• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Rreth virtyteve të Profetit Muhamed (a.s)

PuffetiNa

V.I.P
Anëtar
Apr 28, 2010
Postime
14,090
Pikët
113


Kur’ani është mrekullia e Zotit për Profetin. Mrekulli të dhëna nga Zoti patën edhe Isai e Musai, por ato qenë vetëm sa ata qenë gjallë. Mrekullia që iu dha Profetit Muhamed është edhe pasi u nda nga kjo jetë, është e gjallë dhe e përhershme, deri në Ditën e Kiametit.


Profeti ka shumë virtyte. Ne do të përmendim vetëm disa.

1. Profetit i zbriti Kur’ani – Zbulesa më e fundit e Allahut për gjithë njerëzimin e për të gjitha kohët: “Kur’ani është, vërtet Mesazhi për ty dhe për bashkësinë tënde” (Kur’an, 43:44).

Kur’ani është mrekullia e Zotit për Profetin. Mrekulli të dhëna nga Zoti patën edhe Isai e Musai, por ato qenë vetëm sa ata qenë gjallë. Mrekullia që iu dha Profetit Muhamed është edhe pasi u nda nga kjo jetë, është e gjallë dhe e përhershme, deri në Ditën e Kiametit. Ka më se 1400 vjet që është ashtu siç ka zbritur, pa iu hequr e shtuar as edhe një shkronjë. Ka më se 1400 vjet që i mëson njerëzit e i çon drejt së Vërtetës. Zbritja e Kur’anit e lartëson shumë gradën e Profetit (edhe të njerëzve përreth tij, në gjuhën e të cilëve u shqiptua), duke e bërë atë të përmendur përgjithmonë në historinë botërore. Profeti erdhi si drita e Diellit (siraxh) për të ndriçuar tërë botën (71:16). Krahasimi është plotësisht i gjetur: kur lind dielli, dritat e tjera (më të dobëta) zbehen para dritës së tij. Kështu është fjala e përcjellë nga ai, Mesazhi i Islamit, Kur’ani – është dritë për gjithkënd, për gjithë universin, për gjithkah e përgjithmonë.

2. Profeti erdhi si mësues për të gjithë njerëzimin. Ai nuk erdhi për të krijuar fe të re, sepse “feja e krijuar” nuk është fe. Ai erdhi për të na e mësuar fenë – fenë islame, që është edhe feja e Ibrahimit, e Musait, e Isait.

Ai nuk është vetëm mësuesi më i parë i Islamit, por njëherazi, edhe interpretuesi më i parë i Kur’anit. Në ç’mënyrë? Ende pa mbaruar tërë zbritja e Kur’anit, sahabet (shokët e Profetit) bënin pyetje nga më të ndryshmet për ajetet që vinin. Profeti përgjigjej e shpjegonte.

Profeti është dërguar për të mësuar e drejtuar njerëzit në rrugën e drejtë. Ai nuk është dërguar të detyrojë vullnetin e tyre ose t’i ndëshkojë ata. Ndëshkimi i përket vetëm Allahut. Kjo ishte detyra e këtij mësuesi të madh.

Edhe pse u fye e u përndoq, ai nuk e braktisi kurrë detyrën e tij. Ai vijoi t’ua mësonte të tjerëve Mesazhin, sepse ai e dinte se do të përgjigjej para Allahut. Tashmë, një mësues i madh, por edhe i paepur (shih në Kur’an: Ai është shembull i përpjekjeve të paepura (66:9).

3. Profeti erdhi si dëshmitar për gjithë njerëzimin (33:45) për të vërtetat shpirtërore. Ai është dëshmitar për veprat e njerëzve – dëshmitar për ata e për ato që e pranojnë Shpalljen, Zbulesën - Kur’anin dhe për ata e për ato që e mohojnë a e përgënjeshtrojnë atë (4:41).

4. Ai erdhi si lajmëtar i Lajmeve të Mira – si lajmëtar i Mëshirës së Allahut: sido që njerëzit mund të kenë bërë gjynahe, kanë shpresë se do të falen nëse besojnë, pendohen e i rikthehen tërësisht jetës së ndershme.

5. Profeti erdhi si paralajmërues për ata e për ato që e shpërfillin të vërtetën. Jeta botësore (kjo jetë) ka një cak, ka një fund. Jeta tjetër është e pambarimtë. Dhe ai na thotë: Mos e shpërfill Jetën Tjetër!

6. Ai erdhi si i Dërguar, me të drejtën për t’i ftuar njerëzit të pendohen që t’u falen gjynahet dhe këtë ai e bëri jo me autoritetin e vet, por me autoritetin e dhënë nga Zoti. Fjala e tij mund ta ndihmojë çdo njeri të ecë në Rrugën e Drejtë.

7. Këshillimi është fjala kyç e sures 42. Në shkallën më të lartë, këshillimi u shfaq te Profeti. Profeti është më i miri në këshilla (41:33). Kush meriton më shumë se ai të dëgjohet? Fjala e tij ka arritur shkallën më të lartë të ligjërimit njerëzor.[1] Përse është e tillë? Është e tillë sepse: a) ai i fton të gjithë njerëzit tek e Vërteta, te Rruga Allahut, te besimi në një Zot, duke vërtetuar kështu se fjala e tij nuk përqendrohet tek ai, por tek Allahu; b) çdo vepër e tij është e drejtë sepse ai ka vërtetuar se nuk ka mospërputhje midis fjalës së tij dhe veprës së tij; c) ai e lidh veten e vet tërësisht me Vullnetin e Allahut, duke vërtetësuar kështu se ai ishte mishërim i plotë i Islamit.[2]

8. Profeti ishte vetë Mëshira e Allahut. Ai u ngrit në një dinjitet të lartë shpirtëror. Ky ishte një shpërblim që ishte vetë thelbi i qenies së tij. Atij i qe dhënë një fytyrë, një natyrë dhe një karakter larg zemërimeve, inateve, shpifjeve e përndjekjeve të bashkëkohësve të tij,[3] si Ebu Xhehli e Ebu Lehebi. (Kush qenë ata, e jep përgjigjen historia botërore). Profeti i thërret arsyes së tyre e logjikës së ngjarjeve. Dhe, thirrja e tij nuk është vetëm për bashkëkohësit, por për të gjitha kohët, pra edhe për sot, sepse edhe sot ka Ebu Xhehla e Ebu Lehebë. Kjo do të thotë, nga ana tjetër, që përgjegjësia është vetjake nëse nuk i përgjigjesh ftesës së Kur’anit e të Profetit për të ecur në Rrugën e Drejtë.

9. Profeti nuk kishte ambicie egoiste. Ai ishte i drejtë në mendime, në fjalë, në vepra e në veprime. Ishte mirëdashës ndaj të dobëtëve; atij i errësoheshin sytë t’i përmendje fuqinë, pasurinë e pozitën botësore. Ai nuk ndikohej nga i fuqishmi, nga tallja e cinikëve, nga ashpërsia e së keqes e shpërfillja e të pavëmendshmëve. Ja pse ai qëndronte guximshëm kundër së keqes.

10. Ai nuk i hante fjalët dhe paralajmërimet e tij nuk dilnin ndër dhëmbë; ai fliste shkoqur e hapur. “Le të bëjnë ç’të duan kundër meje!. Nuk munden sepse ata mbështeten në besime të kota”. (7:195)

11. Profetin e njihnin të gjithë për shembullor. Por, sapo mori misionin për të përcjellë fjalën e Allahut, luftën kundër së keqes, e keqja ngriti barrikada (18:30; 9:13). Edhe sot, pas më se 14 shekujsh, e keqja nuk do të shohë, të dëgjojë, të kuptojë.

Ai ishte njeri si të tjerët. Ai mund të hakmerrej. Fuqinë e kishte. Por ai mbante një qetësi prekatare; ndërkohë nuk bënte kompromis me injorancën. Allahu i jepte tri udhëzime: a) t’i falte fyerjet, dëmtimet dhe përndjekjet; b) të vijonte ta shpallte besimin (fenë) te miqtë e te armiqtë; c) të mos u kushtonte vëmendje injorantëve që ngrinin dyshim e krijonin vështirësi, që e qortonin, që kurdisnin komplote për të shkatërruar të vërtetën; ata do të shpërfilleshin e nuk do të hyhej në kontradikta të pafrytshme.

12. Profeti ishte i pashkolluar. (Në suren 62:2 thuhet se edhe të tjerët (bashkëkohësit) ishin të pashkolluar dhe Zoti u çoi nga mesi i tyre një të dërguar t’u shpallte atyre Shenjat e Tij - e Zotit). Ai nuk kishte bërë shkollë por kishte zgjuarsinë më të lartë e njihte shumë mirë librat e mëparshëm. Kjo ishte një mrekulli që është provuar e provohet. Një shembull: Marrëveshja e Hudejbijes qe fitore e madhe morale, shoqërore por edhe politike. Mësimet që nxirren janë në suren 48. U arrit falja, por falja është barasvlerëse e Mëshirës.

U plotësua dinjiteti i Profetësisë me dinjitetin e një pozite të frytshme e të njohur në Arabi. U hap rruga e drejtë për në Islam, duke marrë Mekën vitin e mëpasëm – Meka - qendra simbolike e Islamit. U hap porta për përhapjen e lirë të Islamit në tërë Arabinë e më tej, në tërë botën. Këtë marrëveshje mund ta bënte vetëm një njeri i mençur. Po të kishte qenë i shkolluar, do të kishte pasur ndikime, sepse dija njerëzore përpiqet të mbajë anën e një shkolle të caktuar mendimi. Profeti, Mësuesi i Madh ishte i lirë nga ky ndikim; ai ishte si një tabula rasa, ku mund të shkruhej kaq pastër mesazhi që do të përcillte[4].

13. Profeti ishte njeri. Si njeri, kishte familje, ishte pjesëtar i familjes, ishte qytetar e pra, kishte shumë detyra të zakonshme. Ai kujdesej për familjen, ai milte delet e devetë. Por, ndërsa do të kryente detyrat e zakonshme, ai duhej të punonte. Ai ishte baba shembullor, bashkëshort shembullor, shok shembullor, fqinj shembullor, udhëheqës shembullor sepse në të gjitha punët dhe në të gjitha kohët ruante ndjenjën e afërsisë së Allahut, e qenies para Allahut. Puna e vepra e tij ishin në Tokë, kurse zemra e tij ishte në Qiell.





[1] Musai, p.sh., kërkoi ndihmën e të vëllait: Dhe ma hiq pengesën që kam kur flas (zgjidhma nyjën që kam në gjuhë), / Që ata të më kuptojnë / Çfarë them / Dhe më jep një ndihmëtar / Nga familja ime, / Harunin, tim vëlla!” / Kur’ani, 20:25-28)

[2] Shih, p.sh., hadithet e tij për besimin, monoteizmin, dijen, Zekatin, atributet e Kur’anit, interpretimin e Kur’anit, shokët e tij, sjelljen e mirë, betimet, dëshmitë, sjelljen me të sëmurin, ushqimin e shumë e shumë të tjera. Këshillimet e tij shkojnë nga gjërat më të rëndësishme të jetës e të jetesës së njeriut, siç është monoteizmi, deri tek ato më të rëndomtat, siç mund të ishte, p.sh. edukata në shtëpi. “Kurdo që të përhapen marrëdhëniet seksuale jashtë martese, - këshillonte ai, - do të shfaqen infeksione dhe sëmundje vdekjeprurëse ndër njerëz, si edhe sëmundje të panjohura nga paraardhësit e tyre”. (M. Mubabaja, Islam – the solution to the world’s perplexing social problems, Riad, 1993, f. 3). Një këshillë aq e madhe e aq kuptimplote për të sotmen e njerëzimit.

[3] Shih në Kur’an:

- ai ka moralin më lartë, 33:21; 68:4;

- është i drejtë e i ndershëm, 9:128; 18:6; 26:3; 69:40;

- është më i ndjeshmi ndaj besimtarëve, 9:128; 33:6;

- është i dhembshëm, 3:159;

- ka një zemër që vuan për të tjerët, 9:128; 15:97; 16:127; 18:6; 25:30;

- është shembull i sjelljes së hijshme, 33:21.

[4] Shih në Kur’an: “Thuaj: Nuk jam risimtar ... Detyra ime është vetëm të shpall me zë të lartë e të qartë Mesazhin që më është besuar nga Allahu” (46:9). Shih më tej në Kur’an:

-e sjell Kur’anin siç i zbret, 10:15; 11:12-14; 46:9;

-nuk flet sipas dëshirës së vet, 53:3-6;

-kumton të Vërtetat, 4:170;

-Allahu e dëshmon misionin e tij, 13:43; 29:52; 46:8.
 
Top