• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Gratë e rreme të propagandës në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje

Llapi

V.I.P
Anëtar
Dec 22, 2011
Postime
27,917
Pikët
113

1785086057472.png

“Gratë e rreme” të propagandës: Si i ekspozoi Nacionale profilet anonime​

3 orë më parë
nga NACIONALE

Në një hapësirë publike ku beteja politike zhvillohet më ashpër në Facebook e gjetiu në rrjete sociale, se sa në Kuvend, Gazeta Nacionale ka raportuar vazhdimisht për një fenomenin e veçantë: profile të dyshuara si të rreme, të ndërtuara me emra dhe fotografi grash, të cilat prodhojnë dhe shpërndajnë në mënyrë intensive, sistematike dhe të koordinuar përmbajtje në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kundër kritikëve të saj.
Përmes nëntë artikujve e gjashtë videove, të publikuar në periudha të ndryshme, Nacionale ka dokumentuar emrat e llogarive, ritmin e publikimeve, ndryshimet e identitetit, ndërveprimet mes tyre dhe mënyrën se si të njëjtat mesazhe amplifikohen në grupe të mëdha politike. Në qendër të raportimeve janë profile si “Lule Gjeli”, “Sara Blakqori”, “Jona Qitaku” – më vonë “Jona Çitaku”, “Selvije Berisha”, “Genta Genta”, “Ganja”, “Feime Bullaku” dhe një varg llogarish të tjera.

Raportimi fillestar i Nacionales analizonte disa prej profileve më aktive gjatë fushatës zgjedhore. Sipas të dhënave të paraqitura në artikull, llogaritë publikonin dhjetëra herë brenda orës, komentonin në faqet e mediave, politikanëve dhe opinionistëve, si dhe shpërndanin materiale nga tubimet e subjektit politik Vetëvendosje. Përmbajtja lëvizte nga promovimi i Albin Kurtit deri te etiketimi i kundërshtarëve politikë si hajdutë, tradhtarë apo bashkëpunëtorë të Serbisë.
Rasti më përfaqësues ishte ai i “Sara Blakqorit”. Profili prezantohej si një grua e shkolluar në Gjermani dhe e punësuar në një medium ndërkombëtar. Por Nacionale vuri në pah se në adresën e përdoruesit kishte mbetur emri “Sabri Gashi”, duke ngritur dyshime serioze për identitetin real. Gazeta raportoi gjithashtu se “Sara Blakqori” dhe “Jona Qitaku” ishin krijuar në të njëjtën ditë, ndiqnin llogari të ngjashme, vepronin në grupe të njëjta dhe publikonin materiale pothuajse identike.
Raportimet nuk mbetën vetëm në nivelin e evidentimit publik. Pas raportimit të llogarive nga lexuesit, Facebook mbylli profilet “Sara Blakqori” dhe “Jona Qitaku”. Sipas njoftimeve që lexuesit ia përcollën Nacionales, kompania kishte konstatuar se llogaritë e raportuara binin ndesh me Standardet e Komunitetit. Ky ishte momenti kur dyshimet e ngritura nga gazeta morën edhe një konfirmim praktik nga platforma: llogaritë nuk u trajtuan thjesht si profile me mendime të ashpra politike, por si faqe që kishin shkelur rregullat e Facebook-ut.
Megjithatë, mbyllja nuk i dha fund aktivitetit. “Sara Blakqori” u rikthye me një emër të modifikuar dhe me një adresë tjetër përdoruesi. Profilet e tjera nisën menjëherë mobilizimin për t’ia rikthyer ndjekësit. “Selvije Berisha” dhe “Jona Qitaku” e shpërndanë llogarinë e re në një numër të madh grupesh mbështetëse të Vetëvendosjes. Situata u bë edhe më e ndërlikuar kur u paraqitën disa llogari që pretendonin se ishin “Sara” e vërtetë, ndërsa vetë profilet e dyshuara si të rreme akuzonin njëra-tjetrën se ishin të rreme.
Edhe “Jona Çitaku”, një nga llogaritë me audiencën më të madhe, u rikthye pas mbylljes. Nacionale raportoi se rikthimi ishte tentuar përmes ndryshimit të emrit të një profili tjetër, ndërsa adresa e vjetër e përdoruesit kishte mbetur e dukshme. Në të njëjtën kohë u paraqitën versione me “Q” dhe me “Ç”, duke e bërë edhe më të vështirë ndjekjen e vazhdimësisë së identitetit. Sipas raportimit, profili kishte dhjetëra mijëra ndjekës dhe përmbajtjet e tij arrinin te qindra mijëra përdorues përmes pëlqimeve dhe shpërndarjeve.
Një element tjetër i përsëritur ishte përdorimi i fotografive tërheqëse të grave për krijimin e besueshmërisë dhe afrimin e ndjekësve. Artikulli për rikthimin e “frontit me gra të rreme” tregonte se disa përdorues realë u drejtoheshin profileve me komplimente ose kërkesa për njohje, duke besuar se përballë kishin persona realë. Ndërkohë, llogaritë publikonin qindra materiale politike, shpërndanin mesazhe të njëjta dhe ndërvepronin vazhdimisht mes tyre.
Aktivizimi i rrjetit nuk kufizohej në zgjedhje. Kur Faton Peci, atëbotë minister i bujqësisë, qëndroi për disa orë në Prokurori, Nacionale evidentoi sulme të menjëhershme ndaj gazetarëve që raportuan për rastin. Njëra nga llogaritë, sipas artikullit, kishte ndryshuar emrin brenda ditës, nga “Vasila Lika” në një variant tjetër, çka u interpretua si përpjekje për të vështirësuar identifikimin dhe ruajtjen e gjurmëve.
Një fushatë më e gjerë u evidentua edhe kundër ish-presidentes Vjosa Osmani, e cila po ndahej politikisht me kreun e VV-së, Albin Kurti. “Jona Çitaku” u paraqit si llogaria kryesore në shpërndarjen e pretendimeve për një plan për “puç”, ku përfshiheshin Edi Rama, Richard Grenell dhe Baton Haxhiu. Artikulli dokumentonte edhe përdorimin e materialeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale për ta paraqitur këtë tregim si të besueshëm. Pretendimet nuk mbështeteshin në prova, por fituan audiencë të gjerë përmes përsëritjes së koordinuar.
E njëjta mënyrë funksionimi u shfaq gjatë dëshmisë së ish-zyrtarit amerikan James Rubin në Hagë. Artikulli i Nacionales evidentoi publikime të sinkronizuara që synonin ta minimizonin rolin e Hashim Thaçit dhe ta paraqisnin Albin Kurtin si figurën kryesore të vendosmërisë politike gjatë procesit të Rambujesë. Postimet e “Jona Çitakut” përforcoheshin nga “Sara Fehmi Blakqori” dhe llogari të tjera, duke krijuar një zinxhir shpërndarjeje, komentesh dhe pëlqimesh.
Fenomeni ishte vërejtur nga Nacionale edhe më herët, gjatë grevës në arsim. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ishte bërë objekt i një fushate me etiketime si “qen”, “çetnik”, “njeri i Serbisë” dhe kërcënime të tjera verbale. Raportimi ngrinte pyetjen nëse aktiviteti ishte spontan apo pjesë e një operacioni më të organizuar, duke evidentuar ngjashmërinë e mesazheve dhe shpejtësinë me të cilën ato përhapeshin nga profile anonime.
Në materialet e shqyrtuara nuk paraqitet një provë përfundimtare që dëshmon një zinxhir formal komandues mes këtyre llogarive dhe strukturave zyrtare të Vetëvendosjes. Megjithatë, artikujt dokumentojnë një model: identitete të dyshimta, fotografi të huaja, emra që ndryshojnë, publikime me frekuencë jashtëzakonisht të lartë, mesazhe të njëjta dhe ndërveprime me figura ose grupe që mbështesin partinë në pushtet.
Beteja e Nacionales me këto profile, në thelb, nuk është betejë me emrat “Lule Gjeli”, “Sara”, “Jona” apo “Selvije”. Është betejë me anonimitetin e përdorur si armë, me mashtrimin e identitetit dhe me përpjekjen për ta zëvendësuar debatin publik me linçim, manipulim dhe propagandë. Në kohën kur një profil i rremë mund të arrijë më shumë njerëz se një medium, dokumentimi i origjinës, sjelljes dhe përmbajtjes së tij bëhet pjesë e drejtpërdrejtë e betejës për të vërtetën.
Ditëve të fundit jemi informuar nga Prokuroria Speciale se tashmë hetimet kanë filluar për profilin “Lule Gjeli”. Nacionale do të vazhdoj të ju mbaj të informuar në lidhje me këto zhvillime.
 
“Lule Gjeli”, kampioni i peshave të rënda të linçimit online pro VV-së: A do të kapet nga Prokuroria?
Demokracia
11:30 | 26 Korrik 2026
images-13.jpg

Share:
Share
Tweet
Për afro gjashtë vite, profili “Lule Gjeli” ka publikuar përmbajtje fyese ndaj kundërshtarëve politikë të Vetëvendosjes, përfshirë sulme të rënda seksuale dhe morale ndaj grave në politikë.
Rastet më të fundit prekën presidenten Vjosa Osmani dhe deputeten e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili. Policia e Kosovës e ka pasur rastin të denoncuar për një numër të madh publikimesh kriminale.
Prokuroria Speciale ka hapur hetim dhe po e trajton rastin. Sipas burimeve të Nacionale, pas profilit dyshohet se qëndron Gent Prokshi, shqiptar nga Kosova që jeton në SHBA.

Prokshi dyshohet se ka afërsi me figura drejtuese të Vetëvendosjes. “Lule Gjeli” është ndër profilet më aktive në sulmet online ndaj kundërshtarëve politikë të partisë në pushtet.
Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi është ofruar të dëshmojë për personin që ai thotë se qëndron pas profilit. Ai tha se e ka takuar në Delaware më 2021.
Abazi e përshkroi “Lule Gjelin” si pjesë të një “lufte hibride” dhe akuzoi se profili ka sulmuar edhe zyrtarë amerikanë, përfshirë ish-zyrtarin Gabriel Escobar.
“Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së”, shkroi Abazi, duke kërkuar hetim edhe për personat që mund të kenë urdhëruar aktivitetin.
Ai pretendoi se profili kishte ndikuar në “prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në” përmes sulmeve dhe dezinformimit ndaj kundërshtarëve politikë.
Publikimi i identitetit të dyshuar shkaktoi reagime politike. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se edhe ai ishte sulmuar nga ky profil.
Rama kërkoi sqarime nga BIRN Kosova, KALLXO.com dhe Jeta Xharra për raportet e mundshme me autorin e profilit.
Ai parashtroi pyetje për identitetin e autorit, kohëzgjatjen e bashkëpunimit, pagesat dhe burimet eventuale të financimit.
“Unë pres reagim dhe sqarim publik më së largu deri të hënën”, deklaroi Rama, duke paralajmëruar rishikim të bashkëpunimeve institucionale me BIRN Kosovën.
Nga “Kallxo”-i thanë se e dinë identitetin e “Lule Gjeli”-t por se nuk ia tregojnë publikut.
Për publikimin e një opinioni, thanë se ia kanë botuar me pseudonim dhe se kanë pasur secilën të drejtë ta bëjnë këtë.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kërkoi që hetimi të mos ndalet vetëm te administratori i profilit.
“Hetimi nuk duhet të ndalet te administratorët e profileve”, shkroi Çitaku, duke kërkuar zbardhjen e organizatorëve, financuesve dhe urdhëruesve.
Edhe AAK kërkoi identifikimin e personave apo grupeve që mund të kenë qenë pjesë e një skeme të organizuar.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se do t’i drejtohej Prokurorisë Speciale me informacionet që posedon.
 
Cakolli për profilet e rreme: Përdorin fjalor e i mbrojnë njerëzit e njejtë, vështirë të besohet që s’kanë sfond politik
Demokracia
22:32 | 25 Korrik 2026
eugen-cakolli-1-600x360-1.png

Share:
Share
Tweet
Eugen Cakolli nga KDI ka reaguar lidhur me debatin rreth profileve të rreme në rrejte sociale. Ai ka thënë se viteve të fundit kushdo që ka kritikuar ndonjë veprim të pushtetit apo ndonjë qëndrim, me shumë gjasë i janë shfaqe komente apo postime si “Lule Gjeli, e me emra të tjerë të rremë.
Ai ka thënë se është e vështirë të besohet se profile të tilla të cilat përdorin metodologji e gjuhë të njëjtë nuk kanë sfond politik.
Reagimi i plotë:

Viteve të fundit, kushdo që ka kritiku publikisht ndonjë vendim, veprim apo qëndrim të pushtetit, me shumë gjasë i janë shfaqë në komente apo postime profile si Lule Gjeli, Jona, Naimi, Dardani, Xhaviti e plot profile të tjera të rreme.
Prej gjuhës, etiketimeve dhe mënyrës qysh janë zhvillu këto sulme, qëllimi ka qenë i qartë. Secili zë kritik përballej me linçim, shpifje dhe sulme personale, përmes akuzave si “i paguar”, “pro-serb”, “i shitur”, “me partitë e vjetra” apo “kundër shtetit”.
Vështirë është me besu që një sistem i tillë sulmesh online, me dhjetëra profile të rreme që vazhdimisht i zgjedhin të njëjtit njerëz, e përdorin të njëjtin fjalor dhe i mbrojnë të njëjtat interesa politike, s’ka sfond politik. Sidomos kur disa prej përpjekjeve për diskreditim e linçim publik janë nisë ose përforcu edhe prej vetë figurave të partisë.
Prandaj, rasti i “Lule Gjelit” duhet me u hetu deri në fund. Fillimisht për me ia zbulu identitetin, motivet, lidhjet dhe financimin eventual, por edhe për me verifiku nëse pas këtij fenomeni ka funksionu një skemë më e gjerë. Tolerimi i kësaj situate tash e sa vite veçse ka prodhu pasoja serioze, duke e helmu debatin publik dhe duke e thellu polarizimin shoqëror.
 
Mushkolaj kërkon ndjekje penale për personat prapa profileve të rreme: Duhet hetuar edhe urdhërdhënësit e tyre
Demokracia
20:14 | 25 Korrik 2026
IMG_5489.jpeg

Share:
Share
Tweet
Analisti Imer Mushkolaj ka kërkuar që personat që përdorin profile të rreme në rrjetet sociale për të sulmuar dhe linçuar kritikët e pushtetit të ndiqen penalisht.
Sipas tij, veprimtaria e këtyre profileve nuk kufizohet vetëm në fyerje, por përfshin edhe sulme, shantazhe dhe nxitje të urrejtjes e të përçarjes në shoqëri.
“Personat të cilët, fshehur pas profileve të rremë në rrjete sociale, terrorizojnë shoqërinë e linçojnë kritikë të pushtetit, duhet ndjekur penalisht”, ka shkruar Mushkolaj.

Ai ka shkruar se në rrjetet sociale vazhdojnë të veprojnë shumë profile të ngjashme, të cilat përdoren për të shënjestruar zërat kritikë.
“‘Lule’ të shumta vazhdojnë të shajnë, të sulmojnë, të shantazhojnë dhe të nxisin urrejtje e përçarje”, shkroi ai.
Mushkolaj ka kërkuar që hetimet të mos përqendrohen vetëm te personat që administrojnë profilet e rreme, por edhe te ata që mund të qëndrojnë prapa veprimtarisë së tyre.
“Duhet hetuar jo vetëm ata, por edhe urdhërdhënësit e tyre”, ka shkruar Mushkolaj.
 
Back
Top