• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Legjendat

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Epika popullore mund të ndahet, përveç përrallave, anekdotave dhe fabulave, edhe në dy grupe të tjerë të mëdhenj:
në 1) Epikën legjendare dhe 2) Epikën historike. Në epikën legjendare hyjnë këngët e ndryshme legjendare (duke përfshire këtu edhe Ciklin e Kreshnikëve), ndërsa në epikën historike hyjnë këngët që na fiasin per ngjarje e personalitete të ndryshme të historisë sonë, duke nisur nga Skënderbeu dhe duke ardhur deni në ngjarjet më të fundit historike.

Është e udhës ndërkaq, që para se të nisim nga studimi i këngëve legjendare, të ndalemi te vetë lëgjendat.
Legjendat, ose gojëdhënat janë tregime disi të çuditshme nga të cilat ngjarjet që mund të kenë një bazë historike deformohen nga.imagjinata popullore. Ka legjenda që janë lidhur me emra vendesh, lumenjsh, bimësh etj. Ka raste, pra, që nuk kemi këngë, por tregime të thjeshta për shpjegimin e një emri apo toponimi. Legjenda të tilla, që thuhen në prozë, ka shumë në popullin tonë, megjithëse ato janë mbledhur ende pak. Këto legjenda është bërë zakon të ndahen në

1) legjenda të metamorfozës (legjenda kozmogonike, mitike) dhe në
2) legjenda historike.

Legjendat e metamorfozës na flasin për zanafillën e shumë dukurive apo objekteve të realitetit. Këto, pa dyshim, janë nga legjendat më të vjetra, dhe mjaft prej tyre, janë të lidhura me fazat, më të hershme të njerëzimit, me paganizmin e parapaganizmin. Të tilla legjenda për nga natyra e tyre të kujtojnë së tepërmi "Metamorfozat" e Ovidit. Ashtu si dhe te metamorfozat e Ovidit edhe këtu gjejmë
origjinën e ndonjë shpendi, luleje etj.
Kështu, psh, S.Dineja te "Valët e Detit jep legjendën e qyqes dhe të Gjonit. Qyqeja kishte qenë një vajzë e varfër. Vëllai i saj quhej Kuku ose Kuko. Një ditë vëllai u largua nga shtëpia e vajti në kurbet e nuk u kthye më. Motra u bë si e çmendur dhe iu lut Zotit që ta bënte zog në mënyrë që të fluturonte e të kërkonte vëllanë. Dhe Zoti e bëri zog e ajo fluturon pyll më pyll duke kërkuar të vëllanë : "Kuku!Kuku!" Kur duan ta bëjnë që të pushojë, atëhere i këndojnë qyqes këto vargje që kanë qartas trajtën e një yshtjeje : "Qyqe, qyqe, mana qyqe,/ç'e bëre zonë tët vëlla/që ta therë posi ka,/gjaknë ia pinë me lugë,/mishnë ia prenë me thikë ?" E tillë është edhe legjenda e Gjonit, po këtë radhë është një nënë e cila i lutet Zotit ta bëjë zog dhe ajo bredh duke kërkuar djalin :"Gjon! Gjon!"
Të shumta janë edhe legjendat për lulet megjithëse nuk janë mbledhur thuajse fare. Vetëm te Nikolla Lako "Legjenda lulesh të florës shqiptare "(Tiranë, 1960) gjejmë disa syresh, por mbledhësi ka qene një botanist dhe legjendat e mbledhura i ka cënuar duke vënë dorë mbi to e duke u prishur vende-vende vërtetësinë. Megjithatë ne arrijmë të marrim vesh disa legjenda, si psh legjendën e Lules Ah-Jane (Myositis silvatica Hofm) mbledhur te arvanitët e Greqisë, legjendën e Lule Frosos, (Nymphaea Alba), legjendën e Lules Sapun-Qyqe (Saponaria officinalis L.), legjendën e Lules Honinë (Convolvus sepium L.), legjendën e Lules Thundër Mushke (Tussilago Farfara L.) etj.
Legjenda e Lules Sapun Qyqe është kjo: Një nuse mbahej pis, nuk lahej dhe atëhere vjehrra e mallkon dhe ajo bëhet qyqe, ndërsa sapuni me të cilin ajo nuk lahej, u bë lule. Kurse Lulja Thundër Mushke ka këtë legjendë: Skëndërbeu ia kishte hipur një mushke të cilën e kishte stolisur me ar. Në një fard vendi, një flori këputet nga freri dhe bie në tokë. Skënderbeu nxjerr shpatën dhe do që ta ngrejë nga dheu, por mushka vë këmbën përsipër floririt dhe e fundos. Që atëhere floriri u bë një lule e verdhë. Me figurën e Skënderbeut lidhen edhe legjenda të tjera të metamorfozës, që me sa duket, kanë qënë më të vjetra dhe më pas i janë atribuar atij. Kështu për shembull legjenda e burimeve të fshatit Shkretë të Krujës e tillë duhet të jetë. Sipas legjendës që tregohet sot, Skënderbeu, në një nga manovrimet e tij, për t'i shpëtuar ndjekjes së hordhive osmane, bariste mal më mal. Kur erdhi në fushën e Shkretës, ushtria nuk dëgjoi të ecte më tutje : ishte korrik a gusht dhe ushtarëve u ishte tharë buza për një pikë ujë. Atëhere Skenderbeu hiqet
mënjanë, bie në gjunjë dhe i lutet Zotit. Kur ai ngrihet, nga vendi ku ishin mbështetur gjunjët e tij, buron ujë dhe kështu ushtria piu ujë dhe u freskua. Edhe sot e kësaj dite ato burime quhen të Skënderbeut.
Për Skënderbeun, që është pa tjetër figura me kryesore e shumë legjendave tona, tregohen shumë ndodhi që nën rrobën legjendare na flasin për shtegtimet, luftërat dhe personalitetin e tij.Para së gjithash këto legjenda historike na japin të kuptojmë se prirja e popullìt për të idealizuar udhëheqësit e vet, për t'i legjendarizuar ata, duket e qartë edhe me këtë hero. Këtë na e tregojnë shumë legjenda. Dihet psh , "Kroi i vashës" në malin e Bushkashit, i cili quhet kështu sipas gojëdhënës, mbasi Skënderbeu, i mahnitur nga bukuria e një vajze që po mbushte ujë, e ndali ushtrinë aty dhe priti deri sa vajza mbushi ujë. Në rrethin e Kurbinit mund te hasësh Kroin e Skënderbeut, Gurrën e Mamicës etj. Në Rrajcë të Elbasanit gjen "Shkambin e Skënderbeut", në Pishkash gjen "Tryezën e Skënderbeut', kurse në vise të tjera "Gjurmën e kalit të Skënderbeut". Skënderbeu shikohet si "evliha","shenjt" dhe për këtë bekimet apo mallimet e tij janë me pasoja.
Legjenda të ndryshme hasen edhe për ditët e fundit të marsit që ngrin plakat, për yllin e karvanit, për Bistricën, per vijat e malit të Shpiragut që, sipas legjendës, janë blana të plagëve që bëri në trup të këtij vigani, vigani tjetër, Tomori, kur këta të dy u ndeshën etj. Të tilla legjenda shihet qartë që kanë të bëjnë me elemente të kozmogonisë dhe nuk ka dyshirn që këto kanë qenë më të shumta, por dora-dorës janë harruar dhe nuk janë mbledhur dot.
Një mitologji e ruajtur pak a shumë mirë është ajo që haset në veri të vendit tonë dhe që del si në Ciklin e Kreshnikëve si dhe në përrallat e mbledhura sidomos në këtë zonë. Orët, shtojzavallet, zanat (Zërat e Jugut) Gërzheta etj, janë pa dyshim mbetje të një mitologjie të lashtë e pagane. Disa prej tyre janë personazhe të përcaktuara mirë dhe me një karakter original që nuk ngatërrohet me karakteret e të tjerëve.
Te arbëreshët e Italisë hasim legjendën e së Bijës së Diellit, të Bijës së Hënës etj, ashtu si gjejmë praktikën legjendare për t'i përfunduar shpesh heronjtë e vdekur apo të vrarë të legjendave si bimë që mbijnë në varr të tyre (apo dhe si trupa të vdekurish që metamorfozohen në bimë). Kështu, kënga e famshme "Shumë u desh trimi me vashën", përfundon :"Trimi bëhet qiparis/vasha një hardhi". Po qiparis e hardhi bëhen edhe te këngët "Kur leve, leve ti vashë", "Valla e Engjëlinës" të mbledhura nga De Rada.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Këngë Legjendare

Këngët legjendare, siç e thotë edhe vetë fjala, janë këngë që thurren rreth një legjende. Në legjenda kemi një fakt real apo historik që legjendarizohet, përrallizohet, kurse në përralla nuk kemi asnjë bazë reale, në to gjithçka është trillim. Megjithatë kufiri midis përrallës dhe legjendës është shumë i brishtë dhe, me kalimin e kohës, mjaft legjenda kanë ardhur duke u transformuar përherë e më tepër së paku për nga forma dhe mënyra e narracionit, në përralla.
Disa studiues i kanë quajtur këngët legjendare edhe ballada. Ne të vërtetë identifikimi i këngëve legjendare me balladat është shumë i dyshimtë dhe, sidoqoftë, jo i plotë. Ballada para se të jetë një zhanër letrar është një zhanër muzikor. Lindur në mesjetë, ajo ishte një këngë e vallëzuar, me një strukturë strofike të caktuar dhe me një refren që këndohej në kor nga populli. Ajo në zanafillë kishte në bazë një tregim epiko-lirik disi të mistershëm, plot qënie mitologjike dhe disi të zymtë, gjë që u pëlqeu shumë romantikëve, të cilët e morën këtë zhanër mesjetar dhe e bënë të tyre duke shkruar, në bazë të motiveve popullore, ballada të famshme, siç bënë kryesisht gjermanët Gëte, Shiler, Byrger etj.
Këngët tona legjendare, ashtu si të gjitha këngët e tjera të folklorit tonë, janë pjesë që këndohen, nuk recitohen. Por ato, me sa dimë, nuk vallëzohen dhe aq më pak nuk kanë ndërtime strofike fikse me refren të caktuar, por janë këngë fare të thjeshta që përcjellin një ngjarje dhe, për këtë, përqasja me balladat kufizohet deri diku vetëm me brendinë e subjekteve të tyre që shquhen për diçka të mistershme , te çuditshme dhe fantastike.
Është vendi këtu, ndërkaq, të shtrojmë një çështje më të përgjithshme që do të përfshinte legjendat, mitet dhe përrallat. Legjendat që na kanë arritur, kanë pësuar në kurriz të tyre transformime duke kaluar nëpër periudha të ndryshme, në mes transformimesh historike, shoqërore, filozofike e psikologjike. është vështire të besosh se ato na kanë arritur në formën e tyre të parë, mbasi në shumë prej tyre haset dukuria e kontaminimit (në to shkrihen hera herës subjekte të dy a më shumë legjendave apo edhe elemente nga subjekte legjendash të ndryshme). Përveç kësaj, shtrirja gjeografike e legjendave është e madhe, praktikisht në tërë Evropën dhe kështu në të hasen raporte të shumta që nëpërmjet analizës krahasuese studiuesit. Çabej, Haxhihyseni, Kadare, Arapi etj.) janë munduar të vënë në dukje. Me një fjalë, ne duhet të zbulojmë mentalitetin e lashtë, tepër të lashtë e tepër primitiv, të njerëzve që janë në zanafillë të këtyre miteve dhe legjendave. Të këtij mendimi janë studiues, si Sheling në librin e tij "Filozofia e mitologjisë", Kasirer në librin "Filozofia e formave simbolike" etj. Vimë kështu te interpretimi, simbolik që shkencëtarët e sotëm kanë zgjedhur përgjithësisht për mitet, përrallat dhe legjendat.
Sipas studiuesve, ne veprojmë sipas dy logjikave: sipas Logjikës Aristoteliane (Logjika Formale) dhe sipas Logjikës Dialektike (Logjika e Esencës). Ndërsa Logjika Formale kryen detyrën e klasifikimit, të sistemimit dhe të organizimit të përvojës, Logjika Dialektike është në krye të çdo proçesi krijues, në krye të çdo proçesi intelektual pak a shumë të thellë. Me një fjalë, Logjika Dialektike është shumë më e hershme e me të, njerëzimi krijon, ndërsa Logjika Formale është më e re dhe shërben për të organizuar, klasifikuar veprimin mendor. E dyta operon me fjalën, e para shprehet nëpërmjet simboleve, që përbëjnë, siç thotë Erik From ("Gjuha e harruar" Tiranë "Dituria" 1933) "gjuhën e vetme universale që ka krijuar ndonjëherë raca njerëzore". Pikërisht këtë gjuhë janë duke studiuar sot shkencëtarët (Shih për këtë edhe P.Zheji te "Hylli i Dritës" Nr.1-2 Tiranë, 1994 dhe P.Zheji "Shqipja dhe sanskritishtja" Pjesa I Tiranë, më 1997 duke u përpjekur të gjejnë kodin e saj. Për rëndësine e kësaj "gjuhe simbolike" flet qartë Fromm kur thotë: "Mësimi i metodave të të kuptuarit të gjuhës simbolike duhet të futet në shkollat tona të larta dhe në universitete, njësoj si gjuhët e tjera "të huaja". Dhe më poshtë: "Në gjuhën e simboleve, përvojat e brendshme, ndjenjat dhe mendimet, shprehen si të ishin përvoja shqisash, ngjarje të botës së jashtme. E drejtuar prej një logjike të ndryshme nga ajo e zakonshmja, që përdorim gjatë ditës, pra, një logjikë ku kategori sunduese nuk janë hapësira dhe koha, por intensiteti dhe asosacioni, ajo është, ndoshta e vetmja gjuhë universale e krijuar prej njeriut, që ka mbetur e njëjtë për çdo qytetërim dhe gjatë gjithë historisë. Është një gjuhë që ka gramatikën e sintaksën e vet, e cila duhet mësuar, nëse dëshiron të kapësh domethënien e miteve, të
përrallave dhe të ëndërrave".
Nga këto, sa u tha gjer këtu, kuptohet se në mitet, legjendat dhe përrallat, (ashtu si në ëndërrat, do të thoshte Fromm), ne gjejmë lodrën e simboleve, gjuhën e tyre dhe nëse duam të kapim domethënien e vërtetë të miteve dhe të legjendave, duhet të dimë të "lexojmë" poshtë ngjarjeve, subjektit që paraqitet në to, duke e parë pikërisht këtë lëvizje ngjarjesh si lëvizje simbolesh. Dhe Fromm në librin e tij të përmendur më lart, na jep modele të këtij "leximi simbolik" duke analizuar mitin e Edipit, përrallën e Kësulkuqes etj. Gjer më sot te ne nuk është bërë asnjë përçapje për të parë në këtë prizëm thesarin e miteve, përrallave dhe legjendave tona, gjë që do të na bënte t'i shikonim këto krijime primordiale në një dritë e kuptim krejt të ri. Studimet tona në këtë lëmë gjer më sot nuk kanë shkruar më tej studimit të tyre të krahasuar.
Duke i hedhur një sy pasurisë së këngëve legjendare që kemi trashëguar dhe që kemi mundur të mbledhim deri më sot, vëmë re se ato hasen në tërë trojet ku jetojnë shqiptarët, në Shqipëri, në Kosovë, në Çamëri dhe te arvanitët e Greqisë, në Mal të Zi, te arbëreshët e Italisë etj. Mosha e tyre është shumë e lashtë dhe, nuk ka dyshim se shumë prej tyre humbasin në mijëvjeçarë.
Edhe këtu, është e udhës t'i ndajmë për voli studimi në dy grupe të mëdha: 1) Këngë legjendare të metamorfozës dhe 2) Këngë legjendare me bazë realiste (historike).
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Këngë Legjendare Historike

Këngët legjendare me sfond historik janë më të shumta. Në këto legjenda ne mund të caktojmë përafërsisht moshën e tyre dhe të hetojmë në to praninë e ndonjë zakoni a praktike të lashtë. Këto këngë legjendare i ndajmë :

1) Këngët legjendare të murosjes
2) Këngët legjendare të vëllait të vogël
3) Këngët legjendare të rinjohjes
a) rinjohja e burrit me gruan
b) rinjohja e vëllait me motrën
c) rinjohja e vëllait me vëllanë
4) Këngë legjendare të vëllavrasjes
5) Këngë legjendare të ndryshme
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Këngë Legjendare të Metamorfozës

Këngët legjendare të metamorfozës janë patjetër më të hershme. Ato na flasin për një botëkuptim tepër primitiv të lidhur kryesisht me animizmin, me shpjegimin antropomorfik të dukurive të natyrës, me idenë e metamorfozës së dukurive dhe të objekteve etj. E tillë është, për shembull, kënga legjendare "Djali gjarpër" mbledhur ne Bregun e Matës. Në këtë këngë të bukur e të rrallë legjendare tregohet për një grua që pas nëntë vjet martese, lind një fëmijë gjarpër. Kur rritet, djali gjarpër kërkon të martohet me të bijën e mbretit. Pas martesës, e ëma habitet se si nusja është e kënaqur me një gjarpër që, siç thotë ajo, "e kam mnerë un çi e kam djalë"! Nusja i tregon se naten ai e hiqte këmishën e gjarprit dhe paraqitej si një djalë i pashëm. Nëna përgjon një natë dhe ia djeg këmishën. Djali vdes: "Shpirtin, nanë, mua ma ke marrë!/Kmishën n'zjarm ç'ma ke djegë ?/Edhe gjasht vjet nanë ti me pa pritë, /un vetë kmishën nanë e kisha hjekë". Kuptimi i legjendës në vështrim të parë të duket se kemi të bëjmë me konfliktin që has lindja e një familjeje të re në gjirin e një familjeje tjetër dhe kështu, për nusen djali është një dhëndër i bukur, i mirë, kurse për nënën një -gjarpër! Po kënga legjendare me sa duket ka edhe elemente të tjera që duhen interpretuar: 6 vjetet (shumëfish i numrit fatidik 3) martesa, florinjtë etj.
Për përpjekjet për konsolidimin e familjes se re, na flet edhe kënga legjendare arbëreshe "Parasten kontesha Kontë" (I thotë Kontesha Kontit). Konti nuk i bindet këshillës së nënës Konteshë që të mos gjuajë në malin e Kuçedres, mbasi mund ta pësonte, por, i nxitur nga nusja, ai shkon pikërisht në malin e Kuçedrës për të gjuajtur.
Doemos Kuçedra e zë dhe kërkon ta hajë, por Konti i lutet që ta lërë sa të shkojë te e ëma t'i kërkojë uratën. Dhe kështu ndodh vërtet, por nusja i del në krah dhe i thotë se do të shkonte edhe ajo bashkë me të te Kuçedra! Dhe nusja trime e lidh Kuçedrën që mahnitet nga forca e saj dhe i thotë: Çë gjëri më je ti vajzë ? "Jam e bija e hënës, /kam për babë diellin, /vetë jam vetim' e qiejve, /që bie maleve, /maleve e fushave/mbi kreninë e ligësinë".

Në këto ujëra noton edhe kënga legjendare mbledhur në Bregun e Matës "Ashike Imeri dhe Begzadja e Bardhë", që është nga krijimet më të bukura të folklorit tonë. Imeri e Begzadja i japin fjalën njeri-tjetrit, por nëna e Imerit që nuk e do Begzaden për nuse, e marton të birin me një tjetër. Natën e gjerdekut, Imeri nuk duron dhe vret veten. Begzadja merr vesh ç'ka ndodhur dhe vendos të vdesë pranë të dashurit. Nga marazi vdes edhe plaka. Krushqit i shtien në tri varre, pranë njeri-tjetrit (numri 3!). "Ku kish pasë Ashiku kryet,/bash te vorri ni dardhë i ka bi;/ku kish pasë njajo plaka kryet, /i ferr'e egër aty kite pa'dalë; /ku kish pasë Begzadja kryet/aty bike ni moll' e bukur".
Triumfi i dashurisë, vlerësimi i saj i lartë në krijimin e një familjeje ështe i qartë në vargjet e kësaj kënge legjendare.
Siç mund të vihet re edhe nga shembujt që sollëm, ndikimi turk bie në sy edhe në këngët tona legjendare, në mos tjetër në ndërrimin e emrave të personazheve, gjë që do ta shohim edhe me poshtë. Mbishtresa islamike në këngët tona legjendare është doemos e vonë dhe ndikimi i saj ndërlikon sadopak kërkimet e studiuesve. Sidoqoftë këngët tona legjendare janë krijuar o në lashtësinë e thellë, o në periudhën e sundimit të krishtërimit në trevat e Ballkanit. Islamizmi, që dëmtoi së tepërmi identitetin si të folklorit ashtu dhe të krejt mënyrës sonë të jetuari, sidomos në zonat fushore dhe në qytete, preku në anën e jashtme pasurinë e kulturës sonë, mbase edhe e zhduku (siç ndodhi me shumë këngë të Skënderbeut), por nuk krijoi këngë të reja legjendare, ato janë të gjitha, me sa duket, para robërisë turke.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Këngë Legjendare të Vëllait të Vogël

Kënga legjendare e vëllait të vogël. Kjo këngë legjendare, në variante dhe në subjekte herë herë edhe me ndryshime të qenësishme, është e përhapur praktikisht në tërë Evropën. Pikërisht duke u frymëzuar nga një këngë e tillë legjendare, poeti gjeman Gotfrid August Byrger, botoi me 1773 balladën e njohur "Lenorë". Megjithatë duhet thënë që në krye se te balada "Lenorë" nuk kemi një vëlla që sjell në shtëpi motrën e martuar diku larg, por dy dashnorë. Dy të rinj dashurohen dhe vendosin të martohen. Befas, djali vritet në luftë. Vajza shkon e pikëlluar deri te varri i të dashurit. Ky ngrihet në mesnatë dhe nën dritën e hënës kërkon të fejuarën për të ardhur në dasmë dhe nis kësisoj udhëtimi natën, me pyetje e përgjigje deri te varri i djalit. Aty vajza ose vdes, ose shpëton nga kënga e gjelit të mëngjesit.
Kurse subjekti i këngës legjendare të vëllait të vogël që haset përgjithësisht në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri është disi tjetër. Tipi i Lenorës, që gjendet në gjithë Evropën, është i përhapur edhe në Rumani, Hungan', Serbi dhe Kroaci pra në pjesën veriore të Ballkanit ndërsa tipi i mirëfilltë i ballkanit haset në Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Bullgari, Serbi, Kroaci, Rumani dhe te aromunët. Siç ve re Q. Haxhihasani (Këngë popullore legjendare, Tiranë 1955, f20), në folklorin tonë ka katër variante kryesore:
1) varianti arbëresh që botohet nga Stafa, De Rada, Kamarda etj. me heronj Kostandinin e Garentinën (Garentinë quhet në Kalabri, ndërsa në Siçili, Doruntinë);

2) varìanti i Jugut me personazhe gjithashtu të krishterë;
3) varianti i Shqipërisë së Mesme që përhapet edhe në krahun verilindor me veshje të islamizuar dhe, së fundi,
4) varianti i Malësisë së Veriut, me këngën e bukur të Halil Garrisë, që këndohet në frymën karakteristike te rapsodive.
"Nga këto variante, kënga arbëreshe, vazhdon Haxhihasani, paraqet njomështi dhe elegancë. Ngjarjet aty tregohen me një gjuhë të thjeshtë, po plot skena e dialog të gjallë. Dallëndyshja proksenike (lajmëse për krushqit), skena e vajtimit të nënës mbi varrin e djalit të vdekur, udhëtimi e takimi i Kostandinit me fëmijët e motrës, që bredhin pas dallëndysheve dhe me gratë që hedhin valle nëpër katund, bisedat e përmallshme motër e vëlla dhe nënë e bijë, janë disa nga elementet karakteristikë të këtij varianti. Varianti i Veriut pasqyron psikologjinë dhe botëkuptimin e malësorit tonë. Halil Garria del nga katundi i tij për të zënë miq e probatina; ai i jep fjalën një miku të largët për ta martuar të motrën me të dhe s'luan më prej kësaj fjale; gruaja e martuar, kur i vjen vëllai për ta marrë, nuk mund të largohet nga shtëpia, pa lejen e të shoqit. Ngjarjet tregohen këtu me gjatësinë e hollësitë e zakonshme të këngëve epike të Veriut, megjíthatë nuk mungojnë në ketë variante edhe skena konçize e dramatike".
Kënga në Ballkan ka dy tipa: në njërin prej tyre, i vdekuri ngrihet nga varri nga lotët e nënës, ndërsa në tipin e dytë, ai ngrihet nga varri nga lotët e së motrës. Rumunët, maqedonët, aromunët dhe grekët kanë vetëm tipin e parë, ndërsa kroatët vetëm tipin e dytë, kurse shqiptarët dhe bullgarët i kanë të dy tipat.
Shumë është shkruar e vazhdon të shkruhet për këtë këngë legjendare (në bazë të saj I.Kadareja ka krijuar një nga veprat e tij më të spikatura në prozë, siç është "Kush e solli Doruntinën"); kanë shkruar C.Fauriel (Chants populaires de la Grèce moderne, Paris, 1825, f.45), D. D'Istria që e përktheu frëngjisht dhe e botoi në "Shqiptarët e të dy brigjeve të Adriatikut dhe kombësia shqiptare sipas këngëve popullore" (Revue des deux mondes, 1866, 15 maj f.407-409), G.Morici (La cavalcata nottuma dello spettro, "L'Europa Orientale", III-IV, Roma, 1937, f.151) A. Shmaus (Syzhet ballkanik në epikën popullore arbëreshe, "Gjurmime albanologjike", Prishtinë, 1,1968, f.9), S.Fetiu (Besa në baladat shqiptare, Trashëgimnia dhe transformimi i kulturës popullore, Prishtinë 1983, f.41), D.Shishmakov (Presenta za mërtvija brat vë poeziata na ballkanskite narodi, Sbornik za narodni umotvorenija, nauka i kniznina, knj.XIII, 1896 f.474 tj.), Q.Haxhihasani (vepër e cituar), I.Kadare (Autobiografi e popullit në vargje Tiranë, 1980), F.Arapi (Shënime rreth. këngës së "motrës dhe vëllait të vdekur" në traditën popuftore shqiptare, në librin "Këngë të moçme shqiptare", Tiranë, 1986 f 5-11 1) etj. Shumë studiues shqiptarë janë përpjekur të tregojnë zanafillën shqiptare të kësaj kënge legjendare dhe sjellin argumente si nga subjekti, si nga zakonet e paraqitura në të (sidomos besën e dhënë nga vëllai i vogël), si dhe nga fakti që në vendin tonë kjo këngë eksiston në të giitha variantet e të gjithë tipat. Nga ana tjetër, fakti që kjo këngë haset edhe te arbëreshët e Italisë, dëshmon se ata e morën me vete kur u larguan nga Shqipëria dhe kjo flet për vjetërsinë e saj. Ka shumë nga argumentet që sjell si Kadare ashtu dhe Arapi që mund të quhen (dhe janë) të bazuara. Megjithate ende nuk është thënë fjala e fundit për një gjë te tillë.
Është me vend, ndërkaq, që të ndalemi në një problem tjetër. Të vjen çudi se si pjesa me e madhe e studiuesve, nuk kanë vënë re ose dhe nëse e kanë vënë re i kanë shkuar përsipër, faktit që në këtë këngë legjendare kemi luftën që i bëhet martesës ekzogamike. Kjo lloj martese, që u ishte kundërvënë martesave brenda fisit (martesat èndogamike), te cilat ishin të papranueshme sidomos kur rrezíkohej, bashkimi midis njerëzish me lidhje gjaku (martesat me fëlligështi gjaku), po bëhej në fakt shkak i shpëmdaijes së familjes, së prishjes së saj. Kjo jo vetëm nga ana ekonomike (mbasi motra e martuar larg merrte me vete edhe pjesë të pasurisë si prikë), por edhe nga ana e fizionomisë dhe soliditetit të brendshëm të kësaj qelize kryesore të shoqërisë, siç është familja. Për të luftuar martesën ekzogamike, lindi kënga legjendare e vëllait të vogël e cila kanoste me shkatërrim të plotë atë familje që e praktikonte. Kënga mësonte se mbi këtë familje binte mallkimi dhe atëhere ajo do të shkatërrohej e gjitha, ashtu siç ndodhi me familjen e Kostandinit dhe të Doruntinës. Paralajmërime te tilla për mallkime e për shfarosje, koha e vjetër dhe mesjeta i kishte të shumta. Kështu, p.sh, kanosej të mallkohej dhe atëherë të shfarosej (me anë epidemish apo katastrofash natyrore apo dhe luftrash) ai popull që do te ngrinte dorën kundër mbretit, mbasi sipas besimit mesjetar, mbreti ishte i shenjtë, ishte bir perëndie. (Pikërisht për të hedhur poshtë frikën e një besimi të tillë Shekspiri shkroi "Rikardin II"). Kështu shfaroset edhe familja në këtë këngë legjendare: nëntë djem vriten në luftë (Erth një vit keq i rëndë/ e i korri asaj zonje/ nëntë bijt te një shesh lufte"(arb.), helmohen nga një stihi, përbindësh (Vajza e mora nj'ok mish/ dhe e hodha në kusi ... / Të më çpiket një stihi, /me vrap m'u hodh në kusi,/më helmoi djemt e mi,/ nëntë djem e nëntë nuse,/të nënta me djem në duar./Nënte djepe ç'm'i përmbyse,/nëntë pajë ç'm'i zhurite,/nënte dyfeke ç'm'i shite!(Zagori), ose u bie sëmundja e murtajës (E mortajën Zoti va ka çue/ e nan vllaznit i ka farue (Has). Po si dënim u vjen sëmundja edhe tek kënga e famshme e Halil Garrisë: "Hakibet Zotynë e ka bà/N'ditt t'shtatë ditëve murtaja u ka ra, /t'shtatë murtaja na i ka mytë,/për sevap n'dhe na'i kanë shti, qyqe nanën e kanë lanë në shpi". Por as nëna dhe as vajza e martuar larg nuk shpëtojnë, mallkimi plotësohet mizorisht deri në fund: te varianti arbëresh, kënga përfundon -"E mba jëma tek e bila,/mba e bila tek e jëma,/vëdinë jëma ej e bila!"; te varianti i Zagorisë -"Një në prak e një në derë,/plasnë si qelqe me verë!"- në Has -"Edhe n'grikë nana e ka marrë, /e shehit Zoti i ka lanë!'; kurse te Halil Garria -"Nan' e bi nër vorre shkojnë,/vorr në vorr, vajin e kanë marrë,/majë vorrit t'Halilit t'dyja kanë plasë!"
Duket qartë se tema e besës është një shtresë më e vonë, më e re, një theksim i mëtejshëm i diktuar nga fakti që mallkimi i legjendës nuk e kishte më atë forcë të mëparshme, mbasi problemi i martesave larg e më larg ishte në zhdukje e sipër neë mos ishte zhdukur dhe atëhere ngritja nga varri përputhej fare bukur me zakonin e besës që, siç thuhet, e bën shqiptarin të ngrihet edhe nga varri.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Këngë Legjendare të Murosjes

Këngët legjendare të murosjes janë të përhapura në tërë Shqipërinë, por ato hasen edhe jashtë kufijve të atdheut tonë, në të gjithë Ballkanin. Për këngën legjendare të murimit, Jakob Grimm ka shkruar se ajo "është një nga këngët më tronditëse të të gjithë popujve dhe të të gjitha kohëve". Për këtë këngë ashtu si dhe për këngët e tjera legjendare, disa prej të cilave i gjejmë të përhapura në tërë Evropën, kanë pretenduar dhe vazhdojnë ende të pretendojnë autorësinë shumë vende. Por me të drejtë studjuesi rumun I.Talos në Cahiers Roumains Nr.3, 1975, f40, shkruan:
"... Kënga epike që ka lindur nga kjo nënshtresë universale, nuk njihet veçse nga grekët, shqiptarët, serbokroatët, bullgarët, rumunët dhe hungarezët".
Në bazë të kësaj kënge qëndron zakoni i flijimit të një njeriu në themel të ndërtimeve që, në këngët legjendare, është më së shumti një kështjellë, një urë, një kishë apo manastir. Ajo që flijohej ishte një grua, si simbol i jetës, i pjellshmërisë, pra bartëse e forcës së jetës. Njeriu primitiv mendonte se duke sakrifikuar jetën e një njeriu, ajo jetë që i merrej atij kalonte në qëndrueshmërinë e godinës. Me kohë ky zakon erdhi duke u dobësuar dhe atëhere vendin e njeriut e zuri kafsha (dash, qingj apo shpend) ose dhe përfytyrimi nëpërmjet një busti, gjë që vërtetohet edhe me bustin prej druri të gjetur në këmbët e urës së Goricës në Berat ose një fill spangoje në gjatësìnë e trupit të një njeriu vendosur në themele. Ky zakon haset që në kohë shumë të vjetra. Atë e gjejmë në Bibël, në legjendën iraniane të themelimit të Jerikos, në shumë popui të Indisë, Affikës etj. Në vendin tonë legjenda është e përhapur kudo dhe ka si objekt ndërtime të ndryshme. Në zonat e Shkodrës, Dukagjinit, Pukës, Mirditës, Krujës, Durrësit dhe Elbasanit legjenda është për murimin në themelet e një kalaje (kalaja e Shkodrës, Drishtit, Elbasanit, Turrës); në lindje të vendit (Dibër e Kosovë) ashtu dhe në krejt Jugun, legjenda këndohet për ndërtimin e një ure (ura e Fshajt, Skiles, Qystendilit, Nartës etj); kurse në Pogradec (Lin) këndohet për ndërtimin e një kishe; në Dardhë dhe në fshatin Sinicë (Korçë), këndohet edhe për kala edhe për ura. Të njëjtën shtrirje kanë këto motive edhe në Ballkan: në veriperëndim, në Jugosllavi gjejmë motivin e kalasë (zakonisht kalaja e Shkodrës); në jug, Greqi, Maqedoni e Bullgari gjejmë motivin e urës (ura e Artës, Strumës), kurse te rumunët gjejmë motivin e manastirit (manastiri i Argëshit).

Struktura e zakonshme e kësaj kënge legjendare është pak a shumë kjo: tre vëllezër ustallarë (ka variante ku ustallarët janë edhe më shumë, por kurdoherë kryemjeshtrit janë tre), ditën ndërtojnë e natën ajo që ndërtojnë shembet. Atëhere dikush i këshillon apo i mëson, sipas varianteve është një plak, janë zogjt e qiellit apo ndonjë shenjt (sidoqoftë është kurdoherë diçka që përfaqëson traditën, porosinë qiellore për zakonin e murosjes) dhe atëhere të tre vëllezërit vendosin të kryejnë flijimin. Dy vëllezërit e mëdhenj e thyejnë besën dhe ua tregojnë gravet të tyre, kurse i vogli jo dhe kështu të nesërmen u çon për të ngrënë nusja e vogël. Kur e shesh së largu, vëllai i vogël dëshpërohet; në Mjaft variante nusja hyn pa kundërshtuar në themel të ndërtimit kurse në disa variante të tjera (Elbasan, Korçë etj.) ajo kundërshton dhe detyrohen ta gënjejnë sikur të shoqit të saj i ka rënë unaza në kanalin e hapur për themele dhe nusja futet në kanal për të marrë unazën dhe atëherë e mbulojnë befas dhe i venë rrasën e gurtë sipër. Në variantin e Elbasanit ajo qan: "Mjera un se qesh e re!/M'qafè me paç, o burri im/që më le djalin jetim!/Jetim qesh' e jetim lashë,/oj medet e oj medet!/o moj dhe, mos me tret!" dhe më pas, si në të gjitha variantet ajo kërkon që t'i lënë njërin gji jashtë që të mund të mëndë foshnjen.
Tërë ngjarja tragjike është treguar me lakonizëm dhe me një dinamizëm të çuditshëm që jep me forcë mprehtësinë e situatës. Nga ana tjetër, duket qartë se kënga legjendare është ngritur jo për të përkrahur këtë zakon të egër dhe barbari por për ta luftuar atë. Kjo do të thotë se kënga ka lindur jo atëhere kur zakoni ka qënë në kulmin e forcës dhe njerezit e zbatonin të bindur në drejtësinë e tij, por në kohën kur forca e zakonit nuk është më ajo e para, përkundrazi, njerëzit kanë nisur të mos e pranojnë. Kjo duket nga fakti që tre vëllezërit e fillojnë ndërtimin pa kryer asnjë sakrificë, megjithëse, doemos, e dinin zakonin; kjo duket edhe në fakin që vëllezërit e mëdhenj u tregojnë grave, ndërsa me i vogli, që simbolizon të drejtin, e mban porosinë; kjo duket në kundërshtimin që bën nusja e vogël dhe, më në fund, te toni i mallëngjyer që ka tërë kënga legjendare, që pikërisht se zakoni po shuhet, merr tone elegjiake, mbasi të qe ndryshe do të këndonte për hyjnizimin e jo për sakrificën e fatkeqes. Në të gjitha variantet personazhi më prekës dhe më i dashur mbetet përherë nusja e vogël. Nga ana tjetër, fati tragjik i kësaj nëne arriti të krijojë supersticionin sipas të cilit, gjiri i saj vazhdonte të rridhte pa prerë në gurët e kështjellës dhe për këtë, në këtë vend tashmë të shenjtë, në shumë vise, gratë që nuk kanë gji shkojnë me ceremoni rituale në kështjella apo në ura ku ka ndonjë lagështirë a pikon ujë dhe njomen me të për t'u ardhur qumësht.
Shumë studjues, sidomos shqiptarë, përpiqen të provojnë zanafillën shqiptare të kësaj kënge legjendare. Argumentet e tyre mund të përmblidhen në disa pika. E para, Marin Barleti na flet që më 1504 në veprën e tij "Rrethimi i Shkodrës" për legjendën e themelimit të kalasë së Rozafatit. Kjo legjendë, thonë, megjithëse nuk ka asgjë të përbashkët me atë të subjektit të këngës, "është një dëshmi me interes per ekzistencën e një tradite të tillë". Po duhet thënë se kjo traditë haset, siç e thamë, jo vetëm në Shqipëri e Ballkan , por në mbarë botën. Kadareja ngul këmbë e shkruan: "Kështjella e Shkodrës është ngrehina e parë madhështore e Ballkanit me legjendë flijimi. Ajo është themeluar tre shekuj para erës sonë. Të gjitha ngrehinat e tjera që pretendojnë legjendën janë shumë më të vonshme se ajo: Ura e Adanasë 527-565, Ura e Artës 1602-1606, Ura e Agraidhës 1659 etj.
"E dyta , është përhapja gjeografíke e këngës legjendare me këtë motiv: në asnjë zonë tjetër të Ballkanit ajo nuk ndeshet aq dendur sa në trojet shqiptare, ku ajo këndohet për ura, kështjella dhe manastire. Dhe kjo është e vërtetë. E treta, është motivi i besës, mbasi vëllezërit japin besën të mos tregojnë. (Ne të vërtetë, kjo këngë legjendare do të mund të merrej si shembull i shkeljes së fjalës së dhënë, pra të besës, nga shumica e shqiptarëve së paku nga 2/3, mbasi dy vëllezër nuk e mbajnë e vetëm i vogli i qëndron besnik fjalës së dhënë!). Çështja është se kënga legjendare nuk ka për qëllim të tregojë shenjtërinë e fjalës së dhënë nga ana e shqiptarëve. Shtresa e besës është diçka që i është mbivendosur originalit.
Me sa duket kjo këngë legjendare, e përhapur në tërë Ballkanin, ka në vetvete prurje nga këngë të ndryshme legjendare me të njëjtën temë të lindura në vende të ndryshme dhe për këtë ështe shumë e vështirë sot të ndalesh me siguri te një model i caktuar.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Këngët e Vëllavrasjes

Këngët legjendare të vëllavrasjes janë mbledhur në zonat veriore të vendit tonë. Në variantet që njohim (Met ni nanë me di jetima dhe Rriti nana dy jetima të KPL, f.70 e 72 si dhe Dy vllazent te VK II f.246). Arketipi strukturor i këngës legjendare është ky: një nënë ka dy jetimë; një ditë e pyesin jetimët se ç'zanat ka pasur i ati; mësojnë se ka qenë gjahtar. Ata kërkojnë që të shkojnë për gjah, por e ema kërkon t'i ndalojë. Ata nuk e dëgjojnë. Në pyll takojnë një vajzë të bukur dhe zihen se kush ta marrë. Njëri mbetet i vrarë. Tjetri pendohet: "Atherë djali asht penue/lott për faqe na i kanë shkue,/hoqi thikën veten coptue./Iu ka hudhë gruja e i ka vajtue: /S'kam qenë nuse me u martue, /kam qenë zana me u zanue,/e ni pikë me pikoftë mue!" Siç vihet re fundi është tragjik. Duke analizzar këtë këngë legjendare Q.Haxhihasani bën disa konsiderata interesante (KLP, f.69): "Rreth origjinës së kësaj legjende mund të ngrihen hipoteza të ndryshme. Nga vargjet e fundit ne kuptojmë se vëllavrasjen e shkakton një qënie mitologjike, zana, e cila u shtihet vëllezërve si një nuse e bukur. A mos vallë kënga me grindjen që u hyn vëllezërve nga një grua dhe me përfundimet fatale që rrjedhin prej saj, kërkon të mbajë në këmbë lidhjet tradicionale të gjakut -dashurinë vëllazërore- mbi lidhjet e dashurinë e gruas? Apo është një zë i ngritur kundër xhelozisë, pasi në shumë variante vëllai i madh e vret të voglin pse gruaja e paraqit më të hijshëm e më të zotin?
Në vargjet e fillimit ne gjejmë edhe një motiv tjetër që luan një rol me rëndësi në zhvillimin e subjektit të legjendës. Kur e pyesin djemtë nënën se ç'mjeshtërí duhet të ndjekin, ajo, me përjashtim të gjahut, u lejon çdo lloj zanati. Ky qëndrim i saj mund të shpjegohet me botëkuptimin e malësorit tonë, me besimin e tij mbi qëniet mitologjike: orë, zana etj. që jetojnë nëpër bjeshkë. Të shkosh për gjah do të thotë të endesh nëpër këto vise, të prishësh qetësinë e zanave e orëve me pushkë e britma dhe të shkaktosh kështu zemërimin, mërinë "shitimin a ngafisjef" e tyre.
Edhe një hipotezë e tretë mund të ngrihet në lidhje me lindjen e kësaj legjende. A mos kemi këtu reminishenca të braktisjes së një mjeshtërie që ka qënë dikur mjeshtëria karakteristike e një fisi? Braktisja e një mënyre jetese tradizionale nuk mund të ngjante pa kundërshtime; prandaj ajo duhej ndihmuar edhe me krijime poetike të tilla me përfundime tragjike si ato që paraqiten në këngë. Këtë ide e përforcon edhe fakti që legjenda e vëllavrasjes e ka vatrën e saj në Mirditë. Sipas një tregimi popullor, banorët e parë të kësaj krahine kanë qenë gjahtarë.
Njihen edhe variante të tjera të kësaj teme. Në njerin prej tyre, njeri vëlla është larguar që në vogëli nga shtëpia dhe vritet nga vëllai tjetër që nuk e njeh pikërisht kur kthehet në vendin e tij plot me dhurata për të vëllanë që e vret. Në një variant tjetër (në krahinën e Krajës), motra vret në malin Hajdut të shtatë vëllezërit e saj që përpiqen ta rrëmbejnë.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Rinjohja e Vëllait me Motrën

Rinjohja e vëllait me motrën. Edhe në këto këngë legjendare hasim motivin e largimit të vëllait për arsye të ndryshme o është rrëmbyer nga të huajt, nga pushtuesit turq dhe është bërë jeniçer, o është hajdut që bredh maleve, ose është mercenar që lufton larg vendit të tij dhe rrjedhat e luftës e sjellin rastësisht në vendlindje. Edhe këtu rinjohja bëhet pas shenjash ose pas një shënje që jep Perëndia me anë të një shpendi, zakonisht të një pëllumbi. Kënga legjendare, pra, na flet përgjithësisht për një përçarje të familjes shqiptare të shkaktuar nga sundimi i huaj. Megjithatë, në trung të këngës janë bashkuar edhe elemente të tjera, që flasin për një integrim të këngës në atmosfera përrallore (zogjtë që shqetësojnë çiftin për të mos ndodhur incesti, stuhia që shpërthen për të ndaluar pikërisht këtë bashkim, të mbirët e bimëve në varrin e vëllait e të motrës).
Këngë legjendare me këtë temë gjenden si në Shqipëri, ashtu dhe te arbëreshët e Italisë. Ato ndahen në dy grupe: në grupin e parë, vëllai kthehet si ushtar a si hajdut, rrëmben motrën dhe kërkon të martohet me të, por pengohet nga shenjat qiellore; në grupin e dytë, ai e blen të motrën nga i shoqi dhe, pas shënjave, e njeh se e ka motër.
Në grupin e parë kemi variantin arbëresh të njohur me emrin "Olimpia dhe Vllastari". Këtë e gjejmë të mbledhur te Dorëshkrimi i Kieutit (Vashëza, ç'ish e mblidh lule) ku vëllai (Vllastarthi) është jeniçer dhe gjen motrën duke kënduar e duke mbledhur lule dhe nga biseda mësojnë se janë motër e vëlla. Motra këtu. quhet Shegë dhe ngjarja zhvillohet në Napoli të Moresë. Më pas këtë këngë legjendare e gjejmë të mbledhur nga De Rada, por këtë radhë ngjarja është disi
tjetër: vajza, Olimpia, është në Koron (Morè) dhe në një mbrëmjeherë
mbledh lule e këndon e trishtuar. Andej kalon një ushtar turk dhe e rrëmben
e ia çon të parit të tij, Kur bien të flenë, një zog sillet rrotull
shatorres e "ulej/eqante: Mjera u, Mjera u zogë!/Puthën i vëllau të motrën!"Të trembur, të dy pyesin njeri-tjetrin dhe zbulohen se janë vëllezër. Nga të dhënat (sidomos toponimet) kuptojmë se këto janë variante shumë të lashtë, së paku që nga viti 1534 kur shumë shqiptarë u shpërngulen që andej dhe u hodhën në Itali.
Varianti i dytë e këtij grupi të parë, këndohet në rrethet e Gjirokastrës e të Përmetit dhe quhet "Kënga e Gjino Vakut". Është historia e një hajduti, të cilin, pas njëzet vjetësh e sjell rruga në vendlindje, nga ku kishte ikur fëmijë. Rrugës ndesh me një dasëm, turret mbi krushqit dhe rrëmben nusen. Me nusen e rrëmbyer ai shkon në një manastir të verë kurorë, por aty: "Fryn një erë e një furtunë,/gjithë kandilet i shoi, /kallogretë i vuvosi,/priftërit i marmarosi." I trembur nga këto shenja të qiellit, hajduti pyet nusen: "E kuja je ti, moi vajzë? /Jam e bij'e Spiro Vakut,/jam e motr'e Gjino Vakut, /jam e mbes'e qir Dhespotit" /Qënkemi motr'e vëlla,/ndaj u bë këjo hata!". Në disa variante të mbledhura po në këto zona, hajduti quhet Konofat apo Gjino Vaka, ndërsa në një variant, vajza është e bija e Agramozit.
Në variantet e treta që këndohen në tërë Veriun e vendit tonë, kemi si hero Gjon Pretikën. Në përmbledhjen që i bëhet te "Visaret e Kombit" (II f.257) lexojmë: "Gjoni shkon e zen në mal blegtoreshën dhe e ngreh rrshánë. Blegtoresha i thotë se s'asht e shkretë, qi me ia bà ashtu, se e ka nji vlla n'ushtri, emnit Gjon, me ka gjashtë gishta në dorë e në kambë. Dalin motër e vlla e prej mallit pëlsasin ngryka ngryka".
"Ku ra Gjoni, bini ftoni,/ aty çili lule ftoni;/ku ra blega, bini shega,/aty
çili lule shega". Motra këtu quhet Fasile. Shenjë kjo se ka nisur
islamizimi i legjendës.
Në grupin e dytë të këtyre këngëve legjendare, vendosim zakonisht këngën legjendare të Ali Borxhalisë. Heroi këtu është Ali Borxhalia (ose Lute Fukaraja), i cili mbytet në borxhe dhe, megjithëse shet shtëpi e katandi, nuk arrin dot t'i lajë. Atëhere ai mendon (në disa variante këtë ia shtie në mend e ëma) të shesë të shoqen. Në variantin ku e këshillon e ëma (VK I f.269), janë këto fjalët e saj: "Hiç merak, bir, mos u ban,/ se fort kollaj na borxhin kem me e la, /nuse e bukur, bir, ty t'ka qillue, /kur t'na vinë ma e para e djelë,/ditë pazarit, bir, qi ka qillue,/kem m'e veshë nusen e përdorue (stolisë),/e n'pazar nusen kem me e çue,/pesëqind qese nusen kem m'e shitë,/dyqind qese na qar kem me i pasë,/treqind qese na borxh kem me i la;/gjaja e malli prap ka me na mbetë,/nusen prap, bir, kam me t'marrë."Djali pranon, megjithëse nusja i lutet që të mos veprojë ashtu. Ditën e pazarit, nusja shitet dhe ai që e blen del më në fund se është i vëllai. Edhe këtu, një pullumb pengon bashkimin e tyre. Atëhere vëllai e kthen të motrën tek i shoqi të cifit ia fal edhe të hollat që ka paguar për ta blerë të motrën. Kjo këngë legjendare haset në Shqipërinë e Veriut ku është integruar në Ciklin e Kreshnikëve. Emri i vëllait të nuses është, sipas krahinave, i ndryshëm: Hysen aga i vogël në Kastrat, Hazri Asali në Kallmet, Rexhë Demiri në Pukë, Zir Hasani në Burrel etj. Kuptohet qartë se në këtë variant, që është disi më i ri nga ato që pamë në grupin e parë, kemi reflektimin e zakonit të blerjes së nuses dhe, sipas logjikës së kësaj shitblerjeje, ashtu si blihet, një nuse ashtu edhe mund të shitet...
Ndikimi islamik është i qartë, pra, në pozicionin që i caktohet femrës, e cila është një pjesëtare që mund të shkëputet lehtë nga familja edhe nëse ka lindur fëmijë, mbasi vendin e saj, mund ta zënë fare lehtë të
tjera, madje mund të jenë në një shtëpi shernra të ndryshme, të gjitha në varësi të bashkëshortit, që i ka blerë dhe mund t'i trajtojë si mall.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Rinjohja e Vëllait me Vëllanë

Rinjohja e vëllait me vëllanë. Zakonisht, struktura tipike e subjektit të kësaj kënge legjendare, ndërtohet nga fati i dy vëllezërve, të ciiët ndahen që fëmijë, rriten në ambiente të tjera dhe rasti e sjell që, pas vitesh, të njihen nga shënja trupore apo diçka tjetër se janë vëllezër. Tematikë e njohur prej kohësh edhe në letërsinë artistike, si p.sh. te Plauti (Menehmët) ku vëllezërit janë binjakë, te Cajupi etj. Në folklor njihet kënga legjendare e Siran Tin Alias dhe e Arnaut Osmanit, e cila për nga forma, ambienti dhe fryma e përgjithshme kuptohet qartë se është integruar në Ciklin e Kreshnikeve. (Këngë popullore legjendare, Tiranë, 1955, f. 65). Siranin e pyesin agallarët përse nuk martohet. Ai u përgjigjet se ka rënë në dashuri me gruan e Amaut Osmanit dhe se do të shkojë t'ia rrëmbejë. Niset dhe në Fushat e Kralisë "tridhetë bashkë i kite pa :/in dalë çikat te gurra tue la". Nga biseda me to kupton se cila është nusja e Arnaut Osmanit dhe atëherë e rrëmben n'vithet gjogut djali po ma ven,/me ni rryp për vedin ma ka njeshë, e për bjeshkë rrugën e ka marrë, /tridhetë çikat brimën e fillojnë". Arnaut Osmani niset ta ndalojë grabitësin, por ai është larg. Atëhere merr një gjethe dhe shkruan me gjak mbi të : "Pa trimni njat nuse e ke marrë, /ka viejtë provë me mua me u ba"! Era e merr gjethen dhe ia çon Siranit. Ky i shkruan një letër dhe cakton ditën e dyluftimit. Të dy ndeshen rreptas: "Paskan nisë me mazdraka po priten!/Kryeça-kryeça atllarët i avritkan,/paskan nisë me shpata çi po priten,/deri batall shpatat i kanë ba./Atëherë trimat n'tokë çi kanë ra, /fyt ëm fyt trimat kenkan kapë(...)/Shum janë siellë, shum janë sukullua, gjaku sytë krejt ja kite mlua,/nusja rrite n'kam tuj shikjua:/Pash ni Zot, djelmoça, çi ju ka dhanë,/nalnju pak sytë çi me i la! "Trimat ndërpresin belegun dhe pyesin njeri-tjetrin se nga janë e ç'njerëz kanë në shtëpi dhe kështu mësojnë se janë vëllezër, mbetur jetimë, Sirani që kur ishte 5-vjeçar (mbasi babanë ua kishte vrarë Muji), ndërsa Arnaut Osmani ishte ende në bark të nënës e kështu nuk e kishte njohur të atin. Edhe e ama e kishte braktisur në sarajet e Krajlit dhe për vete qe larguar. Kështu njohin njëri-tjetrin dhe pasi kërkojnë për një kohë të gjatë, gjejnë edhe nënën e tyre.
Një këngë e tillë legjendare është ambientuar edhe në kohën e Skënderbeut dhe dëshmon me këtë për vjetrinë e saj. E mbledhur nga De Rada (MH I f. 167) ajo është botuar te "Rapsodi..." dhe nis me vargjet: "Gajin buk si di vëllezër/Skanderbeku e Milo Shini". Befas dëgjohet një gjëmim. Skënderbeu nis Milo Shinin të shohë se ç'është: po të jenë turqit, ta thërrasë, po të jetë gjëmim nga qielli, të kthehet. Milo Shini shkon dhe vë re se vinin turqit. I vjen turp të kthehet dhe të thërrasë Skënderbenë dhe vendos të ndeshet me turqit ai vetë me trimat e tij. Në betejë e sipër, Milo Shini plagos njërin nga turqit. Kur e pyet se kush është, tjetri i pergjigjet: "-Jam i arbëresh u, Gjin Bardhela./-Gjin Bardhela, vëllau im,/mba tutje mos u t'vras,/se jam gjaku dejturith,/të gjakut te qenit turk."Në fund të betejës, ai e çon vëllane në shtëpi, te e ëma: "-agëzuashë, zonja mëmë, /Gjin Bardhelën, tët bir, /Gjin Bardhelën, tim vëlla,/ t'e solla. Ni mua uratën,/ uratën e tinë zoti,/ëm e të gjithë ëngjëjvet'. Në këngë nënkuptohet se si janë ndarë vëllezërit nga njeri-tjetri, me sa duket Gjin Bardhela ka qene rrëmbyer e rritur si jeniçer.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Gjergj Elez Alia

Trim mbi trima kishte qënë gjithmonë Gjergj ElezAlia. Vjetë e vjet ai i kishte dal zot truallit të të parëve, ia kish mbrojtur nderin .Kish luftuar me topuz
e shpatë kundër armiqve të derdhur këtej nga deti e nga toka për të shkelur vendin, për t'a dhunuar e zhveshur. Dhe të gjithë këta armiq Gjergj Elez Alia i kish shtrirë përtokë pa frymë. Por në luftrat e shumta me dhunonjës të shumtë trimi ynë kishte marrë nëntë plagë në shtat dhe tani kishte nëntë vjet që dergjej në kullë. Atë e kishin harruar të gjithë dhe e kishin lënë në dorë të fatit. Nuk e kishte harruar vetëm e motra që i rrinte ditë e natë mbi krye. I lante plagët me ujët e gurrës nëntë vjece, ia shpëlante me lotët e syve të saj, i terte gjakun me flokët e ballit; shtatin ia lidhte me shamitë e nënës, ia hijshonte me petka e moçme të tatës; armët e brezit ia rendiste mbi krye. Sepse kur i shihte armët pranë, bacë Gjergji e ndjente zemrën ende të ngrohtë, i ngjallej një fill shprese. Ai i duronte si burrë dhembjet e plagëve kur i ndërronte motra shtatin.Vetëm një dhembje nuk e duronte dot Gjergji. Dhembjen për motrën e dashur të varrosur së gjalli pranë tij, në kullën e lartë, që t'i mjekonte plagët, të përkujdeseshe për të. Kjo dhembje e shtrinte Gjergjin si të vdekur, pa frymë. E motra e Gjergjit s'kish patur kurë çaste gëzimi. Ndërsa shoqet e saj gëzonin të ritë e tyre, kishin dashuruar, ishin martuar kishin lindur fëmijë, ajo rrinte gjithnjë mbyllur në kullë pranë Gjergjit të sëmurë.
Kështu kaluan të nëntë vjetët. Vitin e nëntë u hap e mori dhenë fjala gjëmëmadhe se kish dalë nga deti një bajloz i zi, trim i fortë e i prapë, më i lig nga gjithë bajlozët e tjerë që kishin shkelur gjer atëherë truallin tonë. Ky bajloz i prapë i kishte hedhur vendit një rreng të rëndë; çdo derë ti jepte një dash të pjekur, çdo vatër ti dërgonte një vashë të njomë Bajlozi vriste ditë për ditë, digjte javë për javë një krahinë. Kishte vrarë aq kreshnikë sa tani askush s' kish zemër t'i dilte përpara e t'i priste hovin, sepse topuzi i tij ishte shumë i rëndë, shpata e tij ishte shumë e mprehtë dhe shigjeta e tij përshkonte tej e tej trupin e kreshnikut. Kështu tërë vendi lëndonte nën thundrën e tij.
Gjergj Elez Alia s'dinte gjë; ai dergjej në shtrat si i vdekur e i pakallur në varr. Askush nuk vinte t'i qante brengën e ti kërkonte ndihmë sepse e dinin se s'kishte forcë as të dilte tek pragu i derës. Kur i erdhi rradha shtëpisë së Gjergjit që t'i jepte Bajlozit haraçin, dashin e pjekur dhe motrën, kjo, motra, qau me lot dhe u ankua dhe nëmi
- O vëlla , po qysh na harroi neve vdekja e s'na mori
Nëna e tata kalben të vdekur nën blir.
Shtati i vëllait kalbet së gjalli brenda në shtëpi.
Shtati i motrës do të bjerë në duart e balozit të zi ...
Pse vallë nuk shëmbet kjo kullë të na zërë brenda të vdekur ?
Pse s'bëhet gërmadhë kjo shtëpia jonë ?
Vdekja është më e ëmbël moj e zeza nënë se sa jeta pa nder.
Atëherë Gjergji u zgjua, shikoi përreth e s'dinte ç'kishte ndodhur. Kish ndjerë që i ishte lagur fytyra dhe kish pandehur se kulla i ishte rrënuar aq shumë sa ia shtinte shiun brenda. Zemra iu bë copë, shikoi motrën; dy vija lotësh ia përshkuan faqet e tretura. Dhe nga pikëllimi mallkoi kullën;
- Hej, u nxifsh moj kulla ime! Të mbuloftë
fund e krye lemashku. Paç banorë brevën e gjarprit!
Si më lëshove ti kaq shpejt pikat e shiut brenda në shtrat ?
Motra ia fshiu me dorë të dredhur lotët e i tha:
- Jo, more vëlla, nuk bie shi përjashta e nuk pikonçatia e kullës.
Ty të kanë lodhur fort plagët e shtatit dhe shkretia,
prandaj s'di ç'flet; sytë e mi pikojnë lot vëlla !
Atëherë Gjergji i shtrëngoi dorën me atë pëllëmbën e thatë, i lëmoi ëmbël fytyrën, e shikoi me ata sytë e mallit dhe i foli me zjarr, si nuk kish folur kurrë:
- Pse qan moj motër ? Pse ma thyen kaq shumë zemrën ?
Shtati im ka nëntë vjet që po kalbet së gjalli.
Në këta nëntë vjet Gjergji yt s'ka pasur kurrë pushim e
ka fërfëlluar gjithnjë si ai gjethi i ahut në faqe të shullërit.
Vallë a s'ke pasur të hash e të pish në këta nëtë vjet ?
A s'të ka mbajtur ty vëllai me të veshur e të mbathur ?
A të ka rënduar ndonjëherë me fjalë ?
Apo tu mërzit vëllai dhe të ka lindur dëshira të martohesh e ta braktisësh ?
Atëherë motra, ia mori dorën, ia vuri mbi ballin e saj dhe iu përgjigj bukur:
- Oh vëlla ! Kaq shumë të paska mërzitur vuajtja që më flet kështu ?
Hyfsha gjallë nën dhè në më shkon mendja për t'u martuar.
të ngrënë e të pirë kam patur mjaft vëlla.
Edhe të veshur e të mbathur kam pasur mjaft,
Kurrë s'më ke rënduar me fjalë si sot.
Unë ty të kam tatë, ty të kam vëlla.
Po sot bacë Gjergji dua të qaj një brengë të madhe.
Si nuk t'u përkëmb vallë shtati në këta nëntë vjet që të dalësh gjer te praku i derës ?
Si nuk u tha motra jote - e thaftë vera !
Po qysh të duroj unë e zeza turpin e ti shkoj bajlozit në derë ?
Kur dëgjoi këto fjalë, bacë Gjergji i harroi të nëtë plagët e shtatit, i harroi të nëtë dhimbjet dhe brofi drejt e më këmbë sikur të mos paskësh lënguar kurrë në shtrat: i hollë, i gjatë, ashtu siç kishte qënë dikur trim mbi trima. I tha së motrës:
- O motër, merr tani gjogun e luftës e zbrit shpejt deri tek nallban vëlami.
I thuaj: " Të dërgon falmeshëndet Gjergji, t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj hekuritë farkuar e thumba trunxhi, se do ti dalë bajlozit në shesh të burrave ".
Po s'desh të ma mbathë gjogun nallban vëlami,
hipi sërish e shko në derë të nallban dashamirit.
Vajza i hipi gjogut, e ngau shpejt, zbriti në qytet e shkoi drejt tek nallban vëllami.
- Puna e mbarë o nallban vëllami !
- Mbarë paç, moj vashë e largët !
- O vëllam, të dërgon falëmeshëndet bacë Gjergji t'ia mbathesh mire gjogun
me patkoj hekuri të farkuar e thumba trungji,
se do t'i dale baljozit në shesh të burrave.
Mirëpo në këta nëntë vjetët, që kur Gjergji ish varrosur së gjalli breda në kullë, nallban vellami e kish harrur fare vëllazërinë e vjetër. Ai nisi t'i flasë së prapthi së motrës së bacë Gjergjit.
- Po të m'i falësh - tha -moj vashë, ata sytë e ballit,
unë do të shpëtoj Gjergjin tënd:
do t'ia mbath mirë gjogun e do t'ia bëj të fluturoje si era.
Motra e Gjergjit ia ktheu me zemërim:
- C'po thua ashtu, o nallban, tu thaftë goja ?
un pandeva se pata ardhur në derë të vëllamit,
po e shoh se paskam rënë në derë të magjypit.
Këta dy sy unë ia kam falur një hërë e përgjithmonë
nënës e tatës që kalben nën dhè,
ia kam falur Gjergjit tim që kalbet me nëntë plagë mbi dhè !
Kaq i tha motra e Gjergjit nallban vëllamit që e kish
harruar vëllazërinë dhe i ra kalit e shkoi te nallban dashamiri.
- O nallban dashamiri - i tha - të dërgon falëmeshëndet
bacë Gjergji, t'ia mbathësh mirë gjogun me patkonj të
farkuar dhe me thumba trungji,
se do të dalë të luftojë me bajlozin e detit.
Nallban dashamiri s'ia bëri fjalën dy po ia mbathi kalin mirë e bukur si për vete.
- I thuaj - tha - falëmeshëndet bacë Gjergjit e daltë faqebardhë në luftë.
- Rrofsh e qofsh o nallban dashamiri !... - ia ktheu vasha.
Mbrëmanet vajza u kthye në shtëpi dhe gjeti Gjergjin tek po priste nën hijen e blirit
: i veshur e mbathur me armët pranë. Ai kishte mposhtur dhimbjen e shtatit për të ruajtur nderin e shtëpisë së vet e të gjithë vendit për hakmarrje.
C'bëri Gjergj Elez Alia ?
Ia dërgoi falëmeshëndet Bajlozit të detit dhe i tha :
- Unë s'kam vashë për ty o bajloz !
Deshtë e vathës nuk i kam majmur për ty.
Kam vetëm një motër në shtëpi po nuk ta jap dot
se s'ka kush të më lidhë plagët e shtatit.
Pra të pres të dalësh në dyluftim në shesh të burrave.
Kur zuri drita të zbardhë majat ata të dy, Gjergji dhe Bajlozi i detit dolën kaluar në fushë të luftës dhe zunë t'a thumbojnë shoqishoqin me fjalë. Bajlozi ish veshur me parzmore të rënda hekuri, kish vënë në kokë përkrenare celiku ish armatosur me
këpucë të rënda dhe shpatë të gjatë dhe kalin e kish ngarkuar me pllaka hekuri. Tundej dheu ku shkelte. Sapo pa Gjergjin të ligur e të tretur, kaluar mbi gjog, bajlozi qeshi me të madhe dhe i thirri :
- Nga varri qenkë ngritur o Gjergj!
Pse më ke nxjerë kot bre burrë në fushë të luftës ?
A nuk e di ti se mua më thonë bajloz deti ?
Unë kam shembur nga kali shumë kreshnikë dhe i kam dërguar në botën tjetër.
Ty do të shemb me gishtin e vogël !
Gjergji ia ktheu bukur :
- Mirë po thua o bajloz të lumtë goja !
Vërtetë unë kam nëntë vjet që kam marrë udhën e varrit
se kam nëntë plagë në shtat, po pa arritur ende në varr
ti më ktheve prapë, sepse ti më ke kërkuar motrën
përpara se të më kërkosh dyluftimin,
ke kërkuar berat përpara se të kërkosh barinë,
unë kam ardhur këtu të tregoj se ç'na thotë kanuni i të parëve tanë;
të mos lëshojmë gjënë para se të lëshojmë armët,
të mos i japim kurrë motrat bajlozit para se të vritemi me shpatë në shesh të luftës.
Bëhu gati bajloz se të ka ardhur dita e fundit. Këtu i thonë Gjergj Elez Alia.
I lëshuan kuajt vrap në fushën e luftës tym më tym . Bajlozi i prapë mori në shenjë i pari dhe hodhi topuzin . Gjogu i Gjergjit përkuli të dy gjunjët dhe u ul. Topuzi i rëndë i bajlozit i fluturoi Gjergjit mbi krye dhe u ngul tutje dymbëdhjetë pash thellë nën lëndinë. Pluhuri u ngrit dymbëdhjetë pash lart. Kur i erdhi rradha Gjergjit e hodhi bukur topuzin e vet dhe e qëlloi bajlozin në shteg të ballit. Bajlozi u përkul dhe u gremis i vdekur. Kur u gremis u tund tërë fusha. Kali mori arratinë . Gjergji nxori menjëherë shpatën e mprehtë dhe ia ndau kryet nga trungu. Kryet ia vari në modhë të shalës. Trungun ia hoqi zvarë për këmbe nëpër fushë përmes ferrash dhe drizash dhe ia hodhi në një përrua. Gjaku i bajlzoit të zi rrodhi nëpër përrua, nxiu gjithë lumin. Tre vjet rresht vendi rreth e qark kundërmoi erë kërme...
Si e vrau bajlzoin e zi , trimi u kthye fitimtar në shtëpi, mblodhi gjithë shokët e u tha : -pa dëgjoni o shokët e mi, falë ju qofshin kullat e mia, falë ju qofshin gjithë paret e mia, falë ju qoftë gjithë malli dhe gjëja ime, amanet motrën e Gjergj Elez Alisë.
Dhe trimi u hodh të përqafonte motërzezën që e priste me gëzim. Të dyve zemrat u pushuan përnjëherësh. Vëlla e motër ranë përdhe të vdekur. Vdekje më e lehtë dhe më e ëmbël s'ish parë kurrë. Shokët vajtuan me gjëmë të madhe, hapën pastaj një varr të gjerë sa t'i nxërë të dy vëlla e motër të përqafuar. Varrin e rrethuan me një muranë të bukur që të mos harrohej kurrë se sa shumë e kishte dashur vëllai motrën dhe motra të vëllanë, të mos harrohej trimi i madh Gjergj Elez Alia, që mbrojti nderin e vet dhe të shtëpisë dhe që shpëtoi vendin nga dhunat e bajlozit të zi. Mbi krye shokët u mbollën atyre të dyve një bli të bukur, atje pushon ngaherë zogu i verës...
Kur nisi të dushkohet mali qyqja qëndroi mbi muranën e varrit të ri se e gjeti blirin të tharë. Fluturoi mbi sarajet e zeza dhe e gjeti tërë kulmin të shëmbur përdhe. Atëherë zuri vend në një dritare dhe i tha me përbetim shtegtarit që shkonte udhës:
- Dëgjo o shtegtar i malit, në qofsh duke kënduar
kur të afrohsh kësaj ane pushoje këngën tënde,
në qofsh duke qarë kur të afrohesh kësaj ane

shtoje dhe më shumë vajin e gjëmën.
Unë kërkova bjeshkë më bjeshkë,
verova verim më verim,
mjerova shtëpi pas shtëpije
por kërkund nuk e pashë një trim si Gjergj Elez Alia.
Të gjitha shkuan e vanë,
Gjergj Elez Alia vdiq, motra e dhembshur vdiq,
kulla e lartë u shemb dhe murana e varrit s'njihet më,
as kulla e dikurshme,
po doli kënga që shkon si një yll drite nëpër shekuj
për të kënduar trimërinë e vëlait dhe dashurinë e motrës,
fismërinë e shpirtit të madh shqiptar
dhe kënga nuk vdes kurrë....
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Rozafa

Krenare ngrihet mbi Bunën e gjerë dhe mbi qytetin e Shkodrës kështjella e lashtë e Rozafatit.
Kur është hedhur guri i parë i në themelet e kësaj
kështjelle? S'dihet . Historia e saj humbet në mjegullën e lashtësisë ilire, banorëve të mocëm të kësaj mënge. Një gjë dihet mirë e qartë ; atë e kanë pasur dikur labeatët dhe pastaj Ardianët, që ishin fise të forta ilire.Në atë kohë tërë bregu i këtejshëm i Adriatikut, gjer në Tergesten e bujshme apo Triesten e ditëve tona, ishte breg ilir. Më vonë u derdhën këtej romakët pastaj sllavët, normanët, venetikët turqit e shumë popuj të tjerë të huaj. Gjatë shekujve ata krepat e thatë nën muret e Rozafatit, si dhe vetë muret e kështjellës , janë lagur me përrenj gjaku të atyre që e kanë sulmuar dhe atyre që e kanë mbrojtur. Të huajt erdhën dhe shkuan kurse populli ynë mbeti ngulur në këtë tokë ilire.Ndërtimi i Rozafatit ka një gojëdhënë të bukur por dhe të hidhur që ka ardhur nga lashtësia deri në ditët tona. Ja c'thotë kjo gojëdhënë.........

I ra mjegulla Bunës dhe e mbuloi të tërë . Kjo mjegull mbeti aty tre ditë e tre netë . Pas tri ditësh e tri
netësh fryu një erë e hollë dhe e lartoi mjegullën. E lartoi dhe e shpuri gjer në kodrën e Valdanuzit. Aty majë kodrës punonin tre vëllezër. Ndërtonin një kështjellë. Murin që e bënin ditën u prishej natën dhe kështu nuk e lartonin dot . Na shkon aty një plak i mirë.
- Puna e mbarë , o tre vëllezër.
- Të mbarë paç o plak i mirë . Po ku e sheh ti të mbarën tonë.
Ditën punojmë , natën prishet . A di të na thuash një fjalë të mirë .
C'të bëjmë që të nbajmë muret në këmbë ?
- Unë di - u thotë plaku - po e kam për mëkat tua them .
- Atë mëkatë hidhe mbi kryet tona , se ne duam që ta qëndrojmë më këmbë këtë kështjellë..
Plaku i mirë mendohet e pyet :
- A jeni të martuar o trima ? A i keni ju të tre vashat tuaja ?
- Të martuar jemi - i thonë ata - edhe të tre i kemi vashat tona.
Na thuaj pra ç'të bëjmë që ta qëndrojmë këtë kështjellë ?
- Në doni ta qëndroni , lidhuni me besa besë : vashave mos u rrëfeni , në shtëpi mos kuvendoni për fjalët që do t'u them unë . Atë nga të tri kunatat që do të vijë nesër t'ju sjellë bukën , t'a merrni e t'a muroni të gjallë në mur të kështjellës . Atëherë keni për ta parë se muri do t'u zërë vend e do t'u qëndrojë për jetë e mot.
Tha kështu plaku , pastaj shkoi ; tani u pa , pastaj s'u pa.
Vaj !
Vëllai i madh e shkeli besën e fjalën : ia tregoi të gjitha vashës së vet kështu e kështu , i tha të mos
vinte atje të nesërmen . Edhe i mesmi e shkeli besën e fjalën : ia tregoi të gjitha vashës së vet . Vetëm i vogli e mbajti besën , fjalën : nuk kuvendoi në shtëpi , nuk i tha gjë vashës së vet .
Në mëngjes ata të tre ngrihen shpejt e shkojnë në punë . Cekanët godasin , gurët coptohen , zemrat rrahin , muret lartohen...
Në shtëpi nëna e djemve s'di gjë . I thotë së madhes:
- Moj nuse e madhe , mjeshtrit duan bukë e ujë ; duan kungullin me verë.
Nusja e madhe ia kthen:
- Besa nënë , sot s'mund të shkoj se jam sëmurë.
Kthehet i thotë së mesmes:
- Moj nuse e mesme , mjeshtrit duan bukë e ujë : duan kungullin me verë.
- Besa nënë , sot s'vete , se do shkoj tek fisi për të bujtur.
- Nëna e djemve i kthehet nuses së vogël .
- Moj nuse e vogël...
Nusja e vogël brof në këmbë:
- Urdhëro zonja nënë !
- Mjeshtërit duan bukë e ujë; duan kungullin me verë.
- Besa nënë unë shkoj , po e kam djalin të vogël. Druhem se do gji të pijë e qan.
- Nisu , shko se djalin ta shikojmë ne e s'ta lëmë të qajë - , i thonë të kunatat.
Ngrihet e vogla, e mira, merr bukë e ujë, merr kungullin me verë, puth djalin e vogël në të dy faqet,
niset e bie në Kazenë; që aty ngjit kodrën e Vladanuzit, i afrohet vendit tek punojnë të tre mjeshtrit: dy të kunetërit dhe i shoqi.
- Puna mbarë , o mjeshtër !
Po c'është kështu? Cekanët ndalen e s'godasin, po zemrat rrahin fort e fort. Fytyrat zbehen. Kur e sheh i vogli të shoqen, hedh cekanin nga dora, malkon gurin e murin.
E shoqja i thotë:
- Cke ti im zot ? Pse mallkon gurin e murin ?
Hidhet kunati i madh:
- Ti paske lindur në ditë të zezë , moj kunata jonë . Ne e kemi bërë me fjalë të t'murojmë të gjallë në mur të kështjellës.
- Shëndoshë ju o tim kunetër. Po unë do t'ju lë një porosi:
kur të më muroni në mur, synë e djathë të ma lini jashtë, dorën e djathtë të ma lini jashtë, gjirin e djathtë të ma lini jashtë. Se djalin e kam të vogël. Kur të nisë të qajë - me njërin sy do ta shikoj , me njërën dorë do ta ledhatoj, me njërën këmbë do ti tund djepin e njërin gji do t'ia jap të pijë. Gjiri im u muroftë, kështjella qëndroftë, djali im u trimëroftë, u bëft mbret e mbretëroftë !
Ata e marrin nusen e vogël dhe e murojnë në themel të kështjellës. Dhe muret ngrihen, lartohen nuk shemben më si më parë. Po reth tyre gurët janë dhe sot të lagur e të myshtë, sepse vazhdojnë të pikojnë lotët e nënës për birin e saj...
Dhe i biri u rrit , luftoi e trimëroi .
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Besa e Kostandinit

Gjashtë e gjashtë dymbëdhjetë,
Doruntina trembëdhjetë !...
Ish njëherë e një mot një nënë shumë e mirë i kish dymbëdhjetë bij të hijshëm. Të trembëdhjetën kishte një bijë të bukur mbi shoqet të gjitha, që ia thoshin Doruntinë .
Vasha u rrit e u bë për tu martuar. Mirëpo nga bujarët e atij vendi askush nuk e gëzoi. Të gjithë e dëshironin askush s'guxonte ta zërë nuse, sepse nuk e ndjente veten të zotin për ta marrë për shoqe. Atëherë na vjen një trim i largët; i mirë, i hijshëm, i fisëm dhe nis dërgon shkesë dallëndyshen që t'a
kërkojë Doruntinën nuse. E ëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit e mëdhenj nuk donin t'ia jepnin, sepse trimi ndonëse i mirë e i fisëm, ishte nga një vend shumë i largët. Vetëm i vogli, Kostandini donte.
- T'ia japim zonja mëmë - thosh ai - se trimi është i mirë. Më ka hyrë në zemër.
- Kostandin biri im, cfarë po thua ti kështu? - ia kthente e ëma. Aq larg do ma shpiesh Doruntinën time? Se në e daça për gëzim, për gëzim nuk do t'a kem; se në e daça për helm, për helm nuk do t'a kem.
- Të jap besën zonja mëmë, se kur t'a duash ti Doruntinën, qoftë për gaz qoftë për helm, vete unë e
t'a sjell!.
Mëma dhe të njëmbëdhjetë vëllezërit u bindën: e vluan dhe e martuan Doruntinën me trimin e largët. Bënë dasmë nëntë ditë. Të dhjetën trimi mori nusen e shkoi tek dheu i tij i largët. Mëma e vasha qanë me lot kur u ndanë ...

... Shumë luftra u luftuan atë mot te dheu ynë, se kish ardhur i huaji t'a shkelte e t'a pushtonte. Të
dymbëdhjetë vëllezërit dolën të luftojnë për vendin e tyre dhe u vranë një pas një të gjithë.
Kur iu vra djali i parë, mëma psherëtiu e tha:
- Biri im unë nuk kam helm e nuk do të të qaj, sepse ti re për dheun tënd e më mbeten dhe njëmbëdhjetë bij të tjerë për luftë.
Kur iu vranë gjashtë, që të gjashtë trima e të dashur, ajo derdhi vetëm nga një lot për secilin e bëri vetëm nga një vajtim. Po kur nisën t'i vriten dhe të tjerët, mëmës iu këput zemra dhe lëshoi një psherëtimë të madhe sa uturoi tërë vendi:
- Mjerë unë, ç'helm i madh të mos kem Doruntinën pranë në këtë zi që më mbuloi shtëpinë!.
Kur u vra djali i fundit, Kostandini, mëma shkuli leshrat e bardha e thirri:
- Bobo, ç'vdekje, e nëmosura vdekje! Ti më more dymbëdhjetë bij e tani kush mund ta dijë a s'ma ke
marrë edhe bijën time të vetme, bijën time të dëshiruarën!
Kur u gdhi e shtuna e të vdekurve, mëma vajti te varret e të bijve. Dymbëdhjetë djem kish pasur,
dymbëdhjetë varre kish tani... Mbi çdo varr ndezi nga një qiri e bëri një vajtim, po mbi varr të Kostandinit ndezi dy qirinj dhe bëri dy vajtime, qau me ngashërime dhe thirri tre herë:
- O biri im! O biri im! O biri im!...
Edhe tri herë të tjera:
- O Kostandin! O Kostandin! O Konstandin!
Pastaj u shemb përdhe, pushtoi gurin e varrit e u trua:
- Kostandin, o biri im, ku është besa që më dhe, se do ma sillje Doruntinën, tët motër? Besa jote vdiq bashkë me ty e kalbet në varr të zi!
Kështu tha dhe e lau gurin me lotët e syve.
Në mesnatë Kostandini u ngrit nga varri. Guri i varrit u bë kalë i zi si nata. Edhe dheu i zi u bë shalë e zezë si nata. Rrotulla që mbante gurin u bë fre i argjendtë. Trimi i hipi kalit, u përkul përpara, uli kryet dhe i ra me shporet. Kaptoi si frymë male e fusha, hodhi lumenj e përrenj, la prapa katunde, kodra , pyje...
Kostandini arriti te shtëpia e motrës kur kish dalë dielli. Ajo ndodhi ditë e kremte. Në shesh, përpara shtëpisë, gjeti të bijtë e të motrës, nipërit e tij, që loznin e vraponin pas dallëndysheve, I pyeti:
- Bij të zemrës, ku është zonja, mëma juaj?
- Kostandin, o zoti lalë, - i thanë ata - mëma jonë po hedh valle në fshat, atje tek bëhet dasmë.
Kostandini shkoi shpejt tek vallja e parë, pa një luzmë vashash të bukura tek këndonin e vallonin dhe tha me vete : "Të bukura jeni, moj vasha, por për mua nuk jeni, sepse unë s'jam nga kjo botë...". Dhe u afrua të pyesë:
- Gëzuash, o vasha të bardha! A është me ju Doruntina, motra ime?
- Shko përpara trim, se do ta gjesh tek kërcen hareshëm veshur me petk të ndritshm kadifeje.
Kostandini vajti tek vallja e dytë dhe u mat të pyesë përsëri, po Doruntina e pa vetë dhe i thirri:
- Kostandin, o im vëlla!
Dhe iu afrua e përqafoi.
Kostandini i tha:
- Doruntinë, motra ime! Eja të shkojmë. Të do zonja mëmë në shtëpi!.
Më thuaj vëlla, si të vij unë atje? Po të më dojë për gaz , do të vete të marr stolitë më të mira, por po të më dojë (mos qoftë e thënë) për helm, do vete të vishem me të zeza.
- Eja motër, ashtu si je!.
E mori në vithe të kalit. Kali ikën si shakullimë. Ata kapërcejnë si në ëndërr male e fusha, pyeje e kodra, lumenj e përenj. Hëna e yjet kanë shtangur lart e shikojnë me të drojtur.
Gjatë udhës, motra e pyet vëllanë:
- Kostandin, vëllai im, përse shpatullat e gjëra të janë mbushur me myk?
- Doruntinë, motra im , shpatullat mi ka mbuluar tymi i shkluhave në luftë. Se në vendin tonë u bënë luftra të mëdha, erdhën armiq të na shkelin dhe ne të gjithë dolëm të luftojmë.
- Kostandin, vëllathi im, përse flokët e derdhura i ke gjithë pluhur?
- Doruntinë motra ime, gjatë udhës kishte shumë pluhur dhe mi pluhrosi flokët.
-Kostandin vëllathi im, përse vëllezërit e mi të bukur si drita, s'kanë dalë përpara të na presin?
- Doruntinë, motra ime, ndoshta janë në lodër e s'presin të vemi sonte.
- Kostandin vëllathi im, përse dritaret e shtëpisë janë mbyllur sot krejt?
- Doruntinë motra ime, i kemi mbyllur se fryn erë e fortë e dimrit nga deti.
Kur arrinë pranë kishës, Kostandini i tha motrës:
- Ti shko përpara se unë dua të hyj të përgjunjem!
Kostandini shkoi e hyri prapë në varr të zi. Kali u bë prapë gur, shala u bë dhè dhe freri i argjendtë u bë rrotullë. Dhe përsëri reth e qark zotëroi heshtja e vdekjes.
Ndërkaq Doruntina ngjiti shkallët dhe trokiti gazmend në derë.
- Mëmë hapma derën!
- Kush je ti që trokëllin aty tek dera?
- Hapma zonja mëmë - Jam jot bijë Doruntina.
- Ikë tutje nga ke ardhur o vdekje e shkretë. Ti mi more të dymbëdhjetë bijtë e tani ke ardhur të më
marrësh dhe mua që të mos e shoh më Doruntinën time!
- C'po thua ashtu zonja mëmë? Nuk ma njeh zërin? Besa zonja mëmë, jam unë vetë, Doruntina jote.
- Ngul gishtin tek vrima e kycit që të ta shoh e të t'a njoh.
Doruntina nguli gishtin e vogël tek vrima e kycit - atë gisht të hollë e të bardhë. Mëma ia njohu sakaq e i hapi derën.
- Kush të solli këtu, o zemra ime?
- Më solli Kostandini, im vëlla.
- Cili Kostandin, moj bijë? Kostandini im ka vdekur bashkë me të njëmbëdhjetë vëllezërit e tjerë. U vranë në luftë...
Dhe si rinin të dyja,
njëra tek praku e tjetra në derë,
plasën si qelqi me verë...
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Ymer Agë Ulqini

YMER AGË Ulqini ishte djalë në lule të moshës. Të sotmen u martua të nesërmen i erdhi kartë nga mbreti: "Ti Ymer agë Ulqini të nisesh e të shkosh në luftë se po na sulmon armiku ... "Kjo kartë ishte e zezë, e hidhur se ndante trimin nga vasha. Po Ymer Aga ishte ushtar nuk e bëntë fjalën dysh. U ngrit, shaloi balashin, ngjeshi armët, shkoi u la shëndenë miqve, shokëve, nënës e atit, pastaj vajti e ia tha vashës: Moj vasha ime, mua më dërgon mbreti fjalë të shkoj në luftë e duhet të nisem.
- Merrmë dhe mua me ty Ymer Agë -, i thotë vasha.
- Jo vashë nuk të marr dot, se atje i thonë luftë e lufta është për burrat. Unë dua të më japësh besën se nuk do të martohesh e do më presësh derisa të kthehem.
Më thuaj sa do të më presësh ti mua moj vasha ime ?
- Do të të pres nëntë ditë
- Nëntë ditë janë pak moj vashë, udha ime është e gjatë dhe lufta është e gjatë, se kjo luftë bëhet në dhe të largët. Në më do siç të dua të më presësh nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë të nëntë vjetët e të nëntë ditët e unë të mos kthehem ti vashë martohu e trashëgohu se kështu qënka thënë, atëherë unë s'do të jem gjallë.
Vasha psherëtiu
- Mirë Ymer Agë do të të pres nëtë vjet e nëntë ditë.
Kështu e lidhën fjalën ata të dy. Ai të shkojë në luftë, ajo të presë nëntë vjet e nëntë ditë. Ymer Aga i la shëndenë vashës, i hipi balashit e shkoi me zemër të ngrohtë në luftë. Kali ikte e linte prapa një re pluhuri që ngrihej në udhë. Kalorësi nxitonte të arrinte sa më shpejt në luftë. Trim ishte Ymer Agë Ulqini por armiku ishte i madh e i shumtë. Që në përpjekjen e parë të tij iu turrën mizëri kalorësish
të veshur me hekur. E qarkuan dhe e qëlluan me shpatë, Ymer Aga luftoi si burrë, shtriu përdhe shumë burra, plagosi shumë të tjerë po në luftë e sipër i vranë balashin. Sa ia vranë balashin Ymer Aga luftoi në këmbë gjersa iu thye shpata. E zunë rob e hodhën në burg brenda në kështjellë. Qarkuan nga të katër anët me gurë mure të lartë dhe e mbajtën derë për nder se kishte qënë trim dhe trimi nderohet kudo. Aty në dhe të huaj në burg shkojnë ditët e bëhen javë, shkojnë javët e bëhen muaj, shkojnë muajt e bëhen vjetë. Një dy, tre, më shumë...
Mirëpo Ymer Agë Ulqini e ka zemrën të ngrohtë sepse vasha i ka dhënë fjalën ta presë në shtëpi nëntë vjet e nëntë ditë. Ai ha bukë, pi verë, qesh, ju jep zemër shokëve i bie ciftelisë. Dëgjon bija e mbretit të huaj e çuditet.
C'është ky njeri - thotë - që s'tutet se është burg brenda në burgun e kështjellës.
- Eshtë Ymer Agë Ulqini - i thonë.
- Të fortë e paska zemrën.
- Të fortë e të ngrohtë se është shqiptar, me fjalën e tij e me këngën e tij i forcon e i ngroh edhe të tjerët, shokët. Po në të vërtetë Ymer Aga e ka zemrën të ngrohtë e syrin zjarr. Pret që mbreti i tij të dërgojë shpërlblesë, ose shkëmbesë që ta lirojë. "Domosdo" - thotë Ymer Aga - "mbreti do të dërgojë të më lirojë se unë kam luftuar kaq vjet për të. Ia kam dëgjuar gjithnjë fjalën, ku më ka dërguar kam vajtur, ku ka dashur kam luftuar..."
Po Ymer Aga nuk di se mbretërit i harrojnë njerëzit që u kanë bërë shërbime. Edhe mbreti i tij e ka harruar fare. Atij si bëhet vonë se ka e s'ka Ymer Aga në këtë botë. Se Ymer Agën e pret vasha në shtëpi, se Ymer Aga kalbet në burg. Mbreti bën kokrrën e qejfit në sarajet mëdha buzë detit, ha e pi e ndërron gratë, dërgon të tjerë në luftë që të vriten e të bien rob. Hajde, hajde na shkojnë të nëntë vjetët. Afrohet dita e zezë. Pas nëntë ditësh do të martohet vasha e Ymer Agës, siç e kishin lidhur fjalën bashkë. Atëherë Ymer Agës i ftohet zemra, i shuhet syri, nuk ha më bukë, nuk pi më verë, nuk i bie ciftelisë . Cuditen gjithë shokët e pyesin çka e pse rri i mekur . Ai nuk përgjigjet , qëndron në heshtje kokëvarur i pikëlluar. E bija e mbretit që s'ia dëgjon më këngën pyet njerëzit:
- C'ka Ymer Aga që s'po i ndihet zëri ?
Ymer Aga i thonë - ka ditë që s'po ha e s'po pi, s'po vë gjumë në sy e s'po i bie ciftelisë.
- Ma thërrisni këtu Ymer Agën!
I vete Ymer Aga së bijës së mbretit.
- C'ke ti Ymer agë ? - e pyet e bija e mbretit . Pse s'ha bukë e pse s'pi verë, pse si bie ciftelisë.
Ymer Aga pëshon e ia kthen:
- Nuk ha dot e nuk pi dot, moj bijë e mbretit, as ciftelisë nuk i bie dot. Kam parë një ëndërr të keqe.
- C'ëndër ke parë Ymer Agë?
- Kam parë shtëpinë të nxirë e të shembur, babanë të vdekur e të harruar, nënën gjallë por të verbuar. Edhe kam parë se vasha ime po martohet. Unë veç një natë kam ndenjur martuar me vashën time, të nesërmen më erdhi kartë të nisem për luftë. U nisa, luftova e rashë rob. Ne kemi bërë me besa besë që vasha të më presë nëntë vjet e nëntë ditë. Si të shkojnë nëntë vjetët e nëntë ditët ajo të martohet e trashëgohet. Të nëntë vjetët shkuan, tani po shkojnë dhe të nëntë vitet. Të falem moj bijë e mbretit, a nuk i thua babait të më lëshojë për ca ditë, të shkoj në shtëpi sa të flas me vashën e pastaj të khehem prapë në burg.
- I them Ymer Agë por im atë, mbreti, kërkon nëntë qese aspra që të lëshojë.
- E ku ti gjej unë këto nëntë qese moj bijë e mbretit.
Unë kam nëntë vjet që jam rob i zënë ...
- C'më lë ti peng mua o Ymer Agë që të të lë të shkosh ?
- Të le besën time o bijë e mbretit .
E bija e mbretit e di se Ymer Aga është shqiptar dhe se shqiptari vdes dhe nuk e shkel besën. i Thotë:
- Ngrihu Ymer Agë, shalo kalë dorinë e për tri ditë arri në Ulqin.
Shokët e Ymer Agës fillojnë e qajnë:
- Mjerë ne Ymer Agë po shkon e na le vetëm!
Ymer Aga kthehet e u thotë:
- C'keni o shokë që po qani? Në qofsha gjallë do kthehem prapë. Këtu një orë e më parë do presim bashkë si ta kemi të thënë. Të mirëmbetshi.
- Udhë e mbarë Ymer Agë, dalsh faqebardhë!
Shalon ai shpejt kalë dorinë, i hip e merr vrapin drejt për në Ulqin. Kali ikën si shigjetë , lë pas një
vrazhdë pluhuri që ngrihet lart. Mbetën prapa male e fusha, dalin përpara male të tjera, fusha të tjera.
Vrapo dori që të arrijmë të bukurën përpara se të martohet. Ik e ik e ditë e natë me shkumë të kuqe në gojë ... Doriu është i këputur, Ymer Aga është i drobitur. Veshët i buçasin por të dy shkojnë e
shkojnë ... Për tri ditë e tri net shkojnë në vend. E ja tek zbardh Ulqini i bukur shqiptar, buzë detit
tonë ...
- Ah, Ulqin, Ulqin tërë jetën të kam pasur në zemër. Nëntë vjet të kam parë natë përnatë në ëndërr. Nëntë vjet kam dashur që të puth dheun. Valët thyhen njëra pas tjetrës në breg. Era fryn e fortë. Përsipër fluturojnë pulëbardhat... Ja tek nxin shtëpia e Ymer Agës. Ai shikon si nëpër gjumë. Jam a s'jam këtu, i është tharë gjuha për një pikë ujë. Qëndron në një krua që të lahet e të pijë, aty gjen të ëmën plakë. Ai e njeh ajo se njeh.
- Mirë se të gjej o e mira nënë!
- Mirë se vjen o rob i zënë!
- Ku më di ti se jam rob i zënë?!
- Nga flokët e gjata që të varen supeve. Nga na vjen ti o rob i zënë?
- Vij nga ajo e zeza Spanjë!
- A mos e ke parë Ymer Agën tim? A mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të? E kam parë sot e tri javë moj e mira nënë. Ymer Aga u vra, vetë e lava, vetë e qava e të shtatëzën ia ndava. Plaka nis vajin e vajton, Ymer Aga e bën zemrën gur e nuk i rrëfen të vërtetën. i thotë:
- C'jan ata njerëz që nxijnë tej moj e mira nënë? C'janë këta topa që po bien kodrave?
- Janë krushqit e atij qenit Veli Pashës që kanë marrë nusen e po shpien në shtëpi. Topat që bien janë topat e dasmës.
- C'nuse kanë marrë moj e mira nënë?
- Nusen e tim biri , të Ymer Agës ...
Ymer Aga i bie kalit e u del krushqve përpara.
- Mirë se ju gjej o krushq dasmorë
- Mirë se vjen , o rob i zënë. Nga na vjen ti , o rob i zënë?
- Nga ajo e zeza Spanjë
- A mos e ke parë Ymer Agën apo mos ke dëgjuar ndonjë fjalë për të?
- Kam tri javë që e kam parë. Ymer Aga u vra. Vetë e lava e vetë e qava e të shtazan ia ndava.
Krushqit gëzohen, qeshin; nusja qan nën duvak ...
Ymer Aga hidhet e thotë:
O krush o dasmorë! Ymer Aga më ka lënë një amanet: t'i them nja dy fjalë kësaj vashe.
- Thuj tri e sa të dush, o rob i zënë
Ymer Aga i afrohet koçisë dhe pyet nusen:
- A e njeh Ymer Agën, moj vashë?
- Si ta njoh e mjera unë e mjera nje natë të fjetur, nëntë vjet pa pjekur .. Ajo e zeza nënë me pat thënë se ka një shenjë në llërën e djathtë, që ia ka kafshuar kali Ymer Aga përvesh llërën e djathtë e i tregon shenjën. Nusja e njeh, gëzohet. I zbret koçisë, hedh mbi krye duvakun e nusërisë e u thotë krushqeve:
- udhë e mbarë, o krush bujarë, se unë po marr burrin e parë! Ky është Ymer Aga im. Burrë e kisha e burrë e kam për jetë e mot!
Ymer Aga e hedh në vithe të doriut edhe shkon drejt në shtëpi. Kthehet pastaj edhe sjell nënën.
Të nesërmen i hip prapë doriut edhe merr udhën e Spanjës. "Ti, dori, të më zbardhesh faqen, se i kam dhënë fjalën bijës së mbretit! "Ulqini i bukur shqiptar mbetet persëri prapa. Kali vrapon ditë e natë...


Po ç'na ndodh andej, në atë të zëzë Spanjë? Mbreti se dëgjon e se sheh Ymer Agën. Pyet e i thonë se Ymer Agën e ka lëshuar e bija që të kthehet në vendin e vet. Ai thërret sakaq të bijën e i shfyen:
- ç'u bë Ymer Aga robi ?
- E lëshova unë o im atë, që të takohet me vashën e tij se do t'ia merrte dikush tjetër. Më dha besën: për tri ditë vjen prapë. Sot mbarojnë të tri ditët e do të kthehet. mbreti zemërohet.
- Jo të gënjeu nuk do të kthehet!
Jep urdhër t'i presin kokën së bijës në krye të shkallëve.
Prit o im atë, gjersa të ngryset, se Ymer Aga do të kthehet medeomos. Ai se shkel besën
- Jo, kush shkon nuk vjen prapë. Është si zogu i kuvlisë: posa ia hape, iku...
Do të kthehet se me ka dhënë besën.
- Besa është një fjalë, dhe fjalën e merr era. Atë e shkelin dhe mretërit.
- Mbretërit e shkelin, Ymer Agë shqiptari nuk e shkel, o im atë... Në atë çast dukej tej një kalorës që vjen vrapë, duke lënë mbrapa një fashë pluhuri. Sa të mbyllesh e të hapësh sytë, kalorësi hyn në portë të kështjellës. I zbret kalit të shkumëzuar dhe i falet së bijës së mbretit:
- Rrofsh e qofsh, moj bij' e mbretit! e mbajta besën. Unë vajta e u ktheva. Rob isha, rob jam prapë.
Mbreti e shikon i çuditur nga kryet e shkallëve e thotë
- Ymer Ago shqiptar , ti paske qënë me të vertetë burrë i besës! Të lumtë!
pastaj kthehet e u jep urdhër rojeve:
Ymer Agën ta lironi të shkojë ku të dojë. Burrë qënka e burrë qoftë! Lëshoni dhe të nëntë shokët që ka.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

Bija e Hënës dhe e Diellit

Ish një nënë, kish një djalë. Të vetëm e kish. E donte me përgjëratë. Djali dilte për gjah. Nëna e porositi:
- Bir, bir. Gjithë maleve të gjuash, veç në mal të kuçedrës mos gjuaj. Se kuçdra është shumë e keqe bir, të ha të përpin. Atje kanë shkuar shumë trima e nuk janë kthyer prapë...
Djali nuk e dëgjoi nënën por e dëgjoi vashën e zemrës.
Ajo i tha:
- Trim, në më do mua, në asnjë mal të mos gjuash, vetëm
në mal të kuçedrës të gjuash!
Trimi e donte shumë vashën e bukur e nuk ia shkelte kurrë fjalën. Pra, u ngrit e shkoi të gjuante në mal të kuçedrës. Sapo u ngjit atje lart, zuri të lëkundet dheu, me gjithë gurë e drurë. Na i doli përpara kuçedra e madhe me shtatë krerë dhe shtatë brirë, me sytë si pishtarë të ndezur, me gojën sa një shpellë, me flatra në kurriz si krahët e lakuriqit të natës, po shumë të mëdha. Nxirrte tym e flakë të verdha nga goja. Kjo flakë digjte e përvëlote barin, lulet, shkurret. Përpoqi tri herë bishtin dhe u bë tërmet i madh. Djali nuk u tremb: vuri shigjetën në hark. Shigjeta u nis, fërshëlleu po nuk i bëri asgjë kuçedrës. I ra me shtizë, por as shtiza nuk i bëri gjë. Nxori shpatën, po kucedra lëshoi një grahmë kaq të fortë sa shpata i ra nga dora. Kështu trimi mbeti përballë kuçedrës pa shigjeta, pa shtizë, pa shpatë. Kucedra qeshi me të shtatë gojët, iu afrua, e përcëlloi me flakë dhe i tha:
- Tani unë do të ha o djalë se ti shkele malin tim. Nuk ke dëgjuar ti se ai që shkel këtë mal nuk mbetet i gjallë? Këtu kanë ardhur shumë trima të tjerë përpara teje dhe të gjithë i kam ngrënë. Edhe ty do të ha, bëhu gati.
- Moj kuçedër stërkucedër, unë e shoh se ti do më hash. Me të vërtetë qënke shumë e fortë. Të lutem vetëm për një gjë: më lër të shkoj gjer në shtëpi që ti kërkoj nënës uratën e vdekjes. Pastaj do të kthehem këtu që të më hash.
- Cdo të më japësh ti mua po të të lë të shkosh?
- Do të të jap besën time!
- Mirë, nëma besën e shko.
Djali i dha besën kucedrës, zbriti malin, shkoi drejt e në shtëpi e i tha nënës:
- Zonja mëmë, mua më zuri kuçedra në malin e saj tek po gjuaja e tani do më hajë. Unë i dhashë besën se do të kthehem dhe ajo më lëshoi. Tani falmë uratën e vdekjes se do shkoj të më hajë. Nëna lëshoi kujën: qau, bubutiu:
- Bir, o bir! C'tu desh të shkoje në mal të kuçedrës?
Pse s'më dëgjove mua? Mos shko!
- Jo nënë do shkoj se i kam dhënë besën kuçedrës.
Trimi buzëqeshi hidhur e u përgjunj që nëna t'i japë uratën e vdekjes: ai i puthi dorën, ajo i fali uratën, u vesh me të zeza, u mbyll në shtëpi...
Djali shkoi tek vasha e zemrës e i tha:
- Të falem moj e bukura ime! Kam ardhur të të lë lamtumirën se unë do të shkoj e nuk kthehem më. Do të më hajë kuçedra se më zuri tek gjuaja në malin e saj. Shigjeta nuk i bëri gjë, shtiza nuk e preku, shpata më ra nga dora kur u mata ta qëlloj. I dhashë besën se do kthehem prapë të më hajë. Pra mbeç gëzuar moj e bukur!
Vasha vuri buzën në gaz.
- Të vjen keq që do të të hajë kuçedra?
- Jo moj e bukur. Ti më ke falur kaq ngazëllime me bukurinë tënde e me buzëqeshjen tënde sa shkoj në vdekje pa asnjë pengesë. Qofsh e lumtur e rri me shëndet, se dua të arrij sa më shpejt, më pret kuçedra.
- Prit djalë se do të vij dhe unë në mal me ty..
Djali i vrenjt.
- Mos eja moj e bukura ime se atje tunden gurët dhe drurët: kuçedra është shumë e keqe, të ha të përvëlon, të përpin.
- Unë nuk vij po të rrish dhe ti me mua përngaherë.
- Nuk mund moj vashë, i kam dhënë besën kucedrës dhe nuk e shkel dot... Më mirë i vdekur së besëshkelur.
- E bukura qeshi dhe i tha:
-Do të vij me ty!
Vasha i hipi një kali të bardhë, trimi i hipi një kali të zi e ia morën përpjetë malit të kuçedrës. Vasha dukej si e veshur me dritë. Djali e shikonte dhe drithërohej. Thosh me vete: "Qysh t'a hajë këtë bukuri kuçedra? Ah sikur të kisha tre jetë... Do t'ia falja të tria kucedrës që ta linte vashën të kthehej në shtëpi dhe të jetonte e lumtur".
E bukura e vuri re se ai diç bluante në mendje dhe e pyeti:
- Cmendon ti o trim?
Ai tha cmendonte:
- Të kisha pasur moj e bukur, tri jetë, do t'ia falja të tria kuçedrës që ti të shpëtoje e të ktheheshe përsëri në shtëpi e të rroje e lumtur.
Ajo e vështroi tërë gaz.
- Edhe pa ty?
- Qoftë edhe pa mua...
- Kaq shumë më do?
- Shumë...
Ndërkaq bubulloi tërë mali, u tundën gurët dhe drurët. Doli kuçedra me shtatë krerë dhe ia mori këngës:
- Lumja unë e lumja! Kisha një mu bënë dy! Po më vjen një vashëz e njomë. Do ta ha t'a përpij"
Vasha e bardhë qeshi e ia ktheu:
- Mjerë ti mjerë moj kuçedër! Kishe një e s'ke asnjë. Dhe ti vetë do hysh në fund të dheut, se ky mal është i njerëzve dhe do jetë i njerëzve.
Vasha e trimi iu afruan kuçedrës. Kjo zuri të mprehë dhëmbët e të lëshojë zjarr nga goja. Po me një të shikuar vasha e mbërtheu në vend. Kuçedra u tremb, u mundua të prapset.
- Cila je ti moj vashë e bardhë, që më kall të ngjethura në shtat? C'është kjo dritë që të furfurin në
fytyrë? C'është ky zjarr që po më djeg kështu?
- Jam bija e hënës dhe e diellit, jam pika e qiejve që bie kudo, në male e fusha, mbi kryet e të liqve për të mirën e të mirëve për shpëtimin e njerëzve.
- C'e ke ti këtë trim moj vashë e bardhë?
- E kam shoqin e jetëve.
- Vashë mbi vashëzat e dheut, - i tha kucedra - kthehu e gëzuar. Trashëgofsh të ritë tënd me trimin e zgjedhur. Paski qënë të dy të besës e më mundët.
- Po ti moj kuçedër e stërkuçedër, çdo të bësh tani ? - e pyeti bija e hënës dhe e diellit, që mbante në dorë një shigjetë drite: pikë e qiellit.
- Meqë ti më munde, unë s'kam vend në këtë botë: do të hyj në fund të dheut e nuk do të dal kurrë më.
Dhe kuçedra u zhduk e nuk doli më: ndofta u dogj u bë hi, ndofta u fut në fund të dheut.
Ata të dy - vasha e bardhë dhe trimi i besës - rruan e trashëguan jetë pas jete. Edhe në mal të kuçedrës gjahtarët zunë të venë për gjah si në gjithë malet e tjerë. Atje zunë të kumbojnë këmborë koperash dhe sëpatë druvarësh.
 

busavata

Moderator
Staff member
Anëtar
Aug 30, 2010
Postime
8,748
Pikët
113
Vendndodhja
Gjilan
Përgjigje e: Legjendat.

e ke zbukurue forumin me kto legjenda te bukura Kryeplak , faliminderit se jam kenaq tu lexue , na nevoiten , se jan ushqim shpirtrorë
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: Legjendat.

e ke zbukurue forumin me kto legjenda te bukura Kryeplak , faliminderit se jam kenaq tu lexue , na nevoiten , se jan ushqim shpirtrorë
Faleminderit qe e vlereson,
te njejten gje po mendoja e une teksa i postoja " ngelem tu bo chit chat gjithe diten si me qene adoleshente , na nevoitet nje dritare relax :)
 

Morrison

Anëtar i ri
Anëtar
Jan 20, 2011
Postime
712
Pikët
0
Vendndodhja
me kembe ne toke
Përgjigje e: Legjendat.

Ajo me Ymer Agen e ka moralin shume te fuqishem, e kisha harruar si legjend, biles kam ne PC dhe nje kenge labe qe i kushtohet Ymer Ages. Ymer Ago i thone leberit dhe kenga eshte komplet intepretimi i legjendes.
 

Alb

Anëtar i ri
Anëtar
Jan 9, 2011
Postime
229
Pikët
0
Vendndodhja
Tirane
Përgjigje e: Legjendat.

Morrison per ket e ke fjalen ??



Ja dhe nje kenge tjeter per gjergj elez alian :)

 

Alb

Anëtar i ri
Anëtar
Jan 9, 2011
Postime
229
Pikët
0
Vendndodhja
Tirane
Përgjigje e: Legjendat.

e bukur fare morrison ato kenge ca ke ne Pc Krijoi ndonje video Clip me windows movie maker dhe pastaj Beji Upload ne Youtube Dhe hudhi ketej nga Forumi :)
 
Top