Si u hodh nga dritarja e banesës Kastriot Myftaraj, nëna e tij ndodhej në dhomën tjetër (një profil i shkurtër për "gjyqtarin" që u bë gazetar)
7 KORRIK 2022, 17:25KRONIKATEMA
Analisti Kastriot Myftaraj është hedhur nga dritarja e dhomës së tij në banesë rreth orës 12:30 të mesditës së sotme duke i dhënë fund jetës.
Sipas News 24, në momentin e ngjarjes së rëndë nëna e tij e cila jetonte bashkë me të në banesë, ka qenë në dhomën tjetër.
Kanë qenë forcat e policisë ato që i kanë dhënë lajmin e hidhur.
Grupi hetimor ka shkuar në dhomën nga ku dyshohet se është hedhur Myftaraj dhe kanë evidentuar dritaren e hapur, teksa kanë mbledhur të gjitha provat në vendin e ngjarjes.
Dyshimet janë se Myftaraj e ka ndërmarrë aktin në kushte të rënduara psikologjike.
Kjo pasi prej pak kohësh, ai ishte diagnostikuar me kancer dhe me sa duket kjo ka sjellë dhe rëndimin e gjendjes psikologjike.
Kush ishte Kastriot Myftaraj
Myftaraj ka qenë publicist dhe analist në median shqiptare.
Ngjarjet më të rëndësishme të vendit, ai i lidhte me teori konspirative, çka e bënte që të gjente edhe hapësira në media të ndryshme.
Myftaraj lindi në Korçë në vitin 1966, teksa ka punuar për një periudhë kohe si ndihmës gjyqtar në Gjykatën e Korçës dhe pas rënies së regjimit komunist në disa të përditshme në Tiranë, duke filluar që nga gazeta “55”, “Rilindja Demokratike”, gazeta “Sot”.
Pas shpërnguljes në Tiranë, ai ka botuar edhe disa libra.
Kastriot Myftaraj ka qenë pjesë e disa ekraneve shqiptare. Për një kohë të gjatë ka qenë pjesë e emisionit të Arian Çanit në “TV Klan”, ndërsa së fundi prej disa vitesh ishte pjesë e ekranit të “Ora News”, me emisionin e tij “Iu flet Moska”.
Në maj 2017 ai u arrestua nga policia e Tiranës me akuzën ‘Thirrje për vepra të dhunshme në kundërshtim me Kushtetutën’.
Ai ndërkohë ka qenë dhe një kundërshtar i ashpër i fesë islame dhe disa herë ka deklaruar se dhe është kërcënuar për shkrimet e tij të ashpra kundër Kuranit.