• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Skandali pedofili dhe masat e Vatikanit

PuffetiNa

V.I.P
Anëtar
Apr 28, 2010
Postime
14,102
Pikët
113

Vatikani: ''Toleranca zero'' për pedofilinë

Dhjetëra zbulime lidhur me abuzimet seksuale të kryera nga priftërinj katolikë. Dorëheqje peshkopësh të akuzuar se kishin "mbuluar" fajtorët. Masa të jashtëzakonshme nga ana e Vatikanit. Skandali pedofili duket një valë e pandalshme dhe Benedikti XVI kërkon falje dhe takon viktimat: opsioni i tij është "toleranca zero".

Tri herë në katër ditë. Florida, Irlandë, Belgjikë: më 20, 22 dhe 23 prill buletinit të Sallës së Shtypit i është dashur t'i referohet paragrafit "famëkeq" numër 2 të Rregullit 401 të Kodit të së Drejtës Kanonike. Tri peshkopë janë detyruar të japin dorëheqjen e tyre dhe jo për motive shëndeti apo moshe. "Peshkopi dioqezian që për pamundësi apo për shkak tjetër do të rezultonte më pak i përshtatshëm në kryerjen e detyrës së tij, ftohet gjallërisht që të japë dorëheqjen nga posti". "Shkaku i rëndë" për John C. Favalora nga Miami dhe për James Moriarty nga Kildare dhe Leighlin, ka qenë mbulimi i garantuar i priftërinjve të dioqezave të tyre të akuzuar për pedofili; Roger Joseph Vangheluwe nga Bruges në fakt ka dhënë dorëheqjen pse kanë abuzuar shumë herë me një minoren, përpara dhe pas urdhërimit episkopat. Afërsia e tri ngjarjeve godet, por nuk habit, pasi harta e skandalit që është dizenjuar në këto dekada nuk kursen asnjë vend dhe para tyre peshkopë të tjerë kishin paraqitur dorëheqjet për të njëjtat motive.

Por gjatë këtyre muajve të fundit breshëria e denoncimeve ka pësuar një përshpejtim. Sikur linja e "tolerancës zero", e ravijëzuar si strategji e Benediktit XVI megjithë disa rezistenca të brendshme në Kurinë romane dhe në peshkopata, të kishte shpërthyer ndodhi të asgjësuara, të shtypura dhe të "harruara" për jetesë të qetë, për ndjenjë faji, për një klimë heshtjeje dhe shtrëngimi psikologjik.

"Investigimin e parë e kemi bërë 25 vjet më parë, mbi një prift nga Louisiana, Gilbert Gauthe, i akuzuar se kishte ngacmuar seksualisht dhjetëra fëmijë. Sot ngjarja ka arritur nivelet e larta të strukturës ekleziaste, duke cekur Papën Benedikti XVI", tregon Thomas Fox, Drejtor i National Catholic Reporter. Emër i shquar i katolicizmit amerikan, NCR-ja i ka ndjekur në këto vite me vijueshmëri rastet e abuzimit në 360 gradë, pa u frikësuar nga kush e akuzonte se "po hidhte baltë" mbi institucionin, mbi një Kishë që sot paguan një llogari shumë të kripur për ngjarje që kanë çuar në falimentin dioqeza të ndryshme dhe në reduktimin në gjendjen laikale të priftërinjve të ndryshëm.

"Faktet publike filluan në vitet '80, në kuadrin kanadez, dhe më pas u bënë një problem irlandez, anglez dhe i gjithë Europës së Veriut. Është një sezon që zgjat prej të paktën 20 vjetësh dhe ka si pika fokale rastin amerikan, ku janë marrë vendimet më të rëndësishme me reduktimin në gjendjen laikale të të interesuarve dhe rasti irlandez", shpjegon At Lorenzo Prezzi, dehonian, Drejtor i periodikes Il Regno, që gjatë këtyre viteve e ka ndjekur më saktësi ndodhinë. Nëse në Shtetet e Bashkuara është filluar më parë dhe qysh tani mund të flitet në të ardhmen, në Itali denoncimet janë në fakt të vonshme dhe, sipas At Prezzi, në mënyrë të arsyeshme mund të supozohet se "duhet të ndodhë këtu siç ka ndodhur tjetërkund: kur disa janë ekspozuar dhe një gjë e tillë ka gjetur konsensus në opinionin publik, ka shpërthyer një lloj vale denoncimesh, që u përkasin ndodhive të vonshme, por edhe atyre shumë të largëta në kohë. Edhe tek ne pres që gjëja të mos zgjidhet me shpejtësi. Duhet pajisur me zgjedhje operative për të shmangur rënien brenda emergjencës me naivitet. Kisha italiane ndoshta i ka disa muaj kohë për të ekzekutuar një seri hipotezash dhe për të marrë përsipër modalitetet e komunikimit më efikas përsa i përket imazhit të Kishës për opinionin publik".

Të nxjerrë në dritë "gjënë" ka ndodhur dhe të kuptosh "pse-në", janë dy linjat e analizës që dioqezat lokale po tentojnë të ndjekin, duke vënë në zbatim strategji veprimi që në këto muajt e fundit tregohen me vendosmëri nga ana e Vatikanit. Vendi i parë që është prekur nga skandalet janë Shtetet e Bashkuara, nga fundi i viteve '90. Priftërinj dhe fetarë të denoncuar, peshkopë dhe superiorë kongregacionesh të akuzuar për "mbulim". Figura më e shquar, që i pranon "gabimet e vlerësimit" të tij, pezullon 8 klerikë dioqezianë për abuzim seksual ndaj minoreneve, dhe është detyruar të japë dorëheqjen, më 13 dhjetor të vitit 2002, është Kardinali Bernard Francis Laë, Arqipeshkëv i Boston (sot arqiprift i bazilikës pontifike të Santa Maria Maggiore). Në qershor të po të njëjtit vit, pas një grumbullimi të jashtëzakonshëm në Romë, të 285 peshkopët e Shteteve të Bashkuara votojnë një tekst kundër pranisë së priftërinjve pedofilë në Kishë. Sipas një hetimi komisionar nga Konferenca Episkopale Amerikane për John Jay College of Criminal Justice, nga viti 1950 deri më 2002, priftërinjtë e akuzuar për marrëdhënie seksuale me minorenë kanë qenë 4392.

Në Irlandën katolike skandali fillon në vitin 1994, me rastin e klerikut premostratens Brendan Smith, i dënuar me 4 vjet burg për dhunë ndaj fëmijëve në Irlandën e Veriut dhe më pas i arratisur në Irlandë. Në vitin 1999 një dokumentar i gazetares Mary Raftery, më pas i bërë libër, ilustron mijëra dhunimet e kryera për dekada të tëra në institutet shtetërore të dhëna në menaxhim klerikëve dhe të destinuar për jetimë dhe fëmijë familjesh në rrezik (Industrial schools) apo minorenë të dënuar për krime (Reformatory schools). Kisha e Irlandës boton në shkurt të vitit 2005 dokumentin Our children, our Church, që përcakton krijimin e një shërbimi fetar special në çdo famulli në mbrojtje të fëmijërisë, por në vitin 2009 dy raporte qeveritare, Ryan Report dhe Murphy Report, dokumentojnë abuzimet e kryera në shkollat dhe në institutet katolike irlandeze, në veçanti në Dublin, duke filluar nga vitet '30 të shekullit të kaluar. Murphy Report zbulon veç të tjerash se 6 peshkopë, pavarësisht denoncimeve të viktimave apo të familjeve të tyre, i kanë mbuluar fajtorët për më shumë se 30 vjet. Nga 6 të akuzuarit, 4 dhanë dorëheqjen dhe për momentin 3 dorëheqje janë pranuar (kanë dhënë dorëheqjen: John Magee, ish-Sekretar i Palit VI, Gjon Palit I dhe Gjon Palit II, tashmë i pezulluar nga Dioqeza e Cloyne; Donal Murray, Peshkop i Limerick dhe James Moriarty, Peshkop i Kildare and Leighlin). Kanë depozituar dorëheqjet, akoma jo të pranuara nga Papa, edhe Raymond Field e Eamonn Walsh, Peshkopë ndihmës të Dublin. Kurse nuk dorëhiqet Martin Drennan, Peshkop i Galway dhe Kilmacduagh, ndërsa Imzot Dermot O'Mahony është tashmë në pension.

Pasi u ka kërkuar qysh në vitin 2006 peshkopëve irlandezë që të përcaktojnë vërtetësinë e fakteve dhe të hedhë në lojë masa sigurie, Benedikti XVI në dhjetorin e vitit 2009 takon primatin e Irlandës, Sean Brady dhe në shkurt 24 peshkopët e vendit. Pastaj më 19 mars boton një "Letër katolikëve irlandezë" të paralajmëruar. Duhet shtuar se më 17 maj Kisha e Irlandës ka bërë të njohur raportin e dytë vjetor të Komisionit Kombëtar për Mbrojtjen e Minorenëve. Nga 1 prilli 2009 deri më 31 mars 2010, lexohet në raport, janë grumbulluar 200 denoncime të reja për abuzime, të gjitha të përcjella autoriteteve civile. Duke paraqitur raportin, Primati Sean Brady ka shpallur formimin e 2356 personave që në vitet e ardhshme do t'i kushtohen ruajtjes së fëmijërisë në famullitë e të gjithë vendit. "Në vitet që më mbesin si Arqipeshkop i Armagh", ka shtuar Brady, "do t'i kushtohem tërësisht kësaj vepre shërimi, pendimi dhe rinovimi të treguar Kishës irlandeze nga Benedikti XVI". Një lajmërim që hedh poshtë zërat e dorëheqjes së primatit për mbulime të supozuara.

"Rasti Irlandë" është domethënës jo vetëm për përmasat e tij, por edhe pse letra e Papës për katolikët irlandezë përbën një tekst kyç për menaxhimin e komunikimit të Selisë së Shenjtë lidhur me argumentin. Në tekst Benedikti XVI thekson: "Vetëm duke shqyrtuar me vëmendje elementët e shumtë që i dhanë jetë krizës së tashme është e mundur që të kryhet një diagnozë e qartë e shkaqeve të saj dhe të gjenden ilaçet efikase. Sigurisht, midis faktorëve që kontribuan mund të numërojmë: procedura të papërshtatshme për të përcaktuar aftësinë e kandidatëve për të qenë prift dhe për jetën fetare; formim njerëzor, moral, intelektual dhe shpirtëror i pamjaftueshëm në seminare dhe në periudhat e stazhit; një tendencë në shoqëri për ta favorizuar klerin dhe figura të tjera në autoritet dhe një preokupim i pavend për emrin e mirë të Kishës dhe për të shmangur skandalet, që kanë çuar si rezultat në aplikimin e munguar të dënimeve kanonike në fuqi dhe në ruajtjen e munguar të dinjitetit të çdo personi".

Fjalë që e kanë bërë dokumentin një lloj Magna Charta të destinuar për peshkopatat e të gjithë botës. Në fakt, përveç rasteve të bujshme të Shteteve të Bashkuara dhe Irlandës, Kisha të tjera janë duke vuajtur prej gjithë ndodhisë. Midis takimit të Papës me Primatin irlandez dhe botimit të letrës shpërthen në muajin janar "afera Gjermani". Është At Klaus Mertes, Rektori i Kolegjit Canisius, i ngritur nga jezuitët në Berlin, ai që denoncon fakte të ndodhur në vitet '70 dhe '80. Avokatja Ursula Raue, e ngarkuar nga jezuitët për të investiguar lidhur me faktet që i përkasin Kompanisë, flet për 160 viktima të mundshme dhe 12 autorë të supozuar, midis fetarëve dhe laikëve. Skandali prek edhe urdhra dhe dioqeza të tjera gjermane. Sipas Der Spiegel, pothuajse nja 100 priftërinj dhe laikë dyshohen për akte pedofilie të kryera nga viti 1995 e deri më sot në 27 dioqezat gjermane. Më 2 prill Imzot Robert Zollitsch, President i Konferencës Episkopale Gjermane dhe Peshkop i Fribourg, në një letër zyrtare flet për "plagë që nuk janë më të shërueshme" dhe kërkon që "autoritetet publike të pranohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe që prokurorët të kenë akses ndaj çdo elementi informativ të mundshëm".

Në këto muaj të fundit një numër në rritje katolikësh gjermanë ka kërkuar fshirjen e listave famullitare, ndërsa regjistrohet dorëheqja e Walter Mixa, Peshkop i Augusta, e hetuar pë dhunë ndaj minorenëve dhe pedofili. Skandali përfshin institucione arsimore protestante dhe laike. Qeveria gjermane ka ngarkuar tri ministre femra, përgjegjës respektivisht të dikasterit të Drejtësisë, të Familjes dhe të Arsimit, që të merren me problemin. Veç kësaj, ka emëruar mbrojtëse civile të viktimave Christine Bergmann, ish-Ministre për Familjen në qeverinë e qendrës së majtë. Në një tryezë të rrumbullakët me përfaqësuesit e shkollave dhe të kishave, të mbajtur më 23 prill, janë përcaktuar procedura ndërhyrjeje për shkollat dhe një fushatë sensibilizimi midis studentëve. Veç kësaj, ministri i Drejtësisë ka hapur diskutimin lidhur me dëmshpërblimet e viktimave.

Në Austrinë fqinje - ku regjistrohet dorëheqja e Bruno Becker, At superior i Abacisë Sankt Peter në Salzburg, i cili ka pranuar se ka abuzuar me një të ri austriak 40 vjet më parë - Kardinali Christoph Schönborn ka vendosur që të krijojë një komision të pavarur, të kryesuar nga një femër, Waltraud Klasnic, dhe pa priftërinj brenda tij, për të hedhur dritë lidhur me rastet e denoncuara.

Në një letër të hapur të përhapur më 22 prill kërkojnë falje për abuzimet e kryera nga të konsakruar dhe nga laikë që kanë përgjegjësi në Kishë peshkopët e Konferencës Episkopale të Anglisë dhe të Uellsit. Të njëjtat tone në notën e klerikëve zviceranë, të përhapur më 30 mars. Në Belgjikë, përveç rastit të Peshkopit të Bruges, sipas asaj që është denoncuar nga Primati André-Joseph Léonard, Arqipeshkëv i Brukselit, do të ishin nja 20 rastet që përfshijnë ekleziastë në shqyrtim të një komisioni special të krijuar nga Konferenca Episkopale Belge. Kurse në Norvegji i takon ish-Peshkopit të Trondheim, Georg Mueller, që të përfundojë në faqet e para të gazetave: 20 vjet më parë, kur ishte famullitar, abuzoi me një fëmijë të korit. Më pas, i bërë Peshkop, e rrëfeu krimin në vitin 2009, pasi lajmi kishte dalë në sipërfaqe dhe krimi kishte rënë në parashkrim. Selia e Shenjtë e pezulloi, por pa i dhënë as publicitet gjësë, as duke e denoncuar, sipas dëshirës së viktimës. Njoftime për abuzime dhe kërkesa faljeje vijnë nga Meksika, nga Afrika e Jugut, nga Australia dhe nga CEDOI, Konferenca Episkopale që përmbledh ishujt e Oqeanit Indian.

Fortësia e akuzave që kanë prekur Kishën katolike ka bërë që të lëkundet kredibiliteti i niveleve drejtuese. Disa raste, të përcjella nga shtypi, kanë lënë pa fjalë për mënyrën sesi janë menaxhuar nga peshkopët lokalë apo nga Roma, me fajtorin të pa larguar dhe të pa vënë në gjendje për të mos dëmtuar pas denoncimesh të përsëritura. Për shembull, është rasti i At Lawrence Murphy në një shkollë për ata që nuk dëgjojnë në Wisconsin apo i At Stephen Kiesle në Dioqezën e Oakland. Benedikti XVI është kontestuar për episodet e ndodhura, ndërsa ishte Arqipeshkëv i Mynihut, pastaj si kreu i Kongregacionit për Doktrinën e Fesë, organizëm që qysh nga viti 2001, mbi bazën e motos Sacramentorum sanctitatis tutela, ka kompetencën ekskluzive lidhur me rastet e pedofilisë, të hequra kështu nga juridiksioni i dioqezave. Selia e Shenjtë u është përgjigjur saktësisht akuzave dhe më 12 prill ka botuar në uebfaqen e saj një lloj vademecum që sqaron lidhur me procedurën e ndjekur nga Roma kur duhet të përballohen raste abuzimesh seksuale.

Nëqoftëse Papa ka demonstruar se gjithsesi e ka të qartë objektivin "tolerancë zero - asistencë për viktimat", në episkopata dhe në Vatikan janë ndeshur, edhe në mënyrë të ashpër, linja të ndryshme. Disa ngjarje kanë qenë sqaruese: shkishërimi zyrtar i Kardinalit Darío Castrillón Hoyos, që në një intervistë për CNN-in kish konfirmuar mundësinë e një letre miratimi të tij, të dërguar në vitin 2001, kur ishte në krye të Kongregacionit për Klerin, tek Peshkopi Pierre Pican i Bayeux-Lisieux, pasi kishte refuzuar të denonconte një prift të dioqezës. Rene Bissey, i dënuar me 18 vjet burg pse ka përdhunuar një fëmijë dhe ka abuzuar me 10 të rinj të tjerë. Episodi tjetër ka qenë sulmi i rëndë i Arqipeshkëvit të Vjenës, Kardinalit Schönborn, ndaj Dekanit të Kolegjit Kardinalor, ish-Sekretarit të Shtetit vatikanas, Angelo Sodano, i akuzuar se kishte ofenduar viktimat e abuzimeve seksuale, duke e quajtur ndodhinë "një muhabet në erë" dhe se kishte manipuluar në kohën e tij hetimin ndaj akteve të pedofilisë të kryera nga Arqipeshkëvi i kryeqytetit austriak, Hans Hermann Groer.

Kjo qartësi me të cilën është shprehur Schönborn, nxënës i Ratzinger, në njëfarë mënyre ka risistemuar debatin lidhur me rolin e shtypit: nëqoftëse në një moment të parë duket se kishin të drejtë qytetarie edhe idhtarët e hipotezës së "komplotit mediatik" në dëm të Kishës, sot kësaj linje i është mbyllur goja nga pozicionimet me sens unik: për të përmendur një të vetëm, atë të sekretarit të Konferencës Episkopale Italiane, Imzot Mariano Crociata, i cili në mbledhjen e organizimit ka deklaruar: "Çdo përgjithësim është i padrejtë: si në besimin se pas çdo prifti fshihet një pedofil potencial, ashtu dhe në të kundërtën, që akuzar e pedofilisë janë vetëm fryt i një komploti të arkitektura kundër Kishës (...), vetëm një sajesë mediatike".

Thomas Fox, Drejtor i National Catholic Reporter, në një editorial të kohëve të fundit tenton që t'i përgjigjet pyetjes që shumë janë duke e ngritur: "Kur do të përfundojë e gjitha kjo?". Përpara se të përfundojë, shkruan Fox, duhet që të bëhet një bilanc i hapur dhe transparent. "Por kjo kërkon veprime të paprecedent në Kishën katolike, pasi nëqoftëse përtej 'gjësë' nuk kuptohet 'pse-ja', çfarëdo reforme do të jetë afatshkurtër. Një shqyrtim i strukturave të Kishës, i llojit të qeverisjes dhe me të njëjtin hap i mësimit dhe i qëndrimit ndaj seksualitetit janë të gjitha tema për t'u hetuar. Rezistimi, siç do të donin disa, vetëm do ta zgjaste agoninë".

Zëdhënësi vatikanas: rregull dhe rinovim

Prej muajsh është në vijën e parë. At Federico Lombardi e ka filluar detyrën e tij si Drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë në vitin 2006, duke saktësuar menjëherë se nuk është "zëdhënësi i Papës", siç kishte qenë Joaquin Navarro Valls me Gjon Palin II. Jezuiti synonte që kishte një profil më të manovrueshëm, një rol më shumë si administrator i informacionit vatikanas sesa si protagonist i skenës mediatike botërore. Kriza e pedofilisë i ka hedhur në erë planet e tij. Me hir apo me pahir, Lombardi është gjetur i katapultuar në një prej furtunave më të mëdha që ka prekur ndonjëherë Kishën katolike botërore. Si protagonist. U është përgjigjur pyetjeve të rrjeteve ndërkombëtare; u është kundërvënë kontestimeve ndaj rolit të tashëm dhe të kaluar të luajtur nga Papa Ratzinger; ka shpjeguar, saktësuar, sqaruar. Gjithmonë në vetën e parë, shpesh i vetëm, duke u zemëruar rrallë dhe duke u bërë gjithnjë e më shumë fytyra dhe zëri i Pontifikatit. Në kontakt gjithnjë e më të ngushtë me Benediktin XVI dhe me skuadrën e Kurisë që menaxhon ditë për ditë emergjencën, At Lombardi është bërë divulguesi unik dhe i autorizuar i "tolerancës zero" që Ati i Shenjtë ka dashur të ekspozojë ndaj priftërinjve pedofilë. Në këtë intervistë, jezuiti nuk i zbulon modifikimet normative që Selia e Shenjtë po përpunon prej muajsh lidhur me sanksionet ndaj abuzimet seksuale të minorenëve nga ana e priftërinjve, por bën përmbledhjen e situatës së krizës që e ka dëmtuar më shumë kredibilitetin e Kishës dhe, paradoksalisht, ndoshta i ka dhënë formë, më shumë se çdo episod tjetër i së kaluarës, pontifikatit të Joseph Ratzinger.

- Kisha është nën sulm? Gjatë të gjithë periudhës në të cilën ka shpërthyer skandali pedofili, masmediat kanë ushqyer paragjykimin apo ndihmuar pastrimin?

Komunikimi në botën e sotme është i larmishëm, ka aspekte pozitive e negative, paraqet rreziqe dhe potencialitete të mëdha. Duhet të dish të dallosh në një panoramë që është shumë e larmishme dhe që shpreh pikëpamje, pozicione, interesa shumë të ndryshme midis tyre. Sigurisht, fakti që mediat janë globalizuar ka çuar në një jehonë shumë të madhe të temës së pedofilisë, e cila në realitet paraqet diferenca nga vendi në vend, përgjegjësi të ndryshme dhe kohë të ndryshme në të cilat është manifestuar. Rreziku ka qenë që të krijohej një klimë në të cilën bëhej më e vështirë të përballoheshin me saktësi situatat e ndryshme. Kjo nuk e përjashton faktin që Kisha e ka përjetuar këtë presion - të shprehur nganjëherë me vlerësime jo objektive apo sipërfaqësore - si stimul ndaj konvertimit. Kisha, siç e ka thënë edhe Papa, sidomos në këto javët e fundit, ka kaluar një përvojë të fortë vuajtjeje dhe një stimul të fortë për të kuptuar urgjencën e pastrimit dhe të impenjimit për të shmangur me të gjitha mënyrat që këto gabime të përsëriten.

- Ju keni thënë: "Bëhet fjalë për të rizbuluar dhe riafirmuar sensin dhe rëndësinë e seksualitetit, të virgjërisë dhe të marrëdhënieve afektive në botën e sotme". "Revolucioni seksual" nuk duhet të jetë objekt demonizimi, por kuptimi?

Mendoj se duhet futur problematika e Kishës në atë më të gjerë të shoqërisë. Është përqendruar shumë mbi abuzimet seksuale të minorenëve nga ana e priftërinjve. Le ta zgjerojmë shikimin. Të mos shikojmë vetëm tek priftërinjtë, por në seriozitetin e abuzimeve të minorenëve në përgjithësi. Veç kësaj, nuk janë vetëm abuzimet e minorenëve. Një abuzim ndaj një vajze 17-vjeçare është shumë i rëndë dhe kur ajo është 18 nuk është më i rëndë? Mund të bëhet një alibi për Kishën të thuash se pedofilia nuk është vetëm e Kishës, por mund të bëhet një alibi për të tjerët kapja vetëm me priftërinjtë. Duhet kuptuar se në shoqërinë aktuale raportet seksuale sfidohen nga mënyra me të cilën komunikimet sociale e paraqesin seksualitetin, nga një vizion lirie dhe subjektivizmi që nuk e njeh rëndësinë e rregullave e të normave në këtë fushë. Le ta bëjmë pyetjen sesi Urdhërimi i Gjashtë dhe morali seksual konfrontohen me këtë situatë. Ajo e pedofilisë tek Kisha është një pikë specifike, ndoshta më e rënda, por i përket rendit dhe kaosit të raporteve seksuale. Nuk bëhet fjalë vetëm për t'u thënë priftërinjve "nuk duhet të abuzoni me më të vegjël se 18 vjeç", por për t'i ndihmuar që ta jetojnë seksualitetin e tyre në mënyrë të matur, të qetë dhe moralisht të përgjegjëshme në shumë dimensione, nga përdorimi i instrumenteve të komunikimit tek mënyra me të cilin hyjnë në raport me të tjerët, edhe të rritur, burra e gra.

- "Civiltà cattolica" shkruan se mund të tërhiqet në mënyrë iluuzive nga bota e seminarit kush ka një seksualitet të papjekur dhe të sëmurë. Ka, për shembull disa peshkopë të botës gjermanishtfolëse, që kanë arritur të vënë në dyshim detyrimin e beqarisë. Si të përballohet problemi i formimit të priftërinjve?

Më duhet të them se kur shikoj përreth nuk shikoj, midis njerëzve që takoj jashtë nga seminari, të gjithë njerëz seksualisht të pjekur! Nuk e mohoj që ekzistojnë probleme specifike në një mënyrë kryesisht mashkullore të rinjsh që jetojnë sëbashku. Dhe të duash t'i thellosh dhe përballosh siç duhet është shumë e drejtë. Por nuk është se të gjitha problemet janë vetëm në seminar. Gjithsesi, problemet mund të përballohen siç duhet pa e hequr beqarinë.

- Pse në të kaluarën nuk ekzistonte ndjeshmëria e duhur lidhur me problemin e pedofilisë? Pse Papa Wojtyla dhe enturazhi i tij nuk qenë në gjendje që ta përballojnë, siç e demonstrojnë për shembull rastet e Atit Maciel dhe i Kardinalit Growr?

Unë mendoj se nuk duhet shikuar vetëm nga Kisha apo nga Selia e Shenjtë. Në shoqëri në përgjithësi ai i pedofilisë nuk ishte një argument për të cilin të flitej në mënyrë kaq eksplicite, të shpeshte dhe të qartë. Nuk është problem i Ëojtyla apo i Kurisë. Gjon Pali II ishte futur në një botë në të cilën nuk flitej, nuk ishin kaq të vetëdijshëm, nuk paraqiteshin denoncimet kaq shpesh. Disa prej rasteve të përcjella në këto javë të fundit në Shtetet e Bashkuara qenë denoncuar në polici, e cila nuk kishte bërë asgjë... Nuk ka qenë vetëm Kisha që e ka përballuar çështjen në mënyrë jo të përshtatshme. Kultura e përmbajtjes lidhur me këto tema në Kishë mund të ketë aspekte specifike, por problemi ka qenë i kulturës së përgjithshme.

- Atëhere pse, sipas jush, sot është tendenca për t'u përqendruar kaq shumë mbi Kishën?

Kisha ka një aspekt specifik të sajin pasi, duke i paraqitur si një autoritet moral me një mësim lidhur me seksualitetin veçanërisht rigoroz në shoqërinë aktuale, kontradiktat e mungesave apo e krimeve në këtë fushë bie në sy më shumë. Më duket e pamohueshme. Për këtë arsye, Kisha nuk tenton që t'i rihedhë problemet tek të tjerët. Problemet që tek ty bëhen më të rëndë dhe më shumë moralisht të kritikueshëm nuk janë vetëm tuat. Në këtë kuptim, shpresoj që përvojës dhe e impenjimit të veçantë që Kisha duhet të bëjë për të përballuar dhe ndrequr gabimet e saj mund të jenë të dobishëm edhe për të tjerët.

- I konsideroni të tejkaluara kritikat e drejtuara ndaj Ratzinger si Arqipeshkëv dhe Kardinal Prefekt i Kongregacionit për Doktrinën e Fesë? Rasti Hullerman, rasti Murphy, një normativë, ajo e vitit 2002, që nuk e pengon denoncimin ndaj autoriteteve publike, por as nuk e parashkruan...

Mua më duket se një vlerësim objektiv dhe një njohje efektive e rolit tënd tregon se Papa ka treguar një linjë rreptësie morale dhe rinovimi. Më duket absolutisht e qartë se ai është dëshmitar i rrugës së drejtë të institucionit të Kishës për ta përballuar problemin. Edhe si Prefekt, ai ka bërë një rrugë të tij vetëdijeje dhe kuptimi në rritje të problemit, pse jo dhe të urgjencës dhe të mënyrave të nevojshme për ta përballuar. Nuk dua të them se në të kaluarën ka qenë sjellja apo zgjidhja më e përsosur në të gjitha rastet e veçanta. Jemi në këtë tokë. Por më duket se asnjë prej argumenteve të ngritura kundër tij është manifestuar minimalisht i tillë sa ta vërë në pikëpyetje vlerësimin e funksionit pozitiv të tij në Kishë.

- Paradoksalisht dhe me gjithë dhimbjen që ka sjellë, a mund të pohohet se asnjë episod si kriza e pedofilisë i ka dhënë formë qeverisjes Ratzinger? Se, midis dorëheqjes së peshkopëve, takimeve me viktimat dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në lëmin që formojnë pothuajse një mësim në vetvete, ka dalë jashtë me qartësi më të madhe se në kaluarën profili i pontifikatit të tij?

Unë ftoj që të kihet një shikim shumë më i gjerë në kohë. Janë 2 apo 3 muaj që gazetat kanë vështirësi të shikojnë gjë tjetër veç çështjes së pedofilisë, por besoj se ky pontifikat ka aspekte vazhdueshmërie dhe koherence mësimi në aspekte të ndryshme. Sigurisht, problematika e pedofilisë, sidomos në raport me opinionin publik dhe me aftësinë e Kishës për t'iu referuar mentalitetit të shoqërisë përreth është një fazë e rëndësishme e pontifikatit dhe përkufizimi personal i Papës, me vijueshmëri dhe koherencë, ka dhënë një kontribut përcaktues. Sigurisht, kjo ndodhi përbën një linjë të pontifikatit të tij të identifikueshëm si një pikë kritike e rëndësishme.

- A parashikohen takime të tjera të Papës me viktimat? Si i vlerësoni iniciativat lidhur me këtë pikë në nivelin e kishave lokale?

Siç është e njohur, insiativa të kësaj natyre nuk shpallen apo zbulohen përpara asnjëherë. Gjithsesi, nuk më konsiston asnjë projekt i veçantë që ka të bëjë me Papën. Benedikti XVI ka dhënë shembullin e tij dhe besoj se kjo është domethënëse edhe për peshkopët për të cilët paraqitet problemi.

- Pas krizës pedofilike, si e shikoni Kishën dhe Vatikanin e nesërm?

Kriza nuk është tejkaluar. Mendoj për të gjithë njerëzit që po u drejtohen qendrave të dëgjimit që janë hapur apo që kanë intensifikuar aktivitetin e tyre. Janë ndodhi për t'u përballuar me procese shumë të gjata shëndoshjeje dhe dialogu. Uroj që si fryt pozitiv i kësaj krize të bëhet realitet ftesa e Papës ndaj konvertimit, ndaj pendesës, ndaj rinovimit dhe ndaj impenjimit me qëllim që këto gjëra të mos ndodhin më. Uroj edhe që përtej specifikës të abuzimit ndaj minoreneve të jetë edhe një rast dhe një stimul për të thelluar çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve në shoqëri, pse jo maturinë dhe koherencën e sjelljeve seksuale nga ana e priftërinjve dhe e të gjithë njerëzve.
 
Top