Guest viewing is limited
  • Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Mitrush Kuteli

Përgjigje e: Mitrush Kuteli - Jeta

MITRUSH KUTELI



NATE KOLLOZHEGU
(tregim)



Kur arritëm rrëzë Qafës së Bushit e do të merrnim përpjetë, xha Martini mbajti kuajt e u hodh poshtë me një të kërcyer trimoshe, sikur të paskej qenë djalë njëzet e një mot. Ne, udhëtarët, ndenjëm ca çaste në vend, të mardhur, pastaj zumë të lëviznin nën gunat e mbuluara me një gisht dëborë. Udha e gjatë me erën përballë, dhe fërtyma e kollozhegut na i kish mpirë këmbët që nën këllk e poshtë dhe prandaj na thernin thellë-thellë, sikur të paskeshim ndenjur në thika e shtija. Gjersa të merrnim veten, xha Martini kish nisur kuvendin me kuajt. Këta turfullonin e nxirrnin nga goja shtullunga avulli, kurse ay i përkëdhelte: u fliste në gjuhën e tyre, (që t'u jepte zemër), ua fërkonte veshët e ua shkundte dëborën e vitheve.
Pamë ç'pamë e zbritëm poshtë.
Dëbora sitej e hollë, po e dendur, dhe mbulonte shpejt e shpejt vazhdat që kishin lënë prapa rrotat e qerres. Mjegulla zbriste që lart si lumë i rrëmbyer e po na rrethonte nga të katër anët. Edhe si derdhej kështu, dukej sikur malet vetë shkrinin e rrëkëlleheshin poshtë.
Një nga të pesë udhëtarët - fytyrë e skuqur nën kapuçen e gunës së dhirtë e hundë me krrabë - më zgjati paguren stumbaqe të rakisë. Hoqa një herë, hoqa dy, hoqa tri, gjersa ndjeva se m'u ngroh trupi e zunë të më shkrinin rrëmbat.
Tani udha duhej bërë më këmbë, se vendi vinte thikë përpjetë e kuajt s'hiqnin dot.
- O xha Martin, ne do t'ja marrim tërthor, me të prerë, që të shkurtojmë udhë - tha udhëtari hundëkërrabë. - Biem fillall ne Varri i Malush Agos e që aty, sa të pish një cigare duhan, dalim lart në Qafë. Atje të presim.
Xha Martini, që i njihte viset e kohën, tundi kryet si njeri që s'i zë besë fjalës që i thua, ngriti edhe nja dy a tri herë paguren e atij mikut e na ftoi t'ja merrnin udhës drejt pas qerres, sepse dëbora ishte e madhe, si nuk kish parë prej vjetësh Qafa e Bushit, dhe kish mbuluar tërë vragat poshtë.
- Pa, helbete, si pyll që është, mund të ketë edhe egërsira: ulq, derra, - na tha ai që të na e mbushte mendjen të merrnim udhën e qerres.
Po meqënëse ne ngulmë këmbë të presim udhë e të dalim tërthor ne Varri i Malush Agos, Xha Martini tundi kamxhiknë, u thirri kuajve «iii, djem!» - e na tha:
- Udhë e mbarë e u pjekshim shëndoshë!
- Hapni sytë, ore, se dëbora është si uji: s'ka besë. Të heq e s'të lëshon! - na thirri ai në të ndarë e sipër, duke ecur herë përbri kuajve e herë përbri qerres.
Ne i bëmë me dorë (megjithqë shenja jonë nuk dukej në mes të mjegullës), i thirrëm të ngjitej i shkujdesur dhe ja muarëm tërthor, ashtu siç kishim kuturisur. Në fillim puna na vajti mirë, po më tej na ngatërruan leqet: ramë në udhë pa udhë. As shenjë, as vragë, as gjurmë. Trëmba dëbore lart, trëmba dëbore poshtë e det i bardhë në mes. Nëpër këtë det të bardhë ecnim ne, të pesë udhëtarët, të pështjellë me ato të uruarat guna. Kur e kur këmbët na fundosnin gjer mbi gju në dëborë e mezi i nxirrnim. Xhumblet e bushit, të shkozave e të dushkerkave, të tulitura nënë dëborë, na çirrnin e na plagosnin keq. Të ftohtët na bënte të lotonim. Zumë të ecnim kuturu, njëri lart, tjetri poshtë, i treti s'di se ku. Dielli, që dukej si një lëmsh dëbore, po i murtuar, humbi fare përtej, në mjegull. S'e shihnim më shoku shokun. Këtu shtrat i hollë dëbore, më tej gropë, pastaj votrome si puse, nga ato që me të vërtetë s'kish parë prej shumë kohe Qafa e Bushit. Qëndruam dhe mbajtëm vesh të dëgjojmë qerren e zile të kuajve. Asnjë pipëtimë, sikur zilet të paskeshin qenë mbushur me shtupë a me lesh. Ja këtu një tragë egërsire, më tej një tjetër. Mornica nëpër trup...
- Egërsira? Pse ua kini frikën egërsirave kur kemi barut e plumb? - tha udhëtari i pagures, që të na jepte zemër. Pastaj i ra gunës me bryll e na tregoi një karadakllie të ngjeshur brezit.
- Edhe unë kam një copë hekur në brez - tha një tjetër - po ulku e derri nuk tremben kollaj në dimër me një të shtënë e dy. Le që s'po na bëjnë as duart të shtiem. Puna është si do ta çajmë këtë dëborë e këtë mjegull e si do të arrimë ne Varri i Malush Agos.
- Unë - vazhdoi ai i pagures, që ish bërë çakërqef - dua vetë të më dalë përpara ndonjë ulk a ulkonjë që t'ja bëj lëkurën shoshë e pastaj t'ja mbush me kashtë.
Kësaj lëvdate as që i dhamë përgjigje, se kishim brengën e udhës, tmerrin e mjegullës dhe të egërsirave që kishin lënë gjurma nëpër dëborë.
Më vonë, kur pamë se nuk i dilet dot në krye pyllit nëpër një dëborë kaq të madhe, u kthyem pas gjurmëve tona e zbritëm rrëzë Qafës. Që aty ramë pas vazhdave të qerres që mezi shquheshin dhe përpjetë-përpjetë, kaptuam Qafën.
- Bam! - krisi një armë tutje, përpara se të sosnim ne Varri i Malush Agos.
- Bam! - ja ktheu karadakllia e atij mikut të pagures stumbaqe.
...E gjetëm xha Martinë që po na priste me gjashtaren në dorë, pranë kuajve të mbuluar me mutafe e mutafet me dëborë.
- A jini të gjithë? - na pyeti.
- Të gjithë, Xha Martin - i thamë ne, të penduar.
Nuk na qërtoi as se e kishim vonuar, as se e kishim lënë fill i vetëm në atë të përpjetë të shqitë, ku kuajt duan ndihmë, sepse na pa që na qe marrë fryma. Tundi kokën e tha:
- Haj, hypni, se tani udha na heq poshtë. Shkundëm gunat, hypëm në qerre dhe ngjeshëm kapuçet në kokë. Xha Martini u thirri kuajve: «Hiii, djem!»- dhe qerrja shqiti lehtë, butë.
Pas një copë here, kur na shqisnin përpara qepallave të pulitura ëndrra të ngatërruara, pa fund e pa krye - zjarr bubulak në vatër, erë pastërmaje, xixa vere në kupat dhe avull gështenjash të ziera - Xha Martini na thirri:
- Zbrisni, o burra, se arrimë ne Hani i Olloman Beut!
Ne as që kishim vënë re se qerrja kish qëndruar edhe se xha Martini ish hedhur poshtë. Zbritëm. Mjegulla ish holluar. Dëbora pothuaj kish taraksur.
Trokitmë ne porta. Një herë, dy...
U dëgjuan nga brenda ca zëra të mbytur që sikur vinin që ndënë dhe, kërciti një kanatë e vogël - derë në portë - dhe nëpër të çarat e dhogave ranë ca fasha drite në dëborë. Kuajt hingëllinë: ndofta ja ndjenë erën quarit, tagjisë.
- Ti Xha Martin je-a? - pyeti një zë nga brenda.
- Unë, unë. Hape.
- Ja, tashi!
Rënkoi një lloz, nga ata që futen nga muri në mur, pastaj edhe një tjetër, krisi një mandall dhe hanxhiu na hapi portën duke bërë dritë me një copë pishë.
Hymë në oborr e që aty brenda në han, pastaj në odën e zjarrit. Në një vatër të madhe, pa hashmakë - vatër hani, - digjeshin nja tre a katër kërcunj dushku të rrethuar me një vandak dru - ca të thata e ca të njoma. Aty pranë rrinin nja tre udhëtarë, që i kish zënë moti i keq udhës.
Si qeverisi kuajt, xha Martini u kthye në odën e zjarrit, tha mirëmbrëma, nxori opingat e ngrita, çliroi liqet e tirqeve, u mbështet e i vuri këmbët vatrës. Hanxhiu hodhi ca shkarpa, që t'u jepte ndihmë drunjve e kërcunjve. Sakaq bubulloi një flakë e madhe që mbyti me dritën e saj të fortë dritën e kuqe të pishtarit.
Jashtë kish dalë veriu me çomage në dorë e bënte kërdinë: frynte, alurinte, buçiste. Pemët rreth e rrotull hanit përpiqnin degët me degët, kurse hatujt fërshëllenin e ulërinin sikur të ishin mbushur me mijëra lugetër të dalë nga varret e ngrira a s'di që ku... Ne dëgjonim me trembje gjëmën e kollozhegut dhe ja ndjenim edhe më fort ëmbëlsinë zjarrit, që na e kish sjellë zemrën në vend. Xha Martini rrinte i kapitur, qëpallëvarur . Një nga udhëtarët, si në moshën time, tha:
- Ky na qenka hani i Olloman Beut... S'e dija. Ç'ka qenë ky Olloman Be?
- S'ja paske dëgjuar emrin-a?
- Jo, ja kam dëgjuar. Gjyshja më trembte kur isha i vogël; - «Shshsht... Vjen Olloman Beu e të bën kësh-kësh, me thikë. Të shpie në han, të hedh në pus...» Kështu më thosh. Po pse i thonë kështu këtij hani?
- Kështu i thonë - tha hanxhiu, një burrë i gjatë, i thatë si çëngel, zeshkan, me ca vetulla të trasha që, kur fliste, i ngriheshin lart duke bërë në mes një kënd si një kapuçe gune, e me ca sy të futur thellë në gropëzat sa nuk i dukeshin fare. - Kështu i thonë se i tija ka qenë një-herë e një-kohë.
- Po më parë?
- Kur më parë? - pyeti hanxhiu dhe hop, vetullat i kërcyen si kapuçe gune.
- Në krye... Dua të them kush e ka bërë, kush e ka ndërtuar?
- Gjyshi im. Olloman Beu vuri një njeri që e vrau e ja mori. Me të gjitha ato që kish brenda e jashtë. Brenda kish pare, mall, bar e tagji për karvanët, ushqime për njerëzit. Jashtë kish ara e vreshta.
- Po ti?
- Unë? Unë s'kam gjë. Hanë e ka blerë një tjetër; unë e kam marrë me qira. Tashi do ta lë, se u shkoi ko ha haneve që kur s'ka më karvane - tha hanxhiu e doli se e thirri dikush jashtë një zë gruaje.
Kur u kthye nuk e pyeti më tej askush, kështu që fjala mbeti e vdekur. Vetëm pas darke me pastërma ftuje të pjekur në prush, me vezë gajgana të mbytura në gjalpë, me arme e turshi të mirë, me bukë të ngrohtë sapo dalë nga çerepi - kur hanxhiu solli plloskat me verë të vjetër, fytyrat që i kish rrahur e vrenjtur kaq shumë fërtynla e kollozhegut filluan të kthjellen. Atëhere edhe xha Martini u çel e u krekua si një lule kur i bie vesa.
Verë po verë bëjnë këto vreshtat e hanit, që gjenden ballë diellit! Të mbyt damfi i fortë kur e shpis kupën a plloskën në buzë: erë trëndeline e luleshtrydhesh. Se me të vërtetë, trëndelinë e luleshtrydhe bëheshin një herë e një mot në atë rrahun e Skurës, siç i kishin thënë qëmoti bregores së madhe me tokë të tultë.
Tani, si kthen pothuaj gjysmën e plloskës, xha Martini merr shpirt të ri e fillon të na tregojë ca ngjarje nga të moçmet - as shumë të afërme, po as shumë të largme. Fytyra i skuqet, zëri i kthjellet dhe, përnjëmend, kredhet në remën e së shkuarës, duke na hequr edhe ne pas vetiu me një të folur të fortë e të dhembëshme, që të tund e të shkund. Hanxhiu, me vetulla të dendura e sy të thellë dhe udhëtarët e tjerë, që i kish mbyllur dëbora në han, afrohen të dëgjojnë, sepse ja dinë shijen fjalës që del nga zemra.
- Pijanik? Kështu thua zotrote që këndon këtë shkrim?
- Ndofta, pijanik, po nga ata që t'ja pish dollinë tri herë rresht, me fund. Dhe në kam tani ndonjë brengë të madhe në shpirt, ta dini se s'kam tjetër veç brengës se s'mund të shkruaj fjalët ashtu siç i dilnin nga goja. Ato ishin fjalë të gjalla, tërë ashk, tërë dhembje, që të rrëmbenin e të shpirnin atje, në kroin e ngjarjeve të qëmoçme.
- Ehu, o djem, që më pyesni për hanë e Ollornan Beut - ja nisi xha Martini - e ku e dini ju, more, ç'ka qënë në këto vise ku rronte gjëmëmadhi Olloman Be, mallkuar i qoftë emri!
Edhe dora e tij, dorë e madhe pune, e bumbyer nga shiu e breshëri, largoi nga balli kapën e zezë prej lëkure dashi me rrethin tërë zgjyrë.
- Po, ka qenë një kohë kur edhe foshnjat e djepit dinin ç'është emri Ollornan Be. Sepse, Olloman Be dhe lemeri ishin një e një, vëlla e motër. Atëkohë në tërë këtë mëngë të vendit - fusha, kodra, pyje - zotëronte Olloman Beu i Karafil Agait. Kur pyeste ndonjë që s'dinte: «E kujt është kjo fushë pëllore?» - i thoshin: «E Olloman Beut». - «Po ay fshat nënë atë kodër?»
«I Olloman Beut». - «Po ato tufë bagëti që zbardhin nëpër ato kullota?» - «Të Olloman Beut». - «Po ai pyll që nxin atje tej?» - «I Olloman Beut. Me gjithë sharra, me gjithë karvane. Me gjithë njerëzit që ngasin karvanet». Të gjitha të Olloman Beut! .
- Llamje paska qenë? - pyeti ay moshatari im, i çuditur.
- Llamje, po! Ndofta më keq se Ilamja. Dorën e kish më të rëndë se plumbi, hijen më të hidhur se vdekja. Edhe dita ditës zgjeronte rrethin e çifligjeve e numrin e bulqërve, që i mbante si bagëti. Po bagëtinë nuk e vriste, kurse bulkun... Sot dëgjoje se zaptoi një korie të re, nesër një mulli, një luadh, një han e ç't'i thosh goja. Kur vriteshin ndonjë në mal a në fushë, në udhë a në shtëpi e i mbetej kufoma pa kallur në varr a kur i zhdukej ndokujt gjurma si uji në ujë, ta dish se kish pasur gisht Olloman Beu. Edhe gishti nuk vonohej të dukej sheshit, sepse me t'i dalë shpirti njeriut, Olloman Beu nuk mungonte të dërgonte trimat që t'ja merrnin arën, kalin, çupën... E ku kish mbret, more, e ku kish kral, more, e ku kish zot e hyqymet më të madh se Olloman Beu?! Ai ishte vetë vali, vetë kadi, i priste palla më të katër anët, i shkonte vula në Janinë e në Stamboll. Kur dilte Olloman Beu pazarit me dyzet a pesëdhjetë trima të zgjedhur me kandar të zjarrit, të armatosur gjer në dhëmbë: me këto vezne, pallaska e palcore, me këto pisqolla me çark brezit, me këta jataganë, hedhur krahut dyfegjet e gjatë të larë me ergjend e flori, e ku je ti, more, dridhej foshnja në barkun e s'ëmës! Më të djathtë e më të mëngjër sikur s'kish njeri të gjallë. Po të mos qenkeshin ato bataret e gozhdëve të opingave zhgrap-zhgrup, në kalldrëm, e ato taktaket e tiktiket e zhingërmingrave që kishin varur trimat në brez, dëgjohej miza një të shtënë dyfegu larg. Njerëzia nguroseshin sikush në vend, me pëllëmbën e mëngjër në zemër, kurse me të djathtën i bënin nga njëqind e pesë temenara e salavate, që nga dheu e gjer lart mbi ballë.
Edhe Olloman Beu i Karafil Agait shkonte në mes të këtij salltaneti duke tundur vap-vap xhufkën e festes së kapitur mbi vetull. Pa shikonte rrotull me një të pamë të ashpër sikur desh të përpinte retë. Dridheshin, ore, ja për këtë krypë! - dridheshin si purteka ata që guxonin të ngrinin sytë e ta shikonin!
...E ku t'i dini ju, bre, ku t'i dini ju këto azape...
Ju, o miq të mirë, që rrini e ngrohi sot rreth kësaj vatre e pini verë nga kjo e bekuara, po të ndodhte të shkonit këtej, si tashi, në palcën e dimrit, do të thoshit më mirë ta bënit gjumin jashtë, në dëborë, a në ndonjë shpellë mali, me egërsirat, se sa të trokisnit në këtë portë e të hynit në këtë oborr ku kishin ndodhur kaq lebeti. Ja, aty në oborr, në të hyrë, ish druri e litari për të varur njerëz. Pak më tej ish çengeli, që i futej njeriut në grykë, së gjalli. Më tutje, pusi me kapak hekuri. Tashi pusi është mbushur e mbuluar, po sa koska njeriu kalben brenda!
Hanxhiut ju ngritën ato vetullat e zeza, që u bënë trikëndëshe, na shikoi si i verbër, ofshoi e tha:
- Ashtu është... Më ka thënë babai.
Xha Martini vazhdoi:
- Ca vjet më parë, kur u prish, s'di se si, një copë e murit të avullisë, dualën jashtë koska njeriu të futura në ca si kamare të gjata. Kështu, hanxhi?
Hanxhiu ofshoi edhe më thellë, dhe u përgjegj me vonesë.
- Kështu, kështu, kokalla, fyej të thyer: shumë kamare, shumë koska, i lamë me verë të kuqe, u hodhëm borzilok të thatë, i vështuallëm me pëlhurë e i kallëm në një gropë, të treten atje.
Tha kështu, ktheu kokën mënjanë dhe tundi pëllëmbën sikur desh të thosh: «Ehe... ka dhe gjëra të tjera nëpër këta mure...»
Xha Martini vazhdoi:
- E ku i dini ju këto gjëra, o djem... Ju i kini edhe buzët me qumësht, megjithqë thoni se ju ka ardhur koha t'i njomni me verë. U përpoq të shpinte buzën në gaz, po u helmua
edhe më shumë, ngriti plloskën dhe hoqi ca gllënjka, u ra vësht e vësht mustaqeve me pëllëmbë, shikoi një çast pishtarin, pastaj tha:
- Hyqymet kish sa për sy e faqe, se për të gjitha beu shkruante, beu vuloste. Ata pak zaptie që rrinin kotnasikot, me një çaush në krye, për çdo gjë i merrnin dorë beut. Kur piqeshin me Olloman Benë kthenin menjëherë poshtë grykat e dyfegjeve, se veç gryk e dyfegut të beut dhe e zybave të beut duhej të ishin lart. Edhe të gjithë i bënin temena, po beu as që begëndiste t'i shikonte me sy; po dridhte e përdridhte më të madh ato shtullungat e mustaqeve bojë vaji. Kur vinte beu në Manastir, kaluar, me zybat prapa, pastaj vetë ngrihej më këmbë dhe e priste si mik me kokë, se që të dy ishin ortakë: njëri djalli, tjatri dreqi.
Beu e ktheu botën prapë: i shembi të gjitha oxhaket e shtëpive të botës, se veç dera e tij ishte oxhak e duhej ta nxirte tymin përpjetë, të tjerët: nëpër vërat e çatisë, nëpër hatujt...
Kur vinin kurbetlinjtë nga kurbeti, qëndronin më parë ne porta e beut, që t'i faleshin e t'i jepnin haraçet e peshqeshet, pastaj shkonin të shikonin fëmijët e gratë. Ata i sillnin nga larg jataganë të larë me flori, shishane me kondakë ergjëndi, pisqolla, opinga telatine, dengje me kafe Jemeni e sa e sa të tjera. Kështu bënin edhe ata që ngisnin karvanët, ata që shisnin e blinin: më parë ne porta e beut, pastaj në han e dyqan. Pa ndodhte shpesh që beu t'u priste kryet njerëzve me jataganët që i kishin sjellë vetë.
Kur desh Olloman Beu t'i dërgonte imdate e peshqeshe Baba Dovletit, vezirit a pashait, që ta forconte vulën, një muaj të tërë kërciste dita me ditën dajaku mbi kurriz të rajesë - kurbetlinj, zanatçinj, tyxharë, bulq - që t'i kthenin mahmudetë e mexhitet e bardha me turrën e Dovletit, se tërë paraja e tërë vendi, mal e fushë, qenkeshin të sulltanit edhe ai ua lënka sa kohë të dojë vetë njerëzisë e ua marrka kur t'i shkrepë qefi. Edhe pastaj, kur njerëzia rrinin brenda që të shëronin plagët, gjysmat e parave shkonin me karvan në hanë të Stambollit, së bashku me qojlet e me nja dy a tri vasha të bukura majë kalit. Këto i kishin rrëmbyer zybat e beut me urdhërin e beut, që ja dërgonte peshqesh padishahut. Edhe, si shpërblim, i vinte një ferman i madh nga Stambolli, që ja forconte rrënjët e ja madhonte vulën.
Pa shumë nga ata që nuk e duronin më zinë e babëzinë, turpin e shtypjen, merrnin fëmijët e gratë, pleqtë e plakat e iknin natën ku sytë këmbët e nuk kthenin kokën prapa të shikonin vendin ku kishin lindur e ishin rritur. Humbnin në dhe të huaj, nëpër fshatra e kasabara, bëheshin shqehë, grekë, frëngj e ku ta di unë çfarë, për të shpëtuar kokën e nderin nga dhuna e përdhuna.
Një sahat përpara se të perëndojë dielli mbylleshin gjithë shtëpitë e gjithë pazari, se lëshoheshin kuajt e Olloman Beut për ujë. Se na kish ky beu një hergjele të tërë me kuaj dorinj, çilë, kërrë, karanj e balashë të sjellë drejt nga Rabistani. E ku të peshonin, more, ty e mua e tërë botën këta kuajt e Ollornan Beut që ishin më të hazdisur e më të akrosur se sa seimenët! ...Buçiste tërë vendi kur potkonjtë e tyre copëtonin gurët e kalldrëmit e mbushej udha shkëndijë e gjallë!
Pa kur dëgjohej se ka dalë e po shkon udhës Olloman Beu i Karafil Agait kyçiteshin me nga tre kyçe dyert e shtëpive, mbylleshin me lloze kanatat e penxhereve dhe tërë bota mbyllej në zëndan, në qivur. Edhe foshnjat, që janë foshnja, pushonin të qarit kur dëgjonin emrin e qahjait të beut. Vashat e nuset e reja dridheshin si fleta kur vjen fërtyma e u binte faqeve kur të kuqtë e fruthit e kur të verdhët e verdhicës.
Se ku ta dini ju, more, se Olloman Beu ish njeriu i qefit e ahengut! Konakët e tij ishin rëngë me çupa të bukura të rrëmbyera nga lind e ku perëndon. Edhe sa herë që i shkrep te qefi beut për ndonjë vajzë të njomë... Lebetiteshin gjithë fusharakët...
Këtu, zëri i xha Martinit u këput siç këputet e bie nga lart një zog kur kris rrufeja. U mundua te vazhdonte rrëfimin, belbëzoi ca fjalë të ngatërruara, si preçarte, e m'u duk sikur i shkriu një lot në beben e syrit. Ngriti dollinë, që të mos ja pikasnin hidhërimin, pastaj vazhdoi, po kësaj here me kryet përdhe:
Për punën e një çupe, një Xhoxhi-Xhoxhi, nga ata të Motovilës, i ra me dyfeg beut. Plumbi ja mori këmbën beut, po nuk e vrau dot. Pastaj Xhoxhi iku s'di se ku, po shtëpia ju dogj e ju shkretua. Nga tërë fisi i Motovilës s'mbeti asnjë i gjallë. Ca muarën malet e luftuan me dyfeg në dorë, se i mbanin me bukë çobenjtë, ca të tjerë i vranë zybat e beut. Tërë malli e gjëja e lisit të Motovilës i mbeti Olloman Beut.
Kur kish beu ndonjë rast gëzimi: dasmë, lindje, synet e ku ta di unë çfarë, a kur i shkrepte qefi vetvetiu, në të ndenjur e sipër, digjeshin reth e rrotull mullarët e bulkut, ndizeshin togje shirrë bredhi të përzier me hi e u jepeshe urdhër gjithë njerëzve të loznin e të këndonin. E doemos, këta lonin e këndonin sipas gajdes, se si tha dikush një fjalë: «Lot prifti nga belaja, - I miri nga maskaraja». Kësaj i thoshin donoma. E në donoma e sipër, oborri i madh i sarajeve të Olloman Beut, i qarkuar me dy palë mure, njëri më i trashë se tjetri, njëri më i lartë se tjetri, si kala Janine, mbusheshe me zjarre edhe trimat e beut dridhnin në hell deshinj të majmë të sjellë peshqesh (ama peshqesh me kërbaç në dorë!) nga ana e anës. Edhe pastaj, tërë ditën e ditës edhe tërë natën e natës gjëmonte dyregu. Shtatë male larg binte erë barut.
Gjithë vendt dridhej, o djem. Dridhej, rënkonte e lëngonte, si mos o Zot, nën hijen e rëndë të Olloman Beut. E kjo hieja e tij ishte më e rëndë se plumbi, më e zezë se vdekja.
Pleqtë e asaj kohe luteshin:
- Zoti na, dhëntë që t'i japëm!
Bulqit:
- Zoti na faltë durimin, për hatrin e foshnjave! Edhe rajeja gjithë, me një zë:
- Zoti i shtoftë zullumin!
Edhe zullumi shtohej e shumohej dita ditës e derdhej si rrëke nga konakët e Olloman Beut: turpërime, rrëmbime, vrasje, presje, shkatërrime. Ky ishte mielli që bluante mulliri i tija.
Vetëm një Malush Aga Katunishti ja ka prerë yryshnë Olloman Beut! - thirri xha Martini me zë të gjallë e të nxituar, sikur desh që të shpëtonte nga hija e rëndë që e kish pllakosur gjer ahere.
Sytë i shkëlqyen si djelli kur del nga retë.
- M'i ndriçin eshtrat e shpirti në këtë e në atë jetë Malush Agait, se ai i doli zot nderit të vendit edhe e mbrojti si burrë.
E që ta dini mirë, nga zullumet e të këqiat e beut, kurbetlinjtë iknin e s'ktheheshin prapë, dyqanet mbylleshin, karvanet ndërronin udhë e nuk shkelnin më në viset tona, punishtet pa punëtorë, shtëpitë të shkreta, arat pa bulq... Shumë nga ata që, arratisesnin, qëndronin një ditë a dy në udhë e sipër - në derë të Malush Aga Katunishtit, e ky i priste me bukën shtruar e me fjalë të mirë. S'ka pasur e s'di të ketë në viset tona njeri më zemërbardhë e më të mirë se sa Malush Agai.
Pa edhe njerëzit e kishin në krye e sipër e i kishin nxjerrë këngë që në të gjallë.
Kur e pa se do të përpiqeshe ballë për ballë me Malush Aganë, sado abrazh që ish, Olloman Beu i vuri gishtin kokës e u mundua ta ëmbëlsojë punën: i dërgoi fjalë të zbriste që të merreshin vesh bashkë.
«Ne jemi njerëz mali e nuk zbresim dot në fushë, se s'na lë driza, - i tha Malush Agaj njeriut të beut. Po të dojë beu të flasëm, le të ngjitet këtu, lart».
Kur dëgjoi fjalën që i kish dërguar Malush Agai, beut i hypi gjaku në kokë e mënt i ra pika. S'e nxinte tani as lëkura, as konaku, as tërë vendi. I ziente zemërimi në zemër, sindozot zjen jashtë fërtyma e kollozhegu.
Po meqë e dinte se Malush Aga Katunishti s'ishte burë i pakët, nuk e prishi menjëherë. Nisi i dërgoi ca trima, me të fala, që Malush Agai t'i jepte në dorë fusharakët që kishin ikur nga çifligjet: «M'i jep mua, në dorë ata derra bulq, pastaj shohim e bëjmë...» Kështu bëri një herë, kështu dy, tri, po gjithnjë trimat u kthyen duarthatë: Malush Agai nuk ua dha njerëzit. Ca nga trimat e beut u kthyen, ca s'u kthyen fare, mbetën në mal.
Kur e pa Ollornan Beu se po i binte vula poshtë, i bëri emër trimave të lanin mirë armët, të mbushnin vozmet me barut e plumb, dërgoi njerëz të qëronin udhët, pastaj ja mori përpjetë në mes të bylykut, ca kaluar e ca më këmbë.
Mirëpo Malush Agajt i kish rënë në vesh fjala se beu donte t'ja shkelte fshatnë e i doli përpara me pesë veta, më këmbë (të tjerët kishin zënë vend atje ku duhej, që të mos linin të fluturonte as zogu).
- Ardhe, o be? Hajde, me këmbë të mbarë! Ne të presim me sofrën shtruar - i tha Malush Agai e i dha atij tunjatjetë burri, me kryet lart, me trupnë drejt, si lis.
- Tunjatë, Malush Aga - ja ktheu Olloman Beu dhe mbajti kalin.
Tashi na ishin ballë për ballë: aty poshtë, Olloman Beu me dyzet e ca dyfegje; atje lart, Malush Agai me pesë veta. Ky ish një burrë i thyer e pak si i thinjur, po kolonë: kish një sy të fortë që e vriste trimnë me një të pamë. Syri i tija bënte sa për njëqind dyfegje. E na kish Malush Agai një shkop thane në dorë, me krrabë, e një pisqollë në silahe.
- Mirë se na erdhe, Olloman Be. Të them mirë se na erdhe, në vjen si mik... Derën tonë e ke të hapur.
Edhe e shikoi me një sy kaq të fortë, sa beu, nga ulk na u bë qengj i butë.
- Në ke ardhur ndryshe, e mira e së mirës është të mos bësh një çap përpara, se...
Olloman Beut ju drodh xhufk e festes fër-fër, si dridhet maja e kallmërit kur fryn era. Pastaj, dalngadalë, e mblodhi veten, u hodhi një sy trimave, që prisnin urdhër e tha:
- Kam ardhur si kam ardhur, kjo është puna ime.
Po ti, o Malush Aga, të bësh mirë e të më japësh në dorë ata qen a rajenj e ata derra fusharakë, që kanë lënë parmendat e kanë rënë në strehën tënde. Të më japësh se ndryshe, besa, ke të bësh me këtë koskë! - edhe i ra gjoksit me grusht.
- E shkele fare, o Olloman Be i Karafil Agollit.
E shkele, Zoti që është një e pa shok, e zure të lëndosh thellë. Këto viset tona, o be, kanë hequr të zit e ullirit, me kamje e skamje, me jetë e mortje, po nuk janë turpëruar kurrë veçse në ditët e tua për punë nderi... Turpi qoftë yti e i oxhakut tënd, se edhe ti je nga këto vise. Turp, besa, turp!
Zëri i Malush Agait, që zakonisht ishte i butë e i ërnbël si bar për plagë, tani qe egërsuar si një përrua mali, kur zbret poshtë, vjeshtës, shkëmb më shkëmb.
- E ç'kërkon të na bëhesh ti, o be? Ali Pashë Tepelenë kërkon të na bëhesh, ë? Po as Ali Pasha, që kish qenë pasha me tre bishtërinj, nuk shkeli kaq vëngër siç po shkel ti, o Olloman Be! Dëgjo të të them një fjalë: unë s't'i jap në dorë ata që më kanë kërkuar strehë e krah edhe sikur ta di se nuk do të mbetet gur mbi gur nga shtëpia time!
Pastaj u kthye e u foli trimave të beut:
- Po ju, bre, si u bën zemra të bëhi qojle e vegla të këtij katili, që i punon qindin këtij vendi? Më thoni: si? Beu na zvesh e na vret vëllezërit, beu na rrëmben e çnderon motrat, edhe ju: peqe-lepe! Përse? Për një koromane! Turp, bre, se edhe ju kini pirë sisë nëne e kini ngrënë bukën që e bën bulku!
Nga të dyzet e pesë trimat e beut, ca unjën kryet, ca kthyen sytë në të djathtë e në të mëngjër, se nuk guxonin ta shikonin Malush Aganë.
- Po ti, o Lite, ku e ke mendjen? Kështu të ka porositur yt gjysh, që e kam patur si baba, në krye e sipër? Ehe, yt gjysh i kish dalë një herë e një kohë zot këtij vendi, kish luftuar gjersa ish vrarë. Po ti, o Zenel? Edhe ti, o Kajo? sa turp!
Atëhere disa nga trimat e beut i kthyen kurrizin Olloman Beut, ju afruan Malush Agait, kokunjur e i thanë: «Na fal, Malush Aga. Ç'bëmë s'do bëjmë. U gënjyem».
Beut iu drodh buza, siç i qe dredhur xhufka e festes.
E si të mos i dridheshe kur pa se me një fjalë goje, Malush Agai i mori gjithë ata trima? Malush Agai, që s'kish në dorë veçse një krrabë e në silahe vetëm një pisqollë...
- Jau bëj haram bukën! - u thirri beu trimave. - Bukën e bën dheu e bulku. Me dirsën e ballit.
Ti nuk ua bën dot haram, se s'është jotja. Po të jetë për haram, ti, Olloman Be, je i pari që e ke haram këtë bukë, se e hëngre dhe e shkele.
Tre semenë kaluar vunë dorë në pisqollat e brezit e i nxuar që t'i binin Malush Agait, po namëta ranë, që atje ku ranë shtatë e tetë dyfegje bashkë edhe të tre semenët u rrëkëllyen poshtë, në këmbët e kuajve, përpara se ta shkrepnin. Kuajt mbetnë pa zot e muar tatëpjetën.
Kur pa se qe kthyer fleta, Olloman Beu ktheu kalin e mori poshtë në mes të batareve të. dyfegjeve që zbraznin në err trimat e Malush Agait që thërrisnin me të tallur: «Isa-ha! Isa-ha! Zëre, laro! Kafshoje, balo!» - Beut i tundej në erë xhufka e zezë e festes së kuqe. Edhe ikte, ikte... Pas tij iknin ata njëzet e ca lanxho, që i kishin mbetur besnikë gjer në fund. Ama trimat e Malush Agait, që kishin zënë tërë grykën, kishin dalë nga pusitë e u thërrisnin: «Isa-ha! Isa-ha!» - sikur t'u ndërsenin qentë e stanit.
Iku beu, si i thonë një fjale, me bishtin ndër shalë.
Ama ish bërë tym e zjarr nga zemërimi. Kjo ishte hera e parë që kish gjetur sharra gozhdën.
...E ku je ti, more, ku je ti, se ç'ka ndodhur pas asaj dite në viset tona! Shkuan bumbashirët në Manastir e nga Manastiri brenda në Stamboll të shpien fjalën se Malush Aga Katunishti ngriti krye kundër mbretit. Vetë Olloman Beu u ngrit e shkoi me një torbë lira që të kërkonte imdat. Solli taborë me bashibozukë, topçinj e kumbaraxhinj e ku ta di unë sa nizamë të tjerë. Meqë nuk u zinte më besë atyre të vendit, dërgoi e solli nga Dibra njerëz që i paguante me ylyfe të madhe.
Plasi lufta. Bam këtu, bam atje, ditë e natë. Po ku e zinte plumbi Malush Aganë? Nuk i druhej, po nuk e zinte. Pa edhe njerëzit e tija nuk e kursyen gjaknë: fusharakë e malësorë bashkë, çobenjtë e maleve.
- Ashtu, ashtu! - ja bëri hanxhiu duke nagasur zjarrin. - Më ka thënë babai.
- U vranë nga të dy palët e nuk fitoi asnjëra. Më në fund ardhi kartë nga Stambolli se mbreti kish zënë luftë s'di me kë e thosh që të dy palët - Malush Agai e Olloman Beu - ta linin të tyren për më vonë e të vinin ta ndihmonin mbretin. Ardhi edhe një ferman i madh që thosh se Malush Agai ishte i falur, të mblidhte trimat e të shkonte në luftë për mbretin.
Malush Agai nuk i zuri besë e nuk shkoi të luftonte për mbretin. As Olloman Beu nuk shkoi, por mblodhi e i dërgoi redifë e bedelë. Lufta u platit, pothuaj u shojt fare. Olloman Beu nuk i ra më Malush Agait, as Malush Agai nuk i ra Olloman Beut. Njerëzit punonin në mal e në fushë. Mirëpo uji fle, armiku s'fle. Olloman Beu solli edhe njerëz të tjerë me ylyfe. Këta i zunë një herë pusi. Malush Agait ne gryka ku lajthittë juve udhën qëparë, kur deshit t'ja merrnit me të prerë, ne ay Lisi me dy bigla. Pas ca ditë, kur beu kish shtruar drekë të madhe, nga gazi, një i biri i Malush Agait ja lëshoi flakën mespërmes. E vrau.
Pastaj prapë taborë me bashibozukë e nizamë, e rrethuan Katunishtin. U luftua sa u luftua me plumb e zjarr e më në fund u nxehën këta bura e dual sheshit, u prenë me jataganë... Fitoi turku: pashai i Manastirit...
Xha Martini, këputi fillin e rrëfimit e mbeti i mekur me sytë ne çengeli i vatrës. Kur filloi sërish dukej shumë i lodhur e më plak se ç'ish.
- Po, u vranë, u shuan. Të nipnë e Malush Agait që ish shkëndija e fundit e vatrës, e muar e e shpunë në Rabistan, atje ku piqet dheu me qiellin. Atëhere Hodua - se Hodo i thoshin të nipit - ishte i vogël: shtatë a tetë vjeç. Atje e mbajtën, atje e rritën, atje e martuan. Pas njëzet e ca vjet, turku e dërgoi kajmekam në viset tona. I thoshin Hajdar Efendi...
Xha Martini fshiu ballin e dirsur, tundi dy a tri herë pëllëmbën e hapur përpara syve të perdelisur, sikur të desh të largonte errësirën.
- Eh, more djem, i keq qenka ky i verbosur dhe i huaj: ta merr gjuhën e nënës, ta shtrembëron shpirtin, ta prish. Atje, larg, Hodua i Katunishtit e kish harruar fare shqipen tonë, fliste vetëm turçe e arapçe, me terxhuman. Shumë thoshin se e dinte, po nuk desh ta fliste, se i vinte turp t'i thosh vetes shqiptar. Kajmekam Hajdar Efendi Katunishti u përpoq me mish e shpirt të shtronte malet nën këmbët e mbretit të turkut e të belerëve. Hajde, hajde: malet që kish mbrojtur i gjyshi, Malush Aga Katunishti!...
Jashtë kollozhegu ish ngritur më këmbë me të bijtë e të bijat e me soj e sorollopnë e bënte gjëmë të madhe që të shembte e të zhdukte çdo gjë të gjallë. Fjalët u shojtën me pishën e fundit të pishtarit e me plloskën e fundit, që mbeti e zbrazur. Llavat e ujqve, që i vinin rrotull hanit, alurinin sa të kallnin lemerinë. Tufani frynte nëpër hatuj.
Zgjata kryet ne oxhaku dhe pashë qiellin e kthjellët si pikë loti. Hëna ndriçonte flokët e dëborës që zbrisnin poshtë duke luar valle. U vështolla me gunën e tharë e bëra si gjithë shokët: rashë të flë, Fjeta e u zgjova, fjeta e u zgjova, sepse më dukej sikur dëgjoja të thirrura e të lebetitura. A mos thërrisnin njerëzit e gozhduar të gjallë në ato kamaret e avllisë të hanit të Olloman Beut? Kushedi...
 
Përgjigje e: Mitrush Kuteli - Jeta

MITRUSH KUTELI




VENDOSA TË SHKOJ NË AMERIKË​



Vendosa të shkoj në Amerikë.
Unë një e Çuli dy.
Unë kisha shtatë vjet edhe Çuli gjashtë.
Unë i veshur me një këmishë pa mëngë, pantallona gjermi gju. Çuli, këmishë me mëngë.
Që të dy s’bathur.
Që të dy pa takije.
Na kish djegur fort djelli, që nga veshët e gjer në thembrat e këmbëve dhe kishim këmbyer, asaj vere, tri lëkura. Nuk di sa lëkurë ndëron gjarpri në mot e sa qime ujku, po neve kishim ndëruar tri lëkurë.
Dhe ish Korrik.
Pa fjalë se edhe në këto lëkurat e reja drizat kishin lënë mjaft gjyrma, po u pyes Zotërinë t’uaj, qysh do ish e mundur ndryshe të arrish, degë me degë, ku janë foletë ose të mbledhësh kumbulla në mezhdat e arave ?
Kështu si ishim, ne vendosmë të shkojmë në Amerikë.
Po të deshnim mund të shkonim e në Vllahi, se për ne që të dyja ishin në der’ë e shtëpisë: - këtu Vllahija, aty Amerika - po neve na u pat mbushur mendja për në Amerikë. «Vllahija u bë batall që kur doli Amerika», pat thënë, dikur, Trifun kasapi edhe neve e kishim mbajtur ment fjalën e tija.
- Vllahija ka mbetur vetëm për sy-leshët që shkojnë Shëngjergjit e vijnë Shëmbitrit thesh fshati, edhe as unë, as Çuli nuk ishim sy-leshë.
Përveç kësaj :
- Ç’të kërkoni në Vllahi, kur Vllahinë e bëri batall vetë Trifun-kasapi? - na kishin thënë nuset.
Edhe fjala e nuseve ish për ne fjalë vendimtare, asaj kohe.
Se, pata harruar t’u them që në fillim, që unë edhe Çuli ishim të martuar, me kurorë, si e desh puna.
Nusja ime kish shtatë vjet dhe i theshin Marinë.
Edhe sepse, Çuli edhe unë ishim bërë vëllezër -me gjak në gisht, si bëhen vëllezërit – nuset tona ishin kunata.
Prandaj rrinim tok, në një shtëpi me të ndara shumë aty pranë jazit.
Shtëpija jonë ish ndërtuar me gurë lumi, të rradhosur në tokë njëri pas tjatrit. Kish edhe portë edhe derë, për të hyrë e për të dalë.
Atje brenda Marina ime edhe nusja e Çulit bënin punët e shtëpisë : bukë prej balte të thara në djellë mi copa qaramidhe edhe gjellë prej lëvezhge bostani.
Atje prisnim e përcillnim miqësinë të moshës sonë, dyke u përshëndoshur si përshëndoshen të mëdhenjtë.
- Mir’ ndajnatë, moj nus e Çilit.
- Ose :
- Mir’se u gjejmë, moj nus’e Çulit.
- Mir’ se ardhe, të lumtë këmba, urdhëro e hyrë brënda.
- Ju arthçin një mijë të mirat po do shkoj, se kam djalë në djep e më qan.
Ajo që thesh se i qante djali kish tetë vjet.
Dhe pastaj :
- Do-një kartë a kini marrë nga të largmit, moj nus’e Çilit ?
- Kemi marrë, kemi marrë, falemeshëndet të gjithëve, i math e i vogël.
- Të fala pastë e gëzuar që paski marrë fjalën e mirë.
Dhe zonjat e shtëpisë u jepnin dy pika ujë në një copë filxhani. Kësaj i theshin kafe e raki, si pas rastit, edhe miqësija bënte sikur e pinte dyke uruar.
- Sa të mirë e paske goditur, moj nus’ e Çulit, për dasmë e për gëzim.
- Të lumtë goja, t’u bëft’ e’argjendë.
Dhe, kur shvilloheshin këto ceremoni, unë dhe Çuli rrinim mi gur, jashtë shtëpisë, edhe si burra që ishim, bënim sikur nuk u vinim veshin (se ç’flasin gratë midis tyre s’duhet të mbash veshin.)
Asohere kjo Marina ime kish një çupë që ish çupa jonë.
Edhe kjo çupa jonë ish një degë shelgu me dy bigla në vend të këmbëve e veshur me tre gishtrinj basmë.
Edhe dega e shelgut me dy bigla qante kur e kur, si qajnë gjithë fëmija, kur u vjen të qajnë. Marina e qortonte, po më kot, se gjer mos afronte ne gjiri, për qumësht, kjo foshnja nuk pushonte.
Edhe kur ngjisnin këto të gjitha unë e Çuli rrinim gjith mi gur e bisedonim si burrat për të tjera punë me rëndësi…
Pa më ish kjo nus’ e Çilit (Çili jam unë) një vogëlushe e bardhë si një top dëbore, sy shkruar si çudija, sa dëgjonja dendur botën të flasë :
Si rusp është – t’i rrëmbesh kokën e të ikësh !
Dhe kur dëgjoja këto më bëhej një bosh i math në zemër se fort e desha, sa isha gati ta mbyll nër kafaze e nër zendanë…
E desha fort, po për të thënë nuk i thesha.
E përse t’i thesha kur ajo vete ish nusja ime ?
Lonim bashkë lodrën e të mëdhenjëve dhe dashuroheshim pa folur.
Një dashuri si prej së vërteti, shkuar së vërtetit.
Kur ndaheshim ndajnatave më dukej se isha i dënuar të hy në burgje. Ndjenja një bosh të math, të math, këtu në zemër. Po dendur haseshim edhe pas ndajnatë, ne kroj, ku Mëm’emjerë më dërgonte të lahem nga pluhuri i ditës. Dhe vonohesha atje gjer sa trokiste dera e dilte edhe Marina për t’u larë. Pa rrinja i turbulluar fort dyke vështruar Marinën qysh mirrte ujë me grushte për të larë syt e saj të shkruar. E qysh pastaj, sbulonte këmbën, gjer lart përmbi gju, edhe e vinte atje ku rrithte kroj.
Dhe kaq të bardha ishin pulpat e Marinës, atje ne uji i shkëmbëzuar, sa më mbushej shpirti me dridhje shumë e këthenja kryet, nga pjergulla, a në yjt e qiellit, për të mos t’a vështruar…
Po desha, dhe desha me vrull të vonohet sa më shumë.
Dhe unë desha më kot se ajo mbaronte së rrahuri ujin me duar e kembë dhe si mbaronte më thesh :
Tashi, natën e mirë.
Edhe ikte me vrap për në shtëpi e më linte të mjeruar fort.
E në vrap e sipër i ndrinin këmbët si dëbora, mbrenda në t’errët.
Si mbyllej dera unë vonohesha dhe pak për të dëgjuar zërin e kronjëve dhe pastaj këthehesh dyke fërshëllyer, se ish errët.
Pa nat për natë e shihja Marinën në ëndërr. Sikur dilte nga kora e vinte pranë meje. Edhe kur kroji e jazi e bulkthi i shtroheshin këngës së tyre, ne ngriheshim së bashku, në përfytyrime pa mbarim mbi dhé e mbi ujra. Sbrisnim kur e kur mbi tokë a mbi nj’ato pemë të lulëzuara a nëpër gështenja dhe si qëndronim pak për të pirë ujë në kronjt e ftohtë, rifillonim fluturimet tona.
Kjo pat qenë dashurija ime parë, që më bënte kaqe të lumtur e kaq të mjerë.
Dhe pastaj nuk guxonja t’ja tregoja.
Një ditë nga ato ditët e shumta të asaj kohe ishim duke luar sy-mbyllur me Çulin e me të tjerë.
E zura për dore Marinën dhe vrapuam të fshihemi gjëkund, aty ne mulliri. Ishim të lodhur fort edhe vendi i vogël sa një fole shpeshërije. Rrinim pranë e pranë, aqë pranë sa dëgjonja si i rrihte zemra tak-tak si trojka e mullirit. Kurrë nuk kisha qenë aq pranë Marinës dhe kurrë nuk i pata ndjerë sa for mund t’i rrahë zemra. Pa era e trupit të saj të valë si era e luleve të fushësë që më bënte të mbyll sytë, i lumtur.
Sa i vogël ish furiqi ynë !
Po, sado i vogël që ish na nxinte që të dy: mua edhe Marinën time.
Dëgjuam që përtej një zë që thërriste:
- Çel ! Çel !
U shtypmë njëri pas tjetrit, në folenë tonë.
I ndjenja tani fijet e flokëve të arta në fytyrën time.
Dhe morniza lumturije më zbrisnin nëpër trup.
Dhe tjatër zhurmë, përveç zemrës së Marinës edhe ujit të jazit që derdhej bosh, nuk kish.
Doli një kocomi, aty ne hambari - i vogël, i vogël sa një arrë. I vrau drita sytë edhe, fësh-fësh, me gjith bisht, hyri prapë në vrimë.
Ngrita sytë të vështroj një mizë që sillej mbi ne edhe hasa vështrimin e Marinës.
Befas kjo nusja ime rrëmbeu fytyrën nër duart e saj dhe me vështroi drejt nër sy.
- Mos luaj! - urdhëroi zëri i saj.
Dhe une s’lojta.
- Mbaji sytë hapur !
Dhe unë i mbajta.
- Shëkoj gjësend, ja, këtu brenda, në sytë tënd.
- Në syt e mij ? Ç’do të ish në sytë e mij? A mos do-një kocomi ? A do-një mizë ? A do-një thes me kashtë ?
E lashë Marinën të vështrojë.
Isha një lodër nër duart e saj.
Dhe lodër jam sot në duar vashash.
- Ti ke në sy brenda një çupë që lot. Dua ta di cila është ?
Balli i Marinës ish vrejtur fort. Si mali i Thatë me dëborë, kur vijnë t’a rrethojnë retë. Më frikësoj zëri i saj dhe nuk lojta vendit.
As nuk pulita sytë.
Por për të vështruar e vështrova edhe unë drejt në sy. Në sytë e saj të kaltër e të kulluar si engjëllushet e korave. Dhe ja ! atje brenda pasqyrohej fytyra ime (si e kisha parë nër flluskat e ujit të liqerit e nër flluskat e sapunit).
Marina më lëshoi fytyrën e foli :
- Pashë një çupë në sytë tënd. Lonte-lonte si nusk e lalës e s’dinja cila ish. Kisha frikë mos ish do-një tjatër. Tashi më duket se jam unë.
Mua m’u hodh zemra përpjetë.
- Ti je, thashë, ti je s’ka tjetër. E gjer në Perëndija e gjer në mali, ti. Ja, edhe unë jam në sytë tënd. Kur do bëhem i math e do kem shumë pare do martojemi me të vërtet.
- Me duak ?
- Me duak, me tela, me fustan.
- Unë e dua bojë-qielli.
- Bojë-qielli, si ta duash ti.
- E me dorëza të bardha, pe hoje.
- Pe hoje të bardha.
- Sa më do ti mua ?
- Gjeeer ne mali e më lart, gjeeer ne gjoli.
- Edhe unë gjer ne mali. Sa Nënën, e më shumë !
Ishim tari pranë më pranë, sa faqja ime prekte me të sajën.
Dhe ujit rrithte me zhurmë.
Dhe kocomiu hyntë e dilte, aty pranë hambarit.
Dhe zemra e Marinës ish qetuar krejt…
- Të pashë, të pashë! - u dëgjua zëri i Dimushit jashtë.
Çape të zbardhur në kalldrëm. U ngritmë dhe ne. Dhe dorë pas dore rentmë dhe hymë në brithmën e shokëve.
Amerika jonë e asaj kohe ish aty, afër tregut, në një vend ku ishin copa xhami e filxhani.
Këto ishin dollarët tanë.
Kur e kur bridhnim edhe në Amerikë të Zezë, që ish pak më tej. Këtu kish kuti të bardha e të kuqe e dy-tre gishtrinj basmë me ngjyra (se kisha çupëzë e duhej veshur, mos na qeshë bota…)
Për këto vise kaqë të largëta u patmë nisur një ditë vere, unë një e Çuli dy.
Shumë herë mundet t’u pata nisur për Amerikë e vise të tjera në kohën e Marinës, po atë të asaj dite nuk më vjen t’a harroj kurrë.
Sbritmë gjatë jazit dyke mbajtur përdore një spango të gjatë ku kishim lidhur një copë dërrasë. Ky ish vaporri ynë i ujit.
Se ne kishim dëgjuar se në Amerikë shkojet me vapor të ujit…
Marina edhe nusja e Çulit e disa fqinjëri vinin pas nesh.
Ndarja pat qenë e mallëngjyeshme e me shamizë në dorë, si bëjnë të mëdhenjtë, kur ndahen.
- Të na shkruani karta, - foli Marina.
- Do shkruajmë për ditë, i thashë (asaj kohe unë kisha filluar të bëja karabacka në pllakë).
- Të vini shëndoshë e të këtheji shëndoshë, me pare një shoshë, foli nus e Çulit.
Dhe pastaj si të mëdhenjtë, u pushtuam në krahë dhe bëmë sikur qajmë.
E zura Çulin për dore edhe sbritmë nga rema.
Nuk fliste as ay, as unë.
Mblothmë me zell xhame e copa teneqeje e shumë sende të tjera me vlerë, për nderë të shtëpisë.
Dhe kur pregatiteshim të nisemi për në vilajet, u javitnë aty përpara nesh Arapi, Durua i Llukës edhe Verdhaniku.
Ata të tre përtej, ne të dy këtej.
Midis nesh uji i jazit.
- Ku do vini o Duro ? (Arapi ish më i math po ne pysnim Duron).
- Xhe-ku vemë, ande poshtë, - foli Arapi, po yve ?
- Në shtëpi.
- Ne xhe-ku vemë për të mirë, - foli Durua.
Ndejmë pastaj e më s’thamë gjë : ata përtej edhe ne këtej jazit.
Arapi, Durua edhe Verdhaniku u afruan kokë me kokë edhe biseduan gjësend.
Pastaj Arapi foli :
- Po të doni i marrim dhe yve, apo doni të loni me çupat ?
Tërë krenaria jonë prej burri, e prekur kësilloj, ndjehej e shkelur nëpër këmbë.
Hapa gojën e fola :
- Thoni ku do veni edhe pastaj…
Biseduan që të tre kokë me kokë, po ç’theshin andej jazit dëgjohej edhe ketej. Na e kishin nevojën për të forcuar tarafnë se të tjerët ishin zhganë nga pesë nga gjashtë e më shumë. S’kishin ata Arap mi krye, po ishin të shumë.
- Po të vini, ne u rrëfejmë.
- Vijmë.
- Kanë ardhur qerret me bar ne Hani i Petros. Vemë ngjeshëm bar edhe pastaj kollovitemi me qerre në fushën e m’at’anë.
U zumë krah për krah me Çulin e folmë sa folmë në vesh. Pastaj nxorra gjithë thesaret që kisha mbledhur në Amerikë edhe ia dhashë t’i vendosë në vendin që dinim ne (ja u tregoj tani juve, po të mos i thoni Duros : në mur të mullirit ne qoshja, është një vrimë sa të futësh krahun).
Unë kalova remën edhe hyra midis të tjerëve.
- Prisni se ja po vjen e Çuli.
Dhe si ardhi Çuli u nismë që të pesë, krah për krah, me Arapnë në mes, dyke u hedhur përpjetë si keca Marsi e dyke kënduar :
Ore djal’i Jaçesë,
Trim o Kapedan ;
Kur më shkon sokakutë,
Hidhesh si shejtan…
Nuk di si hidhej djal i Jaçes, po neve si shejtan e shkuar shejtanit, arok e shkuar arokut, pelivanë !
Përpara Hanit kishim qëndruar, me të vërtetë, nja pesë qerre me bar, të ngarkuara gjer në majë, sa dukeshin si miza qetë përpara.
Binte erë lule nga të fushës.
Brënda në plevice bari ish ngjitur gjer afër trarëve.
Kish shumë djem të moshës sonë e më të mëdhenj që ngjishnin bar. Hymë edhe ne edhe ia krismë lodrës. Ngjiteshim në trarë, njëri pas tjatrit, edhe hidheshim përposh, me sulm. Zireshim dorë pas dore edhe lonim valle.
Ndaheshim në tarafe, ca me Kapedan Kajon e ca me Myftara Bimbashnë edhe nisnim luftën, bam-bum ! kush ishte i mundur mbulohej me bar.
Nër ato pak reze djelli që hynin tërthorazi lëvrinte tremba-tremba pluhuri që ngrihej së rëposhmi.
Ardhi pastaj Çuli që jashtë ku kish vajtur të pijë ujë edhe tha :
- Ore djemani, po shkojnë qerret për në fushë.
Sa të mbyllesh e të hapesh sytë Hani mbeti bosh edhe qerret plot.
Disa prej nesh hypnë në rrazhnicat e qerres.
Ishin të kuq si lulja e kuqe.
Dhe trupi na ish plot me byk të ngjitur me dirsë.
Na dilte sojesh një avull i zjarrtë.
Binte erë katrani nga boshtet e rrotave.
- Aga, më merr edhe mua, - vinte do-një i vonuar.
- Edhe mua, Aga !
- Edhe mua !
Edhe ngarkoheshin qerret me djaj të kuq. Kur niseshim për në udhë një brithmë gazi çantë rrugët, sikur ish dasma e Rogoz Beut të Tokoçi Pashajt.
- Hajs, hajs ! - bërtisnim ne. Dhe qetë nxitonin çapet.
- Oha, oha ! ia priste i zoti i qerres. Dhe na kanosej të na zbresë poshtë.
Po nuk na zbriste.
Dhe ne linim qetë e fillonim bisedimet tona.
Kishim qenë pesë, tani ishim tetë.
Rruga ishte plot fije bari e fije kashte.
Kur iu afruam lumit, Arapi i hodh poshtë. Edhe ne pas tij.
- Ore, ne do vemë të lahemi ne sofat, kush të dojë le të vijë.
U këputnë nja tre nga qerret e tjera edhe u bashkuan me ne. Të tjerët, që të mos i bëjnë vollën Arapit, sbritnë pak më tej.
Kaluam gardhin me ferra edhe u lëshuam arave, përmes, që të shkurtojmë udhë.
Misri e kish bukën të njomë, qumësht jo tjatër. Edhe ish vaditur rishmë. Ku shkelmë ne mbet gjyrmr e gjallë, sikur kishin shkelur pelat e egra. Balta ish e butë fort e sikur ish bërë që të na përkëdhelë këmbët.
Nuk këputmë gjë se e lamë kur të kthehemi (se ku t’i fshehësh ata kallëpe, kur shkon të lahesh,) vetëm Arapi, si arap që ish, mori dy kungëlleshka të njoma, për të lojtur në ujë, në vent të topit. Unë edhe Çuli këputmë ca mustaqe misri edhe rrahmë t’i ngjitëm ndënë hundë që të dukemi si burrat e çinimaçinit.
Kishim edhe shumë gjer buzë liqerit kur u dëgjua zëri i Arapit, si ay i Bajram tellallit :
- Një… dy… tri… mbetet i share kush hyn i fundit në ujë !
Pa fjalë se Arapi na e kish punuar e ish një të shtënë gur përpara. Po, edhe kështu e shara ish e sharë.
U thirrmë këmbëve sa më të mund nëpër misër, nëpër kunguj e mbi gjerdhë. E që mi gjerdhë kush mi tel kush ndënë tel, me të gulçuar e me shpirt në gojë, gjer buzë liqerit. Aty hith këmishën, hith pantallonat edhe bulldump ! Në ujë.
Unë dhe Çuli kishim sveshur këmishët që rrugës, në vrap e sipër e hymë në ujë nër të parët. Vetëm e vetëm mos na qeshën se mbetmë të sharë ! Ca mbetnë prapa, me kockorre e gjemba në këmbë, e ca se i zuri teli e i çorri fërtel-fërtel. Durua ra në ujë me gjith këmishë, Koçomiu me gjith takije, çun i Çucit, çalë-çalë, me gjith kockorre e këmbës.
Po puna është se nuk mbetnë të sharë.
Ish kaqë i ngrohtë ujët, kaqë i ëmbël djelli i Korrikut dhe kaqë i math gazi e zhurma sa, përnjëmend, e harrova krejt Marinën time edhe shtëpinë pranë jazit.
U pata nisur për në Amerikë, po ja që në liqer ish më mirë !
- Të bëjmë luftë ! - tha dikush.
- Luftë ! Luftë ! - të tjerët.
Edhe zuri lufta.
Me ujë, jo me zjarr si bëhet lufta e vërtetë.
Ujë që ia hithnin shoqi-shoqit, si stërkala, në fytyrë.
Dhe në këto stërkala lonin gjithë ngjyrat e ylberit.
- Unë jam Karadaku !
- Unë jam Nemci !
- Unë jam Çinmaçini !
Edhe, Karadak-e-Nemc-e-Çinmaçin-bashkë e sa e sa kombe të tjerë, bjerë e bot, me ujë shoku-shokut, sa nuk dukej gjer në sofat të dytë veç se shkumbë e gjallë.
- Prite o Karadak topnë e Nemces !
- Prite, Nemc, plumbin e Karadakut.
- Prite ! Prite !
Hynte pastaj me kuje e bujë të madhe si ariu i malit Moskovi, si i thesh vetes Rrapi i Xhyres, e na vinte të gjithë përpara, shkumbë për shkumbë e valë për valë, gjer sa na lëshonin sytë shkëndija ngjyrë-ngjyrë.
Linim asohere luftën për do-një Arap a për do-një Rrapi që e kishin inatnë të fortë e dilnin të çlodheshim në anë. Shtriheshim sa gjat e gjërë, në shur.
Pa na vërtitej kjo botë, me male, me kodra, si në motnë kur do dalë Qoftë-largu me një stomë ujë në dorë. Njëqind daulle në veshë, njëqind pela të egra mi krye e gjith kjo botë vërtitu rotull, si pa gjë të keq.
Platiteshim pastaj, dalëngadalë, edhe dremitnjim pak.
Kur na shtrëngojë urija, Çuli shkoj ne Teto-Vasa, që e kish aty pranë e na solli bukë e djathë. Buke çerepi, kjo, e butë si pambuku. Ha e ha gjer sa s’mbeti thërrime për be.
Na digjej tani gryka për ujë, po, kroji ishte larg. Ngrehu tani Çili e hyrë përtej sofatit të tretë, me not të rreptë, edhe pi ujë sa të duash, se liqeri është plot. Ish pak si ngrohtë ky uji i liqerit tonë, binte era peshk e barishta, po i kulluar si ay s’ka tjatër. Edhe i ëmbël, mjaltë. Edhe i lehtë si penda, se jo me kot ish ujë i rrahur në dallgë.
Dhe kësilloj, hyrë e dil, bjerë e ngrehu : të lodhur nga noti të kapitur nga djelli e të dërmuar nga lufta, me shkëndija në sy e daulle në vesh, ndenjmë aty gjer afër zemrës.
E kur rrinim dyke u thekur e pjekur në shur, u dëgjua zëri i Arapit :
- Ore, të vinë ata të katër që janë me mua.
Hynte këtu edhe Çili edhe Çuli.
U mblodhnë kokë-më-kokë, me bark : unë një, Çuli dy, Durua tre, Verdhaniku katër edhe Arapi pesë.
Arapi foli :
- Ore do tu them gjëkafshë, po është i sharë ay që rrëfen. T’a dini !
- I sharë - thamë ne.
- E t’ja marrë zhaba dhisë qumështin.
- T’ia marrë.
- Iu mbylltë dera me kyç e katinare.
- Iu mbylltë.
- Mirë. Tashi u them : Kam pikasur në një vent, që s’e di asnjeri, një fole laraske. Ka njëzet vezë. Ne jemi pesë. I marrim, i ndajmë nga katër për shoq edhe i a vemë klloçkës të na nxjerrë laraska. Njëzet laraska ! I rritëm e di unë vetë ç’bëjmë pastaj.
- I lidhëm për këmbe.
- Lëre ti, pa të them.
Neve na u turbullua krejt edhe ajo pak mendje që kishim kur dëgjuam për njëzet laraska.
- Me bisht ?
- Ke parë ti laraske pa bisht ? A, bir, a… ku je ngrysur ?
- Mirë, në janë me bisht, i duam.
Ne që foshnja i shëkonim laraskat mi qaramidhe e mi plepa, po as ne, as guri tonë nuk i zinte. Me kot u hidhnim dhëmbët që na ndërroheshin e u bërtisnim :
Moj laraskë,
Këmbë-kaskë…
ato gjithë majë plepit. E që atje na vështronin me përbuzje.
Tani, njëzet laraska të vogla në duar tona !
- Vemë ? - pyeti Arapi
- Vemë ! - ne të gjithë.
- Haj, po mos na pikasin të tjerët.
U veshmë tinës e u mblodhem ne Luadhi.
Na u lut Kocomiu t’a marrëm, po kush ndahej nga të katër laraskat e tija ?
Na ra gjyrmës, gjer ne Plepi, Gagaçi edhe Ogiçi, po ne iu lëshuam me gurë edhe ata, panë ç’panë, e u këthyen.
Kaluam nëpër mezhda e gjerdhe, dyke shkundur, këtu një kumbull, aty një arrë e përtej do-një aguridhe të thartë.
Brodhëm gjer përtej Udhës së madhe, në Ajazmë e gjer në Shpellën e lakuriqëve, po folenë nuk e gjetmë.
- E kanë marrë të tjerët - foli Arapi i zëmëruar.
Edhe u betua për këtë ujë e për këtë dhé e për shpirt të të vdekurve, se do t’u punonte të njëmijë e njëqindat gjer sa t’ia japin prape laraskat, se të tijat janë.
Me që ishim aty shkuam ndënë Gur të etheve edhe lamë shenjë të grisur nga çipet e këmishëve.
U kthyem në Ajazmë e pimë ujë të ftohtë, sa ment e shteruam. Kaqë etje kishim !
Pikasmë aty një mollë të verës, të brylltë, po na thirri dikush që përtej e na ra me gurë. Ju përgjegjmë e ne me gurë, po as-një mollë për be nuk muarrmë.
Ishim të lodhur fort dhe djelli më të perënduar.
Na digjej trupi si furrë e Xha-Ndinit, sa na ndërohej lëkura.
Asohere mu kujtua mua edhe Çulit se u patmë nisur asaj dite për në Amerikë.
I lamë shokët edhe u përzjemë me dhit e fshatit që ktheheshin nga mali.
Unë e gjeta Gjesën tonë, Çuli Sarën : i zumë për qafe edhe zbritmë për në shtëpi, në mes të tufës.
Shtëpija jonë ish shkretuar krejt. Një pjesë e gurëve ishin hedhur në jaz.
As Marina aty, as Pina aty.
Na kishin pritur gjithë ditën e pastaj kishin hyrë nëpër shtëpi.
E ndjemë veten fajtorë.
Ishim të mjerë fort, sikur kishim ngrënë shprënda.
S’di kush na pat pikasur (të jetë Gagaçi ? të jetë Kocomiu ? të jetë Laboti ?) vendin tonë ne qoshja e mullirit ku kishim fshehur thesaret.
Vendin e gjetëm bosh…
Kaqë gaze e kaqë mjerime, mbrënda një dite !
Asaj ndajnate nuk guxova të dal ne kroj për të pritur Marinën.
Kisha turp…
Nuk di në doli edhe ajo për të larë ato pulpat e bardha e ata sytë të shkruar.
- Çilit iu mbytnë gjemitë me rresk – më talli motra e madhe.
- I është rrjepur hunda nga djelli – foli tjatra.
- I shkon sa t’i vijë rradha të martohet – qeshi Nëna.
- E mirë-mirë, ay është i martuar me kurorë.
Dhe qeshnë të gjithë.
Ata qeshnë e mua më vinte të qaj.
Edhe më duket se ndjeva si me ngrohën sytë. Gëlltita lotët e tepërta edhe lashë kaqë sa të kem zhizha të ndritura e reze të arta midis syrit e zjarrit.
Darkë nuk hëngra. Më patnë thënë nëntë herë të rri në sofër e unë prita të dhjetën.
Po e dhjeta nuk ardhi.
Dhe mbeta pa bukë.
Fjeta i mjeruar edhe i penduar fort.
Kur i kujtoj këto të gjitha sikur ndje edhe sot një gur mulliri përmbi zemër.
Sikur e shoh Marinën me pulpa të bardha, me sy të shkruar dhe me atë trup të nxehtë, që mbante erë lule-fushe, aty ndënë atë pjergullën e krojt a ne foleja jonë e mullirit – e më vjen të ik e të marr malet…
 
Përgjigje e: Mitrush Kuteli - Jeta

MITRUSH KUTELI



NATË MUAJI MAJ
(I Vdekuri dhe i gjalli)



Na ish njëherë një i mirë me mall e gjë shumë e na bënte dasmën e të birt.
E si e kish gaz të parë në derë na çoi e dërgoi mushtullukë më të katër anët, për të ftuar botën. Pa na janë nisur këta mushtullukë, të gjithë trima e të pamartuar, kaluar mbi kuaj të bardhë, nisur e stolisur, me këto kësula mbi sy, me këto riza të gjata varur kuajve, e me këto opinga me xhufka, me nga dy plloska për shoq, në kocaqe, na janë nisur fshat më fshat e derë më derë duke thirrur me gaz të madh:
-Hej! Dëgjoni mbani vesh: Im zot bën dasmën e bandillit e fton të madh e të vogël të vijë e të gëzohet në shtëpinë e tij!
Edhe gjithë kjo botë-i mirë e i lig, i madh e i vogël, burrë e grua-ngrinte nj’ato plloska të rënda, mbështjellë me borzilok e me trëndelinë të thatë edhe uronte:
-Hej! Na u trashëgofshin e na u mplakshin si zgjoi i bletës! Edhe të zon’ e dasmës e paçim sa malet!
Pinte pastaj dëng e dëng, me sytë në qiell, që t’i zihet urimi, dhe kur mbaronte fshinte buzët me rizën e qafës edhe rishtas uronte bandillë dhe mushtullukun bashkë:
-Bandilli na u trashëgoftë, Zoti na e bëftë kral e mbret! E me gaz tënd, o trim!
Edhe kështu: fshat më fshat e shtëpi më shtëpi sa s’mbeti njeri pa ftuar në dasmë.
Kur po na ktheheshin këta mushtullukë me zhurmë e gaz te i zoti i dasmës, me arra e gështjenja në torba, njëri që i kish mbetur një pikë verë në plloskë e mbajti kalin pranë një varri, aty mb’udhë, (ku a pat zënë vdekja njerinë) i derdhi verën e i tha këto fjalë, si me të qeshur:
-Pi edhe ti, o i vdekur, një pikë verë se imzot marton bandillë e të fton për dasmë!
E si i derdhi verën e i foli kështu, si me të qeshur, i ra kalit e iku. E si i ra kalit ktheu kokën e thirri:
-O i vdekur! Mos harro se je i ftuar në dasmë!
Pastaj shtrëngoi mamuzet e këmbës dhe hopa-hopa! Arriu në shtëpi të dasmës, ku gazi ish në valomë, si lëmi në mes të Korrikut. Dasma ish në valomë po dasmorët gjith rridhnin e rridhnin që nga an’e anës ku kishin shkuar e ftuar mushtullukët. E jo vetëm dasmorët por edhe kanisqet: kush me këta deshinj arrokë, me brirë tri herí përdredhur e me mollë të kuqe në majë; kush me këta qype me mjaltë e kush me këto shkel me gjalp’ e djathë-sikujt ia deshi puna e radha.
E na ish një gaz e një bukuri e madhe si s’kish parë që shumë kjo botë e murrme! Zjente kjo këngë e kjo valle, majë më majë-burra e gra bashkë, djem e vasha bashkë, si ka qenë nër ato kohë të lashta kur bota s’ish e përçarë. E jo vetëm të rinjtë po edhe pleqtë me xhoke të bardha edhe plakat me linjë të gjata hidheshin e kërcenin si pa gjë të keq, për gazin e bandillit.
Po hidhërime e mëndje të ligë s’kish njeri, se ay që ngre plloskën me gjakun e Tënëzotit edhe që vështron qiellë kur pi verën shikon me vetë sytë e tij Zotin e madh (hej, vëntë dorë e na shpëtoftë!) që kurdisi këtë botë.
Edhe sa për verë gjer aty e ktheu prapë, sa butet ishin ne dera edhe plloskat ne goja: me trëndelinë, me borzilok-e lehtë a e rëndë-si ta desh e bardha zemër.
E sa për të ngrënë, s’ka si bëhet më mirë, se qengjet e buta edhe gjahu i egër ish në heje-si ta deshe.Pa vetë ky i zoti i dasmës shkonte oborr më oborr e odë më odë që të vështrojë me syt’ e tij si gëzohen dasmorët e të japë urdhërata për mirë e më mirë.
Kur u ngrys e doli ylli na hapet ky varrii që ish atje mb’udhë, ku derdhi mushtulluku plloskën, e na ngrihet ky i vdekuri që ish Brenda e na niset për në dasmë. Kish hedhur edhe ay një gunë krahëve, si gjithë bota, e kish vënë një rizë qafës, si dasmor që ish. Na vajti më parë në qilar e na la dhuratën (një trëmbë linjë të hollë si drita e hënës, të nedur në atë jetë-dhe na u ngjit pastaj shkallëve përpjetë.
-Mirëmbrëma, o të mirë!
-Misardhe, të lumtë këmba!
Vajti pastaj drejt ne i zoti i dasmës-sikur e kish të njohur prej njëqind vjet-edhe e uroi t’i trashëgohet gazi e t’i shtohet fara sa yjt’ e qiellit e sa rrër’ e detit. Ndenj pastaj, si më një anë, pranë dasmorëve. Për të ngrënë nuk hëngri gjë as për të pira nuk piu gjë, po për të gëzuar u gëzua fort kur pa të rinj e pleq që luanin me shami në dorë.
Të tjerët nuk e vinin fare re, se ata kishin gazin e tyre, po ky zot i dasmës e mirrte mëndjen si belcat në dërstilë në e kish parë e në s’e kish parë këtë dasmor që i shkonte drita tej për tej nëpër trup e që binte pak si erë dhé e myk. Tha se pishtari nuk djeg mirë dhe bëri emër që të sillet një krah pishë me shirë shumë, sa u bë kjo botë drit’ e gjallë e u mbush me erë shire. Si nuk mundi ta shëmbëllejë as tanithi mblodhi e pyeti gjithë mushtullukët, kur doli të shikojë si vete dasma.
Asnjëri nga mushtullukët nuk e njojti atë mikun se e kish fytyrën si ndryshe e të folurit si ata të vjetrit. Pyeti pastaj i zoti i dasmës:
-Kujt i dhatë plloskën e parë?
-Këtij e këtij,-thanë ata.
-Po të fundit?
-Atij e atij.
Atëherë u hodh e foli një mushtulluk:
-Mua më kish mbetur një pikë verë në fund të plloskës edhe e derdha mbi një varr, aty mbi udhë.
I zoti i dasmës e kuptoi tani se i kish ardhur i vdekuri në dasmë; po si burrë që ish e mbajti veten e nuk prishi zemrën. Se për të ftuar e kish ftuar të vdekurin si çdo tjetër dasmor dhe puna ia donte ta nderojë. Edhe kështu dasma e gazi shkuan përpara, me të vdekurin aty në mes, që s’hante gjë e s’pinte gjë, po vetëm gëzohej.
Përpara se të këndojë këndezi ay miku me gunë e me rizë në qafë, u ngrit e i dha dorën të zot të dasmës (një dorë si të butë) edhe e uroi:
-Gazi t’u trashëgoftë, or mik, ti që më nderove i nderuar qofsh në këtë e nd’atë jetë. Gazi mos t’u largoftë nga dera! Binte pak erë dhé e myk, si i vdekur që ish, po fjalët e tij ishin të mira si prej njeriu të urtë.
-Unë jam, tha, filani biri i filanit, që kam rrojtur tash e një qind vjet, po tani m’u shua fara e nami. Rri në filan vënd, ku më dërgove mushtullukun që më ftoi për në dasmë. Aty më ka zënë vdekja një natë, se vuanja nga zemra e më pat dhembur fort kur më pat humbur djali në luftë. Kur do kem edhe unë gaz që të gëzohem, do të të ftoj të më vish. Tashi ri me shëndet edhe gazi t’u trashëgoftë. Si tha këto fjalë miku u bë erë e u firos. Edhe sapo iku, këndoi këndezi i parë.
-Ki-ki-ki!
Pastaj i dyti dhe i treti.
Po kur këndoi i treti, ay i vdekuri kish gjetur vendin e tij e kish hyrë brenda. Dasmorët e tjerë as që u muarr vesh se kish qënë i vdekuri aty në mes edh e mbajtnë xhengun majë më majë, gjer më të gdhirë, e kur nisnë radhë të re për gaze. Kur të shikojnë në mëngjes kaniskun e atij dasmorit që pat ardhur e ikur natën panë me të vërtetë një gjë që s’e ka bërë dorë njeriu në këtë botë. Se kjo trëmba e linjtë ish kaq e hollë sa ia shkonte merimnagës edh e qëndisur me fije të arta e me thërrime gurë që ndritin si dielli.
Shkoi sa shkoi edhe këtij të mirit puna na i vinte bukuri, sikur gjithë urimet e botës i pat dëgjuar me vesh vetë Zoti. E si i dëgjoi i plotësoi jo me thërrime po me grushte plot. Kish mall e gjë të gjallë sa s’ia dinte numurin. Këtu arat e tij-një kalli një killë grurë-aty stanet e tij, përtje të gjithë të tijat, me këto pëlleja qumështore e lesh të rudë si jo tjetër. Edhe kaq s’ish asgjë. Po i kish falur Zoti kësaj bote një dashuri, një duajmë të të dua!-si nuk ka patur në botë. Atyre moteve s’kish pasur e të vobektë veçse me fjalë, se për të rrojtur gjith’ bota rronte si në gji të Perëndisë e me vëllazëri si një një.
Ky i miri, i zënë nanithi me punë, si rob, e harron atë mikun e dasmës që e pat ftuar përtej.. E si na e harron, më t’ngrihet e i dërgon ay vetë një mushtulluk natën e i thotë: -Filani, bir’ i filanit, që e ka varrë mbi udhë, të fton t’i vesh për gëzim si mik, ashtu si e kini bërë me fjalë natën e dasmës.
Tha të vejë ky i miri, po prapë e vonoi se kish punë shumë: kur të korra, kur të shira, kur të mbjella e kur me gjë të gjallë. Nisi e i çoi ay miku një tjetër mushtulluk që t’i thotë se po e presin. Po ky nuk vajti as kësaj radhe. Shkoi sa shkoi kështu nër të mira gjera namëta ardh e u ndryshua moti se zunë luftëra të mëdha e gjaku u derdh si lumë. Se njerëz të ligj me sy të vegjël si të uriqit e shpata dhimisqi në dorë, u derdhnë mbi këto vise, sa buçiste bot’ e tërë nga ulërimat e nga vajet.
Bandilli e fëmija ishin mirë, po dhembja e botës e madhe fort. Shkoi pastaj edhe vetë në luftë ky imzot edhe si i theu të ligjtë u kthye për në shtëpi. Ka qenë asohere një natë me hënë të plotë e një bukuri e madhe, lart mbi këto male e poshtë mbi fushë. Po të gjitha këto s’kish si i shikonte imzot se e kish shpirtin të helmuar fort e trupin të lodhur.
E di shkonte kaluar, me hijen aty pranë, ja se ku arriti ne varri që ish aty mb’udhë, ku rrinte ay miku i dasmës. -S’bëra mirë, foli vetë, s’bëra mirë që s’i ardha këtij miku kur më ftoi në gazet e tij. -S’bëre mirë vërtet..sikur i foli dikush aty pranë. Ktheu kokën të shikojë kush foli, po nuk pa njeri. Vetëm një hije shpeshi-si hije bufi-shkiti me të nxituar aty përsipër. Ky i miri nisi të përtypë tani mendime të shumta: mos këto të liga i ardhë se nuk i vajti mikut, mos i ngjasë gjësend bandillit e sa e sa të tjera.
Aty për aty kuturisi: i zbriti kalit edhe vajti drejt e ne varri. Cicërinin gjihtë këta shpesë nëpër degë edhe gjithë bulkëzat e karkalecët e barishtave u mbanin zënë:
U mbanin zënë e flisnin kur e kur, në gjuhë të tyre: -Kriu, po shkon i gjalli ne i vdekuri!
-Fiu! Po pret i vdekuri të gjallin!
Po ky i miri frikë s’kish, se kish luftuar si burrë me hark e me shpatë e se ay vetë kish vendosur të vejë ne miku që e kish ftuar.
Edhe trupi e shpirti i tij ishin të brengosur fort. Kur hëna ish ngritur lart në kuben e qiellit, shërëmtiu edhe i ra gurit tri herë me shkop edhe foli: -Dëgjo vëlla! Unë të ardha tani, si e patmë fjalën. Menjëherë hëna u shua e varri u hap. E si u hap varri u kurdisnë tatëpjetë ca shkallë të bukura-mermer i bardhë i shtruar me qilime-edhe i doli ay miku përpara edhe i foli:
-Misardhe, o vëlla.
Rrodhë pastaj të tjerë të mirë që anembanë, duke shkitur lehtë mbi barin e gjelbër edhe i thanë fjalë të mira në gjuhë të ndryshme. Vëndi ku rrinin ish fushë e bleruar, me pemë të luklëzuara për gjithmonë e me ujra që ndritnin si engjervia. Fluturuan së bashku, të lehtë, si mëndja, përmbi degët e qershive të ngarkuara me lule, gjer lart në qiellin e kaltërt. Zbritën pastaj poshtë e shëtitën-krua më krua, ajazmë më ajazmë, hije më hije. Ishin të lumtur fort edhe i kishin zemrat fort mbushur me aq gaz, sa kurrë s’i shkonte ndër mënd se do të ketë ky njeri. I vajti në mëndja një grimë për bagëti e stane, si në botën e të gjallëve dhe, namëta, u gjend në pyje të veshur e që atje në ca stane bukuri e madhe. Blegërinin këto bagëti e tingëllonin këto zile-si falë i qofshim Zotit që na i fali!
Ndenji këtu ditë aps dite e nuk ndahej dot. Sepse koha rridhte pa vënë re, si uji ndënë ujë. E duke u sjellë në fluturime arrinë, së bashku me atë mikun, në një si lumë të klatër si s’kish parë kurrë në botën e këtejme. Shpirtet e lumtur që silleshin mbi të ishin të bardhë si argjendi i larë, e gjith’ të bardhë ishin edhe ata që shkuan nëpër ujë. Qëndruan që të dy anës edhe vështruan bukurinë që buronte atje ku Zoti ka stisur fronë e tij. Miku i foli:
-Që të shkojmë përtej ti duhet të lësh trupin këtu anës. E la edhe u ndje aq herë i lumtur sa fletë kishin të gjitha pemët e atij vëndi. I tha këto mikut e ay foli:
-Kur do kalojmë përtej do jesh aq herë më i lumtur sa yjëz ka qielli. Edhe qielli kish me të vërtet mizëri yje...U suall edhe këtu mbu jërat e klatra e brenda tyre. Edhe trupat e trye ndriçonin si argjendi i kulluar. Pastaj me të vërtetë u shtuan përtej gazet edhe lumtëritë. Shkuan kështu shumë ditë gjersa u kthyen prapë mbi lumë, ku ky i miri kish lënë trupin.
-Ç’është kjo gjë e shtrirë aty mbi barishte?- e pyeti atë vëllanë.
-Ky është trupi yt, që të lidh me tokë e që të errëson lumtëritë.
S’di si u bë pastaj edhe u gjend i veshur me trupin e tij. Ish edhe tani i lumtur, po si pat qënë nër ato ujra e fusha përtej, jo. Ndenj sa ndenj edhe atje pastaj i ra nër mënt kjo botë këndej-bandilli edhe shtiëpia-edhe tha të niset.
-Rri ore, atje më s’ka as gjurmë nga jeta që di ti, se u ndryshua krejt bota qëkur ke ikur.
-Si kështu, unë pak ditë kam që ika....
-Puna s’është me ditë. Ti pas atij vëndi ke pesëqind vjet që ke ikur. Këtu koha rrjedh shpejt se jemi të lumtur, atje ngadalë se jini të mjerë.
Sado që i foli, sado që iu lut,-ky nguli këmbë të kthehet, nga malli i kësaj bote me helme dhe u kthye. Ka qënë asohere gjith një natë me hënë të plotë edhe si dikur bulkëzat edhe karkalecët cicërinin në gjuhën e tyre.
-Kriu! Del i gjalli nga i vdekuri.
-Fiu! S’e njohin të gjallët të gjallin.
Si doli nga varri e ndjeu veten të rëndë fort, se e lidhte të rëndët e tokës.
I ardhi keq, po s’kishte ç’të bënte. Kërkoi kalin që kishte lënë kur hyri në varr, po nuk e gjeti.
-Kali, tha me vete, ka marrë udhën e shtëpisë. I dukej sikur e pat ndarë dje prej kësaj bote, se hëna ish gjith’ po ajo hënë e mali po ay mal. U nis për në shtëpi, me mallë e njeriut të mërguar. Kur shkrepi dielli mbi male u gjend në një vend të panjojtur. As gjurmë nga shtëpia e tij e nga muret që e rrethonin. Tani atje ku kish patur arat e vreshtat kish mizëri shtëpi, me rrugë të shumta e me njerëz të veshur ndryshe. Edhe jo vetëm të veshurit po edhe të folurit ish ndryshuar. Ay çuditej me ta edhe ata çuditeshin me të.
-Dua, tha, shtëpinë time.
-So ta thonë emrin ty?
-Ja, kështu më thonë, edhe u tregoi emrin.
-Ne njeri me këtë emër s’kemi, po haj të vemë të pyesim një plak. As plaku s’i kish dëgjuar emrin. Vajtnë në një tjetër e pastaj në një tejtër gjersa gjetnë një që mbante mënd që nga gjyshi.
-Ay tha plaku, nuk rron më, ka pesëqind vjet që ka vdekur në luftë duke mbrojtur vëndin.
Pyet këtej, pyet andej, gjeti gjurma nga nipstërnipët e tij. Të tjerë ishin ngritur nga ky vend e kihsin kaluar male e dete, që të mbeten të lirë. Ata që kishin mbetur, ishin ndarë e përçarë e vriteshin shoq me shoq. As gjurmë nga gazet e lumtërit’ e së kaluarës. U thye prapë ne varri i atij mikut, gjithë në një natë me hënë plot po varri nuk u hap si u pat hapur dikur. Shërëmtiu e qau, qau e shërëmtiu-po asnjë nuk do ta ngushëllojë.
I lodhur e i kapitur ra në tokë me një gur ndënë krye edhe fjeti. Natën e bardhë iua qas edhe i foli:
Nuk të pata thënë, o vëlla, mos kthehesh në këtë botë të lotëve?
Dhe zëri i tij ish i trishtmë dhe të pamët e tij të brengosur.
-Më merr,vëlla,atje ku je ti-I foli ky. Bëmë atje shërbëtorin e shërbëtorëve, po vetëm të shoh edhe një herë me sy ujin e kaltër të atij lumit. Edhe miku i foli:
-Vëlla, atje s’ka zotër e shërbëtorë. Atje ka vetëm shpirte të lumtur. Unë, për atë pikë vere që i derdhi mushtulluku këtij varrit tim të grisha. Po të kishe dashur do të kishe mbetur përgjithmonë. Tani s’ke se qysh kthehesh përveç se me rrugën e së mirës. Ngrehu e hyr në jetë dhe më vonë kam për të ardhur të të marr.
Kur u zgjua, kish rënë dielli mbi male. U ngrit e zbriti tatëpjetë, i huaj midis të huajsh. Dalngadal filloi ta dashurojë përsëri këtë jetë kaq të hidhur e kaq të ëmbël! Dhe u martua përsëri e nisi radhë të re.
Këtu fillon një tjetër rrëfim që është shkrojtur në një tjetër libër që nga fjala e parë e gjer te fjala e fundit.
 
Përgjigje e: Mitrush Kuteli - Jeta

MITRUSH KUTELI



VJESHTA E XHELADIN BEUT
(novelë)



I

As vetë Xheladin Beu nuk dinte përse ndjente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjezi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbonjë gështenje që e ka brejtur krymbi përbrenda, një shembëtirë, një trubullirë e një neveritje pa fund e pa anë...
Edhe çudi: mëngjezi s’ishte i keq. E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafazë, po qielli i kulluar, i ëmbël. Shpeshëria që, siç na duket neve, njerëzisë, s’ditka kurrë se ç’qenka dhembja e pikëllesa, cicërinte e ngazëllohej me bujë të madhe aty pranë konakëve të beut e tej e tutje – arave, pemëve, qiellit – kurse ay, Xheladin Beu i Shemshedin Beut të xheladin Pashait, apo “Beu i madh”, siç i thosh tërë bota, zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Gojën e kish të hidhur sikur paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. Dhe herë-herë, një të therur në tepelekun e kokës.
As nga shëndeti, as nga malli e gjeja s’ish qarë shumë gjer ahere Beu i madh. Shëndetin e kish patur grurë: burrë i ngjeshur, dërdëng, ta çaje bëje katër: kamjen të rëndë, shumë brezash, sa as vetë s’ja merrte dot radhën me të numëruar e me kalem; bujqit, rajej e harbutë, të gjithë me dorën në zemër, si nuse kaurri: s’guxonin as t’i thoshin me emër, as ta shikonin në dritën e syrit. Edhe sikur t’u bënte urdhër që të shtirheshin përdhe që t’i shkelte me këmbë, siç shkelet balta për të bërë plitharë, shumë prej tyresh do të shtriheshin t’i shkelte. Se jo më kot Xheladin Beu kish në dorë bukën e kopaçen, tamam ç’i duhet fusharakut që të bëhet i butë si dele, jo aq fort për jetën e tij sa për atë të fëmijve të njomë e shumë brenga të tjera të kësaj dore. Tua të qaheshin? Po kujt t’i qaheshin? Kush i dëgjonte? Të ngriheshin e të iknin? Mirë, të iknin, po ku? Kudo që të shkonin i priste qaforja, sepse gjithë bejlerët e pashallarët kishin kërbaç e qahjanj. Tërë dheu që jepte bukë ishte e tyrja. Mirë thoshin ata që thoshin: gjithë derrat një turi kanë...Ca që ishin ngritur e kishin ikur natën, në erësirë, me fëmijët në kosha e pleqtë në tezga, kishin humbur si uji nëpër ujë, nuk u qe ndjerë nami e nishani. Prandaj ata që kishin mbetur, rrinin aty ku ishin, bënin grurë e hanin misër. Kur s’kish misër të mirë, hanin misër gjarpri, këlkëzë, të shkuar nëpër tri ujra, zienin përbrenda siç ziejnë e roniten në lyrën e vet ato kokat e këmbët e bagëtisë të futura në një poçe të madhe balte, me këltyrën të zënë me brumë, brenda në furrë. Nuk u ndjehej as regëtima, as cicërima. Herë-herë binte ndonjë sëmundje e u vinte kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkrta. Po, çudi, çudi, pas sëmundjes shtroheshin përsëri si fara e sinapit.
Ta pret mendja se ndër rajenj e ndër harbutë kish edhe kokëndezur, që nuk duronin më tej e mateshin t’ja shkrepnin, po Xheladin Beu, që ishte brezi i tretë zot në atë mëngë të mbretërisë së madhe të Baba sulltanit, e kish vënë punën në vijë të mos bënte rrëk njeri, kështu që kokëndezurit mbeteshin pa kokë përpara se të ndiznin koka të tjera. Këtë punë e bënin qajhallarët, “trimat” siç u thosh beu, apo “lanxhot”, “larot”, “zybat”, siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia.
Ja kështu!
Puna e bejllëkut dhe e çiflikllëkut do marifete. Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej. Këto marifete Xheladin Beu i kish në xhepdhe i nxirrte një nga një a të gjitha bashkë, si t’ja donte puna. Veç kësaj, duhet ta dini se ai kishte zënë të gjitha shtigjet, shpatullat i kishte të ngrohta dhe i kthente gjithnjë andej nga ngrohte dielli, duvaxhi me mish e me shpirt i “llambës së dynjasë”, Baba sulltanit, të cilit i dërgonte kur e kur peshqeshe: mahmudije të verdha e çupa të bardha, nga çifligjet e tija. Nuk e harronte Kapu Aganë, as sadrazemin, as sulltan-validenë, as adëmin e madh, të parin e haremllëkut të sulltanit, që të mbyllnin sytë kur Xheladin Beu zgjeronte çifligjet lart e poshtë, në stërkat e bujqësisë, në zabelët dhe tokat e buta pa zot. Nuk përzihej fort në gërnjat e të mëdhenjve të mbretërisë, po kur i vinte ndonjë bumbashir e i thosh se Baba sulltani kish luftë s’di se ku, në Qyrdistan, në Rabistan apo në Tinglimajmunistan, beu i dërgonte karvanë me imdate e njerëz me dyfegje, që do të linin kokat andej. Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit, që ishin të gjithë në bukë të madhe.
Me gjithë këto të mira që zumë në gojë e ato që nuk i zumë fare – kazanët e qypat dinga me mahmudije të verdha nga ato të merhum sulltan Mahmutit, me dupje lira, ingjiliska e verdhashka të ndryshme të kauristanit (s’prish punë se i kish prerë kauristani, alltën ishin edhe këto, nuk i hante ndryshku) dhe që i shtoheshin mot për mot, kukumale – me gjithë ata trimat mustaqepresh e mustaqerruar, që kish nënë urdhër e që s’linin të fluturonte as zogu pa lënë poshtë ndonjë pendë, se nuk i ushqente më kot me mish të majmë e somune të bardha, Xheladin Beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër (po, brenda në zemër) atij mëngjezi të ëmbël vjeshte.
Dhe kjo oda e madhe e konakut të madh me mure kalaje, me ca dritare me nga dy palë hekura të përdredhura si brirë dashi e me kafazë, nëpër të cialt drita e diellit hynte e çjerrë si nëpër ca kula drizash, i qerthullohej beut ashtu siç qerthullohen kuajt në lëmë. Jo, nuk qerthullohej oda, po qerthulloheshin trutë e Xheladin beut. Dhe nuk dinte ç’ishte kjo punë. I sëmurë nuk ishte, sepse ishte ngjallur, dhe të ngjallurit, thonë, nuk sëmuren kurrë. Kish patur, vërtet, në të ri, një si frëngjyzë a si i thonë asaj sëmundjes së frëngut, që ja kish dhënë peshqesh një cingi e trashë, brenda në Manastir, ku kish vajtur me ftesën e valiut dhe kish “këmbyer gjellën”, po kjo s’ish gjë: punë e vjetër, e harruar. Fshikën ja kish mbyllur një xherah plak me melhem zhive e hudhër të shtypur në havan e s’di çfarë tjetër. Ca më vonë i qe mbushur trupi me pushkuriza prush të kuqe, po edhe këto i kish mbyllur me melhem dhe trupi i qe zbardhur përsëri. Pastaj i kish rënë leshi i kokës, po rroftë festja me xhufkë, që ja mbulonte tullupanen. S’di se kush i kish thënë se po të kesh ndonjë sëmundje të kësaj dore, duhet ta hedhësh, t’ja japësh dikujt, ta përndash mbarë e prapë: peshqesh e dhe! Kjo isht epunë që dihej. Filan be, hanedan i madh, e kish hedhur oftikën duke pështyrë fshehur në gjellët e mira që u shtronte mysafirëve dhe, thoshin, ish bërë mirë, kish rrojtur edhe mjaft vjet. Ç’është e drejta, me kohë e mot, shumë nga mysafirët e të afërmit ishin sëmurur, po kësaj s’ke ç’i bën: sikush si ta ketë shkruar nga dora e zotit. Fundi i fundit, përse ata të mbeteshin faqekuq si molla, kurse ai, beu handean, të zverdhej e të thahej dita ditës? Ata të rronin, ai të vdiste - ë? Kështu bëri edhe Xheladin beu; i suall një çupë të mitur (sa më e mitur, thoshin, aq më e mirë është për benë, se të miturat e kanë gjakun të hollë, të valë, dhe gjaku i hollë dhe i valë e hollon, e ngroh dhe e spastron gjakun e trashë, të ftohtë...) dhe beu e pishi. E prishi e dha urdhër ta shpinin tutje që të mos shihej e të mos dëgjohej. Pastaj e përndau frëngjyzën anembanë, në gra e në dylberë, dhe u shërua fare...
Dhe ja tani, oda e madhe e konakut të madh i qerthullohej si kuajt në lëmë. I therte tepeleku i kokës. Ndezi një cigare, esëll, që t’ja priste vrundullin rrotullimit e të mbante mendjen në vend dhe zuri ta pinë shqeto, pa çibuk, po cigarja, aq e shijëshme herët e tjera, tani ju duk e hidhur e pështirë. E kafshoi dhe e hodhi tutje, në vatër.
Ç’ishte kjo punë? A mos beu s’ishte mirë? Jo, jo. Gjer dje kish qenë fare mirë.
Asaj nate kish bërë, vërtet, një aheng të vogël, me raki të fortë e meze nga të gjitha llojet – mish gjahu, pa dhjamë, të shuar në uthull, me hudhra, pra me shije shumë; mish të butë e të majmë, që e kish shqyer me dorë, e kish ngrënë dhe kish hedhur tutje koskat dhe kish lëpirë të persë gishtërinjtë e më the të thashë (ca jevga me daire e a të tjera me këngë në gojë, me çitjane të fryra si bajrakë dovleti, kur i nget era, me nga një flori të verdhë të ngjitur në ballë me sherbet të trashë, që thyenin belin e tundnin vithet aman-aman, që ta ndiznin benë...), them, kish bërë një aheng të vogël, po kjo s’ishte punë e re. Se Xheladin Beu kish qenë gjithnjë, që në të ri, njeriu i qejfit, hashari, dhe jo një herë e dy e zinte mëngjezi ku s’ta pret mendja, në konakët e afërm a të largët, në përdhesat e tebabisë, që mbanin erë myku e memish-haneje e shumë erëra të tjera. Bile edhe aty brenda, në selamllëk, ku priste miqësinë, meshkujt, beu kish në njërin krah odat e tija për punët e tija, me fjalë të tjera për gjerdheqe mbi gjerdheqe. Pastaj, kur velej së tepërmi nga mishi i bardhë i haremlëëkut (kësaj here hanëmi as që ishte aty: kish shkruar teferiç në sarajet e babait, të pashait), ngrihej vinte atje ku desh vetë apo sillte në jatak ato që desh vetë, dhe defi binte pa pushuar në dera, gjersa beu i madh mbaronte punë, po të ishte i kënaqur, e hidhte groshnë me grusht, që ta dinte vegjëlia sa të madhe e kish zemrën beu i madh...
Këto teke ja dinin të gjithë, e më fort ja dinin e ja druanin ata që kishin çupa të mitura në shtëpi, prandaj përpiqeshin t’u gjenin shpejt e shpejt ndonjë burrë sido-kudo e t’i martonin, për të hequr ferrën nga dera e për të shpëtuar faqebardhë. Po edhe në bri të buallit sikur t’u futkeshin këto, të bukurat, prapë Xheladin Beu i gjente pas erës, sepse era e çupës së bukur qenka si ajo e mollës së mirë, u përhapka anembanë. Dhe, si ja gjente gjurmën, Xheladin Beu akrosej si ai kali i zhdëpur me elb e nuk i zinte vendi gjersa e bënte vollen e tij, ja me të mirë, ja me të keq. Po, po: edhe me të mirë, sepse kur ja donte puna, beu bëhej, si i thonë, qumësht e mjjaltë. Dhe ju e dini sa shumë hie i ka një beu të madh kur qesh; i zbardhin dhëmbët, i xixëllojnë sytë, i shkëlqen lëkura e lyrshme e faqeve, i tundet xhufka e festes. Kjo të bënte t’i harroje të gjitha e të thoshe: “Oh, ç’burrë babaxhan është beu ynë, e paçim sa malet! Tamam si dielli i muajit maj!” Kështu thoshin syleshët, po ata që nuk ishin syleshë e dinin se Xheladin be “babaxhani” ishte si ata qentë e kiq që të hanë nga prapa: të fshinte nga faqja e dheut! Ay kish edhe një fjalë të tijnë, që e kish trashëguar nga i gjyshi: “Çdo gjë e gjallë që pillet, rritet e kullot në dhenë tënd është e jotja. Merre e bëj ç’të duash”.
Kur ja donte puna të bënte tembillëk” u jepte urdhër trimave që të fillonin spastrimin. Atëherë njeriu zhdukej pa gjurmë, siç nuk le gjurmë zogu në erë. Kish qenë e s’ishte më...Ai nuk harronte amanetin e vjetër të gjysh pashajt: “Mbaje e shtoe atë që ke; preja kokën atij që mundohet ta ngrerë lart: mos lërë të dalin në kasabanë tënde e në çifliget e tua njerëz më të mençur se ti: mos e prsih me të madhin; kij mendjen të shikosh nga fryn era e nga ngroh dielli. Për punët e tjera bëj ç’të duash, si zot malli.” Dilte nganjëherë një i krisur ndër rajenj e ndër hajdutë (nga një i veçuar), që vinte shpirtin në majë të dyfegut e ja shkrepte, po vendi se mbante dot me bukë dhumë kohë dhe shpejt mbulonte balta baltën, rritej bari mbi varre dhe Xheladin Beu bënte siç kish bërë...
Dhe ja sot, pas një ahengu të vogël, Xheladin beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Oda i vinte rrotull, zverkun e kish të rëndë, cigarja i dukej shafran.
U shtri në divan, vuri pëllëmbët prapa kokës, në jastëk, hodhi këmbë mbi këmbë e u mundua të platitej.
Krisën dërrasat e thata të çardhakut, tringëlliu rezja e derës së parë, në hyrje, dhe më tej rezja e derës së odës, kërcitën menteshët dhe hynë brenda katër a pesë kopile, kush me legen a ibrik, kush me sapun e peshqir në dorë. Këto të gjitha i printe një ballabane zeshkane me një shami aliskë në kokë, tërë tule mbarë e prapë, po gojëmjaltë. Kjo i tha tërë dhele: “Mirmëngjes, be. Si m’u gdhive, be? Si më je zotrote, be? Ta marrtë të keqen Sheqerja, be. Ditët tona në të tuat, be” e sa e sa të tjera të tilla. Kopilet përsëritën fjalët e ballabanes, por me zë më të ulët, të drojtur, si me gjysmë goje. Xheladin Beu u përgjunj e u la me zhurme e me grahmë, duke hapur rreth e qark shumë stërkala, siç e kish zakon: fërkoi zverkun bojë vishnje, u fshi me peshqir gjersa i krisi mishi, duke bërë “ohoho” e “ahaha”, se e ndjente veten më mirë. Vetëm gojën e kish të hidhur, megjithqë e lau dhe e shpëlau me ujë. Kur dual të gjitha, bashkë me ballabanen, hyri kopilja më e vogël e shtëpisë, një miturake me ca faqe si pjeshka që sapo e ke këputur nga dega, me vetulla të holla si tirtir serezi. Sytë nuk i dukeshin, se i mbante përdhe e ja mbulonin qepallat e gjata. Kish një fustan me lule, as të gjatë, as të shkrutër, dhe një palë papuçe Stambolii, që qëndisura, që i kish futur në këmbët e zbathura. Kjo ishte, si të thuash, kopilja e fundit që kish hyrë në konak të beut, një jetime që ja kish gjetur s’di se ku një myftar fshati e ja kish sjellë peshqesh, për të forcuar veten. Beut i kish pëlqyer shumë dhe e kish marrë që atë natë në dysheg, e kish bërë grua: ai me të gulçuar, si buall kënete, ajo me të blegërirë, si shqerrë në therrtore. Kështu edhe më tej, shumë net me radhë.
Shoqet, kopilet e tjera, i kishin zili, po më kot: ajo i priste me ankth e dhembje netët e dyshegut. Po të kish mundur do të kish zbathur, zhveshur, uritur nga kjo shtëpi e urryer, nga ky njeri i urryer. Të ikte, po nuk mundte: dritaret kishin hekura, oborret kishin mure, qahjanj. Kështu, vajza ish shtruar, kish hyrë në sërën e grave të tjera dhe vinte në jatakun e beut sa herë që i jepte urdhër Sheqerja.
Tani ajo mbante në duar një tabaka të artë me një xhezve të verdhë e një filxhan sa një lagjin, pa vegël, të stolisur me yj e hënë. Beu e shikoi me epsh dhe i qeshi buza – për herë të parë atë ditë - pastaj u ngrys përsëri: kopilja ishte gjithnjë e bukur, me qafën të gjatë e të bardhë, me gjinjtë as të mëdhenj as të vegjël, të shtrënguar me jelekun e qëndisur, po benë nuk e gënjente syri. Kopilja ishte ndryshuar s’di se si, nuk ishte më ajo e para. Fytyrën e kish pak si të zbetë, të munduar; belin më të mbushur. A mos vallë?...
I tha:
-Gurie (kështu i thoshin aty, po emrin e vërtetë nuk ja dinte njeri), hap atë penxher.
Kopilja bëri siç i tha i zoti: la tabakanë me xhezve dhe filxhan, u përkul sa hyri pothuaj e tëra në pezuli i murit të trashë, u zgjat, ngriti xhamin, e mbështeti në të dy zemberekët djathtas e majtas. Brenda në odë hyri më shum dritë dhe, bashkë me dritën edhe era e freskët e vjeshtës.
-Edhe atë tjetrën – tha beu, që ja kish mbërthyer sytë shtatit të Gurijes.
Kopilja u përkul shumë e më shumë, fundi i fustanit iu ngrit lart e më lart dhe, për një çast, përpara syve të beut llambaritën pulpat e zëmbakta. Hyri brenda edhe më shumë dritë e më shumë ajër, që e gjallëruan Xheladin Benë. Ndjeu një fërgëllim të këndshëm në rrembat dhe kërceu më këmbë.
-Edhe atë, Gurije!
Ajo u përkul ne dritarja tjetër, përsëri i zbardhën pulpat gjer në kyçet me damarë të hollë, të kaltër, prapa kupës së gjurit. Kur u kthye të marrë tabakanë, kopilja u gjend në krahtë e shëndoshë të Xheladin Beut, që e hoqi vrulltaz dhe i ngjeshi kokën në kraharorin e tij leshtor. Beu i madh kundërmonte raki, gromësinte shpesh “gup-gup” duke përhapur një erë të rëndë. Gurija u drodh, bëri të prapsej, uli kryet, po ay e hoqi më fort dhe i puthi gropën e qafës. Buzët i kish të vala, të thata; mustaqet të ashpra si kreshta derri. E shtyu ngadalë drejt divanit, duke ja shtypur vrazhdë gjinjtë - si zot malli – ndonse ajo klithi nga dhembja. Gurija priste me tmerr e krupë se ç’do të ndodhte më tej. Ah, sikur të kish një pus aty pranë, një greminë, që të hidhej, të vdiste...Vetëm të ndodhej sa më larg këtij divani të butë, larg Xheladin Beut të ndezur, të lemerishëm, që e shtrëngonte, gufonte, kafshonte. Mirëpo ndërkaq beut i qe shuar zjarri i ndezur një çast më parë në damarët e fryrë. Ju prenë këmbët, u zverdh, u ngrys dhe e largoi vetë, duke e kqyrur me ca sy të skuqur, të kërcyer.
-Efendëm...Ti je “ashtu”? – e pyeti Xheladin Beu sa për të thënë një fjalë.
-“Ashtu”...be...më tha...
-Efendm, kush të tha?
-Dado Sheqerja.
Sheqerja ishte ajo ballabaneja zeshkane, e para mbi të gjitha kopilet dhe këto i thoshin “dado”, ndonëse beu s’kish fëmijë, sepse hanëmi ishte shterpë.
Një herë e një kohë, Sheqerja kish qenë zjarrshojtësja e epsheve të parakohshme të Xheladin Beut dhe kjo punë kish zgjatur shumë vjet, bile edhe pasi atij i qenë zgjuar epshe të tjera: për çupa miturake e për dylberë bardhoshë, e më tej, pasi ish martuar me hanëmin. Më vonë, kur Sheqeres i qenë flashkur e varur së teprëmi tulet dhe kur as të bardhët e zhivës nuk ja fshihte dot rrudhat e dërudhat e shumta (doemos, ajo ishte disa vjet më e madhe nga beu) ky e kish pajosur mirë dhe e kish martuar me nallbanin e konakëve, shumë më të ri se veten, sepse, hej-hej! Dadua dinte shumë ledhe dashurie që i kish nxënë nga koha e Shemshedin Beut, babait të Xheladin Beut, kishte mbetur “folë-e-qesh” mbante kyçet e qilarëve dhe shkopin me të cilin rrihte kopilet. Nallbani ishte i kënaqur se qe bërë “baxhanak” me benë e madh e puna i vinte mbarë, tamam “ibrishim në qilim”, siç thosh kënga.
Po meqë zumë në gojë “baxhanakët”, duhet të themi se Xheladin Beu kish mjaft të tillë, të cilëve u falte kopilet e konakut, pasi velej me to e sillte të tjera, të njoma. Në këtë punë beu ndiqte gjurmë për gjurmë tragat e Baba sulltanit, “diellit të dynjasë”, i cili u falte sadrazemëve, pashallarëve, nedimëve, javerëve dhe gjithë të mëdhenjve të mbretërisë, të afërm dhe të largmë, odaliskat e bukura që kishin shkuar nëpër jatakun e tij, pasi i pajoste me pajra të mëdha. Dhe këta burra të mëdhenj të mbretërisë të madhe – sadrazemët, pashallarët, nedimët, javerët e belerët e të gjithë kallëpeve – e kishin për nder të madh të quheshin “baxhanakë” të “diellit të dynjasë” dhe të bënin fëmijë me bukuroshet që kishin lënë vajzërinë në dyshegun e sulltanit e të forconin themelet e mbrtërive të tyre të vogla nën hien e së madhes. Sa për punë “vajzërie” atyre nuk u bëhej vonë, sepse, kur u tekej, kishin çifligjet e tyre: “Zgjat dorën e merr”.
Tani dado Sheqerja ishte ajo që gjuante e shtinte në dorë vajzat e njoma – zakonisht miturake, jetime, pa krahë, po ndodhte edhe ndryshe..- që duhej të shuanin epshet e Xheladin Beut. Ajo vetë bëhej bullë e i stoliste para gjerdhekut, i mësonte se ç’të bënin e si të bënin që ta kënaqnin të zonë. Asaj vetë, Sheqeres, i mjaftonte nallbani i shëndoshë, që mund të thyente potkuan me dorë, e që punonte gjithë ditën me sandraç e çekan dhe mbante erë të fortë djerse burri.
...Beu iu afrua Gurijes, e hoqi lehtë pas gjerdhanit të inxhinjve dhe e pyeti duke i fryrë në turinj kundërmimin që i dilt enga plënci:
-Efenm, hanëmi di gjësendi?
-S’di...
Nuk u muar vesh mirë: s’dinte ajo, Gurija, apo s’dinte hanëmi dhe se si i kuptoi beu këto fjalë. Tha:
-Sot do ta pi ahven (kështu i thosh beu kafesë: “kahve”, siç e kish dëgjuar nga i vjehri e nga e shoqja) në ballkon.
Kopilja nxori tabakanë në ballkon, mbushi filxhanin me “kahve” pak si të ftohur, pa ajkë, dhe u kthye në odë.
-Mirë. Shko – tha beu.
Gurija doli kryeunjur, me sytë të përlotur, duke u përkundur, sepse papuçet e qëndisura i futeshin thellë në qilimin e butë. Ajo dinte ç’dinte, nga të dëgjuarat, se kopilet që mbeteshin me barrë në konakët e beut...dhe prandaj kishte përse të lotonte. Kujt t’i ruhej më parë: hanëmit, shembrave, apo beut? Një çast harroi puset e greminat, që kish menduar një çast më parë, thosh të kthehej, t’i binte në gjunjë e t’i thosh: “Aman, be, mos më vraj...mos...Mos...Lëshomë të shkoj gjëkund”. Por nuk u kthye.
Xheladin Beu mbeti vetëm, Tha të delte në ballkon, të pinte “kahven”, po e ktheu mendjen e i ra rrotull odës, qëndroi një çast përpara pasqyrës sa një derë, u shikua e nuk e njohu veten: nga pasqyra e vështronte një burrë tjetër me ca sy të skuqur, të kërcyer, me një grykë të shfryrë e të varur si ato laprat e misërokut, me ballin brazda-brazda. Aty-këtu, nëpër mustaqet e kreshpëruara, i dukeshin fije ergjëndi. Vetëm nën hundë, ku ndaheshin më dysh shtëllung, i kish pak si të zverdhura nga tymi i duhanit, tamam si ca qime përçi plak.
A mos e kish fajin pasqyra?
Jo, pasqyra e ndritur, me yll e hënë të bardhë, në cep, s’kish asnjë faj. Fajin e kishin vjetët e shumta që i kish rrojtur e gëzuar si shumë të paktë janë ata që i rrojnë dhe i gëzojnë, e kishin ahenjgjet e gjerdheqet e shpeshta, të cilat Sheqerja ja nxiste me pije xhenxhefili e karafili. Sidoqoft, tani, për herë të parë, xheladin beu vuri re se sikur i kish shkuar një damaluk nëpër fytyrë. Megjithatë, vajti e u ngul përpara një pasqyre tjetër. Po edhe kjo ishte si e para dhe i tregonte një burrë me lapra, brazda e sy të skuqur. I ra lehtë festes, me gisht, dhe e shtyu në majë të kokës tullupane. E ktheu në vend, e vuri mbi sy, si ngaherë. Hej, sa zët i kish atë çast ata derra çifçinj që rronin me bukë misri e dhallë po leshrat i kishin si penda të korbit...
-Efenm, u mplake, Xheladin Be...
Kush foli kështu? U kthye e shikoi përqark. S’kish njeri. Kish folur vetë beu. Këtë zakon kish kohë që e kish filluar dhe po e shtonte dita ditës: fliste e përgjigjej vetë. Njerëzit e tij të afërm e dinin, po bënin sikur s’dëgjonin, sikur s’vinin re kur çuçuriste kot më kot nëpër mustaqet, që i ngriheshin dhe uleshin. Domosdo, ata e dinin fjalën e moçme: “Beu edhe gomar të bëhet, mos i hyp”.
Dhe përsëri:
-U mplake, u mplake...Ike...
Dhe i vozitën mornica të ftohta nëpër trup jo për kohën që kish shkuar, po për atë që do vinte pasandaj. Ja, nëpër qytet e nëpër fshatra zunë të rriten çupa të reja. Aty më parë i shihje pragjeve e udhës, nëpër pluhur, të dregosura, të qurrosura, të palara, kurse tani s’i sheh fare: janë “mbyllur”. Domosdo, duhet të jenë zbukuruar. Kujt do t’i mbeten këto? Kujt do t’i mbetej mjalti i zgjonjve, rrushi i ëmbël, tërë pemët e çifligjeve? Xheladin Beu po mplakej, Xheladin Beu ish mplakur...
Mendja zuri t’i qerthullohej, sa ment ra poshtë, në sixhade. Bëri ca çape e ndenji në cep të divanit.
-Po pas pleqërie? – pyeti.
Dhe u përgjegj vetë:
-pas pleqërie, efenm? Ti e di: varri...
I hypën djersë të ftohta, që ja njomën rrethin e festes. Atëhere, po të shihej në pasqyrë, do të dukej si një kufomë e pakallur në varr. Kish parë shumë të vdekur, kish dëgjuar e dëgjonte ditë për ditë se vdisnin njerëz, po ata, thosh ai, ish in budallenj. Budallenjtë vdisnin...Ata që s’kanë ç’të hanë, ata që tërë jetën s’dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të ngasin qetë e t’i rëndojnë dorakut të parmendës. Ay ishte be, ishte Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashajt, që e kishin pritur nä shparga mëndafshi dhe e kishin tundur në djep floriri. Ai nuk ishte si të tjerët, rajenjtë e harbutët, që i pjellin gratë në arat, i mbështjellin me lecka e i tundin në govatë, në vend të djepit. Një ishte Xheladin Beu në atë mëngë të mbretërisë, një e me vulë!
Po pas pak e ktheu:
-Mirë, mirë tha, duke përtypur nëpër gojë “efendëmin”, që e kish, siç thotë bota, “araret” – po edhe babai vdiq, edhe gjyshi vdiq...budallenj ishin ata?
Dhe u përgjegj vetë me një fjalë që e kish marrë nga Xhixhi-hanëmi:
-Afedersën! Afedersën!
Dhe më tej padashur: a s’ka edhe aty, Xheladin Beu dy duar e dy këmbë, si gjithë bota? A s’duhet të punojë si gjithë bota për të nxjerrë bukën?
Këtu nuk e mbajti dot të qeshurin, me të madhe: “Ha-ha-ha! Ku është parë bej, nip pashaj, të ngasë qetë? Ptu!”
Dhe u çudit se si mund t’i kish bërë vetes një pyetje kaq të shëmtuar. Si mund të vihej ay, beu i madh, burrë “temis” – siç i thosh pastërtisë, ndonëse kundërmonte nga kalbësit e brendëshme si ato saraxhatë e kuajve – në radhën e çifçinjve të thatë, nofullmëdhenj, të palarë, barkbosh, që Zoti, me të madh të tij, i kish jaratisur t’i bënte grurë e berra? Doemos, edhe çupa për gjerdheqe...
-Jok, jok! – tha siç thoshte xhixhe-hanëmi.
Kështu thirri beu sa kumboi tërë oda, si shpellë, dhe doli në ballkon, ndenji këmbëkryq në shaneshin, ndezi një cigare nga ato që dridhte Sheqerja e ja ngjitte me pështymën e saj. Aty, në ballkonin si kafaz me hekura të dendura e të përdredhura si ca rrathë buti, të teptisur jashtë e ë lidhur lart me murin e gurtë - që ku shihte dhe nuk e shihnin – cigarja ju duk pak më e shijshme. Zgjat dorën, mori filxhanin dhe e shpuri në buzë, po e la prapë menjëherë: kafeja ish ftohur fare. Ngrysi ballin, përpoqi duart fap-fap, një herë, dy..Hyri një kopile e vogël si zog pule, e zbathur, që beu nuk e thërriste më në dysheg dhe që, së shpejti, do ta vinte të ruante patat, sepse i kish shkuar koha, i kish kapërcyer të tetëmbëdhjetat. Kopilja u mat t’i kërkonte urdhërin, po nuk guxoi, ngriu me duart të mpleksura mbi gjinjtë e mëdhenj, shumë të mëdhenj për shtatin e saj të vogël. Vajza ish trembur: fytyra e tërë trupi i përkulur i Xheladin Beut ishin tërë vija drite e hije. Drita vinte nga rrezet e diellit, hija nga hekurat e ballkonit. Për një çast asaj ju duk i llahtarshëm, si qoftëlargu, dhe prandaj u mek.
-Moj ti, si të thonë... – tha beu – Kahvja m’u ftoh. Të më sjellë një tjetër. Ajo..
“Ajo” ishte Gurija...
Kopilja heshtur hyri, heshtur doli: Nuk ju ndje as hapi, as zëri.
Beu ktheu kokën nga ana tjetër. Në oborr shkonin e vinin njerëz pa zhurmë. Ata e dinin se beu ishte në ballkon. Nuk e shihnin, po e dinin: nga tymi i cigares që dilte nëpër hekurat, nga të murmuriturat me vetveten.
Konakët e Xheladin Beut ishin ndërtuar në një vend të lartë, pothuaj në krye të qytetit. Që aty dukej qyteti, apo “kasabaja ime”, siç i thosh ai vetë, dukej si në pëllëmbë të dorës, me pak shtëpi të larta e shumë shtëpi të ulëta, me minare të bardha e këmbanore të hirta, të gjitha të mbështjella në kithin e përndritur të vjeshtës së thatë. Një pjesë e madhe e dyqaneve dhe gjithë hanet në vrom të tregut, një pjesë e shtëpive, kopshteve dhe vendeve viranë, plot troskë, hithra e gjemb gomari dhe gjithë mullinjtë, ishin të beut. Qiratë i mblidhte dhe ja sillte Zylfua, muaj për muaj. Aty, në “kasabanë e beut” nuk bëhej gjë pa i marrë dorän atij. Mëngjez për mëngjez vinte bylyk-bylyk parësia e vendit, që t’i falej beut ose, siç thoshin, “t’i pinte kafenë”. Sillnin lajme se ç’kish ndodhur nga një ditë tek tjetra – kush ish vrarë e kush kish vdekur, kush kish ardhur e kush kish shkuar, kush gjykohej e përse gjykohej, kush shiste e kush blinte, kush kish zhveshur ndonjë karvan, kush ish martuar e kush do të martohej e sa të tjera të kësaj dore – merrnin urdhëra e pastaj shkonin me nxitim sikush në punë të tij. Rrallë e tek, kur ish fjala për ndonjë punë të madhe, a kur vinte ndonjë njeri i madh – kajmekam, kadi, yzbash ose duvaxhi i parë - dilte e priste vetë beu; më të shumtat e herës e prisnin veqilët, Zykua a Zylfua. Beu bënte sehir nga ballkoni ose ngjitej lart, në kullë, një odë e vogël me katër dritare, që ku mund të shihej në të katër anët, ose rrinte në shilte prpa perdes, si sulltani i Stambollit, dhe njerëzit ja dëgjonin vetëm kollën ose pëllëmbët që i përpiqte fap-fap, dhe atëherë u ngrinte gjaku në zemër: përpoqi duart beu!
Domosdo, në konakët e beut vinin edhe agallarë dhe myftarë fshatrash, vinin fshatarë për të qarë ndonjë hall. Ta pret mendja: asnjë nuk vinte me duart bosh.
Mirëpo kësaj here Xheladin Beu s’kish nge të merrej me vogëlsira të këtilla; ai ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër.
Hoqi sytë nga qyteti dhe i hodhi tutje, në fushë: këtu të verdhë, më tej të murrme dhe vende-vende të gjelbër, me selvi. Atje ku dukeshin selvi kish varreza, të vdekur, shumë të vdekur, sepse fshatarët e “kishin zakon” të vdisnin me shumicë, më fort fëmijët. Andej, në fushë, kish shumë shtëpi “të shuara”, shumë të tjera të braktisura. Nejse, tëi lemë fshatarët e të zemë një gjë tjetër më të mirë: dhenë. Pothuaj tërë ky dhe, gjer larg, ku piqej me qiellin ishte i tija. Me gjith varreza. Edhe kodrat në të djathtë e në të mëngjër. Të tijat, po ç’i do? Beu s’ishte mirë atij mëngjezi vjeshte. Pse e qysh? Po mplakej...Ja mbrëmë, i kishin sjellë një “ftujë të njomë”, si Gurijen. Jo, më të njmë: Gurija ishte persëmbëdhjetë vjeç, ajo tjetra që s’ja dinte as emrin, trembëdhjetë. Kishin kënduar me gojë e i kishin rënë defit: “Jarnana, jarnani” dhe prapë: “Jarnana, jarnani;/ Ato cica sherbetli,/ M’i bëj naze t’i pi raki...” Dhe ai, Xheladin Beu, zot mbi dhera e zot mbi njerëz, s’ish bërë burrë, ish lidhur. Kësaj here s’kish bërë ferk as xhenxhefili, as karafili, e as rakia me meze. Xheladin Beu po mplakej. Vogëlushja çupë hyri, çupë doli...dhe ish e bukur me vetullat të bëra me mazi, me thonjtë të lyer me këna, me sytë e bukur, me faqet me vrima.
Dhe beut i vinte keq, i vinte inat, i vinte turp. Ai goxha bej.
Aty për aty i shkrepi një mendje tjetër: kujt do t’i mbetej tërë ajo pasuri që kish mbeldhur e ajo që po mblidhte? Tërë ajo kasaba, tërë këto çifligje? Vërtet, e shoqja, Xhixhe-hanëmi, ishte nga derë e madhe, bijë pashai e mbesë veziri, po shterpë, barkthatë. Veziri kish qenë “baxhanak” i sulltanit; edhe vetë pashai. Pra Xheladin Beu kish hyrë në radhën e të parëve të mbretërisë dhe priste ta ngrinte oxhakun lart e më lart, të bëhej pasha. Peqe, po kujt do t’ja linte këtë oxhak? Mund të bënte një gj: të shtinte kurorë të dytë e të tretë me grua pjellëtore. Këtë të drejtë ja jepin të gjitha kanunet e dheut e të qiellit, po Xheladin Beu – i madhi Xheladin Be, i forti Xheladin be – duhej ta prishte punën me të vjehrin, me të kunetërit, me tërë farefisin e së shoqes, gjer lart në Porta e Lartë. Ai ja kish frikën sidomos Xhxhi-hanëmit, një gamile tërë koska e kokalla, sikur të paskej qenë ushqyer jo me qumësht e mjaltë, po me karkalecë të pjekur. Kur endej nëpër çardhak e kur sillej nëpër odë, tërë këto kocka e kokalla bënin trak-trak sikur të paskej vozitur vetë shapatani apo ai kadiu i vjetër i Libohovës, që thoshin se ish ngjallur lugat, sepse kish qenë i shtrembër e rryshfetçi i madh. Po ashtu, trak-trak, edhe kur ulej në shilte, kur binte në jatak: vetëm koska e kokalla. Mirëpo këto ishin koska e kokalla bije pashaj e mbese veziri, dhe prandaj i mbulonte me mëndafsh e pembe e belluz jeshil, të qëndisura me fije ari e të stolisura me xixa xhevahiri. Xixa të tjera të këtilla i ndritnin e i përndritnin në kapuç, në leshrat, në qafë, në kyçet e duarve, në gishtërinjtë me thonj të skuqur.
Ajo dhe të vëllezërit prisnin që Xheladin Beu të hidhte topnë - kështu apo ashtu... – dhe t’i përlanin pasurinë. Doemos, dinin se beu bridhte si maçok kobash poshtë e lart, brenda në qytet e jashtë nëpër fshatra, po kjo ishte punë mashkulli, le të bënte ç’të donte. Vetëm dy gjëra s’donin ata: kurorë të dytë, me shembër, dhe niqa...
Tani Xheladin Beu vështronte e nuk shihte gjë, sikur t’i qenë perdelisur sytë. Mendja e tij bluante po atë punë: kujt do t’ja linte emrin, oxhakun, mallin? Niqa – jo, kurorë të dytë - jo, po atëherë si? Këtë kokël duhej ta kish zgjidhur që qëkuri, dhe nuk e kish zgjidhur. Tani ish vjeshtë, tani beu...
Dha e mori me vete, murmuriti, u përgjegj vetë e së fundi tha me zë:
-Efenm, në djall të venë e bija e pashajt, të bijtë e pashait dhe vetë pashai, i biri i vezirit” Do të bëj siç bëri im gjysh! Ja, po të pjellë kjo një djalë (“Kjo” ishte Gurija) do t’i shtie kurorë e do ta marr grua të dytë! Pastaj le të bëhet ç’të bëhet!
Po ç’kish bërë i gjyshi?
Edhe gjyshit, Xheladin Pashajt, i kish qëlluar shterpë gruaja e parë. E mirë ishte, e bukur ishte, po shterpë...dhe pastaj e donte me gjithë shpirt e nuk desh t’ja thyente zemrën, t’i hidhte kurorë të dytë. Po si mund të rronte pa fëmijë? Dhe ja, një ditë vere, tek po rrinte në dritare, prapa hekurave, hyri në oborr një fshatar me një çupë të vogël, që e ndiqte si ogiçe. Fshatari ishte me opinga, çupa ishte zbathur. Ai ju afrua çezmës së pashait, piu ujë, lau sytë, u hoq mënjanë e i bëri vend çupës, zgjidhi shaminë e kuqe nga brezi e zuri të fshinte fytyrën, qafën. Çupa bëri siç kish bërë fshatari: piu ujë, lau sytë, po nuk i fshiu se s’kish shami. I la të thaheshin vetiu. Faqet e kuqe ju skuqën edhe më fort. Aty afër s’kish njeri. Megjithatë, çupa shikoi rrotull, pastaj ngriti pak fustanin dhe vuri njërën këmbë nën lyfyt, për të hequr pluhurin e udhës. Vuri edhe tjetrën, u përkul, i fërkoi. Këmbët i kishte, poshtë, të nxira, po lart, të bardha si niseshteja në diell. Piu edhe një herë, u hodhi edhe dy a tre grushta ujë syve. Pashai e pa që prapa dritares me hekura dhe e pëlqeu. Ai ish njeri i dhënë pas këlliçit e pas luftërave e jo pas grave, po kjo çupë i pëlqeu e më shumë. “Mirë, tani nxirre këtë çupë, i tha ay qehajajt. Të presë jashtë”. Qahjaj dhe çupa dualën. Pashai u kythe e e pyeti fshatarë cili ishte e nga ishte, ç’e kish atë çupë, ku vinte. Fshatari i tha emrin, fshatin. Fshati ishte pronë e pashait; çupa ishte mbesa e fshatarit, e bija e të vëllait, jetime. Sa vjeç? Dymbëdhjetë. Fshatari shkonte në pazar. Çupën do ta martonte me një që i jepte njëqind grosh, tre kreë dhen, një palë rroba, një shami e s’di çfarë. Ay që e merrte – filani i biri i filanit nga filan fshat – ishte i pasur. Kish edhe tri gra të tjera, shumë djem e vajza, me të tria. Disa djem e disa vajza i kish tëmartuar e me fëmijë më të mëdhenj se sa nusja e re, që i qe tekur të merrte, për pleqëri. Pashai e dëgjoi dhe, fundi, i tha: “Mirë e mora vesh. Ti shko, çupën lere këtu, se është malli im, nga çifligu im. Do ta martoj vetë me kë të dua”. – “Aman pasha! Derman pasha! Vetë dorë në zemër! Çupa është jetime, kam marrë kapar që t’ja jap filanit...” – të gjitha shkuan kot; pasahi nuk u tund nga fjala e parë. “Eshtë malli im, do ta martoj vetë”. Nxori qesen, i numëroi pesëqind grosh, i hodhi përsipër xhing-xhing edhe nja tre mexhite të bardha, i dha fjalën se do t’i jepte një pendë që, pesë krerë dhen e s’di çfarë, pastaj përpoqi duart. Hyri qahjai, e zuri lehtë përkrahu e nxori jashtë me të butë. Fshatari ishte edhe i gëzuar – pesëqind e kusur grosh, një pendë qe, pesë krerë dhen! – po edhe i trembur. “aman, - i tha qahjajt, mos më merrni në qafë! Kam në shtëpi fëmijët e mi e fëmijët e tjerë të vëllait. Druhem mos bie në gjak me atë miknë që më ka dhënë kaparë”. – “Verë kësulën mbi sy, e qetësoi qahjaj, - e i thuaj se çupën e mbajti pashai dora vetë. Në do gjak, le të vijë këtu”...
Që atë natë pashai e mori çupën në jatak. Edhe netët e tjera...Kur mbeti me barrë, e dërgoi në një fshat të largët, që të lindte. Bëri djalë. Atëhere pashai ishte dyzet e kusur vjeç. Këtë punë e mbajti të fshehtë. Të fshehtë-të fshehtë, po fjala i vajti në vesh së shoqes, pashalleshës. Në vend të pikëllohej, kjo u gëzua e i tha pashait: O imzot, pse ma fsheh mua gazin tënd? Gazi yt është edhe imi. Unë dnodha të jem kështu siç jam, barkthatë. Ti, Pasha, s’më ke faj...Kështu desh zoti. Hidhi kurorë çupës, sille këtu me gjithë djalë. Do të ta dua si birin e gjirit e të pëqirit. Do të ta tund në djep floriri, do të ta lish me shparga mëndafshi, që të rritet, të shtohet e të mos na shuhet oxhaku”. Pashai e shikoi i çuditur, po e kuptoi se e shoqja i fliste nga zemra. Dërgoi e solli fshataren e vogël, me gjithë djalë. I hodhi kurorë. E shoqja e parë, pashallesha, e mbajti fjalën: e lidhi djalin me shparga mëndafshi, e tundi në djep floriri. Nuk i mbajti kurrë mëri shembrës së re, të bukur si hënë. Kjo s’bëri fëmijë tjetër. Djali u rrit dhe u bë Shemshedin Be. Pashai vdiq pas disa vjet, po e la me fjalë që i biri të martohej i ri e të bënte shumë fëmijë. Shemshedin Beu nuk ja shkeli porosinë. Bëri shumë djem, nga të cilët mbeti gjallë vetëm Xheladin Beu; të tjerët vdiqnë apo u vranë nëpër luftra, për të fituar ofiqe e çifligje. Ama pasurinë e shtoi shumë e më shumë, mbushi kazanë e qypa me verdhashka, se ish lakmonjës i madh i parasë, dorështrënguar, i rripte të gjallë të gjithë ata që kish nën urdhër. Mbyllte grurin e misrin në hambarë të mëdhenj, që i hapte në mars a në prill, kur binte zia e bënte kërdinë. Mbante njerëz apostafat për të zhveshur karvanët, pastaj bënte sikur i dërgonte për të ndjekur hajdutët, ndërsa kuajt e mushkat e karvanëve, me gjithë barrë, i kishte në ahur. Ua kthente të zotërve me pagesë, dhe, më vonë, ua grabiste përsëri. Shkonte për gosti nëpër fshatrat e nëpër stanet, hante e pinte dhe, më në fund, në të ikur, kërkonte “dhëmb-parasi” – pagesë për dhëmbët që ishin munduar për të ngrënë mishin e pjekur. Shpesh trimat e tij grabisni tufë të tëra bagëtish. Qanin çobenët e çobankat, që kishin mbetur lugëthatë, po shemshedin Beut nuk i bëhej vonë. Një herë, s’di se kur, thonë se një çoban i krisur, që beu i kish rrëmbyer kopenë, i ra me dyfeg të gjatë e krisi e iku. Nuk e vrau, po e plagosi: i futi një plumb në mollaqet. Që atëherë Shemshedin Beu s’mundi as t’i hypte kalit, as të ecte me dy këmbë. Plaga ju bë xhivadi e madhe, që ja punonin me fitil. Lëngoi shumë vjet, përmbys, gjers vdiq, apo gjersa ngorshi, siç thosh harbutëria a rajallëku.Gjithë pasurinë që kish trashëguar nga i ati, nga pashaj, e atë që kish mbledhur vetë, ja la të birit, xheladin Beut. Ky ra pas qefeve e ahengjeve, pas grave, pas zullumeve. Më tej, për të forcuar oxhakun u martua me një bijë pashai, mbesë veziri, baxhanakë e stërbaxhanakë sulltani, me atë gamilen koskëmadhe e hundësamare, që i thoshin Xhixhi-hanëm apo xhixhiko-hanëm. Beu s’e kish parë fare, se mblesëria e martesa ishin bërë, siç e donte puna, me lajmëtarë, që ja kishin ngritur në qiellin e shtatë të mbesën e vezirit, duke thënë se kjo ishte e bukur si hëna e gushtit, si dudia e butë e sa të tjer të kësaj dore. Krushqit ja suall nusen në shtëpi, me suvarinj, me salltanet të madh, me allajka e stërallajka prapa, po pa çupëri...Çupërinë ja kish falur s’di se kujt, që në kohën kur i thoshin Xhxhi.hanëmkëz (këtë punë e dinte ajo vetë dhe ai mashkulli festekuq, që kish hyrë i pari në jatakun e saj), po xheladin Beu s’guxoi të bënte gëk as mëk, se binte në luftë me pashallarë e vezirë, me baxhanakun e tyre sulltanin.
Ja kështu! Xhixhiko-hanëmi doli, siç thamë, shterpë. Jo tamam shterpë se, siç thoshin gojët e këqia, dikur kish hedhur në diell fëmijën e parë dhe më tej kish shterur. Këtë punë, ajo e dinte që qëkuri, dhe prandaj ja kish bërë fora, andej, në pashallëkun e babait, duke ndërruar jaranët si fustanët.
Tani sikush bënte jetën e vet në konak të vet: hanëmi në haremllëk, me të pritur e me të përcjellë zonjat e parësisë (helbete, shpesh s’dihet ç’fshihet nën ferexhe: ti pandeh se është femër e të del një bandill mustaqedredhur...); beu, në selamllëk, me ato që dimë e ato që s’dimë.
Dhe prisnin.Çfarë prisnin? Kushedi...Rrallë e tek shtroheshin në sofër bashkë; beu me sheqeren pranë, gjithnjë sytë katër; hanëmi, me allajkën më këmbë, prapa kurrizit.
Xheladin Beu nuk shkelte kurrë në pashallëkun e vjehrrit, plak, se kish frikë mos kthehej meit, në tabut..
Ama “selámet” dhe “aleqym selámet” bashkë me peshqeshet, shkonin e vinin pa kursim. Dhe ndërkaq, beu e nxirrte dufin duke bredhur poshtë e lart, si ata maçokët e shkurtit, duke përhapur në të katër anët sëmundjen e frëngut, kurse hanëmi shkonte e rrinte muaj të tërë në pashallëkun e babait apo në atë të vëllait të madh, dhe atje, tym të dalë: sonte një feste, nesër një tjetër, pasnesër një sarëk – shterpë që shterpë ish!
Pashai plak i kish dërguar fjalë disa herë të dhëndrit që t’i jepte për grua të dytë një mbesë, çupën e çupës a nuk di çfarë (që të mos i shuhej oxhaku e të mos i dilte pasuria nga dora), po Xheladin Beu, që ish djegur nga çorba, tani i frynte edhe kosit e s’desh të bënte më krushqi me pashallarë.
-Evet, efenm! – thirri Xheladin Beu, si e pleqëroi punën në mendje – do të bëj ashtu siç bëri gjyshi!
Kur e ngriti kokën, pa se përpara tij qëndronte Sheqerja me tabaka në dorë, me xhezve e filaxhan.
-Ti? Po pse, pse...ajo? Hëm...Hëm...Hëm Efenm – dhe u ngrit në këmbë.
Sheqerja buzëqeshi me atë gojën e madhe, u përkul e mbushi filaxhanin, sa një lagjin, me kafe avulloshe.
Xheladin Beu ishte burrë i pashëm, i mbushur, i gjatë, po Sheqerja vinte një pëllëmbë më e gjatë. Domosdo, edhe shumë më e mbushur, prapa e përpara. Ajo e dinte se po të qëndronte më këmbë, ne pragu i ballkonit, do të duhej ta shikonte benë nga lart poshtë, kurse ky duhej të ngrinte kokën. Punë pa lezet...Prandaj u ul e ndenji burrërisht ne pragu i ballkonit, duke hapur djathtas e majtas palat e shumta të dimiteve dyzet-kutëshe, dhe ngriti kryet të shikonte benë, që ndërkaq ish ulur përsëri dhe kish ndjellë e zhurmë, sikur të thithte palcën e ndonjë koske, gllënqet e para të “kahves” së valë, zinxhirli, plot kajmak. Sheqerja tha:
-Ajo, be, t’u bëftë Sheqerja e ka marrë punën me frikë. S’di ç’i kanë thënë ato ziliqaret, kopilet. Të këtejshmet e të andejshmet – dhe tregoi me dorë konakët e Xhixhi-hanëmit.
-E kanë marrë vesh se është “ashtu”?
Sheqerja bëri me kokë:
-E kanë marrë...E kanë trembur çupën. I kanë thënë se, gjoja, zotrote do ta vrasësh me gjithë foshnjë. Ka lojtur pak...Kështu e ka barra e parë, ta marrtë Sheqerja, po kjo bën veç botës. Flet përçart: “Bubu, beu! Bubu (hanëmi! Do të më hedhin në pus. Do të më mbërthejnë në mur të gjallë” Të ik, të ik, në mal, me ujqit! Bubu, beu! Bubu beu!” Kështu bën. – dhe Sheqerja qeshi.
Xheladin Beu ndezi një cigare, lëshoi një shtëllungë tymi mbi filxhanin, që ja mbushi Sheqerja së dyti, e tha:
-Jo, moj, jo” Këtë nuk e vras, nuk e mbyt. Unë...unë...efenm, them...
-Ka frikë edhe nga allajkat, nga të gjithë.
-Jo, jo! Të mos ketë frikë.
Për ca çaste biseda u kthye në çuçurimë. Beu e hoqi për jeleku, i tha në vesh ç’kish për të thënë. Dhe kur e kur: “Hëm, more vesh, Sheqe? Kështu...Unë...atë...po të bëjë djalë...efenm...si gjyshi!” Ajo dëgjonte e bënte me kokë në të djathtë e në të mëngjër: “Peqe, be. Sa mirë të paska rënë në mend. Si të urdhërosh zotrote, be, ta marrtë sheqja, t’u bëftë Sheqja. Këtë punë ma lerë mua, që t’i gjej vendin. Djalin do të ta rrit unë. Ti i bukur, ajo e mirë, djali si pëllumb! Të pëlcasin nga inati ata që s’na duan”. Herë pas here bënte me kokë lart e poshtë, duke nxjerrë ca tinguj shumë të thatë a shumë të lëngtë nga qiellza, nga gjuha e dhëmbët, që veshi i shquan dhe i kupton mirë, po kalemi nuk i merr dot: “ncuk”, “ncuq”, “ntxk”, “ntck” e kështu më tej. Kur mbaroi, beu i vuri pëllëmbën mbi supin e tultë, të dhjamur, rëndoi, shtërngoi, sa Sheqe i dhembi, zgurdulloi sytë.
-More vesh, Sheqe? Ashtu të bësh. Po të më sjellësh myzhdenë se bëri djalë do të të jap një mulli!
-Më rrofs be.
-Tani shko.
Sheqerja u ngrit më këmbë, pothuaj e gëzuar – sepse pëllëmba e rëndë e beut ja kish bërë supin zdrame – dhe, për një çast, me ato kindat e dimiteve të hapura djathtas e majtas, prapa e përpara, u duk si një mullar me bar që e kishin çarfalitur me gojë e me brirë ca buaj shumë të uritur. Ndreqi palat, u mat të dalë. Beu po e shikonte tërë epsh. Aty për aty iu ndez një dëshirë e re për Sheqen e tij të vjetër. La filxhanë e tha:
-Jo Sheqe, mos shko. Futi llozin derës dhe eja.
Sheqeres i qeshi fytyra:
-T’u bëftë Sheqja, be...ti me mua e ke shpirtin.
Shkoi i vuri llozin derës dhe u kthye me dhele, si dikur. I ndritnin tengllat e mëdha, të arta. Shkopsiti me naze jelekun...
Edhe kështu, atij mëngjezi vjeshte, Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashajt u bë përsëri burrë dhe “ortak” me “baxhanakun” e tij, nallbanin, të shoqin e Sheqeres.
Nga jashtë vinte trokëllima e çekanit të nallbanit që mbathte kuajt. Dimitet dyzet-kutëshe kishin mbetur jetime, nëmes të odës.
-Me Sheqen tënde e ke shpirtin, be...
-Me ty, Sheqe, me ty...-thosh beu duke gulçuar si kalë teknefes.
...Sheqerja u vesh përsëri, kopsiti sumbullat e jelekut dhe u mat të çelte, po diç ju kujtua:
-Jashtë presin ca njerëz.
-Ç’janë?
-S’janë gjë, hallexhinj: kasaballinj, fshatarakë. Ndofta kanë ardhur të qahen.
-Të qahem, efenm? U thuaj të flasin me Zykon. Sot jam zaif.
Zykua ishte veqili i parë i beut, një shkurtabiq i çalë e dredhak, që të shkonte në hell, të diqte e nuk të piqte.
Beu shtoi:
-Jam zaif. I thuaj Rizait të nxjerrë kuajt, të më shaloj Allçanë. Do të dal teferiç, andej – dhe tregoi vagël fushën. – Për gjah. Me shtatë veta. Sillmë rrobat, Sheqe.
-Peqe, be. A je mirë? – e pyeti ajo me buzë në gas.
-Shumë mirë Sheqe.
-Me mua e ke shpirtin, be, me mua.
Veshi me nge rrobat e kadifesë së gjelbër me vija e sumbulla argjendi, që i kish apostafat për udhë e gjah. Sheqerja u ul në bisht e i mbërtheu kopsat poshtë, nën gjunjë; i lidhi lidhëzat e gjata të çizmeve të verdha, duke i shkuar kanxhë më kanxhë. Kur u mat të ngjeshte kollanin me fishekë, u dëgjua një trokëllimë në derë. Sheqerja e hapi. Hyri një zhgan kopilesh që sillnin mëngjezin. Xhelain Beu u shtrua në sofër, i ra festes dhe e largoi nga balli. Hëngri llap-llup, me zhurmë, si ngahera. E nisi me çorbë pule të majme, tërë sythe lyre, po të athët të prerë me limua (dinte Sheqerja se ç’t’i gatuante që t’i hiqte gromësirat e rakisë), e vazhdoi me mis të bardhë pule e miske, me qengj të pjekur, e mbylli me shqerpare të mybtur në sherbet të trashë, të mbuluar me pluhur xhenxhefili, kanelle e karafilke. Çliroi kopsat, përpoqi buzët e gjuhën me “oh! oh!...”, lëpiu të pesë gishtërinjtë. Lakmoi shumë e u ngjesh paq, pastaj kur s’mundi të hante më, i largua nga strofa, lau duart, u mbështet në jastëk dhe shikoi togun me koska, poshtë, dhe strofën plot mishra e ëmbëlsira.
-Eh, efenm! Mirë i ka jaratisur të gjitha i madhi zot, ama një gjë s’e ka bërë mirë: i ka dhënë njeriut vetëm një bark, si kamësit, ashtu edhe skamësit, që s’ka ç’të hajë...Punë i thonë kësaj? Ja unë hëngra e u ngopa, po tepëroi. Kush do t’i hajë këto që lashë? Hë? Jo, këtë s’e ka bërë mirë!
Kjo ishte fjala që thosh dendur beu, kur ish me miq, kur hante shumë velej e tepëronte. Tani s’kish miq, po prapë e tha fjalën dhe vështroi me pikëllim sofrën plot: kish ngrënë shumë, po edhe kish tepëruar.
Për një çast harroi gjahun, Rizanë dhe pelën e kullme, që zbriste në oborr duke çukitur kalldrëmin me potkonjtë e nallbanit të Sheqeres, harroi langonjtë dhe qahjallarët, dhe po e ndillte gjumi. Por, më në fund, e mundi veten, u ngrit, ngjeshi lehtë-lehtë kollanë mbi plënxin plot, mori çiften e zbriti. Tirmat e pritën me dorë në zemër e u hodhën ta ndihnin t’i hypte pelës: kush i ndreqi yzengjitë e kush i mbajti këmbën me të dy pëllëmbët dhe e ngriti lart. Puna shkoi zor, se beu qe rënduar shumë, po i dha hov trupit e u gjend majë pelës, doli nga porta me qemer guri e u nis për në fushë: ai përpara, trimat prapa, langonjtë kur përpara e kur prapa.
Qielli ishte i kulluar, fusha e kodrat të veshura e dritë, udha e butë, me pluhur, vende-vende, në hije, e lagur nga vesa e natës. Zogj udhëtarë, të renditur si perusti, fluturonin lart, shumë lart, duke fërfëllirë krahët. Langonjtë çafkëllonin nëpër dternishtet mbi udhë e nën udhë. Nga një brryll udhe dual një tufë fshatarësh me qerre, kuaj, mushka e gomerë të ngarkuar me drithë, qepë, presh, kunguj, pemë, dru: i shpinin në konakët e beut. Kur e panë, mbajtën kafshët e qëndruan buzë hendekut, si të ngrirë, me dorë në zemër.Beu as që u hodhi sytë. Tani e kish marrë pak veten dhe kulloste rreth e përqark sytë e skuqur. Nata e ahengut kish mbetur prapa, larg, në mjegull, me gjithë jarnanitë e jarnanatë e saj, që dukeshin të paqena, si një ëndërr e keqe e një nate dimri, kur të bëhet sikur të ndjek një llavë ujqsh, të afrohet të të çajë e ti bën të vraposh, të shpëtosh, po nuk ik dot, je mbërthyer në vend, thërret me të madhe e as veshi yt s’ta dëgjon zërin. Edhe Xhixhi-hanëmi ishte zhdukur bashkë me natën e dmrit, me ujqit. Xheladin Beu ishte në diell të mirë, bënte, i gëzuar, “ohoho!” e “ahaha”, jepte e merrte me vete. Ata që vinin prapa dëgjonin, po nuk ja shkoqitnin dot fjalët.
Papritur, era solli një kundërmim kërme. Beu e trimat kaluan të ngrysur pranë një gomari të ngordhur me këmbët përpjetë, me kokalla të kuqe, dhe trembën një tufë galash të shtruara në gosti. Këto u ngritën e shqitën sipër kalorësve si ca hije të zeza, krokërinë me zemërim, ranë në një ugar, u ngritën përsëri e u kthyen në gostinë e tyre.
Beu nxori cigare, e ndezi, që të shpëtonte nga kundërmimi i kërmës. Nëpër arat me misër të paprerë, zbardhën, skuqën, zverdhën për një çast ca shami, pastaj s’u panë më. Domosdo, Xheladin Beu e kish hijen të rëndë, prandaj gratë e vajzat u tulitën nëpër misrat.
Më tej era e u bë përsëri e pastër, e këndëshme, si në vjeshtë. Një çast ju kujtua Gurija e trembur, me barrë.
-Në djall të vejë edhe kjo! – tha dhe hodhi tutje bishtin e cigares.
Vetëm një gjë nuk harronte dot: atë gjerdhekun e dështuar të natës që shkoi, që i qe ngulur si një gozhdë në tru, megjithqë Sheqerja e kish kënaqur në mëngjez si ngahera. Ju duk sikur ja dëgjoi zërin e butë, ledhatonjës: “Me mua e ke shpritin, be...me mua! Të vesh ku të vesh, me mua e ke shpirtin!” Dhe Sheqerja kish të drejtë: me të e kish shpritin Xheladin Beu. Dhe s’di se si, i vinte keq që ja kish falur nallbanit, baxhanakut. Më në fun tha:
-Prapë imja është. Kur të dua...
I futi mamuzet pelës dhe e ngau vrap përpara. Më tej dërgoi një qahja të lajmëronte të parin e akcilit fshat se do t’i vinte për drekë e pastaj u fut nëpër korie, pas gjahut.
Gjahu i vajti shumë mirë atë ditë: turtuj, thëllëza, pëllumba...Ay vriste, langonjtë e qahjanjtë ja sillnin.
 
Përgjigje e: Mitrush Kuteli - Jeta

II

Drekën e hëngri jashtë, në “jeshillëk”, pranë Kroit të dardhës plakë, se aty e kish kërkuar vetë. Të trapiturat pas gjahut, rakia e mirë, e ftohur brenda në krua, mezetë e shijshme ja hapën oreksin sa për katër barqe. Beu mbushi vetëm një, sepse aqe kishte, po e ngjeshi mirë, si targaç kurbati: hodhi brenda shumë, nga të gjitha.
Tani, ndërsa trimat ishin shtruar e po hanin pak më tej, në një brinjë, beu rrinte shtrirë në qilim, me tëmblën e djathtë të mbështetur në pëllëmbë. Burrat e fshatit, pothuaj bujq në çiflik të beut, kishin lënë punën e grindjet dhe kishin ardhur t’i faleshin, t’i bënin nder, siç e do puna. Këta rrinin nja dhjetë çapë larg, posht, kush më këmbë e kush më bisht a më gjunjë, duke pritur një shenjë, një urdhër. Ca të tjerë u shërbenin trimave të beut, që hanin bukë e mish e ua hidhnin kockat langonjve. Beu mbajti pranë tij vetëm disa pak burra nga parësia, me qosteqe e pafta ergjendi në gjoks e “peqepeqe” në gojë. Këtyre u hodhi vëp e vëp nga një cigare të hazërtë, që ishin shumë të mira, sepse i kish dredhur vetë Sheqerja e i kish ngjtiur me pështymën e saj.
Drita e ditës ishte e butë, e ëmbël, si e kulluar nëpër gjergjir. Beu foli për punët e mëdha e të vogla të mbretërisë; për “djellin e dunjasë”, Baba sulltanin, që ja kish vënë këmbët në një këpucë gjithë “Avropës” ja kishte hedhur hallkën tejpërtej nëpër hundë e bënte të loste si ari. Së shpejti, Baba sulltani do të nxirrte këllëçin e madh e do t’i bënte hi e pluhur gjithë kralet e mëdhenj e të vegjël, do t’u merrte gratë e çupat e do t’i mbyllte në haremin e Stambollit. Domosdo, ato që do të tepëronin do t’ua falte të mëdhenjve të mbretërisë. Tha se ay,, Bab sulltani, mblidhte njerëz me harxhe, paguante tink-tink alltën e argjën. Pastaj, papritur, vuri re se burrat që kishin ardhur t’i merrnin dorën ishin të paktë. Pyeti:
-Efenm, vetëm kaq burra paska fshati? Ku janë ata të tjerët?
-Ka vdekur një si çun i vogël, be. Kanë shkuar ta kallin në varr – tha njëri.
-Ka vdekur edhe një si grua, me nder të zotrisë sate, një nuse e re – tha tjetri.
-Hëm, hëm, xhenaze biçimi...Dy të vdekur në një ditë. A mos i ka rënë murtaja fshatit? – pyeti beu edhe si me të qeshur, po edhe me frikë.
-Murtaja jo, be, po na ngrinë ethet. Edhe dje...
Beu s’pyeti më tej si e qysh, si nuk pyeste kurrë për punë vdekjeje. “Këta derra çifçinj janë të shtuar si fara e sinapit...Vdesin, po nuk shuhen fare. Po të kenë bukë misri shtohen gjene, se ato dosa fshatarake pjellin stërc e stërc për mot”. Aty për aty e ktheu bisedën: “Më kini mbetur borç kaqe grurë e kaqe misër, kaqe dru...Dushk i dua. Mjaltin s’ma kini sjellë. Harruat ku jini? Do t’ju dërgoj Zylfon a Zykon që të ndajmë hesapet bashkë. Hëm...hëm...” Fshatarët dëgjonin me sytë përdhe. “Grurin e msirin i kemi larë. Edhe drutë i kemi larë. Sot dërguam të fundit”. Dhe me gjysmë goje: “A mos i ka mbajtur Zylfua për vete?” Po fjalët e tyre s’i ranë në vesh beut, se askujt s’ja mbante të fliste me zë të lartë. Beu ligjëroi:
-Shkoni bre, andej, me harxhe – dhe tregoi tutje me dorë. – Të mbushni qeset e të lani borxhet. Dovleti ka haznë të madhe, ka taraphanë. U jap kartë për tim vjehrr, pashanë, se më ka bërë haber: do njerëz. Dovleti ka luftë, lufta sjell pare, të mbush me plaçkë.
Dhe, si rrinte kështu, me cigaren të shuar ndër gishtrinj, e preu një gjumë i lehtë, i ëmbël, pa jarnani e jarnana, po me gurgullimë kroi, me shushurimë fletësh të zverdhura, që shkundeshin e binin duke u tundur nëpër erë. Sapo e preu gjumi, ata me qosteqe në gjoks u shikuan sy në sy e u larguan së prapthi, ngadal, duke shkelur në majë të gishtërinjve.
Trimat kishin mbushur barqet e çlodheshin duke kruar dhëmbët me ndonjë kleçkë. Langonjtë rrinin aty pranë me gjuhën jashtë, të kuqe, varur si llapë.
Kur u zgjua, Xheladin Beu pa se kish përsipër një mbulesë të leshtë, që ja kish hedhur Rizai. E largoi tej, u ngrit shesh, fërkoi sytë e tha:
-Efenm, më paska marrë gjumi.
Ndenji sa ndenji kështu, pastaj shtoi:
-A ikim, o Riza?
-Si të urdhërosh zotrote, be.
U ngritën të shkonin, po nuk shkuan. Moti i ëmbël e gjahu i mirë i mbajtën gjer vonë, kur dielli kish kthyer më të perënduar. Edhe një copë herë të mirë çiftet e teket krisën bambum, nëpër korie.
Vetëm një gjah nnuk pa me sy kësaj radhe: çupa e nuse. Në asnjë nga fshatrat që shkeli. Ta pret mendja: ish hapur fjala anembanë se kish dalë beu për gjah dhe...”Ama derra këta çifçinj! I mbajnë dosat mbyllur!” Pa beu aty-këtu ca plaka leckamane të ngarkuara me dru e karthje, po ç’i do këto? Janë si pastërmaja e dhisë. Beu s’desh pastërma; desh mish thëllëze.
Tani gjendej në një çukë me këlpishte. Rizai vinte prapa me torbat plot. Kuajt prisnin tutje, në udhë, në anën tjetër. Fërshëlleje me dy gishtërinj në gojë e vinin sakaq. Po nuk fërshëlleu njeri. Aty poshtë, midis sallkëmësh, ishte një pus me çikrik, që bënte gau giu kur zbriste e ngjitej kova. Që aty vinin ca zëra të hollë, zëra çupash. Qeshnin, i thërrisnin njëra-tjetrës. Beu mbajti çapin e i bëri me dorë Rizait: mos luaj nga vendi! Dy turtuj topolakë kishin qëndruar në një degë këlpishteje mu mbi krye të tij. Çiften e kish të mbushur. Po nuk u ra. Më në fund, ndajnata i sillte një gjah tjetër në grykë të dyfegut. Çupat e fshatit e dinin të ikur dhe kishin ardhur të mbushnin ujë.
Vragës-vragës, Xheladin Beu zbriti çukën, hyri nëpër sallkëme, iu afrua pusit. Aty ishin nja shtatë a tetë çupërlina që flisnin e qeshnin. Ca kishin mbushur stomnat, ca po i mbushnin e nja dy prisnin radhën. Namëta, ay me një këmbë u nxori përpërpara Xheladin Benë!
Çupërlinat klithën sikur të paskej rënë ujku, lanë stomnat e u përhapën ku mundën: kush hodhi ledhin, kush çau drizat e kush mori vijën tatëpjetë. Shumë gjemba hynë atë ditë në mish të butë, po më mirë nëpër gjemba se sa në dorë të beut...Sa të mbyllësh e të hapësh sytë ikën të gjitha. Të gjitha, veç njëje, që i ra stomna nga dora e iu thye. Çupa e shikonte benë si zogu gjarpërin, që i afrohet t’i hedhë helmin, dhe s’ikte dot. Sikur e mbante të rëndët e dheut. Një ciflë e stomnës së thyer ja kish gjakosur njërën këmbë, po shkaku nuk ishte ky: frika e kish mbërthyer në vend. “Qënka pëllumbeshë e butë, peshqesh nga zoti” tha beu me vete dhe ju qas më pranë. Çupa sikur s’ish nga kjo botë, po nga bota tjetër: një hyrije e veshur e tërë në të bardha: linjë të bardhë, shami të bardhë mbi leshrat e verdha, trup të hedhur, sy të gjelbër si bari i njomë i kënetës. Beu e peshoi me sy, që nga kiskat e holla, mbi noçkë, ku zbriste një fije gjaku, gjer lart në pulpat që ngjiteshin nën linjë, pastaj lart, në belin si të shkuar nëpër unazë, edhe më lart, Në gjinjtë e vegjël, në qafë, në gojën e vogël, me ca buzë të tulta, të këryera, me hundën të derdhur si qiri, me sytë e blertë të kënetorë dhe ballin e sheshtë, të bardhë. “Shiko, shiko, efenm, ç’bereqet bëka çifligu i Këlpishtes e unë s’ditkam gjë. Hyrije e zbritur nga xheneti! Po t’ja dërgoj padishahut më bën menjëherë pasha. Jo, s’më duhet pashallëku! Imja është e do ta mbaj vetë. Kjo ja shkon njëqind herë Gurijes e gjithë të tjerave. Do ta marr që tani! Sonte, në jatak...” Kur ju afrua më shumë, sa ta prekte me dorë, çupa u drodh, po më fort ju drodh buza e poshtme. Dhe ndërkaq, nën linjën e qëndisur me të kuq e të zi gjinjtë ngjitu-zbrit, ngjitu-zbrit, sytë ju mbushën plot lot. Po beut s’iu bë vonë; ay ish mësuar me gjëra të këtilla: qengjet blegërijnë kur u vë thikën kasapi çupat qajnë kur i merr beu në dyshek. Pastaj, kur e shkon në hell dhe e pjek, qengji bëhet shumë i shijshëm; çupa e marrë së dyti e së treti në jatak bëhet edhe më e shijshme se qengji.
Xheladin Beu zgjati dorën, i çiku lehtë faqet dhe ndjeu ëmbëlsi të madhe në trup, sikur u përtëri e u bë djalë njëzet vjeç.
-Mos më qaj, moj sulltane, mos...Unë të kam xhan, unë s’të ngas. Do të të bëj zonjë mbi zonja.
Çupa u drodh edhe më shumë, u mat të ikte, po beu i shtrëngoi krahun si në mengene. Atëherë ajo lëshoi zërin e klithi:
-Nëëëno! Nëëëno moj!
Beu u ngrys, po i foli butë:
-Jo kështu, moj sulltane, jo kështu...Mos thirrë. Si të thonë? Ti je çupa e çifligut; çifligu është imi! Edhe ti je imja. Do të të marr në konak, do të të bëj...
-Nëëëno! Nëëëno!
Nuk shkoi shumë e u dëgjua një zhaurimë e madhe nëpër degat e varura, sikur të çante udhën ndonjë derr i egër nga ata të mëdhenjtë. Beu ktheu kokën andej. Jo, s’ish derr, po një grua e gjatë, e thatë, e nxirë si çotillë lisi që e ka djegur rrufeja. Gruaja u turr, i shkëputi beut çupën nga dora e i thirri:
-Po ta bësh edhe këtë punë s’të djeg as zjarri i xhenemit, Xheladin Be. S’të tret dheu!
“Ç’është kjo e krisur që më del përpara?” tha Xheladin Beu me vete dhe u zbyth. Çiften e kish në dorë, të mbushur, me imniet të hequr. Mund ta zbrazte, po nuk e zbrazi: u praps edhe më tej. Ai u praps, gruaja e ndoqi ballë për ballë. Tani vetë beu ish si një zog që sheh gjarpërin tek afrohet e nuk ik dot. E mban të rëndët e dheut. Gruaja u kthye e i thirri çupës:
-Ikë shpejt!
Kjo s’priti t’i thosh së dyti: hodhi ledhin e ua mori me të katra. Kish qenë e s’ish më.
Xheladin Beu e shikonte gruan e s’fliste dot. Kjo ish e gjatë, e thatë, po ndryshe nga Xhixhiko-hanëmi. Dukej nga nishanet se dikur kish qenë e bukur, kurse e bija e pashajt kish qenë ngaher anjë thes me kokalla si ato të gomarit të ngordhur që kish parë udhës. Dhe ishte e fortë: të të binte një herë me atë pëllëmbë - të linte në vend e vinin të tjerët të të ngrinin në trirë e të hanin hallvën.
-Ta dish, o pushtanik – thirri gruaja si iku çupa – po të bësh atë punë me këtë çupë do të ta hanë mërshën krimbat, do të t’i qitin sytë galat! Jo galat, po do t’i qit unë, me thonj. Çnderove gjithë çupat e botës, tani kërkon të çnderosh edhe tët bijë!
“Ç’po thotë kështu kjo e marrë? Ku kam unë çupë? S’kam as çupë, as djalë...”
Gruaja mori vrull, e zuri benë për jeleku, e tundi dhe shkundi me atë dorën e fortë, sa i kërcyen edhe më fort sytë e skuqur.
-S’më njeh ti mua? S’e njeh Maron e Kovit, që e çnderove në të ri, se kishe kamxhik në dorë, se ishe i fortë? Ja, ajo që kishe pranë është jot bijë! Ta dish se unë do të ta shtyp kokën, si gjarpërit, po të bësh me çupën ç’bëre me mua! Y-y-y murtajë. Pusht Stambolli! Matuf!
E shtynte, e hiqte, e tundte, e shtynte prapë, si leckë, dhe ai, xheladin Beu, zot kasabaje e zot çifligjesh, zgurdullonte sytë si të bufit e s’bëhej dot burrë t’i shkëputej nga dora, s’ishte i zoti t’i binte me çifte a të nxirrte koburen nga brezi.
-Më ke marrë nderin të marrtë zoti mentë! Më ke lënë me turp e në zi më të lëntë perëndia pa sy, të heqshin për peri! Më ke ngrënë jetën të hëngërt mortja!
E tundi sa e tundi, pastaj i dha një të shtyrë sa beu i madh mënt u shemb përdhe. Gruaja shkoi e mblodhi copat e stomnës së thyer e ja hodhi përpara, ku mundi: këmbëve, gjunjëve, duarve, duke mallkuar papushim:
-Ja theve thefsh arrëzën e qafës! U kalbsh së gjalli përmbys, siç u kalb yt atë, që e hëngër krimbat! Ngorç në ndonjë përrua si qen i zgjebur! Na shojte, t’u shojttë emri, të këndoftë kukuvajka në shtëpi! Ku është parë e dëgjuar të çnderojë i ati të bijën?
Copat e shtambës i vinin breshër, dhe ai, beu, rrinte i ngrirë në vend; nuk fliste dot, nuk ikte dot.
Gruaja u përkul mbi kovë e zuri t’u hidhte ujë syve, me grusht. U hidte e mallkonte. Stërkalat e qullën Xheladin Benë. I dukej sikur dheu kish nisur t’i vinte rrotull, sikur dëgjonte daire e daulle bashkë: xhing-xhing, dum-dum. Dhe në mes të kësaj bubullime shquante zërin e çjerrë të Difes:

Sa të dua unë ty,
Më rri mendja gjithë në ty;
Ato cicat sherbetli
M’i bëj meze t’i pi raki...


Po Difja ishte larg, s’di se ku, Marua ishte afër. Dhe Marua u hidhte ujë syve e mallkonte:
-Të çaftë ujku e të nxjerrtë zorrët! Të pjekshin në hell, të gjallë! Humbsh e mos u duksh, mos u dëgjofsh!
Të gjitha i dëgjonte beu e s’thosh dot një fjalë, të paktën “efnm” ose “hëm-hëm””, siç e kish zakonin. Sikur i qe kyçur goja.
-Na plase, më të plastë dhjamët e syrit! Na kalle frikën, më të kallçin të gjallë në varr! Na dogje, të djegshin lugat!
Fjalë e mallkim, fjalë e kanosje. Dhe më e keqja: ndofta e dëgjonin trimat përtej, ndofta e dëgjonte Rizai.
...xheladin Beu u zbyth pa bërë zë, rotulloi çukën e doli në udhë, ku prisnin kuajt, i hypi Allçasë, i futi mamuzet e ngriti kamxhikun.
-Ike, mos u kthefsh; ike, të ikshin mendtë e kokës! Mos arrifsh i gjalli në shtëpi! – vazhdoi gruaja fill i vetëm pranë pusit me çikrik.
Allçaja u bë veri: i ndritnin potkonjtë e bardhë. Po ngrysej, por qielli kish edhe pakëz dritë - një dritë sedefi, si vragë që e ndante nga toka e errur. Dhe mbi këtë vragë kish një brez të gjerë, të gjelbërth. Pastaj u shojtën të gjitha dhe zbriti mugëtira. Bashkë me mugëtirën nisi të frynte një erë e ftohtë, që ngrinte pluhurin e udhës.
-Hëm, hëm! – bënte beu. – Jezit-grua! Lanet-grua!
Trimat, me Rizanë në krye, që i kish hypur një kali çil kishin mbetur prapa, sepse pela e beut s’e kish shoqin në vrap. Lluk-lluk, i bënte barku. Ferrat e pemët iknin si ca hije në të dy krahët e udhës.
Era e ftohtë i vëzhgëllinte veshëve.
Ne ura e drunjtë po vinin ca qerre të ngarkuara me misërishte. Rrotat kërcisnin thatë, gau-giu. Pranë tyre dhe prapa vinin ca fshatarë më këmbë. Beu shkoi si shigjetë pranë tyre dhe ata as që patën kohë ta shihnin mirë cili ish. Ikte, ikte, si ndërkryer.
Pas një copë here tha:
-Ç’po bëj kështu? Unë po e vras Allçanë..
Lehtësoi mamuzet, hoqi frenë, bëri “trrrp” dhe pela zbuti vrapin; më tej nisi t’ja merrte me hap. E arritën trimat nga prapa.
“Ç’është kjo grua?” tha me vete.
Dhe dalngadalë, kur po e mbulonte botën errësira, Xheladin Beut nisi t’i bëhej përbrenda një dritë e hollë. Ja se ç’pa nëpër këtë dritë:
...pranverë. Kish mugulluar bari, kish çelur dardha. Beu kish dalë në fushë. Jo për gjë, po konakët nuk e nxinin dot. Pranverë, kjo! I vlonte gjaku. Sheqerja e ato të tjerat sëi dukeshin gjë, s’e ngopnin më. Donte gjësend tjetër e s’dinte ç’donte. Dhe kur po bridhte kështu, me dëshira shumë, poqi udhës një çupë fshati, të njomë, sindozot kjo që kish parë sot ne pusi me çikrik. Çupa u mundua të ikte, po beu e arriu. Ajo luftoi me tërë fuqinë që i jepte mosha e re: e shtyu, i shpëtoi nga dora, iku, thirri, po beu e arriu, e goditi me kamxhik, e rrëzoi. Luftoi përsëri, e goditi benë, e kafshoi, e gjalosi. Kjo endezi më fort Xheladin Benë dhe i ra së dyti me kamxhik. Çupa i kish sytë të mëdhenj, të blertë si barishtat e kënetës, dhëmbët të bardhë, të mprehtë. Dhe luftoi përsëri, po gjithnjë më dobët. Luftën e vednosi kamxhiku. Po të mos kish qenë ky, nuk do të kish ndodhur ajo që ndodhi. Po të mos kishte qenë ky, nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Beu ju hodh si ujku deles. Ajo thirri përsëri dhe thirrjen e saj e dëgjuan disa grari që ndodheshin aty pranë, po kush guxonte t’i dilte përpara Xheladin Beut? Çupa nuk lotoi ceçse kur u ngrit që poshtë me linjën të çjerrë, me vjazërinë të humbur. Ndenji kryeunjur nën një pemë dhe atje lotët filluan të pikonin përdhe. Kamxhiku i kish lënë në trup vazhda të përgjakura. Edhe beu e kish kërcen e veshit të ndarë më dysh. E pyeti si i thonë. Ajo e shikoi si ulkonjë dhe nuk ju përgjegj. U ngrit e shkoi çalë-çalë, humbi nëpër lule e blerime. Por beu ja gjeti tragën; i thoshin Marua e Kovit. I ati hiqte nga oftika, në rrogoz, në kasolle. Beu u përpoq ta merrte kopile, në konak, si shumë të tjera. S’desh. U përpoq ta shtinte prapë në dorë; s’mundi. Trimat e beut e rrahën Kovin. Ky lëngoi edhe pak kohë, pastaj vdiq. Beut i ra në vesh se Marua kish mbetur e rëndë. Atëhere i bëri fjalë një bujku që ta merrte grua. Bile i taksi një pendë që e s’di çfarë, po bujku krisi e iku s’di se ku. S’kish dashur të bëhej “baxhanak e ortak” me xheladin Benë, siç bëheshin vezirët e pashallarët me sulltanët e Stambollit. Më tej beu ra pas epshesh e gazesh të tjera, mori grua Xhixhi-hanëmin, që të ngrinte lart e më lart oxhakun, e ja humbi gjurmën Maros syblertë. Kjo ishte, si i thonë një fjale, “fis i shquar”, pa krahë. Lindi një çupë, punoi dhenë, si bujkeshë, pleqëroi e varrosi nënën dhe rrojti e veçuar, e përçmuar, e egërsuar në një cep çifligu. Dalngadalë ju shua bukuria e dikurshme, ju rreshk e rrudhos fytyra, po çupën nuk e braktisi. Dhe ja tani, pas kaqe vjet, i del përsëri përpara. Çupën e ka t’i presësh kokën. I tha se kjo çupë ishte e tija. Dhe beu i zuri besë..Po në e gënjeu? S’ka se si të jetë e bija! “Këto dosa çifçesha gënjejnë si ata derrat çifçinj”
-Më gënjeu! – thirri Xheladin Beu me zë dhe e ngau pelën përpara.
Dhe ç’fjalë të rënda i tha ajo deli-grua! “Y-y-y, murtajë, pusht Stambolii! Matuf! Të marrtë Zoti mendtë! Të lëntë Perëndia pa sy! Ngorç në ndonjë përrua, si qen i zgjebur! Të këndoftë kukuvajka në shtëpi! Të plastë dhjamët e syrit! Të djegshin lugat!” Beu i kujtonte të gjitha mallkimet, s’kish harruar asnjë. Dhe gruaja ju kanos t’ja shtypte kokën, si gjarpërit. E shtyu, e pështyu. – “Si i durove këto të gjitha, o Xheladin be?” – “U ndodha gafil”. – “Gafil, apo pate frikë?” – “Unë...frikë? Unë...” – Hajde, be, hajde...edhe për tët atë të tha fjalë të rënda nga ato që nuk i ngre kandari”.
Kështu jepte e merrte Xheladin Beu. Trimat e dëgjonin e s’bënin zë.
Ish errur natë. Cicërinin bulkthet. Lart, në qiell, ndriçonte kloshka me gjithë zogj. Tërë fusha sikur merrte frymë. Befas çau erën një zë i çjerrë, si zë grifshe. Beu u tremb, po e mori prapë veten: trimat i kish prapa. Tha:
-Do të kthehem ta rrah me kamxhik atë deli-grua. Më gënjeu...I marr të bijën edhe e sjell në konak. Kështu!”
Ment e ktheu pelën, po atë çast i ra një mendje tjetër.
-Këtë punë e kam në dorë. Dërgoj nesër trimat edhe e mbarojnë. Evet, efenm.
Dhe përsëri: të kthehet, të mos kthehet...
-S’kthehem dot, u bë vonë. U lodh pela. Nesër, që menatë, u bëj urdhër trimave e ma sjellin. Këtë punë e mbaron Rizai. Ajo, ime bijë? Jo! Më gënjeu plaka.
Era e mbrëmjes sillte një kundërmim të rëndë: udha shkonte pranë vendit ku gjendej kërma e gomarit të ngordhur. Beut ju duk sikur e kish zënë dikush për gryke dhe e shtrëngonte. “Kërmë, krimba. Kështu do të bëhem edhe unë nesër?” Pastaj doli nga vendi i kundërmimit e ju bë sikur pa Rizanë, kaluar, me çupën përpara, të mbështjellë me një çarçaf të abrdhë. Dhe u gëzua. Do ta bënte të tijën, jo si Maron, përdhe, në fushë, po në jatak. Do ta rrihte, po ta donte puna. Edhe do ta përkëdhelte.
Pastaj të gjitha këto u shembën siç shembet një shtëpi plitharësh që e merr lumi. “Mirë, po cili është Rizaj?” – “Rizaj? Djalë fshati”. – “Djalë fshati, po i kujt?” - “Djali i asaj, si i thonë? Aha, më ra në mend: djali i Xhemiles!” E bukur kish qenë Xhemilja, i bukur ishte dhe Rizai. Djalë pa baba. Jetim? Jo, nuk ishte jetim, po pa baba. Beu e mori në konak, më parë...ndryshe, dylber-hesapi, pastaj qahja, se ay i pari qe mplakur. I ati i Rizait (që s’ish tamam i ati, sepse Xhemilja ja kish sjellë djalin, si i thonë, përpara kalit) kish qenë plak dhe e kish marrë Xhemilen për pleqëri, me gjithë djalë, siç i kish dhënë urdhër beu..
Pastaj mendimi ju çakërdis. I bënë veshët sikur dëgjoi një këgë të vjetër, të harruar:

O çun, çun; çun, çun,
Gushën si pëllumb,
Mos ma pi rakinë,
Se të bën zullum...


Hëna! Doli hëna! E kuqe, me njërën anë si të ngrënë, po edhe kështu siç ish bënte mjaft dritë. Bahkë me rrezen e parë, që i goditi bishtin e syrit, Xheladin Beut ju duk sikur dëgjoi një zë që tha: “Po kur vjen yt bir kaluar e po të sjell tët bijë për gjerdhek. Vëllai i sjell motrën babait...Hajde-hajde, ku degdise o Xheladin Be! Si qentë e si derrat!”
Kush foli kështu! Asksh. Aty pranë s’kish njeri. Po atëherë kush?
Dëgjoi çape kuajsh që afroheshin. Ktheu kokën dhe njohu kalin e Rizajt. E ju duk sikur Rizai kish përpara një gjë të bardhë: i sillte beut të bijën. Vëllai...motrën “Ta solla baba. Merre time motër, tëtë bijë!”
..Që ku dual këto gala? I prenë udhën, me hijen e tyre të rëndë, pastaj u zhdukën. U zhdukën dje u dukën prapë, përsipër, mbi krye, duke krokëritur. Midis tyre ishte edhe një korb i zi, që e kish vrarë atij mëngjezi, sepse e kish pandehur pëllumb. Ky korb bënte më të madhen e këndonte si njeri:

Jarnani, jarnana...

Ku ta dish? Korbi ka tre shpirtra e prandaj rron treqind vjet. Rron se ha kërmë. Ngjallet lugat. Jo, ky s’është korb, po lugat!
Xheladin Beut i hypën të dredhura. Aty, mbi udhë, kish ca varre që i kishin mbytur ferrat. Ju duk sikur pa dritë e sikur dëgjoi një zë:
-Hajde, se të presim, o Xheladin Be! Të presim të na vish në tabut floriri, me qefin mëndafshi, ashtu siç të kanë tundur në djep.
Dhe galat, lart, që i printe ai korbi i zi:
-Ga, ga, gaaa...
Jo, s’ishin gala, se natën s’ka gala. Ishin bufë kënete.
Hëna hyri në re. Zotëroi errësira.
Xheladin Beu i nguli mamuzet pelës, ngriti kamxhikun, goditi. Pela u bë furtunë. Në të ikur e sipër beut i ra kamxhiku nga dora. Papritur, ja preu udhën një hie. Xheladin Beu nxori koburen nga brezi dhe e zbrazi. Po vritet hija. Ajo i preu udhën përsëri.
Pela ish mbytur në djersë. Ment pëlciste.

...Xheladin Beu i Shemshedin Beut të Xheladin Pashës, njeriu i gjakut, i ahengut dhe i frëngjyzës, kish humbur mendjen. Dhe ikte nëpër fushë, natën, në udhë pa udhë, kurse dheu, pemët hijet dhe çdo gjë e gjallë dhe e vdekur këndonin papushim:

Jarnana, jarnani...
M’i bëj meze t’i pi raki.
.....................................
Jarnana, jarnani...


III

E gjetën të nesërmen në një hendek. Të gjallë. Nuk njihte njeri. E shpunë me një trirë, në konak, ta përkujdeste Sheqerja. Po si përkujdeset i çmenduri? Domosdo, i lidhur. Pëlliste. Hante nën vete.
S’di kush i bëri fjalë Xhixhi-hanëmit. Ajo ardhi shpejt, me të vëllanë. Pa tri ditësh Xheladin Benë e kallën në varr. Xhixhi-hanëmi mori ç’mori e u kthye, me karvan e suvarinj, në pashallëkun e babait. Çifligjet i shiti më vonë.
Po Gurija ç’u bë?
Ku ta dish...
 
Testamenti i Mitrush Kutelit​



E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.
Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.
Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin. Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..
Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.
Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik. Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këtavjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike. Një pjesë të shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë. Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”. Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke. Një nga pasojet e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.
Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mijatë mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.
Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.
Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapadhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.
1. Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!
Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq!
S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.
2. Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogradec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.
3……………………..
4. Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.
Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë. Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.
Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!
Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë. Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.
Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.
Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.
Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.
5. Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti
Dhimitraq
 
Mitrush Kuteli - poezi

Mitrush Kuteli


Më di a nuk më di


Më di a nuk më di se qaj,
më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
kur ngrihem i çmëndur të shkruaj
me gjakun e zemrës të shkruaj.

Më di a nuk më di se agimet
më gjejnë pa gjumë në shtrat,
me shpirt të shkretuar nga dhembja,
e dhimbshëm i pres perëndimet,
me ankth i pres perëndimet.

Më di a nuk më di se sot
u drodha kur pashë pranverën, (vjeshtën)
që zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e ëmbël siç ishte qëmot,
e hidhur siç ishte qëmot.

Më di a nuk më di se vuaj
në orët e thella të natës,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vëndi i lemjes i huaj.

Më di a nuk më di….
 
Vendoset busti i Mitrush Kutelit në Pogradec





E Merkure, 28 Prill 2010 12:02
Pogradec, 28 prill, NOA /Milena Selimi



Përurohet në Pogradec monumenti i shkrimtarit Mitrush Kuteli, i realizuar nga Muntaz Dhrami dhe i vendosur në breg të liqenit, përballë monumentit të Poradecit.
Në prani të familjarëve, miqve, njerëzve të letrave, përfaqësuesve të pushtetit vendor, monumenti i Mitrush Kutelit, realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, është përuruar dje në qytetin e Pogradecit.
Monumenti i Kutelit, realizohet 43 vjet pas vdekjes së shkrimtarit.
Kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi e përshkroi monumentin si "një vepër dinjitoze e realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, që e falënderojmë për të dy monumentet e realizuara mjeshtërisht".
Djali i shkrimtarit, Pandeli Pasko, theksoi se historia jonë ka filluar t'u kthehet vlerave të vërteta. Pasko kujtoi në këtë takim një amanet të t'et: "Duajeni shqiptarinë dhe dheun e saj".
Në vazhdim, një sesion shkencor në Pallatin e Kulturës "Lasgush Poradeci", me njohës të veprave të Kutelit, ku studiues të veprës së tij folën për vlerat unikale të krijimtarisë.
Ky mjeshtër i prozës shqiptare na ka lënë një prozë krejt të veçantë e cila njihet si "shkolla kuteliane".
I rritur midis bukurive të liqenit, të qytezës së tij mbi ujë, Kuteli i fali prozës shqiptare perla të përjetësuara tek "Pylli i gështenjave", "Lumi i madh", "Xha Brahua i e Shkumbanores", "Netët e Kollozhekut", "Balta Shqiptare", "Poem i Shën Naumit".


m.s/n.e/NOA
 
Përgjigje e: Mitrush Kuteli

Bie shi,
Adrianë,
bie shi i qetë mbi qytet,
shi që më bluan e më vret,
dhe s’di ku të shkoj
nëpër Tiranë.

Të kërkoj,
Adrianë,
me ankth nëpër qytetn' e shkretë,
ku shtrydhen retë
dhe diell s’lind e s’perëndon
përmbi Tiranë.

O sa çudi,
Adrianë,
të duash të mos jesh njeri,
dhe gurëve t'u kesh zili,
se gurët s’vuajnë kur bie shi
përmbi Tiranë!

woman_in_the_rain.jpg
 
Back
Top