• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Gjergj Kastrioti Skëndërbeu

Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut, nga Arkivi i Venecias: Çfarë ndodhi me djalin dhe nipin, kush ishte Kastrioti që masakroi uskotët
October 28, 2021 00:05

Nga Pëllumb Xhufi

Botuar në DITA

Emri dhe fama e Gjergj Kastriot Skënderbeut, e kthyen heroin në një referencë historike dhe element identifikimi kombëtar e kulturor për shqiptarët e të gjitha kohërave, të të gjitha viseve e të të gjitha besimeve.

E provon këtë arvaniti Gjon Erakli, nga Mani i Peloponezit, i cili në vitin 1557 mburrej përpara Papës se ishte kushëri i Gjergj Kastriotit (il nostro parente Giorgio Castrioto detto Schindorvechi); e dëshmojnë ata krerë të Arbrit të Jugut, që në 1577 i prezantoheshin papës Gregor XIII si bashkëkombas “të mbretit tonë Skënderbe” (Scanderbech, noster Rex); e dëshmojnë po ashtu pjesëmarrësit e Kuvendit të Dukagjinit të vitit 1602, të cilët betoheshin “të rifitonin lirinë e dikurshme që gëzonin në kohën e Princit të tyre Skënderbe”; e dëshmon organizatori i paepur i kryengritjeve antiosmane, Mark Gjini, që nuk linte rast pa kujtuar që gjyshi i tij kishte luftuar nën urdhrat e Skënderbeut; e, në fund, e dëshmon edhe Mahmud Pashë Bushatlliu i Shkodrës, i cili në prag të Rilindjes Kombëtare e shpallte veten pasardhës të Skënderbeut dhe imitues të veprave të tij: të gjithë këta e njihnin Skënderbeun si demiurg të tyre, si model e, në fund të fundit, edhe si faktor që lehtësonte kontaktet me kanceleritë e Perëndimit.

Shumë më të vështirë e patën pasardhësit Kastriotë, të cilëve, përveç privilegjit si trashëgimtarë të emrit e të lavdisë së Heroit, u binte edhe barra e rëndë e matjes me bëmat e tij. Në fakt, asnjë prej tyre nuk e pati gjeninë e Skënderbeut e nuk u ngrit dot në lartësinë e kryeparit.

I biri, Gjon Kastrioti, në vitin 1481 u dërgua në Shqipëri nga mbreti Ferrante i Napolit për të ndezur aty zjarrin e kryengritjes antiosmane. Por dëshmitë e kohës heshtin për të, ndërsa ngrenë në qiell trimëritë e fitoret ushtarake të kapitenëve shqiptarë që e shoqëruan në atë aventurë, të Kostandin Muzakës, kushëri i Gjonit, e të Krokodil Kladës nga Mani i Peloponezit.

I biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti, tentoi të shkëlqejë aty ku kishte shkëlqyer gjyshi i tij legjendar, e ku në 1481 kishte dështuar i jati. Por, ky Gjergj qëndronte shumë larg Gjergjit të parë. Bashkëkohësit rrëfejnë se ishte i dhënë pas jetës mondane, i pëlqente të shpenzonte e të vishej bukur (bel vestito).

Madje, kronisti Girolamo Priuli e përshkruan Gjergjin si një të ri mendjelehtë (haveva pocho zervello). Ndoshta ngaqë i mungonin mjetet financiare për të përballuar tekat e veta (kështu pëshpërit kronisti tjetër, Marin Sanudo), Gjergji i propozoi Senatit të Venedikut ta mbështeste financiarisht për të kryer në Shqipëri një ekspeditë ushtarake: Shqiptarët mezi prisnin nipin e Skënderbeut për t’u hedhur në kryengritjen e radhës.

Atë kohë, vitet 1499-1503, Republika e Venedikut ishte përfshirë në një luftë të re me Perandorinë Osmane. Në këtë kontekst, ekspedita e Skënderbeut të Ri do kishte një efekt diversiv, duke i bllokuar turqit në sterenë shqiptare e duke lënë të lirë trafikun detar në Adriatik, që ishte shqetësimi kryesor i venecianëve.

Kështu, pas debatesh të gjata e të ndezura, më në fund, në mars 1501, Senati e mori vendimin për nisjen e ekspeditës. “E mori, por doli një punë koti”, komenton plot sarkazëm bashkëkohësi Marin Sanudo vendimin e Senatit (E fu presa, et fuit nihil).
Në fakt, ekspedita e Gjergjit filloi e mbaroi me pushtimin pa luftë të Ishull-Lezhës, të cilën, në vend të një plasdarme ushtarake për çlirimin e vendit, ai e ktheu në një “rezidencë” mondane, ku priste e përcillte përfaqësues lokalë e deri dinjitarë osmanë nga Kruja e Shkodra.

Sanudo tallet me këtë anabasis të çuditshme të Skënderbeut të Ri në Shqipëri, kur precizon se ky kishte marrë me vete edhe të shoqen, dhe shton: mjaftonte një shenjë e gruas, dhe Gjergji linte përgjysëm çdo bisedë “shtetërore” për t’ia kushtuar asaj gjithë vëmendjen e vet.

Ndër pasardhësit e Skënderbeut në diasporën italiane, më i denjë për emrin e lavdishëm që mbante, edhe pse nuk i përkiste linjës së drejtpërdrejtë të familjes, ishte Alfonsi, markez i Tripaldës. Në zonën e Labërisë e të Himarës e njihnin mjaft mirë, dhe akoma në vitin 1566, rreth njëzet vjet pas vdekjes së tij, krerët e atyre viseve kujtonin “fatlumin Markez të Tripaldës, që sa ishte gjallë na u ndodh pranë bujarisht, e tani që nuk e kemi më, na ka lënë të pashpresë”.

Në fakt, Mbreti i Napolit e kishte emëruar Alfonsin si qeveritar të Kalabrisë e të Puljes, e këtë pozicion ai e shfrytëzoi për të forcuar lidhjet me bashkëpatriotët e tij të përtej-detit, e më tej për të organizuar aty operacione zbulimi e deri kryengritje të armatosura kundër osmanëve.

Por djali i tij, Antoni, i cili falë martesës fatlume të tij mori edhe titullin e dukës së Ferrandinës, qëlloi edhe ai djali plangprishës i familjes. Pasi e shkriu pasurinë në festa mondane e duke bredhur nëpër botë, gjeti vdekjen në Venecie gjatë Karnevaleve të vitit 1549.

I gjori, shkëlqeu me bukurinë e zhdërvjelltësinë e tij gjatë garës me kuaj në sheshin San Stefano, por në fund të saj guxoi t’i hedh një kompliment paksa të guximshëm një damixhele veneciane, burri i së cilës, në zënkë e sipër, e goditi për vdekje me shpatë. Kjo vdekje tragjike në Karnavalet veneciane do të mbyllte, në mënyrë melankonike, historinë e Kastriotëve të Italisë, atë të denjë për t’u përjetësuar.

Ndërkohë, kanë munguar të dhëna për pasardhës eventualë të Kastriotëve në Shqipëri. Në fakt, pas plojës që Skënderbeu kishte shkaktuar mbi turqit osmanë, aty nuk kishte vend për Kastriotët. Flitet për ndonjë pinjoll të tyre, që u kaloi në islam dhe u humb në masën e të paemërve.

Megjithatë, dokumente të viteve 1601-1605 të Arkivit të Venecies, të gjetura së fundi, na njohin në Dalmacinë veneciane me një pinjoll të panjohur të Kastriotëve. Bëhet fjalë për Françesk Kastriotin, emrin e të cilit dokumentet e japin Francesco Castriotto, e ndonjëherë edhe në formën akoma më shqipe: Francesco Castriotti. Ky përmendet si kapiten i shquar në shërbim të Venedikut me rastin e luftës që Republika u shpalli uskokëve.

Uskokët ishin luftëtarë kroatë të rekrutuar nga venecianët për të ruajtur zotërimet bregdetare dalmate nga sulmet e osmanëve. Por nga mesi i shek. XVI, uskokët u kthyen në një makth për punëdhënësit e tyre. Më shumë se të ndesheshin me osmanët, uskokët u dhanë pas zanatit më fitimprurës të piraterisë, duke sulmuar e plaçkitur pikërisht anijet tregtare veneciane.

Luftëtarë të ashpër e mizorë, uskokët u kthyen në tmerrin e lundërtarëve, gjë që e detyroi Republikën të krijonte një trupë të veçantë me rekrutë vendas (kroatë) për të ndalur sulmet e tyre. Rezultatet qenë të pakta, dhe venecianët e panë me vend të angazhojnë kundër uskokëve edhe luftëtarë shqiptarë.

Në vitin 1598 trupa e “luftëtarëve kundër uskokëve” numuronte përveç 150 kroatëve, edhe po aq shqiptarë. Këta, që ishin luftëtarë po aq të ashpër e të pamëshirshëm sa uskokët, e përmbysën situatën luftarake në favor të Venedikut. Kjo e nxiti qeveritarin venecian të Zarës (Zadar), t’i propozonte Senatit, që Kroatët të zëvendësoheshin të gjithë me luftëtarë shqiptarë (in loco di Crovati fossero tutti Albanesi).

Nuk dimë nëse kjo ndodhi vërtet. Por dimë që në vitin 1601 vendin e “Kapitenit të luftës kundër uskokëve” e mbante shqiptari Pal Gjini, me gradën gjeneral (Gr. Paulo Gini). Pikërisht nën urdhrat e tij ishte kapiteni Franco Kastrioti, si dhe kapitenët e tjerë, gjithashtu shqiptarë: Jak Kruta (Giacomo Crutta), Gjon Gjini (Zuanne Gini), Dabo Luzi (Dabbo Lussi), Gjon Misja (Giovanni Messia), Andrea Leka (Andrea Lecha).

Mes aksioneve të tyre, bëri bujë ai i majit të vitit 1613 kundër një bande uskokësh, të cilët më herët kishin sekuestruar një anije tregtare veneciane. Thuhet, se pasi i kishin prerë kokën kapitenit të anijes, uskokët i kishin nxjerrë atij edhe zemrën, të cilën e ndanë mes tyre dhe e hëngrën në banketin e fitores (fatto decapitare il sopracomito con grande inhumanità, cavandoli il cuore e mangiandolo in un loro banchetto).

Por uskokët u zunë në befasi nga shqiptarët e Pal Gjinit, të cilët vranë 70 prej tyre dhe kokat e prera të tyre ia çuan si shpagim qeveritarit venecian të Zarës. Po atë vit, i gjithë formacioni anti-uskok i Shqiptarëve, që ndërkohë kishte arritur numrin e 800 luftëtarëve, i sulmoi uskokët në çerdhen e tyre, në Senjë, “duke bërë copë-copë 1500 uskokë e duke plaçkitur vendin e tyre”.

Nga këto pak të dhëna, mund të themi me siguri, që në kapërcim të shek. XVI-XVII, pinjolli i Kastriotëve, kapiteni Francesco Kastrioti, pati një rol parësor në këtë faqe të historisë shqiptaro-adriatike që zgjati për gati dy shekuj.

Por, për momentin, njohuritë tona për të ndalen këtu. Me siguri, fondet e shumta të Arkivit të Venecies, përveç atyre që ne kemi mundur të konsultojmë, ruajnë njoftime të tjera, edhe më të rëndësishme, për pinjollin e Kastriotëve, për të tjerë personazhe e për të tjera ngjarje të historisë së shqiptarëve në mesjetë.
Por dikush duhet, më në fund, të kujtohet, se duhen përgatitur studiuesit e rinj, e u duhen krijuar atyre kushtet për t’u hyrë me sistem arkivave, posaçërisht atyre të Venecies.

Vetëm në universitetet e Italisë sot numërohen me mijëra studentët shqiptarë që frekuentojnë fakultetet “Lettere e Filosofia”. Deri tani nuk është dëgjuar qoftë edhe një rast i vetëm, që dikush prej studentëve shqiptarë të ketë zgjedhur drejtimin “
Lettere Classiche”, që është një iter i detyruar për përgatitjen e albanologëve të së ardhmes.

Në Romë, Padova apo Napoli studentët shqiptarë zgjedhin të diplomohen për Gjuhë Angleze, për Letërsi Spanjolle, apo makar edhe për Gjuhë e Letërsi Shqipe! “Punë koti”, do të thoshte Marin Sanudo.
 
Bytča Castle in Slovakia - Georgius Castriotus Epirotarum Dux, Turcis Scanderbeg dictus

1638727336648.png
1638727356812.png

 
Mandi, teper interesante dhe me vler ky dokument...edhe se Gjergji eshte i portretizuar me ngjajshmeri si Vlladar( prijsi) Drakula...bashkohes i Hunjadit e Skenderbeut...
Interesante eshte kjo se si iu moren peng nga Sulltani dhemt e tij...di te rasti Kastriotve...
 
Ajo qe me ka habit ne nje leter ku Skenderbeu i shkruante Sulltanit
Ish totalisht diplomaci.
Asnje arrogance
Pak ironi
Mjaftueshem vleresim
Shume fisnike. :)

S'mensoj se eshte bere mjaftueshem ne nje permbledhje sa me origjinale mbi figuren e tij.
 
Simbas Maciamo Hay, nje pasardhes i Skenderbeut eshte testu me Y-DNA E-V13. Tipik linj Shqiptare.



Nese e vertete ( Maciamo zakonisht eshte preciz ), ateher Skenderbeu ndan nje paraardhes te perbashket ne antikitet me vllaznit Frasheri qe e ndajn te njejten subklad.
 
Si sot, në 17 Janar përpara 554 vitesh vdiq heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.Heroi që bashkë me të gjithë bashkëluftëtarët e tij i tregoi botës se si perandoria më e fortë e kohës mund të mposhtej në emër të lirisë, nga Kombi më i vjetër i ballkanit dhe ndër më të vjetrit në Europë!
Lavdi të gjithë atyre djemve, vajzave, burra, gra që kanë dhënë jetën e tyre që ne sot të jetojmë të lirë!
AD55CB4D-B3F5-4D99-8899-685FDC34D703.jpeg
 
Last edited:
I pavdekuri heroi I yne Kombetar .🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱🇦🇱

skendo.jpg


45xq157cmoe71.jpg
 
Lerini traplliqet e Kole Lulashit

Nga Moikom Zeqo
Botuar në DITA

Varri i Gjergj Kastriot Skenderbeut, ka tërhequr, ka grishur vëmendjen e shekujve dhe të njerëzve, ka fituar gati statusin e një tabuje jo vetëm për shqiptarët, por edhe për të tjerët.
Si një motiv filmik, hollivudian do ta sfiliste (shekujve) dhe e sfilit edhe sot fantazinë tonë.
Varri lind si njeriu, ka ditëlindjen ditëvdekjen e njeriut. Është e njëjta datë e dyfishtë, kundërshtore me vetveten. 17 janari i vitit 1468 është vdekja e Heroit, por pa këtë vdekje nuk do të krijohej mahnitshëm, nga e panjohura e veshur si e papritura.
Njëlloj Hirushe e Kalendarit, do të shënonte ekzistencën e tij në botë dhe në amshim, Varri i Heroit.
***
Varri është kështu aq kuptimplotë dhe i papërputhshëm për njeriun, sa kali i luftës për kalorësin.
Nëse ajo që quhet vdekja e njeriut shënon një pikë fikse të rrugëtimit të tij, varri shënon startin e një rrugëtimi tjetër, sepse vetëm kështu fundi është njëkohësisht edhe fillimi.
Apologjia e varreve ngandonjëherë tejkalon gjithçka.
Tempulli varr, i quajtur Taxh Mahall, në Igra të Indisë, është një metaforë lirike e piramidave, varreve plot epikë të frikshme me madhështi astronomike të faraonëve të vdekur.
Po të mos ishte Piramida e Keopsit, nuk do të kujtohej ndoshta emri perandorak, i vështirë dhe i egër, i kumbueshëm dhe i kotë.
Kjo është plotësisht e vërtetë, nëse nuk harrojmë që Akili nuk ka varr, as Odiseu.
Nëse varri humbet, ahere kemi një mallkim të shumëfishuar, një ankth gërryes, një shi prej acidi, që tret dhe shkatërron Kujtesën.
***
Skënderbeu e ka një varr të përcaktuar në koordinata të dyfishta hapësinore dhe kohore, data kalendarike është bërë substanciale, në një motiv hapësinor, të pashmangshëm në botë.
Kronika thotë, në mënyrë të pamëshirshme, por dhe asnjanëse dhe indiferente, se Skënderbeu u varros në Katedralen e Shën Nikollës, në Lezhë, jo në ndonjë vend tjetër.
Kështu, një pikë e kritikuar kohore bëhet një pikë e kritikuar hapësinore, data është lëvozhga, heroi është bërthama.
Gjithë vështirësia, pabesia, imagjinata e sëmurë, fataliteti, paradoksi kanë të bëjnë ose me njësimin përfundimtar, ose me shpërbërjen; mund të ruhet varri bosh, por eshtrat jo, nëse heroi është mëma e varrit (njëkohësisht dhe ati), varri është fëmija (trashëgimtari), vijuesi, rrugëvazhduesi etj., etj.
Historia e varreve bosh është e frikshme, por e rëndomtë.
Në lashtësi njerëzit ndërtonin varre bosh, të quajtura kenotafe, për njerëzit e tyre të afërt që kishin vdekur diku nëpër botë, nëpër qytete të huaja, mbi lumenj apo dete të pafund, duke mos u kthyer kurrë në vendlindje.
Kenotafet ishin fizikisht bosh, por shpirtërisht plot.
Apologjia na e mëson këtë aventurë, madje na rutinizon me çudirat.
E nëse varri i Skënderbeut nuk humbi, kjo nuk do të thotë aspak se një humbje përfundimtare e këtij varri do ta bënte të humbte në hiç e në pluhur vetë Skënderbeun. Dalim kështu te një kuptim metaforik, konvencional, delikat, i brishtë, ose ndoshta, në fund të fundit, të panevojshëm.
Ne nuk i dimë duart, që skalitën mermerin dhe ndërtuan varrin, sarkofagun e Skënderbeut. Nuk e përfytyrojmë dot ceremoninë rituale të vdekjes, nuk kishte as kamera, as magnetofona, as aparate fotografike.
Njerëzit janë prej mishi dhe gjaku, kujtesat e tyre autentike janë po kaq të pambrojtura dhe rrezikshmërisht të shkatërrueshme. Nuk dimë nëse mbi pllakën mbivarrore u shkrua në shqip, apo në latinisht emri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, epitafi i tij, titujt, fjalët kushtimore të shekullit, simbolet heraldike, kryqi sa i pagantë aq dhe i krishterë.
Nuk i dimë fytyrat e përlotura, as duart e dridhura, as temjanin gati si tymi i topave dhe bombardave të amshimit. As ngashërimin e thekshëm, ulëritës, të pafuqishëm, ajkunor të gruas, as belbëzimin gjithë gulç, lotët e të birit.
TE DEUME transparente, të lëvizshme, që pluhurizohen. Flokët e shkulur të Lekë Dukagjinit, mjegullat, këngët, profecitë e zymta. Kambanat e kishave të Shqipërisë, të përvëluara, inkandeshente nga goditjet. Të krejt. Europës.
Ankthi i thurur, shermashek vajtimi që ngjitet që nga Hadi.
Fatalizmi, pamendimi i mediokërve, humbja e shumë shpirtrave për hir të një shpirti, këngë funebre pa tinguj, madhështi e kuarcuar, shekuj të thyeshëm si qelq, libra që digjen vetvetiu, pa zjarr, ikona që zbardhen befas, dete të epërme që shndërrohen në stalagmite, Njëshi i Krishterimit i harruar, enigma të helmëta me këmbë insektesh, fëmijë ,që lindin me gjak të bardhë, jo të kuq, ethe të Kujtesës që rraskapitin gjithçka, djaj të gjelbëruar si mijëra shkurre, që dyndin një qytet antik të braktisur, poçe të thyera të darkave mistike të dikurshme, Klepsidra e Hënës, që rrjedh ujëra të zeza, apokaliptike.

Vdekja e Skënderbeut (gravurë)
Më këmbëngulësi, më i zymti dhe më i hershmi, më zhbiruesi, pra më i pabesueshmi, dijetari sanguin dhe i paepur Cosmo Serembe,autor dhe studiues arberesh, botoi në fillim të shek. XX, në Milano, edhe një libër të pazakontë, hulumtues, heretik, buçitës për kërkimet identifikuese të varrit dhe të salmës së Skënderbeut.
Libri i vogël ishte i furishëm dhe stuhidiskutimndjellës. Serembe citon Barletin si pikënisje, në të njëjtin kuptim si limani i nisjes së Kristofor Kolombit përpara zbulimit epokal.
Serembe përdor një teknikë çmitolotizuese të faktit të vërtetë historik. Sipas tij, skenari i varrosjes së trupit të Skënderbeut në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, ka qenë thjesht një strategji, një motiv apokrif, një parathënie e re, për të vërtetën krejt ndryshe.
Serembe është i bindur në mënyrë titanike se shqiptarët, rrethi i afërm i heroit, kanë përdorur të gjitha mënyrat e mundshme për t’i shpëtuar eshtrat e Skënderbeut nga duart e turqve.
Këtu shkëlqen me një dritë verbuese, halucinante sekreti i mbartjes së kufomës së Skënderbeut, duke ndryshuar përcaktimin e vendosjes, duke bërë një mospërputhje të fshehtë të dukjes së jashtme me thelbin e duke falsifikuar informacionin në kohë.
***
Serembe është këmbëngulës, nuk thyhet. Për të zhdukja e historisë së Tivarasit, të shtypur 13 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, ka ndodhur për arsye madhore, se kinse në këtë libër kishte shënime tepër të qarta mbi vdekjen dhe varrimin e Heroit, se Dogji Mocenigo, për t’i ndaluar turqit, që të orientuar nga shënimet e sakta të Tivarasit për varrin e vërtetë të Skënderbeut, urdhëruan që të zhdukeshin të gjitha kopjet e këtij libri, përveç një kopjeje, që i ra më vonë në dorë Biemm-it kokëkrisur dhe fantazist.
Po a thua i ra në dorë Biemm-it?
Serembe i skajëzon hamendësimet e tij. Libri i Tivarasit u shqye që të mos e merrte vesh njeri sekretin e fshehjes së trupit të Skënderbeut.
Ndoshta dhe libri i Gjon Buzukut – kopja e vetme që ka mbetu në botë, i ka të shqyera fletët e para, frontespicin, simbolin tipografik, për shkak të ruajtjes së një sekreti, që do të ishte më i kobshëm po të zbulohej.
Kështu, zhdukja e sekretit dhe jo ruajtja e tij, përbënte një motiv mbijetese, ruajtje. Kështu, paradoksi tingëllon i plotë, si monedha me dy faqe, jo si sfera.
Serembe i përkorë mbështetet në logjikën gati të pakundërshtueshme se shqiptarët, në asnjë mënyrë, absolutisht nuk do të donin që turqit, pas pushtimit të Lezhës, të dhunon varrin e Heroit.
Po a nuk do të pushtohej Lezha një ditë? Ç’naivitet absurd do të konstruktonte shpresën kinse utopike se turqit nuk do të shkonin në katedrale, do të trembeshin nga shikimet shigjetuese të afreskeve, nuk do ta preknin varrin tabu ?
Shqiptarët e dinin fare mirë se dhuna do të shumëfishohej si hakmarrje, rituali i zhvarrimit do të ishte një motiv më i epërm sesa ai i fitores.
Ahere ç’duhej të bënin shqiptarët ?
Serembe mendon përvujtërisht një projekt konceptual për shpalljen paraprakisht të varrosjes së trupit të Heroit në Katedralen e Shën Nikollës, duke ia bërë këtë të njohur gjithë botës, njëkohësisht do ta varrosnin diku, në një vend të panjohur, sekret, misterioz, kufomën.
Por Serembe nuk mund ta rrënjëzojë ashtu siç duhet këtë hamendësim. Ai gjen motive të tërthorta, sfilitet prej tyre, hakërritet, egërsohet, por edhe merr fuqi arsyetimi dhe pushtet këmbënguljeje.
Bindja e Serembes është se shqiptarët duhet të kenë lënë diku një dëshmi, një shenjë, një simbol grafik, një semiologji të kohës, një gremç të artë, por dhe të padukshëm në formën e një kriptografie.
Duke qenë i zotëruar prej filologjisë, ai bëhet një lloj Aladini i filologjisë së emrit të Heroit, emër që ka përjetuar plot përçudnime, qoftë prej padijes, qoftë prej gabimeve të kopistëve, si p.sh., Scanderbego, Scanderebech, Scandaribech, Skandalbech. Përçudnimet e emrit e ruajnë njëfarë probabiliteti, por midis këtyre përçudnimeve ruhet edhe ermi, që sipas Serembes është çelësi i Davidit që i hap gjitha portat e fshehtësive, të sekretit të dhimbshëm të vendvarrosjes së trupit të Skënderbeut.
***
Në vitin 1468, pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut, Ferdinandi i Aragonës i dërgon një letër së vesë së Heroit. Me këtë rast, në letër shkruhet “Scandalibech”.
Serembe mendon se kemi të bëjmë me një kriptogram të jashtëzakonshëm, të habitshëm, sfidues, grishës, marramendës.
Është një fjali konvencionale, e cila duhet ta shpërthejë substancën e saj në secilën germë në vetvete, germë nismëtare, kuptimore, kumtmbartëse.
Gjithë misteri lidhet me lehtësinë e të lexuarit nga e djathta në të majtë, pra në të kundërt, sipas leximit arab dhe jo atij latin.
Kështu kemi të bëjmë me këto germa iniciale të mëdha : H. C. E. B. I. L. A. D. N. A. C. S.
Duke plotësuar germat nistore me fjalë latine, formojmë përfundimisht, ultimisht, konkretisht, fuqimisht, lehtësisht, mrekullisht dhe marrëzisht, këtë fjali : HUMILITER CORNU EPISTOLAE BARBARIS IN LOCO ANGUSTO DOMINI NOSTRAE ALBANIAE CELAT SEPULERUM.
Një përkthim i lirë i kësaj latinishteje hieronimase, na njofton se Zoti i Shqipërisë (pra Gjergj Kastriot Skenderbeu) e ka të vendosur salmën (kufomën) në një vend të ngushtë pranë altarit, në krah, ku lexohet Epistula.
Cila Epistula (Letra) ?
Një Epistula biblike si ato të Shën Palit, apo një Epistula Testamentum, e vetë Skënderbeut? Serembe nuk e ftillëzon enigmën e Epistula-s. Këtu nis terri. E padepërtueshmja.
Mbase Serembe ishte frymëzuar nga Kabala, ku kombinimi i germave përfton krijesa fantazmagorike.
Një shkrimtar entuziast do ta besonte, do të thurte subjektin tronditës, ku përtej të Pabesueshmes gjallon e Besueshmja. Por një shkrimtar i tillë nuk ka lindur ende. Për fatin e mirë shkrimtarët mediokër janë indiferente, trillet e dijes për ta janë kotësi shqetësuese, bezdisëse.
***
Serembe shpiku një ide, bëri piedestalin për një monument të mangët, parashtroi, por nuk vërtetoi. Këmbënguli, por nuk gjeti dot asgjë.
Hodhi një fishekzjarr, por terri nuk u tërhoq. Parandjeu, bëri një nisje, por nuk arriti. Skeptikët nuk guxuan ta mëshironin, as ta përkëdhelnin.
Skënderbeu i gjallë ishte pa varr. Por edhe pas vdekjes nuk i duhet varri. Varri? Një rrobë e gardërobës funerare? S’ka nevojë heroi për këtë rrobë simbolike.
Heroi s’ka varr se është në substancën e Historisë. Varri hapet, prishet, profanohet, shkaterrohet në tokë, por jo në Histori. Varri është konvencional, – përtej Konkretësisë. Historia është konkrete, – përtej Konvencionalitetit.
Skënderbeu s’ka varr!
KY VARR JEMI TANI VETE NE! DHE ATA, QE DO TE VIJNE NE AMESHIM!
Një vend imagjinar nuk i duhet askujt!

—–
©
 
Kemi gjetur edhe nje pasardhes tjeter te familjes Kastrioti me emrin " Skenderbec "...kush ishte ky Skenderbeg i vitit 1515 ?

A ka egzistue nje tjeter hero shqiptar me emrin Skenderbec/ Skanderbek ?

Sipas nje dokumenti te nje kronike franceze rrethe vitit 1512 ne rrethinen e trevizes dhe Vicences permendet nje Komandant shqiptar me emrin Skenderbec i cili ishte ne krye te 200 ushtarve shqiptar qe mbronin interesat e republikes se Venedikut.

Ushtaret shqiptar ne keto treva pra ne sherbim te venedikasve ne ekte rast hasin ne nje kurth te montuar nga nje Komandant francez te cilet i kishin ardhur ne ndihme qyteteve tjera italiane qe nuk donin ti nenshtroheshin Venedikut pra ky komandanti francez i quajtur Bajard i ve kurthen ushtarve shqiptar te cilet kishin pushtuar nje keshtjelle, keshtjellen e Bassanos dhe here pas here benin inkursione ndaj ushtrise franceze. Bajard kishte vendosur qe ti qes ne kurth keta ushtar dhe nje dite i pret qe posa dalin nga keshtjella, te hypur ne kuaj, siç thot kronikues, "sikur shkonin ne darsem" nje grup francezesh gjoja merr vrapin kah kodrat permes nje lugine, gjoja se nuk ishin te zotet te luftonin dhe ne ate moment shqiptaret ne krye me Komandantin Skenderbeg iu turren prapa per ti zene...
Mirepo Bajardi ua kishte zene priten me nje ushtri me te madhe dhe te armatosur mire !
Kur e shef se iu eshte pergatitur mire kjo kurth, Skenderbeu nuk gjene tjeter rruge, ose te luftoje ose te merrte iken prapa ...
Skenderbeu leshon nje klithje me moton; Marco..;por ndoshta kjo ka lidhje me shprehjen e vjeter qe do thot "perpara burra" ?
Pas nje perleshje te madhe me se 30 shqiptar vriten por komandanti Skenderbec dhe ndihemsi i tij komandanti venecian Kontarini(Contarini) kapen nga francezet dhe dergohen para Bajardit.
Ky i thot Skenderbeut; ose dorzone keshtjellen e Bassanos ose qetu menjehere do ua pres koken !
Ushtaret tjere shqiptar qe kishin mbetur mbrenda ne keshtjell menjehere posa marrin vesh se Skenderbeu ishte ne rrezik vdekje nga francezet ua dorzojn keshtjeleln dhe ate ishte nipi i Skenderbeut qe ua hap dyert !

Pra pasi e lexon mire njeriu kete kronike te kesaj kohe pra te fillimit te shekullit XVI ku ne te permendet komandanti shqiptar Skenderbec qe luftoi ne itali, menjehere mendja do me shkonte tek Gjergj Kastrioti i cili poashtu gati 50 vite me pare kishte shkuar ne itali ne ndihme te mbretit te Napolit, mirepo kete here kemi te bejmi fjale nga ky kronikues per nje SKENDERBEG II- te dytë !
Mirepo a thue cili ka mundur te jete ky personazh tjetr qe ka mbajtur emrin Skenderbc ne itali edhe pas vdekjes te te madhit hero Gjergj kastriotit ?

Ka patur mundesi qe Gjin kastrioti, pra i biri i Gjergjit te mbiquhej edhe ai Skenderbec kur shoetoi atje be Italie ?
Mirepo si ka mundesi qe i biri te kalonte ne anen e Venedikasve, kundershtarve te tij politik ?

Per momentin nuk mund t'iu them se cili fshihej pas ketij emri te njohur por quditerishte, asnjehere nuk kam ndegjuar per nje Skenderbec te dytë perpos se ne kete kronike franceze e cila me intrigoj qe ti shkruaj keta pake rreshta.
 
Mandi, teper interesante dhe me vler ky dokument...edhe se Gjergji eshte i portretizuar me ngjajshmeri si Vlladar( prijsi) Drakula...bashkohes i Hunjadit e Skenderbeut...
Interesante eshte kjo se si iu moren peng nga Sulltani dhemt e tij...di te rasti Kastriotve...
Te dy kane qene pjese e urdhrit te dragoit (nga ku edhe rrjedh Dracula, Drac, Drag)
 
Back
Top