në mëngjes. Ata morën përsipër të sillnin një kamion të Hënën në mëngjes, me 4 janar 1943. Mirëpo kamionin na e prunë vetëm të Martën. Në atë kohë i nisëm me kamion në magazinë të gjitha arkat me libra, një me sende artistike, një kabinet metalik me sende të çmuara dhe dorëshkrime të Faik Konicës, si dhe një “cabinet metalik për dosje” ku ishin letra dhe dokumente të ndryshme. Një portret i Konicës në vaj, vepër e një piktori të famshëm nga Washingtoni u vendos sëbashkë me to në një “kasafortë të puthitur mirë që të mos futej ajri[“Air-tight-vault”]. Brenda u futën edhe dy statuja të vogla nga Rodin si dhe disa piktura të ndryshme. Tek magazina zumë me qera një dhomë të posaçme, për të cilën VATRA paguan 12$ në muaj, përveç pikturës së Konicës, për të cilën paguajmë $1 në muaj”.
Noli më vonë sqaron se Pani dhe Tyko “e paketuan të gjithë bibliotekën në 32 kuti druri, të cilat i magazinuan në emrin e Vatrës tek Fidelity Storage në Washington. Lista e mëposhtme e shpenzimeve lidhur posaçërisht me punën e bërë për ruajtjen e bibliotekës:
Kuti për bibliotekën $43.00
Transporti i bibliotekës në magazinë $19.32
Qiraja tremujore e magazinimit $45.00
Paketimi i librave $14.90
Udhëtimi $142.00
Gjithsejt $264.22, ose, me vlerën e vitit 2009 do të përbënin shumën jo të papërfillshme prej 3440 dollarësh.

Gjendja pas Luftës së Dytë Botërore, përkeqësimi i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri deri në ndërprerje të plotë më 1947 dhe më pas, e bënë praktikisht të pamundur për të dërguar në Shqipëri trupin dhe bibliotekën e Konicës, sikurse ishte dëshira e tij.
Sikurse u tha më lart, eshtrat e Konicës u prehën në dheun mëmë vetëm 50 vjet më vonë, d.m.th. më 2 maj 1995. Megjithatë, asnjë të dhënë nuk ka patur deri më sot që librat e Konicës u sollën në Tiranë. Në fakt, ato nuk mbërritën kurrë.
Gjatë viteve të fundit janë bërë mjaft përpjekje për të zbuluar fatin e Bibliotekës së Konicës duke u mbështetur në dëshmi gojore dhe kujtime të bashkëkohësve. Sugjerime të vlefshme për librat e Konicës i kanë dhënë autorit kronologjikisht Prof. Nasho Jorgaqi, Prof. Nikolla Pano, At Arthur Liolin, etj.
I nënshkruari ka pyetur për këtë ish-kryetarët e Vatrës, Z. Anthony Athanas dhe. Agim Karagjozi, mirëpo ata nuk mbanin mend ndonjë të dhënë të dobishme. Ndër të tjera, u pyetën familjarë të aktivistëve të Vatrës që u përfshinë në ruajtjen e Bibliotekës, por as këta nuk dhanë informacion të dobishëm. Megjithatë, konsensusi i përgjithshëm ishte se logjika e donte që antarët e Vatrës ta kishin ruajtur bibliotekën pas Luftës së Dytë Botërore tek Biblioteka në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston.
Sipas Prof. Jup Kastrati, dy “koleksione zyrtare me korespondencën përkatëse dhe letra të tjera” u shpërngulën tek zyrat e Vatrës, mesa duket në New York. Kastrati nuk na jep kohën kur ndodhi transferimi. Sa u takon “librave…-shton ai - ato u kyçën në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në South Boston”.
Prof. Nicholas Pano i deklaroi të nënshkruarit se Biblioteka e Konicës ishte vendosur në ndërtesën pranë Katedrales së Shën Gjergjit, ku ndodhej Biblioteka e Fan Nolit. Sipas tij, Biblioteka e Konicës qëndroi atje deri në zjarrin e korrikut 1991 (sic), pasiqë u shpërngu në një ndërtesë tjetër ngjitur me Kishën.
Ngritja e Kishës Ortodokse të pavarur dhe themelimi i Federatës Pan-Shqiptare VATRA – The Hearth, janë arritje historike të bashkësisë shqiptaro-amerikane, që rezonuan fuqishëm në Shqipëri dhe kontribuan në mënyrë vendimtare në themelimin dhe forcimin e shtetit shqiptar. Po ashtu, kompleksi i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës në South Boston është ndër investimet më të rëndësishme të asaj bashkësie, ku kanë dhënë ndihmesë shqiptarë të të gjitha besimeve fetare. Katedralja e Shën Gjergjit qëndron hijerëndë në një ndër pikat më të larta të rrugës East Broaway të South Bostonit, e rrethuar me ndërtesa tre-katër katëshe me tulla të kuqe tipike të ndërtimeve vendase.
Sipas raportit përkatës, zjarri i përmendur më lart ra, në fakt, të Premten, më 27 korrik 1990, në ora 18:50 në godinën katër-katëshe tek 529 East Broadway, South Boston. Përpara zjarrit ndërtesa përdorej pjesërisht si banesë dhe pjesërisht si zyra për Kishën. Moti atë ditë ishte me re dhe temperature ishte 69 gradë F ose 20.5 gradë Celsius. Ndërtesa ishte pronë e Katedrales së Shën Gjergjit, që ishte ngjitur, tek 519 East Broadway, kurse qeraxhi ishte njëfare James Blushi. Zjarri filloi në dhomën e pritjes në katin e parë, i shkaktuar nga një cigare dhe solli dëme të konsiderueshme, që u vlerësuan në $75,000 për strukturën dhe $25,000 për sendet e shpëtisë.
Dëshmitë këtu divergojnë. Sipas At Arthur Liolinit në bodrum në atë kohë kishte kryesisht sende personale të një veprimtareje të Kishës dhe pak libra. Edhe Michael Sotir, Kryetar i Këshillit të Katedrales së Shën Gjergjit, i cili u bë antar i kryesisë së Kishës disa muaj para zjarrit të vitit 1990 nuk mendon se atje mund të ndodhej një koleksion librash i madhësisë së Bibliotekës së Konicës.
Kurse sipas Ron Nasson, një aktivist i hershëm i Kishës Shqiptare thuajse të gjithë librat dhe dorëshkrimet e rrezikuara nga zjarri u shpëtuan. Koleksioni i plotë që atëhere ishte në ndërtesë,u shpërngul në ndërtesën ngjitur tek 523 East Broadway. Dëmi maksimal ndaj Bibliotekës ishte tymi dhe dëmtime të parëndësishme. Shumica e librave u vendosën më pas në vend të sigurtë. Bodrumi i ndërtesës në 523 East Broadway u pastrua dhe u rregullua për të strehuar zyrën dhe bibliotekën. Pas gati 20 vjetësh nuk është e lehtë të gjesh fillin e ngjarjeve të tilla.
Prof. Pano, nga ana tjetër, sugjeroi që, pas zjarrit, biblioteka mund të jetë shpërndare në tre pjesë të ndryshme: njëra mbeti tek Katedralja e Shën Gjergjit, njëra ndofta kaloi nën kujdesin e Z. Anthony Athanas, dhe pjesa e tretë u transferua tek zyra qendrore e Federatës VATRA në New York.
Shumë i Përndershmi Arthur Liolin, Kancelar i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë nuk e konfirmon ekzisencën e ndonjë libri nga Biblioteka e Konicës në Bibliotekën e Fan Nolit tek Kryekisha e Shën Gjergjit në South Boston, MA. Ai thotë se:
“Qysh prej mbërritjes time këtu më 1969, kam dëgjuar interesime dhe kërkime për vend-ndodhjen e Librave të Faik Konicës. Me sa di unë, ne nuk zotërojmë asnjë nga Librat e Konicës në Koleksionin Noli këtu në Boston. Duhet të shtoj se ka një prirje të gabuar për të menduar se, meqë Noli dhe Konica ishin miq të ngushtë dhe këshilloheshin shpesh me njëri-tjetrin, edhe koleksionet e tyre u shkrinë me njëri-tjetrin pas vdekjes së Konicës. Unë nuk kam gjetur asgjë që të më thotë se kjo qëndron. Ato nuk janë as bashkë dhe as e njëjta gjë.”
Mendimi që bibliotekat e Nolit dhe Konicës nuk u bashkuan mund të përforcohet edhe nga fakti se, sikurse u përmend më sipër, Noli ishte krejt i ndërgjegjshëm për amanetin e Faikut që librat e tij të dërgoheshin në Shqipëri. Edhe pse nuk mund të përjashtohet që Noli të kishte qasje të plotë tek Biblioteka e Faikut, prapëseprapë është krejt e palogjkshme të mendohet se mund të ketë pasur ndonjë rrethanë që ai të ketë “mpleksur” apo “bashkuar” librat e Konicës me ato të tijat. Noli nuk mund të treste amanetin e shokut të vet të ngushtë e të paharruar.
At Liolin deklaron se “nuk ka prova konkrete se ku mund të gjinden biblioteka personale dhe dokumentet [e Konicës]”. Ai “mendon” [“surmises” ] se deri në fillim të viteve 1980 librat e Konicës mund të jenë magazinuar tek zyra e vjetër Vatrës në 30 Huntington Av., Boston. Më pas ato ose u transferuan tek zyra e re më e vogël e Vatrës në 517 East Broadway, in South Boston ose u ruajtën në magazinën pranë zyrave qendrore të Z. Anthony Athanas afër ish-restorantit General Glover House në Marblehead, MA.
Në lidhje me Bibliotekën e Konicës, At Liolini na dha këtë informacion të vlefshëm:
“Kur VATRA zbrazi zyrën e vet tek adresa 517 East Broadway për t’u transferuar në Nju Jork, ata lanë pa marrë një zarf të vogël. Unë e gjeta atë nën një arkë librash, e cila edhe ajo u la pa u tërhequr nga të dërguarit e Vatrës, kur ato morën në Nju Jork materialet e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës. Zarfi kishte disa shtampa (bookplate) me fjalët: “Ex Libris - F.K. “Kjo më le mua të kuptoj se Konica kishte një shtampë personale për librat e tij, e cila duhej të ishte vendosur në anën e brendshme të kopertinës të librave të tij. Shumë dashamirës të librave [bibliophiles], i përdorin këto shtampa. Asnjë nga librat e Koleksonit Noli nuk kanë shtampë të tillë. Nuk ka asnjë indikacion se ndonjë shtampë e tillë ishte ngjitur dikur tek këta libra. As vetë Noli nuk kishte shtampë të ngjashme. Ai se shkruante emrin e vet me dorëshkrim në to, ose nuk vinte dare identifikim personal të pronësisë mbi to.
Nëse me të vërtetë Librat e Faik Konicës në njëfarë mënyre u bënë pjesë e Koleksionit Noli, nuk ka prove konkrete të saj. Ka të ngjarë edhe që – nëse vërte mund të ketë ndodhur – që disa ose të gjitha Librat e Konicës u dërguan në Shqipëri nga Mary Johns [Sekretarja e Fan Nolit, Shënimi im, A.A.] pas vdekjes së Nolit, bashkë me 20 kartona me libra,të cilat ajo ia nisi Universitetit të Tiranës. Natyrisht që e gjitha kjo është e pavërtetuar [speculation].”

Ka vlerë të sjellim këtu dëshminë shumë të rëndësishme të Qerim Panarity, ish kryeredaktor i Diellit (the Sun). Shkruan Panarity në shtator 1957:
“Meqenëse Z. Konica nuk kishte të afërm në SHBA, dhe meqë ai ishte udhëheqës dhe themelues i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës, kjo organizatë mori plotësisht përsipër kujdesjen për pasurinë dhe borxhet (më shumë këto të fundit), duke paguar edhe për ruajtjen e librave dhe sendeve të tij personale për shumë vite me rradhë. Në fund, ato u sollën nga Washingtoni në Boston. Dy prej kutive me dokumente (cabinet files), ku kishte correspondence dhe dokumente të tjera, u vendosën tek Zyra e Vatrës 9 [tek30 Huntington Avenue, Boston, MA]; kurse librat u dërguan për ruajtje në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në South Boston. [Theksimi ynë]”
Kjo dëshmi mbështetet më tej nga ajo e Prof. Peter Prifti, i cili shërbeu si Sekretar i Vatrës dhe bashkë-kryeredaktor i Diellit (The Sun) nga 1958-1960 pikërisht në atë zyrë. Prof. Prifti konfirmoi se gjatë kohës që ndodhej aty, “nuk hasi ndonjë botim, si për shembull libër, etj, që i përkiste Konicës”, por se ai “kishte dijeni se dorëshkrimi i tij i pambaruar, “Shqipëria: Kopështi Shkëmbor i Evropës Juglindore”, ishte në zotërim të Panarity-t, i cili më vonë e botoi si libër”.

Kronologji e pjesshme
Kësisoj, mund të përcaktojmë me njëfarë saktësie kronologjinë e lëvizjes së koleksionit të Konicës, të përbërë prej Bibliotekës dhe Arkivës. Fillimisht ato qëndruan në ruajtje në Washington prej 5janarit 1943 deri në fund të Luftës. Pastaj, diku midis viteve 1945 dhe 1954 ato u transportuan në Boston. Në fund të vitit 1954 Biblioteka u vendos në ruajtje në Katedralen e Shën Gjergjit në South Boston. Dëshmia ështe e drejtpërdrejtë dhe e kemi nga gazeta DIELLI e dates 19 janar 1955. Aty shkruhet:
Librat e F. Konicës. Librat e të ndjerit Faik Konica, rreth 1929 blenj të fushave të ndryshme, u vunë në kuti metalike dhe ruhen në Katedralen e Shën Gjergjit”.
Së pari, kjo prove e rëndësishme është dëshmia e fundit që kemi deri tani për ekzistencën relativisht të plotë dhe vendin e ruajtjes së Bibliotekës së Konicës.
Së dyti, këtu me sa duket kemi firon apo humbjen e parë të fondit të Bibliotekës. Duke patur parasysh se Tyko me Panin numëruan mbi 3000 blenj natën e fundit të vitit 1942 në Washington, atëhere ndryshimi pas 14 vjetësh nuk është aspak i neglizhueshëm. Ç’ndodhi me të paktë 1071 blenj të tjerë?
Së treti, nuk kemi dijeni nëse librate Bibliotekës u veçuan nga Arkiva kur ato mbërriti në Boston, apo më vonë.
Mund të themi gjithsesi me siguri të plotë se deri në vdekjen e Nolit më 1965 pjesa e mbetur e Bibliotekës së Konicës u ruajt më së miri në Katedralen e Shën Gjergjit. Sa u takon Arkivave, sikurse na dëshmon Panarity me 1957 dhe deri më 1960, sikurse dëshmon Prifti, ato apo një pjesë e saj ishin ende tek zyra e Vatrës në lagjen Back Bay të Bostonit.
Pra, edhe pse dimë se librat e Faikut më 1955 u inventarizuan dhe numëruan, duket gjithsesi e habitshme që deri sot nuk ka arritur asnjë dëshmi, provë apo regjistrim i ndonjë përpjekjeje për katalogimin ose indeksimin e tyre gjatë ruajtjes në Katedralen e Shën Gjergjit, duke patur parasysh edhe faktin e fortë se Peshkop Noli ishte plotësisht i ndërgjegjshëm për vlerën e tyre të veçantë historike dhe shpirtërore.
Po më tej ç’ndodhi? Sikurse u tha më lart, kur At Artur Liolini më 1969 mbërriti në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston nuk gjeti dëshmi të Bibliotekës së Konicës atje. Ka një dritare katërvejçare, qysh nga vdekja e Nolit (1965), deri tek ardhja e At Liolinit (1969), e cila nuk është hetuar. Në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës në atë kohë ishte Peshkop Stefan Lasko, i cili e drejtoi atë në një periudhë shumë të vështirë që përkoi me ndalimin e fesë dhe me shkatërrimin e strukturave të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në atdhe.

Vazhdim në vend të mbylljes
Para disa javësh, me 21 nëntor 2010 u botoa në Milosao shkrimi “Një kartolinë e Konicës në Universitetin e Harvard-it”. Kur ia nisa sa atë për botim Admirina Peçit, ajo menjëherë më tha se do të ishte shumë e vlefshme për lexuesit që të botohej edhe kopja e kartës postale të Faikut. Natyrisht që e kisha fotokopjen e kartës postale në arkivën time, por nuk po e gjeja dot brenda afatit të dërgimit të materialit në shtyp. I them Admirinës se në mungesë të kopjes time do ta fotokopjoja edhe njëherë origjinalin në Harvard, porse botimi i kartës postale do të mbetej për javën tjetër.
Menjëherë porosita librin e Ndoc Ndue Nikajt – ku ndodhej karta - dhe të Hënën në mëngjes, me datë 22 nëntor 2010 mora njoftim se libri kishte dale dhe mund ta tërhiqja.
Paraqitem në bibliotekë dhe pasi e marr në dorë librin, e shfletova me shpejtësi duke kërkuar kartolinën e famshme. Mirëpo për habinë dhe zhgënjimin tim të thellë ajo nuk ishte më aty…
Shkrimin tek Milosao e mbyllja kështu: “ Natyrisht, trashëgimia kryesore në fushën e vlerave dokumentare është biblioteka personale e Konicês, të cilën ai ia blatoi si amanet Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, amanet i cili ende ka mbetur i papërmbushur. Eshtë tragjike të mendosh se Harvardi ruan me fanatizëm edhe një kartë postale zyrtare, ndërsa një bibliotekë e tërë me vlera të paçmuare dhe me më shumë se 2500 librash deri tash duket si krejt e humbur”.
E pra e pashë se isha nxituar! Humbja e vlerave qenka si ajo sëmundja ngjitëse që nuk ndalet para asgjëje. Por çfarë mund të ketë ndodhur me kartën vallë?
Një mundësi është që karta të jetë neglizhuar në mënyrë të pavullnetshme kur kompania google e skanoi librin e Nikajt. Ose ndonjë lexues mund ta ketë humbur nga pakujdesia. Ose ndokush edhe mund ta ketë përvetësuar. Njëfarë ngushëllimiështë fakti që, më së fundi fotokopja e kartës së humbur u gjet, siç paraqitet tjetërkund në këtë faqe.



Promovohet një libër i ri për Faik Konicën



Gazetari i “Zërit të Amerikës”,. Ilir Ikonomi, më 15 prill do të bëjë promovimin e librit të tij “Konica, jeta në Uashington”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”.
Ky libër është një vështrim origjinal dhe mjaft interesant mbi jetën e një prej intelektualëve të shquar të Shekullit XX, Faik Konicës. Uashingtoni ka luajtur një rol të madh në aktivitetin e tij patriotik në dobi të Shqipërisë dhe pikërisht mbi këtë periudhë të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së Konicës është ndalur z. Ikonomi, në librin e tij që do ët promovohet më 15 prill në Tiranë.
-Mendoj se ky libër i vë gjërat në kontekst. Ka një etje të madhe për të mësuar rreth Faik Konicës por ajo që është ofruar deri tani ka qenë një informacion i copëzuar: një artikull këtu, një ese aty, një kuriozitet këtu e një dokument aty, thorë autori në një intervistë për Gazetën 55. Këto pjesë nuk kanë qenë të lidhura mirë në një tërë, në një histori të vetme të Konicës si personalitet i shumë dijeve. Ky libër është një përpjekje për të na e dhënë Konicën në sfondin e kohës kur jetoi dhe për më tepër në kryeqytetin amerikan, Uashington, ku ai ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë për 13 vjet me radhë.
Kam zgjedhur një mënyrë të rrëfyeri që nuk e lodh lexuesin. Të japësh një histori plot data dhe ngjarje, kjo ndonjëherë bëhet joshëse për autorin që, me fjalë të mëdha, të huaja dhe të ngatërruara, përpiqet t’i tregojë lexuesit se sa di. Kjo më është dukur gjithnjë e neveritshme sepse libri nuk shkruhet për autorin prandaj unë ndoqa një rrugë tjetër. Në çdo paragraf, në çdo faqe që kam shkruar, kam pyetur veten nëse lexuesi do ta pranojë rrëfimin tim apo do ta lëshojë librin nga dora dhe do të hapë televizorin. Prandaj në libër dokumentacioni historik thyhet aty-këtu me episode interesante nga jeta e Faikut në Uashington. Jo thjesht me kuriozitete por me fakte të një natyre tjetër, më personale, të cilat janë vazhdim i rrëfimit të historisë por që e mbajnë lexuesin të përqendruar. Në të vërtetë, dëshira ime ka qenë që, duke lexuar këtë libër, njeriu të krijojë një përfytyrim të plotë dhe jo fragmentar për gjithë sfondin historik mbi të cilin pikturohen ngjarjet.
Do të përpiqem t’ju shuaj vetëm një pjesë të kureshtjes. Mendoj se është hera e parë që shkruhet me kaq imtësi për jetën e Faikut në Uashington. Pjesa më e madhe e dokumenteve që janë përdorur për të bërë këtë libër janë të panjohura. Këto fillojnë që nga hollësi të tilla më pak të rëndësishme si faturat e legatës shqiptare në Uashington, që më ndihmuan të krijoj një përfytyrim të saktë mbi buxhetin dhe rrjedhimisht mbi jetëm materiale të Faikut, e deri te komunikimet e tij me Departamentin e Shtetit, disa prej të cilave mjaft konfidenciale, siç janë ato që lidhen me Fan Nolin. Për shembull, gjatë një periudhe rreth dhjetëvjeçare, Faiku me Nolin, këto dy figura kryesore të komunitetit shqiptar të Amerikës, kanë zhvilluar një luftë të ashpër, e cila ka qenë lënë thuajse në hije, me qëllimin e mirë për të mos “prishur” imazhin e këtyre dy heronjve tanë. Eshtë folur më shumë për miqësinë mes tyre, duke filluar nga viti 1937 e deri në vdekjen e Faikut më 1942. Por ne nuk jemi fëmijë që të na fshihen gjërat. Lexuesi mund të befasohet kur të njihet me hollësi të reja të asaj që deri më sot është quajtur thjesht “polemikë mes Faikut dhe Nolit”. Dokumente të tjera që i kam zbuluar nëpër arkiva sqarojnë gjithashtu marrëdhëniet e Faikut me ambasadën e Italisë fashiste në Uashington dhe se si ai në thelb u përpoq të shfrytëzonte italianët për të bërë publike pikpamjet e tij se Epiri ka qenë gjithnjë shqiptar e se Çamëria e vise të tjera duhet t’i riktheheshin Shqipërisë. Dokumente të tjera që botohen gjithashtu për herë të parë sqarojnë pozitën e Faikut ndaj Mbretit Zog, të cilin e ai e mburrte në publik por vetëm në publik. Këto kanë qenë marrëdhënie tepër komplekse por për fat të keq, në të kaluarën, nga mosnjohja e fakteve, janë paraqitur në mënyrë të thjeshtëzuar dhe naïve.

Bota Sot


Nje shkrim i Konices ne revisten Albania, Bruksel. Viti 1898.

Shkrirja e dialekteve të shqipes

Faik Konica

Duke studiuar, qoftë edhe shkurtimisht, natyrën e gegërishtes e të toskërishtes, menjëherë bie në sy se ndryshimi që i ndan nuk është më i madh se ai që shquan mënyrën e të folurit të një Normandi nga ajo e një Gaskoni.

Do të thotë se në thelb ky ndryshim kufizohet në disa ngjyrime shqiptimi. Por në një vend ku mungon një traditë shkollore, këto ndryshime shqiptimi më tepër janë theksuar sesa janë zbutur; dhe shqiptarët, duke mos pasur si udhëheqës drejtshkrimorë as fjalorë, as akademi, ka rrjedhur që – kur ua ka marrë mendja të lëvrojnë gjuhën e vet – nuk kanë ndjekur rregulla të tjera drejtshkrimore, përveç atyre të transkriptimit të fjalëve ashtu si shqiptohen.

Kështu, sikur t'ua jepnit sot një shqiptari të veriut dhe një shqiptari të jugut një tekst për ta përkthyer, do të kishit dy përkthime, gjuha e të cilave, në pikëpamje morfologjike, do të ndryshonte po aq sa ndryshon spanjishtja nga italishtja.

As rreziku i bashkëjetesës së këtyre dy dialekteve të përkundërt, as vështirësia për t' i shkrirë, nuk do t' u shpëtonin shqiptarëve të cilët janë të pajisur me njëfarë mendjemprehtësie. Çështja nuk qëndron a të zhduket gegërishtja apo toskërishtja, as madje të bëhet që shqiptarët të ndryshojnë, në përdorimin e përditshëm, dialektet e tyre përkatëse për të arritur te njëfarë njësie të foluri; gjë e pamundur.

Përveç kësaj kjo do të ishte ngathtësi, sepse të duash të ndryshosh të folmen e një populli, do të thotë të ndryshosh karakterin e tij e të shkatërrosh personalitetin e tij. Çështja qëndron te fakti që të arrihet të krijohet, përtej bashkëjetesës paralele të të folmeve toske e gege, një gjuhë letrare, një gjuhë e shkruar që të jetë e përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Po t' ua vinim veshin disa shqiptarëve të shkolluar të cilëve ua kemi kërkuar mendimin, çështja as duhet parashtruar. Sipas mendimit të tyre, do të vijë një ditë në të cilën dialekti toskë – posa të arrijë, nëpër një zhvillim që ne e shohim çdo ditë në përparim, te lartësia e gjuhëve të mëdha moderne – ka për ta thithur në mënyrë të pashmangshme dialektin gegë, që ka qëndruar i palëvruar; dhe ata cekun, në mbështetje të mendimit të tyre, këtë fakt, në vetvete të saktë, se shumë shqiptarë-gegë përdorin toskërishten kur shkruajnë.

Por ne nuk e përkrahim këtë mendim; sepse, ndonëse fakti që ata sjellin nuk na duket fort bindës, dialekti gegë përmban me qindra trajta të humbura nga toskët e që janë visare të vërteta të trashëguara nga të parët tanë të lashtësisë. Mjaft të sjellim në mend mbaresën –mun të pjesores gege, që daton së paku dymijë vjet, e që s' është gjë tjetër veçse -mέnoV i pjesores greke (khs. shkrumun, gegrammέnoV).

Ndoshta çështja mund të kishte një zgjidhje të lehtë e të shpejtë, po qe se toskërishtja do të ruhej si gjuhë e prozës dhe gegërishtja e poezisë. Karakteri përkatës i dy dialekteve padyshim do të rregullohej në këtë rol. Ecja e gjerë dhe fisnike, ndonëse pak e lakueshme, e gegërishtes duket se i përshtatet ritmit të mendimeve e të ndjenjave.

Tash vonë kemi botuar (A. 91) një tingëllim të mrekullueshëm, i pari në gjuhën tonë, prej një autori të ri shkodran, i cili jep një ide të asaj që mund të bëhet dialekti gegë ndër duar të afta. Herën e fundit kemi botuar dy tingëllime të tjera, prapë të një autori gegë, bukuria e fuqishme e të cilave e vërteton këtë përshtypje.

Por, të thuash të drejtën, realizimi i këtij mendimi nuk do të ishte i mundur në një vend ku njerëzit, në përgjithësi me pak dijeni për dialektin e vet, janë më pak të aftë të mësojnë ta shkruajnë dialektin fqinj. Jo! Zgjidhja më e mirë e problemit, ajo më praktike, do të ishte krijimi i një gramatike – të miratuar nga shqiptarët e shkolluar dhe nga albanologët – në të cilën të gjitha elementet dialektore, të grupuara, të pajtuara, të bashkërenditura, sipas një metode racionale e shkencore, do të lindnin një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët, sikurse grekët që kanë Koïnê glôssa.

Zëri


Faik Konica – Jeta në Uashington


Frank Shkreli

Përfaqësuesi moral i Shqipërisë në Uashington

Kohët e fundit më ra në dorë libri Faik Konica – Jeta në Uashington, i autorit Ilir Ikonomi, botuar nga shtëpia botuese Onufri, një libër ky që përshkruan vitet e shumta të jetës së Faik Konicës në kryeqytetin e Shteteve te Bashkuara, si përfaqësues zyrtar i Shqipërisë, gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Në të njëjtën kohë, libri është edhe një pasqyrë e veprimtarisë së shqiptarëve të Amerikës në atë kohë, me të gjitha problemet dhe shqetësimet e komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me fatin e kombit, në fillim të shekullit të kaluar. Por mbi të gjitha, mendoj unë, Ilir Ikonomi ia del t’i paraqesë lexuesit në imtësi jetën e Faik Konicës, patriotit dhe atdhetarit po se po, por gjithashtu edhe Faik Konicën - demokratin e gërshetuar me një kulturë pluraliste perëndimore, të cilën e dëshironte edhe për Shqipërinë. Ilir Ikonomi, me aftësi të theksuar, paraqet Konicën si ministrin shqiptar në Uashington i cili me nder e dinjitet përfaqësoi dhe luftoi për të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por në të njëjtën kohë ai po ndiqte edhe gjendjen e atëhershme politike në atdhe ndaj të cilës ishte shpeshherë shumë kritik.

Për hir të objektivitetit, jam i detyruar të rrëfej që në fillim se Ilir Ikonomin e kam pasur koleg kur unë punoja në Zërin e Amerikës, dhe ku ai është gjithnjë i punësuar, dhe për të cilin kam respektin më të madh si person, si profesionist, dhe si gazetar i dorës së parë.

Libri, Faik Konica – Jeta në Uashington, është rezultat i shkëlqyeshëm i këtij profesionalizmi. Jo vetëm ne që e njohim dhe kemi punuar me Ilir Ikonomin, por komuniteti shqiptaro-amerikan, përfaqësues i denjë i të cilit ishte Faik Konica, dhe shqiptarët kudo, me plot të drejtë mund të mburren me këtë vepër të përpunuar, të dokumentuar dhe të përpiluar për mrekulli. Është kënaqësi e posaçme për gjakun e shprishur të një emigranti të lexojë një libër, të shkruar nga një emigrant tjetër, e për më tepër nga një koleg, qëllimi i të cilit është vetëm e vetëm për të zbardhur historinë patriotike dhe për të zhdukur thashethemet dhe gënjeshtrat rreth njërit prej figurave më te shquara të historisë së kombit. Autori dhe botuesi meritojnë lavdërime dhe urime.

Libri prej 380 faqesh, i ilustruar me shumë fotografi personalitetesh historike nga periudha e Konicës në Uashington, është një vepër madhështore e një kompetenti, ku përveç fakteve mirë të dokumentuara mbi jetën private të Faik Konicës, në këtë libër, lexuesi mund të gjejë një pjesë të historisë sonë kombëtare siç pasqyrohej në arkivat e shumta diplomatike - që shumë prej tyre shohin për herë të parë dritën e diellit - si edhe në shtypin amerikan të kohës, që siç duket shumë prej tyre ishin të pashfrytëzuara deri tani, fakte e dokumente në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e Faik Konicës - shpesh këto të shtrembëruara nga historianët komunistë të Shqipërisë gjatë 50-vjetëve të kaluar.

Siç mund të shihet nga shënimet në fund të faqeve të librit, autori ka përdorur arkivat përkatëse në Amerikë, në Tiranë dhe gjetkë, së bashku me shumë vepra e dokumentacion të huaj, ku përshkruhen marrëdhëniet shpesh të ndërlikuara dhe problematike të Faik Konicës me Mbretin Zog, me Fan Nolin, me përfaqësuese të qeverisë fashiste italiane dhe personalitete të tjera politike, si edhe lidhjet e ngushta dhe miqësinë që Konica gëzonte me Uashingtonin zyrtar të asaj kohe, pothuaj si asnjë diplomat tjetër i huaj i akredituar në Uashington. Megjithëse në mendjen e komunitetit shqiptaro-amerikan kur flitet për Vatrën, Diellin dhe veprimtarinë patriotike të shqiptarëve të Amerikës në fillim të shekullit të kaluar, Konica e Noli përmenden sikur janë një person, me mendime dhe qëllime të njëjta - hollësitë që sjellë Ikonomi në këtë libër, tregojnë se marrëdhëniet midis këtyre dy gjigantëve ishin plot kontradikta e shpesh shumë të ashpra.

Jeta në Uashington e Faik Konicës, është një dokumentar udhërrëfyes se si duhet të sillet e të veprojë një diplomat që përfaqëson një vend të vogël në kryeqytetin e diplomacisë botërore, siç është Uashingtoni. Megjithëse siç ve në dukje edhe autori, Konica nuk kishte patur mundësi të zhvillonte lidhje të ngushta me Kongresin Amerikan, marrëdhëniet e tij në të gjitha nivelet tjera të shoqërisë dhe të politikës - me përfaqësues të degës ekzekutive të qeverisë amerikane, duke përfshirë Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin e Shtetit, ishin të shkëlqyera. Besoj se arsyeja që Konica nuk kishte zhvilluar kontakte të ngushta me Kongresin, ishte se Kongresi në atë kohë nuk merrej aq shumë me punët e jashtme, siç ndodhë sot. Për më tepër, ai kishte zhvilluar dhe kultivuar kontakte personale e miqësore, të cilat duke u bazuar në përvojën time shumë vjeçare në Uashington, janë po aq të rëndësishme, në mos më të rëndësishme se kontaktet zyrtare.

Autori vë në dukje lidhjet dhe kontaktet e Faik Konicës me gazetarë e shkrimtarë, me diplomatë vendas dhe të huaj, me njerëz të kulturës e të fushave të tjera, të cilat për mendimin tim janë një pasqyrim i rolit shembullor të Konicës se si duhet të sillet, jo vetëm një diplomat, por edhe një shqiptar i thjeshtë që është i interesuar për avancimin e interesave të kombit shqiptar në këtë vend dhe kudo në botë. Ai ishte i vetëdijshëm për rolin e rëndësishëm që luante në mbrojtje të interesave të Shqipërisë në Uashington sa që ishte gati të rrinte në Uashington edhe si “përfaqësues jozyrtar i ndërgjegjes shqiptare”, vetëm e vetëm që Shqipëria të kishte një zë në Uashington, edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Autori shkruan për lidhjet e ngushta dhe respektin që shumë amerikanë kishin për Konicën. Ai duket se e kishte shumë të lehtë të bënte një tranzicion pa asnjë problem nga shoqërimi me amerikanë të fushave të ndryshme në takime e biseda me komunitetin e atëhershëm shqiptaro-amerikan. Siç tha edhe autori në një intervistë në Tiranë, askush më mirë se Faiku nuk mund ta luante rolin e ambasadorit në Uashington – ai ishte erudit, anglishtja e tij ishte e përkryer dhe kishte lidhje të ngushta me komunitetin shqiptar të Amerikës. E vërteta është se Konica admirohej njësoj si nga qarqe të ndryshme amerikane ashtu edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Autori citon Nelo Drizarin, kryeredaktor i gazetës Dielli, i cili e quante Faik Konicën si “shembull për të tjerët”. “Nuk rrojnë të gjithë shqiptarët për të ngrënë bukë, kanë mbetur edhe nga ata njerëz me veti kreshnike që nderojnë traditat dhe vendin e shqiptarëve”, shkruante Drizari.

Megjithëse kishte marrëdhënie të ndërlikuara me Zogun, Faik Konica pranon, për hir të dashurisë së tij për kombin e vet, ta përfaqësoj atë në Uashington pasi besonte se “Shqipëria e Zogut ende e dobët dhe e rrethuar nga armiq, kishte nevojë për paqe dhe disiplinë, për bashkim të brendshëm dhe për respekt jashtë”. Ambasadori amerikan në Tiranë në vitin 1925, Çarls Hart i dërgon telegram Uashingtonit duke e përshkruar ambasadorin e ri të Shqipërisë në Uashington si një njeri “që ka qëndruar larg politikës personale dhe asnjëherë nuk është shprehur në favor të kësaj ose asaj qeverie shqiptare. Edhe prej atyre, të cilët i ka kundërshtuar, ai njihet jo si politikan, por si njeri që parapëlqen pozitën origjinale të patriotit, një specie për të cilën disa vëzhgues deklarojnë me kokëfortësi se pothuajse është zhdukur mes shqiptarëve të së ashtuquajturës klasë e lartë”.

Është e pa mundur të lexosh librin e Ilir Ikonomit për Faik Konicën e të mos mendosh për gjendjen aktuale politike në Shqipëri dhe troje tjera shqiptare në Ballkan. Duket sikur historia nuk ka ndryshuar shumë, apo ndoshta përsëritet. Një ndër meritat e këtij libri është se autori , me mjeshtëri vë në dukje, kontributin e Konicës në tolerimin e mendimeve dhe të qëndrimeve politike ndryshe, pasi megjithëse Konica nuk kishte shumë simpati për Mbretin Zog, ai prapëseprapë pranon emërimin prej tij si Ministër Fuqiplotë. Nga ana tjetër, kjo tregon edhe tolerancën e Zogut ndaj një kundërshtari politik. Libri radhitë kundërshtimet dhe ndërlikimet politike që kishte me Zogun dhe njerëzit rreth tij, duke e paraqitur Konicën para nesh si një “mendje e ndritur dhe një zemër që ka rrahur gjithherë për vendin e vet”, tha Profesor Sami Repishti në vlerësimin e tij për librin.

Disa recensorë me të drejtë e kanë cilësuar veprën e Zotit Ikonomi si një sfidë ndaj historiografisë komuniste, por edhe si një udhërrëfyes për politikanët e sotëm e të ardhshëm shqiptarë, për mënyrën se si duhet vepruar me kundërshtarin politik, për hir të interesave madhore me të cilat përballet kombi. Janë ca raste historike kur zëri i partive dhe i kundërshtimeve duhet të pushojë përpara një interesi më të lartë, pat thënë me një rast Faik Konica. Kjo është një thirrje e Konicës që dëgjohet anë e mbanë këtij libri. Kjo është një ushtimë që përcjellë ky libër për aktualitetin politik anë e mbanë botës shqiptare.

Ilir Ikonomi mjeshtërisht i paraqet lexuesit Faik Konicën si një shembull fleksibiliteti dhe kompromisesh politike kurdoherë që e kërkon interesi i kombit. “Unë i lodhur s’jam aspak dhe do të isha gati të vazhdoja luftën me forcë po të kish lufta ndonjë qëllim. Po qëllim lufta s’ka dhe s’mund të ketë. Fan Noli dhe unë kemi luftuar për një guvernë të një tipi të përparuar. Ahmed Zogu ka luftuar për një guvernë të një tipi më konservativ. Ahmed Zogu na mundi dhe na mundi me themel...Në Amerikë, kanë një zakon që i munduri i shtërngon dorën mundësit”. Në të njëjtën kohë, sipas Konicës “guverna duhet të ketë një ngjyrë kombëtare dhe morale. Njerës me të shkuar jo të pastër të përjashtohen nga qeveria... dhe indipendenca e gjykatorëve të nderohet”.

“Jeta në Uashington” e diplomatit të parë shqiptar është gjithashtu shembull për tu ndjekur nga çdo diplomat shqiptar, në cilindo vend të botës, pasi sipas Konicës, “për hir dhe nder të Shtetit, njerës që përdorin pozitën e tyre për të tregtuar, ose njerës që lozin kumar, nuk duhet të përdoren për punët e jashtme....se përfaqsonjës qesharakë ose pa dinjitet diskreditojnë Shtetin”. Prandaj ky libër duhet të jetë lexim i detyrueshëm për diplomatët shqiptarë, sepse siç tha edhe Ministri i jashtëm shqiptar, Zoti Haxhinasto gjatë takimit me autorin në Tiranë në Prill, “libri i Ikonomit në këtë drejtim është unik dhe sjellë një studim që i ka munguar diplomacisë shqiptare”.

Por mbi të gjitha, libri i Ilir Ikonomit është gjithashtu një dokument edhe i përpjekjeve të Faik Konicës për të vendosur miqësi dhe marrëdhënie të ngushta midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara – marrëdhënie këto që ai i kultivoi pa pushuar ditë e natë, gjatë gjithë jetës së tij në Uashington. Siç thotë edhe autori, “Faiku në fjalimet e tij ai përmendte shpesh nevojën që shqiptarët të mësonin disa vlera amerikane, si puna dhe shpirti praktik e humanitar”. Dhe në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan NBC, Faik Konica thotë se “Lëvizja shqiptare për pavarësi u frymëzua nga ideale amerikane si edhe nga kujtimet e së kaluarës. Ishin refugjatët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara që i dhanë forcën asaj lëvizjeje”.

Libri gjithashtu përpiqet të hedhë dritë mbi disa figura të emigracionit, të ndaluara e të censuruara nga regjimi komunist, por bashkëkohës të Konicës, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Fan Noli, e të tjerë. Ikonomi shkruan se, njëri ndër ta, At Gjergj Fishta megjithëse pranoi të bëhej anëtar i Akademisë italiane të Arteve dhe të Shkencave nën fashizmin, “Fishta nuk i shërbeu politikisht Italisë dhe nuk bëri asgjë që të dëmtonte pavarësinë e vendit të vet”.

Ishte fati i keq i kombit dhe i tyre, që Faik Konica dhe bashkëkohësit e tij u dënuan me mërgim të përjetshëm. Njerëzit më të mëdhenj e më të zgjedhur të kombit, si Faik Konica, që lindën e u rritën në prehrin e saj, nuk u shpërblyen siç duhet - as kur ishin gjallë dhe as post mortem - me mirëkuptim, nderime e njohje, por përkundrazi vetëm përjetuan vuajtën, mërgimin, salvimet dhe nganjëherë edhe vrasjet.

Mundi i Ilir Ikonomit në një punë kaq të madhe, pasqyron pasionin dhe dashurinë prej gazetari që ai posedon për të zbuluar të vërtetën për Faik Konicën, një patriot dhe personalitet të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të historisë së kombit shqiptar - me të gjitha sukseset dhe të metat e tij, si person dhe si politikan. Këtë ai e ka bërë me plot sukses duke i servirur lexuesit dokumente të pazbuluar më parë. Vepra e tij, Faik Konica – Jeta në Uashington, është pa dyshim, një kontribut i rëndësishëm në historiografinë shqiptare dhe diplomacinë, por në të vërtetë është edhe një vepër interesante me burime të panjohura deri tani dhe e dobishme për tu lexuar nga të gjithë, prandaj nuk mund e lëshova nga dora duke e lexuar fund e maje, me vëmendje dhe përfitim.

Telegrafi
 
Faik Konica - shkrim per te

Ç’mund të mësojnë politikanët prej kolosit të dijes Faik Konica

BEQIR SINA

03/08/2011 Intervistë ekskluzive për gazetën “Metropol” nga SHBA, me gazetarin Ilir Ikonomi, autor i librit “Faik Konica – Jeta në Uashington


WASHINGTON D.C: Ilir Ikonomi punon prej dy dekadash si gazetar i Zërit të Amerikës në Uashington. Më parë ka qenë përkthyes në Radio Tirana, pastaj korrespondent i agjencisë prestigjoze të lajmeve, Reuters.

Së fundi Ikonomi na befasoi duke iu paraqitur opinionit tonë edhe si shkrimtar - ai është autor i librit “Faik Konica, jeta në Uashington”.

Libri është pritur mjaft mirë nga kritika si edhe tek lexuesi shqiptar në Shqipëri, Kosovë, viset e tjera shqiptare dhe në diasporë. Por me sa duket, nga ky libër mund të nxjerrin mësime edhe politikanët në Shqipëri e Kosovë, megjithëse autori thotë se nuk e ka shkruar me këtë synim.

Nga një këndvështrim tjetër, ky libër shihet edhe si diçka e veçantë për të njohur nga afër figurën e Konicës - përveç të dhënave të reja interesante që na dhuron, autori na tregon se si ka marrë rrugën dhe ka rizbuluar shtëpinë e Konicës, tashmë gati gërmadhë, në atë që dikur ishte pjesë e prefekturës së Janinës. Ikonomi flet me hollësi në libër për jetën e Konicës në Uashington, deri sa ai mbylli sytë në një apartament të kryeqytetit amerikan.

Në një intervistë, autori i tha gazetarit tonë në SHBA, Beqir Sina, se “Konica ishte njeri i përgjegjshëm dhe patriot i ndershëm. Me këto cilësi fisnike të karakterit, ai u përpoq për qëndrueshmërinë dhe nderin e shtetit shqiptar. Në vija të trasha, mendoj se kjo është ajo që mund të mësohet nga Konica, ndonëse kanë kaluar shumë dekada nga koha kur ai jetoi”.

Bazuar në dëshmi të zbuluara në arkivat amerikane, britanike dhe shqiptare, libri “Faik Konica – Jeta në Uashington”, hedh dritë mbi marrëdhëniet komplekse të Konicës me Zogun, marrëdhëniet e Konicës me qeverinë e SHBA, miqësinë dhe polemikat mes Konicës dhe Nolit, si dhe polemikat me Kostë Çekrezin në Uashington.

Ju keni qenë aktiv në këto dy dekadat e fundit si gazetar i “Zëri i Amerikës” në mbulimin e shumë ngjarjeve, por nuk ju kishim parë të botonit libra. Çfarë ju nxiti të shkruanit biografinë “Faik Konica, Jeta në Uashington”?

Ilir Ikonomi : Shtysa e parë që më bëri t’i hyj kësaj pune ishte zbrazëtia e madhe, e pajustifikueshme në informacionin që ekzistonte për këtë periudhë të rëndësishme të jetës së Faik Konicës. Ndërsa gjatë 20 viteve të fundit ishte shkruar për veprimtarinë e Konicës në Evropë në kapërcyell të shekullit, si dhe për kohën e tij në Boston, pak flitej për jetën e tij në Uashington si ambasador i Zogut në SHBA, pra, nga viti 1926 deri më 1942. Mendoj se ekzistonte një përshtypje sikur Konica në Uashington nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte mburrur Mbretin Zog dhe kishte jetuar në luks. Edhe ata që kishin mendim më pozitiv për Konicën e kësaj periudhe ndoshta druanin të shkruanin nga frika se mos i prishnin imazhin. Pra, kjo kishte mbetur një periudhë e errët, plot të panjohura. Ky mister në fakt e kishte burimin te hija e thellë që regjimi komunist i Shqipërisë kishte hedhur për dekada të tëra mbi këtë figurë të rëndësishme shqiptare. Në kohën e komunizmit, ishte gati e ndaluar të flisje për Konicën. Kishte ndonjë studiues të rrallë në Shqipëri që ishte marrë me revistën “Albania”, por kjo mbetej në kufijtë e kuriozitetit. Përsa i përket periudhës së Uashingtonit, nuk bëhej fjalë, pasi Konica kishte qenë ambasador i Mbretit Zog, dhe Zogu shihej nga regjimi obskurantist i Hoxhës si “armiku i madh” i popullit shqiptar.

Dhe çfarë zbuluat pasi i hytë studimit?

Ilir Ikonomi : Zbulova shumë fakte që më bindën se Konica ishte një patriot i padiskutueshëm, përveçse një dijetar i klasës së parë. Mburrjet e tij për Mbretin Zog nuk ishin lëvdatat e një ambasadori servil. Përkundrazi. Konica shquhej për pavarësinë e mendimit që ia jepte dija e tij e thellë. Kur lavdëronte Mbretin Zog, ai në të vërtetë lavdëronte Shqipërinë. Në atë kohë, Shqipëria shihej si një vend i varfër, i parëndësishëm dhe mbi të gjitha i paqëndrueshëm. Gazetat
amerikane flisnin shpesh me ironi për shqiptarët dhe për mbretin e tyre. Ideja e Konicës ishte t’i tregonte botës se, ndonëse një shtet i sapokrijuar, Shqipëria ishte tashmë një entitet i qëndrueshëm që kishte një njeri të mençur dhe të fortë në krye të saj.

Ky libër nuk i ngjan një monografie të zakonshme me renditje datash dhe faktesh, por ka edhe një dimension artistik. Përse zgjodhët një mënyrë të tillë paraqitjeje?

Ilir Ikonomi: Dëshira ime ishte që ky libër të lexohej jo vetëm nga historianët. Për Konicën ka një kuriozitet të madh te shqiptarët, qofshin njerëz që e njohin historinë por edhe tek më të rinjtë, të cilët janë natyrisht më larg asaj pjese të historisë dhe më afër informacionit që vjen nga mjetet e teknologjisë moderne si FaceBook, YouTube, etj. Prandaj, unë e konceptova librin në formën e një tregimi për historinë e Shqipërisë, ku lexuesi, i vjetër apo i ri, të gjejë veten e tij, pra ta shohë veten si pjesë e kësaj historie. Desha të tërhiqja edhe atë pjesë të lexuesve që janë indiferentë ndaj historisë sonë por të cilëve nuk u mungon dëshira për të pasur në dorë një libër të mirë artistik. Prandaj, “Faik Konica, Jeta në Uashington”, është konceptuar për një kategori të gjerë lexuesish. Libri jep sqarime për kohën kur zhvillohen ngjarjet dhe, aty ku unë e ndjej se lexuesi nuk e përballon dot informacionin e shumtë, ndalem dhe e lejoj atë të marrë frymë duke kaluar në rrëfime për jetën personale të Konicës, ose në fakte të tjera më pak të lodhshme. Me pak fjalë, ky libër është konceptuar që t’i shërbejë ekskluzivisht lexuesit dhe aspak autorit.

Çfarë burime arkivore të "paprekura” keni shfrytëzuar për të shkruar këtë libër dhe a janë shteruar këto burime?

Ilir Ikonomi : Kryesisht këto kanë qenë burimet arkivore në Amerikë dhe në Shqipëri. Arkivi Kombëtar amerikan në Maryland ka qenë një burim i pazëvendësueshëm për mua, sepse aty kam gjetur një pjesë të korrespondencës së Legatës amerikane në Tiranë me Sekretarin amerikan të Shtetit, ku përmendej edhe Konica, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, kam gjetur korrespondencën e Mëkëmbësisë Mbretërore me Ministrinë e Jashtme italiane ku flitej mbi përpjekjet e italianëve për ta bërë për vete Konicën në vitin 1940. Ndërsa në Qendrën e Studimeve Shqiptare në Londër gjeta dokumente për marrëdhëniet e Konicës dhe Zogut. Natyrisht, gjurmimi i dokumentit nuk ka qenë punë e lehtë por nuk duhet ta fsheh se edhe fati më ka ndihmuar. Duhet të pohoj se, më e vështirë se sa zbulimi i një dokumenti është të jesh në gjendje ta vlerësosh atë dhe ta vendosësh në kontekstin e të gjitha ngjarjeve. Një dokument historik është si një pjesëz e lojrave “puzzle” – ai të fut në mendime se cila duhet të jetë pjesëza tjetër me të cilën ajo lidhet. Ai të bën të kërkosh më me ngulm detajin tjetër që mungon për të plotësuar të tërën. Prandaj, i gjithë ky kërkim për Konicën më çoi në disa arkiva, në Uashington, Filadelfia, Nju Jork dhe Çikago. Ato që ishin shkruar deri tani për Konicën, unë i merrja si referencë, por parim im në këtë punë ka qenë që të mos i besoja asgjëje që kisha lexuar apo dëgjuar pa e parë me sytë e mi dokumentin. Jam i bindur se burimet arkivore për Konicën nuk janë shterur, sa më shumë të kërkosh aq më shumë do të gjesh. Meqenëse Konica kishte korrespondencë me shumë personalitete të kohës dhe e kishte zakon të shkruante letra, jam i bindur se duhet të ekzistojë një mal i madh korrespondence ende të pazbuluara, që i takon periudhës së tij në Uashington.

Përse ishte Konica një ndër diplomatët më të pëlqyer të Uashingtonit, ku normalisht shtetet e botës akreditonin ambasadorët më të mirë?

Ilir Ikonomi: Faik Konica ishte një njeri mjaft i kulturuar. Kishte një edukim të larmishëm që e kishte marrë në shkollat e Evropës si dhe më vonë, në Harvard. Dinte shumë gjuhë të huaja – disa thonë 14 – disa prej të cilave dimë se i përdorte shkëlqyeshëm. Njihte mirë linguistikën, letërsinë, artin, historinë, etnografinë. Veç kësaj kishte një emër të madh si njëri prej udhëheqësve aktivë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Kjo kulturë e gjerë perëndimore dhe përvojë e Konicës e bënte atë të shihej me respekt në Uashington nga zyrtarët, diplomatët dhe gazetarët, aq sa për të qarkullonin edhe anekdota. Habia e madhe ishte se, një shtet i vogël dhe i varfër si Shqipëria, kishte si ambasador një njeri kaq të ditur. Por Konica nuk ishte thjesht diplomati erudit. Ai e shfrytëzonte kulturën e tij për të reklamuar vendin e vet me çdo mënyrë. Ai jepte intervista në radion kombëtare amerikane ku fliste për Shqipërinë, të kaluarën dhe kulturën e saj të vjetër, jepte ligjërata nëpër universitete për historinë dhe etnografinë shqiptare dhe shoqërohej me diplomatë dhe gazetarë të njohur të kohës.

Dy nga personazhet kryesore të librit tuaj, Konica dhe Mbreti Zog, kanë pasur marrëdhënie dinamike, herë me miqësi e herë me armiqësi mes tyre. Por nga libri është e vështirë të nxjerrim një vlerësim për secilin prej tyre në këto marrëdhënie. A nuk meriton lexuesi të dijë qëndrimin tuaj?

Ilir Ikonomi : Këto kanë qenë marrëdhënie shumë interesante dhe të ndërlikuara. Zogu dhe Konica kanë pasur miqësi qysh gjatë Luftës së Parë Botërore, kur të dy ndodheshin në Vjenë. Zogu ishte rreth 20 vjet më i ri se Konica dhe e quante atë “profesor”. Këta ishin dy personalitete mjaft të ndryshme nga formimi kulturor por i bashkonte dashuria për Shqipërinë, dëshira për ta parë vendin e tyre sa më mirë. Siç ndodh rëndom, ngjarjet e mëdha dhe rrethanat e vështira i afrojnë ose i armiqësojnë njerëzit, i bëjnë ata të kenë ndonjëherë dyshime ndaj njëri-tjetrit, qoftë edhe ndaj atij që dikur e kanë quajtur mik. Shqipëria nuk kishte kohë që ishte krijuar si shtet dhe përballej me dilema të shumta. Në libër, jam përpjekur t’i jap portretet e Konicës dhe Zogut ashtu siç kanë qenë, pa zbukurime, pra tërësisht mbi bazën e dokumenteve. Mes të dyve ka pasur periudha acarimesh. Në periudhën 1922-1924, Konica e ngjyente penën në helm kur shante Ahmet Zogun. Më vonë, kur u bë ambasador, publikisht ai e ngrinte në qiell Zogun, me mendimin se i bënte reklamë shtetit shqiptar, ndonëse tërthorazi shfaqte pakënaqësi ndaj disa sjelljeve të tij. Pas vitit 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia, Konica i nxori në shesh këto pakënaqësi, por në fund të jetës, në vitin 1942, kur të dy panë rrezikun e madh që i kanosej së ardhmes së Shqipërisë deri në mundësinë e shuarjes së saj si shtet, vendosën të bashkëpunojnë përsëri. Siç shihet, përplasja mes të dyve, që sigurisht duhet të ishte edhe një përplasje egosh, u bë e parëndësishme kur mendon se të dy ata dëshironin të mirën e vendit. Kur Konica vdiq, Zogu shprehu hidhërim të sinqertë, madje mori përsipër të gjitha shpenzimet e varrimit, ndonëse Vatra nuk pranoi. Unë si autor kam dashur ta lë në dorë të lexuesit për të gjykuar dhe nuk kam marrë përsipër të jap vlerësime personale për këto dy figura. Detyra ime ka qenë të jem i paanshëm dhe i balancuar në mënyrën e paraqitjes së fakteve historike.

A mos jeni treguar më i ashpër sa duhet në trajtimin që i bëni Konicës dhe Nolit, duke i mëshuar së tepërmi armiqësisë mes tyre, e cila në fund të fundit rezultoi të ishte e përkohshme?

Ilir Ikonomi : Dokumentet historike janë kokëforta. Ato tregojnë pa mëdyshje se Konica dhe Noli kanë qenë armiq për një periudhë jo të shkurtër kohe. Nga viti 1925 e deri më 1937, ata thuajse nuk i kanë folur njëri-tjetrit. Kjo nisi si një polemikë me shkrime në shtyp kur në fuqi në Tiranë erdhi Ahmet Zogu, i cili përmbysi qeverinë e Nolit. Pra, shkak i armiqësisë u bë çështja nëse duhej mbështetur apo jo Zogu. Por në vitin 1931-32, polemika degjeneroi në sharje, madje Konica, i cili tashmë ishte bërë ambasador i Mbretit Zog në Uashington, ndërhyri pranë autoriteteve të larta amerikane që Noli të mos lejohej të shkelte më në Amerikë (sepse Noli jetonte në Hamburg dhe vinte në SHBA me vizë të përkohshme). Edhe kjo periudhë është paraqitur në libër pa mbajtur anën e askujt. Duhet theksuar se, si Konica edhe Noli, ishin njerëz mjaft të ditur, ishin përjashtime mes shqiptarëve të kohës, si në Shqipëri ashtu edhe mes emigrantëve. Por nuk ka pse të na duket çudi që dy personalitete, edhe pse mjaft të kulturuara, të mos kishin trillet e tyre të karakterit, inatet dhe egot e tyre. Mendoj se përshkrimi i hollësishëm i këtij rivaliteti të ashpër nuk e ul aspak figurën e tyre, përkundrazi e bën më të prekshme nga lexuesi dhe i jep atij një përfytyrim më të saktë të realitetit të asaj kohe.

Në bazë të dokumenteve që keni gjetur, a duhet të arrijmë në përfundimin se polemika mes të dyve ishte ajo midis një komunisti dhe një anti-komunisti?

Ilir Ikonomi : Argumenti që Konica u paraqiti zyrtarëve amerikanë ishte se Noli qe një komunist, por në të vërtetë, armiqësia kishte të bënte me politikën shqiptare – Konica ishte pro Zogut, pasi sipas tij, Mbreti Zog përfaqësonte qëndrueshmërinë, ndërsa Noli, si revolucionar, donte përmbysjen e regjimit, me të cilin kishte hesape të vjetra. Lidhur me çështjen nëse ishte apo jo Noli komunist, ka pasur mjaft diskutime. Vërtet Noli e simpatizonte Moskën dhe kishte qenë i ndikuar nga ide të majta, bolshevike, por ashtu siç dilte edhe nga raportet që Departamenti i Shtetit kishte marrë rreth tij, ai nuk ishte anëtar i ndonjë partie komuniste madje në një rast ai ishte shprehur se më mirë të mos e kishte fare mbështetjen morale dhe financiare të bolshevikëve, sepse ata nuk pëlqeheshin në Shqipëri. Më pas, kur erdhi në Amerikë, ai i deklaroi një gazete të Bostonit se e tërë ajo që thuhej për të si bolshevik “ishte një shaka”, pra se ai nuk ishte komunist. Pavarësisht se ç’ide kishte Noli në kokën e tij, polemika dhe rivaliteti me Konicën ishte në thelb për çështje krejt të tjera, siç e shpjegova pak më sipër.

Në kapitullin ku përshkruhet vizita e motrave të Mbretit Zog në SHBA, në mars 1938, spikat sidomos pjesëmarrja e princeshave në meshën e Nolit në Boston, ku ishte edhe Konica. Ju përshkruani një skenë mjaft interesante pajtimi mes kundërshtarëve të vendosur politikë. A e keni menduar këtë si një mesazh pajtimi për politikën e sotme shqiptare?

Ilir Ikonomi : Kjo skenë gati sureale, ku, në mes të Bostonit, një prift ortodoks bekonte tri princesha myslimane dhe lutej për të vëllanë e tyre, me të cilin kishte qenë armik për vdekje, u bëri përshtypje edhe gazetarëve të kohës dhe ajo është përfshirë në libër krejt natyrshëm, pa idenë për të dhënë ndonjë mesazh. Por ai që dëshiron të lexojë mes rreshtash, mund të dallojë disa gjëra. Dua të them në parantezë se ishte Mbreti Zog ai që e afroi Nolin në fund të vitit 1933, kur i dha para të shërohej nga sëmundja e rëndë, duke bërë kështu një gjest pajtues. Duket se Zogu ia vlerësonte atij aftësitë e mëdha. Të sotmit mund të marrin shembull nga kjo. Noli ia shpërbleu Mbretit duke i pritur motrat e tij me një meshë madhështore, çka vulosi edhe fundin e armiqësisë mes tyre. Raste të ngjashme pajtimi në historinë tonë mund të gjesh shumë. Por edhe në libër ka disa të tillë. Aty flitet, për shembull, për pajtimin e Konicës me Nolin në vitin 1937, si dhe të Konicës me Zogun më 1942. Ashtu si sot, edhe atëherë, politika shqiptare ka qenë mjaft konfliktuale. Por megjithëse është e vështirë të bësh krahasime me një periudhë aq të largët, kam përshtypjen se mjaft nga personalitetet e atëhershëm, Zogu, Konica dhe Noli, por jo vetëm ata, ishin më idealistë dhe më të ndjeshëm ndaj interesave të vendit se sa ç’shikojmë të ndodhë sot. Në ditët tona, kur debati politik duhet të ishte shumë më i kultivuar, sepse politikanët bëjnë mjaft udhëtime në Perëndim, sa në Romë, Bruksel, Strasburg dhe Uashington, dhe ulen në biseda me shumë personalitete botërore, të vjen çudi kur shikon acarime të panevojshme dhe fyerje të hapura për kundërshtarin me betime për të mos u pajtuar kurrë. Besoj se një lexues i kujdesshëm i librit “Faik Konica – Jeta në Uashington”, do të dijë t’i bëjë vetë krahasimet dhe të nxjerrë vetë përfundime.

Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, qeveria amerikane vendosi të vazhdojë ta njohë Faik Konicën, por pas dy muajsh ia mohoi privilegjet diplomatike. Përse?

Ilir Ikonomi : Mendoj se SHBA shikonte situatën në një vështrim më të gjerë se sa thjesht interesat e Shqipërisë. Shqipëria ishte e parëndësishme përpara asaj që po afrohej, luftës në Evropë. Në atë kohë, Amerika bënte përpjekje për ta tërhequr Musolinin në anën e vet që ai të mos shkonte deri në fund pas qerres së Hitlerit, i cili po kërcënonte me luftë të përgjithshme. Kuptohet, vazhdimi i njohjes së Konicës do ta komplikonte këtë politikë të amerikanëve. Nga ana tjetër, Italia fashiste, duke e aneksuar Shqipërinë, mori përsipër edhe funksionet diplomatike të shtetit shqiptar, pra të gjitha përfaqësitë e huaja në Tiranë u mbyllën, duke përfshirë edhe legatën amerikane. Uashingtoni u detyrua të tërhiqte ministrin e tij fuqiplotë, Hju Grant, nga Shqipëria dhe nuk kishte kuptim që të vazhdonte të njihte përfaqësuesin e Zogut në SHBA. De jure, SHBA nuk e njohën asnjëherë pushtimin italian të Shqipërisë, sepse ai ishte një akt i papranueshëm për moralin e vendeve demokratike. Kjo doli qartë edhe në deklaratën historike pro Shqipërisë të bërë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Cordel Hull, më 10 dhjetor 1942, pak ditë para vdekjes së Konicës.

A u befasuat kur zbuluat dokumente që flisnin për marrëdhëniet e fshehta të Konicës me fashistët italianë në Uashington në vitin 1940? A ju shkoi mendja se Konica e shiti veten për para tek italianët?

Ilir Ikonomi : Të them të drejtën u befasova kur zbulova se në mars të atij viti, italianët i dhanë Konicës para, të cilat ai ua kishte kërkuar vetë. Në qarqe të caktuara, madje edhe në ndonjë libër të botuar gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, është folur se Konica paguhej nga italianët. Mirëpo, duke qëmtuar nëpër këto dokumente, fillova të zbuloj se e vërteta nuk ishte aq e thjeshtë sa dukej. Më lejoni t’jua shpjegoj. Pas pushtimit italian të Shqipërisë, legata shqiptare në Uashington u zhyt në borxhe të mëdha. Faturat e saj nuk ishin paguar qysh para pushtimit dhe këtu hynte edhe rroga dhe pensionet e Konicës, i cili u vu në një pozitë financiare të vështirë. Konica në fillim i kërkoi Zogut që t’ia paguante këto borxhe (Zogu në atë kohë ishte larguar nga Shqipëria), sepse ato ishin një detyrim i shtetit shqiptar. Zogu pagoi vetëm një pjesë të vogël dhe kjo e zemëroi Konicën. Pas disa muajsh, Konica i shkroi letër Musolinit. Ai u tha italianëve se këto borxhe ishin një detyrim i tyre sepse ishte pushtimi italian që kishte shkaktuar ndërprerjen e funksionimit të qeverisë shqiptare. Italianët pranuan të paguajnë, Konica i falënderoi dhe u premtoi se do të shikonte mundësinë për të qenë i dobishëm në të ardhmen. Këtë thonë dokumentet italiane që kam zbuluar.

A u bë ai i dobishëm për ta?


Kjo është një histori interesante. Konica shkroi në atë kohë broshurën “Sfondi i Konfliktit Italo-Grek”, ku, në bazë të dokumenteve historike, shpjegonte se si ishte helenizuar me dinakëri Epiri, dikur shqiptar, dhe se si grekët ishin përpjekur të ndryshonin raportet e popullsisë në Çamërinë që banohej në pjesën dërrmuese nga shqiptarë. Kjo broshurë u pa me interes nga italianët, të cilët në atë kohë përgatiteshin të sulmonin Greqinë dhe u kishin premtuar shqiptarëve se do t’ua kthenin Çamërinë. Kështu, Konica u bë i dobishëm për italianët, por në të vërtetë ai po e shfrytëzonte këtë rast për të shprehur, përmes një studimi historik, pikëpamje që nuk ishin thënë ndonjëherë në mënyrë kaq të artikuluar. Dhe të mos harrojmë se këto pikëpamje shpreheshin nga një njeri me mjaft autoritet mes amerikanëve. Ky është një studim brilant i Konicës që, për fat të keq, nuk është përmendur shumë, pasi është parë nga historianët si propagandë pro-italiane. Pra, në këtë rast nuk kuptohej se kush po e shfrytëzonte tjetrin, italianët Konicën, duke i kërkuar të shkruante kundër Greqisë, apo Konica italianët, duke u marrë para për të shlyer borxhet dhe njëkohësisht duke paraqitur hapur pikëpamjen se Çamëria duhej t’i kthehej Shqipërisë. Konica e thoshte edhe vetë, duke cituar Garibaldin, se për të shpëtuar atdheun, nuk kishte rëndësi nëse bashkëpunoje edhe me djallin.

Përse Faik Konica ishte aq i ndjeshëm dhe vigjilent ndaj Greqisë?

Sepse ai ishte nga Konica, një qytezë dikur e banuar nga shqiptarë, por që Konferenca e Londrës e vitit 1913 ia dha Greqisë. Ky rajon ruante kujtime të trishtuara nga shpërnguljet me dhunë të familjeve shqiptare, prandaj edhe Faiku ishte aq i ndjeshëm. Në një rast ai shkruante se “çfarëdo që Italia i ka bërë Shqipërisë, ka qenë e një natyre politike; ajo që Greqia i ka bërë Shqipërisë ka qenë më tepër se sa diçka politike, një agresion kundër shtëpive dhe nderit të familjeve”. Historia na tregon se edhe më pas, Greqia nuk hoqi dorë nga synimet ndaj jugut të Shqipërisë dhe Konica i trembej shumë kësaj, prandaj ishte kaq i ndjeshëm.

Për cilën pjesë të rrëfimit tuaj do të donit të kishit zbuluar më shumë dokumente?

Do të desha të kisha zbuluar më shumë nga korrespondenca e Konicës me Mbretin Zog para pushtimit të Shqipërisë. Arkivat nuk na tregojnë shumë për këtë periudhë. Unë e di se ata komunikonin me letra dhe telegrame dhe kam gjetur vetëm një të tillë si dhe natyrisht telegramet e urimit që Zogu shkëmbente me Vatrën. Por një dorë e mistershme i ka zhdukur të gjitha të tjerat. Çfarë toni kanë pasur këto letra dhe telegrame? A i jepte Konica këshilla Zogut? A e kritikonte hapur?

Ja për këto do të desha të kisha zbuluar më shumë.

gmetropol
 
Faik Konica - shkrim per te

Dashuria e panjohur e Faik Konices

Gjatë kërkimeve për një studim lidhur me botëkuptimin kushtetues të Faik Konicës, rasti e solli që të më binin në dorë dy burime arkivore krejt të panjohura, dhe natyrisht me vlerë të paçmuar për studimet koniciane.
Burimi i parë ishin letrat dhe arkiva e Faik Konicës, të cilën e pat shfrytëzuar pjesërisht Qerim Panariti kur redaktoi dhe botoi librin “Shqipëria, ose Kopështi Shkëmbor i Evropës Juglindore”. Ndërsa burimi i dytë ishte arkiva diplomatike e Konicës, të cilën e nxorëm në dritë për herë të parë bashkë me Prof. Dr. Pëllumb Xhufin, në një bibliotekë në Itali në dhjetorin e vitit të kaluar, pikërisht me rastin e 68 vjetorit të vdekjes së shqiptarit të madh.
Njoftimi për zbulimin e arkivës diplomatike të Konicës u shpall fillimisht në Gazetën Dielli në janar 2011. Tek Dielli filloi edhe botimi i pjesshëm i arkivës së Legatës Shqiptare në Uashington.
Arkiva diplomatik dhe ajo private janë burime thelbësore për librin që autori i këtij shkrimi është duke përfunduar, dhe që paraqet një vështrim të balancuar edhe për aktivitetin diplomatik të Faik Konicës.
Eshtë e natyrshme që tema bukurisë femërore dhe e dashurisë e pat ngacmuar së tepërmi Faikun. Në një ese të panjohur të tij në gjuhën angleze nga arkiva private, që fatkeqësisht mbeti edhe kjo e pambaruar, Konica trajton me mprehtësi dhe mjeshtëri të rrallë bukurinë femërore.
Mirëpo një ndër punimet më të fuqishme të tij lirike është Soneti “Vaj për një vashëz të vdekur”.
“Faik Konica edhe poet. Pse jo?”
Kështu do të shprehej kritiku dhe studiuesi i njohur Kosovar, Sabri Hamiti, në analizën për përshtatjen që Faiku i bëri himnit revolucionar frëng, La Marseillaise, me titull, “Kushtrimi”, ose “Përpara djem të Shqipërisë”.
Sipas Prof. Jup Kastratit, “fondi poetik i Faikut nuk i kalon të 330 vargjet”. Mirëpo siç parasheh me të drejtëprofesori i shquar në veprën e tij shteruese “Faik Konica” “Me kohë ndoshta, arkivat e pashfrytëzuara do të na nxjerrin në dritë edhe të tjera”. Prof. Kastrati përmend “trembëdhjetë vjersha origjinale” të Faikut “dhe ndonjë të përshtatur në shqip”. Sipas tij, “poezia e Faikut” “nuk pati ndonjë sukses të veçantë si në prozë”. Prof. Kastrati kishte dijeni se Faiku “shkroi poezi në shqip, por edhe në anglisht”. Mirëpo ai shtonte se “Këto [të fundit] nuk i njoh”. Ai analizon shterueshëm dy sonete të Faikut në shqip: “Helenën e Trojës”, dhe “Diplomatin”. Për “Helenën e Trojës” Kastrati mendon se “duke u nisur nga postulate i njohur që në poezi vlen cilësia artistike, edhe me këtë poezi të vetme Konica mund të përfshihet në radhën e poetëve të përmendur të historisë së poezisë reflekse shqiptare” .
Deri tani njihen pesë sonete të Konicës në gjuhën angleze. Ndër ta është edhe soneti “Diplomati” në anglisht me titullin “Sonnet on a ceremonious diplomat who was buried alive”, të cilin Faiku e lexoi në ceremoninë e marrjes së “Çmimit të Kapeles së Lartë” nga Shoqata “The Judge” në Washington në 3 qershor 1938.
Në mbramjen e jetës së tij me sa duket Faiku e ka pëlqyer dhe e ka lëvruar këtë model poetik. Sipas Prof. Kastratit, “Helenën e Trojës” ai e botoi në 7 shtator 1937.
Sonetet e tjera në anglisht janë: janë: “Sonet për një revolucionar ëndërrimtar”, “Sonet për një gazetar të shtypit të verdhë”, soneti “Vlerësim për një lektor të shquar”, dhe ai që po japim sot, soneti “Vaj për vashëzën e vdekur”.

Soneti “Vaj për një vashëz të vdekur”

I botuar për herë të parë prej Qerim Panaritit në Gazetën Dielli në vitin 1952, soneti është një vepër e rrallë poetike. Me një anglishte të përsosur, Faiku të jep përshtypjen se skalit me art figurën e një të dashure misterioze, duke na hapur ndoshta për një çast sekretet më të thella të zemrës e tij. Me të vërtetë, edhe pse nuk kemi të dhëna konkrete, soneti në fjalë duket sikur përmban elemente të forta biografike. Aty duket sikur Faiku përpiqet të ndalë ecjen e pamëshirshme të kohës, apo ta kthejë mbrapa atë, në ato momente kur poeti dashuronte vajzën leshverdhë që nuk jeton më. Duket gati-gati si një “carpe diem” konician i frymëzuar prej odes së famshme “Carmina” të Horacit.
Me një gjuhë dhe varg shekspirian, çka ai e njihte shumë mirë, Konica na tregon fatin e “një ëndrre të varrosur”, të një dashurie të pakurorëzuar. Vargu i sonetit është sipas strukturës ABBA- ABBA; CDD; CEE.
Në mungesë të Prof. Kastratit sot, natyrisht u takon ekspertëve të poezisë dhe kritikës letrare të sotëm dhe të ardhëm për ta analizuar shterueshëm këtë kryevepër tjetër të vogël letrare të Konicës.
Me lejen e Diellit po e ribotojmë për herë të pare në Shqipëri Sonetin e famshëm. Për më tepër, po e japim atë me kaligrafinë origjinale të Faik Konicës.
Soneti është lexuar në publik tre herë deri tani. Me 28 prill 2009 u organizua në Universitetin e Harvardit një seminar në kujtim të Faik Konicës. Seminari u mbajt në Dudley House, ose në Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave, ku vetë Faiku studioi për diplomën Master në Artet, dhe u drejtua nga Ardeta Gjikola, edhe ajo studente pasuniversitare në të njëjtën shkollë
Soneti atje u recitua me ndjenjë nga Bledar Zenuni, student në kolegjin e Universitetit të Harvardit me prejardhje nga Korça.
Për herë të dytë, soneti u recitua në Universitetin Marin Barleti në Tiranë, me 15 dhjetor 2010 nga zv. Rektori i tij, Dr. Drita Zela, pas një ligjërate për Botëkuptimin Kushtetues të Faik Konicës, të mbajtur prej autorit të shkrimit. Ndërsa për herë të tretë, Soneti u dha sërish në anglishte të kulluar prej znj. Jane Christo, në Mbrëmjen Poetike “Ca Pika Shiu Ranë Mbi Qelq” të mbajtur në Restorantin historik Anthony’s Pier 4 në Boston me 26 shkurt 2011.
Teksti i sonetit vjen më poshtë. Anash në këtë faqe jepet edhe me kaligrafine origjinale të Faik Konicës. Autori i këtyre radhëve nuk mëton kurrsesi të japë një shqipërim të Sonetit. Ndaj përkthimi është krejt i lirë dhe jashtë strukturës së vargut të sonetit. Shqipërimi i sonetit u takon të tjerëve, njohësve dhe përkthyesve të shquar të anglishtes letrare, madje edhe dashamirësve të Milosaos, ku shquhet pa dyshim, studiuesi dhe përkthyesi Xhevat Lloshi, që na ka dhënë aq mjeshtërisht në shqipe “Kopështin Shkëmbor” të Konicës.

ZBULOHET ARKIVI DIPLOMATIK i FAIK KONICES

Pas një pune të gjatë dhe këmbëngulëse kërkimore, më 13 dhjetor 2010 u zbulua arkivi diplomatik i Faik Konicës. Ky fond i rrallë dhe shumë i rëndësishëm arkivor u kërkua fillimisht në tre shtete të ndryshme evropiane, d.m.th. në Zvicër, Itali dhe Suedi. Mirëpo ekzistenca e tij në një nga institucionet arkivore italiane u konfirmua vetëm në krye të vitit të kaluar.
I shoqëruar nga historiani i njohur Prof. Pëllumb Xhufi, i nënshkruari shqyrtoi për herë të parë gjatë mesit të dhjetorit 2010 dosjet e shumta me dokumente e materiale të rralla dhe të panjohura që mbulojnë vitet 1926-1939 të arkivës diplomatike të rilindësit, eruditit, letrarit dhe diplomatit të shquar shqiptar Faik Konica.
Dokumentet e panjohura më parë pasqyrojnë pulsin e kohës. Ato nxjerrin në pah një administratë shqiptare të gjallë e në veprim, që edhe pse i takonte një shteti të vogël e të ri, ishte mjaft serioze dhe dinjitoze në raportet e saj me shtete të tjera subjekte të hershme të së drejtës ndërkombëtare. Nëpërmjet një dokumentacioni diplomatik, pra krejtësisht zyrtar e herë-herë rutinor, nxjerr kokë megjithatë nervi dhe originaliteti i një mendjeje të lirë e kreative, siç qe ajo e Faik Konicës.
Dokumentet përfshijnë shkëmbime me Tiranën, korrespondenca me konsullatat shqiptare në Sh.B.A., me zyrtarë të qeverisë amerikane e përfaqësitë diplomatike të akredituara në Washington, nota diplomatike si dhe letra personale të shtetasve shqiptarë në SHBA dhe gjetkë, të gjitha me vlerë të paçmuar historike dhe juridike.
Materiali i mësipërm me përmbledhje dokumentesh do të zërë vend të posaçëm në monografinë “Faik Konica ne Arkivat Amerikane” të cilin i nënshkruari e ka në përfundim dhe e ka kontraktuar për botim në vitin 2011.
Dokumente të kësaj arkive dhe pjesë të studimit do të botohen herë pas here dhe ekskluzivisht për DIELLI-n në kuadrin e veprimtarive për 100 Vjetorin e themelimit të VATRES.
I nënshkruari falënderon Universitetin e Masaçusetsit në Boston, autoritetet italiane dhe amerikane, si dhe sponsorët në Sh.B.A. dhe Shqipëri për ndihmesën e dhënë.

-Marrë nga Gazetën Dielli, janar 2011-Agron Alibali, LL.M.




Shqipëtarët s’e duan shumë punën

Faik Konica

Këto ditë një mik na shkruante për një këmbim fjalësh që kish bërë me një Shqiptar. -A do të të mësoj shqipen? Jo, or zot, ç’më duhen mua ato? -Po shqipja është gjuha tënde, duhet të dish ta shkruash. -Unë s’përzihem me të tilla punëra. Fund, e shoh që s’do. Po thuamë psenë e vërtetë të kësaj mosdashjeje. – Do të vërtetën? Nuk del ulefeja me shqipen.

S’del ulefeja…! aty është gjithë puna. Po të dilte ulefeja të gjithë ata shqiptarë që sot mohojnë gjuhën e tyre do ta gjenin të mirë, të bukur të shijshme…

Ç’është kjo e Shqipëtarëve që, përveç ulefesë s’duan gjësendi? Besoj se është përtimi. Shqipëtarët s’e duan shumë punën, që nga bujqësia gjer në tregëti të madhe ghithë mjeshtëritë duan, pak a shumë, punë dhe mundime. Po për kundre, a gjen më lehtë se të jetë njeriu “dragat” “memur” “zaptie” a “pasha”?

Është e vërtetë që tregëtia në Shqipëri s’bëhet dot, përveç në qytetet afër detit. Ngarko për tregtim ca barrë nga ato “peshqt” e verës aq të shijshme të Ohrit për t’i shpënë jashtë. Ca kuaj a mushka, duke shkuar anës pronave, nëpër rripa e thika, të ngushta e të rrezikshme, do të bien e do të mbeten në vent, më tutje, ndofta do të dalin kusarët, të të marrin ç’ke e në mbettë nonjë barrë, do t’a arrihne qëllimin pas shtat a tetë vjet e peshqtë do të jenë pak të prishur.

Prandaj rroftë “ulefeja”.

Me bie në ment një e pashfaqur (anektode) që rrëfen mirë dëshirën e Shqipëtarit për ulefenë.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë njoha në Shqipëri një fshatarak i cili dëshironte të bëhej kolhghi. Kish një arë e një vreshtë, por s’i punonte e s’kish bukë. Vente hante nëpër konakët, duke pritur ulefenë.

Dhjetë vjet pastaj e poqa përsëri, e ngaqë më ka pasur gjithmotin enda të kuvendoj me fshtarakët, e pyeta si vente. S’mbaja dot të qeshurën kur më tha që priste ulefenë. Dhjet vjet kish pritur edhe s’qe lodhur.

Me gjith këtë, le të mos harrojmë që Shqipëtari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se kanali i Korinthit, në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u-rrëmih më shumë prej punëtorësh shqipëtarë. Punonin, ata djelmt e shëndoshë të Shqipërisë, punonin e duke i parë, m’u mbush zembëra me shpresë për fatin e Shqipërisë, se ne komb përtimtar, është komb i ngordhur. Nga të gjith anët e Shqipërisë, gjer nga Prizreni, kishin vajtur të punojnë.

Njoha atje një Gegë, i cili, në pak kohë, kish mësuar të kuvendonte greqishten. Edhe e kuvendonte aqë të shtrembur e të shijshme, sa kurrë në jetë t’ime s’kam qeshur aq, -e u ndamë si miq të vjetër.

Mapo



Ca Fjalë të Vogla Përpara Një Monumenti të Math


Nga Faik Konica

Një ditë dimri, më 1920, shtypi i Evropës bëri të njohur se guvernat e Inglisë, të Francës, dhe t’Italisë, kishin arrirë në një marëveshje për Shqipërinë dhe kishin përfunduar që ky vënt të ndahej në mes t’Italianëve, të Grekëve, e të Sërbëve. Dëshpërimi më i rëndë kishte mbuluar zëmërat dhe fytyrat e Shqipëtarëve të mirë. Ah sikur të mos ish i sëmurë Uilsoni! ky mendim, kjo fjalë, dilte nga shpirti ynë. Po Presidenti i madh, zëri i lartë, i të cilit e kishte shpëtuar një tjetër herë Shqipërinë, lëngonte në shtrat, i thyer dhe i mbaruar. Fati përkrahte shtrëmbërin’ e politikanëve t’Evropës; Shqipëria ish e dënuar për vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, as një rëzë shprese s’ndritte prej gjëkundi. Po e papritura ngjau: Ra rrufeja mu në tryezë ku vjedhësit e lirive dhe mundonjësit e popujve të vegjël bëjin planet e tyre.

Kjo rrufe ishte zëri, aq kohë i pushuar, i Uilsonit. Presidenti i sëmurë, i mbërthyer në shtrat të lëngimit, u ngrit për gjysmë dhe e para fjalë që tha ishte për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë: – Qëndroni! është padrejtësi ajo që doni të bëni! ka edhe Shqipëria të drejtën të rojë! – Fjalë monumentale, të larta e të pavdekura si majat e Alpeve, të cilat fryjtin anë mbanë të botës një erë të paqme nëpër qelbësirat e politikës së poshtër. Ndërgjegjja e njerëzisë e njohu përsëri zërin e madh, edhe u drodh nga gëzimi: se Uilsoni, duke mbrojtur Shqipërinë, nuk mbronte një popull vetëm: mbronte gjithë popujt, se mbronte parimin që edhe popujt e vegjël e të pafuqishëm kanë të drejta si popujt e mbëdhenj e të fortë. Politikanët zvarranikë t’Evropës qëndruan; hoqën duart nga plaka; ca nga turpi, më tepër nga frika, u penduan; planin e tyre e hodhën në shportë; dhe Shqipëria mbeti e pacopëtuar.

Jemi të bindur se çdo shqiptar di dhe kupton ç’borxh të madh i kemi Uilsonit. Në qoftë se ka ndonjë Shqipëtar që s’mer vesh se shpëtimi dhe liria e vëndit tij i detyrohen kryesisht Uilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbërinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë.

Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Uilsonit një monument të pavdekur në zëmërat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Uilsoni duhej të ish i madh për shqiptarët. Po madhësia e tij është e përgjithëshme; është një madhësi nga ato që s’mohohen. Edhe atje ku ka bërë gabime, – gabimet e Uilsonit janë prej njeriu fisnik. Ka dashur në Gjermani vetëm prishjen e një sistemi që ai e gjykonte si të lig; s’ka dashur shkatërrimin e popullit gjerman: që nuk e ndaloi dot, është mjerimi dhe jo faji i tij. Drita, që Uilsoni shtiri në ndërgjegjet e njerëzve, do të shkaktojë më në fund shëllbimin e gjithë popujve. Parimet që ka mbrojtur me aq shkëlqim – çlirimin dhe bashkimin e gjithë popujve, të mëdhenj e të vegjël – do të jenë ungjilli i ri i njerëzisë së nesërme. Përpara këtij profeti të idealismës e të vëllazërisë, më të famshmit burra Shteti duken qesharakë, njerëzit e tipit të Napoleonit duken fare të vegjël. Që t’i gjejë një shok Uilsonit, dikush në Evropë përmëndi jo vetëm Linkolnin, po dhe Krishtin. Një gjë ësht e sigurtë: që Uilsoni është një nga udhëheqësit më të lartë e më fisnik që kanë ndritur udhën e njerëzisë.

Dielli, 7 shkurt 1924 6 f. 4.


Të gëlltiturat e fialëve të ra

Faik Konica

Folmë shumë herë te Albania për fialët e ra, qi hyjnë në gjuhë shqipe, të cilat rëfyen se nukë munt të qëndrojnë në gjuhë tonë n’atë fytyrë që kanë në burim, po duhet ndrohen, të gëlltietn, të honepsen. Fjalët e ra në një gjuhë janë si buka qi, me të hyrë në trup të njeriut, honepset. Nuk është punë të marim fialë të huaja e t’i lemë ashtu si janë nëmiet të fialëve shqipe, si bëjnë disa shokë të Demir Onbashit, të cilët, në kaush të zptieve gjer die, duan tani të rinë n’Olymopë e të na rëfejnë si shkruhet shqipja e mirë.

Këto mëndime më vërtiteshin edhe një herë në kryet, kur pashë në fletore të Parisit L’Europeen, një artikull nën titllin Lufta kundrë fjalëve frënge në Gjermanië prej z. Guillaume Apollinaire.

Ky artikull meriton të vihet re. Auktori, si përmënd se sa shumë fjalë frëngjishte përdoren në Gjermanië e më të shumat herë pa nevojë, se ato fialë ndodhen edhe në gjermanishtenë të folur, duke dbuar fialët nga rënjë frënge, si a propos, adieu, au revoir, pardon, etj. Në fialë e huaj a s’kish të shoqen gjermnisht, perandori preu a vuri të presin fialë të ra. Në pakë kohë nuk arrijtin të gjitha këto: perandori fliste kulluar, i shtrëngoj edhe të tierët të flasin kulluar përpara tij. Një ditë, duke pritur një shtatbërës (statuire), goditit qi ky përdori fialën Repreduktionen. Perandorit s’i erdhi mirë: “Pse, i tha, përdor një fjalë frënge, kur ke fialën gjermanishte Widegerabe (e prapëdhënë)?

Q’ahere nisi të lënët e fialëve frëngjishte mënjanë. U bënë shoqëria për këtë qëllim. Vanë njerës në të gjithë hanet e iu lutnë çdo zoti ta heqë fialën Hotel për të vënë Hof a Gasthof në vënt. Fiala Charcuterie (vënt ku shitet mish derri) zuri në më të shumat vise të hiqet e të përdoret fiala Schëeinmetzgerei.

Në vënt të Telephon, thonë kudo tani Fernsprecher (larkfolie a tejzë). Për Accoucheuse thonë Hebamme (mamië).

Po të vesh në një qëndrim t’udhës së hekurt e të kërkosh ein Billet, nënurdhërit kanë porositë të të përgjigjen se duhet thënë Fahrkarte (tejkartëm, udhëkartë). Monument thohet tani Denkmal (përkujtesë) kudo veç n’Austrië. Një letr’ e schrieben. Fernschreiben (tejshkruanj) në pakë kohë do të marë vëndin e telegraphieren. Socieeta (shoqëritë) u lëshua fare për Gesellschaft. Advocat s’ka më, po Rechtanëalt( dreqtmpronjës).

Përveç këtyre fialëve të çporura, z. Guillaume Apolliniare rëfen si fialët frëngjishte, q’u pa me udhë që duken më tepër gjermanishte. Për tregim, Lieutenant, Corps, Buffet, Concert, Officer, Charlatan, etj. etj. u bënë Leutnant, Korps, Bufett, Konzert, Scharlatan, etj.

Kështu, popujtë qi kanë marëzinë ta përziejnë e ta çorbësojnë gjuhën e tyre si ne, mundin të marin një mësim nga kjo udhë e arësyeshme, që zuri komb i math e më i dishmi i Europës.

Albania, 1903/6


Një vizitë në shtëpinë e Faik Konicës

Në të njëjtin qytet ngrihen shtëpitë e gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës. Ato ofrojnë pamje të braktisjes dhe humbjes së shkëlqimit të dikurshëm

Msc. Dorina Arapi

Por ajo çka është më e rëndësishmja në këtë qytet të vogël dhe që unë ndihesha më e lidhur me to ishte shtëpia e Zenel Beut dhe Hamkos, gjyshit dhe nënës së Ali Pashë Tepelenës, si dhe shtëpia e Faik Konicës, por që në qytet kjo e fundit njihet e emërtuar si shtëpia e Hysein Siskos. Këto dy banesa të mëdha u përkisnin familjeve më të pasura myslimane të qytetit të Konicës. Duke pasur fatin të qëndroja disa ditë në këtë qytet, fillova të pyes qytetarët rreth këtyre dy shtëpive. Për shtëpinë e Hamkos, qytetarët ishin më se të informuar për vendndodhjen e saj dhe të gjithë e njihnin si nëna e Ali Pashës dhe me shumë lehtësi të tregonin shtëpinë. Madje, dhe me një farë bindjeje, thoshin se kishte qenë një grua shumë e njohur për kohën e vet dhe e fuqishme, ashtu siç pohohet nëpër libra, Hamko pat qenë një grua me një bukuri mahnitëse, ku i gjithë qyteti asokohe fliste për bukurinë e saj, madje i kishin thurur dhe këngë. Shumë djem e patën kërkuar për grua, por ai që arriti të martohej me të ishte Veli Bej Tepelena. Nga martesa e tyre lindi Aliu dhe vajza e tyre, Shanisha. Roli i Hamkos në jetën e djalit të saj, ka qenë vendimtar. Ashtu siç shkruan Richard A.Davenport në librin e tij “Jeta e Ali Pashë Tepelenës, vezir i Epirit”(1837), Ali Pashai do t’i shprehej një konsulli francez ku thoshte se nëna e tij e bëri burrë dhe vezir ashtu siç përmenden dhe fjalët e saj drejtuar të birit se ai, i cili nuk mbron pasurinë e tij, meriton ta humbë atë. Lidhja e Pashait me të ëmën ka qenë tejet e fortë dhe vendimtare në krijimin e figurës së vezirit të Janinës.

Një tjetër shtëpi, e cila gjendej në afërsi të shtëpisë së Hamkos, ishte shtëpia e Faik Konicës, shtëpia ku ai u lind, jetoi vitet e para të fëmijërisë derisa shkoi në shkollë të mesme. Faik Konica është një nga figurat më të rëndësishme të kulturës, letërsisë dhe historisë sonë kombëtare. Ai ishte prozator, publicist, estet, i cili u diplomua në Universitetin e Harvardit për letërsi. Konica ishte kryetar i shoqatës “Vatra”, ishte një ndër udhëheqësit e grupit përfaqësues në konferencën e ambasadorëve në Londër, si dhe ministër i Shqipërisë në SHBA. Kaloi vitet e para të fëmijërisë së tij në Konicë dhe nga përshkrimet e tij duket se ka qenë i lidhur me shtëpinë e tij me një lloj nostalgjie e malli që e mundoi gjatë gjithë jetës së tij.

Për shtëpinë e Faik Konicës, asnjë njeri nuk kishte njohuri se ku mund të ishte dhe ku mund të ndodhej. Rastësisht, një ditë në kafenë e rrapit e cila ndodhej në qendrën e qytetit, duke bashkëbiseduar me një shqiptar me origjinë nga Leskoviku, ai më tregoi se shtëpia e Faik Konicës ndodhej në pjesën e sipërme të qytetit. Ajo faktikisht në qytet njihej si shtëpia e Hysein Siskos, vëllait të vogël të shkrimtarit. Personi në fjalë, filloi të më shpjegonte ashtu siç e kuptonte ai, për një shtëpi të rrënuar, ku dallohej një oxhak i madh. U lumturova shumë dhe menjëherë shkova ta shoh. Nuk mund të humbja kurrsesi një gjë të tillë. Atë pasdite, një shi i lehtë kishte freskuar disi qytetin e vogël. Një shqiptar, që punonte e jetonte aty me familjen e tij prej vitesh, na shoqëroi të shihnim shtëpinë e Faik Konicës. Ai na shpjegoi se falë shiut, rreth shtëpisë nuk mund të dilnin gjarpërinj. Duke qenë se ishte një vend plot rrënoja e barishte të larta e plot myshk, mund të ishte një terren i favorshëm për shfaqjen e tyre. Pasi kaluam gardhin e hekurt dhe barishtet e larta, vështrova me entuziazëm shtëpinë e Konicës. Për fat të keq, ndërtesa kishte mbetur në gjendje të mjeruar. E dëmtuar gjatë kohës së tërmetit, sot kjo rezidencë e madhe është tejet e rrënuar. Për shumë vite me radhë ajo ishte përdorur si shkollë e mesme. Ndjeva keqardhje për shtëpinë duke menduar për figurën e lartë të kombit tonë. Teksa e sheh, dallohet ngrehina e një rezidence të madhe që ka humbur shkëlqimin. Familja e Konicës kishte qenë asokohe një nga më të pasurat familje shqiptare myslimane të kohës. Ndërtesa ishte një shtëpi e madhe, ku mungonte çatia e ku muret ishin të larta e prej guri, të rrethuara me lule zvarranike. Kati i parë i shtëpisë ishte i ndërtuar me blloqe guri të rregullta drejtkëndore, ndërsa kati i dytë ishte me gurë jo të rregullt dhe me një ngjyrë disi të errët. E tërë shtëpia kishte një ton gri në umbra, ku në sfondin e maleve dukej sikur zhytej akoma më shumë në një atmosferë mistike e të humbur në kohë. Hyrja kryesore e shtëpisë ishte një portë me një hark të plotë e të konsiderueshëm, i cili rrethohej në pjesën e sipërme nga një tjetër hark gurësh drejtkëndorë. Në pjesët anësorë të sipërme të portës, gjendeshin dy pllaka guri të shkruara në arabisht. Nga kërkimet e mia falë miqve të mi, të cilët mund ta deshifronin, u arrit të lexohej se në njërën pllakë është shkruar në arabisht një sure për mbarësi, ndërsa te pllaka tjetër është shkruar data e ndërtimit të banesës sipas kalendarit islam, e cila përkon me 19 safar 1261 dhe me kalendarin tonë 26 shkurt 1845. Arkitektura e shtëpisë përngjason me atë epirote, që të kujton shtëpitë e gurta të Epirit e me kulla të larta e të fortifikuara. Nga pamjet satelitore në “Google”, duket që shtëpia ka një planimetri në formën e U-së. Në cepin juglindor gjendet kulla, të cilën e dalloja me vështirësi ndërmjet trarëve që zaptonin shtëpinë. Ndoshta ky grumbull trarësh mund të ishte struktura e çatisë. Brendësia e ndërtesës ishte e mbushur me gurë, me shumë barishte e myshqe dhe dukej që kishte prani lagështie. Kjo shtëpi dallohej që mund të kishte qenë mjaft e madhe. Sapo hyje brenda, në të majtë dhe në të djathtë, dalloheshin nga 3-4 shkallë, të cilat zbrisnin e të çonin në dy porta me harqe. Ndoshta këto dy porta mund të bënin lidhje me pjesën e poshtme të shtëpisë ose mund të kenë qenë hambare.

Sipas studimeve të kryera, para tërmetit, shtëpia e Faik Konicës kishte në katin përdhes 7 dhoma dhe në katin e parë kishte 6. Thuhet se ka pasur mure të larta e të mbuluar me lule kacavjerrëse, dyert e dritaret kanë qenë prej druri, si dhe dhoma kryesore e tavani kanë qenë të dekoruar me gdhendje druri dhe të pasur me elemente dekorative e ndoshta të realizuar nga mjeshtrit dru gdhendës të zonës. Kopshti i shtëpisë ka qenë i mbushur me lule të ndryshme, me shatërvanë guri të gdhendur që ftonin njerëzit në një atmosferë të këndshme dhe aristokrate.

Sipas autobiografisë së Faik Konicës, ashtu siç shkruan dhe gazetari Ilir Konomi në librin e tij, Faik Konica binte në fis me Aliun, gjyshi i Ali Pashë Tepelenës ishte katragjyshi i Faik Konicës.

Shtëpia e Zenel Beut dhe e Hamkos ishte disa hapa më sipër se ajo e familjes së Konicës. Në pamje të parë, shtëpia e Hamkos, ashtu siç e thërrisnin të gjithë e siç njihej, ishte një ndërtesë me të vërtetë impresionuese. Ajo ishte në përmasa shumë më të mëdha në krahasim me atë të familjes së Konicës. Që në momentin e parë më dha përshtypjen e një familjeje të fuqishme e të pasur të asaj kohe. Zeinel Beu kishte qenë një nga vendasit myslimanë më të pasur të qytetit, i cili kishte pasur prona dhe në Selanik. Sipas studimeve që janë kryer, duke qenë se kishte mjaft pasuri, për shkak të sigurisë së tij shtëpia ka pasur hyrje-dalje sekrete për t’u mbrojtur nga sulme të ndryshme. Që në pamje të parë, rezidenca shfaqet madhështore me muret e saj rrethuese dhe portën e hyrjes kryesore, e cila mban një hark të plotë e të lartë. Harku i portës ishte i gjerë, i rregullt dhe i rrethuar me tre breza harqesh të tjerë. “Për nga stili i ndërtimit dhe ornamentet e përdorura në harkun e jashtëm të hyrjes, kjo gjë është cilësuar si një traditë që përdorej zakonisht nëpër kisha dhe shtëpi të Epirit”. (Një takim me qytezën e Konicës, Dhionisios Dhim Tacis, Konicë, 1993)

Interesante ishin disa daltime e vizatime që gjendeshin në brezin e mesëm të harkut te porta e jashtme ku pasqyroheshin rozeta, kalorës, çekiçë, skuadra që ishin mjete të gurëgdhendësve, sëpata, shpata, bimë dhe ndoshta kaligrafi arabe. E ndërtuar në pjesën e sipërme të qytetit të Konicës, shtëpia e Hamkos duket sikur mbështillet nga malet e larta të qytetit. Ajo çka mbetur nga e gjithë kjo ndërtesë është kulla mbrojtëse, një pjesë e shtëpisë, disa kolona guri, si dhe muret rrethuese. Sipas studimeve të kryera, shtëpia e Hamkos filloi të ndërtohej nga mesi i shekullit XVIII nga babai i saj, Zenel Beu, dhe me kalimin e kohës u shtuan dhe hapësira të tjera. Në pjesën e saj perëndimore gjendet kulla e cila është ndërtuar në vitin 1843 dhe është restauruar në vitet ‘97-‘98. Gjatë viteve janë bërë ndërhyrje të shumta si ndërrimi i çatisë duke ruajtur stilin e kohës, ndërrimi i mureve, konservimi i harqeve të shtëpisë dhe i oxhakut, si dhe kthimi në gjendje funksionale i portave dhe i dritareve. Në projektet e shumta të bashkisë për shtëpinë e Hamkos mendohet të realizohet një muze për figurën e Ali Pashës.

Dëshira për të vënë në dukje këto momunte, vjen si një reflektim ndaj tyre, duke qenë se ato flasin diçka për historinë e dy figurave shqiptare. Duke menduar figurën e lartë të Faik Konicës dhe kontributin e tij për Shqipërinë, si dhe duke menduar figura historike si ajo e Ali Pashë Tepelenës, që paraqet një periudhë të rëndësishme të historisë sonë, e ndjeva si diçka që të vjen natyrshëm ta shprehesh e ta bësh ditur. Duke u larguar nga qyteti i Konicës, ndjeva një lloj keqardhjeje. Ato ditë korriku në këtë qytet, kishin qenë për mua të mbushura me kuriozitet, me një sfond historik që do të mbeten në kujtesën time për një kohë të gjatë.

Shqip
 
Faik Konica - shkrim per te

Ja çfarë pasurie la Faik Konica pas vdekjes

Botohen dy letra e shkruara vetëm pak ditë pas vdekjes së intelektualit të madh


NE KUJTIM TE FAIK KONICES-15 MARS 1875


Faik Konica

Me rastin e 136 vjetorit të lindjes të Faik Konicës, përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike dhe kulturore shqiptare, publicist, kritik letrar, diplomat dhe veprimtar politik


Faik Konica, përfaqësuesi i shquar i lëvizjes politike dhe kulturore


Faik Konica, në 136-vjetorin e lindjes së tij (15 Mars 1875) përkujtohet si një nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike dhe kulturore shqiptare. Publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik, ai gjatë të gjithë veprimtarisë së tij, la gjurmë të gjithanshme e të thella në lëvizjen kombëtare, politike, ideore dhe kulturore shqiptare.Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 F.Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SH.B.A. ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SH.B.A., do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SH.B.A., ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e A.Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SH.B.A. Vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942. Sipas As. Prof. Fatmira Rama, njohja e veprës shumëplanëshe të Konicës, i ngjan një ajzbergu, të cilit mund t'i shohim vetem majën, pa ditur se çfarë fshihet nën ujë. Gjatë viteve 1925-1939, Konica shpalosi një publicistikë pjellore dhe ekspresive, duke iu kushtuar kryesisht kritikës politike dhe shoqërore. Me veprimtarinë e tij, Ai iu përkushtua sa lëvizjes kombëtare po aq dhe lëvizjes demokratike për një qytetërim perëndimor të Shqipërisë. Si i tillë, Konica mund të kuptohej dhe interpretohej drejt vetëm në klimën e një shoqërie pluraliste. Eshtë edhe kjo një nga arsyet e interesimit të thellë që ka ngjallur vepra e Konicës në ditët e sotme.


Idetë dhe veprimtaria e Konicës


Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, ku Faik Konica dha kontributin e tij, ai do të paraqiste një alternativë të caktuar të zhvillimeve të ardhshme demokratike në vend. Kështu, Konica rrugën e zhvillimit demokratik e pa në alternativën e shndërrimeve, të reformave të njëpasnjëshme, në kuadrin e rritjes së pjekurisë politike të popullit shqiptar dhe të klasës drejtuese të tij. Ai ishte i bindur se, reformat duhej të ishin në kufirin e liberalizmës, se i vetmi shpëtim i kombit tonë ishte zhvillimi i tij, "për më tepër kuptim politik, më tepër dashuri për punë e rregull, më tepër butësi e bashkim".Duke shpalosur domosdoshmërinë e shkëmbimeve të mendimeve midis palëve kundërshtare, Konica lëshoi thirrjen: "Janë ca raste historike kur zëri i partive dhe i kundërshtimeve duhet të pushojë përpara një interesi më të lartë". Konica si ministër i shtetit shqiptar në SHBA ruajti autoritetin e këtij shteti, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga shikimi kritik i realitetit të vendit të viteve 1925-1939. Ai goditi metodat për vendosjen e kontrollit të regjimit zogist në vend, burokracinë aq të dukshme, spekullimet e nëpunësve, gazetarët dhe redaktorët që i shërbenin parasës dhe jo idealeve demokratike. Një kritikë e tillë gjen vend në shkrimin "Shqipëria si m'u duk", botuar tek "Dielli" 1929.




Veprimtaria e Konicës




Roli i Konicës duhet parë edhe si pasurues i kulturës kombëtare, si pubicist, si gjuhëtar e letrar, si historian, etnograf etj. Si historian, ai do të sillte ndihmesa të reja në pasurimin e tezave të autoktonisë së shqiptarëve, të trashëgimisë ilire të popullit tonë, të traditës së tij shtetformuese, të rolit të epopesë skënderbejane etj. Si "princi i gjuhës shqipe", ai do të jepte ndihmesë të madhe edhe në formimin e gjuhës letrare shqipe. Por është pikërisht problemi kombëtar që ndikoi në parashtrimin prej tij të alternativave të veçanta për ecurinë dhe rrugët e zhvillimeve demokratike në Shqipëri në këto vite. Duke qenë shtet i gjymtuar përsa i përket tërësisë territoriale, Konica besonte se, shqiptarët nuk e kishin atë liri që të provonin, që të bënin ndryshime për shkak të rrezikut të madh të jashtëm.

Në vitet 1925-1939, ai do t'i kushtonte përsëri vëmendje çështjes së feve dhe klerit në Shqipëri, raporteve të tyre me shtetin dhe rolin e tyre si fe dhe jo si "axhensi politike". Me vlerë të posaçme është vlerësimi që i bën ai rolit të shqiptarëve katolikë në lëvizjen kombëtare shqiptare. Bashkëkohësit e Konicës, miq dhe kundërshtarë, do ta vlerësonin lart personalitetin për potencialin dhe rrezatimin e tij në kulturën shqiptare.Në lëmin e krijmtarisë së mirëfilltë letrare, penës së Faik Konicës i përkasin disa proza poetike, të cilat karakterizohen nga kulti i formës së kulluar artistike. Por vepra letrare artistike më e rëndësishme është novela ,"Doktor Gjilpëra që zbulon rrënjet e dramës së Mamurrasit", botuar si nënfletë në gazetën "Dielli". Në të kritikoi prapambetjen e jetës shoqërore dhe shpirtërore të vendit. Faik Konica ishte gjithashtu një nga nismëtarët e kritikës letrare. Ai vuri në dukje përparimin e poezisë shqiptare në veprën e Naimit dhe të De Radës, çmoi Asdrenin, Çajupin etj. Faik Konica, la edhe përkthime mes të cilave disa përralla nga "Njëmijë e një netë", që u botuan në librin "Nën hijen e hurmave".Faik Konica lindi më 15 mars 1876 në Konicë; vdiq në Uashington në 14 dhjetor 1942. Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si "biblioteka lëvizëse". Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën "Shqipëria dhe turqit" (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën "Albania", kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë. Më 1909 Konica, si u mbyll revista "Albania" në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën "Dielli" edhe më pas gazetën "Trumpeta e Krujës". Me themelimin e Federatës "Vatra", më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë.Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës "Vatra", po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës "Dielli" dhe "Shqiptari i Amerikës". Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij.Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.




Çfarë pasurie la Faik Konica pas vdekjes?




Disa nga këto kureshti na i zbulojnë dy letra të shkruara vetëm pak ditë pas vdekjes së intelektualit të madh.30 dhjetor i viti 1942. Faik Konica është ndarë nga jeta 14 ditë më parë. Në legatën e Zvicrës në Uashington, W. de Bourg, kryetar i Këshillit të Ministrave, i shkruan një letër Fan Nolit. Disa persona janë interesuar për sendet personale të Konicës.Fill pas vdekjes, 10 ditë më vonë, me 24 dhjetor (Konica vdiq me 14 dhjetor 1942), një zonjë dhe dy zotërinj kanë mbërritur në zyrat e legatës zvicerane në Uashington dhe interesohen për pasurinë e tij. Zotërinjtë quhen Peter Tiko dhe Shefqet Bença, ndërsa zonja thirret "Zonja Graham". Zotërinjtë janë paraqitur sipas udhëzimit të Fan Nolit dhe në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës. Por asgjë nuk ka shkuar në fund. Drejtuesit e legatës nuk kanë ndërmarrë veprime, pasi dy personat e interesuar janë paraqitur pa letërnjoftim e pa letër kredenciale. Duke mos e vënë në dyshim se borxhet e të ndjerit do t'i paguajë federata Panshqiptare, ata kanë vendosur që të zbrazin apartamentin e tij dhe sendet personale t'i ruajnë deri pas luftës, ose derisa gjërat të zgjidhen me trashëgimtarët.




Fjali gati zyrtare, por që na zbulojnë detaje të panjohura.




Përmes tyre mësojmë se Konica kishte lënë një shtëpi në Uashington, të mobiluar dhe me sendet personale që kishin një vlerë të konsiderueshme e që duhej të ruhej. Po ashtu, kishte lënë pasaportën, disa xhevahire, pak para e gjëra të tjera me vlerë jo shumë të madhe.Aty shprehet qartë se Konica ishte në borxhe në momentin kur vdiq dhe shpresohej që këto borxhe t'i paguante federate Panshqiptare. Thuhet qartë se personi i interesuar ishte Fan Noli, i cili kishte udhëzuar edhe dy personazhet që të shkonin në legatën zvicerane të interesoheshin.Po ashtu, jepet edhe sugjerimi për një zgjidhje të mundshme, pasi është kohë lufte dhe ende nuk është zgjidhur çështja me trashëgimtarët e Konicës.Letra e plotë e botuar pa shkurtime, na rrëfen gjithë imtësitë. E kemi shkëputur nga dosja me numër 238 që i përket vitit 1942. Është përfshirë si shtesë fondi në vitin 2003, në fondin e Fan Nolit me numër 14. Vijon si më poshtë:




Letra 1

Legata e Zvicrës Uashington D.C. 30 dhjetor 1942

I Përndershmi Fan S. Noli

26 Blangden Street

Boston mass.

Fort i ndershmi peshkop Noli

Kam nderin të ju njoftoj se më 24 dhjetor, Zonja Graham erdhi në këtë zyrë e shoqëruar nga zoti Peter Tiko dhe zoti Shefqet Bença, lidhur me vdekjen e ministrit shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Dy zotërinjtë theksuan se kishin ardhur këtu sipas udhëzimit tuaj dhe në emër të Pan Albania Federation of America ( Federatës Panshqiptare të Amerikës) për ta vendosur pasurinë e zot. Konicës. Meqë ata nuk kishin me vete as letër njoftimi e as letër kredenciale, unë këtë çështje e shqyrtova në prezencën e zonjës Graham.Meqë Zvicra po e përfaqëson Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara me cilësi gjysmëzyrtare, unë u pajtova të ndihmoj me qëllim për t'i mbrojtur interesat e parashtruara. E di se Federate Panshqiptare do t'i pagojë të gjitha borxhet e të ndjerit.Unë rekomandova që apartamenti i zot. Konicës të zbrazet e gjërat të strehohen deri pas lufte, apo derisa e tërë çështja të mos zgjidhet pas konsultimit me trashëgimtarët. Për qëllime mbrojtëse plaçka e shtëpisë të depozituara mund të vihen në emër të legatës, e pagesat e depozitës të paguhen nga Federata Panshqiptare.Pasaporta e zot. Konicës, si dhe xhevahiret, paratë dhe gjërat e tjera me vlerë më të vogël, mund të depozitohen në këtë zyrë me marrjen në dorëzim të Zonjës Graham,Meqë personat e lartpërmendur asgjë tjetër nuk thanë lidhur me këtë çështje, do të kisha qenë mirënjohës të kem sugjerimet tuaja dhe mundësisht, pajtimin e Federatës Panshqiptare.




Ndihma për të varrosur Konicën




Ndërsa një telegram i shkruar 4 ditë pas vdekjes së Konicës, dhe dy ditë para se ai të varrosej në Boston, na zbulon edhe detaje të tjera nga ajo që mund të quhet gjendja financiare e Konicës në vitet e fundit të jetës së tij. Duket ndihmat e shumta në para në emër të çështjes kombëtare, të nxjerra mbase dhe nga xhepi i tij, si dhe kushtet e jetesës në ato kohë të vështira e angazhimesh të shumta, e kishin çuar Konicën drejt një gjendjeje të vështirë ekonomike. Shpesh Konica përmend në letrat e tij dërguar Nolit shuma parash që ia niste në momente të caktuara, kur Noli vërtitej nëpër Evropë, ndërsa ndiqnin idealet e planet e tyre politike e atdhetare.Sidoqoftë, në momentet e fundit, Konica duhej të ishte zhytur në borxhe. Edhe shpenzimet për varrimin e tij, ishin përballuar nga ndihmat e mbledhura prej komunitetit të shqiptarëve në Amerikë.Këtë na e dëshmon ky telegram ngushëllimi dërguar peshkop Nolit nga një grup shqiptarësh në Virginia, ku mes të tjerash ata theksojnë se kanë dërguar një shumë prej 73 dollarësh si dhe pjesën e shpenzimeve të varrimit dhe në si kontribut nga shqiptarët e Weirton-it.




Telegrami i plotë vijon si më poshtë:

Telegram

WEIRTON, WEST Virginia

(Virgjinia perëndimore)

18 dhjetor b1942

Nevrus Staria, C/O Peshkop fan S. Nolit,

26 Blagden Street, Boston Mass.

"Me anë të kësaj po i dërgojmë shtatëdhjetë e tri dollar s'bashku me ngushëllimet tona të sinqerta me rastin ne vdekjes së Faik Konicës dhe pjesën e shpenzimeve të varrimit që i e dhanë si kontribut shqiptarët e Weirton-it"

"Po ashtu, vatra Branch of Weirton (Vatra dega e Weirton-it) me këtë rast u riorganizua për të dëshmuar sinqeritetin dhe bashkëpunimin me peshkop Nolin

"Përshëndetje të gjithë anëtarëve të bashkësisë. Përshëndetje të posaçme peshkop Nolit për përpjekjet e tij patriotike dhe përfaqësimet që i bëri në ministrinë e punëve të jashtme përkitazi me njohjen e qeverisë shqiptare në mërgim".

Vatrës, Diellit

Boston, Mass.

Nënshkruar C.CDe Kallarati dhe Sulo Kapshtiza




Në fjalën e lamtumirës ditën e varrimit




Ai ishte njeri me dituri të lartë. U shkollua në shkollat frënge dhe diplomoi në College de Lisieux, Universiteti i Francës. Më vonë magjistroi në Universitetin e Harvardit në gjuhët romane. Ai nuk ishte i kënaqur me titujt, prandaj gjatë tërë jetës së tij mblodhi dhye lexoi libra dhe kurrë nuk harroi atë çka lexoi. Në të vërtetë ai ishte një enciklopedi e gjallë.Në moshën 26 vjeçare ai filloi të boton revistën Albania (Shqipëria) në Bruksel, në Francë dhe Shqipëri dhe ai atë e vazhdoi së botuari gjer më 1910 kur erdhi në Amerikë. Revista e tij është thesar i historisë, letërsisë, filologjisë dhe folklorit shqiptar. Ajo është e shkruar në një stil të bukur dhe është vepra më jetëgjatë që ai na la. Universiteti i Harvardit ka në posedim tërë koleksionin në Widener Library, ku ajo mund të rishkrohet (shqyrtohet). Në Amerikë ai punoi si redaktor i gazetës shqiptare "Dielli" dhe si kryetar i Federatës Shqiptare "Vatra". Lidhur me punën e tij gazetareske, ju të gjithë e dini se ai nuk ishte tamam engjëll, meqë ai ndonjëherë pendën e tij e zhyste në acid viriolik vërtet në mënyrë allafrënga, përpos së gjithash askush nuk është i përsosur, dhe ne do të lejojmë që të shkuemet të jenë të harrueme. Më 1926 ai u emërua Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë nga mbreti Zog dhe ai mbeti në atë detyrë deri më 1939, vit fatal kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Marrë nga gazeta “Dielli” në SHBA
 
Faik Konica - shkrim per te

Zbulohen katër libra nga biblioteka e humbur e Konicës​

Agron Alibali

Armatosur me të dhënat e çmuara të At Artur Liolinit për shtampën “EX-LIBRIS; F.K” të librave të Konicës, nuk mbetej tjetër veç të kërkohej kudo ku të kishte mundësi. Vendi i pare ishte, natyrisht, selia e Vatrës në Bronks, Nju Jork.
Kërkimet tek
selia e Vatrës
Siç dihet, Federata historike e shqiptaro-amerikanëve ishte themeluar në Boston gati 100 vjet më parë, në prill 1912. Roli i saj kishte qenë themelor në mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut. Për arsye të ndryshme, me gjithë kontributin madhor të mbarë bashkësisë shqiptaro-amerikane, VATRA nuk kishte mundur të vinte në pronësi një ndërtesë të vetën në Boston. Ndofta kjo është edhe një ndër arsyet e mosruajtjes së dokumenteve dhe arkivave të rëndësishme me vlerë të paçmuar historike për lëvizjen shqiptaro-amerikane në SHBA.
Me kontributin e jashtëzakonshëm të veprimtarëve të VATRES në Nju Jork, në fillim të viteve 1990 u ble më në fund një ndërtesë për Vatrën në lagjen Bronks, të Nju Jorkut. Pikërisht aty u sollën nga mesi i viteve 1990 pjesa e mbetur e librave dhe e arkivave të Vatrës, të magazinuara tek ish-restoranti i veprimtarit të shquar Andon Athanasi në Glover House, Sëampscott, Masachusetts.
Më 1 maj 2004 i nënshkruari pati rastin të vizitojë selinë e Vatrës në adresën 2437 Southern Boulevard, Bronx, NY. Një portret i mrekullueshëm i Konicës në stil të Rembrandtit gjatë viteve të tij të karrierës diplomatike varej në muret e dhomës ku shtypej gazeta Dielli [The Sun]. Përbri ndodhej një portret i Nolit. Portreti i Konicës, sikurse do të shpjegohet më pas, ishte pikerisht ai që kishin ruajtur pas vdekjes së Faikut në dhjetor 1942 zotërinjtë Tyko dhe Pani.
Biblioteka dhe arkiva e Vatrës ruheshin në dy dhomat e tjera të zyrës apartament. Dhoma e parë nuk kishte mobilje. Në muret e saj kishte disa rafte të mbushura me mjaft libra në anglisht, shqip dhe gjuhë të tjera. Shumica ishin në disa kopje. Dhoma tjetër – e përdorur edhe si dhomë gjumi për miq të ndryshëm të Vatrës-, përmbante pjesën kryesore të mbetjes së bibliotekës dhe arkivit të VATRES.
Nga kqyrja e sipërfaqshme e librave të dhomës së dytë u panë një numër fletoresh dhe regjistrash të Federatës VATRA, që pa dyshim kishin vlerë historike. Me vlerë të veçantë ishin pa dyshim tre libra me regjistrat dhe procesverbalet e Vatrës prej 12 majit 1912 dhe deri në korrik 1919, sikurse u përcaktuan më vonë. Ky material përgjithësisht përputhej me atë çka kishte pare A. Klosi disa vite më pare në Massachusetts. Nëpër rafte kishte edhe libra të tjerë, shumica të botuar në Shqipëri dhe SH.B.A pas Luftës II Botërore. Edhe pse disa prej tyre ishin me interes, ata nuk dukej se i përkisnin koleksionit privat të Konicës, prandaj nuk ishin në vëmendje për projektin në fjalë.
Libri i parë
Megjithatë, i nënshkruari qe në gjendje të identifikonte pa asnjë fije dyshimi atë që dukej në atë kohë si i pari dhe i vetmi libër që mund të identifikohej pozitivisht të ishte pjesë e koleksionit të humbur të Konicës. Libri ishte “Popolo Lingua e Letteratura Albanese” 2a Tiratura con aggiunte e correzioni, [Populli shqiptar, gjuha dhe letërsia shqipe, Botim i dytë me shtesa dhe përmirësime], i autorit arbëresh Prof. Papas Gaetano Petrotta, Doktor në Letërsi, Palermo 1932, 528 faqe. Libri kishte kopertinë të trashë të kuqërremtë, dhe në pjesën e brendshme të saj ndodhej shtampa e famshme me në krye shënimin “EX LIBRIS”; në mes dhe në format më të madh ishin inicialet F.K të zbukuruara dhe të rrethuara nga dhjetë gjarpërinj kafshues. Në fund kishte dy vargje në greqishten e vjetër. Sipas At Fr. Arthur Liolin, përkthimi i tyrenë anglisht ishte: “They say ëhat they ëant to say, let them say, it does not hurt me”, që mund të shqipërohet lirisht si “Le të thonë ç’të duan për mua, unë s’e çaj kokën”.
Pa dyshim që kjo ishte shtampa e famshme e Konicës, të cilën e kishte përmendur At Artur Liolini më përpara. Libri në fjalë përmban një përkushtim personal me shkrim dore dhe në shqip të autorit kushtuar Konicës. “Shkëlqesîs s’Tîj, Z. Faik Konitza, në shenj nderimi, Prof. Papas Gaetano Petrotta, 28/6/32.”Theksojmë se, sipas katalogut në linjë, Biblioteka Kombëtare në Tiranë ka vetëm botimin e parë të librit.
Studiuesi i shquar arbëresh Gaetano Petrotta ishte një mik i hershëm i Faikut. Në librin e lartpërmendur ai përfshin edhe një syth mjaft interesant që përmban një analizë të plotë të veprës së Faikut dhe jep të dhëna interesante për jetën e tij. Ai pêrment se Konica shpalli i pari ekzistencën e librit Pasqyra e të Rrëfyemit të Pjetër Budit, i titulluar në latinisht Speculum Confessionis, që ishte botuar në gjuhën shqipe, ose “in epiroticam linguam”, në Romë më 1621.
Petrotta përshkruan kulmet e Faikut në shpalosjen e qëndrimeve dhe interesave të kombit shqiptar, ku përmend broshura e tij “Shqipëria dhe Turqit”, botuar në Paris me 1895. “Konica – shkruante Petrotta - njeh thuajse të gjitha gjuhët e Evropës dhe kudoe ndjen veten si në shtëpi: në Stamboll, Vienë, Londër, Paris, Bruksel, Romë, Ëashington”.
Petrotta përmend një takim me Faikun në tetor 1919 në Romë. “M’u duk krejt i kënaqur me qëndrimin e vet në Itali dhe më paraqiti mendimin e tij (il suo proposito) për t’iu kthyer studimeve letrare dhe filologjike, ku më së pari do të merrej me një koleksion të teksteve themelore (critici) të të gjitha dokumenteve më të lashta të gjuhës shqipe”.
Petrotta përmend edhe veprat e pambaruara ose të pabotuara të Faikut, si botimin letrar “Kandili i Kuq” (1910), një studim për gjuhën shqipe të shpallur në Dielli në 1922, punimin filologjik “Themelet e Gjuhës Shqipe” (1927).
Për t’u kthyer tek Biblioteka e Konicës, edhe pse si fillim u duk i mbarë, prapëseprapë barra për të gjetur edhe tê paktën 1928 blenjtë e tjerë dukej tejet e rëndë, ndofta e pamundur për t’u rrokur. Natyrisht që na duhet të ecnin mbrapsht në gjurmët e librit të gjetur. Megjithatë, zbulimi modest i librit të pare të Bibliotekës së humbur të Konicës sillte në këto përfundime: Së pari, gjurmë të Bibliotekës së Konicës kishin qenë ruajtur në magazinën Glover House në Sëampscott, Massachusetts para se të tërhiqeshin dhe të silleshin në selinë e re të Vatrës në Nju Jork. Së dyti, mbetet i pashpjegueshëm fakti që tek Biblioteka Noliane që është nën kujdesin e Kryekishës së Shën Gjergjit janë gjetur vetëm shtampat e papërdorura të librave të Konicës, dhe jo inventari apo regjistri i librave. Nuk mund të ishte e vërtetë që i vetmi libër i Konicës i gjetur deri në 1 maj 2004 të ishte vepra e dhuruar e Gaetano Petrotta-s.
Në një bisedë tjetër me telefon me 20 mars 2009 z. Agim Karagjozi, Kryetar i Vatrës në atë kohë, i tha të nënshkruarit se dy kuti me materiale nga General Grover’s House ishin ende të pahapura në zyrën e VATRA’s në Neë York. Z. Karagjozi ishte edhe më i qartë lidhur me bisedat e tij me z. Athanas të vitit 1996, kur VATRA tërhoqi arkivat nga General Glover’s House. Sipas z. tij, z. Athanas i kishte thënë se kishte ruajtur disa dosje dhe material nga arkiva tek një vend i ndryshëm nga General Glover House dhe do t’ia kthente ato së shpejti VATRES.
Portreti i Konicës dhe çmimi “The Judge”
Në një vizitê të mëvonshme të 19 prillit 2009 tek selia e Vatrës në Bronks u vërtetua se portreti i Konicës ishte vepër e piktorit të njohur amerikan me prejardhje polake Joseph Sigall dhe ishte përfunduar në vitin 1934, d.m.th. në kulmin e karrierës diplomatike të Konicës. Me siguri ky portret ka qenë i varur në dhomën e pritjes ose zyrën e Konicës në Washington. Sigall kishte punuar edhe portrete të monarkëve evriopianë, si Mbretin Gjergji i I të Britanisë së Madhe, Ëhilhelmin e II i Gjermanisë, Presidentët amerikanë Coolidge, Hoover dhe F.D. Roosevelt, dhe njerëz të shquar si Gjeneral Douglas MacArthur, artisten e njohur polako-amerikane Pola Negri, etj. Portreti ynë përmban në krye shënimin “Shkëlqesisë së tij Faik Konitza”, ndërsa në fund: “në shenjë miqësie dhe vlerësimi, Sigall 1934.” [Në krye: “To his Excellency Faik Konitza”; në fund: “ëith Friendship and Esteem, Sigall, MCMXXXIV”.] Portreti duhet të ketë mbërritur në Boston bashkë me librat dhe arkivën dhe duhet të jetë strehuar tek zyrat e Vatrës në lagjen Back Bay të Bostonit. Me mbylljen e tyre ai duhet të jetë ruajtur tek zyrat e Andon Athanasit, dhe mandej duhet të jetë marrë nga drejtuesit e Vatrës për t’u sjellë aty ku ndodhet sot. Gjatë kësaj vizite i nënshkruari pati mundësi të identifikonte edhe çmimin original të dhënë Konicës nga shoqata THE JUDGE, ku ai ka mbajtur edhe një fjalim të shkëlqyer, bashkë me një sonet të tij, të cilët janë shqipëruar mrekullisht nga Xhevat Lloshi. [Faik Konica, Vepra të Zgjedhura, Vëllimi II, Botimet Dudaj, 2001, nën kujdesin e Prof. N. Jorgaqit, redaktuar nga S. Cekani].
Kujtimet e
Andon Athanasit
I nënshkruari u lidh në miqësi të ngushtë dhe marrëdhënie të ndërsjellta respekti me z. Anthony Athanas, një ndër shqiptaro-amerikanët më të shquar dhe bashkëkohës i Peshkop Fan S Nolit dhe Faik Konicës. Ish-Kryetar i Vatrës dhe mjaft i kamur, pas vdekjes së Nolit Z. Athanas ishte udhëheqësi de-facto i bashkësisë shqiptaro-amerikane në Anglinë e Re.
Gjatë viteve1999 – 2001 i nënshkruari bisedonte thuajse për ditë me z. Athanas për çështje të interest të përbashkët, sidomos për problemet që lidheshin me Kosovën. Çështje të tjera të diskutuara ishin vizitat e udhëheqësve nga Shqipëria dhe pritja e tyre, çështje të bashkësisë, dhe kështu me rradhë. Jo rrallë Andoni shpalosi vetitë e tij prej udhëheqësi dhe bujarinë e vet dhe duke oganizuar festimin e përvjetorit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, dhe të artistit Gjoni Athanas, fushata për grumbullimin e fondeve për Kosovën, etj.
Z. Athanas fliste shpesh për Konicën duke e përshkruar atë si një gjeni letrar dhe atdhetar të madh. Ai e thoshte se Konica ishte një “raconteur” i mrekullueshëm dhe i dhënë pas grave. Përmendej, për shembull, lidhja e Konicës me njëfarë Anne Curio, një kërcimtare ekzotike nga Bostoni. Andoni i lejoi të nënshkruarit vizitë të plotë në bibliotekën e vet private, mirëpo aty nuk kishte asnjë libër të Konicës. Megjithatë, të nënshkruarit disa here iu vu në dukje gjatë vizitave të sheshta në shtëpinë e Andon Athanasit se një karrige e veçantë ishte “vendi ku rrinte Fan Noli kur vinte për vizitë”.
Në kohën e botimtit të Kopështit Shkëmbor zyra e Vatrës ka qenë në 30 Huntington Avenue, Boston, MA. Më pas ajo u shpërngul tek njëra nga ndërtesat ngjitur me Kryekishën e Shën Gjergjit, deri sa u mbyll rreth viteve 1980. Ç’ndodhi me arkivën e Vatrës kur zyrat e saj në Boston u mbyllën? A u transferua i gjithë dokumentacioni për ruajtje tek Glover House, në Sëampscott në kufirin me Salemin, i cili ishte restoranti i pare i Andon Athanasit dhe sot funksionon si zyra dhe magazine? Kur ndodhi transferimi dhe a u përfshinë atje edhe libra të Konicës?
Studiuesi Ardian Klosi ka vizitur Kishën e Shën Gjergjit dhe magazinën në fjalë në vitin 1992 dhe ka bërë një përshkrim dhe inventar të materialit të gjendur atje.Po ashtu, përfaqësues të Vatrës i kanë thënë vazhdimisht të nënshkruarit se rreth vitit 1994-1995 ata morën gjithshka që gjetën tek Glover House in Massachusetts dhe e shpërngulën atë në selinë e VATRA në Bronx. Këtë ia konfirmoi të nënshkruarit edhe i biri i Andonit, Michael Athanas në shtator 2005.
Trashëgimia e
Qerim Panaritit
Pa dyshim, gjetja më e rëndësishmepër Bibliotekën Konica ndodhi me 13 mars 2006 tek letrat e Qerim Panaritit.
Qerim Panariti është ndër personalitetet më të shquara të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai ka qenë për një kohë të gjatë kryeredaktor i Diellit dhe, nën drejtimin dhe frymëzimin e Nolit, udhëhoqi edhe Vatrën në disa momente mjaft të ndërlikuara. Në vitin 1957 ai botoi edhe veprën e pambaruar të Faikut, “Shqipëria – Kopështi Shkëmbor në Evropën Juglindore”. Historinë e gjetjes së dorëshkrimit të Konicës na e jep Panariti në hyrjen e vet tek “Kopështi shkëmbor”.
Vepra mbështetet në dorëshkrimin e Faikut, të cilin Panariti e përpunoi, shtoi disa pjesë, dhe e botoi. Natyrisht, pavarësisht nga rëndësia e daljes dhe botimit të veprës së Faikut, për të cilën Panariti dhe e shoqja e tij, Sarah, kanë meritë të pakundërshtueshme, vënia dorë tek puna dhe vepra e Faikut, dhe mos-përcjellja në frymën dhe formën origjinale të saj, është kritikuar nga disa studiues të fushës.
Edhe tre libra të tjerë
Materiali i Faikut i gjetur tek letrat e Panaritit më 13 mars 2006 kishte lidhje me veprën e Faikut “Kopështi shkëmbor” dhe ishte thuajse në gjendjen e sendit të braktisur. Megjithëse e vogël, për nga rëndësia gjetja ishte jashtëzakonshme. Rrethanat e saj do të tregohen gjerësisht në librin që i nënshkruari po përgatit. Për çka lidhet me temën e këtij studimi, aty u identifikuan edhe tre libra të tjerë të Bibliotekës së Faikut.
Ndër ta, njëri përmban shtampën e famshme “EX LIBRIS – F.K” të Konicës. Si zakonisht, ajo është e vendosur në anën e brendshme të kapakut. Një libër tjetër ka të qartë shenjën e shtampës, e cila është shqitur prej kapakut. Nuk mund të përcaktohet nëse shqitja e shtampës tregon një përpjekje për çidentifikimin e librit apo është e rastësishme. Kurse i treti përmban një përkushtim të posaçëm për Konicën, pra pronësia e tij nuk mund të vihet në dyshim. Librat janë si më poshtë, duke filluar nga numri 1929, që ishte sasia e librave të “kyçur” në Katedralen e Shën Gjergjit.
Libri i parë, me Nr. Rendor 1928, është Lahuta e Malcís, nga P. Gjergj Fishta, O.F.M. 1938,511 faqe, shtypur në Shkodër në Shtypshrkonjën Françeskane. Libri është me kapak të trashë dhe lidhje të posaçme të kuqe. Nuk ka shtampën EX LIBRIS, F.K”. Libri përmban një përkushtim shumë të ngrohtë të autorit, At Gjergj Fishtës, drejtuar mikut të tij të ngushtë e të hershëm, Faik Konicës. Tekstin e ka botuar për here të pare Panariti në anglisht, kurse ne po e riprodhojmë këtu sipas origjinalit në latinisht me përkthimin në shqip brirazi:
Viro eruditissimo
Njeriut më të ditur
Faikio Konitzae
Faik Konicës
Arbitro elegantisssimu litterarum albanicarum
Gjykatës i letrave më elegante të shqipes
In pignuis obsequii atq-perennis amicitiae
Me miqësi të përhershme e të përulur
Frater Georgius Fishta ofm.
At Gjergj Fishta, O.F.M.
D. K. D.
D. D. D.
Skodrae, 20 Septembris 1938
Shkodër, 20 shtator 1938
Fraza D.D.D është shkurtimi i latinishtes Dono Dedit Dedicavit, që është një formë përkushtimi e librit prej vetë autorit do të thotë, pra, se vetë autori “po e dedikon dhe dhuron librin. Botimi është luksoz, me buzë të praruara. Duket qartë se Konica kishte filluar ta lexonte atë. Leximi duhet të jetë ndalur në faqen 108. Një fletëtregues ndodhet i vendosur midis faqeve 108-109. Në faqen 108, rrethuar me të kuqe dhe nënvizuar shihen fjalët “Njiket” dhe “zverkun” në vargjet:
“Njiket tokë të Shqyptarís
Zoti vetë Aj na e ká falun
E as Taljanit mârrë s’ia kemi
As rrëmye s’ia kem’ Francezit.
As Inglizit, as Teutonit,
Se mâ Slavit jo se jo,
Qi veç dje kâ rá n’Ballkan
E kush di se kû e kputë zverkun:”
Fletëtreguesi mban thënien “Justide delayed is justice denied”, ose “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Mbi të, i nënvizuar shkruhet [Severaid:], që nuk kemi mundur ta identifikojmë.
Libri tjetër, të cilin po e indeksojmë me numrin Nr. Remdor 1927, është Psallme Murgu, Vjersha, e Asdren, Bukuresht, 1930, 223 faqe, i shtypur në Shtypshkronjën “Albania”, Constantza. Ky libër e ka shtampën “EX LIBRIS, F.K”. Me kapak të trashë në ngjyrë të kaltërt, libri përmban përkushtimin e mëposhtëm në shqipe:
Lerónjësit në ugarin e gjuhës edhê çvillónjësit të palodhur i letrësiës shqipe Shkèlqesës së Tij Z. Ministër Faik Konitza, kusht nderimit më të shquem nga ana e auktorit
Shtator 1931 Asdren
Konica e kishte njohur veprën e Asdrenit qysh në vitet e revistës Albania, përherë “i kursyer në lëvdata” shkruante fjalët më të mira për shqipen e Asdrenit tek vepra “Rreze Dielli,” dhe më vonë, më 1926 tek Dielli, për tërë veprën e tij.
Libri i katërt, që po e indeksojmë me Nr. Rendor 1926është Këndime Englisht-Shqip or Albanian – English Reader, by Margaret M. Hasluck, Cambridge, at the University Press, 1932, 145 faqe. Ky vëllim është i vetmi që kemi deri tani ku shtampa e Konicës duket e shqitur. Gjurmë të saj shihen qartaz në anën e brendshme të kapakut. Botimi është jashtëzakonisht interesant. Studiuesja angleze ia kushton veprën mikut të saj Lef Nosit. Në parathënie mësojmë se përmbledhja me përralla pasqyron të folmen e Elbasanit, dhe është hartuar me ndihmën e Parasqevi Gegnasit, Aleksandër Xhuvanit dhe Dhimitër Paparistos.
Botimi në dy gjuhë ka një gramatikë shqipe, angleze dhe fjalor shqip-anglisht. Në mes janë 16 përralla në shqip bashkë me përkthimin në anglisht. Përrallat janë mbledhur nga goja e djelmoshave dhe vashave elbasanase, që në botim jepen si: Fila Vasil Çerekasi, Mihal Sulkuqi, Sherif Suparaku, Petrit Suparaku, Hasan Muzhaqi, Zoti Lef Nosi, Margarita Nosi, Tahsin Dylgjeri, Mehmet Gjavori, Petrit Ahmet Dakli, Zija Domi, Mahir Domi, Abdyl Bajraktari.
Libri ka shënime të shumta indeksuese me laps plumbi. Ka të ngjarë që ato të jenë bërë nga Qerim Panariti, pasi ky përgatiti dhe botoi përralla shqiptare në shqip dhe anglisht here pas here në Dielli.
Pyetje pa përgjigje
Tre librat e Faikut të gjendur në materialet e Qerim Panaritit vërtetojnë se ky i fundit kishte patur mundësi ta shfrytëzonte Bibliotekën e Faikut. Sikurse u tha më lart, librin e At Gjergj Fishtës ai e ka përmendur tek “Kopështi shkëmbor”, kurse librin me përralla shqiptare të M. Hasluck e ka shfrytëzuar për përmbledhjen me përralla që botoi here pas here tek “Dielli”. Po ashtu, në hyrjen e “Kopështit shkëmbor” Panariti përmend se shumicën e të dhënave biografike për Faikun i ka “nga dokumente me shkrimin e vet, çka vërteton se ai ka patur mundësi të shfrytëzojë edhe Arkivën private të Konicës.”
Fati i pjesës tjetër të bibliotekës mbetet i panjohur. Sikurse u përmend në pjesën e parë të shkrimit, [Milosao, Nr. ___dt. 9 janar 2011], Zotërinjtë Tyko dhe Pani numëruan mbi tremijë libra të Bibliotekës Konica kur i ruajtën ato në 33 arka druri dhe i magazinuan në Ëashington, D.C. Mirëpo në vitin 1956 në Kryekishën e Shën Gjergjit u “kyçën” në arka hekuri vetëm 1929 blenj. Ç’u bënë të paktën 1071 të tjerë? Tre librat e gjetura në letrat e Panaritit ishin vallë pjesë e atyre njëmijë e kusur që nuk u ruajtën në bodrumet e Kishës, apo jo?
Më tej, a i dërgoi sekretarja e Nolit, Mary Johns, librat e Faikut në Shqipëri pas vdekjes së Nolit? Nëse përgjigja është pozitive, ku ndodhen këto libra sot? Sipas dëshmisë së Prof. Nasho Jorgaqit, dërgesa në Bibliotekën e Universitetit të Tiranës e librave të Nolit ishte e parëndësishme dhe aty nuk mund të kishte libra të Konicës. Sipas studiuesit Fotaq Andrea, ca libra të sjella nga Bostoni – ose mbetja e tyre - ishin lënë të harruara në raftet të Bibliotekës së Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës. Nëse librat e Konicës nuk ishin pjesë e dërgesës së Sekretares së Nolit, ç’ndodhi më tej me to? A ishin ato në ndërtesën që u dëmtua nga zjarri në vitin 1991? Sipas dëshmive të sotme, Biblioteka e Konicës u strehua në ndërtesën kryesore të Kryekishës së Shën Gjergjit dhe nuk mund të ishte futur në ndërtesat anësore, pra në atë të djegur. Kurse,sipas dëshmi të tjera, të gjitha librat në ndërtesën anësore të dëmtuar nga zjarri u shpëtuan.
Njollë për bashkësinë
shqiptaro-amerikane
Vdekja e Faik Konicës në çaste kritike për ekzistencën e Shqipërisë ishte ndër momentet më të vështira të bashkësisë shqiptaro-amerikane. Nën udhëheqjen e Nolit të madh, shumica dërrmuese e shqiptarëve të Amerikës, pa dallim besimi apo pikëpamjesh politike, u bashkuan dhe dhanë një ndihmesë të rrallë dhe të jashtëzakonshme për nderimin e Faik Konicës, për shërbesat e fundit ndaj tij, për përmbushjen e amaneteve të tij dhe për ruajtjen e Bibliotekës, Arkivës dhe letrave tê tij. Pesha e pamëshirshme e kohës dhe rrethana të tjera të njohura dhe të panjohura sollën që një pjesë e rëndësishme e amanetit të Faikut të mbesë ende e paplotësuar, çka objektivisht përbën njollë për mbarë bashkësinë shqiptaro-amerikane. Vetë njerëzit dhe institucionet që morën përsipër ruajtjen dhe zbatimin e amanetit të fundit të Konicës për shpëtimin dhe dërgimin e Bibliotekës së tij në Tiranë nuk ka kanë lënë deri më tani asnjë gjurmë ose dokument ku tregohet se ç’u bë me librat e Konicës. Sikurse është shprehur At Arthur Liolin, “dymijë libra thjesht nuk mund të humbasin në hiç” [“tëo thousand books cannot disappear in thin air…”].
Ndofta humbja e tyre në tërësi nënkupton se ka patur një plan konkret për t’u gjetur atyre një vendstrehim jashtë adresës së tyre të fundit, d.m.th Katedrales së Shën Gjergjit në South Boston.
Projekt për gjurmime
të mëtejshme
Me 29 prill 2009 në mjediset e shkollës pasuniversitare ku ka studiuar vetë Konica në Universitetin e Harvardit, u mbajt një simpozium në përkujtim të tij. Veprimtaria u drejtua nga Ardeta Gjikola, doktorante shqiptare që pas 98 vjetësh studion pikërisht në të njëjtën shkollë. Ndër të tjerë aty folën At Artur Liolin, Van Christo dhe i nënshkruari. Për herë të parë pas kaq kohësh u ngrit publikisht problemi i mprehtë i humbje së bibliotekës dhe për herë të parë u paraqitën 4 librat e gjetur deri më tani të Konicës. Në fund të simpoziumit, në pjesën e pyetjeve nga salla, At Artur Liolini bëri këtë pyetje: “Ç’mendoni të bëni me librat që keni gjetur të Konicës?” Përgjigja ishte: “Ato do të shkojnë në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, ashtu siç ishte amaneti i Konicës së madh”. Dhe nuk mund të kishte tjetër përgjigje.
Ndërkohë, sipas kërkesave të Ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, Nr. 9048, dt. 7.4.2003 (i ndryshuar), Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore në Tiranëi është nisurnjë kërkesë për katalogimin informatik dhe inventarizimin e katër librave të gjetur deri sot.
Ndofta rruga që duhet ndjekur për gjetjen dhe shpëtimin e pjesës tjetër të Bibliotekës Konica është ndërmarrja e një projekti të posaçëm ku rolin kryesor do ta luante Biblioteka Kombëtare në Tiranë, institucion ky tejet e respektuar dhe depozitar i amanetit të papërmbushur të Faikut.
Kësisoj, menjëherë mund të hapej një faqe interneti ku t’i shpallej botës mbarë se kushdo që ka të dhëna apo informacion për vend-ndodhjen e Bibliotekës Konica apo librave të saj të njoftonte Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Natyrisht, kushdo që do të kishte fizikisht në posedim libra të Konicës do të lutej që ato t’i ktheheshin Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Mirëpo dihet se kjo bibliotekë i ka të kufizuara mjetet financiare për ta ndjekur këtë projekt. Rrjedhimisht, angazhimi i institucioneve apo njësive private do të ishte i mirëpritur. Një syresh, që i përket Universitetit Marin Barleti në Tiranë, ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar.
Puna lehtësohet deri diku sepse librat e Faikut janë lehtësisht të identifikueshme. Sikurse provohet nga katër librat e gjetur deri tani, ato mund të njihen nga:
(i) Shtampa “EX LIBRIS – F. K” e ngjitur në faqen e brendshme të kapakut kryesor; ose
(ii) Gjurmë të shtampës së shqitur; ose
(iii) Përkushtimet vetjake të autorëve për Faikum.
Dikush mund të thothë se ç’na duhet të merremi me ca libra të vjetër; se biblioteka të çmuara kanë humbur edhe në të kaluarën; dhe se populli ka mijëra halle të tjera, punë e madhe për 2000 apo 3000 libra.
Mirëpo, përveç vlerave të paçmuara historike që kanë Biblioteka dhe Arkivi, amanetin e papërmbushur nuk e mban dheu. Plotësimi i amanetit të fundit të një burri shteti, diplomati, atdhetari, shkrimtari dhe studiues – si dhe mik i madh i SH.B.A – do të ishte detyrim dhe nder për këdo.
Kushdo që ka të dhëna të cilat mund të ndihmonin gjetjen e vendndodhjes ose fatin e kësaj biblioteke të çmuar do të ishte i lutur të njoftonte publikisht ose Bibliotekën Kombëtare, ose redaksinue e Milosaos apo të Diellit, ose të shkruante në adresën [email protected].
Instituti “Faik dhe
Mehmet Konica”
Në themelimin dhe forcimin e shtetit shqiptar njihet kontributi themelor i rilindasve dhe i shumë atdhetarëve të tjerë të shquar, qysh nga Pavarësia, tek Kongresi i Lushnjes e më pas. Mirëpo për arsye kryesisht ideologjike, jeta dhe vepra e dy vëllezërve të shquar me prejardhje nga qyteti në lindje të Gramozit nuk njihet sa duhet. Ndërsa për Faikun ka patur një ringjallje dhe rivlerësim të fuqishëm pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri, figura e Mehmet Konicës ende mbetet jo sa duhet e njohur dhe e vlerësuar.
E pra, Mehmet Konica ka dhënë kontribut po aq të rëndësishëm sa edhe i vëllai më i madh. Libri i tij “Çështja Shqiptare” është ndër paraqitjet më të mprehta dhe realiste të problematikës së shtetit dhe kombit shqiptar në vitet kritike të shekullit XX. Mehmet Konica shfaqet në dokumentet arkivore amerikane si një ndër atdhetarët, diplomatët dhe ideologët më të shquar të shtetit modern shqiptar. Madje, si anëtari shqiptar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, të cilit ia dorëzoi pushtetin Princ Vidi me largimin e tij nga Shqipëria në shtator 1914, Mehmet Konica mund të konsiderohet si kryetar de jure i shtetit shqiptar në atë periudhë jashtëzakonisht të turbullt historike.
Eshtë tragjike të mendosh se këta dy burra të shquar shteti vdiqën jashtë atdheut dhe në gjëndje jo të mirë ekonomike. Faik dhe Mehmet Konica kanë nevojë për një shtëpi në atdhe. Ka një mendim që ka ardhur koha për ngritjen e Institutit të Studimeve Diplomatike dhe të së Drejtës Ndërkombëtare “Faik dhe Mehmet Konica”, i financuar nga biznesmenë atdhetarë shqiptarë. Normalisht Instituti duhet të ngrihej në Tiranë, por nuk ka pse të mos ngrihej edhe në Korçë apo Leskovik, pra diku afër vendlindjes së tyre, çka do të rigjallëronte këtë rajon të rëndësishëm të vendit. Natyrisht që aty mund të investojë edhe shteti, për shembull deri në masën 49%, gjithnjë duke ruajtur pavarësinë e akademike të institucionit. Interesi kombëtar dhe rigjetja e dinjitetit dhe vendit të merituar të Shqipërisë në Evropë dhe në botë do të ishin qëllimi i vetëm i këtij institucioni. Kjo është më se e domosdoshme edhe sepse fonde të shumta të dhëna deri tani jo përherë shkojnë në projekte që i përshtaten vendit apo jo gjithmonë financojnë studime a modele që përputhen me interesat e tij. Me të vërtetë, nën sloganet e integrimit apo të globalizmit janë importuar në vend modele parlamentarizmi apo decentralizimi që, në fakt, e kanë shfytyruar demokracinë shqiptare duke e xhveshur atë nga vlerat themelore të demokracisë reale dhe përfaqësueshmërisë së mirëfilltë në rrafsh qendror dhe vendor. Eshtë fakt, për shembull, që asnjë Institut apo OJQ e specializuar nuk u angazhua në debatin e mprehtë lidhur me Marrëveshjen detare Shqipëri – Greqi, të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës.
Instituti Vëllezërit Konicado të ishte qendër e rëndësishme studimore e akademike ku do të analizoheshin dhe ofroheshin zgjidhje për problemet më të mprehta për të tashmen dhe të ardhmen e vendit mbështetur në botëkuptimin atdhetar dhe perëndimor të Faik dhe Mehmet Konicës.Kujtimi dhe ndihmesa e jashtëzakonshme teorike dhe dokumentare e Konicajve në interes të Shqipërisë në fushat e diplomacisë, historisë, së drejtës ndërkombëtare, marrëdhënieve ndërkombëtare, e të tjera jo vetëm që meriton të studiohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshme, por mund të shërbejë edhe si model për orientimin në situatat e ngatërruara tê së sotmes dhe së ardhmes. Prandaj Instituti do të ishte jo vetëm një qendër moderne arkivore, ku të mblidheshin dhe depozitoheshin letrat dhe arkivat jo vetëm të Konicajve, por edhe të personaliteteve të tjera të kombit shqiptar, por do të ishte një qendër studimore e nivelit më të lartë shkencor që do të kristalizonte platformat dhe mendimin shkencor vizionar për të ardhmen e vendit, dhe njëkohësisht do të neutralizonte orientimet oportuniste dhe konformiste që vërehen sot e gjithë ditën në Tiranë.

Milosao
 
Faik Konica.





Këshilla një gazetari






I dashur mik - në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s'fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s'është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s'këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je "hamall" e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s'është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është "çervish".
Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s'është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t'a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s'je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t'a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s'qënke shqiptarë i vërtetë.
Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.

-----------------------------------------------------
(Faik Konica boton në të përkohshmen "Albania" më 15 shtator 1901, këshillat pasonjëse për një djalë që kish ndërmend të botonte një gazetë shqip në Misir.)
 
Përgjigje e: Faik Konica

Letërkëmbimi mes gjenive
Athanas Tashko i kundrapërgjigjet Faik Konicës

F. Konica
"Po të më pyeste njeri ç'ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të me lutej të përgjigjem shkurt e mirë, në katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, - do t'i thosha: popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel Dekalogun (urdhëra të cilat gjenden edhe në Bibël edhe në Kur'an - I.B.), ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut: popuj të egër janë ata që s'njohin asnjë rregull të këtillë...
Do të ma presë njeri fjalën dhe do të më thotë: pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, a nuk ka për ditë vrasje, vjedhje e njëqind të liga të tjera? -
Përgjigjem: padyshim ka dhe do të ketë kurdoherë, këtë s'e mohon njeri. Po vëni re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të shtruara e të qytetëruara krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; secili i ndihmon policisë që ta zërë; edhe në qoftë se shpëton keqbërësi nga të mospaturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për ta ftohur e për ta larguar botën. Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t'i bëjnë udhë kur ik, e fshehin nga i vet-thëni gjyq, nëse i teket ndonjë të vetë-thëni polic sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i 'mendur për të marrë anën e kanunit/ligjit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë: kur i dëgjohet emri në një sallon a mbi udhë, njerëzve u ngjethet mishi dhe u vjen neveri; në qendrat e diturisë e shikojnë si një shpellë kafshësh të egra ku s'është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie; në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull i cili s'ka ditur qe më tepër se dy mijë vjet vetëm se të derdhë gjak dhe s'njeh tjetër zanat veç vrasjes. Të tilla fjalë janë thënë mijëra vjet me gojë dhe me pendë...
Për cilin vend dhe për cilin popull flas do ta kuptoni menjëherë kur t'ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Evropë...
Kur m'u poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar ishte një problem moral.
Me fjalë të tjera, kuptova se ky popull që të shpëtojë ka nevojë, më parë se çdo gjë tjetër, t'i stërvitet e t'i lartësohet karakteri e t'i spastrohet zemra..."

A. Tashko
“Në orë të mira shkruan shumë bukur dhe i shërben çështjes sonë kombëtare, por në realitet zotrote një herë në mot shkruan për të gëzuar zemrat tona dhe nëntëdhjetë e nëndë për t’i ftohur. Zotrote, kërkon që të mos ketë në botë tjatrë shkrimtar, gazetar, politikan ose kryetar përveç teje. Mirëpo shqiptarët nuk duan kështu e në qoftë se ajo do të bënet nga një Faik, për një Faik e me një Faik... kurrë mos u bëftë!

Mblith mendjen, pra, o zotëri se na plase shpirtin.

Na plase zemrën sepse nuk ke lënë gjë pa sharë, të duruam shumë, por që tani e tutje, nuku do të durojmë se nuku durohesh.”
 
Back
Top