Përgjigje e: Historia e Kishes Orthodhokse te Shqiperise
Riorganizimi
Inisiativën për riorganizimin e Kishës së Shqipërisë e mori Patriarkana Ekumenike me një sërë veprimesh vendimtare. Në janar 1991, Patriku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës caktuan profesorin e Universitetit të Athinës, episkopin e Andrusës (Drejtor i Përgjithshëm i “Shërbimit Apostolik” të Kishës së Greqisë dhe vëzhgues i Mitropolisë së Shenjtë të Irinopolit), Anastasin, si eksark patriarkal (të dërguar të Patriarkanës), me mision që të shkonte në Shqipëri për t’u takuar me ortodoksët dhe autoritetet e vendit. Pas kundërshtimeve shumëmujore të shtetit shqiptar, Eksarku (i dërguari) i Patriarkanës arriti në Tiranë, më 17 korrik 1991. Gjatë udhëtimit të tij në vend konstatoi shkretimin e tmerrshëm që kishte shkaktuar përndjekja e pamëshirshme. Ishin shkatërruar 1608 kisha dhe manastire. Veprimi i parë i Eksarkut ishte krijimi i një strukture thelbësore kishtare për përfaqësimin e Kishës lokale. Për riformimin e strukturës kishtare, Eksarku i Patriarkanës mblodhi Asamblenë e Përgjithshme Klerikolaike 1-2 gusht 1991, me pjesëmarrjen e 15 klerikëve dhe 30 laikëve, nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë, në të cilën u studiua gjendja pas regjimit komunist dhe perspektiva, në fund u zgjodhën 4 këshilltarë (epitropë) arkieratikë dhe Këshilli i Përgjithshëm Kishtar Kleriko-laik me 13 pjesëtarë. Përfaqësia e Kishës së Shqipërisë vizitoi Patriarkanën Ekumenike (5-8 qershor 1992), për herë të parë pas persekutimit dhe kërkoi zgjedhjen e Eksarkut të Patriarkanës si primat të Kishës së Shqipërisë.
Sinodi i Patriarkanës Ekumenike, me iniciativën e Patrikut Ekumenik Bartolomeut, për rikrijimin e Kishës ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, zgjodhi më 24 qershor 1992, me vota unanime, Kryepiskop të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë mitropolitin e Andrusës, Anastasin dhe mitropolit të Korçës arkimandritin Kristodhul Mustakas, të Gjirokastrës arkimandritin Aleksandër Kalpakidhis dhe të Beratit, Vlorës e Kaninës arkimandritin Ignat Triandis; ku edhe këto episkopata tashmë u ringritën në rang mitropolie. Qeveria shqiptare kundërshtoi me forcë, sepse e konsideroi këtë imponim të jashtëm të udhëheqjes greke ndaj njërit prej tre komuniteteve të mëdha fetare. Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha i shprehu pakënaqësinë e tij delegacionit të Patriarkanës Ekumenike, që erdhi më 4 korrik 1992, dhe që përbëhej nga mitropoliti i Pergës Evangjelos, mitropoliti i Filadelfias Melitoni dhe protopresviteri me origjinë shqiptare Ilia Katre. Përfundimisht, Presidenti shqiptar deklaroi se pranon vendosjen e Kryepiskopit Anastas, por nuk bëhet fjalë të diskutohet, që të pranohen të gjithë mitropolitët ortodoksë të Shqipërisë me origjinë greke. Kryepiskopi i ri, pasi dërgoi Mesazhin e Madh në Fanar (Patriarkanë), më 12 korrik 1992, u fronëzua në Kishën Katedrale të Tiranës më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë përfaqësuesve klerikë e laikë të krahinave të Shqipërisë. Qarqe të caktuara shqiptare tentuan ta dëbonin atë me një sërë mënyrash, akoma dhe përgatitje projektligjesh, për arsye të prejardhjes së tij greke. Në një mbledhje të jashtëzakonshme kleriko-laike në Durrës, më 21 janar 1993, të gjithë përfaqësuesit deklaruan njëzëri se nuk bëhej fjalë të toleronin një diçka tillë (largimin e Kryepiskopit). Në vjeshtën e vitit 1994, u tentua me projektkushtetutën e re, largimi përfundimtar i Kryepiskopit; por së fundi ajo u hodh poshtë në referendumin e 6 nëntorit 1994.
Në korrik 1996, pa ndonjë marrëveshje me palën shqiptare, u bënë në Konstandinopojë dorëzimet në mitropolitë të kandidatëve të zgjedhur në vitin 1992, për mitropolitë në fjalë. Autoritetet shqiptare e refuzuan kategorikisht hyrjen dhe vendosjen e tyre në Shqipëri. Përfundimisht, pas diskutimesh këmbëngulëse ndërmjet përfaqësuesve të Patriarkanës Ekumenike, Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe Autoriteteve shqiptare (nga nëntori i vitit 1997 deri në korrik të 1998), çështja e formimit të Sinodit të Shenjtë u arrit me pranimin e skemës që ai të përbëhej nga dy kryepriftërinj me origjinë greke dhe dy me origjinë shqiptare. U fronëzua mitropoliti i Beratit, Ignati, ndërsa mitropolitët e Gjirokastrës, Aleksandri, dhe i Korçës, Kristodhuli, paraqitën dorëheqjen e tyre. Mitropolit i Korçës u zgjodh arkimandriti Joan Pelushi, i cili kishte shërbyer më parë si pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Durrës dhe Episkop i Apolonisë ishte u zgjodh i Përndershmi Atë Kozma Qirjo, i cili përfaqësonte brezin e hershëm të priftërinjve, i cili me heroizëm vazhdonte të pagëzonte dhe të bënte Liturgji Hyjnore fshehurazi edhe gjatë viteve të egra të persekutimit fetar. Më 11 gusht 2000, Hirësia e Tij Kozma Qirjo fjeti, duke lënë vakant vendin e Episkopit të Apolonisë. Në nëntor të vitit 2006 Sinodi u plotësua edhe me tre hierarkë të tjerë: Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësi Dhimitri, i cili në 15 vitet e fundit kishte shërbyer si mbikqyrës i Kryepiskopit në këtë mitropoli; Episkopin e Apollonisë Hirësi Nikollën dhe Episkopin e Krujës, Hirësi Andonin, të cilët këta të dy i përkasin brezit të klerikëve të rinj shqiptarë të formuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, Durrës. Po në nëntor 2006 u miratua Statuti i ri i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në nëntor 2008 u nënshkrua, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë (1998) Marrëveshja pë rregullimin e marrëdhënieve të ndësjella midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, që në vazhdim u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe u bë ligj i Shtetit Shqiptar, me nr. 10057, më 22.01.2009.
Kisha Ortodokse e Shqipërisë gjatë periudhës 1991 - 1999, pavarësisht nga mundimet, trazirat e përgjithshme politiko-shoqërore dhe rrënimi i ekonomisë së vendit, u rimëkëmb nga rrënojat dhe, duke jetuar në atmosferë ngjalljeje, u zhvillua me ritme shumë të shpejta. Në shumë qytete, qyteza dhe në qindra fshatra, me popullsi ortodokse, u organizuan sërish enoritë ortodokse. Filloi në përgjithësi jeta liturgjike dhe e mistereve, predikimi dhe katekizmi. U organizuan lidhjet rinore, e grave dhe e intelektualëve. Për krijimin e kuadrove vendas filloi në nëntor 1992 funksionimi i shkollës Teologjike-Hieratike, e cila që nga viti 1997 u zhvendos në një kompleks ndërtesash pranë Manastirit të Shën Vlashit në Durrës, me emrin Akademia Teologjike ortodokse “Ngjallja e Krishtit”. Deri në vitin 2011 u dorëzuan 146 klerikë të rinj (ndërkohë kanë ndërruar jetë 17 klerikë), me arsim të mesëm dhe të lartë, duke kryer studime teologjike në shkollën e sipërpërmendur. Në shtator të vitit 1998, u hap në Gjirokastër Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar“, me konvikt dhe në shtator të vitit 2007 në Sukth të Durrësit. Studentë të porsadiplomuar nga Akademia Teologjike përbënë bërthamën e parë murgjërore të Manastirit të Ardenicës. Ajo ka shtypshkronjën e saj dhe boton dhjetëra libra teologjikë dhe formues. Kisha boton gazetën mujore “Ngjallja” (prej vitit 1992), revistën për fëmijë “Gëzohu” (prej vitit 1997), buletinin studentor ”Fjala” dhe buletinin në anglisht “News from Orthodoxy in Albania” (Të rejat nga Ortodoksia në Shqipëri); Revistën rinore "Kambanat", Revistat periodike shkencore "Kërkim" dhe "Tempulli" me artikuj për teologjinë, shkencën, kulturën, aktualitetin, si edhe gjithashtu botohen edhe libra liturgjikë, shpirtërorë e shkencorë. Kisha ka stacionin radiofonik, punishtet e qirinjve dhe të drurit.
U ndërtuan nga themelet 5 manastire dhe 150 kisha të reja (të mëdha e të vogla); u restauruan 60 kisha e manastire-monument kulture dhe u riparuan më shumë se 160 kisha. Më shumë se 70 ndërtesa u ngritën, u blenë dhe u rikonstruktuan, për selitë mitropolitane, shkolla, kopshte, qendra shëndetësore, shtëpi pritjeje, mensa për të varfërit, punishte etj. E tërë vepra ndërtuese arrin në mbi 450 objekte.
Në shëndetësi kontribuon prej vitit 1999 me Qëndrën e saj Diagnostike "Ungjillëzimi" në Tiranë (me 23 specialitete - me shërbime bashkëkohore mjekësore, mjekë të njohur, personel të specializuar dhe aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit), me poliklinikat në Kavajë, Korçë, Lushnje dhe Jergucat (Gjirokastrës), gjithashtu dhe me njësinë ambulante dentare.
Në arsim, përveç institucioneve të lartpërmendura arsimore kishtare, u hapën dhe funksionojnë në Tiranë prej vitit 2000 Instituti i Formimit Profesional "Frymë Dashurie", me gjashtë degë, i pari i këtij lloji në vend; gjithashtu edhe në Gjirokastër prej vitit 2002; Tiranë Universiteti “Logos” (prej vitit 2009), me dy fakultete; në Mesopotam të Delvinës Shkolla e Mesme Teknike “Apostull Pavli”, shkollë profesionale me disa degë (prej vitit 2005); tre shkolla 9-vjeçare: në Tiranë, Shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët” (prej vitit 2001); në Durrës, Shkolla shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” (prej vitit 2005); në Gjirokastër, Shkolla shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” (prej vitit 2008); 17 kopshte në qytete të ndryshme; Shtëpinë e Fëmijës “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës”, në Shën Vlash të Durrësit; Konkvikt vajzash, qendra rinore, kampingje etj.
Kisha Ortodokse e Shqipërisë zhvilloi një veprimtari të gjerë sociale – veçanërisht në kohën e krizës politiko-shoqërore të vendit (1992, 1994, 1997, 1999) – me ndarjen e mijërave tonë me ushqime, veshje, ilaçe, në ndihmë të familjeve të varfra, në shkolla, jetimore,azile, burgje dhe të refugjatëve kosovarë (1999 - të 33 000 të strehuar në dy kampet e ngritura prej Kishës), si edhe me dhurime pajisjesh spitalore në qytete, fshatra dhe institucione sociale. Gjithashtu, organizoi programe ekologjike si edhe të zhvillimit bujqësor (të vaditjes, ekonomisë shtëpiake, shtrimit të rrugëve etj.). Gjithashtu shumë i madh është edhe kontributi i Kishës edhe në kulturën kishtare e kombëtare të vendit. Të ardhurat ekonomike për realizimin e gjithë këtyre veprave u siguruan nga dhuratat e mijërave miqve nga jashtë vendit, të cilët iu përgjigjën fushatave të Kryepiskopit për ndihmë.
Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë merr pjesë në mënyrë aktive në veprimtaritë e Kishave të tjera ortodokse. Ajo u bë anëtare e Këshillit Botëror të Kishave, të Konferencës Evropiane të Kishave dhe në përgjithësi kontribuon në përpjekjet e bashkëpunimit paqësor dhe solidaritetit në Evropën Juglindore. Gjithashtu Kryepiskopi Anastas është President Nderi i organizatës më të madhe ndërfetare "Fetë për Paqen".
Me veprimtarinë dhe praninë e saj, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, ka treguar se është një faktor serioz shpirtëror, kulturor dhe social në Shqipëri si edhe i bashkëjetesës fetare në vend.