• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

30+ libra që do t’ju bëjnë më të zgjuar për politikën dhe pushtetin

Antares

ƧɘɿɒɈnA
Anëtar
Apr 3, 2020
Postime
56,091
Pikët
113
Politika nuk kuptohet vetëm duke ndjekur lajmet, debatet televizive apo deklaratat e fundit në Facebook. Për ta kuptuar vërtet, duhet të kthehesh te pyetjet e mëdha: Kush duhet të qeverisë? Pse i bindemi shtetit? Çfarë e bën një shoqëri të drejtë? Si lind demokracia dhe si mund të dobësohet ajo? Pse disa pushtete kthehen në autoritarizëm, ndërsa disa shoqëri arrijnë të mbrojnë lirinë?

Këto libra nuk japin përgjigje të thjeshta, por të mësojnë të bësh pyetje më të mira. Nga filozofët e lashtë grekë te mendimtarët modernë të demokracisë, nga romanet alegorike te analizat për sistemet totalitare, në vijim gjeni disa prej librave që ju ndihmojnë për ta kuptuar politikën përtej titujve të lajmeve.

Klasikët: aty ku fillon mendimi politik

1) “Republika”, Platoni
Republika e Platonit është një nga veprat më të rëndësishme ku filozofia dhe politika takohen. Në këtë libër, Platoni shpjegon se si mund të funksionojë një shoqëri e drejtë, duke u ndalur te marrëdhënia mes grupeve të ndryshme: prodhuesve, si zejtarët dhe fermerët; ndihmësve, si ushtarët; dhe kujdestarëve, pra udhëheqësve dhe politikanëve.


2) “Politika”, Aristoteli
Te Politika, Aristoteli analizon format e qeverisjes, rolin e qytetarit dhe mënyrën si organizohet një shtet i mirë. Për të, njeriu është një qenie politike, që realizohet brenda komunitetit. Libri mbetet i rëndësishëm për të kuptuar idetë mbi qytetarinë, drejtësinë, ligjin dhe të mirën e përbashkët.

Shteti, pushteti dhe kontrata shoqërore

3) “Princi”, Niccolò Machiavelli
Te Princi, Machiavelli analizon pushtetin, udhëheqjen dhe mënyrën si një sundimtar mund ta ruajë pozicionin e tij. Një nga idetë më të njohura të veprës është se, në politikë, qëllimi (mbajtja e pushtetit) mund të justifikojë mjetet, edhe kur ato përfshijnë manipulim, tradhti apo dhunë.


4) “Leviathan”, Thomas Hobbes
Leviathan, Hobbes argumenton se pa një autoritet të fortë, shoqëria rrezikon të rrëshqasë në kaos, ku më të dobëtit shtypen nga më të fortët. I ndikuar nga Lufta Civile Angleze dhe rrëzimi i Charles I, Hobbes mbron idenë e pushtetit absolut të sovranit, por thekson se ky pushtet ekziston sepse njerëzit e pranojnë atë.

5) “Traktati i dytë për qeverisjen”, John Locke
Për John Locke, shteti ekziston për të krijuar dhe zbatuar ligje në të mirë të publikut. Ai argumenton se qeveria ka pushtet mbi njerëzit vetëm për aq sa ata bien dakord t’ia japin këtë pushtet. Sipas Locke, sovraniteti qëndron te populli, i cili ka të drejtë të ndryshojë qeverisjen kur ajo nuk i shërben më interesit të tij.

6) “Mbi kontratën shoqërore”, Jean-Jacques Rousseau
Filozofi francez argumenton se ligjet janë legjitime vetëm kur mbështeten te vullneti i përgjithshëm i njerëzve. Për Rousseau-n, qytetarët duhet të mbështesin vetëm ato forma qeverisjeje që u garantojnë lirinë. Vepra është një nga tekstet më të rëndësishme për të kuptuar idenë moderne të sovranitetit popullor.

Demokracia, institucionet dhe rreziku i sistemeve

7) “Demokracia në Amerikë”, Alexis de Tocqueville
Në këtë vepër, Tocqueville analizon demokracinë amerikane, por në fakt flet për edhe barazinë, individualizmin, fuqinë e shumicës dhe rrezikun që demokracia të kthehet në presion ndaj mendimit ndryshe. Libri mbetet një nga analizat më të rëndësishme për mënyrën si funksionon demokracia në praktikë.

8) “The Federalist Papers”, Alexander Hamilton, James Madison dhe John Jay
Këto ese politike u shkruan për të mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, por sot lexohen si një nga shpjegimet më të rëndësishme për ndarjen e pushteteve, kontrollin dhe balancën mes institucioneve, si edhe rrezikun e përqendrimit të pushtetit.

9) “Pse dështojnë kombet”, Daron Acemoglu dhe James A. Robinson
Acemoglu dhe Robinson shpjegojnë dallimet kryesore mes kombeve të suksesshme dhe atyre të pasuksesshme. Sipas tyre, vendet kanë më shumë gjasa të zhvillohen kur kanë institucione politike gjithëpërfshirëse dhe kur pushteti nuk përqendrohet në duart e një pakice.

10) “Si vdesin demokracitë”, Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt
Ky libër shpjegon se demokracitë moderne rrallë rrëzohen përmes grushteve klasike të shtetit. Shpesh, ato dobësohen gradualisht nga liderë të zgjedhur, të cilët sulmojnë institucionet, median, opozitën dhe normat demokratike, duke e kthyer sistemin nga brenda në një demokraci gjithnjë e më formale.

11) “On Tyranny”, Timothy Snyder
On Tyranny, Snyder përdor leksione nga historia e shekullit XX për të treguar se si demokracitë mund të dobësohen nga brenda. Libri është i shkurtër, i drejtpërdrejtë dhe shumë i dobishëm për të kuptuar shenjat e para të autoritarizmit: normalizimin e gënjeshtrës, sulmin ndaj institucioneve dhe bindjen e verbër ndaj pushtetit.

Ideologjitë politike dhe betejat për lirinë

12) “Manifesti komunist”, Karl Marx dhe Friedrich Engels
Manifestin komunist, Marx dhe Engels analizojnë kalimin nga feudalizmi në kapitalizëm dhe marrëdhënien mes klasave shoqërore. Ata argumentojnë se kapitalizmi duhet të përmbyset nga punëtorët përmes një revolucioni ndërkombëtar të proletariatit. Pavarësisht qëndrimit që mund të ketë lexuesi ndaj tij, libri mbetet një nga tekstet më ndikuese politike të historisë moderne.

13) “Mbi lirinë”, John Stuart Mill
Mbi lirinë, Mill mbron rëndësinë e lirisë individuale dhe kufizimin e ndërhyrjes së shoqërisë apo shtetit në jetën e individit. Një nga idetë qendrore të veprës është se mendimi ndryshe duhet mbrojtur, edhe kur është i pakëndshëm ose i papëlqyer, sepse pa debat të lirë nuk ka shoqëri të lirë.

14) “Rruga drejt skllavërisë”, Friedrich Hayek
Hayek paralajmëron se ndërhyrja e tepërt e shtetit në ekonomi dhe shoqëri mund të çojë drejt humbjes së lirive individuale. Libri është një nga tekstet më të njohura të mendimit liberal dhe ka ndikuar shumë në debatet moderne mbi tregun, shtetin dhe lirinë.

15) “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj”, Karl Popper
Popper mbron idenë e një shoqërie të hapur, ku pushteti kontrollohet, mendimi kritik lejohet dhe institucionet mund të korrigjohen pa dhunë. Ai kritikon ideologjitë që pretendojnë se kanë gjetur “të vërtetën përfundimtare” për shoqërinë dhe paralajmëron rrezikun e tyre për demokracinë.

Totalitarizmi, propaganda dhe kontrolli

16) “Origjina e totalitarizmit”, Hannah Arendt
Në këtë vepër, Arendt analizon lindjen e regjimeve totalitare. Ndër të tjera, ajo argumenton se shoqëritë pas Luftës së Parë Botërore ishin të mbushura me pakënaqësi dhe më të prirura për t’u manipuluar nga demagogët. Libri mbetet një nga analizat më të rëndësishme për të kuptuar nazizmin, stalinizmin dhe mekanizmat që e bëjnë të mundur pushtetin total.

17) “Ferma e kafshëve”, George Orwell
Ky roman alegorik tregon historinë e disa kafshëve që rebelohen kundër pronarit të tyre, me shpresën për të krijuar një jetë më të lirë dhe më të barabartë. Por në fund, një derr diktator merr kontrollin e fermës dhe jeta e kafshëve bëhet edhe më e keqe se më parë. Me një gjuhë të thjeshtë, Orwell tregon se si revolucioni mund të tradhtohet nga ata që marrin pushtetin në emër të tij.

18) “1984”, George Orwell
Romani i Orwell-it imagjinon dhe njëkohësisht paralajmëron një të ardhme totalitare, ku shoqëria kontrollohet përmes mbikëqyrjes, gënjeshtrave, propagandës dhe kultit të një udhëheqësi suprem. 1984 është bërë një nga librat më të cituar sa herë flitet për kontrollin politik, manipulimin e gjuhës dhe zhdukjen e së vërtetës.

19) “Disiplinë dhe ndëshkim”, Michel Foucault
Foucault analizon mënyrën si pushteti nuk ushtrohet vetëm përmes ligjeve, qeverive apo policisë, por edhe përmes institucioneve si burgjet, shkollat, spitalet dhe mekanizmat e mbikëqyrjes. Libri ndihmon për të kuptuar pushtetin si diçka që vepron në jetën e përditshme, jo vetëm në parlament apo qeveri.

Amerika, superfuqitë dhe politika e jashtme

20) “Diplomacia”, Henry Kissinger
Te Diplomacia, Henry Kissinger analizon marrëdhëniet ndërkombëtare përmes historisë së fuqive të mëdha, nga Europa e shekullit XIX te Lufta e Ftohtë dhe roli global i Shteteve të Bashkuara. Libri është i rëndësishëm për të kuptuar konceptin e ekuilibrit të fuqive, logjikën e interesit kombëtar dhe mënyrën si shtetet marrin vendime jo gjithmonë mbi bazën e moralit, por mbi bazën e strategjisë, sigurisë dhe ndikimit.

21) “Deterring Democracy”, Noam Chomsky
Deterring Democracy, Chomsky kritikon sjelljen imperialiste të Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjen e tyre për të ruajtur pozicionin si superfuqi dominuese ekonomike. Libri merret me marrëdhënien mes demokracisë, interesave strategjike dhe politikës së jashtme amerikane.

22) “Doktrina shok”, Naomi Klein
Naomi Klein argumenton se krizat politike, ekonomike apo natyrore shpesh janë përdorur për të kaluar politika të ashpra ekonomike, në momente kur shoqëritë janë të tronditura dhe më pak të afta të rezistojnë. Libri është i rëndësishëm për të kuptuar lidhjen mes kapitalizmit, krizave dhe pushtetit.

Pushteti përtej parlamentit: gjinia, kultura dhe kolonializmi

23) “Seksi i dytë”, Simone de Beauvoir
Edhe pse nuk është një libër politik në kuptimin klasik, Seksi i dytë është thelbësor për të kuptuar mënyrën si pushteti shoqëror, kulturor dhe politik ka ndërtuar rolin e gruas. Vepra është një nga tekstet themelore të feminizmit modern dhe e zgjeron politikën përtej institucioneve, drejt trupit, familjes dhe jetës së përditshme.

24) “Orientalism”, Edward Said
Said analizon mënyrën si Perëndimi ka ndërtuar imazhin e “Lindjes” si të prapambetur, ekzotike ose inferiore. Libri është shumë i rëndësishëm për të kuptuar marrëdhënien mes dijes, pushtetit, kolonializmit dhe mënyrës si krijohen narrativat politike për “tjetrin”.

25) “The Dictator’s Handbook”, Bruce Bueno de Mesquita dhe Alastair Smith
Autorët argumentojnë se politika nuk kuptohet vetëm përmes ideologjisë, moralit apo fjalimeve publike, por edhe përmes interesave që mbajnë një lider në pushtet. Sipas tyre, udhëheqësit mbijetojnë politikisht duke kënaqur grupet kyçe që u garantojnë pushtetin, qofshin këto elita ekonomike, parti, ushtri apo oligarki.

Romane politike: kur letërsia e shpjegon pushtetin më mirë se librat teorikë

26) “Procesi”, Franz Kafka
Te Procesi, një burrë arrestohet pa e kuptuar kurrë qartë se për çfarë akuzohet. Romani është një nga veprat më të fuqishme për të kuptuar absurditetin e burokracisë, pafuqinë e individit përballë sistemit dhe ankthin që krijon një pushtet i padukshëm, por i gjithëpranishëm.

27) “Pallati i ëndrrave”, Ismail Kadare
Kadare ndërton një alegori të frikshme të shtetit totalitar, ku pushteti kontrollon edhe ëndrrat e njerëzve. Romani flet për mbikëqyrjen, paranojën politike, frikën dhe mënyrën si shteti mund të hyjë deri në zonat më intime të jetës njerëzore.

28) “Murtaja”, Albert Kamy
Në pamje të parë, Murtaja është romani i një qyteti të izoluar nga një epidemi. Por libri lexohet edhe si një reflektim mbi frikën kolektive, përgjegjësinë morale, solidaritetin dhe mënyrën si shoqëritë reagojnë përballë krizave.

29) “Perëndia e mizave”, William Golding
Ky roman tregon historinë e një grupi fëmijësh të mbetur vetëm në një ishull, të cilët përpiqen të krijojnë një formë organizimi mes tyre. Por rendi fillon të shembet dhe bashkë me të dalin në pah frika, dhuna, manipulimi dhe dëshira për dominim. Është një libër i fortë për natyrën njerëzore dhe brishtësinë e civilizimit.

30) “Verbëri”, José Saramago
Një epidemi e papritur i lë njerëzit pa shikim dhe shoqëria nis të shpërbëhet. Romani është një alegori e fuqishme për brishtësinë e institucioneve, humbjen e dinjitetit njerëzor dhe mënyrën si kriza nxjerr në pah fytyrën më të mirë ose më të keqe të njeriut.

31) “Fahrenheit 451”, Ray Bradbury
Në këtë roman distopik, librat digjen dhe mendimi kritik shihet si rrezik. Fahrenheit 451 është një libër për censurën, manipulimin e masave dhe rrezikun e një shoqërie që zgjedh komoditetin në vend të lirisë së mendimit.

32) “Festa e cjapit”, Mario Vargas Llosa
Ky roman trajton diktaturën e Rafael Trujillo-s në Republikën Domenikane dhe mënyrën si një regjim autoritar depërton në jetën private të qytetarëve. Një libër për frikën, dhunën politike, kultin e liderit dhe plagët që lë diktatura edhe pasi bie.

33) "Rrëfenja e shërbëtores", Margaret Atwood
Në librin Rrëfenja e shërbëtores, Atwood imagjinon një shoqëri autoritare ku trupi i gruas kontrollohet nga shteti dhe feja përdoret si instrument pushteti. Romani është një nga veprat më të njohura bashkëkohore për të kuptuar lidhjen mes politikës, gjinisë, kontrollit dhe lirisë personale.

Këta libra janë për politikën, por edhe për pushtetin: si fitohet, si mbahet, si justifikohet, si kufizohet dhe si mund të abuzohet me të. Disa janë filozofikë, disa historikë, disa romane, disa analiza bashkëkohore. Por të gjithë të ndihmojnë ta shohësh politikën si një sistem idesh, institucionesh, interesash dhe konfliktesh që formësojnë jetën tonë.
 
Këto të japin baza teorike, por në jetën e përditshme politika është më shumë ndërtim objektesh, rrugësh, spitale, punësim, institucione. Në praktikë, politikanët zihen me njëri-tjetrin, i akuzojnë, i shajnë, i fyejnë etj. Politika e përditshme është ajo që sheh vërdallë...
 
Back
Top