Antares
ƧɘɿɒɈnA
- Anëtar
- Apr 3, 2020
- Postime
- 56,204
- Pikët
- 113
Hapni LinkedIn-in sot dhe do të ndeshni paradoksin e ekonomisë së vëmendjes: kurrë më shumë ekspertë, kurrë më vështirë për të gjetur ekspertizë të vërtetë. Platforma që lindi si arkiv digjital i CV-ve është shndërruar në skenë ku të gjithë flasin për lidershipin dhe pakkush dokumenton punën. Ky nuk është lodhje nga përmbajtja. Është fenomen ekonomik. Ashtu si inflacioni monetar zhvlerëson paranë duke shtuar sasinë pa shtuar vlerën, inflacioni i ekspertëve zhvlerëson dijen duke shumëfishuar titujt pa shumëfishuar kompetencën.
Të dhënat flasin qartë. Sipas LinkedIn Economic Graph, vëllimi i përmbajtjes u rrit mbi 36% vetëm mes 2022-2023, ndërsa profilet me etiketa “Thought Leader” apo “Expert” janë trefishuar që nga pandemia. Aftësitë për Inteligjencën Artificiale, sipas raportit global 2024 të platformës, shfaqen 20 herë më shpesh se tre vite më parë. Po, bota e punës ndryshon shpejt. Forumi Ekonomik Botëror në Future of Jobs 2023 parashikon ristrukturim të 44% të aftësive brenda pesë viteve, por jo kaq shpejt. Ajo që rritet eksponencialisht nuk është kompetenca, por nxitja për t’u dukur kompetent.
Në Shqipëri fenomeni është më akut. Në një treg pune të ngushtë, me deficit kronik të kapitalit të specializuar, ku Banka Botërore dhe OECD e rendisin vendin ndër më të prekurit nga emigrimi i trurit, LinkedIn është mbipopulluar me “CEO”, “Founder” dhe “AI & Growth Expert” të sipërmarrjeve një-personëshe pa punonjës. Kur prodhuesit nuk gjejnë dot një inxhinier dhe bankat kërkojnë me muaj një analist rreziku, prodhimi industrial i ekspertëve virtualë ecën më shpejt se formimi i profesionistëve realë. Kjo shpesh nuk është sipërmarrje, por inxhinieri titujsh.
Ekonomia na jep dy lente për ta lexuar këtë gjë: Teoria e sinjalizimit e Michael Spence, laureat Nobel, shpjegon se kur cilësia e vërtetë nuk shihet lehtë, njerëzit përdorin sinjale për ta dëshmuar. Dhe “tregu i limonëve” i George Akerlof, gjithashtu Nobel: kur blerësi nuk dallon cilësinë, produktet e dobëta nxjerrin jashtë loje ato të mirat.
LinkedIn-i sot i ngjan këtij tregu. Një postim viral me tre këshilla për lidershipin, me grafik nga Canva dhe shpesh i shkruar nga ChatGPT, është sinjal i lirë, kosto zero. Një dekadë punë në zinxhirin e furnizimit apo një hulumtim tregu i mirëfilltë janë sinjale të shtrenjta, me vite kosto dhe dështime. Kur sinjalet e lira prodhohen masivisht, ato mbysin ato të shtrenjta dhe publiku humb busullën.
Kostoja është e trefishtë. Së pari, për individin. Harvard Business Review e quajti në 2023 “kurthi i dukshmërisë performative”: profesionistë të rinj investojnë më shumë orë duke folur për punën sesa duke bërë punën. Ndërtohen karriera të brishta, të varura nga algoritmi, jo nga aftësia. Së dyti, për kompanitë. Edelman Trust Barometer 2024 tregon se 62% e të anketuarve kanë humbur besim te drejtuesit e biznesit për shkak të retorikës boshe online. Rekrutimi bëhet më i kushtueshëm dhe më i zhurmshëm. Siç paralajmëron The Economist, kur punëson zhurmën dhe jo aftësinë, paguan dy herë.
Së treti, për shoqërinë. Po kalojmë nga ekonomia e dijes tek ekonomia e vëmendjes. Kur debati për politikën fiskale, produktivitetin apo rregullimin e teknologjisë dominohet nga statuse 150-fjalëshe, cilësia e vendimmarrjes bie. Dallimi mes ekonomistit që ka lexuar raportin e plotë të FMN-së dhe “ekspertit” që ka lexuar vetëm titullin bëhet i padukshëm, por me kosto reale.
Zgjidhja nuk është të ”demonizojmë” markën personale. Të jesh i dukshëm nuk është mëkat; të jesh i paditur mbi atë që po shkruan po. Dallimi kyç, siç argumenton Financial Times, është mes markës dhe reputacionit: marka është ajo që thua ti për veten, reputacioni është ajo që thonë të tjerët për ty kur nuk je në dhomë. E para ndërtohet me postime, e dyta me punë.
Profesionalizmi i vërtetë nuk ka nevojë për superlativa. Kërkon gjurmë të verifikueshme: projekte të dokumentuara, të dhëna të cituara saktë, dështime të pranuara dhe kurajën për të thënë “nuk e di”. Ironikisht, ekspertët më me ndikim, nga nobelistja Esther Duflo te Warren Buffett, janë më të rezervuarit në vetë-promovim.
LinkedIn mbetet mjet i jashtëzakonshëm, sidomos për një ekonomi të vogël e të hapur si e jona. Por si çdo gjë në jetë, edhe ”monedha e besimit” zhvlerësohet kur shtypet pa kriter. Në një vend që ka nevojë urgjente për kompetencë reale e jo famë të përkohshme, ky është luks që nuk mund ta përballojmë.