Ja një shkrim shumë ineteresant i shkruar nga një mysliman - hoxhë, doktor i teologjisë! ( nuk e hapa si temë më vete, ndonëse e meriton, sepse këtu mund të shpëtojë pa u lexuar nga shumica )
Zekerija Idrizi
24 Dhjetor në 10:36 PD ·
HAZRETI ISA – JEZU KRISHTI, ARKETIP I DASHURISË KULMINANTE HYJNORE, KRYESIMBOL I PAQES UNIVERSALE, EPIQENDRA E MISTICIZMIT -TRANSCENDENTALES DHE SHFAQJA UNIKALE E MË EPOKALE E ZOTIT NË TOKË
(Një pjesëz nga përsiatjet e mia më të gjata te dorëshkrimi aktual „Bisedë shpirtërore me vendasen time Shën Nënë Tereza", në shenjë urate për mua, si mysliman, dhe për gjithë motrat dhe vëllezërit shqiptarë të fesë së krishterë me rastin e festës së Kërshëndellave)
Jam një fije ekscentrik, i çuditshëm në rrafshin privat, thellësisht intim e shpirtëror, kur është në pyetje religjioziteti, ose , të jem më i saktë, spiritualiteti, gjegjësisht transcendentalja. Kam fjalën për meditimet e mia teologjike. Rrjedhimisht, i tillë jam edhe për çdo vjet kur afrohen festat e fundvitit, me theks të veçantë festa e Kërshëndellave, ose Krishtlindja, siç ndryshe e quajnë besimtarët e krishterë. Kësokohe, pikërisht në prag të kësaj festeje, si rëndomë, i rikthehem në studim e meditim të thellë personalitetit të profetit zulmëmadh të Perëndisë, hazreti Isës, siç quhet me gjuhën kur'anore, ose Jezu Krishtit, siç quhet në Bibël, në Testamentin e Ri të Ungjillit. Për mua, janë fare dytësore diskutimet e polemikat historike, thellësisht divergjente, në mes myslimanëve dhe të krishterëve rreth figurës emblematike të Isait: Në ishte ai profet apo djalë i Zotit?!!! Parësor dhe relevant është fakti mjaftë domethënës që, të gjithë ne, myslimanë e kristianë, e admirojmë lartë personalitetin dhe mbarë veprimtarinë e tij profetike e hyjnore.
Qasja ime, në parim, është e karakterit komparativ nga rrafshi i religjioneve ibrahimike (abrahamike): judaizmi, krishterizmi dhe islami. Vëmendjen më të madhe e përqëndroj kryesisht te babai i profetëve, Ibrahimi (Abrahami-miku i Perëndisë), dhe te tre profetët më zulmëmëdhenj : Musai (Mojsiu), Isai (Jezui) dhe Muhammedi (paqja e Zotit me ta!). Së këndejmi dhe me seriozitet të thellë i përqasem në ristudim Kur'anit dhe Biblës, si dhe literaturës përkatëse religjioze, ndërkonfesionale. Në këtë kontekst i rishikoj me vëmendje dhe pothuaj të gjitha versionet filmike të Jezuit, veçanërisht në përkthim gjermanisht dramën filmike „Die passion Christi" („Pasioni i Krishtit"), në regji të Mel Gibsonit, meqë ky film më pëlqen më shumë në pikëpamje mistike dhe e përfytyroj si të gjallë profetin Isa teksa dëgjoj lutjet, ligjërimet, pëshpëritjet dhe klithmat e tij në arameishte-hebraike, që ishte gjuhë amtare e tij.
Si mysliman, ndërkaq, siç respektoj e admiroj thellë datëlindjen e profetit Muhammed, ashtu, në po të njëjtën shkallë, respektoj dhe admiroj datëlindjen e profetit Isa, pa u përqëndruar në ato dallimet divergjente kalendarike (në dhjetor, janar apo në pranverë të fillimit të erës së re), për mua dytësore, që janë shpërfaqur në botën e krishterë (te katolikët dhe ortodoksët, veçanërisht te kleri i tyre) rreth ditës së shënimit të lindjes së tij. Them dytësore për arsye se, për mendim timin teologjik, parësore e me rëndësi të jashtëzakontë është vet ngjarja, respektivisht është mesazhi, kumti, që përçon për botën (njerëzimin) lindja mrekulli e një personaliteti hyjnor dhe komplet jeta dhe veprimtaria e tij kolosale në shërbim të njerëzimit planetarisht.
Përsiatjet e mia i kam shtjelluar më thellë e më gjerë te monologu im spiritual me Shën Nënën Terezë, ku unë terthorazi monologoj dhe me ca profetë e shenjtër të tjerë, por, me këtë rast, do vë në kujtesë shkurtimisht pikat më substanciale rreth personalitetit të profetit fisnik të Perëndisë, Isait-Jezuit nga këndvështrimi islamik, të cilat, në thelb, përputhen me këndvështrimin ose pikëpamjet teologjike krishtere:
- Gjenealogjia e tij, ndër breza historikisht, përfaqëson familjet më dinjitoze e më të devotshme në planin moralo-etik dhe fetar. Një kaptinë e veçantë në Kur'an flet për këtë, që titullohet „Ali Imran" – „Familja e Imranit“: Imrani dhe Hana, sipas rrëfimit kur'anor, ishin besimtarë të shkëlqyer dhe dishepuj fisnikë të mesazheve hyjnore, përndryshe prindër të hazreti Merjemes - Shën Mërisë. Ata, në pleqëri, në lutjet e tyre fetare u betuan përpara Perëndisë që nëse Ai do t’u falte një djal, do t'ia dhuronin tempullit-shtëpisë së Zotit për t'i shërbyer Atij sa të rrojë në këtë botë. Mrekulli e Zotit: lutja e tyre u plotësua, por u lindi një vajzë. Në dëshpërimin e tyre, Zoti intervenoi përmes vegimit engjëllor: „…Përkujto kur gruaja e Imranit tha: „Zoti im, unë këtë fryt që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj thjesht vetëm për shërbimin Tënd. Prano këtë lutje nga unë…! Unë u dhurova një femër dhe e emërtova atë Merjeme…“Im Zot, atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej djallit të mallkuar.“ (kaptina „Ali Imran", verseti 35)
- Merjemeja – Shën Maria, ishte gruaja më markante, më emblematike në glob. Një grua shembëlltyrë unikale, respektivisht arketip i të gjitha grave të globit, si në të kaluarën, ashtu edhe sot e në mot, sa të rrojë edhe vetë gjithësia. Për më tepër, ky është një konfirmim kur’anor: „Përkujto kur engjëjt i thanë: „Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty, të pastroi dhe të lartësoi mbi gjitha gratë e botës“ ( kaptina „Ali Imran“, verseti 42)… Merjemeja fisnike ishte një grua e dëlirë, e virgjër, por që me vullnetin hyjnor, me frymën e Zotit mëshirëplotë lindi, përkundi, ushqeu dhe rriti fisnikërisht njërin nga profetët më zulmëmëdhenj të njerëzimit, hazreti Isën-Jezuin. Në Kur'anin e shenjtë, në kaptinën e mëparëtheksuar, thuhet tekstualisht: „Engjëjt i thanë: „Oj Merjeme, Allahu të përgëzon me FJALËN e vet, me lindjen e një fëmije, i cili qysh foshnje në djep u flet njerëzve, por edhe kur të rritet. Ai është njeri i përsosur. Ajo tha: „Zoti im, si mund të kem unë djal kur nuk më ka prekur njeri me dorë?“ Zoti i tha: „ Ky është vullneti im, krijoj çfarë të dua Unë… Do ja mësoj atij librin, urtësinë, Tevratin dhe Inxhilin“ (versetet 45-48)
- Zoti e obligoi profetin Zekerijja (në Bibël: Zaharija, Zakarias) ta marrë Merjemen nën përkujdesje të vazhdueshme në Tempullin e shenjtë. Dhe këtë profet, në pleqëri, Zoti e bekoi me një djalë, profetin Jahja (Gjoni, sipas Biblës), i cili do të paralajmërojë ardhjen e shpejtë të Mesias, djalit të Merjemes.
- - Madje, edhe një kaptinë e veçantë në Kur'anin e shenjtë titullohet me emrin e saj „Merjem".
Veçoritë dalluese, tiparet më themelore të personalitetit të profetit Isa sipas Kur'anit famëlartë janë:
1. Lindja hyjnore: shfaqja e tij unikale, e paprecedent, në skenën botërore: Lind me vullnetin suprem të Perëndisë, pa baba biologjik, nga gruaja e virgjër, nga më fisnikja e fisnikeve të botës, hazreti Merjemeja . Isa ishte vet Fjala e Zotit në tokë, providencë e Tij, siç vërteton Kur’ani.
2. Paralindja, lindja, tërë jeta dhe veprimtaria e tij, si dhe vet çasti i fundit i jetës, takimi i tij me Zotin në përtejbotë, që të tëra kanë kuptim, karakter, ngjyresë e imazh Hyjnor në totalitet.
3. Me frymën hyjnore ai i furnizonte njerëzit me ushqim të bollshëm nga qielli, i shëronte të gjitha sëmundjet më të rënda e vdekjeprurërse të kohës (të rënda dhe sot), ua kthente të pamurit të verbërve, krijonte mrekullisht shpezë nga balta dhe, mbi të gjitha, ringjallte të vdekurit me frymën e Perëndisë.
4. Vet profeti Muhammed, në ca thënje të verifikuara profetike (hadithe), paralajmēron ardhjen e sërishme të hazreti Isës para se të ndodhë apokalipsa përfundimtare (kijameti), me misionin sublim për të mposhtur gënjeshtrat e Dexhallit dhe për të vënë definitivisht DREJTËSI e PAQE të mirëfilltë në globin tokësor.
Së këndejmi, unë personalisht, jo vetëm datëlindjen, por edhe parajetën, jetën, madje-madje edhe pavdekshmërinë e profetit Isa i admiroj me një besim dhe shpirtëroritet të skajshëm, par ekselense, deri në shkallë dogme, ku herë-herë treten përsiatjet e mia racionale e filozofike…
P.S.
Një mendim timin, për mua shumë sublim në këtë temë, do ta lë sekret, për t'u shpalosur kur të dalë në dritë botimi libri im…
URIME NGA ZEMRA FESTA E KËRSHËNDELLAVE TË GJITHË VËLLEZËRVE DHE MOTRAVE SHQIPTARE TË FESË SË KRISHTERË! PAQE, MIRËQENIE, HARMONI E DASHURI NË FAMILJET TUAJA!???
Me respekt të thellë:
Zekerija Idrizi
Berlin
