Përgjigje e: Shkronja "nj".
DELEGATËT E KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT TË GJUHËS SHQIPE
Tiranë, më 25 nëntor 1972
1. Thoma Deliana
ministër i Arsimit dhe i Kulturës i RPSH
2. Prof. Androkli Kostallari
drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
3. Prof. Mahir Domi
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
4. Prof. Eqrem Çabej
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
5. Prof. Idriz Ajeti
dekan i Fakultetit Filozofik, Prishtinë
6. Prof. Dhimitër Shuteriqi
kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Tiranë
7. Prof. Aleks Buda
historian në Institutin e Historisë të USHT, Tiranë
8. Dr. Rexhep Qosja
drejtor i Institutit Albanologjik, Prishtinë
9. Prof. Shaban Demiraj
pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
10. B. vj. shk. Lirak Dodbiba
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
11. Kolë Koci
Mësues i Popullit, Tiranë
12. Mr. Remzi Nesimi
pedagog i gjuhës shqipe në Akademinë Pedagogjike, Shkup
13. B. vj. shk. Jorgji Gjinari
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
14. Doc. Anastas Dodi
zv. dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
15. Emil Lafe
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
16. Doc. Jup Kastrati
pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër
17. Engjëll Angoni
specialist për gjuhën shqipe në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, Tiranë
18. Ali Abdihoxha
drejtor i Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri", Tiranë
19. Luigj Franja
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Shkodër
20. Prof. Josif Ferrari
studjues arbëresh, profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Barit
21. Mr. Ahmet Kelmendi
pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Prishtinë
22. Ahmet Limani
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Mamurras
23. Ajet Bytyçi
pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Prizren
24. Ali Dhrimo
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
25. Bahri Beci
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
26. Bajram Hajrullaj
pegagog i gjuhës shqipe në Filialen e USHT, Vlorë
27. Prof. Bedri Dedja
zv. ministër i Arësimit dhe i Kulturës i RPSH
28. Besim Bokshi
pedagog i gjuhës shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike, Gjakovë
29. Doc. Dalan Shapllo
pedagog i letërsisë shqiptare në Faklutetin e Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
30. Drita Garuci
mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, Shkodër
31. Dritëro Agolli
shkrimtar, Tiranë
32. Dhimitër Samara
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
33. Dhori Qiriazi
shkrimtar, Ersekë
34. Elsa Vakëflliu
mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, Berat
35. Fadil Podgorica
pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër
36. Fatmir Agalliu
pedagog i gjuhës shqipe në Faklutetin e Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
37. Fatmir Gjata
shkrimtar, Tiranë
38. Ferdinand Leka
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
39. Gaqo Peci
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë
40. Hasan Sazani
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Gjirokastër
41. Henrik Lacaj
pedagog në Faklutetin e Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
42. Hysen Qosja
pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Elbasan
43. Isa Bajçinca
pedagog i gjuhës shqipe në Fakultetin Filozofik, Prishtinë
44. Ismail Bajra
drejtor i NGBG "Rilindja, Prishtinë
45. Ismail Doda
drejtor i shkollës "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu", Ostros (Krajë)
46. Ismail Kadare
shkrimtar, Tiranë
47. Jakov Xoxa
shkrimtar, Tiranë
48. Jani Thomaj
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
49. Jorgo Bulo
historian i letërsisë shqiptare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
50. Jorgji Çerepi
pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e USHT, Durrës
51. B. vj. shk. Koço Bihiku
zv. drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
52. Kolë Ashta
pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër
53. Kristaq Shtëmbari
përgjegjës i Kabinetit Pedagogjik, Fier
54. Lasgush Poradeci
shkrimtar, Tiranë
55. Luan Dino
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Përmet
56. Lumnie Shehetilla
mësues e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, Elbasan
57. Llazar Siliqi
shkrimtar, Tiranë
58. Mehmet Çeliku
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
59. Menella Totoni
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
60. Mërkur Alimerke
drejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, Tiranë
61. Mikel Zavalani
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Korçë
62. Mufit Trepça
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Peshkopi
63. Doc. Munir Reso
pedagog në Faklutetin e Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
64. Naim Bardhi
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Kavajë
65. Nesti Bellovoda
pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e USHT, Korçë
66. Nikoleta Cikuli
gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
67. Niko Tanini
redaktor letrar në gazetën "Zëri i Popullit", Tiranë
68. B. vj. shk. Osman Myderrizi
gjuhëtar, mësues veteran, Tiranë
69. B. vj. shk. Pashko Geci
gjuhëtar, mësues veteran, Tiranë
70. Dr. Petro Janura
drejtor i Degës së gjuhës shqipe në Universitetin e Shkupit
71. Pjetër Fusha
mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, Rubik
72. Qemal Haxhihasani
folklorist në Institutin e Folklorit të USHT, Tiranë
73. Remzi Përnaska
pedagog i gjuhës shqipe në Faklutetin e Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
74. Sefedin Sylejmani
drejtor i Njësisë së bashkuar të punës botuese "Flaka e vëllazërimit", Shkup
75. Sofika Adhami
mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, Vlorë
76. Sofika Morcka
gjuhëtare në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
77. B. Vj. Shk. Spiro Floqi
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
78. Doc. Stefan Prifti
gjuhëtar, Tiranë
79. Sterjo Spasse
shkrimtar, Tiranë
80. Shefqet Hoxha
pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e USHT, Kukës
81. Shevqet Musaraj
shkrimtar, Tiranë
82. Tomor Osmani
pedagog i gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Shkodër
83. Xhevat Lloshi
gjuhëtar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të USHT, Tiranë
84. Ylli Ruli
pedagog i gjuhës shqipe në Filialen e USHT, Berat
85. Zana Daci
pedagoge e gjuhës shqipe në Faklutetin e Historisë dhe të Filologjisë të USHT, Tiranë
86. Prof. Zihni Sako
drejtor i Institutit të Folklorit të USHT, Tiranë
87. Zhaneta Nova
mësuese e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, Gjirokastër
PARIME TË PËRGJITHSHME
1. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe është shprehje e kristalizimit të normës letrare kombëtare në të gjitha hallkat kryesore të strukturës fonetike, gramatikore, fjalëformuese e leksikore. Ai pasqyron gjendjen e sotme dhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës sonë letrare, e cila mbështetet gjerësisht në gjuhën e folur të popullit. Duke ngritur në një shkallë më të lartë traditën e shkrimit të shqipes, drejtshkrimi i sotëm synon njësimin e mëtejshëm të normës së gjuhës letrare kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta që janë përvetësuar e përvetësohen prej saj.
2. Parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonetik: në përgjithësi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar. Thelbi i parimit fonetik në drejtshkrimin e shqipes, që mbështetet në një sistem grafik ku ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis shkronjës dhe tingullit-fonemë, është aspekti fonologjik, domethënë përdorimi social i tingujve të gjuhës në procesin e marrëdhënieve midis njerëzve.
Parimi fonetik synon vendosjen e një lidhjeje sa më të ngushtë midis trajtës së shkruar dhe trajtës së folur të gjuhës letrare. Prandaj, kur në shqiptimin letrar ka variante të lejuara nga norma e sotme, drejtshkrimi mbështetet tek ajo trajtë që është më e përgjithshme dhe që pajtohet me prirjen e zhvillimit të sistemit fonetik të shqipes letrare.
3. Krahas parimit fonetik, drejtshkrimi i njësuar i shqipes mbështetet gjerësisht edhe në parimin morfologjik, i cili kërkon që fjalët dhe pjesët e tyre përbërëse të sistemit trajtëformues e fjalëformues të shkruhen njësoj, pavarësisht nga ndryshimet tingullore të shkaktuara prej ligjeve fonetike që veprojnë sot në gjuhën tonë. Parimi morfologjik zbatohet kryesisht në ato raste, kur zbatimi i veçuar i parimit fonetik do të çonte në errësimin a në prishjen e strukturës morfologjike e fjalëformuese të fjalëve: ai ndihmon kështu për ta ruajtur sa më të qartë në shkrim këtë strukturë, si edhe njësinë e trajtave. Duke pasur si bazë analogjitë morfologjike, parimi morfologjik lejon rrafshimin e thjeshtimin sa më të madh të rregullave drejtshkrimore të shqipes dhe ndihmon që këto rregulla të pasqyrojnë në mënyrë sa më organike zhvillimin e bashkëlidhur të strukturës fonetike, morfologjike e fjalëformuese të gjuhës sonë letrare kombëtare.
4. Gërshetimi i parimit fonetik me parimin morfologjik në drejtshkrimin e shqipes plotësohet edhe nga zbatimi i disa parimeve të tjera, siç janë parimi leksikor-kuptimor, ai historik-tradicional etj. Fushat e zbatimit të këtyre parimeve janë më të ngushta dhe përfshijnë anë të veçanta të drejtshkrimit.
5. Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe kurorëzon një etapë të gjatë përpjekjesh për formimin e një gjuhe letrare të vetme e të përbashkët për gjithë popullin shqiptar dhe çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare.
ALFABETI I GJUHËS SHQIPE
Alfabeti i gjuhës shqipe ka tridhjetë e gjashtë shkronja, që u përgjigjen tingujve-fonema të gjuhës sonë letrare:
A a I i Rr rr
B b J j S s
C c K k Sh sh
Ç ç L l T t
D d Ll ll Th th
Dh dh M m U u
E e N n V v
Ë ë Nj nj X x
F f O o Xh xh
G g P p Y y
Gj gj Q q Z z
H h R Zh zh
I. DREJTSHKRIMI I ZANOREVE
ZANORJA E E THEKSUAR
§ 1
Shkruhen me e (dhe jo me ë) fjalët ku kjo zanore është e theksuar dhe ndiqet ose ka qenë ndjekur në të kaluarën nga një bashkëtingëllore hundore (m, n, nj). Me e shkruhen gjithashtu fjalët e prejardhura ose të përbëra të formuara prej tyre, pavarësisht nga lëvizja e theksit:
(më) dhemb, dhembje, emër, emëror, femër, femërore, gjemb, gjembaç, e premte, rremb, shemb, shembull, shembullor, i pashembullt, shemër, i shtrembër, shtrembëroj, tremb, thembër, zemër, zemëroj, i pazemërt etj;
argjend, argjendar, brenda, brendi, i brendshëm, cen, cenoj, çmend, (i, e) çmendur, dend, (i, e) dendur, deng, dhen, end, gjendje, kuvend, kuvendoj, mend, mendje, mendoj, mendim, përmend, përmendore, mendër, parmendë, pendë, qen, qendër, qendror, (kam) qenë, qenie, qenësi, qengj, shpend, tendë, vend, vendës, vendos, vendim, zëvendës, zëvendësoj etj;
e enjte, gështenjë, ndenja, (i, e) ndenjur, penj-të, shenjë (por shënoj, shënim), (i, e) shenjtë, (i, e) shtrenjtë, shtrenjtoj, (i, e) vrenjtur;
dre, fle, fre, gdhe, ndej, (i, e) nderë, ngre, pe.
ZANORJA E E PATHEKSUAR
§ 2
Tek emrat femërorë, të cilët kanë një -e fundore të patheksuar në trajtën e pashquar të njëjsit, në emëroren e shquar bie -e-ja, ndërsa në rasat e tjera ajo shkruhet:
artiste - artistja, artisteje; fitore - fitorja, fitoreje; lule - lulja, luleje; lulishte - lulishtja, lulishteje; mësuese - mësuesja, mësueseje; nxënëse - nxënësja, nxënëseje; perde - perdja, perdeje; qytetare - qytetarja, qytetareje; studente - studentja, studenteje; shishe - shishja, shisheje etj.;
anije - anija, anijeje; ardhje - ardhja, ardhjeje; çështje -çështja, çështjeje; familje - familja, familjeje; korrje - korrja, korrjeje; nisje - nisja, nisjeje; pyetje - pyetja, pyetjeje; rrokje - rrokja, rrokjeje; ulje - ulja, uljeje etj.
ZANORJA Ë E THEKSUAR
§3
Shkruhen me ë të gjitha fjalët te të cilat kjo zanore e theksuar i përgjigjet historikisht një a-je të ndjekur nga një bashkëtingëllore hundore. Me ë shkruhen edhe të gjitha fjalët e prejardhura ose të përbëra, të formuara prej tyre, pavarësisht nga lëvizja e theksit1:
bëj, çështje, dëm, dëmtoj, dhëmb, dhëmballë, dhëndër, (kam) dhënë, dhënie, e ëma, (i, e) ëmbël, ëmbëlsi, ëndërr, ëndje, frëngjisht, gërshërë, gojëdhënë, gjë, gjëmë, gjëndërr, hënë, këmbë, këmbësor, kënd, i këndshëm, këngë, këngëtar, lë, lëmë, lëndë, lëng, llërë, mbrëmje, më (pak), (s'dua) më, mëngë, mëz, nëmë, nëntë, nëntor, (kam) ngrënë, nxë, nxënës, një, (i, e) njëjtë, njëri, njëra, njëri-tjetri, njësi, përzë, shkëmb, shtatzënë, shullë, (i, e) tërë, tërësi, tërshërë, (shtëpinë) tënde, (kam) thënë, parathënie, thëllëzë, zë (zëri), zë, (kam) zënë etj.
1) Nuk përfshihen këtu ato fjalë që në gjuhën letrare në trajtën me a, e cila nuk është më hundore: dhanore, (i, e) mangët, ranishte, shmang, zanë, zanore etj.
§ 4
Shkruhen me ë fjalët me prapashtesën -llëk:
bollëk, budallallëk, gomarllëk, hamallëk, pazarllëk etj.
ZANORJA Ë E PASHEKSUAR
ë-ja paratheksore
§ 5
ë-ja paratheksore shkruhet në këtë raste:
a) në fjalët e parme e në të gjitha fjalët ku ajo i takon rrokjes së parë, si edhe në fjalët e formuara prej tyre:
argëtoj, bagëti, bërryl, dëgjoj, dënesë, dëshirë, fëlliq, fëmijë, gëmushë, gërryej, qëzof, gëzhojë, gogësij, gumëzhij, gjëmoj, hingëllin, këlysh, këmishë, kënaq, këndellem, këndoj, kënetë, këpucë, këpucar, këpushë, këput, të këqij, kërcej, kërrab, kërrusem, këshill, kushëri, lëkurë, lëmoshë, lëndoj, lëpij, lëpjetë, lëpushkë, lëshoj, mallëngjej, të mëdhenj, mëkat, mënyrë, mësoj, mësim, mëshoj, mushkëri, ndërroj, ndërresë, shndërroj, pagëzoj, pagëzim, pëllet, pëllëmbë, pëllumb, përrallë, pështjelloj, pështyj, psherëtij, qëroj, rrëfanë, rrëfim, shëllirë, shëmtoj, shëtit, tëhu, trashëgoj, thëllëzë, thërres, thërrime etj.;
dëboj, dëborë, dëlir, (i, e) dëlirë, dërrasë, gëzoj, kësaj, kësisoj, kësodore, kështu, këta, këtë, këtij, (i, e) këtillë, këtej, këtu, lëfyt, lëkund, i lëkundshëm, lëmekem, lëvozhgë, mëditje, mësyj, mësymje, sëmundje, shpëlaj, tëharr, tëholl etj.*
*Shkruhen pa ë fjalët arsye, arsej, arsim, arsimtar dhe ato që formohen prej tyre.
b) në fjalë të prejardhura, të formuara nga një temë më -ë me anë prapashtesash që nisin me bashkëtingëllore, dhe në fjalë të përbëra e të përngjitura që kanë si pjesë të parë një temë të tillë më -ë, të ndjekur nga një temë që nisë me bashkëtngëllore:
anëtar, anëtarësi (anë); armëtar (armë); atëror, atësi (atë); bardhësi (i bardhë); botëror, botërisht (botë); bulëzim (bulë); burrëri, burrëror (burrë); copëtoj, copëtim, copëzoj (copë); drejtësi (i drejtë); flakëroj, flakërimë (flakë); frikësoj (frikë); frymëzoj, frymëzim (frymë); ftohtësi (i ftohtë); gojëtar, gojëtari (gojë); gjatësi (i gjatë); gjellëtore (gjellë); gjerësi (i gjerë); gjithësi, përgjithësisht (gjithë); gjuhësi, gjuhësor, gjuhëtar (gjuhë); gjunjëzoj (gjunjë); hollësi, hollësisht (i hollë); këmbësor, këmbësori (këmbë); kordhëtar (kordhë); lartësi, lartësoj (i lartë); lehtësi, lehtësoj (i lehtë); luftëtar (luftë); mbarësi (i mbarë); mirësi, përmirësoj (i mirë); pemëtore, pemëtari (pemë); pikëllim, pikërisht (pikë); pjesëtoj, pjesëtim (pjesë); plotësoj, plotësisht (i plotë); punëtor, punëtori (punë); qetësi (i qetë); rreptësi, rreptësisht (i rreptë); rrogëtar (rrogë); shkallëzim (shkallë); shkishëroj (kishë); shpejtësi (i shpejtë); shterpësi (shterpë); tokësor, tokëzim (tokë); trashësi (i trashë); thatësi (i thatë); thellësi (i thellë); udhëtar, udhëtim (udhë); urtësi (i urtë); valëzoj, valëzim (valë); vështirësi (i vështirë); vjershëtor (vjershë); zbetësi (i zbetë) etj.;
anëshkrim, armëpushim, atëherë, bashkëfjalim, bashkënxënës, bashkëpunoj, bashkëshorte, botëkuptim, bukëpjekës, buzëqesh, cipëtrashë, çfarëdo, datëlindje, derëbardhë, dorëheqje, dorëshkrim, dorëzanë, dhjetëfishoj, dhjetëfishoj, dhjetëvjetor, fletëgjerë, frymëmarrje, gojëdhënë, gojëmjaltë, grevëthyes, gjashtëdhjetë, gjashtëmbëdhjetë, i gjithëfuqishëm, gjithëkombëtar1, gjuhëgjatë, gjysmëhënë, gjysmëkoloni, hundëshkabë, i jashtëzakonshëm, jetëdhënës, jetëgjatë, këmbëzbathur, këngëtar, kokëfortë, llërëpërveshur, mbarëvajtje, mirëbërës, mirëbesim, mirëdita, i mirëfilltë, pesëvjeçar, pikënisje, pikëpamje, pjesëmarrje, pulëbardhë, qafëgjatë, shumëfishoj, shumëkëmbësh, vetëdashje, vetëqeverisje, vetëvendosje, vërej, vërejtje etj.
1) Nuk shkruhet ë-ja paratheksore te përemrat e pakufishëm, te ndajfoljet e te lidhëzat e përngjitura që kanë si pjesë të parë fjalë gjithë ose kurrë: gjithçka, gjithçmos, gjithfarë, gjithherë, gjithkah, gjithkund, gjithkush, gjithmonë, gjithnjë, gjithsaherë, gjithsecili, gjithsekush; kurrfarë, kurrgjë, kurrkund, kurrkush, kurrsesi etj. Po kështu shkruhet pa -ë pjesa e parë e fjalëve vetvete, vetvetiu dhe e fjalëve të formuara prej tyre: vetvetor, i vetvetishëm.
Shënim 1. Për shkak të ngulitjes prej kohës, të shqiptimit dhe të shkrimit në gjuhën letrare shkruhen pa -ë- fjalët: amtar, besnik, fillestar, furrtar, kishtar, lojtar, meshtar, nevojtar, nevojtore, ngatrrestar, pishtar, rojtar, zyrtar; atdhe.
Shënim 2. Nuk shkruhet ë-ja paratheksore te fjalët e përbëra, kur gjymtyra e dytë fillon me zanore: bashkatdhetar, bashkautor, bashkudhëtar (bashkë); gojëmbël (gojë); i gjithanshëm (gjithë); kokulur (kokë); i shumanshëm (shumë) etj. (por: njëanësi, i njëanshëm, zëëmbël, sepse ë-ja fundore te gjymtyra e parë e tyre është e theksuar).
c) po kështu shkruhen me ë (si zanore mbështetëse) edhe fjalët e prejardhura, që, megjithëse formohen nga tema më bashkëtingëllore, që kanë një strukturë fonetiko-fjalëformuese të ngjashme me atë të fjalëve të mësipërme:
armiqësi (armiq); besnikëri (besnik); bujqësi (bujq); djallëzi (djall); dobësi (i dobët); fajësi, pafajësi, shfajësoj (faj); fshatrarësi (fshatar); fundërri (fund); gjakësi, gjakësor (gjak); hapësirë (hap); harkëtar (hark); kalbëzoj (i kalbët); keqësoj, keqësim (keq); kombësi, kombëtar, ndërkombëtar (komb); krejtësisht (krejt); kryqëzor (kryq); lajmëtar, lajmëroj (lajm); lavdëroj, lavdërim (lavd); ligësi (i lig); madhësi, madhështor (i madh); malësi, malësor (mal); mbretëri (mbret); miqësohem, miqësor, miqësisht (miq); mjekësi, mjekësor (mjek); pakësoj (pak); plehëroj, plehërim (pleh); pleqëroj, pleqësi (pleq); qytetëroj, qytetërim (qytet); robëri, robëroj (rob); shëndetësi (shëndet); shfrytëzoj, shfrytëzim (fryt); shkrifëroj, shkrifërim (shkrif); Shqipëri, shqipëroj (shqip); shtetëror (shtet); trimëri (trim); vargëtar (varg); vazhdimësi (vazhdim); zdrukthëtar, zdrukthëtari (zdrukth) etj.
Shënim. Nuk shkruhen me ë:
a. fjalët e prejardhura që formohen prej temash me një bashkëtingëllore me anë të prapashtesave -tar(e), -tor(e), -ti, -toj:
arsimtar, arsimtare (arsim), çlirimtar (çlirim), flamurtar, flamurtare (flamur), gjyqtar (gjyq), kujdestar (kujdes), lundërtar (lundër), mishtar (mish), oborrtar (oborr), pajtimtar (pajtim), prestar (pres), shkaktar (shkak), shqiptar (shqip), shtegtar (shteg), tregtar (treg), themeltar (themel), zelltar (zell); fajtor (faj), leshtor (lesh); pastërti (i pastër), tregti (treg); caktoj, përcaktoj (cak), dëmtoj (dëm), ëmbëltoj (i ëmbël), robëtohem (rob), shkaktoj (shkak), shpeshtoj (shpesh), shqiptoj (shqip), shtegtoj (shteg), tregtoj (treg) etj*;
b. fjalët e prejardhura të cilat formohen prej temash më bashkëtingëllore të lëngëta (-r, -l, -ll) që e kanë theksin mbi rrokjen e parafundit:
afërsi (afër), egërsi (i egër), epërsi (i epër), katërshor (katër), letërsi (letër), misërnike (misër), motërzim (motër), poshtërsi (i poshtër), vjetërsi (i vjetër), zgjuarsi (i zgjuar); ëmbëlsi, ëmbëlsoj (i ëmbël), vogëlsi (i vogël); miellzim (miell), popullsi, popullzoj (popull), rregullsi (rregull) etj.
*) Po kështu shkruhen pa -ë- edhe fjalët tradhtar, tradhti, tradhtisht, tradhtoj.
ç) në fjalët e prejardhura, të formuara prej temash më -ër, -ërr, -ël, -ës, -ëz, me anë prapashtesash që fillojnë me zanore:
arbëror, arbëresh (arbër), ashpëroj (i ashpër), breshëri (breshër), çiltëri (i çiltër), dimëroj, dimëror, dimërim (dimër), dhelpëri (dhelpër), emëroj, emërore, emërues (emër), femërore (femër), gjarpëroj, gjarpërushe (gjarpër), gjelbërim (i gjelbër), misërishte, misërok (misër), mjeshtëri, mjeshtërisht, mjeshtërok, mjeshtëror (mjeshtër), numëror, numërim, numëroj (numër), poshtëroj, poshtërim (i poshtër), shtrembëroj, shtrembërim (i shtrembër), urdhëresë, urdhëroj, urdhërore (urdhër), varfëri, varfëroj (i varfër), verbërisht (i verbër), zemërim, zemëroj (zemër) etj.; me ë paratheksore shkruhen edhe disa trajta shumësi që janë fonetikisht të ngjashme me fjalët e tipit të mësipërm, si gishtërinj, gjarpërinj, priftërinj, zotërinj, po ashtu edhe formimet e tipit mbretëreshë, priftëreshë, zotëroj;
ëndërrim, ëndërroj (ëndërr), picërroj (picërr) etj.;
vegjëli, vogëlimë, zvogëloj, zvogëlim (i vogël) etj.;
nëpunësi (nëpunës), përgjegjësi (përgjegjës), rrobaqepësi (rrobaqepës) etj.;
bulëzoj (bulëz), njerëzi, njerëzor (njerëz) etj.*
*) Në pajtim me drejtshkrimin e ngulitur prej kohësh shkruhet përgënjeshtroj, përgënjeshtrim (gënjeshtër), kokrrizë (kokërr), puçrriza-t (puçërr).
Shënim. Nuk shkruhen me ë paratheksore fjalët e prejardhura, të formuara prej temash më -ër me anë prapashtesash që fillojnë me zanore, kur përpara -ë-së ndodhet vetëm një nga bashkëtingëlloret b, d, f, j, k, p, t, v ose një nga grupet -nd-, -st-:
algjebrik (algjebër), dibran (Dibër), librar, librari (libër); kodrinë, kodrinor (kodër), lodroj (lodër), shkodran (Shkodër); afri, afrim, afroj (afër); ajri, ajroj, ajrim, ajror (ajër); lakror (lakër), mjekrosh (mjekër), mokrar (Mokër); epror (i epër), teproj, tepricë (tepër), veproj, veprim (vepër); katror (katër), letrar (letër), vjetrohet, i vjetruar (i vjetër); zgavroj (zgavër); cilindrik (cilindër), lundroj, lundrim (lundër), njëthundrak (thundër); gjirokastrit (Gjirokastër), kadastroj, kadastrim (kadastër), lustroj, lustrim (lustër), ministri, ministror (ministër), pastroj, pastrim (i pastër), regjistroj, regjistrim (regjistër) etj.*
*) Në pajtim me dorëshkrimin e ngulitur prej kohësh shkruhet dhëndëri, dhëndëroj (dhëndër), gjëndërohem (gjëndër), motëri (motër), sipërore, sipëri (sipër).
ë-ja pastheksore
§ 6
Shkruhet ë-ja pastheksore:
a) tek emrat femërorë më -ëz, tek emrat e mbiemrat mashkullorë më -ës, -ësh dhe te femërorët përkatës, në të gjitha trajtat e lakimit të tyre.
drejtëz - (i, e një) drejtëze, drejtëza, drejtëzës, drejtëzën, drejtëzat, drejtëzave, drejtëzash; fshikëz-a, gjuhëz-a, këmbëz-a, kryqëza-t, lidhëz-a, pjesëz-a, thonjëza-t, verdhëz-a;
ardhës-i, blerës - (i, e një) blerësi, blerësi, blerësin, blerësit, blerësve, blerësish, blerëse, blerëseje, blerësja, blerëses, blerësen, blerëset, blerëseve, blerësesh; brejtës-i, çelës-i, endëse, endësja, folës-i, grykëse, grykësja, gjykatës-i, herës-i, mbledhës-i, mjelëse, mjelësja, mundës-i, nëpunës-i, nxënës-i, nxënëse, përgjegjës-i, qitës-i, qitëse, shpikës-i, vendës-i, zëvendës-i, zgjedhës-i, zgjedhëse etj.;
po kështu shkruhen edhe Durrës-i, Kukës-i, Lëkurës-i, Qukës-i etj.;
(trekëndësh) barabrinjës, (lëndë) djegëse, (makinë) korrëse, (forcë) lëvizëse, (makinë) qepëse, (makinë) shirëse etj.;
dyzetkëmbësh-i, mijëshe, mijëshja, pesëshe, pesëshja, pesëgarësh-i, qindëshe - (i, e një) qindësheje, qindëshja, qindëshes, qindëshen, qindëshet, qindësheve, qindëshesh; tetërrokësh-i etj.;
(shtëpi) dykatëshe, (veturë) katërvendëshe, (lule) shumëngjyrëshe etj.;
b) te mbiemrat me -ët në të gjitha trajtat e lakimit të tyre:
i cekët - (i, e një) të cekëti, të cekët, i cekëti, të cekëtit, të cekëtin, të cektësish, të cekëtve; e cekët - (i, e një) të cekëte, të cekët, e cekëta, së cekëtes, të cekëtën, të cekëtash, të cekëtave; (i, e) dobët, (i, e) errët, (i, e) lagët, (i, e) kthjellët, (i, e) ngathët, (i, e) përbashkët, (i, e) shkathët, (i, e) ulët, (i, e) zbrazët etj.
Shënim. Mbiemrat e formuar prej një teme më -h shkruhen me -të. Këta mbiemra e ruajnë -ë-në edhe përpara nyjës -t të emërores e të kallzores së shquar të njejsit asnjanës e të shumësit të gjinisë mashkullore, si edhe përpara mbaresave -sh e -ve:
i ftohtë - të ftohtët, të ftohësh, të ftohtëve; i lehtë - të lehtët, të lehtësh, të lehtëve; i mprehtë - të mprehtët, të mprehtësh, të mprehtëve; i nxehtë - të nxehtët, të nxehtësh, të nxehtëve etj.
c) te trajta e vetës së dytë njëjës e së tashmes lidhore të foljeve me temë më bashkëtingëllore:
të dalësh, të flasësh, të hapësh, të marrësh, të mbyllësh, të mbledhësh, të ndezësh, të presësh, të prishësh, të zhdukësh etj.
§ 7
Nuk shkruhet ë-ja pastheksore:
a) tek emrat dhe mbiemrat më -ël, -ër, -ërr dhe tek emrat mashkullorë më -izëm, -azëm, gjatë lakimit, kur pas këtyre fundoreve vjen një zanore:
bukël, bukla, pupël - (i, e një) puple, puplës, puplën, puplat, puplave, puplash; vegël, vegla etj.;
ajër, ajri, çadër, çadra, dimër, dimri, drapër, drapri, dhelpër - (i, e një) dhelpre, dhelprës, dhelprën, dhelprat, dhelprave, dhelprash; dhëndër, dhëndri, egjër, egjri, emër, emri, gënjeshtër, gënjeshtra, gjarpër, gjarpri, kulpër, kulpra, lakër, lakra, letër, letra, lundër, lundra, misër, misri, numër, numri, thundër, thundra, urdhër, urdhri, vepër, vepra, zemër, zemra etj.*
dokërr, dokrra, endërr, ëndrra, kokërr - (i, e një) kokrre, kokrrës, kokrrën, kokrrat, kokrrave, kokrrash; vjehërr - vjehrri, vjehërr - vjehrra etj.;
anarkizëm - (i, e një) anarkizmi, anarkizmit, anarkizmin; ateizëm, ateizmi, çiklizëm, çiklizmi, majtizëm, majtizmi, marksizëm-leninizëm, marksizëm-leninizmi, materializëm, materializmi, pleonazëm, pleonazmi, reumatizëm, reumatizmi, sarkazëm, sarkazmi, socializëm, socializmi etj.;
i ëmbël, i ëmbli, i vogël - (i, e një) të vogli, i vogli, të voglit, të voglin, të vegjlit, të vegjlish; i ashpër - (i, e një) të ashpri, të ashprit, të ashprin, të ashprish; i çiltër, i çiltri, i gjelbër, i gjelbri, i kaltër, i kaltri, i pastër, i pastri, i shtrembër, i shtrembri, i shurdhër, i shurdhri, i verbër, i verbri, i vjetër, i vjetri etj.;
*) Zanorja -ë pastheksore e mbaresës -ër të shumësit të emrave mashkullorë shkruhet në të gjitha rasat gjatë lakimit: etër - etërit, etërve, etërish; kunetër, mbretër, shtretër etj.
b) te mbiemrat më -ëm e më -shëm gjatë lakimit kur pas këtyre prapashtesave vjen një zanore ose një j:
i jashtëm - (i, e një) të jashtmi, i jashtmi, të jashtmit, të jashtmin, të jashtmish; e jashtme, i mesëm, i mesmi, e mesme, i sotëm, i sotmi, e stome - (i, e një) të sotmeje, e sotmja, së sotmes, të sotmen, të sotmet, të sotmeve, të sotmesh; i vetëm, i vetmi, e vetme etj.;
i ardhshëm - (i, e një) të ardhshmi, i ardhshmi, të ardhshmit, të ardhshmin, të ardhshmish; e ardhshme - (i, e një) të ardhshmeje, e ardhshmja, së ardhshmes, të ardhshmen; i atjeshëm, i atjeshmi, e atjeshme, i besueshëm, i besueshmi, e besueshme; i dukshëm, i dukshmi, e dukshme; i ndershëm, i ndershmi, e ndershme; i pathyeshëm, i pathyeshmi, e pathyeshme; i shijshëm, i shijshmi, e shijshme; i shkëlqyeshëm, i shkëlqyeshmi, e shkëlqyeshme etj.;
c) para prapashtesave -shëm dhe -të në të gjitha trajtat e mbiemrave të formuar prej tyre:
i natyrshëm, e natyrshme (natyrë), i përkohshëm, e përkohshme (kohë), i pjesshëm, e pjesshme (pjesë), i përbotshëm, e përbotshme (botë), (i, e) lëkurtë (lëkurë), (i, e) njëmijtë (mijë), (i, e) pestë (pesë), (i, e) përpiktë (pikë) etj.;
ç) te gjymtyra e parë e trajtave të përngjitura të habitores:
ardhkam, humbkam, marrkam, paskam, qenkam etj.; paskësha, qenkësha etj.
ë-ja fundore
§ 8
Shkruhet ë-ja fundore te fjalët me theks që në krye të herës në rrokjen e parafundit, duke u ruajtur ajo edhe në trajtat e tyre ku s'është më fundore.
Kështu shkruhen me -ë:
a) emrat femërorë si bukë, fjalë - fjalës, fjalën, fjalët, fjalëve, fjalësh; punë, zhurmë etj.; po kështu edhe numërorët si dhjetë, mijë etj. (dhjetë - dhjetës, dhjetën, dhjetëra; mijë, mijëra etj.).
Shkruhen me -ë gjithashtu emrat mashkullorë që shkojnë pas lakimit të emrave femërorë si babë, dajë, gegë, toskë etj.; Kolë, Lekë etj.;
b) disa emra mashkullorë dhe shumica e emrave mashkullorë që përdoren edhe si asnjanës:
atë, burrë, djalë, gjalmë, gjumë, kalë, lëmë, lumë; ballë (balli, ballët), brumë (brumi, brumët) djathë (djathi, djathët), drithë, drithëra, dyllë, dhallë, dhjamë, gjalpë, mjaltë, ujë, ujëra etj.;
c) mbiemrat dhe ndajfoljet e tipit (i, e) butë - butë, (i, e) ftohtë - ftohtë, (i, e) gjallë - gjallë, (i, e) gjatë - gjatë, (i, e) lehtë - lehtë, (i, e) mirë - mirë, (i, e) ngrohtë - ngrohtë, (i, e) shkretë - shkretë, (i, e) vonë - vonë.
Në çiftet e fjalëve më poshtë mbiemrat shkruhen me -ë, ndajfoljet pa -ë:
(i, e) drejtë - drejt, drejtpërdrejt, drejtshkrim; (i, e) fortë - fort, (i, e) kotë - kot, (i, e) lartë - lart, i lartpërmendur; (i, e) ligshtë - ligsht, (i, e) mbrapshtë - mbrapsht, (i, e) mjaftë - mjaft, (i, e) plotë - plot, i plotfuqishëm; (i, e) shpejtë - shpejt, (i, e) thjeshtë - thjesht, (i, e) vërtetë - vërtet; po kështu: larg, pak, pakkush, shkurt;
ç) mbiemrat e formuar me anën e prapashtesës -të nga emra njërrokësh ose me theks në rrokjen fundore, si edhe nga folje që mbarojnë me zanore:
(i, e) artë, (ar), (i, e) drunjtë (dru), (i, e) gurtë (gur), (i, e) leshtë (lesh), (i, e) pambuktë (pambuk), (i, e) zjarrtë (zjarr) etj.;
(i, e) metë (mej), (i, e) mpitë (mpij), (i, e) ndytë (ndyj), (i, e) thatë (thaj);
po kështu edhe numërorët rreshtorë:
(i, e) dytë (dy), (i, e) tretë (tre), (i, e) pestë (pesë), (i, e) gjashtë (gjashtë), (i, e) dymbëdhjetë (dymbëdhjetë), (i, e) njëzetë (njëzet), (i, e), njëzetenjë (njëzet e një), (i, e) gjashtëdhjetë (gjashtëdhjetë), (i, e) miliontë (milion) etj;
d) trajtat e shumësit të emrave dhe të mbiemrave mashkullorë si:
afrikanë, amerikanë, arabë, bullgarë, docentë, dynymë, feudalë, fishekë, francezë, gramë, grekë, gjumashë, hektarë, hutaqë, kilogramë, kroatë, kuintalë, laborantë, lejlekë, lekë, maturantë, matjanë, mekanikë, memecë, motakë, partizanë, përtacë, pionierë, punëtorë, rebelë, romakë, serbë, spanjollë, studentë, shkrimtarë, shoferë, shqiptarë, tonë, traktoristë, (artikuj) ushqimorë, ushtarë, veshë etj.
Kjo -ë shkruhet në të gjitha rastet e shumësit, edhe kur nuk është fundore:
partizanë - partizanësh, partizanët, partizanëve; grekë - grekësh, grekët, grekëve; punëtorë - punëtorësh, punëtorët, punëtorëve.
Shënim. Trajta e emërores dhe e kallzores së pashquar shumës e emrave të njësive të masave që burojnë nga emra njerëzish shkruhet pa ë fundore në rasat e tjera të shumësit të pashquar dhe në të gjitha rasat në shumësin e shquar pas temës shkruhet -ë-:
20 amper, 50 om, 300 herc, 220 volt, 60 vat etj.; 15 amperët, 120 voltëve, 30 vatësh etj.
dh) trajtat e emërores dhe të kallëzores së shquar të shumësit të emrave dhe të mbiemrave mashkullorë që në trajtën e pashquar mbarojnë me një bashkëtingëllore dhe që janë njërrokësh ose që e kanë theksin në rrokjen e fundit:
bijtë (bij), deshtë (desh), djemtë (djem), dhentë (dhen), miqtë (miq), të rinjtë (rinj), thonjtë (thonj) etj.;
armiqtë (armiq), barinjtë (barinj), të mëdhenjtë (të mëdhenj), etj.;
e) trajtat e shquara të rasave të zhdrejta të njëjsit dhe të emërores e të kallëzores shumës të emrave femërorë që mbarojnë me zanore të theksuar:
bukuri - bukurisë, bukurinë, bukuritë; byro - byrosë, byronë, byrotë; dhi - dhisë, dhinë, dhitë; gjë - gjësë, gjënë; kala - kalasë, kalanë, kalatë; e re - së resë, të renë; rrufe - rrufesë, rrufenë, rrufetë etj.;
po kështu shkruhen edhe shkurtimet e gjinisë femërore që në emëroren e pashquar shqiptohen me theks mbi rrokjen e fundit:
ATSH-së (ATSH), OKB-në (OKB), SMT-të (SMT);
ë) emrat e formuar me prapashtesën -zë prej temash që mbarojnë me zanore të theksuar, si edhe emrat me këtë prapashtesë që kanë pësuar një shpërngulje theksi në rrokjen e parafundit (ndryshe nga emrat e tipit arkëz, lidhëz):
qelizë, syzë, vezë; dorezë, kokrrizë, librezë, varrezë etj.;
f) emrat femërorë më -më (të parmë a të prejardhur) si:
astmë, basmë, dasmë, diafragmë, dogmë, gjysmë, kazmë, krismë, nismë, sintagmë, (dhe jo dasëm, basëm, gjysëm);
g) përmemrat pronorë ynë, tanë, tonë, sonë, të mitë, të tutë, të tijtë, të sajtë;
gj) numërorët themelorë si pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë, dymbëdhjetë, pesëdhjetë etj.;
h) foljet me temë më zanore, në vetën e parë dhe të tretë të shumësit të së tashmes dëftore e lidhore:
(të) mbajmë, (të) mbajnë; (të) blejmë, (të) blejnë; (të) vëmë, (të) vënë; (të) dimë, (të) dinë; (të) fshijmë, (të) të fshijnë; (të) punojmë, (të) punojnë etj.
Po kështu, kryesisht për arsye morfologjike, shkruhen edhe foljet me temë më grup zanoresh, të ndjekur nga një -j:
(të) përziejmë, (të) përziejnë; (të) thyejmë, (të) thyejnë; (të) ruajmë, (të) ruajnë; (të) shkruajmë, (të) shkruajnë etj.;
i) trajtat foljore të shumësit të së kryerës së thjeshtë, të cilat dalin me një zanore:
lamë, latë, lanë (laj); blemë, bletë, blenë (blej); bëmë, bëtë, bënë (bëj); fshimë, fshitë, fshinë (fshij); zumë, zutë, zunë (zë); hymë, hytë, hynë (hyj) etj.;
j) trajta e vetës së tretë njëjës e mënyrës lidhore te të gjitha foljet duke përfshirë edhe ato me tog zanor, ku -ë-ja shkruhet për arsye morfologjike:
të humbë, të lidhë, të mbjellë, të përmendë etj.;
të hyjë, të gjejë, të lajë, të pijë, të thajë etj.;
të përziejë, të shkruajë, të thyejë etj.;
k) pjesoret e foljeve me temë më zanore a më -l, -ll, -rr dhe mbiemrat e nyjshëm të formuar prej tyre:
qarë, blerë, bërë, pirë, fryrë, mjelë, vjelë, mbjellë, sjellë, marrë, nxjerrë etj.;
(i, e) bërë, (i, e) pirë, (i, e) mbjellë, (i, e) nxjerrë etj.
Po kështu shkruhen edhe pjesoret si:
dhënë, ngrënë, qenë, thënë, vënë, zënë etj.
Pjesoret me temë më tog zanor, të cilat theksin e kanë në rrokjen e parafundit, shkruhen pa -ë në fund:
përzier, kryer, lyer, mësuar, punuar, shkruar etj.
§ 9
Nuk shkruhen më ë fundore:
a) emrat dhe mbiemrat më -ël, -ër, -ërr, -ëz, -ull, -ur, të cilët në emëroren e pashquar të njëjësit nuk e kanë theksin në rrokjen e fundit:
bukël, gogël, pupël, thnegël etj.; (i, e) ëmbël, (i, e) vogël etj.;
dhelpër, gënjeshtër, motër, numër, zemër etj.;
(i, e) ashpër, (i, e) shurdhër, (i, e) verbër etj.;
kokërr, puçërr, vjehërr etj.;
arkëz (arkë), dhëmbëz (dhëmb), fshikëz (fshikë), gishtëz (gisht), lidhëz (lidh), mollëz (mollë) etj.; (i, e) bukurëz etj.;
hatull, kumbull, nofull, rregull, shpatull, tingull, tjegull, vetull etj.;
flutur, hekur etj.; (i, e) bukur, (i, e) lumtur etj.;
b) emrat dhe mbiemrat që në shumësin e pashquar dalin më një nga bashkëtingëlloret -gj, -q, -j, -nj, të prira nga një zanore, si në emërore, ashtu edhe në të gjitha rasat e tjera:
zogj, zogjve, zogjsh; të ligj, të ligjve, të ligjsh etj.;
fiq, fiqve, fiqsh; miq, miqve, miqsh; pleq, pleqve, pleqsh etj.;
bij, bijve, bijsh etj.;
dru, drunjve, drunjsh; ftonj, ftonjve, ftonjsh; heronj, heronjve, heronjsh; hunj, hunjve, hunjsh; thonj, thonjve, thonjsh etj.
Shënim. Po kështu shkruhen pa -ë- para nyjës -të dhe mbaresave të shumësit emrat:
cjep (cjap) - cjeptë, cjepve, cjepsh;
desh (dash) - deshtë, deshve (por deshësh);
djem (djalë) - djemtë, djemve, djemsh;
dhen - dhentë, dhenve, dhensh;
qen (qen) - qentë, qenve, qensh.
c) trajtat rasore të shumësit të emrave dhe të mbiemrave që mbarojnë me dy bashkëtingëllore në emëroren e pashquar të shumësit, si edhe të atyre që mbarojnë me -l, -r, -s, -z (këta emra dhe mbiemra para nyjës -t të trajtës së shquar dhe para mbaresës -sh të rrjedhores marrin një -i-):
bujq - bujqve, bujqish, bujqit; krushq - krushqve, krushqish, krushqit; peshq - peshqve, peshqish, peshqit; tirq - tirqve, tirqish, tirqit; ujq - ujqve, ujqish, ujqit; murgj - murgjve, murgjish, murgjit; të ëmbël - të ëmbëlve, të ëmblish, të ëmblit; të vegjël - të vegjëlve, të vegjlish, të vegjlit; etër - etërve, etërish, etërit; mbretër - mbretërve, mbretërish, mbretërit; i bukur - të bukurve, të bukurish, të bukurit; i egër - të egërve, të egrish, të egrit; i pjekur - të pjekurve, të pjekurish, të pjekurit; blerës - blerësve, blerësish, blerësit; ndihmës - ndihmësve, ndihmësish, ndihmësit; nëpunës - nëpunësve, nëpunësish, nëpunësit; nxënës - nxënësve, nxënësish, nxënësit; punonjës - punonjësve, punonjësish, punonjësit; sulmues - sulmuesve, sulmuesish, sulmuesit; shitës - shitësve, shitësish, shitësit; vendës - vendësve, vendësish, vendësit; njerëz - njerëzve, njerëzish, njerëzit; etj.;
ç) trajta e rrjedhores së pashquar të emrave që në shumës mbarojnë me zanore të theksuar:
grash, kalash, shtëpish, byrosh, drush, sysh etj.
Po kështu shkruhen edhe:
më dysh (dy), më trish (tri), si edhe dyfish, trefish etj.;
d) mbiemrat e formuar me prapashtesat -(ë)m, -shëm:
e epërm (i epër), i jashtëm (jashtë), i mesëm (mes), i ndryshëm (ndryshe), i nesërm (nesër), i sipërm (sipër), i sotëm (sot), i tashëm (tash), i tepërm (tepër), i vetëm (vetë) etj.;
i ardhshëm, i brendshëm, i gatshëm, i këndshëm, i kujdesshëm, i ndershëm, i nevojshëm, i pafajshëm, i përbotshëm, i vjetshëm etj.;
dh) mbiemrat e formuar nga emra, numërorë e ndajfolje me theksin mbi rrokjen e parafundit:
(i, e) akullt (akull), (i, e) avullt (avull), (i, e) hekurt (hekur), (i, e) misërt (misër), (i, e) panumërt (numër), (i, e) rregullt (rregull), (i, e) thekërt (thekër), katërt (katër), (i, e) tepërt (tepër) etj.;
e) pjesoret (dhe mbiemrat përkatës) më -ur, -ier, -yer, -uar:
(i, e) ardhur, (i, e) dashur, (i, e) veshur etj.; (i, e) zier etj.; (i, e) kryer, (i, e) thyer etj.; (i, e) bluar, (i, e) zgjuar etj.;
ë) trajtat e vetës së parë dhe të tretë të shumësit të së tashmes dëftore e lidhore të foljeve me temë më bashkëtingëllore ose më -ie:
(të) djegim, (të) djegin; (të) flasim, (të) flasin; (të) hapim, (të) hapin; (të) mbjellim, (të) mbjellin; (të) mbledhim, (të) mbledhin; (të) presim, (të) presin; (të) tjerrim, (të) tjerrin etj.;
(të) biem, (të) bien; (të) shpiem, (të) shpien; (të) shtiem, (të) shtien etj.;
f) trajtat e shumësit të së pakryerës së dëftores e të lidhores te të gjitha foljet:
(të) ecnim, (të) ecnit, (të) ecnin; (të) ishim, (të) ishit, (të) ishin; (të) kishim, (të) kishit, (të) kishin; (të) lyenim, (të) lyenit, (të) lyenin; (të) punonim, (të) punonit, (të) punonin; (të) ushqenim, (të) ushqenit, (të) ushqenin; (të) zinim, (të) zinit, (të) zinin etj.;
g) trajtat e shumësit të së kryerës së thjeshtë të foljeve me temë më bashkëtingëllore, si edhe trajtat e shumësit të kësaj kohe që përmbajnë një grup zanoresh:
humbëm, humbët, humbën; bindëm, bindët, bindën; lidhëm, lidhët, lidhën; dogjëm, dogjët, dogjën; ftohëm, ftohët, ftohën; ikëm, ikët, ikën; u kollëm, u kollët, u kollën; vdiqëm, vdiqët, vdiqën; gjetëm, gjetët, gjetën; u ngjitëm, u ngjitët, u ngjitën; pyetëm, pyetët, pyetën etj.;
përziem, përziet, përzien; thyem, thyet, thyen; rrëfyem, rrëfyet, rrëfyen; kënduam, kënduat, kënduan etj.;
gj) trajtat e urdhërores të foljeve që te kjo mënyrë e kanë temën më bashkëtingëllore:
bjer; çel, çelni; fol, folni; ec, ecni; hip, hipni; hyr; ik, ikni; jep, jepni; lër; shpjer; zër, përzër; zhduk, zhdukni etj.;
h) përemrat dëftorë (i, e) atij, (i, e) këtij, (i, e) asaj, (i, e) kësaj, si edhe përemrat pronorë (i, e) tij, (i, e) saj (dhe jo i atijë, e sajë etj.)
ZANORJA U
§ 10
Shkruhen me -u- në të gjitha rasat emrat dhe mbiemrat më -ull, -ur, si edhe fjalët e formuara prej tyre:
akulli, akulli, akullin, akullore; kukull, kukulle, kukulla, kukullës, kukullën, kukullat, kukullave, kukullash; kumbull, kumbulle, kumbulle, kumbulla; mjegull, mjegulla, mjegullor, i mjegullt; nofull, nofulla, nofullën, nofullat; petull, petulla-t, petulloj; rrotull, rrotulla-t, rrotullash, rrotullohem; sqetull, sqetulla-t; shembull, shembulli, shembullit, shembullin, shembujt, shembujve, shembujsh, shembullor, (i, e) pashembullt*; shpatull, shpatulle, shpatulla-t; tingull, tingulli, tingullor, tingullimitues**; vetull, vetulla-t etj.;
(ujë) amull, amulli, mashkull, mashkullor-e etj.;
flutur, fluture, flutura, fluturës, fluturën, fluturat, fluturave, fluturash, fluturak, fluturim; hekur, hekuri, hekurin, hekurin, hekura, hekurat, hekurave, hekurash, hekuros, hekurishte, i hekurt; lepur, lepuri, lepurit, lepurin, lepurish etj.;
(qytet) i bukur, (lule) të bukura, bukuri, bukurosh etj.
*) Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh fjala shembëllej dhe formimet prej saj, si edhe fjala shembëlltyrë shkruhen me -ë-.
**) Në pajtim me shqiptimin e ngulitur prej kohësh fjalët tingëlloj, tinëllim, tingëllimë, bashkëtingëllore, të formuara nga fjala tingull duke u shpërngulur theksi nga -i-ja e temës shkruhen me -ë-.
ZANORET I DHE Y
§ 11
Shkruhen me i dhe jo me y fjalët:
ai, bilbil, direk, fishek, frikë, gjilpërë, gjilpëryer, hipi, hipje, krimb, krimbet, krip, kripë, kripore, qilim, qime, rrip, sirtar, shpirt, shqip, shqipëroj, shqiptar, shqiptoj etj.
Shkruhen, përkundrazi me y fjalët:
bylyzyk, çyryk, dysheme, gjym, (i, e) gjymtë, gjymtoj, gjysmë, gjysmak, lëtyrë, lyp, lypës, tym, vyshket, zymbyl.
ZANORET U DHE Y
§ 12
Shkruhen me u dhe jo me y fjalët:
bufe, bulmet, bulmetore, burokrat, duel, duke (punuar), duzinë, fruta-t, (pemë) frutore, grunjëra, (i, e) grunjtë, gjurmë, gjurmashkë, gjurmoj, kurbet, parashutë, qurra, qurrash, sfungjer, temperaturë, tunel, turk, turqisht, turli.
Shkruhen me y dhe jo me u (as me i) fjalët:
bërryl, bylyk, byrazer, byrek, byro, cyle, çyrek, dybek, dyqan, dyshek, fryt, i frytshëm, frytdhënës, gjynah, myftar, myfti, mysafir, mysliman, myshteri, mytesarif, natyrë, natyralist, qymyr, (dhi) shytë, trysni, tyrbe, yndyrë, virtyt, xhybe etj.
GRUPE ZANORESH DHE DIFTONGJE
-IE / -JE-
§ 13
Shkruhen me -ie-:
a) emrat, tek të cilët ky grup zanoresh ndiqet nga një bashkëtingëllore e lëngët (l, ll, r) dhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre:
e diel, diell, miell, qiell, fier etj.;
diellor, përmiell, miellëzim, qiellor, fierishtë etj.;
b) foljet, tek të cilat ky grup zanoresh ndiqet nga mbaresa -j:
ziej - zien, ziejmë, zieni, ziejnë; zieja, zieje, ziente, zienim, zienit, zienin; ziem, ziet, zien; ziekam, zieke...; (kam) zier;
përziej - përzien, përziejmë, përzieni, përziejnë; përzieja, përzieje, përziente, përzienim, përzienit, përzienin; përziem, përziet, përzien; përziekam, përzieke...; (kam) përzier;
ndiej - ndien, ndiejmë, ndieni, ndiejnë; ndieja, ndieje, ndiente, ndienim, ndienit, ndiejnë; ndiem, ndiet; ndiekam, ndieke...; (kam) ndier*.
Trajtat e njëjsit të së kryerës së thjeshtë të dëftores dhe trajtat e dëshirores së këtyre foljeve shkruhen me -je-:
zjeva, zjeve, zjeu; zjefsha, zjefsh, zjeftë, zjefshim, zjefshi, zjefshin;
përzjeve, përzjeve, përzjeu; përzjefsha, përzjefsh, përzjeftë, përzjefshim, përzjefshi, përzjefshin;
ndjeva, ndjeve, ndjeu; ndjefsha, ndjefsh, ndjeftë, ndjefshim, ndjefshi, ndjefshin.
Trajtat pësore-vetvetore të së tashmes dhe të së pakryerës të këtyre foljeve shkruhen me -i-:
zihem, zihet, zihen etj.; zihesha, zihej, ziheshin etj.; përzihem, përzihet, përzihen etj.; përzihesha, përziheshe, përziheshit etj.; ndihem, ndihet, ndihen etj.; ndihesha, ndihej, ndiheshim etj.
*) Shkruhen me -je- në të gjitha trajtat folja ndjej (ia falë fajin dikujt), si edhe formimet prej saj: ndjesë, i ndjeri.
Shënim. Të gjitha fjalët e formuara nga folja ndiej shkruhen me -je:
i ndjeshëm, ndjesi, ndjenjë, parandjenjë etj.
c) foljet, te trajta përfaqësuese e të cilave ky grup zanoresh ndodhet në rrokje të hapur:
bie, biem bien;
shpie, shpiem, shpien;
shtie, shtiem, shtien.
Në vetën e tretë njëjës të lidhores, në urdhëroren njëjës dhe në trajtat e shumësit të kësaj mënyre, kur bashkohen me trajtat e shkurtra të përemrit vetor, këto folje shkruhen me -j-:
të bjerë, të shpjerë, të shtjerë; bjer, shpjer, shtjer; bjermëni, bjeruni, shpjerini, shtjeruni etj.
Në vetën e dytë shumës të së tashmes dëftore, lidhore dhe urdhërore, në të pakryerën e dëftores dhe të lidhores, si edhe në trajtat pësore-vetvetore, këto folje shkruhen me -i-:
(të) bini, (të) shpini, (të) shtini, (të) bija, (të) bije, (të) binte; (të) shpija, (të) shpije, (të) shpinte; (të) shtija, (të) shtije, (të) shtinte; (të) bihet, (të) shpihet, (të) shtihet; (të) bihen, (të) shpihen, (të) shtihen; (të) bihej, (të) shpihej, (të) shtihej; (të) biheshin, (të) shpiheshin, (të) shtiheshin etj.
§ 14
Shkruhen me -je- foljet me temë më -l, -ll, -rr njësoj si edhe foljet e tjera të këtij tipi me temë më bashkëtingëllore (si rrjedh, djeg, pjek, rrjep); me -je- shkruhen edhe të gjitha fjalët e formuara prej tyre:
mjel, vjel etj.; mbëshjell, mbjell, përcjell, pjell, sjell, shtjell, vjell etj.; nxjerr, tjerr, çjerr etj.; mjelëse, pjellor, sjellje, ujësjellës etj.; tjerrje etj., po ashtu si djegës, bukëpjekës etj.
Këto folje në vetën e dytë shumës të së tashmes dhe në të gjitha vetat e së pakryerës së dëftores e të lidhores, në urdhëroren dhe në trajtat pësore-vetvetore shkruhen me -i-:
(të) vilni; (të) vilja, (të) vilje...; vil; (të) vilet, (të) vilen; (të) vilej, (të) vileshin etj.;
(të) përcillni; (të) përcillja, (të) përcillje...; përcill; (të) përcillesh...; (të) përcillesha, (të) përcilleshe etj.;
(të) nxirrni; (të) nxirrja, (të) nxirrje...; nxirr; (të) nxirrem, (të) nxirresh; të nxirrej, të nxirreshin etj.
GRUPI YE
§ 15
Grupi ye shkruhet i plotë:
arsye, i arsyeshëm, arsyetoj, arsyetim, dyer, fëndyell, fyej, fyerje, fyell, gjilpëryer, krye, kryesi, kryesor, kryekëput, kryeneç, lyej, lyerje, (por lyrë), përlyej, ngjyej, ngjyerje, (por ngjyrë), i pëlqyeshëm, përkthyes, pyes, pyetje, pyetës, i rrëmbyeshëm, rryeshëm, i shkëlqyeshëm, shqyej, thyej, thyerje, thyesë, i pathyeshëm etj.
GRUPET UA, UE
§ 16
Grupi ua shkruhet i plotë:
a) tek emrat dhe mbiemrat si:
buall, buallicë, dragua, duaj, ftua, grua, hua, huazim, i huaj, muaj (por mujor-e, tremujor-i, gjashtëmujor-i), i përmuajshëm, përrua, shuall, thua etj.;
b) te foljet me temë më -ua, si:
bluaj - bluan, bluajmë, bluani, bluajnë; bluaja, bluaje, bluante; bluanim, bluanit, bluanin; bluam, bluat, bluan; të bluash; bluakam, bluake, (kam) bluar etj.; dua - duam, duam, duaje, duajeni etj.; druaj - druan, druajmë, druanim, (jam) druajtur etj.; kruaj, quaj, ruaj, rruaj, shkruaj shuaj etj., si edhe te shumësi i së kryerës së thjeshtë, te habitorja dhe te pjesoret e foljeve me temë më -o: mësuam, mësuat, mësuan; punuam, punuat, punuan; sulmuam, sulmuat, sulmuan; mësuakam, mësuake, mësuaka, mësuakemi, mësuakeni, mësuakan; punuakam, punuake, punuaka, punuakemi, punuakeni, punuakan; mësuar, pajtuar, përtuar, punuar, sulmuar, treguar etj.*
*) Të dallohen prej trajtave me ye, ua të foljeve të tipit kryej, bluaj, trajtat pësore-vetvetore, të cilat nuk kanë grup zanoresh: kryhet, thuhet, bluhet, shkruhet etj.
§ 17
Shkruhen me ue emrat dhe mbiemrat foljorë të formuar me prapashtesat -s dhe -shëm nga folje me temë më -o / -ua; po kështu shkruhen edhe fjalët e formuara prej tyre:
botues-e, dëgjues-e, edukues-e, gatues-e, mësues-e, ndërtues-e, parashikues-e, pastrues-e, përpunues-e, plotësues-e, shkrues-e, vetëmohues-e, vetëshkarkues-e, vetëveprues-e etj.;
i afrueshëm, i dëgjueshëm, i gëzueshëm, i paharrueshëm, i papajtueshëm, i papërtueshëm, i pazëndesueshëm, i shoqërueshëm, i vajtueshëm, i vazhdueshëm, i vijueshëm etj.
TAKIMI I DY ZANOREVE TË NJËJTA
§ 18
Kur në formim fjalësh takohen dy zanore të njëjta, ato shkruhen që të dyja:
i paaftë, i paafrueshëm, i paanshëm, paanësi, i paapelueshëm, i paarmatosur, i paarrirë, deetimologjizim, kryeengjëll, antiimperialist, autoofiçinë, joobjektiv, joorganik, jooksidues, joorigjinal, mikroorganizëm etj.
APOSTROFI
§19
Apostrofi përdoret në këto raste:
a) Për të shënuar rënien e -ë-së fundore te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë më dhe të, te pjesëza të e mënyrës lidhore, e kohës së ardhshme të dëftores si edhe te ndërtimet e ndryshme me pjesore (për të, me të, një të + pjesore) përpara trajtave të shkurtra të përemrave vetorë i, u, përpara trajtave të shkurtra përemërore ia, iu, ju, jua, ua, si edhe përpara pjesëzës u të trajtave pësore-vetvetore të foljeve.
Kështu shkruhen:
m'i dha; t'i dha; t'i shkruash shokut; t'i zbatosh rregullat; do t'i tregoja; do t'i them, për t'i pasur parasysh; me t'i thënë, u nis etj.;
të m'u bësh të fala; do t'u thuash; do t'u kisha thënë; do t'u përgjigjem; për t'u dhënë librat; me t'u dalë përpara; një t'u thënë, u ndalën etj.;
të m'ia numërosh një nga një; t'ia thuash; do t'ia tregoja; do t'ia njoftoj; për t'ia dalë në krye; me t'ia treguar; të mos m'ia prishni qejfin;
për t'iu përgjigjur thirrjes; me t'iu afruar, e njohu etj.;
duam t'ju nderojmë; do t'ju kishim ftuar; do t'ju lajmërojmë; do t'ju lutesha; për t'ju ndihmuar; me t'ju njoftuar, nisuni etj.;
duam t'jua shpjegojmë juve; do t'jua kisha treguar; do t'jua di për nder; për t'jua lehtësuar punën juve; me t'jua sjellë veglat, filloni! etj.;
të mos m'ua prishni qejfin; s'u pëlqen t'ua kujtojmë; do t'ua kisha sjellë; do t'ua tregoj shokëve; për t'ua bërë të qartë nxënësve; me t'ua dhënë lajmin, u nisën etj.;
nuk m'u dha; m'u bë zemra mal; në m'u dhëntë rast etj.;
si t'u duk?; mos t'u ndaftë e mira!; t'u bëftë pushka top! etj.;
Shënim. Shkruhen pa apostrof trajtat përemërore ma, ta, ku nuk kemi rënie të ë-së, por një shkrirje dy zanoresh (më + e = ma; të + e = ta):
ma dha librin; s'ma jepte; ma jep; jepma; për të ma treguar; duke ma treguar; me të ma treguar; pa ma thënë; një të ma kujtuar etj.
b) Pas pjesëzës mohuese s dhe pas përemrit ç:
s'arrin; s'erdhi; s'e di; s'është; s'i tha; s'u përgjegj; s'bëri; s'duhet; s'presim; s'thuhet; s'mundem; etj.; ç'e do?; ç'është?; ç'i the?; ç'do?; ç'kërkon?; ç'të dojë?; ç'kohë e bukur!; ç'zë i ëmbël!; e dimë se ç'qëllim ka; s'na tha se ç'kërkonte etj.
Shënim. Shkruhen pa apostrof përemri i pakufishëm çdo dhe përemri pyetës çfarë, si edhe fjalët e formuara prej tyre: çdo nxënës; çfarë do prej meje?; nuk kuptoj çfarë thua? etj.; çfarëdo, çdonjëri, çdokush.
c) Për të shënuar rënien e -ë-së tek nyjat e përparme të, së me kuptim pronor në rasat e zhdrejta të emrave i ati, e ëma:
(i, e) t'et, (i, e) s'ëmës, me t'ëmën.
§ 20
Nuk përdoret apostrofi:
a) në të gjitha rastet tjera, në të cilat ë-ja fundore e patheksuar ndiqet nga një fjalë që fillon me zanore, pavarësisht nga shqiptimi:
vajzë e urtë, fushë e bukur, shtëpinë e madhe, miqësisë e vëllazërisë, është e vërtetë, hanë e pinë, të enjten, vajzës së urtë, të ardhurat, në ato vende, në oborr, në arë, më erdhi keq, le të ikim, në iktë, më i madhi, që atëherë etj.;
b) në të gjitha fjalët që mbarojnë me një zanore tjetër (a, e, i), kur ato ndiqen nga një fjalë a trajtë fjale që nis me zanore:
fusha e Myzeqesë, një lule e bukur, detyrë urgjente, zyrë eprore, mali i lartë, drejtori i shkollës, biri i nënës etj. (dhe jo fush'e Muzeqesë, një lul'e bukur, mal'i lartë, drejtor'i shkollës, bir'i nënës etj.);
c) në vetën e tretë njëjës e shumës të përemrave vetorë të thjeshtë (pa parashtesë), kur këta vijnë pas një parafjale:
me të, për të, me ta, për ta, me to, për to, prej tij, prej saj,
prej tyre, prej sish, prej sosh etj. (dhe jo me 'të, për 'të, me 'ta, me 'to, për 'to, prej 'tij, prej 'saj, prej 'tyre, prej 'sish, prej 'sosh etj.);
ç) te trajtat e përemrave pronorë që nisin me s ose t (sime, sonë, suaj, tim, time, tënd, tënde, tanë, tonë, tona, tuaj etj.);
vajzës sime, shkollës sonë, kooperativës suaj, jepjani suajës etj.;
djalin tim; e kam timin; shtëpinë time; në fshatin tënd; në rrugën tënde; e kemi tonin; shoqen tonë; shokët tanë; jemi tanët; dëshirat tona; qytetin tuaj; ne tonën, ju tuajën etj.
THEKSI
§ 21
Në shkrimin e gjuhës shqipe, si rregull, nuk përdoret asnjë lloj theksi.
Në raste të veçanta, kur konteksti nuk arrin kurrsesi të mënjanojë ngatërrimin e kuptimeve ose nuk siguron shqiptimin e drejtë të fjalëve të ndryshme mund të përdoret theksi i mprehtë (´).
II. DREJTSHKRIMI I BASHKËTINGËLLOREVE
BASHKËTINËLLORET E ZËSHME NË FUND E NË TRUP TË FJALËS
§ 22
Bashkëtingëlloret e zëshme b, d, dh, g, gj, v, x, xh, z, zh shkruhen si të tilla, ashtu siç shqiptohen kur janë përpara një zanoreje, edhe kur gjenden në fund të fjalës ose në trup të saj përpara një bashkëtingëlloreje të shurdhët a përpara bashkëtingëllores n:
elb (elbi), gjemb (gjembi), u kalb (u kalba), korb (korbi), lab (labi), tob (robi); invalid (invalidi), fund (fundi), kënd (këndi), hibrid (hibridi), mund (mundi), qind (qindi), standard (standardi), shkund (shkunda), vend (vendi); bredh (bredhi), dredh (drodha), gardh (gardhi), lidh (lidhëm), livadh (livadhi), ndodh (ndodhet), ndrydh (ndrydhet), zbardh (zbardha); breg (bregu), burg (burgu), djeg (djegim), larg (i largët), lëng (lëngu), i lig (i ligu), prag (pragu), shteg (shtegu), varg (vargu), zog (zogu); mos e digj (digje), ligj (ligji), u përgjigj (u përgjigjën), qengj (qengji); hov (hovi), urov (urovi); borxh (borxhi), tunxh (tunxhi), xhuxh (xhuxhi); bixhoz (bixhozi), brez (brezi), çamçakëz (çamçakëzi), dorëz (dorëza), filiz (filizi), gaz (gazi), hauz (hauzi), ndez (ndeza), njerëz (njerëzit), oriz (orizi), pullaz (pullazi), rrogoz (rrogozi); garazh (garazhi), shantazh (shantazhi) etj.;
humbte, humbka, humbsha, humbni, i elbtë, labçe; mundte, mundka, mundsha, mundni, i mundshëm, vendqëndrim, vendstrehim, vendtakim; i bredhtë, mblidhte, mbledhka, mbledhsha, mblidhni; lagte, lagka, lagsha, lagni; digjte, digjni; hovte, hovka, hovtë, hovni, i hovshëm; ndizte, ndezsha, ndizni etj.
Shënim 1. Emrat këndes (këndesi), mes (mesi), mëngjes (mëngjesi) shkruhen me s fundore; po kështu edhe formimet prej tyre si mesatar, mëngjesore etj.
Shënim 2. Shkruhen me -s ndajfoljet e formuara me prapashtesën -as: baras, barkas, befas, djathtas, fshehtas, fytas, haptas, këmbadoras, krahas, majtas, rishtas (por: barazi, barkazi, fshehtazi, haptazi, rishtazi etj.).
SH / ZH / Ç NISTORE
§ 23
Fjalët me sh / zh / ç nistore shkruhen kështu:
a) me sh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët (f, k, p, q, t, th etj.):
shfajësoj, shfaq, shfaqje, shfaros, shfryj, shfrytëzoj; shkallmoj, shkarkoj, shkatërroj, (i, e) shkathët, shkëlqej, (i, e) shkëlqyer, shkëmbej, shkëput, shkombëtarizoj, shkoq, shkreh, shkrep, (i, e) shkrifët, shkrij, shkujdesem, shkul; shpalos, shpall, shpallje, shpërblim, shpërdorim, shpërndaj, shpjegoj, shpjegim, shpif, shpikje, shpoj, shporr, shprish, shpronësoj, shpyllëzim; shqep, shqetësoj, (i, e) shquar; shtjelloj, shtrydh; shthur, shthurje etj.;
b) me zh-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme (b, d, g, gj, v):
zhbart, zhbëj, zhbiroj, zhbllokoj; zhdavarit, zhdëmtoj, zhdoganoj, zhdredh, (i, e) zhdrejtë, zhduk; zhgënjej, zhgënjim, zhgërryej; zhgjakësohem, zhgjandërr; zhvat, zhvendos, zhvesh, zhvilloj, zhvillim, zhvleftësim, zhvoshk etj.
Shënim. Përemri ç tek të gjitha fjalët e formuara me pjesëmarrjen e tij, shkruhet kështu, pavarësisht nga bashkëtingëllorja që e pason: çdo, çdokush, çdonjëri, çfarë, çfarëdo, i çfarëdoshëm, çka, diçka, gjithçka.
c) me ç-, kur kjo ndiqet nga një zanore ose nga një bashkëtingëllore e tingullit (l, ll, r, rr, m, n, nj, j):
çarmtatos, çarmatim; çorganizoj, çorganizim, çorientoj, çorientim etj.
çliroj, çlirim, çlirimtar, çlodhem, çlodhje; çregjistroj, çregjistrim; çrregulloj, çrregullim, (i, e) çrregullt, çrrënjosje; çmallem, çmend, çmendinë, (i, e) çmendur, çmësohem, çmos; çnderoj, çngjyros; çnjerëzor; çjerr etj.
Shënim. Shkruhen me sh- fjalët shmang, shlyej, shndërroj, shndrit dhe ato që formohen prej tyre.
S, Z NISTORE
§ 24
Fjalët me s, z nistore, të ndjekur nga një bashkëtingëllore (disa prej të cilave shqiptohen ngandonjëherë edhe me c ose x), shkruhen kështu:
a) me s-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e shurdhët ose nga një bashkëtingëllore e tingullt (m, n, l):
sfakë, sfilit, sfrat, sfungjer, sfurk; skalit, skërfyell, skërkë, skërmit, skuq; spërkat, spërndrit; sqepar, squfur etj.;
smag, smalt, smaltoj, smat, smatos, smerald, smeril, smilar, smilat, smilatës, smirë, smirëzi, smiroj, smoking, smuqth-i, snob, snobizëm, slogan etj.;
b) me z-, kur kjo ndiqet nga një bashkëtingëllore e zëshme:
zbardh, zbaticë, zbath, zbavit, zbërthej, zbokth, zbraz, zbres, zbritje, zbukuroj, zbut; zdrukth; zgalem, zgavër, zgërbonjë, zgërdhihem, zgrip; zgjat, zgjedh, zgjyrë; zvarit, zverdhem, zvogëloj etj.
Në pajtim me shqiptimin më të përhapur, me z- shkruhen edhe foljet zmadhoj, zmbraps, si edhe fjalët e formuara prej tyre.
SHKRIMI I J-SË
§ 25
Shkruhen me j:
a) emrat ku j-ja ndërzanore i përket temës, si edhe fjalët e formuara prej tyre:
anije - anija, anijes, anijen, anijet, anijeve, anijesh, anijetar; batanije - batanija, batanijes, batanijen, batanijet, batanijeve, batanijesh; dije - dija, dijes ... dijeni, dijetar, i dijshëm, vetëdije; fije - fija, fijes ..., fijezor-e, fijezoj, fijezim, fijor-e; hije - hija, hijes... i hijshëm, hijeshi, hijesira-t, hijerëndë etj.; korije - korija, korijes, etj.; shije - shija, shijes etj.;
bijë - bija, bijës, bijën, bijat, bijave, bijash; fëmijë - fëmija, fëmijës, fëmijën, fëmijët, fëmijëve, fëmijësh, fëmijëri; mijë - mija, mijës etj.; nyjë - nyja, nyjës, nyjën, nyjat, nyjave, nyjash, nyjshëm, (i, e) nyjëzuar, nyjëzim; pajë - pajime-t, pajis, pajisje, i pajisur; shkëndijë - shkëndija, shkëndijës, shkëndijim; ujë - uji, ujit... ujis, ujitje; vijë - vija, vijës... vijoj, përvijoj, vijim etj;
çaj - çaji, çajit, çajin; faj - faji, fajit, fajin; kallaj - kallaji, kallajit, kallajin, kallajis; lloj - lloji, llojit; maj - maji, majit, majin; skaj - skaji, skajit; vaj - vaji, vajit, vajin etj;
b) emrat femërorë që dalin më zanore të theksuar përveç -i-së, në të gjitha trajtat, kur zanorja e theksuar ndiqet nga një zanore tjetër:
kala, kalaja, kalaje; para, paraja, paraje; be, beja, beje; ide, ideja, ideje; re, reja, reje; rrufe, rrufeja, rrufeje; e ve, e veja, së veje; gjë, gjëja, gjëje; tablo, tabloja, tabloje; dru, druja, druje; dy, dyja, dyje, të dyja etj.;
por: bukuri, bukuria, bukurie; cilësi, cilësia, cilësie; dashuri, dashuria, dashurie; dituri, dituria, diturie; dhi, dhia, dhie; li, lia, lie; liri, liria, lirie; ministri, ministria, ministrie; parti, partia, partie; rini, rinia, rinie; shtëpi, shtëpia, shtëpie; ushtri, ushtria, ushtrie; veti, vetia, vetie etj.;
c) trajtat e gjinores, të dhanores e të rrjedhores njëjës të pashquar, si edhe të emërores njëjës të shquar të emrave që dalin më -o të patheksuar:
balo, (i, e një) baloje, baloja; dado (i, e një) dadoje, dadoja; depo, (i, e një) depoje, depoja; kakao (i, e një) kakaoje, kakaoja; kallo (i, e një) kalloje, kalloja; kosto (i, e një) kostoje, kostoja; pako (i, e një) pakoje, pakoja; pallto (i, e një) palltoje, palltoja; radio (i, e një) radioje, radioja; teto (i, e një) tetoje, tetoja; tifo (i, e një) tifoje, tifoja; torno (i, e një) tornoje, tornoja etj.;
po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të këtij tipi:
Bajo, Bajoja; Koço, Koçoja; Kristo, Kristoja; Misto, Mistoja; Pirro, Pirroja; Safo, Safoja; Vito, Vitoja; Kajro, Kajroja; Kongo, Kongoja etj.;
ç) përemrat (i, e) tij, i tiji, e tija, të tijtë, të tijat, (i, e) atij, (i, e) këtij.
Shënim. Nuk shkruhet me -j- as në trajtën femërore, as në trajtën mashkullore pronori shumës i vetës së parë: të mitë, të miat, (shokët) e mi, (shoqet) e mia. Po kështu të tria.
d) trajta e shkurtër e përemrit vetor të vetës së tretë njëjës (i), kur i prapangjitet foljes e bashkuar me një tjetër trajtë të shkurtër përemërore ose me pjesëzën u të pësore-vetvetores:
tregoja shokut; hapja derën mikut; ngjitju malit; përvishju kësaj pune; largoju së keqes; afrojuni mësuesit etj.;
dh) trajtat e vetës së parë e të tretë shumës të së tashmes së dëftores, të vetës së parë e të tretë njejës e shumës të së tashmes së lidhores dhe të së ardhmes, si edhe trajtat e vetës së parë e të dytë njëjës të së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore të foljeve që në vetën e parë njëjës të së tashmes dëftore dalin më -aj, -ej, -ëj, -ij, -oj, -uj, -yj, -iej, -uaj, yej:
laj - lajmë, lajnë, (do të) laj, (do të) lajë, (do të) lajmë, (do të) lajnë, (do të) laja, (do të) laje, mbaj - mbajmë, mbajnë, (do të) mbaj, (do të) mbajë, (do të) mbajmë, (do të) mbajnë, (do të) mbaja, (do të) mbaje; qaj - qajmë, qajnë ...; thaj - thajmë thajnë ... etj.;
blej - blejmë, blejnë, (do të) blej, (do të) blejë, (do të) blejmë, (do të) blejnë, (do të) blija, (do të) blije; dëfrej - dëfrejmë, dëfrejnë, (do të) dëfrej, (do të) dëfrejë, (do të) dëfrejmë (do të) dëfreja, (do të) dëfreje etj.;
bëj - bëjmë, bëjnë, (do të) bëj, (do të) bëjë, (do të) bëjmë, (do të) bëjnë, (do të) bëja, (do të) bëje;
arrij - arrijmë, arrijnë, (do të) arrij, (do të) arrijë, (do të) arrijmë, (do të) arrijnë, (do të) arrija, (do të) arrije; fshij - fshijmë, fshijnë, (do të) fshij, (do të) fshijë, (do të) fshijmë, (do të) fshijnë, (do të) fshija, (do të) fshije; gdhij - gdhijmë, gdhijnë, (do të) gdhij, (do të) gdhijë, (do të) gdhijmë, (do të) gdhijnë, (do të) gdhija, (do të) gdhije; vij - vijmë, vijnë, (do të) vij, (do të) vijë, (do të) vijmë, (do të) vijnë, (do të) vija, (do të) vije etj.;
qëndroj - qëndrojmë, qëndrojnë, (do të) qëndroj, (do të) qëndrojë, (do të) qëndrojmë, (do të) qëndrojnë, (do të) qëndroja, (do të) qëndroje; punoj - punojmë, punojnë, (do të) punoj, (do të) punojë, (do të) punojmë, (do të) punojnë (do të) punoja, (do të) punoje; etj;
mbruj - mbrujmë, mbrujnë, (do të) mbruj, (do të) mbrujë, (do të) mbrujmë, (do të) mbrujnë, (do të) mbruja, (do të) mbruje etj.;
fryj - fryjmë, fryjnë, (do të) fryj, (do të) fryjë, (do të) fryjmë, (do të) fryjnë, (do të) fryja, (do të) fryje; ndryj - ndryjmë, ndryjnë, (do të) ndryj, (do të) ndryjë, (do të) ndryjmë, (do të) ndryjnë, (do të) ndryja, (do të) ndryje etj.;
ndiej - ndiejmë, ndiejnë, (do të) ndiej, (do të) ndiejë (do të) ndiejmë, (do të) ndiejnë, (do të) ndieja, (do të) ndieje; përziej - përziejmë, përziejnë, (do të) përziej, (do të) përziejë, (do të) përziejmë, (do të) përziejnë, (do të) përzieja, (do të) përzieje etj.;
paguaj - paguajmë, paguajnë (do të) paguaj, (do të) paguajë, (do të) paguajmë, (do të) paguajnë, (do të) paguaja, (do të) paguaje; shkruaj - shkruajmë, shkruajnë, (do të) shkruaj, (do të) shkruajë, (do të) shkruajmë, (do të) shkruajnë, (do të) shkruaja, (do të) shkruaje, (do të) etj.;
lyej - lyejmë, lyejnë, (do të) lyej, (do të) lyejë, (do të) lyejmë, (do të) lyejnë, (do të) lyeja, (do të) lyeje; kryej - kryejmë, kryejnë, (do të) kryej, (do të) kryejë, (do të) kryejmë, (do të) kryejnë, (do të) kryeja, (do të) kryeje etj.
Shënim. Foljet që në vetën e parë të së tashmes dëftore dalin më zanore, si ha, fle, lë, nxë, vë, zë, di, pi, nuk shkruhen me -j as në vetën e parë e të tretë shumës të së tashmes dëftore e lidhore dhe të së ardhmes, as në vetën e parë e të dytë njëjës të së tashmes lidhore, as në urdhërore:
ha - (do të) hamë, (do të) hanë; të ha, të hash; ha!
fle - (do të) flemë, (do të) flenë; të fle, të flesh; fli!
lë - (do të) lëmë, (do të) lënë; të lë, të lësh;
di - (do të) dimë, (do të) dinë; të di, të dish; di! etj.
§ 26
Shkruhen me i dhe jo me j:
a) trajtat rasore të njëjsit të shquar (me përjashtim të kallëzores), si edhe trajtat e gjinores, të dhanores e të rrjedhores së njëjësit të pashquar të emrave mashkullorë më -ua ose më -a të theksuar:
dragua - (një) dragoi, (i, e) dragoit; ftua - (një) ftoi, (i, e) ftoit; krua - (një) kroi, (i, e) kroit; pallua - (një) palloi, (i, e) palloit; përrua - (një) përroi, (i, e) përroit; vargua - (një) vargoi, (i, e) vargoit etj;
baba - (një) babai, (i, e) babait (por babanë); vëlla - (një) vëllai, (i, e) vëllait (por vëllanë);
b) trajta e shkurtër e përemrit vetor të vetës së tretë (i), edhe kur bashkohet me një trajtë tjetër të shkurtër përemërore ose me pjesëzën u të pësore-vetvetores përpara foljes:
mos ia trego; ia hapi zemrën; iu mbush mendja; iu ngjit malit; çmimet iu dhanë nxënësve më të mirë etj.;
c) veta e tretë njëjës e së kryerës së thjeshtë të foljeve më -oj ose më -uaj:
harroi, luftoi, punoi, tregoi, vrapoi, zgjoi; shkroi etj.;
ç) fjalët e formuara prej temash më -i të theksuar me anë prapashtesash që fillojnë me zanore:
bashkiak, shtëpiak-e, shtëpiar, shtiak, triak, (zile) triare etj.
Shënim. Shkruhet vetjak (vete-vetja) dyjar-e (të dyja).
SHKRIMI I BASHKËTINGËLLORES H
§ 27
Duke u mbështetur në shqiptimin letrar dhe në traditën e shkrimit, shkruhen me h:
a) në fillim të fjalës:
ha, habit, halë, hamshor, hamullore, hap, harabel, hardhi, hardhucë, hark, hartë, harr, harroj, hedh, helm, hell, heq, herë, hero, hesht, heshtë, hënë, e hënë, hi, (i, e) hidhur, hije, hikërr, hingëllin, hinkë, hipi, hir, hirrë, hithër, hoje, i hollë, hop, hosten, hov, hu, hua, i huaj, hudhër, humb-as, hundë, hurdhë, hutoj, hyj, etj.
Këtu hyjnë edhe një numër fjalësh të burimit turk:
haber, hajat, hajdut, hajmali, hajvan, hak, haliç, hall, hallë, hallkë, hallvë, hamall, hamam, hambar, han, haraç, harar, harem, harxh, hase, hasëll, hasm-i, hasude, hashash, hashure, hata, hatull, hava, havan, hejbe, hem ... hem, hendek, hiç, hile, hise, hordhi, hashaf, huq, hurmë, hyzmet etj.;
b) në fund të fjalës:
foljet e tipit deh, fsheh, ftoh, grah, leh, mih, mpreh, ndih, ngreh, nxeh, njoh, rrah, shkreh, shoh etj. në të gjitha trajtat e zgjedhimit të tyre: fsheh, fshehim, fshihni, fshehin; fshihja, fshihje...; (u) fsheha, (u) fshehe... ; fshihem, fshihesh...; fshihesha, fshiheshe...; fshehkam, fshehke...; fshehur etj.;
emrat si ah, gjah, gjynah, krah, moh, pah, pleh, shah, tezgjah, etj. në të gjitha trajtat e tyre: krahu, krahut, krahun, krahët, krahëve, krahësh;
c) në mes të fjalës:
trajtat pësore-vetvetore të foljeve me temë më zanore:
lahem, lahesh...; lahesha, laheshe...; lahu, lahuni; kthehem, kthehesh...; kthehesha, ktheheshe...; kthehu, kthehuni; bëhem, bëhesh...; bëhesha, bëheshe...; bëhu, bëhuni; fshihem, fshihesh...; fshihesha, fshiheshe...; fshihu, fshihuni; tregohem, tregohesh...; tregohesha, tregoheshe...; tregohu, tregohuni...; mësohem, mësohesh...; mësohesha, mësoheshe...; mësohu, mësohuni...; shtyhem, shtyhesh...; shtyhesha...; shtyheshe...; shtyhy, shtyhuni; përzihem, përzihesh...; përzihesha, përziheshe...; përzihu, përzihuni; ndihem, ndihesh...; ndihesha, ndiheshe...; ndihu, ndihuni etj.
Po kështu shkruhen edhe foljet si dihas, gërhas, luhas, mahnit, nuhas, pohoj, ashtu edhe emrat e mbiemrat si grahmë, krehër, lehonë, i lehtë, llohë, vjehërr, vjehrra.
Këtu hyjnë edhe një numër fjalësh të burimit turk: aheng, ahur, bahçe, behar, çehre, duhan, kasaphanë, mahmur, mëhallë, muhabet, muhalebi, muhamedan, nahie, pehlivan, pehriz, qehaja, rehat, sahan, sahat, sehir, spahi, tahmin, tespihe, xhahil, xhevahir, zahire, zeher etj.
Me h shkruhen edhe të gjitha fjalët e formuara prej fjalëve të përfshira në këtë paragraf:
hamendje, i hapët, harkëtar, harxhoj, hidhërim, hingëllimë etj.; ftohje, i ftohtë, krahasoj, krehje, i krehur, lehtësi, luhatje, mohoj, ndihmë, ndihmës, ngrehinë, ngrohje, i ngrohtë, ngrohtësi, nuhatje, njohje, njohuri, rrahje, shkrehje etj.; gjahtar, plehroj, shahist etj.
Shënim. Nuk shkruhen me h fjalët arushë, avaz, avlli, eci, esëll, iki, memur, yll, vete - vetja, vetë dhe formimet prej tyre: përvetësoj, vetvete.
FJALËT ME RR
§ 28
Duke u mbështetur në shqiptimin letrar të sotëm, shkruhen me rr:
a) në fillim të fjalës:
emrat: rraboshtë-a, rradake, rrafsh, rrahës-i, rrah-u, rraketake, rrangulla, rrap, rrapëllimë, rraqe, rraskë-a, rrasht, rrashtë, rrathje, rravgim, rrebesh, rrebull, rreckë, rregull, rrem (lopatë e barkës), rremb (degë, damar), rrenë, rreng, rrepë, rresht, rreshter, rreth, rreze, rrezg-u, rrezik, rrezhde-ja, rrëcok-u, rrëfanë, rrëfenjë-a, rrëfim, rrëgallë, rrëkajë, rrëke-ja, rrëmet, rrëmore, rrëmujë, rrëndës, rrënxak, rrënjë, rrëpirë, rrëqebull, rrëshaje-t, rrëshek, rrëshiq, rrëshirë, rrëzall, rrëzë, rrip, rriqër, rriskë, rrjetë, rrobë, rrobull, rrodhe, rrogë, rrungajë, rrush, rrushkull, rruzull, rryell, rryl, rrymë, rrypinë etj.;
mbiemrat: (i, e) rallë, (i, e) rremë, rremash, (i, e) rreptë, (vezë) rrufkë etj.;
foljet: rrah, rrapëllij, rras, rravgoj, rrej, rrekem, rreshk, rrëfej, rrëgjoj, rrëkllej, rrëmbej, rrëmih, rrënoj, rrëqethem, rrëshqas, rrëzoj, rri, rrit, rrjedh, rrjep, rroj, rroftë, rrok, rrokullis, rropatem, rruaj, (p.sh.) rruaj mjekrrën, por ruaj shtëpinë), rrudh etj.;
ndajfoljet: rrallë, rreth e rrotull, rrokopujë, rrotull, rrumbull, rryeshëm etj.;
b) në mes të fjalës:
emrat: arrë (pema), barrë, bërryl, birrë (pija), burrë, curril, ferrë, furrë, furrik, harrje, (insekti), hirrë, karrige, karroqe, kërrabë, kërriç, korrik, kurrillë, kurriz, mëshqerrë, murrash,-i, murriz, murrjelë, përrallë, përrua, qerre, (mjet transporti, por qere "sëmundje e lëkurës"), qurra, skëterrë, sorrë, sharrë, shkurre, shtjerra, turrë, thërrime, varrë, zorrë etj.;
mbiemrat: kërrutë, (i, e) murrët, (i, e) pjerrët, sterrë, (i, e) vocërr etj.;
foljet: arratisem, arrij, dërrmoj, gërryej, harroj, kërret, kërrus, ndërroj, ngatërroj, ngurroj, picërroj, shkarravit, shkatërroj, turrem, thërres, thërrmoj, urrej, (dhia) vërret etj.;
ndajfolja kurrë;
pasthirma urra!;
c) në fund të fjalës:
emrat: berr, curr, derr, derr, djerr, dokërr, ëndërr, gabzherr, horr, kandërr, kokërr, kotorr, morr, oborr, qarr, qorr, sherr, terr, tmerr, turr, varr, vjehërr, zjarr, zhavorr etj.;
foljet: bjerr (por e kryera e thjeshtë bora), çjerr (por çora), korr, marr (por mora), nxjerr (por nxora), ngurrr, përmjerr (por përmora), (të) harr, tjerr (por tora), tkurr etj.;
Me rr shkruhen edhe fjalët e formuara prej fjalëve të përfshira në këtë paragraf:
bjerraditë, bjerrafat, burracak, burrëri, djerrinë, errësoj, (i, e) errët, ëndërroj, ferraç, ferrishte, (i, e) kërrusur, kokrrizë, (makinë) korrëse, korrje, kurrizor, kurrkund, kurrsesi, manaferrë, (i, e) marrë, marrëdhënie, marrëveshje, marros, mburracak, mburrem, mburrje; murrëtehem, ndërresa, ndërmarrje, ngurrim, oborrtar, pjerrësi, qorrazi, (i, e) rrafshët, rrafshim, rrafshinë, rrafshnaltë, rrafshoj, rrafshultë, rrallëherë, rralloj, rrapishtë, rrasallis, (i, e) rrasët, rreckos, rregullisht, rregulloj, (i, e) rregullt, rreptësi, rreptësisht, rreshk-u, (i, e) rreshkët, rreshtim, rreshtoj, rreshtor, rrethanë, rrethatore, rrethe-ja, rrethim, rrethina-t, rrethoj, rrethojë, rrezatoj, rrezikoj, i rrezikshëm, (i, e) rrëgjuar, rrëmbim, i rrëmbyeshëm, rrënim, rrënjëdalë, rrënjës, rrënjësisht, rrënjësor, rrënjos, rrëshqanë, rrëshqanor, (i, e) rritur, rrjedhë, rrjedhës-e, rrjedhim, rrjedhore, rrjedhshëm, rrjepacak, rrobaqepës, rrogëtar, rrojtore, rrotullim, rrotulloj, rrotullues, (i, e) rruar, (i, e) rrudhët, rrufepritës, rrugaç, (i, e) rrumbullakët, rrumbullakoj, rrumbullos, rruzullim, sipërmarrje, sharroj, shkarravinë, shndërroj, tjerrës, tkurrje, tmerroj, turravrap, thirrje, thirrore, urrejtje, varreza, varrim, varros, vocërrak etj.
Shënim. Nuk shkruhen me rr fjalët karotë, ngurosem, i ngurtë, racë, radhë, rebel, remtar, resht, (pushoj) dhe formimet prej saj: reshtje, (i, e) pareshtur; regjistër, rënkoj, rol, romak, ryshfet, shter dhe formimet prej saj: shteroj, i pashterrshëm.
NJ-JA NË TRUP E NË FUND TË FJALËS
§ 29
Shkruhen me nj e jo me j:
a) emrat femërorë me nj në trup të fjalës:
banjë, bitonjë, brinjë, finjë, gështenjë, mushkonjë, rrëfenjë, rrënjë, shkronjë, shushunjë, thinja-t, ulkonjë, zonjë etj.;
b) mbiemrat e formuar nga një temë më -nj:
(i, e) florinjtë, (i, e) drunjtë, (i, e) grunjtë, (i, e) penjtë etj.; po kështu (i, e) shenjtë, (i, e) shtrenjtë;
c) trajtat e shumësit të emrave mashkullorë më zanore të theksuar ose më -ua:
arinj (ari), barinj (bari), batakçinj (batakçi), çiliminj (çilimi), kallajxhinj (kallajxhi), kallinj (kalli), kërcinj (kërci), kushërinj (kushëri), minj (mi), mullinj (mulli), sharrëxhinj (sharrëxhi), turinj (turi), ullinj (ulli), etj.; po kështu shkruhet shumësi i mbiemrave më -i të theksuar: të rinj (i ri) etj.;
budallenj (budalla), maskarenj (maskara) etj.;
heronj (hero) etj.;
drunj (dru), hunj (hu), kërcunj (kërcu) etj.;
dragonj (dragua), ftonj (ftua), përrenj (përrua), thonj (thua) etj.
Me -nj shkruhen edhe trajtat e shumësit të emrave mashkullorë si gjarpinj, gjarpërinj (gjarpër), lëmenj (lëmë), lumenj (lumë), priftërinj (prift), shkëmbinj (shkëmb), thelpinj (thelb) etj.
Shënim. Shkruhen me -j shumësat: kufij (kufi), të këqij, të këqija (i keq, e keqe).
GRUPE BASHKËTINGËLLORESH
MB, ND, NG, NGJ
§ 30
Grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj shkruhen të plota si në fillim, ashtu edhe në trup e në fund të fjalës:
mb: mbaj, mbaroj, mbesë, mbetem, (për)mbi;, mbij, mbjell, mbush, mbyt; dhëmbët, i ëmbël, këmbë, kumbull, thembër; gjemb, humb, krimb, plumb, shkëmb etj.;
nd: ndaj, ndej, nder, ndesh, ndër, ndërmarrje, ndërmjetës, ndërtoj, ndihmoj, ndjek, ndjell, ndodhem, ndrag, ndriçoj, nduk; andej, këndej, këndoj, mandej, mundoj, përmendsh, prandaj, sandall (mjet lundrimi); asgjëkund, askënd, fund, kurrkund, kuvend, mend, mund, përmend, vend etj.;
ng: nga, ngacmoj, ngarkesë, ngarkoj, ngastër, (i, e) ngathët, nge, ngel, ngij, (i, e) ngordhur, ngricë, ngroh, ngryset, ngul, ngushticë, ngut; brengë, këngë, kungull, i mangët, mëngë, i shtangët, shtëllungë, trangull; bung, cung, deng, preng, shmang, trung etj.;
ngj: ngjaj, ngjalë, ngjall, i ngjashëm, ngjesh, ngjit, ngjyej, ngjyrë; engjëll, tungjatjeta, thëngjill, ungjill; qengj, ungj etj.
TAKIME BASHKËTINGËLLORESH
TAKIMI I T-SË ME SH-NË
§ 31
Te mbiemrat e formuar me prapashtesën -shëm dhe te trajtat e dëshirores, kur sh-ja e prapashtesës takohet me -t-në e temës, shkruhen që të dyja këto bashkëtingëllore (pa u asimiluar në ç):
i begatshëm, i çuditshëm, i mërzitshëm, i ndritshëm, i përbotshëm, i përditshëm, i përmotshëm, i përshpirtshëm, i përshtatshëm, i përvitshëm, i sotshëm, i vjetshëm etj.;
arritsha, arritsh, arritshim, arritshi, arritshin; ditsha, fjetsha, futsha, goditsha, gjetsha, këputsha, matsha, mbetsha, mbytsha, ndritsha, ngritsha, ngutsha, pritsha, shëtitsha, tretsha, vërtitsha, vërvitsha etj.; por paça, vajça.
Shënim. Në pajtim me shqiptimin e sotëm letrar, shkruhen me ç: i moçëm; fëmija është pesë vjeç, por: para (pas) dhjetë vjetësh.
TAKIMI I G-SË OSE I N-SË ME J-NË
§ 32
Fjalët dhe trajtat e fjalëve me theks në rrokjen e parafundit, tek të cilat takohet g-ja ose n-ja e temës me j-në e prapashtesës a të mbaresës, shkruhen me i dhe jo me j, për të mënjanuar shqiptimin e këtyre dy shkronjave si një tingull i vetëm (gj ose nj):
djegie, lagie, shmangie, shtangie; biologe, biologia, filologe, filologia, gjeologe, gjeologia, kirurge kirurgia, pedagoge, pedagogia, pedologe, pedologia, radiologe, radiologia; (unë) lagia, (ti) lagie; (unë) shmangia, (ti) shmangie etj.;
anie, dhënie, kundërthënie, kundërvënie, lënie, marrëdhënie, ngrënie, paradhënie, parathënie, pasthënie, qenie, rënie, thënie, zënie etj.; dibrania, indiania, italiania, koreania, partizania, shkodrania etj.
TAKIMI I D-SË, S-SË, T-SË OSE I Z-SË ME H-NË
§ 33
Fjalët e prejardhura ose të përbëra, tek të cilat takohet d-ja, s-ja, t-ja, ose z-ja me një h që vjen pas tyre, shkruhen pa ndonjë shenjë ndarëse midis pjesëve përbërëse (por ruhet shqiptimi i veçuar i shkronjave të mësipërme):
i herëpashershëm, meshollë, moshapje, moshyrje; shtathedhur; brezhumbur, gazhedhëse etj.
Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm ku ka takime të tilla: Bethoven, Ethem, Mithat etj.
TAKIMI I D-SË ME T-NË
§ 34
Kur në formim fjalësh ose trajtash takohet një d me një t, shkruhen të dyja këto bashkëtingëllore:
(i, e) argjentë, (i, e) njëmendtë, (i, e) njëqindtë, (i, e) pesëqindtë, i treqindti etj.;
mendtë; ai po e bindte; në e bindtë; po endte; në u gjendtë; lindte; në lindtë djalë; nuk mundte; në mundtë; rendte; në rendtë; shkundte; në shkundtë; tundte; në tundtë etj.
TAKIMI I DY SHKRONJAVE TË NJËJTA
§ 35
Kur në formim fjalësh a trajtash takohen dy shkronja të njëjta, njëra prej të cilave mund të bëjë pjesë në një dyshkronjësh, ato të dyja:
kënddrejtë, nënndarje, kundërrevolucionar, kundërreformë, mossulmim, zëvendëssekretar; në arrittë; në mos e godittë; e gjettë e mira; në u mbyttë; ndrittë; në më prittë; në pyettë; në u trettë etj.;
i kujdesshëm, passhkrim, i pjesshëm, leshhollë, shpeshherë, mishshitës, veshshkurtër etj.
Shënim 1. Kur takohen shkronjat r me rr dhe l ose ll me ll shkruhet vetëm rr ose ll: përreth; dembellëk, fodullëk, hamallëk, jeshillëk etj.
Shënim 2. Lidhëza pasi (mbasi), e formuar nga pas+si (mbas+si), shkruhet me një s.
Shënim 3. Trajta e vetës së tretë njëjës e së pakryerës dëftore, lidhore e kushtore të foljeve me temë më -t, në përputhje me shqiptimin e sotëm letrar shkruhet me -st dhe jo me -tt: (do të) fliste, (do të) godiste, (do të) maste, (do të) ngjiste, (do të) nuhaste, (do të) paraqiste, (do të) përshtaste, (do të) priste, (do të) shëtiste, (do të) vriste, (do të) zbriste, (do të) zbuste, (do të) zgjaste etj.
III. DISA TIPA FJALËSH ME PREJARDHJE TË HUAJ DHE EMRASH TË PËRVEÇËM TË HUAJ
§ 36
Fjalët me prejardhje të huaj që kanë hyrë në gjuhën tonë kryesisht pas Shpalljes së Pavarësisë, në përgjithësi nëpërmjet gjuhës së shkruar, dhe që i takojnë sidomos terminologjisë tekniko-shkencore, shkruhen kështu:
a) Fjalët që kanë -ia-, -ie-, -io-, -iu-, me i të patheksuar në trup të tyre, shkruhen me -ia-, -ie-, -io-, -iu- dhe jo me -ja-, -je-, -jo-, -ju-:
-ia-: amiant, australian, austriak, aviator, aziatik, ballkaniadë, bolivian, brazilian, diabet, diagnozë, diagonale, diagramë, dialekt, dialektik, dialog, diamant, diametër, diapazon, diapozitiv, diare, diatezë, dhiatë, elegjiak, financiar, fiziatër, gjenial, gjeorgjian, imperialist, indonezian, industrial, iranian, italian, (kalendari) gregorian, (kalendari) julian, kambial, kardiak, kolonial, kolonializëm, material, materializëm, miliard, olimpiadë, pediatër, piano, pianist, psikiatër, racial, special, specialist, variant etj.;
-ie-: ambicie, arie, bankier, dietë, hierarki, hieroglif, higjienë, kantier, karrierë, karrocier, magazinier, malarie, materie, minierë, mumie, pionier, portier, tastierë, variete etj.;
-io-: agresion, agjitacion, aksiomë, aksion, aluzion, ambicioz, antibiotik, aviacion, bakteriolog, batalion, bibliotekë, bilion, biografi, biologji, delegacion, dioqezë, disertacion, dispozicion, diversion, ekspresionizëm, fiziologji, fizionomi, funksion, idiomë, idiot, iluzion, impresionizëm, injeksion, kamion, kinostudio, koleksion, komision, komunikacion, koncesion, legjion, leksion, lokucion, milion, miop, mision, nacionalizëm, nacion, racionalizim, radio, reaksion, reaksionar, recension, revolucion, sanksion, seksion, sesion, simiozë, stacion, studio, televizion, version, violinë etj.;
-iu-: akuarium, barium, helium, herbarium, iridium, kalcium, kalium, po kështu kolokium; koniukturë, magnezium, moratorium, natrium, silicium, simpozium, stadium etj.
Po kështu shkruhen edhe emrat e përveçëm të huaj të tipave të mëposhtëm:
Diana, Iliada, Miltiadi, Oktaviani, Santiago; Danieli, Lavuazie, Molieri, Robespieri, Sevilie; Berliozi, Diogjeni, Diokleciani, Etiopia, Hesiodi, Niobe, Tokio, Violeta etj.
Shënim. Shkruhen me -ja-, -je-, -jo-, -ju-, fjalë si: hajvar, plejadë; adjektiv, bjellogardist, konvejer, medalje, objekt, objektiv, objektivizëm, projekt, sovjet, sovjetik, subjekt, subjektiv, subjektivizëm, trajektore, vjenez; bajonetë, fjord, major, rajon, pavijon; adjudikatë, adjutant etj.
b) Fjalët dhe emrat e përveçëm që nisin me togjet e mësipërme, shkruhen me ja-, je-, jo-, ju-:
jafetik, jaht, jamb, janki, japigët, jard; jeniçer, jezuit; jod, jon, jonizim; jug, juri, juridik, jurisprudencë, jurist, justifikim etj.;
Jakutia, Jalta, Jasoni; Jemen, Jenisei, Jeronim, Jerusalem; Jokasta, Jokohama, (deti) Jon, Jordan; Jupiteri, Justiniani, Juvenali etj.
c) Fjalët dhe emrat e përveçëm me aj, ej, oj, uj shkruhen me j kur këto grupe janë në trup të tyre, por me i kur grupet në fjalë janë fundore:
lajtmotiv, kombajnë, kombajner; fejton, konvejer, trolejbus, volejboll; bojkotoj, trojka etj.;
Azerbajxhan, Bajkal, Bajron, Hajnan, Hajne, Kajro, Lajpcig, Majer, Malajzia, Sajgon, Tajlandë, Tajvan, Versajë, Xhamajka; Bejrut, Cejlon, Marsejë, Rejkjavik, Rio-de-Zhanejro; Llojd, Rojter, Troja; Kujbishev etj.;
Havai, Kolontai, Mamai, Paraguai, Shangai, Uruguai; Bombei, Broduei, Faradei, Jenisei, Koçubei, Sergei, Sidnei; Hanoi, Koshevoi, Sedoi, Tolstoi etj.; por tramvaj, hokej, koktej, kauboj.
ç) Fjalët dhe emrat e përveçëm me burim prej greqishtes së vjetër, që në këtë gjuhë kanë y (ipsilon), shkruhen me i:
amidon, analizë, anonim, antonim, antroponim, asintetik, bariton, brakicefal, cinik, daktilografist, dinamo, dinasti, distik, distrofi, dizenteri, dolikocefal, ekinokok, elektrolizë, etimologji, faring, filogjenezë, fizikë, fiziologji, fizionomi, fiziatër, glicerinë, gjimnastikë, gjimnaz, gjinekolog, hidrocentral, hidrogjen, himn, hiperbolë, hipertension, hipnotizim, hipokrit, hipotekë, hipotenuzë, homonim, idil, katalizator, klorofil, kriptogram, kristal, ksilofon, laring, limfë, linotip, martir, metonimi, mister, mistik, mit, mitologji, mizantrop, nimfë, oksigjen, olimpiadë, pirik, pirografi, poligjenezë, politeknik, psikiatri, psikik, psikolog, ritëm, silogjizëm, simbioz, simbol, simfoni, simetri, simpati, simptomë, sinagogë, sinekdokë, sinkroni, sinonim, sinoptik, sintagmë, sintaksë, sintezë, skit, stilistikë, stilograf, tip, tipografi, tiran etj.
*vazhdon..