• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Sergej Esenin

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,494
Pikët
113
Sergej Esenini për veten


Jam një bir fshatari. Kam lindur më 21 shtator 1895 në lokalitetin e Kuzminit të qarkut të Rjazanit, po në gubernën e Rjazanit.
Qysh në moshën dy vjeç, meqë babai ishte i varfër dhe kishte shumë frymë në familje, më dërguan te gjyshi nga nëna, i cili ishte mjaft në gjendje dhe kishte tre djem të rritur beqarë, me të cilët kalova gjithë fëmijërinë. Dajët e mi ishin djem çapkënë dhe kokëkrisur. Kur u bëra tre vjeç e gjysëm, më hipën në një kalë pa shalë dhe më lëshuan revan. Mbaj mend që u tremba shumë dhe u kapa fort pas jeles së kalit.
Pastaj më mësuan të bëja not. Njëri nga dajët (dajë Sasha), më merrte në barkë, më zhvishte e më hidhte si këlysh në ujë. Unë përplasja krahët si i çoroditur e i tromaksur dhe, kur mua gati më mbahej fryma, ai bërtiste: „Eh kuçkë! S’je për asgjë! Fjalën kuçkë ai e kishte përkëdhelje. Më vonë në moshën tetë vjeç, një daje tjetër unë i zëvendësoja shpeshherë qenin e gjahut, duke notuar nëpër gjole për të kapur rosat e egra. Isha mësuar për bukuri të ngjitesha nëpër pemë. Për këtë ua kaloja të gjithëve. Kur mëllenjat nëpër mështekna nuk e linin ndokënd të flinte, unë ngjitesha shpejt dhe merrja çerdhet. Një herë rashë, po nuk pësova ndonjë gjë të madhe, u gërvisha pak në fytyrë e në bark, po theva një shtamë me qumësht që do t’ia çoja gjyshit që po kosiste.
Midis fëmijëve isha gjithnjë i parë dhe sherrxhi i madh, dhe kthehesha në shtëpi përherë i gervishur. Për këto prapësira më bërtiste vetëm gjyshja, kurse gjyshi më nxiste nganjëherë edhe vetë për sherr dhe i thoshste gjyshes: „Mos e nga moj budallaqe. Ashtu do të bëhet më i fortë“.
Gjyshja më donte me gjithë shpirt dhe dashuria e saj nuk njihte kufi. Të shtunave më lanin, më prisnin thonjtë e më lyenin kokën me vaj, se flokët e dredhur mezi më kriheshin. Po edhe vaji s’më bënte shumë dobi. Përherë bërtisja e madje edhe tani sikur s’para i pres me kënaqësi të shtunat.
Të djelave më dërgonin gjithnjë në kishë dhe që të siguroheshin se veja vërtet, më jepnin 4 kopejka. Dy kopejka për naforë dhe dy për t’i hedhur te kondizma e Shenjtorit, po unë paguaja vetëm për naforën, kurse te shenjtori bëja sikur hidhja, po s’hidhja gjë dhe ia mbathja në varrezë e luaja me kalamjtë.
Kështu më kaloi fëmijëria. Kur u rrita, donin të më bënin mësues fshati, ndaj më shpunë në një eminar fetar, pas mbarimit të të cilit duhej të shkoja në Institutin Pedagogjik të Moskës. Për fat të mirë, nuk ndodhi kështu. Metodika dhe didaktika më kishin ardhur në majë të hundës dhe as doja të dëgjoja më për to.
Vjersha kam filluar të shkruaj herët, nëntë vjeç, por, me ndërgjegje të plotë, krijimtarisë i hyra kur u bëra 16-17 vjeç. Dhe vjersha të kësaj moshe i kam botuar në librin tim të parë “Përshpirtja“.
Kur u bëra tetëmbëdhjetë vjeç, habitesha pse gazetat nuk m’i botonin krijimet që u dërgoja dhe befas ia mbatha në Petërburg. Atje nuk më pritën keq. I pari që njoha ishte Blloku, i dyti, Gorodeckij. Kur takova Bllokun, më rrodhën djersët çurg, sepse për herë të parë po shikoja një poet të gjallë. Gorodeckij më njohu me Klujevin, që s’ia kisha dëgjuar ndonjëherë emrin. Me Klujevin u bëmë miq të ngushtë, miqësi që e vazhdojmë edhe sot, pavarësisht se kemi gjashtë vjet pa u takuar.
Tani ai jeton në Viterg, më shkruan se ha bukë me krunde e se ka mbetur për faqe të zezë dhe se i lutet Zotit që të mos vdesë me turp.
Viteve të luftës dhe revolucionit, fati më përplasi sa andej këndej. I rashë Rusisë kryq e tërthor nga Oqeani i Ngrirë i veriut, e deri në detin e Zi dhe atë Kaspik, nga Perëndimi në Kinë, Persi dhe Indi.
Kohën më të mirë të jetës sime quaj vitin 1919. Atëherë kaluam një dimër me 5 gradë temperaturë brenda në dhomë. S’kishim asnjë shkop dru.
Në PKR nuk hyra asnjëherë, sepse e quaj veten shumë më të majtë.
Shkrimtari im më i dashur është Gogoli.
Kam botuar shtatë libra. Tani po punoj mbi diçka të madhe, të titulluar „Vendi i horrave“.
Në Rusi, kur s’kishte letër, me Kusikovin dhe Mariengofin i shkruanim vjershat në muret e manastirit të Përkushtimit, ose i recitonim ku të mundnim nëpër bulevard. Amatorët më të mirë të poezive tona ishin prostitutat dhe banditët. Me ta ishim miq përherë. Komunistët na urrejnë tmerrësisht.
U dërgoj përulësisht të fala gjithë lexuesve dhe pakëz vëmendje përpara tabelës „Lutem mos qëlloni!“

Berlin, 14 maj 1922
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,494
Pikët
113
Sergej Esenin - poezi

Shqipëroi Jorgo Bllaci



PUTHMË, MOJ E DASHUR, PUTHMË...

Puthmë, moj e dashur, puthmë,
Gjer ne dhëmbje, gjer në gjak.
S’e duron dot ftohtësirën
Zemr’ e ndezur zjarr e flakë.

S’eshte kupa e përmbysur,
Mes gazmorëve, për ne.
Ti një gjë kupto, moj mike:
Veç një herë rron mbi dhe!

Shih, në mes të errësirës,
Hënën që shkëlqim vërshon;
Sikur t’ish një korb i verdhë,
Përmbi tokë fluturon.

Puthmë de! Se kalbësia
Këngën time ma këndoi;
Ka të ngjarë, qielli sipër
Fundin tim parashikoi.

Eh, moj forcë që venitesh!
Do të vdes, kjo s’ka dyshim!
Vetëm dua t’i puth mikes
Buzët, gjer në fundin tim,

Që pa turp edhe pa drojtje,
Ëmbëlsisht kur t’ëndërroj,
Tok me shushurima vishnjesh,
“Jam e jotja,- të jehojë.”

LETËR NËNËS

Gjallë je, nënoke?
Edhe unë gjallë jam!
Shëndet më paç, shëndet!
dritë e beftë krejt kjo mbrëmje e lum
Izben tënde, që me mall më pret

Thon se je ligur e je tretur
Nga meraku im, por nuk ankon
Se, pështjell me një shall të vjetër
fillikat rrugës shpesh kalon

Dhe kur mugëtirë e kaltër bie
një vegim i zi të kall ty frikë
Sikur në sherr diku në pije
Vjen dikush e ma këput me thikë

Kot e dashur, vuan kaq, besom
Brenga t'i fanit këto ndër sy
S'jam aq pijanec i lig sa thonë
Si do vdes pa të të parë ty?

Unë jam po foshnje, si njëherë
Dhe një shpresë veç ushqej në gji
T'iki nga ky tym e kjo poterë
te shtëpiza jonë aty të vij

Dhe do vij, kur kopshti ynë i bardhë
Anekënd të vishet me blerim
Vetëm ti, si tetë vjet më parë
Mos më zgjo aq herët në agim.

SA E MIRË QE TANJUSHA

Sa e mirë qe Tanjusha
Më të bukur s'kish në fshat
Sarafani me tantella
Ç'hijeshi i kish në shtat
Te përroi para gardhit
Zbriti vajza plot hare
Përtej mjegullës së bardhë
Hëna luante me re

Doli djali, uli kokën kaçurrele para saj
"Lamtumir" me një tjetër
I tha: Fatin do ta ndaj
U zbeh vajza si qefini
Porsi vesa, erdh' u gri
Si nepërkë i'u nder gërsheti
Zemra iu helmua në gji

"Oh, po ndaj dhe unë erdha
Ftohtas iu përgjegj ajo
"Të të them se do martohem
Me një tjetër që më do"
Në mëngjes gjëmoi kisha
Çifti s'dihej cili qe

Kurse tutje s'qanin gjelat
Pragu i Tanjës qe në vaj
Një sopatë e zezë tëmblin
Plagë, i'a kish bërë asaj
Pika gjaku kish kurorë
Balli vajzës i pa fat
Sa e mirë qe Tanjusha
Më të bukur s'kish në fshat

***

Ti s'më do? S'të dhimbsem sado pakëz?
Nuk ta mbushkam syrin apo si?
prapseprap ti ndizesh e merr flakë
tek shtrëngohesh supeve të mi

Mike, epsh e tëra, lajka s'dua
As i vrazhdët nuk të sillem dot
Veç më thuaj: sa kështu si mua
puthur e shtrënguar ke gjer sot?

Unë e di, të gjithë hije u bënë
Dhe s'ta shuan zjarrin pa mbarim
Prehër pa ulur ti s'ke lënë
Si po rri tani në prehërin tim

Nëse këto çaste ndonjë tjetër
Sjell ndërmend ti, syçkat kur pulit
Mos pandeh se po mërzitem tepër
Tjetër kënd dhe unë kam në shpirt

S'është fat kjo lidhje mendjelehtë
po një flakë çasti veç, ta dish
Si të njoha rastësisht i qetë
"Mirëmbetësh" do të them sërish

Edhe ti do marrësh udhën tënde
Do bësh pluhur ditët plot mërzi
Veçse mos lakmo t'i marrësh mendjën
Kujt s'ka njohur puthje e dashuri

krahë për krahë me ndonjë tjetër djalë
Udhës kur të shkosh ti, ku ta dish?
Mbase dhe unë do kem dalë
Për shëtitje, e shihemi sërish

Ti më fort pas tjetrit do të ngjitesh
Dhe me kryet ulur ftotësisht
"Mirëmbrëma " do më pëshpëritësh
Kurse unë "mirëmbrëma, Miss"

Dhe asgjë nuk do më trubullojë
S'do më dridhet shpirti për asgjë
Kush ka dashur s'mund të dashurojë
Kush u dogj një herë, s'digjet më...

***

Erë, erë e dëborës, moj erë
Merrmi vitet në krahët e tu
Dua djalkë të jem dhe një herë
Apo lule e luginës diku

Nën një fyell bariu plot dhimbje
Dua sytë t'i mbyll në harrim
Zile yjesh, me borën e mbrëmjes
të më bien në vesh pa pushim

Oh! Sa bukur e dredh ajo këngën
Në tufan dëshprimi kur derdh
Do të desha diku me një këmbë
ndanë rrugës të rrija, si bredh

Hingëllima në terr kur të ndjeja
të pushtoja kaçuben përbri..
Zgjati putrat, o hënëz, drejt meje
Merrmi brengat në qiell tek ti

RRËFIMI I HULIGANIT

Gjithkush të këndojë s’di,
As gjithkujt i takon, si mollë,
Ndër këmbë të tjerësh të bjerë.

Rrëfim më të madh se ky,
Huligani s’ka bërë asnjëherë.

Shpupurisur kështu, dua vetë,
Me kokën, si llampë vajguri mbi sup, të bredh:
Vjeshtës së shpirtrave tuaj, vjeshtë pa fletë,
Dritë në terr t’i hedh.
Më pëlqen kur të shara dëgjoj,
Dhe kur gurët më vinë si breshër,
Vetëm ngre duart
Dhe flakën e flokëve mbroj.

Sa mirë më vjen n’atë çast, kur tek mbrohem ashtu,
Kujtohem se ka dhe një pellg mes blerimesh mbi
tokë,
Se kam edhe unë një mëmë e një babë dikur,
Që për vjershat e mia vërtet s’çajnë kokë,
Veç të shtrenjtë më kanë, si fushën e si bereqetin,
Si shiun, që jetën gjallon në pranverë;
Për çdo të bërtitur ndaj meje, do suleshin rreptas
Si cfurqe mbi ju, njëherësh!

Të varfrit e mij katundarë!
Tani u rrëgjuat e rroni
Me frikën e zotit dhe fundit të zi të kënetës;
Oh, po si nuk kuptoni
Që sot në Rusi biri juaj
Çmohet mbi gjithë poetët?
Mbani mend? Ju pikonte në zemër,
Kur zbathur dikur pllaquritej nëpër baltovina,
Kurse sot mban cilindër
Dhe këpucë llustrina.
Po huqet e hershme të fshatit,
Kur bridhte pa fre, s’i harron;
Çdo lope, nga çengeli i dyqanit të kasapit,
Të fala që larg i dërgon.
Papo kur shesheve sheh karrocierë,
Erë e plehut ndër mend i bie,
Dhe bishtin e çdo kali gati është aherë
Ta mbajë si bisht fustani nusërie.

E dua atdhenë,
E dua fort atdhenë,
Sidoqë ka një ndryshk të shelgtë brenge.
Dhe derrat feçkëndotur më pëlqejnë,
Dhe zhurma e bretkosave ndër pellgje.
Sa mall kam për vitet fëminore,
Për ato mbrëmje prilli, që s’më shqiten nga kujtimet:
Gulaç sikur qëndronte panja jonë mes oborrit
Dhe ngrohej në zjarr të perëndimit.
Sa herë nëpër degët e saj jam kacavjerrur,
Sa vezë sorrash kam vjedhur ndër fole!
A thua e ka blerimin e atëhershëm
Dhe koren e lëmuar ende?
Po ti, o qeni im,
Besniku im i shkretë?!
E di, je plakur mjaft e je verbuar
Dhe angullin oborrit bishtpërpjetë,
Se dyer e haure ke harruar.
Oh, e mbaj mend dhe sot e kësaj dite,
Si copn’e bukës kapnim ne së toku
Nga dorë e nënës, e si e kollofitnim,
Në pjesë pa i hyrë shoku-shokut.
Njëlloj edhe sot kam mbetur!
Sytë më lulojnë po njëlloj,
Si lule kokoçelesh nëpër thekër;
Të shpreh atë ç’ka ndjej në shpirt më tepër.

Natën e mirë!
Të gjithëve natën e mirë!
Kosorja e muzgut po tringëllin mes barit...
Nuk di pse paskam sonte dëshirë
Hënën të shoh nga dritarja,
Oh, sa dritëz e kaltër! Në kaq kaltërsi,
S’të vjen keq as të zbresësh në varr.
Dhe cinik s’ka pse dukem aspak, që tani
Te menderja llampën po var.
O Pegasi i mirë e i lodhur,
Trokun tënd aq të butë a ia vlen këtë çast ta kërkoj?
Unë mjeshtër i egër kam ndodhur,
Për minjtë lavde këndoj.
Ç’po më zien radakja, furrë e trazirë.
Verë flokët çaprazë kullojnë.
Një velëz e verdhë të jem, kam dëshirë,
Te ky vend, ku sot lundrojmë.

***


Mbrëmja vetullat ngrysi. Se ç’kuaj
Hingëllijë n’oborr, nuk po di.
Dje na humbi rinia, më thuaj,
Dje u puthëm së fundi ne të dy?

Trojkë e vonë, ç’gërhet? Më ngadalë!
Jeta jonë as ka gjurmë gjëkund.
Ndoshta nesër, në shtrat të spitalit,
Do të prehem në paqen pa fund.

Apo ndoshta papritur do ndihem
I shëruar e plot gjallëeri
Dhe do rri të mbaj vesh, gjer të shkrihem,
Shushurimn’e qershive nën shi.

Do harroj ç’plagë zemre më brejtën
Këta vite të turbullt stuhish.
O fytyrëz, e dashur, e shtrenjtë!
Ndër kujtime, veç ti do më ndrish.

Mund që nesër të dua një tjetër,
Po, ta dish, dhe asaj, orë e çast,
Veç për ty, për mikeshën e vjetër,
I përmallur gjithnjë do t’i flas.

Do t’i flas për të bukurën kohë,
Kur ne shkriheshim n’ëndërra blu...
Koka ime e kriskur, moj kokë,
Ku t’u shkrep të më shpiesh kështu?

***

Bluza ngjyrë qielli. Sytë blu. Nuk di
Si m’u shkrep t’i flisja mikes me dredhi.

“Mos po nis tufani? – pyeti ajo, -
Të hedh dru në stufë, të të shtroj a do?”

“Atje lart, - ia ktheva, - dikush po na sheh
dhe lule të bardha po lsëhon mbi ne.

Hidhja drutë stufës, shtrona shtratin, ç’pret?
Se, aty, në zemër kam tufan vërtet?

***

Ç’ke që më ngërdheshesh? Dorën pse ma tund?
Ty as nëpër mendje nuk të shkoj gjëkund.

Kam një mike tjetër, këtë, besoj, e di,
As t’i hodha sytë, as erdha tek ti.

Dola këndej pari, jo se s’rrija dot,
Desha veç dritaren të shikoja kot.

***

Një dëfrim veç tani më ka mbetur –
Gishtat gojës e fort fishkëlli!
Kudo thonë: mbi mua s’ka tjetër
Skandaloz e rrugaç në Rusi.

Humbje e madhe ky nam, po s’mërzitem,
Jeta humbje ka plot kësisoj.
Turp që zotin besova kaq vite,
Po mjerim që tani s’e besoj.

Kohë, o kohëz e largët, e artë!
Llavë e jetës gjithçka e bën shkrumb.
Unë, veç për t’u djegur më qartë,
Pas skandaleve renda gjithkund.

Mirësinë dhunti ka poeti;
I këtillë prej fatit u pre.
Trëndafilin me zhabn’e kënetës,
T’i martoja kam dashur mbi dhe.

Kushedi, mbase ç’ëndërra thurra,
Dorë e kohës m’i shterri ndër sy.
Veç, në shpirt, gjersa djajtë m’u turrën,
Domethënë kish engjëj aty.

Pikërisht për këtë tjetër anë.
I paudhi ku dot nuk u fut,
Cilindo që të kem aty pranë,
Do ta lus, në të fundmin minut,

Që për gjithë mëkatet e mia,
Për gjithçka zemërova tënzonë,
Të më veshin këmishë rusie,
Të më venë të vdes nën ikonë.

KUR NDIZET FLAKA E BLERTË

KËNGË PËR BUSHTRËN

Një mëngjez, te cep’ i avllisë,
Nën rrogozët e nderur, mbi kashtë,
Një bushtër dha shtatë këlyshë,
Të shtatë krejt kuqalashë.

Deri ndaj mugëtirës,
I krehu me gjuhë, i llastoi.
Rrëke dëbora e shkrirë,
Nën barkun e ngrohtë i kulloi.

Po më tëerrur, si mblodhi pulat
Dhe i mbylli pastaj në qymez,
I zozi vajti te bushtra,
Këlyshët i mori në thes.

Nëpër pirgje dëbore, pellgje,
E ndoqi me ankth mëmä e ngratë,
Ujrat, ku putra i shkelte,
Dridheshin, dridheshin gjatë.

Po kur pakëz u ndal të lëpinte
Nëpër ijë djersët çurg,
Mbi kasolle hëna tek ndrinte,
Si një nga këlyshët iu duk.

Përvajtshëm thellë angulliti,
Me vështrimin mbëthyer atje.
Po hëna lehtë rrëshqiti,
Tej mbas kodrinës u fsheh.

Dhe, si gurët që shpesh u vërvisin
Për tallje qenve të gjorë,
Sytë e saj u rrokullisën,
Porsi yje të artë, mbi borë...
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,494
Pikët
113
Sergej Esenin - poezi

***

Shih, lumturi budallaçka
Në kopsht nga dritaret shikon!
Heshtas mbi pellg perëndimi,
Si mjelmëz e kuqe pluskon.

Shëndet, qetësi e florinjtë,
Plot hije gjithkund! Mbi çati,
Tufë e laraskave roje
Yllit të mbrëmjes i rri.

E drojtur, diku para kopshtit,
Kalina ku lulet harlis,
Një vashëz, krejt në të bardha,
Embël një kënge ia nis.

Dhe hapet, si rraso e kaltër
Mbi fushë, e natës freski...
Eh, lumturi budallçka,
Purpur i faqeve ti!

nga MIKU IM I SHTRENJTË LAMTUMIRË


***

Rreptas përdridhet shakull’ i borës.
Fushës, një trojkë turret gazmore.

Turret me të një rini krejt e huaj.
Kohëz gëzimesh, ku je ti, më thuaj?

Ike mes shqotash, revan duke ngarë,
Ja, si kjo trojkë, që rend kaq e marrë.

QENIT TË KAÇALLOVIT

Nëm putrën Xhim, si mik, si shok;
Të tillë putër s’më kanë zënë syri.
Eja t’i lehim hënës të dy tok,
Tani që hesht kudo përreth natyra.
Nëm putrën, Xhim, si mik, si shok!

Pëllumbi im, kështu mos u lëpi,
Një gjë të thjeshtë shih mos e kuptosh,
Po ç’halle ka kjo botë ku di ti,
Dhe as që di si duhet të jetosh.

Pronarit tënd të mirë e të dëgjuar
I vinë miq të shumtë gjithëmonë;
Sikush prej tyre, duke të lëmuar,
Të buzëqesh edhe të ledhaton.

Si qen që je, për dreq, je shumë i mirë,
Me këtë pamje që gjithkënd afron.
Gjithkënd e puth ti duke e lëpirë,
Sidoqë leje fare s’i kërkon.

I shtrenjti Xhim, mes miqve që të vinë,
Nuk di, do ta kesh parë ndonjë herë,
Atë që shpirtit nuk ia ndan mërzinë,
Po rri e heshtur edhe pik’ e vrer?

Në ardhtë ajo, të jap një porosi:
Në vendin tim, vështroja sytë e saj
Edhe për mua dorën ia lëpi,
Për gjithë ç’kisha apo s’kisha faj.

***

Mbi dritare, hëna. Era, nën dritare.
Plepi, më të zhveshur, krejt argjend i larë.

Tej një harmonikëz vetmitare qan,
Po sa shumë i largët zëri i saj më ngjan.

Qan e qeshet kënga, dridhet plot hare.
Bliri degërëndë, bliri im ku je?

Dikur edhe unë merrja harmonikën
E me tinguj malli, shkoja zgjoja miken.

Po tani një hije jam për sytë e saj.
Nën këngën e huaj, edhe qesh, dhe qaj.

***

Mos u këput, o ylli im,
Shkëndrit e derdh të ftohtat rreze,
Se gjallë zemra s’regëtin,
Që prapa gardhit të varrezës.

Ti, si në gusht ndriçon mbi ara,
Dhe heshtjen fushës pa mbarim
Ia mbush me klithma më të qarë
Kojrillash gati për shtegtim.

Teksa në qiell të kërkoj,
Nuk di nga ç’pyll apo kodrinë,
Një melodi sikur dëgjoj
Për tokën mëmë e për shtëpinë.

Dhe vjeshta ngjyer ar e tëra,
Me erën drutrët tek përthan,
Për gjithë ç’deshi e la, mbi rërë,
Me lotët e fletishtes qan.

E di, e di që shpejt do vijë
Dhe ora, kur pa pasur faj,
Nën atë gardh të ulët zije
Do fle dhe unë paskëtaj.

Do shuhet flaka ledhatare,
Do bëhet zemra baltë e hi.
Dhe miqtë vargje hokatare
Do m’i skalisin gurit gi.

Por unë do t’u kisha thënä:
Skalitni në më patët mik,
“E desh atdheun, tokën mëmë,
siç do tavernën një pijanik.”

TUFANI

Tirreni, ditë, fillin,
Si dikur!
Shpirt’ i të gjallit nuk ndryshon kollaj.
Me ç’shoh,
As me vetvehten s’do merrem vesh dot kurrë;
I huaj krejt i dukem dhe asaj.

Bëj të lexoj,
Po libri shket nga dora.
Më hapet goja,
Gjumë po më vjen.
Qan pareshtur drejt dritores,
Varrimin tim sikur po parandjen.

Pa pupla mbetur,
Panja majënxirë
I qahet qiellit
Për blerimn’ e shkuar,
Një palo shtyllë
Duket n’errësirë:
O varet kush në të,
O do rrëzuar.

Edhe i ppri
Duhem varur unë,
Me duart lidhur prapa, menjëherë,
Sepse atdheut
I kam prishur gjumin,
Me këngën e sëmurë
Dhe të çjerrë.

Këngë këndezash
Unë s’duroj dot,
Dhe ja ku po ju them, se për gurmazi
Do ta mbërtheja çdo këndez në botë,
Që natën
Mos ia ndjeja kurrë avazin.

Veçse lajthita
E si këndez dhe vetë,
Pa gdhirë dita,
Klithmën e lëshova.
Harrova amanetet e tim eti,
Me derte zemre e vjersha u ngatërrova.

Gjëmon tufani,
Porsi demi çirret,
Kur thikën e kasapit ndjen në bark.
Në mjegullën e ftihtë
Dhe të ngrirë,
S’kuptohet
S’kuptohet
Ku është afër
E ku larg...

Me siguri,
E hëngrën qentë hënën,
Prej kohësh
Nëpër qiell s’po duket më.
Duke tërhequr filin prej shtëllungës, nëna
Me boshtin bisedon,
Pa zë.

Maçoku shurdh
E ndjek atë bisedë,
Që lart nga stufa,
Gjithë madhështi;
S’i tremben kot gjtionët,
Se vërtet
Përngjan si buf i zi.

Ç’më mbyllen sytë,
Sa më çele pakëz,
Më bëhet sikur jam
Në botë përrallash;
Tek tjerr,
Më duket nëna
Shtrigë plakë.
Maçoku më nxjerr gjuhën,
Sikur tallet.

Nuk di në jam sëmurë,
Veç mendimet
Andej këndej
Më bredhin kuturu.
Mbi krye ndjej
Lopatat e varrimit
Dhe një këmbanë vaji
Larg diku.

Groposur e shoh vehten
Thellë varrit,
Tak “allilluia”
Dhjaku më këndon.
Qepallat hap
E fus dy pare bakri,
Pastaj i mbll ngadalë
Përgjithmonë.

Me këto dy kacidhe sysh të vdekur,
Varrmihësi do ndihet pak më ngrohtë;
Mbi mua
Baltën si të ketë hedhur,
Do vejë e do të kthejë ndonjë gotë.

Edhe “Ky qe çudi!” – do mërmëritë -
Dy gurë bashkë s’la
Sa ishte gjallë,
Aman pesë faqe nuk arriti
Të fuste dot në tru
Nga “Kapitali”.

***


Po rrëshqasin sajet. Sajet po rrëshqasin.
Ç’bukuri, me miken, fushës të humbasim!

Era vjen e drojtur, tutje shket e heshtur.
Rrokullisen zilkat fushëzës së zhveshur.

Eh, ju saje! Kali im me halle!
Dikur larg në panjë po harbon në valle.

Do vemi t’i themi: “Ç’bëhet, ç’paska ngjarë?”
Treshe pastaj vallen kemi për ta marrë.

***

Ah, se ç’djall tufani! Gjithë egërsi,
Me të bardha gozhdë ngulet mbi çati.
Veçse unë s’dridhem, s’trembem, se, për fat,
Kam tek ti mbërthyer shpirtin harrakat.

***

Panja im e zhveshur, nën tufan të bardhë,
Krrusur e brengosur pse qëndroke vallë?

Diç do të kesh parë, diç do kesh dëgjuar.
Duket, për shëtitje fshatit ke kaluar,

Pa po duke ecur, si një roje e dehur,
Pirgjeve ke ndrydhur këmbën papandehur.

Ah, tani dhe unë s’po marr vesh ku gjendem.
Me ca miq orgjie, kuturu po endem.

Di që te një pishë, te një shelg ndalova;
Në tufan, me këngë, verën e kujtova.

Dhe m’u duk se isha panjë edhe vetë,
Veçse jo e zhveshur, po me degë e fletë.

Edhe marramendthi, rrumbull krejt pothuaj,
Rroka një mështeknë, si gruan e huaj.
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,494
Pikët
113
Sergej Esenin - poezi

***

Ti s’më do? S’të dhimbsem sado pakëz?
Nuk ta mbushkam syrin, apo si?
Prapseprap ti ndizesh e merr flakë,
Tek shtrëngohesh supeve të mi.

Mike, epsh e tëra, lajka s’dua,
As i vrazhdët nuk të sillem dot,
Veç më thuaj: sa kështu si mua,
Puthur e shtrënguar ke gjer sot?

Unë e di, të gjithë hije u bënë
Dhe s’ta shuan zjarrin pa mbarim.
Prehër pa ukur ti s’ke lënë,
Siç po rri tani në prehërin tim.

Nëse këto çaste ndonjë tjetër
Sjell ndër mend ti, syçkat tek pulit,
Mos pandeh se po mërzitem tepër.
Tjetërkënd dhe unë kam në shpirt.

S’është fat kjo lidhje mendjelehtë,
Po një flakë çasti veç, ta dish:
Siç të njoha rastësisht, i qetë,
“Mirëmbetsh” do të të them sërish.

Edhe ti do marrësh udhën tënde,
Do bësh pluhur ditët plot mërzi;
Veçse mos lakmo t’i marrësh mendjen
Kujt s’ka njohur puthje e dashuri.

Krah për krah me ndonjë tjetër djalë,
Udhës kur të shkosh ti, ku ta dish,
Mbase edhe unë do të kem dalë
Për shëtitje, e shihemi sërish.

Ti më fort pas tjetrit do të ngjitesh
Dhe me kryet ulur, ftohtësisht,
“Mirëmbrëma!” do më pëshpëritësh,
Kurse unë: “Mirëmbrëma miss!”

Dhe asgjë nuk do më turbullojë,
S’do më dridhet shpirti për asgjë:
Kush ka dashur, s’mund të dashurojë;
Kush u dogj një herë, s’digjet më.

VETËM MES RRAFSHINËS SË SHKRETË

***


Mos më shani. Kështu erdhi puna!
S’di me fjalën të bëj tregti.
Po e ndjej të rënduar si shumë
Këtë kokë me leshrat flori.

Fshati s’më tërheq. Ca më tepër,
As qyteti s’më josh...Mori fund:
Do flak tutje gjithçka, do lë mjekër,
Si rrugaç do të bredh nga të mund!

Do hedh torbën në sup përngaherë
Dhe për vjersha më kokën s’do çaj;
Ku ka këngë mbi këngën e erës,
Që harbon nëpër fushën pa skaj!

Erë rrepkash do qelbem e qepësh,
Do shfryj hundët me duar, t’i kall
Lemeri mugëtirës së Stepës;
Si i lojtur, gjithçka do ta tall!

Dhe do ndihem më lehtë e më mirë,
Kur tufanet të rri t’i dëgjoj;
Sepse s’mund, pa kësi mrekullirash,
Këtë jetë mbi dhe ta kuptoj.

***

Fati im u vendos. Asnjëherë
Në të dashurat fusha s’do të kthej.
Fëshfëritjen e flatrave n’erë
Tani plepave më s’do t’ua ndjej.

Sa s’po shembet, pa mua, shtëpia,
Qeni plak më ka ngordhur. Ç’të pres?
Me sa duket e tha perëndia
Nëpër udhët e Moskës të vdes.

Më pëlqen ky qytet i përbaltur,
I mufatur, i mplakur disi,
që Azia kupolat e larta
Ia ka ngjyer gjithkund me flori.

Kurse natën, kur hëna ndrit natën,
Me ç’djall drite, e di veç ajo,
Te rrugicë e tavernës hedh hapat,
Sepse shpirti tavernë veç do.

Dhe nën duhmën e saj, gjersa gdhihet,
U kändoj, gjithë dhembje në gji,
Prostitutave vargjet e mia,
Me banditët tek dëndem e pi.

Zemra dridhet e rreh flakë e ndezur.
Rrumbull krejt nis përçart edhe flas:
„Jam si ju edhe unë, o vëllezër,
S’kam ç’të bëj, tani s’kthehm dot pas!”

Sa s’po shembet, pa mua, shtëpia,
Qeni plak më ka ngordhur. Ç’të pres?
Me sa duket, e tha perëndia
Nëpër udhët e Moskës të vdes.

***

Ç’më mundon me freskinë tënde
Dhe pse pyet sa vjeç jam vërtet?
Kam në shpirt një lëngatë aq të rëndë,
Saqë ndihem një i verdhë skelet.

Djalë fshati, një herë e një kohë
Endërroja më tym se një ditë
Do të bëhem i pasur, i njohur,
E rreth vetes do mbledh dashuritë.

Po, i pasur u bëra, dhe tepër.
Një cilindër që kisha s’e kam;
Prej këmishës, një gjoks më ka mbetur
Dhe potinjat s’më kanë as taban.

Edhe fama më poshtë s’më bie:
Nga Parisi në Moskë, emri im
Zbatharakëve tmerrin u shtie,
Si një sharje plot mllef e përçmim.

Dashuria? Ç’më vjen për të qeshur!
Ti më puth: akull unë, akull ti.
Njenja ime, për dreq, është rreshkur,
Ndenja jote të çelë nuk di.

S’është ende kohë e brengës për mua,
Po edhe në ardhtë, aspak s’më mjeron!
Më i florinjtë se leshrat e tua,
Ndër bregore laboti zhurmon.

Ah, në atë zhurmërim sikur t’isha,
Si një herë e një kohë, dhe sot,
si çunak, në padi të humbisja,
T’ëndërroja më tym ashtu kot.

T’ëndërroja, po veç diçka tjetër,
Që as toka, as bari s’e njeh,
Që nuk di si ta quash me emër,
Se me fjalë dot zemra s’e shpreh.

KUR NDIZET FLAKA

Nga krijimet e hershme


***

Për qiejt shpirti mall më ndjen.
Ai s’banon në këto vise.
Sa më pëlqen të shoh ndër pemë
Si flakë e blertë nis e ndizet.

Degët e trungjeve të artë
Një frymë fshehtësie i ngroh,
dhe fjalë e yjeve të zjarrtë
Bulon me gjethin nëpër to.

Unë e kuptoj gjuhën e fshehtë
Të kësaj toke. Po s’arrij
Që pasqyrimn’ e një komete
Nga faqe e ujrave ta fshij.

Me bishtin nuk arrin dot kali
Ta fshijë hënëzën që pi...
Pse s’mbin vështrimi ynë vallë,
Siç mbin që thellë gjethi i ri!

LOPA

Dhëmbët i ranë dhe brirët
Cipëz i vunë nga motet.
Egër sillet lopçari,
Shkopin s’ia ndan në kullotë.

Zhurmën s’e ka më për zemër,
Minjtë e bezdisin në stallë.
Sjell ndërmend, e shushatur
Viçin e vet këmbëbardhë.

Erdhën ia hoqën nga gjiri,
Pa iu gëzuar ende;
Varur në degëz të shelgut
Era lëkurën ia rreh.

Befas te grazhdi, si birin,
Vijnë dhe nënën e kapin,
Lakun ia hedhin në qafë,
Zvarrë ia shpien kasapit.

Brirët i zhgreu pas toke,
Palli me zë vajtimtar...
N’ëndërr iu shfaqën korije,
Fusha, mbuluar me bar.

***

Mështeknëz flokëblerta,
O gjoks i vashës ti,
Aq humbur në mendime,
Mbi pellgun pse po rri?

Ç’të pëshpërin ty era
Dhe rëra ç’të zhurmon?
Mos krehërin e hënës për flokët ëndërron?

Të gjelbërat mendime
Ç’trazim t’i ngryska vallë?
Në shushurimën tënde,
Një brengë ndjej, një mall.

„Këtu, - o mik i dashur,-
Më thotë ajo dhe fshan, -
Nën yjtë e natës sonte
Erdh qau një çoban.

Dhe hëna shtroi hijet,
Blerimin rreth ndriçoi...
Ah, gjunjët e zbuluar
Ai seç m’i pushtoi.

Dhe, përmes shushurimash,
më tha me zjarr në gji:
-Shëndet, gjersa të kthehen
Kojrillat përsëri!“

JO MË KOT DY SY MË HODHËN ÇIKË

Nga motivet persiane

***

Plagët e dikurshme m’u përthanë,
S’dua më të dehem, si gjer dje.
Me të kaltra lule Teherani,
Shpirtin po shëroj në çajhane.

Vetë çajhanxhiu shpatullgjerë,
çajhanesë për t’ia rritur namin,
s’më gostit me vodkë dhe me verë,
Po me çaj të kuq ma mbush filxhanin.

Hidhmë çaj, or mik, po pak, një pikë!
Ç’trëndafila ti në kopësht ke!
Jo më kot dy sy të hodhën çikë
Tinëz, pas të zezës ferexhe.

Me zinxhir, si qenin, vashërinë,
Ne s’e lidhim kurrë në Rusi;
Dhe të puthim me para nuk dimë,
As me thika, grushta, dhelpëri.

Por asaj, që derdh aq bukur shtatin,
Që fytyra si agim indrit,
Një qilim shirazi për dhuratë,
Dhe një shall, ia fal në çast me shpirt.

Hidhmë çaj, or mik, pa le të digjem!
Unë asgjë me hile nuk ta marr.
Domosdo, për vehten po përgjigjem,
Sa për ty, s’vë dorë dot në zjarr.

Ndaj, ç’përgjon nga dera aq me frikë?
Një kolibe ti në kopësht ke...
Jo më kot dy sy të hodhën çikë
Tinëz, pas të zezës ferexhe.

***

Që të jesh poet, kjo do të thotë
Të plagosësh vehten kurdoherë
Dhe, me gjak të ndjenjave të tua,
ti në shpirt të ledhatosh të tjerët;

do të thotë që të thurësh këngë
Vetëm për hapsirën që njeh mirë.
Një avaz këndon poet – bilbili,
Ndaj ai s’e ka aspak vështirë.

Edhe kanarina qaramane
Ka një zë të stisur, që të çmend.
Merrja si bretkosë, po të duash,
Veç ama këndo me zërin tënd.

Në Kuran, me hile Muhameti
Urdhëroi të mos pihet kurrë;
Ndaj paprerë kupa zbraz poeti,
Gjithsaherë heq në shpirt torturë.

Edhe kur te mikja shkon poeti
Dhe në shtrat i gjen ndonjë dashnor,
Dashuri’ e jetës i mban dorën,
Thikë ai nuk ngul në kraharor.

Tym prej xhelozisë, del e ikën
Dhe ia merr me vërshëllimë e thotë:
„Qënka shkruar që rrugaç të vdiskam.
Ja që ndodhka edhe kjo në botë“.

***

Duart e së dashurës, dy mjelma
Kredhur në ar të flokëve të mi.
Anekënd në këtë botë njerëzish,
Kënga s’ka mbarim për dashuri.

Dikur edhe unë kam kënduar
Dhe sërishmi shpirti më këndon;
Fjala vlagë merr në kraharuar
E ndër vargje ëmbëlsisht buron.

Po kur shter kjo vlagë krejt, dhe zemra
Mbetet si një shkëmb floriri i shkretë,
Vetëm hënë e Teheranit këngës
S’mund t’i japë ngrohtësi dhe jetë.

Unë s’di si do më vejë halli:
Do më djegë Shaga shkrumb e hi,
Apo, kur të plakem, i përmallur
Do kujtoj ç’këndova në rini?

Ka një çap të tij sikush në botë,
A diçka që na pëlqen vërtet.
Një persian, që këngës keq ia thotë,
Kurrë nga Shirazi s’mund të jetë.

Sa për mua dhe për këngën time,
thoni vetëm kaq: do kish krijuar
Këngë më të mira, plot kumbime,
Nga dy mjelma po të kish shpëtuar.

***

Si t’ia bëj, - e pyeta sarafin,
Në mëngjez, kur ktheva ca para, -
Si t’i them me ëmbëlsi “të dua”,
Në persisht, të bukurës Lejla?

Përsëri e pyeta sarafin,
Lehtë e lehtë, porsi fllad, pastaj:
Po të perëndimshmen fjalëz “puthje”,
Në persisht si t’ia shqiptoj asaj?

Si t’ia bëj, - e pyeta së fundi,
Edhe zemra gati sa s’më la, -
Si t’i them “je imja, vetëm imja”,
Në persisht, të bukurës Lejla?

Ç’m’u përgjegj sarafi shkurt e prerë:
Dashurinë fjalët s’e tregojnë,
Dashurinë e thonë vetëm dridhjet,
Sytë, si rubin kur vezullojnë.

Sa për puthjen, as ajo s’do fjalë,
Puthja s’është një mbishkrim mbi varr,
Puthja lëshon erë trëndafili,
Petlat tek i shkrin te buzët zjarr.

Dashuria s’dihet se ç’të sjell:
Gaz a helm, duro mos u ndjej.
“Imja je”, këtë e thonë duart,
Ferexhenë kur e flakin tej.

***

Shagane, shpirti im, Shagane!
Sepse jam nga veriu, prandaj
Po të flas ty për fushën pa skaj,
Për thekrishtën nën hënën pa re.
Shagane, shpirti im, Shagane!

Sepse jam nga veriu, prandaj
Atje hëna më duket m’e plotë;
Ndoshta s’ka si Shirazi në botë,
Po Rjazanin nga zemra s’e ndaj,
Sepse jam nga veriu, prandaj.

Po të flas ty për fushën pa skaj;
Këto flokë i kam marë thekrishtës;
Po të duash, përdridhi ndër gishta,
Mos pandeh se më dhembin e qaj.
Po të flas ty për fushën pa skaj.

Për thekrishtën nën hënën pa re,
Shiko dallgët te flokët e mi;
Qesh, e luaj me to si fëmi,
Mos më zgjo veç kujtimin që fle,
Për thekrishten nën hënën pa re.

Shagane, shpirti im, Shagane!
Atje larg në veri, ka të ngjarë,
Një leshverdhë, si ti ledhatare,
Ndoshta vuan për mua ende...
Shagane, shpirti im, Shagane!

***

Ti më fole për Saadinë
The se puthte veç në gji.
Po ti prit, pash perëndinë,
Ta mësoj, meqë s’e di.

Ti këndove: “Pas Eufratit,
Ia shkon vashës trëndafili”.
Të më jepte dorë fati,
S’do ia thosh kështu bilbili.

Trëndafilat do t’i shkulja
Një nga një të gjithë atje,
Që në botë mos kish lule
Mbi të shtrenjtën Shagane.

Ndaj, ç’më lodh me amanete?
Ku di unë amanet!
Gjersa kam damar poeti,
Do të puth si një poet.

MIKU IM I SHTRENJTË, LAMTUMIRË!

***

Fishkëllin era, erë e argjendtë,
Nën të mëndafshin zhurmim të dëborës.
Hera e parë që kaq me vëmendje
Vehten po shoh, si në shputë të dorës.

Tutje dritares, veç lagështirë.
Unë s’mërzitem. Brenga mëu shua.
Ndonëse më rrodhi aq e vëstirë,
Jetën e desha, prapë unë e dua.

Sa shoh një femër pakëz lozonjare,
Dridhem i tëri, ethet më kapin!
Sa shoh një trojkë, lëshohem përpara,
lart i kërcej e nuk di ku mbaj vrapin.

O lumturi, o gëzimet e mia!
Toka dhe vetë i do njerëzit të lumtur.
Kush gjithë dhëmbje qan si fëmia,
Duket, jo larg, një gëzim e ka humbur.

Jeta do marrë ashtu si të vijë,
Lehtë dhe thjeshtë, pa vrarë fort mendjen,
Ja pse, çapkëne, tej mbi korie,
Fishkëllin era, erë e argjendtë.

***

Endërronjës unë jam, që territ
Ngjyrën blu të syrit e përhumb,
Erdha te kjo jetë si të tjerët,
Tok me ta, t’a shtyj ashtu siç mund.

Në të puth, këtë shprehi ma quaj,
S’e kam puthur shumë gjer tani;
Fije shkrepsesh sikur ndez e shuaj,
Gjithsaherë flas për dashuri.

„Vdes për ty“, „të dua“, „përgjithmonë“, -
Kurse shpirti thellë asgjë nuk ndjen.
Po të rrish e rëmosh pasionet,
Të vërtetën kurrë nuk e gjen.

Ndaj s’ngushtohem fort për të kërkuar
Zjarr e prush prej teje kot më kot.
Ti je një mështeknëz e krijuar
Enkas dhe për mua, dhe për botë.

Gjithsesi edhe pse kaq të afërt
Ty të mbaj e zgjedhën ta duroj,
Xhelozi nuk ndjej për ty dhe ashpër
As që të gjykoj e mallkoj.

Endërronjës unë jam, që territ
Ngjyrën blu të syrit e përhumb.
Dhe me ty jam mpleksur si të tjerët,
Tok me ta, ta shtyj ashtu siç mund..

***

Shkretëtirë bore. Hëna farfurin.
Vendi anembanë dergjur nën qefin.
Dhe mështeknat qajnë pyjeve pa jetë.
Kush kështu ka vdekur? Mos vallë unë vetë?

***

Mbase vonë, a mbase herët shumë,
Ta shkoqis tani këtë nuk mund,
Don Zhuan i prapë u bëra unë,
Një poet që era e hedh gjithkund.

S’di se ç’më ka gjetur, veç përditë,
Mbi të tjera gjunjë do më gjesh.
Dhe as ndjej mëshirë, as tronditem
Që harboj e tradhëtoj kaq shpesh.

Zemrën e kapitur kam dëshirë
Sa më pak me derte ta mundoj.
Te këta sy femrash, që veç shtiren,
S’e marr vesh ç’dreqin rri kërkoj.

Ndaj mos më lësho përbuzja ime,
Mbamë si gjithnjë në thonjtë e tu!
Shpirti im ka veç të ftohta vlime,
Fëshfëritje jargavani blu,

Nëpër të limontin muzg, ku shquhen
Si në mjegull zërat tej e ndanë.
Veç liri e ndjenjave paguhet,
Ndaj prano dhe sfidat, Don Zhuan!

Por, tek sfidat i pranoj i qetë,
As që ndjej ndonjë ndryshim në gji.
Shqotën e kuptoj si maj të blertë,
Dhe çdo dridhje vetëm dashuri.

Ja se ç’më ka gjetur, që për ditë
Mbi të tjera gjunjë do më gjesh.
Lumturi kërkoj dhe as tronditem
Që harboj e tradhëtoj kaq shpesh.

***


Miku im i shtrenjtë lamtumirë!
Ty këtu në shpirt të kam ta dish!
Fati po na ndan sot pa mëshirë,
Po diku do shihemi sërish.

Lamtumirë, mik, pa fjalë e lotë!
Vetullat t’i ngrysësh, s’ke përse
Vdekja s’është e re në këtë botë,
As të rrosh nuk është gjë e re.
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,494
Pikët
113
Sergej Esenin - poezi

Përktheu: Ismail Kadare


NDËRMEND SJELL...


Ndërmend sjell e dashur gjithmonë
Shkëlqimin e flokëve të tua,
Erdh koha që neve u ndamë;
E rëndë ka qene për mua.

Kujtoj atë mbrëmje vjeshtore
E zhurma gjethesh të thatë
Le të ishin të shkurtra ditët,
Se hëna na ndrinte më gjatë.

Mbaj mend si më the ti një mbrëmje:
"Do shkojnë të kaltërat vjetë
Dhe ti do t'më harrosh, i dashur
Do shkosh kushedi me një tjetër."

Dhe sot dega e mbushur me lule
Për ty ç’më kujtoi prap mua.
Sa ëmbël me lule mbulova
Dikur kaçurrelat e tua.

Dhe zemra ty pa të braktisur
Një tjetër duke dashuruar,
Porsi një rrëfenjë të dashur
Gjithmon' të kujton pa pushuar.
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,494
Pikët
113
Sergej Esenin - poezi

Shqipëroi: Luan Rexhepi


LETËR NËNËS

Si ia shpie moj nënokja ime?
Mirë jam dhe unë. - Të përshëndes!
Në atë izbën tënde paç bekime
Mbrëmjeve kur muzgu zë të zbresë.

Po më thonë se fort je merakosur,
Bëhesh vrere për fatin tim të nxirë,
Del e sheh tej rrugës së pasosur,
Mbledhur shuk me shallin cop' e grirë.

Dhe kur bie mbrëmja rreth e qark,
Një vegim i shkretë të shtika frikën:
Se në një mejhane diku larg
Vjen një horr edhe më ngulka thikën.

S'ngjet asgjë, nënoke! - Mbaje shpirtin:
Është veç një makth që po të shtar.
Aq i lig nuk jam sa ç'dërdëllisin
Dhe s'do vdes me sy pa të parë.

Foshnjarak kam mbetur si dikur,
Me një ëndërr që gjithnjë më grish.
Jetandrallash mos mu shpiftë kurrë;
Veç në atë shtëpi të jem sërish!

Do të kthehem kur do gjethen degët,
Kur të harlise kopshti në blerim;
Veç nga gjumi mos më ngri kaq herët, -
Si tetë vjet më parë në agim.

Mos e zgjo atë që iu shpurritën
Ëndrrat e një moshe patravajë.
Ti s'e di sa jetën ma sfilitën
Vuajtjet, që s'gjej dot prehje në asnjë skaj.

As të falem, - më ti mos më cit,
Siç ma bëje shumë vjet më parë.
Vetëm ti çdo dhimbje ma fashit,
Vetëm ti je gazi im i rrallë!

S'ka pse bëhesh njësh ti me trishtimin,
As të të hajë brenga e nxirë.
S'ka pse del e rrugës humb vështrimin,
Mbledhur shuk, me shallin cop' e grirë.
 

askushi 1

V.I.P
Anëtar
Sep 7, 2012
Postime
3,494
Pikët
113
Sergej Esenin - poezi

Përktheu: Faslli Haliti


UNË S’KAM NDRYSHUAR

Unë s’kam ndryshuar.
S’ka ndryshuar zemra ime.
Si zambakët nëpër thekër çelin sytë e mi.
Duke shtruar rrogozat e artë të vjershave intime,
Diçka të dhimbshme të them sonte kam dëshirë.
Natën e mirë, të gjithëve!
Natën e mirë!

S’tringëllin më mes barit kosa e muzgut të mbrëmjes.
Kam shumë dëshirë që nga dritarja ime
Të pshurr sonte kundër hënës.
 
Top