ƧɘɿɒɈnA
ƧɘɿɒɈnA
- Anëtar
- Apr 3, 2020
- Postime
- 54,588
- Pikët
- 113
Foto: NurPhoto via Getty Images
Pas votimit në Parlamentin Europian të rezolutës për raportin e vitit 2025 të Komisionit Europian për Shqipërinë, dy narrativa të ndryshme u përhapën paralelisht.
Nga njëra anë, kryeministri Edi Rama publikoi një postim ku e paraqiti votimin si rrëzim të “shapit” të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Ai iu referua faktit që një amendament, i cili përmendte drejtpërdrejt marrëveshjen me Jared Kushner, Affinity Partners, projektin në Sazan dhe Vjosë-Nartë, SPAK-un dhe përplasjet me protestuesit, nuk u bë pjesë e rezolutës finale.
Nga ana tjetër, organizatat mjedisore dhe mbështetësit e “Revolucionit të Flamingove” shpërndanë lajmin si fitore, sepse rezoluta finale e Parlamentit Europian përfshiu shqetësime të drejtpërdrejta për Vjosë-Nartën, protestat paqësore, zonat e mbrojtura dhe kërkesën për moratorium mbi lejet, ndërtimet dhe ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura.
Për një qytetar që nuk e kupton gjuhën institucionale të Bashkimit Europian, pyetja është shumë e thjeshtë: si ka mundësi që të gjithë flasin për fitore?
Fillimisht, çfarë është amendamenti dhe çfarë është rezoluta?
Në Parlamentin Europian, kur hartohet një raport ose rezolutë, eurodeputetët dhe grupet politike mund të propozojnë ndryshime në tekst. Këto quhen amendamente. Një amendament mund të shtojë një paragraf të ri, të ndryshojë një fjali ekzistuese ose të heqë një pjesë të tekstit.
Rezoluta, ndërkohë, është dokumenti final që miratohet pas votimit. Pra, amendamentet janë propozime ndryshimi; rezoluta është teksti përfundimtar që mbetet pasi disa amendamente pranohen dhe disa të tjera rrëzohen.
Në këtë rast, kishte disa amendamente që lidheshin me Vjosë-Nartën, Sazanin, zonat e mbrojtura dhe protestat. Më të rëndësishmet ishin Amendamenti 4, Amendamenti 5 dhe Amendamenti 17.
Amendamenti që nuk kaloi: pse Rama e quan fitore
Amendamenti 4 ishte më politik dhe më i ashpër. Ai përmendte drejtpërdrejt Jared Kushner, kompaninë Affinity Partners, projektin luksoz në Sazan dhe Vjosë-Nartën, hetimin e SPAK dhe përplasjet me protestuesit. Ky amendament nuk u përfshi në tekstin final të rezolutës.
Kjo është pjesa ku Rama e sheh rezultatin si fitore. Sepse Parlamenti Europian nuk miratoi gjuhën më të rëndë politike, nuk përmendi Kushnerin, nuk përmendi Affinity Partners, nuk përmendi SPAK-un dhe nuk e ktheu rezolutën në një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj projektit.
Pse Parlamenti Europian shmangu emrat dhe akuzat konkrete
Vlen të shtohet se, ndryshe nga një gjykatë, një prokurori apo një organ hetimor, Parlamenti Europian nuk ka si funksion të përcaktojë përgjegjësi individuale, të verifikojë akuza konkrete për korrupsion apo të mbaj qëndrim mbi hetime që janë ende në zhvillim. Për këtë arsye, në raporte për vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE, eurodeputetët zakonisht shmangin formulime që mund të interpretohen si gjykime paraprake ndaj personave, kompanive apo procedurave hetimore.
Por Vjosë-Narta nuk u hoq nga rezoluta
Por kjo nuk do të thotë se Parlamenti Europian e injoroi Vjosë-Nartën. Përkundrazi.
Në tekstin final të rezolutës, Parlamenti Europian përfshiu paragrafë shumë të rëndësishëm për zonat e mbrojtura dhe Vjosë-Nartën.
Ligji, Vjosë-Narta dhe moratoriumi: çfarë tha realisht Parlamenti Europian
Së pari, rezoluta shpreh keqardhje për Ligjin për Investimet Strategjike, sepse ai mundëson procedura më të përshpejtuara lejesh dhe kontroll më të reduktuar mjedisor, me rrezik për zonat e mbrojtura dhe zonat e ndjeshme mjedisore.
Së dyti, Parlamenti Europian kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë ndërtimin e infrastrukturës së madhe turistike në zona të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe vendimmarrëse te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar mbikëqyrjen mjedisore.
Kjo pikë është shumë e rëndësishme, sepse protestat nuk lidhen vetëm me një projekt të caktuar, por me vetë kuadrin ligjor që hap rrugën për ndërtime turistike në zona të mbrojtura.
Së treti, Parlamenti Europian thekson se Komisioni Europian e ka paralajmëruar Shqipërinë për veprime që mund të ndikojnë në rrugën e saj drejt BE-së, në kontekstin e protestave për një projekt të madh turistik që kërcënon një zonë natyrore të mbrojtur ku ka flamingo, foka dhe vende folezimi të breshkave. Rezoluta rikujton se respektimi i direktivave europiane për shpendët dhe habitatet është kusht për anëtarësimin në BE.
Së katërti, rezoluta shpreh shqetësim serioz për zhvillimet në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. Parlamenti Europian thotë se këto zhvillime tregojnë pasojat konkrete të ndryshimeve ligjore dhe rreziqet për zona me rëndësi ekologjike. Ai thotë se po ndjek nga afër protestat paqësore dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë moratorium (ndërprerje e përkohshme e një veprimi) për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura.
Pse kjo është fitore për protestuesit
Thënë këto, rezoluta është shumë e rëndësishme për protestat që kanë hyrë në javën e tretë, sepse çështja e Vjosë-Nartës u fut në një dokument zyrtar të Parlamentit Europian, protestat u përmendën, u kërkua moratorium, u kërkua shfuqizimi i ndryshimeve problematike në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe çështja u lidh drejtpërdrejt me standardet europiane të mbrojtjes së natyrës dhe me Kapitullin 27 të negociatave me BE-në.
Atëherë?
Pra, më saktë: Rama konsideron fitore pjesën ku u shmang gjuha më e rëndë politike për Kushnerin, Affinity Partners, SPAK-un dhe akuzat specifike ndaj projektit. Por protestuesit dhe organizatat mjedisore fituan në pjesën ku Vjosë-Narta, protestat, moratoriumi, kritika ndaj ndryshimeve ligjore dhe standardet europiane të mbrojtjes së natyrës u bënë pjesë e rezolutës finale të Parlamentit Europian.
Me fjalë të tjera, Parlamenti Europian nuk tha: “projekti Kushner është korrupsion” dhe nuk e përfshiu atë formulim në rezolutë. Por Parlamenti Europian tha qartë se ndryshimet ligjore që lejojnë infrastrukturë të madhe turistike në zona të mbrojtura duhet të shfuqizohen; se zhvillimet në Vjosë-Nartë janë shqetësuese; se protestat po ndiqen nga afër; se lejet dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura duhet të ndalen përmes një moratoriumi; dhe se çdo projekt duhet të kalojë përmes vlerësimeve të plota mjedisore dhe konsultimit transparent me komunitetet, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Jo ligj, por sinjal politik i fortë
Rezolutat e Parlamentit Europian nuk kanë efekt detyrues ligjor. Kjo do të thotë se Parlamenti Europian nuk mund të ndalojë një projekt, të anulojë një ligj apo të detyrojë qeverinë shqiptare të marrë një vendim të caktuar. Megjithatë, rezolutat kanë peshë të konsiderueshme politike dhe institucionale, sidomos në kontekstin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ato shërbejnë si tregues i qartë i mënyrës se si institucionet europiane vlerësojnë zhvillime të caktuara dhe shpesh përdoren nga Komisioni Europian gjatë monitorimit të reformave dhe progresit të vendeve kandidate.
Për këtë arsye, edhe pse kërkesa për moratorium apo për shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura nuk krijon detyrim të menjëhershëm juridik për Shqipërinë, fakti që këto kërkesa janë përfshirë në një rezolutë të Parlamentit Europian i jep çështjes një peshë politike dhe europiane shumë më të madhe se më parë.