• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Rrëzimi i diktatorit në '91-shin

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
100 mijë qytetarë shqiptarë ishin
protagonistë të shembjes së bronzit diktatorial. Plot 18 vjet pas
shembjes së bustit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”, 20 shkurti
që simbolizon për shqiptarët, dhe për gjithë Lindjen, rënien e fundit të
diktaturës, na kthen në rrëfimet e rralla të protagonistëve në kronikën
e vitit 1991: thirrja për protestën e madhe në TVSH; betimi i
studentëve; histeria e zjarrfikësve që largonin njerëzit, duke i qullur
për herë të fundit me ngjyrën e kuqe të ujit; njeriu që i vuri litarin
monumentit të diktatorit; shoferi që rrëzoi Enverin; autobusi i minierës
që hoqi zvarrë diktatorin në të gjithë Tiranën dhe deri tek veglat e
hidraulikut që zhvidhosi “lavdinë” e komunistëve mbi Pallatin e Kulturës


Diktatori kishte vdekur, po hija e
tij qëndronte. Vdekja e parë ishte ditë zie, vdekja e dytë ishte
“tërheqje zvarrë”. 20 shkurti i vitit 1991 ishte si dita për shqiptarët.
Gjermanët rrëzuan Murin e Berlinit, rumunët varën Çausheskun dhe
shqiptarët tërhoqën zvarrë Enverin, madje një Enver 20 herë më të madh
se ai. Por kishte mbetur bust. Saimir Maloku tregon se mblodhi qytetarët
tek Rruga e Kavajës, Shinjazi Rama na kujton betimin që u bë tek
studentët, Vangjel Kozma, një ditë para dërgon thirrjen për protestë në
TVSH. Nis protesta në Qytetin Studenti dhe Rajmonda Bulku, ndonëse u
harrua për t’u dekoruar me protagonistëve, bën thirrje për të shkuar
drejt sheshit “Skënderbej”, Liliana Llapaj kujton ditën kur gjithë
njerëzit në shesh qulleshin nga zjarrfikëset që lëshonin me histeri ujë
me ngjyrë të kuqe, Liri Berisha shpëton një vajzë të vogël nga qentë e
policisë, Adrian Heta gjen makinë dhe tërheq zvarrë bustin. Astrit
Hatellari kujton se i vendosi litarin në grykë bustit dhe Sulo Jaupaj
ndihmoi Adrianin me autobusin e minierës për të dërguar bustin tek
studentët. E nesërmja e 21 shkurtit nis me heqjen e parullës tek Pallati
i Kulturës dhe me djegien e veprave të Enverit tek librari “Flora”.
Xhovalin Çokani: “Me veglat e hidraulikut rrëzova parullën”. Për
shumicën e qytetarëve, 20 shkurti është ngulitur me disa pamje
televizive të dobëta. Por për 100 mijë të tjerë, ato pamje janë gdhendur
ndryshe. 100 mijë qytetarë shqiptarë ishin protagonistë të shembjes së
bronzit diktatorial, por disa prej tyre u dalluan për guximin. Dikush
vodhi një kamion që e tërhoqi zvarrë diktatorin, dikush siguroi një
kavo, dikush u ngjit sipër dhe e lidhi për qafe dhe dikush tjetër ua çoi
“suvenirin” studentëve. Presidenti Bamir Topi dekoroi disa prej këtyre
qytetarëve kurajozë. Ata ndajnë ekskluzivisht për gazetën “standard”
kujtimet e çdo çasti, minute. Si u zhvilluan protesta dhe ç’ndodhi më 20
shkurt, e treguar nga njerëzit e thjeshtë. Saimir Maloku, njëri nga
protagonistët i bën të mundur gazetës botimin e kujtimeve të
protagonistëve të 20 shkurtit, të cilët dje u dekoruan nga Presidenti i
Republikës.
***
Sot, 20 vjet më vonë, jeta e shumë
prej protagonistëve të 20 shkurtit ka ngjyra të tjera. Ata kontribuuan
në rrëzimin e diktaturës në Shqipëri, “vranë” diktatorin, çliruan një
popull të tërë. Studentët kishin nisur një rrugë, me frikë, por me
bindje. Misioni i tyre ishte liria, por trembeshin se mos binin pre e
antilirisë. Ata nuk ishin vetëm. Qytetarët e Tiranës u ngritën dhe
mbyllën atë që nisën studentët. Liria erdhi. Protagonistët e 20 shkurtit
rrëfejnë detajet e atyre ditëve të shkurtit. Të dekoruar nga
Presidenti, ata së bashku kanë hedhur kujtimet e tyre, disa detaje
njerëzore mes 100 mijë bashkëqytetarëve.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

Dy ditë para, 18 shkurt në Qytet Studenti
(Shinjazi Rama: Si u betuan studentët)


Studentët dhe pedagogët e tyre
kishin nisur grevën e urisë. Rreth 723 studentë dhe pedagogë u
regjistruan si vullnetarë për të hyrë në këtë grevë. Komisioni drejtues i
grevës në mesditë i dërgoi një kërkesë ultimative 24-orëshe
ish-ministrit të Arsimit, Skënder Gjinushi. Për të penguar zhvillimin e
kësaj greve të studentëve, Ramiz Alia, i cili njihej si President i
Republikës, thërret në një tryezë të përbashkët përfaqësitë e të gjitha
partive politike, duke përfshirë edhe ato të rejat, si Partia
Demokratike, Republikane, Ekologjike dhe Agrare. Në këtë tryezë bënin
pjesë edhe përfaqësuesit e organizatave të Rinisë, Gruas, Frontit
Demokratik si dhe ato të Bashkimeve Profesionale edhe Sindikata e
Pavarur e Minatorëve. Ramiz Alia kërkoi një deklaratë të përbashkët në
formë thirrjeje drejtuar popullit për paqe dhe qetësi sociale. Ndryshe
nga të tjerët, Fiqiri Xibri, si përfaqësues i Sindikatës së Pavarur të
Minatorëve, nuk pranoi për ta firmosur. Të gjithë përfaqësuesit e tjerë
në takim e firmosën këtë deklaratë. Pak orë më vonë, Radiotelevizioni
Shqiptar e transmetoi në emisionin e lajmeve këtë deklaratë duke
censuruar kundërshtimin që i bënë kësaj deklarate përfaqësuesit e
Sindikatës së Pavarur të Minatorëve. Rreth orës 16:00 para kinoteatrit
“Studenti” u mblodhën studentët që do të futeshin në grevë urie.
Studenti Shinjazi Rama del para tyre duke u thënë studentëve grevistë që
të përkulemi para flamurit tonë kombëtar dhe të betohemi që “do të
japim edhe jetën deri në plotësimin e kërkesave tona”, duke qëndruar në
ambientet tepër të ngushta të kinoteatrit. Ashtu ndodhi. Afro 900
studentë grevistë u ngujuan në këto ambiente. Komisioni organizator i
grevës nuk lejoi të hynin në ambientet e grevës operatorët me kamerat e
Televizionit Shqiptar si dhe asnjë qytetar që nuk ishte student ose
pedagog i Universitetit të Tiranës. Në ambientet e Qytetit Studenti u
mblodhën me mijëra e mijëra qytetarë dhe familjarë të studentëve
grevistë, të shqetësuar për të afërmit e tyre. Mbajmë mënd parullat,
qytetarët thërrisnin jashtë në mbështetje të studentëve: “Ejani
mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne”. “Poshtë burokratët” dhe mjaft
parulla të tjera patriotike. Brenda tek studentët hyri vetëm operatori
televiziv i Partisë Demokratike, Agim Buxheli, që kreu filmimet e rralla
të studentëve në ngujuar.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

Një ditë para, e diel, 19 shkurt 1991
(Vangjel Kozma: Në ekranin e TVSH-së, thirrje për protestë)


Përfaqësuesit e shumë sindikatave
të pavarura të krijuara para disa javësh, dhe ishin afro 15 veta, u
mblodhën rreth orës 9:30 tek parku i lodrave pranë Rrugës së Elbasanit.
Aty u vendos që të mbështetej pa rezerva greva e urisë së studentëve.
Për këtë qëllim ata dolën me një thirrje të përgjithshme që u drejtohej
punonjësve të ndërmarrjeve të të gjithë Tiranës që ditën e hënë, më 20
shkurt 1991, të ndërprisnin punën dhe të shkonin të gjithë në ora 10 të
mëngjesit tek Qyteti Studenti në mbështetje të studentëve grevistë. Kjo
do të përkrahej edhe nga populli i Tiranës. Këtë thirrje për njoftim e
dërgoi në Radiotelevizionin Shqiptar Vangjel Kozma. Gjithashtu, po këtë
ditë u bë edhe mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Televizioni Shqiptar dha njoftimin e parë se një grup i madh studentësh
të Universitetit të Tiranës kanë hyrë në grevë urie, duke kënduar këngë
patriotike dhe duke hedhur parulla të ndryshme si nga ana e grevistëve,
ashtu edhe nga qytetarët e Tiranës të mbledhur në Qytetin Studenti.
Rreth orës 15:00 plenumi i KQ-së të PPSH-së del me një deklaratë duke
theksuar se kushtet e jetesës së studentëve janë përmirësuar mjaft dhe u
refuzua kërkesa e studentëve për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga
Universiteti i Tiranës si e pabazuar. Qëndresa e KQ-së mori fund pas dy
muajsh, kur emri Enver Hoxha i Universitetit të Tiranës, u hoq. “Atë
pasdite u mblodhëm një grup qytetarësh të përbërë kryesisht nga ish-të
persekutuar politikë dhe vendosëm që të persekutuarit e Rrugës së
Kavajës dhe të rrugëve të tjera ndërmjetëse mbas mitingut që do të
organizohet nesër paradite në Qytetin Studenti, të jenë sa më të
bashkuar dhe në pararojë të turmës për ta orientuar në drejtim të
sheshit “Skënderbej”, - tregon Saimir Maloku, një prej protagonistëve të
20 shkurtit. “Kishim ndërmend të rrëzonim bustin në qendër të qytetit,
të rrëzonin parullën e madhe tek Pallati i Kulturës dhe të digjnim
veprat e Enver Hoxhës”, -kujton Saimiri. Gjithashtu ai i tregon thirrjet
që të kihet parasysh për të mos rënë pre e provokimeve nga provokatorët
e Sigurimit të Shtetit si dhe të lajmërojnë shtëpi në shtëpi që të ketë
sa më shumë pjesëmarrje. Atë pasdite filluan shenjat e para të urisë
dhe pagjumësisë tek studentët grevistë. Ata morën masa duke bllokuar
derën e kinoteatrit me shufra të trasha hekuri nga ndonjë ndërhyrje e
befasishme e repartit 326 të ndërhyrjes së shpejtë. Një grup gazetarësh
të huaj hyjnë në pasditen e 19 shkurtit në ambientet e studentëve
grevistë. Ata bisedojnë me këta të fundit për kërkesat e tyre si dhe u
japin informacione telefonike dhe televizive agjencive të ndryshme
perëndimore. Ndiheshim më të sigurt që bota ishte e interesuar dhe e
shqetësuar për atë se çfarë po ndodhte në Shqipëri.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

20 shkurt 1991, ishte e hënë
(Rajmonda Bulku: Unë thirra: “Përpara drejt sheshit “Skëndërbej”!”)


Dita e shënuar, erdhi. Dolën jashtë
parashikimeve përmasat që mori kjo grevë e përgjithshme e punonjësve të
Tiranës si për vetë Sindikatat e Pavarura të Punonjësve ashtu edhe për
Partinë Demokratike. Falë organizimit të mirë të sindikatave, sidomos të
atyre të minatorëve, u arrit që të mblidheshin afro 100 mijë veta midis
tyre punëtorë, studentë, pedagogë, qytetarë të tjerë të Tiranës që
protestuan në Qytetin Studenti, në përkrahje të grevës së urisë së
studentëve. Të parët që erdhën ishin minatorët e Valiasit të cilët duke
brohoritur nga Rruga e Durrësit e deri tek Qyteti Studenti arritën të
mblidhnin rreth vetes një turmë prej afro 10 mijë qytetarësh. Në krye të
tyre ishin disa qytetarë si Fiqiri Xibri, Sami Karriqi, Gëzim Kalaja,
Ilir Myftari etj. Rreth orës 10:00 në Qytetin Studenti ndodheshin, duhet
të kenë qenë, 100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin
për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me
promovimin e parullave si: “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”,
“Poshtë diktatura”, “Liri Demokraci”, etj. Në mbarim të fjalimeve të
disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Rajmonda Bulku, duke e
mbyllur mitingun solidarizues, u bëri thirrje protestuesve të shkojnë
tek sheshi “Skënderbej”. Thirrja e Rajmondës u bë në një çast kur u duk
se të gjithë protestuesit e dëgjuan atë. Një grup protestuesish, i
përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së
urisë, nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa
turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik. Në
krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë që
policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

Ora 11:30 tek Liceu Artistik dhe godina e TVSH-së
(Liliana Llapaj: U bëmë qullë nga uji me ngjyrë të kuqe të zjarrfikëses)


Forca të shumta speciale, të
ruajtjes së rendit dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të pajisura me
skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri kishin
bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e
Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim ato kishin bllokuar rrugën
automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e
madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe
hedhëse prej 20-30 metrash duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë
irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek
gardhi i madh i policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Nga
presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan
për tokë. Disa gra protestuese si zonjat Liliana Llapaj, Hyget Borova,
Lida Bezhani, Emanuela Kolonja, Elvira Kambo, Vera Rada etj. u dëmtuan
fizikisht.
Kishte shumë me fëmijët e vegjël të
tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të
vogël, Shkëlzenin. Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo
nuk shpëtoi as Liri Berisha e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe
dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të
hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të
rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e
vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të zmbrapste një pjesë të
protestuesve deri tek ish-Shkolla Kosova ku edhe aty u bënë përleshje
fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.
Ndërsa turma kryesore e
protestuesve prej mijëra vetash duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu
sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë.
Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u
detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit. Këtu policia filloi
të shtënat në ajër, të hedhë gaz lotsjellës dhe të vërë në veprim edhe
qentë e kufirit ndaj protestuesve.
Në këtë moment duhet të
falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit
të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së
tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni”. Këtu u
bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë
edhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura
përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën
pranë godinës së Kryeministrisë duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm
mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5
mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut Qeveritar.
Afro 10 deri 15 ushtarë të forcave
të ndërhyrjes së shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit
të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat
prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve
filluan edhe të qanin. Nxitëm protestuesit që ata të fillonin thirrjet:
“Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë
ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete si dhe nuk lejuan që
të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik,
një turmë tjetër e madhe forcash të ndërhyrjes së shpejtë dhe të rendit,
e shoqëruar edhe me qen kufiri, kishte përçarë dhe ndaluar turmën e
madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti Studenti.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

Afër Bllokut Qeveritar
(Liri Berisha - Si shpëtoi një vajzë të vogël nga qentë e policisë)


Këtu policia tentoi të bënte një
akt barbar. Një oficer policie ekstremist, dalloi Liri Berishën që
mbante për dore djalin e saj 10-vjeçar dhe një vajzë të vogël të quajtur
Xhoi. Vajza me emrin Xhoi kishte humbur nga sytë e prindërve në mes
protestuesve. Liri Berisha e mori vajzën dhe e mbante pranë saj, për të
mos u dëmtuar deri në gjetjen e prindërve. Oficeri i policisë urdhëron
një grup ushtarësh që së bashku me qentë e tyre të kufirit, të sulen
drejt saj. Në këtë situatë tepër të ndezur, një grup grash duke vënë
edhe fëmijët e tyre të vegjël para këtyre ushtarëve me qen kufiri, i
pengojnë ata që të kryenin këtë akt barbar ndaj Liri Berishës.
Fatmirësisht, Liri Berisha me dy
fëmijët e vegjël arriti të largohej duke u strehuar pranë një familjeje
që ndodhej në katin e pestë të një pallati afër Liceut Artistik.
Megjithatë, ushtarët me qentë e kufirit, së bashku me oficerin e tyre,
hipën deri në katin e tretë të asaj shkalle pallati për të kontrolluar,
duke i rënë dyerve e duke bërtitur. Lindita Hamiti, duke mashtruar
forcat e ndërhyrjes së shpejtë tek Liceu Artistik, duke u thënë se gjoja
ishte punonjësve e TVSH-së, bashkohet me grupin tonë të protestuesve
dhe na tregon për këtë akt barbar që kishin dashur të bëjnë ata policë.
Një grup i madh protestuesish, ish-të burgosur e të persekutuar
politikë, nuk lejoi një grup të rinjsh të cilët donin të digjnin dy
makinat IFA të policisë. Një grup punonjësish të RTSH-së, që kishin dalë
për të parë protestuesit dhe për t’i përkrahur ata, duke qenë edhe si
shokë të ngushtë me Saimir Malokun, na porosisin: “Mos shkoni nga
Blloku, sepse atje ka tanke dhe mitraloza dhe mund t’ju vrasin të
gjithëve”. Në këto momente kaq delikate dhe të rrezikshme, për të
shmangur një masakër të pabesueshme dhe të mundshme që mund të ndodhte
tek Blloku Qeveritar, morëm një vendim mjaft të guximshëm dhe Saimir
Maloku nisi të thërriste: “Hajde të shkojmë tek sheshi për të rrëzuar
monumentin”. Gjithashtu, shkuan një grup burrash dhe grash që t’i bënin
thirrje turmës së protestuesve të mbledhur pranë Kryeministrisë që të
ktheheshin mbrapsht dhe të niseshin në drejtim të sheshit “Skënderbej”
nga drejtimi i rrugës mbrapa Piramidës.
Për të nxitur dhe entuziazmuar
grupin e protestuesve që po mblidheshin shpejt e shpejt dhe sa më shumë,
Saimir Maloku dhe shumë qytetarë të tjerrë thërrisnin: “Hajdeni t’ia
bëjmë Enverit si Stalinit, t’ia rrëzojmë monumentin si dhe t’ia djegim
edhe librat tek librari ‘Flora”.
Në këtë moment afrohet një djalë i
ri me flokë të gjatë, që mbante një rrip të kuq në ballë, dhe na thotë:
“Unë kam bërë një parullë të madhe ku shkruhet “LIRI – DEMOKRACI”. Ai
djalosh i rritur jetim, quhej Albert Risilia dhe banonte në konviktin e
jetimëve pranë Qytetit të Nxënësve. Natën ai kishte hequr perden e madhe
prej bezeje të dritares se dhomës së tij dhe mbi të kishte shkruar me
bojën e këpucëve, parullën “LIRI – DEMOKRACI”.
Grupi i madh i të persekutuarve
politikë si dhe mjaft protestues iu bashkuan thirrjes për të marshuar
drejt sheshit për të rrëzuar monumentin e diktatorit komunist. Të gjithë
filluan të bërtisnin njëzëri duke ftuar që me ta të bashkoheshin edhe
mijëra protestues të tjerë që ishin të bllokuar nga policia midis
godinës së Kryeministrisë dhe hotelit “Rogner” (sot).
Në krye të turmës printe grupi i të
persekutuarve politikë (kryesisht i Rrugës së Kavajës) dhe i qytetarëve
të tjerë të përbërë nga Albert Risilia, Ardian Heta, Xhovalin (Asim)
Çokani, Hyget Borova, Sanije Vojka, Astrit Hatellari, Vera Rada, Lida
Bezhani, Lindita Hamiti, Liliana Llapaj, Indrit Sukaj, Ilir Çumani,
Gëzim Vojka, Hysen Hamiti, Gjolek Aliu, Arben Beli, Arben Rama, Seit
Mici, Hajredin Fratari, Xhemal Zhuri, Luigj Bytyçi, Maksim Çali, Bashkim
Ademi( i vdekur), Durim Hoxha, Hajrije Hasanaj, Ismete Rushiti, Zyhra
Izeti, Agron Spaho, Dorant Vojka, por dhe shumë të tjerë. Turma e madhe e
protestuesve prej afro 2 mijë vetësh lëvizi dhe u drejtua për në
sheshin “Skënderbej”, nëpërmjet itinerarit, që fillonte nga prapa
Piramidës, Ura e Lanës, hotel “Dajti”, Ministria e Mbrojtjes e deri tek
stacioni i autobusit pranë Bankës Kombëtare. Në krye të turmës ishte
edhe një fotoreporter i huaj (spanjoll). Parullat nuk pushonin.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

Ora 13:00, datë 20 shkurt ’91, sheshi “Skënderbej”
(Adrian Heta: Unë në makinën që rrëzoi bustin e Enverit)


Turma e protestuesve qe dhe më
energjike kur arriti në sheshin “Skënderbej” për t’u vendosur afër
monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të
policisë dhe i forcave të ndërhyrjes së shpejtë që ndodheshin pranë
sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u
vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin
nga Qyteti Studenti. Në sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë
dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë
Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish
që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek
lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së Elbasanit. Pastaj pasi
kaluan pranë godinës së baskisë, u vendosën rreth monumentit të
Skënderbeut. Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruara me
qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar,
filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për
t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe
zjarrfikësen e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe që njolloste
rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar
tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të
armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun
Qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën
tek sheshi “Skënderbej” për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të
Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga
shatërvani, por u zmbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të
policisë qarkullonin nëpër sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave
për t’u bërë protestuesve presion psikologjik. Një djalë i ri, i quajtur
Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej
pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por,
pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.
Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti Studenti dhe vendoset
përreth sheshit “Skënderbej”.
Ndërmjet protestuesve (banorë
kryesisht në Rrugën e Kavajës, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”,
Kombinat etj.) që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të
diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht,
duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të zmbrapsur dhe për
t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej
ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo
monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir
Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të
gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me
snajperë sipër Pallatit të Kulturës, hotel “Tiranës”, Muzeut Historik
Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të
rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të
krijohej mundësia.
Minutë pas minute shtohej numri i
protestuesve në shesh. Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u
prapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me
fishekë manovër (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb
brenda)”. Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të
policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të
madh forcash speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj
gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek
monumenti.
Ndërkohë sheshi “Skënderbej” ishte
mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e
përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne; Të hiqet
qelbësira, Liri – Demokraci” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetësh
shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit
të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve
dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat speciale, të ruajtjes së rendit
dhe të ndërhyrjes së shpejtë, të armatosura me shotgun dhe armë të
ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin
herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq protestuesit i
kundërpërgjigjeshin duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu
lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të
shumta të ushtrisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë me qen kufiri. Një
protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së
Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të
Rrugës së Durrësit dhe të Kavajës etj., policia kishte vendosur snajperë
dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve policia dhe
Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin
për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementeve të rrezikshëm
rebel. Por përpjekjet e policisë dhe të forcave të ndërhyrjes së shpejtë
ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve të cilët u sulën nga
të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit duke
bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot i
sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte
protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i
quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të
turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i
Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë.
Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë ambulancës nr, 5
që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar
tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë për tokë. Gjashtë
qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e
nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me
forcat speciale tek monumenti qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të
njohur prof. dr. Hysen Heta) mori një makinë IFA të braktisur, që
ndodhej në sheshin “Skënderbej”. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA
dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë
zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe.
Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty
pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e
protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e
tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e
transportojnë në spitalin ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina,
shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të
nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u
kthye me makinën përsëri në shesh.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

Ora 14:00, 20 shkurt ‘91- Rrëzohet Enveri
Astrit Hatellari: Unë vura litarin në grykën e diktatorit


Një grup i madh qytetarësh ishin të
vendosur pranë vendit ku qëndronte akoma monumenti i diktatorit
komunist. Nga Rruga e Durrësit vijnë dy djem të rinj me një rrotull
litari prej liri. Po në këtë kohë mbërrin tek sheshi “Skënderbej” makina
IFA e drejtuar nga Ardian Heta. Ai e drejton makinën drejt e tek vendi
ku ndodhej monumenti i diktatorit. Pastaj një grup njerëzish ndihmojnë
Astrit Hatellarin që të vendoste litarin tek monumenti i diktatorit.
Përpjekja e parë dështon sepse litari shkëputet. Nga makina sjellin një
kavo çeliku jo shumë të gjatë të cilën e lidhin me litarin. Në
përpjekjen e dytë, Astrit Hatellari i ndihmuar edhe nga një qytetar
tjetër e vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë e ulur poshtë,
të monumentit të diktatorit. Pastaj i larguam të gjithë njerëzit, që të
mos dëmtoheshin nga rreziku i shembjes së monumentit gjigant. Makina e
tërheq 3-4 herë monumentin e derdhur në bronz të diktatorit komunist, i
cili bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar. Afro 100 mijë
vetë që ndodheshin tek sheshi “Skënderbej”, duke u përqafuar me
njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarje të papërsëritshme,
filluan të brohorasin të entuziazmuar tej mase. Ra simboli i komunizmit.
Gjatë kohës së rrëzimit të monumentit vazhdonin punimet e Komitetit
Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Hekuran Isai, në atë kohë
ministër i Brendshëm, duke informuar për situatën e krijuar Ramiz Alinë,
thotë se megjithëse ka një ligj për mbrojtjen e monumenteve, unë nuk
mund të shkoj deri në masakër ose në gjakderdhje ndaj popullit. Ramiz
Alia e miraton. Duke kujtuar momentin e inaugurimit të këtij monumenti
gjigand të diktatorit komunist, militantët ekstremistë komunistë
bërtisnin: “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”. Ndërsa në momentin që do
të rrëzohej ky monument, populli demokrat i Tiranës me entuziazëm të
papërshkruar bërtiste: “Ta heqim, ta heqim qelbësirën”. Njerëzit nga
kureshtja e madhe shkuan tek koka e monumentit të diktatorit dhe me
veprime nga më të çuditshme shprehnin urrejtjen e tyre të madhe ndaj
tij. Pastaj protestuesit i vënë kavon kokës së këtij monumenti gjigand.
Makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta i shoqëruar në kabinë nga shoku i
tij, Indrit Sukaj, e tërheq zvarrë këtë monument gjigand përgjatë
sheshit “Skënderbej”. Mbi makinë dhe mbi monument, rrinin të ulur njerëz
të shumtë. Gjithë populli i Tiranës, që ndodhesh në sheshin
“Skënderbej” e shoqëronte kamionin me thirrje dhe brohoritje të shumta.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

20 shkurt ‘91- Busti zvarrë tek studentët
(Sulo Jaupaj: Me autobusin e minierës hoqa zvarrë Enverin)


Pas gjithë këtyre, makina IFA e
drejtuar nga Ardian Heta vazhdon itinerarin në drejtim të Rrugës së
Elbasanit. Pesëdhjetë metra larg nga godina e ish-të përndje****e
politikë (sot), shkëputet busti nga pjesa tjetër e monumentit gjigand të
diktatorit. Gjithashtu makina IFA pëson defekt (i digjet freksioni) për
arsye të peshës së madhe të demonstruesve të hipur mbi makinë dhe mbi
monumentin e diktatorit. Turma e demonstruesve shkëpusin kavon nga
makina dhe fillojnë të tërheqin vetë bustin e diktatorit deri pranë
parkut të lodrave në Rrugën e Elbasanit. Gjithashtu, tek pjesa e mbetur e
monumentit të diktatorit, nga këmbët deri tek gjoksi, afrohet një skodë
e parkut të mallrave me shofer Sulo Jaupaj. Shumë demonstrues e lidhin
këtë pjesë të mbetur të monumentit me skodën. Shoferi Sulo Jaupaj me
makinën e tij lëviz afro dy kilometra nëpër rrugët e Tiranës i
përshëndetur nga mijëra qytetarë. Në pjesën malore të Rrugës së
Elbasanit për t’u ardhur në ndihmë demonstruesve të lodhur vjen një
autobus me ngjyrë të kuqe që ishte i punëtorëve të minierës së Kërrabës.
Kjo makinë drejtohej nga një shofer zeshkan 50-vjeçar, që quhej Hysen
Alla. Autobusi ishte i mbushur me minatorë. Minatorët dhe protestuesit e
lidhën shpejt e shpejt bustin e diktatorit pas autobusit. Pastaj, Hysen
Alla e drejton makinën e tij për tek godina e studentëve grevistë. Kur
autobusi mbërriti atje, shpërtheu një gëzim i jashtëzakonshëm midis
studentëve grevistë të urisë të ngujuar dhe protestuesve. Busti i
diktatorit u la i varur lart tek godina e studentëve grevistë.
Pasdite, mjaft qytetarë mblidhen
përsëri tek sheshi “Skënderbej”. Shumë prej tyre filluan të thyejnë
bazamentin prej mermeri të errët të ish-monumentit të diktatorit. Mbasi u
errësua, minatorët e Kërrabës e rilidhën përsëri bustin e diktatorit
tek autobusi i tyre. Pas kësaj, autobusi me disa minatorë brenda vazhdon
itinerarin për tek Rruga e Kavajës. Në zonën pranë ambasadave, policia
gjuan me snajperë autobusin dhe i thyen dy xhama. Arrestohen dhjetë
minatorë, midis tyre zotërinjtë Hysen Alla, Vladimir Xhillari, Agim
Abazi, Arben Lame, Luan Paja (ish-themeluesi i degës së PD-së për
minierën e Kërrabës, i vdekur) etj. Po atë ditë në qytetet e
Gjirokastrës dhe të Korçës rrëzohen monumentet e diktatorit komunist.
Radiotelevizioni Shqiptar si dhe agjencitë e huaja të lajmeve jepnin
njoftimin se në Tiranë, në mesditë, u rrëzua monumenti gjigand i
diktatorit komunist. Në ora 20:00 shfaqet në televizionin shqiptar Ramiz
Alia, ish-President i Republikës, i cili në një prononcim të tij publik
ndër të tjera thotë: “Sot kryeqyteti ynë kaloi një nga ditët më
dramatike dhe të rënda të jetës së tij. Turma të irrituarish, duke
humbur çdo arsye logjike kaluan në akte vandalizmi dhe arritën të
rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës”. Pas orës 21:00 të asaj nate dhe në
ditët në vazhdim, policia dhe Sigurimi komunist bazuar në filmimet e
kamerave sekrete dhe nga të dhënat e informatorëve të tyre të infiltruar
midis protestuesve, arrestoi rreth 300 protestues. Ndër ta, afro 70
veta u dënuan me burgime të ndryshme me akuzat për grumbullime të
paligjshme, shkatërrim monumentesh dhe goditje të përfaqësuesve të
shtetit. Me qindra qytetarë të tjerë u pushuan nga puna.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

E martë, 21 shkurt 1991- Digjen veprat, rrëzohet parulla
(Xhovalin Çokani: Me veglat e hidraulikut hoqa vidat e “lavdisë” në Pallatin e Kulturës
)

Me dhjetëra mijëra protestues
ndodheshin paradite tek Ura e Lanës pranë hotel “Dajtit” me qëllim që të
sulmonin Bllokun Qeveritar, ngaqë ishin përhapur lajme të rreme sikur
Ramiz Alia kishte dhënë dorëheqjen si President i Republikës. Për të
penguar protestuesit që të realizonin qëllimin e tyre, ishin të
angazhuar forca të shumta të policisë dhe të ndërhyrjes së shpejtë të
shoqëruara edhe me tanke të pajisura dhe me mitraloza të rëndë. Në këto
momente tepër të acaruara pranë demonstruesve rastësisht vjen Neritan
Ceka (ish-drejtor i Institutit Arkeologjik dhe anëtar i kryesisë së
PD-së) i cili me një megafon në dorë dhe hipur në një makinë u bën
thirrje protestuesve që të ktheheshin tek sheshi “Skënderbej” që të
shmangej gjakderdhja. Turma e protestuesve prej afro 50 mijë vetësh u
bashkua thirrjes së tij dhe u drejtua për në sheshin “Skënderbej” duke
bërtitur: “Poshtë burokratët; Nuk duam gjak etj”. Në këtë kohë një grup i
madh protestuesish kryesisht ish0të burgosur politikë të Rrugës së
Kavajës u bëjnë thirrje protestuesve që të shkojnë të djegin veprat e
diktatorit komunist pranë dyqanit “Flora” që ndodhej në krye të Rrugës
së Dibrës, fare pranë sheshit “Skënderbej”. Turma e protestuesve e
irrituar së tepërmi, drejtohen për tek librari “Flora” dhe pasi
shpërthyen derën, rrëmbenin veprat e diktatorit komunist. Ata filluan
t’i grisnin këto libra dhe pasi i grumbulluan aty pranë Rrugës së Dibrës
i vunë flakën duke krijuar një zjarr gjigand i cili vazhdoi të digjej
për disa orë. Gjithashtu një grup tjetër nisen në drejtim të Pallatit të
Kulturës për të hequr parullën “Lavdi Partisë së Punës së Shqipërisë”.
Tek Pallati i Kulturës nuk kishte policë. Duke përfituar nga ky rast,
Xhovalini, që kishte me vete një çantë me çelësa të mëdhenj mekanikë, së
bashku me një qytetar tjetër e me ndihmën e disa protestuesve, hipën me
shumë vështirësi në tarracën e Pallatit të Kulturës duke u kacavjerrë
pas disa hekurave që ndodheshin në pjesën e mbrapme të shkallëve të
këtij pallati. Xhovalin Çokani lagu me alkool metilik bulonat e dadot e
ndryshkura që mbanin gërmat metalike gjigande që formonin parullën afro
50 metra të gjatë, e vendosur sipër Pallatit të Kulturës. Pastaj ai i
bëri një zbërthim provizor këtyre dadove. Në të njëjtën kohë ai u
bërtiti nga lart qytetarëve protestues që ndodheshin në shkallët e
Pallatit të Kulturës të spostoheshin më tutje, në mënyrë që të mos binin
sipër tyre gërmat gjigande metalike të parullës. Ishte afërsisht ora 12
kur Xhovalini, i ndihmuar dhe nga qytetarë të tjerë, filluan të
rrëzonin një nga një këto gërma gjigande metalike të parullës “LAVDI
PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË”. Një gëzim i jashtëzakonshëm përshkoi
mijëra qytetarë protestues të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, sepse
populli rrëzoi dhe hoqi simbolet kryesore të diktaturës komuniste.
Populli demokrat i Tiranës në momentin e rrëzimit të monumentit të
diktatorit komunist lutej... liria erdhi.
E.Kapri
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Përgjigje e: 91-shi Rrazimi i diktatorit

Edhe pas kaq vitesh kjo histori të mban në ankth kur e lexon, un e kam pare nga larg në atë kohë duke e ndjekur nepermjet televizionit, kam qene vetem 10 vjec. Kane qëne të guximshëm, kishin një qëllim të drejt dhe unik në të kohë, dhe kur qëllimi është i drejte, populli fiton.
Sa e trishtueshme është kur shikon ca potagoniste të kësaj ngjarieje se sa kane ndryshuar, ndryshuan si njerëz dhe ndryshuan qëllimet për të cilën protestuan në to vite.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Hyrja ne ambasada!

Hyrja ne ambasada!





2 Korrik 1990 - Hyrja ne ambasada

Dy korriku është kthyer tanimë në një datë për të përkujtuar
djemtë dhe vajzat, gratë dhe fëmijët që kërkuan tempujt e shpresës duke
hyrë në ambasadat e huaja, sepse pikërisht në këtë datë është realizuar
një përleshje e ashpër ndërmjet njerëzve të thjeshtë dhe strukturave
policore të diktaturës.

Por, në fakt, hyrja nëpër ambasada kish filluar dymbëdhjetë ditë më
parë, më datë 20 qershor, kur autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i
drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi rastësisht pranë mureve të
ambasadës greke. Më pas, më 23 qershor, skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos
Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen, rreth
orës 18.00, skoda e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të
ambasadës gjermane duke e shembur atë. Pas datës 20 qershor deri në 6
korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja,
ku veçohet kapërcimi i ambasadës turke, me anë të makinës së plehrave
që në një farë mase konsiderohej një spektakël. Përveç ambasadës kineze
dhe kubaneze, të cilat nuk i pranuan bujtësit, duhet thënë se të gjitha
ambasadat e tjera reflektuan një bujari dhe mikpritje, e cila nuk duhet
të harrohet nga politika e sotme shqiptare. Hyrja nëpër ambasada vazhdoi
gjithashtu edhe pas datës 2 korrik, por kjo hyrje është bërë lehtësisht
nën vëzhgimin e policisë, e cila për disa ditë rresht kishte marrë
urdhër të mos reagonte më.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Hyrja ne ambasada!

10 - 20 qershor, plane të dështuara

Pas Popajve legjendarë të ambasadës italiane, tentativa e parë për
kapërcimin e mureve u bë në ambasadën greke dhe gjermane. I pari që
tentoi të kapërcente muret e ambasadës greke ishte një banor nga Narta e
Vlorës, të cilin policët arritën ta kapnin pikërisht ndërsa përgatitej
të gjente tangjenten fatale të lartësisë së murit, dhe duke e tërhequr
me forcë, pasi e shtrinë përtokë, e goditën rrufeshëm me grushte dhe
shkelma derisa i ra të fikët. Akoma edhe sot nuk është bërë ende publik
emri i njeriut nga Narta për të cilin muri që kishte ëndërruar si limit
shpëtimi u kthye papritur në një qeli burgu ose në një mur pushkatimi.
Gjithashtu, një tentativë grupi për të hyrë në ambasadën gjermane kishte
dështuar. Duhet shënuar se ato ditë thuhej që në "ambasadën franceze ka
mundur të hyjë një njeri", por kjo gjë qarkulloi në formën e legjendës,
pa u konfirmuar ndonjëherë saktësisht. Gjatë këtij dhjetëditori u
synuan edhe disa ambasada të tjera në rrugët më të përshtatshme, por pa
rezultat.


Goditja e parë, 20 qershor

Autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga 30-vjeçari Bujar
Alikaj, më datë 20 qershor të vitit 1990 në orën 07.40, pasi kishte çuar
në punë gratë punëtore të xhenios, u drejtua për tek ambasada greke,
duke ndaluar në murin anësor të saj. Brenda, përveç Bujarit, ishte edhe
Edmond Vokshi, i cili pas një tentative për kapërcim kufiri në Tropojë,
së bashku me gruan shtatzënë dhe djalin e vogël, ishte dënuar me dhjetë
vjet burg. Ndërsa gruaja me punë korrektonjëse. Pasi hapën kapakun e
sipërm të autobusit, ata kapërcyen murin rrethues, duke u bërë kështu dy
banorët e parë të kozmosit të ndaluar deri atëherë. Më 28 qershor në
ambasadë hyri edhe gruaja e Mondit së bashku me fëmijët. Por, si u
përgatit aksioni i hyrjes. "Një ditë më parë unë isha takuar me
Leonidhën (shefi i sigurimit të ambasadës) në hotel 'Dajti', ku e kisha
parashikuar për herë të dytë pikësynimin tim përfundimtar. Pasi më parë e
kisha takuar te pishinat, - thotë Bujari. - Në këtë takim të dytë
Leonidha më tha se 'për t'ju dorëzuar, nuk ju dorëzojmë kurrë, por data e
nisjes suaj do të varet nga rrethanat e zhvillimeve të mëvonshme'.
Kështu, të nesërmen, me të mbërritur në ambasadë, dy të rinjtë morën
kontakte me personelin dhe gjithçka u rakordua brenda pak minutave.
"Ndërkaq, nga territori i ambasadës gjermane kapërcyen dy të rinj të
tjerë, Ardi dhe Bimi, të cilët pasi kaluan murin rrethues të gjermanes, u
hodhën përsëri për tek grekja, - thotë ai. - Ambasadori gjerman
mbërriti menjëherë në ambasadën greke duke na thënë se kush dëshironte
të qëndronte tek ai, mund të vinte menjëherë, por ne na premtuan në
ambasadën greke për kushte të mira, banesë dhe punë sapo të vinim.
Kështu që qëndruam të gjithë atje". Ndërkaq, në kryeqytet kjo ngjarje
bëri një bujë të jashtëzakonshme si te njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe
në instancat qeveritare. Mbahet mend se në Teatrin Kombëtar, ndërsa po
vihej afishja që paraqiste shfaqjen e një komedie të re, njëra nga
aktoret më të njohura të vendit, Eva Alikaj, u tha me zë të lartë
organizatorëve: "Hiqeni fare afishen e komedisë, sepse tani të gjithë
shqiptarët janë duke vuajtur fatin e tyre të zi dhe ata nuk mund të
detyrohen të qeshin përpara kësaj gjendjeje".
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Hyrja ne ambasada!

23 qershor, sulm mbi ambasadën italiane

"Në orën 22.00 një tjetër ngjarje e bujshme ndodhi në ambasadën
italiane, kur skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e
hekurit duke u futur në mjediset e brendshme të saj. Në këtë makinë
ndodheshin, përveç shoferit Burhan Kalaja, edhe Gëzim Tota, Ilia Miri,
Luli e disa të tjerë. Në fakt LIAZ-i kishte tentuar një herë shumë orë
më parë, por kishte ndërruar destinacion për shkak se përpara portës
qëndronin ulur disa policë, të cilët mund të rrezikonin jetën duke
përfunduar në rrotat e makinës. Pas ngjarjes në ambasadën greke, kjo
ishte një iniciativë që tronditi rëndë sistemin e kohës. Unë kisha
biseduar më parë me përfaqësues të ambasadës dhe me një gazetar, të
cilët më kishin siguruar se nuk do të na dorëzonin," ka thënë për këtë
ngjarje njëri nga protagonistët e saj, gazetari Luan Laze. Ndërsa Burhan
Kalaja, në letrën që i dërgonte dy ditë më parë Bujar Alikajt në
ambasadën greke nëpërmjet Leonidhës, shkruan se këto ditë do të hyjnë
patjetër në ambasadën italiane, sepse ky sistem duhet shembur.


Thasë rëre dhe qingja në tokën gjermane

Pa u lënë frymë strukturave të shtetit të organizoheshin, më 2 korrik
muri i ambasadës gjermane u shemb nga një skodë në të cilën ndodheshin
rreth 20 veta, burra, gra dhe fëmijë. Përpara turirit të makinës ishin
vendosur thasë rëre, ndërsa sipër saj, në formën e ushqimeve paraprake,
kishin marrë edhe disa dele. Megjithëse gjithçka ishte planifikuar me
hollësi, ndodhi që muri rrethues nuk ishte mur me tulla teke, por dopio.
Kështu që pas goditjes së tij, shumë nga të pranishmit u gjakosën në
fytyrë dhe në trup. Ashtu të gjakosur ata kapërcyen murin e shembur,
duke shënuar kështu kuotë të re për shembjen e diktaturës. Duhet thënë
se brenda në ambasadë ndodhej një grup të rinjsh, pasi Ivi së bashku me
shokët e tij kishin kapërcyer murin më parë.


Arratisje me makinën e plehrave

Në ambasadën turke arratisja u krye në mënyrë spektakolare, nëpërmjet
makinës së plehrave. Duke pastruar plehrat e qytetit, njerëz të veshur
si punëtorë të komunales zbarkuan në ambasadën turke duke shënuar një të
papritur të re. Më pas, së bashku me të ardhurit e tjerë që kishin hyrë
më parë, Koli, Mondi, Ganiu, Fredi, Ardi etj. ata morën vizat tranzit
për në Greqi dhe natën e fundit fjetën në hotel "Arbëria", ku duke
pritur mëngjesin nuk vunë gjumë në sy.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Hyrja ne ambasada!

2 korrik, luftë para ambasadave

Hyrja më 2 korrik u realizua në orët e mbrëmjes nëpërmjet një
përleshjeje të vërtetë midis njerëzve që donin të iknin dhe forcave
policore, që kishin marrë detyrë të ndalonin me armë hyrjen në ambasada.
Në këtë përleshje pati edhe shumë të plagosur, por qarkullojnë fjalë
edhe për një numër enigmatik të vdekurish. Nga ana tjetër, njerëzit e
policisë arrestonin pjesëmarrës të ndryshëm dhe i fusnin në makina, të
cilat nxitonin nëpër rrugë, por edhe sot e kësaj dite asnjëri nuk e di
destinacionin e tyre. "Unë shikoja që nga kangjellat e ambasadës greke
këtë luftë të vërtetë dhe mund të them se njerëzit plagoseshin prej
zjarrit policor ose goditeshin fizikisht me grushte dhe shkelma, pastaj
ngarkoheshin nëpër makinat ushtarake tip IFA, por nuk e di ku
përfundonin," thotë një përfaqësues i trupit diplomatik. Në dëshmi duhet
shtuar se dy kameramanë të policisë së fshehtë filmonin të gjitha
fytyrat e pjesëmarrësve në këtë përleshje.


2 ditë më pas

Ishte dhënë një urdhër tjetër, me anë të të cilit të gjithë ata që donin
të hynin ishin krejtësisht të lirë për ta bërë këtë gjë. Madje, nën
sytë e policisë njerëzit ngjiteshin dhe zbrisnin prej kangjellave, duke u
kthyer në shtëpi për të ngrënë drekë ose për t'u lënë ndonjë porosi
pjesëtarëve të tjerë të familjes. Kishte edhe raste kur njerëzit që
kalonin andej rastësisht, pa ndonjë dëshirë për t'u futur në ambasada,
ngacmoheshin prej policit përkatës: "Në qoftë se do të hysh, kapërce nga
pjesa anësore e murit".


Pasojat e familjarëve

Babai i Bujarit, Ymer Alikaj, kishte qarë vetëm një herë në rininë e
tij, atëherë kur fashistët gjermanë kishin bastisur zonën dhe kishin
vënë para murit të pushkatimit disa pjesëtarë të familjes. Për herë të
dytë Ymeri qau fshehurazi më 21 qershor, jo aq për heqjen e teserës së
partisë, sesa për faktin që idealet komuniste që kishte mbrojtur kishin
shkatërruar perspektivën e jetës së fëmijëve të tyre në atë masë saqë në
semaforin e viteve '90 nuk dukej asnjë dritë jeshile. Përveç kësaj,
ingranazhet e diktaturës qysh më datën 22 qershor përjashtuan nga puna
si mësuese fshati në Vlorë motrën e Bujarit. Gjithashtu, me familjet e
Fatosit, Kastriotit, Burhanit, Edmondit, Fredit, Ilirit etj. ndodhi e
njëjta gjë: përjashtim nga puna dhe akuzë e rëndë për njollosje
biografie. Mbledhjet që dukeshin sikur ishin harruar disi, rifilluan
përsëri në këtë periudhë me një intensitet të paparë. Nga kupola
komuniste ishte dhënë një urdhër i prerë për masat ndaj familjeve të të
i****e: përjashtim nga partia dhe largim nga puna në rastet kur bëhej
fjalë për funksione ose punë intelektuale, por me sa duket ishte tepër
vonë që diktatura të kamuflonte kafshimin e saj të helmuar. Kjo sepse
familjarët, pasi dilnin nga mbledhjet e organizatave ku ishin
përjashtuar për shkak të veprimit të fëmijëve, papritur takoheshin në
rrugë me njerëz të thjeshtë, të rinj ose të vjetër, që i pyesnin "Si
është djali?" dhe u jepnin zemër: "Mos u mërzit, im bir ka vendosur të
futet nesër në ambasadë".
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Hyrja ne ambasada!

Trajtimi...

Në ambasada kishte një dyndje të jashtëzakonshme. Kuptohet që
vështirësia ishte më e madhe për furnizimin me ushqime, por ato ambasada
ku kishte një numër më të kufizuar, kushtet konsideroheshin më komode.
Kështu, në ambasadën gjermane dhe italiane kishte më shumë probleme në
ndarjen e ushqimeve, por duhet thënë se përkushtimi i personelit të
mbetur (një pjesë e madhe e punonjësve të ambasadave ishin larguar)
ishte në shkallën maksimale. Ndërsa në ambasadat turke, franceze, greke,
çeke etj. ishte më e lehtë për të përballuar tranzicionin e pritjes dhe
ndonjëherë ndodhte që refugjatët e ambasadës greke ndihmonin të afërmit
në ambasadën fqinje me cigare, ushqime etj., por kjo ndodhi vetëm për
njëfarë kohe, sepse pastaj nuk na lejonin më - thotë Edmondi. Dita
gjithsesi ishte më lehtë për t'u kaluar, kurse nata më e vështirë.
Ndodhte që natën policia e fshehtë shqiptare ngjitej në kangjellat e
ambasadës duke u folur individualisht njerëzve që qëndronin aty.
"Arbenit i ka vdekur nëna", "Iliri ka motrën të sëmurë" , ose "Dilni,
sepse ata kanë vendosur t'ju bëjnë sapun, njëlloj si dikur në kampet e
përqendrimit" etj. etj. Përveç kësaj, ndonjëherë vinin njerëzit e
shtëpisë të nxitur nga shteti, të cilët u bënin thirrje të afërmve për
të dalë. Në të gjitha rastet ne ishim të vendosur të qëndronim, por
kishte ndonjë që edhe dilte për arsye të ndryshme, - thotë Edmondi.


Finalja Gjermani-Argjentinë

Ndeshja finale Gjermani-Argjentinë për herë të parë në kryeqytetin
sportdashës të Shqipërisë u përcoll me një interes të paktë nëpër
familje. Zërat e njerëzve ishin mekur plotësisht nga zhvillimet e fundit
dhe shumë pak e kishin mendjen te futbolli. Kur u shënua goli i
gjermanëve, tek-tuk u dëgjua ndonjë britmë entuziazmi, sepse kryeqyteti
jetonte orët e tij më të vështira. Por pikërisht që nga ambasada
gjermane papritur oshëtinin zërat e të ngujuarve që thërrisnin
"Gjermani, Gjermani". Dhe në çastin e golit ky entuziazëm arriti kulmin.
Atëherë njerëzit që banonin në qendër dolën në rrugë dhe më shumë sesa
ndeshjen e futbollin dëgjonin oshëtimat e të ngujuarve, me shpresën e
kotë se mund të dallonin zërat e të afërmve. Atë ditë i gjithë
kryeqyteti shqiptar ishte me skuadrën e Gjermanisë, po në atë masë sa
ç'mund të ishte me Italinë, Greqinë, Francën, Çekinë, Turqinë etj., po
qe se do të luanin në finale.


Lamtumirë, do të kthehemi!

Në mëngjes, që pa gdhirë dita, autobusët u ngarkuan me refugjatë duke u
nisur drejt Durrësit. Njerëzit e tjerë, familjarë ose të afërm, kishin
bllokuar trotuaret e rrugës Kombinat-Plepa, duke pritur përfundimin e
enigmës, por papritur u dha një urdhër që autobusët të kalonin nga rruga
tjetër drejt Durrësit, duke parakaluar Laprakën. Me gjithë këtë
devijim, edhe ato pjesë të rrugës ishin mbushur plot e përplot me
familjarë të të i****e. Në Maminas autobusët janë ndalur përreth çerek
ore. Gjatë kësaj ikjeje refugjatët hiqnin bluzat, orët, unazat etj. të
cilat i hidhnin rrugës me ndonjë mbishkrim të thjeshtë, si "Nënës sime
si kujtim", duke shkruar gjithashtu ndonjë adresë. Ndonjëherë thonë se
në Tiranë, ku ashtu si kudo ekzistojnë vjedhjet dhe plaçkitjet, po të
humbi diçka nuk e gjen kurrë më. Por atë ditë ndodhi krejt ndryshe. Atë
ditë kur kombi kishte humbur një pjesë të ndërgjegjes së tij, sendet e
tjera apo florinjtë nuk kishin vlerë. Atë ditë nuk humbi asgjë, sepse të
gjitha sendet mbërritën brenda ditës në destinacionet e adresuara.
Njerëz që trokisnin nëpër dyer për të sjellë sendet e gjetura,
pëshpërisnin me lot në sy fjalët: "Kërkoja një shenjë të tim biri, por
gjeta një letër të djalit tënd dhe duke e shtrënguar në gjoks, qava
njëlloj si për fëmijët e mi". Ndërkaq, në portin e Durrësit njerëzit e
policisë shihnin me urrejtje të rinjtë që largoheshin. "Ikni, por të
paktën mos flisni kundër pushtetit," tha njëri prej njerëzve të
policisë. "Deri tani kemi dëgjuar se si keni folur ju, ndërsa tani ka
ardhur koha të flasim ne për të thënë të vërtetën," është përgjigjur
atje Ilir Demalia.
 

Kryeplaku

Kryeplak
Anëtar
Feb 1, 2011
Postime
1,761
Pikët
0
Vendndodhja
Albania
Ramiiz Alia (Fjalimi me studentet )

Ramiz Alia me studentet!

( Fjalimi )


Botohet për herë të parë e pacensuruar, një prej
ngjarjeve kryesore post-komuniste. Bëhet fjalë për takimin e studentëve
me Ramiz Alinë në 9 dhjetor 1990.
Cilët ishin ata studentë që shkuan e u përballën me Ramiz Alinë? Çfarë
i thanë ata njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri pas Enver Hoxhës, pa
ardhur ende pluralizmi në Shqipëri? Cilat ishin debatet e para, mungesa
e njohurisë, por edhe guximi i të rinjve që shkuan dhe debatuan për
katër orë e gjysëm në zyrë me Ramiz Alinë?
Gazeta Shqiptare, falenderon ish kryeministrin dhe ndër të parët
themelues të Partisë Demokratike, Aleksandër Meksin, që disponon të
plotë gjithë materialin, jo vetëm të regjistuar, por edhe tashmë të
hedhur në letër, duke e sjellë këtë material për lexuesit tanë, ashtu
sikurse ka qenë atëherë, pa deformime, shtrembërime, apo ovacione për
Ramiz Alinë në atë kohë.
Në fakt, biseda prej katër orësh është shumë e gjatë. Aleksandër Meksi,
do ta botojë atë të plotë siç është në librin e tij që do të botojë në
fillim të vitit tjetër “Dhjetor ’90-Dokumente e Materiale”, me ngjarje,
kujtime, shënime, por më së shumti siç thotë Meksi, me dokumente të
faktuara, të cilat nuk lejojnë në asnjë rast shtrembërimin e historisë.

Nga pjesa e parë që do të lexoni sot në gazetë, do të kuptoni sesa të
rëndësishme ishin bisedat e para të studentëve me Ramizin, cilët ishin
ata që kishin më shumë kurajo në atë kohë, kur në fakt, gjendeshin
gjithmonë përballë presionit se “mund të futeshin edhe në burg”. Pasi
demokracia, ende nuk ishte shpallur.


Ramiz Alia: Si jeni ju mirë jini? Tashti të filloj unë një çikë, do më
dëgjoni mua njëherë dhe pastaj të shikojmë të flisni juve. Se desha
t’ju njoftoj përpara se sot kishte një mbledhje të Pleniumit të
Komitetit Qendror të Partisë dhe prandaj desha t’ju njoftoj se çfarë ka
vendosur Pleniumi i Komitetit Qendror.
Pleniumi i Komitetit Qendror shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi
masat përkatëse për përmirësimin e saj. Lidhur me sa më sipër u vendos:

E para Në qershor të vitit 1991 të mblidhet kongresi i 10-të i zakonshëm i Partisë
E dyta Më 26 dhjetor të këtij viti, dmth mbas dy javësh, të mblidhet në
Tiranë Aktivi Kombëtar i Partisë për të përcaktuar platformën
elektorale të partisë dhe për të aprovuar listën e kandidatëve të saj
për deputetë në Kuvendin Popullor.
E treta Pleniumi liroi nga funksioni anëtarët e Byrosë Politike shokët
Muho Asllani, Simon Stefani, Lenka Çuko, Foto Çami dhe Hajredin Çeliku,
dhe shokët Qirjako Mihali dhe Pirro Kondi nga detyra e kandidatit të
Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë
E katërta Ju rekomandua Kryetarit të Këshillit të Ministrave që në
përputhje me situatën e tanishme ti propozojë Presidiumit të Kuvendit
Popullor ndryshimet e nevojshme në Qeveri.
E pesta Pleniumi shprehu mendimin se është në dobi të demokratizimit të
mëtejshëm të jetës së vendit dhe pluralizmit krijimi i organizatave
politike të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi. (salla duartroket
gjatë).
Tani desha t’ju them edhe disa fjalë të tjera se ky ishte vendimi. Të
them unë tashi disa. Unë personalisht dhe gjithë udhëheqja e kemi
ndjekur çdo hap tuajin gjatë këtyre ditëve. Qysh në fillim unë jam
shprehur për dialog, për bisedime, për diskutime me juve. Bile qysh të
shtunën nuk refuzova, por përkundrazi, në orën 1.30, pas mesnate, u
takova me një delegacion tuajin, ndërsa të nesërmen prita në zyrë edhe
Mimozën, dhe biseduam gjërë e gjatë me njëri-tjetrin.
Ju ftova të tërëve për qetësi, në mënyrë që shqetësimet dhe kërkesat
tuaja, të drejta të zgjidheshin vetëm në rrugën e diskutimit normal dhe
demokratik. Edhe tani që po takohem me ju, jam i të njëjtit mendim, që
çdo gjë, e theksoj se çdo gjë të zgjidhet me qetësi, me mirëkuptim, në
interes të atdheut dhe të të gjithë popullit. Në çdo rast duhet t’i
pritet rruga ndërhyrjes së elementëve keqdashës ose provokator, që nuk
ja duan të mirën, as popullit, as rinisë, as zhvillimit të vendit, as
lirisë së atdheut as demokratizimit të vërtetë të popullit e të atdheut
tonë. Rruga drejt demokratizimit nuk është bulevard. Këtë duhet ta kemi
parasysh të tërë të rritur e të rinj. Nevojitet kulturë, nevojitet
tolerancë, nevojitet rregull edhe durim. Demokracia nuk pranon as
kushte, as imponime, as detyrime. Prandaj edhe unë nuk ju kam vënë as
kushte, as nuk u jam imponuar dhe as nuk ju kam detyruar. Ajo kërkon
dialog, kërkon argumentin, kërkon logjikë, në interesin e përgjithshëm
kërkon respekt për shokun, respekt për të drejtën. Demokracia kërkon
norma mirësjelljeje dhe të etikës. Në qoftë se nuk respektohen këto
rregulla të lojës, i hapet rruga anarshisë, gjë që është e rrezikshme e
dëmshme për të gjithë. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë njerëzit
tanë, sidomos kur flitet për pluralizëm, qoftë për pluralizëm mendimi,
qoftë për pluralizëm organizimi, atë që quhet pluralizëm partiak. Çdo
njeri tek ne, çdo qytetar i ndershëm i vendit tonë, duhet të ketë në
plan të parë interesat e atdheut, interesat e popullit. Mund të kesh
vërejtje për të kaluarën ose për të sotmen. Mund të kesh mendime për
një çështje ose një tjetër, për socializmin ose për partinë, por çdo
gjë duhet të vihet në kandarin e fateve të atdheut, të lirisë dhe
pavarësisë së tij. Të mos harrohet se për Shqipërinë gjithnjë qëndron
rreziku i lirisë dhe i pavarësisë. Situatat politike i dini i ndiqni.
Mos i merrni si shakara. Prandaj ne na lypset uniteti, neve na lypset
të ecim të bashkuar, ne na duhet të punojmë krah për krah me
njëri-tjetrin. Unë shpreh besimin tim të patundur dhe bindjen time të
plotë te rinia jonë, te gjithë rinia jonë, edhe te rinia studenteske,
në rradhë, që është pjesa më e mençur, më me kulturë, që është një
pasuri e madhe e popullit tonë. Shpreh bindjen tek klasa punëtore, te
tërë populli ynë, që luftën për demokratizim që ka ndërrmarë partia ne
do ta çojmë përpara pa u ndalur. Procesi i demokratizimit kërkon
kontributin e secilit, të madh e të vogël, punëtorë, fshatar, studentë,
por asgjë nuk bëhet brenda një dite. Për më tepër duhen pasur parasysh
traditat tona. Drejt Evropës ne duhet të shkojmë, por duhet të shkojmë
me pasurinë tonë kulturore. Të mos harrojmë, ne duhet të shkojmë me
traditën tonë, duhet të shkojmë me origjinalitetin tonë dhe jo si kopje
e keqe e të tjerëve. Pikërisht për këtë arsye duhet të punojmë të tërë
më vëmendje, duhet të masim hapat që hedhim, duhet të jemi të
kujdesshëm, pa u ndalur aspak në rrugën tonë që kemi nisur, që është
rruga e interesave të atdheut, të socializmit, të popullit tonë. Këto
kisha t’ju thoja kështu në fillim. Tashti do dëshiroja të dëgjoja në
qoftë se keni juve dhe çfarë keni juve.
Arben Demeti: Kam një pyetje.
Ramiz Alia: Urdhëro. Posi Kush jeni ju?
Arben Demeti: Unë quhem Arben Demeti, asistent petagog në inxhinerinë elektrike jam dhe komunist.
Ramiz Alia: E mirë vazhdo, nuk ka rëndësi ajo. Për mua ka rëndësi kush je.
Arben Demeti: Pse Pleniumi i Komitetit Qendror mori këto masa, ku u
mbështet, diçka më të hollësishme, sidomos lirimin e anëtarëve të
Byrosë Politike?
Ramiz Alia: Pleniumi i Komitetit Qendror diskutoi, e para se jemi
përpara zgjedhjeve që do të bëhen, së dyti, kjo që ndodhi me studentët
është padyshim një shqetësim për partinë, që është e domosdoshme të
shikonte këtë situatë kupton apo jo, sepse situatat mund të zhvillohen
në rrugë të ndryshme, këtë e kuptoni? Gjithmonë ka dy rrugë, në çdo
fenomen.
Arben Demeti: Ose më shumë
Ramiz Alia: Më pak, dy ka. Të tjerat eleminohen, ngelen dy, rryma
pozitive rryma negative (qesh), meqë je i elektrikës ti. Prandaj në
këtë çështje, kupton, Komiteti Qendror diskutoi, kupton, edhe
natyrisht, gjykoi të nevojshme që të mblidhesh aktivi kombëtar i
partisë, për çështjen e platformës për zgjedhjet sepse partia do të
dalë me kandidatët e vet dhe duhet të ketë platformë elektorale. Për
kongresin e partisë, gjithashtu, duhet sipas normave dhe rregullave të
bëhesh. Përsa i përket lirimit të këtyre shokëve të Byrosë Politike,
lirimi i tyre është i lidhur, kupton, edhe me të kaluarën, me të meta,
dobësi në punë në të kaluarën e tyre, kupton, është i lidhur
përgjithësisht edhe me situatën aktuale. Ka pasur vërejtje, kemi pasur
neve vërejtje, edhe nga partia, edhe nga rinia, edhe nga masat. Kanë
shprehur, po pse mbeten në byro, ta zëmë u hoq prej këtej Muho Asllani,
u shkarkua nga sekretar i Durrësit, por mbeti në Byronë politike, ose
ku di unë, shoku Simon Stefani u hoq nga ministri i brendshëm por mbeti
në byronë politike. Tani i rishikuam edhe njëherë këto, si i thonë
fjalës kupton, muri s’luan, burri luan.
Arben Imami: Pika e fundit, vendimi i fundit, ajo që ka lidhje me
pluralizmin politik. A mund të shpjegoni diçka më qartë dhe më gjatë,
d.m.th ç’kupton partia me këtë?
Ramiz Alia: Tashti, pluralizmin politik ne e kuptojmë në bazë të këtij
vendimi që përveç subjekteve të emërtuara në ligjin për zgjedhjet
mundet të paraqiten edhe subjekte të tjera, të cilat natyrisht duhet të
respektojnë normat ligjore që ekzistojnë. Subjekte të tjera mund të
jeni, juve kërkoni të jeni një subjekt i pavarur për shembull, edhe
rinia studenteske mund të jetë një subjekt i pavarur kupton ti, në
qoftë se dëshiron brenda Organizatës së Bashkimit të Rinisë, ose në
qoftë se nuk dëshiron jashtë Organizatës së Bashkimit të Rinisë. Pra si
një subjekt i pavarur politik. Kjo është.
Arben Imami: Çfarë e pengon aktualisht partinë tonë që ti propozojë Kuvendit Popullor formimin e partive të reja?
Ramiz Alia: Nuk e pengon kjo.
Skënder Gjinushi: Kushtetuta e lejon.
Arben Imami: Kushtetuta nuk e lejon në një pikëpamje, që thuhet se, ai
ligj kushtetues që ju vetë propozuat për tu abroguar në të ardhmen.
Ramiz Alia: Cili ligj?
Arben Imami: Ligji për udhëheqjen dhe rolin e vetëm udhëheqës së
partisë. Përderisa ne nuk kemi rol të vetëm udhëheqës të partisë, ose
shpresojmë së afërmi të mos kemi. Përderisa ne nuk kemi një ligj, mesa
di unë, se njohuritë tona janë të kufizuara.
Ramiz Alia: Edhe ajo është., mungojnë edhe njohuritë tuaja.
Arben Imami: Përgjithësisht na mungon informacioni. Pra ne nuk kemi një ligj ku shprehimisht të thotë ndalohet…
Ramiz Alia: S’ka asnjë ligj ku shprehimisht të thuhet ndalohet një parti politike.
Arben Imami: Atëherë për ç’arsye pengohet, nuk e kam fjalën pengohet,
por nuk është e mendimit Partia e Punës, që krahas saj mund të jepnin
kontributin e tyre edhe parti të tjera, që do të punonin dhe do të
luftonin me pikëpamjet e tyre për atdhe, për Shqipëri.
Ramiz Alia: Shiko lidhur me këtë çështje pikëpamja e partisë tonë në
rradhë të parë është nisur dhe niset nga tradita e vendit tonë, në
kuptimin që mbi të tëra, ne shikojmë çështjen e unitetit të popullit.
Nuk duhet të harrojmë, kupton, që ne jemi një vend i vogël. Nuk duhet
të harrojmë kupton, që juve jeni të tërë të rinj, kupton, por populli
jonë ka luftuar, ka luftuar ashpër. (ndërhyrje nga salla: ka luftuar
ashpër)
Ndërhyrje nga salla: Vazhdon të luftojë
Ramiz Alia: Po po, po ka luftuar ashpër. Ka derdhur gjak të madh. Unë
që jam një çikë më plak dhe jo një çikë por shumë më shumë se juve, se
jam babai juaj, më kupton, por 28 mijë dëshmorë është 3 përqind e
popullsisë së Shqipërisë. Të mos ta harrojmë se 1 milion ishte
Shqipëria. Në ndërtimin e vendit, kupton, vendi i rrafshuar për tokë ka
qenë, moçalet e Shqipërisë vinin deri në Lushnje. 38 vjet jetonte
shqiptari, jo larg por në vitin 1945, kaq ishte mosha mesatare, tani
është 72 vjet mosha mesatare. Pra në tërë këto rretahana, kupton,
populli ynë fitoi pikërisht pse ishte i bashkuar. Kundër vendit tonë
dërgoheshin banda diversantësh. Ju si keni jetuar këto.
Arben Imami: Këtë e dimë ne
Ramiz Alia: Ju i keni lexuar. Është ndryshe me lexu. Ti je artist,
aktor. Kur i luan mundohesh të futesh në rol dhe kështu sa herë që keni
një pjesë mundohesh të futesh në rol. Bëni përpjekje kolosale,
studioni, futeni në rol etj, etj. Edhe me siguri futeni në atë rol,
mbasi njiheni mirë e mirë, kupton, por një realitet objektiv është ky
kupton se është bërë një luftë shumë e madhe kjo. Për ne në kushte të
caktuara historike një nga faktorët që ne kemi fituar ka qenë ky unitet
i madh i popullit tonë rreth një ideali, rreth një qëllimi. Ky ideal,
ky qëllim përfaqësohej nga partia, përfaqësohej nga të gjitha
organizatat shoqërore. Tani, nuk dua të përmend, që ideali ynë, ky
ideal i unitetit kombëtar ka qenë, kupton, ka qenë promotori i lëvizjes
së Shqipërisë përpara. Tashi neve po theksojmë, kupton, çështjen e
demokratizimit të vendit. Në demokratizimin e vendit çështja e
pluralizmit është një çështje themelore. Në çkuptim? Në kuptimin e
demokracisë së mendimit, të shprehjes së lirë të mendimit të njerëzve.
Shprehja e lirë e mendimit të njerëzve, ne mendojmë kupton, që në
kushtet tona, në realitetin shqiptar, kupton, që kemi gjithë këto lloj
organizatash të ndryshme, nuk pengohet, që mendimi i lirë i njerëzve të
shprehet në forma nga më të ndryshmet. Sigurisht nuk do të kishte
kuptim demokratizimi në qoftë se ne themi se ky mendim ka qenë ekselent
i shprehur. Tani përkundrazi po themi se duhet më tepër. Juve më keni
dëgjuar disa herë që unë kam ngritur të hapen gojët. Ëëë, e keni
parasysh?
Salla: Po, po.
Ramiz Alia: E keni parasysh! Asnjë fjalim nuk është mbajtur të mbyllen
gojët. Fjalimet që kam mbajtur unë, kanë qenë të hapen gojët. Unë po
flas për atë çka unë kam thënë dhe gojët duhet të hapen. Tani gojët
duhet të hapen, por të mos harrojmë se duhet në interes të popullit, në
interes të atdhehut, në interes të lirisë, pavarësisë së tij. Këtë
duhet të kemi kujdes të tërë.
Reagim nga salla: Pa dyshim
Ramiz Alia: Mirë, mirë, unë jam i bindur që padyshim, por kini kujdes
se ka edhe me dyshim. Ka mendime të tjera, është logjike që të ketë
edhe mendime të tjera. Në vendimin e pleniumit të Komitetit Qendror
sot, natyrisht partia nuk jep urdhëra për këtë punë, shprehu mendimin
që në këto kushte mundet të ndihmojë në demokratizimin e mëtejshëm të
vendit edhe paraqitja e organizatave të veçanta, kupton, pluraliste në
sistemin tonë.
Blendi Gonxhe: D.m.th nuk ka kufij?
Ramiz Alia: Unë nuk them dot, unë nuk them asnjë kufij, them, derisa
flitet organizim pluralist ai nënkupton çdo gjë, çdo gjë nënkupton.
Tashi në këtë çështje, natyrisht ka ligje, sepse nëse një parti kërkon
të paraqitet me një program fashist në bazë të ligjit nuk lejohet. Në
ligj ka disa pika.
Tefalin Malshyti: Ne kemi ardhur këtu t’ju takojmë si President dhe jo
si sekretar i Partisë, sepse në letrën tonë kërkojmë takim me
presidentin Ramiz Alia dhe si president flasim me ju. Këto janë
vendimet e partisë, vendimet e pleniumit. Janë shumë të sakta, shumë të
drejta dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Megjithatë siç e thatë edhe ju
vetë, ky është një vendim dhe nuk dihet se kur do të shpallet një ligj
dhe këtë e ka në dorë Kuvendi Popullor dhe jo partia. Prandaj ne duhet
të diskutojmë në këtë plan, dhe jo në planin e partive. Pra duhet të
diskutojmë në planin presidencial si të thuash, shtetëror, dhe që këto
të bëhen vendim, këto pika, këtë gjë duhet të sqarojmë.
Ramiz Alia: E di ti Kushtetutën?
Tefalin Malshyti: Kushtetutën me aq sa kemi lexuar
Ramiz Alia: E ke lexuar nenin 54 të Kushtetutës?
Tefalin Malshyti: Jo nuk e kam lexuar
Ramiz Alia: Ashtu, domethënë s’je në korrent. Nenin 54 të Kushtetutës kush e ka lexuar?
Zef Brozi: Shoku Ramiz, unë e kam lexuar. Jam jurist.
Ramiz Alia: Je jurist?
Zef Brozi: Në nenin 54 të kushtetutës thuhet se shteti përkrah
shtetasve (ndërhyn Ramiz Alia disa herë), se unë nuk po e them fjalë
për fjalë, u lejohet të krijojë ( ndërhyn Ramiz Alia: shteti u lejon të
krijohen shoqata, organizata politike, kulturore, shoqërore, shkencore
etj etj) shoqata, organizata politike, kulturore, shoqërore, shkencore
etj etj, të cilat vazhdon etj, etj, dhe ndalesa është kjo: “nuk lejohet
krijimi i shoqatave dhe partive me karakter fashist, anti-demokratik,
luftënxitës, racist etj.
Ramiz Alia: E kuptove ju këtë?
Zef Brozi: Unë duke interpretuar këtë nen…
Ramiz Alia: Këtë nen interpretoj dhe unë mendoj se ky vendim i
Komitetit Qendror nuk ka nevojë për asnjë interpretim tjetër mjaft
është ai nen i kushtetutës.
Zef Brozi: Ligji e lejon
Ramiz Alia: Ligji e lejon. E dyta, ligji elektoral të cilin ju duhet ta
keni lexuar thotë se subjekte politike janë Partia e Punës së
Shqipërisë, Organizata Sindikale, e çfarë janë këto me rradhë, dhe
shoqata të tjera të njohura me ligj.
Shinasi Rama: Çështja që shtrohet këtu për pluralizmin është një çikë e mangët.
Ramiz Alia: Si është?
Shinasi Rama: Ju thatë që për një arsye të ndjekim traditat e mira të
popullit. Dua t’ju kujtoj se gjithmonë në momentet më kyçe të historisë
së popullit tonë ka pasur pluralizëm. Po të doni po ju sjell një
shembull që nga lashtësia, por po ndalem në Kuvendin e Lezhës qysh në
kohën e Skëndërbeut. Ai ishte pluralizmi më i saktë dhe më i parë i
sanksionuar i fisnikëve shqiptarë. Po të vazhdoj edhe më mbrapa, ju
mund të qeshni, por këto që po them unë janë argumente.
Ramiz Alia: Nuk . Unë dëgjoj me vëmendje të madhe dhe me respekt
çdo të ri që shpreh mendimet e tija, edhe kur këto janë të gabuara. Unë
jam mësuar të bisedoj me gjithë farlloj njerëzish. Edhe me ato që kanë
të drejtë edhe me ato që s’kanë të drejtë. Dhe kam durim shumë dhe ty
do të dëgjoj deri në fund. E fillove me princat në kohën e Skëndërbeut,
që s’kishte parti në atë kohë, por s’prish punë vazhdo.
Shinasi Rama: Shiko pluralizmi nuk fillon tek partia. Pluralizmi fillon tek e drejta me mendu ndryshe.
Ramiz Alia: Shumë e drejtë.
Shinasi Rama: Pra ishin princa ose fshatar ato ishin njerëz dhe kishin
mendimet e tyre. Pra nuk po flasim për partitë, por për pluralizmin. Po
të kthehemi tek Lidhja e Prizrenit 1878 do të shohim që po ashtu pati
një pluralizëm mendimesh, me një qëllim të përbashkët, çlirimin e
Shqipërisë, autonominë e saj, në qoftë se ju preferoni saktësinë e
termave. Po ashtu po të kthehemi edhe në kohën e Ismail Qemalit në atë
qeveri të krijume me aq urgjenc u ruajt pluralizmi i mendimeve dhe
ideve, sepse kryeministër ishte imzot Kaçorri, nënkryeministër ishte
Imzot Kaçorri dhe në të njëjtën kohë nënkryeministër ishte Aqif Pashë
Elbasani dhe Mullai i Madh. Pluralizmi në Shqipëri vazhdon me një
traditë të mrekullueshme, të cilën mund ta lexojmë në të gjitha
regjistrimet e parlamentit, në bisedimet e parlamentit. Kjo është një
periudhë shumë e ndritur, të paktën për demokracinë në vendin tonë,
është një periudhë e tillë kur një libohovas si Avni Rustemi, shkon ven
kandidaturën e vet në prefekturën e Kosovës edhe nji Ekrem Bej Libohova
detyrohet me ngel pa vend për deputet dhe shkon e ven ate në çiflikun e
gruas. Pra populli injorant ose painjorant.
Ramiz Alia: Kush është injorant? Jo injorant mos i thuaj popullit.
Shinasi Rama: Nji minut ju lutem,
Ramiz Alia: Mos i thuaj popullit injorant.
Shinasi Rama: Unë nuk dua të bëj insinuata unë po flas, se jam një çikë
i ngjirur. Po ju them, një gjë se është folur që populli ynë ishte 80
përqind analfabet. Fjala analfabet dhe fjala injorant, d.m.th i
paditur. Pra në qoftë se do ta shohim në sensin e padijes do të themi
këtë padije kulturore, të ashtëquajtur kulturore, popullit tonë i
mungonte. Të vazhdojmë me pluralizmin e partisë popullore dhe të
opingës në kohën e Fan Nolit. Ashtu siç jeni ju i ndërgjegjshëm, siç
jam edhe unë, që në një bankë ka rastis me u ul edhe nji satrap si Zogu
edhe nji demokrat si Fan Noli. Megjithatë korrektesa ka kenë korrektesë
deri në një farë mase. Pra pluralizëm ka pas. Nuk do përmendim rastet e
mëpërparshme, kërkesat e veçanta. Të vazhdojmë ma nje ma. Asht thanë që
në periudhën e Ahmet Zogut që nuk ka pas pluralizëm. Kjo është e
vërtetë dhe është periudha e satrapit të madh, despot, njeriu që e
shpuri vendin tonë në mjerimin më të zi. Për këtë ne jemi gjithë të
ndërgjegjshëm. Por megjithatë, i shtyrë nga nevojat e tij personale, në
vitin 1936, nën flamurin e neo-shqiptarizmës, u krijua një e
ashtëquajtura partia e të rinjve, e cila iu kudërvu të vjetërve. Pra në
rastin më negativ që ishte shërbëtori i një mbreti, pluralizmi u shfaq
edhe këtë herë në Shqipëri. Gjatë luftës Nacional Çlirimtare është bërë
nga udhëheqja e partisë dhe për këtë jemi në dijeni të gjithë. Por mesa
di unë, mesa di unë të paktën, në gazetë shënohej të paktën, që për një
periudhë të gjatë kohe partia ka qenë ilegale, sepse ai që ka udhëheq
luftën e popullit tonë për një periudhë kohe ka qenë në Franc. Ju keni
qenë në atë kohë gjeneral, jeni gjeneral.
Ramiz Alia: Nënkolonel. Asnjëherë nuk ka qenë xheneral. Mos më ngatërro.
Shinasi Rama: Lërë atë punë se unë kam lexue dokumentat. Ti ke qenë kolonel.
Ramiz Alia: Nënkolonel kam qenë, nënkolonel.
Shinasi Rama: Kolonel keni qenë dhe unë e kam pa të shkrume. Po ja u them unë kolonel. Komisar i Divizionit të 7-të.
Ramiz Alia: Tashi ti do me më tregue edhe çfarë kam qenë. Nën kolonel kam qenë.
Shinasi Rama: Tani të vazhdojmë me pluralizmin.
Ramiz Alia: Vazhdo.
Shinasi Rama: Pra tradita e pluralizmit në Shqipëri është një traditë,
e cila nuk është preh asnjëherë deri në vitin 1946. Pse nuk është pre
dhe ç’pasojash pat premja? Jam me mendimin tuaj, e shpretë dhe e
formuluat shumë saktë. Që në ‘20-‘30 vitet e para partia i vuri gjoksin
punës dhe bëri të pamundurën dhe ashtu është.
Ndërhyn Salla: Populli, edhe populli.
Ramiz Alia: Si?
Shinasi Rama: Nji minut, unë po flas, partia i vuri gjoksin...
Ramiz Alia: Mirë e ke ti.
Shinasi Rama: Partia i vuri goksin por populli i dha jetën partisë dhe
partia i dha në të njëjtën kohë, atë që ju thoni se partia është truri
dhe mendja e popullit, por mesa duket, me këto të rejat po na dalin
ndryshe. Të mos bëjmë insinuata, unë nuk kam ndërmend me fol ashtu.
Ramiz Alia: Kjo që po thua ti djalë i mbarë është tamam insinuatë. Kjo
s’duhet bërë, kjo s’duhet bërë. Me ca po del këtu, s’ka qenë kështu.
Është kështu?
Shinasi Rama: Mos u kapni mbas fjalëve të mija.
Ramiz Alia: Jo jo jo. Një minut. Unë jo rastësisht mora fjalën i pari
që t’ju shpjegoj se demokracia kërkon edhe durim, edhe tolerancë edhe
mirësjellje. Unë po përpiqem të respektoj mirësjelljen, tolerancën,
durimin. Edhe pse? Sepse vlerësoj mendimin e të tjerëve, qoftë edhe kur
s’jam dakord prapë e vlerësoj. Fol moj Mimoz nuk është kështu? Edhe
bashkë biseduam. Prandaj them se duhet ashtu, folur drejtë, më mirë
thojeni drejt mendimin që keni. Të thashë unë kam dëgjuar gjithë
farlloj gjërash. Kam një eksperiencë personale, politike, domethënë
qysh në moshë fare të re.
Arben Imami: Padyshim që ju e keni këtë
Ramiz Alia: Kam më shumë eksperiencë, por nuk e them për të imponuar mendimin tim ju lutem, e them…
Salla: E kemi kuptuar këtë, dhe ne ju duam
Ramiz Alia: Shumë mirë atëherë kjo më gëzon që ju keni respekt dhe më doni. Ju faleminderit shumë.
Salla: Duartrokitje të gjata
Ramiz Alia: Ju falemnderit shumë. Prandaj unë bisedoj me zemër të hapur
me juve sepse edhe unë kam dëshirë të dëgjoj mendimet tuaja. Mendimet
tuaja mi thoni ashtu si i keni, edhe mundësisht sa më të përmbledhura.
Shinasi Rama: Kërkesa jonë është kjo, që të formulohet qartë pluralizmi politik.
Ramiz Alia: Kjo ide që keni ju është formuluar shumë qartë në këtë vendim.
Shinasi Rama: Më duket se është një frazë...
Ramiz Alia: Nuk ka rëndësi hiç kjo. E ke gabim ti, e ke gabim dhe po ta
shpjegoj se pse. Ky fakt që shprehu mendimi se është në dobi të
demokratizimit të jetës së vendit dhe pluralizimit, krijimi… (ndërhyrje
nga salla). Si the ti? Ne sot po bisedojmë, ti thua s’është në rregull.
Me këtë mbaron ky muhabet. Kuptoni është qartë kjo. A është e qartë
kjo?
Zef Brozi: Po është e qartë. Po që ju jeni dakord me pluralizmin.
Ramiz Alia: Po jam dakort, edhe Komiteti Qendror i Partisë shprehu këtë mendim.
Një vajzë: Shoku Ramiz më falni, kisha një pyetje direkte për ju.
Arben Imami: Lëre tani
Azem Hajdari: Desha t’ju sqaroj për një çështje këtu. Nji herë në
rradhë të parë dua t’ju flas në emër të organizatës të intelektualëve
të rinj që është krijuar këto ditë. Dua t’ju siguroj që kjo lëvizje...
Ramiz Alia: Duhet të shkoni atje njëherë, në Ministrinë e Drejtësisë, e keni parasysh këtë (qesh)
Azem Hajdari: Kjo lëvizje ka qëllime demokratike në mbështetje të
reformave të ndërrmara nga vetë ju si president. Nuk është një lëvizje
e imponuar, as e blerë, as e shitur dhe as ashtu si mund të jetë
interpretuar.
Ramiz Alia: Se ka interpretuar asnjëherë shtypi
Nga salla ndërhyn një vajzë: Shtypi e interpretoj shoku Ramiz, si një lëvizje që bie në kundërshtim me politikën e partisë.
Azem Hajdari: S’është e vërtetë, s’është e vërtetë.
Ramia Alia: Shiko e keni gabim, e keni gabim. Ju ftoj se, shiko, që kur
të hyni në dialog të jeni të informuar mirë dhe saktë se ndryshe humbim
kohën kot. Se themi fjalë që nuk janë thënë. Nuk ka thënë askush nuk e
ka thënë këtë. Është tjetër problem minimizimi, është tjetër problem,
keqinterpretimi është tjetër. (ka ndërhyrje nga salla)
Azem Hajdari: Neve shoku Ramiz, kemi paraqitur një program në emër të
kësaj lëvizjeje, dhe ky program është i paraqitur nga ne duke pasur
parasysh ndjenjat kombëtare dhe asnjë gjë tjetër, dhe demokracinë e
cila ka hyrë në një rrjedhë të pëlqyeshme për popullin, por kemi
mendimin se mund të ishte edhe më e përshpejtuar. Faktikisht kemi
menduar që, se ashtu siç the edhe ti që demokracia nuk është bulevard,
ka pasur pengesa. Këto pengesa për mendimin tim, dhe po ju shpreh edhe
mendimin e shokëve të Lëvizjes së Intelektualëve të Rinj, këto pengesa
për popullin tonë në këtë periudhë që jemi, janë të vështira.
Gjithashtu. edhe për Ju. ( ka ndërhyrje nga salla)
Azem Hajdari: Shiko, unë fol edhe në emrin tuj.
Ramiz Alia: Fol more vëlla fol, të ndigjojmë. Të shikoj se çfarë do thuash.
Azem Hajdari: Prandaj, neve jemi të kënaqur që pranuat dialogun,
pavarësisht se u krijuan disa vështirësi për me ardh tek dialogu.
Ramiz Alia: Vështirësitë ju i krijuat.
Azem Hajdari: Vështirësitë mund t'i quajmë në përgjithësi, edhe
objektive, edhe subjektive. (ndërhyn Zef Brozi: s'ka rëndësi kjo, gjëra
të kaluara. Të vazhdojmë). A është kjo siguria nga ana jonë që kjo nuk
është një lëvizje si mund të jetë interpretuar jo nga shtypi, por nga
persona të veçantë. Nuk kam parasysh atë mendimin zyrtar, por atë që
është thënë, atë mendimin që është thënë, se është rebelim, është turp.
Rinia studentore, mendoj unë, është e domosdoshme ta mbështesni Ju si
President, Presidiumi i Kuvendit Popullor, në këto reforma dhe Partinë
si iniciatore të parë, në këto reforma demokratike. Kjo është një
ndihmë e madhe.
Ramiz Alia: Kjo duhet mbështetur me të gjitha forcat.
Azem Hajdari: Me të gjitha forcat.
Ramiz Alia: Demokratizimi i jetës së vendit është alfa dhe omega e zhvillimit tonë. Këtë të tërë duhet ta kemi të qartë.
Azem Hajdari: Prandaj, ne me këtë program...
Ramiz Alia: Më fal që të ndërpreva, më fal se jam më plak unë ëëë,
vetëm duhet pasur parasysh një gjë, duhet pak durim, se nuk bëhen punët
aq kollaj.
Azem Hajdari: Neve nuk është se s'jemi për durim.
Ramiz Alia: Ashtu. Unë do ju shpjegoj faktikisht pse duhet durim.
Azem Hajdari: Jemi për durim, po durimi duhet të jetë. Po në rast se
hyjmë në procese demokratike, kjo është e mira e gjithë popullit tonë,
dëshira e gjithë popullit tonë, ne në këto procese duhet të jemi
këmbëngulës. I them këto, sepse neve në këtë program që kemi paraqit
dhe kemi miratue pikë për pikë mendimin e gjithë studentëve, është
parashtruar me gjithë studentët dhe neve si përfaqësues këtu jemi të
autorizuar nga ata që ta mbrojmë këtë program me; të hyjmë në dialog
për këtë program, të paraqesim ato argumentet tona për çdo pikë të
programit. Shokët studenta...
Ramiz Alia: Mua do mi paraqisni këto?
Ndërhyrje nga salla: Popullit shoku Ramiz.
Ramiz Alia: Mua nuk më duhen këto gjëra. Programin duhet ju, para së gjithash ta paraqisni, kupton, në Ministrinë e Drejtësisë.
Salla: Nuk është program, janë kërkesa.
Ramiz Alia: A më fal, po tha programin ky.
Salla: E ka gabim ai.
Ramiz Alia: A e ka gabim aaaa. Dakord, dakord, dakord.
Azem Hajdari: Kërkesa, kërkesa, jo program.
Ramiz Alia: A, janë kërkesa? Po tha program ky, prandaj thashë.
Azem Hajdari: Kjo lëvizje demokratike, këtu siç e sheh jemi përfaqësues
nga çdo fakultet, duke përfshirë këtu Institutin Bujqësor, Institutin e
Lartë të Arteve edhe Institutin 'Vojo Kushi'. Gjithashtu, kemi edhe
disa pedagogë, të cilët përfaqësojnë pedagogët e rinj, që bëjnë pjesë
në këtë lëvizje intelektualësh. Prandaj, ne kemi ardh t'i shprehim këto
kërkesa nëpërmjet kësaj përfaqësie dhe ju sigurojmë për bindjen tonë
për këto kërkesa. Kërkesa e parë, siç dihet, është mbështetja juaj në
reformat demokratike, besoj që kjo do t'ju dihet. Ndërsa për kërkesa të
tjera, ti programin e njeh, tani mund të flasë ky shoku që ka
programin. Jo programin, kërkesat. Shokët studenta më kanë thënë që
t'ju kërkoj, sipas mundësive të juaja, që ky dialog, duke pasur
parasysh, të inçizohet dhe ta transmetojmë dhe ta ndigjojnë studentët.
Ramiz Alia: Është inçizuar, dhe do transmetohet. Të gjitha.
Azem Hajdari: Është e mira jonë, e mira e studentëve, dhe e mira e të gjithë atyre që duan ta fusin në kanale të tjera këtë…
Ramiz Alia: Jo e keqja e tyre.
Azem Hajdari: E keqja e tyre (Ramizi qesh, qesh edhe salla).
Ramiz Alia: E keqja e tyre, se po të ishte e mira...
Dikush nga salla: Ju lutem, ta falni Azemin se është jashtëzakonisht i
lodhur. Ka mbajtur mbi supe peshën e katër, mbase pesë ditëve, dhe
mbase nuk shprehet në kohën e duhur. Ju lutem ta falni.
Ramiz Alia: Shiko, nuk jam mësues gjuhe unë. Nuk i vë re ato. Unë vura
re idetë që tha, se ato lapsuset s'janë gjë hiç, tani s'ka rëndësi kjo.
Tani ju lutem, shumë shkurt dhe në gjëra konkrete, në gjëra konkrete që
me të vërtetë ia vlen barra për të diskutuar.
Arben Imami: Meqenëse Ju keni bërë një plenium partie, i cili avancon
në pozitat e mëparshme të PPSH, ajo me të cilën ne kemi ardhur të
bisedojmë do të ndryshojë, d.m.th relativisht kërkesa jonë ndryshon,
kërkesa e studentëve edhe e pedagogëve të cilët janë bashkuar me
lëvizjen studentore, e cila është një lëvizje intelektuale, e cila nuk
dëshiron për asnjë moment të ndodhin eksese në këtë lëvizje, që nuk
dëshiron që të fusin hundët e tyre në këtë lëvizje ultra të djathtët
apo ultra të majtët.
Ramiz Alia: Vetëm një gjë do jua them, mos ma merrni për keq. Nuk më
erdhi mirë që nuk m'u bindët. Ju thashë të vini në mësim dhe ta
diskutojmë.
Tefalin Malshyti: Shoku Ramiz, thatë pa kushte, thatë pa kushte.
Ramiz Alia: Po, po, pa kushte, por në bisedim.
Azem Hajdari: Shoku Ramiz, unë kam qenë atë natë kur na pritët juve. Dhe, doja t'ju sqaroj diçka.
Ramiz Alia: Lëre, mos e sqaro, hiç fare mos e sqaro.
Azem Hajdari: Është për t'u sqaruar, se këtu zë zanafillë problemi.
Ramiz Alia: Jo, jo. Lëre Azem tashti, lëri tani historitë. Çfarë ke ti?
Arben Imami: Lëvizja Studentore nuk kërkon organizata të cilat shpallen
subjekte elektorale etj, etj. Përse Partia ose Kuvendi jonë ka frikë,
ose Kuvendi jonë ta përcaktojë qartë dhe saktë parti politike. Atëherë
interpretimet do të ishin të pamundura, dhe për këtë juve si president
do na ndihmonit, dhe do të ndihmonit gjithë forcat demokratike.
Ramiz Alia: Tashti...
Arben Imami: Një minutë ju lutem. Sepse, për sa kohë është organizatë,
apo është shoqatë, apo parti politike, atëherë forcat e djathta që
aktualisht kanë potencial në shtetin tonë…
Ramiz Alia: Në shtetin tonë?
Arben Imami: Forcat e majta, më falni më falni, pardon, pardon. Forcat
e majta. Burokrati që do të mbahet në atë mënyrë në karrige për mua
është i majtë, është e majta ekstreme.
Ramiz Alia: Është e djathta.
Arben Imami: Për ne është i majtë.
Ramiz Alia: Si është i majtë? Është i djathtë.
Arben Imami: Varet si e shikon. Për ne, ju jeni në qendër (Ramizi ,
edhe salla). Për ne janë e majta ekstreme, unë kështu e perceptoj.
Megjithëse e majta e djathta varet nga e shikon.
Ramiz Alia: E mirë, mirë...
Arben Imami: Duhet ta nisim nga kategoritë bazë në qeveri. Neve nuk kemi kohë për t'u marrë me këtë punë.
Një vajzë nga salla: Kush është burokrat e pengon këtë gjë? Jeni me ne apo jo?
Ramiz Alia: Jo në këtë situatë, por në çdo periudhë të shoqërisë,
burokratizmi është frenim i zhvillimit. Edhe këtu është e njëjta gjë.
Arben Imami: Shoku Ramiz, shoku President, njëkohësisht edhe për forcat
e djathta që ekzistojnë këtu, në qoftë se ekstremistë të djathtë që
duan të përfitojnë nga kjo situatë, lëvizje revolucionare e rinisë, dhe
ndoshta t'i japin edhe drejtime të tjera dhe ndoshta kanë bërë edhe
provokime, që këta shokë, sidomos ato që kanë qenë në krye të kësaj
pune nuk i kanë lejuar ose janë munduar të mos i lejojnë. Themelimi,
mundësia e partive të tjera, ato do t'i linte jashtë partive. Sepse,
ata duke qenë të djathtë dhe me idera fashiste, ata nuk do të kishin
mundësi të paraqisnin programet e tyre.
Ramiz Alia: Nuk del njeri me idera fashiste.
Arben Imami: Atëherë, në qoftë se nuk do të dali, pavarësisht…
Ramiz Alia: Mos u bëj, se je goxha djalë, mos u bëj naiv.
Arben Imami: Këtë e di. Pavarësisht, në qoftë se ata nuk dalin, ata do
të militojnë brenda një organizate, brenda një partie politike të
caktuar, dhe pavarësisht nga bindjet e tyre, ata do të zbatojnë atë
program. Nëse zbatojnë programin dhe paguajnë kuotat ata janë në
rregull me partinë e tyre, le të themi socialdemokratë, i vëmë edhe
katër emra mbrapa, nuk ka rëndësi se çfarë partie. Por, ata nuk mund të
peshkojnë në këtë ujë të turbullt. Ky është mendimi im. Situata është
shumë e turbullt, shoku Ramiz. Unë jam pedagog. Jap regjizurë në
shkollë. Pardje e mora vesh, dje vajta në vend dhe nuk mund të rrija pa
vajtur për të parë se çfarë ndodh dhe pse s'ndodh. Ndenja gjithë ditën
dhe, edhe këta djem e kanë të pamundur ta mbajnë situatën të tërë nën
kontroll. Nuk e kontrollojnë dot.
Ramiz Alia: Pse? Sepse, kanë ardhur forca të tjera?
Arben Imami: Jo se kanë ardhur forca të tjera. Jo, jo, jo. (ndërhyn
salla: jo, jo). Nuk mund të mbahet totalisht nëse nuk plotësohen këto
kërkesa.
Ramiz Alia: Po mirë pra, me këtë…
Arben Imami: Unë jam i mendimit se kjo kërkesa nuk plotëson atë që shtrojnë studentët.
Ramiz Alia: Ajo e plotëson plotësisht.
Tefalin Malshyti: Nuk e plotëson plotësisht.
Ramiz Alia: Pse?
Tefalin Malshyti: E para është sepse ne në këto kushte, në qoftë se
mund t'i lexoj... Për shembull, një pikë e kësaj kërkese është se ne
jemi përkrahës të reformave demokratike. (ndërhyn Ramiz Alia: lërë
këtë, vazhdo më poshtë). Kalojmë tek pika tjetër.
Ramiz Alia: Kalo tek ajo organizata që thua ti.
Tefalin Malshyti: Prit se janë kështu. Kërkojmë pluralizëm politik si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme.
Ramiz Alia: Po bukuri, mirë.
Tefalin Malshyti: Si pasojë, të lejohet krijimi i organizatës së pavarur politike të studentëve dhe intelektualëve të rinj.
Ramiz Alia: Po, e krijojmë.
Tefalin Malshyti: Statutin e së cilës ne do e paraqesim në Ministrinë e Drejtësisë.
Ramiz Alia: Shumë bukur. Paraqiteni përpara Ministrisë së Drejtësisë
statutin thuaj, si organizatë, siç thoni ju. S'ka asgjë këtu,
paraqiteni dhe pikë.
Tefalin Malshyti: A është e vërtetë që mund të na lejohet që nesër?
Ramiz Alia: Po, që nesër. Paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë.
Tefalin Malshyti: Që nesër, se në bazë të këtij legjislacioni nuk ka një pikë e tillë që e pranon këtë, që e pranon këtë.
Ramiz Alia: Paraqitemi në bazë të asaja.
Zef Brozi: Ju shokë studentë do ta konsideroni një organizatë shoqërore, padyshim kërkon miratimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ramiz Alia: A është politike edhe kjo?
Zef Brozi: Problemi është nëse është organizatë politike.
Ramiz Alia: Atëherë paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë programin dhe Ministria e Drejtësisë do të japë mendimin për...
Zef Brozi: Kam një mëdyshje nëse do të konsiderohet vërtetë me atë emërtesën organizatë politike, edhe politike?
Ramiz Alia: Quhet politike, parashikohet organizatë politike.
Zef Brozi: Atëherë do të konfirmohet edhe nga ndonjë organ partiak?
Ramiz Alia: Jo, s'ka nevojë.
Zef Brozi: Mendoj se po, sepse Kushtetuta nuk e lejon një gjë të tillë...?
Ramiz Alia: Nuk e kërkon Kushtetuta. Prandaj juve paraqisni para
Ministrisë së Drejtësisë programin tuaj. Kërkoni aprovimin sipas
rregullave dhe normave që ka Ministria e Drejtësisë për organizatat
shoqërore, politike, dhe ajo duhet ta aprovojë. Kështu që kjo iku.
Çfarë ka tjetër.
Tefalin Malshyti: Jo, ne kishim këtu, me një fjalë.
Ramiz Alia: Prit, prit, prit. Ça ka ndonjë gjë (ndërhyrje nga salla:
këtë pikë shoku Ramiz). Kjo pikë është e qartë, s'ka asnjë problem.
Arben Imami: Prit se nuk është e qartë shoku Ramiz, se këtu thuhet kërkojmë pluralizëm politik (reagime nga salla).
Arben Meçe: Në qoftë se ne nesër duam të fillojë aktivitetin kjo organizatë?
Ramiz Alia: Organet e Drejtësisë do ju japin përgjigje.
Arben Meçe: A na pengojnë organet e Drejtësisë për këtë gjë?
Ramiz Alia: Medoemos duhet të presësh vendimin për krijimin e kësaj organizate.
Arben Meçe: Pra, duhet të presim? Gjendja është shumë e elektrizuar
atje, dhe ne duhet të vemi sot t'u japim përgjigje, përgjigjen tuaj.
Ramiz Alia: Juve do veni, shiko shokë studentë, unë po ju drejtohem ju
që të paraqitni programin e organizatës tuaj përpara Ministrisë së
Drejtësisë, e cila sipas rregullave dhe normave do t'ju japë menjëherë
përgjigje për këtë çështje. Urdhëro, ja, ia transmetova studentëve.
Arben Meçe: E dyta, shumë familje nëpër rrethe janë të dezinformuara
për çështjen këtu. Rrugët nuk i dihet. Televizioni ynë e ka dhënë ashtu
si e mendoi, organ kompetent për atë punë. Nuk e ka dhënë ai
dezinformimin, e ka dhënë tjetërkush. E kanë dhënë elementët armiq, me
qëllim që të shqetësohen edhe shokët tanë, edhe prindërit tanë, dhe
gjithçka që kemi ne, miqtë tanë. Dhe, kjo pasqyrohet në telefonatat që
bëjnë ata, ku insistojnë veçanërisht për shëndetin. A nuk do të ishte e
mirë nga ana e shtypit tonë që sot të njoftonte për këtë organizim dhe
kjo do të ishte…
Ramiz Alia: Ike nga ajo. Ç'po them unë këtu. Kjo që po bisedojmë ne
këtu do të transmetohet. Do transmetohet në emisionet e televizionit.
Dikush nga salla: Të mos trajtohet si e dorës së dytë.
Ramiz Alia: Do të transmetohet në emisionet e televizionit. E dorës së
dytë apo e dorës së parë, nuk jam unë redaktori i lajmeve. Unë propozoj
që kjo bisedë që po bëjmë tashti të shkojë në qytetin e studentit, dhe
kështu siç është e regjistruar të transmetohet.
Blendi Gonxhe: Shoku Ramiz, ju besojmë plotësisht.
Arben Meçe: Shoku Ramiz, më fal. Për këtë problem që jemi mbledhur ne këtu sot, ju mblodhët një Plenium të tërë.
Ramiz Alia: Jo vetëm për këtë...
Arben Meçe: Ky ka qenë problemi kryesor, ju vetë e thatë. A duhet që
edhe shtypi ta shtyjë këtë për një emision të veçantë? Më duket
zvarritje.
Ramiz Alia: Për cilën?
Arben Meçe: Këtë sot që po mblidhemi ne.
Ramiz Alia: Shtypi ka dhënë sqarime ditën e parë. Për konsekuencë, edhe
sot në gazetë, që thoshte që juve u mblodhët, bëtë kërkesat tuaja,
kërkuat takim me presidentin, presidenti...
Ndërhyn një vajzë nga salla: Po thanë 400 veta.
Ramiz Alia: Nuk janë dhënë 400 veta, dhe prapë je informuar keq. Asnjë
shifër nuk është dhënë. Prandaj, shiko, juve vë re se nuk jeni
mirinformuar.
Redaktori i TV: Shiko, shiko, më falni shoku Ramiz. Unë jam redaktori i
televizionit dhe nuk janë thënë gjëra të tilla. Të paktën televizioni
nuk ka dhënë një lajm të tillë, që janë 400 vetë apo s'janë 400 vetë,
që janë armiq apo s'janë armiq. (ndërhyrje nga salla: jemi quajtur
armiku i klasës).
Ramiz Alia: Jo, jo, jo, s'ka thënë gjë.
Salla: I keni quajtur trazira (debate në sallë).
Arben Demeti: Televizioni i ka thënë trazira.
Ramiz Alia: Jo, jo, jo, të lutem. Jo trazira, janë quajtur çrregullime.
Dëgjoni këtu. Po i drejtohem studentëve të Universitetit të Tiranës,
nuk është thënë trazira. Juve dezinformoni. Është thënë fjala
çrregullime. Nuk është thënë 400, as 200, as 100 veta. Juve duke
përdorur shifra të tilla, dezinformoni. Prandaj unë i lutem, i lutem të
gjithë studentëve që janë seriozë, dhe unë i dua pse janë seriozë, të
jenë seriozë në çdo gjë. Kjo është e mira e atdheut, është e mira e
studentëve.
Arben Lika: Shoku Ramiz, më falni.
Ramiz Alia: Ta mbaroj kush e nisi këtë? A mbarove. Kush tha më falni atje.
Arben Lika: Unë, unë. Ishte fjala nuk është thënë trazira, por çrregullim.
Ramiz Alia: Po lëre tashti...
Arben Lika: Jo, jo, vetëm një diçka. Në fund të fundit, çfarë ndryshimi ka çrregullimi nga trazirat?
Ramiz Alia: Tashti ju thashë unë, mos merremi me rregulla gjuhësore.
Çrregullim ishte, sepse në veprimet që janë bërë ka pasur çrregullime,
si s'ka pasur çrregullime?
Blendi Gonxhe: Zoti President, ju lutem që ju shqetësuam pak, po na
dëgjoni edhe njëherë. Kemi ardhur këtu nga Qyteti Studenti dhe le t'i
themi gjërat siç janë dhe konkretisht. Të na falni se ju morëm kohë më
shumë se ç'duhet, sepse jeni shumë i zënë në këtë kohë. Kemi ardhur që
atje, dhe atje ka mbi 2000 ose 3000 veta që presin, tiranas, të afërmit
tanë, të rinj e të reja. (ndërhyn Ramiz Alia: po prandaj është mirë të
shkoni). Kemi ardhur që andej dhe jemi ndarë me këto fjalë, autobusin
desh e shqyhen, duke na kërkuar demokraci dhe duke na kërkuar që t'i
përfaqësojmë shokët drejtë për ato që na çuan. Duke brohoritur edhe në
emrin tuaj. Kishte ndonjë dorë që është me dy gishta, por ulej prapë.
Po nuk ka problem, i ulëm edhe ato.
Ramiz Alia: Atyre duhet t'ia këpusni gishtat, sepse ajo shenjë është
një çik... komprometon të tjerët. (ndërhyrje nga salla). Jo, jo, duhet
të keni kujdes, prandaj unë ju drejtohem të gjithëve.
Blendi Gonxhe: O çuna, o çuna ju lutem. Që të jemi të sinqertë deri në
fund. Meqë ata do na dëgjojnë neve dhe meqë ata kanë shpresën e madhe
tek ju, Ju lutemi studentëve, meqë ata do na dëgjojnë, që të na
kuptojnë, sepse ne kishim marrë një detyrë tjetër këtu... Kishim marrë
detyrë që të vinim të paraqisnim kërkesat tona dhe të iknim në rast se
ju nuk do na i pranonit, dhe në rast se Ju do na i pranonit, të jepnim
sihariqin. Meqë ne këtu erdhëm dhe ju na i dhatë sihariqin pa ardhur
mirë, neve duhet t'i themi studentëve që qëllimi ynë ndryshoi deri
diku, sepse Partia Komuniste Shqiptare, (ndërhyrje nga salla: Partia e
Punës së Shqipërisë), njohu më në fund parimin që të ketë parti të
tjera politike. Do bëhet apo s'do bëhet kjo, është gënjeshtër apo jo
kjo, kjo nuk dihet.
Ramiz Alia: Do bëhet. Nuk është gënjeshtër kjo. Unë po ju them do bëhet.
Blendi Gonxhe: Pra, ne kemi marrë fjalën e Presidentit Ramiz Alia këtu, dhe kjo do realizohet.
Ramiz Alia: Unë po e them se vendimi i Pleniumit të Komitetit Qendror
të Partisë për këtë çështje është një vendim që do të zbatohet. Organet
e Drejtësisë, organet e shtetit duhet të zbatojnë ligjet. Unë nga ana
ime, si President, meqë s'po më ashtu, s'po më mendoni për ashtu, por
vetëm kështu, (qesh).
Blendi Gonxhe: Vetëm ashtu kemi respekt për ju.
Ramiz Alia: S'e ke mirë. Dakord, dakord. (ndërhyrje nga salla).
Faleminderit shumë (qesh). Unë po ju them që edhe Kushtetuta, edhe
ligjet tona nuk ndalojnë zbatimin e kësaj që thuhet. Unë kam thënë në
Pleniumin e 12-të të Komitetit Qendror, kam thënë mendimin për
pluralizmin. Ky vendim i Pleniumit të 13-të të Komitetit Qendror
avancon në këtë ide, që pranon pluralizmin edhe partiak, organizimin
pluralist, jo vetëm si të thuash.
Arben Imami: Po termi partiak, ç'problem krijon?
Ramiz Alia: Asnjë problem nuk krijon.
Arben Demeti: Po sikur nesër ne si organizatë rinore e rinisë ta
quajnë, meqë është edhe shoku Lisien Bashkurti këtu, Partia e Rinisë
Shqiptare? Mund ta quajmë Partia?
Lisien Bashkurti: Atë do e vendosë rinia.
Ramiz Alia: Dëgjo, dëgjo. Po mirë krijojeni.
Arben Demeti: Do e krijojnë studentët?
Ramiz Alia: Pse nuk do marrësh pjesë ti aty?
Arben Demeti: Jam në organizatën e rinisë. Mund ta quajmë dot partia?
Ramiz Alia: E kanë quajtur këta, e kanë quajtur këta.
Arben Demeti: Juve jeni para mikrofonit, pohojeni?
Ramiz Alia: Mund ta quajnë si të duan, parti mund ta quajnë, shoqatë mund ta quajnë, kupton. Vetëm duhet të respektojë ligjet.
Salla duartroket gjatë për Ramizin.
Ramia Alia: Vetëm duhet të respektojë ligjet dhe të mos shkojë ndesh me interesat e popullit. Këtë e kini kujdes.
Arben Meçe: Po ndesh me interesat e Partisë, mund të shkojë?
Ramiz Alia: Mund të shkojë, varet se deri ku janë interesat e Partisë
dhe deri ku i kap ligji këto interesa. Ligji nuk është i Partisë.
(ndërhyrje nga salla).
Zef Brozi: Ka norma ligjore të përcaktuara. Po për partinë, a duhet të
ketë kërkesa të tjera? Nuk duhet të ketë kushtëzim nga programi juaj?
Ramiz Alia: Me ligjin është tjetër problem, s'ka pse të futesh këtu.
Zef Brozi: Për Partinë, a duhet të ketë kërkesa të tjera, se duhet të ketë kërkesa të tjera për Partinë?
Ramiz Alia: Ai mund të mos jetë hiç, por duhet të keni kujdes edhe në
këto çështjet e programeve. Do tërhiqja vëmendjen tuaj në atë çështjen
ekonomike që e keni atje në program. Do të dëshiroja që të jeni pak në
dijeni, se nuk jeni mirë në dijeni, dhe natyrisht mund të krijoni edhe
mendime të ndryshme...
Fund
 

SystemA

Jam me Shqiperine,dhe ничего против Pоссии
Anëtar
Sep 14, 2010
Postime
59,825
Pikët
113
Përgjigje e: 91-shi Rrezimi i diktatorit

Ne kemi qene si cuna lagjeje duke pare live Gjemani-Hollande,diskutohej do hyme te gjithe apo jo?
Tek busti vetem nje psikopat i ka mbajtur turmat larg,Ndue ne mos gabohem Doda(kampioni i Dinamos)por nuk jam i sigurte.
Tek reklamat e kinema Republikes kemi qene.
Por crendesi ka,histori qe ndodhi dhe e VERTETE.
Cfar do bejme!!!
Akoma me te vdekur do merremi???
 

Mandi

ஜ۩۞۩ஜ
Staff member
Anëtar
Feb 8, 2009
Postime
12,146
Pikët
113
Vendndodhja
Përgjigje e: 91-shi Rrezimi i diktatorit

Disa pamje në Shkurt të vitit 1991 !

[ame="http://www.youtube.com/watch?v=f_DX4nKB_WM"]YouTube - E rrezun qenin... e rrezun!
 

Vlonjati

Anëtar i ri
Anëtar
Oct 24, 2010
Postime
144
Pikët
0
Përgjigje e: 91-shi Rrezimi i diktatorit

----............Mbi 90 per qind e atyre studenteve qe udhehoqen protesten dhe qe moren pjese ne qeverisjen e ketyre 20 vjeteve jane bere te gjithe SPIUNE TE GREKUT
---Ata e perdoren demokracine per tu pasuruar vete dhe ne kete pasurim ata u detyruan te beheshin sherbetore te Interesave kriminale te Greqise ndaj Shqiperise
------Ndaj tani po te pyesesh ne Shqiperi popullin, duan tja vendsoin bustin prape atje ku e kishte , se njerezit i pane se kush jane keta te djathtet qe e kane mendjen vetem tek xhepi i tyre, dhe as ju dhimbset fare vendi
......Ne fakt historia per udheqesit ka nje ligjesi te tille : ...ne fillim i Glorifikon ata ,pastaj i hedh poshte dhe ne fund i RIVLERESON-----sic thote edhe Noli

------Dhe tani pas 20 vjetesh te DEMOKRATURES Shqiptaret ne te gjitha sondazhet kane vendosur si njeriun me te Patriot dhe me te dashur Enverin--Me qindra jane kenget per Enverin ,populli shqiptar e ka gdhendur ne zemer Enverin ,kendoheshin dije ,porakoam me shume dhe me zemer i kendojne sot njerezit nepr dasma e gezime
-
-------Per kundershtaret e Enverit populli Shqiptar ka parodi humori pa fund , i ka mbuluar ata me Perbuzje dhe neveri te perjetshme

------- Dhe sic po vijne punet kete Hajvanin qe eshte ne krye sot, populli ose do e mari zvare si Casuheskun
ose do e coje ne burg kur te iki nga posti , se ky hyri ne gjak me popullin dhe nuk ka per te dale pa lagur dot ----
-------Ky do mbuloohet me turp ne te gjalle te tij\
Te rojme dhe te shikojme...
 
Top