Guest viewing is limited
  • Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

REL: Ombrella amerikane fillon të mbyllet për Ballkanin

Llapi

V.I.P
Anëtar
Dec 22, 2011
Postime
27,528
Pikët
113
REL: Ombrella amerikane fillon të mbyllet për Ballkanin
Demokracia
13:40 | 14 Qershor 2026
DASH-600x360-1.jpg

Share:
Share
Tweet
Politika e re amerikane kërkon më shumë nga Ballkani Perëndimor dhe premton më pak nga vetja. Ajo zhvendos fokusin te bashkëpunimi ekonomik, dhe lë në plan të dytë rolin tradicional politik dhe të sigurisë.
Në një rajon me institucione të brishta dhe tensione të hapura, kjo qasje nuk është pa rrezik.
Bashkëpunëtorja e Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, Heather Conley, veçon Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën si vendet më të cenueshme – e para për shkak të strukturës së fragmentuar shtetërore dhe ndarjeve etnike, e dyta për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Serbinë dhe varësisë nga bashkësia ndërkombëtare për sigurinë.

Ajo thotë se zhvendosja drejt “pronësisë lokale”, pa lidership të qartë dhe pa strategji të detajuar, mund të thellojë bllokadat ekzistuese dhe të forcojë aktorët nacionalistë dhe të korruptuar, ndonëse e konsideron të nevojshme qasjen e re.
“Unë mendoj se zgjidhjet duhet të vijnë dhe të mbështeten nga vetë vendet, sepse kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Përpjekjet e forcave të jashtme transatlantike për të imponuar zgjidhje, nuk kanë pasur sukses, pavarësisht se janë provuar si mbi njërën, ashtu edhe mbi tjetrën palë. Kosova dhe Serbia, për shembull, i kanë shfrytëzuar marrëveshjet për të rritur nacionalizmin në të dyja anët”, thotë Conley për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Departamenti amerikan i Shtetit publikoi nga fundi i majit një raport të ri për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, në përgjigje të një kërkese të Kongresit amerikan.
Dokumenti thekson se epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka përfunduar dhe se angazhimi i SHBA-së do të fokusohet më shumë në stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë, sesa në ndërhyrje direkte për rindërtim apo “shpëtim” të rajonit.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë në detyrë të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës për koment mbi dokumentin amerikan, por nuk mori përgjigje nga asnjëri institucion.
Ajo që vihet re është se qasja amerikane tani, dallon qartë nga politika e viteve ’90, kur Shtetet e Bashkuara luajtën rol të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e konflikteve në Ballkan.
Atëkohë, Uashtingtoni udhëhoqi procesin e arritjes së Marrëveshjes së Dejtonit për t’i dhënë fund luftës mbi trevjeçare në Bosnje, ndërsa më vonë drejtoi fushatën ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, për të ndalur dhunën dhe spastrimin etnik në Kosovë.
“Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë… dhe një fuçi baruti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë gjatë këtij shekulli – me pasoja katastrofike. Po veprojmë për të qëndruar të bashkuar me aleatët tanë për paqe”, tha presidenti amerikan, Bill Clinton, më 24 mars 1999 – ditën kur NATO-ja nisi bombardimet.
Pas asaj periudhe, roli amerikan mori formën e një “patronazhi” të vazhdueshëm për ndërtimin e shteteve dhe institucioneve në Ballkan, duke mbështetur sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe veçanërisht sigurinë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Departamentit amerikan të Shtetit me pyetje lidhur me qasjen e re në rajon dhe ndikimet e saj, por nuk mori përgjigje.
Conley, e cila në fillim të viteve 2000 ka shërbyer si zëvendëse e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, vlerëson se dokumenti nuk përbën një strategji të plotë, por më tepër një përpjekje për të pasqyruar prioritetet aktuale të administratës amerikane.
Sipas saj, ai ndërthur elemente të politikës tradicionale të Shteteve të Bashkuara në rajon – si lufta kundër krimit të organizuar – me fokusin ekonomik të epokës së presidentit Donald Trump.
“Është koha të provohen disa qasje të reja, ku liderët marrin përgjegjësi për një drejtim të ri, pa i fajësuar faktorët e jashtëm se po i detyrojnë drejt tij. Evropianët dhe amerikanët mund të ofrojnë mbështetje, por edhe masa korrigjuese nëse situata fillon të devijojë dhe të rrisë paqëndrueshmërinë. Pra, jam e hapur ndaj qasjeve të reja, por nuk shoh detajet dhe njerëzit që do t’i çojnë përpara ato”, thotë Conley.

Ajo që bie në sy, sipas Conleyt, është edhe mungesa e një elementi tradicional të politikës amerikane: perspektiva evropiane.
Në dokumentet e mëparshme amerikane për Ballkanin Perëndimor, integrimi në BE ishte objektiv qendror. Në këtë rast, Evropa është pothuajse e padukshme. Ky ndryshim, sipas Conleyt, sinjalizon një ndarje më të madhe të roleve mes SHBA-së dhe BE-së.
“Ne kemi të njëjtat interesa me BE-në për stabilitet dhe zhvillim ekonomik në rajon, por BE-ja ka pasur vështirësi ta përmbushë këtë rol. Dhe, kur krizat fillojnë, zakonisht SHBA-ja ndërhyn dhe përpiqet t’i menaxhojë ato. Por, do të donim të shihnim një qasje më të qëndrueshme të BE-së në këtë drejtim. Prandaj, dokumenti amerikan e thekson qartë se SHBA-ja do të ndjekë politikën e vet dhe, në njëfarë mënyre, e ndan veten nga ajo që bën BE-ja”, thotë Conley.
Politikë afatgjate e Bashkimit Evropian ka qenë integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këtë proces, Mali i Zi konsiderohet më i avancuari, ndërsa Kosova është e vetmja pa status kandidati.
E, së fundmi, disa shtete anëtare të BE-së kanë propozuar që vendet e ardhshme anëtare të kenë të drejta të kufizuara gjatë një periudhe kalimtare, pas pranimit në bllok – gjë që ka nxitur reagime të ndryshme në rajon.
Për Mark Montgomeryn, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, BE-ja nuk mund ta zëvendësojë SHBA-në në Ballkan, sepse i mungon si aftësia e besueshme ushtarake, ashtu edhe uniteti politik.
Ai vlerëson se as vetë Ballkani Perëndimor nuk është ende i gatshëm për qasjen e re amerikane, pasi balanca e sigurisë – veçanërisht në raportin Kosovë-Serbi – mbetet e brishtë.
Edhe pse raporti i Departamentit amerikan të Shtetit e konsideron praninë e forcave amerikane në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt, Montgomery thotë se ka zëra se Elbridge Colby, nënsekretar i Mbrojtjes për Politika, është duke konsideruar disa ndryshime në KFOR.
“Mendoj se reduktimi i forcave amerikane në KFOR do të ishte në masë të madhe destabilizues. Do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara nuk janë më plotësisht të angazhuara në menaxhimin e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës, që unë e konsideroj si pikën më të rrezikshme të tensioneve në Ballkan. Po ashtu, do të dërgonte sinjal për Rusinë dhe Serbinë se SHBA-ja po tërhiqet nga një rol i rëndësishëm i sigurisë në rajon”, thotë Montgomery për Exposenë.
Raportimet për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga KFOR-i, ku aktualisht shërbejnë rreth 590 ushtarë amerikanë, nuk janë të reja dhe kanë qarkulluar edhe përpara.
Hera e fundit kur Pentagoni iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë për këtë çështje, ishte në shkurt, kur deklaroi se nuk ka për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave.
Pyetjes tani, nëse nënsekretari Colby po shqyrton ndryshime, siç pretendon Montgomery, nuk iu dha përgjigje.
Vetë NATO-ja paralajmëroi më 12 qershor se do të zvogëlojë praninë në Kosovë – gradualisht gjatë vitit te ardhshem – për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend, por nuk është ende e qartë se cili kontingjent mund ose do të tërhiqet.
Montgomery e lidh çdo ndryshim të pranisë amerikane në Evropë edhe me implikime më të gjera strategjike.
Ai e sheh Ballkanin Perëndimor si një hapësirë ku ndikimi rus dhe ai kinez mbeten të pranishëm përmes rrjeteve politike, ekonomike dhe të sigurisë, ndaj paralajmëron se këta aktorë e lexojnë me shumë kujdes çdo ndryshim në angazhimin amerikan.
“Gjëja më e rëndësishme për të qenë të përgatitur për Kinën, është që ajo të besojë se SHBA-ja do të jetë realisht e përfshirë kur siguria të jetë në rrezik. Nëse ne e dobësojmë besueshmërinë e pranisë sonë ushtarake në Evropë, atëherë dërgojmë sinjale se nuk na intereson. Prandaj, jam shumë i shqetësuar se si do të reflektohet kjo në dinamikën Rusi-Kinë”, thotë Montgomery.
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit identifikon Rusinë dhe Kinën si aktorë keqdashës që synojnë të përfitojnë nga paqëndrueshmëria, korrupsioni dhe dobësitë në qeverisje në rajon, por nënvizon gjithashtu angazhimin e SHBA-së për t’iu kundërvënë ndikimit të tyre.
Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës, thotë se, ndonëse dokumenti amerikan i paraqet Kinën dhe Rusinë si faktorë që veprojnë kundër interesave të SHBA-së, këto pozicione nuk janë të pandryshueshme.
Sipas tij, zhvillimet globale dhe interesat ekonomike mund ta kthejnë Rusinë nga kërcënimi në partner.
“Nëse përfundon lufta në Ukrainë dhe SHBA-ja ka interesa të mëdha ekonomike – si në krijimin e bizneseve me Rusinë, apo në shfrytëzimin e burimeve minerare dhe sektorit të energjisë në Ukrainë – atëherë mund të përfundojmë në një situatë ku Rusia bëhet partnere e SHBA-së edhe në Ballkanin Perëndimor. Në një skenar të tillë, mund të imagjinohet që Rusia dhe SHBA-ja të angazhohen bashkë në projekte biznesi, për shembull në sektorin e energjisë në Bosnje apo në Serbi”, thotë Xhihiq për Exposenë.
Xhihiq e veçon raportin Kosovë-Serbi si një çështje thellësisht politike dhe të pazgjidhur, për të cilën thotë se qasja e re amerikane – e fokusuar tek ekonomia dhe marrëveshjet transaksionale – nuk është e mjaftueshme.
Për Kosovën, sipas tij, rruga më e sigurt afatgjatë është afrimi me BE-në dhe forcimi i brendshëm përmes reformave, në mënyrë që t’i përballojë më mirë si luhatjet e politikës amerikane, ashtu edhe presionin nga Serbia.
“Angazhohuni me Uashingtonin aty ku është e dobishme, por mos e trajtoni mbështetjen e SHBA-së si automatike ose të mjaftueshme”, është porosia e tij.
“E di që kjo nuk varet plotësisht nga Kosova, për shkak të pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin, por, gjithsesi, vendi duhet të ecë përpara, të përqendrohet te reformat e brendshme, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit e të tjera. Duhet të dëshmojë funksionalitetin e shtetit, të lobojë vazhdimisht dhe të jetë i qëndrueshëm në përpjekjet e tij”, thotë Xhihiq.
Në linjë të ngjashme, Montgomery argumenton se Kosova dhe vendet fqinje duhet të forcojnë rolin e tyre si partnerë të besueshëm politikë dhe ekonomikë, përfshirë edhe përparimin drejt pavarësisë energjetike.
Por ai, gjithashtu, sugjeron që aleatët rajonalë të NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia – të lobojnë si në strukturat e NATO-s, ashtu edhe drejtpërdrejt në SHBA, për ruajtjen e rolit amerikan në Ballkan.
“Do të ishte në interesin më të mirë të Kosovës të zgjedhë një qeveri funksionale që mund të marrë përgjegjësitë dhe të qeverisë në mënyrë efektive. Kjo është gjithmonë e rëndësishme, por bëhet veçanërisht kritike në rastet kur SHBA-ja mund të mos jetë plotësisht bashkëpunuese”, thotë Montgomery.
Kështu, edhe pse nga këndvështrime të ndryshme, vëzhguesit mbërrijnë te një pikë e përbashkët: çdo hap prapa i SHBA-së nuk mbetet bosh, por krijon hapësirë që mund të mbushet nga pasiguria ose nga ndikimi i aktorëve konkurrues.
Ndaj, një qasje pragmatike dhe e balancuar nga të gjitha palët mbetet kyç për të shmangur përshkallëzimin e rreziqeve në një rajon ende të brishtë.
 
Kjo është letra e LVV-së për Albrightin, në të cilën ajo akuzohej për korrupsion dhe kërcënohej se do të përballej me protesta nëse do të vinte në Kosovë
Demokracia
10:14 | 14 Qershor 2026
Capture-149.png

Share:
Share
Tweet
Më shumë se një dekadë pas përfundimit të luftës, duke qenë faktor kryesor në bombardimin e Jugosllavisë, ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright kishte vendosur të investonte në Kosovë. Kompania e saj “Albright Capital Management Llc” i ishte futur garës me 7 kompani të tjera vendore dhe ndërkombëtare për blerjen e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Megjithatë, ky vendim i gruas që sot edhe nga Lëvizja Vetëvendosje po konsiderohet si “heroinë e Kosovës”, ishte kundërshtuar fuqishëm asokohe nga ky subjekt politik, që me aktivistët e vet në mënyrë të organizuar edhe e kishte kërcënuar.
Demokracia.com
ka siguruar ekskluzivisht letrën për të cilën ishte deklaruar edhe ish-ambasadorja amerikane Tracey Jacobson, e cila kishte treguar se Albright ishte kërcënuar nga Kurti dhe partia e tij.
Lëvizja Vetëvendosje, asokohe në opozitë, aktivistëve të saj ua kishte bërë gati edhe shkresën kundër Albright, duke i “urdhëruar” që të njëjtën masivisht t’ia dërgonin asaj në e-mail për ta penguar privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Në letrën që e ka siguruar Demokracia.com, shihet se Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Kurti kishte përdorur një gjuhë tepër të rëndë me Albright, duke e akuzuar atë edhe për përfshirje në korrupsion.
“Ndërmarrja publike të cilën ju synoni ta shpronësoni nga ne, përmes Qeverisë Thaçi, është ndërtuar nga mundi i qytetarëve të Kosovës. Duhet të jeni të vetëdijshëm se ky proces i privatizimit është kundërshtuar nga shumica dërrmuese e qytetarëve dhe punëtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Këta të fundit, së bashku me mijëra qytetarë, kanë protestuar disa herë kundër privatizimit. Procesin e mbështet vetëm partneri juaj, Hashim Thaçi. Personi që ju keni zgjedhur si partner nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për një proces kaq të rëndësishëm për vendin tonë. Partneri juaj, Hashim Thaçi, është personi kryesor përgjegjës për minimin e kësaj ndërmarrjeje me korrupsion të thellë, shpërdorim dhe nepotizëm. Përkundër kësaj, ndërmarrja ka realizuar të hyra prej rreth 90 milionë euro në vit, fitim i cili është thelbësor për funksionimin e shtetit social. Nëse largohet korrupsioni dhe nepotizmi i Qeverisë Thaçi, kjo ndërmarrje do t’i sillte Kosovës 130-140 milionë euro fitim në vit. Ky korrupsion nuk largohet nëse e privatizoni këtë ndërmarrje, sepse vetë investimi juaj është korruptiv, pasi nuk bazohet në pëlqimin e punëtorëve dhe qytetarëve, por vetëm të Hashim Thaçit dhe vartësve të tij. Nuk jeni ju zgjidhja që ne kemi kërkuar; në vend të kësaj ju jeni ata që do të merrni fitimet e Telekomit të Kosovës dhe do të na lini me Postën e Kosovës humbëse. Ne nuk do ta lejojmë këtë”, thuhej në letrën që aktivistët e Kurtit ia kishin dërguar masivisht ish-sekretares Albright si aksion protestues kundër saj.
Në fund të kësaj letre të siguruar nga Demokracia.com, shihet edhe kërcënimi për të cilën kishte folur ambasadorja Jacobson.
Aty theksohet qartë se çdo aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë të personalizuar, kishte thënë se do t’i mbledhin familjarët dhe të gjithë ata që i njohin për ballafaqim me ish-sekretaren amerikane, Madeleine Albright.
“Nëse vazhdoni të insistoni në privatizimin e PTK-së, duhet të jeni të vetëdijshëm se unë dhe familja ime, duke u bërë thirrje të gjithëve atyre që njohim, do të ballafaqohemi me ju për t’ju penguar juve dhe Qeverinë që të vazhdoni me këtë proces që është i drejtuar kundër nesh. Ju rikujtojmë edhe një herë se kjo ndërmarrje është pronë e qytetarëve të Kosovës dhe dëshirojmë t’ju japim disa këshilla për t’ju ndihmuar kur mendoni për investimin tuaj. Duhet të jeni të vetëdijshëm se fitimet e fituara nga privatizimi i Telekomit të Kosovës nuk do të zgjasin më shumë sesa jeta e Qeverisë Thaçi”, thuhej në këtë letër, e cila ish-sekretares Albright i ishte dërguar masivisht më 1 shtator të vitit 2012, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shtetit për të cilin ajo kontribuoi shumë.
1-18-1.jpg

2-13-1.jpg
Sa i përket blerjes së PTK-së, “Albright Capital Managment Llc” ishte në mesin e 8 kompanive të interesuar për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Disa prej kompanive të tjera ishin vendore dhe ndërkombëtare, raporton Demokracia.com.
Autoritetet kompetente si kompani fituese kishin shpallur kompaninë gjermane “AXOS Capital në konsorcium më “Najafi Companies LLC”, më një vlerë 277 milionë euro.
Sidoqoftë, më 31 dhjetor 2013, Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP) kishte njoftuar se ka dështuar përfundimisht procesi i privatizimit të këtyre aksioneve të PTK-së. /Demokracia.com/
 
Kjo është letra e LVV-së për Albrightin, në të cilën ajo akuzohej për korrupsion dhe kërcënohej se do të përballej me protesta nëse do të vinte në Kosovë
dhe si perfundim, sot telekomi i Kosoves, eshte shteteror apo privat,
ajo letra ndaj zonjes se nderuar, paska qene shume e ashper, ne te Shqiprise kemi nje respekt te veçante per zonjen Allbright, dhe mendoj se edhe shumica e shqiptarve te Kosoves kane respekt per te,
 
Back
Top