Policia zgjohet pas Ramës e Ballës: Goxhaj merret në pyetje për një video të 5 muajve më parë
Dritan Goxhaj është thirrur dhe është marrë në pyetje për më shumë se tre orë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, lidhur me deklarata të bëra prej tij në një emision televiziv rreth pesë muaj më parë.
TIRANË- Pas sulmeve të njëpasnjëshme online nga kryeministri Edi Rama, drejtues të Partisë Socialiste dhe figura të tjera pranë qeverisë, sot ka hyrë në veprim Policia e Shtetit. Dritan Goxhaj është thirrur dhe është marrë në pyetje për më shumë se tre orë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, lidhur me deklarata të bëra prej tij në një emision televiziv rreth pesë muaj më parë.
Rasti ngre një pyetje të rëndë për mënyrën se si funksionon policia dhe shteti: pse një deklaratë publike, e transmetuar në televizion prej pesë muajsh, bëhet papritur objekt hetimi pikërisht sot, pas një fushate të hapur sulmesh politike ndaj personit që e ka bërë atë?
Lajmi është konfirmuar për “MaShqip” nga Policia e Shtetit dhe nga vetë Dritan Goxhaj, i cili ka deklaruar se është thirrur për të dhënë shpjegime lidhur me një debat televiziv të zhvilluar muaj më parë. Sipas tij, policia është kujtuar sot për një deklaratë që ka qenë publike, e regjistruar dhe e aksesueshme për këdo që prej ditës kur është transmetuar.
Në atë emision, gjatë një debati mes të ftuarve, Goxhaj kishte deklaruar se ndryshimet politike, përveç protestës, historikisht janë bërë edhe “me plumb”, duke thënë se “çdo politikan që shet atdheun meriton një plumb, si akti i Avni Rustemit”. Një deklaratë e tillë mund dhe duhet të verifikohet nga organet kompetente, nëse dyshohet se përbën nxitje të dhunës. Por problemi nuk është vetëm përmbajtja e deklaratës. Problemi është koha, mënyra dhe urdhri politik që duket se e shoqëron reagimin e institucioneve.
Pikërisht këtë mëngjes, videoja e vjetër është shpërndarë publikisht nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Pak orë më vonë, Policia e Tiranës thërret Goxhajn dhe e mban për disa orë në pyetje. Kjo kronologji krijon përshtypjen se policia nuk po vepron nga një kallëzim i zakonshëm apo nga një verifikim i nisur në kohë, por po reagon ndaj sinjalit që vjen nga politika.
Dritan Goxhaj prej ditësh është kthyer në objekt sulmesh publike nga kryeministri Rama, ministra, drejtues institucionesh dhe zëra të shumtë pranë mazhorancës. Ai është etiketuar me akuza dhe cilësime të ndryshme, përfshirë pretendime për lidhje apo simpati pro-iraniane. Sulmet janë intensifikuar sidomos pasi Goxhaj lexoi publikisht kërkesat e protestuesve për dorëheqjen e qeverisë dhe për krijimin e një qeverie teknike tranzitore.
Në vend që institucionet të merren me kërkesat politike të qytetarëve, me protestën, me transparencën, me korrupsionin dhe me akuzat publike ndaj qeverisë, duket se përgjigjja po kalon përmes goditjes së emrave që dalin në krye të debatit. Jo me argument ndaj kërkesave, por me etiketim ndaj personave. Jo me përgjigje politike, por me presion institucional.
Në këtë klimë janë përfshirë edhe persona nga Kosova dhe figura që lidhen me debatet e vjetra të pasluftës, përfshirë përplasjet publike që kanë pasur lidhje me babain e Dritan Goxhajt, Dilaver Goxhaj. Këto debate mund të jenë të vjetra, të ashpra dhe të ngarkuara politikisht, por përdorimi i tyre sot për të ndërtuar një fushatë goditëse ndaj një individi ngre dyshime serioze se po kërkohet delegjitimimi i tij, jo sqarimi i një çështjeje ligjore.
Policia ka detyrimin të hetojë çdo deklaratë që mund të nxisë dhunë. Por ka po aq detyrim të tregojë se nuk është instrument i pushtetit dhe nuk zgjohet vetëm kur një video shpërndahet nga drejtuesit e mazhorancës. Nëse deklarata e Goxhajt ishte problem penal, pse nuk u veprua pesë muaj më parë? Pse nuk pati reagim kur emisioni u transmetua? Pse policia kujtohet pikërisht në ditën kur sulmet politike ndaj tij marrin hov?
Kur drejtësia dhe policia ecin me ritmin e postimeve të qeverisë, problemi nuk është vetëm një marrje në pyetje. Problemi është mesazhi që i dërgohet çdo qytetari: kush kundërshton, kush lexon kërkesat e protestës, kush sulmon qeverinë, mund të kthehet në objekt të një dosjeje të ringjallur në momentin më të përshtatshëm politikisht./Ma Shqip
P.s
Nuk është Shqipëria shtet fashist, thjeshtë e akuzojmë ne padrejtësisht!