Hamza: Arsimi dhe rinia në qendër të programit të PDK-së
04 qershor 2026| 11:53
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një konferencë për medie ka thënë se kanë hyrë në tri ditët e fundit të fushatës zgjedhore, duke falënderuar qytetarët për pritjet gjatë takimeve në të gjithë vendin.
Ai ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në takimin përmbyllës të së shtunës, duke theksuar se “Kosova do të ndryshojë”.
Hamza ka theksuar se, sipas tij, një qeveri e udhëhequr nga PDK do ta trajtojë arsimin si prioritet, duke vendosur në qendër rininë e Kosovës dhe zhvillimin e saj profesional.
“Të dashur qytetarë, zyrtarisht kemi hyrë në tri ditët e fundit të fushatës zgjedhore. Dua t’i falënderoj çdo qytetar që na ka pritur anë e mbanë vendit. Andaj dua t’i ftoj të gjithë qytetarët në takimin përmbyllës të shtunën. Kosova do të ndryshojë, do ta ndryshojmë ne”, ka thënë Hamza.
Ai ka premtuar investime në digjitalizimin e sistemit arsimor, pajisjen e nxënësve dhe mësimdhënësve me teknologji moderne, si dhe zhvillimin e aftësive digjitale që në moshë të hershme. Po ashtu, ka thënë se arsimi profesional do të lidhet më ngushtë me tregun e punës.
“Qeveria e udhëhequr nga PDK do ta trajtojë arsimin si prioritet… Në qendër të vizionit është rinia e Kosovës, potenciali më i madh që ka vendi ynë. Detyra jonë është t’u japim atyre mundësi ta ndërtojnë karrierën e tyre. Do të investojmë në digjitalizimin e sistemit arsimor. Nxënësit dhe mësimdhënësit do të pajisen me teknologji moderne dhe do të mësohen aftësitë digjitale që nga mosha e hershme. Arsimi profesional do të jetë i lidhur me tregun e punës”, ka thënë Hamza.