• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Robert Bërns

Askushi

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,496
Pikët
113
POEZI BRITANIKE
(skoci)


ROBERT BËRNS




Shqipëroi: Lasgush Poradeci



MERI MORISON


O Meri, eja në dritare;
Është ora jonë e dëshiruar!
Ç’kushtojnë mijëra thesare
përpara syve të adhuruar!
Mundim të madh do të duroja,
si skllavi që duron i strukur,
kur zemrën tënde ta fitoja,
moj Meri Morison e bukur!

Dje me muzikë e me vjoli,
ndër djem e vajza kërcimtare,
mendimi im më shkoi tek ti,
unë isha atje, po s’ndieja fare:
kish plot me nur sa s’bëhet më,
po unë thashë: “Nuk ka, jo,
si Meri Morison asnjë!”

O Meri, do ti ta mundosh
atë që zbret për ty në varr?
Do shpirt e zemër t’i coptosh
për fajin se të do me zjarr?
Në s’më pranon si dashuror,
trego për mua pak mëshirë!
Ti s’mund të kesh një shpirt mizor,
moj Meri Morison e mirë.
 

Askushi

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,496
Pikët
113
Robert Bërns - poezi

përkthimi nga Dritëro Agolli



FINDLEJ

Po kush me shkop në xham troket?
“S’do mend që jam Findlej!”
-Shtëpia fle dhe s’ka lezet!
“Nuk fle!” – i tha Findlej.

-Po si guxon këtej të vish?
“Guxoj!” – i tha Findlej.
-Ki mendjen, punën mos e prish!
“E prish!” – i tha Findlej.

-Deriçkën hapur po ta kesh...
“Ta kem!” – i tha Findlej.
-Pa gjumë natën do më lesh!
“Pa gjumë”, - tha Findlej.

-Dhe po të lashë në shtëpi...
“Më lër!” i tha Findlej.
-Të gjen mëngjesi në gosti!
“Më gjen!” – tha Findlej.

-Sikur të gdhihem tok me ty...
“Me mua!” – tha Findlej.
-Ty prapë ky shteg ta bën me sy.
“Ma bën!” – i tha Findlej.

-Dhe ç’do punoj me ty, qyqar...
“Puno!” – i tha Findlej.
-Ta mbyllësh gojën gjer në varr.
“Tamam!” – i tha Findlej.

XHONI KOKËRRELBI

Tre mbretër morën një vendim,
që Xhonit Kokërrelbi
t’i zhdukej fara me tërbim,
t’i humbte fare thelbi.

Një urdhër dhanë që të tre
të hapnin varr për Xhonin,
t’i hidhnin me lopata dhé
dhe trupin t’ia mbulonin.

Përrenjtë u mbushën vesh me vesh,
në kodra çeli bari,
dhe Xhoni Kokërrelbi qesh
dhe ngrihet del nga varri.

I rreptë, i sertë, forcat mbledh
nga kodra nëpër vapë
dhe mbi armiqtë shtiza hedh,
tund kokën dhe shan prapë.

Por vjeshta fushave vrapon
dhe derdhet djersa lumë,
kurrizin uli plaku Xhon,
u lodh nga puna shumë.

I lodhur kodrës po jepte shpirt,
ka dimrin para pragut,
po përsëri të njëjtë armiq
pa shpirt i derdhen plakut.

I ngulin thika të mëdha
në kokë e dorë e këmbë
dhe si një lypës fukara
e çojnë drejt në lëmë.

E rrahin Xhonin me kopan
mes lëmit si të mjerë,
e zhveshin krejt si leckaman,
pastaj e hedhin në erë.

Në pus e flakin me topuz,
t’i shuhet fare thelbi,
por nuk fundoset as në pus
ky Xhoni Kokërrelbi!

Dhe prapë atyre keq s’u vjen
në zjarr kockat ia çuan,
dhe zemrën millonaj ia gjen
në gurë e hedh e bluan!

Në but tërbohet gjaku i tij,
godet me grusht e thembër;
në gotë shkuma nxjerr furi
dhe mbush me gaz çdo zemër.

Ai nga kokat jashtë nxjerr
telashet dhe mërzitë,
bile, vejusha këngën merr
me gotën plot përditë!

Haj, kurrë fundin mos e thafsh,
o but, ku hidhet thelbi,
ku vlon, ku zjen e ngre tallaz
ky Xhoni Kokërrelbi!

HIÇ

Ju jap dhe kalin, po të doni,
Pegasin tim dobiç,
Shpërblim për kalin mos dërgoni,
Shpërblim nuk dua hiç.

Shkujdesjen time prej poeti
Më falni ju, or miq,
Kjo mburrje dreqi prej qyteti
Për mua nuk vlen hiç!

Fitimi mendjen sjell vërdallë,
Floriri Zotin prish,
Po shpirti s'rri në vend pa dalë, -
Dhe ç'mbetet? S'mbetet hiç!

Zyrtari mat me hap sallonin
Dhe digjet për ofiq,
Në qafë e var dhe medalionin,
Po ç'ka medalja? Hiç!

Peshkopi mban në kokë mitrën
Dhe xhybe mban një prift.
E ç'ndosh pastaj? Të gjitha ikën,
Prej tyre del një hiç!

E do djaloshi vajzën shumë,
I sillet si ogiç,
Dhe dasmën shtron me prikë e zhurmë,
E ç'vjen prej dasmës? Hiç!

Rimon poeti rima-rima,
Çmon veten sigurisht,
Dhe merr kurora me dafina,
Më vonë e pret një hiç!

Rreh gjoksin rrugës mburraveci
Dhe shkrofëtin si viç,
Kërcen krekosur karkaleci, -
Krekosja pjell një hiç!

Me drojtje sillet ndaj poetit
Kjo çupkë buzka-fiq,
Kërkon çudira prej të shkretit
Dhe s'gjen çudira hiç!

Ia do poetit përkëdheljet
Vajzushka gjer në shpirt.
Nga përkëdheljet çfarë i mbetet?
I mbetet veç një hiç!

Kanos peshkopi heretikun,
Që mbledh pas tij të liq
Dhe botën prish e shton rrezikun,
Po bota s'ndreqet hiç!

Hajt, lamtumirë, e pres anijen
Me valët kalakiç.
Sikur të vdes e të përpihem,
S'ju dhëmb kjo vdekje hiç!

ELEGJI PËR VDEKJEN E PEG NIKELSONIT,
PELËS SË PRIFTIT


E famshme ishe ti, gërdallë,
Por mora vesh ç'të ngjau;
Ti re në lumin mbushur valë
Dhe vala të përlau.

Ke qenë pelë e bukur shumë,
Kur ishe pak më e re,
Tani lëkurën nëpër lumë
Dhe nëpër det e le.

Një "falemnderës" kurrë s'e more
Nga prifti yt neqez;
Të gjetën peshqit plakë e qorre
Mes lumit si peshqesh.

Shëndetin humbe e bukurinë,
Përulur gjer në varr,
Si gjithë ata që mbajnë në shpinë
Të rëndin rend fetar!...

KËNGË PËR NJË GRUA GRINDAVECE

Kam grua që s'më ledhaton,
Më çjerr si grifshë e prapë!
Kush gruas frerin ia lëshon,
Ajo ia hip në qafë!

Kërkova paqe e prehje e gaz,
Po mosa tatëpjetën,
Ma ktheu gëzimin në maraz
Dhe lëmsh ma bëri jetën!

Skëterrë e bëri shpirtin tim:
Tortura ditë e natë!
Në botën tjetër si shpërblim
E marr një dekoratë!

SHËNIM MBI NJË KARTMONEDHË

Mallkuar qofsh, kartë e zhubrosur,
Më ke dërrmuar, handakosur,
Nga vajzë e dashur më ke ndarë,
tv dehur më ke hequr zvarrë,
Siw e ke hequr çdo te ndershëm
Në robëri, mundim të tmerrshëm!

Kam parë epshin e xhelatit,
Që djersë e frymë i merr të varfrit.
Këtë të poshtër dora ime
E bënte hi, e bënte thërrime,
Por ti, moj letër e zhubrosur,
I jep pushtetin e pasosur,

Ndaj unë i gjori vendin tim
E lë dhe nisem në mërgim!...

_______________
(shkruar nga R. Bërns në një kartëmonedhë, të zbuluar pas dyqind vjetëve të vdekjes së tij. - sh. përkth.)


ANKIMET E VAJZËS

Shpesh jam mërzitur dhe penduar
dhe mbi jastëk kam qarë,
që fjalën tënde kam besuar
dhe sytë gënjeshtarë.

Ku shkoi, ku humbi ngjyrë e purpurt
e faqeve të mia?
Ku vajti shtati belkëputur,
ku mbeti vajzëria?

Dëgjoj të qeshurën e hidhur
të fqinjëve mbi mua.
Paçka se vetë janë të krimbur
me turpe gjer në thua!

Tim eti kur i shfaqem unë
ul sytë e s`më vështron,
dhe nënë e mjerë qan në gjumë
kur turpin tim kujton.

Sa ndjej një hap të atit tim
i fshihem nëpër derë,
dhe nënën time s’kam guxim
ta shoh në sytë e mjerë.

E ëmbël lule e dashurisë
e hidhur qenka pema.
Se sytë e tu të djalërisë
me lotin tim i bleva!

Mos pastë kurrë gaz në jetë
u shoftë në s’u shua,
ai që flaku në kënetë
fëmijën e tij dhe mua...

VARFERIA E NDERSHME

Kujt i vjen turp nga skamja e vet
dhe s’njeh as nder, as vlera,
atij i them rob vërtet,
bir robi e të tjera...

Kjo ngre kandar,
kjo s'ngre kandar,
ne s'kemi plëng në jetë;
i pasuri ka vulën në ar,
po ar ne jemi vetë.

Ne bukë hamë e pimë lëng,
pa rroba trupit e pa plëng!
E ç’t’iu tregoj të tjera!
Ndërkaq një batakçi tuaf
pi verë e vishet me mëndafsh,
e ç’t’iu tregoj të tjera!

Kështu, ashtu
nuk ka qeder!
Nga qyrku s'duhen matur!
Ai që rron me djersë e nder
për mua është i pasur.

Ja, ky palaço qenka lord
dhe dashka temenara!
Fodull, bylmes e kokëbosh
do mbetet trung pa fara!

Kështu, ashtu
na vjen drang-drung
i mbushur me merita;
por trungu prapë mbetet trung
me urdhra dhe shirita!

Servilit mbreti shpejt i jep
dhe grada gjenerali,
të varfrit kurrë nuk i qep
as kopsa kaporali!

Kështu, ashtu,
nuk kam qeder!
Ofiqi, lajka "vlera",
nuk kanë tru,
nuk kanë nder,
e, ç’t’iu tregoj të tjera.

Po dita ndofta nuk vonon
ku nder djersëlarë
të zërë vend që meriton
të zërë vend të parë.

MBISHKRIM NË NJË LIBËR ME VJERSHA

Në vite dashuria nuk u plak
Dhe zemra nuk e treti zërin tënd
Prano një përshëndetje që nga larg
Një miqësi që s’njeh as kohë as vend

Këtë kujtim të thjeshtë kur ta kesh
Më sill në mend e pakëz psherëti
Për çka na lodh një ditë e mbushur zheg
Apo dhe një oqean plot ftohtësi

MBISHKRIM NË ALTARIN E PAVARSISË

Kush është i ndershëm i pavarur
Në luftë i madh, në zjarr argasur
Kush del njëlloj përpara kombit
Pronari vetë e robi i robit
Kush një gjykatës ka në jetë
Ndërgjegjen, nderin e vërtetë
Kush gjen në drejtësinë forcën,-
Atij, altar, t’ia hapësh portën.

Disa epigrame dhe epitafe

PËR NJË KOKËBOSH

Të drejtë Zotit unë i jap
Për punët e mëdha
Po kur ndërtoi këtë dollap
Pse brenda bosh e la?

DUKE VIZITUAR NJË ÇIFLIK TË PASUR...

Ky lordi neve na rrëfen
Ndër kulla pasurinë
Njeh gratë eunuku në harem,
Por s'njeh kënaqësinë.

AFARISTIT TË PASHPIRT

Këtu po prehet Xhoni qetësisht
S'do mend që vetëm trupi, një kokallë...
Por flitet, se as gjallë s'kishte shpirt,
Me kohë i kishte dalë...

MBISHKRIM MBI VARRIN
E PUSHTIT TE FSHATIT


Vajtoni burra kaq të rrallë
Këtu tek guri i murrmë
Ky fqinji sa ishte gjallë
Ju ka ndihmuar shumë.

Shkollarët hiç mos paçin frikë
Nga varri në lulishte
Ai që prehet nën qerpiçë
I ati tyre ishte!...

XHONIT...

Kusarë e horra, bij të kurvërisë
Lirinë e shajnë e flenë sipër glasës,
Po kur gjeniu armik i del lirisë,
Ai pa tjetër bëhet vetëvrasës...

PER UNAZEN E ARTË...

Përse kur fejohen në kisha të rinjtë
Në unazat e arta i fusin gishtërinjtë?
Më pyeti kurioze një mike.

Mos mbetesha buf mes bisedës
Ia ktheva mikeshës nazike
Ah, ka dashuria mjaft forcë elektrike
Dhe ari shërben si teli përcjellës...

NJË TË NJOHURI, QË KTHENTE SHPINËN
KUR TAKONTE POETIN...

Kur piqemi, pse skuqesh mik i vjetër?
E di se je një buf me brirë e horr,
Ti dha këto merita ndonjë tjetër,
Ti s'je fajtor!...

MBISHKRIM MBI VARRIN
E NJË AMBICIOZI TË KEQ


I ndjeri ish guhak, por donte grada
Kërkoi në ferr nga djalli dekorata
Tha djalli: Jo!... i lig je mish e kockë
Dhe qejf të kam.., por fara s'ke në kokë.

PUTHJA

Gjurmë e njohjes së sivjetshme
Dhe premtim me fshehtësi,-
Puthja - luleborë e hershme,
Borë e bardhë e pastërti;

Një lëkundje: desha, s’deshe!
Miqësi e njomë e re
Prej pëllumbi, pëllumbeshe,
Gazi i parë e plot hare;

Mall i ndarjes së trishtuar
Dhe dyshimi: “po më pas”?
S’e gjej fjalën e bekuar
Që mendimin larg ta ngas!

LUMTURIA IME

Ju dua, të vegjël dhe ju të mëdhenj!
Sikur të më derdhen të ligjtë përrenj,
U thyej dhe qafën, i çoj mu në djall
Me gotën përpara, me këngën me mall!

Shpesh vuaj dhe dhëmbët kërcas domosdo,
Po jeta është luftë dhe unë jam hero;
Ndaj jam i shkujdesur, pa pare në xhep,
As mbreti të drejtat s’m’i merr e s’m’i jep

Më shtyp zgjedhë e skamjes nga viti në vit,
Por mbrëmjes me miqtë unë vitin e ndrit;
Kur mbërrijmë qëllimin dhe gazi na djeg,
Përse t’i kujtojmë ca ferra në shteg?

Ç’të merrem me fatin, me kalin gërmuq?
Pa hiqmu nga sytë, i poshtri thuthuq!
Kur brenga dhe gazi trokasin në xham,
U them: “Mirë se vini, një sofër e kam”!

DASHURIA

Si trëndafil çel dashuria
Në mes të kopshtit tim
Dhe si një këngë bukuria
S’më ndahet në udhëtim

Kjo bukuri mbi të gjitha mbetet
Asgjë mbi dhe s’e tund
Me mua ecën gjersa detet
Të thahen gjer në fund

Nuk thahen detet zemra ime
Graniti nuk firon
Nuk ndalet rëra në udhëtime
Se rëra veç vrapon…

Mbeç me shëndet për ty ngre gotën
Mos u mërzit o shpirt!
Sikur të bredh me këmbë botën
Të gjej, por vetëm prit.

DASHURIA DHE VARFERIA

Më ndoqi dashuria bashkë
Me varfërinë e shkretë
Në shteg të tyre herët rashë
Më zunë shpejt në rrjetë

Por varfërinë e zboj e tremb
Dhe s’ka më varfëri
Veç dashurinë dot s’e shemb
Se mbetet dashuri

Pse dashurisë si pengesë
I del përpara ndarja?
Dhe pse të mbetet robëreshë
Nga smira dhe nga paraja?

Dhe pasuria dhe hambari
Pak lumturi na japin
Por frikacaku dhe truthari
Pushtetin shpejt e kapin

Më flet me sy për dashurinë
Kur humb mes përqafimit
Ndërsa me buzët ftohtësinë
Ma shfaq përmes gjykimit

Më këshillon të jem i matur
Të kem dhe pak durim
Siç duket, pret një oxhak të pasur
Dhe s’pret oxhakun tim!

Po si ta mbaj gjakftohtësinë
Kur jemi pranë e pranë
Kur dy vështrime dashurinë
Burim të vetëm kanë?

Veç fukarai ka lumturi
Me vashëzën e dashur
Ai s’ka smirë e s’ka zili
Për derë e rang të pasur

Ah, dashurinë ç’e pengon
Ky fati i lig tiran!
Dhe gonxhe e saj pse s’lulëzon
Pa pasuri dhe nam?
 

Askushi

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,496
Pikët
113
Robert Bërns - poezi

Shqipëroi: Dhori Qirjazi



TAM O’SHENTËR


Kurçertexhitë lënë rrugën shkret
Dhe shoku shokun përshendet,
Pazari shuhet, afron nata
E nisen njerëzit nëper fshatra,
Të bëjm’ orgji, seç na vjen mirë,
E na ndez flakë një kriko birrë,
harrojmë të Skocisë udhë
Me gardhe, ura, ujra shumë
Që na ndajn’ ne edhe shtëpinë,
Ku zonjat tona kanë selinë
Dhe tok me vetull ngrehin shqotë,
Sikur t’i mbajë inati ngrohtë.

Kështu u ndodh në Er, në qendër,
Një nat’ i ndershmi Tam O’Shentër,
(megjithse Eri i lasht’ me ura,
Nuk shquhet shumë për gra dhe burra).

O Tam, ti s’mbajte në rradake
Asnjë këshillë të Kates sate:
“Një groshë nuk vlen, të thotë, lum miku,
Kur flet me grahma pijaniku,
Se të gjithë vitin, gjer në fund,
Çdo ditë pazari bëhësh thumb!”

Me një mullis u bëtë shokë
E pit’ të dy sa ratë në tokë,
Po ti çdo nat’ ia shtroke mirë
Me farkëtarë u frytë në birrë,
Në kabare na hyn të shtunë
E del të hënën, ti, o lumë!
Siç parasheh ajo e mjerë
Në Dun do mbytesh ndonjëherë,
O se te kish e Alloisë
Djajt do të zënë në netët pisë.”

“Ah, xhan, o grua, shpirt, o xhan,
Me ç’porosi më bën derman!
Si ta përçmoj qortimin tënd
Që burrin do të sjellë ndër mend ?!”

Mirëpo një natë, ç’ta përmend,
Ky Tamiynë e pa me vend
T’ia shtronte prapë me të pirë...
Valonte shkumba përmbi birrë,
Dy miqt e vjetër pranë një zjarri:
Ai dhe Jani këpucari
Që donte Tami porsi vëllanë,
Të dy ia shtronin jave për javë.

Po këtë nat’ u bënë shumë,
Si pinë bënë dhe rrëmujë
Dhe kabaresha mërmliste
Me Tamin ëmbël diçka fliste.
Për bëma fliste këpucari
Të tjerët qeshnin, ah, qyqari
Dhe Tami s’mori vesh më shumë
Qe vërshëllimë, apo furtunë.

A kini parë ndonjëhere mirë
Kur marinarët na gjejnë birrë?
Si bletër mblidhin, zhuzhullojnë,
Me krahë minutat fluturojnë,
M’i fort nga mbreti në nj’oborr
Këtu del Tami triumfator!

Mirëpo dëfrimi si lulukuqet
Që bien fletët sapo këputet,
O si dëbora që bie në lumë
Që sa zbardh pak e bëhet ujë,
A si gushkuqi që kund s’qendron
E mer në shenjë, të fluturon,
O si ylber me ngjyrë të qartë
Që shkrin në qiellin me shtërngatë,
Ah, koha ikën, s’mund të ndalet,
Për Tamin erdh një çast të ndahet,
Po nata ish e zezë, pisë,
Mërzija sillej si një bishë;
U nis ai në natën varr,
Në rrugë gjëkund s’kish udhëtar.

Po frynte erë e shfrynte tepër,
Kërciste trëndafili i egër
Dhe larg rrufeja shkrepëtinte,
Dhe thellë e rëndë bubullinte,
Në net të tilla, lemeri,
Veç djalli del bën tregëti.

Shaloi Megin, pelën gri,
Që kush s’ia del për shpejtësi
Dhe fluturoi me të për pakë
Nuk pyeti për shi, për flakë.
Kapuçi blu nga pas i mbet,
Me mend po thoshte një sonet
Dhe tek po ecte pa merak,
I ngjau se e kapi një lugat,
Si kukuvajk’ u ndje një klithmë
Aty të kish e Alloisë.

Aty ish shkëmbi, o lum miku,
Ku qafën theu Çarl Pianiku,
Ku në mes ferrash, në gërmadhë,
Ish gjetur një ferishte e vrarë
Dhe ku nën degët në çinar,
E ëm’ e Margos na u var;
Në vah sa kishte kapërcyer
Kish ngar’ e fryma i qe rrëmbyer.

Shkumbonte Duni përmbi gurë,
Shtërngata çirrej nëpër drurë,
Rrufeja qiellin mbushte zjarr,
Gjëmimi mblidhej si vilar,
Kur ja, mes drurësh zu të ndritë
Kjo kishëza e Alloisë.
Nën atë dritë, atë mazgalle
Dikush kërcente, hidhej valle.

“më jep guxim, o Xhon fisnik* * i flet birrës
Tani që ndodhem në rrezik!
Pse pimë pak birrë ne nga halli
Një pikëz visk, të na marrë djalli?”
Kështu ky Tami na tha broçkull
Nga birra mend’ i vinin rrotull,
U ndal kjo Megi me dinjitet
Desh të qertonte të zotn’ e vet
E bëri para me trimëri,
Kur Tami vetë pa një çudi:

Skelete kërcisnin, magjistare,
Një kotilon nga Franca marrë,
I binin bririt hidheshin rëndë,
sikur të shkelnin dhe ty me këmbë.
Mbi një dritare, në ca parvazë,
plakushi Nik* u shfaq si shtazë *djalli
si qen i zi po turfullonte
atë muzik’ ai drejtonte,
pastaj ktheu bririn, fryri fort,
u mbush çatia me shpirtra plot.
Zun’ e rrethonin me ulurimë
Të gjithë të veshur qenë me qefinë,
Si djalli vetë bënin dredhi
Në duar mbanin nga një qiri.

E cili Tam, cili qyqar
S’do kthente syt’ përmbi altar
Të shihte varur dy ferishte
Me dy si gremçe, hekurishte,

Dhe një kaçak me thikën gjak
Me to po qeshte si torollak!
Pesë me ndryshk, kishin ca shpata
Dhe pesë në duar kishin spata.

Një fashë llastiku foshnjën mbyste,
Një thik një bab’ po e përmbyste,
Ish biri i tij qe e shkelmonte
Atë flokëbardhë që po mbaronte.
Ah ç’poshtërsi, në shpirt të ther
Sa keq, sa vaj, sa tmerr!

Sa pa ky Tami, sa qe përmendur,
Shpërtheu një çast një klithmë e çmendur
Një fyell çirrej si një i marrë
Me shpejt vraponin gjith kërcimtarët,
U bënë gardh, zënë krah për krah,
Në udhë i dolën përball’ ca gra,
I flakën leckat ato mbi kishë,
Mben lakuriq, veç nder këmishë.

He, Tam, o Tam, pse ta bësh hasha,
Ato s’qenë gra, po ishin vasha,
në ca këmishë në ngjyrë jeshile,
si top dëbore, gargi, bandille!
Të brenëshmet mbanin përmbi vithe
Dhe flokët blu, të butë, kadife.
Ti mer e jep, kush ta di hallë,
ato me sy, fët me qepallë
edhe sakaq na qenë zverdhur,
tamam si mëzet që sa kanë zvjerdhur.
Pickojnë, të ngasin nga meraku,
Çudi, të dridhet vetë stomaku!

Po Tami zgjodhi. Kish dëshirë
Atë që ishte yll, e mirë,
Që dinte nder t’i bënte mikut
(u ndodh në vahun e Kërrikut
Kur ajo vetë iu kthye bishe
E zu përqark gjithçka të prishë
Po shkelte elb, e bimë, e drithë)
Këmish’ e saj na ishte endur
Atje në Pejzlin e përmendur
Që i bëjn çupat lozonjare
Edhe për to të jenë krenare.
Atë këmishë, ta themi ndryshe,
Asaj ia bleu e gjora gjyshe,
Po Nënit nuk i vajti mbarë,
Kërcen tani me magjistarë!

Po këtu Muza ime e ngratë
Lë të pushojë, të çlodhet pak,
Mjaft tha për Nënin si kerceu
(si xhinde ish, s’e mbante dheu)
Qysh Tami griu si me magji,
Ç’mendoi e ç’pa me syt e tij,
Si fryu e ç’ndodhi pas kësaj,si e përqeshi satanaj,
Që nga fillimi në mbarim,
Kur humbi çdo arsyetim
Dhe thirri: “Rroft këmish e shkurtër!”
Dhe erdhi ai çast i bukur,
Kur ia dha vrapit Megi i tij,
Sikur ta ndiqte një ushtri!

Siç ngrihen bletët me potere,
Kur djali i prap’ godit kosheren,
Si ther një lepur me xigua,
Kur brrof e ndjek pas një langua,
Siç turret cubi nëpër treg,
Kur “kapeni” gjithkush thërret,
U sul kjo Megi, ngriti bishtin,
Dhe djaj e shpirtra pas e ndiqnin.

Ah, Tam, o Tam, ç’shpërblim po merr,
Si peshk do thekesh ti në ferr,
dhe vajit Katja do t’ia mbushë,
do mbetet kaq e re vejushë!

Tash fluturim, moj Megi, merr,
Të kalosh urën mbi qemer
Dhe ngrie bishtin, qimeshumin,
Me aq guxim, si kërcen lumin!
Por ah, ku kulmi i urës hapet
Vetë satanaj pas bishti kapet!
E mira Meg terheq një çast
Dhe Nënin vetë e le nga pas
Më larg guximshëm po vraponte
Mbi të dhe Tami fluturonte
Të zotin jasht’ rreikut qiti,
Kur “frrap” u ndje, iu këput bishti,
Kjo shtig iu hodh pas mizorisht,
Të gjorën Meg e la pa bisht.

Kush këtë ngjarje të lexojë
Bir nënë qoftë të mos kuptojë,
Kur pi e birrës i përkulet
Atë këmishën mbetur çule
Dhe Tam O’Shentrin, sigurisht
Të tijën pelë që mbet pa bisht.
 
Top