• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Letër mikeshës sime

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
E nderuara M,

Më vije shumë mirë që ke marrë guximin për ta shprehur brengën që të shqetëson që sa kohë.

Edhe pse ti e di se me profesion nuk jam, as psikolog dhe as psikiatër, megjithatë, do të mundohem që në suaza të mundësive dhe njohurive që posedoj të të këshilloj apo sugjeroj atë që unë mendoj se është e vlefshme për problemin e frikës nga vdekja, që ty të mundon.

Shikuar nga aspekti psikologjik, frika është një reaksion tërësisht normal, që i nevojitet organizmit për të reaguar ndaj rreziqeve që na kanosen. Dhe gjersa frika nuk paraqet shfaqje intensive, pra, deri sa ajo mbetet e kufizuar dhe nuk reflekton ndonjë simptomë serioze të çrregullimeve shpirtërore, konsiderohet bile si e dobishme, pasi aktivizon qendrat përkatëse të organizmit duke e përgatitur atë për ballafaqim me sfidat që na kanosen.

Frika bënë pjesë në grupin e emocioneve primare dhe paraqitet relativisht herët si dhe zhvillohet gradualisht, varësisht prej nevojave, motiveve, aktiviteteve e faktorëve tjerë që na përcjellin gjatë procesit zhvillimor e jetësorë. Emocionet e brendshme në situata të caktuara, që konsiderohen si të rrezikshme, e ndaj të cilave ne jemi të paaftë të rezistojmë, provokojnë ndjenjën e frikës e cila përcillet pastaj me reaksionet të lloj-llojshme. E në botën në të cilën ne sot jetojmë, shikuar realisht, ekzistojnë rreziqe të shumta potencial që janë edhe provokuese të shpeshta të frikës. Por ajo që më së shumti i frikëson njerëzit është vdekja! Pra frika e ikjes nga kjo botë.

Ky nuk është problem që të mundon vetëm ty e nderuara M, por dukuri që e brengos shumicën e qenieve njerëzor në mbarë rruzullin tokësor, e që nga ankthi e tmerri, nuk kanë guxim ta shpalosin këtë temë, të flasin hapur rreth saj, të përballohen me të dhe ta pranojnë këtë realitet të pashmangshëm.

Po ta ceki një thënie të një filozofi amerikanë, Horas Kalen: “Ekzistojnë njerëz që e ndryshojnë jetën e vet ngase i frikohen vdekjes dhe njerëz që atë e bëjnë ngase i gëzohen jetës. Grupi i parë jeton duke vdekur, përderisa grupi i dytë vdes duke jetuar. Pa marr parasysh se kur vdes, kam ndërmend të vdes duke jetuar!" Kuptim shumë i fuqishëm për mua.

Ti e di, siç e di edhe unë, se dhe jeta dhe vdekja janë procese të natyrshme. Janë pjesë e ligjit universal. Ne si qenie njerëzore jetojmë në polaritet. Gjithçka që ne perceptojmë përmes shqisave tone, ka një pol, por njëkohësisht edhe një kundrapol. Kjo vlen edhe për jetën dhe vdekjen. Kontradikta në dukje por domosdoshmëri në proces! Kush nuk e sheh polin e kundërt, ose nuk dëshiron ta sheh atë, nuk e sheh, ose nuk dëshiron ta sheh edhe të vërtetën, realitetin objektiv... Pole të ndryshme, por të të njëjtit mekanizëm, të njëjtit proces, pa të cilat nuk do të mund të ekzistonte as edhe materie më e imët. Nuk ka asgjë të amshueshme në gjithë këtë univers të pafund! Ajo që mund të quhet e amshueshme është vetëm ritmi i përhershëm i ndryshimeve, lindjes, zhvillimit dhe shpërbërjes. Dhe ajo që shpërbëhet, pastaj lind përsëri. Pra pa vdekje nuk ka as lindje, nuk ka as jetë, nuk ka proces...

Ne, kur kemi ardhur në këtë botë, nuk kemi ardhur me vullnetin apo dëshirën tonë - apo jo. Nuk na ka pyetur askush. E njëjta vlen edhe kur të shkëputemi nga ky proces që ne e kemi emërtuar si jetë. Dhe atëherë vetvetiu lindë pyetja: e pse pra duhet pasur frikë nga vdekja? Me vdekje nuk po përfunduaka asgjë, përkundrazi po lindka një jetë e re në procesin e ndryshimeve të përgjithshme hyjnore!

Dhe vërtet, vetëm atëherë kur ta pranojmë këtë koncept si një proces të pashmangshëm por edhe të domosdoshëm, ne do të mundemi ta tejkalojmë frikën nga vdekja.

Që nga lindja, ne jemi në pritje të saj... Dhe derisa presim, varët tërësisht nga vet ne, se a do ta jetojmë këtë periudhë kohore, sado e gjatë çoftë ajo, në ankth, vuajtje, mjerim, pra siç thotë edhe Kaleni “...të jetojmë duke vdekur”, apo do ta jetojmë këtë periudhë kohore në hare, gëzim e lumturi, “të vdesim duke jetuar”. Pra, zgjidhjen e dukurisë së frikës nga vdekja e kemi në duart tona. “Me dorën tonë, me dëshirën tonë, në pëlhurën e bardhë të jetës mund ta shkruajmë fjalën frikë, mjerim, dhe natyrisht, tërë jetën do ta kalojmë në ankth e mjerim, por, po ashtu, me dorën tonë, me dëshirën tonë, në pëlhurën e bardhë të jetës, mund ta shkruash edhe fjalën, guxim, lumturi, dhe tërë jetën do ta kalojmë në qetësi dhe ngazëllim”, thotë i madhi Daut Demaku.

Për ta kuptuar ti më mirë këtë ligj të funksionimit të mendjes sonë, këtë ligj të domosdoshëm të mendimit pozitiv, këtë ligj të fuqisë së ndryshimeve, këtë ligj magjik, po citoj pjesë nga libri i Xh. Marfit, “Fora e ndërijes”: “Paramendojeni mendjen tuaj si një kopsht. Ju jeni kopshtari që tërë ditën diçka mbjell (mendon v.j.). Atë që e keni mbjellë në ndërdije, do ta korrni në trupin tuaj në marrëdhënie me botën e jashtme“. Me fjalë të tjera: ju jeni mendimi juaj. Pra. Të gjitha që i kemi dhe gjithçka që jemi, është vetëm pasojë e mendimeve tona. E pse atëherë duhet ta hedhim në atë kopsht farën e frikës, ankthit, vuajtjeve etj., në vend të farës së guximit, farës së gëzimit, farës së lumturisë etj? Por, edhe nëse është hedhur veç fara e frikës, pse duhet ta kultivojmë edhe më tej atë? E sa pse-ja e pse-ja të tjera, zgjidhja e të cilave është brenda në ne, tek besimi në vetvete. “Ligji themelorë i jetës së njeriut është ligji i besimit”, thotë një fjalë e urtë.

Besoj se po më kupton e nderuara M.. Pengesa serioze për tejkalimin e pothuajse të gjitha shqetësimeve shpirtërore, e edhe e frikës nga vdekja, është kufiri ynë mental, jemi vet ne, pra qenia më e “përsosur” e quajtur njeriu. Si të gjitha format e anksiozitetit, edhe frika nga vdekja, e ka një burim. Kjo vlen edhe për rastin tënd. Bëri një psikanalizë vetvetes dhe me siguri do e gjesh atë. Ndrysho rrjedhën e atij burimi ashtu siç dëshiron ti...

Nëse e ke të qartë mesazhin e gjithë kësaj që u tha më lartë, nëse arrin ta forcosh besimin në vete, nëse arrin ta pengosh rrjedhën e dyshimeve, nëse arrin ta mposhtësh bindej e gabuara mbi jetën, nëse arrin ta hedhësh farën e lumturisë në kopshtin shpirtëror, ti do t’i kalosh të gjitha barrierat dhe ndjenja e frikës nga vdekja, do të mbetet si një kujtim grotesk. Dhe e gjithë kjo varet vetëm nga ti, dhe askush tjetër. Ti dhe vetëm Ti e ke fuqinë e ndryshimeve. Po t’i vizitosh edhe të gjithë mjekët e botës, nëse ti nuk je e gatshme për këto ndryshim, gjithçka është e kotë. Gjithçka do të përfundoj pa sukses.

Prandaj të lutëm, përqafoje jetën, dhuratën më të shtrenjtë hyjnore që të është ofruar, shijoje nektarin e saj, ndërsa vdekjen lëre të procedoj me ritmin e vetë të ndryshimeve.

Shëndeti, paqja e lumturia qofshin përherë me ju.

Me respekt K.K
 
Top