• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Ismail Kadare

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania




Lindi ne Gjirokaster ne vitin 1936. Eshte Shkrimtari shqiptar më i famshëm në botë dhe njëkohësisht shkrimtari më i lexuar në Shqipëri. Romancier, poet dhe eseist i shkëlqyer, është gjithashtu autori shqiptar më i ekranizuar dhe më i dramatizuar.
Fëmijërinë e kaloi në qytetin e lindjes, ku kreu edhe gjimnazin. Më pas studioi letërsi në Universitetin e Tiranës dhe Institutin “Gorki”, në Moskë. Studimet i ndërpreu për shkak të krizës politike ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik.
Fillimisht punoi si redaktor në gazetën “Drita”, më pas drejtoi revistën “Les letres albanaises”. Prej gati njëzet vjetësh është shkrimtar në profesion të lirë.
Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ‘60. Në tetor 1990, dy muaj para rënies së shtetit diktatorial, Kadare u largua së bashku me familjen në Paris, por mbajti lidhje të ngushta me Shqipërinë. Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, që bëri histori prej prehistorisë. Pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë.
Për shumicën e shqiptarëve, Ismail Kadare është një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare dhe ambasadori më i mirë i saj në botë. Është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale.
Vepra e tij është përkthyer në 32 gjuhë të huaja duke arritur kështu një rekord të përhapjes në tërë botën e qytetëruar.
Kadareja qysh në vitet ‘60 shënoi një kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.
E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori.
Ndërkohë, një pjesë e mirë e veprave të tij janë xhiruar film, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Të tillë janë “Përse bie kjo daulle” (P. Milkani) sipas romanit “Dasma”, “Radiostacioni” (R. Ljarja) sipas romanit “Nëntori i një kryeqyteti”, “Ballë për ballë” (P. Milkani, K. Çashku) sipas romanit “Dimri i madh”, “Të paftuarit” (K. Çashku) dhe “Prilli i thyer” (L. Begeja) sipas romanit “Prilli i thyer”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (P. Mani, V. Prifti), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (L. Tovoli) dhe “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (Dh. Anagnosti), “Emblema e dikurshme” (Y. Pepo).
Po kaq i madh ka qenë edhe interesimi i regjisorëve të teatrit, duke filluar me “Gjeneralin i ushtrisë së vdekur” (dramatizuar në dy versione, nga P. Mani e S. Fanku), për të vazhduar me “Natë me hënë” (E. Budina), “Kush e solli Doruntinën” (E. Budina, P. Mani), “Krushqit janë të ngrirë” (P. Mani), “Ëndrra e një nate dimri” (A. Bora).
Vetë Kadare ka shkruar vetëm tre vepra origjinale, dramën e parë “Kështjella dhe helmi” (1977), libretin për balet “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë” (1987) dhe, së fundi, dramën “Stinë e mërzitshme në Olimp” (2002).
Ne vitin 2005, Kadare nderohet me çmimin prestigjioz "Man Booker International Prize" (Çmimi Ndërkombëtar për Shkrimtarin më të Mirë).
ANG


Kanë thënë për Kadarenë

Proza e Ismail Kadaresë është krahasuar me atë të Gabriel Garcia Marquez-it. Sigurisht, që ai indukton të njëjtën ironi tek lexuesit me anë të këndvështrimit magjik të jetës së një fëmije që është shumë më i madh sesa i të rriturve. ( Leonie Caldecott / The New York Times Book )

Një mjeshtër i tregimit. Ai ka aftësi ashtu si Isak Dinesens për të krijuar një atmosferë shumë të largët në tregime që nuk kanë kohë. ( Chicago Tribune )

Prilli i thyer, një raport fantazmë i shpërthimit të hakmarrjes në Shqipërinë Veriore ndërmjet luftërave, është një nga kulmet e karrierës së Kadaresë. Romani përshkruan një “burg” të pritjes përpara vdekjes së mirëpritur dhe të pashmangëshme. Një fatalizëm të tillë dhe kod të nderit nuk mund të kishte zgjedhur në mënyrë kaq të saktë shkrimtari. ( Andrew Sinclair / The Times )

Përshkrimi i gjallë i një bote të mbushur me koincidenca dhe intriga të pazakonta, e vendos atë në romanet e kategorisë së parë të Elias Canettit Auto da Fe dhe Paul Auster Music of Chance.
( Bruce Bawer / Wall Street Journal)

Kadare e hedh metaforën e tij për burokracinë totalitare me shkëlqim dhe saktësi të madhe.
( Robin Smyth /Observer )

Kadare shkruan në një përmasë krejt të ndryshme nga realizmi profetik i George Orwell-it dhe Arthur Koestler-it, dhe, ndoshta, më errët sesa fantazia profetike e Franz Kafkës. Ai ka dhuntinë e të shkruarit me parabola të një peshe të madhe, në tonet më të lehta.
( Richard Eder / Los Angelos Times Book Review )
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Gjuha Shqipe

Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S'i muar, që s'i muar.

Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.

Kur panë se gjuhës
S'i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash...

Në përçartje ta kthenin
Në delir në jerm,
Ishin vite të rënda,
Ishin shekuj plot helm.

Të të bënin ty, donin
Shqipëri memece,
Po ja erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.

Dorën e zbehtë
Mbi ballë të vuri,
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.

Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.

Kjo gjuhë, që provoi
Akrepët e shkretëtirës,
Ç'do të thotë përçartje
E di, oh, e di mirë.
E di ç'do të thotë

Kllapi hermetizëm,
Qoftë e ardhur nga Roma,
Qoftë e ardhur nga Parisi.

Kjo gjuhë martire,
Lehonë e përjetshme
Që lindi mes dhimbjesh
Art të pavdekshëm.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Kinema e Vjetër


Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Ku prej kohësh më s'lozin filma të përsëritur,
Ku s'bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget,
Ku në pushimet e seancave
S'shesin kikirikë.
Ekrani me njolla,
Megafonët prishur,
Stolat janë boshe si radhë të pashkruara;
Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur
Nga dera e vështroj
Plot mall e i menduar.
Kinema e fëminisë,
Kinema e rrëmujës,
Kam parë aq vende,
Kam parë aq salla,
Por n'asnjë prej tyre s'kam hyrë me aq bujë,
Sa tek ti,
E shtrenjta barakë,
E rralla!
Më mirë asgjëkund veten s'e kam ndier,
As në sallat luksoze me kadife që shndrit,
Megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
Kurse tek ti vija
Me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
Të mbledhura me mundim paret,
Tingulli i gëzuar në biletari,
Afishet tek xhamia
Dhe tek Qafë e Pazarit
Të shkruara nga vetë portieri Qani.

Për të njëjtin film tek njëra afishe
Shkruhej titulli ndryshe,
Te tjetra.
Por kjo asnjeriu punë s'i prishte.

T'i falnin ty të gjitha,
E dashura,
E vjetra.

Në atë copë ekran,
Për herë të parë,
Një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrore.

Bota fund s'kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna.

Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
Kish të tillë dritë,
Që nuk e patën kurrë
Më të ndriturat ekrane.

Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola ku janë ulur varg
Ditët e fëminisë,
Cicëronjëse gjithmonë
Si një rresht zogjsh
Mbi një tel telefoni.

Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur.
Në çdo moshë që të hyj,
Në çdo vend që të vete
Si hamall këto stole
Do t'i marr me vete.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Kristal


Ka kohë që s'shihemi dhe ndiej
Si të harroj unë, dalngadal,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka

Tani kërkoj unë posht' e lart
Një vend ku ty të të lëshoj.
Një strofë, notë a një brilant
Ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s'të pranoftë asnjë varr
Asnjë mermer a morg-kristal.
Mos duhet vallë prap të të mbart
Gjysëm të vdekur, gjysmë të gjallë?

Në s'gjetsha hon ku të të hedh
Të gjej një fushë a një lulnajë
Ku butësisht porsi polen
Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e t'ik pa kthim
Dhe nuk do të dimë as ne, askush
Harrim ish ky, a s'ish harrim.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Ky Dimër


Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pafund.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
I mpirë është gëzimi, thua s'ngjallet dot.
Apo si ai q'u dergj nga një lëngatë e gjatë.
S'do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?

Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i ftohtë ish.
Në pusin e ndërgjegjjes mezi ndihen
Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish.
Ato gjithashtu vdiqën, dot s'i ngjall,
Sa gjëra u vyshkën, më e keqe se vetë vdekja
Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.

Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pashpresë ish.
Kinezët që s'duken më në udhëkryqë rrugësh
Por vetë ata s'kanë vdekur: qelqe dritaresh
Të stilit q'ata sollën vezullojnë ngriraz
Duke dërguar ftohtësinë e tyre
Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh

Sa kohë vallë do ti duhet
Genit të racës atë maskë të shpëlajë.
Apo në luftën e maskës me lëkurën
Maska do të fitojë më në fund?

Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i acartë ish,
Mbi varrin e tiranit monoton
Shiu po bie.
Ka gjumë a s'ka nën dhè?

Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i vrerosur ish.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
Nën pluhur tempujsh,
i lodhur shpirti im.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Mall


Ca pika shiu ranë mbi qelq.
Për ty unë befas ndjeva mall.
Jetojmë të dy në një qytet,
Dhe rrallë shihemi sa rrallë.

Edhe m'u duk pak e çuditshme
Si erdh kjo vjeshtë, ky mëngjes.
Qiejt e ngrysur pa lejlekë
Dhe shirat pa ylber në mes.

Dhe thënia e vjetër e Heraklitit
Seç m'u kujtua sot për dreq:
"Të zgjuarit janë bashkë në botë,
Kurse të fjeturit janë veç".

Në ç'ënderr kemi rënë kaq keq,
Që dot s'po zgjohemi vallë?...
Ca pika shiu ranë mbi qelq
Dhe unë për ty seç ndjeva mall
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Varri

Jashtë ngrenë, piramidën e turpit
Me ulërima, brohoritje, thirravaj.
Dritaret unë i mbylla trishtueshëm,
Të mos hyjë zhurmë e tokës, pluhuri i saj.

Shkretëtirë grimcash, parrullash.
Saharë plenumesh. Të kërcet
Në dhëmbë kuarci i frazave,
Të vdekura qysh nga viti '40.

Jashtë ngrenë piramidën e turpit
Të murtajës, të hoxhës së zi.
Ndërsa unë pranë oxhakut të studios
i vetëm mbi varrin e tij.

I thellë ky varr duhet të jetë
Që piramidën ta gëlltisë krejt,
Që prej gropës së tij të mos dalë
As hoxha, as fantazma e vet.

Mih e gërmo ditë e natë
Thellohu kon dantesk.
Me emrin varrmihës do ta nderroja
Prej kohësh emrin poet.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Ti qave

Ti qave dhe më the me zë të ulët
Se unë të trajtoja si prostitutë.
Athere lotëve të tu s'ua vura veshin
Të desha, pa e ditur se të desha.

Veç një mëngjes të beftë kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazët m'u duk,
Athere kuptova ç'kisha humbur,
Ç'kisha fituar kuptova gjithashtu.

Më rrezëllinte si smerald mërzija,
Dhe lumturia ngrysej si një muzg me re...
Nuk dija kë të zgjidhja nga të dyja
Sepse secila m'e bukur se tjetra qè.

Se ish i tillë ky koleksion bizhush
Që dritë e terr lëshonte njëkohësisht,
Që njëqindfish etjen për jetën shtonte,
Por dhe që vdekjen ndillte njëqindfish.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Malli i Shqipërisë

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë
Sonte, kur po kthehesha me autobuz,
Tymi i cigares "Partizani" që pinte dikush
Dridhej, kaltëronte bënte spirale,
Sikur të fshehta më thosh me gjuhën e shqiptarëve
Mua bashkëatdhetarit

Të shikoj dua mbrëmjes në rrugët e Tiranës,
Ku kam bërë dikur ndonjë marrëzi.
Dhe në rrugët ku s'kam bërë marrëzi.
Me njohin ato porta të vjetra të drunjta,
Inatin akoma do ta mbajnë,
Kokën do ta tundin,
Po unë s'do ta marr për keq,
Se malli më ka marrë.

Dhe t'eci rrugicave plot gjethe të thara
Gjethe të thara gjethe vjeshte,
Për të cilat krahasimet gjenden aq lehtë.

Më ka marrë malli për Shqipërinë tonë;
Për atë qiell të madh, të gjerë e të thellë,
Për vrapin e kaltër të dallgëve adriatike
Për retë që në muzg si kështjella digjen,
Për alpet mjekërbardha e mjekërgjelbra,
Për netët e najlonta që nga flladet fërgëllojnë,
Për mjegullat që si indianë të kuq
muzgjeve shtegtojnë.

Për lokomotivat e kuajt,
Që të djersitur avullojnë e hungërojnë,
Për qiparisat, kopetë, e varret
Malli më ka marë, malli më ka marë,
për shqiptarët.

Më ka marë malli e së shpejti vij atje
Duke fluturuar mbi mjegullat si mbi dëshira,
Sa i largët, aq edhe i dashur je, Atdhe.

Aerodromi do të dridhet nga uturima
Mjegulla do të rrijë pezull mbi humnera.
Ata që shpikën shpejtësinë reaktive
Larg Atdheut sigurisht do të kenë qenë
ndonjëherë.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Në Parkun që e Mbuluan Fletët


Në parkun q'e mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q'e kan' mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s'e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s'kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s'kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti...
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Ti dhe Hëna

Kësaj nate me hënë të vjeshtës
Dola fushës të bredh kuturu
Retë shtuhen me vrap pa reshtur
Hëna duket aty-këtu

Porsi retë mendimet e mia
Po më shtyhen ndër mend më shpesh
dhe pas tyre gjithnjë gjendesh ti
si kjo hënë që duket mes resh.

Hëna shpejt do të zhduket dhe netët
do të mbeten pa të kurse ti
në ëndërrimet e mia përjetë
perëndim s'do të kesh kurrsesi.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Një Vajzë


Duke të puthur, pa të dashur
Në shpirt ai ty të plagoi
Buzëpërgjakur nga të kuqtë e tu,
si vrasës tinëz shkoi


Krenar që ty "të shtiu në dorë"
Gjith' shokëve emrin tënd ua tha.
Pranë gotës së birrës për ty folën
në park, të dielave ata.


Dhe ti e vetme mbete, bosh
mbenë sytë e ty në net bilbilash
Si sheshi i shkretë, ku posa ndodhi
Një katastrofë automobilash.


Tani kur shkon Rrugës së Dibrës
Ata me sy të ndjekin pas
Pataj me bërryl i bien shokut
"E sheh filanen? E ka pas..."


Dhe ti ul kokën shpejton hapin
T'arrish tek shoqja sa më shpejt
Të përsërisësh fjalët standart:
"Ah, njëlloj janë të tërë djemtë"


Të dyja t'ulura pranë radios
Do ndizni heshtur një cigare
tek supi i saj, nën fjalë lajmesh
një çast dremitja do të t'marrë


Dhe do të të çojë tek një rrugë tjetër
M'e gjerë, m'e bukur dhe më e re
Atje në sfond fabrikash, njerëzit
Nga kembët s'do të të venë re.


Atje ku t'ecësh midis turmash
Në një grup djemsh, ndoshta midis
Dikush me brryl do t'i bjerë shokut:
"E sheh filanen? Ishim miq..."
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Të Huaj Jemi

Të huaj jemi ne prej kohësh
Ç'ish për t'u thënë është thënë.
Si gurët që zënë vend në tokë
Një jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet
Si dy qytete mesjetarë
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën kur i lodhur truri
Portat i Mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh mbrenda
Një shteg që vetëm ti e di.

Futesh dhe si n'rrugica parqesh
Shetit mes cirkonvolucionesh.
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Po kur mëngjesi zë ofrohet
Nis shqetësohesh befas ti.
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prap jeta
Dhe ne të dy si dhe më parë
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetarë
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Monolog

Ne naten plot acar nje zjarr desha te ndez
Por, nata ish e ftohte, ah, ç’tmerr i zi qe ish
Ndaj qe te mbahej gjalle ky zjarr n’ate rrebesh
Diçka perhere kerkonte, kerkonte vazhdimisht

Ndaj si shtegtari murg, qe shkarpat mbledh net err
Une hidhja n’ ate zjarr gjymtyret pa pushim
Po ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht
Mbi te nisa te hedh copera te shpirtit tim

Se s’behej ndryshe, dot, se s’behej ndryshe, eh
Se duhej qe dikush ta mbante ate flake
Ne flakezen-delir qe veç vajesosja sjell
Te frikshme pamje ndritnin e dridheshin perqark

I shihnit valle ato, dallonit valle diçka
Ndersa rreth meje nata me terr e ujq u mbush
Se donin qe te gjithe ta fiknin ate zjarr
Dikush me ligesi e me padije dikush

Te tjere maje kodrash ku dielli kishte rene
Te tyret zjarre ndrisnin dhe qeshnin qe pertej
Se s’donin te kuptonin se c’behej ketu brenda
Se ç’fli kerkon nje flakez qe lindet ne nje terr

I lodhur nganjehere kam thene: shuhu pra
Ne qoftese nuk te duan, te bjere nate e pafund
Te verbtit syte tuaj keshtu ndoshta do t’ jene
Ne terrin absolute pa shqetesim kurrkund

Po prap diçka me shtynte te ngrihem si somnambul
Si murgu shkretimtar qe shkarpat verbtaz mbledh
Dhe siper zjarrit prap’ te hedh gjymtyret akull
Dhe coprat nje nga nje te shpirtit tim te hedh
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Kronikë në Gur

(fragment)

Ndërsa Japonia përgatitet t'i bjerë Indisë dhe Australisë. Gjyq. Përmbarim. Pronë. Thirret në gjyq për mosshlyerje borxhesh Gole Balloma nga lagjja Varosh. Ankandi i plaçkave të shtëpisë së L.Xuanos bëhet të dielën. U lëshuan fletarrestimi për plakat H.Z. dhe C.V të cilat akuzohen se kanë bërë magji . Lajmëroj lexuesit se shkaku që numri i kaluar i gazetës doli i dobët dhe me gabime ishte se kam qenë sëmurë nga stomaku. Kryeredaktori. Përjashtohen nga gjimnazi elementë të tjerë turbullues. Na kanë ardhur një numër ankesash nga prindërit për mësuesin Qani Kekezi. Sistemi pedagogjik i zotit Kekezi është me të vërtetë i babitshëm. Gjatë mësimit të anatomisë ky njeri ther mace në sytë e nxënësve, duke tmerruar kalamajtë e shkretë. Herën e fundit majia e masakruar i shpëtoí nga duart dhe u hodh sipër bankave të nxënësve me zorrët përjashta. Zojiusha Lejla Karllashi, vajza e pronarit të nderuar të fabrikës së lëkurëve Mak Karllasbit, u nis dje për në Itali. Përfitojmë nga ky rast për të dhënë orarin e nisjes së vaporëve të linjës Durrës-Bari. Adresat e mamive të qytetit. Çmimi i bukës. Lajmërime lindjesh, martesash, vdekjesh.

- Je dobësuar, - tha gjyshja, - Duhet të shkosh ca ditë te babazoti.
Më pëlqente shumë të shkoja mysafir te babazoti (kështu e thërrisnim gjyshin nga ana e nënës). Më pëlqente, se atje vendi ishte më i qeshur dhe më i butë dhe kryesorja se atje nuk kishte uri si në shtëpinë tonë. Në shtëpinë tonë të madhe, ndoshta nga shkaku i korridoreve, hajateve, musëndrave e kuberave, uria ndihej edhe më shumë. Veç kësaj lagja jonë ishte bojë hiri, me shtëpi të dendura, pothuaj të ngjitura me njëra-tjetrën. Këtu çdo gjë ishte e përcaktuar, e ngulur njëherë e përgjithmonë, qindra vjet më parë. Rrugët, kthesat, qoshet, pragjet e shtëpive, shtyllat e telefonit dhe gjithçka tjetër ishin si të derdhura në gur, në largësi të përcaktuara me centimetra nga njëra-tjetra. Kurse te babazoti çdo gjë ishte e butë dhe e ndryshme. Atje rrugët dhe rrugicat bënin sikur harronin vendin nga kalonin një javë më parë dhe qetë-qetë e pa bujë zhvendoseshin nga e majta apo nga e djathta. Kjo ndodhte, sepse atje asgjë nuk ishte shtruar me kalldrëm, por me tokë të shkrifët. Veç kësaj, toka këtu ishte e rrëshqitshme. Këtu vendi ishte si njeriu: shëndoshej, dobësohei, zbukurohej, vrenjtej, shëmtohej, sipas ndërrimit të stinëve. Kurse lagjja jonë ishte pothuaj indiferente ndaj këtij ndërrimi.
Në pjesën veriore të lagjes kalonte rruga e kalasë, që lidhte lagjet e sipërme të qytetit me qendrën. Rruga ishte shumë lart në krahasim me nivelin e çatisë së dy shtëpive të vetme të lagjes dhe njëherë një kamion që u rrëzua, dëmtoi rëndë hajatin e shtëpisë së babazotit. Nganjëherë qëllonte që rrëzohej ndonjë i pirë dhe çatia pikonte një javë rresht. Po këto ishin gjëra të rralla. Rruga kishte kalimtarë të paktë dhe herë pas here një i vetmuar, i panjohur këndonte me sa zë që kishte në pisk të vapës, tek kthehej nga pazari:

Shtatë sahati i natës
Të shkova te porta.
Zërin ta dëgjova, Meri
Thoshe "më dhemb koka".

Një Merjemeje i dhembte koka vazhdimisht në orën shtatë të mbrëmjes dhe ajo ankohej për këtë gjë. Ishte e thjeshtë, megjithatë më pëlqente shumë kjo këngë. Një këngë të tillë s'do të guxonte ta këndonte askush në lagjen tonë. Po të ndodhte kjo gjë, do të hapeshin përnjëherësh me dhjetëra dritare, gratë dhe plakat do të shkulnin faqet e do të mallkonin dhe më në fund dikush do t'i hidhte ujë guximtarit. Kurse këtu hapësira ishte e gjerë dhe e shkretë dhe mund ta ngrije zërin gjer në kupë të qiellit dhe prapë hapësira, nuk mbushej prej tij. S'ishte gjë e rastit që i panjohuri, porsa dilte në krye të rrugës, ia merrte kësaj kënge. Ai me siguri e bluante atë në kokë gjithë ditën, në pazar, në kafene, në qendër të qytetit dhe me siguri mezi ç'priste sa të dilte te kjo humbëtirë për ta lëshuar zërin sa kishte në kokë.

Në këtë lagje ishin të bukura dhe të pangjashme me asgjë sidomos mbrëmjet. Kur dëgjoja njerëzit që thoshin "mirëmbrëma!", menjëherë më shkonte mendja tek oborri i shtëpisë së babazotit, ku jevgjit, që banonin në odajashtën e shtëpisë, i binin violinës, ndërsa babazoti rrinte në shezlong dhe thithte çibukun e tij të madh e të zi. jevgjit, prej kohësh, nuk kishin me se ta paguanin qiranë e odajashtës dhe, me sa duket, këto koncerte në netët e verës plotësonin deri--diku detyrimin që ata kishin ndaj babazotit.
- Babazot, më dridh edhe mua një cigare, - i thosha me zë lutës dhe ai, pa më folur fare, dridhte një cigare të hollë, ma ndizte dhe ma jepte. Unë ulesha pranë tij dhe thithja me qejf të madh duhanin, pa u trubulluar nga shenjat kërcënuese që më bënin tezet dhe dajat nga gjysmerrësira.

Mendoja se nuk ka lumturi më të madhe në botë sesa, pasi të kesh ngrënë shumë, shumë, të pish duhan dhe të dëgjosh jevgjit, që i bien violinës, duke i mbyllur sytë përgjysmë, ashtu si babazoti.
Ah, sa të rritem, mendoja, të blej një çibuk të madh e të zi që të lëshojë tymin duman, të lë mjekër si të babazotit, dhe të lexoj gjithë ditën qitape të trasha, shtrirë në shezlong.
- Babazot, - i thosha me zë të zvargur, sikur të isha në ëndërr, a do të më mësosh edhe mua turqisht?
- Do të të mësoj, - më përgjigjej ai. - Sa të rritesh dhe ca dhe do të të mësoj.
Zëri i tij ishte i trashë dhe nanuritës dhe unë, i mbështetur pas shezlongut të tij, ëndërroja magjinë e duhanit dhe mundohesha të llogarisja me mendjen time se sa duhan do të më duhej për të pirë gjatë shumë vjetëve dhe sa qitape do të më duheshin për të lexuar, gjersa të më vinte koha për të vdekur.
Të gjitha këto po më vinin ndër mend në një mënyrë krejt të parregullt, ndërsa po lija prapa shtëpinë e artileristit plak Avdo Babaramo, e vetmja shtëpi që ngrihej rrëzë kalasë, dhe po zbrisja tatëpjetë bokërimave, nëpër rrugën e ngushtë, që përsëri kishte lëvizur. Copëra kujtimesh, gjysma frazash apo fjalësh, bishta ngjarjesh të parëndësishme, ndërprisnin njëra-tjetrën, shtyheshin, kapeshin për veshi apo për hunde me një gjallëri që shtohej bashkë me shpejtësinë e hapave të mi.

Ja dhe shtëpia e Suzanës. Porsa të merrte vesh që kisha ardhur, ajo do të dilte me vrap dhe do të vërtitej rreth shtëpisë së babazotit gjersa të më takonte. Në vërtitjen e saj kishte diçka prej fluture dhe prej lejleku njëkohësisht. Ajo ishte më e madhë se unë, e hollë, me flokë të gjatë, që i krihte vazhdimisht në mënyra të ndryshme dhe të gjithë thoshin se qe e bukur. Përveç asaj në lagjen e babazotit nuk kishte asnjë vajzë apo djalë tjetër të vogël. Prandaj Suzana gjithmonë priste me padurim ardhjen time. Ajo thoshte se mërzitej shumë midis të mëdhenjve. Ajo mërzitej në shtëpi duke qëndisur, mërzitej te çezma dhe mërzitej kur hante bukë. Ajo mërzitej në mesditë, mërzitej në mbrëmje, bile dhe në mëngjes. Me një fjalë mërzitej jashtëzakonisht. Këtë fjalë ajo e pëlqente shumë dhe e nxirrte nga goja me një kujdes të veçantë, sikur kishte frikë se mos e lëndonte padashur me dhëmbë apo me gjuhë...
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Përbindëshi



(fragment)


"Ti ke frikë?", i tha ai.
"S'di si të them", tha ajo. "Kur e pashë për herë të parë këtë kalë, një zë i brendshëm më tha: "Ky është kali yt i dasmës, Helenë. Ky kalë ka ardhur për ty".
"Po ti e di që s'është ashtu. Ti e di që ky kalë erdhi këtu për të gjithë ne".
" Në fatkeqësinë e përgjithshme unë kam pjesën time", tha ajo. "Nganjëherë trembem", vazhdoi me zë të ulët. " Trembem sidomos natën. Më duket sikur, atje larg në fushë, ai fillon papritur të lëvizë dhe të avitet ngadalë nën dritën e hënës me ato gjymtyrët e tij të ngathta vigane. Stuk-Stuk-Stuk, dëgjohen patkonjtë e tij prej druri".
"Sa budallaqe bëhesh", i tha ai duke qeshur. "S'bën mirë që e ushqen fantazinë me gjepura të tilla".
Helena psherëtiu.
"Ata duan të më marrin mua mbrapsht", tha ajo. "Të më heqin këndej, duke më zvaritur për flokësh".
"Mjaft, Helenë".
"Ti vetë the se në atë Kalë të Drunjtë është fshehur, midis të tjerëve, edhe ish-i fejuari im".
"Atje është gjithë vjetërsia e botës".
"E pra. Pandaj, nganjëherë, më duket se ai është kali im, që kërkon të më marrë".
"Mjaft, Helenë. Ky kalë nuk do të lëvizë kurrë asnjë hap. Do të kalbet e do të rrënohet në atë vend ku u ngrit. Sepse ai është një kalë prej druri dhe një kalë prej druri nuk mund të lëvizë kurrë vetë".
"Mund ta tërheqin", tha ajo.
"Ky rrezik ishte në fillim, atëherë kur njerëzit mund të gënjeheshin, të tërhiqeshin nga pamja e tij. Por kjo tashmë kaloi."
"Por ndoshta do të vijnë të tjerë njerëz, një tjetër brez që do t'i pëlqejë ta tërheqin kalin në qytet. Ç'do të ndodhë atëherë?". " Çdo brez përgjigjet kryesisht për fatin e tij dhe pastaj të pasardhësve të tij.
"Kurse ne... Oh, një piesë e jetës sonë do të kalojë me të, për të mos thënë e gjitha. Sa keq që ai u shfaq tamam tani, në kohën e njohjes sonë".
"Helenë, unë ta kam thënë... Kali do të kalbet aty në fushë".
"Po në qoftë se kjo vazhdon gjatë? Në qoftë se ai, me kalimin e viteve, bëhet pjesë e pandarë e horizontit, aq sa të vijë një ditë e ne të mos e kuptojmë dot horizontin pa të? Ai do t'i shtypte e do t'i bënte petë shpirtrat tanë".
"Ai do të rrënohet pa arritur ajo ditë".
"Do të rrënohet... Por kur do të ndodhë kjo?
Mos do të thuash pas tri-katër dekadash, atëherë kur ne do të jemi plakur dhe kohën më të bukur të jetës ta kemi kaluar nën terrorizimin e këtij përbindëshi? Sa keq që ai u shfaq pikërisht tani"
"Ndoshta po të mos qe shfaqur ai, ne të dy nuk do të ishim njohur".
Ajo ktheu kokën, duke kërkuar sytë e tij
"A s'kam të drejtë?", tha ai.
Ajo i vuri kokën në sup. Frymëmarrja e saj ishte e qetë. Herë-herë atij i dukej se brenda saj mezi ndihej një frymëmarrje tjetër, më e largët.
Befas ajo ktheu fytyrën nga ai. Sytë e saj duhej të ishin fare pranë, pothuajse ngjitur me sytë e tij si për ta kaluar pa humbje gjithçka.
"E sikur e gjithë kjo të mos jetë e vërtetë?" tha me zë të akullt.
" Çfarë? ç'gjë të mos jetë e vërtetë?", pyeti Genti.
"Gjithçka që na rrethon: Kali i Drunjtë, acarimi, rreziku. Sikur të gjitha këto të jenë të shpikura?"
"Të shpikura nga kush?", pyeti ai me zë të butë.
"Nuk e di", u përgjigj ajo nervoze. "Nuk e di as vetë. Ndoshta po flas marrëzira".
Ai ia lëmoi flokët qetësisht, duke u përpjekur t'ia mbështesë kokën te supi i tij.
"Ti më ke thënë se të vjetrit dyshonin shpesh për pamjet që kishin përpara. Madje, e mbaj mend, më ke treguar se qe dyshuar pikërisht edhe për Helenën".
"Ah, po. Ka një motiv të tillë të poetit të vjetër: që në Trojë s'kishte mbërritur Helena, por shëmbëlltyra e saj".
"Pikërisht".
"Por kjo mund të shpjegohet njëfarësoj", vazhdoi ai. "Grekët e kishin kërkuar të ikurën disa herë, përpara se Paridi të mbërrinte bashkë me të në Trojë. Ngaqë kishte frikë nga i ati mbret, për proçkën që kishte bërë, Paridi qe vërtitur një kohë të gjatë andej-këndej me Helenën". - Ndërsa fliste, atij iu kujtuan dy ditët e tyre në hotelin e trishtë provincial, në kohën që babai i Gentit kishte marrë ndërkaq telegramin e parë kërcënues. - "Ishte e kuptueshme që të dërguarve grekë, të cilët kërkonin kthimin e mbretëreshës së ikur, trojanët t'u përgjigjeshin madje, tepër sinqerisht: A jeni në vete, apo shikoni ëndrra me sy hapur?! Nuk ka mbërritur asnjë Helenë këtu, veç në ka ardhur hija e saj."
Ajo qeshi.
"Nuk m'i ke thënë ndonjëherë këto hollësi. E pastaj?"
"Pastai Helena mbërriti vërtet. Por thashethemet për të, qënë përhapur ndërkaq kaq shumë (në mejhane trojanët e thjeshtë shumë herë do të kenë folur me njëri-tjetrin. More, flitet se princi ynë ka rrëmbyer një mbretëreshë greke, të jetë e vërtetë thua? Profka, do të jetë përgjigjur tjetri, shpifje dashakeqëse nga ata që duan të hedhin baltë kundër shtetit!), pra kjo bisedë ishte bërë kaq shumë, saqë edhe kur Helena erdhi vërtet, diçka nga shija e mëparshme mbeti".
"Zbavitëse", tha ajo. Pastaj psherëtiu. "Në gjithë ngjarjet e vjetra ka gjithmonë një anë të këndshme. Veç kur dëgjoj për Kalin prej Druri, unë ngrij e gjitha. Atje mbaron çdo dritë dhe nis tmerri. Ndërsa ti fllsje pak më parë, unë mendoja: nga ç'zona të pashpresa kishte dalë vallë ai kali i zi?"
Ai vazhdonte t'i përkëdhelte flokët, kurse në sy rrekej të gjente njollën e errët në horizont.

Përse i le gërtnadhat e Lionit, ç'kërkon që midis kohërave të tjera endesh si sonambul? S'të mjaftuan zjarret, tempujt, klithmat e Trojës?
Përbindësh! Me mish qytetesh u mësove.
I kishte lexuar gjëkundi këto vargje apo ato ishin krijuar vetvetiu në ndërgjegjen e tij, si shtresa e myshkut në faqen e një muri?
"Jo, Helenë, tha ai. Nga asnjë mit dhe nga asnjë gropë kohërash nuk doli ky kalë. Ai u poll në kohën tonë, vetëm formën e huajti andej, sepse format janë zakonisht ato që merren hua".
"U bë shumë vonë", tha ajo.
- U bë vonë, - tha Lena. - Rojtari i konviktit përsëri do të bëjë fjalë. Eja të ikim.
U ngritën nga stoli, dolën gjer te xhadeja dhe ecën të përqafuar. Tani i kishin kthyer shpinën fushës dhe hijet e tyre të sajuara nga hëna zgjateshin e lodronin tutje në asfaltin e zi, sikur të mos kishin asnjë lidhje me ta.
Kur hynë në qytet, rrugët ishin fare të boshatisura. Një polic, mbështjellë me mushama të zezë, pinte cigare përpara portës së një arnbasade. Diku thellë, nga ca rrugë anësore, dëgjoheshin zëra.
- Po dalin fshesaxhlnjtë, - tha ai. - Me siguri është mesnatë.
Më tutje, një grup i vogël njerëzish, që ndoshta ktheheshin nga ndonjë darkë, po ndaheshin me njëri-tjetrin gëzueshëm. Qysh tani Gent Ruvina po mendonte frazat e para të kapitullit të ri të librit, dhe të giitha ato, kushedi pse, ndoshta për arsye të zërave të fshesaxhjnjve apo darkëtarëve që po ndaheshin, kishin brenda tyre fjalë të tílla si "Natën e mirë" ose "Mirëmbrëma", apo formula përshëndetjeje të ngjashme.

Fjalori i figurave të grave në veprën e Kadaresë mund të përmblidhet me dy fjalë: midis Helenës dhe Penelopës. Në kuptimin përtej-simbolik kjo do të thotë: midis kultit të bukurisë dhe të aventurës, të shprehur në mitin e Helenës, dhe kultit të devotshmërisë, të besnikërisë dhe të pritjes së rikthimit, që shprehet në mitin e Penelopës.
Këto dy mite e kulte qysh në antikitet qëndrojnë përkrah njëri-tjetrit, sikurse kulti i Akilit dhe ai i Odiseut, gjegjësisht si kulte të fuqisë së shpatës dhe të mendjes.
Midis kultit të Helenës dhe atij të Penelopës në veprën e Kadaresë gjendet një galeri e tërë personazhesh gra, që plotësojnë gjithë spektrin, ndonëse ky spektër rnbetet po aq fluid sa në harkun e një ylberi.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur


(fragment)

Në hotel "Dajti" gjenerali e ndjeu veten mirë. Ai shkoi në dhomën e tij dhe ndërroi uniformën. Pastaj zbriti në holl dhe porositi një bisedim telefonik me shtëpinë.
Gjenerali, prifti dhe tre shqipëtarët u ulën në një tavolinë. Ata biseduan për gjëra të ndryshme dhe të parëndësishme. U shmangeshin bisedave politlke dhe shoqërore. Gjenerali ishte shumë serioz dhe i sjellshëm. Prifti fliste pak. Gjenerali dha të kuptonte se ai ishte kryesori, megjithëse prifti fliste më pak. Ai foli për traditat e bukura që ka krijuar njerëzimi në lidhje me varrimin e ushtarëve. Përmendi grekët e trojanët, që varrosnin njerëzit me aq madhështi në pushimet midis luftërave. Ai ishte shumë entuziast për misionin e tij. Do ta kryente shumë mirë këtë mision të rëndë dhe të shenjtë. Mijëra nëna prisnin bijtë e tyre. Ato kishin njëzet e ca vjet që prisnin. është e vërtetë se kjo pritje ndryshonte pak nga ajo pritja tjetër, kur ato shpresonin, t'u ktheheshin të gjallë bijtë e tyre, por, sidoqoftë, edhe të vdekurit priten. Ai do t'u çonte nënave eshtrat e bijve të tyre, që gjeneralët budallenj nuk ditën të udhëhiqnin në luftë. Ai ishte krenar për këtë. Ai do të bënte çmos.
- Zoti gjeneral, telefoni... Gjenerali u ngrit plot gjallëri. - Më falni, zotërinj. - Me hapa të gjatë dhe madhështorë shkoi në portinerinë e hotelit.

Po aq madhështor u kthye. Shkëlqente i tëri. Në tryezë pinin konjak dhe kafe. Biseda ishte më e ngrohtë. Gjenerali përsëri dha të kuptohej se ai ishte kryesori në këtë mision, sepse prifti, megjithëse kishte gradën kolonel, në këtë rast ishte vetëm një përfaqësues shpirtëror. Ai ishte kryesori dhe mund të hapte çfarë bisede që të donte: për konjakët, kryeqytetet, cigaret. E ndiente veten shumë mirë në këtë sallon hoteli, me këto perde të rënda, me këtë muzikë të huaj, bile, më tepër se të huaj. Ai u habit dhe vetë nga i erdhi kështu papritur kjo dashuri për konfortin, për të gjitha objektet që shikonte rreth e rrotull në sallonin e hotelit, duke filluar nga kolltukët e rehatshëm e gjer te zhurma e këndshme që bënte makina e ekspresit të kafes. Më tepër se dashuri, ndoshta ishte një ndjenjë malli e parakohshme për diçka që e ndiente se do ta braktiste për një kohë të gjatë.

Gjenerali ishte i gëzuar. Shumë i gëzuar. As vetë nuk e dinte përse i erdhi kjo valë gëzimi e papritur. Ky ishte gëzimi i udhëtarit që gjen një strehë pas një udhe të rrezikshme në mot të keq. Ajo gota e vogël e verdhë e konjakut nisi t'i dëbonte përherë e më shumë pamjen e irnosur e kërcënuese të maleve, që edhe tani në tavolinë e shqetësonte herë pas here. "Si një shpend krenar i vetmuar... " Befas e ndjeu veten tepër të fuqishëm. Trupat e dhjetëra mijëra ushtarëve, të futur në tokë, pritën kaq vjet ardhjen e tij dhe ja, ai erdhi që t'i ngrinte ara nga balta dhe t'ua kthente prindërve dhe të afërmve. Ai erdhi si një Krisht i ri, i pajisur me harta, lista dhe shënime të pagabueshme. Gjeneralët e tjerë i udhëhoqën këto kolona të pafundme ushtarësh drejt disfatave dhe asgjësimit, kurse ai erdhi që t'ua shkëpuste harrimit dhe vdekjes atë diçka që kishte mbetur prej tyre. Ai do të endej varrezë më varrezë, kudo, mbi ish-fushat e luftëtarëve, me qëlllm që t'i gjente të gjithë të zhdukurit dhe të humburit. Në luftën e tij me baltën nuk do të njihte disfatë, sepse ai ishte pajisur me forcën magjike të statistikave të përpikta.
Ai përfaqësonte një vend të madh e të qytetëruar dhe prandaj puna e tij do të ishte madhështore. Në punën e tij kishte diçka nga madhështia e grekëve dhe e trojanëve, diçka nga funeralet homerike. O, si do të mbeteshin me gojë hapur shqiptarët, që mbanin kaq shumë ombrella në duar.
Gjenerali ktheu edhe një gotë. Dhe që atë natë e tutje, çdo ditë, çdo mbrëmje, atje larg në vendin e tij, të gjitha ata që prisnin, do të thoshin për të: Ai tani kërkon. Ne shkojmë nëpër kinema, në restorante, në kafe, ndërsa ai i bie kryq e tërthor tokës së huaj dhe kërkon. Kërkon, hap varre. Oh, punë të rënda ka, por ai do të dijë t'ia dalë mbanë. Jo më kot dërguan atë. Zoti e ndihmoftë!
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Qyteti pa Reklama (Kreu XV)

Më në fund, pas tri ditë grindjesh, ku u përpoqën si në duel filozofira, botëkuptime, perceptime të botës, moralë të vjetër e të rinj, citate të marra andej-këndej, pas ca dyshimesh e lëkundjesh, Gjoni me Mentorin e mposhtën Eugjenin kokëfortë. Erdhi, më në fund, ajo mbasdite e dëshiruar, kur u mblodhën në dhomën e Gjonit për të biseduar konkretisht për punën që do të bënin. Përpara kishin për të zgjidhur disa probleme: e para, të përcaktonin përmbajtjen e tekstit fals dhe vjetërsinë e tij. Nga këto varej një pjesë e vlerës së dokumentit. E dyta, duhej rindërtuar me kujdes gjuha e vjetër e tekstit në bazë të lidhjeve të gramatikës historike. Kjo i përkiste kryesisht Gjonit. E treta, ishte, si të thuash, zgjidhja teknike e problemit, domethënë shkrimi i tekstit me ngjyrë speciale dhe një nga punët më të vështira: vjetërsimi artificial i letrës ku do shkruhej teksti. Këto të fundit i përkisnin Mentorit, si kimist.
-E, si thoni shokë, a do të krijojmë (Gjoni nuk donte të përdorte fjalën "falsifikojmë") ndonjë dokument që dihet i humbur apo ndonjë dokument të panjohur fare? Kryesorja është që të ketë vlerë, të krijojë diskutime dhe interes.
-Po ja, për shembull, sikur të krijojmë letrën e humbur të murgut Brokhard, që vërteton se shqipja ishte shkruar qysh në shekullin XIV, - tha Mentori.
-Si shumë e guximshme, - vërejti Evgjeni, - si thua Gjon, ty të kemi kryetar.
-Kjo është e pamundur. E para, se letra e murgut Brokhard është shkruar në gjermanishten e vjetër, kështu që duhet rindërtuar një gotishte që edhe gjermanët vetë e kanë të vështirë. E dyta, dhe kryesorja, është se letra e tij ishte një raport papës apo perandorit, s'e mbaj mend mirë, i cili duhej gjetur në arkivat e tyre. Sepse, fundja, s'ishte veçse një kalimtar në Shqipëri. Kështu që do të nuhatej menjëherë hileja.
-Më mirë ta bëjmë vetë. Ç'na duhet të fusim hundët tek të tjerët. Po sikur të gjendet pastaj letra e murgut?
Të tre qeshën me fjalët e poetit.
-Unë mendoj kështu, - tha Gjoni. - Krijojmë një dokument, ku të vërtetohet teza e kryetarit të Akademisë së Shkencave, se toskërishtja është shkruar përpara gegërishtes. Me këtë rast dokumenti do të ketë vlerë më të madhe, sepse pohon tezën e kryetarit dhe jeta na mëson që me të mëdhenjtë duhet ta kemi gjithmonë mirë. - Fjalët e fundit i tha me të qeshur.
-I ke rënë në të, - tundi kokën Mentori.
-Dhe do ta hedhim në baltë profesorin O.B. në lidhje me ca forma të participit të shqipes së vjetër. Në dokument vemë ca forma, që vërtetojnë të kundërtën e tezës së tij.
-Ah, jo, jo, veç mos ketë larje llogarish personale, Gjon, - ndërhyri Mentori. - Më duket se të ka kthyer tri herë në provim dhe...
-Bah, - kundërshtoi Gjoni, - për mua fatet e gjuhës shqipe janë më lart se çdo ambicje personale.
Eugjeni qeshi me vete. Dhe Mentori qeshi me mend.
-Po mirë, - pyeti ky i fundit, - ç'përmbajtje do t'i vemë dokumentit, ti the se vlera varet nga përmbajtja gjer në njëfarë shkalle.
-Pikërisht për këtë duhet menduar mirë. Ah, prisni, më duket se e gjeta, për nder, e gjeta, - thërriti Gjoni. - Gjeta kyçin, dëgjomëni, me një gur vrasim dy zogj, lere se ç'do vejë. Oho, qejf i madh.
-Po nxirre, të shkretën.
-Gjithë vlera e dokumentit, përveç lavdisë që do t'i japë kryetarit të Akademisë, do të qëndrojë në faktin që ky do jetë dokument jo fetar, siç janë të gjitha dokumentet e vjetra të shqipes, por laik. Kështu që do të dalë se dokumenti i parë i shqipes së shkruar është laik. Kjo ka domethënie të madhe, më kuptoni? Kurse nga ana politike, është ideale fare.
-S'e ke keq, tha Mentori, veçse ca e guximshme.
-Ama do bëjë furore, ë?
-Do bëjë që ç'ke me të.
-Komedi do jetë sikur të fusim atje ndonjë aluzion për luftë klasash, atëherë do çmenden të tërë në Akademi, propozoi Eugjeni.
-Ç'ne, - kundërshtoi Gjoni. - Kjo do bjerë erë, pastaj. Unë mendoj të bëjmë kështu... megjithëse ti Eugjen na dhe një mendim të shkëlqyer. Dëgjoni, ne do të bëjmë një tekst, ku fshatarët e një fshati i luten kishës që, për arësye të zisë së bukës, t'i falë të dhjetat. Me këtë rast, kush është i etur, do të gjejë një fije luftë klasash.
-O, s'ka nevojë, ata do nxjerrin pastaj dhjamë nga pleshti. Për këtë janë mjeshtër.
-Unë them t'i vëmë datën... ta zëmë 1387, domethënë shumë vjet përpara formulës së pagëzimit.
-Në rregull fare.
Gjoni ishte skuqur pak nga dehja. Edhe të tjerët ishin të gëzuar. Të fillojmë sa më parë, sa më parë. Detyra kryesore i përkiste Gjonit dhe Mentorit. I pari duhej të studionte seriozisht shumë gjëra, të rilexonte leksionet e gramatikës historike dhe të latinishtes dhe tekstet e vjetra toskërisht. Kurse Mentori do të merrej me formula kimike për të përgatitur tretësirat e duhura. S'ishte e lehtë të krijoje letër të bërë me bojë 500-vjeçare.
-Po unë? - pyeti Eugjeni, - inspektor do të jem?
-More me tërë mend, sikur Eugjeni të krijojë ndonjë gjë, si të thuash, rezervë për çdo rast. Hë, ndonjë vjershë, bejte apo lutje fetare.
-Punë e bukur, besa, - qeshi Eugjeni.
-Pse çuditesh ti Eugjeni, të kujtohet kur thamë "ah, sikur të gjejmë veprën e humbur të Çajupit: "Këngë dhe vome për luftën e madhe"? Kapito? - Gjoni kaq shumë kishte nxitur, këto kohë, te shokët e tij etjen për kërkime, saqë tani fliste i sigurt fare.
-Domethënë, tani të bëjmë edhe veprën e Çajupit?
-Pse mos ta bësh? Për ty nuk është e vështirë të imitosh stilin e tij. Vetëm nja dhjetë vjersha, të tjerat gjoja ishin grisur nga dorëshkrimi. Me këtë rast do të bëhet sensacion i madh, sidomos kur tema kundër luftës është kaq aktuale sot. Pastaj ti e kthen përmbajtjen si të duash. Lexo edhe një herë leksionin e luftërave në imperializëm dhe do të jesh brenda.
Gjoni edhe vetë çuditej se sa me lehtësi i pillte sot mendja idera. Truri i tij ishte në një gjendje të frymëzuar, që zbulonte dhe nuhaste si një aparat modern i përsosur.
Biseda e miqve u shndërrua në tingëllimë gotash. Pinë për gjuhën shqipe të shkruar para Formulës së Pagëzimit dhe për zbulimin e madh të veprës së humbur të Çajupit. Një dyshim i lehtë si mjegull ishte ulur në tryezën e tyre nga sfera të panjohura. Parandjenja nuk u jepte asnjë përgjigje.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Ismail Kadare

Qyteti pa Reklama (Kreu XVI)


Ndërsa Stela numëronte çdo ditë që i ngelej së motrës dhe ndiqte me shqetësim lëvizjet e saj, Diana mendonte se nuk do të ishte keq, që për këto dy javët që i ngelën, të shtinte në dorë Gjonin. E vërteta qe se kaq shumë e kishte marrë malli për dashnor, sa i dukej se nuk kishte pasur kurrë në jetë. Ç'humbte ajo nga kjo gjë? Në fund të fundit, do ta shante ca e ëma, po ta pikaste, dhe asgjë. Po asaj aq i bënte. Gjoni s'ishte i keq, bile ishte shumë simpatik. Dukej që edhe ai, si ajo, qe malluar për femër. Njihej nga sytë. Këtë dritë të çuditshme në sytë e Gjonit, e njihte Diana mirë. Ajo e kishte parë të digjej qindra herë, kur kthehej vonë, jashtë shtetit, në konvikt, në sytë e burrave, që rrinin e prisnin pranë hyrjes së metrove, që u pëshpërisnin misteriozisht grave dhe që pastaj prapë nguleshin si shtylla aty-këtu, duke lëvizur kokën djathtas e majtas, pikturë e trishtë e jetës beqare. I shkreti djalë! Pse të mos i falte pak gëzim? Vetëm se këto ditë, se ç'dreq kishte që s'e ngrinte kokën nga librat.
Diana vështronte qytetin e ngrirë pas xhamave të dritareve të mëdha. Ca figura të zeza lëviznin andej-këndej. Oxhaqet nxirrnin tym të kaltër. Ajo bluante në kokë mendime pa lidhje. Sa e çuditshme ishte bota! Dy njerëz të huaj takojnë njëri-tjetrin, në fillim puthen, pastaj fërkohen dhe prapë shtrëngohen. Të mendosh, pastaj, se nga kjo ndiejnë kënaqësi supreme këto dy krijesa njerëzore. Po, në të vërtetë ku është kënaqësia? O Zot, sa gjëra abstrakte, të gjitha budallallëqe.
Hyri Stela. Dukej që kishte qarë. Sytë e skuqur nga lotët i dukeshin edhe më të bukur.
-Ç'ke moj motër? - e përkëdheli Diana. Stela nuk fliste. Hodhi çantën në një qoshe dhe zuri të zhvishej. - Mos ke marrë gjë ndonjë dysh? Më thuaj, kush?
-Kimia, - u përgjigj me mërzi motra.
-Ai me syze, që vjen te qiraxhiu ynë?
-Po.
-E pse s'thua? Që tani do të shkoj te Gjoni. Të ketë turp, e ka shok.
-Jo, jo Diana.
-Do shkoj, posi, t'i them të të ngrejë herën tjetër, të marrësh pesë. Budallaqe, është fundi, duhet ta ndreqësh notën.
Duke folur, Diana hodhi një triko krahëve dhe po rregullonte flokët para pasqyrës. Sa rast i bukur për të shkuar te qiraxhiu simpatik. Ideale fare. Po ç'kishte kjo Stela që nuk donte? Ah, kjo Stela që nuk merrte vesh nga bota.
Stela me sy të hutuar, po i lutej motrës të mos shkonte, por Diana s'ia vinte veshin. Toni i motrës së vogël sa vinte bëhej më i vendosur, më i egër.
-Diana, nuk dua, dëgjon? Nuk dua të shkosh.
-E unë do të shkoj, se të kam motër, - ia preu Diana dhe u sul nga dera.
Stelës nga inati i shpërthyen lotët. U dëgjuan takat e Dianës nëpër shkallë. Këtë të ecur nazik e njihte Stela mirë. Sa e rrezikshme ishte Diana. Ajo në fillim as vetë s'e kuptoi pse iu duk hata të vajturit e Dianës te Gjoni, pastaj çdo gjë po i qartësohej. Mekanikisht pa orën, sa do të vononte Diana vallë. Një shqetësim i egër po e brente. Ah, ky dysh i mallkuar, s'mjaftonte vetëm kjo, po, na, dhe Diana. Ajo tani po ia tregon punën atij dhe, me siguri, e vështron me ata sy të paturpshëm. Ja dhe magetofoni zu të dëgjohej. Me siguri nisën të vallëzojnë. Ajo e vështron prapë. Kur njerëzit flasin për gjëra serioze nuk duhet të vështrohen ashtu, në asnjë mënyrë. Kjo është hipokrizi, kjo duhet të jetë e papranueshme nga shoqëria, nuk duhet jo. Megjithatë Diana e vështronte atë në sy, ajo këtë e dinte mirë, ja, sikur i kishte përpara. Sa e keqe ishte Diana! Të vinte sa më parë, ç'priste akoma, kaluan dhjetë minuta. Ideja se shkak që Diana të shihej me Gjonin kishte qenë vetë ajo, e nervozonte Stelën në kulm. Ajo nuk duroi më. Kishin kaluar njëzet minuta. Veshi pantoflat dhe ngjiti ngadalë shkallët. Gjunjët i dridheshin, herë-herë kërcisnin shkallët, në korridor kaloi gjyshja, duke zvarrisur fustanin e gjatë. Stela ndaloi para derës së Gjonit. Ajo vështroi përreth. Sa e huaj i qe bërë kjo pjesë e shtëpisë tani. Këtu, ato të dyja me Dianën, kur ishin të vogla, dilnin mëngjeseve dhe u hidhnin bukë harabelave në ballkon. Një ditë, një çapkën i lagjes goditi me llastik një harabel dhe ai ra i ngordhur mbi thërrimet e bukës. Sa kishin qarë atëherë të dy motrat. U dukej sikur ato kishin qenë shkak për vdekjen e zogut të vogël.
Stela i largoi kujtimet dhe vuri veshin. Muzika nuk e linte të merrte vesh asgjë, Papritur muzika heshti. U dëgjua kërcitja e thatë e rrotkave të magnetofonit, fëshfëritja e shiritit që, siç duket, u këput dhe pastaj heshtje. Asnjë lëvizje hapash, asnjë zë, askush s'po avitej te magnetofoni. Stelës i rrihte zemra me tërbim, dukej sikur dikush i pomponte ajër në gjoks dhe i krijonte kështu një zgavër të tmerrshme, që po e mbyste. Ajo vuri veshin tek vrima e çelësit. Një lëvizje e lehtë, kërcitje dërrase, pastaj një ah i zgjatur femre. Një dorë sikur i ra me sëpatë gjunjëve. Ajo u tërhoq ngadalë, si hije dhe, mbasi u fut në dhomë, ia plasi të qarit përmbys mbi krevat. E poshtra! Sa djem kishte atje jashtë shtetit, vetëm ky i mbeti vallë?
Pas pak erdhi Diana. Në fytyrën e saj ishin gjurmët e të skuqurit. Sytë i shkëlqenin nga një lodhje e lumtur.
Stela u ngrit, sytë i ndritnin të egër dhe të bukur. Diana buzëqeshi si fajtore.
-Çdo gjë u rregullua, mos më mbaj mëri. Pasnesër do të ngrihesh në kimi.
-Ah, ti kurvë...
Ishte hera e parë në jetë që Stela përdorte një fjalë të tillë. Ajo bile kishte pasur frikë ta mendonte këtë fjalë më përpara. Aq më tepër, për të motrën.
 
Top