‘Qerbelaja’ e propagandës: Teherani në Tiranë
46 minuta më parë
nga Col Mehmeti
Dy grupime të organizuara kanë zënë vend në protestat në Tiranë. Në njërën anë, islamistët që nuk duan afrimin e Shqipërisë me Izraelin, dhe, në anën tjetër, komunistët që duan të luftojnë oligarkët vendës e të huaj. Kështu së paku shfaqet përbërja e ‘flamingove’ sipas iranianofilit më të njohur shqipfolës, Olsi Jazexhi. Ai, madje, po përhap fjalë se gjoja ambasadat perëndimore kanë vënë kontakte me drejtuesit e protestave dhe po përgatisin planin për tranzicion. Ndryshe nga Jazexhiu që çon selame nga Kuala Lumpuri i largët, aktivistja shiite nga Prizreni, Ikballe Berisha-Huduti ka marrë udhën drejt Tiranës. Si ajo, janë edhe dhjetëra figura e militantë nga Vetëvendosja në Kosovë e VLEN-i në Maqedoninë e Veriut.
Col Mehmeti
24 qershor 2026 – Qershori i sivjetmë kaloi me protesta e trazime kryesisht në Tiranë duke pasur si vëng investimin e paralajmëruar në Zvërnec.
Në të njëzet e pestën ditë, organizimi i protestave dhe akterët e mundshëm pas tyre mbeten çështje tejet të përfolura.
Në
bashkëbisedimin e djeshëm dhënë për televizionin francez
France 24, kryeministri Edi Rama sërish e drejtoi gishtin kah Irani që, sipas tij, është i interesuar të pengojë projektin amerikan në Zvërnec.
“
Ka shumë ndërhyrje, qoftë nga Irani, me të cilin jemi në një luftë kibernetike prej tre vitesh, qoftë nga konkurrentë në rajon që nuk e duan këtë zhvillim në Shqipëri”, citohet të ketë thënë Rama.
Zonja Ikballe e sheh Qerbelanë në Tiranë
Megjithëse e mohuar nga organizatorët, aktivistë e figura publike që identifikohen si mbështetës të Iranit po shfaqen pa teklif si pjesë e protestave në Tiranë.
Aktivistja pro-iraniane nga Prizreni, Ikballe Berisha-Huduti ka
mësyrë Tiranën për të marrë pjesë në protestat që kërkojnë rrëzimin e Qeverisë Rama.
“
Nuk është Qerbelaja në Irak, por është Tirana e Shqipërisë në Ballkan”, shkruhet në njërin nga
afishimet që ajo ka bërë në profilin e saj në ‘Facebook’ duke e shoqëruar edhe me një video nga droni.
E deklaruar haptas si praktikuese e islamit shiit, Berisha-Huduti ka bërë emër prej vitesh si mbrojtëse e paepur e pozicionit të Iranit.
Aktivistja nga Prizreni është edhe mbështetese e thekur e kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, të cilin e
krahason edhe me imam Aliun.
Goxhaj si aktivist online i Gardës Revolucionare
Larg më aktiv sesa zonja nga Prizreni, Dritan Goxhaj ishte nga ata që e mori megafonin në protestë, madje edhe lexoi ‘kërkesat e popullit’.
I shkolluar për pilot në Shkollën e Aviacionit në Vlorë, ai njihet më fort si pjesëmarrës i rregullt në disa nga mediat televizive në Tiranë.
Në cilësinë e analistit të sigurisë, Goxhaj shquhet për pozicionimin e tij të sertë antiamerikan.
Me këtë parashenjë lexohen pothuajse shumica e shpjegimeve të tij mbi vlimet gjeopolitike në botë.
Kur më 28 shkurt të këtij viti fushata ajrore e ShBA-së dhe Izraelit e qëroi fizikisht krejt udhëheqjen e regjimit teokratik të Iranit, ish-oficeri kundërthënës ishte i vetmi që i shihte gjërat me një tejqyrë tjetër.
Sipas tij, republika islamike ishte e tillë që kishte takat ta lodhte edhe Amerikën.
Në emisionin ‘
Jashtë kontrollit’ që drejtohet nga Red Varaku në
NTV, Dritan Goxhaj parashikoi një skenar fort optimist për ushtrinë iraniane.
Sipas tij, arsenali i ShBA-së me raketa do të harxhohej brenda javësh, gjë që do t’i jepte soldateskës iraniane mundësinë e rrallë që të kundërpërgjigjej ashpërisht.
“
Amerika t’i bëjë hesapet mirë sepse kësaj radhe nuk do të kemi luftë të shkurtër. Lufta e gjatë i intereson Iranit, por jo ShBA-së e cila nuk ka kapacitet për luftë të gjatë. Vetëm tomahowkat i harxhon për dhjetë ditë, maksimumi pesëmbëdhjetë ditë. Nuk ka më me çfarë e godet”, kishte thënë Goxhaj me një siguri të palëkundur prej eksperti.
Lexo edhe: Vullnetarë shqiptarë për Iranin: ‘ekspertë’ sigurie, portale e faqe anonime
Çuditërisht, qëndrimet e tij do të shndërroheshin në vinjeta të preferuara për qerthuj islamikë kudo në internet.
Antiamerikanizmi i tij kalëronte trokthi edhe me imazhin e tij si gjoja ish-ushtar i UÇK-së.
Por pas ‘angazhimit’ të tij në luftë doli një bisht i madh.
Një
dokument që mban siglën e Ministrisë së Mbrotjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, më 21 prill 1999, zbulon një Dritan që refuzoi të qëndronte me vullnetarët e tjerë në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan të Hasit.
“
Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës”, kishte thënë Goxhaj, moment ky që pati plot dëshmitarë të skandalizuar nga kjo përgjigjje.
Jazexhi e lëshon fantazinë në rënie të lirë: “Perëndimi do ta përzë Ramën”
I njohur për afrinë e tij shumëvjeçare e të palëkundur me Teheranin, Olsi Jazexhi mbase është më i drejtpërdrejti në iranianofilinë e tij.
Mysafir i rregullt në emisionin ‘Jashtë kontrollit’ që moderohet nga Red Varaku në
NTV, ai ka dhënë
paralajmërime të çuditshme, shumica e të cilave të pambështetura.
Dhe njëri nga pretendimet e tilla ishte që ambasadat perëndimore tashmë paskan nisur të urëzojnë lidhje me drejtuesit e protestave.
Sipas tij, perëndimorët do ta flakin Ramën nga pushteti.
“
Problemi nuk është Berisha dhe Rama se ata janë produkt i sistemit. Në këto momente, ambasadat perëndimore kanë hyrë në bisedime me disa grupe nga këta që protestojnë. Kjo tregon se ata nuk e kanë fare problem që ta heqin Ramën nga pushteti”, ka thënë Jazexhi.
Duke e konsideruar si ‘skenar’ realist përpjekjen e amabsadave perëndimore për trazicionin në Shqipëri, iranianofili i njohur ka bërë padashje edhe një skicim të përbërjes së protestave në Tiranë.
“
Në shesh janë islamistët që do të donin që Shqipëria të ndalojë atë kuislingizmin e vet pro Izraelit. Janë edhe komunistët, grupi i Arlind Qorit. Edhe ky grup, ndonëse i margjinalizuar, ka rol shumë specifik në senzibilizimin e shqiptarëve për ruajtjen e pronës publike që Rama po e shkatërron me oligarkët vendës e ata të huaj”, ka thënë Jazexhi.
Vetëvendosje dhe VLEN-i mësyjnë Tiranën
Prej javësh, aktivistë e figura të larta në Vetëvendosje e VLEN kanë ngarendur në Tiranë për t’u bërë pjesë e përpjekjes që kërkon rrëzimin e qeverisë Rama.
Nga
militantë të thjeshtë e deri te figura që e mbajnë direkun ideologjik të partisë, si
Elvis Hoxha e Hysamedin Feraj, Vetëvendosja duket më e interesuara që ta shfrytëzojë destabilitetin në Tiranë.
Po kështu, edhe
njerëz nivelesh të ndryshme të VLEN-it në Maqedoninë e Veriut janë bërë pjesë e protestave.
Analisti dhe gazetari i njohur, Mentor Nazarko ka shfaqur mendimin se megjithë përfshirjen në protesta Vetëvendosja nuk mund të ushtrojë farë ndikimi.
Në një paraqitje në A2 CNN, ai ka thënë se partia e Kurtit nuk ka një model të cilin do të mund ta eksportonte në Shqpëri.
“
Njerëz të tij (Kurtit – v.j) të nivelit më të lartë, janë të përfshirë në protestë. Unë nuk besoj që ata kanë ndikim real te shumica. Për fat të mirë nuk kanë ndikim siç nuk kishin as më 2021. Kosova nuk ka një model që mund ta eksportojë në Shqipëri pavarëisisht mitit se Kurti është i pakorruptuar dhe Rama është i korruptuar”, ka thënë Nazarko.
Narrativa fetare, grupe të infiltruara?
Deri më tani, organizimi i protestave është njejtësuar me njerëzit që me megafonë u vunë në krye të turmës protestuese.
Njëri prej tyre që ka tërhequr vëmendjen publike është edhe aktivisiti, Arben Kola.
Kur një femër e paidentifikuar hoqi flamurin e Izraelit nga ndërtesa e ambasadës izraelite në Tiranë – akt që ngacmoi
reagime diplomatike – Kola kishte tërhequr vërejtjen për grupe të infiltruara brenda protestës.
“
Mes nesh ka grupe të infiltruara që e heqin perdën e priftit, hoxhës a imamit dhe bashkohen me megafonë. Janë grupet greke që operojnë kundër Shqipërisë, grupet serbe që paguhen direkt nga Beogradi. Janë edhe linjat fetare nga Turqia që mundohen t’i japin narrativa fetare protestës”, ka
thënë ai.
Izraeli si cak për shfrim
Distancimi nga përdhosja e flamurit të Izraelit nuk u pa me sy të mirë nga disa imamë e klerikë myslimanë.
Kështu hoxhë Mustafa Tërniqi shpërtheu me hakërrim ndaj aktivistit Kola duke thënë se ai nuk mund të japë verdikte në emër të saj.
“
Një lëvizje qytetare nuk mund të orientohet nga njerëz të tillë”, shkroi në
reagimin e tij Tërniqi i cili është pjesë e Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë.
Vetë kryeministri Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjjej klerikut në fjalë, duke i thënë se vendin e ka në xhami e “jo të fusë xixa” mes shqiptarëve.
“
Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën”,
shkroi kreu i qeverisë shqiptare.
Orteku i reagimeve ka vijuar tash së voni edhe me përfshirjen e teologut dhe hoxhës, Justinian Topulli, si dhe platformave islamike ‘Observatori Kombëtar Kundër Islamofobisë’ dhe ‘Tesheshi.com’.
Fryma antisemite si luftë hibride
Që prej nisjes së protestave kundër investimit në Zvërnec, ka pasur një
valë antisemitizmi në Shqipëri.
Gjithçkaje i kishte paraprirë një fushate dezinformimi në rrjetet sociale ku investimi në Zvërnec paraqitej si plan i Izraelit për ta vënë nën kontrollin e vet këtë pjesë.
Në fillim të këtij muaji, një luftë hibride mori zjarr duke shpërndarë
imazhe false nga Zvërneci që paraqitej si i rrethuar me tela gjemborë e me flamurin e Izraelit.
Edhe kur u përgënjeshtrua ky pretendim, në protestë sërish pati individë që vishnin fanela me fytyrën e kryeministrit Rama të portretizuar si ‘çifut’. /Nacionale/

