• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Mihail Grameno

PuffetiNa

V.I.P
Anëtar
Apr 28, 2010
Postime
14,105
Pikët
113
Jeta:

Lindi në Korçë në një familje atdhetare nga shtresa zejtare dhe tregtare. Luftëtar dhe intelektual i shquar i Rilindjes. Mësimet e para i mori në vendlindje. Në moshë të re mërgoi në Bukuresht, ku u lidh me shoqërinë "Drita". Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë "Drita". Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Hyri në lëvizjen kombëtare që nga fundi i shek. XIX. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Në vitet 1907-1908 luftoi në radhët e Çetës së Çerçiz Topullit, më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Për veprimtarinë e tij u dënua disa herë me burgim prej qeverisë osmane. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte një nga veprimtarët në zë të lëvizjes demokratike. Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli "Hero i Popullit".

Krijimtaria:

Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek.XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si "Për mëmëdhenë", "Lamtumirë", "Uratë për liri" u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës (sidomos novelës) së gjatë shqipe. Shkroi novelat Oxhaku (1904-1905), Varri i pagëzimit (1909) dhe E puthura (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.
Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat Lidhja ortodokse (1909-1910) dhe "Koha" (1911-1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe frymën luftarake. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve. Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Ka botuar dy vepra dramatike: komedinë "Mallkimi i gjuhës shqipe" (1905) dhe dramën "Vdekja e Pirros" (1906), të dyja të shkruara në vargje. Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe" trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te "Vdekja e Pirros" trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. Grameno shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull "Këngëtore shqipe - Plagët". Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. Vjersha "Për Mëmëdhenë" u bë një këngë e famshme atdhetare. Është nga publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi, i cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare. Drejtoi gazetat "Lidhja orthodhokse" (1909-1910) botoheshin në Shqipëri dhe diasporë, si “Lidhja ortodokse” në Korçë, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe "Koha" në SHBA (1911-1926), me disa ndërprerje, “Drita” në Sofje, në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi dhe drama. Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse. M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të parë, si publiçist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare[1]. Gjithashtu, për t’u vlerësuar, është edhe puna studimore e Piro Takos në dekadat e fundit të shekullit që lamë pas. Ai ka meritën se përmblodhi një pjesë të mirë të veprës së Gramenos dhe e ribotoi atë në vëllime më vete. Veprimtaria publicistike e Mihal Gramenos ndahet në katër etapa:
1) Etapa e parë: Krijimtaria publicistike, që përfshin harkun kohor të viteve 1905-1912, ku përqendrohen lëvizjet për çlirim kombëtar
2) Etapa e dytë: Përfshin shkrime publicistike të viteve 1913-1920, boshtin e së cilës e përbën problemi i ruajtjes së tërësisë tokësore të shtetit shqiptar dhe ai i rifitimit të pavarësisë së humbur gjatë kohës së pushtimit të ushtrive ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore
3) Etapa e tretë: Përfshin veprimtarinë publicistike të viteve 1921-1924, në qendër të së cilës trajtohet tema e demokratizimit të shtetit shqiptar si dhe konsolidimi i tij
4) Etapa e katërt: Përfshin shkrimet publicistike të viteve 1925-1930, kohë në të cilën Grameno hedh bazat e letërsisë dokumentare dhe shkrimit të kujtimeve me shkrimin dhe përgatitjen për botim të vëllimit “Kryengritja Shqiptare”, gjithashtu kjo mund të quhet edhe etapa e rënies ideore të Gramenos.

Veprat:

Vdekja
Mallkimi i gjuhës shqipe
Vdekja e Piros
Oxhaku
Kryengritja shqiptare

E puthura
Varri i pagezimit..
 
Top