• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Psikologjia e turmës, kur emocioni kolektiv sfidon arsyen

Onyx

Unpredictable
Staff member
Anëtar
Mar 27, 2016
Postime
9,764
Pikët
113
-800-0-1742980103xdemaliaj-658.png

Ilir Demalia

Historia e njerëzimit është edhe historia e turmave. Asnjë ndryshim i madh politik apo shoqëror nuk ka ndodhur pa to. Turmat kanë rrëzuar tirani, kanë mbrojtur lirinë, por kanë ndezur edhe luftëra, revolucione të përgjakshme dhe spastrimet më të errëta të historisë. Paradoksi është se turma nuk është as e mirë dhe as e keqe në vetvete. Ajo është një forcë. Drejtimi që merr varet nga ndërgjegjja që e udhëheq.

Gustave Le Bon, në veprën e tij mbi psikologjinë e turmave, argumentonte se individi, sapo bëhet pjesë e një mase, humbet një pjesë të identitetit kritik. Ai nuk mendon më si “unë”, por si “ne”. Në atë çast, emocionet përhapen më shpejt se argumentet dhe pasioni fiton terren ndaj arsyes. Turma nuk arsyeton; ajo reagon.

Edhe Friedrich Schiller e përshkruan këtë dukuri me një fjali që mbetet aktuale:

“Turma e konverton individin nga një qenie të vetëdijshme dhe të arsyeshme në një qenie të trashë; për budallallëkun e secilës, edhe vetë perënditë debatojnë kot së koti.”

Ky nuk është një sulm ndaj popullit, por një paralajmërim se mendja kritike është e brishtë kur përballet me emocionin kolektiv.

Edhe José Ortega y Gasset, në analizën e tij mbi njeriun-masë, vëren se rreziku nuk lind nga fakti që njerëzit bashkohen, por kur masa fillon të besojë se numri i saj e zëvendëson të vërtetën. Demokracia jeton nga shumica, por e vërteta nuk përcaktohet me numërim duarsh. Historia është plot me shumica që kanë gabuar.

Hannah Arendt shkon edhe më tej. Ajo argumenton se shkatërrimi i hapësirës së mendimit kritik krijon kushtet që njerëzit të ndjekin verbërisht narrativat dominuese. Për Arendt-in, rreziku më i madh nuk është zemërimi i turmës, por dorëzimi i gjykimit individual.

Në këtë prizëm filozofik mund të shihet edhe protesta “Flamingo” në Tiranë. Si çdo protestë, ajo përfaqëson ushtrimin e një të drejte themelore demokratike. Pakënaqësia qytetare është pjesë e shëndetit të një demokracie. Por analiza filozofike nuk ndalet te e drejta për të protestuar. Ajo pyet: si kanalizohet ajo energji dhe çfarë synimi ka?

Kur zemërimi qytetar mbështetet mbi fakte, mbi kërkesa të qarta dhe mbi përgjegjësi publike, ai mund të bëhet motor ndryshimi. Por kur zemërimi ushqehet nga manipulimi, nga dezinformimi ose nga logjika e hakmarrjes, ai mund të shndërrohet në forcë shkatërruese. Historia na kujton se shumë popuj nuk janë rrënuar vetëm nga tiranët, por edhe nga momentet kur emocionet kolektive kanë zëvendësuar arsyen.

Këtu qëndron dallimi mes revolucionit moral dhe shpërthimit emocional. Revolucioni moral ndërton institucione. Shpërthimi emocional rrëzon gjithçka pa ditur çfarë do të ndërtojë më pas.

Friedrich Nietzsche shkruante se ai që lufton përbindëshat duhet të ketë kujdes të mos bëhet vetë një i tillë. Kjo është ndoshta sentenca më e vlefshme për çdo turmë: në përpjekjen për të luftuar padrejtësinë, të mos përvetësojë metodat e saj.

Prandaj, forca e një proteste nuk matet me zërin e thirrjeve, me numrin e pjesëmarrësve apo me intensitetin e zemërimit. Ajo matet me aftësinë për të ruajtur arsyen edhe në kulmin e emocionit.

Një qytetar që mendon kritikisht është më i vlefshëm për demokracinë sesa një mijë njerëz që ndjekin verbërisht njëri-tjetrin. Demokracia nuk ka nevojë për turma që besojnë gjithçka; ajo ka nevojë për individë që pyesin, analizojnë dhe mbajnë përgjegjësi.

Sepse, në fund të fundit, historia nuk i gjykon turmat nga zemërimi me të cilin u ngritën, por nga ajo që lanë pas: më shumë liri apo më shumë rrënoja.
 
Une do isha me shume per histori prijesish sesa turmash.

Mgjate qe ne lindje njeriu kuptohet nese eshte prijes apo thjesht turme. Fatkeqsia me e madhe eshte te jesh turme, do te thote ske arsye logjike dhe objektiv tendin por te atyre qe te prijne, thjesht je vegel ne perdorim te tyre.
 
Shume dakort … Dhe nje nga arsyet kryesore qe ju rri larg edhe “ turmave “ … sidomos k’saj turnes se glasave te Flamingove . Lol

Turme tum me ere … dhe pa pike sensi dhe llogjike .
 
Last edited:
Une do isha me shume per histori prijesish sesa turmash.

Mgjate qe ne lindje njeriu kuptohet nese eshte prijes apo thjesht turme. Fatkeqsia me e madhe eshte te jesh turme, do te thote ske arsye logjike dhe objektiv tendin por te atyre qe te prijne, thjesht je vegel ne perdorim te tyre.
Ndoshta nuk e kam kuptuar mirë temën dhe për rrjedhojë ka mundësi që përgjigja të dalë jashtë kontekstit.
Pergjithsisht/tradicionalisht shqiptarët janë të prirur të zgjedhin dhe të udhëhiqen e të glorifikojne Un-in, Individin, Leader-in, Kryetarin, Prijësin etj..dhe jo kolegjialitetin (bashkësinë), grupime intelektualësh, Stafin, etj.
Un-it i dedikohen këngë e valle, glorifikohet, nuk i diskutohet kurrë fjala apo mendimi, i shkohet mbrapa për ta mbështetur edhe qorrazi pa ngritur pyetje, diskutime apo aq më shumë dyshime në punën e tij.
Nga kjo bazë tradicionaliste, janë prodhuar glorifikime të egzagjeruara, jo proporcionale apo racionale, janë thurur këngë e valle e legjenda urbane.
Sot kemi këngë për Sali Berishën, Ilir Metën, Edi Rama, Tom Doshi, Benet Beci, Hashim Thaçi, Albin Kurti etj etj / edhe pse janë të gjithë kandidatë potencialë për në Reç të Shkodrës.
I bëjmë thirrje me afsh patriotik z. Marin Mema që të bëhet President i RSH dhe të marrë në dorë fatet e vendit sepse si gazetar bën shumë mirë punën e tij, paçka se ai gjynofqari sja ka haberin fare nga Politika dhe as që dëshiron të merret me të.
Jo më pak lavde personale dhe thirrje patriotike i dedikohen znj. Elena Kocaqi që si pseudo historiane (më shumë pseudo sesa historiane) flet mirë për Shqipërinë dhe mbledhim firmat për ta kandiduar Presidente të Republikës, pavarësisht se arsimi i saj është i papërshtatshëm ose i cunguar për të zhvilluar atë rol.
Sot në botën e civilizuar, nga pikëpamja historike dhe e emancipimit shoqëror, koncepti i Un-it është i superuar me kohë sepse nuk ofron gjithnjë zgjidhje të gjithëpranueshme në rrafsh traversal (të gjerë dhe që prek të gjithë shtresat në mënyrë horizontale), është zgjidhje që koeficientin e degradimit në autoritarizem apo më keq akoma në diktaturë - e ka shumë të lartë.
Pikërisht, per të evituar kto probleme, vendet e progresiste kanë shpikur mekanizma të tjerë dhe shumë efikase që reduktojnë rolin e Un-it, i limitizojne pushtetin dhe vendimmarrjes dhe sidomos më kryesore janë që e kontrollojnë apo e shkarkojnë.
Kush janë mekanizmat?
Qysh në kohët e Antikitetit, Roma Imperiale kishte shpikur Senatin ku dabatohej dhe vendosej për gjithçka,
Francezët i mëshonin fort Asamblesë Republikane, Anglezët kishin ndërtuar Dhomën e Lordeve, Amerikanët kostituan Kongreßin për të limituar kompetencat e Presidentit të USA, dikush tjetër Parlamentin e kshu me radhë.
Është evidente që gjërat funksiononin më mirë dhe në mënyrë harmoniose dhe pa ngjallur tensione të mëdha sociale apo katastrofa për vendin.
Po shqiptarët?
Shqiptarët shumë më pak e zgjodhën ktë rrugë....
- Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti që ishte njeri i ditur dhe vërtet Leader dhe jo Un-i, sapo u kthye në Arbëri, organizoi (dhe i dha peshë të madhe) - Bashkimin e Princave Arbërore pra Besëlidhja e Lezhës që ka hyrë në Histori.
Ishte kjo Lidhje që bashkoi forcat për të mbrojtur vendin dhe dha shumë fryte.
Pas vdekjes së GJ.K nuk u organizuam kurrë më dhe nuk prodhuam më asgjë për 400 vjet dhe Perandoria Osmane u shtrua këmbëkryq në sofrën shqiptare.
- Në Qershor të 1878 u zgjuam dhe kuptuam që të bashkuar bëjmë më shumë dhe më mirë, kuptuam që Un-i prodhon vetëm një ide/zgjidhje (atë të tijën) ndërsa kur jemi shumë dhe pa Un-a, prodhohen më shumë ide dhe zgjidhje, dhe si rrjedhojë e ktij vetendergjegjsimi organizuam eventin më të madh në Historinë Shqiptare:
LIDHJEN e PRIZRENIT.
(ndjesë për egzaltimin dhe superlativat por unë e konsideroj Lidhjen e Prizrenit si eventi më i madh shqiptar, sepse ishte e para herë pas 400 vjetësh që shqiptarët u ndergjegjsuan për identitetin e tyre shqiptar dhe për kufijtë e trojeve të tyre, duke kundërshtuar jo vetëm planet e Fuqive të Mëdha të asaj kohe por kërkonin edhe pavarësinë nga P. Osmane pra nuk e konsideronin më veten turceli)
LIDHJA e PRIZRENIT i dha hov Rilindjes Kombëtare, shqiptarizmes, Identität Kombëtar dhe Territorial, dhe e cilësoi shqiptarët si Faktor Kyç në çështjet Ballkanike.
Pas atij eventi që kishte vlera të mëdha për situatën e asaj kohe, nuk prodhuam dot më kurrë evente të asaj madhështie edhe pse historia na perballi me sfida të tjera të reja.
Arritëm vetëm të prodhonim një Leader që organizoi dhe luftoi për Pavarësinë e Shqipërisë (Ismail Qemali) dhe më pas prodhuam vetëm Mbretër, Fise Klanore me bazë Krahinore, Bajraktar e Individ me influencë krahinore (jo patriotë në nivel kombëtar), Diktatorë e Uzurpator të Shtetit Shqiptar, pseudo demokratë, rrufjane pushtetesh e kolltukësh, leader partishë por që nuk u bënë kurrë leader vendi, prodhuam pa hesap Un-a që i hiqen kombit si "Pishtare të Demokracisë" paçka se me atë pishtar i vunë zjarrin Shqipërisë në 1997, apo "leader të Shqipërisë Evropiane" paçka se i vodhën Shqipërisë Gjirin e Lalzit dhe minierat e kromit, i futën duart në xhep shqiptarëve duke i vjedhur haptazi dhe i shënonin në bllok paratë e vjedhura.
Prodhuam gjoja "lider" progresiste por që kanabizuan vendin, larguan shqiptarët, i vunë kazmën shëndetësisë dhe meqenëse nuk arritën ta fusin Shqipërinë në UE sipas premtimeve, vendosen të sjellin "Perëndimorët" në Shqipëri duke i shitur asete kombëtare dhe copa trojesh shqiptare për 1 €uro. Për ta është njësoj, nëse neve nuk shkojmë dot Perëndim - le të vijë Perëndimi tek ne! (??!!)
 
Problemi kryesor i këtij artikulli është se përdor filozofë dhe teori serioze, por i lexon në mënyrë selektive për të prodhuar një përfundim të paracaktuar: që rreziku kryesor në politikë është turma, jo pushteti që e prodhon revoltën.


Po të marrim vetë Gustave Le Bon, të cilit autori i referohet aq shumë, ai nuk thoshte thjesht se turma është iracionale dhe destruktive. Në analizën e tij mbi trazirat dhe revolucionet në France, Le Bon vëren një fenomen tjetër që këtu është anashkaluar krejtësisht: të njëjtët njerëz që si turmë shkatërrojnë rendin e vjetër, pasi revolucioni konsolidohet, rikthehen në jetën normale, hyjnë në administratë, ndërtojnë institucione dhe krijojnë një rend të ri shoqëror. Kokëprerësit e deridjeshëm që kishin për hobi gilotinat, tashmë u veshën me kravata dhe jeta vazhdoi normal, por nuk ekzistonte më aristokracia parazitore.


Me fjalë të tjera: turma revolucionare nuk është domosdoshmërisht një forcë kaotike që lë vetëm rrënoja. Shpesh ajo është faza e dhimbshme e lindjes së një sistemi të ri.


Nëse ndjekim logjikën e këtij postimi deri në fund, atëherë edhe Revolucioni francez do të duhej parë kryesisht si katastrofë emocionale. Po çfarë ndodhi realisht? Pas viteve të terrorit dhe kaosit, Franca doli si një shtet krejt tjetër: u shemb rendi feudal, u konsolidua shteti modern, u hap rruga për kapitalizmin industrial, qytetarinë moderne dhe modelin republikan që ndikoi gjithë botën perëndimore.


Pra vetë historia franceze rrëzon idenë se “emocioni kolektiv” është automatikisht regres.


Po ashtu, ka një problem më të thellë filozofik në tekst: ai romantizon individin racional dhe demonizon veprimin kolektiv. Sikur individi i izoluar të jetë gjithmonë më i kthjellët se grupi.


Por historia tregon të kundërtën. Shumë nga padrejtësitë më të mëdha nuk janë prodhuar nga turma spontane, por nga burokraci jashtëzakonisht “racionale”: aparate shtetërore, teknokratë, elita administrative që kanë organizuar kolonializëm, fashizëm, segregacion dhe luftëra industriale.


Edhe pohimi se “e vërteta nuk përcaktohet me numërim duarsh” tingëllon bukur, por shpesh përdoret si argument për të delegjitimuar vullnetin popullor kur ai nuk u pëlqen elitave politike apo intelektuale.


Nëse do ta aplikonim këtë logjikë në histori, atëherë rrëzimi i komunizmit në Europën Lindore do të duhej parë me dyshim vetëm sepse ishin lëvizje masive emocionale.


Por shpesh pikërisht zemërimi kolektiv ka qenë mekanizmi i vetëm për të korrigjuar padrejtësi sistemike që institucionet “racionale” refuzonin t’i zgjidhnin.


Problemi nuk është turma por fakti se elitat kanë frikë nga momenti kur populli organizohet jashtë kontrollit të tyre, dhe prandaj historikisht është krijuar një traditë intelektuale që e paraqet mobilizimin popullor si diçka të dyshimtë, primitive dhe potencialisht destruktive.


Sepse ndonjëherë ajo që quhet “turmë iracionale” nuk është gjë tjetër veçse një popull që refuzon të pranojë më rendin ekzistues.


Dhe ironia më e madhe është kjo: po të mos kishin ekzistuar këto turma që fillimisht shkatërrojnë, shumë nga shtetet moderne që sot admirojmë — përfshirë vetë Francën moderne — nuk do të ekzistonin fare.


Historia nuk ecën vetëm falë individëve që mendojnë qetë në bibliotekë.


Shpesh ajo ecën sepse masa vendos se rendi i vjetër duhet të marrë fund.
 
Last edited:
Back
Top