FORUM23 QERSHOR 2026, 15:16
Ata që e njohin Dritan Goxhajn, njohin edhe historinë e tij të vërtetë
Shkruar nga Ilir Kulla
Ata që e njohin Dritan Goxhajn, njohin edhe historinë e tij të
Dritan Goxhaj & Edi Rama
Unë ja njoh mirë mendjen ai s’ka frikë asnjë lloj, pushteti, asnjë lloj kërcënimi, banda e banditet jo e jo të çdo lloji e me sa lekë të duan, s’ka miliarder ta kërcënojë se është lloji i robit që si do lekët dhe lluksin, si asket që është shko rri i vetëm në mal...
Një shpjegim i detyruar për Dritan Goxhaj-n. Do ta nis nga njohja me Tanin. Gjatë luftës së Kosovës dikur nga marsi i 1999 më takoi të takohesha me Sabitin (Gecin), i cili përtej emrit që kishte si bashkëvendas dhe bashkëluftëtar i Adem Jasharit kishte dhe emrin e një njeriu të ashpër që sidomos një pjesë e atyre afër LDK-së e kishin shumë frikë, me të drejtë ndoshta. Sabiti kishte qenë me paterica se ishte i plagosur dhe unë mendova se do kishte disa njerëz që do e shoqëronin, në fakt ishte vetëm një djalë i ri, i vogël, i hollë që e shoqëronte; ai ishte ky Dritani i sotshëm.
Në atë moment nuk e njoha, vetëm se kuptova që ishte nga Shqipëria. Disa ditë më vonë po flisja me Rramush Tahirin (i ndjeri), ish Zv. Kryeministrin e Kosovës, i cili më kujtoi që Dritani ishte ai piloti ushtarak i vogël që bashkë me pilotin tjetër, të ndjerin Sallaku, na kishte transportuar në spitalin ushtarak (zv. drejtor ishte Presidenti i sotshëm Begaj) në Tiranë kur ishte plagosur gazetari francez dhe sheshin ku do ulej helikopteri e kishte hapur dhe garantuar me kallash në dorë i ndjeri Fatmir Haklaj së bashku me Feriz Kernajën. Më vonë u informova dhe mora vesh që Tan, piloti ushtarak, ishte djali i njërit nga pedagogët tanë në shkollën ushtarake, Dilaver Goxhajt, i cili kishte shkuar në Kosovë dhe ishte bërë zëvendësi i Shefit të Shtabit Bislim Zyrapi dhe bashkë me të kishin shkuar dhe disa oficerë të tjerë. Dritani kur kishte lënë aviacionin ushtarak dhe kishte shkuar në UÇK kishte marrë me vete dhe 3 oficerë të rinj, shokë të vet, dhe pilotë ushtarakë; mosha bën të vetën, ishin të rinj, lufta e kishte çuar adrenalinën patriotike në maksimum kudo që kishte shqiptarë.
Përfundon lufta. Qeveria e Përkohshme vendoset në Prishtinë. Azem Syla, komandanti i Përgjithshëm i UÇK-së, bëhet Ministër i Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme me Kryeministër Hashim Thaçin. Daja (Azemi), ministri nga Drenica, kishte marrë këshilltarë 2 ushtarakë nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj-n dhe Spiro Butkën, që kishin qenë në UÇK. Për këtë arsye familja e vogël e Dilaverit, bashkëshortja ushtarake edhe ajo dhe motra Rezi, studente IT, vendosen në Prishtinë. Ritakohem disa herë me Dritanin dhe disa nga shokët e tij të UÇK-së nga Kosova dhe Shqipëria për biseda të lira politike, po asgjë më shumë. Fillon lufta në Preshevë, unë punoja për agjencinë ANSA në Kosovë dhe shef kisha Carlo Bollino-n, i cili më thotë: duhet s’e bën të shkojmë e të bëjmë një reportazh në luftën e UÇPMB-së. Po, i thashë, u lidha me dikë që më tha që 2 nga komandantët i njihja mirë, Tan Goxhaj-n dhe Agron Haradinaj-n, ndjesë pastë vëllain e Nasimit. Epo, thashë, si rrihet këtij, do ta vrasin andej, thashë, djalë i vetëm.
Nejse, nisemi me Carlon, kalojmë kufirin, ku ushtarët amerikanë ulërisnin: ku po shkoni, kush jeni etj., etj... Diku na ndalon një njësi e UÇPMB-së; ishte Dritan Zheqi, shoku i Tan Goxhajt, i cili ishte pak më andej, dhe Agroni, të cilët më njohën dhe ia bënë me dorë: lëri të largohen, pasi më njihnin mirë. Me të drejtë Dritani kishte inat me Shqipërinë në atë kohë pasi qeveria shqiptare me Metën kryeministër dhe Hajdaragën ministër i kishin përzënë nga ushtria oficerët shqiptarë sepse kishin braktisur ushtrinë dhe kishin shkuar në UÇK. Mbaron lufta në Preshevë dhe Qeveria e Përkohshme në Kosovë ishte tërhequr; tashmë ishte qeveria e UNMIK dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë në shtëpinë e tyre në rrugën Bardhyl, ish-ushtarakë të papunë. Dritani rrinte në Prishtinë dhe një ditë të bukur kthehet në Tiranë dhe del lajmi se policia e Tiranës kishte arrestuar një terrorist nga Kosova. Bollino dhe Çani më thonë mua në redaksi: shko ti dhe Artan Hoxha se ti njeh Kosovën e Tani policinë, Tropojën; ç’të shoh te Drejtoria e Tiranës, “terroristi” ishte Tani.
Sokol Bizhga e kishte ndaluar se "letrat" ia kishte bërë Sokol Bare, ish zv. drejtor i SHISH në atë kohë, ish oficer policie dhe ai. Unë që i njihja intrigat e Kosovës thashë do jetë përzier në ndonjë konflikt të brendshëm post-UÇK në Kosovë (se në atë kohë kishte shumë) dhe i paskan bërë ndonjë intrigë. Policia manipulon median e Tiranës dhe të nesërmen Tani ishte në burg dhe "terrorist" i rrezikshëm në atë kohë, i lidhur me Al Kaedën se Irani s'ishte në modë. Policia jonë kishte thirrur madje dhe oficerët e ambasadës USA për t'u treguar trofeun terrorist, ata e panë, e njohin, qeshin, largohen duke u thënë që ky mund të ketë lidhje me gjithçka por jo me terrorizmin. Takoj babain e vet Dilaverin për 1 kafe. I mërzitur më thotë: këtu, thotë, këta të Berishës na persekutuan si me qenë serbë se ne jemi nga jugu e ju socialistët, më tha, na persekutoni se ne jemi lebër se jeni lidhur me grekët, helbete Kryetar ishte Fatos Nano dhe Kryeministër një më malësor jugu se Dilaveri që ishte nga Golemi i Gjirokastrës, Ilir Meta nga maja e Çepanit në Skrapar.
Nejse, një vit më vonë Tani që ishte arrestuar me shumë bujë lirohet pa bujë fare. I kishin rënë të gjitha akuzat dhe si t'ia bënin e dënojnë se kishte braktisur ushtrinë si Oficer i aviacionit dhe kishte shkuar në UÇK. Natyrisht i mërzitur, në 2002 bashkë me familjen shkojnë në Prishtinë ku disa ish-bashkëluftëtarë i ndihmojnë ekonomikisht me shtëpi e punë e mbijetojnë. Rezarta mbaron studimet në Prishtinë.
Në 2005 ne socialistët kishim dalë në Opozitë dhe familja Goxhaj ishte kthyer në Tiranë. Tani bashkë me ta, si njeri asket me pak pretendime, hante bukë njëherë në ditë, me shumë pak shokë, dilte pak dhe një ndër ata që e merrte më shumë të dilte isha unë dhe rrinte me mua kur kisha kohë. Më thotë: më ndihmon dot se jemi të gjithë pa punë, motra ka mbaruar shkëlqyeshëm inxhinierinë dhe nuk ma marrin në punë. E marr në vete, shkoj te zyra e Lulzim Bashës dhe i them vajza e kujt ishte Rezarta nga Gjirokastra dhe Luli më thotë: urgjent na duhen njerëz të rinj të përgatitur aq më shumë që është vajza e Dilaverit. Lulzim Basha në atë kohë Ministër i Infrastrukturës kishte ardhur nga Kosova, e di, më tha, që janë nga jugu, familje socialistësh, por janë patriotë. Tani me PD në pushtet të shkretët u bënë dhe socialistë.
2 vjet më vonë i shkoj në dasëm motrës Rezit në Pezë Helmës dhe takoj dhe nënën e Dritanit e cila më thotë: o Ilir, më kanë ngelur dhe pak vite për pension dhe unë jam inxhiniere ushtarake kimike, kam dëgjuar se po kërkojnë prapë kimiste në ushtri, ti meqë je Këshilltar i Sigurisë Kombëtare a mund t'i thuash Gjeneralit Lad Qiriazi. I them Gjeneralit dhe me kënaqësi e merr në punë aq më shumë që e njihte zonjën. Tashmë me 2 veta në punë e pak të sistemuar familja ishte si më mirë. Jeta ishte modeste në periferi të Tiranës por si çdo familje ish-ushtarakësh ia dilnin.
Një vit më vonë Dritani mundohet të emigrojë në Holandë rreth 1 vit, 4 gjuhë të huaja dhe me eksperiencë ndoshta rregullohej. Nuk zgjat shumë se nuk i prin fati sepse Dilaveri, babai, sëmuret dhe ka nevojë për 4 bypass-e. Djali i vetëm kthehet të rrijë me familjen dhe prindërit. Ndërkohë unë me hallet dhe punët e mia kisha krijuar familje dhe shiheshim dhe shihemi shumë rrallë por do t'i shkoja për ndihmë Dritanit dhe shkojmë ta vizitojmë në spital. Mbaj mend që kam shkuar, më duket, me Prefektin e sotshëm, ish Prokurorin e atëhershëm, mikun tim Shkëlqim Hajdari. E shoh Dilaverin, ishte keq po do ia hidhte, kishin ardhur dhe disa njerëz nga Kosova ta vizitonin. Pijmë një kafe me Dritanin i cili më thotë: s'kam ç'të bëj tani, s'shkoj dot më askund, duhet të rrij se prindërit po bëhen të moshuar.
U përpoqa t'i gjej një punë te Casa Italia si përgjegjës Sigurie ku vazhdoi ca kohë dhe pastaj u largua. Punoi ca kohë si shef sigurie tek Belle Air dhe pastaj Denion Ndrenika, gazetari ortodoks, mik i Dritanit nga Kosova e merr të punojë te Siguria e Aviacionit Civil. Dritani me karakterin e vështirë që kishte se nuk i firmoste disa procedura aspak transparente, Drejtorit të madh partia, këtë radhë LSI, vendos ta largojë. Listat i kishte bërë Elona Guri, sekretare e rëndësishme në Parti pasi Drejtoria i përkiste LSI-së, kishin vendosur ta hiqnin. I shkoj Elona Gurit dhe i them: njeriun më asket dhe më të pakorruptueshëm keni bërë ndërmend të hiqni, si s'ju vjen turp. Jo, më thotë Elona, më kanë thënë që janë familje socialistësh, t'ia gjejnë ata një vend pune. I thashë të kanë gënjyer, është thjesht një njeri fatkeq, pilot i mirëshkolluar, patriot e hallexhi. Nejse nuk ndryshoi. Pak më vonë menduan ekipi patronazhist ta nxirrte me LSI-në e ta hiqnin nga puna.
Ndërkohë kishte njohur një pedagoge e ishte martuar. Më merr një ditë në tel e më thotë duhet të të qeras se u bëra baba me djalë. Shkova e urova me kënaqësi. E pyes ç'u bë për punë. S'ka problem, gruaja është pedagoge, vetë bëj ca përkthime, një shtëpi me qera e kemi marrë, s'kemi lekë të marrim dado, pak më ndihmon mami, merrem me rritjen e djalit. M'u bë qejfi sinqerisht.
E takoj kur arrestohet Hashimi. Me Rexhën Jakupin e të tjerë ishte mërzitur shumë. Më tha: turp, ç'është kjo punë e tjerë. Unë si oportunist i them po shih punët e tua. Jo, më thotë, duhet t'i thuash Presidentit e të tjerëve të mbajnë qëndrime të forta. E shoh që kërkonte dokumenta, shkruante, jepte intervista kundër prokurorisë e Gjykatës dhe ditën kur dënohet Sali Mustafa, mik i Dritanit, i godet me emër dhe mbiemër disa nga dëshmitarët fallco të gjykatës nga Shqipëria dhe Kosova. E marr në tel dhe i them: o Tan, mos u merr me atë punë se gjykatë speciale në Kosovë e këtu po të marrin dhe po të këpusin në burg.
E ashtu ndodhi. Një ditë të nxehtë vere para 3 vitesh më merr miku im Prof. Ermir Gjinishi e më thotë: e morën në burg komandantin. Kë mor, i them. Tanin. Shkoj takoj prindërit e moshuar të mërzitur shumë, gruan me fëmijën e vogël, miq nga Kosova dhe Maqedonia që më merrnin në tel. Ç'të bëja, i shkoj Erion Veliajt në zyrë sepse nëna e tij ushtarake kishte punuar me babain e Dritanit në akademinë Skënderbej.
Erioni merr në tel Ulsiun, Ministrin e Drejtësisë. S'kam ç'bëj, thotë Ulsiu, Haga është sipër meje. Shkoj në gjyq, kishin ardhur 6 veta nga gjykata e Hagës dhe 1 nga ambasada amerikane për ta ekstraduar në Hagë se kishte thënë emrat e dëshmitarëve, jo se s'i dija dhe unë po thjesht s'ma mbante. Shyqyr që gjykata e apelit nuk e ekstradoi se do ishte akoma në burg.
Në këto kohë e kam parë që më bënte "konkurrencë" nëpër studio televizive si analist ushtarak sepse e vërteta është që punon shumë dhe është goxha i përgatitur, herë ia fut kot e herë jo po tek e fundit si të gjithë ne që dalim nëpër ekranet televizive dhe marrim dhe ndonjë honorar. E shoh para ca kohësh që ishte bërë hero TikToku se ç'nuk i kish thënë Fredi Belerit, i kishte thënë ti je agjent i SHISH. Mbrëmë teksa kthehesha nga Kosova më nis një mik në WhatsApp kërkesat e protestës me zërin dhe figurën e Dritanit.
Kur mbërrij në Tiranë shoh kundërpërgjigjen e Taulantit, shokut tim të vjetër socialist, që e përshkruante si agjent të Iranit. Në fakt me jetën e Dritanit kjo i mungonte se agjent të Izraelit i kishin thënë njëherë para 15 vitesh se shoqëronte një mikun tim ushtarak izraelit Nir Shaul, i mungonte vetëm kjo e Iranit, po mirë, e kuptueshme në këtë tollovi që është krijuar, gjithçka gjen vend e gjithçka mund të thuhet.
Tani kam një pyetje retorike: kush nga ju po të kishte patur një jetë si ajo e Dritanit, i shkolluar, jashtë, me 4 gjuhë të huaja dhe me kaq shumë halle, a do ishte sot në protestë apo jo?!
Sa për mua unë ia njoh mirë mendjen. Ai s'ka frikë asnjë lloj pushteti, asnjë lloj kërcënimi, banda e banditë jo e jo të çdo lloji e me sa lekë të duan, s'ka miliarder ta kërcënojë se është lloji i robit që s'i do lekët dhe luksin, si asket që është, shko rri i vetëm në mal. Kështu që duke i vënë një "akuzë" më shumë nuk e dobësoni, vetëm i forconi. Njerëz si Dritani merresh vesh më mirë se me të keqe, s'ia del dot kurrë, se nuk janë oportunistë intelektualë si UNË.