• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse ju shfaqet ky mesazh do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar ju arrini të shihni pjesën me të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. Ju lutem : REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Vini dhe Ola: ?Pas vajzës mund të mendojmë të martohemi?

Forum-Al

Aty ku shqiptarët mblidhen
Anëtar
Jan 5, 2010
Postime
560
Pikët
28
Vendndodhja
Forum
Ervin, si ka qenë të drejtosh me gruan një program televiziv?


Eshtë një komoditet që jo çdo kush e ka. Më mirë se sa njeh partneren tënde, më mirë se sa ti bën humor me të, sillesh, komplimenton, qoftë edhe debaton, nuk besoj se mund t’i bësh me një partner tjetër.

Ola, në familjen tuaj i përgatisni surpriza të tilla njëri-tjetrit?

Kemi pasur surpriza. Unë kam qenë shtatzënë kur Vini xhironte një film në Përmet me Gjergj Xhuvanin. Më thotë në telefon se do vinte të nesërmen e asaj dite që po flisnim, ndërkohë që erdhi po atë natë. Unë isha shtatë muajshe shtatzënë, kur bie zilja e derës në ora 12 e natës. Po dridhesha nga paniku, se ç’ishte kjo zile. Kur dëgjoj një zë tek dera: “hape derën, jam unë babaluku!”. Ishte surprizë shumë e bukur, por që më vinte ta rrihja atë moment sepse më prishi gjakun. (qesh)

Ju keni bërë shumë kamera të fshehta personazheve të njohur. A ka një mësim moral për vetë viktimat?

Ervini: Nuk mendoj se ka mësim moral, sepse në fund të fundit kamerat e fshehta kanë një qëllim. Në ndryshim nga kamerat e shkurtra gazmore që bëhen me popullin e thjeshtë, kamerat e fshehta i vënë personazhet vip në një situatë ku asnjë nga njerëzit e thjeshtë nuk i ka parë këto personazhe. Reagimet e tyre të brendshme njerëzit nuk i njohin dhe këto reagime janë shumë normale. Çdo njeri kur sheh një personazh vip që e ka parë në skenë, dhe pastaj e sheh në një situatë të tillë, mendon: “Ky qenka si unë”. Domethënë me pak fjalë në kamerat e fshehta personazhet ulen dhe bëhen njësh me popullin. Ky është qëllimi, për të parë anën njerëzore.

Ola: Ndërsa unë do të thoja se disa nga kamerat, vërtet i kanë bërë personazhet Vip, të mësojnë prej tyre. Sepse kanë parë veten dhe kanë thënë: “Sa inat që unë reagoj kështu! E mira është që të mos reagoj kaq në ekstrem!”.

Ju vetë si reagoni pas situatave ekstreme?

Ola: Unë jam natyrë shumë impulsive. Mund të them se kam ndryshuar pak gjatë shtatzanisë dhe pas saj. Gjatë kësaj kohe më duhej të kontrolloja veten se kisha frikë mos dëmtoja fëmijën. Them se kjo gjë më ka bërë mirë, sepse kam ndryshuar disi. Megjithatë unë jam një natyrë që nuk dal dot kollaj nga vetja ime, prap shpërthej shumë kollaj.

Ervini: Edhe unë reagoj fort, por kam një gjë; e përtyp situatën dhe mendoj se çfarë mund të ndodhë pas reagimit tim. I bëj një analizë të shpejtë situatës dhe kjo më bën pak më të qetë, më të kontrollueshëm. Megjithatë, edhe unë në momentet që më vihet një mur përpara, nuk shoh më dhe aty shpërthej. Aty ku nuk ka rrugëdalje, aty shpërthen njeriu.

Ervin, si ka nisur historia juaj e dashurisë?

Historia jonë ka lindur kur Ola u kthye nga Anglia dhe u fut në spektaklin Portokalli. Aty u bë partnerja ime në çiftin Vini- Silva dhe ne punonim gjithë kohës bashkë. Po aty dolën fjalë, që nisën të na vinin edhe ne në vesh, sikur ishim të lidhur, kur realisht nuk kishim deklaruar asgjë. Në fakt diçka kishte lindur, por njerëzit nuk e dinin. Atë gjë ne ia mbanim të fshehtë edhe njëri-tjetrit, aq sa thonim me vete sa mirë na lexojnë njerëzit ne.

Ola: Duke qenë prej vitesh shokë, është shumë e vështirë ta thyesh atë që ekziston si miq, sepse nuk e di si do të shkojë lidhja. Ke frikë ta hedhësh hapin sepse kjo të prish punë edhe në marrëdhëniet me të tjerët.

Ervini: Unë e njihja Olën dhe ajo mua. Ne e njihnim shumë pastër njëri- tjetrin. Nuk kishim çfarë të fshihnim. Një ditë me shaka i thamë njëri-tjetrit: të gjithë na dinë të lidhur, po pse nuk lidhemi ne? Ky ishte çelësi: A do të hidhesh ti, apo të hidhem unë? (qesh)

Dhe cili u hodh u pari?

Ervini: Të dy u hodhëm buzë më buzë. Aty në ashensor dhe nuk u ndamë më….

Ervin, si ishte jeta juaj përpara se të lidheshit me Olën?

Jeta e një beqari pa kokëçarje, me llokoqitjet e veta në fushën e artit. Do e përkufizoja një varkë pa vela që nuk kishte gjetur akoma breg.

Ola, po jeta juaj para se të njiheshit me Ervinin?

Ka qenë shumë e gëzueshme, shumë e lumtur, por me lidhjen me Vinin, unë i kam dhënë shumë ngjyra jetës sime, duke filluar nga ato më të shkëlqyerat dhe deri tek ato pak më të errëtat. Kështu që tani është bërë shumë e bukur.

Ola si erdhi propozimi për martesë?

Nuk ka ardhur akoma, por është rrugës besoj, nuk ka ku të shkojë….(qesh)

Ervini: Propozimi për martesë ka për të qenë tamam propozim për martesë. Kemi katër vjet që bashkëjetojmë dhe kemi edhe një vajzë të vogël. Por propozimi do të vijë në plotkuptimin e fjalës “propozim martese”.

Ola si ka ndryshuar jeta juaj pas lindjes së vajzës?

Ka ndryshuar se tani përveçse mendojmë që gjërat t’i bëjmë për njëri tjetrin, mendojmë t’i bëjmë edhe për vajzën. Nëse kemi një ofertë për punë, pavarësisht se sa të nevojshme e kemi që të punojmë, pavarësisht se dëshirën e kemi që të punojmë, e mendojmë pak më shumë, sepse, kur të rritet ajo, nuk duam që të thotë: “po pse e ke bërë ti këtë, mua nuk më pëlqen?” Qenka shumë e çuditshme ndjesia e prindit. Gjërat nuk bëhen më për veten tënde. Kjo gjë qenka instiktive, jo e imponuar, jo e mësuar.

Ervin, cili është ai që vendos për gjërat më të rëndësishme?

Kemi një bashkëpunim shumë të mirë për të vendosur për gjërat më të rëndësishme në jetë. Nuk mund ta specifikoj nëse jam unë, apo Ola, që vendos për gjërat më të rëndësishme në jetë. Sepse i mendojmë, i analizojmë dhe dalim të dy në të njëjtën ide.

Ola, cili është vesi më i keq i Ervinit?

Unë acarohem se heq çorapet mbrapsht, ose përton të heqë pjatën nga tavolina, janë gjëra të vogla….

Ervin, po vesi më i keq i Olës?

Vesi më i keq i Olës është se në momenti debati, ka një 30 sekondësh që bëhet e pakontrollueshme, por pas 30 sekondash zbutet dhe bëhet komplet tjetër njeri. Megjithatë unë kam arritur t’i menaxhoj edhe ato 30 sekonda….(qesh)

Ola për çfarë debatoni më shpesh në shtëpi?

Për kanalet televizive…Ervini vdes për Explorer, unë u lodha me Explorer. Nuk e di, por meshkujt paskan preferenca të çuditshme. Të shikoj unë se si është montuar një makinë, është shumë e lodhshme!….

Ola, cili është më shumë xheloz në lidhjen tuaj?

Ndoshta unë jam pak më shumë. Jo se Vini nuk është xheloz, kam arritur ta kuptoj më së fundmi, por ai e kontrollon më shumë veten, nuk para e jep.

Një këshillë për çiftet e reja?

Ola: Përveç se të kuptojnë njëri -tjetrin, meshkujt sa më shumë fjalë të ëmbla femrave, sepse i bëjnë ato të ndihen mirë. Dhe kur një femër ndihet mirë, është gati të bëjë çdo gjë për mashkullin e saj. Ndërsa këshilla tjetër është që të shtoni pak sherret e vogla. Mos mendoni se duke i lënë të kalojnë, e ndihmoni lidhjen tuaj. Sherret e vogla, mblidhu e mblidhu, bëhen një mal i madh dhe pastaj është shumë vështirë ta zgjidhësh.

Ervin, drejtimi i një spektakli me aktrimin, si janë këto dy eksperienca?

Nuk kanë lidhje fare, pasi në prezantim duhet të jesh vetvetja, kurse aktrimi është një stad shumë i lartë, që mund të krahasot vetëm me Zotin, kështu që nuk kanë asnjë lidhje.

Ola, do e përsërisnit këtë eksperiencë, nëqoftëse ju ofrohet diçka e tillë?

Nuk mund të them jo, por as një po të sigurtë nuk e jap. Nuk është se ndihem e realizuar në këtë pikë, pasi nuk është kjo ajo që kërkoj nga vetja ime. Unë kam mbaruar shkollën për aktore, më pëlqen të jem aktore, më shumë teatri sesa filmi. Nuk më mbush spektakli, njëqind për qind, siç më mbush teatri. Por, absolutisht, pse jo, do pranoja të bëja prezantuesen, nëse do bëhej fjalë për spektakle të një cilësie aty ku mund të fusësh edhe aktrimin.



Forum-Al.com
Aty ku shqiptarët mblidhen!
 
Top