• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Skënder Luarasi

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18



Skënder Luarasi

Dita e Flamurit

Dita e Flamurit është dita më e shënuar në historinë e kombit tonë. Duke kremtuar këtë ditë, i pari kujtim që na bie në mend është se një popull ka shpëtuar prej kurthit të robërisë dhe nisi të shijojë jetën e lirë duke u përfaqësuar prej shenjës kombëtare, Flamurit.
Shenja e kombit tonë: Flamuri kuq e zi me shqiponjën dy krenore!
Me sa mburrje, madhështi, nderim dhe gaz e shikon çdo sy atdhetari! Vetëm një tradhëtar, një shpirtlig e vështron me cmirë, me urrejtje, me frikë.
Te flamuri nuk shohim vetëm bukurinë e cohës dhe të ngjyrës, po edhe bukurinë e një atdheu, të një kombi, me tërë cilësitë, parimet, ndjenjat dhe historinë e një populli, që ka jetuar për një jetë madhështore, për qëllime të larta, të shtrenjta, të dlira.Flamuri ynë tregon qëndrimin e njëherëshëm, të patundur dhe burrëror të atyre ushtarëve fisnikë që i ka udhëhequr në ngadhënjime, mes luftrave të rrepta, jo për sulme, po për mbrojtje. Flamuri ynë tregon jetën e atyre trimave të kombit që luftuan për të mbrojtur atdheun. Nën këtë flamur Skënderbeu mundi të dalë fitimtar në luftëra të panumërta kundër mizorive të Anadollit. Nën këtë flamur trimat e Gegërisë dhe të Toskërisë mundën të mbajnë të pa njolluar prej armiqve nderin e tyre. Nënë këtë flamur kemi dhënë besën të rrojmë ne, bijt e shqiponjës.
Te ky flamur i hapur, që fërfërin në erë, shikojmë me shkronja të arta Shqipërinë e Re dhe të Lirë; shikojmë jetën e së ardhmes së këtij kombi, që është dergjur për kaqë kohë në kurth i mbuluar me plafin e robërisë, po që kurrë nuk ka qënë i mundur për vdekje!
Flamuri ynë është shenja e trimërisë dhe e lirisë. Për trimëri ka kaptuar male, ka kapërxyer lumenj, ka shëtitur pyje, ka vetëtitur mbi dete dhe ka valuar mbi fusha. Për liri ka bërë therorira të mëdha, beteja të gjakëshme.
Për liri, si tani dhe kështu e tutje ky dhe vetëm ky flamur do të fërfërijë mbi kulmet e shtëpive, do të shëndrijë mbi majat e çukave, do të valojë mbi sheshet e lëndinat. Vetëm nënë këtë flamur do të prehen në qetësi eshtrat e atyre dëshmorëve që bënë therorinë më të madhe duke luftuar dhe vdekur me nder e lavdi.
Vetëm nën këtë flamur mund të rrojmë ne bijtë, niprit dhe stërniprit, në liri, në fatbardhësi më vete dhe në paqë e miqësi me fqinjët.
Po sado i mirë, sado i bukur dhe i këndshëm të jetë ky flamur, bukuria e tij prishet, fishket, venitet, po të mos jemi dhe ne si flamuri. Le ta dimë që ne e bëjmë flamurin dhe jo flamuri neve. Po të jemi ne trima, besnikë, të drejtë, të lirë, të ndershëm, ashtu do të jetë edhe flamuri ynë, shënja e një populli trim, besnik, të drejtë, të lirë, të ndershëm. Po të jemi ne robër dhe trathtarë, ashtu do të jetë edhe flamuri, shenja e robërve dhe e tradhtarëve.
Skënder Luarasi
Shkrim i vitit 1919
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Skënder Luarasi
Abetarja shqipe është shkruar me gjak.

Gjuha shqipe, ky mjet i mrekullueshëm që ka populli për të shprehur mendjen e zemrën e tij fisnike, është thesari më i shtrenjtë që trashëguam nga stërgjyshët tanë të nderuar. Këtë mjet që na ndihmon të kuptohemi e të pasurohemi me idealet më të lartë të njerëzimit, armiqtë e kombit tonë kanë bërë çmos të na e prishin me qëllim që të na varfëronin e të na rrobëronin më lehtë. Por populli shqiptar u bëri ballë burrërisht orvatjeve të parreshtura të armiqve dinakë dhe në këtë përpjekje gjigande mësonjësit e shqipes kanë qëndruar në krye të luftës. Promethenjtë tanë shkruan Abetaren shqipe me gjak dhe ndërtuan shkollën shqipe me kockat e tyre të shenjta
në luftë për jetë a vdekje me forcat më barbare që polli Mesjeta:..
Karakteristika që ka dalluar shkollën shqipe nga gjithë shkollat e vendeve fqinj është se mësonjëtorja shqipe ka qenë laike që në fillimin e jetës së saj dhe e lirë nga çdo paragjykim fetar e shoqëror. Ajo nuk ka asgjë të përbashkët, as morale, as intelektuale, me shkollat klerike. Dhe është kjo karakteristikë themelore që do t'i japë shkollës shqipe aftësinë për ta shpënë popullin shqiptar më shpejt drejt qëllimeve të larta të njerëzimit.
Për këtë shkollë, laike, të pavarur dhe me frymë përparimtare, kanë dhënë jetën me dhjetra e qindra arsimtarë patriotë të popullit shqiptar. Në krye të kësaj rruge fisnike shquan fytyra e ndritur e rilindasit tonë të parë, Naum Bredhasit nga Vithkuqi, i cili na fali ''Avetarin'' dhe që këtë mëkatë ndaj ''Megali idhesë'' dhe Fanarit e lau me kokë më 1866 brenda mureve të errëta të Patrikanës. Me kokë e pagoi veprimtarinë e tij patriotike edhe mësonjësi i shkollës shqipe të themelua në Korçë më 7 mars 1887 dhe për ta nderuar këtë datë historike ajo u caktua Dita e Mësonjësit. Pandeli Sotiri u vra prej së shoqes e të vjerrit grek me ndërsimin e Patrikanës. Njerëz të errët në shërbim të armiqve të Abetares shqipe vranë Balil Tahirin, bariun e fshatit Selenicë e Pishës, i cili duke ndjekur me mall të flaktë mësimet e Rilindasve tanë, u bë mësonjës i fëmijëve të fshatit të vet. E vranë kur po kthehej nga Selaniku, pasi kishte kryer një mision patriotik më 1893.
Sepse çeli shkollën shqipe në Negovan dhe predikonte për çështjen shqiptare, andartët grekë, të shtyrë prej dhespotit të Kosturit, Karavangjelit, vranë më 12 shkurt 1906 Papa Kristo Harallambin bashkë me të vëllanë Papa Theodhosin dhe pesë patriotë negovanas, përkrahës të shkollës shqipe, që kështu ta tmerronin njerëzinë sa të mos pranonin mësonjës shqiptar e shkollë shqipe.
Si yll i madh i bukur ndrinte në qiellin shqiptar të errët të asaj kohe patrioti Koto Hoxhi nga Qesorati, shok besnik i vëllezërve Frashëri dhe i idealit të shoqërisë ''Drita'' të Stambollit, në themelin e së cilës ai vuri një nga gurët themeltarë. Trimat e bejlerëve e rrahën dhe shërbëtorët e kishës greke e vranë sepse edukoi, i pari në Shqipëri, falangën e mësonjësve të rilindjes që përhapi dritën në vendin tonë.
Mitropolia e Manastirit pasi nuk mundi ta vrasi Gjerasim Qiriazin me plumb a helm, e shtiri me dinakëri në duart e kusarëve, të cilët, dimrin e motit 1889, e mbajtën rob në malet e Lenies, ku u plevitos dhe e lëshuan vetëm kur u pagoi paratë me të cilat do të blinte në Korçë ndërtesën e së parës shkollë shqipe për vajzat. Gjerasim Qiriazi vdiq më 5 janar 1894, por shkolla shqipe e tij, nën udhëheqjen e së motrës Sevasti Qiriazi, lulëzoi për nder e dobi të gruas shqiptare.
Kleri grek në bashkëpunim me hyqymetin turk helmuan në Ersekë më 17 gusht 1911 Petro Nini Luarasin. ''Vramëni'', u tha feudalëve shqiptarë ky mësonjës i vjetër i shqipes, '' po mblidhmani gjakun, se do t'u duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën shqipe''.
Në kolonitë shqiptare të Greqisë, Panajot Kupitori, drejtori i gjimnazit të Varvaqit, dijetar e shkrimtar veprash historike e filologjike për gjuhën shqipe e kombin shqiptar, vdiq i sëmurë në burg të Athinës, ku e shpunë shovinistët grekë, sepse hapi shkollë nate më 1876 për t'u mësuar arbëreshërve të Athinës gjuhën amtare.
I helmuar, po në burg të Athinës, vdiq më 1884 bashkatdhetari i Panajotit, Anastas Kullurioti, redaktor i gazetës shqip-greqisht ''I foni tis Albanias''( Zëri i Shqipërisë), autor abetaresh e librash shqip që i përdori në shkollat e tij arbëreshe.
Në mesin e kësaj trumbe dëshmorësh ngrihet si një titan patriarku i gjithë mësonjësve të shqipes, Jeronim de Rada, edukatori i nderuar i rinisë arbëreshe në Shën Dhimitër të Koronës, i cili, i rrahur prej urisë e prej halleve të jetës, punoi parreshtur për lirinë e shpëtimin e Atdheut të zbjerrë. Po të kish rrojtur 100 vjet, plaku i nderuar 90 vjeçar i Makijës, i cili duke dhënë frymën e fundit thirri me dëshpërim ''Po më ikën gjaku i Arbërit'', do të kishte parë se djersa dhe mundi i titanit arbëresh nuk vajti kot.
Terrori i tërbuar i qeverisë turke, krahas e për ndihmë të inkuizicionit fanariot, pati arrirë kulmin në majin e vitit 1903 kur qeveria turke dhe kleri fanariot i mbyllën gjithë shkollat shqipe dhe i dërguan syngjyn mësonjësit patriotë ndër të cilët Nuçi Naçin, drejtorin e fundit të mësonjëtores së Korçës. Nuçi vdiq në mjerim gjatë regjimit feudal të Zogut por ditën e 7 marsit emri i tij do të përmendet me nderim nga të gjithë mësonjësit e Shqipërisë.
Edhe pas shpalljes së konstitucionit në Turqi, xhonturqit u përpoqën në mënyrat më barbare e më dinake t'ia presin hovin Abetares shqipe që nisi të përhapej në gjithë Shqipërinë dhe vranë sa mundën me shpatë e me tortura. Ata vranë në burgun e Manastirit Sadik Zajmin dhe Idriz Novokazin se patën hapur shkolla shqipe në Shkup, Pejë, Gjakovë, Prizren , Zymë, dhe Janjevë, me aq sa premtonin rrethanat asaj kohe. Në vështirçsi rrojtën e punuan Ismail Haxhi Tahiri, shkronjës i Haxhi Zekës, eksponentit të Lidhjes së Prizrenit, Haxhi Bejta nga Janjeva e shokët e tyre pionierë të parë për gjuhën shqipe pas Lidhjes së Prizrenit. Ata u rrahën e u vranë, po prej tokës shqiptare lindën forca të reja . Nxënësit e mësueve të rënë në luftën e shenjtë për liri dhe kulturë, për ta nxjerrë popullin shqiptar në dritë, e muarën pishtarin në dorë në udhën drejt ditës së bukur të 28 Nëntorit 1912.
Pas kësaj dite të shenjtë për Shqipërinë, Atdheu ynë vërtet u spastrua prej sulltanëve e patrikëve, por shërbëtorët e tyre, feudalët e klerikët fanatikë mbetën. Këta shërbëtorë të reaksionit na vranë më 1920 Sali Nivicën, më 1924 Avni Rustemin dhe më 1925 Luigj Gurakuqin dhe Sali Çekën. Pothuaj se çdo mot e çdo muaj nëna jonë Shqipëri vajtonte nga një bir mësues, të vrarë prej bejlerëve e fashistëve.
Edhe reaksioni i jashtëm kërkoi viktimat e tij në radhët e mësonjësve shqiptarë. Në Kosovë serbomëdhenjtë e nisën plojën e tyre pas çlirimit të Shqipërisë me Pater Paliqin e me Pater Shtjefën Gjeçovin që u mësonin gjuhën amtare kosovarëve të robëruar. Shovinistët serbë mbytën më 1947 në burgun e Prizrenit Bedri Pejanin, ish mësonjësin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkupit më 1909 dhe e vranë priftin patriot At Dhimitër Bellkamenin, tek po dilte nga shkolla shqipe e Tushemishtit.
Me një krim të shëmtuar e nisi Zogu regjimin e tij tradhëtar kur më 1928, për oportunitet politik vari mësonjësin demokrat, Ibrahim Arapin, kryetar i shoqërisë ''Bashkimi'' në Durrës. Me një krim po kaq të shëmtuar e vazhdoi fashizmi italian sundimin e tij mbi Shqipërinë kur vari në Shkodër mësuesin e dashur nga gjithë populli shqiptar, Jordan Misjen. Dhe nazistët varën në Prizren Xhevdet Dodën. Me një krim të këtillë mbaruan ekzistencën e tyre të turpshme reaksionarët në Shqipëri kur vranë pas murit, duarlidhur e në sy të nxënësve, mësuesin e lavdishëm Ndrec Ndue Gjoka. Të gjithë këta bij të denjë të Shqipërisë vanë me këngë drejt çastit të fundit të jetës së tyre duke dëshëruar të ishte sa më i gjerë sheshi i ekzekutimit dhe sa më i lartë trikëmbëshi që të shihte mirë populli shqiptar se ç'kurban të madh bënin bijt e tij për të fituar lirinë.
Shkolla shqipe pati edhe nga ata mësonjës patriotë që vërtet nuk u vranë nga reaksioni, porse që të mos i përuleshin tiranisë shkuan të bëjnë një rrojtje plot brengë duke ngrënë bukën e hidhur të mërgimit për të qëndruaribesnikë ndaj idealeve që kishin predikuar në shkollë. I këtillë mësonjës është patrioti i madh me karakter të fortë Sotir Peci, të këtillë janë Nane Panajot Meksi, Vasil Konomi-Labova, Halim Xhelo, Niman Ferizi, Ferit Imami, Pal Lumëzi: një nga mësuesit e parë të shqipes në Prizren qç vdiq në mjerim më 1943 dhe Ibrahim Femiu, i cili gjatë pushtimit të Kosovës prej malazezëve e ktheu shtëpinë e tij në shkollë të fshehtë për djemurinë patriote të Gjakovës. Në mërgim dhe të dëshpëruar që eshtrat nuk do t'u preheshin në mëmëdhenë e dashur, vdiqën mësuesit e shquar Grigor Cilka, Vasil Duro, Llukan Simo, Gjergji Sevo, Hamit Lumi, dhe mësonjësja veterane e shkollës së vajzave në Korçë Fanka Efthimiu që vdiq në Manastir, dhe nxënësja e saj Vasilo Ballkameni e Urani Rumbo.
Një njollë e zezë do t'i mbetet në ballë qeverisës plot turp të Ahmet Zogut që la të vdesë të dëshpëruar e në mërgim, pa dhënë as ndihmën më të vogël për ta shëruar në sanatoriumin e Tore Peliçes në Itali, mësonjësin e talentuar, Migjenin, poetin e rinisë shqiptare, në moshën 26 vjeç.
Mësues të gjuhës shqipe kanë qenë edhe ata patriotë të cilët vërtet nuk çelën shkollë vetë po predikuan mësimin e gjuhës amtare dhe ndihmuan të tjerët të përhapnin arsimin kombëtar në Shqipëri. Nga më të shquarit e këtyre patriotëve janë: poeti ynë i madh Kombëtar Naim Frashëri e dijetari Sami Frashëri që hartonin aq libra për mësonjës, Jani Vreto, i cili shëtiti pa u lodhur nëpër kolonitë shqiptare për të shtuar shokët, për të botuar libra shqip dhe për të themeluar shoqëri kombëtare, Hoxhë Tahsini, e të tjerë, e të tjerë.
Shkolla e gjuhës shqipe mori rrugën e vet, larg turçes e greqishtes, atë ditë kur shqiptarët mësuan se ''perëndia nuk e dinte shqipen''. Një mësonjës shqiptar ka shkruar:
Edhe Krishti ndë na thëntë:
''Unë jam grek, eni pas meje'' -
do t'i themi: ''Pa mblidh mendtë,
se shqiptari s'vjen pas teje''.
Tregojnë për Islam Spahinë nga Luma se një ditë e pyeti hoxhën e fshatit pse nuk e bënte duvanë shqip.
''Allahu nuk e njeh shqipen'', iu përgjegj hoxha që ndoshta vetë nuk e dinte turçen.
''Po mirë'', ia ktheu Islami. ''Një zot që s'e njeh shqipen nuk më duhet''. Që atë çast e përzuri hoxhën dhe nisi të hapë shkolla shqipe.
Mësonjës të këtillë të shqipes, më fort shëtitës, me pushkën në njërën dorë për të luftuar armikun dhe me abetaren në tjetrën për t'i ndriçuar bashkëluftëtarët, kanë qenë në radhë të parë Sali Butka dhe Mihal Grameno.
Përpara varreve ku prehen dëshmorët e pionierët e përhapjes së arsimit kombëtar, të cilëve populli është zotuar t'ua shkruajë emrat me gërma të arta në faqet e historisë së Rilindjes shqiptare, përulemi me nderim e mirënjohje.
Me mirënjohje duhet të kthejmë vështrimin edhe drejt atyreve të cilët akoma nuk e kanë mbështjellë lëmshin e jetës së tyre gjer në fund. Përmendim me nderim e mirëdije sot në ditën e 7 Marsit zonjën 80 vjeçare Parashqevi Qiriazi, e cila rron që të shohë se djersa që derdhi 55 vjet me radhë në fushën e arsimit të vajzës shqiptare nuk i vajti kot. Përmendim mësonjësit veterane Nikolla Lako, Aleksandër Xhuvanin, Musiaf Luçin nga Kuçi i Kurveleshit, baba dy dëshmorësh që edhe në moshë të kaluar drejton shkollën e fshatit të tij, Ilo Mitkë Qafëzezin, Ahmet Gashin, Hysni Bababameton, profesor Sotir Papakriston, të gjithë ata arsimtarë që kanë zgjuar entuziazmin në nxënësit e shkollës shqipe në kushte shumë të vështira dhe rritën brezat që po ndërtojnë Shqipërinë e re.
Skënder Luarasi
(Shkrim i vitit 1957)
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi
Kongresi i Dytë i Manastirit

Kongresi i Dytë i Manastirit u çel në rrethana shumë dramatike në Shqipëri; u çel më 20 mars 1910 ( 2 prill 1910 me kalendarin e ri P.L)) duke zhvilluar punimet e tij për dhjetë ditë me radhë nën kërcënimint e qeverisë turke dhe të armiqve të Shqipërisë.
Të shikuar nga një cilësi e përbashkët, kongreset e mitingjet shqiptare që nga Lidhja e Prizrenit e gjer në kuvendin e lavdishëm të Vlorës janë stacione të udhës së vështirë që përshkoi populli ynë drejt rilindjes së tij. Në këto mbledhje populli shqiptar shprehte dëshirat e qëllimet që ndjente nevojë t’ia kumtonte gjithë botës dhe shtonte fuqinë për luftën e tij kombëtare.
Në mbledhjen e Ferizajt që u mbajt dy javët e para të korrikut 1908, masat fshatare të Kosovës shfaqën ndjenjën e revoltës së rrësëllitur lëmsh në grykë qysh nga disfata e Prizrenit dhe kërkuan shpalljen e regjimit konstitucional në Turqi. Shumë kush e quan Hyrjetin vepër të xhonturqve, por në të vërtetë në përmbysjen e regjimit absolute të Abdyl Hamidit një rol shumë të rëndësishëm luajtën të 30.000 shqiptarët e mbledhur atje nën udhëheqjen e Isa Boletinit, të Bajram Currit e tjerë personaliteteve shqiptare; qe ultimatumi i tyre i fundit i cili, simbas fjalëve të Ismail Qemalit, ‘’la në mendjen e sulltanit një mbresë më të madhe sesa kërcënimet e xhonturqve ose protestat e fuqive të mëdha’’. Të nesërmen fjalët e ndaluara gjer atëherë, liri, drejtësi, barazi, u brohoritën rrugëve, u botuan në gazeta shumëgjuhëshe, u shkruan në flamurët e kombësive të Perandorisë Otomane. Parrullës së revolucionit borgjez të Francës, turqit e rinj, mbasi ia zëvendësuan fjalën ‘’vëllazëri’’ me ‘’drejtësi’’, i shtuan emrin epartisë së tyre ‘’Xhemijet’’, që shqip do të thotë ‘’Bashkim’’, dhe që sipas kuptimit politik të xhemijetxhinjve kishte për qëllim turqizimin e gjithë kombësive nën skeptrin e Osmanit.
Shqiptarët patriotë që ishin munduar e burgosur 30 vjet me radhë se punonin për gjuhën e tyre të dashur, pas rënies së sulltan Hamidit, organizuan shoqëri kombëtare për të mbjellë arsim e kulturë në turmat e paditura; çelën klube ku bisedonin rreth çështjeve politike e shoqërore dhe ndriçonin rrëmetin mbi ngjarjet e ditës; ata themeluan shtypshkronja për të botuar gazeta e libra dhe çelën shkolla të natës e të ditës që të edukoheshin atje bijtë e bijat e popullit me gjuhën amëtare. Patriotët e Korçës nuk pritën stinën kur hapen shkollat por e riçelën ‘’Mësonjëtoren shqip’’ që në mes të verës, fill pas shpalljes së regjimit konstitucional.
Brenda tre muajve mbas proklamimit të Hyrietit, patriotët shqiptarë mbajtën në Manastir kongresin e parë për unifikimin eAbece-së shqipe në rrethana paqësore dhe, për sy e faqe, me mirëdashjen e qeverisë turke. Mirëpo, kur mbas një moti e gjysmë u mbajt Kongresi i Dytë i Manastirit, xhonturqit s’ua kishin më nevojën shqiptarëve dhe e patën shpërdorur e kthyer regjimin e ri në një tirani politike.
Veziri i madh Haki pasha, protagonisti i maskaradës xhonturke, qysh në bisedën e parë në këshillin ministror e shprehu urrejtjen e qeverisë xhonturke ndaj udhës së shqiptarëve me këto fjalë: ‘’Rreziku më i madh për Turqinë nga gjithë kombet që jetojnë në perandorinë tonë janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb mos zgjohet e mëkëmbet e merr dituri në gjuhën e vet; dhe atëhere e mori lumi Turqinë e Evropës. Shqiptarët kanë nisur t’i venë themelet e kombësisë me anën e shkrimit e këndimit dhe një ditë mund të shtien në dorë gjithë Turqinë. Kanë një gjë të lehtë e të plotë që mund t’i përparojë shpejt.. . Historia e tyre po doli në shesh është prishja e Turqisë. Me të shpallurit e Hyrjetit shqiptarët deshën mësim, hapën shkolla të mëdha e të vogla, çelën klube, ngritën shtypshkronja, mbajtën kongrese dhe bënë aq shumë punë sa nuk na e priste mendja. Prandaj ky hov duhet t’u pritet, duhet t’i ndajmë e t’i përçajmë, t’i shtypim e t’i dërrmojmë sa të mos kenë më fuqi të ngrihen’’.
Haki pasha një nga shtyllat e Xhemijetit, ish-profesor universiteti në fakultetin e drejtësisë, ish-ministër i Arsimit dhe i punëve të brendëshmedhe gjer pak ditë më përpara ish-ambasador i Stambollit në Romë, me këtë urdhër që dha kundër mendjes shqiptare, provoi që kishte mbetur reaksionar e shovinist. Me sa sy të mprehtë i pati njohur Mustafa Qemali këta hijerarkë xhonturq kur i quajti ‘’një bandë ushtarakësh të liq’’!
Që t’ia ndalnin dorën kriminale kësaj bande ushtarakësh të liq, që të shpëtonin gjuhën e dashur shqipe, këtë thesar të çmuar që na kishte mbetur trashëgim pej stërgjyshërve edhe në ditët e varfëra të robërisë katër shekullore, dhe tok me gjuhën gjithë idealet e lirisë, të pavarësisë e të përparimit, pa të cilat nuk mund të rrojë asnjë popull, burrat trima shqipëtarë u mblodhën në kongrese. Kongresi i Parë i Manastirit u përpoq të bashkonte Shqipërinë me anë të një shkrimi unik; Kongresi i Elbasanit u përpoq ta bashkonte me anën e themelimit të dy institucioneve kulturale për gjithë Shqipërinë; Kongresi i Dytë i Manastirit, sikundër na e thotë organi i Klubit Qëndror të atij qyteti: ‘’Bashkimi i kombit’ u thërrit prej këtij klubi se u ndje nevoja e madhe që ‘’të bisedojmë për mbi rreziqet që mvaren mbi Shqipërinë e gjorë‘’.
Mësuesi dëshmor Sali Nivica na e ka dhënë me një fjali tabllonë e kohës së këtij kongresi të dytë: ‘’Tani janë mbërthyer gënjeshtra me të vërtetën, e shtrembëra me të drejtën, padija me diturinë, fanatizmi me mendimin e lirë.‘’ Në këtë përleshje për jetë a vdekje midis patriotëve shqiptarë e turqve të rinj, në frontin e Kongresit të Dytë të Manastirit muarën pjesë delegatë që përfaqësonin rreth dyzet klube dhe shoqërira patriotike. Nga këta mund të përmendim kryetarin e klubit qendror’’Bashkimi’’, Fehim Zavalanin, përfaqësuesin e klubit të Stambolllit, Ibrahin Naxhi Spahiun, i njohur me pseudonimin Dervish Hima, Petro Nini Luarasin, Bedri Pejanin, Qamil Shkupin, Bejtulla Gjilanin, Hajdar Bloshmin, Tefik Panaritin, Hysni Currin, Ferit Ypi Starjen, i cili tok me Rifat Manastirin, pati mbrojtur alfabetin latin aq burrërisht në Kongresin e Dibrës, Themistikli Gërmenjin dhe Qazim Ilias Dibrën që u zgjodh kryetar i parë i kongresit të dytë. Dy patriotë të tjerë që për arësye politike mbetën anonimë, por që qenë nga shtyllat më të forta në platformën e këtij kongresi, janë ish-delegatë edhe në Kongresin e Parë të Manastirit edhe në Kongresin e Elbasanit: Gjergj Qiriazi dhe Telemak Gërmenji.
Organi i Klubit Qëndror ‘’Bashkimi i kombit’’ i pati lajmëruar degët t’i nisnin delegatët e tyre në mënyrë që më 15 të muajit mars të ndodheshin në Manastir. Ata të jugës arritën me kohë; porse të Kosovës u vonuan për nja pesë ditë. Të pranishmit herakë i kaluan të pesë ditët me biseda mbi ngjarjet e ditës , mbi mënyrën se si t’i mbronin të drejtat konstitucionale të fituara në Ferizaj , e të tjera çështje gjuhësore, shoqërore e politike. Pra me të ardhur edhe delegatët e Kosovës, më 20 të marsit në mëngjes filluan seancat. Ibrahim Naxhiu, i pari, mbajti fjalimin e tij zyrtar: ‘’Në këtë mbledhje’’, tha oratori, ‘’ne nuk përfaqësojmë vetëm klubet që na kanë dërguar delegatë, ne përfaqësojmë gjithë Shqipërinë. Jemi mbledhur të bisedojmë mbi nevojat tona kombëtare për diturinë, për lulëzimin e gjuhës sonë dhe për mbrothësinë e kombit shqiptar.’’ Folësi vuri në dukje se turqit e rinj u dhanë fjalën shqiptarëve se do t’i ndihmonin në përparimin epopullit shqiptar. ‘’Po sot ku janë ndihmat e premtuara?’’ pyeti oratori. ’’Turqit e rinj na i harruan të mirat tona. Kur ish Hamiti në fron nuk na lenin të tregoheshim si komb, nuk na lenin të mësonim gjuhën tonë. Ata që përdornin gjuhën shqipe burgoseshin atje ku piqet buka në diell’’.
Ibrahim Naxhiu i pati menduar të këqijat që do t’a kërcënonin Shqipërinë dy vjet më vonë: ‘’Ne sot jemi rrethuar prej rreziqeve: Bullgaria, Serbia, Greqia kërkojnë ngatërresa që të na gllabërojnë. Ne mund të shpëtojmë vetëm po të edukohemi në gjuhën tonë. Duhet të punojmë si kanë pëunuar vëllezërit tanë: Jani Vreto, Vaso pashë Shkodrani, Kristoforidhi dhe më i madhi diplomat i Turqisë, bashkatdhetari ynë Ismail Qemali, të cilët gjithë bashkë punuan për atdhenë e ty re të vërtetë. Ne shqiptarët kemi nevojë të madhe për mësonjëtore, meqenëse qeveria nuk na ndihmon, prandaj themeluam shoqërinë ‘’Përparimi’’ që të ndihmojë disa mësonjëtore. Ta mbrojmë gjuhën tonë të dashur se pa gjuhën tonë shqipe humbëm!’’ thirri oratori.
Duke prekur marrëdhëniet e shqiptarëve me regjimin konstitucional në Turqi , Ibrahim Naxhiu shtoi: ‘’Armiqtë na kanë çelur luftë në fushën e shkronjave …ne do t’i mbajmë e do t’i mbrojmë shkronjat tona kombëtare me mish e me shpirt!’’
‘’Atdhetarë të flaktë! Ne që sot e tutje nuk do t’i përmendim fjalët gegë e toskë, çam e lab po vetëm fjalën shqipëtarë, se të gjithë jemi të një gjuhe dhe të një gjaku. Kemi të gjithë një atdhe dhe një qëllim: përparimin e kombit shqiptar. Sot erdhi dita kur mblidhemi dhe përfaqësojmë gjithë Shqipërinë‘’.
Kështu, pra, ndërsa Kongresi i Parë i Manastirit kërkoi njësimin e shkronjave shqipe, kongresi i dytë manifestoi vendosmërinë e shqiptarëve për të mbrojtur të drejtat kombëtare, vetëdijen kombëtare të shqiptarit.
Qeveria e Stambollit dhe Meshihati në politikën e tyre shovene kundër shqiptarëve patën fituar një shok të përshtatshëm e besnik në patrikanën greke të Fanarit. Këta të dy institucione mesjetarë ia nisën punës të persekutonin, të bojkotonin, të ekskomunikonin, të burgosnin, të internonin, e të vrisnin sheshit a prapa krahëve patriotët shqiptarë që ecnin në udhën e mbarë të kongreseve.
Në Kongresin e Dytë të Manastirit kundër patrikanës së Fanarit ngriti zërin e tij drejtori i shkollave shqipe të Negovanit e të Ballkamenit, Petro Luarasi, I cili qe ngarkuar edhe me mandatin e përfaqësuesit të “ Lidhjes orthodokse” të shqiptarëve. Ai foli për nevojat ngutëse që shtrëngonin shqiptarët të mbanin kongrese njërin pas tjetrit, për qëllimet e këtyre mbledhjeve dhe për dëshirat e patriotëve që ta plotësonin me mësim e dituri jetën e popullit shqiptar.
Pas ankimeve të tij kundër qeverisë turke dhe pengesave që u sillte kjo mësonjësve shqiptarë në punën e tyre kulturale, ai përshkroi vuajtjet që pësonte popullsia ortodokse përgjithësisht dhe e këtyre fshatrave posaçërisht nga dhespotët grekë. Që nga vrasja e Papa Kristos më 12 shkurt 1905 dhe gjer në vrasjen e të nipit, Papa Vasilit në pragun e Kongresit të Dytë të Manastirit, 45 shqiptarë patriotë kishin rënë viktima të thikës së shovinistëve grekë në Negovan: d.m.th. 9 patriotë shqiptarë vriteshin për mot nga armiqtë në këtë fshat.
Në këtë kohë vuante me gjithë trupin e Shqipërisë edhe ajo gjymtyrë e saj që quhet Kosovë. Në Kongresin e Dytë të Manastirit morën pjesë më shumë delegatë nga Kosova; delegatët e saj përshkruan fushatën e tërbuar që kishin hapur fanatiKët turq e serbomëdhenj kundër gjuhës shqipe me anë të hoxhallarëve e të priftërinjve në të gjithë viset e kësaj treve të larë me lot e gjak. Atë patën shumë ankesa kundër regjimit xhonturk dhe të ligësive të pushtuesve. Përveç arsimit në gjuhën shqipe që ndalohej dhe shkollave e klubeve që po mbylleshin me dhunë, në gjithë vendin mungonin rrugët dhe masat punonjëse vuanin nën peshën e rëndë të taksave.
Porse nuk ishin vetëm mungesat e mjeteve të shpejtë të komunikacionit që i pengonin delegatët e Kosovës të vinin me kohë në Kongresin e Dytë të Manastirit që ata vetë e kishin propozuar, por qenë përrenjtë e lumenjtë që po rridhnin gjak! Hordhitë e Xhavit pashës, të ShefqetTurgut pashës e të Mahmut Shefqet pashës, njëra pas tjetrës, kishin filluar që në vjeshtën e motit 1908 të turreshin drejt kufirit verior të Shqipërisë. Që në muajin e çeljes së Kongresit të Parë të Manastirit, d. m.th. kur Sulltan Hamiti qëndronte akoma në fron të Turqisë, këta turq të vjetër që brenda 24 orësh qenë bërë turq të rinj e rifilluan dhunën e tyre kundër Shqipërisë duke i vënë zjarrin qytezës së Boletinit së cilës ia ndryshuan emrin në “Hyrjet Xhebrie Tepesi”, domethënë Kodra Liri, me përdhunë. Që të mos përdhunohej toka e shenjtë e Skëndërebut, pra, dhe që të këshilloheshin e të merrnin masa mbrojtëse burrat trima të Kosovës u mblodhën në kuvend. Kështu në emër të Kosovës delegatët e veriut i suallën Klubit Qendror dhe shokëve të Kongresit të Dytë të Manastirit një mesazh të rëndësishëm ku u bënin thirrje gjithë shqiptarëve të bashkoheshin në luftën për liri.
Delegatët e kongresit të dytë i zhvilluan punimet e tyre në një atmosferë të nderë dhe prandaj edhe disa nga vendimet e tyre duken disi të shpejtuara dhe të rrëmbyera. Ata vendosën që qendra e klubeve nga Manastiri të shpërngulej në Stamboll sepse, sipas mendimit të kongresistëve, në kryeqytet të Turqisë rronin asi kohe shqiptarë më të mençur e më të fortë; atje në Stamboll do të krijohej një këshill i përbërë nga deputetët patriotë dhe një inspektoriat për të kontrolluar gjithë punën e klubeve, të shoqërive e të shkollave. Do të themelohej edhe një Akademi, anëtarët e së cilës do të kujdeseshin për botimin e librave, fjalorëve e gazetave. Në Kongresin e Dytë të Manastirit u vendos gjithashtu që më 20 qershor të atij viti të mbahej një kongres në Janinë ku do të vinin delegatët shqiptarë të armatosur me njohuri shkencore, tregëtare, ekonomike e profesionale. Nga mesi i këtyre delegatëve do të zgjidhej një komision i lartë, i cili do të drejtonte veprimtarinë kombëtare në gjithë Shqipërinë. Mandej, në Shkup do të themelohej një Institut Pedagogjik dhe do të botohej një Fletore për gjithë Kosovën. Vetë Kongresi i Dytë i Manastirit do t’i jepte një njoftim governës turke dhe një ankesë Meshihatit. Punimet më të rëndësishme delegatët i zhvilluan në seanca të fshehta në shtëpinë e Qiriazëve.
Gjithë puna e mirë e Kongresit të Dytë të Manastirit u errësua nga retë e zeza sterrë që po rrësëlliteshin shpejt në qiellin e Shqipërisë. Vërtet delegatët e Kongresit të Dytë i mbyllën punimet e tyre me brohoritje optimiste “Fitorja është jona!”, porse vendimet e bukura të kongresit, tok me fjalimet e plota të kongresistëve që do të botoheshin në një broshurë mbetën të panjohura, se u përmbytën nga rrjedhja e shpejtë e ngjarjeve të Kosovës. Ato nuk u botuan kurrë. E ç’institut pedagogjik mund të themelohej në Shkup, e ç’fletore shqipe mund të botohej atje, kur edhe vetë Normalja e Elbasanit shpejt do të mbyllej me shkollat e klubet tejpërtej Shqipërisë, kur vetëm tre muaj pas Kongresit të Dytë të Manastirit do të mbyllej edhe Klubi Qendror, edhe organi i tij “Bashkimi i Kombit” dhe kryetari e redaktorët e tyre të lidhur në hekura do të dërgoheshin në gjyqin ushtarak të Dibrës për tu gjykuar prej Mahmut Shefqet pashës. Muaji mars i motit 1910 qe mbarsur me ngjarje të rëndësishme për vendin tonë; për këtë shkak gjatë këtij muaji shqiptarët mbajtën disa kuvende patriotike në qytete të ndryshme të Kosovës, në Gjilan, në Pejë, në Mitrovicë e gjetkë për të biseduar mbi disa çështje ekonomike e politike dhe për të marrë masa paraprake kundër kërcënimeve të qeverisë turke. Në Prishtinë, ku malësorët e rretheve patën ardhur të protestonin vendosjen arbitrare të taksave mbi mallrat që hynin në qytet, ushtria turke hapi zjarr dhe u vranë nga të dy anët. Sulltan Mehmet Reshati dekretoi shtetrrethimin.
Më 20 të marsit, pikërisht ditën që u çel Kongresi i Dytë i Manastirit u mblodhën parësia e Kosovës te Verat e Llukës. Këtu luftëtri i shquar Isa Boletini, në një fjalim të shkurtër, ku përshkruan situaten tragjike të mëmëdheut, jep kushtrimin për gjithë Shqipërinë. Fjalimin e tij, plot mendime të larta patriotike, Isa Boletini e mbaron me frazën që ndezi me ndjenja revolucionare të gjithë sa e dëgjuan: ‘’Tokën tonë që e thau Osmanllia, lotët tanë nuk mundën me e njomë, e tash na kena me e vadit me gjakun e shqyptarit. Ngrehuni, o vllazën! të gjithë së bashku ta derdhim ene ma të mramen pikën e gjakut që na ka met për të drejtat e nderën e Shqypnisë! Rrnoft Vllaznia! Rrnoft Bashkimi!’’
Kushtrimi u dha. Kosova u çua në luftë. Jehona e tij arrriu deri në fshatrat më të thella të Shqipërisë. Delegatëve të Kongresit të Dytë të Manastirit nuk iu mbeti gjë tjetër veç se të rrëmbenin armët. Ibrahim Naxhiu, që luajti një rol të rëndësishëm në Kongresin e Dytë të Manastirit, në krye të gjithë studentëve që patën lënë Universitetin e Stambollit e shkollat turke në shenjë proteste kundër Xhemijetit, u nis me pushkë në dorë të ndizte flakën e shenjtë të atdheut në zemrën e shqiptarëve të jugut. Muharem Rushiti nga Filati, Spiro Ballkameni nga Follorina, Themistokli Gërmenji nga Korça, Gani Butka nga Kolonja, Qani Panariti nga Vakëfet, Mendu Zavalani nga Dangëlli, Vangjel Gjika nga Përmeti, Maliq Velusha nga Skrapari… dhe kështu me radhë nga çdo fshat e qytet i Shqipërisë, bijtë e saj trima rrëmbyen armët të përlesheshin me kuçedrën anadollake.
Mahmut Shefqet pasha, i dehur nga ndonjë fitore e çastit, mblodhi popullin në Mitrovicë dhe si e shau rebelçe iu kërcënua se do ta shuante fare po të mos rrinte urtë kështu tutje. U thirri ‘’unë jam Zoti juaj!’’
Dhe Isa Boletini nga malet iu përgjegj: ‘’Mahmut Shefqeti të mos madhnohet se sa djelm shqyptarë që ranë dëshmorë në këtë luftë gjithsecili për një u pagua me pesëdhjetë e se Shqypnia s’asht farue për disa të ndershëm dëshmorë. Po kur të bashkohena gjith shqiptarët e të lidhim ndërmjet nesh besën shqiptare, do të jena të zott t’i përzëmë hordhitë turke jashtë Shqypnie jo ma me armë por edhe me hujt e gardhit’’.
Kryengritja e armatosur vazhdoi. Dhe shqiptarët e fituan luftën se qenë frymëzuar me idealet e ndritura të lirisë e të rilindjes së tyre e se masat popullore shqiptare u dhanë zemër luftëtarëve dhe i ndihmuan me bukën e gjaku e tyre. Ata fituan se luftuan për jetën e Shqipërisë, për çlirimin e popullit nga tirania e sulltanëve, nga hijet e Mesjetës dhe nga zgjedha e huaj.
Një nga delegatët e Kongresit të Dytë të Manastirit, mësonjës i Negovanit dhe delegat i këtij fshati e pati quajtur dimër robërinë e Shqipërisë nën Turqinë; ‘’Dimri është në të përcjellë, pranvera afron për gjithë shqiptarët, lum ata që nuk e humbën shpresën se pranverën do ta shohin me shije më të ëmbël. Ditët e gëzuara të përtëritjes së Shqipërisë arrinë; dielli- bukurosh i majit po lind për gjithë shqiptarët që dëshërojnë ngjalljen e mëmëdheut. Gjethi fletënjomë i diturisë çeli, pemët zemër-shqiptare lulëzuan.”
(S.Luarasi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë, 1972, f.113-118 )
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi
Për komb e flamur

Qe kohë e turbullt e plot trazira.
Në fushën e Devollit mbretëronte qetësia e frikëshme e një nate Shënëndreu.Forcat kundërshtare,flokëverdhët e Rinit e syzestë e Romës, që nuk u qenë mjaft të gjera sheshet e Alsace –Lorenit po kishin ardhur gjer në lëndinat e Shqipërisë për t’u ndeshur në lodrën e gjaktë , po çlodheshin për luftën e së nesërmes.
Yjtë qenë zhdukur prapa reve.Qyteti i Korçës dergjej i mbështjellë nën mjegullën e barutit e të topave që, gjithë ditën e ditës, kishin vjellë hekur dhe flakë.
Kudo errësirë.Por jo, ja se ku shëndrit përmes penxheres së një shtëpie të vjetër, mbanë bulevardit të Shën Gjergjit, një llampë.A mos ja ka zënë kjo vendin hënës, të cilën nuk e lenë retë të shkëlqenjë? Pranë trapezës, mbi të cilën përndante rrezet llampa, duket i mbështetur mbi bërrylin e mëngjër profili me tipare të forta i një burri mesatar nga mosha, madhështor nga shtati .Burri i veshur me uniformën e një zyrtari të lartë i kërrusur mbi një radhua aktesh,ishte duke kënduar; kthente fletë, i rikthente, lëçiste.Disa herë u ngrit më këmbë,eci,ndenji.Në lëvizjet e trupit, në regëtitjet e fytyrës, çfaqej kujdesja.Në botën e fjetur të Korçës ky burrë mbante roje.
Ndërkaq qetësinë e frikshme e trembi ca më tepër një zhurmë e fortë, e shkurtër, e shpejtë.Një automobil, dy, tre automobila të rrotullohen tatëpjetë.Qëndrojnë përpara shtëpisë së vjetër.Një e trokitur, një e pytur:’’Kush është?’’ dhe pastaj një përgjigje miqësore dhe porta hapet.Brenda hyn një gjeneral, një kryekomisar, disa oficerë, më vonë dhjetë, njëzet, dyzet, pesëdhjetë, njëqind ushtarë.Oborri u mbush plot, avllia u rrethua.
‘’Mirë se vini, gjeneral Saller’’-kështu i tha burri i përmendur dhe i ndehu dorën vizitorit.Por ky qëndroi hijerëndë përpara tij , pa dashur të bëjë toka.
‘’Sonte nuk vinj si mik,Themistokli.Jam porositur t’ju përcjell në Selanik.Bëhuni gati!’’
‘’Gati për në Selanik?…Por unë…''- u përgjegj Themistokliu’’Në mëngjes , pasi të lajmëroj Këshillën…’’
‘’Që tashti!’’- urdhëroi gjenerali.
Pasi u vesh mirë me uniformën që e kish mbajtur me nder një mot të tërë,si Kryetar i Republikës Shqiptare të Korçës, Themistokliu hyri në dhomën ku flinte e ëma plakë e dhëmbshur, i puthi dorën në gjumë, ballin, buzët dhe u nis për në rrugën e gjatë.
Udh e ushtarit është e pasigurtë;zgjoje dhe leri shëndet’’, foli gjenerali.
Burri shqiptar e mori vesh.’’Nëna ime,zoti gjeneral, është mësuar me të këtilla ndarje;nuk largohem soje për të parën herë, as që do të jem unë i pari bir që i bëhet kurban Atdheut’’.Ndërkohë djaloshi Pasa, shoku i tij besnik, u sul nga dhoma e gjumit:’’Kryetar!’’-thirri dhe e vështroi me sytë e një shqiponje-‘’urdhëroni!…Ç’të bëjmë?’’
E Themistokliu foli:’’Pasë!Sido që të më bjerë puna mua,ngushëllomë nënën, të fala shokëve, mos e humbni trimërinë as edhe shpresën.Shqipërinë të ma doni. Flamurin e saj! Lamtumirë!’’ U çkëput nga krahët e tij dhe, nën bajonetat e senegalëve të zes më keq se nata mynxyrëmadhe, hipi n’automobil q’e shpinte në qytet të huaj.
Në fillim ky bir i madh i Korçës dukej sikur shkonte në të mirë. Ish i çelur; në kuvendim shpesh i drejtohej gjeneralit në të djathtë.Rrallë e tek kryekomisarit të Ballkanit në të mëngjër.Po herë-herë binte në mendim të mallëngjyer.Bisedonte për heroizmën e shqiptarëve në betejën e djeshme, për Korçën e lirë dhe për ndihmën që i sillte trumba heroike e shqiptarëve ushtrisë së aleatëve në Ballkan,për Flamurin e Skënderbeut, që, pas çastit të Vlorës lipsej të përshkonte zinë e zjarrin e katër vjetëve të tjerë gjer sa ai vetë, Ismail Qemali i dytë, e ngriti në Korçë më 10 dhjetor 1916 që të valonjë sërish mbi ‘’Shqipërinë vetëqeverimtare’’.
Por vallë,ç’mendon tani?Apo mos fëmijën dhe nënën e përgjynjur që e
linte pas, të vobekët e të shkretë, popullin të mjerë, shokët pa udhëheqës?Apo mos ndjente frikën, se pas kaq therorish të bëra n’altar të kombit, mund t’u jepej bashkatdhetarëve ndonjë robëri e dytë.Por kjo , pandehte shqiptari, nuk mund të kish të ngjarë kurrën e kurrës.Kombe të tërë i kishin dhënë fjalën si aleatë , që Korça do të mbetej një pjesë e pacënuar e Shqipërisë së lirë.Pushtetet, kombet me kulturë, kurrë s’i hedhin poshtë zotimet, mendonte Themistokliu, dhe në zemrën e madhe i ngjallej shpresa.
Kur agoi dita,ishin larguar prej Korçës së bukur, së dashur. Iu afruan Bilishtit.Me të hyrë në qytet, Themistokliu befas u ngrit prej vendit t’automobilit, u zgjat të shikonte sa t’ish e mundur më larg, sa t’ish e mundur më qartë.Dhe pa një send që e tronditi.Mbi ndërtesën qeveritare të Republikës , nuk valonte më, sipas zakonit, flamuri i tij.Atëhere me një thirrje dëshpërimi, si ndonjë shkëmb që shkëputet prej majës së malit të lartë dhe mbetet i thërmuar në rrëzë të greminës , ashtu edhe burri i madh i Korçës u rrëzua në vend, i kërrusur dhe i vrarë në shpirt nga pamja e papritur.Ajo zemër shqiptare, që kurrë nuk e njohu frikën dhe dëshpërimin , tani prej së keqes plasi.Goja iu kyç, sytë iu errësuan.S’e ndjente më jetën.Që nga kufiri gjer në Selanik qe rruga drejt varrit për Themistokli Gërmenjin, për Republikën Shqiptare të Korçës.
Porse Themistokliu gjene foli:në gjykatën ushtarake, në këshillin e luftës, përpara gjeneralëve, kryekomisarit, gjeneralisimos ;përpara armiqve keqdashës dhe’’miqve’’dinakë; i foli gjithë botës dhe i tha se nuk kish bërë gjë tjetër veçse kish luftuar për fitoren e besëlidhurve, për lirinë e kombit të tij , për nderin e Flamurit të Shqipërisë.Po idealisti shqiptar; që luftoi në atdhenë e vet,që mbajti lart flamurin e vet, sot gjykohet prej sunduesit të huaj’’për tradhëti’’.
‘’Ligësisë nuk i bëkam dot ballë në tokë të huaj-t’armikut’’.
Dhe duke u drejtuar nga autoritetet më të larta të gjykatës tha:’’Si duket, nuk ju hyn më në punë trimëria e shqiptarëvet!Gjetët grekërit tani.Gëzohuni dhe mburruni me kusarët e Greqisë.Ç’ju lypsen shqiptarët, që veç dëshirës për liri, besës e nderit, nuk kanë asgjë tjetër.Më keni dënuar më parë se të më gjykoni;mbaroni punën tuaj pra! Nuk kërkonj mëshirë veç një zë:për një varr në tokën që më lindi kam lakmuar!’’
Mbi kulmin e kështjellës së Selanikut u çpalosën trikolori(flamuri francez) dhe Kryqi i kaltër(flamuri grek). Në rrëzën e saj po shpinin një të lidhur. I lidhuri e pa trikolorin për të cilin kish luftuar aq mirë, qe plagosur për atë, i kishte shtuar pak, sado pak, famën atij. Flamurin e vet të nderuar, me shqiponjën në fushën e kuqe nuk e pa.Po e kujtoi.Psherëtiti, dhe burri me vullnet prej hekuri derdhi dy pika lot.Ata nuk ishin lot për fatin e vet; se veten s’e quante për të vajtuar.Qenë lot për fatin e dyshimtë të Shqipërisë, të flamurit.
Ndërkohë dikush i dorëzoi një shatë, si përgjigje lutjes së fundit. Kjo nuk qe vetëm mosmirënjohje…Themistokliu e hapi varrin e vet, duke mejtuar Shqipërinë dhe i vinte keq vetëm se nuk kish edhe një jetë tjetër që t’ja falte Atdheut.
‘’Jo’’, i tha njeriut, që desh t’i lidhte sytë, dhe ja hodhi shaminë atje tej:’’Shqiptarët janë mësuart’i qëndrojnë vdekjes ballëhapur, ta shohin plumbin me sy.Shtini, galezë, mbi këtë gjoks, që dikur e stolisët me kryqin tuaj të Luftës!’’ Dhe në çast kur grupi i ekzekutimit ia drejtoi pushkët kraharorit të shqiptarit, ky shqiptar i madh u thirri:’’Francezë! Më kini dhënë fjalën e nderit që Korça do të mbetet e Shqipërisë.Nuk kini nder po ta shkëputni Korçën prej Shqipërisë‘’.
Nën plagët e plumbave dha shpirt Themistokliu.
Zemra e tij rrahu gjer në fund për Atdheun!
(’’Për komb e flamur’’, Arbëria, 28 nëntor 1930)
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi: Lidhja e Studentëve shqiptarë dhe revista''Studenti''

Per lexuesin e nderuar te forumit po publikojme disa materiale qe pershkruajne veprimtarine e Skender Luarasit si veprimtar shoqeror-politik dhe publicist ne SHBA, Austri dhe Spanje duke u bazuar ne kujtimet e tij dhe burime te tjera.

Lidhja e Studentëve shqiptarë dhe revista''Studenti''
Në vjeshtë 1917, me të filluar shkolla, me disa studentë shqiptarë si Qerim Panariti, Zenel Drizari, Jovan Morcka, George Frashëri, Mina Lluka, Rafael Burgaleci, të influencuar më shumë nga Parashqevi Qiriazi, u bëmë inisiatorë të krijimit të shoqërisë ''Lidhja e Studentëve Shqiptarë'' si një nevojë e madhe '' që kemi pasur deri tani e kështu tutje për organizimin e përgjithshëm ndërmjet studentëve e mund të themi të djalërisë Shqiptare…Që të bëjmë gjeç me vleftë duhet së pari të shikojmë të jemi të organizuar, se ndryshe veprimi jonë sado i gjerë, e i lartë të jetë, do të vejë fare kot. Ndë dëshërojmë të bëjmë detyrën tonë duke ndihmuar në veprimin e shenjtë që kanë nisur bashkatdhetarët për lulëzimin e Atdheut Shqipëri, duhet të organizohemi tërësisht'' (Citim nga revista ‘’Sudenti’’)
Në emër të komisionit nismëtar botova lajmërimin:
ne revisten Ylli I Mëngjezit, 16.2.1918.
Një lajmërim edhe ftim studentëve shqiptarë.
Pas barrës që na dha grupi i studentëve nisiatorë për të filluar një Lidhje midis studentëve që mësojnë në shkollat e Shteteve të Bashkuara edhe në Kanada, me anën e kësaj kemi nderin t'u lajmërojmë se mbledhja përfundimtare për këtë qëllim do të mbahet më 22 shkurt 1918, në American International College, Springfield, Mass., edhe u lutemi të urdhëroni
Me nder
Komisioni i hëpërheshëm.
Përmes vështirësish të shumta më në fund në 22.2.1918, në American International College, Springfield, Mass. kryem mbledhjen përfundimtare për organizimin e shoqërisë ’’Lidhja e studentëve shqiptarë’’ me qendër në Springfield Mass. E zgjodhëm këtë qytet meqë këtu jetonin numri më i madh i anëtarëve të kryesisë e cila përbëhej prej 7 vetësh.
''Komisioni nismëtar i dorëzoi mbledhjes kanunoren duke i shpjeguar nyjat një nga një….të cilat me pak këmbime u pritnë prej mbledhjes edhe u votuan.
Qëllimi i shoqërisë është:
Të ndihmojë studentët shqiptarë të vazhdojnë mësimet e tyre
Të përpiqet të hapnjë udhën dhe për të tjerë të rinj shqiptarë që të mësojnë në shkollat e vendit
Të përpiqet të mbjellë e të forcojë në zemrat e studentëve ndjenjën e detyrës për të punuar në fushën e arsimit për të ndrituarit e popullit pasi të mbarojnë mësimet.”
Mbledhja priti me gëzim letrat e studentëve të tjerë shqiptarë në Amerikë, të cilët nga shkaqe të ndryshme nuk mundën të ndodheshin në këtë mbledhje, po ''bashkohen plotësisht me mendimin e të tjerëve dhe janë gati të përkrahin një shoqëri të tillë''…U lëçitën letra të dërguara nga : Costandin A.Tashko, Heidelberg University, Tiffin, Ohio; Zonjëza Marie Trayan, Oberlin College, Oberlin, Ohio; Petraq V.Kolonja e John Honcho, Easton Academu, Easton, Penn; Spiro Philip e Ali Sulejman, Lawrence Academy, Groton, Mass; dhe Dhimitri P.Nini- Luarasi, Bristol Country Agricultural School, Sagregonset, Mass.
Në fjalën e hapjes së mbledhjes themeluese midis të tjerash thashë:
''Jam i sigurtë se e kini kuptuar, që kur jeni duke luftuar në jetën tuaj shkollore, një detyrë tjetër ju thërret: të tjerë djem shqiptarë që nga fatkeqësia ende s'kanë njohur vleftën e arsimit, t'i udhëhiqni në atë rrugën e drejtë që keni marrë ju...''(*)Skënder Luarasi, ''Studenti'', nr.1, janar 1920.
Që në fillim u vendos që kryetari të mos zgjidhej prej studenteve të American International College, Springfield, Mass. që përbënim shumicën, por prej studentëve shqiptarë të shkollave të tjera.. . U bënë zgjedhjet me zë të përgjithshëm dhe u vendos: Qerim Panariti, kryetar; Zenel Drizari, nënkryetar; Skënder P.Nini (Skënder P.Luarasi shen. i red.), sekretar; Rafael Burgaleci, arkëtar; Mina Lluka, George Frashëri dhe Jovan Morcka, kontrollorë,''… E nderuara Zonjëzë, Parashqevi D.Qiriasi, editoresha e së përkohshmes ‘’Yll' i Mëngjezit’’, u zgjodh Kryetare e Nderit. Zonjëza Qirias me talentin e saj të shquar, ju përgjegj mbledhjes me një falënderje për nderin që i bënë edhe me fjalë të larta mbi çështjen e ditës enthusiasmoi gjindjen edhe la kujtime të pahatuara…Zyrtarët u betuan duke dhënë fjalën e nderit se do të punojnë besnikërisht dhe drejtësisht për të mirën re përparimin e shoqërisë ’’Lidhja e studentëve shqiptarë’’. Pastaj i dhanë duart njëri-tjetrit dhe kështu mbledhja u mbyll në mes të ngazëllimit'''
(Skënder P.Nini, American International College, Springfield ,Mass. Gazeta Koha, Jamestown, 16 mars 1918, nr.118, f.3)

Kryesia më ngarkoi të bëj një thirrje për bashkëpunim.
Thirrje dhe lutje
Të dashur bashkatdhetarë
Besojmë se raporti i mbledhjes dhe kanunorja të cilat u botuan disa kohë më parë në shtypin shqip, ju kanë dhënë dritë mbi fillimin e shoqërisë … dhe mbi qëllimet për të cilat kjo shoqëri qëndron andaj s'është e nevojshme t'i përsëritim, por me anën e kësaj dëshirojmë t'ju bëjmë një thirrje që, në është se keni ndjerë nevojën e madhe që ka kombi ynë për arsim, në keni kuptuar se përparim s'gjen gjersa arsimi s'ka zënë rrënjë në atë popull, në doni përparimin e djelmurisë dhe studentëve shqiptarë prej të cilave Shqipëria pret një të ardhme të lumtur, përkrahni shoqërinë arsimore ''L S.SH''
..Ndonëse ne do të përpiqemi të bëjmë detyrën për të përmbushur nyjat e kanunores së kësaj shoqërie është edhe detyra e Z. tuaj të na përkrahninë këtë çështje arsimtare…
Të dashur bashkënxënës shqiptarë
Ndonëse nuk mund t'ju shfaqim dot me gojë përhirimet tona , nga zemra ju përgëzojmë për udhën e drejtë që kini marrë duke vendosur të vini në shkollë. Kjo rrëfen vlerën që i kini dhënë mësimit dhe se me qëllimet e larta që kini ndërmend të mbushni, jepni plot shpresë e gëzim për një të pritme të lumtur dhe fatbardhë për të shumëvuajturin por heroik, kombin tonë shqiptar. ''Jam i sigurtë se e kini kuptuar ,që kur jeni duke luftuar në jetën tuaj shkollore, një detyrë tjetër ju thërret: të tjerë djem shqiptarë që nga fatkeqësia ende s'kanë njohur vleftën e arsimit, t'i udhëhiqni në atë rrugën e drejtë që keni marrë juve. Kemi besim se nuk do t'I ndruhi detyrës suaj dhe ajo që na siguron është një shumicë prej juve që ju përgjegj zërit të bashkimit duke rrëfyer dëshirën që kini për të bashkëpunuar për qëllimin e arsimit reth shoqërisë '' L''..dëshërojmë që të tërë studentët t'i mblidheshin një rrethi të këtillë.
Mbetem me nder
Për shoqërinë ''Lidhja e Studentëve Shqiptarë''
Sekretari Skënder P.Nini
(Dielli 13 maj 1918 )
Në nismën tonë na përkrahën veçanërisht motrat Qiriazi dhe Bahri Omari që i publikuan aktivitetet tona në organet e tyre ''Ylli i Mëngjezit'' e ''Dielli''.

Revista ''Studenti''
Më 9 nëntor 1919 ‘’Lidhja e studentëve shqiptarë’’ mbajti kuvendin e saj të dytë. U bënë disa ndryshime në kanunore dhe u vendos të botohej organi i shoqërisë me titull ''Studenti'', periodikisht katër herë në vit. U shkrua edhe rregullorja e periodikut ''Studenti'' dhe u vendos që të formohej një komision prej tre vetësh me editorin dhe dy zëvendësit e tij për të kqyrur lëndën që botohet
Për zyrtarë të periodikut u zgjodhën; Skënder Petro Nini-Luarasi, editor; Sotir Kondi dhe Qerim Panariti, ndihmës editorë; George Millër, sekretar; Rafael Burgaleci arkëtar; George Katundi, manager. Zonjëza Parashkevi Qirias u zgjodh editore e nderit
Numri i parë i revistër ''Studenti'' doli në janar 1920 dhe kishte si moto: ''Jeta pa libra është vdekje''. Revistën e shpërndamë kudo ku mendonim se kishte dashamirës që mund të na ndihmonin.
Disa pliko ia dërguam në janar 1920, edhe Kristo Luarasit, pronar në shtypshkronjën ”Mbrothësia” të Sofjes…
Nga të parët që na përgëzoi për botimin e revistës qe edhe albanologu danez Holger Pedersen.
View attachment 2328
Bashkë me Qerim Panaritin, Zenel Drizarin e anëtarë të tjerë të ''Lidhjes së Studentëve Shqiptarë'' u morëm edhe me botimin e shpërndarjen e librave shqip, përkthime të Nolit, Konicës. Një pjesë e të ardhurave përdoreshin për shoqatën dhe për të ndihmuar djem shqiptarë që nuk kishin të ardhura për t'u arsimuar.
U bë një punë e mirë për ndërgjegjësimin e studentëve shqiptarë e familjeve të tyre për bashkëpunim, për mbledhjen e ndihmave, botimin e disa librave shqip dhe propagandimin e ideve kombëtare.
Më kujtohet një aktivitet mbresëlënës që u zhvillua në kishën shqiptare Shën Maria në Worcester Mass. ku banda ''Varta'' dha një koncert më 28 shënëndre. Një ndihmë të madhe na dha kryetari i degës së Organizatës Vatra në Worcester, Mass., Kosta Vasili. Fitimet e nxjerra nga biletat e shitura u dhuruan për revistën ''Studenti''. Ne shprehëm dëshirën që banda Vatra të marrshojë së shpejti në rrugët e Shqipërisë së Lirë!

Mjerisht edhe lidhja jonë studentore, e cila me statut kishte vendosur që ''është krejt arësimtare dhe nuk do të përzihet as në politikë as në fe '' (artikulli III, revista Studenti, nr.1, 1920, faqe 4), nuk shpëtoi dot prej sëmundjeve të shoqërive shqiptare. Ajo u infektua prej lëngatës politike që kapi gjithë kolonitë shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Disa prej studentëve simpatizonin ‘’Partinë Kombëtare’’ që u formua nga fundi i luftës së parë botërore e kërkonte që Shqipëria të përfaqësohej në Konferencën e Paqës prej Ismail Qemalit dhe disa të tjerë me shoqërinë e parë Panshqiptare “Vatra” e cila pati caktuar Mehmet Konicën për përfaqësues të saj.

Në motin shkollor 1920-1921 ‘’Lidhja e studentëve shqiptarë’’ u shpërngul në Boston, Mass dhe kryetar i saj u zgjodh studenti Koço Tashko.
Edhe këshilli botues i revistës ''Sudenti'' (The student''), organ i lidhjes së Studentëve Shqiptarë në Amerikë, më 1 qershor 1921 kaloi në Boston me drejtor Jorgji N.Prifti, këshilltar Enver Sharrën e Gjergj Frashërin, sekretar L.Qamo e arkëtar Gjergj Katundin .
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi: Shoqëria ''Albania'' dhe organi i saj "Dialeria"

Skënder Luarasi: Shoqëria ''Albania'' dhe organi i saj "Dialeria"

Shoqëria ''Albania''
Shoqëria e studentëve shqiptarë ''Albania'' u themelua në Vjenë më 10 mars 1918. Motoja e saj: ‘’Sa kam shpirt kam shpresë’’ shfaqej edhe në stemën që e mbanin studentët në xhaketën e tyre: një shqiponjë dykrenore në fushë të kuqe dhe në pesë cepat e saj gërmat S.K.S.K.S.
Studentët nismëtarë për themelimin e saj qenë Fuat Asllani, Xhevat Korça, Irakli Buda, Jani Basho, Sokrat Dodbiba, Gjovalin Gjadri, Kolë Mirdita etj. Ata të ndërgjegjësuar me ndjenjën kombëtare, donin të aktivizoheshin në veprimtari patriotike, kulturore, arsimore e publicistike që t'i vinin në ndihmë atdheut e shtetit të ri shqiptar.
Anëtarët e shoqërisë studentore ''Albania'' çdo vit mbanin mbledhjen e përgjithshme ku votonin një pleqësi nga e cila zgjidhej kryetari, sekretari dhe arkëtari.
Kryetari i parë u zgjodh më 1918 Fuat Asllani që studjonte për jurisprudencë në universitetin e Vjenës, më pas Jani Basho, etj.
Revista ''Dialëria''
Një nga arritjet më të rëndësishme të shoqërisë ‘’Albania’’ ishte botimi i revistës ''Djalëria''. Pas përpjekjesh të mëdha, me ndihmën materiale të patriotëve shqiptarë në Austri, diasporë e Shqipëri, ajo filloi të botohet në mënyrë jo të rregullt në vitet 1920-1929. Qoftë për nivelin shkencor dhe përmbajtjen patriotike të artikujve, qoftë për paraqitjen dinjitoze grafike, revista ''Djalëria'' mund të quhet revista më e mirë e rinisë shqiptare e botuar në gjysmën e parë të shek.XX.
Atje botonin shkrime personalitete si : Jani Basho, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri, Kolë Mirdita-Helenau, Xhevat Korça, Lasgush Poradeci, Krist Maloki, Hasan Ceka, Safet Butka, Skender Luarasi, etj. Mbas një vendimi të shoqërisë, më 5 dhjetor 1920, kryetari i shoqërisë mbante edhe titullin editor, redaktor përgjegjës i ''Djalërisë''
Ndèr vite u botuan keto numra:
1920, 9 numra, redaktor përgjegjës Nush Bushati
1921, 5 numra, redaktor përgjegjës Jani Basho
1922, 4 numra, redaktor përgjegjës Fuad Asllani
1923, nuk botohet për mungesë fondesh
1924, një numër, redaktor përgjegjës Mihal Zallari
1925-6, nuk botohet.
1927, 2 numra, redaktor përgjegjës Gjergj Pekmezit e Hasan Cekës
1928, 4 numra, redaktor përgjegjës Skënder Luarasi
1929, 2 numra, redaktor përgjegjës Fridrih Wallisch

Skender Luarasi kryetar i shoqërisë ‘’Albania’’
Më 28 nëntor 1926 u bë mbledhja për zgjedhjen e kryesisë së shoqërisë ‘’Albania’’ dhe të stafit drejtues të revistës ''Djalëria''. Nder studentët e vjetër Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba, Jakov Deliana dhe Et'hem Haxhiademi, me shumicë votash palët zgjodhën Skender Luarasin per kryetar.
Festimi i 28 Nëntor 1928
‘’28 Nëntor 1928, Dita e Flamurit, u festua në Vjenë nga studentët shqiptarë me shkëlqim. Në sallën e hotelit ''Zur Stadt Paris'' feksnin ngjyrat kuq e zi.’’
Në gazetën ''Dialëria'', nëntor 1928, shkruhet:
''Mbrëmavet më ora tetë kryetari i shoqëris ''Albania'' z.Skënder Luarasi çeli mbledhjen duke folur mbi rëndësinë e ditës dhe duke u thënë mirëseardhjen miqve të festimit. Pasi u këndua hymni i flamurit iu dha vendi i nderit z.Dr.Pekmezi, i cili me fjalë të zjarrta shpiegoi detyrat e mëdha qi konfrontojnë dialërin shqiptare. Zotëris së tij iu përgjegj z.Kristo Maloki, i cili kishte ardhur si përfaqsonjës i studentëve shqiptarë të Gracit. Z.Maloki jo vetëm i preku të gjithë me fjalën e tij, por u gëzoi edhe zemrat me pjesat nacionale të kompozuara vetë dhe të lojtura në violinë. Z. Nafiz Tela, student në Konservatorium t'atyshëm, i kënaqi dëgjonjësit me zërin e tij të kandshëm. Më së fundi z.Ahmet Duhanxhiu mbajti një bisedë të lartë mbi nevojën e bashkimit dhe idealizmin e dialëris shqiptare. Z.Mitrushi tregoi shpresë për një lidhje të studentëvet shqiptarë që të mund të përfaqësohen dhe këta në kongreset e Konfederatës Internacionale të Studentëvet. Festimi mori fund ndaj mëngjezit të thellë duke forcuar në zemrat e të gjithëve kujtimin dhe vleftën e ditës së pamvarësis shqiptare".

Fjala e Skënder Luarasit
Çelja e festës (*)
Zotërinj të nderuar! Shokë të dashur! Në këtë moment, kur mendjen dhe zemrën ia truajmë kujtimit më të ëmbël të jetës sonë kombëtare, i duket e vështirë gojës së pastërvitur të përshkruanjë me fjalë gëzimin që reh krahrorin e çdo shqiptari. Nga ky shkak do të kisha dëshëruar më tepër të mendonja në heshtje , dhe në heshtje t'i falesha Perëndis për çastin fatbardhë q'i fali Shqipëris sonë të dashur gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. Megjithatë jam i lumtur që m'u dha rasti i shtrenjtë ta çel unë festën e simvjetme dhe t'ju them, miq të nderuar dhe shokë të dashur, një mirëseardhje të përzemërtë në emër të shoqëris ''Albania''.
Bashkatdhetarë! Vjete me radhë po çduken. E njëzeteteta e Nëntorit kthehet për mot. Dhe ne jo vetëm s'e shtiem në harrim por e kemi shënuar në kalendarin tonë si kryeditën e vitit. Kjo ka arësyen e saj. Eshtë arësyeja e mirënjohjes kundrejt ngjarjes q'i solli shpëtimin dhe çlirimin një kombi të tërë. Përmbi faqen e dheut asnjë popull nuk ka përse të gëzohet më tepër për lirin e vet sesa yni, që fati i pamëshirshëm e ka goditur më shumë se cilindo tjetër. Të lejmë vuajtjet e mëparshme mënjanë. Të pesë shekujt e sundimit turk, q'i rënduan përmbi krye shqiptarit, përbëjnë një nga periodat më të zeza në historin e botës. Qindra mijë, milionë njerës që kishin të drejtën autoktone të banonin në truallin e trashëguar prej stërgjyshërvet të tyre u ndodhën përpara rrezikut të math të humbisnin ekzistencën nacionale. Mund të themi se asnjë tirani e huaj nuk ia shëmtoi shqiptarit shpirtin aqë keq sa robëria e gjatë nën Turqinë. Nën zotërimin e saj një jetë e tmerrshme plot nevojë dhe dëshpërim filloi për vendin tonë, për të cilin çdo mot, po, çdo muaj e çdo ditë ishte një çast sakrifice. Kombsia shqiptare u dobsua e u rrëzua në një shkallë ku pothuaj pritej të jepte shpirt. Të prerë nga marrëdhënjet me shtetet e kulturës perëndimore u lamë fillthi në mëshirën e një forceje shkatërronjëse orientale. Shpërdorimet dhe shtypjet kapërxyen çdo kufi. Dhe ne duruam të rrëzuar.
Porse me gjithë tronditjet që pati populli ynë lëndërisht dhe shpirtërisht fuqit e tij qenë të pahepura. Shtypja shkaktoi kundërshtypjen. Trimërija e kohës së Skënderbeut, që bëri çudira njëherë, zuri të zgjohet. Shpatës gjaktare shqiptari i tregoi gjoksin dhe ngriti krye për të fituar lirin e kushtueshme. Si shembëll të përpjekjeve të tija kreshnike le të përmenden kryengritjet e vitit 1571, 1737, kryengritjet nën Pashallarët e Shkodrës, t'Ali Pashë Tepelenës dhe veprën e njohur të Lidhjes së Prizrenit. Këto vërtet nuk suall ndonjë fitim të dukshëm, por prapë rrëfyen që fuqija e huaj, ndonëse popullin e shtypi dhe zhvillimin kombtar e bëri në shumë pikëpamje të pamundur, nacionalismën shqiptare nuk mundi ta çfaroste dot. Ay u dergj por kurrë nuk vdiq. Shqiptarët e thjeshtë në zemrën e të cilëve flaga e shenjtë e patriotismës akoma qëndronte e pashuar, e sidomos ata patriotë q'urdhër i rreptë i tiranis i kishte shtrënguar t'arratisen lark shtëpis, as në mërgim nuk e harruan vendin lindor dhe nuk rreshtën së vepëruari për çlirimin e tij. Mundimi i tyre u kurorëzua së pari me prishjen e sundimit hamidian dhe me ngrehjen e një qeverie konstitucionale në Turqi.. Ndërkohë shkëputja e Shqipëris prej Turqis në një shtet më vete ishte një çështje dite. Aqë i math ka qenë përparimi i nacionalizmës shqiptare në të katër vjetet pas të ashtuquajturit konstitucion, sa fqinjët lakmonjës të Ballkanit u tmerruan. Sapo ahere kur ideali i liris shqiptare po realizohej afroi një kohë nga më të rrezikshmet për ne. Shpëtuam, si me thënë, prej shiut e ramë në breshër. Lufta ballkanike qe një çqetësim për ne se shikuam në fitimin e grekëvet, serbëvet dhe malzesvet humbjen e të drejtave tona. ç'vazhdoi i dimë fort mirë. Vetë si foshnja i kemi hequr të këqijat e kësaj lufte. Tokëria u bë hir i zjarrit t'ushtrisë greke dhe Gegërija fli i çnjerëzimit serb. Shqiptarëvet s'u mbeti gjësend tjetër veç se të marrin rrugën e perëndimit dhe të gjejnë strofkë e mbrojtje në Vlorën kreshnike. Aty, në kohën kur në të gjithë Shqipërinë dukej sikur ëndra e bukur për liri po venitej siç fishken fletët nën cikmën e vjeshtës, u ngrit në mes të brohorive të një populli të ringjallur flamuri i Shqipërisë.
Sot e gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shikuam në të shemburit e imperatoris osmane se në çfarë godinë të pa sigurtë kishim fjetur për aqë qindra vjete, se prej çfarë rezikeve të mbëdhenj qemë rrethuar. Ahere erdhëm në vetëdijë të plotë që do të shtypeshim nën atë gërmadhë po të mos lëviznim vendit. Lëvizëm e treguam se ç'mund të bënim po të donim. Vetë me duart tona e ngrehëm ndërtesën e re të Shqipëris indipendente. Disa kërkojnë të na e mohojnë këtë shërbim dhe janë të mendjes së gabuar që ngrehja e shtetit të ri është përfundim i lodrave diplomatike. Kjo është një gënjeshtër. Përkundër, fakti e provon që Kaizerët dhe mbretlerët për interesa të veçanta kanë dashur ta bëjnë fli Shqipërin e gjorë. ''E përse kaq shumë kokëçarje për një fshat katërqind shtëpish !'' thirri dikush nga monarkët për Korçën shqiptare q'e njihte për greke sepse donte t'ia jepte dhuratë të kunatit; edhe një tjetër syresh gjithashtu për Shkodrën e Teftës sepse nuk dëshëronte t'i prishte qefin të vjerrit!
Kjo mospërfillje e të drejtave tona s'u shfaq vetëm më 1913 prej atyreve q'i mbanin fatet e kombeve në dorë. Edhe dikush tjetër nga njerëzit e mëdhenj të kohës më së lashtë pati goditur njëherë me grushtin e hekurt trapezën e gjelbër në Kongresin e Berlinit duke thirrur: ''Nuk ka kombësi shqiptare!''. Më vonë pakë iu desh këtij zotëriu të dërgonte për turp e faqe të zezë të pushteteve të mëdhenj t'Europës një flotë internacionale kundër Ulqinit e një Dervish Pashë me disa hordhi turke kundër Lidhjes së Prizrenit e cila i tregoi gjithë botës që ''Ka kombsi shqiptare!''
Edhe në qoftë se kjo lëvizje patriotike u dërmua nën fuqinë brutale e të gjakshme të Sulltanit e të fqinjëve të bashkuar me këtë, prapë se prapë zhvillimin e natyrshëm të gjërave nuk mundi ta ndalojë asnjë fuqi e dheut. Nga thelbi i popullit shqiptar dhe nga volla e tij doli më 28 Nëntor 1912 sundimi q'i pëlqente e i përshtatej atij.
Kurorën e liris shqiptare, po, nuk ia kemi borç diplomacis europiane. Kurorën e liris shqiptare ua kemi hua atyre atdhetarëve që me mendjen e tyre ndritën popullin me shkronja, patriotëve që të ngarkuar me brengat e një populli të tërë, udhëtonin fshat më fshat dhe ngjallën në zemra gjysmë të vdekura shpresa të mëdha e të ëmbla, dëshmorëve që në malet e Kosovës dhe në fushën e Korçës dhe të Vlorës e ngritën tempullin e kombit me gjakun dhe eshtrat e vet.
Vuajtjet që hoqi shteti ynë në dekadën e parë pas krijimit të tij - këtu dua të kapërxenj disa nga fletët e zeza të historis sonë - vërtet e vunë në prova të rënda por gjene treguan vullnetin e fortë të shqiptarit. Edhe kur djepi i rilindjes shqiptare ishte në dorë të huaj, shqiptarët me atë vullnet të hekurt qenë të zotë të bëjnë në Lushnjë një Vlorë të dytë e i thanë botës që duan të rrojnë të lirë me çdo çmim.. Pastaj që populli shqiptar, i cili arriu të gëzonjë një herë lirinë, me asnjë mënyrë nuk do t'i përunjet ndonjë zgjedhe të re e provoj pakë më vonë ngjarja heroike e Vlorës më 1920.
Po; çështja e ekzistencës së shtetit shqiptar të lirë ka marrë fund. Jetën tonë kombëtare e ka siguruar një fuqi e mbinatyrëshme, përpara së cilës çdo fuqi e dheut duhet të hepet. Nuk janë shkruar më kot fjalët e vjershëtorit:

Mbi at flamur Perëndija
Me dor' t'vetë e ka shkrue,
Për shqiptarë do t'jet Shqipnija;
Kush e prek aj qoft mallkue.

Kaqë mbi të shkuarën tonë. E në qoftë se që në pranverën e rilindjes sonë nacionale kemi treguar shenja gjallësije, ahere sa raste të mëdhenj po na jep e arthmja jonë të rrojmë e të vepërojmë e ta lartësojmë popullin tonë në sfera më të lumtura!
Në krahasim me këtë të pritme t'amëshueshme gjashtëmbëdhjetë vjetë të foshnjëris së një kombi nuk janë asgjë. Lirija nuk vjen në një ditë as dobit e saj nuk shprehen në një të katërtë shekulli. Puna jonë ndehet përpara syvet tonë jo prapa krahëvet. Pa të shohim se ç'vepra të mëdha mundim të mbarojmë kështu-tutje. E ç'nukë, që prej atyreve të praktikës gjer në të theoris. Ja bujqësia që do improvuar për të bërë të lumtur jetën e bujkut dhe bariut shqiptar; ja ekonomija për t'i ndihmuar tregëtarit të mbrohet kundër dëmeve të jashtëm; ja mjekësija për ta shpëtuar racën tonë prej smundjevet; ja arësimi që pret akoma për t'u bërë baza e kulturës shqiptare. Dhe të gjitha këto mvaren prej nesh. E ne a do të kemi guxim t'i kundërshtojmë kësaj detyrës sonë, edhe sikur të na lypte therrorit më të mëdha? Një populli që ka vuajtur nën kushtet më të rënda , q'akoma vuan dhe megjithë këtë s'kursen as kafshitën e gojës për të na arrësyer ne - një populli kaqë të mirë e fisnik nuk do t'i mohojmë as më të rëndin shërbim! Mirënjohja jonë kundrejt tij do të na bënjë t'i harrojmë të gjitha pakënaqësit që mund të kenë ngjarë në mest të vëllazëris. Përpara interesit të kombit duhet dhe do ta hedhim poshtë interesin vetiak. Përpara urdhërit të pakundërshtueshëm të këtij flamuri - bashkohemi që të mos na ndanjë asgjë në botë.
Në këtë orë solemne le të largohemi nga dëshirat e kota duke u lartësuar në regione më të pastërta të idealismës. Le tu themi një ''ndjesë pastë'' atyre heronjve që me besim të patundur shkrinë jetën e lanë pas jetimë që të na dhurojnë këtë ditë. Le të qëndrojmë një grimë në mendim vaji për vëllezrit tanë në veri e në jugë q'akoma rrojnë robër. Koha do të vinjë - dhëntë Zoti - që Kosova, atdheu i mbytur në gjakun e fatosave të liris arbnore dhe i larë me lotët e nënave fatkeqe, atdheu i puthur prej buzëvet të njoma foshnjash të pafajshme, që n'agoni shpirti bijen nën forcën e gjakpirësit: që Kosova jonë trime do të bashkohet me mëmën Shqipëri.
(Skënder Luarasi, Dialëria, nëntor 1928, vjeti IX, Volumi II, Nr.7)
View attachment 2330
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skender Luarasi: Revista ''Vullnetari i Lirisë''

Skender Luarasi njihet si i pari vullnetar qe u nis drejtperdrejt nga Shqiperia per te luftuar kunder fashizmit ne mbrojtje te Republikes Spanjolle. Atje ai u emerua pergjegjes i vullnetareve shqiptare ne Shtabin Ballkanik, pergjegjes per propaganden, per botimin dhe redaktimin e revistes “Vullnetari i Lirise” ( me ndihmes gazetarin Petro Marko i cili kreu daktilografimin e materialeve per botim) si dhe pergatiti e transmetoi emisione radiofonike shqip ne radiot e Valencias, Barcelones e Madridit.


Revista ''Vullnetari i Lirisë''
Revista ''Vullnetari i Lirisë'', organ i shqiptarëve në Brigadat Internacionale, u pregatit në një kthinë gjysmë të shkatërruar nga predhat e fashistëve dhe tipografia në të cilën u shtyp revista s'qe veçse nja dyqind hapa larg llogoreve prej nga legjionarët e Musolinit, të Hitlerit e të Frankos i vërsuleshin Madridit si ujq të uritur.
''Vullnetari I Lirisë'' u shkruajt në dritën e raketave e të prozhektorëve dhe nën breshërinë e junkerëve e të kapronëve që orë e çast e fare papandehur lëshonin zjarr e flakë për të prishur mjetet e mbrojtjes , për të vrarë punëtorët e fabrikave dhe për të asgjësuar rezistencën e fundit në kryeqytetin e Republikës Spanjolle.
''Vullnetari I Lirisë'' shprehte botën që lidhi popullin shqiptar me pesëdhjetë e ca kombe për të qëndruar solidar në luftën kundër fashizmit dhe reaksionit botëror, besën që e pohuan dhe e shkruan me gjakun e tyre bijt e Shqipërisë në Brigadat Internacionale, si dëshmi të dashurisë shekullore të popullit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e kombeve.
Në Spanjën republikane erdhën vullnetarë shqiptarë nga të katër anët e dheut: erdhën nga Shqipëria vetë, nga Çamëria, nga Kosova, nga kolonitë arbëreshe të Greqisë e Kalabrisë, erdhën edhe nga fabrikat e Francës e të Amerikës, nga kurbete ku qenë detyruar të venë për të siguruar kafshatën e gojës të fëmijëve të tyre.

Në Spanjën republikane vullnetarët shqiptarë erdhën si përfaqësues të Shqipërisë nga gjithë shtresat përparimtare të shoqërisë:
-Erdhën mësuesit që t'u tregonin nxënësve të tyre se ç'u kishin thënë në klasë për vlerën e vërtetë të lirisë e të pavarësisë, të bashkimit kombëtar e të vëllazërimit të popujve - këto vlera dhe parime qenë gati t'i mbronin edhe me kokën e tyre.
- qenë fshatarë e punëtorë që t'i tregonin familjeve të tyre frutin e djersës dhe një jetë më të denjë në atdheun e tyre që Zogu dhe feudalët ia kishin shitur fashizmit italian;
- qenë ushtarakë, që t'u tregonin shokëve në ushtrinë e mbretit faqezi se cili qe armiku i vërtetë i Shqipërisë dhe kundër kujt t'i drejtonin armët kur të vinte momenti vendimtar për liri a vdekje.
- Në Brigadat Internacionale u përfaqësua edhe gruaja shqiptare që u shërbeu me devocion të plagosurve, të sëmurëve, duke u bërë donatore (dhuruese gjaku).
- Kur plasi rebelimi fashist kundër Republikës Spanjolle, emigracioni i demokratëve të Revolucionit të Qershorit 1924 pati pësuar një ndryshim tragjik. Me largimin e Fan Nolit në Shtetet e Bashkuara nga Gjermania, ku Hitleri mori pushtetin në dorë, KONARE-s nuk i mbeti nishani në Evropë. Fletores ''Liria Kombëtare'' s'iu dëgjua më zëri, ata të ''Bashkimit Kombëtar'' u bënë bashkë me grupin fashist të Mustafa Krujës. Edhe gazetën patriotike ''Dielli'' në Boston editorët mercenarë ia shitën fashizmit.
Kështu, pra, ditën e 25-vjetorit të pavarësisë së Atdheut tonë në organin e vullnetarëve shqiptarë në Brigadat Internacionale, Skender Luarasi me gjuhën e antifashizmit që nga Madridi heroik, në revistën ‘’Vullnetari i Lirisë’’ në artikullin ''25-vjet indipendencë'' shpalli:
''...Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarësisë së Kombit tonë ; përsëri po ngrysemi në natën e robërisë e në ankthin e kohëve të errëta që ia ka përgaitur botës fashizmi barbar..Mbi kurrizin e popullit shqiptar Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste. Për të shpëtuar duhet t’iu japim grushtin e vdekjes feudalizmit e fashizmit në vendin tonë.
Kjo është, po, një përpjekje e rëndë për jetë a vdekje.Po nuk mund të qëndrojmë vetëm në këtë luftë të ashpër.As që mund të qëndrojmë vetëm.Sot e gjithë bota është ndarë në dy kampe të kundërta:të fashizmit e të demokracisë. Po luhet shumë në këtad y fronte për fatin e popujve të vegjël e të dobët.. Çdo gjë që ngjet sot në një shtet e për një shtet bëhet çështje e mbarë botës. Kundër fashizmit imperialist që pregatit luftën, për ngadhnjimin e shteteve të dobëta do të na vijë në ndihmë proletariati paqedashës që përkrah popujt e vegjël të mbajnë pavarësinë e tyre (*)(*) S.Luarasi, ''25-vjet indipendencë'', ''Vullnetari i Lirisë'', viti 1937, faqe 18
Ne revisten ‘’Vullnetari I Lirisë‘’ më tej shton:’’Ti viremi me mish e me shpirt veprës së çlirimit të vendit tonë nga tirania fashiste, qoftë kjo e brendëshme apo e jashtme. Populli shqiptar do të na vijë pas, nuk ka veçse t’I fitojmë zemrën, ta bëjmë të kuptojë që luftojmë për të mirën e tij; të jemi gjithmonë me popullin, ta shoqërojmë gjer në kasollen e tij, në arën e tij, në punën e tij të përditshme, të vemi ne kodo që vete ai, ditën e pazarit, ditët e të kremteve, ditëne nisjes së tij për në ushtri, ne t’ia drejtojmë udhën , ne pushkën…’’
'' Éshtë ideja që të ngjallim Frontin Popullor edhe në Shqipëri,dhe ta drejtojmë kundër rregjimit.Me anën e Frontit Popullor do të përpiqemi të shembim regjimin diktatorial fashist dhe të sigurojmë bashkimin në themel të nevojave demokratike dhe të zhvillimit nacional.
Ja që liria nuk u fituaka me fjalë e me frikë,ajo lyp zjarr në zemër e gjak të gjallë...
Përmes kësaj udhe duhet të kalojnë të gjitha fuqitë progresive të popullit,të gjithë patriotët dhe veteranët e kombit, e gjithë klasa e aristokratisë së rënë poshtë nga dynjallëku,të gjithë tregëtarët e dorës së mesme dhe industrialët që janë në rrezik të bënen borçllinj të kapitalizmës italiane,borgjezia progresive antiimperialiste,doemos të gjithë bujqtë e punëtorët,të gjithë,qofshin katolikë ose muhamedanë ose orthodhoksë,dhe ,pa as më të voglën mungesë,e gjithë djalëria kombëtare përparimdashëse e Shqipërisë...'' (Po aty,faqe 20}
Në këtë mes e me këtë qëllim s’ka asnjë shkak të na ndajë ne bijt e popullit; përkundrazi, mijra arsye na shtrëngojnë të bashkohemi dhe t’I japim dorën njëri-tjetrit. Ky bashkim nacional do të na ndihmojë të zëvendësojmë triunfin e ‘’Legalitetit’’ e të mizerjes me triunfin e revolucionit popullor të punës e të bukës, të pëparimit e të lumturisë. Puna jonë për këtë qëllim ka për të qenë festimi më i bukur që mund të bëjmë me rastin e 25-vjetorit të indipendencës sonë shqiptare.’’

Vullnetarët shqiptarë në brigadat internacionale.
Thirrja e vëllezërve spanjollë as turmat demokratike të Shqipërisë nuk mund t'I linte pa prekur. Të gjithë sjellin ndër mend zinë që na pushtonte zemrën kur lëçitnim ndër gazetat reaksionare të Tiranës lajmet mbi përparimin e forcave rebele drejt Madridit, rënien e të cilit fashistët e trumbetonin si të sigurtë orë e çast me anën e radiove; sjellin ndërmend gjithashtu gëzimin tonë që na shtohej dita ditës kur kuptonim që tanët po bëheshin më të fortë, edhe më të fortë, rreth kryeqytetit kreshnik të Spanjës.
Bashkë me kushtrimin e brigadës së gjeneralit Lukash u shoqërua edhe zëri I vogël, por besnik, I trumbës së vullnetarëve shqiptarë. Në vrapin e madh midis punëtorëve të gjithë kombeve, për të arrirë në Spanjë kush e kush më parë, që t'I jepnin krahun e ndihmën demokracisë e lirisë së popullit spanjoll, ne shqiptarët nuk mbetëm prapa. Megjithëse prej një populli të vogël, një numër I madh syresh në krahasim me vullnetarët e kombësive më të mëdha, arrriu në Spanjën republikane qysh në muajt më të parë të formimit të Brigadave Internacionale.
Në gjirin e grupit shqiptar të Brigadave Internacionale ka punëtorë të thjeshtë me zemër prej luani. Sa mendime fisnike duhet t'I kenë entuziazmuar kur lanë veglën e punës me të cilën siguronin bukën epërditshme të familjes së tyre dhe me dorën e tyre të fortë rrokën pushkën. Liritë e të drejtat e fituara prej popullit spanjoll qenë vënë në rrezik prej fashizmit. Po të dilte ky ngadhnonjës në Spanjë, do të dilte I tillë kudo gjetkë. Atëherë liritë e mia, liritë e tua, liritë e gjithë punëtorëve të botës do të ishin në rrrezik të çdukeshin. Në rrezik kishte për të qenë jeta jonë, e fëmijëve tanë, e grave, e nënave, motrave tona. Edhe neve të tjerëve do të na ngjiste ajo që u ra mbi kokë spanjollëve të Budajës, në Grenada, në Kordova, në Malaga e në gjithë jugun në fillim, dhe në Bilbao, në Guernika, në Santander, në Gijon e në gjithë veriun më vonë. . Këtë rrezik, këtë shkatërrim nga ana e fashizmit e kanë ndjerë shqiptarët me gjithë forcën e zemrës e të mendjes së tyre edhe për vetëveten. Pranë shteteve të goditur drejtpërdrejt asnjë popull tjetër nuk e ka kokën e tij më afër hanxharit të fashizmit sesa e ka populli shqiptar…
Ndër gjithë punëtorët shqiptarë që erdhën vullnetarë në Spanjë dy fytyra të reja kanë për të shkëlqyer në përjetësi: Fytyrat e shokëve të dashur Asim Vokshi nga Gjakova dhe Teni Konomi nga Korça. Asimi vetë, e gjithë familja e Asimit, është personifikimi I Kosovës së martirizuar, dyfish e martirizuar. S'ishte veçse dëshira për një rrojtje të ndershme dhe të lirë që e shtrëngoi atë të lërë tokën e dashur të stërgjyshërve. Në shoqërinë e mijta familjeve të tjera shqiptare, erdhën në vatrën e ngushtuar tonën e me shpresë se do të gjenin aty pritjen amëtare të dëshëruar në Shqipërinë e tyre gjoja të liruar.. Themi ''gjoja'', sepse cili vend I Shqipërisë është I lirë sot? Mënyra se si vdiq heroi I Kosovës, Bajram Curri vetë, në malet q'ish përpjekur t'I çlironte, është një vërtetim I shëmtuar që Shqipëria e ''liruar'' gjendet sot nën robëri aq të keqe sa edhe ajo nën sundimin e huaj. Këtë gjendje të keqe të vendit të tyre kujtuan, e ndjenë gjer në palcë, I mërguari djalosh kosovar dhe Teni Konomi, kur që të dy u nisën bashkë për udhën e largët e të fundit. U nisën të dy shokët: Teni nga jugu dhe Asimi nga veriu I Shqipërisë për në Spanjë, për të kërkuar, si dy shtegtarë trima, lirinë që deshën t'I dhuronin popullit të vet. Kjo dëshirë I mbajti që të dy të bashkuar gjer në vdekje. Kanë ndihmuar më shumë se kushdo tjetër nga ne që të bëhet realitet ëndrra e tyre e bukur; I dhanë njerëzisë atë që kishin më të shtrenjtë. Dhe populli punëtor do t'u jetë mirënjohës përjetë.
Bashkë me punëtorin shqiptar, edhe djalëria shqiptare nuk ka për t'I harruar kurrë shokët e saj të moshës e të mendimit..Teni dhe Asimi janë për atë dy emra që simbolikisht do të bëjnë për shqiptarët dy thirrje bashkimi. Jugu dhe Veriu I Shqipërisë, dini dhe feja që aq fort na kanë ndarë e përçarë, treten në kujtimin e këtyre dy dëshmorëve në një lutje, në një thirrje bashkimi kombëtar.
Asimi dhe Teni qenë më të mirët ndër ne të gjithë. Ishin floriri I kulluar I djalërisë punëtore shqiptare, ishin bijtë shembullorë të familjes punëtore shqiptare. Në përpjekjet e shokëve të tyre kanëç qëndruar në ballë dhe atje ku t'I kërkonte nevoja më e madhe revolucionare. Qenë nga më të fortët dhe më veprimtarët militantë, qysh prej fillimit të regjimit faqezi, që sot po bën rrëmujë Shqipërinë. Si militantë dhe demokratë revolucionarë që të dy qenë flamurtarë për bashkimin e popullit kundër spekulantëve dhe përçarësve në vendin tonëdhe kundër penetracionit fashist italian në Shqipërinë e dashur. Teni dhe Asimi qenë, ashtu sikundër duhet të jenë gjithë bijtë e Shqipërisë së sotme., dy nga bijtë shpirtërorë të patriotëve të motshëm, si Bajram Curri dhe Themistokli Gërmenji, për të cilët ideali I një Shqipërie demokratike qëndronte lart përmbi fetë e besimet dhe larg influencave të huaja shkatërronjëse.Si militantë që qenë, ndjenja e antifashizmit, urrejtja kundër fashizmit, I çoi peshë dhe I bëri të nisen për në frontin e Madridit.
Në këtë ballin e Madridit, mbi këtë fushë lufte, ku dy forca krejt të kundërta dhe armike janë nëë përpjekjen më të madhe, fuqitë e vdekjes dhe të jetës, të kohës së vjetër dhe të kohës së re, të barbarisë dhe të përparimit, të fashizmit dhe të demokracisë- në këtë ballë lufte për jetë dhe për vdekje, Tenin dhe Asimin nuk I çoi vetëm zemra porse edhe mendja. Ata të dy e dinin fort mirëashtu sikundër duhet ta dijë fare mirë tërë djalëria shqiptare me llogjikë, që duke luftuarnë frontin e Madridit luftohet edhe në të gjithë frontin e Shqipërisë sonë.
Aty po I përgatitet varri fashizmit italian, I cili është edhe kuçedra e popullit të Shqipërisë; kjo kuçedër kokën e ka sot për sot në Spanjë. Kushdo që ndihmon t'I shtypet koka kësaj kuçedre këtu, jep ndihmesa që të shpëtojë edhe atdheun e vet. \Lufta e popullit spanjoll për shpëtim nga fashizmi është dhe lufta jonë për shpëtimin e Shqipërisë..
Dhe kur I fshijmë lotët e hidhur prej syve dhe mbledhim veten prej tronditjes nga humbja e rëndë, gëzimi dhe mburrja, na pushtojnë zemrën që edhe Shqipëria e vogël dhe e varfër, mundi krah për krah me Gjermaninë e Hans Beimlerit(*)
(*)Hans Beimler ( 1895-1936) komisar i batalionit gjerman Telman. U vra në mbrojtje të Madridit në dhjetor 1936
(*)Ralph Fox (1900-1936) historian e shkrimtar anglez. Komisar I batalionit anglez 121. U vra në Kordova më janar 1937
(*) Guido Picelli ( 1889-1937), symbol i antifashizmit Italian, nismëtar i barikadave kundër fashisteve në Parma-Itali, i vrarë në janar 1937 në betejën e Algeras me Anglinë e Ralph Foxit , me Italinë e Picellit, me Jugosllavinë e Bllagoje Petroviçit, me Greqinë e kiapedanëve Pargaritis, Peres dhe Vernes, t'i sjellë një therori të pasur çlirimit të madh të popujve!

View attachment 2331
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skender Luarasi: Letër vëllait të heroit Asim Vokshi

Albacete, 2 dhjetor 1937
I dashur Myftar!
Nga shqiptarët që kanë ardhur vullnetarë në Spanjë, marrim për shembull dy karaktere të kundërta: njëri syresh, i trembur nga rreziqet e luftës, u kthye prapa, u shpall dezertor, dhe sot rron, as që duam ta dimë se ku, i përbuzur nga të gjithë ata që e kanë njohur. Tjetri, përherë edhe më i fortë, sa më e rreptë që të ishte lufta, qëndroi i patundur në krye të batalionit të vet, luftoi si hero i vërtetë, dhe, i pari ndër të parët, ra dëshmor.
I dashur Myftar, prej këtyre të dyve, duke zgjedhur midis të gjallit dezertor dhe të vdekurit dëshmor, cilin do të dëshiroje të kishe pasur për vëlla?
Të çmojmë për mbi të gjitha të tjerat se je vëllai i Asimit. I paharruari, si shqiptar që ishte, qe bashkëluftëtari ynë, por në zjarrin e përpjekjeve u bëmë ca më tepër, u bëmë miq e shokë. Dhe tani ai që ishte më i riu, ka qenë më i miri ndër të gjithë. Mbase humbi jetën që në fillim të luftës më i riu, më i miri, më i dashuri ndër ne të gjithë, që ta kuptojnë të tjerë të rinj shqiptarë, që ç’therori e madhe u dashka që të shpëtojë nga mënxyrat e jetës faqezezë, që po durojnë kafshërisht. Në kët kuptim, Asimi nuk ka vdekur. Në kujtimin e shokëve italianë garibaldinas, që dëshmojnë për vdekjen heroike të tij, në kujtimin e shokëve shqiptarë, që e dinë se djaloshi kosovar ka ditur jo vetëm të vdesë, por edhe të rrojë heroikisht, fytyra e tij fisnike do të mbetet e paharruar. Janë të dyja, bukuria e jetës dhe bukuria e vdekjes së tij, që na bëjnë t’i jemi më pranë kësaj figure, që ta mbajmë të skalitur në mendje në të gjithë madhështinë e saj. Kjo vetëdije na mbushi me mburrje që heroi, vëllai yt Asimi, ishte edhe bashkatdhetari ynë, miku dhe shoku ynë, vëllai ynë.
Të shkruaj ty, nxënësit tim të njëhershëm, se ty të kam njohur, përndryshe këtë letër ngushëllimi ua kam detyrë të gjithë anëtarëve të familjes së Asimit, e, në radhë të parë, me të vërtetë, asaj që i dhuroi jetën heroit tonë të ri. Ajo vetë është e dashur dhe trime, por, natyrisht, zemra e nënës, sado e madhe, preket gjithnjë e më tepër prej humbjes së dajlit të saj. E ke detyrë t’i japësh ngushëllimin e duhur. Në kët mes, të shoqërojmë me simpatinë më të thellë, ne shokët e tu e t’Asimit.
Skënder Luarasi
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skender Luarasi: Letër vëllait të heroit Asim Vokshi

Albacete, 2 dhjetor 1937
I dashur Myftar!
Nga shqiptarët që kanë ardhur vullnetarë në Spanjë, marrim për shembull dy karaktere të kundërta: njëri syresh, i trembur nga rreziqet e luftës, u kthye prapa, u shpall dezertor, dhe sot rron, as që duam ta dimë se ku, i përbuzur nga të gjithë ata që e kanë njohur. Tjetri, përherë edhe më i fortë, sa më e rreptë që të ishte lufta, qëndroi i patundur në krye të batalionit të vet, luftoi si hero i vërtetë, dhe, i pari ndër të parët, ra dëshmor.
I dashur Myftar, prej këtyre të dyve, duke zgjedhur midis të gjallit dezertor dhe të vdekurit dëshmor, cilin do të dëshiroje të kishe pasur për vëlla?
Të çmojmë për mbi të gjitha të tjerat se je vëllai i Asimit. I paharruari, si shqiptar që ishte, qe bashkëluftëtari ynë, por në zjarrin e përpjekjeve u bëmë ca më tepër, u bëmë miq e shokë. Dhe tani ai që ishte më i riu, ka qenë më i miri ndër të gjithë. Mbase humbi jetën që në fillim të luftës më i riu, më i miri, më i dashuri ndër ne të gjithë, që ta kuptojnë të tjerë të rinj shqiptarë, që ç’therori e madhe u dashka që të shpëtojë nga mënxyrat e jetës faqezezë, që po durojnë kafshërisht. Në kët kuptim, Asimi nuk ka vdekur. Në kujtimin e shokëve italianë garibaldinas, që dëshmojnë për vdekjen heroike të tij, në kujtimin e shokëve shqiptarë, që e dinë se djaloshi kosovar ka ditur jo vetëm të vdesë, por edhe të rrojë heroikisht, fytyra e tij fisnike do të mbetet e paharruar. Janë të dyja, bukuria e jetës dhe bukuria e vdekjes së tij, që na bëjnë t’i jemi më pranë kësaj figure, që ta mbajmë të skalitur në mendje në të gjithë madhështinë e saj. Kjo vetëdije na mbushi me mburrje që heroi, vëllai yt Asimi, ishte edhe bashkatdhetari ynë, miku dhe shoku ynë, vëllai ynë.
Të shkruaj ty, nxënësit tim të njëhershëm, se ty të kam njohur, përndryshe këtë letër ngushëllimi ua kam detyrë të gjithë anëtarëve të familjes së Asimit, e, në radhë të parë, me të vërtetë, asaj që i dhuroi jetën heroit tonë të ri. Ajo vetë është e dashur dhe trime, por, natyrisht, zemra e nënës, sado e madhe, preket gjithnjë e më tepër prej humbjes së dajlit të saj. E ke detyrë t’i japësh ngushëllimin e duhur. Në kët mes, të shoqërojmë me simpatinë më të thellë, ne shokët e tu e t’Asimit.
Skënder Luarasi
 

ilia spiro

V.I.P
Anëtar
Sep 30, 2010
Postime
1,242
Pikët
63
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Për këtë shkollë, laike, të pavarur dhe me frymë përparimtare, kanë dhënë jetën me dhjetra e qindra arsimtarë patriotë të popullit shqiptar. Në krye të kësaj rruge fisnike shquan fytyra e ndritur e rilindasit tonë të parë, Naum Bredhasit nga Vithkuqi, i cili na fali ''Avetarin'' dhe që këtë mëkatë ndaj ''Megali idhesë'' dhe Fanarit e lau me kokë më 1866 brenda mureve të errëta të Patrikanës.
Tjeter eshte "Megaliodhea", e tjeter Patriarkana Ekumenike. Sistemi komunist i ngaterroi keto dy ceshtje per te sulmuar Kishen Orthodhokse.
Vete Patriarkana shpalli autoqefaline e Kishes sone Orthodhokse, por kjo si ka pelqyer rregjimit komunist dhe as postuesit te ketyre shkrimeve, ku permendet edhe Zoti Krisht dhe trajtohet ne menyren me banale te atij sistemi qe kaluam, pjesen e se ciles (ndoshta e pandergjegjshme) ka qene edhe autori i ketyre shkrimeve.
Keto shkrime sot cenojne tolerancen fetare.

Per postuesin e ketyre shkrimeve, te gjithe besimtaret jane antishqiptare. Dhe ky eshte plotesisht i vetedijshem per sulmin qe ka ndermarre per te shkaterruar, apo ne pamundesi per te percare, Kishen Orthodhokse Autoqefale te Shqiperise, duke menduar se do t`ja arrije asaj qe nuk munden dot te arrijne paraardhesit e tij.
Por se paku ata ishin jo shume te ndergjegjshem, per vete konditat ne te cilat jetonin....
keto shkrime jane nxjerre ketu per te diskredituar Kishen Orthodhokse.
 

Regina

Super Moderator
Staff member
Anëtar
Apr 21, 2010
Postime
3,675
Pikët
113
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Z. Ilia Spiro!

Ketu eshte nenforumi Letrar, jo fetar, nese keni nevoje te diskutoni per shkrime fetare te ketij lloji, me e mira eshte te hapni nje teme me vete te komuniteti Orthodox. Kete nuk e bej qe t'ju fyej, por nese shkruani dhe njehere komente qe kane lidheje me fene tuaj, une jam e detyruar t'i fshij ato! Sepse diskutime te tilla nuk lejohen ne nenforumin Letrar, kjo vlen, jo vetem per ju por dhe per anetaret e tjere.

Flm per mirekuptimin.
Pershendetje!
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi: Takimet e mia me Migjenin

Takimet e mia me Migjenin
Kur kujtoj Migjenin, më hipën mallëngjimi e kam një peng në zemër. Shumë të tjerë e njohën Migjenin vetëm përmes veprës, kurse mua një rast i mbarë ma solli ta njoh edhe personalisht, kur më transferuan në gjimnazin e Shkodrës, në vjeshtë 1934. Tani më vret ndërgjegjia që nuk dita t’ia hap më shumë zemrën dhe të isha afruar më tepër me të. Kështu do të kisha përfituar nga ai,se që atëhere e kuptova se Migjeni qe një personalitet.
Po kish edhe disa rrethana të cilat besoj që na pengonin të dy të afroheshim më shumë. Në radhë të parë, në asnjë qytet të Shqipërisë nuk ziente përçarja ndërmjet elementeve fetarë me aq fanatizëm sa në Shkodër. Hoxhallarë e priftërinj vendas, por më shumë jezuitët e huaj, e sidomos Kordinjanua dhe Valentini, mbillnin urrejte e grindje ndër banorët, ngjallnin ftohtësirë e dyshim,i largonin qytetarët nga njëri-tjetri dhe çkallmonin shoqërinë shqiptare. Domosdo,ambjenti i shtrëngonte njerëzit të ishin të përmbajtur e të ndrojtur.
Përveç fanatizmit, edhe gjëndja e keqe politike nuk ndihmonte në asnjë mënyrë për t’u afruar e takuar. Shefi i dikasterit të brendshëm, vetë shkodran e me lidhje familjare në gjithë vëndin, qe bërë gogol për shqiptarët e kishte nderë rrjetin e spiunëve në të katër anët. Mjaftonte njëzë shpifje vetëm që të burgosnin e të zhduknin po tua donte nevoja njerëzve të qeverisë.
Ndërkaq agjentët e fashizmit nga ana e tyre propagandonin sheshit në vendin tonë për një regjim fashist; dhe koliqët nuk ishin kthyer kot së koti prej Italisë përpara 29 qershorit 1934 ditën kur Musolini bëri tentativën e parë të shkelte Shqipërinë; nuk ishte e rastit që po në këtë kohë klerikët e Shkodrës grishnin malësorët katolikë të zbrisnin në qytet për të parë se si , në katedralë, shnandou po loste sytë! Agjentët fashistë kërkonin mbështetje dhe nuk dronin të lidhnin miqësi me këdo që u hynte në punë. Ishte, pra, një akt me përgjegjësi të rëndë për çdo njeri përparimtar kur vendoste t’i jepte dorën tjetrit, se gjithmonë ekzistonte frika mos bije në kurth të ‘’miqësisë‘’ fashiste.
Me Migjenin u njoha në këto rrethana: Qe e diela ime e parë në Shkodër. Kur dola në mëngjes nga zyra e konviktit që të piqesha me një nga miqtë e mi shkodranë që nuk ishin ‘’të fesë sonë‘’,vura re kujdestarin e konvektit tek po i ndante nxënësit dysh. E pyeta se ç’po bënte, dhe më tha se ata në radhë do t’i shpinte në kishë.
‘’Po të tjerët?’’e pyeta
‘’Janë muhamedanë‘’, m’u përgjegj.
Ndërkohë miku im erdhi dhe dolëm të shëtisnim; kur iu afruam kafe ''Parkut'', ndaloi te rruga kryq, ku po afrohej një djalosh e më foli:’’Do të të njoh me një koleg të ri, mësues në Vrakë, shumë i mirë…ortodoks’’.
U prezantuam.Ndonëse të posanjohur, vetë takimi u bë në mënyrë të tillë që na dha temën e bisedës.Unë, i indinjuar nga një atmosferë e këtillë fanatike, i tregova mikut të ri ç'ë kishte ngjarë në oborr të konviktit dhe i thashë se e para punë që duhet të bëjnë arsimtarët në Shodër ish ta shkulnin nga rrënjët kulçedrën e fanatizmit. Migjeni buzagaz më tha se unë sapo kisha filluar dhe se do të më jepej rasti të njihesha më mirë me këtë përbindësh.
Takimi im i parë me Migjenin ish i shkurtër; po më gëzoi, se gjeta në këtë djalosh një njeri që qëndronte përmbi dasitë fetare. Më vonë u binda se Migjeni kish të drejtë që përbindëshi mund të rrëzohej vetëm me goditje të fuqishme si ato që dha Migjeni vetë!
Këtë ditë e dëgjova për të parën herë emrin e vërtetë të Migjenit, por edhe pseudonimi i tij po këtë ditë nisi të më bëhej më familjar. Qoftë për urrejtjen që kisha për ‘’Illyrinë‘’si organ pro-fashist dhe nuk e lexoja veçse për kuriozitet, qoftë edhe për mosbesimin tim se në atë kohë mund të dilte ndonjë pendë me vlerë, as ato pak shkrime të Migjenit nuk i kisha lexuar me ndonjë interes të veçantë. Ky interes m’u zgjua kur u njoha me vetë autorin e tyre dhe lexova: ’’Të lindet njeriu’’ dhe sidomos ‘’Këngët e rinisë‘’. Thashë: ’’Prej një njeriu me moral të madh ,siç është Migjeni,edhe poezia e tij vetë duhet të jetë e madhe’’.
Herën e dytë u poqa me Migjenin në shtëpinë e dajeshës së tij, Ujnës. Ndërsa kolegu im, me të cilin vajta për vizitë, seç kish të rregullonte me të birin e saj, Migjeni dhe unë ramë në bisedë për shkollën. Edhe kjo qe një temë e rëndësishme, se kish ardhur koha kur duheshin peshuar frutat e para të shkollës laike. Shumëkush u gënjye me tragji-komedinë e shtetëzimit të shkollave nga shpresa se në trollin e shkollës kombëtare do të arrihej bashkimi i popullit shqiptar.Por frutat dolën të hidhura!
Këtë dështim e kishte ndjerë thellë Migjeni. Ai njihte mirë gjëndjen e fillores, prandaj u interesua të dijë përshtypjet e mia mbi brendinë e programit të shkollës së mesme; mbi karakterin e edukatës që merrnin nxënësit. Unë s’isha aspak entuziast me punën e shkollës, andaj s’gjeta veçse fjalë të këqia për të. I thashë se mendjen ua dërgojmë nxënësve në klasiçizëm për të mësuar gjëra që s’u duhen dhe lëmë pa mësuar gjëra që u duhen në jetë.
Migjeni shfaqi mendimin se, sado pakë, këtë të keqe e zvogëlon dhe e kthen në dobi futja e letërsisë klasike ruse në programet e shkollës. E quajti me vlerë të madhe që nxënësit shqiptarë të njihen me veprat e Gorkit. Dhe aty unë konstatova se Migjeni kishte përgatitje kulturale të lartë, e njihte mirë jo vetëm letërsinë realiste të perëndimit, por edhe letërsinë ruse dhe sovjetike.
Po nga kjo bisedë me Migjenin pata një përshtypje akoma më të madhe kur vura re se atë e interesonte shkolla, para së gjithash, nga pikëpamja se me ç’ideale shoqërore mbruheshin nxënësit shqiptarë.Tani nuk më kujtohen pikë për pikë fjalët e tij, po di se Migjeni m’u imponua me idetë e tij fisnike, me idealin e përparuar, me pikëpamjet e larta politike, me dashurinë e tij të madhe për njerinë.
Këtë konstatim e kanë shprehur edhe të tjerë. Një vajzë që e pati njohur mirë Migjenin që nga shkolla e studimeve të mesme, (Bojka Nikolla, shënim i red. P.L) e shfaqi admirimin e saj për poetin, në një letër ngushëllimi ,që i dërgoi motrës së tij Ollgës, më 4.9.1938,duke bërë këtë sintezë të njeriut moral-madh e të njeriut poet, në Migjenin:
‘’E dashur Ollgë;e di se je fatkeqe për këtë humbje të madhe, po të lutem të mendosh për ata që, pas tij, i don më shumë; dhe të jenë ata ngushëllimi dhe qëllimi i jetës sate. Sepse’’Dashuria e madhe për njerëzit’’ka qënë qëllimi i Mirkos sonë të dashur; ti e din këtë dhe do ta dijë gjithë bota; dhe ai do të jetojë gjithmonë në kujtimet tona me veprën e tij’’.
Në këtë takim të dytë folëm edhe për poezinë. Prapë këtu kuptova se ç’qëllim serioz mbante Migjeni ndaj artit; kuptova se ato që shkruante ai nuk ishin si bejtet që thurin njerëzit kur s’kanë ç’bëjnë dhe duan të dëfrehen, po ishin mjaltë e mbledhur për të ushqyer një popull.Sado pak, këtë e pohon edhe rrëfimi i Ujnës ,e cila më tregoi:
- Milloshi mbante letër e lapës pranë shtratit,në dhomën ku flinte.Shpesh herë ajo kish vënë re se i nipi ngrihej natën në shtrat,dhe ashtu në terrët, shkruante mendimet që i vinin në mend.
Një herë tjetër Migjeni më erdhi për një vizitë në konvikt .Ai më mbyti me pyetje: ”Ç’janë këta konviktorë? Nga vijnë? Fshatarë janë apo qytetarë? A vijnë prindërit t’i shohin? A kanë banjë në konvikt? Po rroba, këpucë, sapun,furçë dhëmbësh? A sillen mirë me njëri-tjetrin, a gënjejnë, a vjedhin. A thonë të vërtetën? A i ndajnë edhe tani pas fesë ,t’i shpijen në kishë? A lexojnë e ç’lexojnë? A i këndojnë këngët e vendit të tyre me qejf, a qeshin, a janë të gëzuar?
Migjenin e preokuponte shumë si përgatiteshin nxënësit në shkollë. Sa prekej kur i flisja për mungesat, sa shqetësohej për fatin e nxënësve të varfër, të dalë nga gjiri i popullit! Dhe çfarë zemërimi e kapte kur i tregoja sa të zbrazur ishin tekstet, sa punë të keqe bënin disa pedagogë prapanikë! Dhe ai
i aprovonte këto dhe vuante.Nuk ishte e rastit që disa nga këta konviktorë, që kishin zënë dorë me Migjenin, i kishin dëgjuar këshillat e tij: Emin Duraku, Hajdar Dushi, Nazmi Rrushiti, Bardhok Biba, e sa e sa të tjerë, bënë edhe jetën fli për një atdhe të lumtur shqiptar…
Serioziteti dhe dëshira për punë qenë cilësitë themelore të poetit tonë me talent të madh. Ai rallë shkonte në kafenera; dhe kur shkonte vinte në ‘’Vatra’’, pronari i së cilës qe një katolik, por klientat, në shumicë ishin punëtorë muhamedanë e ortodoksë. Nga që mbyllej në shtëpi dhe punonte, ndër intelektualët,e sidomos ndër profesorët, qe përhapur ideja sikur Migjeni ish i vetmuar dhe madje pesimist. Po s’ka mendim më të gabuar se këtë! Njerëzit që përpiqen të gjejnë udhë të reja drejt idealeve të larta nuk mund të jenë kurrë pesimistë.
Migjeni nuk ish i vetmuar, as optimist i marrë, as pesimist i mbytur në zi. Ai qe njeri i përmbajtur, zot i vehtes, i arsyes. Mendonte para se të fliste dhe fliste pak e me vënd.
Për ato pak që shkroi, Migjeni punoi shumë.Punoi që ta shkrinte personalitetin e tij burrëror në fjalën e tij të fuqishme. Në një kohë kur sundonte tirania e gjaktë, ’’Vargjet e lira’’ pushtuan dhe gëzuan zemrën e të gjithë rinisë shqiptare.
‘’Vargjet e lira’’ ma pushtuan dhe ma gëzuan zemrën edhe mua,që isha dhjetë vjet më ‘’ i vjetër’’ se Migjeni. Në Shkodër, në shoqëri të Migjenit, u rrita edhe unë me idealet e tij. Prandaj, kur në dhjetor 1935 më lajmëruan transferimin për në Tiranë, më erdhi keq që po linja Shkodrën, që e kam dashur fort, por edhe se do të ndahesha nga Migjeni.
Më parë se t’i linim shëndenë njëri-tjetrit, Migjeni dhe unë bëmë një shëtitje në fushën e Shtojt. Tani që Migjeni më ish imponuar si personalitet i fortë, si talent i fuqishëm, u bëra një nga admiruesit më të zjarrtë të poetit. Këtu për herë të parë ia shfaqa mendimin tim të fundit për vlerën e madhe të veprës së tij dhe e këshillova t’i mblidhte poezitë nga revistat e ndryshme dhe t’i botonte. Dhe Migjeni ma pranoi idenë.(2)
Unë diçka bëra që ta plotësoja zotimin që i dhashë.(3)
Ndoshta mund të kisha bërë më shumë;por rrethanat nganjëherë na pengojnë edhe në dëshirat tona më të zjarrta.Sidoqoftë, në atë kohë ‘’Vargjet e lira’’ shkuan në shtyp dhe fatbardhësisht disa ekzemplarë i shpëtuan censurës e ranë në duar të rinjsh,që i daktilografuan në qindra kopje.
Kjo përpjekje nga ana ime për të botuar ‘’Vargjet e lira’’më 1936 më jep sot një farë ngushëllimi dhe më qetëson,sado pak vetëdijen.Dhe gëzohem kur mendoj se kam qënë miku i poetit shqiptar që na nderon kombin në sy të gjithë botës

SHENIM: Skender Luarasi me vone u martua me motren e Migjenit, Olga Nikolla-Luarasin.

(1) Ky artikull është shkruar me rastin e 50-vjetorit të lindjes së Migjenit
(2)Shihni: letra e Migjenit dt. 12.1.1936 dërguar Skënder Luarasit.
(3) Historiku i botimit të ‘’Vargje të lira’’, është trajtuar gjerësisht në librin e S.Luarasit ''Migjeni në shtratin e Prokrustit'' që do të botohet së shpejti. ( Shën i red.P.L)
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Leter e Migjenit drejtuar Skënder Luarasit

Letra e Migjenit drejtuar Skënder Luarasit

Shkodër, më 12.1.1936
Zotni Luarasi,
Ma parë dëshëroj që të Ju gjejë kjo letër të kënaqun në çdo pikëpamje-mbasi e që e dij mirfilli se çdo me thanë i pakënaqun në të gjitha pikëpamjet.E dyta-Unë jam gati t'i lëshoj në shtyp kangët e mija. Tue qenë se Ju, kur ishit këtu, më premtuet se do ta merrni përsipër me folë me ndoj botonjës, si për shembull me Gutembergun, unë tashi po Ju kujtoj at gja tue Ju thanë se jam gati. Dhe Ju pata thanë se të holla nuk kam (këtë Ju përsërita që ta dinitë regulloheni në bashkëfjalim me botonjësin). Vjersha janë 35 copë. Mbas mendimit tim, po qe se asht formati i librit 20x13.-si dëshëroj unë-vjershat mund të shtypen në 90 faqe. Kjo barrë, që po Jua ngarkoj, asht e vetëdëshrueme nga ana e Juej, e unë do të Ju jem mirënjohtës dhe në rasë mossuksesi në këtë punë. Por, Ju lutem, të më lajmëroni përfundimin e bashkëfjalimit që të dij të rregullohem.
Dëgjova se keni qënë n' Austri, për çashtje… ma mirë mos ta thom, se ndoshta mund të gabohem. A kish ndryshue Vjena, o njerzët? Por besoj se ma tepër keni ndryshue Ju se Vjena.
Ju lutem për gjegje.
Të fala dhe nderime
M.Nikolla
Adresa: Millosh Nikolla
Shkolla "28 Nënduer"
Sh.
P.S: Po qe se takoheni me z.Llupin, shefin, Ju lutem t'i thoni se tash ma nuk më duhet transferimi për Pukë.
M.
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi, letra e Migjenit

Skënder Luarasi, letra e Migjenit
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi, letra e Migjenit (Vazhdim)

Skënder Luarasi, letra e Migjenit (Vazhdim)
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi dhe Olga Nikolla-Luarasi

Skënder Luarasi me bashkeshorten Olga Nikolla-Luarasi
(motra e Migjenit) dhe femijet e tyre
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi me motrat e Migjenit

Skënder Luarasi me motrat e Migjenit, foto me rastin e ceremonise
se sjelljes se eshtrave te Migjenit ne Shqiperi
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Skënder Luarasi: Leter nga Fan Noli per Migjenin

TEKSTI ESHTE ME POSHTE
Skënder Luarasi: Leter nga Fan Noli per Migjenin
 

petrol

Anëtar
Anëtar
Jan 10, 2011
Postime
101
Pikët
18
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Uollt Uitman, Fije Bari (Walt Whitman: Leaves of Grass)
Shqipëroi nga origjinali: Skënder Luarasi (Translated by: Skender Luarasi)

PER TY, DEMOKRACI - NJË KËNGË

Ej, do ta bëj kontinentin Një të pandarë;
Do bëj më të shkëlqyeshmen racë që pa dielli;
Do bëj vise hyjnore magnetike,
Me dashurin e shokëve;
Me dashurin jetëgjatë të shokëve.


Do mbjell vllazëri tok si pemët gjatë gjithë lumenjve t’Amerikës
e buzë liqeneve të mëdhenj e tejpërtej gjithë padeve.
Do t’i bëj qytetet të papërçarë, me krahët e tyre përqafe
njëri-tjetrit;
Për dashurin e shokëve,
Për dashurin burrnore të shokëve.

Këto për ty, Demokraci, prej meje! Urdhno, ma femme!
Për ty! për ty ligjëroj këto këngë
Në dashurin e shokëve
Në dashurin e lartë të shokëve.
 
Top