yllbardh
R.I.P
Nikolle Loka
Një trajtesë për librin e studiuesit të njohur, Mësuesit të Merituar Isa Halilaj “Besa është kushtrim”.
Libri i studiuesit të njohur Isa Halilaj
Të jeshë mësues, pavarësisht shkencës ku je diplomuar, bëhesh së pari edukator, por edhe sociolog, studiues i dukurive shoqërore. Nuk është rastësi që pas pasionit të mësuesit dhe vlerësimit për një karrierë të shkëlqyer në mësimdhënie, tek shumë mësues të njohur del në pah edhe natyra e tyre e studiuesit, një akumulim dhjetravjeçar me vlerë që kurorëzohet me botime interesante. Njëri ndër këta është Isa Halilaj, mësues i respektuar, drejtues i arsimit në rrethin e Kukësit, i cili ka botuar kohët e fundit një libër interesant etno-historik për besën shqiptare.
Studiuesi lumjan, Mësuesi i Merituar Isa Halilaj, si intelektual, kërkon të japë ndihmesën e tij, duke gërshetuar me sukses përvojën e gjatë, njohjen e gjerë të traditës dhe fakteve historike, me njohjen e gjerë si studiues. Duke analizuar situatën në të cilën kalon vendi ynë, ai mendon se ka ardhur koha e një besëlidhje shqiptare. “Besë burra! Besa-besë vëllezër e motra” e titullon ai librin që u botua para pak kohësh. Dhe jo vetëm titulli, por edhe lënda që përmbahet në libër e merr shtysën nga tradita, historia, besëlidhjet e njohura lumjane që i lejuan kësaj krahine t’u mbijetojë ekspeditave osmane dhe barbarizmit të serbëve, ku siç dihet Luma ka shënuar një ndër faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.
Studiuesi Halilaj e fillon librin e tij me kuptimin e besës, duke bërë ndoshta trajtimin më të gjërë që i është bërë deri më sot në studimet shqiptare. Dihet se besa është testamenti moral i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Dy baladat më të rëndësishme të folklorit shqiptar, me motivin e murimit dhe motivin e ringjalljes (flijimi për ngritjen e një kalaje dhe ngritja e vëllait nga varri për të kthyer motrën në familje) lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë.
Në librin e studiuesit Isa Halilaj merret në analizë e kaluara e popullit shqiptar, të gjitha momentet historike kulmore të historisë sonë kombëtare, të cilat janë shoqëruar me besëlidhje. Aty ideali kombëtar, bashkimi kombëtar dhe besa shihen si hallka të pashkëputura të një zinxhiri të vetëm. Nuk ka ideal pa besë dhe as besë pa ideal kombëtar. Pra besa shqiptare lidhet drejtpërdrejt me atdhetarizmin e popullit tone dhe mbijetesën e tij. Autori ka mundur të nxjerrë dobinë e besës, rezistencën në kohën e Skënderbeut, ngritjen e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të tyre në vitet e Lidhjes së Prizrenit, besën e shpalljes së shtetit të pavarur në Vlorë e të tjerë. Isa Halilaj nxjerr përfundimin: “Pa besë nuk ka ideal, nuk ka bashkim… Pikërisht si nevojë jetike mendimtarët e Rilindjes, drejtuesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare që me Skënderbeun e sidomos me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit përqëndruan të gjithë punën dhe luftën e tyre për realizimin e bashkimit kombëtar me anën e besës dhe besëlidhjeve historike”.
Besa është e nevojshme edhe në ditët e sotme, në kohë paqeje për mirëqeverisje. Shqiptarët e kanë përdorur besën për të eleminuar dhe pakësuar dukuritë negative në shoqërinë e tyre si lakmia, cmira, egoizmi. Njeriu me tipare shqiptare është patjetër edhe njeri i besës, pra beson në vlerat kombëtare që janë trashëguar brez pas brezi, i çmon këto vlera, udhëhiqet prej tyre dhe betohet për to. Njerëzit e besës pra janë edhe atdhetarë, edhe familjarë të mirë, drejtues të duhur të institucioneve shtetërore, qytetarë të denjë të vendit, e të tjerë. Sipas autorit besa dhe besëlidhja fillojnë me veten. Qytetari i gjendur përballë problemeve të ndërlikuara shoqërore duhet t’i kërkojë zgjidhjet shqiptarisht “me besë” dhe mos të udhëhiqet nga e keqja, ligësia, të mendojë që mos t’ia bëj kujt atë që nuk do ta dëshironte për veten e tij, e të tjerë. Natyrisht që realiteti na jep edhe shembuj të mungesës së kësaj bese, prandaj vërehen edhe dukuri negative në shoqëri që fillojnë me zyrtarët e lartë dhe politikanët dhe përfundojnë me qytetarin e thjeshtë.
Isa Halilaj krejt shoqërinë e sheh si bashkim individësh bestarë,që japin familje bestare dhe nga familja që ka rëndësi shumë të madhe në edukim në bashkëpunim me institucionet shtetërore kalohet në besën e madhe që i jepet Atdheut si garanci për të ecur përpara.
Mësuesi i Merituar Isa Halilaj, që është marrë tërë jetën e tij me shkollën, auditorin dhe edukimin vëren me keqardhje se në emër të modernitetit po shkallmohen disa vlera shumë të çmuara të shoqërisë shqiptare. Kështu sipas tij “besa, nderi e burrëria po quhen të vjetëruara dhe si tregues të prapambetjes shoqërore”(!) Dhe duke goditur me fakte dukuritë negative që vëren në shoqërinë e sotme, autori kërkon që shkolla, institucionet e tjera edukative në Shqipëri e në trojet shqiptare, të këmbëngulin për t’u mësuar të rinjëve qytetërimin shqiptar, atë traditë shekullore që e trashëguam brez pas brezi dhe që na e vlerësoi e gjithë bota. Sipas tij besa si institucion i përshtatet shumë mirë natyrës së shqiptarëve dhe mund të përdoret fare mirë si çelësi i zgjidhjeve të problemeve shoqërore. Në këtë nismë duhet të marrin pjesë sociologë, etnologë, politologë, shkrimtarë e studiues të tjerë të fushave të albanologjisë, si dhe intelektualë të tjerë të shquar vendës dhe të huaj.
Libri i studiuesit të njohur, Mësuesit të Merituar Isa Halilaj bën edhe një trajtim të plotë të besës, duke analizuar të Drejtën Zakonore Shqiptare, mendimet e albanologëve të huaj dhe të studiuesve më të mirë vendës, por duke sjellë këndvështrim të ri, duke analizuar besën shqiptare në rrethana të ndryshme historike të së djeshmes dhe të sotmes. Përmes këtij libri dhe librave të tjerë të studiuesit Isa Halilaj mësohet shumë për historinë e popullit tonë, për kulturën e tij shpirtërore, për vlerat kombëtare që kemi si popull, prandaj ia vlen që ky libër, krahas librave të tjerë të autorit, të jetë në bibliotekat e studiuesve të shkencave shoqërore, juristëve, misionarëve të pajtimit, mësuesve e pedagogëve, si një ndihmesë me vlerë në ruajtjen e traditës së vyer të popullit tonë.