Përgjigje e: Ekzekutohet bankieri Artan Santo
Ne Shqiperi nuk i dun familjet e mira me tradite...
se po ti donin kishim ata qe vuajten mbi krye ...
Por kemi brekgrisurit e 44 me shpellaret e 90 ...
Me thuaj sa mbiemra nga familje qe i kane dhene Shqiperis historikisht i ke ne pushtet...perveç se krijojne ne privat e neper bote ...
Po nuk u vu ne krye ajka ai vend ashtu do vazhdoje te jete xhungel ... vetem ulerima e koqe plumbi do kete ...populli thote ruhu nga zengjini i ri ...se te vjetrit nuk i ben pershtypje ...
Artan Santo, Iliri i "Guximtarëve" që guxon çdo ditë
Në shkollën fillore e 8- vjeçare, në mesin e viteve '80, isha e lumtur, sepse nuk isha vetëm në mungesën e dëshirës për të ndjekur orën e fizkulturës apo edhe në pamundësinë për të ushtruar të gjithë didaktikën e saj. Isha një "buçko" e llastuar, e rritur nga gjyshja ime e ndjerë sot, e cila asokohe thoshte: "Qyqja, kjo është qullace, do ma rrahin në shkollë". Por për mua figura e Ilirit në filmin shqiptar "Guximtarët" ishte ngushëlluese e shpresëdhënëse. Një ditë ai ia doli! Kjo ditë do të vinte edhe për mua. Filmi "Guximtarët" u prodhua në vitin 1970 me skenar dhe regji të Gëzim Erebarës, muzikë të mjeshtrit Robert Radoja dhe me interpretimin e aktorëve si Mevlan Shanaj, Tinka Kurti, Sandër Prosi, Edmond Gozhdari, Agim Mujo, Zana Turku dhe me personazh kryesor Ilirin, fëmijën e asaj kohe, interpretuar nga Artan Santo.
Këmbëngulja:
Ngjashmëria me
personazhin e Ilirit
Iliri po rritej si një fëmijë egoist dhe tepër i përkëdhelur. Shokët e tij të klasës e rrethonin me dashuri dhe përkujdesje për interesa më të gjëra, por i mësuar të gjente gjithçka gati, Iliri nuk e vinte re aspak nevojën për të bërë gjëra edhe vetëm, pa ndihmën e askujt… Derisa një ditë, vendos të niset me një grup alpinistësh të rinj në malet e Shqipërisë së Veriut. Më në fund ai e sheh jetën nga një tjetër këndvështrim, derisa nga "qullaci" që nuk kalonte dot kaluçin, nuk mbeti më as një grimcë, as atëherë, në rolin e një 14-vjeçari, as sot, kur ndërsa ka fare pak kohë që i ka kaluar të 55-at, është pa diskutim, profili i një biznesmeni të suksesshëm, që edhe pse nuk e dinte se jeta do i merrte këtë drejtim, i hyri pa bërë naze sepse kështu kishin vendosur të tjerët për të.
Si iu projektua e ardhmja?
I pëlqenin, librat, piktura, e projektonte të ardhmen si jurist, mjek apo arkitekt, por Komiteti Ekzekutiv i kohës, kështu kishte vendosur për të riun Artan Santo: Të ndiqte studimet në fushën e ekonomisë. Ka një postulat që ndjek njeriun në tërë ekzistencën e vet: Ai duhet të bëjë atë që ka dëshirë, sepse vetëm atë bën mirë e mund të ketë sukses, por Santo është një kundërshembull: Ekonomia, e cila ishte krejtësisht kundër dëshirës së tij, u bë suksesi absolut i jetës së ish aktorit të vogël.
Edhe pse u detyrua të ndiqte studimet pa dëshirë, aq sa ditët e para të mësimit, as nuk shkoi fare, të paktën pasionet, me të cilët e shihte veten të lidhur ngushtësisht, nuk i la pas dore. Ishte i vendosur t'i provonte, qoftë edhe vetëm t'i prekte. Për këtë arsye ka lexuar me dëshirë të gjitha librat e Fakultetit të Mjekësisë dhe ka ndjekur praktikat mësimore në këtë fakultet. Gjithashtu, ka bërë edhe një kurs tremujor për arkitekturë, ndërkohë që realizoi ëndrrën e tij për t'u bërë jurist. Kështu, direkt pas mbarimit të Fakultetit Ekonomik ai vazhdoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë, për të përfituar sakaq edhe profilin e juristit, që ndonëse nuk e ushtron më vete, e ka vendosur në funksion të punës së përditshme, kur i duhet të përballet jo rrallë me kontrata të çdo lloji, kur duhet të vendosë për një investim të ri, apo kur duhet të mbrojë dhe argumentojë një tezë të tij në lidhje me ekonominë e vendit në një periudhë të caktuar.
Figura e një lideri
Të qenit lider, duket sikur iu parashikua vetëm pak kohë pasi u diplomua, pasi në moshën 23 vjeçare u emërua kryerevizor në ndërmarrjen tregtare industriale, ku në varësi kishte 14 revizorë, që të gjithë më të mëdhenj se ai në moshë, gjë që e bënte pak më të vështirë postin drejtues, por tashmë e kishte marrë rrugën e nuk mund të kthehej më prapa. Nisi të investonte në fushën e dijes e të praktikës që në vitin 1984, kur për pesë vite me radhë u angazhua në sektorin e ekonomisë botërore, detyrë e cila e avantazhoi në mundësinë për t'u njohur me çdo gjë të re që dilte në botë, por që në Shqipëri ishte e ndaluar të aplikohej. Ishte një hap përpara të tjerëve. Santo ishte ndër të parët që guxoi dhe si në filmin me titull "Guximtarët" që e shndërroi në një prej fëmijëve më të famshëm të kohës, tentoi dhe arriti me sukses që së bashku me miq të tjerë, biznesmenë që ishin endur pa fund duke punuar për arritjet e tyre financiare, të themelonin bankën me 100 % kapital shqiptar, bankën "Credins". Bashkëjetonin me presionin e vazhdueshëm se ç'ju duhej kjo punë dhe idesë fikse që ata mund t'ja dilnin. Dhe ja dolën! Zgjodhën bashkërisht sloganin "Ne flasim gjuhën tuaj", të nxitur nga një lloj nacionalizmi, por mbi të gjitha nga dëshira për t'iu shërbyer me përkushtim bashkatdhetarëve. Është detyra e këtyre të fundit të bëhen më të ndërgjegjshëm për të qenit shqiptar, ta përdorin më shumë mallin shqiptar, të përdorin më tepër bankat shqiptare se kështu rritet ekonomia shqiptare e vendit dhe krijohen mundësi më reale për t'u integruar në bashkësinë ndërkombëtare.
Sot është i kënaqur, por i ndërgjegjshëm që asgjë nuk bëhet vetëm. Detyrat duhen deleguar dhe për këtë nuk rresht asnjëherë së falënderuari ata që e ndihmuan në rrugën drejt një suksesi të sigurt.
Pasionet e tjera
Të bësh para në një kohë të shkurtër, të jep siguri, por të bën të humbasësh veten. Artan Santo kurrë nuk e ka dashur këtë, ndaj është përpjekur t'i bëjë të dyja një herësh: Të fitojë pa humbur asgjë nga njerëzorja, humania, për të cilat miqtë dhe bashkëpunëtorët, thonë se nuk iu mungon asnjëherë. Kështu thonë drejtues të komuniteteve në nevojë, dora e të cilëve nuk ka mbetur kurrë e shtrirë, sa herë kanë kërkuar ndihmën e tij, kështu thonë edhe drejtuesit e studentët e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), ku Santo është një prej biznesmenëve që ka kontraktuar studentë në detyra, në varësi të performancës së tyre akademike gjatë tre viteve të para të ciklit të studimeve.
Por kështu shprehet edhe vetë, në mënyrat e tij, duke pikturuar nëse gjen ndonjë sekondë kohë, duke shkruar, apo edhe duke lexuar, edhe pse angazhimet nuk e lejojnë më sa dikur.
Për t'ju kthyer edhe një herë personazhit të Ilirit, zgjedhja e tij si protagonist në vitin 1970, nuk ishte edhe aq e rastësishme. Këtë e tregoi vetë Artan Santo, i cili nëpërmjet fjalës së shkruar, të botuar, tregoi se nën veshjen e bankierit, fshihet ai tharmi artistik, që Santo, pavarësisht angazhimeve, nëse do "të ngre krye", e lejon dhe i nënshtrohet pa kushte.
Jo rrallë e heq kollaren e kostumin, lë mënjanë komunikimin zyrtar dhe organizon argëtime edhe në jetën e përditshme. Një fundjavë, ku secili jep kontributin e tij për të kaluar bukur, një bisedë jo domosdoshmërisht profesionale, i jep kënaqësi të veçantë. I duhet edhe të çlodhet sadopak, të marrë energji të reja për të marrë vendimet e së nesërmes, pasi natyra e ka karakterizuar me një padurim për të bërë gjëra të reja, të tjera. E di që risku bashkëjeton me të, sa herë i duhet të vendosë, por kështu është ai i gatuar: I do gjërat dhe i do shpejt, sepse koha nuk kthehet prapa. E tregoi në të gjithë veprimtarinë e jetës së tij, kur çdo skeptik dyshonte se po kërkonte të pamundurën, edhe atëherë kur bëri kthesën në Bankën e Kursimeve, të cilën në korrikun e vitit 1997 e gjeti me bilanc financiar me humbje prej 6.6 miliardë lekësh, e kur e dorëzoi në shkurtin e vitit 2001, bilanci financiar i bankës rezultoi me 6 miliardë lekë fitim, edhe kur me miq e bashkëpunëtorë themeluan "Credins" bankën me 100 % kapital shqiptar…
Pengjet
Janë të lidhura ngushtësisht me familjen e tij, me të shoqen dhe fëmijët, Egi dhe Emi, të cilëve e ka të pamundur t'u kushtojë kohën e nevojshme, për shkak të angazhimit me orë të gjata në bankë, por gjen qetësi e prehje, sa herë ndeshet me rezultatet dhe arritjet e tyre. Është krenar që kanë prirjet e tij, edhe pse kurrë nuk u është i imponuar në zgjedhjet e tyre.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)