• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Të gjitha për Elizën! Arkitekte dhe këngëtare?

Forum-Al

Aty ku shqiptarët mblidhen
Anëtar
Jan 5, 2010
Postime
562
Pikët
28
Vendndodhja
Forum
Shumica që e kanë parë në ekran e kanë ndarë mendjen që Eliza Hoxha është vetëm këngëtare. Por, jo! Eliza është dhe një arkitekte shumë e mirë e aktualisht profesioni i saj primar është dizajnimi dhe planifikimi urban.


Përtej pamjes së ëmbël të vajzës kosovare qëndron një personalitet i fortë që gjithçka e në jetë e ka arritur në saj të punës. Ndërsa Hoxha na rrëfen për veten, mësojmë se në vitet paraluftës në Kosovë kur vajza ishte vetëm studente ka punuar si fotoreportere në një gazetë javore politike të quajtur “Zëri”.

Me mbarimin e studimeve në degën e Arkitekturës, jeta i hapi në një tjetër faqe. Aty filloi të nxirrte nga sirtari ëndrrën e fëmijërisë për t’u bërë këngëtare dhe ia ka dalë më së miri.

Thonë që nuk bëhen të gjitha gjërat njëherësh, por ja që Eliza ia ka dalë, duke u kualifikuar gjithandej me talentin e saj, qoftë në muzikë, në arkitekturë, por edhe në fotografi, kur jo të pakta kanë qenë ekspozitat e hapura me fotot të saj.

Ajo vjen gjithmonë e kuruar mirë në stil, por edhe në materiale, duke mbartur me vete cilësi dhe elegancë. Në një intervistë për Sh2-in, Hoxha rrëfen fillimet dhe se si ka shkuar jeta për të, e deri në kohët e sotme, ku një ditë e saj ka vetëm kalori, melodi dhe ritëm.

Eliza, çfarë melodie dhe çfarë ngjyrash kanë ditët e tua?
Ditët e mia janë plot kolorite dhe melodi ritmike – dinamike…

Ju jeni arkitekte, këngëtare, fotoreportere, madje shkruan edhe në gazetë… Cili është profesioni i Elizës?Gjithçka në kohën e vet. Unë po punoja si fotoreportere në vitet e paraluftës në javorën politike, “Zëri”, atëherë kur po studioja njëkohësisht për arkitekturë dhe kur ishte e pamundur të bëja diçka në fushën e muzikës për shkak të rrethanave politike. Paslufta i rrokullisi në një tjetër dimension ambiciet dhe përkushtimet e mia. Në konditat e reja ishte muzika ajo që më kishte mbetur peng prej kohësh dhe e kisha patjetër t’i jepja prioritet. Në profesionin e arkitekturës vazhdoj ta avancoj veten profesionalisht edhe më tej, përderisa fotografia tani është më tepër pasion që e quaj vetëm për veten time dhe e ndaj me të tjerët në rast ekspozitash apo prezantimesh tjera artistike.

Cila nga këto fusha të bën të ndihesh më mirë dhe përse?
Të gjitha më japin diçka të bukur, sepse në të gjitha nga këto unë po ashtu kam dhënë vetën time, mendësinë, emocionin dhe përkushtimin tim. Ajo që më gëzon më shumë është se unë kam arritur të ndërtoj profilin e Elizës në të tria këto.

Na tregoni pak, kur kanë filluar të marrin jetë këto pasione dhe më pas profesionet e tua?
Kënga nisi kur isha 6 vjeçe, në kohën kur babai im (kompozitor) po bënte këngët për mua, dhe tutje kur u rrita dhe kisha dëshirë ta zhvilloja veten në muzikë, jeta institucionale – publike e shqiptarëve në Kosovë u shpërbë për shkak të rrethanave politike, gjë që ndikoi në përcaktimet e mia në studime, por edhe i pamundësoi prezantimet e mia në muzikë. Në këto rrethana, nisi të vijë në shprehje fotografia, e cila për mua ishte dhe vazhdon të jetë pasion, por që atë kohë kisha nevojën e theksuar të kontribuoj në një formë apo tjetër për vendim tim, dhe regjistrimi i shumë ngjarjeve dhe momenteve të asaj kohe më bën të ndjehem krenare për shënimin e një memorie kolektive për Kosovën e trishtuar nga presionet politike dhe lufta së fundi. Kjo fazë dhe kjo punë më ndikoi shumë në formësimet e mia si person, duke parë një realitet tjetër nga afër në gjithë Kosovën që shumë moshatarë të mi e shihnin vetëm përmes mediumeve dhe nuk e perceptonin dot direkt, sidomos në zonat urbane. Konditat e reja të pasluftës sollën në pah hapësirën e munguar të shprehjes artistike të shqiptarëve të Kosovës, prandaj dhe ishte një bujë e madhe e projekteve të muzikës moderne. Unë, më në fund, po përmbushja ëndrrën time në muzikë dhe po e formësoja veten tutje në një profesion tjetër, i cili ka melodinë, harmoninë dhe shpirtin e vet e që përcjell dhe ndikon jetën e njeriut çdoherë. Kjo, edhe është arsyeja pse muzikën dhe arkitekturën nuk i ndaj dot, sepse të dyja kanë ndërlidhje njëra më tjetrën, në formë, strukturë, shtrirje, ngjyrim, lojë e çka jo tjetër. E para përmbush njeriun shpirtërisht dhe e dyta ndikon në mirëqenien e tij. Por, që të dyja të kenë efektin pozitiv tek njeriu duhet të formësohen, promovohen dhe kurohen me shumë pasion, shije, përmbajtje konform konditave aktuale dhe kërkesës së njeriut modern.

Ke thënë ndonjëherë që; nga kjo gjë do heq dorë, nuk duroj dot më?
(qesh) Shumë herë, por, e rëndësishme është që këto momente kalojnë shpejt dhe unë nuk dorëzohem asnjëherë, pavarësisht faktit që ne sigurisht gjatë rrugëtimit tonë jetësor do filtrojmë ca nga ambiciet tona, do ndërrohen prioritetet si profesionale, financiare dhe të tjera…

Në këngën fituese të kënduar së bashku me Roselën të “Kënga Magjike”, mesazhi i saj ishte shumë i fortë. Keni dhe ju vetë në jetën e përditshme atë mesazh?
Unë besoj pikërisht në këtë mendësi, prandaj dhe e kam menduar që ta ndaj me Roselën dhe më të tjerët këtë porosi.

Çfarë bën ti Eliza për të qenë një femër e pavarur, e lirë…?
Punoj dhe kontribuoj për vendin dhe shoqërinë, të cilës i përkas aq sa për të qenë e pavarur dhe njëkohësisht e përmbushur emocionalisht, profesionalisht dhe moralisht.

Të qenit në këtë pozicion që je, është çështje fati apo edhe se Eliza ka punuar?
Nuk është çështje fati, sepse nuk jam unë një 20 vjeçe me një bagazh të fryrë medial, por kam vite që punoj dhe është pikërisht përkushtimi dhe puna që më kanë sjellë këtu ku jam sot.

Ju jeni një arkitekte në profesion, jetoni në Kosovë dhe keni vizituar shpeshherë Tiranën. Çfarë i dallon këto të dyja?
I dallon dhe i bashkon shumëçka. Tirana ka një shtrirje tjetër morfologjike dhe një tipologji tjetër që shënon kohët dhe ideologjitë e saj, por dinamika, diversiteti, rrëmuja i bën këto dy qytete të kenë disa pika kohezive.

Me syrin e një arkitekteje, çfarë qyteti është Tirana?
E kam zor të flas, ngaqë unë kam parë në Tiranë vetëm pjesë fine në shumicën e rasteve kur kam qenë dhe hapësirat qendrore të qytetit që janë të kuruara me mjaftë përkushtim. Por, nëse do duhet një emërtim i shkurtër, atëherë do ta përcaktoja Tiranën si qytet dinamik dhe qytet të mundësive për njerëzit në Shqipëri, qofshin ato ekonomike, kulturore, arsimore, etj.

Po të kishe diçka në dorë çfarë, do t’i ndryshoje këtij qyteti?
Nuk ndryshohet dhe nuk ndikohet qyteti vetëm nga një njeri, prandaj dhe unë nuk do jap përgjigje direkte në këtë pyetje, ngaqë qytetin e bëjnë vetë njerëzit dhe janë po të njëjtit ata që e shkatërrojnë. Në cilindo rast konsekuencat çfarëdo qofshin ato i bartin ata vetë. Nëse dikur qyteti zhvillohej nga fondet publike dhe politikat e centralizuara shtetërore, sot qeveria në mungesë fondesh nuk e ka më rolin e ofruesit, por menaxhuesit të proceseve, shërbimeve dhe zhvillimeve. Në këto kondita, arkitekti, planimetruesi apo dizajneri urban është mediator i këtyre proceseve, varësisht nga rasti dhe konteksti…

Cilat janë objektet për të cilat ju projektoni dhe përse janë këto?
Unë punoj në fushën e dizajnit dhe planifikimit urban dhe projektet e tilla nuk lidhen me një objekt të vetëm, por me vizionet dhe idetë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e ndonjë zone të caktuar, apo qyteti.

Jeni vazhdimisht e zënë me punë? Kur i ka Eliza ditët e argëtimit dhe çfarë bën për tu argëtuar?
Argëtimin, varet se ku e gjen njeriu, ngaqë me moshë ndërrohen dhe mënyrat e perceptimit dhe përmbushjeve emocionale. Unë shpesh pjesë të argëtimin e kam punën time, siç është muzika apo edhe në anën tjetër kolumnet që unë shkruaj për kulturën urbane në gazetat ditore si “Express”, apo “Koha ditore”. Kam vendet e mia të preferuara në Prishtinë, ku takohem me rrethin e njerëzve që kanë rëndësi në jetën time, qoftë në relacion miqësie, profesionale, etj.

Si fillon një ditë e juaja dhe zakonisht si përfundon ajo?
Varet nga dita dhe angazhimet e mia. Në ditët kur kam mësim në Fakultet jam më e sistemuar, përderisa ditët e tjera i menaxhoj varësisht nga obligimet dhe projektet që jam e angazhuar. Në fakt, jeta ime është shumë dinamike dhe shpeshherë e shpërbërë në disa fronte, duke sjellë Elizën me tipare dhe karakter tjetër në secilën nga këto.

Së fundmi, ka dalë në treg klipi juaj së bashku më Pirron dhe Roselën. Si ju ka lindur ideja e një bashkëpunimi të tillë?
Ishte Pirro Cako që na ftoi ta shoqërojmë në këngën e tij të prezantuar te festivali i TVSH dhe unë i jam shumë mirënjohëse për këtë. Rezultoi që versioni në trio të dali shumë lezetshëm dhe të pëlqehet, prandaj dhe ideja e Pirros tutje që ta vizuelizojmë këngën ishte e parezistueshme nga ne.

Dimë pak për jetën private të Elizës, është dikush pranë teje, një djalë, i dashur?
Kështu dhe ishte dashur të jetë, përderisa asgjë nuk është ende publike, le të mbetet private.

Çfarë duhet të ketë një djalë që të jetë pranë teje?
Të ketë personalitet të theksuar, të dijë çfarë do nga vetja dhe nga unë, dhe të më vlerësojë për atë çfarë jam./shekulli/



Forum-Al.com
Aty ku shqiptarët mblidhen!
 
Top