
“Little Albania” është përfshirë në hartën zyrtare të enklavave të emigrantëve në New York, të publikuar nga Bashkia e qytetit. Zona në Bronx renditet mes lagjeve që përfaqësojnë komunitete të ndryshme etnike, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në historinë dhe identitetin kulturor të metropolit amerikan.
Harta identifikon 30 zona në pesë bashkitë e New York-ut, të njohura për përqendrimin historik të komuniteteve emigrante. Mes tyre është edhe “Little Albania”, ku prej dekadash jeton dhe zhvillon aktivitetin një nga komunitetet më të mëdha shqiptare në qytet.
Publikimi i hartës ka nxitur reagime, pasi në të nuk është përfshirë “Little Italy”, një nga lagjet më të njohura historike të emigracionit italian në Shtetet e Bashkuara. Përfaqësues të komunitetit italo-amerikan dhe drejtues institucionesh kulturore e kanë cilësuar këtë si një gabim serioz, duke argumentuar se kontributi i emigrantëve italianë në zhvillimin e New York-ut nuk mund të lihet jashtë një harte që synon të pasqyrojë historinë e komuniteteve emigrante.
Pavarësisht polemikave, “Little Albania” mbetet pjesë e hartës zyrtare, krah enklavave të tjera si Koreatown, Chinatown, Little Ukraine, Little Guyana, Little Pakistan dhe Little Yemen.
Bashkia e New York-ut ka sqaruar se qëllimi i kësaj harte është të dokumentojë lagjet që janë formuar dhe identifikuar ndër vite nga komunitete të ndryshme emigrantësh.