• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Muaji i ramazanit dhe agjërimi, domethënia dhe rëndësia e tyre

SEa

Anëtar i ri
Anëtar
Jan 15, 2010
Postime
1,516
Pikët
0
Vendndodhja
marina di massa
Ramazani dhe agjërimi ndihmojnë në forcimin e shoqërizimit të njeriut, të marrëdhënieve të tij brenda në familje dhe me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.


Më 11 gusht në Turqi dhe në të gjithë botën filloi muaji i bekuar i Ramazanit. Në këtë muaj, që ndryshe quhet edhe “Sulltani i 11 Muajve” myslimanët që nga koha e syfyrit (imsak) e deri në perëndim të diellit (iftar) agjërojnë, pra nuk hanë, nuk pinë, dhe qëndrojnë larg nevojave fiziologjike si p.sh. marrëdhëniet seksuale. Sipas besimit islam, ka shumë arsye pse muaji i Ramazanit mbahet si i shenjtë. Nga këto zakonisht theksohen arsyet fetare dhe ato personale. Por muaji i Ramazanit dhe agjërimi në këtë muaj kanë edhe kuptime shumë serioze shoqërore dhe universale.



Sikurse të gjitha aktivitetet e tjera fetare edhe Ramazani dhe agjërimi kryesisht dallohen me përmasat fetare. Pika më e rëndësishme nga ky këndvështrim është se në këtë muaj ka filluar shpallja e Kur’anit të madhëruar, që është libri i shenjtë i islamit, dhe ka përfunduar brenda 23 viteve. Këtë vit festohet 1400 vjetori i fillimit të shpalljes së Kur’anit. Kur’ani është udhërrëfyes për njerëzit se si të bëhen të mirë, të drejtë, të dobishëm dhe të suksesshëm. Pa marrë parasysh vlerësimet dhe teoritë e ndryshme të hedhura në lidhje me mesazhin e Kur’anit për njerëzimin, dijetarët janë të një mendimi se qëllimi kryesor i Kur’anit dhe i profetit Muhammed është që njerëzve t’ju përcjellin etikën e mirë morale. Njëri prej urdhrave të Kur’anit për myslimanët/njerëzit për arritjen e këtij qëllimi është edhe ibadeti (riti) i agjërimit gjatë muajit të Ramazanit. Për këtë arsye myslimanët që dëshirojnë dhe kanë kushte të mira, në njërën anë në këtë muaj ata e këndojnë Kur’anin më shumë dhe mundohen ta kuptojnë edhe njëherë mesazhin, dhe në anën tjetër i shtojnë përpjekjet e tyre për të qenë një njeri me moral të bukur dhe të shëndoshë.



Nga kjo kuptojmë anën individuale të muajit të Ramazanit dhe agjërimit, pra dimensionin për të zhvilluar tek një individ veçoritë humane. Përmbajtja nga nevojat themelore që prej mëngjesit e deri në darkë jep një kontribut të madh në aspektin e zhvillimit të njeriut. Së pari duke e vënë në dukje devotshmërinë ndaj Allahut njeriu përfiton edhe nga shëndeti. Duke e përmbajtur veten me vetë-dëshirë nga nevojat themelore zhvillon auto-kontrollin ose aftësitë e vetë-disiplinimit. Mëson të ketë durim dhe të rezistojë përballë sfidave dhe vështirësive. Zhvillon ndjenjat e empatisë ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj universit. E forcon veten ndaj përbinshmërisë së konsumit që është njëra prej pikave më të dobëta të njerëzimit. Kështu njeriu në të vërtetë mësohet të shoqërizohet.



Ndërsa kontributi i tretë i Ramazanit dhe agjërimit është forcimi i shoqërizimit. Muaji i Ramazanit është një periudhë kur forcohen marrëdhëniet në familje, ato mes familjeve dhe mes të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Sepse njerëzit që agjërojnë në këtë muaj dhe që kryejnë ibadetet e duhura, me rastin e mundësive unike për këtë muaj nëpërmjet iftareve, syfyrit dhe namazit të teravihëve mblidhen më shumë. Përsëri në këtë muaj përdoren më shpesh mjetet e solidaritetit fetar si sadakatë dhe zeqatet. Me anë të këtyre mjeteve përkrahen të varfrit, bonjakët dhe njerëzit me probleme të ndryshme, gjë që veçanërisht nxit edhe integrimin e njerëzve me shoqërinë. Kjo gjendje zhvillon kulturën e shoqërizimit të përgjithshëm dhe solidaritetit.



Kur bëhet fjalë për solidaritetin shoqëror, kjo çështje duhet shikuar edhe nga aspekti humanitar ndërkombëtar. Sepse Ramazani dhe agjërimi nuk kufizohet vetëm me njerëzit që jetojnë në një vend por, është një periudhë që përfshin të gjithë myslimanët aq më tepër edhe gjithë njerëzimin. Për këtë arsye përmasat e Ramazanit, si ato të moralit personal, ndihma dhe solidariteti shoqëror mund të mendohen ose duhet të konsiderohen në shkallën e të gjithë njerëzimit. E parë nga ky këndvështrim duhet që Ramazani dhe agjërimi të vlerësohen duke mos patur parasysh vetëm kushtet në Turqi apo në ndonjë vend tjetër, por në mbarë botën.



Ramazani sikurse çdo vit, edhe sivjet na rikujtoi edhe një herë pikat problematike dhe të dobëta të njeriut dhe njerëzimit. Ka dallime dhe pabarazi të pabesueshme në standardin e jetesës së njerëzve mes Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut. Jemi dëshmitarë të humnerave të mëdha mes njerëzve të pasur dhe të varfër. Deri sa një pjesë e njerëzve jetën e vazhdon në bollëk, shthurje, mirëqenie, për më tepër në mbingopje, pjesa tjetër mundohet të mbijetojë në kushte tepër të vështira, standarde primitive dhe kushtet e pavolitshme për jetesë. Një pjesë e madhe e kësaj pabarazie buron nga dallimet në zhvillimin dhe prapambetjen e vendeve. P.sh. dallimi mes shoqërive të SHBA dhe evropiane, mes atyre të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine ka të bëjë me dallimet mes këtyre vendeve në ekonomi, shkencë, politikë dhe zhvillime humanitare.



Një pjesë e këtyre pabarazive rrjedh nga kushtet natyrore, politikat e gabuara të qeverive dhe nga dobësitë e vetë njerëzve. P.sh. populli i Pakistanit dhe Kinës, që këtë vit po përballen me një fatkeqësi shumë të madhe, atë të përmbytjeve, përjetojnë dhimbje dhe shkatërrim të madh. Nuk duhet harruar që këto probleme janë shkaktuar edhe nga politikat e gabuara të qeverisjeve dhe shteteve të këtyre vendeve. A nuk kanë ndikimin e tyre udhëheqjet e SHBA dhe Izraelit në dhimbjet që përjeton populli i Irakut, Afganistanit, Gazës dhe në pjesë tjera të territorit palestinez? Por më e rëndësishmja është se, a mundet që individët me të thjeshtë që i kanë parë ose përjetuar të gjitha këto probleme, të mbajnë një qëndrim indiferent ndaj këtyre problemeve dhe pabarazisë që ndodh në tërë botën, prej Lindjes në Perëndim dhe madje herë pas here të anashkaloje përkrahjen dhe mbështetjen e pabarazive të tilla?



Si përfundim, Ramazani dhe agjërimi në të vërtetë janë një periudhë që duhet përkujtuar dhe punuar në drejtim të mënjanimit të problemeve që përmendëm më lartë. Për problemet e lartëpërmendura mund të rendisim arsyet historike, sociale, politike, ekonomike dhe arsyet e tjera për të cilat ekzistojnë një sërë teorish dhe opinionesh. Por fatkeqësisht është e qartë që asnjëra nga këto nuk paraqet një rrugëdalje. Me rastin e Ramazanit njeriu nuk mund të mos i drejtojë vetes këtë pyetje: A thua është e mundur qasja nga një perspektivë tjetër zgjidhjes së këtyre problemeve, p.sh. a është e mundur që të përdoren për këtë shpirti dhe filozofia e Ramazanit dhe agjërimit? A mund të gjejmë një zgjidhje nëse nxjerrim në pah vlerat si vetëmohimi, përkushtimi individual dhe empatinë, ndihmën reciproke sociale, barazinë mes njerëzve, sundimin e ligjit dhe drejtësinë?



Autor:

Prof. Dr. Ramazan GÖZEN

Shef i Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Çankaja”.
 
Top