• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Jorgo Bllaci

Askushi

Anëtar i ri
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
2,157
Pikët
0
Vendndodhja
Neverland
JORGO BLLACI


Jorgo Bllaci u lind më 1938 në Gjirokastër. Ka studiuar për gjuhë-letërsi shqipe dhe ka punuar së pari mësues e pastaj përkthyes, kurse pas burgimit për bindje politike (1964-1967), punëtor ndërtimi. Më 1990 u kthye përsëri në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Ka botuar vëllimet me poezi “Ligjërimet e Pyllit” (1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Gjithashtu ka shqipëruar vepra poetike autorësh të njohur, si Shevçenko, Pushkin, Esenin, Gëte, Du Fu, Frost, vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini” dhe “Ujërat pranverore” të Turgenjevit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë”. Iu dha titulli: “Mjeshtër i Madh” pas vdekjes.

DESHIRE

Më vjen turp të qaj i heshtur,
si një shelg përbri moçalit!
Dua të gjëmoj pareshtur
Porsi lisi majë malit.

Rreth kurorës, shpesëria
Le të mos më cicërojnë
Që prej zgavrave të mia
shkabat të të vigjëlojnë.

Degët e fuqishme dua
të më tunden nëpër erë
Papushuar përmbi mua
borë e virgjër lë të bjerë.

Sipër akujve të ftohtë
do të ngjitem der’ te retë
S'do më vijë keq në ndodhtë
të zhuritem nga rrufetë!

Se n'u dashtë të zhuritem
do zhuritem majë malit
Po s'do qaj e s'do nemitem
i përulur, bri moçalit.

***

Petalet bien; era mengadalë
I hedh mbi gjurmat, që lë mikja pas.
E shoh tek shkon e heshtur dhe një fjalë,
Për lamtumirë, s`kam fuqi t`ia flas.

E ç`mund t`i them? Dëgjon të kthehet vallë
Sërishmi zogu, që mërgimin nis,
Kur tjetër vis kërkon e s`e zë malli
Për çerdhen a për strehën që braktis?

Papritur, të rrëmbyera rrëkera
Në shpirt më mbysin dhembjen pa kufi!
Petalet bien... heshtas shket pranvera.

Roniten të përkohshmet stoli...
Një grusht kujtimesh që shpërndau era,
Ja ç`qe së fundi, gjithë kjo dashuri!

***

Brengën e madhe mbyta në një gotë;
Si qenkam dehur sonte s`e kuptoj!
Për gjërat më të bukura në botë
Sa më pëlqen të rri e t`ëndërroj.

Sa më pëlqen gazmor t`i bie lirës,
Po ku të lë mendimi të dëfrosh?
Demon, demon i madh i hapësirës,
Akoma ti kërkon të më gënjesh?

Ti po ma nxin me brenga djalërinë,
Ti po m`i shqyen brinjët, po më çmend,
Ose më kthe sërishmi qetësinë,
Ose më sill këtu tërbimin tënd!

Se do t`i qepem qiellit kësaj nate,
Për flokësh ta kap hënën e me të
Të sillem hapësirës së pamatë
E të mos zbres mbi tokë kurrë më!

1957

***

Kur pa dashur humbas ndër kujtime,
Mos më shih me trishtim e mërzi;
Mos mu ngrys, moj e bukura ime,
Koha shkon e më s`kthen përsëri.

Por nga mjegull` e kohës së ikur,
Ndodh që shpesh ndonjë zë na jehon
Mallëngjenjës, i largët, i mbytur,
Dhe padashur në shpirt na trishton...

1960

***

Ti këdo mbi dhé do ta çuditje,
Mike moj, që s`vure mend njëherë;
Kur më sheh me vajza në shëtitje,
Pse sërishmi bëhesh pikë e vrerë?

Foshnje ishe, foshnje, mike, mbete,
Ndonëse për dikë tani je grua;
Ç`dreqin ke, ç`t`u shkrep pas kaq vjetësh,
Që xheloze bëhesh prapë për mua?

Unë kurrë ty s`ta kam rrëfyer
Brengën, që në shpirt mezi përmbaj;
Dashuria, dashuri e fyer,
Gur më bën e nuk më lë të qaj.

Ja kështu, moj mike, qenka jeta:
Ndodh që nga një herë, për çudi,
Lodhet prej mësimeve të veta
Edhe bëhet foshnjë, porsi ti.

Ne s`e qeshim tekanjozen jetë,
Po kur ne gabojmë, ajo harron:
Ndonëse marrëzira bën dhe vete,
Rëndë ne na tall e na ndëshkon.

Mike, që më bëre të trishtuar,
Të të qesh, as që më shkon ndërmend,
Ësht` i gjerë shpirt` i përvëluar,
Ka një vend dhe për gabimin tënd!

1961

***

Kur buzëqesh plot gaz e shend,
Ti ndrin gjithë ëndrrat e mia;
Nga thellësirë e syrit tënd
vështron e çiltër dashuria.

Hutohem, mendjen krejt humbas,
Magjepsem pas atij vështrimi;
Më grish padashur n`atë çast
Një vis i largët ëndërrimi.

Ku vetëtinë në qiellin blu
Gëzimi, jeta, lumtëria,
Ashtu siç ndrin në sytë e tu,
Në sytë e qeshur, dashuria!

1961

***

Ne fshehtazi shkëmbejmë shpesh vështrime,
Po sot një hon i thellë po na ndan;
Në fund të tij, si foshnjëzë jetime,
Me dhembje dashuria jonë qan.

Pa ditur se përse, pa lot, pa fjalë,
Pa puthje, ne u ndamë nëpër terr.
Pasionet u ronitën mengadalë
Dhe humbën në një mjegull plot mister.

Dhe sot, që me pendim, me mall a vojtje,
Të shkuarën sikush në shpirt përmban,
Ne heshtim kryeulur e me drojtje,
Si vjollca, anës honit që na ndan.

1961

***

Mban mend? Kësaj rruge dolëm
Natën e lamtumirës.
Fjalët, që dot nuk i folëm,
Shiu ia tha errësirës.
S`di sonte këndej si kalova,
Kohët si i lash mënjanë;
Befas m`u duk se dëgjova
Dy zëra, si zërat tanë:

Njeri diç foli për mallin,
Tjetri sikur psherëtiu...
E dashur, ne ishim vallë,
Apo errësira dhe shiu?

1970

***

Një mbrëmje si kjo tek shëtisnim,
N`agim të rinisë të dy,
Nga turpi i puthjes s`guxonim të flisnim,
Nuk shiheshim dot në sy.

Po sot, pas kaq viteve ndarë,
Kur hasemi rrugës të dy,
A thua nga turpi i puthjes së parë
S`u shikemi dot në sy?

1971

***

Medet se ç`hall i madh më gjeti:
Nuk e kuptoj se ç`është kjo,
Që s`po arrij ta njoh dot veten,
Kur jam në ëndërr e kur jo!

M`u bë sikur, tani dhe dridhem,
Kaq e tmerruar ëndërr qe,
M`u bë sikur një short i hidhur
Na ra për pjesë e sikur ne,

Që mezi ç`presim për t`u parë,
Se si u grindëm krejt pa shkak
Dhe mbetem, për habi, të ndarë
Një çerek shekulli, jo pak!

Duro e tkurru e shkreta zemër
Thash se do me ngurosej shpejt,
Po befas ti m`thirre n`emër
Dhe brofa i shastisur krejt.

Sa s`munda ta kuptoja fare
Dhe s`e kuptoj dot as tani,
Kush është ëndërr, ajo ndarje,
Apo ky zgjim plot lumtëri?

1986

***

Këngë, jetë, dritë, hapësirë,
Brohori jehonash plot kumbim!
Ëndrrat e shpirtrave të dlirë
Kaltërojnë qiellin pa mbarim!

Eja, mike, flakja zemrës velin
Që të ka mbuluar me mërzi:
Gonxhet po shpërthejnë, shih, po çelin
Mijëra lule, mijëra dashuri!

Mjaft me drojtjen tënde dhe ngurrimin!
Sot pranvera zgjon kudo gëzimin
Jepju e tëra vrulleve tua,

Eja të të puth, të të pushtoj!
Njerëz, që të gjithëve ju dua,
Lërmëni, si mik, t`ju përqafoj!

1958

***

Unë e di që ti tani për mua,
Pranë stufës rri edhe mendon:
“Jorgo, Jorgo! - ti me vete thua -
Këtë natë ku po e kalon?

Vallë, mos ndonjë vejushë e mbetur
Të ka marrë sonte në shtëpi
Dhe të puth e të pushton e etur,
Gjithë epsh e gjithë egërsi?...”

S`ke se ç`bën, e dashur, rrugë e shkretë
Në të huaj shtretër të përplas!
S`kanë faj vejushat mendjelehta
Që në brengën time gjejnë gaz!

Ti sërishmi mendjen vret për mua,
Pranë stufës, brengën duke fshehur:
“Jorgo, Jorgo! - prapë me vete thua, -
Mos po endesh rrugëve i dehur?”

Jo, e dashur, sonte fli e qetë:
Në një park të heshtur, fill i vetëm
Po qëndroj, porsi një zog pa fletë;
Përmbi stol i kërrusur, qaj e mekem
Dhe pse qaj nuk e kuptoj as vetë...

1959

BALADE

S`di nga më vjen kjo këngë e mbytur shpendi,
Që pa pushim në zemër më buçet:
“Në një kafaz të bukur prej argjendi
Dikur më mbylli mizorisht një mbret.

Me robërinë time zbukuroja
Stolitë e tij të ngurta në saraj;
Me këngën time brengës i tregoja
Sa më zhuriste shpirtin zjarr i saj.

Po një mëngjes, deriçkën e kafazit
Sekush e hapi... Unë u bëra plumb!
Në xhamat e dritares u përplasa,
I theva e çava qiellit pa fund,

Dhe si pushtova duke fluturuar,
Me krahët gjak, të thellat kaltërsi,
E prita vdekjen pa u dëshpëruar,
Sepse e ngopa shpirtin me liri!”

***
Kushtuar P.J.

O mik i shtrenjtë! Shkuan kaq vjetë,
Po ty nga shpirti dhembja nuk t`u nda;
S`të qeshi buza, qysh nga ditë e shkretë
Kur një syzezë iku dhe të la.

Po pse, i dashur , vitet që na shkuan
Me brengë t`i kujtojmë e me mërzi,
Kur ne me gjithë zemër ia kushtuam
Çdo hov rinor së dlirës bukuri?

Në vitet tona, s`duhet ta gënjejmë
Me lot shpirtin, se s`ia vlen vëlla,
Që dashurinë e vogël ta shpërblejmë,
Kështu si ti, me dhembje të mëdha!

***

Sa pisk e kam, sa dhembje ndjej, sa dua
Të më përpijë brenda dheu i zi!
Oh, zgjate dorën sonte edhe mbi mua,
Të ngrohtën dorë, o mëma Shqipëri!

Jam i sëmurë, buza po më dridhet,
Këtu në gjoks diçka më çpon, si gjemb,
Një lëmsh, nj` i fortë xhungë në fyt më mblidhet,
S`marr frymë dot, çdo pejz në trup më dhemb.

Një çast më merr në gjirin tënd të shenjte
Të mbështes kryet e të qaj, të qaj,
Ashtu siç mund të qajnë, o mëmë, e shtrenjtë,
Veç foshnjat dhe fajtorët e pafaj!

1964

***

Dy hapa larg, e vite për t`arritur
Atje, ku për çdo çast na vete malli,
Atje, ku bujarisht fal jetën diell` i ndritur,
Atje, ku po na qajnë për së gjalli.

Dy hapa larg, vëlla, dy hapa larg mëtanë
Pas mureve të lagësht e të erret,
Po na vajton liria, që prej saj na ndanë,
Sepse më fort e deshëm nga të tjerët.

1964

Përgatit për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në: "Gazeta e Athinës")
 
Top