• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kosovës

Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

656X37383258Jakup.jpg


Si u vlerësuan demonstratat nga udhëheqësit shqiptarë të kohës?

01.04.2016 | 10:15


Jakup Krasniqi
Në “Rilindjen” e 3 prillit 1981 është botuar deklarata e Xhavit Nimanit, kryetar i KSA të Kosovës për ngjarjet e marsit e të 1 e 2 prillit. Deklarata fillon: ”Në krahinën tonë këto ditë jemi ballafaquar me vështirësi të mëdha të cilat janë pasojë e sulmeve të forcave të brendshme dhe e veprimtarisë së forcave të jashtme armiqësore që janë të organizuara të veprojnë ndaj Kosovës dhe në Kosovë. Në demonstratat me karakter armiqësor nga pozitat nacionaliste shqiptare, më 11 dhe 26 mars, 1 prill dhe sot këto forca janë posaçërisht të koncentruara për veprimtari armiqësore në Prishtinë”. Ky udhëheqës i lartë jugosllav i shqiptarëve të Kosovës e pranonte se demonstratat ishin të organizuara nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm i vetadministrimit jugosllav. Jo pse ishte krejt kështu, por pse kështu i kishin thënë të fliste, që më vonë të arsyetohej çdo sulm mbi popullin shqiptar. Ishte ajo rrjedhojë e politikës së programuar serbe e cila i kishte synimet, objektivat e caktuara për mbajtjen me çdo kusht të Kosovës nën pushtim. Rrjedhja e ngjarjeve që do të zhvillohen më vonë, deklaratës se më sipërme i kishte lënë një vend mjaft të përmbajtur. Po të njëjtën ditë, në gazetën “Rilindja” ishte botua Komunikata për media e dalë nga mbledhja e përbashkët e Kryesisë së KQ të LK të Serbisë dhe Kryesisë së RS të Serbisë ku thuhej: ”Dy kryesitë konstatuan së është fjala për aktivitet të organizuar armiqësor të drejtuar kundër sistemit kushtetues të bashkësisë sonë socialiste vetëqeverisëse. Qëllimi i këtij aktiviteti është destabilizimi i KSA të Kosovës, i RS të Serbisë dhe i RSFJ-së. Aksionet e këtyre grupeve që u manifestuan në disa raste në kohën e fundit, me parulla të theksuara nacionaliste e irredentiste shqiptare, kanë për qëllim minimin e vëllazërim-bashkimit të kombeve e të kombësive në Kosovë dhe përmbysjen e sistemit politik të vetëqeverisjes socialiste”. Po të analizohet me kujdes, pjesa e fundit e fjalisë, atëherë qartësohet parapërgatitja, paralajmërimi për vlerësimin, cilësimin famoz politik si “kundërrevolucion”. Vlerësimi i ngjarjeve si “kundërrevolucion”, në fakt po i vendoste kornizat e veprimeve politike kundër shqiptarëve në trojet e tyre shekullore, po i vendoste kornizat për të luftuar pa mëshirshëm çdo segment të qenies shqiptare. “Me përvetësimin e tezës së “kundërrevolucionit” – thotë me të drejt Viktor Meieri, nga vetë Vllasi në vitin 1981, serbët kishin fituar një kartë të vyer, të cilën s’nguronin ta hidhnin në lojë me t’u dhënë rasti. Dhe agjitacioni serb rrallëherë e linte rastin t’i shpëtonte nga dora” . Komunikatën në fjalë “Rilindja” e kishte marrë nga Agjencia e lajmeve, “TANJUG”. Në mbledhjen e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Mahmut Bakalli në referatin e tij do të thotë: ”Aksionet e tilla armiqësore, me qëllime të këtilla reaksionare dhe me brutalitetin e tyre, në esencë kanë synuar të shpijnë kah kundërrevolucioni” . A thua vërtetë Mahmut Bakalli nuk e dinte se kush e kishte përdorur brutalitetin në Kosovë? Dobrica Qosiq, ideolog i nacionalizmit serb, i cili kurrë nuk ishte pajtuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, më 26 prill 1981 shkruante: “Në qoftë se nuk jemi të gatshëm që sërish ta çlirojmë Kosovën, e nuk jemi, duhet ta ndajmë me Shqipërinë. Të merren pjesët serbe dhe manastiret, kurse shqiptarëve t’u lihet ajo që është shqiptare. Ndryshe, do të hyjmë në luftë të përhershme me shqiptarët, të cilën nuk mund ta fitojmë. Në luftëra të tilla gjithmonë ngadhënjejnë ata që luftojnë për lirinë e vet, edhe kur janë më pak dhe më të dobët. *”. Qosiqi, sigurisht nuk kishte të drejt në kërkesën e tij për ndarjen e Kosovës, pasi mënyra se si ai kërkonte të ndahej Kosova ishte e pamundur. Ndonëse në Dokumentin gjithëpërfshirës të President Ahtisarit ka shumë elemente të asaj kërkese. Për sa u përket komenteve tjera, ai ishte i saktë pasi edhe koha i konfirmoi ato që ngriti në prill të vitit 1981. Qosiqi me kohë i kishte paralajmëruar politikanët serbë që mos të “hyjnë në luftë” se do ta humbisni, se “ata që luftojnë për liri edhe kur janë më të dobët” do ta “fitojnë luftën”. Në kohën tonë, ky konstatim i Qosiqit tingëllon si profetik, por nuk dihet se a e thoshte pse ashtu i thoshin analizat e tija të cilave u besonte apo e thoshte nga shpirtngurtësia e frika se shqiptarët do të fitonin. Gjithesesi ai nuk gaboi, shqiptaret fituan. Në fjalën e tij, Mahmut Bakalli, luftën e popullit e të rinisë shqiptare e vlerëson si luftë klasore dhe bën thirrje për diferencim në Lidhjen e Komunistëve, diferencim që u shtri në të gjitha nivelet dhe vazhdoi krejt deri në shpartallimin e LKJ-së. Pa kaluar shumë kohë edhe ish udhëheqësi komunist i Kosovës, Mahmut Bakalli u bë pjesë e diferencimit, duke dhënë detyrimisht, në pranverë të vitit 1981 dorëheqje nga detyra e Kryetarit të KK të LK të Kosovës . Më larg se Mahmut Bakalli, në vlerësimin e tij do të shkojë, kolegu i tij serb nga Kosova, antishqiptari Dushan Ristiqi, i cili në diskutimin e tij në mbledhjen XVI të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, në mes të tjerave do të thotë: “Elementë kundërrevolucionarë përpiqen t’i mashtrojnë masat me disa parulla sociale, por secili sot e ka të qartë se qëllimi i tyre i vërtetë është separatist, pra ndryshimi i kufijve në këtë pjesë të Ballkanit, e kjo do të thotë konflikt i ri i kombeve e i kombësie të kësaj pjese të Ballkanit dhe derdhje e gjakut, kjo do të thotë humbje e lirisë dhe e pavarësisë” . Udhëheqësi lokal serb, një ndër eksponentët më shovinist të politikës serbomadhe ndaj shqiptarëve, Dushan Ristiqi ishte më i qartë se të gjithë të tjerët, ndoshta pse e dinte më mirë se të tjerët se deri ku mund të shkonte shovinizmi serb. Sigurisht që kjo ishte pasojë e megalomanisë serbe e cila në vazhdimësi në vitet në vazhdim do ta shpalosë strategjinë e shkallëzuar të nacionalizmit e të shovinizmit serb ndaj Kosovës. Kjo për shqiptarët e Kosovës ishte shpallje e luftës, por kjo nuk ishte aq e hapët siç do të bënte vite më vonë, Slobodan Millosheviq që më ardhjen ne krye të LKS-së e në mënyrë të hapët që në Gazimestan më 28 qershor te vitit 1989. Dushan Ristiqi, është i pari që e përmend ndryshimin e kufijve, por në fakt demonstruesit nuk kishin kërkuar ndryshimin e kufijve, ata kishin kërkuar avancimin e statusit politik, pra të statusit kushtetues- juridik të Kosovës nga njësi konstituive e RSFJ në kuadër të Serbisë, në njësi përbërëse të Federatës jugosllave, të barabartë me Republikat tjera të kësaj federate.
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

656X37383338thaci_1.jpg


Demonstratat e ‘81-shit janë ngjarje historike
02.04.2016 | 18:05
Presidenti i Kosovës në ardhje, Hashim Thaçi, ka thënë se demonstratat e vitit 1981 janë ngjarje historike dhe bazë e fuqishme e lëvizjes për liri dhe pavarësi.
“Demonstratat dhe protestat e fuqishme të pranverës 1981 kulmuan në datat 1 dhe 2 prill të atij viti, duke treguar vendosmërinë e të rinjve të Kosovës, studentëve, punëtorëve dhe inteligjencies së re për përparimin e të drejtave politike dhe kombëtare të shqiptarëve nën ish Jugosllavi. Para 35 viteve, në qendër të Prishtinës, ranë heroikisht, në ballë të demonstratave të 2 prillit maturantët Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva. Demonstratat e vitit 1981 janë ngjarje historike dhe bazë e fuqishme e lëvizjes për liri dhe pavarësi të Kosovës. Lavdi të gjithë të rënëve në demonstratat e vitit 1981! HTH”, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në “Facebook”.
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Të drejtat legjitime të shqiptarëve
03.04.2016 | 12:54
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (19)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Mënyra e vetme për ta qetësuar popullin e revoltuar të Kosovës, propozon autori i tekstit, ishte realizimi i menjëhershëm i kërkesave të tij të drejta, heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, lirimi i të gjithë të burgosurve politikë, dënimi i atyre që urdhëruan ndërmarrjen e masave të përgjakshme ndaj popullit etj. Në të kundërtën, zjarri do të rritej edhe më shumë, e përgjegjësia për pasojat që mund të rrjedhin binte vetëm mbi udhëheqjen revizioniste jugosllave.
Në nëntitullin “Vetëm marksizmi- leninizmi tregon rrugën e vërtetë të lirisë”, autori shkruan se “vetëm në kushte të këtilla të dhunës dhe terrorit të egër që po ushtrohet mbi ne e që nuk është parë as në kohën e Rankoviqit, secili e sheh qartë fytyrën e vërtetë gjakatare dhe antishqiptare të udhëheqjes shoviniste jugosllave dhe shërbëtorëve të saj, prandaj, çështja shtrohet prerë: O me popullin, o me armiqtë e tij, me popullin ose me ata që e vrasin, burgosin, torturojnë e poshtërojnë bijtë dhe bijat tona më të mira, me popullin ose me shovinistët rankoviçian dhe me këlyshët e tyre shqiptar. Kështu duhet të gjykojnë edhe bijtë e ndershëm të popullit në organet e ndryshme të pushtetit, e edhe ata që për të siguruar kafshatën e gojës, ose edhe të mashtruar, janë detyruar t’ia vënë vetes emrin e urryer të agjentit e të policit. Ata nuk duhet të lejojnë veten të bëhen mashë në duart e armiqve dhe, për hir të “ubashëve” çetnikë të Nishit dhe Beogradit, të vrasin, gjymtojnë e torturojnë vëllezërit e motrat e veta, bijtë dhe bijat më të mira të popullit.
Lufta për liri ishte detyrë dhe nder për çdo shqiptar. Por, populli ynë siç ka ditur në të kaluarën, do të dijë edhe në të ardhmen të bëjë dallime në mes atyre që vërtet luftojnë për interesat e tij dhe atyre që orvatën ta keqpërdorin e ta shfrytëzojnë luftën e tij të drejtë për qëllimet e tij të errëta. Nuk mund të jenë kurrë me popullin kriminelët që kanë vrarë patriot të mëdhenj Bajram Currin e Luigj Gurakuqin, Hasan Prishtina e Avni Rrustemin. Nuk mund të jenë kurrë me popullin ata që janë me çetnikët, ustashët e UDB-ën e Jugosllavisë titiste për të luftuar kundër shqiptarëve. Populli i Kosovës, që kurrë në historinë e tij nuk u kishte rënë në qafë popujve të tjerë, as më vonë nuk lejuan asnjë shfaqje të nacionalizmit e shovinizmit ndaj popullsive jo shqiptare në Kosovë. Atë që e bënë të tjerët, nuk e benën asnjëherë shqiptarët. Lufta e shqiptarëve, edhe atëherë kur ndodhi, ajo ishte e drejtuar vetëm ndaj atyre që e shtypin dhe e shfrytëzuan, kundër shovinistëve robërues të Jugosllavisë e tradhtarëve shqiptarë të Kosovës, dhe jo kurrsesi kundër popujve jugosllavë, të cilët sikurse edhe ne shtypen e shfrytëzohen nga borgjezia e re jugosllave.
Lirinë e ëndërruar në shekuj, populli shqiptar do ta fitojë vetëm me punën dhe luftën e pa mposhtur të tij, vetëm me vuajtjet dhe sakrificat dhe gjakun e bijve dhe bijave të tij. Por në luftën e tij të lavdishme, megjithatë, nuk ishte vetëm. Me të ishin dhe do të jenë gjithë populli liridashës i gjithë botës. Andaj duke u nisur nga të gjitha këto, lufta e popullit tonë është e drejtë, dhe patjetër do të triumfojë. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Dhunë për nënshtrimin e shqiptarëve
04.04.2016 | 10:43
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (20)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Për nënshtrimin e Kosovës dhe të shqiptarëve pushtetarët jugosllavë vunë në zbatim dy format e njohura të nënshtrimit, dhunës e shtypjes, dhe atë të demagogjisë dhe të mashtrimit. Ata vranë me tradhti kuadro të njohura partizanësh shqiptarë, terrorizuan popullin e, nga ana tjetër, korruptuan ndonjë nga ato kuadro të luftës dhe zgjodhën nga llumi i popullit tonë njerëz të tillë për të vënë firmën e tradhtisë në mbledhjen famëkeqe të Prizrenit më 1945. Që atë ditë ajo mbledhje trumbetohet nga pushtetarët si “shprehje e vullnetit të lirë të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje”.
Historia pas Luftës së Dytë Botërore, thuhej në shkrimin e Mehmet Hajrizit: “Tradhtarët shqiptarë mbrojnë interesat e pushtuesve”, ka treguar edhe një herë qëndresën heroike dhe vendosmërinë e popullit tonë të robëruar për të luftuar kundër çdo armiku, sado i egër qoftë ai, dhe për të jetuar i lirë, ka treguar dashurinë që ka ai për Atdheun e tij të lashtë. Kjo luftë nga ana tjetër, tregon se vullneti i kujt ishte shprehur në mbledhjen e Prizrenit.
Si eksponentë të regjimit titist, ata ishin njëkohësisht edhe altoparlantë e interpretues injorantë të demagogjisë së këtij regjimi në Kosovë. Ata ishin caktuar që gjithë jetën e tyre ti bëjnë aureolë regjimit shtypës dhe shfrytëzues në fuqi dhe me kujdes të veçantë krye-xhelatit të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi dhe të popujve të Jugosllavisë, J. B. Titos.
Fjalët e zgjedhura e të bujshme që i fliteshin bashkëpunëtorët e pushtetarëve për të ardhshmen e “bukur”, që ata i përgatitshin popullit, megjithatë nuk mund ta fshehin gjendjen e rëndë të popullit shqiptar në Kosovë dhe aq më pak ta mashtrojnë atë. Populli i ynë e dinte se liria nuk mund të vijë nga tradhtarët dhe regjimi në fuqi. Zhurma e madhe që bëhej rreth “reformave” ekonomike e shoqërore, “autonomisë” së Kosovës, ose rreth “përfaqësimit të saj në Federatën Jugosllave”, “demokratizimit” të jetës, “vetëvendosjes së marrëdhënieve të reja ndërnacionale” etj… ishin blofe me të cilat armiqtë duan ta vënë në gjumë ndjenjën kombëtare e klasore, luftën e popullit për çlirim. Populli shqiptar kurrë gjatë historisë së tij nuk është nënshtruar. Pushtimi i Kosovës nga policia dhe ushtria fashiste serbe, nuk mund të përjetësohet. Çfarëdo që ishin masat e pushtetarëve, populli edhe më tej kishte shumë bijë e bija trima që ishin të gatshëm për të bërë sakrificën supreme për lirin e popullit e që dinë të dalin fitimtarë mbi bajoneta e tanke.
Në shtypin e ilegales Kadri Zekës shkruante në shkrimin, “1 Maji i këtij viti e gjeti Kosovën në llogore lufte”, autori në pika të shkurtra na jep një pasqyrë të shkurtër për klasën punëtore dhe proletariatin në botë e veçanërisht në Kosovë. “Punëtorët” thotë artikullshkruesi është “pjesa më e vuajtur e popullsisë edhe sot bëjnë një jetë të mjerë dhe të varfër. Borgjezia e pushtetarëve bënë jetë luksoze dhe nuk çanë kokën për ta”. Autori, pastaj vazhdon “se këtë jetë të mjerë të tyre nuk po mundë ta fshehin as pushtetarët e as të tjerët të cilët mundohen të mos e thonë të vërtetën. Ndërsa sa iu përket punëtorëve shqiptar, vërehej një vetëdije e lartë kombëtare dhe një organizim i mirëfilltë për luftën për të fituar të drejtat e tyre elementare. Këtë e dëshmuan edhe me pjesëmarrjen e tyre aktive në demonstratat studentore të vitit 1981. Në demonstratat e 1, 2 dhe 3 prillit, që u zhvilluan në Prishtinë, morën pjesë mija punëtorë dhe u qëndruan heroikisht të gjitha lajkave mashtruese dhe terrorit policor të titistëve. Edhe në qendra të tjera të krahinës, punëtorët qenë forcë e madhe në demonstrata dhe tani, pa iu trembur syri, kanë lënë punën e janë hedhur në greva.
Punëtorët kosovar e pritën një majin ashtu si u ka hije, e pritën me demonstrata e greva me parullat luftarake: “Duam punë”, “Duam ngritje pagash”, “Çmimet, stop”, “Poshtë revizionizmi”, Lart solidariteti ndërkombëtar”. Të njëjtën gjë e bënë edhe punëtorët shqiptar që ndodhën në botën e jashtme. Ata në mënyrën më dinjitoze iu bashkuan vëllezërve të tyre në Kosovë duke organizuar greva e demonstrata. Kështu shprehen solidaritetin vëllazëror duke kërkuar liri dhe barazi për të gjithë” thotë autori. .
Edhe në këtë numër si edhe në numrat e mëparshëm vazhdojnë të bëjnë prezantimin e fjalëve të “Shokut Enver Hoxha për Kosovën”. Në vazhdim jepet fjala e tij e cila është lexuar në Kremlin, në mbledhjen e 81 partive komuniste. Në pika të shkurtra jepen shantazhet e Titosë që i organizoi nëpër mes disa udhëheqësve shqiptar siç ishin: Koqi Xoxe, Dali Ndreu, Liri Gega etj.
Enver Hoxha në mes tjerash ndalet në problemin e pazgjidhur të çështje shqiptare në Jugosllavi, ku ndër të tjera veçojmë se “Jugosllavët na akuzojnë se gjoja ne jemi “shovinist, ndërhyjmë në punët e tyre të brendshme dhe kërkojmë ratifikimin e kufijve shqiptaro - jugosllavë”. Mjaftë nga miqtë tanë mendojnë dhe lënë të kuptohet se ne, komunistët shqiptarë, jemi në këto ujëra. Ne u themi miqve që mendojnë kështu se gabohen rëndë. Ne s’jemi shovinistë, ne as kemi kërkuar dhe as kërkojmë rektifikim kufijsh. Por ajo që ne kërkojmë dhe do të kërkojmë vazhdimisht nga titistët dhe për të cilën do ti demaskojmë ata deri në fund është të heqin dorë nga krimi i gjenocidit kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, të heqin dorë nga terrori i bardhë kundër shqiptarëve të Kosovës, të heqin dorë nga dëbimi i shqiptarëve nga tokat e tyre dhe dërgimi në masë i shqiptarëve në Turqi, ne kërkojmë që popullsisë shqiptare në Jugosllavi ti njihen të drejtat, në bazë të kushtetutës së Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë”. “Liria” e kishte bërë si traditë që në çdo numër të prezantojë biografinë e një dëshmori kombëtar. Në numrin e tretë të saj, në faqen e 12, shkrimi me titull: “Ai ra për të mos vdekur kurrë” i kushtohej patriotit dhe revolucionarit Qemal Stafës, veç shënimeve biografike që jepeshin për të, aty u prezantonte edhe veprimtaria patriotike e atdhetare e tij. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

656X37383449s200_aferdita.dervishi.jpg


Ngjarjet e mëdha të prillit 1981 janë pjesë e historisë kombëtare
04.04.2016 | 15:41
Afërdita Dervishi, PhD cand.
Historinë e një populli e bëjnë ngjarje të vogla dhe të mëdha si zhvillime te hovshme ose normale përgjatë rrjedhës së jetës brenda periudhave kohore. Secili zhvillim në fakt është një hap në procesin historik e kombëtar. Zhvillimet e rëndësishme, hapin rrugët për zhvillimin e ngjarjeve të mëdha. Kështu mund të përkufizohen edhe ngjarjet e vitit 1981, që nga ato që filluan më 11 e 26 mars, e që vazhduan edhe më të fuqishme më 1, 2 e 3 prill 1981. Për karakteristikat, për vlerën, për rëndësinë, dhe për veçoritë e organizimit të këtyre ngjarjeve është shkruar nga pjesëmarrës të drejtpërdrejtë, por edhe nga ata që bënin sehir anash atë kohë dhe pastaj rrihnin gjoks se ishin jo vetëm pjesëmarrës, por edhe organizatorë të atyre ngjarjeve.
Pesha e dhembjes së jetës nën pushtim nuk ndjehet nga të gjithë njerëzit njësoj, siç nuk ndjehet njësoj dashuria për gjakun, gjuhën, kombin e flamurin. Këtë e ka përkufizuar mirë Noli ynë, kur ka thënë se bukë dhe punë gjen edhe nën pushtuesin, por është bukë dhe punë e turpit, siç ishte bukë dhe punë e turpit e klasës politike shqiptare, si dhe e disa intelektualëve shqiptarë, që ju bashkuan hakmarrjes sllave për kërkesat e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar.

Hyrje

Ngjarjet e prillit të vitit 1981 shënojnë një nivel të jashtëzakonshëm jo vetëm të organizimit të demonstratave, por edhe të shtrirjes dhe të kërkesave që dolën gjatë zhvillimit të tyre. Veçori e parë e demonstratave të prillit, të vitit 1981, është shndërrimi i tyre në kërkesa të mbarë popullit shqiptar që kishte mbetur jashtë gjeografisë kombëtare të shtetit amë, Shqipërisë. Historia më e re shqiptare nuk ka shënuar ndonjë ngjarje më popullore, më të përgjithshme, si dhe më këmbëngulëse për realizimin e të drejtave kulturore, politike, historike dhe kombëtare. Një popull i tërë, ishte pjesë e këtij demonstrimit të madh, që nxori në skenën e historisë kërkesat e drejta të pjesës së popullit shqiptar të robëruar, por krijoi edhe një shtresë të re shoqërore, e cila do të jetë bartëse e të gjitha ngjarjeve të mëdha, që u zhvilluan në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara të tokave shqiptare, deri në përmbysjen e madhe historike, që bëri Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lufta e ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni.
Demonstratat e prillit të vitit 1981, kanë edhe një të veçantë tjetër, ngase ato hoqën maskën e pushtuesit sllav, i cili para botës dhe para shqiptarëve sahanlëpirës, aq zëshëm trumbetonte ‘‘vëllazërim-bashkimin’’, kurse pas demonstratave në Kosovë sollën regjimin ushtarak, sollën orën policore, burgosjet dhe diktaturën.
Me prillin e vitit 1981 në jetën historike të shqiptarëve të robëruar, fillon rrënimi i “mitit të vëllazërim-bashkimit”, për një pjesë të shqiptarëve dhe nisi krijimi i vetëdijes kombëtare, prandaj edhe quhet me të drejtë si fillesë e Rilindjes së dytë shqiptare.

Kosova e pushtuar dhe prilli i vitit 1981

Shtrirja në të gjitha shtresat shoqërore e kryengritjes së 2 prillit të vitit 1981, merr karakter popullor e kjo shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar.
Më 2 prill 1981 Beogradi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë dhe ndaloi qarkullimin e mbi dy vetave së bashku në vende publike. Ndërpreu mësimin në shkollat fillore, në ato të mesme dhe në universitet. Mbylli konviktet e studentëve dhe të nxënësve në Prishtinë. Masa të njëjta u ndërmorën edhe në komunat e tjera të Kosovës. Megjithëkëtë, më 2 prill 1981 në Prishtinë tërë ditën kishin vazhduar demonstratat masive të shqiptarëve. Demonstrata me 2 e 3 prill u organizuan edhe në Podujevë, në Gjilan, në Vushtrri, në Prizren, në Mitrovicë dhe në qytete të tjera në Kosovë dhe jashtë saj, ku kishte shqiptarë. Kështu i kanë vlerësuar ngjarjet e prillit të vitit 1981 shumë pjesëmarrës në demonstrata, por kështu i kanë cilësuar edhe armiqtë e shqiptarëve, kurse politika shqiptare që bëhej në Kosovën e kohës, ishte më shumë se e varme, ishte politikë nënshtruese. Andaj gjykimi i saj, nuk paraqet vlerën reale të atyre ngjarjeve.
Ngjarjet kryengritëse të prillit 1981, përveç shtrirjes në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare të kohës, jo vetëm në Kosovë, por edhe të shqiptarët nën Maqedoninë, sidomos në Tetovë, në Gostivar, në Kërçovë, në Kumanovë e gjetiu, krijuan edhe një vlerë të re në jetën e shqiptarëve, krijuan elitën e re intelektuale dhe elitën e politikës së ardhshme, që do të formësohet me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me çlirimin e kësaj pjese të tokave shqiptare, ka hapur proceset e mëdha historike për ardhmërinë e bashkimit kombëtar. Kjo veçori shpalohej rrugëve të Prishtinës dhe të të gjitha qyteteve të Kosovës, por edhe qyteteve të tjera shqiptare, jashtë kufijve të shtetit amë, Shqipërisë, duke futur në arenën e madhe të historisë sonë më të re, idealistë të mëdhenj, të cilët me vetëdijen e tyre, si dhe me sakrificën e tyre, bëhen pjesë e atyre ndryshimeve të mëdha në jetën shoqërore të shqiptarëve, pa u lodhur shumë se çka thoshte shkolla e ideologjisë socialiste për rrugën e historisë së popullit tonë, ngase këta idealistë lanë në kujtesën tonë historike emrat dhe veprat e tyre, si shenja të historisë sonë kombëtare.
Në mënyrën e shtruarjes së kërkesave, në veprimin për realizimin e tyre, kërkesat politike shqiptare, në pranverën e Kosovës të vitit 1981, ishin orteku më i fuqishëm, siç janë cilësuar, për korrigjimin e padrejtësive historike ndaj popullit shqiptar.
Demonstratat e pranverës së vitit 1981, nuk ishin as spontane e as të parakohshme. Ato ishin në rrjedhën e strategjisë së natyrshme të kërkesave politike shqiptare, ishin në kohën dhe nivelin e duhur, me qëllim të realizimit të të drejtave të synuara politike. Kërkesat politike kombëtare shqiptare në Kosovë i filluan studentët, të cilëve më 2 prill të vitit 1981, ju bashkuan të gjitha shtresat e shqiptarëve në Kosovë. Shqiptarët, po çonin më tutje kërkesat e demonstratave të vitit 1968, ku ishte derdhur lum gjaku i shqiptarëve por ishte fituar përdorimi i Flamuri Kombëtar, hapja e Universitetit të Kosovës, siç quhej me të drejtë atëherë, ishte lejuar Kushtetuta, por Kosova Republikë, nuk ishte lejuar.

Kosova-barrë e ndërgjegjes historike të shqiptarëve

Kjo kërkesë shteteve të botës, sidomos atyre të Evropës do të ju trokasë në ndërgjegjen e tyre si një vonesë historike, për padrejtësitë që i ishin bërë popullit shqiptar, andaj edhe kombit shqiptar. Në prillin e vitit 1981, me kërkesat e rinisë shqiptare, ishte bashkuar i gjithë populli. Mehmet Hajrizi përshkruan masën e demonstruesve me këto fjalë: Prishtina, më 2 prill 1981 kishte pamje të luftës: qindra mijëra demonstrues, barrikada me objekte të ndryshme nëpër rrugë, qoshqe të rrokullisura, makina të djegura, furgonë, autobusë etj., sepse ishte luftë e vërtetë, ishte luftë e pabarabartë. (Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Tiranë, 2008). Përkufizimet që dalin shpesh në shkrimet dhe vlerësimet për këto ngjarje, si kryengritje e gjithë popullit shqiptar, janë të drejta.
Një karakteristikë themelore e Demonstratave të vitit 1981, është pjesëmarrja e të gjitha shtresave të shoqërisë së asaj kohe të Kosovës, por aty vërehej fuqishëm prania dhe udhëheqja e lëvizjes kombëtare. Kjo, pastaj krijoi vështirësi të caktuara në zbatimin e politikave sllave kudo, duke filluar nga niveli komunë e deri në strukturat e Krahinës së Kosovës. Në anën tjetër, gjë që pak është folur për këtë aspekt, niveli i vetëdijesimit të të rinjve shqiptarë ishte ngritur shumë dhe kishte përmbysur gjithë propagandën serbe e jugosllave për gjendjen e kënaqshme në krahinën e Kosovës.
Prilli i vitit 1981 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të popullit shqiptar, pavarësisht se kjo ngjarje nuk e ka gjetur vendin e merituar në tekstet ende gjysmake të historisë sonë, kishte shënuar kohën e fillimit të ndarjes së madhe dhe të diferencimit historik të dy klasave shoqërore, të cilat jo vetëm për ngarkesën ideologjike, por edhe për aspiratën historike ishin kundërshtare.
Kjo gjendje, kishte vështirësuar shumë veprimtarët idealistë të çështjes kombëtare, sepse propaganda sllavokomuniste i binte shumë telit për perspektivën afatgjate të kësaj pjese të popullit shqiptar, në emër të ruajtjes së ‘vëllazërim-bashkimit’. Kishte pushtetarë të atillë shqiptarë, që nuk u bënte aspak përshtypje tjetërsimi i identitetit kombëtar, duke e mallkuar më shumë Shqipërinë si shtetin amë, se sa pushtuesin sllav të tokave shqiptare.
Elita politike në Kosovën e përgjakur të asaj pranvere, ishte zënë në befasi, ishte zgjuar e trembur nga gjumi i rëndë që po bënte në shtratin e butë të ish pushtetit jugosllav. Ajo, nuk ishte e gatshme të rreshtohej drejt.
Nuk është e rastit, prandaj, se pak kohë pas demonstratave dhe orës policore, pas datës 2 e 3 prill të vitit 1981, shqiptarët e shkollave partiake dhe të OZNA-s e të UDB-së, të Kumrovcit e të Beogradit, siç njihej shkolla e partisë “Gjuro Gjakoviq” në Beograd, si dhe të shkollave të tjera në Sarajevë e gjetiu, ku përgatiteshin kuadro shqiptare për të zbatuar sigurinë kombëtare të një shteti artificial, siç ishte Jugosllavia e atëhershme, po edhe të tjerë besnikë ndaj Jugosllavisë së Titos, në mesin e të cilëve edhe intelektualë e profesorë universitarë, zunë pozicionet që kishin pasur. Të tillët si: Fadil Hoxha e Veli Deva, Xhavit Nimani e Ali Shukrija, Mahmut Bakalli e Azem Vllasi, Kolë Shiroka, Sinan Hasani, e plotë të tjerë, për fatkeqësinë tonë dhe turpin e tyre, u pozicionuan paturpësisht dhe në mënyrë fyese kundër demonstruesve. Ishte e ditur se kjo klasë politike nuk mund të rreshtohej drejt ndaj kërkesave historike të kryengritësve shqiptar.
Pushtuesi kishte përgatitur këtë shtresë me vite, e kishte avancuar e parfumosur me erën marramendëse të pushtetit dhe të fryteve të tij, që nga punësimi, makinat, banesat, shkollimi e deri te bërja e ligjit. Në atë kohë, një spiun për dy shkronjat ‘K. R’, që kishte kuptimin Kosova Republikë, të denonconte dhe fare lehtë mund të dënoheshe me 2 e 3 vjet burg. Madje, disa gjakprishur shqiptarë të asaj shtrese politike, shkuan aq larg sa që për të bindur pushtuesin për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj tij, hoqën dorë nga përkatësia e tyre kombëtare, duke u deklaruar me përkatësi kombëtare jugosllave, siç ishin Sinan Hasani, Ali Shukriu, Kolë Shiroka, Azem Vllasi e shumë të tjerë. Ka edhe plotë të tjerë, që u veshën me turpin nëpër proceset gjyqësore kundër atdhetarëve tanë.
Në Kosovën e pas luftës, disa nga këta zyrtarë politikë e disa nga këta intelektualë, dalin e rrahin gjoks për atdhetarizmin e tyre, ngase paskëshin kontribuar për çështjen kombëtare! Kurse, ne të gjallët e sotëm, po edhe ata që ia kanë falur jetën Kosovës, Dëshmorët e kombit, mbajmë mend kur na kanë quajtur “plehu i Kosovës”, “irredentistë“, ‘terroristë”, “rrugaçë” e plotë epitete të tjera fyese udhëheqësit shqipfolës Azem Vllasët me të tjerët. Dëshmia më e mirë për këtë është citimi i fjalëve që ka thënë në atë kohë, prijësi kryesor i shqiptarëve të Kosovës, Fadil Hoxha, më 4 prill të vitit 1981, i cili do të thoshte tekstin më fyes dhe më çnjerëzor, sa duket një tekst që ia kishin shkruar pastaj ia kishin përkthyer, por ato fjalë i deklaronte goja e tij: “…demonstruesit janë një ‘grup hajnash’, ‘gangsterë‘, të cilët kanë dalë me vjedhë, thyer dhe ofenduar. Ky grup hajnash është i shtyrë nga Shqipëria socialiste dhe nga emigracioni fashist i jashtëm, por Jugosllavia është ai shtet që atyre do t’iu gjejë vendin, për ta bira e minit do të jetë 300 grosh…” (Muhamet Kelmendi, Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët nën sundimin jugosllav dhe demonstratat e vitit 1981, Prishtinë, 2008).
Prilli i vitit 1981, pranvera shqiptare, siç është quajtur me të drejtë, ishte fillimi i rrokullisjes në humnerë i një shteti artificial, që ishte krijuar për interesa të blloqeve botërore kundërshtare, që nga Lufta e Dytë Botërore, ku më shumë se gjysma e popullit shqiptar dhe e tokave të tij, kishin mbetur nën pushtimin sllav. Pranvera shqiptare e vitit 1981, kishte përmbysur këtë gjendje, sidomos me punën dhe veprimtarinë e një gjenerate të tërë veprimtarësh, të kalitur mirë në frymën e idealeve kombëtare, duke punuar në vazhdimësi, në format nga më të ndryshmet, duke filluar nga ilegaliteti i thellë e deri të përballja e hapur me armë. Kjo gjeneratë e sprovoi veten në ditët më të rënda në ilegalitet, duke mos hequr dorë asnjëherë, për asnjë çmim nga rruga e vetëdijesimit të njeriut tonë, se vetëm arma e heq pushtuesin nga tokat e pushtuara. Prandaj, ardhja e pranverës së madhe të vitit 1981, siç edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte vepër e tyre.

Përfundim

Çdo komb, çdo shoqëri njerëzore ka në themel të ndërtimit të shtetit dhe gjeografisë kombëtare sakrificën njerëzore. Kurse sakrifica shqiptare është shekullore, nëse u besohet burimeve historike. Ngjarjet e mëdha, si demonstratat e prillit të vitit 1981 janë pjesë e pavdekshme e kujtesës historike të njeriut shqiptar, sepse ato ishin një shteg i madh në rrugën për të realizuar synimet tona, për ta bërë të lirë këtë pjesë të gjeografisë kombëtare, prandaj me të drejtë quhen pranvera shqiptare, një pranverë krejt ndryshe nga të tjerat, e cila do të sjellë ndryshime në jetën historike të shqiptarëve të robëruar.
Përvjetorët e tillë na bëjnë më të përkushtuar dhe më të vetëdijshëm, jo vetëm për sakrificën e madhore të të rënëve në ato demonstrata, por edhe për organizimin në kushtet dhe rrethanat e rënda të asaj kohe. Në të njëjtën kohë, na shtyn të mendojmë se çka bën liria, sidomos me ata që robëria u ishte bërë pjesë e jetës, e pasjes dhe e përuljes, sepse të tillët sot, bëjnë aq shumë zhurmë, sa ndonjëherë vihen në dilemë edhe dëshmorët e kombit që sollën lirinë me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndonjëherë, prandaj, bashkë me dilemën, edhe pyesim: athua pse nuk erdhi liria, kur paskësh pasur gjithë këta burra atdhetarë, gjithë këto gra e vajza atdhetare, që paskan punuar aq shumë për lirinë e Kosovës, e ne nuk e paskemi ditur?! Ndoshta nuk kemi mundur ta dimë, se informatat në burg nuk vinin për atdhetarinë e tyre, por për turpin e tyre se ishin vënë në shërbim të pushtuesit. Ironia e kësaj shtohet, kur sot në institucionet që u ndërtuan mbi gjakun e derdhur të dëshmorëve e të viktimave, mbi gjymtyrët e prera, mbi vaje nënash e vajzash shqiptare, mbi fëmijë të sakatosur, të udhëheqin një pjesë e këtyre “patriotëve” ose familjarët e tyre. Historia nuk i fal, as ata por as faktorizuesit e tyre, siç nuk i fal lëshimet dhe anashkalimet kombëtare, sepse në fund të fundit ne kemi luftuar për ditë më të mira dhe jo për t’u bërë qytetarë të rendit të dyte e të tretë në tokën tonë.

(Autorja është e burgosur politike dhe profesoreshë universiteti)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Organizimi i punëtorëve tanë në Perëndim
05.04.2016 | 11:49
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (21)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Veprimtarisë atdhetare të mërgatës i kushtohet edhe artikulli tjetër i Kadri Zekës me titull: “Punëtorët kosovarë në Perëndim shpalosin flamurin e luftës”. Ngjarjet tragjike që ndodhën në Kosovë gjatë vitit 1981, në njëfarë dore e bënë në mënyrë direkte ndërgjegjësimin e punëtorëve tanë në botën e jashtme, se edhe ata, si pjesë e pandarë e popullit shqiptar, në ato çaste të vështira që po kalon atdheu, ngritën lart flamurin e luftës. Shtypja e shfrytëzimi, si dhe malli për atdheun e populli që i kishte lindur, kishin grumbulluar pezmin e zemërimin e papërshkruar në zemëratën e tyre. Kjo urrejtje ndaj shfrytëzuesve e shtypësve gjakatarë titistë u shprehte më së edhe atyre ditëve me një hov të papërmbajtur në demonstratat, mitingjet e protestat e shumta që organizuan ata në botën e jashtme.
S’ka si ndodhte ndryshe. Punëtorët tanë, nga skamja e mjerimi, nga presionet që u bënte regjimi titist, ishin detyruar tua kthejnë shpinën familjes e fëmijëve të tyre, vatrave ku kanë lindur dhe çdo gjëje të dashur për ta. Punëtorët shqiptar në atë periudhë ishin më të bashkuar e më të vendosur se kurdoherë më parë në luftën e tyre të drejtë. Këtë e dëshmonin më së miri demonstrata dhe mitingjet e shumta e protestuese të njëpasnjëshme që u zhvilluan atëherë. Më 11 prill 1981 ishin grumbulluar mbi 400 kosovarë, në Bernë të Zvicrës dhe, me flamuj e parulla të shkruara , demonstronin rrugëve të qytetit, duke shprehur solidaritetin e tyre me luftën e vëllezërve dhe të motrave në Kosovë si dhe urrejtjen për gjakpirësit titist.
Më vonë, punëtorët të organizuar ishin drejtuar për në përfaqësitë diplomatike të Jugosllavisë në Bernë, ku kishin organizuar një miting proteste për terrorin e masakrat që kishin bërë ushtria e policia jugosllave në Kosovë.
Demonstrata e Bernit dhe të Cyrihut të Zvicrës, që ishin zhvilluar më 18 prill e në të cilën kishin marrë pjesë mbi 700 punëtor shqiptar. Ata kishin marshuar qytetit, duke brohoritur për të drejtat e popullit të tyre.
Pos këtyre, demonstrata nga punëtorët tanë ishin zhvilluar e organizuar edhe në Shtutgard e në Dyseldorf të Gjermanisë Perëndimore. Në të parën kishin marrë pjesë rreth 500 manifestues, kurse në të dytën mbi 800 veta.
Në të gjitha demonstratat që ishin organizuar, si dhe në manifestimet tjera, kishte zotëruar në bazë të të dhënave që kam në diskonim, një shpirt i lartë luftarak dhe një vendosmëri e pashoqe për të luftuar pushtuesit titist. Punëtorët tanë në mërgim organizonin demonstrata të shumta edhe me rastin e 1 Majit, ku bashkë me punëtorët e vendeve të tjera, ku para botës demokratike tregonin forcën dhe unitetin e tyre për liri dhe pavarësi.
Lufta e hapur dhe e pa kompromis e kosovarëve në mërgim demaskonte më së miri shpifjet e telegrameve të konsullatave jugosllave, që dërgonin në emër të punëtorëve kosovarë, ku gjoja se ata dënonin luftën e demonstratat e popullit tonë në Kosovë. Punëtorët, me parullat e tyre luftarake: “Kosova republikë”, “Republikë, vetëvendosje”, “Ja vdekje, ja liri”, “Duam lirimin e shokëve”, “Luftë, luftë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”, “Lart solidariteti ndërkombëtar”, “Poshtë terrori e dhuna në Kosovë!”, “Poshtë UDB-a fashiste jugosllave”, “Poshtë titizmi”, “Titizmi është fashizëm”… u treguan jo vetëm pushtetarëve titist por gjithë botës se ishin të vendosur në luftën e tyre dhe se kjo luftë nuk do të pushojë deri në realizimin e të gjitha kërkesave të drejta të popullit shqiptarë.
Në fund të të gjitha demonstratave që u organizuan në botën e jashtme, u organizonin mitingje protestuese dhe u shpallnin kërkesat para përfaqësive diplomatike jugosllave. Kërkesat e punëtorëve tanë në botën e jashtme ishin plotësisht identike me ato, që paraqitnin edhe demonstruesit në Kosovë.
Me luftën e popullit tonë në vazhdimësi ishte solidarizuar edhe opinioni përparimtar ndërkombëtar i cili dënonte në mënyrën më të rreptë masakrat e krimet ç’njerëzore të regjimit titist në Kosovë. Me demonstratat që u zhvillonin jashtë, iu bashkëngjitën shumë demokratë e miq të popullit tonë të cilët po shprehnin indinjatën e tyre të thellë për ngjarjet tragjike që po përjetonte populli shqiptarë. Ngjarjet e hidhura të Kosovës kishin zënë një vend të mirë edhe në shtypin dhe në mjete të tjera të informimit.
Në vazhdim autori i këtij shkrimi na jep një pjesë të një fjale të cilën e lexon një vashë kosovare në mitingun protestues në Dyseldorf të Gjermanisë, po japim vetëm disa pjesë:
“Të dashur bashkatdhetarë,
Tani e dimë se jo vetëm shqiptarët por tërë botën e kanë tronditur ngjarjet tragjike që po ndodhin në Kosovë. Populli i ynë punëtor, trim, paqedashës e i etur për liri dhe pavarësi, në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe politike, gjeti rrugën më të përshtatshëm për ti kërkuar të drejtat e veta (borxhin e vjetër) nga qeveria jugosllave.
Qeveria jugosllave, që popullin kosovar e ka mbajtur dhe e mban gjithnjë në shënjestër, nxitoi me tanke e helikopterë, vrau, burgosi e theri lulen më të bukur- rininë e Kosovës. Kështu udhëheqësit jugosllavë e treguan edhe një herë fytyrën e vërtetë të pushtuesit, vrasësit, e fashistit gjakatar.
Ne jemi një popull i vogël përball një bishe të madhe, por jemi të fortë e të pamposhtur, sepse në zemrat tona kemi indinjatë e urrejtje të thellë për ata që na i shkelën vatrat dhe na i grabitën demonstrata në perëndim pasuritë.
Kosova prapë do të ketë fëmijë, prapë do të ketë rini, sepse vetë është e re. Kosova do të ketë liri, se për të po lufton dhe po derdh gjak. Ne gratë shqiptare nuk i lindim fëmijët në epruveta, ne lindim shqiptarë me armë në brez, ne do të lindim e do të rrisim gjithmonë nipa e mbesa të Shotës e Azemit, Isa Boletinit e Bajram Currit… Dhe do të mburremi para botës dhe brezave të ardhshëm me historinë tonë. Çfarë mëkati bëri populli ynë që e kërkoi statusin e republikës? Kush janë irredentistë? Po pushtuesit? Kush kujt ia turbullon ujë? E kush mundohet ta lë dikë pa ujë?
Ne do të fitojmë, thoshte autori i letrës, por, fitoret arrihen e mbrohen me përpjekje e sakrifica. Me luftë e djersë. Betohemi me mendje, me zemër e grushte të bashkuar për tokën, popullin, gjakun e derdhur e lirinë. i dënojmë armiqtë e popullit shqiptar, i thërrasim popujt e tjerë të Jugosllavisë dhe të botës që të ecin rrugës së sigurt të solidaritetit me protesta kundër shtypësve kriminel. për të vazhduar autori i shkrimit me disa parulla që i kishin brohoritur mërgimtarët tanë në protesta: ‘Poshtë tradhtarët e Atdheut’, ‘Nuk duam jetë pa liri’, ‘Lavdi dëshmorëve që ranë për Atdheun’, ‘I qofshim falë Atdheut tonë të dashur, Kosovës tonë të shtrenjtë’”.
“Demonstratat e shqiptarëve të Kosovës dhe shtypja gjakësore e tyre”
Numri 14 i gazetës “Qindresa Shqiptare”, i 26 korrikut të vitit 1981, u kushtohet demonstratave gjithë popullore të vitit 1981.
Gazeta shkruante se nuk ka shembull në Evropë ku një popullsi prej 2 500 000 banorë, si ajo e shqiptarëve në Jugosllavi, të jetë lënë në mëshirën e një shteti tiranik prej traktatesh ndërkombëtare të padrejtë. Ç’prej vitit 1912, vrasjet masive, përdhunimet e çnjerëzimet e pashembullta që janë bërë mbi këtë popullsi shqiptare prej serbëve, malazezve dhe maqedonasve kanë tërhequr shpeshherë vëmendjen e botës së jashtme, por askush nuk ka lëvizur për t’u vajtur në ndihmë viktimave, ose të paktën për të dënuar këtë hata që vazhdon e pandërprerë ç’prej gati 70 vjetësh mbi një popullsi të pambrojtur. Kjo shtypje e pandërprerë që kishte pllakosur popullsinë shqiptare të Kosovës shpërtheu në marsin dhe prillin e vitit 1981 në një demonstratë studentësh që u zgjerua shpejt dhe mori formën e një manifestimi popullor. Sipas traditës, autoritetet jugosllave e sulmuan krahinën me forca ushtarake dhe i shtypën radhët e manifestuesve, burra, gra e fëmijë, nën rrotat e tankeve. Komanda ushtarake, për të vepruar si në një vend të mbyllur dhe për t’ia fshehur botës këtë kërdi gjaku e kufomash, mori masat e duhura: ia ndaloi çdo gazetari a turisti të huaj hyrjen në Kosovë dhe këputi të gjitha ndërlidhjet telefonike e telegrafike me pjesën e brendshme të vendit. Kështu, në një errësirë të plotë, z. Stane Dollanc, anëtar i presidiumit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në një deklaratë të 6 prillit, mundi ta shfaqte “të vërtetën” e tij komuniste se gjoja në ballafaqim me manifestuesit shqiptarë kishin mbetur vetëm 11 të vdekur. Kurse shqiptarët dhe disa shërbime të huaja e dinë se në ato ballafaqime ka pasur ndërmjet 800 e 1. 000 të vrarë, më se 2000 të plagosur dhe arrestimet kapërcejnë numrin 5000 veta. Nuk dimë se sa krahë dhe këmbë shqiptarësh të plagosur lehtë (shumica nxënës shkollash), janë prerë me qëllim në spitalin e Prishtinës nga kirurgu xhelat dhe agjent i policisë së fshehtë, doktor Boro Moraçiq.
Shtetrrethimi vazhdonte gjithnjë në Kosovë, ndërsa çdo mbledhje a manifestim grupesh ndalohej rreptësisht. Universiteti i Prishtinës dhe gati të gjitha shkollat shqipe ishin mbyllur. Një numër i madh nxënësish dhe studentësh ndodhen në burgje, ku u bëhen tortura të tmerrshme. Dhe, megjithëqë, papunësia e ka lodhur tepër atë krahinë, shumë punëtorë shqiptarë janë përzënë nga puna me qëllim që të emigrojnë gjetkë.
Dihet se Kosova ishte krahina ekonomikisht më e prapambetur e Jugosllavisë. Qeveria e Beogradit nuk kishte bërë asnjë përpjekje serioze për të përmirësuar, në atë vend, kushtet e jetesës. Sipas të dhënave statistikore të shtypit jugosllav, të ardhurat kombëtare për frymë në Kosovë ishin 6 herë më të ulëta sesa në Slloveni, 5 herë më të ulëta sesa në Kroaci dhe 3.5 herë më të ulëta sesa në Serbi. Ritmi i zhvillimit industrial, në Kosovë, kishte qenë 4-5 herë më i ulët sesa në Serbi, kurse numri i të papunëve është 20 herë më i madh sesa në Slloveni dhe 2.5 herë më i madh sesa në Serbi. Mbi 70 000 punëtorë kosovarë ndodhen të papunë në vendin e tyre, kurse numri i atyre që kishin emigruar për të gjetur punë jashtë Jugosllavisë kishte arritur në 110 000 veta. V. Gjuranoviq, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Jugosllavisë, e kishte vërtetuar me gojën e tij se “investimet ekonomike në Kosovë janë 43 % më të ulëta se mesatarja e Jugosllavisë”. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

656X37383502656X37383426agim_vinca.jpg


Demonstratat e vitit 1981, kthesë në historinë e Kosovës

05.04.2016 | 11:46
Agim Vinca
Në 35-vjetorin e demonstratave të vitit 1981 (2)


Demonstratat e vitit 1981 e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës dhe e bënë atë pjesë të agjendës së diplomacisë perëndimore, edhe nëse nuk gëzuan përkrahje eksplicite. Vëmendjen e opinionit botëror e tërhoqi posaçërisht parulla “Kosova Republikë”, që ishte edhe kërkesa kryesore e demonstratave.
Kjo kërkesë, historikisht e drejtë dhe politikisht reale, i pat mbështetur me shpinë për muri autoritetet jugosllave. Nuk gjenin asnjë argument valid logjik, as shkencor, as historik, as politik, as juridik, as demografik e as tjetërfare që ta kundërshtonin kërkesën “Kosova Republikë”; krejt çka bënin s’ishte veçse propagandë dhe politikë e keqe ditore.
Shkohej deri aty, madje, sa thuhej se Republika ishte kundër interesave të vetë shqiptarëve dhe të Kosovës si “njësi e barabartë e federatës” dhe në vend që kjo kërkesë të shtrohej seriozisht në tryezën e bisedimeve, kërkohej ngushtimi i të drejtave të shqiptarëve dhe heqja e autonomisë së ’74-s, gjë që edhe ndodhi, me forcë, në mars të vitit 1989.
Demonstratat e vitit 1981, pavarësisht nga ikonografia marksiste-leniniste, kishin karakter në radhë të parë kombëtar. Ato ishin shprehje e aspiratave të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi për çlirim kombëtar. Lëvizja ilegale në Kosovë nuk mund të kishte ideologji tjetër nga ajo e shtetit amë. Do të ishte areale të kërkohej diçka e tillë, ashtu siç është ahistorike të gjykohen ngjarjet e para 35 vjetëve me kriteret e sotme. Se çështja kombëtare ishte preokupim parësor i Lëvizjes dëshmon edhe një detaj: parulla e njohur: “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!”, në materialet e GRK-së shndërrohet në: “Popuj të shtypur të botës bashkohuni!”.
Është e kuptueshme deri diku që vlerësime të disfavorshme për ngjarjet e vitit 1981 të kenë ish-shërbëtorët e regjimit jugosllav, por është absurd i vërtetë kur akuza për kinse organizimin e demonstratave nga Serbia vijnë nga njerëz që pretendojnë se i kanë takuar Lëvizjes!
Është mëkat të flitet kështu për njerëzit që u dolën përballë tankeve dhe që u kalbën burgjeve: një gjeneratë e tërë!
Organizatorët e demonstratave të ’81-shit dhe ata që morën pjesë në to nuk ishin aventurierë, por atdhetarë. Ata ishin lulja e rinisë sonë e jo “plehu i Kosovës”, siç i pat quajtur, për turp, një funksionar i lartë politik. Ata nuk luftuan për poste e privilegje, por për të drejtat dhe lirinë e popullit të vet. “U ngritët ju, viganë, fisnikë/ me korrektesë e madhështi/ ngaqë kërkuat Republikë/ u shtypët si në monarki”, pat shkruar shkrimtari ynë i madh, me famë botërore, Ismail Kadare, ndërsa vogëlsia ime, në një poezi të krijuar në ato vite, duke u identifikuar me botën shpirtërore të djemve që për hir të idealit e kalonin rininë nëpër burgje, pata shkruar: “Ne ishim bij të kësaj toke/ Me plagë e halle shumë/ Lindëm në ditë të stuhishme/ U rritëm në net pa gjumë. / Ne jetën e donim shumë, s’ka dyshim/ Dhe për të luftonim/ Po jeta jonë kish një qëllim:/ Botën ta ndryshonim. / Dhe mos kujtoni se i donim më pak/ Vashat tona të bukura si flutura të kuqe/ Po ne këmbyem puthjet me plagë/ Dhe parqet i këmbyem me burgje. / Se dashuria për këtë tokë/ Më e madhe se gjithçka ish. / Ajo na bëri të hidhemi në flakë/ Dhe të mbyllemi në mure qelish. / Ne nuk lindëm trima me fletë/ Po luftën tonë s’e ndalëm. / Trima na bëri kjo tokë e sertë;/ Rininë asaj ia falëm”.
A kishin iluzione djemtë e ’81-shit? A e mbiçmonin forcën e tyre dhe a e nënçmonin, pak a shumë, atë të kundërshtarit? Sigurisht që po. Edhe pse në përgjithësi politikisht të pjekur e realistë, ata kishin edhe gabimet dhe iluzionet e tyre. Por, cila forcë revolucionare gjatë historisë, që u përpoq ta ndryshonte rrjedhën e saj, nuk i pati ato?
Pasi derdhën tonelata sharjesh kundër djemve dhe vajzave të ’81-shit kur ishin në pushtet, të cilin e humbën, megjithatë, pasi u shtrydhën si limoni, nuk mund të pritej që t’i lavdëronin ato ish-pushtetarët dhe ndjekësit e tyre në rrethanat e reja të krijuara pas rënies së sistemit të vjetër. Tani ata dolën me tezën se demonstratat e vitit 1981 kishin qenë jo vetëm “të parakoshme” e “të dëmshme”, por edhe të organizuara nga shërbimet e huaja (ruse, bullgare etj.) apo edhe nga vetë Serbia! Për më tepër, këto demonstrata, sipas tyre, e kishin ndërprerë procesin e shndërrimit paqësor të Kosovës në Republikë nën udhëheqjen e tyre (ndërkohë që s’arritën ta ruanin as autonominë!) dhe si të tilla i kishin bërë shërbim të keq Kosovës dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Në mohimin që i bëjnë karakterit politik dhe kombëtar të demonstratave ish-pushtetarët, të gjallë e të vdekur, shkojnë aq larg sa thonë se në to nuk u dëgjua më shumë se dy-tri herë parulla “Kosova-Republikë”!
Përgjigjen më të mirë, shkencërisht të argumentuar, kësaj tendence - tendencës së zhvlerësimit të demonstratave të vitit 1981 nga ish-politikanët kosovarë, ia ka dhënë veprimtari i devotshëm i Lëvizjes, zoti Mehmet Hajrizi, në librin e tij Historia e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, botuar në Tiranë në vitin 2008, ndërsa martiri Ukshin Hoti, me formim politolog, i revoltuar nga kjo lojë e rrezikshme dhe e neveritshme, në një rast pat thënë: “O perëndi, mos e ndotni botën e ëndrrave të vitit 1981 me dallaveret e kohës”.
Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin shprehje e një atdhetarizmi e idealizmi të kulluar. Dhe jo vetëm kaq. Ato ishin vazhdimësi e përpjekjeve për çlirim kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën sundimin serb e jugosllav dhe kishin një program politik të studiuar mirë, edhe pse fillimi i tyre, me atë pjatën proverbiale të 11 marsit në Qendrën e Studentëve, ishte spontan (nëse në histori ndodh diçka rastësisht).
Demonstratat e mars-prillit të vitit 1981 hapën një epokë të re në historinë e Kosovës: epokën e luftës për çlirimin e plotë të saj. Pa këto demonstrata, të cilat u lanë me gjak nga dora e pushtetit serb e jugosllav në Beograd dhe zgjatimi i tij në Prishtinë, nuk do të kishte ndodhur as kryengritja e armatosur e UÇK-së në fund të shekullit (kujto parullën: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë”) dhe Kosova nuk do të ishte kjo që është sot: e lirë dhe e pavarur. (FUND)

(Fjalë e mbajtur në akademinë përkujtimore kushtuar demonstratave të vitit 1981 në organizim të Shoqatës së Ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës më 2 prill 2016)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Shqiptarët duhej të dilnin në demonstrata
06.04.2016 | 10:35
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (22)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Sipas Kushtetutës së Jugosllavisë, Kosova ishte një “krahinë autonome” në kuadrin e Republikës së Serbisë. Më se 85 % të banorëve të Kosovës (rreth 1 400 000 veta), ishin shqiptarë, të cilët ndodheshin praktikisht nën kontrollin e serbëve. Dhe shqiptarët e “krahinës autonome” të Kosovës nuk përbënin veçse gjysmën e shqiptarëve të Jugosllavisë. Ka 700 000 shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, 80 000 shqiptarë në Republikën e Malit të Zi, 100 000 shqiptarë në Republikën e Serbisë dhe mbi 150 000 shqiptarë jetojnë të shpërndarë nëpër Jugosllavi. Shtrohet pyetja, përse regjimi i Beogradit nuk u kishte njohur kurrë këtyre shqiptarëve të drejtën që të formojnë një republikë autonome, në kuadrin e shtetit federativ jugosllav, siç kanë vepruar me popullatat e tjera që kanë qenë me një numër banorësh shumë më të ulëta sesa numri i shqiptarëve. Manifestimet e studentëve kishin filluar më 11 mars, në Universitetin e Prishtinës, për të protestuar kundër ushqimit shumë të dobët që u jepej atyre, por sidomos për të kërkuar të drejtën e arsimit të barabartë me kombësitë e tjera dhe tekste shkollore në gjuhën shqipe. Të shtrënguar prej shtypjes dhe prej shfrytëzimit ekonomik, manifestuesit kishin shfaqur edhe rivendikime të tjera, duke kërkuar lirinë e shtypit, liritë kulturore në gjuhën shqipe dhe ngritjen e Kosovës në një republikë autonome. Vetëm njohja e këtij statusi mund ta zhdukë pabarazinë që ekziston ndërmjet shqiptarëve dhe kombësive të tjera të Jugosllavisë, kishte konstatuar “Lidhja Kosovare”
Policia gjatë trazirave kishte ndërhyrë rreptësisht dhe kishte burgosur mbi 50 studentë. Shumë reparte policësh kishin ardhur nga Beogradi.
Më 26 të marsit, manifestimet patën filluar rishtas në Prishtinë dhe u përgjithësuan. Populli iu bashkua studentëve dhe merrte pjesë me ta. Të tjera reparte policësh arritën me urgjencë nga Beogradi. Fuqitë e armatosura jugosllave vepruan gjatë 24 orëve për të shtypur demonstratat. Viktimat dhe arrestimet ishin të shumta.
Më 1 prill, demonstratat u shfaqën përsëri me një hov më të madh dhe u zgjeruan në të gjitha anët e Kosovës: në Podujevë, në Vushtrri, në Mitrovicë, në Ferizaj, në Drenicë, në Gjilan, në Pejë, në Gjakovë, në Prizren e vende të tjera. Populli dhe studentët bërtisnin kundër mjerimit ekonomik, kundër shtypjes politike, kundër shfrytëzimit, duke kërkuar statusin e një republike autonome që do ta vinte grupin etnik shqiptar në një shkallë barazie me kombësitë e tjera të Shtetit Federativ Jugosllav. Në Podujevë (25 km në veri të Prishtinës), ballafaqimet me forcat e armatosura kanë qenë të ashpra dhe kanë vazhduar disa ditë. Në Ferizaj, policia kapi 11 veta dhe i pushkatoi menjëherë në errësirën e natës. Në Drenicë, policia vrau Tahir Mehën dhe Nebi Mehën (babë e bir); Në Vushtrri, vrau Salih Zekën. Këso pushkatimesh të shpejta ka pasur kudo.
Ushtria e gjeneralit Lubiçiq, e ardhur me urgjencë nga Nishi, kishte shpallur shtetrrethimin dhe e transformoi Kosovën në një zonë të mbyllur, ku asnjë dëshmitar i huaj nuk mund të hynte. Kështu që, në ballafaqim me shqiptarët, tanket mund të vepronin jashtë vështrimit të gazetarëve dhe të ndonjë turisti të huaj. Këto përpjekje kishin vazhduar disa ditë, duke vrarë e shtypur një numër të madh shqiptarësh, midis të cilëve kishte pasur edhe gra e fëmijë. Lëvizja kishte filluar përsëri në Prishtinë, më 20 të majit, kur kishin filluar “proceset” e gjykatave të poshtëruara policore kundër të burgosurve shqiptarë, të cilët paditeshin për veprim shkëputjeje nga Jugosllavia. Më 19 maj, mbi 1000 studentë kishin manifestuar përsëri nëpër rrugët e Prishtinës duke kërkuar ngritjen e Kosovës në rangun e një republike autonome.
Megjithëse qeveria e Malit të Zi, më 2 e 3 prill, kishte marrë një sërë masash “politike dhe administrative” për të ndalur manifestimet e shqiptarëve në atë republikë, lëvizja shqiptare u përhap në Plavë, Guci e Ulqin. Malësorët e Hotit e të Grudës zbritën në Ulqin për të manifestuar bashkë me nxënësit shqiptarë të këtij qyteti. Autoritetet e Malit të Zi bënë shumë arrestime.
Ky manifestim i përgjithshëm i shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi tregon vullnetin e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi për t’u mbledhur në një republikë autonome, në kuadrin e Shtetit Federativ të Jugosllavisë. S’kishte fjalë më të drejtë dhe më legjitime nga kjo, mbasi këta shqiptarë përbëjnë një grup etnik kompakt prej 2 500 000 vetash, që kanë gjuhën e tyre dhe kulturën e tyre. Atëherë, përse autoritetet e Beogradit ndjekin një politikë të egër kundrejt këtij grupi etnik, duke i ndaluar çdo shprehje të lirë dhe duke e shtypur nën rrotat e tankeve. Kush do ta shkruajë listën e plotë të dëshmorëve që u vranë gjatë këtyre manifestimeve për çështjen e Kosovës, dëshmorë që kishin dalë para tankut me kraharor të zhveshur. Po me kraharor të zhveshur kishin dalë edhe studentët: Hasan Haxhaj, Fatmir Bala, Ibrahim Abazi e qindra të tjerë, këngëtarja Shyhrete Behluli, studentja Zyrafete e shumë të tjera, që dhanë jetën për Kosovën.
Përpara se të laheshin rrugët nga gjaku i derdhur i shqiptarëve, arrestimet dhe pushkatimet nëpër terrin e natës vazhdonin pa ndërprerje. Njëkohësisht, numri i punëtorëve të përzënë prej pune dhe i studentëve të përzënë prej universiteti ishte tepër i madh. Ishin përjashtuar prej pune sidomos shumë kuadro dhe arsimtarët në tërë Kosovën, kështu që shkollat shqipe kishin mbetur pa mësues dhe pa profesorë. Lëvizja e shqiptarëve kishte shkaktuar një pështjellim në radhët politike dhe administrative të krahinës. Mbi 442 veta, në mesin e të cilëve ishin 110 mësues dhe 100 studentë, ishin përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve të Kosovës.
Megjithëse grupe shqiptarësh ndodhen akoma të arratisur maleve, “proceset” e gjykatave policore kundër mijëra shqiptarëve vazhdojnë me shpejtësi nga të gjitha anët e Kosovës. Më 20 maj, gjykatorja e Shkupit i jepte fund “procesit të të pestëve”, duke i dënuar:
1, Zaim Beqirin, mësues, me 13 vjet e 6 muaj burg të rëndë;
2. Ragim Nezirin, murator, me 13 vjet burg të rëndë;
3. Shaban Limanin, teneqexhi, me 10 vjet burg të rëndë;
4. Esad Abdyrrahmanin, punëtor, me 10 vjet burg të rëndë;
5. Ibrahim Shabanin, bujk, me 7 vjet burg të rëndë.
Të gjithë këta kanë qenë të paditur për veprimtari se kanë punuar kundër integritetit të Jugosllavisë.
Në Ferizaj, ndërmjet 300 të arrestuarve që patën marrë pjesë në demonstrata, 35 u dënuan menjëherë me dënime të rënda që shkojnë gjer në 15 vjet burg të rëndë.
Në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi, dënimet vazhdojnë me grupe. Nuk kemi mundësi tani të japim një listë të plotë të dënimeve, që në shumë raste nuk botohen fare. Të burgosurit transferohen nëpër burgjet e Serbisë dhe të ishujve dalmat, mbahen të veçuar dhe nuk mund të kenë asnjë kontakt me familjet e tyre.
Ministri i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Franjo Herleviq, në raportin e 9 qershorit që kishte paraqitur para Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, jepte numrin prej 506 shqiptarëve të dënuar me burgime të ndryshme për manifestimet e marsit dhe prillit. Kurse, sipas informatave që kishte siguruar gazeta “Qindresa Shqiptare”, thuhej se numri i shqiptarëve të dënuar arrinte mbi 2 000 veta. Këta të burgosur torturoheshin në mënyrat më mizore.
Në Beograd, një nga ata që drejtonte shtypjen e egër kundër shqiptarëve, sidomos kundër rinisë, kundër kuadrove dhe intelektualëve shqiptarë ishte famëkeqi Dushan Ristiq. Ky serbomadh i tërbuar, që ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Rankoviqit kundër shqiptarëve, po tregohet akoma sot si një shtypës mizor i shqiptarëve. Në këtë ndërmarrje të shëmtuar ndihmohet prej Boshko Dimitrijeviqit e disa kriminelëve të tjerë të këtij lloji. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Shprehja e pakënaqësisë te mërgimtarët
07.04.2016 | 11:17
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (23)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Shqiptarët e mërguar në botën e lirë u treguan më të bashkuar se kurrë për ta shfaqur zemërimin e tyre kundër Qeverisë së Beogradit, e cila përdorte të gjitha mjetet ushtarake për t’i shtypur manifestimet e studentëve shqiptarë dhe për të vrarë, si gjithnjë, gra e fëmijë. Shqiptarët e mërguar, kudo që u ndodhën, organizuan mbledhje, demonstrata dhe protestime kundër regjimit tiranik jugosllav, duke kërkuar ndërhyrjen e botës së lirë për t’i mbrojtur shqiptarët në Jugosllavi. Lidhja Kosovare organizoi në Amerikë dy demonstrata të mëdha, njërën në Uashington, më 13 prill, dhe tjetrën në Nju-Jork, më 18 maj, ku me mijëra manifestues kërkonin drejtësi për bashkatdhetarët e tyre në Jugosllavi, si dhe ndërhyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund gjakderdhjes që regjimi mizor jugosllav po bënte mbi popullin e pafajshëm; ata kërkonin mbrojtjen e popullit të Kosovës me anën e një kontrolli ndërkombëtar. Mbas demonstratës së 13 prillit në Uashington, një delegacion i Lidhjes Kosovare u prit nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Jashtme dhe zyrtarë të Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Deputetëve, ndihmës-ministri i Punëve të jashtme për Evropën Lindore, z. Harry Gilmore; i ngarkuari me çështje të Jugosllavisë, në Ministrinë e Jashtme të Amerikës, z. Richard Monre Miles; zëvendësndihmësi i Ministrit të Jashtëm për çështje legjislative, z. Belden Bell dhe të tjerë. Të tjera demonstrata u bënë nëpër qendrat e ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Kanadasë, si dhe në Evropë; në Frankfurt, në Stokholm, në Gjenevë të Zvicrës, në Paris etj. Refugjatët kroatë kishin marrë pjesë bashkë me shqiptarët në shumë demonstrata.
Komiteti Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, në Paris, kishte protestuar pranë qeverisë frënge e të tjera qeverive evropiane. Ai ua paraqiti gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kryetari i Komitetit, z. Abas Ermenji, u bëri gjithashtu një thirrje energjike të gjithë shqiptarëve që të tregohen të bashkuar, të fortë e aktivë kundrejt këtij gjenocidi që po bëhej ndaj kombit tonë.
Nga ana tjetër, Komiteti Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, Balli Kombëtar dhe Lidhja Kosovare u kanë drejtuar telegrame: Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Ronald Regan, Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të bashkuara, z. Kurt Waldheim, Sekretarit të Shtetit Amerikan, Gjeneralit Aleksandre Haig, Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, z. Charles Percy, Kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan, z. Clement Zablocki, si dhe shumë senatorëve e deputetëve, miq të Shqipërisë.
Presidenti i Amerikës, me një letër të 17 prillit, nënshkruar nga z. Jack Burges, iu përgjigj me simpati thirrjes sonë. Gjithashtu, Senatori Charles H. Percy, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Senatori Alphonse d’Amato, Senatori Daniel Patrick Moyniham e të tjera personalitete amerikane i janë përgjigjur pozitivisht përfaqësuesit në Amerikë të Komitetit Kombëtar-Demokratik “Shqipëria e Lirë”, dr. Ali Koprenskës.
Shqiptarët e Turqisë i drejtuan një thirrje Kryetarit të Shtetit Turk, Gjeneralit Kenan Evren, më 5 prill, duke iu lutur që të ndërhynte pranë qeverisë jugosllave. Thirrja ishte nënshkruar nga z. Hajredin Bytyqi, i cili më 24 prill mori përgjigjen nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë. Përgjigjja thoshte se thirrja e drejtuar Kryetarit të Shtetit ishte marrë në konsiderim.
Përfaqësuesi i Komitetit Kombëtar - Demokratik “Shqipëria e Lirë”, në Palermo, z. Gjon Gjomarkaj, u drejtoi nga një thirrje të prekshme Presidentit të Republikës Italiane, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, kryetarëve të Senatit dhe të Dhomës së deputetëve, si dhe personaliteteve dhe institucioneve fetare e kulturore të arbëreshëve në Italinë e Jugut. Thirrja e z. Gjon Gjomarkaj shoqërohej me një dokumentim të përpiktë mbi gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi.
Me rastin e mbledhjes së rinisë së Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane, në Gjermaninë Perëndimore, prej 13 gjer më 17 prill 1981, zonjusha Luli Kurteshi, vajti prej Suedie në atë mbledhje për të parashtruar ngjarjet e Kosovës dhe për të kërkuar mbështetjen e rinisë evropiane në ndihmë të shqiptarëve në Jugosllavi.
Kudo, shqiptarët e mërguar u treguan gati për çdo sakrificë dhe gati për t’u shkuar në ndihmë bashkatdhetarëve të shtypur nën thundrën jugosllave.

Gazeta “Qindresa Shqiptare” për demonstratat

Në numrin 116, “Qindresa Shqiptare”, në faqet e saj vend të veçantë u jep ngjarjeve dramatike – demonstratave studentore të vitit 1981. Në rubrikën “Lajme nga Kosova e robëruar”, duhet veçuar shkrimi “Rrjedhimet dramatike të lëvizjeve të pranverës 1981”. Në të bëhen analiza, por edhe përmenden proceset gjyqësore që pasuan menjëherë pas demonstratave studentore në Kosovë. Rrjedhimet dramatike të ngjarjeve të marsit dhe të prillit 1981, edhe pse kishin kaluar disa muaj nga këto ngjarje, megjithatë nuk kishin përfunduar me aq. Qeveria e Beogradit, siç dihej, të gjitha ato demonstrata i kishte shtypur me anë të policisë dhe ushtrisë së saj “popullore”. Pas përfundimit të tërë kësaj, në skenë kishte dalë policia e fshehtë jugosllave (UDB-a), e cila mbi vete kishte marrë veprimet makabre të vrasjeve nëpër rrugë, të arrestimeve të panumërta, të torturave dhe të dënimeve qindra e mijëra shqiptarëve gjithandej ku jetonin ata në ish-Jugosllavi. Sipas gazetës, vetëm gjatë kësaj periudhe ishin vrarë 3 000 shqiptarë dhe ishin burgosur mbi 20 000 veta, nga të cilët vetëm një i vogël përmenden në shtypin e Jugosllavisë. Të gjithë të burgosurit janë të veçuar, mbahen në izolim me vite të tëra dhe torturohen në mënyrë
sistematike nga organet e hetuesisë.
Edhe pse kishte kaluar një periudhë, shqiptarët përsëri ishin mbledhur për të shënuar njëvjetorin e ngjarjeve të ’81-shit. Shtypi kosovar, këtyre ngjarjeve nuk u kushton ndonjë rëndësi të veçantë. Të rinjtë ishin tubuar, si në Prishtinë, Suharekë, Obiliq, Podujevë, Gjilan dhe në vende të tjera, duke brohoritur kërkesën e vazhdueshme “Kosova-Republikë”. Si çdoherë në këso rastesh, me tërë mllefin e vet kishte ndërhyrë policia dhe përsëri kishte arrestuar shumë shqiptarë që kishin marrë pjesë në tubimet paqësore.
Viti 1982 vlen të shënohet si viti në të cilin u organizuan dhe u mbajtën më së shumti procese gjyqësore ndaj shqiptarëve. Po këtë vit u organizua procesi gjyqësor kundër grupit të quajtur “Grupi i intelektualëve”, në të cilin, veç të tjerësh, ishin Ukshin Hoti e Ekrem Kryeziu, pastaj ndaj gazetarit Fadil Bujarit e Rexhep Zogajt, profesorit Zaim Beqirit dhe Ragip Hazirit, të dënuar me nga 15 vjet burg të rëndë, mësuesve Muharrem Fetiu dhe Daim Selmani, me nga 13 vjet burg të rëndë, studentëve Bedri Halimi, Burhanedin Ahmeti, Zonjusha Krasniqi, si dhe shumë e shumë të tjerëve.
Gjuetia ndaj shqiptarëve nuk bëhej vetëm në Kosovë, por ata ndiqeshin edhe në Serbi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë e kudo tjetër. Në Zarë, vazhdimisht sipas gazetës “Qindresa Shqiptare”, u dënuan tre studentë shqiptarë: Adem Cekaj, 21 vjeç, Muhamet Bytyqi, 22 vjeç dhe Fadil Bufaj, 21 vjeç.
Në Kosovë, dukshëm është intensifikuar ndjekja e kuadrit mësimor, duke filluar nga shkollat fillore e deri tek ata mësimdhënës që punojnë në Universitetin e Prishtinës. Duhet përmendur se nga puna u pushuan drejtori i shkollës Gani Reka, mësuesit Nebi Reka, Vehbi Neziri, Mustafa Hyseni, Fehmi Kashtanjeva dhe Xhavit Seiti.
Po ashtu, në gazetë përmenden edhe demonstratat që u organizuan nga qytetarët shqiptarë të qytetit të Mitrovicës, që u bënë kundër ndryshimit të emrit të qytetit të tyre. Qytetarët në mënyrë të organizuar dolën në rrugë duke kundërshtuar, se qyteti i tyre denbabaden ishte shqiptar, e asnjëherë nuk kishte qenë i Titos. E tërë kjo i shërbeu si pretekst i mirë policisë jugosllave për të arrestuar dhe për të futur në burg shumë shqiptarë të pafajshëm. Menjëherë pas demonstratave studentore, më 1981, në Kosovë kishte filluar një fushatë e madhe ndaj udhëheqësve shqiptarë të Kosovës. Ata fyheshin e njolloseshin nga shtypi jugosllav me fjalët më të ndyra, por edhe kishin filluar ndërrimet e shumta të tyre nga vendet udhëheqëse.
Shtypi i mërgatës shkruan se në Kosovë, është ndërruar nga vendi udhëheqës Veli Deva dhe arsyetimi ka qenë se ai ishte njeri i paditur dhe jo i zoti për të qenë në atë vend të punës me përgjegjësi. Në vendin e tij është emëruar Sinan Hasani. Kryetarin e Lidhjes Socialiste të Kosovës Ali Shukrin e kanë larguar dhe në vend të tij e kanë vënë Kolë Shirokën. Dhe në vendin e Riza Sapunxhiut, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, e kanë vënë Ymer Pulën.
Po ashtu, edhe disa udhëheqës lokalë i kishin pushuar nga puna dhe i kishin burgosur, siç janë: Muhamet Fejzullahu, Adem Hyseni, Shefki Qorolli, Ibrahim Qorolli, Mahmut Jashari dhe Izet Aliu. Ndërsa shumë nxënës i kanë përjashtuar nga shkolla dhe prindërit e tyre i kanë dënuar me shumë vjet burg të rëndë. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Presioni për t’u deklaruar “jugosllav”
08.04.2016 | 11:35

Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (24)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Sipas pushtetarëve jugosllavë, më 1981 ishte paraparë të bëhej regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi. Mirëpo asnjëherë nën pushtetin jugosllav shqiptarët nuk kanë mundur të jenë të sigurt se nuk do t’u bëhet ndonjë hile. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e regjistrimit të vitit 1981, kur shqiptarët nuk e pranuan atë regjistrim, ngaqë bëhej nën grykat e tankeve. Duhen përmendur se në regjistrimin e vitit 1981, në mesin e shumë kolonave, ishte shtuar edhe kolona me “kombësia - jugosllav”. Dihej se Shteti Jugosllavia, emër që kishte filluar të përmendet në fund të Luftës së Dytë Botërore, ishte një federatë kombësish të ndryshme, që secila kishte kulturën dhe gjuhën e vet. Secila nga këto kombësi kishte edhe republikën e vet, përveç shqiptarëve, e cila ndryshon nga të tjerat. Lëvizjet atdhetare e ilegale gjatë tërë ekzistencës së tyre nuk kanë pasur tjetër qëllim, veç të fitojnë të drejtën për bashkim me shtetin amë, ose të fitojnë të drejtën për të pasur një republikë sipas Kushtetutës së shtetit Federal Jugosllav. Sipas të dhënave që na i ofron gazeta “Qindresa Shqiptare”, në Jugosllavi ekziston shteti me këtë emër, por nuk ka një “kombësi” jugosllave. Shkaktare e krejt kësaj përzierjeje jo të natyrshme duhet të jetë Serbia, ngase ajo do që të përziejë kombësinë e vet me një të vetëquajtur “kombësi jugosllave”. Sepse Serbia edhe e quan veten se është themel i shtetit jugosllav, do që edhe të luajë në këtë letër, që të zhdukë dhe t’i përvetësojë kombësitë e tjera në Jugosllavi.
Të gjitha regjistrimet që ishin bërë në Jugosllavi, ishin shumë të kujdesshme që të bënin fshehjen e numrit të popullsisë shqiptare, duke e bërë përzierjen me turqit, maqedonasit, malazeztë dhe serbët.
Regjistrimi i fundit tentoi të përdorte po këto dredhi, por nuk pati sukses. Në Maqedoni janë regjistruar 1 912 000 banorë, nga të cilët 60 % i kanë shënuar maqedonas dhe vetëm 20 % shqiptarë. Kurse, sipas shënimeve që i ka siguruar fshehtas gazeta nga disa zyra të regjistrimit, ka më shumë se 800 000 shqiptarë në Maqedoni dhe afro 3 000 000 shqiptarë në Jugosllavi, shkruan gazeta.

Organizimi i demonstratave nga mërgata shqiptare

Me rastin e hapjes së sezonit të zakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shqiptarët në mërgim morën përsipër që të organizonin edhe një demonstratë në Nju Jork, për hir të situatës në Kosovë. Zaten, këtë demonstratë e mendonin se do të jetë edhe demonstrata më e madhe që do të bëhej jashtë Kosovës.
Për këtë tubim e manifestim të madh ardhjen e tyre e kishin paralajmëruar shumë mërgimtarë nga të gjitha vendet e botës ku ndodheshin.
Rëndësia e demonstratës së Nju-Jorkut, ashtu sikurse edhe e demonstratave të tjera, ishte që t’u tregohej shqiptarëve kosovarë që ata nuk kanë mbetur të vetmuar e të pa përkrahur në luftën e tyre me kuçedrën jugosllave; njëkohësisht, në këto demonstratat u tregohej shovinistëve serbomëdhenj që shqiptarët në mërgim, duke i shtrënguar radhët e veta, po dalin në skenë si një forcë e madhe dhe e qëndrueshme. Në anën tjetër, rëndësi të veçantë kishin edhe për mërgimtarët shqiptarë, me anën e tyre ata demonstronin edhe vullnetin e tyre, duke iu përmbajtur parimit dhe motos: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bëjmë diferencimin e keqkuptimeve dhe të mosmarrëveshjeve, të akumulojmë energji të reja për beteja të ardhshme në mbrojtje të kombit, të kristalizojmë dhe të përforcojmë idealet tona kombëtare.
Këtu qëndronte edhe rëndësia e demonstratave të mërgimtarëve tanë, në përgjithësi, dhe këtu qëndronte, në mënyrë të veçantë, rëndësia e demonstratës së madhe të Nju-Jorkut.
Si qëllim të posaçëm demonstratat e shqiptarëve në mërgim kishin edhe këtë, se donin t’i bënin me dije botës të vërtetën rreth gjendjes së shqiptarëve nën pushtimin jugosllav. Tanket dhe divizionet e ushtrisë jugosllave nuk arrinin të mposhtnin demonstratat e shqiptarëve, së paku në mërgim, ashtu siç i mposhtën ato të vëllezërve të tyre në Kosovën e robëruar. Përkundrazi, ata thoshin, madje këtu ne pritemi miqësisht nga të dërguarit e gazetave, të radiove dhe të televizioneve të huaja, të cilat na japin mundësinë që të komunikojmë me botën mbarë, të popullarizojmë çështjen e Kosovës, të ngremë zërin në mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare në Kosovë dhe t’i tregojmë gjithë njerëzimit se ç’bishë e shëmtuar është ujkonja serbomadhe - Jugosllavia.
Ky edhe do të jetë veçanërisht qëllimi i demonstratës së Nju-Jorkut. Ata nuk pritnin që demonstratat, ose aktivitetet e tyre që organizoheshin në mbrojtje të Kosovës, të jepnin rezultate të menjëhershme, se bota akoma nuk ishte në dijeni rreth së vërtetës se çfarë ndodhte në Kosovë. Veç kësaj, disa fuqi te caktuara, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, ende nuk ishin të interesuara që të dilnin si kampione të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve. Ne, shqiptarët, për terrorin serb të ushtruar ndaj të tjerëve, kemi njohuri dhe kemi një përvojë të hidhur në këtë çështje, pra nuk çuditemi kur shikojmë se si heshtin këto fuqi sot, edhe kur ne në Kosovë, shqiptarët, grihemi në plumba, se ishin pikërisht ato fuqi që më 1945 ia dhanë me të dy duart Kosovën Jugosllavisë.
Po këmbëngulja e mërgatës dhe përpjekjet e vazhdueshme të kombinuara dhe energjike do të ndikojnë që gjendja të ndryshojë në favor të shqiptarëve. Në vazhdim, porosiste mërgata: Ne nuk duhet të lodhemi, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të na zërë gjumi. Ne duhet të shpartallojmë propagandën, ta çjerrim përpara botës maskën e shovinizmit kolonial serb dhe të izolojmë nëpër vrimat e tyre minjtë e infektuar të agjenturës jugosllave këtu në Perëndim.
Pjesëmarrja masive e shqiptarëve në demonstratën e Nju-Jorkut do të jetë një manifestim i fuqishëm i të gjithë shqiptarëve dhe do të jetë edhe një dëshmi e gjallërisë dhe e vitalitetit të idealit të shqiptarizmës.
Ishte marrë qëndrim dhe ishin bërë përgatitjet që një literaturë e gjerë do t’u shpërndahej mërgimtarëve me rastin e organizimit të kësaj demonstrate. Ishte bërë mobilizimi i të gjithë aktivistëve, i të gjithë njerëzve të penës, i të gjitha organeve të shtypit dhe radioemisioneve në gjuhën shqipe, të gjitha partitë dhe organizatat politike, të gjitha institucionet fetare dhe mbarë masa e popullit në mërgim, ishin mobile dhe u përpoqën të gjithë së bashku që të dilnin me sukses dhe të nderuar në këtë demonstratë. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Peticion dërguar Kombeve të Bashkuara
09.04.2016 | 14:13
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (25)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Një komision i posaçëm në Detroit kishte përpiluar tekstin e një peticioni, i cili do t’u dërgohej Kombeve të Bashkuara. Pasi ishte shqyrtuar dhe aprovuar në një mbledhje të zgjeruar, peticioni i ishte shpërndarë në mijëra kopje gjithë mërgatës shqiptare. Peticioni u bënte thirrje Kombeve të Bashkuara që të shqyrtonin sa më shpejt çështjen e Kosovës dhe të ndërhynin sa më shpejt që është e mundur që të ndalonin terrorizmin ndaj shqiptarëve të Kosovës nga autoritetet jugosllave dhe të ushtronin influencën e vet që të bindnin ato autoritete që të pranonin krijimin e Republikës së Kosovës.
Çdo shqiptar, çdo anëtar i familjeve shqiptare, kudo në botë, e kishte për obligim dhe për detyrë dhe duhet ta ketë për nder që të firmosë një dokument të tillë me rëndësi kombëtare, porosiste këshilli për organizimin e peticionit.
Për të mos krijuar keqkuptime, duhet shpjeguar që peticioni nuk ishte vepër e ndonjë partie, ose e ndonjë individi ose grupi individësh. Kushdo që hidhte firmën e tij, konsiderohej si autor i dokumentit. Komisioni që e shpërndau peticionin mbante vetëm një përgjegjësi formale si përpilues i tekstit.
Më datë 30 gusht 1981, ditën e diel, në qytetin e Detroitit ishte organizuar një demonstratë e madhe nga mërgata shqiptare që jetonte në këtë qytet dhe në rrethinën e tij. Veç këtyre, në këtë tubim të madh antijugosllav e antikomunist, kishin marrë pjesë edhe shumë shqiptarë nga shtete të tjera të Amerikës dhe kishte të tillë që kishin ardhur enkas edhe nga Kanadaja e vende të tjera. Qëllimi i demonstratës ishte që të denoncoheshin në mënyrë të hapur aktet çnjerëzore të komunistëve serbomëdhenj kundër popullit shqiptar në Kosovë.
Mbas demonstratave që ishin organizuar anekënd Amerikës, si: në Uashington, në Nju-Jork, Çikago, Kaliforni dhe në Toronto të Kanadasë, po ashtu u organizuan edhe në Australi dhe në të gjitha qytetet kryesore të Evropës Perëndimore, edhe shqiptarët në Detroit e kishin parë të nevojshme që të organizonin një demonstratë dhe t’u tregonin vëllezërve nga Kosova se nuk janë të vetëm.
Nga Komisioni i cili e kishte marrë përsipër organizimin e demonstratës, ata kishin përgatitur dhe kishin shpërndarë një thirrje ku thuhej: “I bëjmë thirrje mbarë emigracionit nacionalist, antikomunist shqiptar që të marrë pjesë pa rezervë. Po të parasysh që studentët dhe mbarë populli i Kosovës u ngritën dhe u përleshën me ushtrinë serbe ditë e natë, javë e muaj me radhë, dhe mijëra prej tyre dhanë jetën për idealet e shenjta shqiptare (sipas shtypit botëror, po sjellim shembull gazetën austriake “The Evening Standard”, e cila njofton për më shumë se 10. 000 të vrarë), atëherë si të mos mundemi ne të dalim në një manifestim paqësor, në një ditë pushimi, në këtë vend të lirë, që na i jep të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore?
Arsyeja që demonstrata bëhej në ditën e diel, ishte se po këtë ditë ishte dita kryesore e një festivali jugosllav të organizuar dhe të drejtuar prej qeverisë komuniste të Beogradit.
Sipas revistës “Krahu i Shqiponjës”, kësaj thirrjeje iu përgjigjën më shumë se 600 veta. Numri më i madh i demonstruesve kishte ardhur nga Çikagoja. Demonstrata e Detroitit kishte pasur një jehonë të madhe, si te mërgata shqiptare ashtu edhe te vetë qytetarët e Detroitit. Por ajo që edhe ishte qëllimi i këtij manifestimi, demonstruesit kishin arritur që të paralizonin plotësisht të ashtuquajturin “Festivalin Jugosllav”, që zhvillohej atë ditë në Detroit. Stacionet kryesore të televizionit, gazetat e qytetit dhe stacionet e radiove i kushtuan demonstratës një vëmendje të posaçme gjatë dy-tri ditëve në vazhdim, duke e lënë nën hije krejt manifestimin e qeverisë jugosllave.
Në dy faqe të revistës “Krahu i Shqiponjës”, në vazhdim prezantohen një mori fotografish nga manifestimi i demonstratave që ishin të organizuara më 30 gusht në Detroit. Në fotografi po ashtu paraqiten edhe demonstruesit shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës. Pastaj janë prezantuar kryetari i Komisionit për organizimin e demonstratës, z. Gjon Lulgjuraj, Dom Prenk Camaj, zotëri Zef Kolë Mëhilli, po ashtu duhet cekur se në këtë demonstratë marrin pjesë edhe kroatët dhe në një fotografi dukej edhe flamuri kroat duke valëvitur pranë atij shqiptar. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

“Lajmëtari i lirisë” denoncoi UDB-ashët
12.04.2016 | 10:32
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (26)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Ishte viti i dytë që botohej revista, viti 1981. Kosova ziente nga brenda. Atdhetarët e parandienin dhe punonin me të madhe për këtë. Andaj, jo rastësisht në faqen e parë të saj është botuar artikulli “Kështu na ‘uron’ UDB-a Vitin e Ri”. Autori anonim shkas për këtë shkrim ka faktin pasi mërgimtarët tanë vijnë në vendlindje për festat e fundvitit. Por, pushtetarët mendonin ndryshe dhe mu këto festa i shfrytëzonin që sa më shumë shqiptarë të torturonin dhe t’i merrnin në biseda informative. Një gjë të tillë tmerri e llahtari e përjetoi edhe vetë atdhetari Hysen Gega nga Sallagrazhda e Suharekës. Ai ishte një burrë trim dhe i gatshëm për sakrifica. Atje larg në kurbet e kishte djegur malli për prindërit e familjen e tij. Edhe pse e dinte se çfarë situate e rëndë po mbretëronte në Kosovë, megjithatë kishte vendosur që të vinte në shtëpi, bile pak të çmallej me të dashurit e vet. Qëllimi i mirë ishte nga ana e Hysen Gegës, por edhe UDB-ashët kishin qëllimet e tyre. Një kohë të gjatë ishin përgatitur si ta fusnin Hysenin në rrjetin e tyre.
Pasi ishte çmallur me familjarët, mërgimtari ynë takon edhe shokët me të cilët kishte evokuar kujtimet për një kohë që kishte munguar. Festa kishte kaluar si kurrë më mirë në jetë. Mirëpo, UDB-ashët as atë natë nuk kishin fjetur, por ishin kujdesur që në mëngjesin e hershëm të Vitit të Ri ta “befasonin” dhe t’ia “uronin” Vitin e Ri Hysen Gegës. Aty nga ora tre e mëngjesit ishte rrethuar shtëpia e Qazim Gegës me një togë të madhe policësh të armatosur gjer në dhëmbë. Nga udhëheqësi i togës u kërkua që të dorëzohej Hysen Gega, duke e quajtur “armik të popullit”. Shtrohet pyetja, a thua, vallë, vërtet ishte Hysen Gega armik i popullit të vet? Si mund të ndodhte një gjë e tillë!? Armik i popullit shqiptar ka qenë gjithmonë dikush tjetër. Armik i popullit shqiptar ishte polici që çirrej dhe kërkonte me çdo kusht për ta burgosur djalin shqiptar.
Në tmerrin e natës së ftohtë, policia hulumtoi çdo skutë të shtëpisë dhe në fund para tytave të pushkëve kishte vënë babanë dhe gruan e Hysenit. U treguan se ishin të rrethuar dhe se kishin ardhur për ta arrestuar Hysenin, në emër të popullit. Pas zhurmës e tollovisë së krijuar, Hyseni zgjohet nga gjumi dhe, kur sheh babën dhe gruan para tytave të pushkëve, tmerrohet. “Në emër të popullit”, - i bërtiti polici, “Hysen Gega, je i arrestuar!” Pa u trembur aspak, Hysen Gega përgjigjet: Cilit popull??? Unë jam biri i këtij plaku, biri i këtij populli dhe i kësaj toke. Për ty ka mallkime e ankime populli, jo për mua. Ia lidhin duart dhe e fusin në kampanjollën e mavitë. Me dhunë e futin në veturë, ndërsa nga atje u dëgjohet zëri i fuqishëm i Hysen Gegës, i cili thërriste me sa fuqi që kishte: Rroftë Shqipëria, Rroftë populli shqiptar, Poshtë titizmi, Poshtë shërbëtorët e okupatorit! Në anën tjetër të shtëpisë, britma e vëllait Danushit theu heshtjen e natës duke thirrur sa mundi: Rroftë Shqipëria, Rroftë populli i bashkuar shqiptar, dhe policia nuk hezitoi për ta arrestuar edhe vëllanë e Hysenit.
Në këtë shkrim redaksia e saj, atje nga mërgimi, i çonte urimet më të mira Hysen Gegës, duke i thënë: Rroftë populli shqiptar, i lirë e i bashkuar, po të përgjigjemi edhe ne që këtej, o Hysen Gega dhe ty, Danush, dhe atyre mijëra djemve të këtij populli, që UDB-ja po i dergj pa kursim në burgjet e fëlliqura e mizore. Dhe, që këtej po jua përcjellim edhe sihariqin, se populli po bëhet gati për t’ju marrë ju hakun. Po, po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe, shkruan redaksia e revistës
Po ashtu, në këtë faqe, redaksia jep edhe një informacion të rëndësishëm për lëvizjen ilegale shqiptare: Tani mund të thuhet se është i rrallë ai fshat, ajo lagje qyteti, apo ajo shtëpi shqiptare, ku UDB-ja të mos ketë burgosur së paku nga një njeri, ose të mos ketë bastisur egërsisht. Me një tërbim shtazarak, që i kalon edhe kufijtë e terrorit të aksionit famëkeq të armëve të vitit 1956, pushteti jugosllav po orvatet të zhbijë çdo filiz të rezistencës shqiptare ndaj shtypjes dhe shfrytëzimit të egër kolonial nga ana e shovinistëve të Beogradit. Në vijim shpreh indinjatën e thellë, duke e njoftuar opinionin e gjerë se, përveç vëllezërve Hysen e Danush Gega, kohët e fundit, për veprimtari “armiqësore kundër popullit e shtetit”, do të thotë për veprimtari patriotike, u arrestuan edhe këta persona: Hasan Ukëhaxhaj, magjistër i gjuhës shqipe, profesor në gjimnazin e Deçanit, Musa Berisha, nga Duboviku, student i letërsisë shqipe, momentalisht në shërbimin ushtarak në Ptuj, si dhe një milic, të cilit ende s’ia dimë emrin etj.
Në një shkrim të revistës me titull “Më të fortë se kurdoherë”, bëhej fjalë për përgatitjet dhe festimin e shqiptarëve tanë që ndodheshin në mërgim jashtë vendit shqiptar. Edhe pse jetonin të shpërndarë në të katër cepat e botës, për festa dhe kur u paraqitej nevoja, ata ishin të bashkuar falë vetëm organizimit të mirëfilltë të lëvizjeve çlirimtare shqiptare. Në shkrim gati në dy faqe tekst jepet historiku i luftërave shqiptare për liri dhe pavarësi.
Autori fillon me fjalën e diskutuesit të parë, i cili niste me këto fjalë: Vëllezër të dashur!
Gjithçka te ky dhé, është e huaj për ne. Kjo sallë, sendet përreth, njerëzit, rrugët këtu na shikojnë ftohtë. Në qoftë se ndonjëherë edhe ndodh të na hetojnë praninë, atëherë praninë tonë e ndiejnë si praninë e një lecke të hedhur në rrugën e madhe. Dhe, vërtet, a ka më trishtuese dhe më të dhembshme sesa këto fjalë që i shkruan autori. Sado i mençur dhe i fuqishëm të jesh, mendon autori, vendi i huaj dhe njerëzit e saj mërgimtarin nuk e hetojnë. Jo vetëm që nuk e hetojnë, por nuk e llogarisin as si ndonjë gjë të rëndësishme që mund të ndikojë në rrjedhat e atij vendi. Kështu mendonte autori i kësaj fjale përshëndetëse në manifestimin e Ditës së Pavarësisë.
Pastaj, autori u dëfton të pranishmëve se si historia na la me gishta në gojë dhe në bisht popujsh të tjerë, që erdhën shumë më vonë në trojet e stërgjyshërve tanë. E kush i ka shërbyer më mirë se ky popull historisë? Kush ia lau asaj më me rregull tatimin e gjakut e të sakrificës? Dhe kush kërkoi më pak prej saj: vetëm tërësinë e tokave tona deshëm dhe jetën në shtetin e përbashkët kombëtar; atë që të gjithë të tjerët në Evropë e kishin prej motesh. Por, në vend që të sendërtohej kjo aspiratë e drejtë, jeta na katandisi në robëri, në skamje e mjerim. Jeta na shpërndau rrugëve të kurbetit. Me të drejtë thotë autori i shkrimit se ky shekull vetëm një gjë nuk e arriti: të na i presë rrembat e gjakut stërgjyshor, të përtërirë brez pas brezi nga fatosat, që për vatan e troje të veta, “e kanë ba dekën si me le”.
Autori flet shtruar për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, për shqiptarët e Çamërisë, të Kosovës e të viseve shqiptare në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, flet për Luftën e Dytë Botërore dhe padrejtësitë e mëdha që iu bënë popullit shqiptar më 1945, duke përfunduar me angazhimin e madh të ilegales shqiptare, si në mërgatë po ashtu edhe në Kosovë.

Reagimi i shtypit ndërkombëtar

Sfida shqiptare do të habis jo vetëm bashkësinë jugosllave, por gjithë Evropën. Ngjarjet e zhvilluara në Kosovë shtypi gjerman, ai francezë dhe pothuajse e tërë bota demokratike e perëndimit i trajtuan me një ndjenjë admirimi. Më 1981 (në qershor), një gazetë franceze për numrin e të dënuarve shkruante : “rreth 1. 700 persona janë burgosur gjatë trazirave dhe 154 pritet të gjykohen”. Gazeta tjetër frënge, “Liberasion”, ndër të tjera, shkruan: më shumë se 800 veta janë shpallur fajtorë, nga të cilët 400 kanë marrë dënime që janë në kompetencën e policisë, pra më pak se një vit”.
Po e përmendim revistën suedeze “Tempus”, e cila veç të tjerash, shkruante: “Njerëz të pafajshëm qëllohen me armë. Më shumë se 300 veta janë goditur, edhe fëmijë të vegjël janë qëlluar nga forcat e armatosura serbe. Asnjëherë pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka ndodhur të jetë përdorur një dhunë e tillë në Jugosllavi kundër një grupi njerëzish, siç ndodhi në këtë rast kundër shqiptarëve. Njerëzit qëlloheshin nga helikopteri nga helikopteri vetëm pse protestonin kundër politikës së padrejtë të regjimit të Beogradit”. Më 27 prill edhe gazeta gjermane “Frankfurtter Alemanje” shkruante: “Vrojtues të informuar jugosllavë numrin e të vrarëve e çonin në minimum, nga 30-40 veta, dhe të plagosur deri në 1000 veta”, ndërsa gazeta daneze “Arbeideren” theksonte: “këto masakra, ku janë vrarë me qindra veta dhe janë plagosur e janë burgosur mija të tjerë, paraqesin, pa dyshim, gjenocidin më të madh të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”. Megjithëse Jugosllavia e kishte mbyllur kufirin për të hyrë e për të dalë të huajt në Kosovë, shtypi dhe gazetarët ndërkombëtarë ndiqnin vazhdimisht situatën dhe zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë. Për fat të keq, e shumta e informatave që jepeshin nga shtypi ndërkombëtar bazoheshin në komunikatat zyrtare të agjencisë jugosllave - “Tanjug”. Këto komunikata shpërndaheshin mandej në tërë botën prej agjencive perëndimore, si U. P. I. (“United Press International”), “Reuters”, “Agence France Presse” etj. Megjithatë, e shumta e gazetave dhe e revistave amerikane, angleze, frënge, gjermane, belge, italiane e turke kanë botuar rregullisht informata dhe artikuj mbi ngjarjet e Kosovës. “The New York Times”, “The Christian Science Monitor” e të tjera gazeta amerikane, “The Times”, “The Financial Times”, “The Daily Telegraph” të Londrës, “Le Figaro”, “Le Monde”, “Le France-Soir”, “LAurore”, të Parisit, “Le Soir”, e Brukselit, “Il Tempo”, në Romë, “Il Corriere dela Sera”, në Milano, “Frankfurte Allgemeine Zeitung”, në Gjermani, “Ege Telegraph”, në Izmir, “Cumhuriyet”, në Stamboll, e të tjera gazeta turke e italiane, i kanë vëzhguar ngjarjet e Kosovës. Revistat, sikurse “The Economist”, në Londër, “LExpress”, në Paris, “LEspresso”, në Romë, “Die Welt”, në Frankfurt e të tjera, kanë botuar artikuj të gjatë mbi ngjarjet e Kosovës. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Reagimi i shtetit shqiptar
13.04.2016 | 10:47
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (27)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Raportet mes shtetit shqiptar dhe aktorëve politikë jugosllavë morën formë të mprehtë në kohën e shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Tirana zyrtare përkrahi kërkesat e demonstruesve “Kosova republikë” e demaskoi politikën jugosllave skllavëruese ndaj shqiptarëve të Kosovës. Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë mbajtën qëndrim shumë kritik ndaj Jugosllavisë, në veçanti ndaj politikës serbe. Artikujt e botuar në gazetën shqiptare “Zëri i Popullit”, të 8 dhe 23 prillit të 17 majit, të transmetuar nga ATSH-ja, që paraqitnin edhe qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar, qenë shpërndarë midis diplomatëve në vende të ndryshme evropiane e botërore nga përfaqësitë diplomatike shqiptare ku qenë të akredituara. Artikuj të cilët patën një jehonë të madhe në botë. Shteti shqiptar, nëpërmjet analeve diplomatike, ndikoi në afirmimin e çështjes se Kosovës, duke argumentuar kërkesat e drejta të demonstruesve. Lidhur me këtë çështje, ambasadorët shqiptar ekspozonin qëndrimet politike lidhur me ngjarjet e zhvilluara në Kosovë dhe çështjen e Jugosllavisë, në mënyrë që të influencohet pro një qëndrimi të tillë edhe nga vendet e tjera evropiane e botërore.
Artikujt ishin një dokumentim mbi gjendjen e Kosovës dhe mbi qëndrimin tiranik të qarqeve të Beogradit kundrejt shqiptarëve në Jugosllavi. Përdhunimet e policisë dhe të ushtrisë jugosllave, që përdorën tanket për të shtypur manifestimet e studentëve dhe të punëtorëve, kritikohen siç duhet. Po ashtu, artikulli i tregon qartë arsyet e këtyre lëvizjeve studentore dhe punëtore, shfrytëzimin ekonomik, mungesën e lirive dhe të drejtave politike që e kanë zhytur popullsinë shqiptare në Jugosllavi në mizërie e në dëshpërim. Mbasi tregon keqbërjen e regjimit të Beogradit kundrejt popullsisë shqiptare, artikulli i “Zërit të popullit” sugjeron një shikim objektiv dhe realist të problemit shqiptar në Jugosllavi, duke ia kujtuar qeverisë së Beogradit se duhet t’i njohë popullsisë shqiptare liritë demokratike dhe të drejtën politike për një “republikë autonome”. Përndryshe, shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi do të mbeten të nënshtruar e të shtypur, në mëshirën e serbëve, të maqedonasve dhe të malazezve. Artikulli i botuar në “Zërin e Popullit” ishte shumë argumentues dhe shumë objektiv.

Udhëzimet e Komitetit Krahinor të LKK-së për mjetet e informimit

Komitetit Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, duke e parë interesimin e madh të opinionit, si të atij të brendshëm, po ashtu edhe të atij ndërkombëtar dhe duke e parë se proceset e shumta gjyqësore mund të komprometonin shumë lehtë, vendosi që në kuadër të vet të formonte një komision të përbërë nga 4 veta, që do t’i jepnin udhëzimet e fundit se si duhej të informonin mjetet e informimit.
Në takimet e shumta që u mbajtën në këtë komision, u vendos që i tërë informimi të vinte nga një qendër, për arsye se duhej të shmangej laramania e informimit. Qendra e informimit u caktua të ishte “Tanjugu”, ndërsa proceset gjyqësore duhej t’i ndiqte një grup gazetarësh, që do të përbëhej nga përfaqësuesit e “Rilindjes”, të “Jedinstvos”, të “Tanjugut” dhe të RTV-së të Prishtinës.
Për detyrë Televizionit të Prishtinës iu caktua që për opinionin e gjerë të siguronte sekuenca nga proceset gjyqësore, me ton e me fotografi, sidomos të incizoheshin ato pjesë ku të dënuarit akuzohen mes vete dhe dialogët e tyre, që sa më bindshëm të komprometoheshin ata si individë dhe platforma e tyre politike.
Para opinionit të gjerë, porosiste grupi, është e përshtatshme që me mençuri t’u shmangej numrave dhe paraqitjes së pakënaqësisë së tyre. Është e mirë, thuhej më tej, që të vihen në pah “sidomos disa doktorë, magjistra dhe disa profesor, regjisorë etj.. . , për të cilët thuhej që shoqëria (kundër së cilës ata luftuan), ua kishte ofruar të gjitha mundësit për shkollim, që të punonin dhe të jetonin mirë”.
Me qëllim që të arrihej efekti sa më i madh i propagandës, si te publiku vendës, po ashtu edhe te ai ndërkombëtar, nga grupi u kërkua që të ndërmerreshin këto masa:
1. Gazeta “Rilindja” të fillonte me botimin e komenteve, me të cilat do të demaskohej platforma politike e tyre dhe do t‘i quante:antikombëtare, antiqeverisëse, kundër integritetit të RSFJ-së, kundër vëllazërim-bashkimit. Këto komente nga “Rilindja” do t’i merrnin “Tanjugu” dhe televizioni.
2. Opinionin duhet të jetë i njoftuar me proceset gjyqësore, siç janë: Grupi “PKMLSH”, Grupi i “Intelektualëve”, Grupi i “Studentëve” dhe grupe të tjera, që ishin shumë të mëdha, ndërsa për grupet e vogla dhe individët nuk vlen të informohet. Për mjete të informimit gazetarët duhet të përdorin materiale, si: aktakuzat, analizat për punën ilegale, materialet propaganduese antishtetërore. Në raport më së tepërmi të potencohet: karakteri antinacional i veprimtarisë ilegale. Të gjitha elementet e tjera që i komprometojnë organizatat, grupet ilegale dhe individët, që te populli shqiptar të rritet irritomi ndaj platformës së tyre politike, siç janë:kolektivizimi i plotë, zhdukja e pronës private, zhdukja e fesë dhe mbyllja e izolimi i Kosovës nga Republikat e tjera dhe nga bota.
3. Duhet të përpunohet sidomos parulla nacionaliste-shoveniste “Kosova, etnikisht e pastër” dhe duhet të zhvishet nga çdo element tjetër se organizatat ilegale janë masive dhe se i tërë populli është me ta. Duhet t’u tregohet se ato grupe që dënohen janë të vogla dhe shumë të vogla, në radhët e tyre nuk kanë as nga një grusht njerëzish, se janë kundër popullit dhe kundër bashkëjetesës me të tjerët, që klasa punëtore, intelektualët, rinia shkollore e studentore janë kundër tyre dhe i dënojnë ata”. Nga e tërë kjo që këshillon grupi i punës i Komitetit Krahinor për Informim, mund të konkludojmë se sa janë gabuar, kur edhe ata, edhe pushteti ishte fort mirë i informuar se gati nuk kishte familje shqiptare që nuk kishte ndonjë anëtar të saj i cili nuk punonte ilegalisht kundër okupuesit të huaj. Këtë më së miri e dëshmonte numri i madh i të dënuarve nëpër sallat e gjyqeve dhe përkrahja e pa rezervë që ua jepte populli bijve të vet. Hetuesit mendonin se me burgosjen e tyre kishin ndërprerë edhe rrjetin ilegal që luftonte për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, por parullat e shumta që shpërndaheshin gjatë kohës së mbajtjes së proceseve, e demantonin atë që mjetet e informimit mendonin të arrinin.
4. Grupi punues kishte dilema se a do ta informonin opinionin lidhur me shtetet e perëndimit që i përkrahnin kërkesat e ilegalistëve (gjatë leximit të tekstit hasa në një pikëpyetje të madhe në të). Me gjasë, përtonin të informonin opinionin për përkrahje që i kishin nga jashtë.
5. Gazetarët, këshillonte grupi i punës, që ndjekin proceset gjyqësore për redaksitë e veta është e nevojshme që të shkruajnë skica të veçanta për to, vështrime, shënime, komente, me qëllim që për ta të krijon neveri te masat e gjera. Këto shkrime të botohen gjatë ditëve që mbahen proceset gjyqësore.
Barrën kryesore dhe detyrën për t‘i demaskuar anëtarët e organizatave ilegale do ta kenë mjetet e informimit të Kosovës, sidomos “Rilindja” dhe “TV Prishtina”, të cilat do ta kenë për detyrë që të përgatitën emisione speciale për dënimin e tyre dhe nga TV e Prishtinës do të shpërndahen emisionet në tërë vendin e jashtë tij.
Qëllimi i mjeteve të informimit nëpërmjet raportimeve, emisioneve dhe shkrimeve të tjera ishte që të arrihej qëllimi që këto grupe dhe individ të dënoheshin nga masat e gjera shqiptare dhe të nxirrej përfundim se të gjitha këto grupe që dënoheshin të mos na bien në lajthitje kishin emra të ndryshëm, edhe qëllime të ndryshme. Opinionit të gjerë duhej t’i bëhej e ditur se të gjitha organizatat, grupet e individët që u takojnë organizatave të ndryshme, kanë vetëm një qëllim, ndryshimin e statusit të Kosovës në Republikë, bashkimin e të gjitha viseve të banuara me shqiptarë dhe shkëputjen e saj nga Serbia. Dokumenti ishte i shkruar më 3korrik 1982, në Prishtinë. Anëtarë të grupit punues ishin: 1. Ismail Bajra, 2. Milan Sheshlia, 3. Rrahman Dedaj dhe 4. Beqir Hoti.

Informatë lidhur me aktivitetin për stabilizimin e gjendjes në Universitetin e Prishtinës

Në vazhdim po e japim informatën të cilën e kishte dhënë KEK të KSA të Kosovës, e cila informon qytetarët për aktivitetet e zhvilluara në universitetin e Kosovës: Në fakultetet dhe shkollat e larta të Universitetit u intensifikua puna rreth zbatimit të detyrave që dalin nga Plani Operativë i Komisionit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës për stabilizimin e gjendjes në Universitet dhe Pleqësisë së Universitetit.
Mirëpo, ndonëse ka kaluar një kohë mjaft e gjatë nga aprovimi i Programit aksionar të LK të Kosovës, ende nuk kanë mundur të përballohen të gjitha vështirësitë dhe të zgjidhen ato probleme në Universitet që janë vlerësuar si prioritare për normalizimin e gjendjes në të deri në fillim të vitit të ri shkollor. Ende po ndryshohen ngadalë shprehitë dhe qëndrimi ndaj detyrave që shtrohen para punonjësve të Universitetit, kurse përgjegjësia e tyre nuk është në nivelin e situatës së ndërlikuar, për ç’shkak nuk ka e aksion të mjaftueshëm për t’i analizuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike dukurit dhe problemet konkrete. Mu për këtë ka edhe qasje të përcipta, improvizime dhe formalizëm në zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Prandaj kryerja e detyrave të përcaktuara me Planin operativ të Komisionit dhe të Pleqësisë së Universitetit nuk shkon sipas dinamikës së planifikuar dhe afateve të caktuara. Kështu për shembull, vlerësimi kritik i politikës së kuadrove në shkollat e larta e fakultetet, që ka qenë parashikuar të shqyrtohet në Pleqësinë e Universitetit kah mbarimi i qershorit, nuk është bërë për shkak se disa fakultete nuk i kanë dërguar me kohë vlerësimet e veta lidhur me këtë çështje. Ose, bije fjala, ndonëse Rektorati dhe Bashkësia Vetëqeverisëse Krahinore e Interesit e Arsimit dhe Edukimit kanë kërkuar nga secili fakultet që të caktojë dhe të dërgoi numrin e saktë të studentëve të rregullt, të cilët këtë status e kanë sipas ligjit mbi shkollat e larta e fakultetet që të caktoi dhe të dërgoi numrin e saktë të studentëve të rregullt, të cilët këtë status e kanë sipas ligjit mbi shkollat e larta e fakultetet dhe sipas statuteve të veta, si dhe pasqyrën e tyre sipas strukturës kombëtare e sociale dhe përkatësisë territoriale, disa fakultetet kanë dërguar vetëm listën e emrave, e disa as këtë nuk e kanë bërë. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Diferencimet në fakultete dhe shkolla
14.04.2016 | 10:53
Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (28)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha


Aktiviteti i organizatave të LK-së në fakultetet dhe shkolla të larta rreth diferencimit ideo-politik nuk po zhvillohet në mënyrë të thelluar. Për më tepër, ekziston përshtypja se ky aktivitet, në kohët e fundit, edhe po dobësohet. Deri më tani vetëm Fakulteti Filozofik u pushua nga puna një mësimdhënës, kurse gjashtë studentë u përjashtuan nga fakulteti, ndaj 49 studentëve - pjesëmarrës në demonstratat - po zhvillohet procedurë disiplinore, ndërsa 96 studentë anëtarë të LK-së, u shlyen nga evidenca, e numri i përgjithshëm i personave të shlyer nga evidenca e LK, duke përfshirë këtu edhe numrin e përmendur më sipër, është 360. Në fakultetet dhe shkollat e tjera të larta nuk ka masa konkretet partiake dhe masa të tjera për konstatimin e përgjegjësisë. Organet në nivelin universitar, e sidomos rektorët dhe prorektorët, kanë futur një dinamikë në intensifikimin e aktivitetit rreth kryerjes së detyrave për stabilizimin e gjendjes në Universitet.

Detyrat e përcaktuara në universitetin e Kosovës

U kryen provimet pranuese dhe kualifikuese sipas planeve dhe kritereve të përcaktuara. Në këtë afat të regjistrimit në fakultetet dhe shkollat e larta u paraqitën gjithsejtë 7 951 studentë të rregullt dhe 380 me korrespodencë nga 8 580 studentë të rregullt dhe 5 195 studentë me korrespodencë sa kanë qenë të planifikuar. Përveç mjekësisë, elektronikës dhe arkitekturës (në Fakultetin Teknik), edhe sivjet ekziston tendenca e orientimit të kandidatëve kah shkencat shoqërore dhe humanitare. Në shkollat e larta pedagogjike është i vogël numri i atyre që janë orientuar për mësim në klasë të ulëta të tetëvjeçares. Bie në sy po ashtu se pak kandidat janë paraqitur për mësim në gjuhën serbokroate. Në nivelin e Universitetit ende nuk është bërë një pasqyrë e kandidatëve të paraqitur sipas përkatësisë kombëtare gjë që duhet bërë këto ditë, në mënyrë që në afatin e dytë dhe të tretë plotësues të regjistrimit të realizohet politika e përcaktuar e regjistrimit të studentëve sipas përkatësisë kombëtare, e jo vetëm sipas gjuhës mësimore.
Lista e kandidatëve që në bazë të provimeve pranuese, përkatësisht kualifikuese dhe kritereve të tjera i kanë plotësuar kushtet për regjistrim në vitin e parë të studimeve, sipas ranglistës, do tu dërgohet këto ditë komunave në mënyrë që ato, deri më 25 të këtij muaji, të japin mendimin e vet për përshtatshmërinë ideo-politike të secilit kandidat, ndërsa mendimi për kandidatët jashtë Krahinës (nga RS e Maqedonisë, RS e Malit të ZI dhe nga rajoni i ngushtë i RS të Serbisë) do të kërkohet nga organet përkatëse republikane të arsimit dhe të edukimit.
Duke qenë se nuk është bërë diferencimi ideo-politik i studentëve në Universitet, Konferenca Krahinore e Lidhjes së Rinisë Socialiste të Kosovës ka kërkuar nga të gjitha komunat listën e atyre studentëve të cilët, për shkak të përshtatshmërisë ideo-politike, nuk do të mund t’i vazhdojnë studimet e mëtejshme.
Rektorati ka marrë masa që të bëhet i mundshëm regjistrimi i studentëve nga Kosova në fakultetet e qendrave tjera universitare të vendit për ato profile që nuk shkollohen në Universitetin e Kosovës. Kështu, për shembull, është arritur pëlqimi dhe janë kryer provimet pranuese për regjistrimin e 10 studentëve në Fakultetin Farmaceutik të Sarajevës.
1. Në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta është shqyrtuar vlerësimi i politikës së kuadrove, ndërsa po ky vlerësim, në nivelin e Universitetit do të shqyrtohet në mbledhjen e Pleqësisë së Universitetit më 21 të këtij muaji. Në këtë mbledhje do të shqyrtohet edhe politika e kreditimit dhe bursat e Universitetit. Sipas propozimit në materialin për këtë mbledhje propozohet decentralizimi i Fondit të kredive të studentëve nëpër komuna, në mënyrë që ato, në pajtim me nevojat e veta për kuadro dhe me kriteret e tjera, të vendosnin për dhënien e kredive.
2. Analiza kritike e planeve dhe programeve mësimore dhe e teksteve si dhe e literaturës tjetër, me një vështrim të veçantë mbi ato nga Shqipëria, për lëndët e historisë, të gjuhës e të letërsisë, të marksizmit e të sociologjisë, është shqyrtuar nga organet e Fakultetit Filozofik, ndërsa analiza e tërësishme lidhur me këtë do të shqyrtohet në mbledhjen e Pleqësisë të Universitetit më 25 të këtij muaji.
3. Organet e fakultetit po shqyrtojnë analizën kritike të bashkëpunimit ndërkombëtar të Universitetit, me një vështrim të veçantë mbi bashkëpunimin me Universitetet Shtetërore të Tiranës, ndërsa Pleqësia e Universitetit këtë çështje do ta shqyrtoi deri në fund të këtij muaji.
4. Komisioni, Rektorati dhe Drejtoria e emëruar e Qendrës së Studentëve janë angazhuar- si në një nga detyrat prioritare - në stabilizimin e gjendjes në këtë Qendër.
Nga problemet e shumta që ekzistojnë në Qendrën e studentëve, deri më tani për zgjidhjen e tyre është bërë sa vijon:
- është aftësuar restoranti i studentëve, kështu që deri në fillim të vitit të ri shkollor do të funksionojnë shtatë në vend dy, e nga ndonjë herë katër shirita sa kanë funksionuar deri më tani, gjë që do të sigurojë shërbimin efikas dhe të shpejt. Për këtë qëllim janë blerë dhe janë montuar të gjitha instalimet e nevojshme.
- deri më 25 gusht do të përfundoi puna në renovimin e plotë të të gjitha konvikteve ekzistuese;
- janë marrë të gjitha masat që kryesi i punimeve të kryej konviktin e ri (me kapacitet prej 1 000 shtretërish) deri me 25 të këtij muaji, në mënyrë që pranimi teknik dhe dorëzimi i tij në përdorim të bëhet para fillimit të vitit të ri shkollor;
- ka filluar renovimi i dy barakave ekzistuese për vendosjen e studentëve, ndërsa e treta do të adaptohet për aktivitetet shoqërore të studentëve;
- janë marrë masat për shpërnguljen e banuesve nga Qendra shëndetësore e studentëve, ku përveç mbrojtjes së deritashme shëndetësore, në të ardhmen do të bëhen edhe vizitat specialistike;
- Drejtoria deri tani iu ka ndërprerë marrëdhëniet e punës 34 punëtorëve, kurse këto ditë do ti pushoi nga puna të gjithë portierët e deritanishëm (20 sosh), ndërsa zgjedhje e portierëve të rinj do të bëhet në konsultim me komisionet kadrovike të kuvendit Krahinor e të KK, nga radhët e kandidatëve që janë paraqitur në konkurs te Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme. Kandidatët e zgjedhur do të aftësohen në mënyrë të veçantë.
- është bërë sistematizimi i ri i vendeve të punës dhe është bërë orari për njerëzit sipas kualifikimeve dhe aftësive të tyre;
- është shpallur konkursi për plotësimin e vendeve të zbrazëta udhëheqëse të punës;
- është përpiluar propozimi i kritereve për pranimin e studentëve në konvikte, i cili është dhënë në diskutim në fakultetet, komuna, Kryesinë e Lidhjes Socialiste të Rinisë së Kosovës dhe Bashkësinë Krahinore Vetëqeverisëse të interesit të arsimit dhe edukimit;
- duke shfrytëzuar përvojat e qendrave të reja të studentëve në vend, është përpiluar rendi shtëpiak dhe organizimi i tërësishëm i jetës e punës së studentëve në konvikte, që- përveç tjerash parashikon formimin e kuvendeve të pleqësive të konvikteve, në të cilat, përveç studentëve, do të jenë edhe arsimtarët e delegatët e mjediseve shoqërore;
- do të vendoset kartoteka për të gjithë studentët e pranuar në konvikte, kështu që do të jetë e mundur përcjellja e vazhdueshme e gjendjes në konvikte. Çdo student në konvikt dhe abonent në restorantin e studentëve do të ketë legjitimacion. Është marrë qëndrim që çdo student që është vendosur në konvikt patjetër të jetë edhe abonent i restorantit të studentëve;
- është porositur projekti për stacionin e altoparlantëve që do të ketë Këshillin e vet programor dhe përmbajtjen programore;
- është përpiluar propozimi i listës së çmimeve për vendosje e ushqim e cila do të shqyrtohet në Këshillin Ekzekutiv të Kuvendit të KSA të Kosovës, kurse definitivisht për këtë vendoset në organet e Bashkësisë Krahinore Vetëqeverisëse të interesit të Arsimit e të Edukimit;
- Konkursi për pranimin e studentëve në Qendrën e Studentëve do ta shpall Rektorati i Universitetit në shtator, ndërsa paraqitja dhe verifikimi i kandidatëve do të bëhet në komuna;
- po punohet në hartimin e akteve të reja normative, që do të sanksionojnë organizimin e këtillë dhe jetën e punën e studentëve në Qendrën Studentore.
Në të gjitha fakultetet dhe shkollat e larta janë formuar grupet punonjëse që punojnë në analizimin kritik të këtyre problemeve;
- vlerësimi i funksionimit të marrëdhënieve vetëqeverisëse dhe të sistemit të delegimit;
- vlerësimit i transformimit dhe dispersionit të mundshëm të institucioneve të shkollimit të lartë;
- vlerësimi kritik i temave të diplomës e të magjistraturës dhe të disertacioneve të doktoraturës si dhe të specializimeve në vend e në botën e jashtme;
- vlerësimi i funksionimit të sistemit të mbrojtjes së përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore të universitetit;
- hartimi i kritereve për fitim dhe ndarjen e të ardhurave në shkollat e larta, në fakultete e në Universitet.
Këto çështje do të shqyrtohen në organet e fakultetit dhe Pleqësisë së Universitetit pas 15 gushtit. Komisioni konsideron se duhet të intensifikohet puna në organizatat themelore të Lidhjes së Komunistëve në fakultetet e në shkolla të larta, në mënyrë që të thellohet diferencimi i mëtejshëm ideo-politik nëpërmjet të angazhimit konkret në zgjidhjen e të gjitha problemeve dhe realizimin e detyrave të përcaktuara. Lidhur me këtë, është e nevojshme që anëtar[t e aktivit politik, të angazhuar në shkollat e larta e fakultete, të aktivizohen edhe më tepër.
Gjithashtu është e domosdoshme që sektori i Komitetit Krahinor dhe Komiteti komunal të analizojnë dhe të përcaktohen për rregullimin organizativ dhe aksionar të Organizatës së LK të Universitetit.
Gjithashtu, organet e Konferencës Krahinore të LRS të Kosovës dhe të Konferencës Komunale të LSR të Prishtinës duhet të shpejtojnë punën në rregullimin organizativ të rinisë në shkollat e larta e në fakultetet, si dhe në nivelin e Universitetit.
Komisioni dhe Rektorati kanë marrë masa që të ndërkrehen të gjitha shkuarjet në botën e jashtme për specializime dhe të kufizohet numri i atyre që marrin pjesë në simpoziume, seminare e kongrese me karakter ndërkombëtar. Ndërkaq, si problem po paraqitet realizimi i bursës së Fultbrajtit që i janë ndarë Kosovës, prandaj për këtë është e nevojshme që të merret qëndrim. (VIJON)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

Suspendimi i autonomisë së Kosovës (I)
15.04.2016 | 10:03

Demonstratat studentore parë nga një dokument sekret i Komitetit Krahinor të LKK-së (29)
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Në harkun kohor 1966-1981 mendohej se shqiptarët sadopak patën një jetë më të durueshme dhe morën frymë më lirshëm. Po themi lirshëm ngaqë, krahasuar me kohën e para plenumit, gjithsesi ishte më e durueshme. Do të ishte gabim po të besohej se në këtë kohë shqiptarët ishin liruar plotësisht prej shtypjes e dhunës politike dhe shtetërore. Edhe pas Plenumit të Brioneve Jugosllavia kishte ngelur shtet policor dhe diktaturën e saj e shprehte pikërisht ndaj popullatës shqiptare duke ua bërë përsëri të njëjtin terror dhe të njëjtat padrejtësi. Por, në këtë kohë bie në sy sidomos një politikë më perfide dhe më dinake që me një mjeshtri filloi ta aplikonte Titoja ndaj pjesës më të prapambetur dhe më të shfrytëzuar të ish-Jugosllavisë, Kosovës. Bie në sy, menjëherë pas Plenumit të Brioneve (1966), se gjoja ajo e revidoi politikën e “gabimeve” ndaj shqiptarëve dhe gjoja po i hapte “dyert e perspektivës” për shqiptarët. Plenumi ia hodhi fajet gjoja nacionalizmit serb apo ministrit të Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviqit. Por, si mund të ndodhë do të thoshte Erih Fromm (1900-1980), se “delet zakonisht nuk shkojnë pas ujkut”. Poqese Rankoviqi ishte ai xhelati që bëri të gjitha ato krime, shtrohet pyetja ku ishte KQ i PKJ-së, KQ i PKS-së, e mos të ndalemi në anëtarët e kreut partiak të Kosovës. Athua si mund të shpjegohet shpërngulja e mija e qindra shqiptarëve nga trojet e veta, aksioni i mbledhjes së armëve, dhe krejt në fund kush e nënshkroi dhe e aktivizoi Konventën Jugosllavo-Turke të vitit 1938, që statistikat dëshmojnë se nga viti 1953-1960 nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare në ish Jugosllavi u shpërngulën mbi 283. 000 veta. E tëra kjo edhe njëherë vërteton se politika jugosllave edhe pas plenumit, s’ishte politikë e parimeve dhe e lirisë por, thjesht, ishte politikë e parimeve mashtruese dhe e lirisë manipuluese.
Për të bindur opinionin e gjerë të vendit e aq më tepër atë ndërkombëtar, se Shteti Jugosllavi, megjithatë është demokratik dhe të gjithë popujt që jetojnë në të gëzojnë të gjitha të drejtat, Titoja mori përsipër që të përgatitën dhe të miratohen disa amendamente kushtetuese në vitet 1967 dhe 1968, dhe më në fund Kosova për herë të par në historinë e vet e nxjerri Kushtetutën, se gjerë më 1974, Kosova kishte Statutin. Kjo ishte edhe një element bindës se Kosova u bë njësi e barabartë federale, natyrisht ende jo në atë nivel në të cilën kërkonte populli i saj.
Ç’është e vërteta, pas vitit 1966 dhe në veçanti pas ndryshimeve kushtetuese, u bënë disa hapa e ndryshime pozitive në përmirësimin e pozitës së Kosovës dhe të tërë popullit shqiptar në RSFJ, por analizuar drejt, as ato nuk kishin të bënin me ndonjë zgjidhje të drejtë e fatlume të çështjes së Kosovës.
Edhe më tej Autonomia vazhdonte të ishte tepër formale dhe tepër e kufizuar. Në mënyrë më perfide përsëri vazhdonte shtypja kombëtare dhe prapambetja e gjithanshme ekonomike, kulturore e arsimore etj. Lirshëm mund të thuhej se edhe vet shteti Jugosllavi që funksiononte si federatë ishte në gjendje krize të gjithanshme. Klima politike ishte në tension e sipër dhe në çdo moment pritej që të shpërthente.
Në këto kushte të tendosjes në Beograd dhe Zagreb kishin shpërthyer demonstrata të fuqishme më 1967. Ndërsa në Kosovë, pasi që u binden se me rrugë institucionale nuk do të arrihej e të sigurohej një autonomi më e gjerë, që Kosova të shpallej Republikë, e vetmja rrugë që kishte mbetur ishin demonstratat paqësore. Masat shqiptare në Jugosllavi nëpër mes demonstratave vendosën që të kërkonin ato që atyre iu mungonin gjithherë në krahasim me popujt e tjerë në Jugosllavi. Tek kërkesat e demonstruesve shqiptar, përveç tjerash do të ndikonte edhe kjo e dhënë, se sa ishte premtuar dhe çfarë nuk ishte zbatuar, por që ishte shkuar në të kundërtën nga pushtetarët.
Politika gjenocidale e Serbisë ndaj shqiptarëve ishte e vazhdueshme dhe sistematike. Një politik e këtillë kriminale u dëshmua që nga përfundimi i LDB, e që vazhdoi më 1968, 1981, e sidomos erdhi në shprehje pas vitit 1989, kur Serbia ndërmori një sërë veprimesh dhe aksionesh të planifikuara dhe të organizuara me qëllim të rrënimit të autonomisë kushtetuese, e cila Kosovën e definonte njësi federale të ish-Jugosllavisë.
Në nëntor të vitit 1968 gjithandej Kosovës, e në veçanti në Prishtinë me 27 nëntor 1968 u organizuan demonstratat publike me kërkesat për përdorimin e flamurit kombëtar, për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe, për pozitën e barabartë të popullit shqiptar me popujt tjerë, gjer në kërkesën sublime për Kosovën Republikë, si pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave. Këto demonstrata e para publike në Prishtinë u shuan me përdorimin e dhunës së paparaparë nga forcat e rendit publik serb, si pasojë e së cilit ra edhe dëshmori i parë i demonstratave nxënësi Murat Mehmeti, si dhe dhjetëra të lënduar. Por kjo demonstratë publike inicioi rezultatet e para të përmirësimit të pozitës së popullit shqiptar, nga përdorimi i lirë i flamurit kombëtar, hapjen e Universitetit të Prishtinës në vitin 1970, diskutimet publike për amendamentet kushtetuese që sollën avancimin e pozitës juridike të Kosovës që u kurorëzua me miratimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 1974, që e avancoi Kosovën si pjesë përbërëse e ish federatës jugosllave, por me një dualizëm juridik që në të njëjtën kohë Kosova ishte edhe në përbërje të Serbisë por edhe të Jugosllavisë. Ky ishte maksimumi i avancimit të pozitës juridike kushtetuese të Kosovës në ish Jugosllavinë socialiste.
Me të vërtetë dekada 1971-1981 ishte periudha e lulëzimit të Kosovës gjatë së cilës përjetoi një zhvillim të hovshëm si në aspektin politik, ekonomik, arsimit, kulturës etj. Por ky dualizëm juridik i Kosovës nuk ishte një zgjidhje përfundimtare dhe afatgjate.
Me 11 mars 1981 shpërthyen demonstratat studentore në Prishtinë, të cilët me të shpejtë u përhapën gjithandej Kosovës gjatë muajve mars dhe prill, me ç’rast iu bashkëngjit edhe klasa punëtore, me kërkesën sublime për Republikën e Kosovës. Me të vërtetë këto ishin demonstratat madhështore dhe masive të papara gjer atëherë në ish Jugosllavinë socialiste. Edhe këto demonstrata u shuan me një dhunë të paparë me ç’rast pati dhjetë të vrarë e qindra të lënduar e të plagosur. Sa ishte me rëndësi strategjike dhe me planifikim largpamës kërkesa e popullit shqiptar për Kosovën Republikë, u pa, vetëm pas shpartallimit të ish Jugosllavisë, në vitin 1991, kur Badinteri ia njohu vetëm 6 republikave përbërëse të ish Jugosllavisë, të drejtën e vetëvendosjes, ndërsa në rastin e Kosovës ia mohoi, dhe ky fakt i hidhur edhe sot e kësaj dite po reflektohet, në të cilin thirret Serbia, duke qenë Kosova në përbërje “de jure” të saj sipas Rezolutës aktuale në fuqi të KS të OKB-së 1244, dhe në të cilin shpreson Serbia se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do ta merr parasysh, vitin e ardhshëm, gjatë përcaktimit të vlefshmërisë së pavarësisë së Kosovës nga aspekti i drejtës ndërkombëtare.
Pas këtyre demonstratave nisi tatëpjeta për popullin shqiptar dhe për pozitën juridike kushtetuese të Kosovës, me ç’rast Serbia inicioi amendamentet kushtetuese sipas së cilës suprimohet autonomia e Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.
Pas presionit të paparë mbi ish udhëheqjen aktuale politike, me 17 nëntor shpërthyen demonstratat masive të popullit shqiptar, por kësaj here, me kërkesën për ruajtjen e pozitës kushtetuese juridike të Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Në mars të vitit 1989 Serbia arriti ta suprimoi autonominë e Kosovës dhe ta rimarr sovranitetin edhe de jure mbi Kosovën.
Demonstratat dhe protestat e popullit shqiptar vazhduan përgjatë tërë vitit 1989 me ç’rast pati me dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur. Viti1989 ishte edhe viti i shembjes së sistemit komunist në tërë Evropën Juglindore, pas së cilës fill pasoi edhe shpërbërja e ish federatës jugosllave me luftëra të përgjakshme duke u nisur nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina. Pas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, në të cilin Kosova as që u përmend, në vitin 1996 pasojnë aksionet e para guerile të njësiteve të UÇK-së, i cili solli një ndryshim radikal në skenën kosovare të gjerë atëhershme, kalimi atë nga rezistenca pasive në atë aktive. (Përfundon në numrin e ardhshëm)
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

veseli-10.jpg


Veseli: Demonstratat e ’81-s patën peshë të madhe në avancimin e kauzës sonë kombëtare
11 mars 16:30

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kujtuar demonstratat e viti 1981.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se demonstratat e ’81-s patën një peshë të madhe në avancimin e kauzës sonë kombëtare për lirinë e Kosovës.

“Sot kujtojmë dhe nderojmë studentët e pranverës 81. Demonstratat studentore të atij viti patën një peshë të madhe në avancimin e kauzës sonë kombëtare për lirinë e Kosovës. Dëshmorët e pranverës 81 ishin emra që frymëzuan rezistencën deri në çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Veseli.

/Epoka e re/
 
Përgjigje e: Demonstratat studentore ’81, kthesë e madhe në historinë më të re të Kos

hashim-thaci.jpg


Thaçi: Demonstratat e ’81-shit, një ndër faqet më të ndritura të historisë së Kosovës


11 mars 17:05

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se demonstratat e vitit 1981 janë një ndër faqet më të ndritura të historisë së re të Kosovës.

“Më 11 Mars 1981 filloi demonstrata e parë e studentëve të Universitetit të Prishtinës, për t’u pasuar me protesta dhe demonstrata popullore anembanë Kosovës me kërkesën themelore për avansimin statusit politik të Kosovës në nivel të Republikës. Prej vitit 1981 deri më 1999 nuk rreshti asnjëherë rezistenca për liri dhe pavarësi të Kosovës, me forma nga më të ndryshmet, prej asaj paqësore deri tek ajo e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Demonstratat e vitit 1981 janë një ndër faqet më të ndritura të historisë së re të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e vet në “Facebook”.
 
Demonstratat e ’81-shit, i ka organizuar Shkau!
EDhe qat Autonomi na i moren!
Nji fjale popullore thot; “Nje budall e gjuan një gur e nji milion të mençur s'mund ta nxjerrin
 
Last edited:
Demonstratat e ’81-shit, i ka organizuar Shkau!
EDhe qat Autonomi na i moren!
Nji fjale popullore thot; “Nje budall e gjuan një gur e nji milion të mençur s'mund ta nxjerrin

shkau po thue a keshtu kan than vetem ata shpiunat e UDB-es e qe djemt e vajzat ma te mira me gjak te paster shqiptari i kan organizue e din bota se le ma shqiptaret e keshtu jan perpiek tua hupin meritat ketyre edhe per UÇK-ne po keta spiuj keshtu kan than akcionet e para te UÇK-se kur ju q... shpiunave te UDB-es plumb qe kinse UDB-ja po i vran po shyqyr qe juve qe mendoni keshtu motiiiii u ka dal boja
 
Jusuf Buxhovi thotë se Hashim Thaçi i përgjigjet figurës së Esat Pashë Toptanit, ndërsa Albin Kurti figurës së Hasan Prishtinës

Shkrimtari e historiani Jusuf Buxhovi në emisionin “Personale” ka folur për historinë e trojeve shqiptare dhe ka komentuar profilet e një sërë personaliteteve shqiptare.

Historiani ka thënë se bisedat mes Thaçit dhe Vuçiqit për shkëmbime territoresh faktorizojnë Serbinë dhe Rusinë në Ballkan.

“Kemi korrelacione ku shteti i Kosovës po kërcënohet nga vet shqiptarët…Presidenti i Kosovës në një far mënyrë nuk po e mbron shtetin e Kosovës. Kjo të kthen te anatema e Esat Pashë Toptanit”.

Buxhovi ka vlerësuar figurën e Albin Kurtit që sipas tij po lufton padrejtësitë që kanë ardhur nga Rezoluta 1244.

I pyetur për ndonjë analogji me figurat historike shqiptare, Historiani ka thënë se pavarësisht se rrethanat janë të pakrahasueshme figura e Albin Kurtit do t’i përgjigjej asaj të Hasan Prishtinës.

“ Edhe Hasan Prishtina ka luftuar për një koncept politik intelektual. Edhe ai ka qenë një politikan i pa korruptuar, i emancipuar. Një politikan që e ka shkrirë pasurinë për Shqipërinë. Një politikan që është dashur ta paguaj me kokë idealizmin e tij. Uroj që kjo të mos i ndodh Albin Kurtit. Por Albin Kurti ka përgjegjësi historike të përafërt me Hasan Prishtinën”, tha ndër të tjera Jusuf Buxhovi

Bota SOT
 

Attachments

  • auto_Esat-Pashe-Toptani-Hasan-Prishtina--1573942972.jpg
    auto_Esat-Pashe-Toptani-Hasan-Prishtina--1573942972.jpg
    23.7 KB · Views: 9
Back
Top