• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Mbreti dëshmor shën Joan Vladimiri

ilia spiro

Super Anëtar
Anëtar
Sep 30, 2010
Postime
1,001
Pikët
38
Mbreti dëshmor shën Joan Vladimiri

Për gati 1000 vjet, çdo vit në 4 qershor shën Joan Vladimiri venerohet (nderohet) nga e gjithë Kisha Orthodhokse në botë dhe veçanërisht në zonën e Ballkanit. Në mënyrë të veçantë ai nderohet në fshatin Krajë të Malit të Zi, afër Shkodrës, ku është edhe vendlindja e shenjtorit, dhe në fshatin Shijon afër Elbasanit, ku u varros trupi i tij dhe më vonë aty u ndërtua Manastiri i Hirshëm i shën Joan Vladimirit.

Shenjtori ka lindur në shek. X dhe ishte bir i Nemanit dhe nip i mbretit bullgar Simeoni i Ohrit (890 – 927). Nemani, i ati ishte mbreti i Ilirisë dhe sundonte Malin e Zi, Dalmacinë, Bosnjën dhe disa krahina të Greqisë pranë Prevezës. Mbas vdekjes së të atit, mbretërinë e trashëgoi Vladimiri.
Ai dallohej si një mbret shumë besimtar, me moral të lartë, bamirës dhe paqësor. U interesua për përhapjen e besimit orthodhoks te shtetasit e tij, mbrojti Kishën nga herezia (e bogomilëve), ndërtoi kisha, manastire dhe institucione bamirësie.

Në një betejë me Samuelin, mbretin e Bullgarisë, u zu rob prej tij dhe u burgos në kryeqytetin e Ohrit. Atje njihet nga princesha Kozara, bija e carit Samuel, e cila admiron bukurinë dhe mirësinë e Vladimirit. Ajo i kërkon të atit martesën me Vladimirin. Samueli pranoi dhe e dërgoi Joanin përsëri në mbretërinë e tij të mëparshme.

Vladimiri i kërkoj gruas së tij Kozares që tja kushtonin gjith
çka dashurisë së Zotit edhe gëzimet e martesës duke jetuar në virgjëri, që të shijonin që në këtë jetë gjëndjen ëngjëllore, ky një virtut shumë i rallë tek çiftet e martuar.

Me vdekjen e car Samuelit mbretërinë e tij e mori i biri, Radovan, por ai u vra nga kushëriri i tij, Vladisllavi një njeri i pashpirt dhe lakmitar. Mbasi mori mbretërinë e Bullgarisë, ai kërkonte t’i merrte mbretërinë dhe Joan Vladimirit dhe për ta gënjyer shenjtorin i dërgoi një kryq si shenjë besnikërie.

Vladimiri në mirëbesim shkoi në oborrin e Vladisllavit në Ohër, ai kërkoi t’i presë kokën me shpatë Joanit, por nuk mundi. Atëherë mbreti Joan i tha: “Me kryqin që më tradhtove mund të ma presësh kokën”, duke u thënë shoqëruesve të tij: “Mos u hakmerrni, mos derdhni gjak për mua. Le te jetë flija ime për paqen midis popullit!”

Vladisllavi ia preu kokën me kryqin e drunjtë. Joani e mori kokën e tij në duar dhe hipën mbi kalin e tij dhe drejtohet nga qyteti i Ohrit në qytetin e Elbasanit (Skampa), që ishte përgjatë Rrugës Egnatia, në qendër të Shqipërisë (Ilirisë).
Kali qëndroi dhe u gjunjëzua në një kishë që shenjtori e kishte ndërtuar vetë në mes të një pylli, i nxitur nga një shfaqje e një ëngjëlli në formë shqiponje kohë më parë. Mbasi arriti aty, koka e Joanit foli duke thënë: “Në duart e tua o Zot, e dorëzoj shpirtin tim ”.U dëgjuan himne engjëllore në atë vend dhe vendi u mbush me aromë të mirë. U bënë shërime dhe mrekulli te të sëmurët, shenja këto që Zoti e kishte panuar shpirtin e mbretit Joan dhe e kishte nderuar ndër shenjtorët.

Peshkopi i zonës bashkë me besimtarët varrosën me nderime trupin e shenjtorit, më 4 qershor 1015 (22 maj të vitit 1015 sipas kalendarit të ri).
Tradita thotë se mbretëresha Kozara, gruaja e tij e kërkoi trupin e Joanit, dhe mbasi e gjeti, vendosi të qëndrojë në atë vend për të gjithë jetën, duke bërë jetë murgeshe përkrah Kishës (Shën Triadhës) ku ndodhej varri i Vladimirit.

Lipsanet (eshtrat) e shenjtorit për gati 1000 vjet kanë lëvizur në vende të ndryshme për nderim dhe mbrojtje. Ato janë transportuar në fillim në Krajë të Malit të Zi. Aty kanë qëndruar deri në vitet 1215, pastaj u transportuan nga despoti i Epirit, Mihal Engjëlli dhe u vendosën në Durrës, dhe aty qëndruan deri në vitin 1381. Në vitin 1381, Karl Topia, zoti i Arbrit (1359) kontribuoi në ndërtimin e manastirit, i cili filloi në vitin 22 të zotërimit të tij dhe mbaroi në vitin 24. Në atë vend u transportuan lipsanet e shenjtorit dhe qëndruan aty deri në vitin 1967, me mbylljen e manastirit.

Karl Topia, si ktitor (mbrojtës) i manastirit ka qenë varrosur aty. Kisha e manastirit që gjendet në fshatin Shijon të Elbasanit ka qenë e pikturuar nga Kostandin Shpataraku në shekullin e 18-të. Ikona e shenjtorit e pikturuar nga ikonografë të ndryshëm vendas është përhapur në një territor mjaft të gjerë të Shqipërisë. Ikonēm e gjejmë në Elbasan, Voskopojë, Vithkuq-Korçë, Berat, Fier, Përmet etj.

Deri në vitin 1990, arka me lipsanet kanë qëndruar të izoluara në Kishën monument kulture të Shën Marisë, Kala Elbasan, dhe mbas viteve ’90 deri më sot lipsanet mbrohen dhe nderohen nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë si pronë e saj e ligjshme.

Manastiri ka qenë një qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe. Aty është përkthyer Ungjilli në shqip nga orthodhoksi Kostandin Kristoforidhi. Në këtë manastir kanë punuar dhe jetuar personalitete të fuqishme të kohës, që kanë kontribuar për gjuhën shqipe, si Papa Totasi dhe Dhaskal Todri.

Po ashtu në këtë manastir ka jetuar dhe peshkop Visarion Xhuvani, i cili ka kontribuar për autoqefalinë e Kishës. Manastiri ka pasur një bibliotekë shumë të pasur, dhe fatkeqësisht shumë nga këto pasuri u dogjën më 14 mars të vitit 1944 nga pushtuesit gjermanë, dhe vetëm arka me lipsanet e shenjtorit shpëtoi në mënyrë të mrekullueshme.
Edhe ky manastir, si shumë kisha dhe manastire të tjera, objekte kulti, pati fatin tragjik të shkatërrimit dhe harresës nga histeria antikrishte dhe antivlerë e regjimit ateist-komunist, që filloi në vitin famëkeq 1967. Manastiri u kthye në repart ushtarak, duke degraduar gjatë viteve.

Manastiri u restaurua në vitin 2004-2005 tërësisht me fondet e mbledhura nga Kryepiskopi Anastas, në një bashkëpunim mes Kishës Orthodhokse dhe Monumenteve të Kulturës, si një vlerë e ringjallur, jo vetëm për besimtarët orthodhoksë, por për gjithë kombin dhe rajonin, si edhe një kontribut për rishkrimin dhe vlerësimin e historisë midis popujve fqinjë.

Shën Joan Vladimiri vazhdon edhe sot, të na flasë me shembullin e jetës, lipsanet dhe manastirin e tij, duke na thënë së pari, se paqja midis popujve rivalë për shkak të përballjeve historike është e mundur, por që ajo të fitohet dhe të qëndrojë, ndonjëherë duhet të paguhet një çmim shumë i lartë, ai i sakrificës sublime ndaj vetes dhe jo ndaj tjetrit sipas shëmbullit të Krishtit.
E dyta, është se të lumtur dhe të nderuar në shekuj janë ata që kontribuojnë për paqen, ashtu siç tha edhe Krishti në ungjill: “Lum paqebërësit, se do të quhen bij Perëndie.”(Mt. 5:9).

Pothuajse të gjitha lipsanet e shenjtorit janë në Shqipëri, dhe në Mal të Zi ndodhet vetëm një pjesë e gishtit.

Nderimi i këtij shenjtori nga besimtarët shqiptarë, malazezë, serbë, grekë, maqedonas, por jo vetëm orthodhoksë, është si majaja (tharmi), që zë brumin e bukës së miqësisë midis popujve që janë sa afër, por edhe larg, sa miq, edhe armiq.

Shenjtori edhe sot na jep një mesazh aktual, duke na thënë për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, se njerëzit e vërtetë të Perëndisë nuk janë lokalistë, nacionalistë, as dhe ekstremistë, por janë të hapur me një dashuri të vërtetë, për të gjithë njerëzit dhe vendet.

Në Kishën Orthodhokse nacionalizmi, filitizmi (racizmi) është i dënuar si herezi, dhe kushdo që dëshiron që Kishës Orthodhokse t’i japë ngjyra nacionaliste raciste, për interesat e çastit dhe antihumane, gabon rëndë. Kjo lloj përqasjeje fetare nuk është krishtërimi i vërtetë që e mësoi Zoti Jisu Krisht dhe e jetuan shenjtorët deri në ditët e sotme. At Sofroni thotë:" Ai që është nacionalistë në qiell nuk ka vënd për atë."

Vlen të përmendet edhe thënia lapidare e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të KOASH + Anastas gjatë konfliktit serbo-kosovar 1999: “Askush të mos e përdorë vajin e kandilit të fesë për të ndezur zjarrin e urrejtjes fetare ose etnike”

Nderimi prej shekujsh i shën Joan Vladimirit në Shqipëri, jo vetëm i atij, por edhe i shenjtorëve të tjerë, si shën Astit shek. II, Durrës festohet më 6 korrik, shën Vlashi i Sebastes Laç shek. IV festohet më 11 shkurt, shën Kozmi i Kolkondasit shek. XVIII festohet me 24 gusht, të cilët pavarësisht se nuk ishin shqiptar, por jetuan dhe u martirizuan për Krishtin në këtë tokë, duke derdhur gjakun dhe lënë trupat e tyre (lipsanet) si bekim mbi të cilat u ndërtuan kisha dhe manastire me vlera të rralla fetare, morale, kulturore,shoqërore dhe historike, tregojnë se Shqipëria, pavarësisht territorit dhe numrit të vogël të popullatës, nuk është një shprehje gjeografike në Ballkan apo Europë, por një vend i bekuar dhe i dashur nga Zoti dhe shenjtorët.

Shejntorët në heshtje na japin mesazhin shpresëdhënës, që pavarësisht problemeve të shumta që kemi si shqiptarë, ky vend i bekuar ka shpresë se mund të bëhet një ditë, mbas gjithë atyre padrejtësive, vuajtjeve,shkatërimeve, vjedhjeve, që nuk na i kanë shkatuar vetëm të huajt, por fatkeqësisht vetë ne njëri kundrejt tjetrit me urejtje patologjike.

Shqiptarët duhet ta duan atdheun dhe nuk duhet të largohen duke e braktisur vendin, por të gjithë të kontribuojnë sidomos shtetarët, me ligj dhe moral, me të vërtetën,me falje,toleranc, durim, guxim, duke sakrifikuar interesat e vogla meskine të pushtetit, për t’i kthyer këtij vendi lavdinë e kohërave të shkuara, ku Shqipëria dhe shqiptarët ishin mbrojtës të qytetërimit dhe vlerave morale dhe kulturore të Ballkanit dhe Europës, ashtu siç e shkruan dhe Pashko Vasa për Shqipërinë: “Ti ke pasë kenë një zojë e randë, burrat e dheut të thirrshin nanë” (O Moj Shqypni 1880).

Për shumë vjet shën Joan Vladimirin, shenjtorin që bashkon edhe paqton popujt me shëmbullin e dashurisë flijuese për Zotin Jisu Krisht edhe për të afërmin.
 

ilia spiro

Super Anëtar
Anëtar
Sep 30, 2010
Postime
1,001
Pikët
38
Përgjigje e: Mbreti dëshmor shën Joan Vladimiri

[ame]https://www.youtube.com/watch?v=jRlDTnOiD7c[/ame]
 

ilia spiro

Super Anëtar
Anëtar
Sep 30, 2010
Postime
1,001
Pikët
38
Përgjigje e: Mbreti dëshmor shën Joan Vladimiri

Shen Johan Vladimiri Shenjt i madh i Kishes sone Orthodhokse.
 
Last edited:
Top