• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Orët e fundit të jetës së Michael Jackson

PuffetiNa

V.I.P
Anëtar
Apr 28, 2010
Postime
14,105
Pikët
113


Përvjetori. Një vit nga lamtumira e mbretit të pop-it

Më 25 qershor të vitit 2009 u nda nga jeta Michael Jackson. Kjo është kronika minutë pas minute e atij fundi tragjik. Në mëngjes, provat e turneut ku kërcente e këndonte, ndërsa në mbrëmje momentet tragjike mes ankthit dhe mbidozave të ilaçeve

Njëzet e katër orë para vdekjes: është ora 14.30 e drekës, ditë e mërkurë, data 24 qershor 2009. Michael Jackson zbret shkallët e vilës gjigante, e cila ndodhet në rrugën 100 të “North Carolwood Drive”, këtu në Holmby Hills, ku shtëpitë si në përralla të “Beverly Hills”-it sfidojnë ato të “Bel Air”-it në luks pa limit. Vera e lagësht e Kalifornisë vazhdon të shfaqë anën e saj më të ëmbël: termometri shënon më pak se 20 gradë Celsius dhe flladi që vjen nga deti e shton më shumë lagështinë. Në dhomën e gjumit, e mobiluar në stilin e rilindjes, temperatura është jashtëzakonisht e lartë: çmenduria e fundit e Michael është fjetja me ngrohësin ende të hapur, me grilat dhe perdet e mbyllura, po ashtu edhe tendën, të cilat e ndalojnë rreptësisht depërtimin e dritës së kësaj dite të mrekullueshme.

Fjetja pastaj është kthyer në një stres të vërtetë: ka shumë ditë e net që ylli i rokut ankohet se është tepër i lodhur, aq sa nuk e zë gjumi. Si do t’ia bëjë për të përballuar sfidën që e pret? Pesëdhjetë koncerte të ezauruara dhe një turne në Londër që duhet të rindezë yllin e mjegulluar nga skandalet. Frika mbi gjendjen e tij shëndetësore e kanë detyruar “Aeg”, shoqërinë që ka organizuar turneun botëror, të mohojë gjithçka përmes një deklarate për shtyp: “Michael është në formë të shkëlqyer. Edhe pse në moshën 50-vjeçare, duket si një djalosh çapkën dhe më 13 korrik, ashtu siç është programuar, shfaqja do të fillojë në arenën e Londrës”.

14.45 Michael e di që e pret një tjetër ditë e tmerrshme. Ka ende shumë prova për të bërë për shfaqjen, e cila do të quhet “This is it”, njësoj si kënga që do të publikojë. Megjithatë do të ketë arritur të pushojë, sepse kuzhinieri i tij personal thotë se Michael u buzëqesh të gjithëve. Më pas vjen një vakt i shpejtë: ton peshku, sallatë organike, lëng karote dhe portokalli. Kjo është “darka e tij e fundit”. Dy fëmijët, Paris 11 vjeçe dhe Prince 12 vjeç, i janë ulur pranë. Duart i kanë bashkuar për të bërë falënderimin e radhës: “Zoti ju bekoftë!”.

19.00 Fëmijët kanë humbur nëpër kështjellën e “Holmby Hills”. Jackson hipën në makinën e tij “Kadillak Eskëllejd” ngjyrë blu, që drejtohet nga Faheen Muhammad, i cili nuk është vetëm truproja i besuar. Muhammad është gjithashtu një nga korrierët që doktor Conrad Murray përdor për të kërkuar gjithmonë doza të reja propofoli, qetësuesi i fuqishëm dhe gjumësjellësi, që Michael e quan “qumështi im”, droga që do ta vrasë.

19.30 Makina me Michael, Faheen dhe Michael Amir Williams, asistentin personal, arrin në “Staples Center”: është arena që ylli i rokut ka zgjedhur për të bërë provat; është stadiumi ku pas 12 ditësh do të zhvillohet funerali i tij. Alberto Alvarez, drejtori i logjistikës, i shkon pas për ta takuar dhe e fton Michael-in të hipë në një karrocë golfi për ta çuar pikërisht në zonën e provave.

20.30 Michael duket vërtet në formë të shkëlqyer. Dorian Holley është drejtori i koreve dhe nuk u beson veshëve: “Nuk ka asnjë ndryshim nga Michael-i i viteve të mëparshme”. Me siguri është suksesi i jashtëzakonshëm që e bën të jetë në formë të shkëlqyer. Pastaj fillon muzika. Kënga e parë është “Wanna be startin‘somethin’”, më pas “Billie Jean”, “Smooth Criminal”...

22.00 Balerinët thërriten në skenë për momentin kulminant. Në një ekran gjigant shfaqet një copëz e videos në 3D. Michael dhe balerinët e tij provojnë për herë të parë së bashku kërcimin e këngës “Thriller”. Kriyss Grant, një nga vajzat e grupit, thotë e bindur: “Është magjepsës”.

24.00 Është mesnatë dhe magjia ende nuk ka përfunduar: Michael dhe balerinët provojnë sërish koreografinë e këngës “Earth song”. Më pas ai i falënderon të gjithë dhe përqafon balerinët që ndodhen më afër tij. Askush nuk e ka parë ndonjëherë kështu: “Faleminderit, faleminderit, Zoti ju bekoftë të gjithëve!” - thotë.

00.30 Gjatë kthimit për në shtëpi, Michael ndalon për të përshëndetur një grup fansash, të cilët qëndronin para oborrit. Truprojat e shoqërojnë deri te shkallët që të shpien në dhomë. Asnjë s’mund ta kapërcejë vijën e kuqe. Këtë privilegj e kanë vetëm fëmijët dhe doktor Murray.

01.30 - 25 qershor Shuhen dritat e provave, nuk dëgjohet më asnjë e qeshur. Papritur ai transformohet në një Michael tjetër. Vazhdon të thotë se është shumë i lodhur, duhet të flejë. I kërkon ndihmë doktorit, siç është mësuar të bëjë gjithmonë, i cili prej shumë ditësh e kalon natën në kështjellë. Murray është i shqetësuar nga varësia ndaj propofolit. E fillon me një dozë të vogël: 10 miligramë valium.

02.00 Qetësuesi nuk ka efekt. Michael vetëm ankohet, kështu që doktori e provon me një ilaç pak më të fortë, lorazepam, 2 miligramë me pikatore.

03.00 Michael është ende zgjuar. Doktor Murray ndryshon ilaç, i jep edhe 2 miligramë të tjerë, por këtë herë midazolam.

05.00 Është mëngjesi i fundit i jetës së tij dhe Michael Jackson qëndron me sytë e ngulitur në tavan, shtrirë mbi krevatin e perandorit. Doktori provon sërish me lorazepam. I jep edhe dy miligramë.

07.30 Michael Jackson është i rraskapitur, nuk arrin të gjejë qetësi. Doktor Murray këmbëngul: edhe dy miligramë të tjerë midazolam, e ka provuar edhe para katër orësh, por mesa duket është e kotë. Në kështjellë rikthehet jeta, ndërsa Michael vdes: fëmijët zgjohen, ndërsa shërbyesit kanë filluar punën.

09.00 Michael Jackson është më i zbehtë se kukulla prej porcelani që qëndron mbi komodinën anash krevatit të tij. Të tjerat përreth janë bombola oksigjeni dhe një mal me DVD, të gjithë filma për fëmijë. Mungon e vetmja gjë të cilën doktori e kërkoi kur pranoi të kujdesej personalisht për divin: një sallë reanimacioni. Pranë tij nuk është as infermierja e punësuar me kontratë.

10.40 Jackson merr frymë me zor, qan, ankohet: si do t’ia bëjë për provat? I përgjërohet doktorit, kërkon “qumështin e tij”. Murray i thotë se mundi t’i rezistonte natës, megjithatë dorëzohet dhe i bën një injeksion prej 25 miligramësh.

10.50 Ndërkohë doktori pret që propofoli të bëjë efekt. I thotë rojeve se duhet të largohet për pak çaste sa të shkojë në tualet.

10.52 Murray kthehet dhe sheh që Michael nuk merrte më frymë. 11.18 Çfarë pret doktor? Murray i telefonon menjëherë klinikës së tij në Las Vegas, pastaj një pacienti, një miku...

12.13 Michael Jackson qëndron i palëvizur në shtratin e tij. Më në fund doktor Murray i telefonon ndihmësit të tij, por Williams nuk përgjigjet. Pastaj i bën një mesazh të dëshpëruar: “Më telefono menjëherë, të lutem!”.

12.15 Williams e merr në telefon. Doktori e urdhëron që të vijë menjëherë, sepse Michael ka pasur një reagim të keq. Ndihmësi i telefonon truprojës dhe drejtorit të logjistikës. Alvarez vrapon menjëherë të ngjisë ato shkallë të ndaluara deri para pak çastesh më parë. Gjen fëmijët duke qarë, ndërsa doktori përpiqej të risillte në jetë babanë e tyre. “Largojini fëmijët që këtu!”. Alvarez i telefonon menjëherë ambulancës, por nuk i tregon se për kë bëhet fjalë: “Ju lutem është një zotëri që ka nevojë për ndihmë, nuk merr më frymë”.

12.27 Sirena e ambulancës thyen heshtjen e “Carolwood Drive”.

12.29 Edhe doktorët e ndihmës së shpejtë thonë se Michael Jackson nuk do të marrë më frymë. Ata bëjnë dy raunde frymëmarrje artificiale, por është e pamundur. Doktori u thotë që të mos lodhen më: “Mjaft, e marr unë përsipër përgjegjësinë. Hipim në ambulancë, shpejt!”.

13.07 Ambulanca hyn me shpejtësi të madhe në qendrën mjekësore “Ronald Reagan” të Universitetit të Kalifornisë.

14.26 Spitali vërteton: Michael Jackson ka vdekur. Lajmi publikohet fillimisht në sitin e thashethemeve TMZ: “Lamtumirë mbretit të popit”. Lajmet e para hedhin hipoteza mbi një vetëvrasje të mundshme. Doktor Murray rikthehet në shtëpi: “Kam nevojë që të ha diçka, sepse jam i shkatërruar”. Pas pak orësh në portën e shtëpisë së tij do të trokasë policia.
 
Top