Kërcënoi 10 mijë qytetarë, Altin Goxhaj çon në SPAK Skënder Hitën
Shkruar nga: I Cani
Avokati Altin Goxhaj ka njoftuar se do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe përndjekje të paligjshme të qytetarëve.
Në një njoftim publik, Goxhaj pretendon se veprimet e Policisë pas identifikimit të mijëra llogarive në rrjetet sociale, të cilat kishin publikuar vlerësime negative ndaj bizneseve, nuk mbështeten në një bazë të qartë ligjore dhe cenojnë lirinë e shprehjes.
Sipas draft-kallëzimit, Hita ka deklaruar publikisht se Policia kishte identifikuar mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale dhe kishte ngritur një grup hetimor për verifikimin e aktivitetit të tyre. Goxhaj ngre pikëpyetje mbi bazën ligjore të këtij procesi, duke theksuar se nuk është bërë publik asnjë procedim penal, as dispozita konkrete e Kodit Penal mbi të cilën mbështeten këto veprime.
Në kallëzim argumentohet se identifikimi dhe analizimi masiv i përdoruesve të rrjeteve sociale mund të jetë kryer pa ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm për një vepër penale konkrete, çka sipas tij përbën tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Shtetit.
Avokati kërkon që SPAK të verifikojë gjithashtu nëse gjatë këtij procesi janë mbledhur dhe përpunuar të dhëna personale pa autorizimin e nevojshëm ligjor, si dhe nëse janë përdorur mjete teknike apo kërkesa ndaj platformave digjitale në kundërshtim me procedurat.
Një tjetër argument i paraqitur në kallëzim lidhet me nenin 143/b të Kodit Penal për mashtrimin kompjuterik. Goxhaj i referohet një materiali shpjegues të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, ku thuhet se kjo dispozitë lidhet me mashtrimet financiare dhe ndërhyrjet në sisteme informatike, duke pretenduar se publikimi i "review"-ve negative apo thirrjet për bojkot nuk përfshihen në këtë kategori.
Sipas tij, paralajmërimet publike të Policisë ndaj personave që kanë publikuar vlerësime negative mund të kenë krijuar një efekt frikësues ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e protestës dhe lirinë e shprehjes.
Në përfundim të kallëzimit, Goxhaj i kërkon SPAK regjistrimin e procedimit penal, sekuestrimin e dokumentacionit që lidhet me verifikimet e Policisë, administrimin e deklaratave publike të Drejtorit të Policisë dhe verifikimin nëse veprimet e ndërmarra kanë qenë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.